VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Rusia “po përpiqet ta ndihmojë Trumpin” për rizgjedhje

By | February 21, 2020

Komentet

Një provë se projekti për kufijtë dhe për pasuritë e Kosovës ekziston?

Shkrimi i mëposhtëm është shkruar nga një autore që mbron politikat e Vuçiç. Ai është i dobishëm për të kuptuar lojën e Serbisë duke e parë nga perspektiva serbe-vuçiçiane.

Informacionet që jepen në artikull perforcojnë idenë jo vetëm të projektit për redrawing the borders por edhe shfrytëzimin e pasurive të Kosovës.

Botohet nga DITA me disa shkurtime.

 

 

Nga Jelena Miliç*

Ndërsa disa po përpiqen mjaft për të minuar/ perspektivën e një marrëveshjeje midis Serbisë dhe Kosovës, një zhvillim i jashtëzakonshëm po shpaloset në Ballkan; Serbia e vitit 2020, nën udhëheqjen e Presidentit Aleksandar Vuçiç dëshiron të rivendosë një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Kjo ishte e dukshme gjatë vizitës së Vuçiçit në Uashington në fillim të marsit. Në fjalën e tij në Konferencën e Politikave AIPAC, ai mbështeti përpjekjet për paqe të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Në një intervistë të gjatë për Politikën e Jashtme, (Foreign Policy) ai tha se Serbia i ishte “thellësisht mirënjohëse” SHBA-së.

Përpjekjet e Serbisë për t’u afruar me Shtetet e Bashkuara është një prirje që mund të vihet re lehtësisht nga kushdo që dëshiron, thjesht duke ndjekur programet politike të mëngjesit në kanalet televizive serbe apo duke i hedhur një sy faqeve të para të gazetave të përditshme serbe më popullore pro-pushtet, të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen ndaj angazhimit (reciprok) midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Edhe shenjat e tjera janë të shumta.

Në të njëjtën kohë, Serbia po merr parasysh paralajmërimet e SHBA-së në lidhje me blerjen e armëve ruse, dhe Vuçiç është angazhuar të ndryshojë furnizuesit e armëve të vendit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe një nga aleatët më të afërt të Amerikës, Izraelin. Megjithë presionin në rritje të Rusisë dhe operacionet hibride në Serbi, Beogradi refuzoi t’i jepte status diplomatik të ashtuquajturës Qendra Humanitare Serbo-Ruse në qytetin jugor serb, Nish.

Pse po përpiqet Serbia të marrë drejtimin për nga Shtetet e Bashkuara? Një prej arsyeve është padyshim të bindë Uashingtonin të ndihmojë dhe të ndërmjetësojë një zgjidhje të ekuilibruar, politikisht të arritshme dhe të qëndrueshme për mosmarrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës.

Për më tepër, Serbia e vitit 2020 dëshiron dhe meriton të trajtohet si e tillë, në vend që të konsiderohet përjetësisht si Serbia e vitit 1999, çfarë, për fat të keq, vazhdon të jetë rasti në Kosovë dhe në disa  vende të Perëndimit, sidomos në mesin e atyre që kanë punuar në Ballkan që nga vitet 1990.

Ata kanë ngecur në këtë dekadë kur bëhet fjalë për rekomandimet mbi politikat. Nën pretekstin e multikulturalizmit, këta individë janë kundër çdo marrëveshje shumëdimensionale, gjithëpërfshirëse ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e cila potencialisht përfshin rregullime të vijës administrative (kufirit), duke dështuar ose refuzuar të pranojnë se një marrëveshje e tillë do ta ankoronte Serbinë në Perëndim.

Kundërshtimi i tyre për rregullime të pajtuara reciprokisht në kufirin administrativ bazohet në argumentin se kjo lloj zgjidhjeje do të bënte që pakica serbe në Kosovë të përbëhej vetëm nga ata që jetojnë në jug të lumit Ibar, çfarë do i detyronte ata të largohen nga Kosova.

Por pakica serbe e Kosovës, më së shumti, qëndroi me vendosmëri aty edhe pas dhunës në shkallë të gjerë që e shënjestroi në vitin 2004, e cila rezultoi në vdekje serbësh dhe shkatërrimin e dhjetëra kishave ortodokse serbe. Nëse këto ngjarje nuk kanë shkaktuar eksod masiv, atëherë përse do ta shkaktojë një marrëveshje paqësore e pranuar reciprokisht dhe që me shumë mundësi jep garancinë e sigurisë dhe ofron lidhje institucionale midis serbëve në veri të Kosovës dhe enklavave serbe në jug?

