VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Senati konfirmon zonjën Haspel drejtore të CIA-s

By | May 18, 2018

Komentet

Trumpi beson se gazetari Khashoggi është i vdekur

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shprehur se ai beson se gazetari saudit Jamal Khashoggi është i vdekur, duke shprehur besim mbi raportet e inteligjencës nga burime të shumta që fuqimisht sugjerojnë rolin saudit në këtë rast.

Presidenti Trump në një intervistë për New York Times ndaloi të thoshte se princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, ishte përgjegjës për vdekjen e gazetarit Khashoggi.

Por Trump pranoi se akuzat mbi atë se princi urdhëroi vrasjen kanë ngritur pyetje të thella rreth aleancës amerikane me Arabinë Saudite, duke ndezur një nga krizat më serioze të politikës së jashtme të presidencës së tij.

“Kjo gjë ka kapur imagjinatën e botës, për fat të keq”, u tha Trump gazetarëve të New York Times në një intervistë të shkurtër në Zyrën Ovale, duke theksuar më tej, “Nuk është pozitive. Nuk është pozitive”.

“Nëse nuk ndodh mrekullia e të gjitha mrekullive, do të pranoj se ai është i vdekur”, tha Trump dhe shtoi, “Kjo bazohet në të gjitha shërbimet e inteligjencës që arrijnë”.

Pas një kohe të shkurtër, Trump përsëriti para gazetarëve në Bazën e Përbashkët Andrews se ai besonte se Khashoggi është i vdekur duke thënë se, “Kjo është gjë e keqe, e keqe dhe pasojat duhet të jenë të rënda”.

Intervista për New York Times ndodhi pasi presidenti u informua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili u kthye nga një udhëtim në Arabinë Saudite dhe në Turqi.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, ndërsa ka shqetësime se ai mund të jetë vrarë brenda saj.

Sipas burimeve të policisë turke, të njëjtën ditë, 15 sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën në kohën kur Khashoggi ishte ende brenda. Të gjithë individët e identifikuar kanë lëshuar Turqinë.

Për hetimin e rastit është formuar një ekip ekspertësh me propozim të Arabisë Saudite i përbërë nga zyrtarë sauditë dhe turq, i cili filloi punën të hënën me një hetim disa orësh në ndërtesën e konsullatës.

Grupi i përbashkët hetues sot në orët e hershme përfundoi edhe hetimin e nisur dje në rezidencën e konsullit gjeneral Mohammad al-Otaibi, i cili është larguar nga Turqia.

Palmer: Ka shqetësime për ndryshim kufijsh por edhe konflikti i ngrirë përbën rrezik

Flamuri i SHBA-së.

Zëvëndësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka thënë se Uashingtoni iu bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.

“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, ka thënë Palmer në Beograd gjatë adresimit në forumin e sigurisë “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”, transmeton agjencia, BETA.

Sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, SHBA-ja nuk shtyn dhe nuk angazhohet për çfarëdo rezultati të caktuar në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne po inkurajojmë palët të gjejnë rrugën përpara si dhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshmë të cilën do ta pranonin dyja palët” është shprehur Palmer.

Diplomati amerikan ka theksuar se SHBA-ja është e gatshme të dëgjojë dhe ndihmojë, por nuk mund të flasë për detaje, para së gjithash, lidhur me një ndryshim të mundshëm të kufirit, pasi nuk është paraqitur asnjë plan.

Sipas tij, SHBA-ja e kupton shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon stabilitetin e rajonit”.

Palmer ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë të ardhme evropiane por në këtë rrugë iu duhet ndihma.

Sa u përket vendeve te rajonit, Palmer ka thënë se nëse Shkupi nuk ka alternativë ndaj Marrëveshjes së Prespës, nëse dëshiron integrimin në NATO dhe BE si dhe ka ftuar udhëheqësit politikë të Maqedonisë të tejkalojnë politikën partiake dhe të shfrytëzojnë të ardhmen evropiane.

