(Durrës o qytet i bekuar që je kërthizë e mëmëdheut. Naim Frashëri) – DY EMRAT – Gjeneza e një qyteti të motshëm si Durrësi nis në brymë të shekujve, shumë më përpara kronikës së tij. Ajo është e konservuar në themele, “në katin e nëndheshëm”, ku sekretet dhe enigmat e lashtësisë, ndonëse nuk janë ende të skeduara si një arkiv, prapëseprapë, duke dalë herë pas here në sipërfaqe, mbartin mesazhin e shekujve. Sipas kronikës, vendbanimi ilir ka ekzistuar përpara themelimit të qytetit nga kolonët dorikë në vitin 627 para erës sonë, ndoshta në formën e një emporiumi, të një stacioni ndërmesdhetar të lundrimeve detare e marrëdhënieve me pastokën ilire në brendësi.
Para 30 vjetëve, gjatë punimeve për thellimin e portit të ri, draga nxori një çekan prej guri e copëra qeramike parahistorike. Kjo dëshmi jashtëzakonisht e rëndësishme që e shtyn kronologjinë në prehistori, flet për vazhdimësi jete shumë më përpara se të konceptohej e të ngrihej qyteti antik.
Çështja e përcaktimit të saktë topografik të qytetit të Durrësit ka qenë objekt diskutimesh e studimesh të shumta. Ajo përmblidhet në pyetjet: – ku, në ç’pikë u ngrit qyteti fillestar, si kanë qenë lëvizjet e tij në hapësirë dhe në kohë?
—————————-
FLET MOIKOM ZEQO NË EMISIONIN “DYRRAH” PËR HISTORINË E DURRËSIT
Harta e Durrësit nga Giuseppe Rosaccio.
Arkeologjia ka dhënë materiale të mjaftueshme për t’iu përgjigjur drejt këtyre pyetjeve.
Një studiues ka hedhur tezën se ka mundësi të kenë ekzistuar dy qytete:
– Dyrrahu dhe
– Epidamni – si dy qytete ilire të veçanta afër njëri-tjetrit.
Duke e zbërthyer këtë tezë, ai e cakton Epidamnin në Kepin e Lagjit, në kodrën e vogël ku ka qenë kalaja e Turrës, kurse Dyrrahun në pozicionin e sotëm të Durrësit.
Argumenti se rrënjën “damn” të emrit Epidamn mund ta gjejmën në emrin e fshatit Domn, në afërsi të Kavajës, mendojmë se nuk qëndron nga pikëpamja linguistike e as nga pikëpamja historike. Mjafton të përmendim se emrin Domn ose Domën e kanë shumë fshatarë të Shqipërisë, nga jugu në veri, (ndoshta ky emër ka mbetur te ne që nga sundimi anzhuin e lidhet me frëngjishten “domaine” (d.m.th. çiflik, pronë), kurse Epidamn ka pasur vetëm një në Shqipëri, prandaj afërsitë e tilla fonetike të jashtme nuk mund të jenë argumente të sigurta. Por le t’u referohemi burimeve historike.
Kronikhistorianët e antikitetit: Tukididi, Polibi, Diodori i Sicilisë, Tit Livi etj., përmendin qytetin Epidamn që është dhe emri më i parë në kohë. Straboni, i cili jetoi në vitet 63-20 para erës së re, thotë se:
“… pas qytetit Rizon dhe Lis vjen Epidamni. Ky qytet sot quhet Dyrrah dhe e mori këtë emër nga gadishulli mbi të cilin është ndërtuar” (d.m.th. nga gadishulli Dyrrahion, siç e quan Stefan Bizantini i shekullit VI të erës sonë). Lukiani, Jul Çezari, Ciceroni e quajnë qytetin vetëm me emrin Dyrrah) Dion Kasi (155-235 era jonë) e quan edhe Epidamn edhe Dyrrah njëkohësisht, po kështu edhe Ptolemeu i Aleksandrisë.
Nga këto burime kryesore të informacionit për qytetin, del se Epidamn në fillim duhet të jetë quajtur limani e bërthama e qytetit, kurse Dyrrah quhej gadishulli. Emri Epidamn me sa duket është ilir. Sipas I. Rusuit pjesa e përparme “epi” që ka karakter indoeuropian, do të thotë “mbi”, kurse “damn” vjen nga një rrënjë e vjetër “dama” – “me ndërtue” që e ka emri i qytetit tjetër ilir Damastion, pra Epidamn do të thotë “ndërtim i sipërm”.
Me kalimin e kohës emri Dyrrah nisi të mbizotërojë, ai bashkëjetoi ca kohë me emrin e parë të qytetit dhe më vonë u bë emri i vetëm përfaqësues, emri i sotëm. Epidamni përmendet si emër i qytetit edhe në shekullin XVI, në dokumentet ku bëhet fjalë për një shtypshkronjë të tipografit Poligor Korigiumi, por thjesht si një kujtim i vjetër i një emri relikt që s’përdorej më. I gjithë dokumentacioni historik si dhe zbulimet arkeologjike vërtetojnë se Epidamn dhe Dyrrah janë emra të të njëjtit qytet.
Për ta bërë më të qartë çështjen duhet parë lëvizja e qytetit në shekuj. Durrësi nuk ka qëndruar në një pikë.
Ka lëvizur nga veriu në jug, ku është ngulitur rreth zemrës së tij; portit. Shuflai ka folur për lëvizjen e pozicionit të Durrësit, Lezhës, Vlorës, Shkodrës e të qyteteve të tjera antike shqiptare si dhe në mesjetë e më vonë.
Kështu shpjegohet se ç’kuptonte Pauzania kur shënonte se qyteti i vjetër qe i braktisur nga banorët, të cilët qenë vendosur më në jug.
Edhe thëniet e Ana Komnenës e Gulielmit të Apuljes, për gërmadhat e qytetit më të lashtë dhe qytetit të ri, s’duhen interpretuar aspak sikur kemi të bëjmë me dy qytete.
Është i njëjti qytet që ka lëvizur brenda kufijve të vet.
Nga ana e tij, Leon Hezei e trajton drejt çështjen e mësipërme. Ai shkruan: “Ky qytet (Durrësi) kishte fatin e rrallë të kishte dy emra, nga të cilët njëri tingëllonte keq në veshët e helenëve e tjetri në veshët e latinëve”.
Duke hedhur poshtë mendimin se gjoja dy emrat paraqesin “pozicione të ndryshme”, ai shton: “Edhe sot mund të shikohen gjatë gjithë bregut të Greqisë e Turqisë qytete që paraqiten në shkallët e të njëjtit dyzim fillestar”.
Hezei e ndan Durrësin antik në pjesën e sipërme (akropolin) dhe në pjesën e poshtme (limanin).
LEGJENDA
Në cilin e legjendave dyrrahase vendin qendror e zë legjenda e themelimit apo e krijimit të qytetit.
Kjo është një legjendë që buron nga kohëra të hershme, të paktën që nga shekulli VII para erës së re, shekull ky që sipas traditës së shkruar u themelua qyteti.
Në burimet e shkruara, për herë të parë kjo legjendë del në veprën e Apianit (shekulli II i erës sonë).
Janë kështu afro dhjetë shekuj jetëgjatësi e legjendës popullore të pashlyeshme te banorët vendas, deri në regjistrimin e Apianit.
Në kohën e Apianit qyteti mbante emrin Dyrrah, por mbijetonte legjenda e emrit Epidamn. Ja si shprehet kronikani Apian: “Disa e quajtën këtë qytet Epidamn për këtë keqkuptim: mbreti i “barbarëve” ndërtoi pranë detit një qytet dhe e quajti sipas emrit të tij Epidamn. Djali i së bijës së tij, Dyrrahu, të cilin e konsiderojnë se rrjedh nga Poseidoni, ndërtoi pranë qytetit një liman të cilin e quajti me emrin Dyrrah. Me Dyrrahun, në luftën që i bënë vëllezërit, u bashkua Herkuli kur po kthehej nga Erytea, me kusht që të merrte një pjesë të tokës. Prandaj, dyrrahasit e quanin Herkulin si themelues të kolonisë dhe pjesëtar në tokë. Ata nuk e mohonin Dyrrahun, por krenoheshin më shumë me prejardhjen nga Herkuli si perëndi që është. Thuhet se në këtë betejë Herkuli vrau pa dashur Jonin, të birin e Dyrrahut dhe se vetë Herkuli e hodhi trupin e të vrarit në det, me qëllim që Joni të bëhej eponim i këtij të fundit”.
Këtë legjendë me ndonjë shtresë e tregon dhe Stefan Bizantini në shekullin VI: “Dyrrahu”, qytet ilir, u quajt Epidamn nga Epidamni, bija e të cilit ishte Melisa, nga kjo dhe Poseidoni lindi Dyrrahu. Prej saj ka në Epidamn një vend që quhet Melisonios, ku Poseidoni u bashkua me Melisën”.
Ndër të parët dijetarë që panë te legjenda e mësipërme një krijim autokton ilir ishte Hezei. Ai ka shënuar se: “Apiani… përmend një varg traditash lokale që ende nuk janë studiuar me vëmendjen e duhur që meritojnë” kurse nga I.I.Rusu, e N.G. Hamondi, kjo legjendë ilire më vonë nuk u interpretua drejt si në gjenezën e saj, ashtu dhe në mesazhin historik që mbante të fshehur nën veshjen mitologjike. Karakteri ilir i legjendës dhe vetë qyteti zihen në gojë shpesh te kronikhistorianët bizantinë. Madje kjo legjendë njihet edhe nga humanisti i madh shqiptar i shekullit XV-XVI, Marin Barleti.
Le ta analizojmë legjendën në fjalë.
Nga tekstet e mësipërme përftojmë një të dhënë kryesore:
-qytetin e ka ngritur në fillimin e tij mbreti “barbar” (kupto ilir) i quajtur Epidamn.
Apiani si regjistrues i legjendës deri diku e përçmon kur thekson se quajtja e qytetit Epidamn nga emri i themeluesit vendas “është një keqkuptim”. Kjo tregon se në kohën e Apianit, legjenda ishte tepër e gjallë te banorët e Durrësit, dhe, ndonëse Apiani mban këtë pozicion prapëseprapë nuk mund ta mohojë e të kalojë në heshtje faktin se legjenda është fiksuar thellë në ndërgjegjen e ilirëve, se një paraardhësi etnik i tyre e kishte ngritur qytetin. Në kohën e Apianit qytetin e kishin romakët.
Në strukturën e saj tregimtare legjenda pjesën që lidhet me emrin e qytetthemeluesit Epidamn, e ka më të vjetrën, para ardhjes së kolonistëve dorë, në 627 para erës sonë. Pra, legjenda nis të paktën nga fillimi i shekullit VII para erës sonë, kur ekzistonte vendbanimi i hershëm ilir, mbi të cilin u vendosën kolonistët.
Mbreti Epidamn ka krijuar një dinasti mbretërore, të cilën legjenda e konstrukton deri në katër breza.
Kështu, në shtjellimin e pjesës së parë të legjendës del qartë se vajza e Epidamnit e quajtur Melisa (brezi i dytë) bie në dashuri me hyun e detit, Poseidonin, e nga kjo dashuri lindi Dyrrahu (brezi i tretë).
Këtu tërheq vëmendjen fakti se ndërsa themeluesi i qytetit qe njeri (mbret), nipi i tij është lindur nga një njeri e një perëndi, pra kemi gjysmëhyjnizimin e tij.
Kjo karakteristikë e veçoi Dyrrahun nga vëllezërit e tij (me të cilët ka patur një nënë – Melisën).
Me vëllezërit Dyrrahu është në luftë për të drejtën e pushtetit e të trashëgimit mbretëror. Në këtë luftë, Durrahu ka qenë zot i qytetit dhe gjysmëhyjnizimi i tij (nisur nga parime politike, me sa duket) ka qenë një mjet për të përjetësuar të drejtën mbretërore të dinastisë, nën emrin e tij. Në këtë luftë, Dyrrahu ka qenë në rrezik për të humbur fronin. Në skenën e legjendës del Herkuli i ardhur nga Erythea, Dyrrahu ndërkohë ka ngritur limanin, të cilit i ka dhënë emrin. Me Herkulin shtjellohet pjesa e dytë e legjendës, e cila gjithashtu ruan një mit autentik ilir. Është fjala për emrin e Jonit (brezi i katërt), djalit të Dyrrahut, vrarë nga Herkuli, që duke u hedhur në det u bë aponim i tij.
Kemi këtu mitin ilir të Jonit, që nderohet nga ilirët vendas mbas vdekjes, i fundit pinjoll i dinastisë ilire (mbas Jonit legjenda nuk përmend më të tjerë).
Për të bërë më të qartë e të plotë këtë mit shtojmë se ilirët bregdetas të zonës nderonin një hy të tyre të quajtur Redon. Kepi i Rodonit, si toponim, na shtyn të mendojmë se në kepin në fjalë duhet të shikojmë jehonën e një kulti të hyut ilir të detit.
– Amfiteatri i Durrësit antik –
Ky kult ka qenë ditur nga themeluesit e vendbanimit ilir, ka qenë mbrojtës publik i tyre. Ja pse Melisa bashkohet me hyun e detit (që Apiani e quan jo me emrin e tij autokton ilir, por me emrin grek).
Ekzistenca e vendeve të kultit në natyrë është karakteristikë e paganizmit ilir. Legjenda e vërteton kur thotë se “në Epidamn ka një vend që quhet Melisonios, ku Poseidoni u bashkua me Melisën”.
Ky retushim i vendit të bashkimit emërton për ilirët e motshëm një vend kulti të detit. Ky kult ilir që ka rrezatuar te banorët bregdetas nuk është harruar. Edhe kulti i Redonit është i lidhur me mitin e Jonit.
Shpjegimi i emërtimit të detit, krijim origjinal i mitologjisë ilire, ndryshon nga shpjegimi që jep mitologjia greke apo romake.
Përsa i përket emrit të Melisës ai është emër nimfe si dhe emri i bletës në greqisht.
Nuk është ruajtur emri ilir i vajzës së Epidamnit.
Ndoshta se legjendën e shkruan të huajt dhe jo vendasit.
Nga ana tjetër duhet thënë se figura e bletës që gjendet në monedhat e lashta të Durrësit, nuk duhet marrë vetëm si simbol i bletarisë së zhvilluar në hinterlandin ilir të qytetit, por edhe e lidhur shekuj më pas me jehonën e legjendës, pra me figurën legjendare të bijës së Epidamnit, (heroit eponim të qytetit fillestar) që përbën fazën e ndërmjetme për të kaluar në ndërtimin e limanit me emrin e Dyrrahut.
Në strukturën e legjendës Herkuli parakupton ardhjen e kolonistëve, pra fillimin e qytetit si koloni greke. Është fakt se procesi i kolonizimit grek mori hov të madh në shekujt VIII-VI para erës së re, në periudhën e quajtur arkaike.
Ky kolonizim pati si veshje ideologjike shpesh një numër mitesh homerike, që shpjegonin krijimin e kolonive në fjalë, në tërë botën mesdhetare e sidomos në brigjet e Italisë së Jugut e në bregdetin tonë.
Këto mite kanë bashkëjetuar në truallin e ilirëve të jugut së bashku me mitet ilire. Në këtë periudhë të vërshimit të miteve greke, të procesit të kolonizimit në brigjet tona, në trevën dyrrahase mbijeton e madje theksohet legjenda ilire.
Që legjenda ka qenë para vitit 627 para erës së re, kur u vendosën dorët e Korkyrës, kjo mbështetet dhe nga fakti se deri në vitin 734 para erës së re Korkyra qe nën zotërimin e ilirëve liburnë.
Liburnët krijuan një hegjemoni detare, një talasokraci të fuqishme ilire që spikat në shekujt IX e VII para erës së re.
Liburnët ishin zotërues gati absolutë të hapësirave adriatikase deri në Korkyrë. Talasokracia liburne pati të njëjtën rëndësi që kishte talasokracia etruske, por në aspekte e në kushte të ndryshme.
Kjo ka krijuar mundësitë e fuqizimit e të shpalosjes së miteve e të kulteve detare ilire në teatrin e ngjarjeve të kohës.
Sipas Apianit, liburnët kanë qenë zotër të Durrësit.
Më pas, dorët erdhën pikërisht nga Korkyra, ku nuk pati mundësi të zhdukeshin të tërë liburnët.
Korkyra, sipas Homerit, ka qenë ishulli i feakëve, që konsiderohen si ilirë.
Tërë këto rrethana duhen parë të ndërlidhura dhe me faktin se emri i detit Adriatik është gjithashtu sipas legjendës ilire e nga ilirët.
Kurse anija ilire e quajtur liburnide u bë simbol i detarisë në Adriatik e në Jon e u fut në përdorim të gjerë në flotën romake
Simboli i lembeve në monedhat e dorëve e labeatëve shpreh dhe një kult tjetër që lidhet me detin e Redonin, kultin e vetë figurës së anijes.
Këtë e gjejmë dhe në vizatime në shkëmb, në Gjirin e Gramatës, në jug të Karaburunit. Në monedhat e lashta të Durrësit është dhe figura e anijes, e dhënë vetëm në gjysmën e saj të përparme.
Nuk duhet harruar se legjenda e Epidamnit, e Dyrrahut dhe e Jonit ka gjallëruar nga ilirët taulantë, dhe se vetë qytetin Adria, emrin e të cilit e mori deti Adriatik, Stefan Bizantini e cilëson si “qytet i taulantëve”.
Fisi i madh i taulantëve ka patur topografinë, shtrirjen e lëvizjet e tij derisa u mbështoll e pati si pikë rëndese qytetin kryesor të Durrësit.
Këtu do marrë në konsideratë vërejtja e Dion Kasit se “Dyrrahu ndodhet në atë tokë, e cila u përkiste më parë ilirëve parthinë”.
Nuk mund ta përcaktojmë se kur parthinët u zëvendësuan nga taulantët, të cilët mbizotëruan këtu, por asnjëherë pa i larguar parthinët nga trojet në lindje të Durrësit.
Ardhja e brygëve, pastaj e taulantëve, siç tregon Apiani, lidhet më pas prapë me liburnët, pra me një botë thjesht ilire të disa fiseve, të cilët e synonin qytetin. Kjo shpjegohet nga “lufta e vëllezërve” të Dyrrahut që ka tregimi i legjendës.
Apiani na jep dhe një version tjetër të krijimit të kolonisë, ndryshe nga Tukiditi, kur tregon se taulantët që zotëronin Durrësin, të ngacmuar nga flota liburne kërkuan “ndihmën” e korkyrasve, të cilët “i dëbuan liburnët”.
Pas kësaj, korkyrasit “përzien nga dyrrahasit kolonët e tyre”. Në ngjizjen e legjendës së qytetit kanë përbërësit e tyre fise ilire të parthinëve, taulantëve e liburnëve, të cilët ngjarjet e tyre historike i kanë strukturuar në bazë të mendësisë së banorëve vendas e më vonë ardhësit, dorët kolonë, kanë shtuar edhe figurën e Herkulit.
Natyrisht, figura mitike e gjysmëperëndisë, Herkuli, nuk është thjesht greke, po ka karakter të përgjithshëm mesdhetar.
Në trojet ilire Herkuli ka lënë gjurmët e kultit të tij.
Vrasja padashur e Jonit nga Herkuli në legjendë, ka pikëzuar në mënyrë dramatike momentin e ndërhyrjes së kolonëve, të cilët paskëtaj e zotërojnë qytetin, duke e eliminuar familjen mbretërore ilire, saqë themeluesi i qytetit tani preferohet vetë Herkuli.
Siç kuptohet, fundi i legjendës jep një gjendje të re historike, të ndryshimeve që kanë ndodhur.
Bëhet mbyllja e veprimit dhe tregimit legjendar.
Kjo legjendë lokale me origjinalitetin e saj etnik ilir është një shprehje mitologjike e ngjarjeve historike të largëta, të cilat deri diku i mbështet dhe kronika.
Ka edhe të tilla që i ruan vetëm legjenda.
Legjenda dyrrahase që tregon Apiani është me interes të madh për mitografinë. Ajo nën veshjen mitologjike pasqyron në të vërtetë jo ekzistencën e dy qyteteve të veçantë, por procesin e lëvizjes së qytetit në dy kohë të ndryshme.
A vërtetohet kjo nga gërmimet arkeologjike?
Po.
Pika e fortifikuar e Portëzës në veri të qytetit të sotëm, dëshmon për një skaj të qytetit të vjetër.
Gjetjet e një nekropoli të lashtë në zonën e kënetës, përcaktojnë përmasat e urbanistikës së qytetit, i cili përqendrohet rreth bërthamës së vet pikës ku është gjetur mozaiku i “Bukuroshes së Durrësit”, termat, amfiteatri.
Si një strukturë arketipale e nëndheshme e qytetit, përgjithësisht, na shërben sistemi i kanaleve të tij, vepër e rëndësishme inxhinierike e higjieno-sanitare. Këto fakte nuk janë në dobi të tezës së dy qyteteve të veçanta.
Nga ana tjetër, në numizmatikën e qytetit përmendet sigla Dyr, edhe emri Epidamn gjendet në shumë dokumente të tjera.
Kështu, pllaka e Syr Epidamnit (që sot ndodhet në Luvër) u gjet te Porta e Kalorësit, në fokus të qytetit të sotëm (po të qe Epidamni në Kalanë e Turrës, ky dokument do të qe pak i çuditshëm dhe s’kishte pse të gjendej në Durrës).
Kalaja e Turrës nuk i ka as gjeografikisht e as historikisht atributet e Epidamnit të lashtë. Referimi i lumit antik Palamni, pranë të cilit ndodhej Epidamni, duke e lidhur me Shkumbinin, është në përgjithësi një referim që nuk vërteton praninë e dy qyteteve në një hapësirë ndarëse të madhe midis tyre.