Pas një marrëveshjeje të tillë, si Serbia edhe Kosova do të mbeten multietnike. Vetëm në Serbi ka më shumë se njëzet këshilla kombëtar të pakicave që merren me çështje gjuhësore dhe kulturore dhe që organizojnë zgjedhje të rregullta në institucionet e tyre.

Pjesa e vogël e territorit të Kosovës – rreth 10 përqind – që mund të jetë një prej elementeve të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse  i intereson gjithashtu të dyja palëve, për shkak të burimeve që ekzistojnë atje, përfshirë minierën e Trepçës dhe sistemin e furnizimit me ujë të Gazivodes.

Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në 2008 u klasifikua si një “rast unik” në mesin e atyre që e mbështetën këtë veprim. Nëse mosmarrëveshja Kosovë-Serbi ka qenë një rast unik, atëherë ajo mbetet edhe sot një çështje unike, që kërkon një zgjidhje unike, e cila mund dhe duhet të përfshijë menaxhimin e përbashkët të burimeve në një mënyrë që i detyron Serbinë dhe Kosovën të bashkëpunojnë teksa bëjnë progres.

Për më tepër, një nga tre komunat e vogla në veri të Kosovës që mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje, Leposavic, është vendndodhja e një prej bazave të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Në rast të një marrëveshjeje në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, e cila autorizoi misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë në 1999 dhe mbetet në fuqi edhe sot, një pjesë e trupave të KFOR-it do të mbeteshin të vendosura në një territor të kontrolluar nga Beogradi.

Prania e tyre do të shërbente për të ulur ndikimin negativ të Rusisë dhe aktorëve të tjerë jo-demokratikë në Serbi, ndërsa do i jepte Serbisë mundësinë  të qëndronte ushtarakisht asnjanëse, nëse kjo do ishte zgjedhja e saj.

Sipas të dërguarit special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer, çdo marrëveshje duhet të jetë “e shitshme” (e pranueshme ) për popullin, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Megjithatë, në Serbi, sondazhet tregojnë se jo më shumë se një e treta e popullsisë mbështet një marrëveshje me kompromis shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse. Për Vuçiçin, kjo është një vështirësi shumë e madhe për t’u kaluar, sidomos teksa ka përballë operacionet hibride agresive të Rusisë në Serbi, për të cilat rrallë flitet.

Një prej arsyeve të kësaj është se Vuçiç nuk mundet të përkufizojë dhe identifikojë haptazi aktivitetet e Rusisë me emrin e vet. Kjo do të bënte që Kremlini t’i aktivizonte edhe më fort mbështetësit e tij dhe makinerinë propagandistike të Serbisë kundër Vuçiçit, duke e përshkallëzuar më tej narracionin se Vuçiç është një tradhtar sepse kërkon kompromis për Kosovën.

Ndonjëherë, një nga këta mbështetës është Kisha Ortodokse Serbe, e cila kinse nuk kontrollohet nga Vuçiçi autokrat dhe i gjithëpushteshëm. Si në rastin e pamundësisë së tij për të sfiduar publikisht Rusinë, Vuçiç, për shkak të autoritetit dhe ndikimit në vend të Kishës Ortodokse Serbe, nuk mund të flasë hapur mbi se si kisha vë pengesa dhe kufizon mundësitë e tij për të arritur një marrëveshje mbi Kosovën.

Por kisha padyshim që e bën këtë. Kisha Ortodokse Serbe po ndjek interesat e veta në Kosovë dhe nganjëherë së bashku me ato të Rusisë, në vend të interesave të një shumice multietnike të Serbisë, e cila kërkon të anëtarësohet në BE.

Mjerisht, përveç kishës, elitat politike në Kosovë dhe ata individë në Perëndim të cilët po përpiqen të delegjitimizojnë të dërguarin e posaçëm të presidentit (amerikan) për bisedimet e paqes midis Serbisë dhe Kosovës, Ambasadorin Richard Grenell, dhe përpjekjet e tanishme të Shteteve të Bashkuara për të gjetur një kompromis të përhershëm gjithashtu po ndihmojnë Rusinë në ndjekjen e objektivave të saja shkatërrues, domethënë, për të mbajtur status quo-në. Kjo është ajo që Kremlini dëshiron më shumë se gjithçka tjetër. Statusi quo, i cili i jep Rusisë shumë më tepër kontroll dhe ndikim sesa, përndryshe do të kishte; i mundëson Moskës të vazhdojë të shantazhojë Vuçiçin mbi Kosovën, duke e penguar atë të kritikojë Moskën dhe të heqë të vetmen pengesë reale që ekziston midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Vuçiç ka autoritetin, mbështetjen popullore dhe vendosmërinë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale midis Serbisë dhe Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk mund të thuhet për opozitën politike të Serbisë. Shumica e figurave të saj kanë lidhje shumë më të ngushta me Rusinë dhe Kishën Ortodokse Serbe në krahasim me Vuçiçin, dhe Moska do të preferonte t’i shihte ato në pushtet, pjesërisht sepse ata janë kategorikisht kundër çdo marrëveshjeje të mundshme midis Serbisë dhe Kosovës.