Sa i përket situatës në Bosnje dhe Hercegovinë, Palmer gjithashtu ka shprehur mbështetjen e SHBA-ve për integritetin territorial duke thënë se problem më i madh i atij vendi janë “politikanët e korruptuar të cilët e shfrytëzojnë retorikën nacionaliste për të krijuar ndarje”.

SHBA-të sipas tij dëshirojnë t’iu ndihmojnë gjitha vendeve të Ballkanit.

“Një Ballkan Perëndimor i fuqishëm do të thotë një Evropë më e fuqishme dhe rrjedhimisht një partneritet euroatlantik më i fuqishëm” ka deklaruar Palmer.

SHBA tërhiqet nga konferenca e investitorëve në Arabinë Saudite

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin tha të enjten se nuk do të marrë pjesë në konferencën e investimeve në Arabinë Saudite javën e ardhshme, ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump pret përfundimet e hetimit për gazetarin saudit, Jamal Khashoggi.

Zoti Mnuchin e njoftoi vendimin me një postim në Twitter, pas një takimi me presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit,

Mike Pompeo, i cili sapo është kthyer nga takimet me udhëheqësit e Riadit dhe Ankarasë.

Arabia Saudite ka thënë se ka në plan ta mbajë konferencën e planifikuar për në 23-25 tetor, pavarësisht nga një valë anulimesh nga udhëheqës të biznesit, qeverive dhe medias.

Tërheqja e zotit Mnuchin, vjen pas tërheqjes së zyrtarëve të lartë të financave, tregëtisë, dhe diplomacisë nga Britania, Franca, Gjermania dhe Holanda.

Zyrtarët turq kanë thënë se besojnë se gazetari Khashoggi, që ishte kritik i ashpër i Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, ishte vrarë në konsullatën saudite në Stamboll dhe trupi i tij ishte copëtuar dhe nxjerrë nga godina.

Pompeo informon Presidentin për çështjen e gazetarit të zhdukur saudit

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo informoi sot Presidentin Donald Trump rreth bisedimeve të tij me zyrtarët sauditë dhe turq dhe hetimet e tyre për zhdukjen e një gazetari saudit me banim në SHBA, që zyrtarët turq thonë se u vra nga agjentët e Arabisë Saudite në konsullatën e Riadit në Stamboll.

Takimi i zotit Pompeo me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë vjen pas një kërkimi të ri që hetuesit turq kryen në konsullatë, i dyti këtë javë. Por diplomati i lartë amerikan tha gjatë largimit nga Riadi se udhëheqësit sauditë nuk dëshironin të diskutonin asnjë fakt rreth çështjes, ndërkohë që ishin duke kryer një hetim për t’ia komunikuar publikut. Arabia Saudite ka mohuar se ka dijeni për zhdukjen e Khashoggit.

Zoti Pompeo qëndroi një ditë në Riad për të diskutuar mbi zhdukjen e gazetarit me Mbretin Salman dhe djalin e tij, princin e kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësi de facto i vendit.

Ai shkoi pastaj Pompeo në Ankara, për t’u takuar me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu. Media pro-qeveritare turke ka publikuar pohimet e hetuesve se agjentët sauditë i kanë prerë gishtat gazetarit, i kanë prerë kokën dhe i kanë coptuar trupin, pak pas arritjes së tij në konsullatën saudite më 2 tetor për të marrë disa dokumente martese.

Gazeta pro-qeveritare Sabah identifikoi zyrtarin e sigurimit saudit Maher Abdulaziz Mutreb si kreu i një “ekipi vrasësish” prej 15 anëtarësh që shkoi në Stamboll për të kryer ekzekutimin e Khashoggit. Gazetari jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara duke shkruar komente për gazetën Washington Post ku kritikonte princin e kurorës dhe përfshirjen saudite në luftën në Jemen.

Gazeta turke tha se Mutreb është fotografuar shpesh pranë princit të kurorës gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.

Ndërkohë, gazeta Washington Post boton sot atë që besohet të jetë shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilën ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe.

“Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet,” shkruan ai.