Edhe interpretimi i historisë politike të lashtë të qytetit (lufta civile në Epidamn që lidhet me Luftën e Peloponezit, shteti ilir, Dyrrahu si kryeqytet i ilirëve taulantë me Glaukian e Monunin në krye etj.), flet për marrëdhënie të vendasve me kolonët e ardhur si dhe për atë që palca kryesore e popullsisë së Durrësit kanë qenë ilirët.
Taulantët kanë pasur edhe qytete të tjera veç Durrësit si Sesareti e Arnisën dhe në luftën civile të Epidamnit kolonët që u dëbuan nga qyteti nuk shkuan në një qytet tjetër të quajtur Dyrrah, por në brendësinë ilire, si dhe në Korkyrë.
Së fundi, teza e dy qyteteve të veçanta e paralele nuk është vërtetuar deri sot as arkeologjikisht, as historikisht e as gjuhësisht.
Monedhat e vjetra të qytetit 450-350 para.K. dhe pas vitit 350 para.K.
Në komedinë e lashtë e të famshme të Plautit “Menehmët”, subjekti i së cilës zhvillohet në Epidamn (është përkthyer dhe në shqip), flitet për motivin e kipsit, d.m.th. të ngjashmërisë së dy binjakëve që kishin të njëjtin emër Menehm.
Në rastin e Durrësit kemi një lloj kipsi tjetër: fjala është për dy emra “binjakë” të të njëjtit qytet.
NJË FJALË ILIRE – SHQIPE DHE ÇËSHTJA E KOLONIZIMIT
Sipas historianit Tukidid “Epidamni është një nga qytetet që gjenden nga ana e djathtë kur hyn në gjirin e Jonit. Pranë tij banojnë barbarët taulantë, fis ilir. Këtë e kolonizuan korkyrasit, kurse të parë bënë Falin, birin e Eratoklidit nga Korinthi, i fisit të Herkulit… Midis kolonistëve ishin edhe disa korintas dhe të tjerë nga fisi i dorëve.”
Tukididi e pranon se qyteti ngrihet në një mjedis ilir, pranë taulantëve (më saktë do të shtonim mbi një qytet më të hershëm ilir).
Dihet se Korkyra (Korfuzi i sotëm), ka qenë banuar nga ilirët.
Homeri te “Odisea”, në këngën VIII, përmend si banorë të Korkyrës feakasit që, sipas shumë autorëve antikë, kanë qenë ilirë. Në vitin 737 para erës sonë dorët e Korintit e kolonizuan Korkyrën.
Dorët vërshuan në veri të Greqisë dhe luajtën një rol të madh në formimin e kulturës të botës helenike.
Njëri nga fiset dorike, ai i herkulidëve me kryepar Hyllon (që derivonte nga fisi i Herkulët), është pranuar nga shumë autoritete shkencore si ndërthurur me elemente ilire. Profesor Eqerem Çabej vë në dukje se “djepi i kryehershëm i fiseve dorike të Peloponezit është krahina malore e Pindit ose e Shqipërisë Juglindore” dhe përfundon se “në dorishte ka pasur një shtresë me prejardhje ilire”
Edhe Hans Krahe, një nga autoritetet e mëdha të linguistikës botërore, shumë vjet më parë se Çabej kishte vërejtur se “një numër i madh fjalësh të dialektit dorik nuk mund të shpjegohen me ligje gjuhësore të greqishtes, por me ato të ilirishtes”.
A u zhdukën dhe a u asimiluan tërësisht liburnët e Korkyrës deri në vitin 627 para erës sonë, kur dorët kolonizuan Durrësin?
S’është logjike të mendohet që midis kolonëve të mos kishte edhe ilirë të mirëfilltë. Jo vetëm momenti i “themelimit”, i cili në këtë rast është konvencional se Epidamni u themelua nga vendasit, por edhe e ardhmja e qytetit më pas lidhej me mjedisin ilir.
Epidamnin e shtinë në dorë edhe brygët, edhe taulantët, edhe në shekujt IV dhe II para erës sonë në popullsinë e qytetit zotëron etnikoni ilir.
Të kësaj kohe janë emrat e famshëm ilirë të Durrësit (sot janë zbuluar afro 200 emra të tillë).
Deri tani askush nuk është marrë me të dhënat që jep Tukididi për Falin, të birin e Eratoklidit (fisi i Herkulit). Fali u bë kryepari i Epidamnit. Del qartë se ai është nga fisi i dorëve dhe se shkencëtarët e kanë përcaktuar të lidhur me ilirët edhe nga pikëpamja etnike.
Edhe në gojëdhënën që tregon Apiani, Herkuli (në këtë rast i dorëve herkulidë) del si “qytetthemelues”.
Në lidhje me të dhënat e mësipërme dhe me vështrimin e çështjes së kolonizimit dorik të qytetit po analizojmë emrin e Falit.
Ç’përfaqëson ky emër?
Sipas mendimit tonë, emri Fali duhet ta lexojmë Bali.
Në greqishten e vjetër shumë fjalë, për shkak të “bë-së” i shpjegojnë nga një gjuhë jo greke e gadishullit të Ballkanit, si nga ilirishtja, trakishtja etj.
Për këtë flasin Frisku, Pizani, Krahe, Vendekensi etj. Sipas Çabejt “Një qytet i Kaonisë quhej Baiake… me “b” të huaj (për greqishten ph, d.m.th. f)”.
Për qytetin kaonas Baiake jep një shënim në leksionin e tij edhe Stefan Bizantini.
Emri Bali, i kryeparit dorik të Epidamnit, mendojmë se lidhet me ilirishten e shqipen “ball”. Tek Homeri, Balas ishte emri i kalit të Akilit.
Edhe Prokopi tregon se kali i Belizarit quhej Balas. Sipas Skymzerit kemi të bëjmë me fjalë ilire ose iliro-trake.
Te mesapët (ilirët e Italisë), sipas Ribezos, dalin edhe emrat Balias e Balakrahiaihi, si emra vetjakë.
Ndër ilirët ka prerë monedha edhe një mbret i quajtur Balaos.
Më tej, një Ballai në dokumente mesjetare në vitin 1190 del si shqiptar në Raguzë.
Si përfundim, themi se emri i kryekolonistit të dorëve është një fjalë ilir-shqipe. Kjo është në favor të tezës që në “themelimin” dorik të Epidamnit kanë marrë pjesë edhe ilirë të Korkyrës.
ASPEKTE ANTIKE E MESJETARE
Dëshmitë e rëndësishme të kulturës prehistorike të zbuluara në Durrës dhe në rrethinat e tij, ato të kulturës antike, si dhe të kulturës së hershme shqiptare e më vonë, nuk janë aspak pa lidhje dhe vijimësi nga njëra-tjetra. Përkundrazi, duke mos qenë pasim dhe përcjellje mekanike e njërës etapë në tjetrën, ato plazmojnë në unitet një histori të tërë me një zhvillim të brendshëm (pa mohuar këtu edhe ndikimet e kulturave të lashta mesdhetare, lindore, perëndimore), të përfshira në një hapësirë gjeografike të caktuar që asnjëherë nuk ka qenë në vetvete, por e ndërthurur me trevat iliro-shqiptare.
Pikërisht, në këtë hapësirë të rëndësishme, për të cilën po flasim dhe që ka përbërë në njëfarë mënyre edhe rrethinat e horën e Durrësit antik e mesjetar, spikat me një peshë të dorës së parë roli i këtij qyteti, si një nga qendrat e lashta e më të mëdha të krejt botës adriatiko-mesdhetare.
Veglat prej guri të neolitit, objektet e periudhës së bronzit flasin për ekzistencën e jetës njerëzore të fiseve vendase ilire, qysh në hershmëri.
Gjetja kohët e fundit e qeramikës së pikturuar, të quajtur “qeramikë devollite”, e bën Durrësin si skajin më verior të kërkimeve të kësaj qeramike, që dokumenton tashmë një formim të etnosit ilir e të një vetëzhvillimi të rëndësishëm.
Janë zbuluar gjithashtu edhe elemente të kulturës paraqytetare jo vetëm brenda territorit që zë sot qyteti, por edhe rreth e qark tij, sidomos të një lulëzimi të kulturës së periudhës së quajtur arkaike, të shekujve VIII e VI para erës sonë.
Është fakt se elementi ilir ka mbizotëruar në jetën e këtij qyteti, jo vetëm për arsye të lidhjes së ngushtë e jetësore, kaq të domosdoshme me rrethinat ilire, por edhe me të ardhmen historike të qytetit, të zhvillimit e të mbijetesës së tij.
Durrësi zgjat shumë rreze lidhjesh të ndryshme, ekonomike, kulturore, monetare me një arsenal të gjerë.
Ai përveç Apolonisë lidhet më vonë me Lisin (Lezhën), qytetin Brysakion (me këtë qytet mund të identifikohen rrënojat e muret e Persqopit të sotëm), me qytezën Denda (që duhet kërkuar në Kepin e Rodonit), me qytetin e vjetër të taulantëve Sesaretin, e qytetin Arnisa, me një qytezë ilire, që nuk i dihet emri, në gërmadhat antike të Zik Xhafajt etj., të cilat mund të quhen si qytete asteroide të qytetit të madh, kryesor.
Në shekujt IV-III para erës sonë Durrësi bëhet një kryeqendër e shtetit Ilir.
Prijësit e taulantëve ilirë Glaukia, Monuni e Mytyli rreth Durrësit organizojnë dhe i përqendrojnë forcat e masave ilire.
Iliriciteti i Durrësit pohohet qartë sidomos në shekujt II e I para erës sonë nga gurët e shumtë mbivarrorë ku janë skalitur emrat ilirë – një repertor onomastik me vlera të veçanta. Studimi i tyre jep ndihmesë konkrete për ilirologjinë e etnogjenezën e popullit tonë.
Gjatë sundimit romak Durrësi nën “vernikun” e “lëkurën e hollë romake”, siç është shprehur me të drejtë një dijetar, ruajti më shumë aspekte traditat vendase, vazhdimësinë e kulturës autoktone pararomake, që natyrisht në situatat e reja historike fitoi e zhvilloi shprehi të reja.
Në shekullin II të erës sonë Durrësi përjeton një zhvillim të ri të dukshëm.
Ndërtohen kryevepra arkitektonike të tilla si ujësjellësi, amfiteatri, termat (banjot publike) etj. Ky zhvillim është rezultat i drejtpërdrejtë i lidhjes gjenetike të Durrësit me qerthullin ilir, me fuqizimin e pastokës e të rrethinave ilire.
Raporti i qytetit me këto rrethina nuk ka qenë thjesht hapësinor e gjeografik, por para së gjithash ekonomik, politik e kulturor.
E theksojmë posaçërisht këtë se ky raport nuk humbet por trashëgohet nga antikiteti në mesjetë, nga një epokë në tjetrën. Durrësi është shumë pranë në shekullin II të erës sonë me një qendër të tillë të përmendur ilire si qyteti Albanopolis (qyteti i albanëve), i fisit ilir, për të cilët flet Ptolemeu, si dhe pranë fisit ilir të parthinëve, që bënë emër në historinë politike me kryengritjet e tyre kundër romakëve.
Në shekullin IV të erës sonë Durrësi përjeton, gjithashtu, si tërë viset ilire, krizën e rendit skllavopronar dhe të rënies së perandorisë romake.
Durrësi del nga periudha e sundimit romak pa i tretur tiparet e tij.
Teza tendencioze për të (“ishull romak në detin ilir”) është ballafaquar dhe ka humbur çdo vlerë nga faktet arkeologjike e dija. Zbulimet e begatshme në qeramikë, në terakota, në ritin e varrimit, në vegla, në monumente skulpturore etj., vërtetojnë se kultura ilire në Durrës nuk qe një enklavë e vetmuar, por një degë e pashkëputur e trungut ilir, pavarësisht se kjo kulturë dyrrahase, në aspektin lokal, përshkohet edhe nga kulturat e tjera fqinje të Mesdheut.
Pikërisht me këtë trashëgim na paraqitet Durrësi në antikitetin e vonë.
Por, në epokën e re historike, ky trashëgim pëson ndryshime, humbje të disa tipareve e zhvillimin e disa tipareve të tjera, që shpesh janë cilësisht të reja.
Viset e qerthullit të Durrësit ndahen nga antikiteti përmes shqetësimeve e luftërave të pandërprera.
Tipik për këtë është fakti se për të shtypur kryengritjen tronditëse të taulantëve në vitin 395, perandori Honor përdori mercenarë gotë.
Nga materiali arkeologjik i përftuar në një varrezë të Malit të Robit kanë dalë në dritë vegla zejtarësh që përdoreshin në shekullin V, të cilat lidheshin me punimet bujqësore e ekonominë fshatare kur shpërbëhen marrëdhëniet e vjetra, për të ecur drejt marrëdhënieve të reja të rendit feudal, dukuri kjo që do të konsolidohet më pas.
Në shekujt V e VI Durrësi s’e ka humbur aspak rëndësinë e tij siç ka ndodhur me shumë qendra antike qytetare.
Ndryshe nga Apolonia, Bylisi, Amantia, Foinika, Antigonea, që e mbyllin përfundimisht historinë e tyre antike, Durrësi mbijeton ende si kryeqendër.
Monumentet e mëdha arkitektonike që ruhen nga shekulli VI, sistemi kështjellar, kolektori dhe kanalet higjieno-sanitare, bazilikat etj., flasin për fuqinë ekonomike në rritje të Durrësit. Mendimi i Hezeit se rrethojat e periudhës bizantine duhet të ruajnë diçka nga rrethoja më e lashtë u vërtetua tani me gjetjen e një trakti muri më të lashtë se mbistruktura e shekullit VI.
Kjo do të thotë se në antikitetin e vonë Durrësi trashëgoi në vija të përgjithshme një situatë urbanistike të përcaktuar të traditës.
Zbulimi këto vitet e fundit i disa monumenteve arkitektonike të kultit, që i përkasin shekullit VI, si bazilika e gjetur dikur nga Leon Reji në 1924 në qendër të qytetit, poshtë kuotës 59, apo bazilika monumentale e Arapajt, flasin për një kulturë ndërtimore të lartë.
Në këto ndërtime ndërthuret kultura e vjetër antike me paleokristianizmin, paganizmi me fenë e re moniste. Kjo duket qartë në mozaikët befasues të bazilikës së Arapajt, mozaikë me vlera të mëdha historike e artistike.
Mendohet se këta mozaikë, për nga lirshmëria e trajtimit kompozicional, nga motivet ende të panënshtruara një konunizimi heretik të rreptë të kishës e ikonografisë, duhet t’i përkasin si kohë periudhës së sundimit të perandorit të Bizantit me origjinë nga Durrësi, Anastasit (491-518), i cili ishte përfaqësues i një sekti heretik (monofyzëve).
Ndërtimet e karakterit qytetar, siç janë hipodromi i qytetit (i pagjetur ende), pretoriumi i monumenteve të tjera, vënë në dukje pozitën e rëndësishme të qytetit si nyje transporti e ndërlidhjeje si dhe administrative.
Arti i gdhendjes së kapitaleve, i disa relieveve, si dhe i një koke burri në gur gëlqeror, që ndryshon nga modelet antike, shpreh faktin e lulëzimit të një arti të ri, në këtë lak kohor.
Zbulimi i objekteve arkeologjike që u përkasin si kohë shekujve VII e VIII, që lidhen me kulturën e Komanit, edhe brenda territorit të Durrësit, në Kepin e Rodonit, në malin e Robit, në Vrinë etj., janë hallkë themelore për të përfaqësuar lidhjen në procesin e madh e vendimtar të formimit të popullit shqiptar, proçes ky, që ka përfshirë disa shekuj.
Për shekullin VII e deri në shekullin XI, për arsye se heshtin burimet shkrimore përgjithësisht, kërkimet arkeologjike e plotësojnë informacionin, “hiatusin”.
Vërtetohet se në këto shekuj Durrësi vazhdon të jetë qytet i madh ndërmjetës, midis Lindjes e Perëndimit.
Nga pikëpamja e historisë politike e kishtare, Durrësi në mesjetë është një qendër administrative e peshkopale.
Kështu, Durrësi, është kryeqytet i provincës së Epirit të ri, i Temës së Durrësit, i Mbretërisë arbre të anzhuinëve, i Dukatit venedikas etj.
Afërsisht, territoret e hapësirës që ka administruar politikisht e ekonomikisht Durrësi, pavarësisht nga llojet e strukturave të pushteteve të ndryshme politike të huaja, kanë qenë në vija të përgjithshme po ato.
Duke funksionuar në shekujt XII e XVI si qyteti më i madh e më i përfillshëm në skajdetin lindor të Adriatikut, “një Kostandinopojë e dytë”, siç e kanë quajtur kronistët e kohës.
Durrësi ka luajtur një rol të padiskutueshëm organizues për shqiptarët e hershëm dhe ka ndikuar në jetën e tyre, ashtu si dhe trevat e tjera të atdheut kanë ndikuar mbi vetë Durrësin.
Që nga shekulli XI kemi konsolidim të marrëdhënieve feudale si dhe dukurinë e inkuadrimit në hierarkinë e lartë shtetërore, të përfaqësuesve të një klase feudale vendase.
Kështu është rasti i Komiskortit, një fisnik arbër, që përmend Ana Komnena, në Durrës, i cili organizon mbrojtjen e qytetit nga sulmet e tmerrshme normane.
Shteti i Arbërit në shekullin XII jo rastësisht do të ishte pranë trevave të Durrësit.
Sundimi shekullor i Bizantinit në shumë raste dobësohej e njihej vetëm nominalisht e shpesh, viset arbërore përjetonin një lloj autonomie.
Durrësi bëhet edhe një bazë e kryengritjeve, nga ku aristokratët e mëdhenj të provincës niseshin të sulmonin vetë Kostandinopojën, qendrën e perandorisë së një mijë qyteteve.
Në shekullin XIV Durrësi bëhet për ca kohë komunë qytetare autonome, ka edhe një statut të tij. Po në këtë shekull, atë e synojnë dhe e shtien në dorë princërit shqiptarë, Topiajt e Balshajt.
Nga pikëpamja gjuhësore, Durrësi paraqet shumë interes për vazhdimësinë iliro-shqiptare. Nga periudha antike u trashëguan emra të tillë topikë si Dyrrakium, Isamnum, Redon, që kanë dhënë sipas ligjeve të fonetikës së shqipes përkatësisht Durrës, Ishëm e Redon.
Në versionin e dytë të Këngës së Rolandit (Chanson de geste), siç e ka vënë në dukje studiuesi belg Henri Greguar, del që në vitin 1085 emri topik Arbërie, për viset e Bishtit të Pallës.
Kjo lidhet, mendojmë ne, me emërtimin e krahinës Arbanon, që përmend Ana Komnena.
Këtu duhet shtuar dhe fakti që e dëshmon G. Hani, se gjer në shekullin e kaluar quhej Arbëni (Arbëri), ultësira midis Kepit të Redonit, Ishmit, Prezës, midis Matit e Erzenit.
Pra, albanët pranë Durrësit në shekullin II e Arbëria e mesjetës së shqiptarëve të hershëm, po pranë Durrësit, ndërthuren midis tyre me shumë fije, në kohëra, si dhe gjeografikisht. (1981)
“Junior Red Cross News” ka botuar, në nëntor të 1921, në faqen n°39, rrëfimin e autores dhe udhëtares amerikane Rose Wilder Lane asokohe për një djalosh shqiptar nga Durrësi që dëshironte të shkollohej, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Djaloshi këpucar i Shqipërisë
Nga Rose Wilder Lane
Disa ditë më parë, kur fëmijët amerikanë po mbaronin pushimet dhe po planifikonin vitin e ri shkollor, një djalë në Durrësi i Shqipërisë, dëgjoi se një shkollë amerikane sapo po hapej në Tiranë.Paraardhësit e tij ishin vëllezërit e gruas, djali i së cilës ishte Aleksandri i Madh, por ai vetë ishte vetëm ndihmës i një këpucari. Ai u ul gjatë gjithë ditës këmbëkryq në një dyqan të vogël të hapur në rrugë dhe fabrikonte këpucë. Pranë tij kishte pirgje lëkure dhie të nxira; ai preu tabanin e këpucëve nga këto lëkura, i zhyti butësisht në ujë, ktheu skajet e tyre dhe thuri një dantellë të fortë dhe të bukur me rripa lëkure të papërpunuar mbi gishtat e këmbëve, në shpinë dhe rreth kyçeve të këmbës. Kjo ishte mënyra se si ai i bënte këpucët. Ndërsa punonte, pa njerëzit që po kalonin në rrugën e ngushtë e me baltë; malësorë dhe xhandarë, gra fshatare që mbanin foshnja në djepa në shpinë, gomerë të ngarkuar, gra myslimane të mbuluara dhe burra të mrekullueshëm në të kuqe, blu dhe ar, me thika argjendi dhe pistoleta në brezat e tyre.Ndonjëherë në turmë kishte amerikanë, të veshur çuditërisht me pantallona dhe pallto të drejta dhe me jaka të bardha, të veshur pa ngjyra dhe që nuk flisnin asnjë gjuhë që mund ta kuptonte.
Gjeloshi e dinte që ata vinin nga vendi më i pasur në botë dhe duke punuar dëgjonte thashetheme. Ai dëgjoi gjëra të pabesueshme për makinat. Një ditë me sytë e tij ai pa një makinë që kaloi pranë dyqanit të tij; ishte një karrocë e madhe, e ulët me katër rrota, e cila nuk tërhiqej apo shtyhej nga asgjë, por që shkonte sikur të ishte e gjallë dhe në të hipnin amerikanët. Pas kësaj, ai mësoi se në Tiranë amerikanët po krijonin një shkollë për të mësuar shqiptarët se si të fabrikonin makineri.
