VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Sa paguhen parlamentarët Zviceranë, po kolegët e tyre në Europë, Parlamentin Europian dhe SHBA Përgatiti Elida Buçpapaj

By | May 17, 2016

Komentet

Kosovë: Qëllohet me armë zjarri makina e gazetarit Shkumbin Kajtazi

Në Kosovë shoqata e gazetarëve, misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe udhëheqës institucionesh e partish politike, bënë thirrje për hetimin e shpejtë dhe vënien para drejtësisë të atyre që qëlluan më armë zjarri mbi makinën e gazetarit Shkumbin Kajtazi.

Zoti Kajtazi nga gazeta në internet Reporteri.net, tha se të shtunën mbrëma makina e tij është qëlluar me armë zjarri në qendër të Mitrovicës.

Policia tha se po e heton rastin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por ende nuk ka njohuri për autorët apo motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë “tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë”.

Në reagimin e kësaj shoqate thuhet se “është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit Shkumbin Kajtazi. Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Duke i bërë jehonë këtij reagimi, misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë e dënoi “këtë akt të frikësimit” dhe iu bashkua thirrjeve për hetimin e sulmit dhe ndjekjen e atyre që janë përgjegjës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh i shqetësuar me lajmin për sulmin.

“Liria e medias dhe liria e shprehjes janë të garantuara me ligj dhe do të mbrohen në secilën rrethanë. Prandaj, kërkoj nga organet e rendit që ta trajtojnë rastin e Shkumbinit me prioritet të lartë dhe t’i zbardhin rrethanat e sulmit. Sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave janë sulme direkte ndaj vlerave demokratike, prandaj edhe do të trajtohen me prioritet nga organet e rendit në Republikën e Kosovës”, shkroi ai në llogarinë e tij në facebook.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se “liria nuk është e plotë pa të drejtën e fjalës”, duke e cilësuar lajm të keq për vendin sulmin ndaj gazetarit Kajtazi.

“Organet e sigurisë duhet të merren më seriozisht me mbrojtjen e gazetarëve, veçanërisht atyre hulumtues. Ata që po tentojnë që Kosovën ta paraqesin si një vend të pasigurt, ku cenohet fjala e lirë, përmes sulmeve qyqare, duhet të zbulohen dhe të ndërpritet veprimtaria e tyre shumë e dëmshme për vendin”, shkroi ai.

zëri i amerikës

Lufta për minierat e Trepçës dhe roli i Presidenti Rugova – Nga XHAFER LECI

                            Rugova dhe Blair

Në Säntis-die Eiswelt të Zvicrës, shqip ( Santis-Bota e akullit), Zvicra në trezorët e arkivave të veta, ruan llojet e gurëve të Trepçës.
Lufta e diplomacisë polike serbe, në tavolinat ndërkombëtare për bisedime nuk ka të ndalur, për ricoptimin e Kosovës!

Kur Presidenti Dr. I. Rugova u ndante-dhuronte burrështetasëve të Botës gurë te minierave të Trepçes, për tu treguar atyre, në heshtje, se Kosova është pushtuar nga Serbia, me ndihmën e Rusisë, në Kongresin e Berlinit me 1878. Dhe kjo është bërë, pikërisht, për pasuritë e Trepçes dhe shumë minierave tjera, në territorin e Kosovës.

Edhe tani, më 1998-1999 po luftohet, për të njëjtat pasuri dhe jo pse Kosovën serbët, rrejshëm, e quajnë “djep i Serbisë “!

Shikoni në fotografi, Predidentin Rugova, duke ia dhuruar një gur të Minierës së Trepçës ish Premierit anglez, Toni Bler. Qëllimi ishte për t`ia bërë me dije, se kjo është pasuria jonë, përmes së cilës, mund t`ua shlyejmë, sadopak, borxhin, për të mirat që keni bërë ju për neve.

Por, jo t`ia falim Serbisë pasuritë tona nëntokësore të Trepçës, të cilat mund t`i kalojnë edhe kufijtë e Kosovës, si dhe Liqeni artificial Ujmani, ose i Gazivodës, siç e quajnë serbët.

Pasuritë e minierave të Trepçës së Mitrovicës, sipas ekspertëve të huaj dhe vendorë,si bie fjala Akademiku Apollon Baçe:  Llogariten mbi 500 miliardë dollarëshe.

Disa politikanë e ushtarakë të vetëshpallur dhe fare të papjekur, në fushën e dipomacisë, para, gjatë, dhe pas luftës 1998-1999, talleshin se si Presidenti Rugova po shpërndante guraleca diplomatëve të huaj!

Këtu mund të shihni disa lloje të gurëve të Trepçes, të cilët ruhen në trezorët, thesarët e arkivave Zvicërane.

Ky vend është vizituar nga vëllai im Shukri Leci dhe, kushëriri Bajram I. Leci. Fotografitë mi dërgoj vëllai im Shukriu.

Në Säntis-die Eiswelt të Zvicrës, (shqip: Santis-Bota e Akullit)

RRUGA

Lartësia e stacionit të luginës (platformës) 1350.50 m

Lartësia e stacionit malor (platformës) 2472.98 m

Lartësia e majës së malit 2502 m

Diferenca në lartësinë 1122.48 m

Pjerrësia mesatare 55.87%

Pjerrësia më e madhe 90.44%.