Trump: Kërkojmë nga Turqia audio dhe video për gazetarin e zhdukur saudit

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të mërkurën se ai do të dëshironte të kishte informacione audio dhe video nga Turqia, “nëse ekzistojnë”, lidhur me zhdukjen e një gazetari saudit që jetonte në SHBA, për të cilin zyrtarët turq thonë se u vra dhe më pas trupi i tij copëtua nga agjentët sauditë në konsullatën e Riadit në Stamboll.

Kërkesa e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë erdhi pasi ai shprehu mbështetje për Arabinë Saudite, një aleate e vjetër e SHBA dhe tha se pret që hetimi i tyre për çështjen e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi të përfundojë deri në fund të javës. Arabia Saudite ka mohuar se Khashoggi është vrarë.

I pyetur nga Fox Business në një intervistë se si do të vepronte nëse hetimi saudit tregon se përgjegjës janë udhëheqësit e Arabisë Saudite, mbreti Salman dhe princi i kurorës Mohammed bin Salman, Presidenti Trump tha: “Shpresoj se do të jemi në anën më të mirë e ekuacionit”.

“Ju e dini që ne kemi nevojë për Arabinë Saudite sa i përket luftës sonë kundër terrorizmit, asaj që po ndodh në Iran dhe vende të tjera,” tha zoti Trump.

I pyetur nëse SHBA do të distancohej nga Arabia Saudite për rastin Khashoggi, Presidenti Trump tha: “Unë nuk dua ta bëj këtë dhe sinqerisht ata na kanë bërë një kontratë-porosi të jashtëzakonshme, 110 miliard dollarë”. Ai iu referua një blerjeje të premtuar armësh amerikane në vitet e ardhshme.

“Janë 500 mijë vende pune, janë në fund të fundit 110 miliardë dollarë. Është porosia më e madhe në historinë e vendit tonë nga një ushtri e huaj dhe unë shtrova pyetjen: a do ta anulojmë këtë?” tha zoti Trump.

“Pra, shpresojmë se do të funksionojë. Do ta zbulojmë, do t’i shkojmë deri në fund,” tha Presidenti Trump për hetimin saudit. “Shpresoj që mbreti dhe princi i kurorës të mos kenë ditur gjë. Kjo është diçka e madhe për mendimin tim dhe shpresoj që ata të mos kenë ditur gjë.”

Komentet e presidentit erdhën pasi Sekretari i Shtetit Mike Pompeo përfundoi vizitat në Arabinë Saudite dhe në Turqi për bisedime me udhëheqësit e Arabisë Saudite si dhe me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu rreth zhdukjes së Khashoggit, i cili u pa për herë të fundit më 2 tetor kur hyri në konsullatën saudite në Stamboll.

Sekretari Pompeo, duke u kthyer në Uashington, u tha gazetarëve se SHBA duhet “të dinë faktet para se të mund të fillojmë të formulojmë se cila do të ishte “përgjigjja e përshtatshme” nëse Arabia Saudite është përgjegjëse për zhdukjen e Khashoggit.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që të gjithë të mbajnë parasysh se ne kemi shumë marrëdhënie të rëndësishme – marrëdhëniet financiare midis kompanive amerikane dhe saudite, marrëdhënie qeveritare, gjërat për të cilat ne punojmë së bashku në të gjithë botën”, tha zoti Pompeo.

“Përpjekjet për të zvogëluar rrezikun ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga nxitësi më i madh shtetëror i terrorizmit, Irani – sauditët janë partnerë të mirë për të punuar së bashku me ne në këto çështje”.

“Këto janë elemente të rëndësishme të politikës amerikane, janë në interesin e amerikanëve dhe ne thjesht duhet të sigurohemi se jemi të vetëdijshëm për këtë, para se qeveria e Shteteve të Bashkuara të marrë vendime, kur të mësojmë të gjithë faktet e lidhura me gjithçka që mund të ketë ndodhur,” zoti Pompeo.

Më parë, Sekretari Pompeo tha se kur u takua me udhëheqësit sauditë ata nuk donin të flisnin për ndonjë nga faktet që kishin të bënin me zhdukjen e Khashoggit.