Ai nuk kishte para. Çdo ditë darka e tij kushtonte gjithçka që kishte fituar gjatë ditës, kështu që ai nuk mund të kursente asgjë. Të afërmit e tij ishin vrarë ose varfëruar të gjithë si ai në luftërat e shumta që nga viti 1908, kështu që nuk kishte njeri që ta ndihmonte. Por ai donte të shkonte në atë shkollë.
Nuk mendoj se djemtë dhe vajzat amerikane, paratë e të cilëve e ndërtuan atë shkollë, mund ta kenë idenë se sa shumë ai donte të shkonte në të.Ai e donte aq shumë sa Aleksandri donte të pushtonte botën. Ai tha me vete: “Unë jam një krijesë shumë e vogël në një botë të madhe. Unë nuk kam kthetra, as krahë, si kafshët; Unë jam një burrë dhe kam një mendje me të cilën të bëj rrugën time. Unë duhet të pushtoj botën duke ditur për të. Unë duhet të mësoj.”
Kështu një ditë ai i tha këpucarit se po largohej dhe duke marrë një copë bukë misri në çallmën e tij dhe duke mbajtur këpucët në brez që të mos konsumoheshin, ai shkoi në Tiranë, e cila ishte vetëm dyzet milje larg.Ai takoi z. Crawley, drejtorin, në ndërtesën e Kryqit të Kuq për të Rinj (Junior Red Cross), dhe i tha atij, nëpërmjet përkthyesit : “Unë jam trembëdhjetë vjeç. Unë nuk kam para dhe mjete, por mendja ime dëshiron dijen si shkretëtira dëshiron shiun. Nëse do të më blesh një komplet mjetesh këpucari, që do të kushtojnë 100 lira, unë do të punoj çdo orë që nuk jam duke studiuar e as duke fjetur. Unë do të bëj dhe do t’i rregulloj të gjitha këpucët për shkollën. Kur të jem burrë do të kthej 100 lirat.”
Sot, njëqind lira janë rreth katër dollarë dhe drejtori mendoi se amerikanët e rinj do të ishin të gatshëm të jepnin hua atë shumë. Por ai tha : “Djemtë e tjerë tashmë kanë studiuar anglisht. Ju duhet të jeni në gjendje të lexoni, shkruani dhe flisni anglisht brenda gjashtë javësh, sepse nuk ka tekste në gjuhën shqipe dhe kur të fillojë viti shkollor, të gjitha punët duhet të bëhen në anglisht.”
“Shumë mirë, do të mësoj anglisht për gjashtë javë”, tha Gjeloshi.
Drejtori e çoi nëpër oborr në dhomën ku pesë djemtë më të zgjuar po bënin punën e javës së dytë në anglisht.
Gjeloshi dëgjoi me gjithë zemër, mendje e shpirt.
Në fund të asaj ore të parë, ai dinte dhjetë emra, tre kohë me gjashtë folje dhe dinte të shqiptonte çdo fjali në anglisht që do të bënin. Kur drejtori u largua nga ai në fund të asaj ore, ai tha në anglisht — dhe deri në atë orë nuk dinte asgjë më shumë nga sa dimë ne për shqipen — “Faleminderit, zotëri. Unë do të mësoj.”
Unë them, i heq kapelen djemve të tillë në shkollën e Tiranës ! Në Amerikë duart e tua janë plot mundësi, saqë, pa humbur atë që ke dhënë, i ke pasuruar këta djem. Por është vetëm një prej nesh që mund të ndihet superior ndaj tyre: ai që mund të mësojë më shumë se Gjeloshi në gjashtëdhjetë minuta!
Deklarata e presidentit amerikan, Joe Biden, për xhaxhain e tij Ambrose J. Finnegan, një hero i Luftës së Dytë Botërore, i cili u qëllua në një zonë për të cilën ai tha se “dihej se kishte kanibalë”, shkaktoi diskutime.
Por Joe Biden mund të mos ketë bërë një gabim duke nënkuptuar se xhaxhai i tij nuk u gjet kurrë sepse ai ra viktimë e kanibalëve. Në fund të fundit, në vitin 2003, bota mësoi për një incident të ngjashëm, të tmerrshëm në Luftën e Dytë Botërore, ku përfshihej një president i mëvonshëm i SHBA, i cili do të ishte i vetmi nga shokët e tij që nuk do të hante (!) kundërshtarët e tij.
Arsyeja e incidentit të njohur si ” Incidenti Chichijima”
Kjo ndodhi në mëngjesin e 2 shtatorit 1944, kur nëntë avionë amerikanë që bombarduan bazën japoneze në ishullin Chichijima, 1000 kilometra larg Tokios, u rrëzuan. Tetë prej tyre u kapën, u torturuan, u ekzekutuan dhe u hëngrën – pasi ishin gatuar – nga garnizoni japonez i ishullit. I nënti, i cili u shpëtua pas luftimeve të ashpra, do të bëhej më vonë presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara. Ai quhej George Bush Sr.…
“Ne po vdisnim nga uria”
Në agim të asaj dite, bombarduesit u ngritën për të shkatërruar bazën e vogël, por të rëndësishme të radios në Chichijima, ndërsa luftimet në Iwo Jima ishin ndezur. Në mesin e pilotëve ishte piloti më i ri në SHBA në atë kohë. 20-vjeçari Xhorxh Bush ishte regjistruar në moshën 17-vjeçare, menjëherë pas katastrofës në Pearl Harbor.
Mbi Chichijima, bombarduesit lëshuan një ferr zjarri, por morën të njëjtën gjë. Avioni i Bushit mund të ketë bombarduar kullën e komunikimit, por është goditur nga zjarri kundërajror dhe ka shpërthyer në flakë. Bush mendoi se do të ishte katastrofike të përplasej me Chichijima dhe e çoi atë sa më larg në det të hapur, në mënyrë që të përplasej në det dhe të mos kapej. Dhe atje, sigurisht, anijet patrulluese japoneze mblodhën ekuipazhet amerikane.
Bush ishte i vetmi që nuk u kap dhe notoi në një trap të avionit që ishte fundosur që atëherë. Për pjesën tjetër i priste një fat i tmerrshëm. Një radioman u detyrua të gërmonte varrin e tij, i lidhën sytë dhe iu pre koka me shpatë. Në vend të kësaj, ata e goditën me thikë për vdekje. Një tjetër u rrah me shkopinj derisa dha frymën e fundit, një tjetër u shpua me shkopinj bambuje. Por tmerri ende nuk kishte filluar…
Gjenerali japonez Yoshio Tachibana mendoi se torturat e vuajtura nga ushtarët amerikanë nuk ishin të mjaftueshme. Ai urdhëroi që një prej tyre të gërmohej dhe të përdoret si mish. Në gjendjen e tij të dehur, ai këmbënguli që ushtarët e tij të provonin se kishin “frymë luftarake të mjaftueshme për të ngrënë mish njeriu”. Dhe kështu ndodhi.
Kirurgët e bazës hoqën mëlçinë dhe muskujt gluteal të ushtarëve dhe ua dhanë kuzhinierëve. Ata, nga ana tjetër, ua shërbyen oficerëve japonezë në pjata me salcë soje, salcë të nxehtë dhe perime. Admirali Kinizo Mori do të dëshmonte më vonë se hëngri mëlçinë e njërit prej ushtarëve amerikanë me shkopinj bambuje dhe salcë soje, duke shtuar se ishte… “i shijshëm” dhe se mendonin se do të ishte “i mirë për stomakun tonë”. Majori Sweo Matoba, i cili ishte ndër oficerët e lartë që kanibalizuan ushtarët amerikanë, më vonë mbrojti veprimet e tyre, duke argumentuar se ata ishin të zemëruar dhe të uritur – pasi furnizimet kishin mbaruar dhe ata ishin duke u rrethuar shumë nga SHBA.
“Këto incidente,” dëshmoi ai, “ndodhën kur Japonia po përjetonte një disfatë pas tjetrës. Stafi ishte i zemëruar, i dëshpëruar dhe vlonte nga inati i pakontrollueshëm. Ne ishim të uritur. Nuk e di se çfarë ndodhi më pas, por ne nuk ishim kanibalë”.
Bushi dhe ankthet
Xhorxh Bush, ndërkohë luftonte për jetën në mes të detit. Kur avioni u rrëzua, ai kishte thënë: “Mendova se kisha mbaruar”. Megjithatë, anijet japoneze që e rrethonin nuk arritën ta kapnin ndërsa avionët amerikanë i sulmuan dhe i shtynë ato.
“Po qaja, po hidhesha dhe po notoja si i çmendur”, kujton Bush. “Unë mund të kisha fituar Olimpiadën atë ditë ashtu siç po përpiqesha të arratisesha.” Pikërisht pranë tij u shfaq nëndetësja amerikane Finback dhe Bush mendoi se kishte halucinacione. Aty kamera ka kapur një moment historik, atë të shpëtimit të njeriut që disa vite më vonë do të bëhej presidenti i 41-të i SHBA-së.
Shpëtimi i Xhorxh W. Bushit
Në vitet që pasuan, Ushtria Amerikane e ka vulosur çështjen si top sekret, pasi besohej se trauma që do të shkaktonte familjet e të vdekurve të mësonin se njerëzit e tyre ishin ngrënë nga armiqtë e tyre nuk do të ishte e menaxhueshme. As vetë Bushi, i cili ishte torturuar nga pendimi (ai tha se pyeste veten “pse unë? Pse jam i bekuari? Pse jam unë i gjalli?”) nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur në ishull ndërsa ai po luftonte për jetën e tij. Dhe oficerët japonezë që kryen kanibalizëm u ndëshkuan vetëm me dënimin që të mos varroseshin kurrë me nderime ushtarake, pasi kanibalizmi nuk ishte në listën e krimeve të luftës.
Historia u bë e njohur kur shkrimtari amerikan James Bradley e nxori në dritë në vitin 2003 me botimin e librit të tij “Flyboys: A True Story of Courage”. I kujtohet se i ka rrëfyer Bushit dhe ai dëgjon në heshtje, me një vështrim të humbur, duke tundur kokën nga ajo që fati i kishte shkruar të (mos) kalonte atë ditë, 74 vjet para vdekjes së tij. Pak më vonë do të bëheshin të njohur edhe emrat e amerikanëve të tjerë që nuk u larguan kurrë nga Chichijima…
Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj.
Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara.
Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
******
Sekreti mjekësor në përgjithësi dhe ai pas vdekjes së pacientit dhe i personave publikë
I njëjti arsyetim mund të bëhet edhe në rastin e Lordit Moran, i cili e botoi këtë libër pas vdekjes së pacientit, kryesisht për mjekimin e Çurҁillit, pa e diskredituar të ndjerin (Robitscher, 1968). Në literaturën mjekësore shembuj të tillë janë të panumërt (Robitscher 1968; Piédelièvre, 1966):
-Rasti Maratit, një nga udhëheqësit e revolucioni francez të viti 1789 që u vra duke bërë banjo, por që nga mjeku i tij rezultoi se ai vuante nga dermatiti (infeksion i lëkurës) së skrotumit dhe perineumt. Banja e qetësonte atë nga sëmundja prej së cilës vuante.Kjo e bëri më të lehtë atentatin ndaj tij.
-Rasti i mjekut, që kishte përpiluar raportet mjekësore mbi përparimin e sëmundjes dhe sjelljen e Napoleonit para se të vdiste.
-Rastet e sëmundjeve dhe vdekjeve të shumë presidentëve të ShBA etj.
Sekreti mjekësor në Shqipëri
Çështja e sekretit mjekësor në vendin tonë, paraqitet në kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore, i cili përmban nenin 22 (ruajtja e sekretit mjekësor) dhe nenin 23 (zbulimi i sekretit mjekësor).
Pra, sipas këtyre neneve, sekreti mjekësor i mjekut, përbën një parim shumë të rëndësishëm, por jo me karakter absolut, sepse mund të zbulohet kur rrezikohet jeta e pacientit ose e kërkon ligji.
Kështu mos-ruajtja e sekretit mjekësor, nga kërkesa e ligjit, është dhe ai i parashikuar në kodin e procedurës penale të vendit tonë. Sipas nenit 282 (kallëzim nga personeli mjekësor), personeli mjekësor për një mjekim që ai kryen dhe dyshon se lidhet me një vepër kriminale, është i detyruar ta denoncojë atë në organet e prokurorisë (Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, 1995).
Para disa kohësh, në zbatim të këtij neni të procedurës penale, u arrestuan dy mjekë dhe një infermier në Fier me akuzat penale “moskallëzim i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (Top Channel, 2022).
Kjo për arsye, se ata kishin mjekuar një person që kërkohej nga drejtësia, pas përplasjes së tij me armë zjarri në një fshat të Elbasanit. Pra në këtë rast, ata nuk kishin zbatuar nenin 282 të kodit të procedurës penale, sipas të cilit ata ishin të detyruar të kallëzonin mjekimin që i kishin kryer këtij personi në organet e drejtësisë.
Sekreti mjekësor pas vdekjes i personave publikë
Çështja e sekretit mjekësor pas vdekjes përmendet në kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore (viti 2012) të vendit tonë vetëm në paragrafin e dytë të nenit 22 (ruajtja e sekretit):
“……..Madje edhe pas vdekjes të të sëmurit, me përjashtim të rasteve kur ajo (e fshehta mjekësor) përbën rrezik për shëndetin dhe jetën e të tjerëve, mjeku duhet të mos zbulojë sekretin profesional”.
Siç shihet, kjo çështje trajtohet shumë pak në legjislacionin mjekësor Shqiptar. Prandaj për këto raste, sidomos për personat publikë, që kanë filluar të analizohen edhe te ne, duhen zbatuar rregullat e rekomanduara nga literatura e huaj, një pjesë e të cilave u paraqitën më parë në këtë studim.
Nga ana ime unë kam marrë pjesë në disa raste vdekjesh mjekoligjore, rezultatet e të cilave i kam shpallur dhe botuar në shtyp, duke mos ruajtur kështu sekretin mjekësor, por pa shkelur rregullat e veçorive të këtyre rasteve (B. Çipi, 2018).
-Kështu në disa botime për vdekjet e Mehmet Shehut, Nako Spirut, që përfshihen në grupin e vdekjeve kriminale dhe si të tilla ato do të konsiderohen si raste, kur sekreti pas vdekjes nuk ruhet. Sidoqoftë përpara botimit, unë kam marrë edhe lejen e familjarëve të tyre (Çipi B., Çipi S. 2015; Çipi, 2018, 2020;).
-Çështja e viktimave të bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë në vitin 1951, përbën edhe ajo një rast kriminal, ku nuk ka qenë nevoja e ruajtjes së sekretit mjekësor; edhe për këtë çështje është marrë prej meje leja e familjarëve të viktimave, të cilët kanë ndihmuar edhe në zbulimin dhe ekzaminimin e tyre.
-Në rastin e zhvarrimit të Enver Hoxhës në vitin 1992, të drejtuar prej meje, botimi i tij në vitet 2000, u bë për të përgënjeshtruar shpifjen e publikuar në atë kohë, sipas të cilës gjatë ekzumimit (nxjerrjes nga varri), kufoma u godit në kokë dhe u dëmtua nga kavoja e vinçit që po e nxirrte. Për këtë botim, unë pata mbështetjen edhe nga një prej njerëzve të rrethit familjar të Enver Hoxhës.
Në lidhje me të dhënat e ndjekjes mjekësore së Enver Hoxhës, mund të përmenden këto publikime:
-Shënimet mbi ndjekjen mjekësore të Enver Hoxhës, të lëna nga Prof. Dr. Fejzi Hoxha (të botuara pas vdekjes së tij nga Prof. Dr. Lluka Heqimi, në vitin 2003): bashkëmoshatar, nga Gjirokastra dhe ai, që e kishte njohur Enver Hoxhën që në fëmijëri dhe e kishte kuruar, pavarësisht nga vështirësitë e këtij mjekimi, për një kohë shumë të gjatë (Heqimi, 2003).
Botimi i këtyre shënimeve, pas vdekjes së autorit të tyre, përbën një nga ato raste kur sekreti mjekësor mund të mos ruhet për personat publikë shumë të njohur. Përveҁ tij, për mjekimin e Enver Hoxhës është shprehur edhe mjeku tjetër i tij, Prof.Dr. Sabit Brokaj, një nga mjekët e ekipit që ndiqte 24 orë shëndetin e Enver Hoxhës.
Sipas tij, Hoxha vuante nga një patologji e hershme e diabetit dhe ai kishte të gjitha faktorët rrezikues, që mund t’i merrnin jetën herët apo vonë.
“Diabeti ishte i njohur që nga viti 1948 dhe ndaj ishte eprori profesor Fejzi Hoxha, mjeku më i mirë endokrinolog që kishim, sepse pacienti ishte i sëmurë diabetik dhe Enver Hoxha mjekohej për diabetin. Ecuria e diabetit me ndërlikimet shoqëruese bëri rrugën e vet natyrale.
Duhet të kemi parasysh që ai ishte një pacient me një diabet të vështirë për ta ekuilibruar, obez, duhanpirës, me stres permanent. Pra, në konceptin e kardiologjisë, këta faktorë prej më shumë se 10 vitesh janë faktorët rrezikues dhe vetiu në një pacient të tillë, janë të pritshme ndërlikimet në sistemin arterial, në zemër apo dhe në tru”.
Sipas Prof. Sabit Brokaj, që kishte qenë pjesë e ekipit të mjekëve, por dhe për përvojën për këta të sëmurë, “Enver Hoxha ka qenë i sëmurë i mirë-kontrolluar, në aktivitet të plotë derisa vdiq në atë moshë, pasi me këta faktorë, pacientët janë të rrezikuar dhe në moshë shumë më të re.
Enver Hoxha pati ndërlikimet e tij diabetike. Vdekja e Enver Hoxhës ishte rrjedhojë e një patologjie të hershme të diabetit, që në vitin 1948, duke krijuar komplikacione, që agravoheshin vit pas viti dhe në organet të tjera të trupit. Kujdesi ndaj tij ishte maksimal, ndërsa Enver Hoxha deri pak para vdekjes, ka qenë aktiv në detyrat politike dhe shtetërore”.
Në të vërtetë, në 10 vitet e fundit të jetës së tij, Enver Hoxha ka qenë nën kujdesin shëndetësor të një ekipi mjekësor të përzgjedhur, në të cilin bënin pjesë edhe Prof. Dr. Isuf Kalo dhe Prof. Dr. Ahmet Kamberi.
-Vitet e fundit janë botuar dy libra me detaje të hollësishme nga ana e këtyre dy mjekëve që e kanë kuruar Enver Hoxhën:
“Blloku” i Prof. Dr. Isuf Kalo, viti 2019 (Kalo, 2019).
“Pacienti ynë i veçantë” i Prof.Dr. Ahmet Kamberi, viti 2020 (Kamberi, 2020).
Të dy librat në lidhje me ruajtjen ose jo të sekretit mjekësor pas vdekjes, janë të justifikuara, sepse kanë të bëjnë me udhëheqësin kryesor të diktaturës komuniste 40 – vjeçare; prandaj problemet mjekësore të tij, do të ishin të nevojshme të njiheshin në radhë të parë nga publiku i gjerë i vendit tonë. Nga ana tjetër është marrë dhe leja e të vesë së Enver Hoxhës, për botimin e librit “Pacienti ynë i veçantë” të Prof. Dr. Ahmet Kamberi.
Në këto libra janë ruajtur dhe respektuar në përgjithësi interesat e pacientit.
Kështu në librin “Blloku”, Prof. Dr. Isuf Kalo shkruan midis të tjerave: “Kam mendimin se nëse Enver Hoxha nuk do të jetonte në atë kohë, nuk do të ishte bërë diktator, por do të ishte bërë një mësues shumë sharmant, sepse ishte shumë simpatik si njeri; në një farë mënyre, pozita e mori në qafë atë…! U bë një pacient bashkëpunues që ia lehtëson punën mjekut.…! Ai nuk ka dashur që ne ta diktojmë as sëmundja ta diktojë, por ka pasur inteligjencën edhe mundësinë që të bashkëpunonte në lidhje me mjekimi e tij”.
Ndërsa në librin “Pacienti ynë i veçantë”, Prof. Dr. Ahmet Kamberi, duke u mbështetur kryesisht në marrëdhënien mjek-pacient, thekson se: “Në marrëdhëniet me mjekët, Pacienti ishte i përzemërt. Nuk ka ndodhur kurrë që ai të shprehte pakënaqësi me fjalë, ndaj ndonjërit prej nesh, madje edhe atëherë kur ai nuk ishte i kënaqur me këshillat tona. Pakënaqësinë ai e shprehte thjesht, me ngrysjen e fytyrës, me mungesën dëshirës për ta zgjatur diskutimin dhe me mosbindje….”!
Por në librin e parë “Blloku” të Isuf Kalos, jepen disa të dhëna dhe mendime mbi jetën intime, që unë kam mendimin që Pacienti vetë dhe bashkëshortja e tij, nuk do të ishin dakord që ato të shpalleshin pas vdekjes së Pacientit. Po kështu në librin “Blloku”, jepen mendime dhe argumente kryesisht të karakterit psikologjik nga ana e autorit të librit, për ngjarje të ndryshme të asaj kohe, mendime këto të cilat nuk i ka shprehur Pacienti dhe me të cilat vetë Pacienti, kur ishte gjallë, besoj se nuk do të ishte dakord.
Këto mund të kenë qenë disa nga arsyet që për botimin e librit: “Blloku”, nuk është marrë miratimi familjes së Enver Hoxhës. Në lidhje me këto botime, unë kam këto vërejtje dhe sugjerime:
-Botimi i këtyre librave, të dy mjekëve të njohur: Prof. Dr. Isuf Kalo dhe Prof. Dr. Ahmet Kamberi, po kështu edhe botimet e mjekëve të tjerë që kanë mjekuar Enver Hoxhën, do të ishte mirë që të shoqëroheshin edhe me publikimin e plotë të raportit të autopsisë, sikurse është vepruar me udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik, Leninit dhe Stalinit. Kjo më shumë për të vërtetuar ose hedhur poshtë hipotezën, që ai mund të jetë eliminuar. Kjo akuzë e shpallur në shtyp, është ngritur nga njëra prej nuseve dhe njërit prej djemve të Enver Hoxhës, sipas të cilës, ai është helmuar.