BETEJA E DYTË E KOSOVËS NUK ISHTE TJETËR POS NJË DISFATË E PRITUR E HUNIADIT… – Nga JUSUF BUXHOVI

Edhe pse beteja e Kosovës e vitit 1389 për shumëçka mbetet e pasqaruar dhe pjesë e një miti historik të shekullit XIX , që u riaktivizua për qëllime politik të hegjemonizmit serb për t’ia krijuar platformën e paqenë historike shtetit serb të pranuar në kongresin e Berlin, megjithatë, ajo e vitit 1448 që ngjau midis forcave katolike të drejtuar nga Hunijadi dhe atyre osmane nga Mehemti II, nuk mund të thuhet se ishte as historike e as vendimtare për fatin e Europës në luftë kundër Osmanëve. Përkundrazi, po qe se shikohen raportet e forcave që prodhoi fushata ushtarake e Mehmetit të II në planin ushtarak në pjesën evropiane kur pas betejesë së Varnës (1444), me përjashtim të rezistencës së Skënderbeut në Shqipëri, i ishin hapur dyert për depërtime të reja në gjithë Ilirikun për të shkuar tutje kah veriu, përpjekjet e Huniadit për të organizuar ndonjë kryqëzatë të re të krishterë mbeteshin vetëm një orvatje strategjike e vendeve katolike të Europës që me anën e “betejave” të shkëputura të fitonin paksa kohë drejt gjetjes së një kundërpërgjigje (diplomatike ose politike) që mund t’u jipej osmanëve pasi që të kenë marrë bastion e fundit të krishterimit, Konstandinopojën e rrethuar që pas pesë vitesh do të bjerë përfundimisht në duart e osmanëve. Në këtë prizëm duhet parë edhe luftën që bënte Skënderbeu në Shqipëri, pasçka se ajo, në planin ushtarak fitoi një dimension tejtër dhe, mbase do të mund të kthehej në një front të ri antiosman, po qe se për këtë do të ishin të interesuara vendet katolike të Europës, të cilat, siç do të shihet, në përputhje me interesat e tyre të ngushta (të Vendedikut në radhë të parë), në vend të luftës së përbashkët, duke shfrytëzuar kryengritjet e shkapërderdhura të feudalëve të Ilirkut, lidhnin aleanca të fshehura me osmanët. Kjo sjellje kishte të bënte me përcaktimin e njohur në njërën anë të vasaliteteve të feudalëve të krishterë me osmanët dhe interesat e tyre që t’i ruanin pronat e tyre ose edhe t’i shtonin dhe, në tjetrën anë, të kishës ortodokse që osmanët t’i shikonte si aleatë në luftë kundër katolicizmit, strategji kjo që do të dalë në pah pas rënies së Kostandinopojës kur Kisha Ortodokse do të lidhë utoqefalinë e saj me Perandorinë Osmane, ku jo vetëm ruajti pozicionet e saj, por, si dihet, fitoi edhe privilegje në qeverisjen vendore nga Porta e Lartë. Në këto rrethana, veprimet e Huniadit për një aleancë të re kudnër osmanëve, ishin të dështuara, edhe pse një kohë të gjatë do të kremtohen si ngjarje historike që po “të mos ishte tradhtia e Brankoviqëve” edhe do të mund të arrihej!
Natyrisht se këto kundrime janë më shumë pjesë e opinioneve politike se sa fakte shkencore, ngaqë osmanët tashmë ia kishin dalë që të krishterët ortodoks të Ilirikut t’i fusin në kuadër të sistemit të tyre perandorak, ndërsa me vendet e caktuara katolike (sidomos Venedikun) të lidhnin aleanca të caktuara, që kishin edhe bekimin e Papatit, nga fakti i vetëm se vendet katolike ushtarakisht asokohe nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë osmanëve. Natyrisht, se historiografia shqitare, luftën e dytë të Kosovës duhet ta rivlerësojë në përputhje me rrethanat e kohës, pra si përpjekje dëshpruese të Huniadit dhe assesi prej saj të krijojë një mit të ri që do të rivalizonte me atë serb për betejën e vitit 1389.

Aksident në Gjermani – vdesin katër shqiptarë nga Ferizaj

Kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar para pak çastesh se ka vdekur edhe personi i katërt si pasojë e aksidentit në Gjermani nga i cili mbetën të vdekur 3 anëtarë të familjes Krasniqi nga Ferizaj. Personi i katërt gjithashtu ka shtetësi kosovare, megjithatë nuk dihet nëse është pjesë e familjes Krasniqi.

Të premten për Express, policia gjermane ka konfirmuar se në aksidentin e ndodhur dje kishin mbetur të vdekur tre persona, dy me shtetësi kosovare dhe një me zvicerane, por të tretë me mbiemër të njejtë.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani kanë njoftuar që sot ka ndërruar jetë edhe shqiptari i katërt në aksidentin e rëndë në Landin e Baden Württemberg.

Në këto çaste të vështira për të gjithë ne ku për vetëm një javë u shuan tragjikisht 6 jetëra të bashkëatdhetarëve tanë, shprehim pikëllimin e thellë për të gjitha tragjeditë e tmerrshme që rënduan fatin e diasporës sonë sidomos javën e fundit, duke u shprehur ngushëllimet e sinqerta në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës.

Duke qenë të vetëdijshëm që jeta në mërgim nuk është e lehtë, dua të shprehë mirënjohjen time të thellë për të gjithë bashkëkombësit tanë në diasporë që nuk e harruan asnjëherë gjakun, atdheun, dhe kombin, dhe kështu mbesin pjesë e pandashme e jona, pavarësisht se ku ndodhen fizikisht.

MPJD dhe misionet e saj diplomatike e konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e shteteve pritëse dhe në shërbim të qytetarëve tanë kudo.

I përndjekur nga regjimi, ish-deputet e ‘Nderi i qarkut’ Fier, shuhet në moshën 85-vjeçare shkrimtari Faslli Haliti

Fatmira Nikolli

Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare shkrimtari i njohur nga Lushnja Faslli Haliti. I përndjekur nga regjimi komunist, ish-deputet dhe nderi i qarkut Fier dhe qytetar nderi i Lushnjës Faslli Haliti është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Ai lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. Mbaroi Liceun Artistik për pikturë dhe u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale.

Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 ishte anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut Fier. Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” – 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”.

Humb jetën nga Covid gazetari dhe historiani i njohur shqiptar Nuri Dragoi

Covid merr një tjetër jetë ditë e sotme. Bëhet me dije se ka ndërruar jetë gazetari dhe historiani i njohur shqiptar Nuri Dragoi.

Lajmin e hidhur e kanë bërë me dije familjarët dhe të afërmit e tij përmes postimeve të bëra në rrjete sociale.

Dragoi ishte i prekur me Covid-19 prej disa ditësh por fatkeqësisht gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe e ka humbur këtë betejë.

Miku i tij Tomorr Laze në postimin e tij në rrjete sociale shkruan se Dragoi ka ndërruar jetë sot në orët e para të mëngjesit.

Sot në orët e para të mëngjesit, pushoi së rrahuri zëmra e mikut tim të mirë, shkrimtarit të njohur, Nuri Dragoi. Kur Nuriu merte pjesë në gëzime e dasma tek dajllarët e tij në fisin LAZE, në Buzuq të Skraparit, ato 2-3 orë gjumë pas dasme, do ti bënte i qetë në dhomën time…

U prehsh i qetë në gjumin e përjetshëm, i dashur Nuri ! I paharruar kujtimi yt, vëlla ! (Foto të 8 viteve më parë, në një nga aktivitetet në Shoqata Tomorri Durres , gjatë promovimit të librit ” Sfidat e Poetit” me autor Nuri Dragoi, kushtuar poetit të madh, presidentit të shoqatës Tomorri, të madhit Xhevahir Spahiu)”, shkruan në rrjete sociale miku i tij Tomorr Laze“, shkruan ai.