Ndërsa drejtohej për në Ankara për të folur me krerët turq në lidhje me hetimin e tyre ai tha se monarku saudit dhe djali i tij e siguruan se do t’ia “tregonin të gjithë botës” rezultatet e hetimit të tyre.

Zoti Pompeo tha se sauditët u zotuan të mbanin përgjegjës “cilindo që lidhet me ndonjë keqbërje që mund të konstatohet”, duke mos bërë asnjë përjashtim për askënd, përfshirë anëtarët e familjes mbretërore.

I pyetur nëse zyrtarët sauditë i thanë atij nëse Khashoggi është gjallë apo i vdekur, zoti Pompeo tha: “Nuk dua të flas për ndonjë nga faktet. As ata nuk dëshirojnë, sepse duan të kenë mundësinë për të bërë hetimin në një mënyrë të plotë.”

Gazeta Wall Street Journal njoftoi të martën vonë se operativët sauditë e rrahën dhe e droguan Khashoggin, pastaj e vranë dhe ia copëtuan trupin. Gazeta thoshte se zyrtarët turq u kanë dhënë zyrtarëve sauditë dhe amerikanë dëshmi, duke përfshirë detajet e një regjistrimi zanor.

Zyrtarët turq kanë identifikuar 15 persona të dyshuar që ata thonë se shkuan në Stamboll dhe hynë në konsullatë ditën kur Khashoggi u zhduk. New York Times dhe Washington Post njoftuan të martën vonë se disa njerëz nga kjo listë janë të lidhur me shërbimet saudite të sigurisë dhe me princin e kurorës.

Agjencia e lajmeve Associated Press citoi gjithashtu një zyrtar të lartë turk që thoshte se gjatë një hetimi në konsullatën saudite, hetuesit turq gjetën prova për vrasjen e Khashoggit, por nuk dhanë hollësi të mëtejshme. Reuters tha se hetuesit gjetën “prova të forta”, por asnjë dëshmi përfundimtare për vdekjen e Khashoggit.

Avioni i zonjës Trump bën ulje të detyrueshme

Avioni që bartte Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, bëri ulje të detyrueshme pasi kabina u mbush me tym.

“Çdo gjë është në rregull dhe të gjithë janë mirë”, tha një zëdhënës i Trumpit.

Sipas tij, shkak i incidentit është një “çështje e vogël mekanike”.

Gazetarëve në bord iu dhanë peshqirë të lagur “për t’i vënë mbi fytyrë, nëse tymi bëhet shumë i dendur”, tha një gazetar i NBC-së.

Zonja Trump është dashur të udhëtojë në Filadelfia për të takuar familjet e prekura nga abuzimi me opiod, por avioni presidencial është kthyer në bazën ajrore në Merillend, nga ku është nisur.

Trump: Princi saudit mohon se ka dijeni për ngjarjet në konsullatë

Presidenti Trump tha të martën në Twitter se kishte folur në telefon me princin e kurorës të Arabisë Saudite, i cili, sipas tij, mohoi tërësisht se ka patur dijeni për atë që ka ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll.

Komentet vijnë pas bisedimeve që Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pati në Rijad me mbretin Salman dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman – udhëheqësi de fakto i vendit – lidhur me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili dy javë më parë hyri në konsullatën sadite në Stamboll dhe nuk u pa të dilte prej andej.

Presidenti Trump tha se gjatë telefonatës, princi i cili ishte me Sekretarin Pompeo, e kishte njoftuar se kishte nisur një hetim të plotë rreth çështjes Khashoggi, hetim që do të zgjerohej shpejt.

Përgjigjet do të vijnë së shpejti, shkruante Presidenti Trump në Twitter.

Më pas ai tha për Televizionin Fox News se “do të ishte keq” nëse mbreti Salman ose princi i kurorës do të kishin dijeni për gazetarin e zhdukur Khashoggi. “Varet nëse mbreti ose princi i kurorës do të dinin për këtë, sipas mendimit tim. Së pari çfarë ndodhi, por (e rëndësishme) nëse ata kishin dijeni ose jo për këtë. Nëse e kanë ditur kjo të ishte keq,” tha Presidenti Trump.