-Do të ishte më e përshtatshme që libra të tillë, të botoheshin në një kohë më të vonë, sikurse rekomandohet nga literatura përkatëse, sipas të cilës kujtesa e njerëzve që e kanë njohur të vdekurin, është shumë më e rëndësishme se ajo që ka mbetur në gjeneratat e më pasme, prandaj mbrojtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes, do të pakësohet me kalimin e kohës, deri në zhdukjen e plotë të tij.
Kjo, për arsye se botimi i këtyre dy librave, sidomos i librit “Blloku” u shoqërua, përveç lavdërimeve të shumta, edhe me një reagim të rreptë kundërshtues ndaj paraqitjes simpatike të Enver Hoxhës, në marrëdhëniet me mjekët që e kuronin atë, ndërkohë që në mendjet e njerëzve, si atyre të moshuar por edhe atyre më të rinj, janë ende të freskëta dëshmitë shumë negative të jetës së Enver Hoxhës, një pjesë nga ato të publikuara nga ata që e kanë njohur që në rininë e tij, si dhe ato të krimeve monstruoze të urdhëruara prej tij, shumë prej tyre ende të pazbuluara.
P.sh., shkrimtari dhe studiuesi Vedat Kokona (Kokona 2020), që e ka njohur që në rini Enver Hoxhën, në kujtimet e tij, midis të tjerave shkruan se; “Ai ka qenë një sfinks ndanë piramidës të ndërtuar me eshtrat e atyre që vrau…..e mbylli këtë vend në një bodrum të fëlliqur, në një kënetë të ndotur, ku krokasin natë e ditë bretkosa të mjera…! Afro gjysmë shekulli në errësirë, në këllirë, me mashtrime, gjurmime, pushkatime, internime, spiunime, kur bije në shtrat me frikë dhe ngriheshe me frikë…….kur duhej të flisje dhe të thoshe ato që s’doje t’i thoshe….etj”!
Një vlerësim tjetër negativ për Enver Hoxhën, nga një person anonim: “Njeri i lig dhe i djallëzuar shumë. Vuajti shumë ky popull. Nuk ja kishte borxh….! Ç’faj patën gjyshërit tanë që ishin me dhën, e me dhi, me shtëpi e katandi? Ç’faj patën ata që mësuan në shkollë dhe u diplomuan në Perëndim? Pse Enveri ishte tapë topi dhe aventuerier….! Hajt të bëjë terror gjithë të diplomuarit, gjithë pasanikët, gjithë të kamurit etj.
Në përfundim duhet theksuar se:
-Parimi i rëndësishëm i konfidencialitetit mjekësor, i cili nga një detyrim moral është kthyer në një detyrim ligjor dhe në fund si një nga të drejtat fondamentale të njeriut, përmban edhe të fshehtën mjekësore pas vdekjes, të njohur jo aq sa duhet.
-Kjo e fundit përmban aspekte të ndryshme që i përkasin argumenteve kryesisht filozofike, interesave të personit të vdekur, rrethanave kur kjo e fshehtë nuk ruhet, kohës që ka kaluar nga vdekja, personave që kanë detyrimin për ruajtjen ose jo të saj, rasteve të ruajtjes ose jo të saj për personat e njohur etj.
-Kjo lloj e fshehte mjekësore, sidomos ajo e një personi publik për vendin tonë, përbën një çështje shumë delikate që kërkon një kujdes shumë të madh në rastet e shpalljes së saj. Bardhyl Çipi Memorie.al
Stafi i spitalit Mbreti Zog I në 1935; ulur: Prof. Wilhelm Schlesinger (majtas), Dr. Sabri Tefiku (në mes) dhe Prof. Walter Lehmann (djathtas); në këmbë: Stafi i spitalit duke përfshirë 2 gra — Dr. Quastler, pediatre (djathtas) dhe Dr. Schlesinger, biologe (majtas).
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Prill 2024
“The Carmel Pine Cone” ka botuar, të premten e 10 nëntorit 1939, në faqen n°5, rrëfimin mbi Shqipërinë të Dr. Walter Lehman, mjekut personal të mbretit Zog, i strehuar asokohe me familjen e tij në Carmel (SHBA), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Dr. Walter Lehman gjen një strehë të lumtur në Carmel; Në Shqipëri, ai ishte mjek personal i Mbretit Zog
Nga Francis L. Lloyd
Të jesh mjek personal i Mbretit Zog të Shqipërisë gjatë një pjese të dekadës së harlisur të Zogut si sundimtar i vendit të vogël të tharë pranë Adriatikut mund të tingëllojë si një punë e lehtë, por për Dr. Walter Lehman, i cili që atëherë ka ardhur në Carmel për të pushuar, ishte një nga periudhat më plot ngjarje të karrierës së ngjeshur të një kirurgu aktiv.
Sot Dr. Lehman, me origjinë nga Gjermania, ka sjellë gruan e tij simpatike, e cila vetë është trajnuar në mjekësi, dhe dy djemtë, Klaus, 9 vjeç dhe Hans, 7 vjeç, për të gjetur një shtëpi dhe strehë në Carmel. Ai kujton përvojat e tij shqiptare me një psherëtimë lehtësimi, tani që ato kanë mbaruar.
Fillimisht ishte puna e cila fillonte në orën 7 të mëngjesit dhe zgjaste deri në operacionet e mëdha që Dr. Lehman drejtonte personalisht, si dhe merrej me detajet e spitaleve civile dhe ushtarake në përfundim të ditës.Më pas pati edhe ekspedita me aeroplan për të operuar shqiptarë të sëmurë të cilët ndodheshin larg brenda vendit.Dhe, përveç këtyre detyrave të rregullta dhe të rrepta, kishte edhe festat shoqërore. Shqipëria, e cila ka dy të tretat e popullsisë myslimane, me balancat e ndara në mënyrë të barabartë midis katolikëve romakë dhe katolikëve ortodoksë grekë, feston festat që i përkasin siç duhet secilës prej këtyre feve. Pastaj ishin festat e mëdha qytetare.
“Ndonjëherë”, deklaron Dr. Lehman, “kishte deri në pesë apo gjashtë festa radhazi. Gjatë vitit tim të fundit në Shqipëri, ne festuam dhjetëvjetorin e mbretërimit të Mbretit Zog, 25 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe martesën e Mbretit dhe Mbretëreshës. Thjesht ishim të rraskapitur!”
Ky celebrim festash dhe argëtimesh, i cili zakonisht fillonte vonë në mbrëmje derisa mbreti të kthehej – rreth orës 4 të mëngjesit – ishte në kontrast me varfërinë e miliona shqiptarëve që jetojnë në atë që tani është një provincë italiane, midis Greqisë në jug dhe Jugosllavisë në veri, drejtpërdrejt përtej Adriatikut të ngushtë nga “thembra” italiane.
Dr. Lehman i përshkruan shqiptarët si një popull me të ardhura (mjete) modeste, që nuk duan të punojnë më gjatë ose më shumë se ç’duhet, pak progresistë, megjithëse ata nga njerëzit e tyre që ishin shkolluar jashtë vendit në Vjenë, Francë ose Itali, ishin shoqëruesit më të këndshëm dhe poliglotë.
“Asistentët e mi flisnin disa gjuhë, zakonisht turqisht dhe italisht, përveç shqipes së tyre amtare, dhe shpesh flisnin greqisht, jugosllavisht, frëngjisht, anglisht ose gjermanisht. Nuk ishte asgjë për ta të flisnin pesë ose gjashtë gjuhë. Mund të flisja shumë rrjedhshëm frëngjisht dhe italisht, por vetëm disa fjalë shqip të cilat ndonjëherë i përdorja për të pyetur pacientët.”
Dr. Lehman flet anglisht saktë dhe me pak theks, dhe gruaja e tij flet mirë anglisht. Dr. Lehman erdhi për herë të parë në këtë vend disa vite më parë për të punuar me Dr. Harvey Cushing, kirurgun e madh amerikan, vdekja e të cilit ndodhi së fundmi. Dr. Lehman e pa atë në New Haven vetëm pak kohë përpara se Dr. Cushing të vdiste. Ai punoi gjithashtu në klinikën Mayo në Rochester, Minnesota, kur ishte në këtë vend me leje nga Goettingen.
Studimet e tij për mjekësi i filloi në Gjermani, ku ndoqi universitetet në Bonn, Freiburg dhe Berlin, si dhe në Gjenevë. Kjo ndodhi para shpërthimit të Luftës Botërore. Më vonë ai ishte në stafet mjekësore në Frankfort dhe Goettingen përpara se të shkonte në Shqipëri.
Posti i tij i parë në Shqipëri ishte në Vlorë, një qytet i vogël në jug ku malaria ishte aq e rëndë (përhapur) sa ishte e pamundur të merrte fëmijët me vete. Këtu, trajnimi mjekësor i zonjës Lehman u shfrytëzua mirë, pasi ajo ndihmoi Dr. Lehman në organizimin e spitalit, madje edhe përgatitjen e fashave dhe mjeteve kirurgjikale. Megjithatë, ishte e vështirë t’i bëje vendasit të vinin në spital për trajtim, sepse në një regjim të mëparshëm një “kockë sharre” kishte krijuar një bestytni që të shkoje në spital do të thoshte vdekje pothuajse e sigurt. Sidoqoftë, kjo u tejkalua me kohën dhe Dr. Lehman u largua nga spitali në lulëzim kur ai u transferua në kryeqytetin verior të brendshëm, Tiranën.
Mbreti Zog e vendosi Dr. Lehmanin në krye të spitaleve ushtarake dhe civile dhe e solli në oborr si mjekun e tij.
Edhe pse jeta ishte e këndshme dhe operacionet e shumta – 1500 operacione në vit nën mbikëqyrjen e Dr. Lehmanit – Lehman-ët e konsideronin Tiranën më shumë si një jetë në fshat sesa një qytet modern. Nuk kishte rrugë, përveç një “autostrade” prej 20 miljesh për në Durrës, portin detar, nuk kishte lidhje telefonike me pikat përtej qytetit; dhe asnjë hekurudhë.
Komunikimi me botën e jashtme bëhej me aeroplan nga Roma, e cila ndodhej tre orë larg, ose me avullore të vogël përtej Adriatikut. Në kohë stuhie, avulloret e vogla nuk guxonin të dilnin përtej këtij deti të trazuar në brendësi, dhe, natyrisht, asnjë avion nuk fluturonte, dhe Shqipëria do të izolohej për ditë të tëra. Kohët e fundit u ndërtua një stacion radiofonik.
Shumica e përmirësimeve moderne u financuan nga italianët, të cilët kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e vendit. Që nga koha kur anglezët hoqën dorë nga përpjekjet për të nxjerrë naftën nga Shqipëria, italianët përparuan. Infermieret në spitalet e Dr. Lehman ishin murgesha italiane dhe kishte një koloni të konsiderueshme italiane. Xhandarmëria, e rëndësishme në shuarjen e banditizmit gjatë regjimit të Zogut, u rekrutua nga anglezët nën drejtimin e gjeneralit Percy.
“Kur gjenerali Percy u largua nga Shqipëria, e dija se kishte ardhur koha që edhe unë të largohesha”, tha Dr. Lehman. “Kam këmbyer paratë e mia në dollarë vetëm një herë. Megjithatë, tetorin e kaluar i kisha shitur mobiliet e mia dhe po planifikoja të largohesha gjithsesi në prill. Kështu që saktësisht nuk u largova fshehurazi nga vendi.”
Dr. Lehman ka sjellë me vete shumë fotografi dhe të shikosh “albumin familjar” tradicional nuk është aq e mërzitshme siç është zakonisht. Fotot e tyre interesante të bëra nga zonja Lehman tregojnë rrugët shqiptare, me mallra të varura jashtë dhe me ushqime të papërpunuara të ekspozuara në rrugë në thasë. Ka fotografi të vendasve me veshje të thjeshta ose me plisa të bardhë elegantë dhe me “kilte – fustanella”, njësoj si kostumet kombëtare greke, të veshura nga malësorët shqiptarë (Zogu ka qenë udhëheqës i një fisi malor përpara se të vinte në fron).
Shumica e fotografive të zonjës Lehman përfshijnë ura romake, rrugë me gropa dhe shpesh gomarin e kudondodhur, duke mbajtur ngarkesa me dru. “Në Shqipëri blinim dru mbi gomarë – rreth 30 cent për atë që mund të mbante një gomar. Ishte shumë shtrenjtë, sepse druri është i rrallë në një vend kaq të thatë,” shpjegoi Dr. Lehman.
Disa imazhe tregojnë lumenj, kodra të mbuluara me shkurre dhe disa pemë përgjatë shtretërve të lumenjve dhe ngjajnë shumë me skena të tilla në Kaliforni, Nevada ose Arizona. Dr. Lehman e krahason peizazhin më tepër me zonat malore në perëndim të Omahas.
Këtu janë disa gjëra të tjera për Shqipërinë që ky shkrimtar nuk i dinte më pare : Ford-at kushtojnë 2000 dollarë në Shqipëri, për shkak të taksave që arrijnë në gati 100 për qind mbi importet; Mbreti Zog ndërtoi shkolla dhe vendosi arsimin e detyrueshëm; Energjia elektrike shtëpiake është rreth dhjetë herë më e shtrenjtë në Shqipëri sesa në Carmel; Shqiptarët jetojnë kryesisht me djathë, bukë dhe qumësht, dhe eksportojnë pak përveç leshit; gjuha shqipe është jashtëzakonisht e vështirë për t’u mësuar; Shtëpitë shqiptare kanë çati me tjegulla dhe mure balte, njësoj si qerpiçët e vjetër të Kalifornisë, por nuk janë shumëngjyrëshe.
Në vitin 1987, një notar profesionist 22-vjeçar i quajtur Tonin Gjini hyri në ujërat e Adriatikut në fshatin verior të Velipojës me mikun e tij më të mirë, Pjerin Gjeka.
Tetëmbëdhjetë orë më vonë, Gjini doli 18 kilometra përgjatë bregut në qytetin malazez të Ulqinit, në atë kohë pjesë e Jugosllavisë. Gjeka u mbyt, 100 metra larg bregut. Gjini e tërhoqi trupin e shokut të tij deri në tokë.
Me të mbërritur në Ulqin, katër persona me uniforma e çuan Gjinin dhe trupin e Gjekës në Podgoricë, i njohur atëherë si Titograd. Nga aty, Gjini u dërgua në burg në qytetin bregdetar të Kotorrit për një muaj për kalim të paligjshëm të kufirit.
Nga Kotorri, Gjini u dërgua në Beograd, ku u intervistua në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjini u lejua të hynte në SHBA, por familja e tij në Shqipëri u internua në një fshat të largët në veri të Shqipërisë.
Kur u kthye për herë të parë, në vitin 1992 pas rënies së komunizmit, të afërmit e mikut të tij të vdekur, Gjekës, e pyetën se çfarë kishte ndodhur me të.
“Ata nuk dinin asgjë”, tha ai. Ai u tregoi se jugosllavët e kishin marrë trupin e Gjekës dhe ua kishin kthyer autoriteteve shqiptare, të cilët e varrosën atë në veri të Shqipërisë, “por familja nuk dinte asgjë”.
“Më pas familjarët nëpërmjet një të njohuri të tyre e gjetën. Ata morën një ekskavator, gërmuan dhe e gjetën.”
Historia e dy të rinjve ka frymezuar filmin dokumentar “Freestyle to Montenegro” i cili është shfaqur në rreth 10 festivale filmi. dita
Zoti Papulias: Dua ta filloj nga e fundit. Sigurisht, Fatos Nano u gjykua nga Gjykata Shqiptare dhe s’duam të vëmë në dyshim qoftë vendimin e Drejtësisë shqiptare, qofte ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Por, fakti që të gjitha partitë socialiste, pra edhe PASOK-u dhe Parlamenti Evropian, mbajtën qendrim tregon për ndjeshmërinë që kanë forcat perparimtare demokratike në Evropë, kur ka ndjekje të personave që janë në krye të partive politike.
Të njejtën ndjeshmëri shfaqen këto qarqe kur ndiqej Papandreu dhe të njejtën ndjeshmëri do të tregojnë ndaj ndjekjes së ardhshme të Kraksit.
Sigurisht, qëndrimi ka lidhje me vendimin që mori Gjykata e pavarur shqiptare, por mendimi personal është se në perpjekjet për vendosjen e demokracisë, dikush që është i fortë, në këtë rast qeveria shqiptare, duhet të tregohet zemërgjërë me kundërshtaret, qofshin ata edhe tëe korruptuar. Këto janë pikëpamje të shfaqura edhe në Internacionalen socialiste. PASOKu është, siç e dini, anëtar i kësaj Internacionaleje.
Zoti ministër përmendi edhe thelbin e problemit. Sa kohë që nuk do të ketë klimë mirëbesimi, në marrëdhëniet greko-shqiptare do të kemi oshilacione dhe përpjekja jonë këtu duhet të drejtohet. Qeveria greke do të marrë të gjitha masat e nevojshme kundër qarqeve që minojnë miqësinë greko-shqiptare. Sigurisht, këto qarqe me fjalë do të thonë gjërat më të ndryshme, por kurrë qeveria greke nuk do të lejojë të kalohet nga fjalët në verpra, sepse në këtë rast rrezikohet demokracia në Greqi, e cila funksionon në mënyrë të mirë.
Dua të bëjë disa verejtje për Kishën Ortodokse. Natyrisht, marrëdhëiet e shtetit shqiptar dhe Kishës janë problem i juaj i brendshëm, por është i afërt edhe me të drejtën e kultit për minoritetin grek. Nuk ishte protestë ajo e diplomatit tonë, por një mesazh imi personal për ju, sepse ishte mundësia e moslejimit të liturgjisë se “ringjalljes” dhe kjo me siguri do te ishte një goditje e madhe dhe do të bënte jehonë, do të ishte një goditje për të gjithë ortodoksët, sepse është festa më e madhe e tyre.
Minoritetin, i cili jeton prej vitesh në Shqipëri, e kemi parë si urë miqësie dhe bashkëpunimi. Sigurisht, duam që ai të gëzojë të gjitha të drejtat që ekzistojnë në kartat ndërkombëtare. Kemi edhe një deshirë të madhe: Duam që qeveria shqiptare të ndërgjegjësohet për të mbeshtetur ato ndjenja që shfaq minoriteti grek për popullin shqiptar. Dua të them se në arrestimet e fundit të përfaqësuesve të minoritetit më bën përshtypje përzgjedhja e personave te ndryshëm.
Kam para meje listën. Janë personalitete, sekretarë, kryetarë, në Gjirokastër, Sarandë, Korçë, Përmet, Tepelenë. Më të shumtët janë drejtues. Shumica janë liruar, por mbahen akoma edhe pesë vetë, megjithatë mendoj se është një veprim që u takon organeve shqiptare. Nga sa kuptova, ka një deshirë që keta t’i kalohen gjygjit, por dua të them vlerësimin tim. Kalimi i tyre në gjygj do të jetë diçka që do të ushqejë zjarrin brenda opinionit grek.
Dua të bëj një vërejtje të fundit. Zoti ministër, gjatë referimit të tij, foli për parim reciprociteti në trajtim të minoritetit grek në Shqipëri dhe të Shqiptarëve në Greqi. Për cilët e keni fjalën? Nuk di se ekzistojnë shqiptarë, përveç emigrantëve.
Zoti Serreqi: E kam fjalën për ortodoksët shqiptarë, për avanitasit, shqiptarët në Greqi.
Zoti Papulias: Është hera e parë që degjoj për problemin arvanitas.
Zoti Serreqi: Eshtë hera e tretë që unë jua kam thënë juve, personalisht.
Zoti Papulias: Duam fakte për këtë. Nëse keni, na i jepni. Keni gjëra konkrete për ta dhe ku jetojnë? Sigurisht, shqiptarë ortodoksë ka në Shqipëri.
Për problemin çam, dua të bëj një vërejtje. Minoriteti grek ka dhënë me qindra dëshmorë për çlirimin e Shqipërisë. Besoj se ka dhënë shumë nç proporcion me popullin shqiptar dhe nën pushtetin e Enverit vuajti si gjithë populli shqiptar. Dua të bëj një diferencim historik. Populli shqiptar dhe minoriteti grek kanë luftuar për clirimin e Shqipërisë, kundër fashizmit dhe nazizmit. Kurse çamët bashkëpunuan me pushtuesit kundër çlirimit të Greqisë. Unë këtë e di mirë, sepse kam qenë 14 vjeç dhe kam luftuar në ato anë. Ekziston problemi i pronave dhe besoj se e mbani mend se kam thënë që shërbimet juridike të të dy ministrive të Jashtme ta studiojnë këtë problem.
Zoti Serreqi: Nuk e vë në dyshim që ashtu si në rradhët e grekëve, edhe midis çamëve, të cilët gjithashtu luftuan kundër okupatorëve, ka pasur bashkëpunëtorë. Dihet historia. Nga Greqia ikën ata që bashkëpunuan me Italianët dhe ata që deshën te vendosnin regjimini komunist. Të tjerëve, përveç çamëve, iu dha e drejta të kthehen si shtetas grekë. Tani kur kanë kaluar të paktën dy gjenerata, është absurde të ngulësh këmbë në mënyrë të tillë, domethënë, të përvetësosh teorinë e luftës së klasave të zhvilluar gjatë regjimit kominist në Shqipëri. Akuza nuk qëndron për të gjithë çamët, por edhe në kohë ajo s’mund të zbatohet. Qëndrimi që mban qeveria greke sot nuk mund të mbahet.