“O Zot i Madh ku kam ardh, nuk asht ashtu siç ma kan përshkru”, studiuesja flet me Artan Fugën për martesat shqiptaro-serbe

PROF. DR. AKADEMIK ARTAN FUGA 

KRUSHQIT E PANGRIRË: MBI MARTESAT MES VAJZAVE SHQIPTARE DHE BURRAVE SERBË

Kur ish-studentja ime në lëndën e Komunikimit Ndërkulturor, Olta Murataj, në studimet Master në Letërsi të Krahasuar të Universitetit të Tiranë, komunikoi në “Messenger” me mua, thashë “sa kohë kam pa dëgjuar të rejat e saj”. Më shpjegoi që kishte qenë për disa vjet dhe kishte bërë një doktoraturë në një universitet shumë të mirë në Turqi, në fushën e sociologjisë. U gëzova sepse ajo tanimë kishte një formim ndërdisiplinor aq i rrallë në Shqipëri. Pastaj, në bisedë e sipër, më shpjegoi për temën e saj studimore: “Martesat mes vajzave shqiptare dhe burrave serbë në Sanxhak të Serbisë”. U hodha përpjetë. “Do të të bëj një intervistë,-i thashë,- unë, ish-profesori yt, do të bëj gazetarin modest dhe ti doktoreshën në Sociologji”. Olta, vajzë e mençur, e sjellshme, sot është ende pa një vend pune universitar në Tiranë. Askush fatkeqësisht nuk i di gjetjet e rëndësishme të punimit të saj të rrallë në Sociologji, bazuar mbi bazën e intervistave të thelluara dhe të historive të jetës, aq të munguara në vendin tonë. Olta Murataj ndofta nuk e di se çfarë shërbimi të madh i ka bërë kërkimit shkencor në Shqipëri, që lëngon, por unë e di. Ajo, me modestinë e saj, me një punim prej 300 faqesh që çdo shtëpi botuese e huaj do ta kishte botuar menjëherë, nuk e di ndoshta se fjalamanët, tjerrin në doktoratura fjali pa lidhje dhe pa kuptim, kurse ajo trajton një problem sa sociologjik, aq edhe gjeostrategjik për vendin e vet.

Olta kërkon vend pune! Çfarë turpi për ne që e shohim prej një viti të endet derë më derë dhe derrat e kënaqur flenë mbi titujt e dalë nga faqet e mbushura me fjalë pa përmbajtje! Kurajo Olta Murataj!

Kurajo Olta Murataj! … Të nesërmen kur u çova ishte shumë ftoftë. Unë jam martu n’tetor, dhe ishte shum ftoftë. Kur e pashë në mëngjes vendin thashë, “O Zot i Madh ku kam ardh, nuk asht ashtu siç ma kan përshkru” (Grua shqiptare, e martuar në Serbi).

Prof. dr. Akademik Artan Fuga: A mendoni se martesat shqiptaro-serbe janë një fakt i izoluar i rastit apo kemi të bëjmë me një nevojë të brendshme të segmenteve sociale në të dyja shoqëritë respektive?

Dr. Olta Murataj: Nuk e shoh si një fakt të izoluar, por, mendoj se ka ardhur si nevojë e brendshme e aktorëve të të dy shoqërive respektive. Burrat serbë zgjedhin të qëndrojnë në fshat në tokat që zotëron familja e tyre, për t’u kujdesuar për tokën, bagëtinë dhe prindërit e moshuar. Gratë serbe kanë braktisur fshatrat për një jetë më të mirë drejt qyteteve, duke refuzuar martesën në zonat rurale. Me shumë pak gra të mbetura në fshatra duket tepër e vështirë që burrat të mund të gjejnë bashkëshorte për të formuar familje. Kërkesa e tyre për martesë ka çuar në krijimin e një “tregu martesor” midis këtyre dy vendeve. Po ashtu, edhe fshatrat në Shqipëri po shpopullohen me shpejtësi, por, janë kryesisht burrat që largohen jashtë vendit për të gjetur punë dhe gratë mbesin pas. Në këtë mënyrë bëhet e vështirë për gratë shqiptare, sidomos në zonat rurale, të gjejnë partner për martesë. Të dyja palët i gjenden njëri-tjetrit për të përmbushur mangësinë që përballen në shoqëritë e tyre.

Pse martohen vajzat shqiptare me burrat serbë dhe pse nuk ka një lëvizje drejt Maqedonisë, Kosovës apo Malit të Zi? Sa raste ke studiuar dhe pak a shumë ku janë të shpërndara gratë shqiptare në Sanxhak sipas komunave apo fshatrave?

Martesat mes kulturave të ndryshme kanë qenë shumë të rralla dhe shpesh të padëshiruara nga shoqëria, pasi vazhdimisht është preferuar martesa homogjene, martesa me “tjetrin”, që është i ngjashëm në kulturë, në nacionalitet, racë, besim apo në statusin socio-ekonomik. Në Shqipëri, martesat mes grave dhe burrave shqiptarë me partnerë jashtë Shqipërisë, i ka fillesat pas rënies së sistemit komunist. Fillimisht, martesat e grave shqiptare me burrat grekë, italian e më vonë me burra me kombësi të ndryshme filluan të kthehen në fenomen normal. Në më shumë se dhjetë vitet e fundit burra nga Maqedonia, Mali i Zi, ashtu si dhe Shqiptarë të Kosovës filluan të martohen me gra shqiptare nga qytete të ndryshe të Shqipërisë. Përkatësisht, martesat e grave shqiptare me burrat serbë, unë i cilësoj martesa të orientuara nga individë të caktuar që kanë marrë përsipër rolin e shkuesit (mblesit) tradicional dhe nga agjencitë martesore. Pra, nuk është një kërkesë personale e palëve, por është “treg martesor” i iniciuar nga aktorë të jashtëm.

Bazuar nga rrëfimet e pjesëmarrësve burra dhe gra, kam arritur të veçoj arsyet thelbësore që kanë shtyrë palët të kalojnë kufirin në kërkim të partnerit të jetës. Këto arsye janë të renditura sipas frekuencës së përsëritjes nga çdo pjesëmarrës. Sipas burrave serbë janë: (1) mungesa e vajzave në vendin ku jetojnë, (2) refuzimi i grave serbe të martohen dhe të jetojnë në fshat, (3) “e dëgjuar nga të tjerë” se gratë shqiptare janë gra të lidhura me shtëpinë, që krijojnë familje, bëjnë mbi dy fëmijë, kujdesen për bashkëshortin dhe familjen e tij, pranojnë të jetojnë në fshat, bëjnë punët brenda dhe jashtë shtëpisë, nuk kanë shumë pretendime dhe nuk shpenzojnë shumë para, (4) mosha e tyre për t’u martuar, (5) nevoja për të krijuar familje, (6) dëshira për të pasur fëmijë dhe, (7) frika e të plakurit vetëm. Brenda hapësirës që na lejohet, po shkëpus disa zëra nga pjesëmarrës burra dhe gra lidhur me motivet që i kanë shtyrë drejt kësaj martese:

Vëllai im u martua me një vajzë shqiptare. Më pëlqente se ishte shumë e lidhur me punët e shtëpisë dhe kujdesej për nënën tonë, ishte e respektueshme me vëllain tim dhe me ne të tjerët. Duke e parë atë, mendova të gjeja dhe unë një nuse në Shqipëri për veten time (Pjesëmarrës, burrë 5).