Të martën, kryediplomati amerikan i dërguar në Arabinë Saudite nga Presidenti Trump, u takua së pari me monarkun, pastaj me trashëgimtarin e fronit. Zoti Pompeo u takua edhe një herë të dytë me princin e kurorës gjatë darkës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se diplomati i lartë i vendit ua bëri të qartë sauditëve se “të mësojë çfarë ka ndodhur me Jamal Khashoggin, kjo është arsyeja kryesore” që Presidenti Trump e dërgoi atë në Rijad dhe se kjo çështje “është me interes të madh për presidentin”.

Sauditët kanë hedhur poshtë pretendimet e Turqisë se ishin agjentët e Arabisë Saudite që vranë Khashoggin brenda konsullatës më 2 tetor, por Departamenti i Shtetit nuk tha se çfarë i deklaruan Sekretarit Pompeo monarku dhe trashëgimtari i fronit në takimet private.

Pompeo, sipas Departamentit të Shtetit, u foli udhëheqësve sauditë për rëndësinë e kryerjes së “një hetimi të plotë, transparent dhe në kohë” dhe përshëndeti mbështetjen e Rijadit për hetuesit turq në hetimin e tyre.

Deri tani nuk ka patur deklarata për fatin e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi, megjithëse sipas njoftimeve të mediave në SHBA, Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se ai u vra pasi hyri në konsullatë, duke ia faturuar vdekjen marrjes së tij në pyetje që shkoi keq. Khashoggi, një kritik i princit të kurorës në shkrimet e tij për gazetën Washington Post, jetonte në Shtetet e Bashkuara në mërgim të vetimponuar.

Ndërsa uleshin për takimin e tyre të parë, princi i kurorës i tha në anglisht zotit Pompeo: “Ne jemi aleatë të fortë dhe të vjetër. Ne përballemi me sfidat tona së bashku, dje, sot dhe në të ardhmen.

“Absolutisht”, u përgjigj sekretari Pompeo.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se zoti Pompeo u takua gjithashtu me Ministrin e Jashtëm saudit Adel al-Jubeir.

Vizita e zotit Pompeo në Rijad erdhi disa orë pasi ekspertët turq përfunduan kqyrjen e konsullatës saudite në Stamboll.

Pas bisedimeve me Mbretin Salman, Departamenti i Shtetit tha se zoti Pompeo “falënderoi mbretin për angazhimin e tij për të mbështetur një hetim të plotë, transparent dhe të shpejtë rreth zhdukjes së Khashoggit”.

Presidenti Trump tha të hënën se mbreti Salman në një telefonatë me të mohoi të kishte ndonjë dijeni për fatin e Khashoggit, i cili në shkrimet e tij për gazetën Washington Post ishte kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, princit të kurorës Mohammed bin Salman.

David Mack, studiues në Institutin për Lindjen e Mesme dhe ish ambasador, i tha Zërit të Amerikës se ajo për të cilën akuzohet Arabia Saudite do të ishte e vështirë të kalohej lehtë në Shtetet e Bashkuara, por do të ishte e mundur të kalohej pa u ndështuar në Arabinë Saudite, duke pasur parasysh kontrollin e saj të rreptë ndaj medias dhe disiplinën e imponuar nga familja mbretërore.

Khashoggi jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai shkoi në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë dokumente për t’u martuar me të fejuarën e tij turke, Hatice Cengiz, e cila priste më kot jashtë konsullatën që ai të kthehej.

Presidenti Trump tha për progamin “60 Minutes” të rrjetit CBS se Arabia Saudite do të përballet me “ndëshkim të rëndë” nëse përcaktohet se Khashoggi u vra brenda konsullatës saudite, por Riad nuk e përfilli kërcënimin e SHBA dhe tha se do të hakmerret nëse Presidenti Trump ndërmerr ndonjë veprim kundër Arabisë Saudite .

Si protestë ndaj zhdukjes së Khashoggit, disa udhëheqës amerikanë të bizneseve janë tërhequr nga Iniciativa për Investimet e së Ardhmes, një konferencë e quajtur “Davosi i shkretëtirës”, që mbahet javën tjetër në Rijad.