Për Kremlinin, ato janë një garanci shumë më e madhe për (mbajtjen e) status quo-së krahasimisht me Vuçiç, i cili mbështet marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë veçse verbalisht, por në të njëjtën kohë po përpiqet të zgjidhë Kosovën, çfarë do ta privonte Rusinë nga ndikimi dhe kontrolli i saj mbi Serbinë.

Falë aftësive të tyre të jashtëzakonshme, Grenell dhe kolegët e tij duket se i kuptojnë të gjitha këto. Është e qartë se ata nuk duan ta humbasin këtë mundësi të momentit për të zgjidhur menjëherë një nga mosmarrëveshjet më të vështira në botë, të ringjallin aleancën e Amerikës me Serbinë dhe të pastrojnë Ballkanin nga prania shkatërrimtare e Rusisë.

 

****

Autorja është drejtore e Qendrës së Studimeve Euro-Atlantike në Beograd, Serbi. Botuar në DITA. Përktheu Edona LLukaçaj. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit

NA IKU DHE SOKOL MESHI, NJERI I MIRË, I PUNËS SË MADHE, QË SHFAQEJ HERO… – Nga Pjetër META PËRPALAJ

 

 

Një lajm i papritur dhe i hidhur, që më preku thellë në shpirt sot, kur mësova lajmin e vdekjes të mikut e shokut tim, mikut të dashur të të gjithë nikaj-merturasve, mikut të të gjithë Tropojës që e kanë njohur, burrit më të njohur të Nikaj-Merturit prej një shekulli, e në shenjë si një Bajrak i gjallë, dallueshëm prej të tjerëve. Pinjoll i njërës prej dyerve më në zë i truallit të Deli Meshit, Sokol Met Meshi i fshatit Lekbibaj të fisit të Nikajve, të rrethit të Tropojës.

Ky lajm, ishte i hidhur dy fish sot për shokët e Sokolit, e veçanërisht për Fredin, djalin e Sokolit, shoku më i mirë i babait të tij, për vajzat e Sokolit, duke u ndarë prej nesh, në një kohë, kur asnjë prej nesh nuk mund ta përcjellim Sokolin tonë. O zot, sa i padrejtë u tregove që na e more Sokolin sot, kur ne, shokët dhe miqt të nuk mundemi me i dhënë lamtumirën e fundit! Pse u tregove kaq i padrejtë o Zot, kur Sokol Metës nuk po munden që t’ia kthejnë vizitën e tij në këtë lamtumirë të fundit, qindra e mijëra raste vdekjesh në rrethin e Tropojës e në të gjithë Shqipërinë, ku ai kishte parë gjatë dekadave.

Nuk gjej fjalë për të shkruar më shumë për Sokolin, pasi mendja ime është mpirë nga kjo vdekje e rëndë, por po iu postoj jetëshkrimin e këtij burri, që është pjesë e librit tim në proces mbi Nilaj- Merturin.

Ngushëllimet më të sinqerta djalit të Sokolit Fredit, vajzave, nipave e mbesave!
Pushofsh në paqe miku im i paharruar Sokol Meta!

SOKOL MET MESHI “MJESHTËR I MADH”

 

Sokol Met Meshi, lindi në fshatin Lekbibaj të fisit të Nikajve, më 25 tetor 1931. Mësimet e para i mori në Internatin “Kosova”, në Krumë të Hasit në Vitet 1937-42. Në vitin 1948-49, në shkollën Teknike të Ndërtimit në Durrës, në vitin 1957-59, ka mbaruar shkollën e Ndërtimit në Tiranë. Me vendim të Ministrisë së Ndërtimit nr 1638 ⁄1, datë 13.3.1968, i jepet titulli “Asistent Inxhinier” dhe me vendim të po kësaj Ministrie i jepet licenca për projektim e zbatim në ndërtim veprash hidroteknike dhe infrastrukturë rrugore.