Në fshatin ku jetoj, unë isha i dyti që bëra këtë martesë, kështu që nuk kisha dëgjuar shumë, ishte një rastësi që doli mirë. Fakti që do të gjeja dikë që do jetonte me mua në fshat, më bëri të shkoj në Shqipëri. A do jetë zgjedhje e mirë ose e keqe, nuk mund ta dish pa e provuar. Sot jam i kënaqur që kam vepruar kështu (Pjesëmarrës, burrë 6).

Arsyja kryesore ka qenë që unë të bëj familje, mos të mbetem vetëm, se nanën e babën sot i ke e nesër nuk i ke. Unë kam dashur me pas gru e fmi (Pjesëmarrës, burrë 7).

Ndërsa arsyet që shtyjnë vajzat shqiptare të pranojnë kërkesën për martesë: (1) mosha e martesës (në vendet rurale mosha është një faktor i rëndësishëm në martesën e vajzave; pas moshës 25 vjeçe kërkesat për martesë ulen shumë), (2) frika se mos mbesin në shtëpi “vajzën që nuk e mori askush” ose “lënesha” (3) mungesa e djemve shqiptarë (boshatisja e zonave rurale nga të rinjtë, sidomos nga djemtë), (4) martesa si detyrim social sepse “vajza duhet me e gjet shtëpinë e saj”, (5) jetesa në fshat pa perspektivë (martesa vjen si një mënyrë për t’u arratisur) (6) duke menduar se do jetojnë jashtë Shqipërisë krijojnë mendimin e një jete më të mirë, me kushte ekonomike më të larta, (7) kurioziteti për të parë një kulturën të re (8) shtysa që vjen nga familjarët dhe rrethi shoqëror.

Isha njëzet e nëntë vjeçe dhe gjaja ma e tmerrshem kur m’thoshin “ke met te shpia”. Kjo për vajzën asht gjaja ma e tmerrshme. Kur të thonë, “me kan e mirë s’kishe met n’shpi”. Ma mirë me kan e dek, kur je shnosh si molla, e shkatht e me t’than ai tjetri ki met n’shpi (Pjesëmarrëse, grua 8).

Ça të bajshe te vllai? Ça me ba? Me nejt në shërbim të kunats dhe vllaut, e fmive t’kunats me t’than “t’ishe kan a mire kishe shku te burri jot” – ma mire shko te puna jote sido të jetë (Pjesëmarrëse, grua 9).

Meshkujt shqiptarë kan ik e krejt po martohen me gra t’huja. N’fshat ku ishim na nuk ka pas mbet asnjë djal i ri, krejt ikën. Se shqiptart [djemtë shqiptarë] shkojnë e marrin gjithçka jasht shtetit dhe i lan shqiptaret që janë ari [floriri] (Pjesëmarrëse, grua 10).

Për shkak të paragjykimeve në lidhje me martesën e tyre, që individët pjesëmarrës në këtë studim kanë jetuar, ndjeshmëria e tyre individuale për të rrëfyer jetën martesore ishte shumë e lartë, sidomos te pjesëmarrëset gra shihej më shumë. Si studiuese, pjesa më e vështirë, ka qenë të fitoj besimin e tyre, me qëllim që të realizohet një bisedë (intervistë) sa më miqësore dhe e sinqertë që të mund të arrijmë të kuptojmë arsyen e vërtetë që i ka shtyrë këta individë drejt këtyre martesave. Ashtu siç thekson Patton (2001: 340-341) “Ne intervistojmë njerëzit për të zbuluar prej tyre ato gjëra që nuk mund t’i vëzhgojmë drejtpërdrejt…”. Në këtë studim janë realizuar intervista të thelluara me 42 gra dhe 31 burra, në total 73 individë, ndër ta 30 janë çifte (për arsye të ndryshme, nuk ka qenë e mundur që për çdo të intervistuar grua të jetë pjesë e studimit edhe bashkëshorti).

Rastet studimore janë kryer në Jugperëndim të Serbisë, rajon ky që në periudha të ndryshme historike është njohur me dy emërtime, Rashka dhe Sanxhak (Raska dhe Sandzak) – në gjashtë komuna Novi Pazar, Sjenica, Tutin, Priboj, Prijepolje dhe Nova Varosh, qytetet e të cilave mbajnë të njëjtët emra. Intervistat janë kryer në komunat më përqendrim më të madh të këtyre martesave si, në Sjenicë (në nëntë fshatra të kësaj komune), në Novi Pazar (në një fshat) dhe në Tutin (në tre fshatra), përveç dy intervistave që janë realizuar në qytetin e Jagodin-ës dhe Kraljevo. Gratë shqiptare të martuara atje, kryesisht janë nga Veriu i Shqipërisë, me përjashtim të disa rasteve nga Shqipëria e Mesme.

Çfarë karakteristikash kanë familjet e formuara? Në çfarë ekonomie familjare punojnë ata? Cili është etniciteti i burrave, janë serbë apo turq? Cila është mosha e grave shqiptare dhe mosha e burrave serbë dhe sa është diferenca në moshë mes partnerëve? A kanë qenë më parë të martuara gratë shqiptare apo është martesa e tyre e parë?

Burrat pjesëmarrës në këtë studim kishin jetuar dhe vazhdonin të jetonin pranë familjes së tyre (me përjashtim të gjashtë rasteve që para se të martoheshin kishin jetuar disa vite larg shtëpisë, por në kohën e martesës kishin zgjedhur të kthehen në fshatrat e tyre). Jetesën e kishin të lidhur ngushtë me prodhimet bujqësore që merrnin nga toka, nga kafshët si dhe shitjen e tyre. Në ato zona rurale ku toka bujqësore ishte e paktë, banorët (si dhe pjesëmarrësit në këtë studim) sigurimin e jetesës nuk e kishin nga punimi i tokës dhe bagëtia, por nga puna e lëndëve drusore. Në disa familje, në këto zona, intervistat janë zhvilluar kryesisht vetëm me gratë, pasi burrat ishin në pyll dhe ktheheshin vonë në shtëpi. Në fshatrat afër komunës së Sjenicës ku kishte shumë fusha dhe livadhe, e po ashtu ndodhej dhe miniera e kromit, pjesëmarrësit në këtë studim mbanin shumë bagëti dhe krahas punës blegtorale punonin dhe në minierë. Pjesa më e madhe e burrave ishin të lidhur me tokën dhe bagëtinë, por në varësi të zonës ku jetonin, disa prej tyre, ishin të angazhuar dhe me punë të dyta si në minierë, komunë, polici, roje. Kurse gratë, përveç njërës, e cila punonte në fasoneri, të gjitha ishin të angazhuara me punët brenda shtëpisë dhe punët blegtorale jashtë shtëpisë (si mjelja e bagëtive, kujdesi për tokën).