Trumpi sulmon senatoren demokrate Warren

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi senatoren demokrate Elizabeth Warren të martën, duke iu referuar asaj përsëri si “Pocahontas” (një figurë historike e indianëve të Amerikës) dhe duke e quajtur atë “një mashtrim të plotë dhe total”.

Kritikat e ashpra të Presidentit Trump, të postuara në Twitter të martën, erdhën një ditë pasi senatorja Warren, kandidate e mundshme e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nxori rezultatet e testit të ADN-së që tregojnë se një nga stërgjyshërit e saj mund të ketë patur origjinë nga indianët e Amerikës. Për rezultatin që tregon se ajo ka shumë më pak se një për qind origjinë nga indianët e Amerikës (1/64 deri 1/1024), Presidenti Trump tha se është “shumë më pak se mesatarja amerikane”.

Cherokee, më i madhi i tre fiseve të njohura indiane në Shtetet e Bashkuara, hodhi dyshime mbi testin e ADN-së, duke thënë se testet e tilla janë të padobishme në përcaktimin e identitetit fisnor.

Presidenti Trump kishte ofruar t’i jepte 1 milion dollarë në korrik një organizateje bamirëse që preferon senatorja Warren, nëse ajo do t’i nënshtrohej testit të ADN-së për të parë se a kishte gjak indian. Të hënën, ai mohoi se e kishte bërë premtimin dhe më vonë tha se do të ofronte donacionin “nëse personalisht do ta bënte testin e saj”, një ofertë që senatorja Warren e përshkroi në Twitter si “të pahijshme”.

Senatorja Warren tha gjithashtu se “miliona njerëz e kanë parë” se si Presidenti Trump nuk e mbajti premtimin dhe shtoi, “Ju keni humbur një hap, dhe pas 21 ditësh do të humbni edhe Kongresin”.

Zgjedhjet për Kongres në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 6 nëntor. Ato do të përcaktojnë fatin e 435 vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Demokratët duhet të fitojnë 23 vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, që sipas shumicës së sondazheve, demokratët kanë një mundësi të mirë për ta arritur. Por sipas shumicës së sondazheve, demokratët nuk kanë gjasa të marrin kontrollin e senatit.

Kontrolli nga demokratët i Dhomës së Përfaqësuesve mund të pengojë përpjekjet e Presidentit Trump për të realizuar axhendën e tij politike dhe do t’u jepte fuqi demokratëve në hetimin e tanishëm të Prokurorit të Posaçëm mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Trumpi përçmon aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels

“Horseface” apo “fytyrë-kali” është shprehja që Presidenti amerikan Donald Trump përdori të martën për të përshkruar Stormy Daniels, aktoren e filmave pornografike. Ajo dyshohet se ka pasur një marrëdhënie seksuale me zotin Trump në vitin 2006, disa muaj pasi zonja e parë Melania Trump lindi djalin e tyre.

Zoti Trump, i cili e ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzën, e nënçmoi aktoren në një postim në Twitter, një ditë pasi një gjykatës federal hodhi poshtë padinë për shpifje të zonjës Daniels ndaj tij. Zoti Trump shkruante gjithashtu se atij “i njihej e drejta e mbulimit të të gjitha shpenzimeve ligjore” dhe shtonte se “mund t’i ndjekë ligjërisht si “Horseface-in” ashtu edhe avokatin e saj të kategorisë së tretë”.

Në një përgjigje drejtuar presidentit në twitter avokati i Stormy Daniels, Michael Avenatti, shkruante: “dhjetëra miliona amerikane janë të lodhura nga sulmet e tua ndaj grave, sidomos ato me të cilat ke patur marrëdhënie seksuale ndërsa tradhëtoje bashkëshortet e tua“.

Komentet përçmuese të zotit Trump për zonjën Daniels janë një tjetër shembull i një stili gjuhe që tradicionalisht nuk është përdorur nga presidentët amerikanë.