Zoti Papulias: Ju ju referuat edhe ligji për arsimin. Urojmë që ai te ketë një përmbajtje të tillë ashtu siç m’u premtua nga ju dhe zoti Berisha, që do të jetë i nivelit më të lartë evropian. Besoj se edhe shumë shqiptarë do të ishin të kënaqur që të mësonin gjuhën greke. Kjo do të ndihmonte bashkëpunimin tonë në fushën e kulturës e të shkencës dhe të shkëmbimeve që kemi si vende fqinje.
Kam një vërejtje. Kishim rënë dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët për problemin e arsimit. Ju kemi dërguar një projekt marrëveshje për punësimin e shqiptarëve në Greqi. Duam të krijojmë një kuadër ligjor punësimi dhe jetese te ngjashëm me standartet ndërkombëtare. Jemi dakord të bashkëpunojmë me ju dhe t’u japim emigrantëve shqiptarë atë status që i ndihmon dhe i lehtëson. Pashë komunikatën e fundit të ministries së Jashtme që thekson se qeveria greke nuk duhet të ushtrojë presion mbi qeverinë shqiptare me anë të emigracionit.
Ne nuk e kemi bërë këtë, nuk kemi ushtruar presion. Problemi i minoritetit grek në Shqipëri dhe i emigrantëve shqiptarë në Greqi janë dy problem që qendrojnë në baza të ndryshme. Të dyja palët kanë të drejtat e tyre. Nuk mundet që gjithë këta mijëra të jetojnë në mënyrë të paligjshme. Ju njoftoj se do të lehtësojmë procedurën e dhënies së vizave për shtetasit shqiptarë që duan të punojnë si sezonalë në Greqi.
Nuk kemi pergjigje për hapjen e zyrës së Bankës Kombëtare të Greqisë në Tiranë, gjë që do të lehtësojë mundësinë e dërgimit te parave në Shqipëri nga ana e emigrantëve shqiptarë. Marrëdhëniet ndërbankare duhet të avancohen në interes dypalësh dhe të emigrantëve në Greqi.
Zoti Serreqi: Ju kërkoj ndjesë, pasi do t’u rikthehem disa problemeve. Na vjen keq që rezolutat e parlamntit evropian për Fatos Nanon janë iniciuar nga parlamentarë grekë.
Zoti Papulias: Kjo është në kuadrin e marrëdhënieve të mira midis Partisë Socialiste dhe PASOK-ut. PASOK-u mban lidhje të mira me të gjithë partitë socialiste në Ballkan.
Zoti Serreqi: Nuk duam që ky bashkëpunim partiak të shtrihet në marrëdhëniet shtetërore. Edhe në Itali ka pasur dukuri të tilla dhe nga ju nuk kemi dëgjuar ndonjë protestë.
Zoti Papulias: Në qoftë se do të dënohet Kraksi, të njëjtin qëndrim do të mbajmë.
Zoti Serreqi: Në dimensionin human problemi i minoritetit grek është i zgjidhur. Nuk është vetëm sensibiliteti i popullit grek, por edhe njohja e problemit te shqiptareve të hershëm në Greqi dhe i problemit çam. Problemi i minoritetit grek të mos u kundërvihet marrëdhënieve shqiptarogreke. Personat e ndaluar, sigurisht, mbahen mbi bazën e provave. Në rast të një procesi gjygjësor, ky do të jetë i pastër, transparent, i hapur. Për faje të tilla nuk dënohen vetëm minoritarë grekë, por edhe shqiptarë. Për sa i takon ligjit të arsimit dhe mësimit te gjuhës greku, mund t’ju them se greqishtja e vjetër është mësuar në Shqipër edhe para Luftës së II-të Botërore. Në zhvillimin e marrëdhënieve normale, ka rëndësi dhe njohja e gjuhës. Si shqiptarët që vijnë në Greqi e që kanë nevojë të mësojnë gjuhën greke, ashtu dhe biznesmenët greke qe vijne ne Shqipëri, kanë nevojë të mësojnë gjuhën shqipe. Edhe gjuha shqipe është gjuhë e bukur.
Zoti Papulias: Sigurisht që mund ta mësojnë.
Zoti Serreqi: Për hapësirën e gjuhës shqipe, për ngjalljen e gjuhës dhe të traditave të tyre kanë nevojë edhe arvanitasit. Për çështjen e festimeve fetare të Pashkëve, nuk është e ndershme që persona fetarë të shkojnë në ambasadën greke dhe të nxisin reagimet e saj. Gjithë komunitete fetare gëzojnë të njëjtat të drejta.
Për emigrantët shqiptarë vazhdimisht kemi vlerësuar se puna e tyre është një element që zbuti vështirësitë e tranzicionit, por ata kanë punuar edhe për prosperitetin e Greqisë. Më vjen keq që janë ekzagjeruar problemet që lidhen me emigracionin shqiptar dhe që shoqërojnë gjithmonë fenomenin e emigracionit. Jam dakord që nuk janë në një bazë problemi i minoritetit dhe ai i emigrantëve shqiptarë. Marrëveshja për punësimin sezonal nuk e zgjidh problemin e legalizimit të emigracionit aktual shqiptar në Greqi, me gjithë anët e mira që ka.
Ne e mirëpresim idenë për lehtësimin e procedurës së vizave, në një kohë kur qeveria shqiptare i ka hequr vizat për shtetasit e Komunitetit Evropian, pra, në këtë kuadër edhe për shtetasit grekë. Në këtë mënyrë do t’u jepet fund disa rasteve te diskriminimit për dhënien e vizave. Janë disa raset që nuk u janë dhënë viza profesorëve, diplomatëve, nënpunësve të lartë vetëm sepse kanë origjineë çame. Nëse pranojmë se s’ka frymë besimi, qeveria shqiptare nuk e gjen veten shkaktare të kësaj klime. Në Shqipëri nuk ka qarqe që bëjne politikë të shfrenuar antigreke, që kanë pretendime territorial, s’ka banda shqiptare që sulmojnë strukturat e shtetit grek. Në shtypin shqiptar pasqyrohen arritjet e popullit grek. Dëgjova që qeveria greke do të marrë masa per të kufizuar veprimet e qarqeve shoviniste me pretendime territoriale dhe veprimtari kundër Shqipërisë, por nuk mora një përgjigje për krijimin e një komisioni ndërkombëtar, të paanshëm, për hetimin e aktit kriminal në Peshkëpi.
Zoti Papulias: Besoj që në deklaratat e para që bëra, i u referova mundësive që kemi për të bashkëpunuar në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Besoj se gjithcka qe u vendos gjatë visitës së zotit Gjitonas, krijoi një bazë për bashkëpunim më të frutshem që të mos ketë ngjarje të tilla. Të kemi bashkëpunim të drejtëpërdrejtë. Ju e dini origjinën time dhe nga jam. Gjendja në fshatrat kufitare është e papranueshme për të gjithë banorët. Do t’ju jepja një listë për mijëra vjedhje nga banda që qarkullojnë në kufij.
Ky është problem për marrëdhëniet Greqi-Shqipëri dhe e ndiej një gjë të tillë, prandaj i kthehem edhë një herë rigjallërimit të komisioneve të përbashkëta të ministrive të Rendit Publik dhe të Mbrojtjes, që të bashkëpunojnë për të mos pasur asnjë incident në këto zona. Besoj se komisioni i Janinës nuk duhet të ndërpresë punën, por të vazhdojë të grumbullojë fakte, të gjejë fajtorët që këta persona të dënohen në mënyrë shembullore për të mos ndodhur problem të tilla. Ky është qëndrimi ynë i vendosur dhe ne nuk kthehemi prapa. Një çështje që nuk e trajtuam është edhe problem i funksionimit te ambasadës sonë në Tiranë dhe i Konsullatës në Gjirokastër, si dhe i ambasadës suaj në Athinë. Sa më të plotësuara të jenë ambasadat, aq më mirë do të ushtrohen funksionet. E konsiderojmë të papranueshëm heqjen e konsullit të Përgjithshëm në Gjirokastër dhe prisnim që ju të hapnit konsullatën në Janinë. Largimin e konsullit grek e konsideroj si akt që nuk ndihmon marrëdhëniet dypalëshe, por si akt të nxituar. Thatë qe ishte persona “non grata”, dhe për këtë e pësoi miku ynë (MPJ grek bën me shenjë nga zoti Kastriot Robo).
Zoti Serreqi: Zotnia nuk ishte konsull.
Zoti Serreqi: Të kthehemi në strukturat e ambasadave. Personeli në një përfaqësi diplomatike rregullohet në bazë të dokuenteve ndërkombëtare si Konventa e Vjenës dhe pasqyron klimën dhe nivelin e marrëdhënieve. Qeveria shqiptare, për t’i shërbyer takimit të sotëm, e ngurtësoi vendimin për reduktimin e numrit, për të diskutuar bashkërisht dhe më vonë për të arritur një marrëveshje të detajuar për numrin e personelit të ambasadave të të dy vendeve. Ngrirja nuk është anulim. Shohim se në raport me disa vende të tjera me të cilat ne duam të zhvillojmë marrëdhënie të mira, ambasada juaj ka një anomali. Ajo ka 20 persona me status diplomatik. Kjo gjë duhet te rregullohet. Pranojmë të mbesin 6 deri në 7 me status diplomatik dhe 6-7 të tjerë pa statusin e diplomatit. Me përmirësimin e klimës ky numër mund të diskutohet, për zbatimin e vendimit mund të lëmë një periudhë kohore prej një deri në dy muaj, gjatë së cilës të realizohet ndryshimi i numrit dhe i strukturës së personelit. Theksoj se nuk mora pergjigje për Komisionin e paanshëm ndërkombëtar për hetimin e incidentit të 10 prillit. Mendojmë se të dyja palët jemi të interesuar të zbulohet e vërteta.
Zoti Papulias: Problemi i përfaqësive tona është i rendësishëm për marrëdhëniet dypalëshe. Befas del nje problem parimor që fillon nga largimi i konsullit të Përgjithshëm. Zoti ministër ngriti kufizimin e personelit të ambasadës greke në Tiranë brenda dy muajve, por nuk m’u përgjegj se çdo të bëhet me konsullatën greke në Gjirokastër. Kisha një vërejtje për të bërë. Nëse duam me të vërtetë zhvillimin e marrëdhënieve dhe ngritjen e tyre, problemi i personelit është problem i dorës së dytë. Për sa i përket komisionit të paanshëm hetimor, përderisa ekziston komisioni dypalësh, nuk e shoh të arsyeshëm të thërrasim një palë të tretë. Kjo do të tregonte se ne nuk jemi te aftë të zgjidhim problemin. Hedh poshte kategorikisht implikimin e qeverisë greke, qoftë edhe indirekt, dhe e ndiej si ofendim personal, si ministër i Jashtëm i Greqisë, si dhe ofendim për qeverinë demokratike greke.
Zoti Serreqi: Nuk dua të fyej njeri. Ngjarja ka tronditur marrëdhëniet shqiptaro-greke, prandaj një gjykim nga një palë e tretë do të hidhte dritë mbi të vërtetën. Nuk shoh asnjë arsye për kundërshtimin tuaj.
Zoti Papulias: Palët nuk janë në të njëjtin raport ndaj aktit kriminal në Peshkëpi. Shqipëria është viktima. Ajo ka hequr dorë nga izolimi dhe është e hapur ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të tij. Për verifikimin e cështjeve në vend, ne kemi pranuar komisionerin e Lartë të KSBE-se per minoritetet Van der Stoel, komisionin e Parlamentit Evropian etj.
Ne jemi edhe për bashkëpunim shumëpalësh. Pikëpamja shqiptare për një analizë nga një komision ndërkombëtar, i paanshëm është pjesë logjike e politikës së jashtme të Shqipërisë. Qeveria shqiptare kërkon hetimin e çështjes nga një komision ndërkombëtar, i cili, sipas mendimit tonë, do të jetë i paanshëm dhe do të japë një vlerësim objektiv të saj. Konsullata në Gjirokastër do të funksionojë. Nga ana jonë janë pranuar tre diplomatë që të punojnë atje. Edhe ne do të hapim konsullatën në Janinë.
Zoti Papulias: Demokracia e re në Shqipëri ka nevoje për hapjen që tha zoti ministër. Sigurisht, kjo vlen për të gjitha vendet ish-socialiste. Zoti ministër e di se Greqia ka kohë qe është vend demokratik. Ne japim çdo ndihmë të mundshme për demokratizimin e këtyre vendeve. Jemi plotësisht në krah të qeverisë shqiptare për demokratizimin e vendit. Greqia nuk ka pse t’i ketë zili vendet e tjera të Evropes. Në Greqi as kanë lulëzuar dhe as lulëzojne parti fashiste si në Gjermani dhe Itali, megjithëse ne nuk i kemi të ndaluara me kushtetutë. Kjo lule nuk lulëzon në Greqi dhe kjo i dedikohet ndjenjës demokratike të popullit grek. Ne nuk vuajmë nga ksenofobia. Greqia është vend demokratik për t’u marrë shembull. Elementët që bërtasin në Shqipëri nuk kanë se cfarë t’i bëjë demokracisë greke. Këto që po ju them, zoti ministër, bënë përshtypje shumë të thellë në komunitetin ebraik në SHBA, ku unë isha disa vite më parë. Ky është nje fenomen shqetësues që vihet re në disa vende të Evropës. Prandaj mendoj se Greqia dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë.
Zoti Serreqi: Zoti ministër, që nga antikiteti grek Greqia i ka dhënë shumë mendimit njerëzor për demokracinë. Por, historia ka paradokse e veta. Edhe ju kaluat diktaturën e kolonelëve. Edhe brënda shoqërisë suaj ka grupe që nuk janë çliruar nga paragjykimet e megaloidesë, që bien pre e teokracisë, e influencës së Kishës. Duhet parë sa influencojnë këto marrëdhënie në marrëdhëniet dypalëshe. E re apo e vjetër, demokracia nuk është kurrë e përsosur, ajo ka nevojë të bëjë gjithmonë përpjekje për t’u përmirësuar. Pohimi më i qëndrueshëm i diskutimit të sotëm është se marrëdhëniet shqiptaro-greke. janë shumë të rendësishokme përtë të dy vendet. Për krijimin e besimt dhe të një klime të mirë na duhet punë, me sa duket duhën prova të plota. Shqipëria mbetet e hapur në këtë dialog konstruktiv.
Zoti Papulias: Nuk kam gjë për të shtuar. Gëzohem që thoni se në Greqi ka grupe, dhe jo parti fashiste, por ato nuk i dëgjon njeri. Meqë ne vuajtëm nga fashizmi duhet të ndjekim zhvillimet e kësaj rryme edhe në vendet e tjera të Evropës. Katastrofa e Luftës II Botërore u shkaktua nga po ato fuqi që veprojnë edhe sot. Shqipëria u pushtua më 1939 dhe pushtimi i saj solli pushtimin e Greqisë në tetor 1940. Rivendosja e klimës së besimit në maë rrëdhëniet tona kalon nga vullneti ynë i mirë për vendosjen e kësaj klime. Le të ekzistoj ky kanal në komunikimin midis nesh për të shmangur keqësimin e gjendjes. Greqia dhe Shqipëria nuk mund të durojnë keqësim tjetër të marrëdhënieve. Detyra jonë është e rëndë. E konsideroj takimin e sotëm shumë të rendësishëm për këtë periudhë dhe besoj se do të kapërcejmë tensionin që ekziston.
Zoti Serreqi: I ngrita pa paragjykime problemet që ekzistojnë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mendoj se kjo mënyrë shtrimt e problemeve është kushti bazë për t’i vendosur ato mbi një klimë besimi.
Italianet u zbrapsen te pakten dy here dhe arriten te zbarkonin vetem pasi destrojeret e flotes kishi qelluar me predha….
Shqiptaret qe thuhej se ishin rreth 1500 vazhduan qendresen me luftime ne rruge dhe shtepi duke u terhequr ne drejtim te kodrave te qytetit.
Te vrare me shume se 200 italiane. 35-40 shqiptare.
Luftimet e Durresit nga ora 5,15 deri 9,30.
Keto sa me siper shkruan z. Ikonomi.
Nen komanden e major Abaz Kupit luftuan dhe mjaft oficere shqiptare gje qe eshte mohuar nga historografia komuniste ne vite duke permendur vetem kapter Mujo Ulqinakun qe ra ne krye te detyres.
Nje nga keta ka qene dhe babai im kapiten Akil Sakiqi me detyre zv/ komandant batalioni.
Ai i ka derguar tre telegrame komandes te R. M. K .ne Tirane me datat 1, 4 dhe 6 prill 1939. Ai i 6 prillit: U dhane urdhnat STOP.
Kolonel Ali Rizaj e Major Sabri Xhelijani. Kur te vine kemi me ju lajmerue STOP.
Zv/Komandant i Batalionit R. M. K.
Kapiten(Akil Sakiqi).
Po e ri shkruaj mbasi nuk duket mire telegrami.
Kjo dhe mjaft te tjera nuk e shpetuan ate nga zhdukja nga komunistet me 28 tetor 1944 ne masakren e Tiranes.
Lavdi ushtareve nen/oficerve dhe oficereve qe e priten me arme pushtimin fashist.
Historia duhet t’ju jape vendin e duhur te gjitheve.
Qyteti i Shkodres asht djepi i kulturës dhe i artit Atdhetar Shqiptar.
Krahas hapjes së shkollave fillestare private Shqipe dhe atyne të mesme të Jezuitëve dhe Françeskanëve në shek. XIX, në Shkoder, në djepin e artit të Saj u perkund edhe fotografia e parë e ardhun me Studio Marubi, në Trojet tona që në vitin 1850 – 1858.
Pjeter Marubi u le në Piacenza më 14 gusht 1832, asokohe pjesë e Dukatit të Parmës, me emnin e lindjes Benedetto Pietro Lorenzo Marobbi, i biri i Antonio Marobbi-t dhe Maria Çervinit (Cervini); i ati ishte sharrëxhi (ma vonë punoi në një farmaci). Pietro ndoqi shkollën e arteve të institutit Gazzola të vendlindjes. Më 1858 mori një anije drejt Zarës ku ishte prezentue si piktor dhe litograf, shkoi në Budva dhe prej aty u vendos në qytetin Shkodër, në tetorin e 1858 ku u prezantua si piktor.
Fillimisht u vendos në ndertesen e familjes Rronkali dhe ma vonë në konsullatën ruse. Punoi si mësues vizatimi në seminarin e Etënve Jezuit, konsullatën franceze dhe ate ruse të Shkodres.
Marubi kontribuoi për ndërtimin e Kishës ortodokse “Aleksandër Nevski” të qytetit (për të cilën u dekorue nga autoritetet ruse me medaljen e urdhnit të Shën Stanislavit), të konsullatës së re franceze, të selisë Arqipeshkvnore të Katedrales katolike e konsullatën e re italiane aty, ku ishte shtëpia e Filip Parrucës (ish Shtëpia e Kulturës) në Shkoder.
Dihet që më 1865 çili studion e tij, tue e përdorë së pari fotografinë në dobi të pikturës siç mund të kuptohet nga portretet e Nikoll Çobës dhe Ismail Pashës. Fotot ma të hershme të koleksionit të tij zanë fillë më 1860. Me çeljen e Kolegjit Saverian, u pajtue që të jepte edhe aty lëndën e vizatimit. Studioja e tij u specializue jo vetëm në shërbime fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet 1870 Pietro bani një shërbim si reporter për revistën italiane “Illustrazione Italiana” në vilajetin e Shkodrës. Organet e ndryshme botnore, revistat dhe gazetat lidhin kontrata. Ndërkohë, mjeshtri Pjetro fillon të dalë nga atelieja e të fotografoi në natyrë subjekte shoqnore, por edhe historike.
Kësaj periudhe i përkasin foto të tilla si shumë e njohuna “Lypës në rrethinat e Shkodrës” (1875) me forcë të madhe shprehëse, si dhe “Portrete grueje” (1878) e “Cigania e vogël”. Me vlera të mëdha asht dhe fotoja e Marubit që paraqet delegatët e njohun të Vilajetit e Lidhjes së Shkodrës (1878), si dhe ajo që pasqyron Kryengritjen e Mirditës (1876-1877). Me këto foto ai nis bashkëpunimin e gjatë me revista të njohuna europiane si “L’Illustration”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustrated London News”, tue u ba Fotoreporteri i Parë në histori të fotografisë Shqiptare. Fotot e Marubit mbi lëvizjet luftarake të shqiptarëve të Veriut për liri, janë pothuaj vërsnike me ato që mbahen ma të parat fotografi botnore të luftës si të anglezit Fenton dhe amerikanit Brady. Përmendim gjithashtu se ai ka realizue fotografitë e para në Mal t’Zi (1865). Kështu nuk asht e rastit që fotografitë e kohës së Marubit, gjinden në shumë gazeta italiane dhe franceze të kohës.
Aparatet e tij në fillim të veprimtarisë ishin prodhime franceze dhe gjermane me përmasa 30 cm me 40 cm. Shumë foto të tij janë shtypë edhe si kartolina postare që kërkoheshin nga të huejt për bukurinë dhe ekzotiken e tyre të panjoftun.
Për veprimtarinë e tij u nderue me medalje ari nga Shoqata e Meritorëve në Palermo më 1890 dhe kalorës nderi i Areopagut të Dekoruemve të të gjitha Kombeve me 1895.
Gjatë një smundjes më 1893, me dy dëshmitarë dhe me përkthyesin e konsullatës italiane Pjeter Gurakuqin, nënshkruen një testament ku përcakton vullnetin e tij për t’i lanë trashigim ateljen dhe pajisjet e saj Kel Kodhelit: “Si shpërblim i të gjithë shërbimeve miqësore të bame nga ai në situata të ndryshme të jetës së Pjetrit”.