Sa i përket etnicitetit, burrat pjesëmarrës kanë deklaruar se i përkisnin etnicitetit serb dhe se ishin të krishterë ortodoksë. Mosha mesatare e pjesëmarrësve në kohën kur kanë bërë martesën ishte për gratë 32 vjeçe, për burrat 47 vjeç. Diferenca në moshë mes këtyre çifteve është 15 vite, kurse mesatarja e jetës martesore nga koha e intervistave 8 vite. Nga të intervistuarit burra, asnjë prej tyre nuk ka qenë më parë i fejuar apo i martuar, ndërsa gratë njëra prej tyre më parë e fejuar dhe një tjetër e martuar, ndërsa të tjerat deklarojnë se nuk kanë pasur një fejesë apo martesë të mëparshme.

Këto çifte sa fëmijë kanë mesatarisht? Kanë formuar familje më vete apo jetojnë me familjet e burrit? A ka divorce dhe, nëse ti di, cilat janë arsyet e shprehura për divorc? Nëse ka, çfarë ka bërë gruaja shqiptare, është kthyer apo jo?

Nga 42 gratë e intervistuara, nga koha kur është bërë ky studim, 6 prej tyre nuk kishin fëmijë, ndërsa të tjerat kishin mesatarisht nga 3 fëmijë secila; gjithsej nga këto martesa kishin ardhur në jetë 92 fëmijë. Këto çifte nuk kanë krijuar familje më vete, por kanë nisur jetesën në familjet e bashkëshortëve serbë, kryesisht me prindërit e tyre e shpesh edhe me vëllezërit apo motrat e bashkëshortit. Nëse me familje bërthame do t’i referohemi burrit, gruas dhe (nëse kanë) fëmijëve, nga 42 gratë pjesëmarrëse, nga koha e këtij studimi, 17 prej tyre jetonin në familje bërthamë (një pjesë e tyre e ishin nisur jetën të paktën me njërin nga prindërit e bashkëshortit, por që ishte ndarë nga jeta); dhe 25 prej tyre jetonin me bashkëshortin, fëmijët, prindërit e bashkëshortit (të paktën me njërin nga prindërit) dhe disa raste me vëllain/motrën e bashkëshortit.

Gjatë kohës në terren kam dëgjuar për raste divorcesh mes martesave shqiptaro-serbe, dhe sipas atyre grave që kam hapur këtë bisedë, janë të ndryshme arsyet që çojnë në ndarje; mund të jenë mosmarrëveshjet mes bashkëshortëve për shkak të kulturave të ndryshme, ose pakënaqësitë që mund të kenë gratë shqiptare në lidhje me kushtet e jetesës. Në raste të divorceve, gratë shqiptare braktisin familjen e bashkëshortëve dhe janë kthyer në vendin e tyre.

Sjellja e përditshme në këto familje, qoftë mes bashkëshortëve apo familjarëve të tjerë? Gjuha që përdoret brenda në familje? Besimi fetar i grave shqiptare? Besimi fetar i fëmijëve? Gjuha që përdorin fëmijët? A dinë shqip fëmijët, dhe nëse i pyet çfarë jeni si përgjigjen ata? Marrëdhënia e këtyre familjeve me krushqinë shqiptare, si është?

Gjatë vitit të parë, këto gra, në çdo ditë të jetesës së tyre, janë në një proces të pandërprerë mësimi, përthithje dhe përvetësimi të çdo gjëje që shohin, që dëgjojnë dhe përjetojnë. Veçanërisht tre muajt e parë janë jashtëzakonisht të vështirë, pasi komunikimi me fjalë nuk ekziston, vetëm me shenja, me të prekur dhe me gjeste. Pas muajit të tretë, fillojnë të mësojnë fjalë të objekteve, të ushqimeve, fjalët përshëndetëse ose ndërtimin e fjalive të shkurtra. Sipas grave pjesëmarrëse, pas muajt të gjashtë ato fillojnë të kuptojnë, por duhet një vit (deri në një vit e gjysmë) që të fillojnë të flasin pa vështirësi. Sipas pjesëmarrësve, çdo gjë fillon me “tregoj” dhe “shkruaj”.

Burrat shprehen se fjalët e para që ua kanë mësuar bashkëshorteve kanë qenë objekte në shtëpi dhe më shumë fjalë që lidhen me kuzhinën. Sipas tyre çdo gjë fillon me “prek objektin” dhe “shkruaj”. Burrat shprehen se fjalët e para kanë qenë objektet rreth tyre (orenditë e shtëpisë, enët e kuzhinës, ushqimet, emrat e kafshëve). Ata tregojnë se kanë prekur objektin duke i thënë emërtimin në serbisht (disa herë) dhe gratë e tyre kanë shkruar fjalën që kanë dëgjuar në serbisht dhe kuptimin në shqip. Në disa raste, gratë shprehen se kanë përdorur fjalor serbisht-shqip, duke thënë se fjalori ka qenë një ndihmesë shumë e madhe. Me mësimin e gjuhës, gradualisht nis dhe procesi i adoptimit. Gratë fillojnë të kuptojnë dhe të njohin familjarët më të cilët jetojnë, fillojnë të njohin bashkëshortin, me të cilin ndajnë shtratin, fillojnë të kuptojnë bisedat familjare, të shkëmbejnë biseda me komshinjtë dhe të bëjnë pazarin e shtëpisë. Pra, është gjuha që i lidh me vendin, i bën të kuptojnë botën rreth tyre.

Gjuha e folur dhe e përdorur brenda në familje është vazhdimisht gjuha Serbe. Përveç tri grave që janë të besimit mysliman, tridhjetë e nëntë të tjera i përkisnin besimit katolik. Pas martese u është dashur të ndryshojnë besimin fetar, nga feja e krishterë/myslimane në fenë ortodokse. Rastet më të shumta shprehen se ky ndryshim nuk ka qenë i dëshiruar, por ka ardhur si kërkesë nga bashkëshorti dhe familjarët e tij. Kur flisnin për besimin fetar, këto gra i referohen vetes si dy persona: jam ortodokse në Serbi dhe katolike/myslimane në Shqipëri.