Zonja Daniels e paditi zotin Trump në muajin prill, pasi një komenti të tij se skica e një burri që ajo thotë se e kishte kërcënuar në vitin 2011 në mënyrë që të mbyllte gojën për marrëdhënien e dyshuar të saj me zotin Trump, ishte “vepër e një mashtruesi”.

Në vendimin e së hënës gjykatësi S. James Otero tha se zoti Trump bëri një “deklaratë të hiperbolizuar” ndaj një kundërshtari politik dhe sipas tij komenti i tij mbrohej nga Amendamenti i Parë i kushtetutës amerikane.

Nëse kjo gjykatë do të pengonte z. Trump të kryente “këtë retorikë të hiperbolizuar” ndaj një kundërshtari politik, kjo do të frenonte ndjeshëm zyrën e presidentit“, thuhej në vendimin e gjyqtarit.

Zoti Avenatti tha se do ta apelonte vendimin dhe shprehu besimin në një vendimarrje ndryshe pas kësaj.

Menjëherë pas vendimit avokati i zotit Trump, Charles Harder tha se kjo ishte “fitore e plotë” për presidentin.

Vendimi i gjyqtarit i jep të drejtë zotit Trump që shpenzimet për avokatët e tij t’i marrë nga zonja Daniels, emri i vertetë i së cilës është Stephanie Clifford.

Ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, i pagoi zonjës Daniels 130 mijë dollarë në këmbim të heshtjes së saj lidhur me mardhënien e dyshuar me zotin Trump, ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Vdiq bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Paul Allen

Paul Allen dhe Bill Gates

Paul Allen, i cili bashkëthemeloi kompaninë e teknologjisë Microsoft, vdiq në moshën 65-vjeçare.

Dy javë më parë, ai njoftoi se i është kthyer sëmundja e kancerit, të cilën e ka trajtuar në vitin 2009.

Bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, tha së është “zemërthyer nga vdekja e njërit prej miqve të tij më të vjetër dhe më të dashur”.

“Informatika personale nuk do të kishte ekzistuar pa të”, tha Gates.

Allen u largua nga Microsoft-i në vitin 1983, pas një mosmarrëveshjeje me Gates.

Por aksionet në kompani i mundësuan atij të jetojë jetën si miliarder.

Trump: Putini “ndoshta” është përfshirë në vrasje

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë në një intervistë televizive se beson që homologu i tij rus Vladimir Putin “ndoshta” është përfshirë në vrasje dhe ka pohuar sërish se Moska ka ndërhyrë në politikën amerikane.

Trumpi po ashtu ka thënë se nuk e di nëse Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis është duke planifikuar të dorëhiqet, mirëpo se ai e konsideron gjeneralin si “lloj të demokratit” dhe se ai mund të largohet.

Ai i ka bërë këto komente në një intervistë të realizuar paraprakisht për emisionin televiziv 60 Minuta në CBS, e cila është transmetuar më 14 tetor.

Në mesin e çështjeve që ai ka përmendur janë edhe Koreja Veriore, përpjekjet e shpëtimit pas uraganit në SHBA, zhdukja e gazetarit saudit në Turqi, Jamal Khashoggi dhe ndryshimet klimatike.

Kur prezantuesja e CBS-së, Lesley Stahl, e ka pyetur Trumpin nëse pajtohet me njerëzit që pretendojnë se Putin ka qenë i përfshirë në vrasjet e kritikëve, ai është përgjigjur, “ndoshta po. Ndoshta”.

Nuk është bërë e qartë se në cilat vrasje Trump ka dyshuar se ka qenë i përfshirë Putini, ndonëse shumë kritikë të liderit rus janë vrarë përmes helmimeve të dyshuara dhe të tjerë në kushte të mistershme.

Megjithatë, Moska ka mohuar ndonjë lidhje.

I pyetur për ndërhyrjen ruse në sistemin politik në SHBA, Trump ka thënë se beson që Moska ka ndërhyrë, mirëpo se edhe “Kina ka ndërhyrë po ashtu”.

“Ju jeni duke shmangur plotësisht çështjen e Rusisë”, i ka thënë Stahl presidentit.

“Nuk jam duke bërë asgjë” është përgjigjur Trump.