Pietro Marubi iku nga Italia dhe i mbështetun tek Kleri Katolik Shqiptar e Ai Jezuit në Shkoder, mujti me u vendosë dhe me punue si fotograf në këte qytet, që ishte “syni i principatës”. Asnjë nga “meritat’ e Klerit Katolik kjoftë Shqiptar apo i “huej” i vendosun që në She. XII në pjesen e Veriut, tue fillue nga shkollat Amtare, Alfabeti dhe Gjuha Shqipe e deri tek, muzika, fotografia, muzeumet, sporti, stacioni meteorologjik, kinema, teatri, letersia ynë kombtare e Atdhetare, shtypshkronjat dhe librat apo të përditshmet që lulzuen në Shkoder, endè vazhdojnë mos me u zanë me gojë nga ”Akademia e Tiranës”, bashkë me gjenialitetet tona të papersëritëshem, që, çdo veper të vet ia dedikuen Shkodres dhe Atdheut.
Lidhja miqsore me familjen Shqiptare Kodheli, krijon mundsinë e trashigimit të profesionit dhe të gjithë pasunisë së Pjeter Marubit, tek Mati Kodheli dhe trashigimtarët e Tij, të cilët, i trashiguen edhe emnin e Perjetshem të Tij, në “Studjo Marubi” Shkoder, deri tek i fundit Gegë Marubi. Ambjenti dhe jetesa në qytetin e Shkodres per Pjetrin ishin aq të knaqëshme sa Ai e ndiente veten sikur t’ishte në Itali. Po duhet theksue se edhe Shkodra e konsideroi Ate si një Shkodranë të vetin të vjeter.
“Studio Marubi” ishte çerdhe edukimi Atdhetar e Rinisë Shkodrane.
Shtëpia plot dritë e Atelies së Parë të fotografisë, shumë shpejtë kthehet në një nga çerdhet ma të besueshme të Atdhetarëve tanë, tue fillue nga Hamz Kazazi, Mati Logoreci, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Frano Ndoja, At Shtjefen Gjeçovi, Don Ndre Mjedja, At Anton Xaxoni, Kolë Idromeno, Simon Rrota e deri tek “nxanësi” i talentuem Shan (Mark) Pici, mbasardhës i denjë i asaj Studjo, që u edukue me të gjitha tiparet e një artisti dhe mjeshtri të madh të fotografisë së natyrës Shqiptare, kostumeve tona kombtare nder Malet e Bjeshkëve të Nemuna, zakoneve e dokeve të Shqiptarit, e deri tek një nga skutat “antishqiptare” të Malit të Zi, në pallatin e Krajl Nikollës apo të Ahmet Zogollit, e ma vonë të diktatorit Ever Hoxha, SOT janë dokumentët dhe faktet e Pakundershtueshme të Historisë së Vertetë e të Trojeve të Shqipnisë.
Në moshë fare të re, kur ishe 11 vjeç dhe ma vonë në Shkoder, pata fatin me njohë brezin e talentuem të fotografëve të Shkodres s’ artit nga Gegë Marubi, Shan Pici, Dedë Jakova, Prenk Jakova, Pjeter Rraboshta, Angjelin Nenshati, Ndoc Kodheli, Luigjina Perdoda, Augustin Kiçi, etj., ma të rijë, per të cilët ruej kujtime të veçanta e të paharrueshmme.
Me çiljen e Kolegjit Saverian, Marubi u pajtue që të jepte edhe aty landën e vizatimit. Studioja e tij u specializue jo vetëm në shërbime fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet 1870 Pjetri bani një shërbim si reporter për revistën italiane “Illustrazione Italiana” në vilajetin e Shkodrës.
Sot në Shkoder flet ”Fototeka MARUBI” !
Aty sot janë të gjitha thesaret e çmueshme të Fotografëve të Shkodres!
Pjeter MARUBI asht le me 14 gusht 1832 – dhe ka vdekë në qytetin Shkodër, 22 maj 1903. Me shumë respekt nderojmë Emnin dhe Vepren e Tij të Perjetëshme që ia dhuroi Shkodres sonë, djepit kulturës e t’ artit.
Memorie.al /CIA ka zbardhur detajet e kongresit të Sigurimit të Shtetit të mbajtur më 1952. Përmes një artikulli të deklasifikuar, tregohen fjalimet e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Një pikë e rëndësishme në diskutime ka qenë dhe për moralin e pjesëtarëve të Sigurimit të Shtetit. Nga ana tjetër, aty deklarohet se gjatë kohës që diskutohej për Sigurimin, Mehmet Shehu, u njoftua për vdekjen e ministrit Niazi Islami.
21 prill 1951
E përditshmja greke “Messager d’Athenes”
Refugjatët shqiptarë përshkruajnë gjendjen e vështirë
Sipas refugjatëve të ardhur kohët e fundit në Greqi, 90 për qind e popullsisë është fuqimisht anti-komuniste dhe urrejtja për regjimin shtohet dita-ditës. Por gjithsesi mundësitë për veprim klandestin, janë shumë të kufizuara. Qeveria komuniste e mban popullatën nën kontroll, me masa mizore shtypëse, por gjithsesi janë dalluar akte rezistence. Në muajin shkurt, tetë antikomunistë të veshur me uniforma policia, hynë në fshatin e Hoçisht pranë Korçës dhe vranë komunistin Festim Kajo.
Ndërsa në Zemblak, persona të paidentifikuar i vunë zjarrin hambarëve dhe kasolleve të veglave të kooperativës vendore. 22 persona u arrestuan më 19 mars 1951, dy prej të cilëve u dënuan me varje dhe dy me burgim të përjetshëm. Prokurori “gjyqit” ishte Loni Dimoshi. Abdul Kalaja, një nga të dënuarit me varje, pranoi se sabotazh ishte kryer me urdhër të grupeve të rezistencës së armatosur të zonës, me të cilët ai kishte qenë në kontakt në Zemblak, Eçmenik dhe Cangonj. Tre oficerë dhe 12 ushtarë të njësisë së Pogradecit u arratisën kohët e fundit drejt Jugosllavisë.
Në fund të janarit 1951, ka pasur një demonstratë para një furre buke në Korçë, ku një civil u rrah për vdekje nga policia, prandaj më vonë njerëzit e quanin vendin; “Furra e vdekjes”. Në fillim të marsit 1951 në Tiranë, grupe anti-komuniste raportohet të kenë sulmuar ambasadën sovjetike me armë automatike dhe me një bombë. Aty u plagosën disa zyrtarë të lartë sovjetikë dhe një zyrtar shqiptar. Thuhet se mes personave të akuzuar për incidentin, ishte ministri Tuk Jakova, gjenerali Beqir Balluku, Myslim Peza, dhe Timo Dimoshi, anëtar i Komiteti të Partisë së Korçës.
Autoritetet komuniste kanë shtuar arrestimet ndaj grupeve të ashtu-quajtura anti-komuniste. Refugjatët që vijnë në Greqi, flasin për kampe përqendrimi dhe pune të detyruar në Tepelenë, në Fermën e Kamzës (e quajtur “Ylli i Kuq”) si dhe në Valias pranë Tiranës. Qeveria shqiptare po kryen një fushatë të gjerë propaganda, për të bindur popullatën se nga çasti në çast, Greqia do të sulmojë Shqipërinë, por këto lajme tashmë priten me indiferencë nga populli.
Kooperativa
Fshatarët detyrohen t’i bashkohen kooperativave prej frikës së punës së detyruar. Banka e Shqipërisë, thotë se ofron hua për fshatarët, deri në 10.000 lekë, por asnjë prej tyre nuk interesohet, pasi vetëm një dëm kushton 12.000 lekë. Popullata rurale merr shumë më pak ushqim, se ajo e qytetit. Familjet fshatare marrin çdo muaj një sasi vajguri, por produkte si vaji, orizi, sapuni, etj., nuk jepen për fshataret. Fshatarët duhet të dorëzojnë te shteti 44 kg, grurë për hektarë, 49 kg, misër dhe 35 kg. panxharë dhe përveç kësaj, ata duhet të paguajnë taksa sipas masës së tokës që përdorin.
Rroga e punëtorëve është nga 80 deri në 150 lekë në ditë, ndërsa punonjësit e minierave, marrin 250 lekë në ditë. Çmimet e mallrave janë shumë të shtrenjta; 1 kg. misër kushton 80-100 lekë, kurse një kg. grurë, 120-140 lekë. Një kostum pambuku kushton rreth 10.000 lekë, kurse një palë këpucë, kushtojnë 1500-2000 lekë. Shumica e popullsisë beson se lufta është e paevitueshme dhe do të mirëprisnin një konflikt, për të hequr qafe regjimin komunist.
Maj 1951
Kongresi i oficerëve të Sigurimit
Më 25 shkurt 1950, deri më 1 mars, u zhvillua një takim i oficerëve të Sigurimit, në Tiranë, në një ndërtesë rreth 200 metra larg ish-Pallatit të Mbretit Zog. Takimi ishte i pari që prej ekzekutimit të ish-ministrit të Brendshëm, Koçi Xoxe dhe ardhjes në post të Mehmet Shehut. I pari që mori fjalën ishte Mihallaq Zilishti, zëvendësministri i Brendshëm, i cili sapo ishte kthyer nga një turne inspektimi në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Ai numëroi përparimet dhe pengesat e disa organeve dhe shpjegoi se përse mendonte se nuk po funksiononin.
Më 26 shkurt, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, foli gjatë mbi temat e mëposhtme:
“Keqmenaxhimi dhe padrejtësitë e bëra ndaj popullit nga regjimi, para ardhjes në pushtet të Shehut”.
“Mangësitë e Sigurimit në ndjekjen e linjës politike të partisë, dhe devijimet drejt linjës Troskiste”.
Përkeqësimi i moralit të agjentëve të Sigurimit dhe përpjekjet aktuale për përmirësimin e tij”.
“Armatosja e mundshme e fshatarëve që mbështesin regjimin”.
Pas Mehmet Shehut, fjalën e mori Kadri Hazbiu, i cili parashtroi funksionet e seksioneve të ndryshme të organizatës, duke bërë krahasimet e rezultateve. Më 27 shkurt 1950, gjatë kohës që Mehmet Shehu ishte në takim, erdhi një oficer dhe i dha një shënim. Pas leximit të shënimit, Shehu u ngrit dhe u kthye vetëm pas një ore. Kur u kthye Shehu, deklaroi se Niazi Islami, ministri i Transporteve, kishte kryer vetëvrasje. Islami u varros më vonë nga familja e tij, pa nderime shtetërore.
Më 1 mars 1950, një grup prej 400 oficerësh (250 agjentë të Sigurimit, dhe rreth 150 krerë të policisë) shkuan në Shkollën e Policisë për të dëgjuar fjalimin mbyllës të Kongresit të Sigurimit, nga udhëheqësi Enver Hoxha. Hoxha ngriti lart punën e Sigurimit dhe i tërhoqi vërejtjen oficerëve që nuk kishin kuptuar frymën e regjimit. Ai ngriti lart gjithashtu Stalinin “e madh” dhe premtoi një të ardhme të shkëlqyer, për Shqipërinë.
15 qershor 1952
Botuar nga “Shqipëria e Lirë”, Romë
Rezistenca masive mes zyrtarëve komunistë
Prej disa kohësh puna e zyrtarëve të vegjël të administratës komuniste, nuk i ka kënaqur rrethet e larta të partisë. Shefat e mëdhenj janë të shqetësuar, se po bie dita ditës numri i zyrtarëve që pranojnë të spiunojnë për anëtarët e partisë. Kjo mund të vijë si rezultat i humbjes së besimit në stabilitetin e regjimit aktual, dhe rrjedhimisht i tremben komprometimin në sytë e popullit, ose të një qeverie pasardhëse. Ata kërkojnë që gabimet e të shkuarës, të harrohen. Organizatat e partisë, veçanërisht në qendra larg Tiranës, nuk kanë kryer detyrat e tyre; ata nuk janë paraqitur rregullisht në takime, dhe kur paraqiten, nuk diskutojnë hapur për problemet.
Zyrtarët e organizatave vendore nuk përdorin kritikën dhe vetë-kritikën, pasi as nuk duan që të vihen në lojë nga shokët e tyre dhe as nuk duan të prishen me ta. Por vetëm i tremben vetëm atyre që japin urdhrat nga Tirana, sipas direktivave të shefave sovjetikë. Instruktorët e partisë, nuk kanë mbajtur lart standardet profesionale, apo ato marksiste-leniniste, dhe drejtuesit e partisë ankohen për mungesë raportimesh të aktiviteteve të komunistëve dhe jo-komunistëve. Shumica e zyrtarëve, nuk dëshirojnë të marrin përgjegjësitë e punës së tyre dhe tregohen tepër tolerantë, me anëtarët e tjerë të partisë. Hierarkia e partisë i akuzon instruktorët për sentimentalizëm dhe mungese të frymës revolucionare, në marrëdhëniet e tyre me vartësit dhe superiorët.
Shumica e zyrtarëve që kanë qenë aktivë në Luftën Nacional-Çlirimtare ishin të rinj dhe pa eksperiencë, ndërsa tani ata po joshen vetëm nga premtimi i karrierës. Këto sjellje që mund të përkufizohen si sabotazh, vijnë gjithashtu nga frika e komprometimit në sytë e masave, dhe i kanë bërë ata eksponentë të rezistencës pasive. Këto faktorë së bashku me përçmimin që populli ka për zyrtarët e partisë, kanë ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje të heshtur bashkëjetese, mes njerëzve dhe zyrtarëve të ulët të organizatave komuniste, në shumë fshatra e lokalitete, kryesisht malore. Qeveria komuniste vazhdon të trumbetojë arritjet e mëdha për mirëqenien e popullit, veçanërisht të punëtorëve.
Ata pretendojnë se kushtet e krijuara nga diktatura e proletariatit, janë më të përshtatshmet për zhvillimin komunist. Javën e kaluar në një fjalim për partinë, Mehmet Shehu theksoi; “rolin udhëheqës të klasës punëtore”, por e vërteta është se kushtet e mjerueshme të punëtorëve, janë akuza më e rëndë e mashtrimit dhe paturpësisë për Partinë Komuniste. Mjafton të vizitosh shtëpitë e punëtorëve të Fabrikës së Orizit në Vlorë, ku dhjetë punëtorë jetojnë në një dhomë, në një shtëpi pranë fabrikës. Aty mungojnë dhe kushtet më minimale, ndërsa gjendja sanitare është e mjerueshme. Në darkë, dhomat ndriçohen me fenerë, ndërsa dhoma e ngrënies, nuk ka dritare.
Çdo mbrëmja pas punës, punëtorët duhet të të presin 45 minuta për të marrë racionin e ushqimit, dhe më pas të kthehen në dhomën e ngrënies, ku shpeshherë derën e gjejnë mbyllur. Deri tani burokracia shtetërore, veçanërisht grup i agjitacion-propagandës, ka bërë çdo lloj premtimi për të qetësuar njerëzit, duke u thënë se kjo fazë do të marrë fund së shpejti dhe se ata duhet të kenë durim, pasi me sakrificat e tyre, po ndërtohet socializmi. Por punëtorët janë të lodhur nga premtimet e kota dhe e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me protesta, që nuk do të guxonin t’i bënin më parë. Ata që nuk i pranojnë urdhrat për sakrifica, nuk e kuptojnë se përse udhëheqësit e lartë jetojnë në luks në kurriz të punëtorëve.
Rinisja e progresit ekonomik
Korrik 1952
Burimi: Vneshniaia Torgovlia, K. Viriasov, V. Martinov
Në janar 1952, populli shqiptar shënoi gjashtë vjetorin e shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë me përmirësime të mëdha politike dhe të forcës së punës. Vitet pas shpalljes së Republikës, ishin një përpjekje e suksesshme e popullit shqiptar, për të forcuar sistemin demokratik dhe për ndërtimin e bazave të socializmit. Republika Popullore e Shqipërisë, me mbështetjen e fuqishme të Kampit Demokratik dhe socializmit të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, është duke ndjekur me sukses rrugën e ndërtimit të shtetit demokratik të popullit dhe zhvillimit të pavarur të ekonomisë e kulturës. Faktori më i rëndësishëm i përmirësimit të ekonomisë, është zbatimi i planit 2-vjeçar ekonomik 1949-1950.
Me gjithë shkatërrimin e madh të shkaktuar nga lufta, volumi i prodhimit pas planit 2-vjeçar, e kaloi konsiderueshëm prodhimin e para-luftës. Në vitin 1950, prodhimi u rrit me më shumë se 3.7 herë, në industrinë minerare dhe më shumë se tre here, në fabrika. Prodhimi në çerekun e tretë të vitit 1951, u realizua me 105 për qind. Volumi i punës u rrit me 47 për qind, në krahasim me çerekun e tretë, të vitit 1950. Në vitin 1951, ndërmarrjet e rëndësishme për ekonominë kombëtare, si ato të pambukut, Hidrocentrali “Lenin”, Fabrika e Sheqerit me kapacitet 10.000 ton në vit, Kombinati Tekstileve, u vunë në funksion. Fabrika e Sheqerit dhe industria tekstile, plotësuan nevojat e të gjithë vendit me sheqer dhe veshje. Pajisjet për ndërmarrjet u furnizuan nga Bashkimi Sovjetik, i cili ndihmoi Shqipërinë edhe për vënien e tyre në funksion. Republika e re ka bërë progres dhe në bujqësi.
Tokat e kultivuara në vitin 1950, kaluan nivelet e para Luftës dhe sipërfaqja e mbjellë me prodhim industrial, kaloi nivelet e para Luftës, me 11 herë. Prodhimi i grurit kaloi nivelin e paraluftës me 40 për qind dhe gjithashtu u rritën prodhimi i panxhar sheqerit dhe pambukut. Shumë vëmendje i është kushtuar rritjes së gjedhëve. Si rezultat i plotësimit të planit dy-vjeçar, numri i kokëve të gjedhëve e kaloi atë të paraluftës. Qeveria po e ndihmon bujqësinë në shumë drejtime, duke i dhënë farat më të mira të grurit, të pemëve frutore dhe një masë të konsiderueshme fertilizuesish. Më shumë se 672 milionë lekë, u shpenzuan për ujitjen dhe tharjen e tokave, ndërsa rreth 157 milionë lekë, u janë dhënë fermave fshatare, deri në fund të vitit 1950. Ato morën gjithashtu kredi për mbjelljet e pranverës, në vitin 1952.
Një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë, është zhvillimi i mekanizmit të punës dhe krijimit të Stacioneve të Makinerive dhe Traktorëve. Numri i traktorëve në vitin 1951, e kaloi me 3.6 herë atë të vitit 1947. Më shumë se 3000 plugje, 900 kultivues, 300 prerësa dhe shumë mjete të tjera, u dërguan në rajonet e rritjes së të mbjellave, duke rritur prodhimin në mënyrë të konsiderueshme. Shqipëria ka pasur gjithashtu sukses në forcimin e sistemit të saj financiar, teksa për vitin 1951, buxheti shtetëror ka sjellë të ardhura prej 9.500.000.000 lekë.
Burimi kryesor i buxhetit, është sektori socialist i ekonomisë. Shpenzimet për ekonominë kombëtare, arritën në 3.607.000.000 lekë, në krahasim me 2.252.000.000 lekë, në vitin 1950. Lidhjet e ngushta ekonomike me Bashkimin Sovjetik dhe demokracitë e tjera të popullit, kanë qenë deçizive për zhvillimin e suksesshëm të Shqipërisë. Sipas një marrëveshjeje të shkurtit të vitit 1951 me Bashkimin Sovjetik, për pajisje industriale, Shqipëria ka forcuar përgatitjen teknike dhe ka rritur kreditimin. Shqipëria gjithashtu ka rritur tregtinë me Poloninë dhe Çekosllovakinë, ashtu si dhe me Gjermaninë Lindore dhe vendet e tjera të Demokracive Popullore, si Bullgaria, Hungaria e Rumania.
Shkurt 53
Kushtet ekonomike, standardi i jetesës
Burimi: “Flamuri i Lirisë”
Ligji numër 226, i vendos punëtorët në shtatë kategori pagesash, duke nisur nga 202, deri në 800 lekë në ditë. Punonjësit e zyrave, marrin 2.400, deri në 7.000 lekë në muaj, në varësi të vendndodhjes dhe ndërmarrjes. Një punëtor i martuar, merr 3.500 lekë në muaj dhe duhet të paguajë taksat, kontributet shoqërore, anëtarësinë në klubet e sportit, racionet e ushqimit, rinovimet e zyrave, telegrame të herëpashershme për Stalinin, telegrame proteste kundër provokimeve kufitare, abonimin e gazetave dhe ndihma për Korenë. Racionet mujore dhe shpenzimet për mallrat e nevojshme. janë si më poshtë: 2 kg. bukë në ditë, 300 lekë, 1.35 kg. sheqer, 75 lekë, 1 kg. vaj, 65 lekë, 2 kg. fasule në muaj, (vetëm për 3 muajt e parë të vitit), 140 lekë, dru, 550 lekë për metër/kub, qeraja 100 lekë, dritat 100 lekë.
Nëse punëtori pinte një paketë cigare në ditë do të shpenzonte dhe 500 lekë të tjera në muaj, dhe këto linin shumë pak për të blerë mish, i cili kushton 130 lekë/kg., perimet me rreth 40 lekë/kg., veshje apo sende të tjera. Nëse punëtori mbetet pa punë, ai merr 25 për qind të rrogës nga mbështetja sociale. nëse nuk është anëtar i Sindikatës dhe 60 për qind, nëse është anëtar. Ai është i detyruar të marrë pjesë në punë vullnetare pa pagesë, përveç punës së rregullt. Fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë në shtet një pjesë të madhe të prodhimit, edhe nëse nuk mund ta përballojnë. Kështu një familje detyrohet të hajë vetëm lakra, gjatë tre muajve të fundit të një viti, me prodhim të dobët. Deri në fund të vitit 1951, një fermer mund të braktiste tokën e tij, nëse nuk përmbushte këto detyrime dhe të shkonte të punonte në minierë, për të fituar 400 gramë bukë në ditë, kështu mund t’i shpëtonte burgut.