Sokol Met Meshi i Nikaj-Merturit është burri me popullaritetin më të madh në rrethin e Tropojës. Ai ka një njohje të thellë në qytet e në fshat, në lagje e në ҫdo shtëpi tropojane. Dhe këtë popullaritet e ka shtrirë kaq gjerësisht, për të cilin fliten veҫ fjalë të mira e vlerësuese me shumë respekt, të cilat ai i fitoi me punë dhe sjellje prej burri me taban e me shumë karakter.
Sokol Meta nuk e ka njohur kurrë fjalën që burri nuk e ka nxjerrë nga goja, por gjithkujt dhe me cilindo burrë a grua, fëmijë a të rritur apo të rinj qofshin, u fliste ëmbël e me shumë njerzillëk, e nëse dikush (dhe ishin shumë), kishte nevojë për ndihmë, qoftë edhe materiale, Sokoli me ҫdo kusht ia zgjidhte domosdo. Për këtë burrë nuk mjaftojnë qindra faqe të shkruara, po të merren në konsideratë vlerat njerëzore që ai ka lënë në Tropojë kudo ka shkuar. Jo rastësisht Sokoli kishte këto tipare kaq pozitive. Ai është pasardhës i një familjeje me emër që 6 breza më parë, është i shtëpisë së Deli Meshit, dhe djali i Met Sokolit, i cili renditet ndër burrat e përmendur shumë për zgjuarsi, urtësi dhe bujari të Nikaj-Merturit e më gjerë.

Sokoli e filloi punën që në moshën 15-vjeҫare (1946). Shkon vullnetar në aksionin e parë të ndërtimit të rrugës Kukës-Peshkopi, aksion me të cilin ai kujton edhe vullnetarët e tjerë nga Nikaj-Merturi, Fran Lulushin nga Curraj Epër, Mus Tahirin nga B’tosha, Col Lulashin nga Curraj Epër e Gjelosh Kolën nga Perajt. Një vit pas 1947, ai shkon vullnetar në hekurudhën Durrës-Peqin. Në moshën 16 vjeçare dekorohet me “Medalje Pune”. Në këtë aksion është njohur edhe me tri heroinat e Mirditës, të cilat i ka pasur në brigadë.

Në vitin 1949, Sokoli fillon karrierën e punës. Emërohet teknik zbatimi në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë. Në vitin 1950, emërohet teknik (kryepunëtor) në hekurudhën Durrës-Tiranë dhe shef i mirëmbajtjes së saj. Në vitin 1952-1955, shkon ushtar e më pas nënoficer në ushtri, në repartin 3700 Tiranë.

Në vitin 1955-1957, emërohet teknik ndërtimi në kantierin e ndërtimit në B. Curri. gjatë vitit 1957-59, ai ka vazhduar Teknikumin e ndërtimit në Tiranë. Në vitin 1959-1968, ka qenë përgjegjës i investimeve për ujitjen e bonifikimin në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Tropojë.

Në vitin 1968-71 emërohet Drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit të rrethit të Tropojës. Në vitin 1971, emërohet Drejtor i Drejtorisë dhe Sistemimeve të rrethit të Tropojës. Në vitin 1988-91, emërohet Drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave e Bonifikimit të rrethit të Tropojës. Në vitin 1991, del në pension. Por Sokoli nuk heq dorë nga puna, jo për interesa ekonomike, por ai nuk e koncepton dot jetën pa punë. Ai u angazhua me firmat private, duke patur besim të plotë mbi aftësitë e tij profesionale, korrektësinë dhe kujdesin në punë. Ai punoi si As ⁄ zbatimi në vitin 1994-1996, në firmën “Dos Biberaj”, në vitin 1996-2000, në firmën “Mecina” dhe në firmën “Shqiponja”, 2000-2011, vit kur ai mbushi plot 80 vjeҫ, u largua nga puna me dëshirën e tij, duke mbetur tepër aktiv dhe i angazhuar me shkrime e lexime, me takime me shokë, miq në shëtitje të ndryshme. Emri dhe kontributi i Sokol Metës është i lidhur pazgjidhshmërisht me infrastrukturën ujitëse e bonifikimet e ndryshme dhe të ndërtimit të rrugëve. Ai vetë punoi me funksionet drejtuese në Komitet e Ndërmarje, por me talentin e tij ai piketoi rrugë, kanale, vepra bonifikimi e vaditje, projektoi shkolla, ҫerdhe e kopshte, magazine e shtëpi private, pra ai nuk “pushonte” as ditë e as natë. Kohën më të madhe e kalonte fshatrave e kantiereve ku punohej. Ai ishte si mysafir në shtëpinë e vet. Në rrethin e Tropojës e më gjerë janë qindra vepra të studiuara, të projektuara e të zbatuara nga As ⁄ Ing Sokol Meta (Meshi).