Komuniteti amerikan i Inteligjencës dhe Këshilltari Special amerikan, Robert Mueller kanë gjetur se Rusia ka nisur fushatë për shpërndarje të propagandës në rrjetet sociale dhe ka hakuar dokumente të demokratëve në tentim të ndikimit të rezultatit zgjedhor në të mirë të Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Moska në anën tjetër mohon çdo përfshirje.

Sa i përket Sekretarit Mattis, presidenti republikan ka thënë se ai nuk është i sigurt nëse gjenerali do të vazhdojë të mbetet në pozicionin e tij.

“Ndoshta ai do të largohet. Mendoj se ai është një lloj demokrati, nëse doni të dini të vërtetën”, ka thënë Trump.

“Mirëpo Gjenerali Mattis është njeri i mirë. Ne kalojmë për mrekulli. Ai mund të largohet. Në një moment, të gjithë largohen”, ka shtuar ai.

Mattis konsiderohet si një nga anëtarët më të pavarur në kabinetin e Trumpit, mirëpo ai po ashtu është edhe dorë e fortë në këtë administratë, e cila njihet për numër të madh të lëvizjeve në mes të zyrtarëve.

Ai është cilësuar edhe si personalitet që ka krijuar balancë kundrejt qasjeve të presidentit, pasi ka shtyrë përparë idenë e përmirësimit të marrëdhënieve me aletatët tradicionalë të SHBA-së, duke përfshirë anëtarët e NATO-s, të cilëve Trump u është drejtuar me fjalor të ashpër.

Disa liderë nga Perëndimi po ashtu kanë përshëndetuar Sekretarin Mattis për politkë të ashpër kundër Putinit, pavarësisht se Trump ka shprehur dëshirën për lidhje më të ngrohta me Moskën.

Spekulimet janë rritur për të ardhmen e Mattis si shef i Mbrojtjes, prej kur është publikuar libri i gazetarit, Boob Woodward për Shtëpinë e Bardhë të udhëhequr nga Trumpi, në të cilin thuhet se Gjenerali ka vënë në pikëpyetje vlerësimin e Trumpit, duke e krahasuar aftësinë e tij të të kuptuarit me një fëmijë 11 vjeç.

Mirëpo Mattis ka kundërshtuar se ka bërë deklaratë të tilla dhe ka mohuar vazhdimisht se është duke konsideruar largimin.

“Natyrisht se nuk mendoj të largohem”, u ka thënë ai gazetarëve në muajin shtator.

“E dua këtë vend”.

Përndryshe në mesin e të larguarve në administratën Trump janë edhe Rex Tillerson që ka mbajtur pozitën e Sekretarit të Shtetit dhe H.R. McMaster, i cili ka qenë në pozitën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare.

Më 9 tetor, Trump ka njoftuar edhe se Nikki Haley do të largohet në fund të vitit nga pozita e ambasadores në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ende nuk është bërë publik asnjë arsye e dorëheqjes së saj.

Trump po ashtu ka dhënë shenja për ndryshime potenciale në kabinetin e tij.

“Jam duke bërë ndryshime. Kam të drejtë t’i bëjë ato. Kam njerëz që mund të angazhohen dhe do të jetë fantastike”, ka shtuar presidenti amerikan.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Ja piktura e veçantë që Donald Trumpi mban në Shtëpinë e Bardhë (foto)

Spektatorët sy-mprehtë kanë vënë re në një intervistë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një pikturë.

Në të duket Donald Trumpi i ulur në një tavolinë me të gjithë Presidentët Republikanë të shquar në historinë e SHBA, përfshi edhe Abraham Lincoln.

Dekori i varur jashtë Zyrës Ovale, bëri që njerëzit në rrjetet sociale të japin komentet e tyre. Disa shkruanin se Trump e ka dizejnuar vetë në mënyrë që t’i duket vetja i rëndësishëm.

Ndërsa disa tjerë mendonin se Trump-it i takon një vend pranë Presidentëve të shquar si Dwight Eisenhower, Richard Nixon, Teddy Roosevelt dhe Gerald Ford.