Ndërsa tani ai është i detyruar të punojë tokën e tij, para se të lejohet ta braktisë. Pas dorëzimit të prodhimit te shteti, fermeri merr shumat e mëposhtme, për çdo kilogram prodhim: grurë 2.5 lekë, drithëra të tjera, 2 lekë, misër 2.5 lekë, lesh 33 lekë, për çdo vezë, ai merr 1 lek, pambuk 18 lekë, duhan 23 lekë, luledielli 27 lekë. Shpërblimi mund të merret dhe në formë patkonjsh, gozhdë, djep fëmijësh apo, sende të tjera artizanale. Për të marrë produkte industrial, si këpucë apo veshje fshatari, duhet të sillte përveç kuotave të tij edhe; djathë, ullinj, gjalpë apo portokalle. Zakonisht fermerët i presin pemët e bajameve, për të evituar pagesën prej 3000 lekë për pemë. Kushtet e fermave dhe kooperativave, po bëhen gjithnjë e më keq. Ka uri të madhe, pasi çdo person merr vetëm 8 kg misër në muaj dhe nganjëherë edhe kaq mungon. Mishi, shpërndahet vetëm gjatë ditëve të festave.
Shpërndarjet, kushtet e minierave
Hamit Koçi, një ish banor i Okshtun në Peshkopi, tashmë refugjat në Jugosllavi, raportoi mbi kushtet ekonomike të Shqipërisë se shteti e blen mishin nga fshatari, për 9 lekë për kg. Gruri blihet për 2.5 lekë dhe shitet për 150 lekë. Leshi blihet për 30 lekë dhe shitet për rreth 500 lekë. Meqenëse fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë te shteti prodhimet e tyre të caktuara dhe meqenëse në shumë raste ata nuk i kanë, ata detyrohen t’i blejnë ato në dyqane, për të plotësuar detyrimet e tyre. Isuf Koçi, vëlla i Hamitit, i cili gjithashtu është arratisur në Jugosllavi, e ka përshkruar si më poshtë kryerjen e punës vullnetare në minierën e Bulqizës: Një ditë kreu i komunës së Okshtun i Vogël, lexoi listën e emrave të sjellë nga Sigurimi i Shtetit. Lista kishte emrat e të gjithë atyre që “kishin kërkuar” të punonin vullnetarisht në minierën e Bulqizës, për plotësimin e planit të prodhimit. Në të ishte emri i Isuf Koçit, i cili atë ditë kishte punuar në fushë dhe thirrja e emrit i erdhi si një surprizë.
Por ai u detyrua të linte fermën dhe të vazhdonte me të tjerët për në minierë. Fillimisht atyre u thanë se do të punonin për një muaj, por siç ndodhi më vonë, ata mbetën aty për një kohë të gjatë. Isuf Koçi, e përshkruante jetën në minierë si të papërballueshme. Ai tha se ushqimi ishte shumë i keq dhe e për mëngjes nuk u jepnin asgjë. Në drekë merrnin gjellë patatesh dhe fasulesh, ndërsa për darkë, u jepnin dy vezë të ziera që shpeshherë kishin zogj. Kishte gjithashtu shumë vullnetarë, që për arsye se konsideroheshin më të pasur, detyroheshin të merrnin ushqimin e tyre me vete. Për punën ata paguheshin 70 lekë në ditë, me të cilat duhet të paguanin më pas “ushqimin dhe fjetjen”.
Në fund të muajit ata nuk kishin asgjë të mbetur. Isuf Koçi vazhdon më tej: “U njoftua se puna ishte 8 orë në ditë, por kjo ishte vetëm në letër, pasi në realitet ata punonin 16 orë ose më shumë: 2 orë shtesë për Komandantin, (Enverin) 2 orë për Stalinin, për realizimin e planit e, kështu me radhë. Nëse dikush largohej nga minierat, dënimi ishte i rëndë. Ai mund të dënohej me 6, deri në 8 muaj punë në minierë, pa pagesë ose, me gjysmë pagese. Gjyqe të tilla kryheshin me ceremoni të madhe për të dhënë shembullin dhe për të ngulitur frikën te punëtorët dhe fshatarët”. Memorie.al
Bukurie Seiti, bashkëshortja e ish-gjeneralit çam, Hilmi Seti, tashmë është afër të 80-ve. Për herë të parë ajo tregon publikisht ato pak sekrete për të shoqin, para dhe ditën që ai , kur ishte në detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, më 26 prill 1960. Kishte vetëm pak kohë i graduar gjeneral, dhe për 9 vite punë në Shkodër, shkroi emrin e tij në memorien e veriorëve. Ankthi, bisedat e pakta me të shoqin, takimi me Enver Hoxhën, grupi armiqësor i çamëve, takimi i Hilmi Seitit me ministrin e Brendshëm, gjeneral-leitnant Kadri Hazbiun, vetëm pak orë para se të vdiste, etj., janë gjithçka që mban mend bashkëshortja e tij, që për 44 vjet jetoi me kujtimin dhe enigmën e vdekjes së burrit, i njohur ndryshe si; gjenerali i çamëve, Hilmi Seiti. Pëshpërima nëpër korridoret e Ministrisë së Brendshme, ku ajo punoi për vite me radhë.
Znj. Bukurie, është shkruar pak për vdekjen e burrit tuaj. Për vite me radhë, ju vetëm keni heshtur. Pse?
– Isha vetëm 27 vjeç, kur im shoq, Hilmi Seiti, më la. Atëherë vajzën e madhe, Verën, e kisha 7 vjeç. Të dytën, Violetën, dy vjeç e gjysmë, kurse djalin, Agimin, 17 muajsh. Humba njeriun e jetës time, dashurinë time, gjithçka kisha. Nuk kuptova asgjë! Më duhej të rrisja fëmijët. Sot jam e moshuar, jetoj me kujtimin e Hilmiut.
-Pse ai vdiq Hilmiu?
-Informacionet në rrugë të ndryshme më kanë tunduar gjithmonë. Nuk besoj se ai vdiq siç thanë në atë kohë, nga; “hemorragjia cerebrale”.
– Edhe në shtyp është aluduar vite me parë, që ju personalisht, keni dyshime për vdekjen e burrit tuaj?
– Është hera e parë që unë flas për një gazetë. Nuk duhet të abuzohet, me ato ç’ka them, por mendoj se Hilmiu nuk kishte asnjë lloj sëmundje. Nuk vuante as nga zemra dhe asgjë tjetër. Për vite me radhë më vinin njerëz dhe më flisnin për çfarë dinin. Kam lexuar dhe unë në gazeta që është helmuar, apo… edhe unë dyshoj. Dua të di të vërtetën për atë njeri, i cili nuk ishte vetëm bashkëshorti im dhe njeriu më i dashur edhe sot e kësaj dite për mua, por ishte shumë i mirë, me mijëra njerëz, që hynë e dolën në shtëpinë time. Unë dhe fëmijët e mi, kemi tentuar vazhdimisht në gjetjen e një dokumenti. Do të doja të bindesha, për të mos mbetur borxh ndaj atij njeriu, që në ato vite dha gjithçka mundte, për këdo që njihte dhe nuk njihte. Vetëm se asnjëherë, nuk mund ta harroj bisedën e fundit me të. Pas pak vdiq…!
– Çfarë ju tha ai para se të vdiste?
– E kujtoj atë ditë çdo minutë të jetës time. Ishte data 25 prill 1960. Jetonim në Shkodër, pasi Hilmiu ishte kryetar i Degës. Kishte një vit e gjysmë që ishte graduar gjeneral. Në mëngjes, unë i thashë Hilmiut se do nisesha për në Tiranë, sepse babai im, ishte i vjetër në moshë dhe duhej ta takoja. Kur isha në Tiranë, më marrin në telefon dhe më thonë se Hilmiu ishte shtruar në spital. Kthehem shpejt në Shkodër. Rrugës nuk e di pse riprodhoja një bisedë që kisha bërë me të, para disa ditësh.
Kur mbërrita në Shkodër, më dërgojnë në spital dhe gjej Hilmiun në minutat e fundit të jetës. Nxirrte vetëm shkumë nga goja! “Më dhanë aspirinë”,- më tha në vesh, aq sa unë nuk mundja të kuptoja, se ç’po më tregonte, “njerëz me armë”, pastaj vdiq. Një mjek, që ishte kujdesur për burrin tim, tashmë ai ka vdekur, më tha se; “Vdekja e Hilmiut nuk është e zakonshme”! Pa folur për atë që dëgjoja nga shokët e tij, apo nga njerëz që nuk i njihja.
– Ju thatë më parë, se ju kujtohej diçka nga bisedat jo të zakonshme me burrin tuaj. Ç’ishte ajo bisedë dhe sa kohë më parë u bë ajo?
– Duhet t’ju shpjegoj, së pari, se për çdo gjë që flas, kam përgjegjësi. Unë gjatë atyre viteve që kam jetuar me Hilmiun, kam pasur një rol të përcaktuar. Nuk mund të ndërhyja asnjëherë në punët e tij dhe isha vetëdukuar, që të mos e pyesja asnjëherë për atë ç’ka ai kishte, sukseset apo dështimet, aq më pak për problemet, që për mentalitetin e kohës, ishin të padiskutueshme. Por, mbaj mend një natë, kur ai u kthye nga puna, u ul në divan i lodhur. Vuri duart pas kokës dhe më tha: “Si do kalojmë, jam në situatë të vështirë…”?! Nuk e kuptova se ç’po thoshte, por përnjëherë i thashë: “Çfarëdo që të jetë ne kemi fëmijët, do plakemi dhe do vdesim bashkë”.
– Këto copëza bisedash, ju kanë bërë të dyshoni për vdekjen e tij?
Po! Mbase edhe shumë të tjera, por ajo ç’ka më kishte thënë në spital, nuk më shqitej nga mendja. Kështu, pas tre muajsh, shkova dhe takova Enver Hoxhën. Më priti përzemërsisht.
– “Pse vdiq Hilmiu?”- – i thashë. Ai ngriti supet: “Me hemorragji, thonë mjekët” – më tha. Asnjë fjalë më tepër!
Kurse Kadri Hazbiu, ka ardhur vazhdimisht më pas në shtëpi, së bashku me të shoqen. Vinin të gjithë njerëzit e Partisë, për vite me radhë.
Më kanë thënë se Kadri Hazbiu ishte njeriu që u takua për të fundit herë me Hilmiun. Thuhet se është diskutuar për “Grupin çam”. Duket se i kishe kërkuar Hilmiut bashkëpunim për këtë çështje në atë kohë, kur thuhej se; “një grup çam armiqësor” duhej të asgjësohej. Pas tre muajsh, u arrestua Teme Sejko. Midis të tjerash u tha; “Grupi çam do të lidhej më Flotën e VI-të amerikane”. Pati 32 të arrestuar, 17 prej tyre të akuzuar si “agjentë grekë”.
– Kanë kaluar 44 vite nga ajo kohë, deri më sot. Ç’mendoni se ka ndodhur atë ditë me Hilmiun?
– Mendoj se e helmuan, por nuk kam asnjë dokument. Nuk kam se ku të kërkoj!
– Si e njihnit ju bashkëshortin tuaj?
– Një njeri i së drejtës dhe vetëm i asaj. Një burrë që sakrifikonte edhe veten në çdo rast, në emër të së vërtetës apo të së drejtës. Kur në zyrat e Degës Brendshme sillnin njerëz që donin të kalonin kufirin, ai i pyeste; pse? Dikush i tregonte hallin e shtëpisë, mungesën e punës, etj. Ai i dërgonte në Zyrat e Punës dhe kërkonte ndihmë për ta, jo t’i varroste nëpër burgje apo t’i ekzekutonte. Një zyrtar që mbante dyert e Degës hapur, për t’u zgjidhur hallet njerëzve, një njeri që…kur i kërkuan të firmoste ndoshta ndonjë dokument të fundit, kundër çamëve, apo ashtu siç u quajt në atë kohë, “Grupi armiqësor i Teme Sejkos”, tha se nuk ka asgjë të vërtetë.
Dëshmitë e ish-ushtarakëve të lartë, që e njohën nga afër Hilmi Seitin
Kur Halim Xhelo ishte në burg, në një rreth të ngushtë kishte thënë: “U bë mbledhja nën drejtimin e Hysni Kapos në Ministrinë e Brendshme, me Kadri Hazbiun, Hilmi Seitin dhe mua. U fol se duhet të krijojmë një ‘grup armiqësor’ për t’i thënë botës se ne nuk u përulemi as revizionistëve modernë e, as imperializmit amerikan. Dhe mendojmë ta quajmë ‘Grupi armiqësor i Teme Sejkos’. Në këtë moment, Hilmi Seiti kundërshton, del nga mbledhja dhe shkon në Komitetin Qendror të PPSh-së, ku takon Enver Hoxhën!
Enver Hoxha e pyeti: – ‘Hilmi, pse të shikoj të mërzitur’?!
– ‘Shoku Hysni’ mendon t’i ngarkojë Çamërisë martire, një grup armiqësor’, – ia ktheu ai.
– ‘Ah! Hysniu, i bën këto me kokën e tija, pa më pyetur mua?
Dëgjo, Hilmi, ke besim tek Partia dhe tek mua’ ?
– ‘Po, shoku Enver’!
– ‘Shko në punë dhe puno ashtu si ke punuar”. Ja kështu është shprehur dikur Halim Xhelo.
Në volumin e 19-të të veprave të Enver Hoxhës, thuhet se: “Për mua është enigmë grupi armiqësor i Teme Sejkos”. Albert Kotini shkruan: “Me vdekjen e tij (Hilmiut) shprehën ngushëllime me tërë vlerësimet e sinqerta, midis të tjerëve edhe Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Zoi Themeli, Sul Baholli, Teki Koloneci, Qazim Kondi, Halim Xhelo, Xhule Çiraku, Dilaver Poçi, Rexhep Kolli, etj. Kush nga këta e helmoi? Me çfarë urdhri special të Enver Hoxhës, u realizua?! Me urdhrin me linjë partie, apo të nëntokës së Sigurimit?! Përse Shkodra e nderoi dhe e qau Hilmi Seitin, me respektin e madhështinë, që ia ka bërë vetëm Fishtës”?!
Skënder Vinçani, ish-shef i Policisë për Qarkun e Shkodrës nga viti 1953 deri në vitin 1961, kur ishte Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, zoti Hilmi Seiti, ky bashkëpunëtor i tij, më tregon: “Kam pasur nderin të punoj 7 vjet me Hilmiun. E njihja si njeri të drejtë, të ndershëm dhe detyrën e kryente me pastërtinë morale më të madhe. Nuk burgoste dhe internonte njeri pa fakte dhe faj. Punonjësit e gjithë Degës së Brendshme dhe populli i Shkodrës, e admironin për cilësitë e tij njerëzore. Vdekja e tij për mua, është 100 për qind e dyshimtë, alibi e një helmimi të bërë ndaj tij.
Hilmiu deri ditën që u helmua, ishte njeri me trup atleti, me shëndet shumë të mirë. Atë ditë ishim duke shëtitur të tre, unë, Mit’hati, (që ishte zëvendësi për Sigurimin), dhe vetë Hilmiu, në rrugët e Shkodrës. Kur vajti ora 20.00, Hilmiu më tha se kishte mbledhjen e Byrosë së Partisë të Rrethit, (se Hilmiu ishte anëtar i Byrosë së Partisë), na tha se, duhej të shkonte. Ne të dy, unë dhe Mit’hat Zaçe shkuam në shtëpi, ndërsa Hilmiu në mbledhjen e byrosë së partisë. Më vonë morëm vesh se në mbledhjen e Byrosë së Partisë, Hilmiut i kishin ardhur të vjella, kishte marrë leje për të nxjerrë të vjellat në banjo, dhe ndërpreu mbledhjen.
Presin sa presin dhe kur u vonua, e gjejnë të shtrirë pa ndjenja në banjo, dhe nuk komunikonte më. E marrin urgjent dhe e shtrojnë në spitalin e Shkodrës. Shkuam unë dhe Mit’hat Zaçe, në spital. E gjetëm në gjendje që përpëlitej me shkumë nga goja, deri në mëngjes, kur dhe vdiq. U njoftua Ministria e Punëve të Brendshme. Erdhi Kadri Hazbiu dhe disa anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së. Sollën me vete tre ekipe mjekësh nga Tirana dhe pse kishte plot Shkodra. Ata e panë të vdekur. I bënë autopsi në kokë.
Një nga kirurgët ishte sovjetik dhe në konkluzionin e ekipit mjekësor të Tiranës, konkluduan se; vdiq nga një ‘hemorragji cerebrale’, etj., argumentime ‘shkencore’, por mua nuk m`u besua! Po të flisja atëherë, edhe si vëlla i Nexhipit që isha, do ta pësoja si Mit’hat Zaçe, që pësoi edhe ai një vdekje të dyshimtë më vonë. Pse nuk e besova…?! Si bie hemorragjia cerebrale kështu, kur ai një orë më përpara ishte në gjendje të shkëlqyer dhe nuk ankohej nga asnjë sëmundje?”
Rrahman Perllaku, “Heroi i Popullit”, tregonte: “Hilmiun e njihja shumë mirë. Ishte shumë njeri i qeshur, i aftë, inteligjent dhe e donte shumë Shkodrën, sa dhe vetë shkodranët. Kam luftuar bashkë me të, si në Brigadën e III-të Sulmuese, dhe në Divizionin e V-të Sulmues, dhe më pas zv/komisar i Brigadës së V-të sulmuese. Ka qenë tepër komunikueshëm, me një burrëri dhe zgjuarsi, që e lartësonin dhe kishte një sjellje të përsosur në shoqëri. Ne, kuadrot e asaj kohe, e vlerësonim Hilmiun, si një nga oficerët më të kulturuar, dhe më të aftit. Në luftë ishte nga të parët në betejë, nuk dinte ç’ishte frika. Në organet, në Degën e Brendshme të Shkodrës, siç dihet nga lart, ky rreth kishte veçori. Hilmiu manifestoi veçori të tilla.
Mjaft komunikues e dashamirës me njerëzit. Si punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, u ka dalë ballë për ballë gjërave me drejtësi dhe vërtetësi. Informacionet që vinin, në veçanti ato që kuptonte ose më mirë që i zbulonte si tendencioze, Hilmiu i bënte ballafaqimin. Kur e kuptonte keqdashjen e punonjësit të Punëve të Brendshme, i thoshte: Ik! Mos u ndjej se do të vesh atje ku nuk ta pret’! Kështu ia priste rrugën marrjes në qafë të njerëzve, edhe për një llaf të pavetëdijshëm. Me këtë pikë po tregoj një ngjarje të vërtetë, që deri më sot nuk ia kam shprehur njeriu. Hilmiut i janë dorëzuar në besë disa të arratisur nga Shkodra në Mal të Zi, që e kishin bërë rrugën e tyre, pa u kapur. Mbasi i merrte në besë, gjithmonë i lironte duke mbajtur fjalët e premtuara.
Në një rast konkret tjetër, ishin katër të arratisur që hynin e dilnin në Mal të Zi, sa herë të donin, asnjëherë nuk i kapnin dot. E vetmja rrugë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ishte fjala e Hilmiut, me të arratisurit, dhe këtë ia kërkuan ta bënte Hilmiu, që t’i takojë, të bisedojë, dhe t’i sigurojë se nuk do të prekeshin, po të dorëzoheshin vetë. Hilmiu e mori përsipër.Të katër të arratisurit u dorëzuan në besë të Hilmiut, se e kishin provuar fjalën dhe burrërinë e tij, edhe të tjerë para tyre. Ata u dorëzuan tek Hilmiu, ai i liroi dhe i la të lirë të shkonin në shtëpi. Mbas dy – tre muajve, Hilmiut i dhanë urdhër nga MPB-ja, që t’i arrestonte të katër të arratisurit. Mori urdhër nga Kadri Hazbiu apo Mihallaq Ziqishti, nuk më kujtohet mirë. Hilmiu mjaft i revoltuar, erdhi menjëherë tek zyra e Mehmet Shehut dhe u fut i nevrikosur.
Mehmet Shehu i tha me shaka:
– Hë, ç’ke kështu, çam i dreqit? – Ai në fakt e respektonte shumë Hilmiun. – Pse ke ardhur?
– Erdha t’ju dorëzoj kapelën e spaletat, – i tha Hilmiu.
– Pse ç’ka ndodhur?
– Atyre që u ka dhënë besën, Hilmi Seiti, nuk i arreston! Merri! (Spaletat i kishte në dorë). – Këtë nuk e bëj kurrë, sa të jem gjallë, – tha dhe, në fakt, sa qe gjallë Hilmiu, ata nuk u arrestuan. Asnjë në Shkodër nuk u arrestua para vdekjes së tij, për gjëra që nuk faktoheshin nga Hilmiu. Pas Hilmiut erdhi Feçor Shehu, prandaj kur vdiq Hilmiu, unë si Rrahman, vajta menjëherë me Teme Sejkon, për të organizuar varrimin e tij. Nuk kam parë varrim me përmasa të atilla në Shkodër, pas asaj të Gjergj Fishtës. Qanin gratë në ballkon, ka qarë e gjithë Shkodra. Unë më Temen, shkuam në orën 23.00 të asaj dite. Vdekja e Hilmiut, për mua ka mbetur enigmatike”.
Muhamer Spahiu, veteran mjaft i respektuar dhe i persekutuar, veç të tjerash që i thamë lart, shton se; “Hilmi Seiti, ishte pararoja e zhdukjes së Teme Sejkos dhe çamëve të tjerë, në vitet ’60-’61. Ka qenë një skenar i vërtetë Hoxha- Hazbiu, që ne e kemi vuajtur në vite”.