Dukej qartë se identiteti i tyre fetar ishte lëkundur, por nuk kishte humbur akoma. Ato shpreheshin se fëmijët e tyre kishin besim ortodoks dhe nuk kishin menduar asnjëherë që t’u përcillnin besimin e tyre. Gjuha që përdornin fëmijët ishte serbishtja, por edhe vetë ato tregonin përpjekje për t’u mësuar gjuhën shqipe. Kishte fëmijë që flisnin dhe kuptonin shumë mirë shqip apo fëmijë që më shumë kuptonin sesa flisnin, por dhe raste që arrinin të kuptonin dhe flisnin vetëm përshëndetjet bazë. Të dyja palët shpreheshin se marrëdhëniet me krushqinë shqiptare i kishin shumë të mira dhe se të dyja palët vizitonin njëra-tjetrën sa herë që krijoheshin mundësitë. bw

Albin Kurti i përgjigjet Nenad Çanakut: S’mund të arrihet paqe përderisa Serbia fsheh varret masive të shqiptarëve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka reaguar politikanit serb, Nenad Çanak, ndaj deklaratës dhënë së fundmi në lidhje me varrezat masive të shqiptarëve të vrarë nga regjimi serb në luftën e fundit në Kosovë.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se familjet në Kosovë janë duke i kërkuar ende më të dashurit e tyre, duke shpresuar se ata mund të gjinden një ditë.

Ai ka shtuar se asnjë paqe e qëndrueshme s’mund të arrihet për sa kohë që Serbia fsheh varret masive të shqiptarëve të ekzekutuar dhe kidnapuar.

“Në një debat televiziv të Serbisë, Nenad Çanak thotë se kur ministri i Policisë, Dusko Mihajloviq thotë s’mund të fle “më duhet ta ndajë këtë me ju. Ne kemi gjetur 16 varre masive në Serbi”. Familjet në Kosovë po kërkojnë ende për më të dashurit e tyre, duke shpresuar se ata mund të gjinden një ditë. Asnjë paqe e qëndrueshme s’mund të arrihet përderisa Serbia fsheh varret masive të shqiptarëve që ata ekzekutuan dhe kidnapuan”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ish-kryetari i Parlamentit të Vojvodinës njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate, Nenad Çanak, në një debat televiziv ka folur për ekzistimin e varrezave masive të shqiptarëve në Serbi.

Gjatë debatit në emision “Çirilica”, Çanak, ka folur për deklarimet e ministrit te atëhershëm të policisë lidhur me ekzistimin e 16 varrezave të mundshme, për të cilat ishte marrë vendim që të mos flitej publikisht.

“Ekziston një gjë tjetër, që ma bëri me dije se kemi telashe. Kishte qenë një mbledhje e Opozitës Demokratike. Më duket ti ke qenë aty Çedo, kur ministri i Policisë, Dushko Mihajlloviq, e tha këtë fjali “Nuk mund të fle. Më duhet ta ndaj këtë me juve. I kemi gjetur 16 varreza masive në Serbi”.

Pra, 16 varreza masive në Serbi. Dhe kur kam parë se çfarë kemi gjetur aty – duhet ta ndaj këtë me ju – dhe të merremi vesh se çfarë duhet bërë me gjithë këtë. U paraqita për të folur, dhe i thashë se nuk e kuptoja pyetjen. Kjo ka qenë shpejt pas 5 tetorit, mbase janari a shkurti. “Çka të bëjmë me gjithë këtë”, i thashë, nuk po e kuptoj pyetjen. Nuk jemi këtu për t’i fshehur krimet e ish-regjimit, por që t’i zbulojmë.

D.m.th. nesër konferencë për shtyp, t’i marrim me vete gazetarët prej një lokacioni në tjetrin që të bëhen xhirime e që më pas të vendosim se çfarë do të bëjmë. Atëherë, Zoran Gjingjiqi, i cili përherë është mbajtur i rezervuar se nuk kishte qejf ta impononte mendimin e tij, ani që ka pasur peshë të madhe. Tha: “Jo, jo. Këtë punë duhet hetuar, por nuk duhet dhënë shumë publicitet, sepse kush do të investojë në një shtet ku sa herë që të mihësh tokën do ta nxjerrësh një kafkë. Atëherë e kuptova se e kishim një problem të brendshëm serioz”, u shpreh Çanak.

Ish-avokatja e Shtetit: Rama përgjegjës për faturat qindra milionë euro në arbitrazh. SPAK të hetojë kryeministrin në ikje

Ish-avokatja e Shtetit, Ledina Mandija bën përgjegjës kryeministrin Rama, për për faturat qindra milionë euro në arbitrazh sipas saj.

“Qeveria nga dita që erdhi në pushtet zbatoi një axhende të paramenduar, prishi kontrata, hoqi liçensat, apo sipas rastit mbylli me marrëveshje  të paligjshme, çështjet në arbitrazh.” -shkruan Mandija në një status ne facebook ndërsa shton se BKH dhe SPAK kanë detyrimin të hetojnë në lidhje me të gjitha proceset në arbitrazhin ndërkombëtar duke filluar nga ndjekja e kontratave, caktimi i arbitrave e avokatëve deri në ekzekutimet përfundimtare të vendimeve  të arbitrazhit.

Postimi i plotë:

Qeveria nga dita që erdhi në pushtet zbatoi një axhende të paramenduar, prishi kontrata, hoqi liçensat, apo sipas rastit mbylli me marrëveshje  të paligjshme, çështjet në arbitrazh.

Qeveria emëroi në stukturat shtetërore të arbitrazhit individë në konflikt të pastër interesi që nuk mbrojtën interesat e shtetit. Zyrtarë të lartë  e shfrytëzuan  arbitrazhin ndërkombëtar si një mundësi që do të përmbyllte çdo negociatë korruptive, çdo zgjidhje kontrate, heqje liçense në shkelje të ligjit.

Qeveria në asnjë rast nuk bëri transparence për çështjet e arbitrazhit, duke e justifikuar me mburojën e “konfidencialitetit”. ASH deklaroi publikisht se klient kishte veç ‘shtetin’ dhe i mohoi të drejtën e informimit  deputetëve dhe presidentit.

Kryeministri sot pretendon se nuk ka asnjë çështje të humbur, ndërkohë që ka disa të tilla të bëra publike nga vetë kompanitë gjyqfituese.

Pa negociata, pa praninë e avokatëve ndërkombëtarë të konktraktuar si dhe duke shpërfillur vlerësimet financiare të përgatitura nga ekpertë ndërkombëtarë të paguar me paratë e taksapaguesve, përmes një marrëveshje të paligjshme, të çertifikuar në Parlament, në korrik  të 2014  u paguan 95,5 mil Euro për ÇEZ.as, iu falën 320 mil euro detyrime dhe 500 mil Euro dëmshpërblim, i vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtar.