CEREMONIA E VARRIMIT
Hipokrizi nga ata që e vranë! Respekt dhe dhembje nga ata që e deshën: populli i mrekullueshëm i Shkodrës. Hipokritët dhe vrasësit, ballë për ballë varrit të Hilmi Seitit, “jagot” dhe “brutët” e shoqërisë shqiptare, që nga zv/kryetari i Këshillit të Ministrave, anëtarë të Byrosë Politike e të Komitetit Qendror, si; Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Sul Baholli, etj., që i bënë nekrologjinë më datën 28 prill 1960. Nga këto rreshta, shkëputet Kadri Hazbiu dhe merr fjalën para varrit të Hilmiut: “Vendosmëria juaj, inteligjenca, patriotizmi i flaktë, dashuria e pakufishme ndaj popullit, partisë dhe Bashkimit Sovjetik, të gjitha cilësitë tuaja të mira, ne do t’i takojmë përditë në gjurmët e punës tënde, dhe brezat e ardhshëm do të edukohen me to, për t’ i shërbyer me besnikëri popullit dhe Atdheut”.
Po kështu, pranë varrit të Hilmiut, kortezhi i përmotshëm dëgjoi fjalën e shokut Sul Baholli, sekretar i parë Komitetit Partisë të rrethit të Shkodrës. “Populli i Shkodrës, me dhjetëra e mijëra njerëz kishin ardhur të përcillnin trupin e Hilmi Seitit. Ata vinin të përcillnin birin e tyre, i cili për vite me radhë i kishte mbrojtur nga persekutimi i padrejtë i gjuetisë së biografive, luftës së klasave, që bëheshin viktima. Pra, ishte barrikadë, dhe ata po e ndienin këtë burrëri e ndershmëri, që po u varrosej pikërisht për këtë barrikadë”
Enver Hoxha dhe Kadri Hazbiu që e kishin Shkodrën si “reserve” për të mbushur burgjet politike, nga “reaksionarët” dhe antikomunistët, eliminuan Hilmi Seitin dhe i hapën rrugën ekzekutorit Feçor Shehu. Plani i arrestimeve me ardhjen e Feçor Shehut, u realizua me burgime, spiunime dhe internime në tërë Shkodrën. Besa, burrëria, ndershmëria e çamit Hilmi Seiti, pushtoi një zemër të tillë si Shkodra. Respekti dhe nderi i Çamërisë, Hilmi Seiti, ishte në gjirin e Shkodrës, sepse ai ishte edhe biri i saj.
BIOGRAFIA E HILMI SEITIT
Hilmi Seiti lindi më 15 nëntor 1922, në fshatin Spatar të Çamërisë. Ai rrjedh nga një familje fshatare patriote dhe qe përkrahës i lëvizjes çlirimtare shqiptare dhe asaj greke. Në moshë të vogël, mbetet jetim dhe dërgohet me bursë në konviktin “Çamëria”, në Sarandë, pastaj vazhdoi shkollën e mesme në Gjirokastër dhe Shkodër. Dallohet për rezultate të larta, si dhe dashamirësi me shokët. Nga viti 1938, ishte anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe me formimin e Partisë Komuniste, u bë anëtar i saj. Lufta e gjen në shkollë të mesme dhe për aktivitet antifashist arrestohet dhe internohet në Bari të Italisë.
Në vitin 1942, kthehet në Shqipëri dhe në vitin 1943, hyn në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, duke kryer detyrat e zv/komisarit të Brigadës së V-të dhe të III-të Sulmuese. Mori pjesë në çlirimin e Kosovës. Pas mbarimit të Luftës, më 1946 punon në Komisionin e Planit të Shtetit, si kryetar dege. Në vitin 1949, emërohet dhe shërben në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me gradën major. Në vitin 1953, emërohet kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës. Në vitin 1959, Hilmiu u gradua “Gjeneral-major”.
Për merita të shquara në luftë dhe në punë, Hilmiu dekorohet me pesë medalje dhe gjashtë urdhra, si: “Urdhri i Flamurit. “Urdhri i Skënderbeut” i klasit të III-të, “Urdhri i Trimërisë”, “Urdhri i Shërbimit Ushtarak”, “Urdhri Ylli i Kuq”, si edhe shumë medalje, etj. Në 26 prill 1960, në moshën 38-vjeçare, Hilmiu vdes në Shkodër, në mënyrë të papritur, gjatë një mbledhjeje pune, i helmuar, si e kemi përshkruar më lart. Populli i Shkodrës dhe gjithë veriu, e përcollën Hilmiun me një ceremoni madhështore dhe respekt të madh, për në banesën e fundit. Memorie.al
(Materialet: Gazeta “Çamëria”, shkrimi me titull, “Vdekja mister e gjeneralit të çamëve”. Maj 2004, f. 11. Albert Kotini, “Çamëria denoncon”, botimi 2002″, faqe 51-53. Shënime të kohës).
SEJDO HARKA/ Kreu i katërt i këtij libri nis me bisedën e shkurtër të Nolit me Presidentin Amerikan W. Wilson, më 4 korrik të vitit 1918, në bordin e një jahti: “Unë do të kem vetëm një zë në Kongresin e Paqes, dhe atë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”, thotë Wilson.
Noli i entusiazmuar, ia kthen me këto fjalë zemre: “Ai zë është i mjaftë për Shqipërinë, dhe shqiptarët do të jenë vdekësisht të gëzuar dhe fare të sigurtë për të drejtat e tyre”. Por, që ky zë i madh të zinte vendin e vetë, Nolit dhe gjithë atdhetarëve të tjerë të Shqipërisë do t’u duhej të kalonin një odiese të tërë. Ishte koha kur Shqipëria s’ishte gjë tjetër veçse një cironkë në mes të detit, që vuante kërcënimin për t’u coptuar nga peshkaqenët e botës. Noli, në ato kohë të vështira, theksonte, se “Vatra” duhet të luante rolin e një negociatori të jashtëm për fatet e Shqipërisë.
Në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, ai kishte zbuluar “Marëveshjen e Fshehtë të Londrës”, që synonte coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Pas largimit të Princ Vidit, grekët pushtuan Shqipërinë e Jugut, Italia Vlorën dhe sërbët Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Në këto kushte një pamflet i Konicës kishte tronditur, jo vetëm marrëdheniet me austriakët, por kishte zemëruar edhe Nolin, i cili, i dëshpëruar thellë i shkruan Konicës dhe Çekrezit: “A e dini, or çiliminj, që po luani me zjarrin. Do ta merrni më qafë Shqipërinë”.
Përpjekjet e Nolit për pavarësimin e Shqipërisë do të thellohen më tej në vitin 1916, kur vendi ynë ishte kthyer në fushë lufte mes pushtuesëve. Në këtë kohë, Noli u bënte thirrje fuqive të mëdha se, Evropa nuk mund të kishte paqe, pa qetësuar Ballkanin. I tronditur thellë, ai lajmëron botën, se shqiptarët po vdisnin nga uria dhe se lirinë e vërtetë të shqiptarëve jabesonte vetëm Presidentit amerikan Wilson. Ndërkohë Noli, nëpërmjet poezisë “Jepni për nënën”(1917), u bën thirrje shqiptarëve të Amerikës, të ndihmojnë Shqipërinë dhe shqiptarët në këto kushte tepër të vështira. Në Kongresin e Federatës “Vatra”, Noli u bën thirrje shqiptarëve ta ruajnë flamurin shqiptar, sepse çdo plumb që bie mbi të, godet Shqipërinë mu në kraharor. Ishte koha kur “Vatra” po përçahej. Krijimi i “Partisë Politike”, do ta ndërlikonte mosmarrveshjen mes shqiptarëve. Edhe Parashqevi Qirjazi bënte thirrje për bashkim.
Thelbi i konfliktit ishte rrëzimi i Nolit. Kundërshtarët nuk donin që Noli të ishte përfaqësuesi i shqiptarëve në botë për pavarësimin e Shqipërisë. Ata e konsideronin atë filo-austriak. Bile pati edhe nga ata kundërshtarë, që e quajti edhe filogrek, edhe pse Noli kishte bërë punë të madhe për shqipërimin e kishës greke. Megjithatë Noli mori pjesë në në Kongresin e Kombeve të Vogëla të Botës, ku mes të tjerash tha: Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por dhe një problem i madh ndërkombëtar. Ajo i bën thirrje botës së qytetëruar për pavarësi, në emër të paqes. I jam mirënjohës presidentit Wilson, i cili ka thënë se, “çdo popull ka të drejtë të zgjedhë sovranitetin e vetë”.
Me gjithë akuzat e kundërshtarëve politikë, se gjoja Noli ishte filo-austriak, ai ishte e vetmja figurë që shquhej për intelektin dhe fuqinë artikuluese të papërsëritshme për të qëndruar në ballë të luftës për mbrojtjen e çështjes shqiptare në botë, edhe pse Memet Konica dhe Kristo Dako ishin hedhur në onfesivë kundër tij. Ishte koha kur ata shkruanin: “Noli, haptaz punon me Amerikën, ndërsa fshehtaz punon kundër këtij vendi”. Por, në të vërtetë, ishte Noli ai, që i shkruante Wilsonit për mbrojtjen e Çamërisë që Konferenca e Londrës ia dha padrejtësisht Greqisë. Aq të forta ishin akuzat ndaj Nolit, sa që Byroja e Hetimit Amerikan e vuri nën survejim.
Megjithatë Noli , ditën e festës kombëtare të Amerikës zhvilloi një bisedë të shkurtër me Presidentin Wilson, ku mes të tjerash i thotë: Situata në Shqipëri është e trazuar. E vetmja shpresë për ne është Amerika dhe Ju President. -Jo, mos u thuaj ashtu shqiptarëve- tha Wilsoni,- se ata do të lënë punën e tyre në gjumë. Fjalët e fundit të Nolit, në këtë bisedë, ishin: “Unë mbetem shërbetor i Shkëlqesisë suaj”! Byroja e Hetimit Amerikan, në këtë kohë deklaronte se, vërtet Noli bënte një lojë të dyshimtë, por nuk kishte asnjë provë spiunazhi. Edhe pse shumica e delegatëve të “Vatrës” ishin absolutisht të mendimit se, ai që duhet të kryesonte në Koferencën e Paqes, në Paris, duhet të ishte Fan Noli, grupi i Partisë Politike këmbëngulte, të mos ishte ai.
Por, me gjithë pengesat, më në fund Noli mori mandatin për të përfaqësuar shqiptarët në këtë Koferencë, nga e cila do të varej fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Në këtë kohë Noli përgatiti një memorandum, që ia dërgoi Presidentit Ëilson, i cili mbyllej me fjalët: “Shqiptarët shpresojnë se Amerika dhe aleatët do ta ndihmojnë Shqipërinë të ngrihet në këmbë, duke zgjidhur kështu edhe çështjen ballkanike. Ndërkohë, sekretari i Shtetit Amerikan sugjeronte krijimin e një Shqipërie të bashkuar, të cilën e kishte shkallmuar Koferenca e Londrës, duke lënë jashtë kufijëve të saj një pjesë të rëndësishme të trojeve të saj etnike. Koferenca e Paqes hapi zyrtarisht punimet ditën e 18 janarit të vitit 1919 nga presidenti i Francës.
Wilson-i, që e ndiqte nga larg këtë Konferencë, merrte informacione nga specialistët e tij, të cilët i konstatonin atij se çështja e bashkimit kombëtar të Shqipërisë dukej e vështirë. Zbehtësia e paraqitjes së kësaj çështjeje në këtë koferencë, kërkonte domosdoshmërisht oratorinë dhe djapazonin politik të Nolit, por ai po pengohej që të mos merrte pjesë. Në atë kohë Noli, me guximin dhe karizmin e tij ishte bërë njeri i botës. Por, edhe pse misioni amerikan rekomandonte që Noli të mos pengohej të udhëtonte drejt Francës, ai përsëri u pengua. Ishin grekët të parët ata, që nuk dëshironin që Noli të merte pjesë në atë Koferencë që do të vuloste fatin e Shqipërisë. Të njëjtën gjë bëri dhe Imzot Aleksandri, i cili, edhe pse e kishte dorëzuar Nolin Peshkop të Kishës Shqiptare, e anullon këtë vendim, me pretendimin se kishte marë shumë akuza për Nolin.
Në këtë kohë Noli, në letrën që i drejton atij, shkruan: ”Unë jam më tepër peshkop se sa ini ju. Peshkopin e parë e bëri populli. Edhe mua, ai dëshiroj të më bëjë Peshkop të Kishës së Parë Shqiptare Autoqefale”. Ai, mendonte se paqja nuk mund të vinte nga kombinimi i armëve me forcën, por nga një lidhje e armëve të krishtërimit. Tashmë, Noli, si Peshkop rebel, nuk mposhtej kurrë. Ai shfaqej tepër i kthjellët në rugën e tij pa kthim, si një yll në ngjitje.
KONGRESI I LUSHNJES, WILSON DHE NOLI, ATA QË VULOSËN FATIN E SHQIPËRISË
Kur Presidenti Wilson ndiqte nga Uashingtoni Koferencën e Parisit për çështjen e Shqipërisë, ai sëmuret rëndë. Në këto çaste, fati i Shqipërisë ndodhej në majë të briskut. Pa Ëilsonin Shqipëria mund të ricoptohej përsëri. Por, fati e desh që shpejt, Presidenti Ëilson të bëhet mirë dhe në nëntor të hedhë poshtë Traktatin e Versajës, duke kërkuar ndryshime. Edhe Turhan Pasha, në këtë kohë kërkonte një mandat amerikan për Shqipërinë. Në dhjetor të vitit 1919 nacionalishtët shqiptarë po përgatisnin një kuvend, i cili do të zgjidhte një qeveri të re, në vend të asaj të Durrësit. Kongresi i Lushnjes u mblodh më 21 janar, në kohën kur Koferenca e Parisit kishte pezulluar punimet, për të pritur përgjigjen e Wilson-it.
Ky Kongres rifilloi punimet më 28 janar të vitit 1920 me kryetar Aqif Elbasanin. Kongresi zgjodhi Kryeministër të Qeverisë së Përkohshme Sulejman Delvinën, i cili i drejtoi Presidentit amerikan një letër, ku thuhej qartë: “Kuvendi i Lushnjes kundërshton unanimisht, Antantën, që synon coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Kemi vendosur të mos pranojmë asnjë lloj protektorati të huaj në vendin tonë”. Dita e 10 shkurtit, ishe dita e shpresës së Shqipërisë. Është dita që presidenti amerikan Wilson, me dorën e tij u dërgon aleatëve të mëdhenj një notë të prerë, përmes së cilës u deklaron se nuk e pranonte idenë e ndryshimit të kufijve shqiptar.
Kjo notë ishte mbështetja më e fuqishme që i kish dhënë deri tani Shqipërisë. Në këto çaste kishte ndritur një herë dhe përgjithmonë fati i Shqipërisë së pavarur dhe ankthi i gjatë i Nolit dhe i gjithë shqiptarëve që kishin luftuar një jetë të tërë për të arritur te kjo ditë e lumtur. Noli, tashmë i lumturuar kishte vendosur të shkonte në Shqipëri, jo për të zënë poste në qeverinë e re, por për të vazhduar luftën për çështjen e madhe kombëtare. Kur Noli erdhi për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1913, ai nuk u prit si duhet. Por tani që ai kishte ardhur me një bilanc suksesi për çështjen kombëtare, me Kishën Autoqefale Shqiptare dhe me veprat e mëdha të shkruara dhe të shqipëruara nga letërsia më e madhe botërore, ai u prit si një nga atdhetarët dhe intelektualët më të zotë, që gjithçka ia ka kushtuar kombit dhe vendit të tij.
Forcën dhe frymëzimin ai e gjeti tek demokracia amerikane. Prandaj u drejtohet gjithë shqiptarëve me këto fjalë: “Thoni, tani, o miq, qysh do mundim ndonjëherë t’ia paguajmë Amerikës këtë borxh!? Amerika me shpirtmadhësinë e saj do ta quajë borxhin tonë të larë, dhe kështu do mundim të çlirohemi nga barra e paduruar e falimentit moral”.
Raportimet e fundit kanë sugjeruar se një seri e mistershme e sëmundjeve nga të cilat ka vuajtur stafi diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është rezultat i “armëve sonike” të përdorura nga një njësi e fshehtë e inteligjencës ruse. Nëse pretendimet e tilla janë të sakta, ato armë do të ishin më të fundit në vargun e gjatë të pajisjeve të paimagjinueshme të dizajnuara nga Moska dhe nga Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës (CIA) për të vrarë, plagosur ose monitoruar kundërshtarët.
Dr. Andrew Hammond, një historian dhe kurator në Muzeun Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se dyshimi për përdorimin e armëve energjetike të drejtuara ndaj amerikanëve të vendosur jashtë vendit, u shfaq fillimisht gjatë Luftës së Ftohtë.
“Ne kemi dëshmi historike që kjo çështje është diskutuar në të kaluarën në nivelin më të lartë”, tha ai.
Në vitin 1967, Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Rusk, ngriti dyshime se Ambasada e SHBA-së në Moskë po shënjestrohej me një “sinjal elektromagnetik”.
Rrezja e energjisë më vonë u bë e njohur si “sinjali i Moskës” dhe përfundimisht u vendosën veshje kundër rrezatimit në dritaret e ambasadës.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së më vonë përsëriti rrezen e energjisë dhe e testoi atë te majmunët. U hartuan plane për të testuar pajisjen laserike në subjekte njerëzore që nuk ishin të informuara për këtë para se projekti të anulohej.
Hammond thotë se është e pamundur të dihet se si do të dukej një pajisje moderne më e fuqishme se instrumenti i kohës së Luftës së Ftohtë.
“Në thelb, ne nuk e dimë atë që nuk dimë”, tha ai. “Nëse do të dinim se çfarë ishin, do të ishim në gjendje të kuptonim efektin që mund të kenë ose nuk mund të kenë, sa të fuqishme janë, se sa do të kushtonin për t’u prodhuar, etj. Për momentin jemi në errësirë”.
Pajisjet e mëposhtme dihet se janë përdorur ose zhvilluar për t’u përdorur nga spiunët gjatë Luftës së Ftohtë.
Pistoleta buzëkuq
Një shembull i pajisjes me një goditje, të lëshuar nga Komiteti i Sigurisë Shtetërore (KGB) i Bashkimit Sovjetik, u zbulua në një pikë kontrolli amerikan në Berlinin Perëndimor më 1965. Hapja e cilindrit siç duket mund të fshihej në një buzëkuq të vërtetë. Arma u quajt “puthja e vdekjes”.
Syze me pilulë të fshehur cianidi
CIA ua ofroi agjentëve të saj këto syze me një pilulë të vogël cianidi. Agjentët e kapur të SHBA-së mund të kryenin vetëvrasje në sytë e rrëmbyesve të tyre duke kafshuar fundin e syzeve të tyre.
Arsenali i Nikolai Khokhlovit
Armët, duke përfshirë “projektorë me plumba helmues” të kamufluar në dukje si kuti cigaresh, ishin pjesë e një sasie mjetesh për atentate që iu dorëzuan autoriteteve të Gjermanisë Perëndimore nga agjenti i KGB-së, Nikolai Khokhlov.
Spiuni sovjetik dezertoi në vitin 1954 pasi u ngarkua të mbikëqyrte vrasjen e një aktivisti antikomunist në Frankfurt. Përveç armëve të ndërlikuara të cigareve, arsenali përmbante gjithashtu dy pistoleta elektrike me tri tyta që plumbat me majë cianidi i gjuanin me aq pa zhurmë sa “kërcitja e gishtave”.
”Armë sulmi në zemër”
Kjo armë e CIA-s qëlloi një shigjetë toksine të ngrirë të butakëve që u shpërnda pothuajse pa gjurmë brenda trupit të personit që ishte cak, duke çuar në vdekje, me simptomën e një sulmi në zemër.
Arma, e parë në foton e mësipërme gjatë një seance dëgjimore në Senat të vitit 1975 për abuzimet e shërbimit të inteligjencës amerikane, qëlloi pothuajse në heshtje dhe ishte efektive deri në 100 metra.
Transmetuesi T-1151 ‘Dog Doo’
Pjesa e jashtme në formë jashtëqitjeje e T-1151, e zhvilluar në fund të viteve 1960, fshihte një pajisje që mund të hidhej në tokë dhe të aktivizohej nga amerikanët që kishin nevojë për shpëtim ose nxjerrje. Pajisjet u krijuan për të imituar “jashtëqitjet e një qeni të përmasave të mesme ose të kafshëve të tjera”, por u quajtën “monkey turds” (jashtëqitje majmuni).
Insektotopter
“Insekti bartës i insektit” u zhvillua nga CIA në vitet 1970 për të ofruar pajisje dëgjimi në miniaturë në vendet ku ato mund të transmetonin biseda. CIA pretendon se testet e fluturimit për insektotopterin e pikturuar me dorë ishin “mbresëlënëse”, por fluturakja e vogël ishte e vështirë të kontrollohej nga era dhe pajisja e ndërlikuar nuk u përdor kurrë në terren.
“Ombrella bullgare”
Në vitin 1978, disidenti bullgar Georgi Markov vdiq në Londër menjëherë pasi u godit në këmbë nga një burrë me çadër, që besohej se ishte një spiun komunist bullgar. Markov kritikoi qeverinë komuniste bullgare në një seri raportesh për transmetuesin britanik BBC dhe për Radion Evropa e Lirë, midis viteve 1975 dhe 1978, të cilat shumë bullgarë i dëgjuan në fshehtësi.
Ombrella që mbante njeriu, mendohet të ketë qenë një pajisje e projektuar nga KGB-ja, e krijuar për të shpërndarë një topth të vogël helmi në objektiva, që nuk e prisnin në rrugë./Rel/
Komentet