Në 7 vjet qeverisje të Ramës numërohen dështime të tjera në arbitrazh si :  Avax me 2,5 mil Euro; JV me 900 000 Euro etj; 250 mil Euro detyrim ndaj Bankers Petroleum AL.  Lista është shumë e gjatë dhe do ia dëgjojmë zërin si në rastin e Bechettit dhe Actor. Së fundi, një padi e re në vlerë 100 mil Euro u rregjistrua në arbitrazh të investimeve, ndërkohë që qeveria nxitoi të lidhë kontratë me një tjetër kompani.

BKH dhe SPAK kanë detyrimin të hetojnë në lidhje me të gjitha proceset në arbitrazhin ndërkombëtar duke filluar nga ndjekja e kontratave, caktimi i arbitrave e avokatëve deri në ekzekutimet përfundimtare të vendimeve  të arbitrazhit.

KRIJIMTARIA E SKËNDER BUÇPAPAJT THUAJSE ËSHTË SHNDËRRUAR MERITUESHËM NË ANTOLOGJI – Refleksion nga Sejdi BERISHA

(Ose, pse krijuesi Skënder Buçpapaj duhet të nderohet me Çmimin “Poet laureat”)

Kërkimet e lumturisë dhe të dhembjes për jetën, pastaj, labirintet shpirtërore që nganjëherë i hapin të gjitha rrugët për të treguar e dëshmuar atë peshën e zërit dhe të ankthit, por që, asnjëherë nuk dalin në tërësi as nuk nxjerrin stolinë artistike, ashtu siç e do poeti. Por, sipas të gjitha rropatjeve dhe përplasjeve poetike, të gjitha këto, fuqishëm reflektojnë në në krijimtarinë e këtij shkrimtari dhe poeti, ku pothuaj se në të gjitha veprat e tij në të njëjtën kohë, mesazhi shndërrohet në dashuri dhe në drithërimë karakteristike për çdo gjë që jetës i jap kuptim, për çdo gjë ferkohet e përplaset pët atdheun dhe për kombin. Veç kësaj, duke lexuar veprat e S. Buçpapajt, sikur na bën me dije se liria, lumturia, atdhedashuria dhe pesha historike e vendit ku je lindur, e tokës së shenjtë ilire, kurrë dhe asnjëherë nuk blihet, por ajo vjen çuditshëm duke e ushqyer po ashtu çuditshëm jetën.


Vargu dhe krijimtaria e Skënder Buçpapajt, gjithmonë dhe kudo ne vepra janë refleksion dhe mendim i palëkundshëm filozofik i rrugëtimit historik të kombi dhe atdheut…


Ky shkrimtar, përmes veprave dhe kontributit të tij jo vetëm letrar dhe kulturor, dëshmon për papërkulshmërinë, për qëndrueshmërinë e tij por edhe për tërë atë energjinë, të cilën rrallë mund ta ketë gjithkush për të bërë ndërlidhjen në mes të unit, atdheut, kombit dhe jetës.


Them kështu, sepse, krijues, ky njeri i lidhur ngushtë më rrënjët dhe me dheun e atdheun, para vetes kishte dhe ka shumë dëshira, shumë detyra, shumë gëzime, shumë lumturi dhe hidhërime, të cilat, nganjëherë të bëhet se të gjitha së bashku e bëjnë atë sfidën, të cilën, jo rrallë, duhet ose të detyrohet për ta bartur e transferuar nga një në një rrafsh tjetër. Këtë udhë apo këtë rrugëtim, Skënder Buçpapaj, pothuaj se në çdo varg e poezi, në çdo vepër, na imponon si qëndresë, e cila e ka peshën shumëdimensionale për njeriun e tokës së shqipeve, për kombin nëpër kohëra dhe periudha historike. Kështu, pothuaj se të gjitha veprat e tij, e tërë krijimtaria e tij shndërrohet në histori të tërë, në arkitekturë ndijimi dhe përgjegjësie shpirtërore, veçori këto të cilat, mesazhin krijues e vejnë dhe e projektojnë në shumë rrafshe dhe këndvështrime.
Nëse mbështesim mendimin dhe qëndrimin se nëna, është qumështi më i përçudët i dashurisë, atëherë, S. Buçpapaj krijimtarinë e vetë e ka “mbërthyer” edhe në dashurinë dhe madhështinë për atdheun dhe njeriun… prandaj, krijimtaria e tillë e S. Buçpapajt thuaja se është shndërruar meritueshëm në antologji, por, nëse lexohet me peshën e thellë të mendjes, ajo është edhe bagazh enciklopedik e tërë asaj që quhet jetë.


Duke jetuar në kurbet, shkrimtari S. Buçpapaj, duke ndier afshin dhe mallin për vendlindjen, për tokën dhe zjarrminë e saj pezmatuese dhe karakteristike, në shumë prej krijimtarisë së tij shpreh etjen e njeriut, por edhe begatinë e këngës, këndimin e bën ëndërr dhe përrallë edhe të moshave fëmijërore, sepse, njeriu i ngjanë lumit: “Ai rend gjithnjë drejtë burimit të vet/…Rërën e ka prej syve të zogjve/Që u plasën/Nga mallkimi i foleve”.


Shpeshherë, krijimtaria e tij nga përjetimi i plot arsye, i ngjanë “ëndrrave përrallore”, që kujtimin gjithnjë e bëjnë të fortë, mendimin të palëkundshëm, pa marrë parasysh motivimin, temën apo
edhe periudhën kohore dhe historike, sepse, siç thotë në një nga veprat e tij: “Etjen time e shuaj/Veç me helmin tim”…!


📷Harta poetike e krijuesit, Skënder Buçpapaj, vlerat dhe karakteristikat e tij prej shkrimtarit kanë peshë shumëdimensionale.


Andaj, vlerat dhe zëri i tij krijues është si kambanë, jo për të na i shurdhuar veshët por për ta ndërgjegjësuar dhe vetëdijesuar njeriun. Ai gjithnjë trumbeton nga diçka që na kujton hartën e mendimit atdhetar…
Këtu qëndron edhe ajo madhështia e krijimtarisë së tij, që ndoshta lë përshtypjen që të kuptohet si një enciklopedi e “çuditshme”, dhe ndoshta e para e këtij lloj këndimi poetik aq të përkushtueshëm, e cila qëndron si flori tek gjërat më të çmueshme, më të shtrenjta,… siç është atdheu.


Ndërkaq, kurbeti, si njëra prej plagëve më të rënda dhe më shpirt thyese e gjëmë prurëse, është pjesë e dhembjes dhe e trishtimit edhe e poetit dhe jo vetëm e tij. Andaj, ai, makthin e shtron dhe e pedat në sofrën e vet në mënyra e forma të ndryshme, por që, dëshiron t’i gjejë rrugëdaljet fatlume duke u mbështetur në fanatizmin e atdhedashurisë.


Pra, pasur parasysh, se, S. Buçpapaj, në lëkurën e vet, përveç shumë përplasjeve dhe vuajtjeve, e ka ndier edhe mërgimin, ai e di dhe e çmon peshën e këtij fenomeni të njeriut tanë, i cili këtë e ka përjetuar për shkaqe të ndryshme dhe në mënyra po ashtu të ndryshe.


Ai në krijimtarinë e tij e shpreh edhe brengosjen e tij për fatin e Kosovës, autorin, normalisht, e ka bezdisur dhe pa hyrë në shpjegime për këtë, atë e ka pjesë të shpirtit, të tokës, të atdheut dhe të zemrës. Edhe ky faktor është një prej arsyeve që ky krijues duhet të shpallet “Poet laureat”.


Për këtë dëshmojnë edhe shumë vepra të tij, si: “Zogu i bjeshkës”, Vetëm të vdekurit pendohen”, Jubileu i shiut të çmendur”, “Imgur” etj.


Andaj, Skënder Buçpapaj, dhe krijimtaria e tij është një sublimë dëshmie për Çmimin “Poet laureat”, të cilin e ndanë Ministria e Kulturës e Shqipërisë, e i cili krijues, kujtoj se në të gjitha veprat e tij është shndërruar në pjesë historie të atdheut, sepse, çdo gjë, pra, edhe ëndrrat i shkrinë në vendlindje.

Raporti i errët i Bankës Botërore: Mbi 41% e shqiptarëve pritet të zhyten në varfëri, ekonomia do të shënojë rënie me -8.4%

Banka Botërore në raportin e saj të fundit të Rishikimit Ekonomik të vjeshtës për Europën dhe Azinë Qendrore evidenton në seksionin për Shqipërinë, se kriza po shton varfërinë, kryesisht përmes rritjes së papunësisë.

Sipas vlerësimeve të bankës, pavarësisht masave që janë marrë, varfëria e moderuar (përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 5.5 dollarë për person në ditë, të vlerësuara sipas barazisë së fuqisë blerëse, që eliminon diferencat e çmimeve mes vendeve) pritet të rritet me rreth 5 pikë përqindjeje. Aktualisht, ky tregues sipas tabelave të Bankës është 35.6%. Pas krizës, rreth 41.5% e popullsisë do të jetojë me më pak se 5.5 dollarë në ditë (sipas barazisë së fuqisë blerëse)..

Sipas raportit, mbyllja e bizneseve, operacionet e zvogëluara dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtuan prodhimin. Sektori i turizmit, një faktor kyç i rritjes, ka qenë shumë i prekur. Konsumi dhe vendimet për investime janë vonuar.

Si rezultat, PBB-ja e Shqipërisë pritet të kontraktohet/tkurret me 8.4 për qind në vitin 2020, thotë banka.

Ngadalësimi në sektorët intensivë të fuqisë punëtore ka rritur papunësinë në 11.9 për qind në tremujorin e dytë, nga 11.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Autoritetet shqiptare prezantuan subvencionim të pagave, rritën shpenzimet shoqërore, miratuan një moratorium të përkohshëm në instalimin e huasë dhe ofruan garanci sovrane kredie për të lehtësuar pagesat e pagave dhe kapitalit qarkullues, por pavarësisht këtyre masave, varfëria pritet të rritet.

Ende, shumë punonjës dhe sipërmarrës informal përballen më një stres të rëndë ekonomik.

Nëse pandemia do të zgjatet më tej në kohë dhe zgjidhja që pritet nga vaksina do të vonohet, kjo mund të kërkojë masa të reja të distancimit social dhe kufizimit të aktivitetit ekonomik. Të tilla masa do të kishin ndikim direkt në rimëkëmbjen e sektorit të shërbimeve dhe të industrisë përpunuese, duke çuar të tjera biznese drejt falimentimit dhe duke e vonuar procesin e shëndoshjes së punësimit në ekonomi. Forma e kurbës së përtëritjes ekonomike, sipas Bankës Botërore, do të ndikohet shumë nga normalizimi i ekonomisë botërore.

Rritja u ngadalësua në 2.2 për qind në vitin 2019 pasi në thatësirë preku prodhimin e hidrcentraleve dhe një tërmet shkatërres goditi Shqipërinë në Nëntor të vitit 2019. Ndërsa vendi fillojë fazën e rindërtimit, pandemia e koronavirusit detyrojë mbylljen e sektorëve kyç të ekonomisë.

Deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të rritet me rreth 11.9 për qind të pbb-së në vitin 2020.

Ulja e fluksit të turistëve, rënia e porosive të përpunimit të tekstilit, si dhe çmimet e ulëta të naftës pritet të shkaktojnë një rënie të ekosporteve me 37 për qind.

Pozicioni fiskal i Shqipërisë pritet të përkeqësohet në 2020 pasi deficiti pritet të jetë 8.5 pqr qind e PBB-së gjatë këtij viti./Monitor

Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi, në favor të politikanëve serbë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në vend se të shërbejë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, ka shërbyer për “normalizimin e politikanëve serbë”, që “kanë qenë pjesë e regjimit të Sllobodan Millosheviqit”.

“Me dikë si [Ivica] Daçiq [ministri i Jashtëm serb] – i cili në këto momente, përderisa kërcënon hapur dhe fsheh krimin, po bën krim të dyfishtë – Qeveria e Kosovës absolutisht nuk do të duhej të negocionte”, tha Osmani në një konferencë për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Sipas saj, Daçiq ka kërcënuar hapur serbët që mund të tregojnë për vendndodhjen e viktimave nga Kosova.

Daçiq, së voni, ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar kërcënuese për serbët që njoftojnë për lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.

“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët, të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai për një televizion në Serbi.

Daçiq, në kohën kur ka qenë kryeministër i Serbisë (2012-2014), ka udhëhequr disa raunde bisedimesh me Kosovën.

Duke folur para gazetarëve në Prishtinë, Osmani u ndal edhe te Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili ka dështuar pesë herë të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se përgjegjësinë për mosmiratimin e këtij projektligji duhet ta mbajë koalicioni qeverisës, pasi ai nuk po arrin t’i sigurojë votat e mjaftueshme.

“Zoti kryeministër nuk po arrin t’i ketë 61 deputetë që votojnë në favor të nismave që qeveria e tij i sponsorizon. Pra, përgjegjësia është aty dhe askund tjetër”, tha Osmani.

Për të enjten, shtoi ajo, është vendosur që të mbahet një seancë, ku pritet të bëhet votimi në parim edhe i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, dhe votimi i propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun me Serbinë.

Osmani po ashtu tha se të premten mund të ketë edhe një seancë, ku kryeministri Hoti do të raportonte për punën 100-ditore të tij.


Send this to a friend