Në fushën e projektimit e zbatimit të veprave hidroteknike

Në vitin 1956-57, kanali vaditës Begaj, 40 km (8km shkëmb), me kapacitet vaditës 1000ha. Në vitin 1960, studimi (bashkautor) i skemës së ujitjes dhe bonifikimit të Tropojës për 10 vjet. Në vitin 1963, hartues e zbatues për rikonstruksionin e kanalit të Karriqes.

Viti 1964, studim e projektim për ujitje e bonifikim të fushës së Pacit, për 300ha e tre rezervuarë me aftësi ujitëse 290ha.

Në vitin 1966, studim dhe projektim për ujitje e bonifikim të fushës së Tplanit, për 600 ha, 20 km kanal e 1 rezervuar për 600 ha e 5 stacione elektropompash.

Në vitin 1967 studime e projektime për ujitje e bonifikim i fushës së Zogajve, për 250 ha, 10km kanal dhe 1 rezervuar për 500 ha.

Në vitin 1970 studim e projektim për ujitjen e fushës së Degës, për 250 ha, 7 km kanal dhe 1 rezervuar për 250 ha kapacitet.

Gjatë viteve 1973-1990, përveç këtyre, Sokoli ka kryer edhe studime për ndërtimin e 11 rezervuarëve vaditës në të gjithë rrethin, ngritjen e 19 stacioneve elektropompash dhe ndërtimin e 7 kanaleve vaditëse të rinj e rikonstruksionin e 5 kanaleve ekzistuese.

Ndërtimi i këtyre veprave që nga viti 1947 e deri në 90-ën, bëri të mundur futjen nën ujë të 8200ha toke në të gjithë rrethin e Tropojës, nga 800ha që ishin deri në vitin 1945. Për krijimin e këtij rrethi gjigand vaditës, si arterie të stërmëdha për të ujitur cep më cep tokat, veçojmë studimin e guximshëm të Sokol Metës dhe zbatimin e dy linjave të ujit. Së pari hapjen e 8 km shkëmb, për kanalin e Begajve, kur minatorët vareshin me litar nga lart poshtë, deri tek piketa në mes të shkëmbit, për të bërë vrimat e minave, vetëm me barominë e ҫekiҫ e më pas për t’i mbushur e ndezur ato.

Së dyti, studimi, projektimi e zbatimi i ndërtimit të kanalit Këlcyrë-Lezhë, duke instaluar me sifon ulje e ngritjeje 2900m tuba ҫeliku 600.

Si rezultat i kësaj pune, fshatarësia e rrethit të Tropojës në vitin 1982, prodhoi 86.000 kg drithëra buke, duke siguruar për gjithë vitin nevojat e bukës për 40.000 banorë.

Në fushën e studimit, projektimit e zbatimit të infrastrukturës së rrugëve:
Në vitin 1945, as Tropoja e as fshatrat rreth saj nuk kishin rrugë makine. Kurse në vitin 1991, me përjashtim të Currajve të Epër e Brisës, të gjitha fshatrat lidheshin me rrugë makine. Të gjitha ato studimet, projektimet dhe zbatimet për ndërtimin e rrugëve në rrethin e Tropojës i ka bërë dora dhe mendja e As ⁄ ing Sokol Metës.

Citojmë: 1955-56, rruga Sopot-Tropojë, 1967 B.Curri-Qafë e Kolҫit-Lekbibaj (33 km), 1969 Gri-Tpla, 12 km e më pas në të gjitha fshatrat e rrethit të Tropojës, deri edhe në lagje. Sokoli bëri edhe studimin e rrugës për në Curraj Epër, për në Lumë të Goshit e Doberdol dhe rrugën Salcë-Brisë. Si përfundim Sokol Meta përmbyll 60 vite punë studimore, projektuese dhe zbatuese, ndërtuese e drejtuese. Për këtë ai është vlerësuar e nderuar me dekorata, urdhra e medalje si një vazhdimësi e pandërprerë meritash për punë të dobishme në shërbim të shoqërisë. Në vitin 1947 “Medalje Pune”, 1954 “Medalje e 10-vjetorit të Ushtrisë”, në vitin 1958 “Urdhër Pune”, në vitin 1981 “Urdhër me rastin e 40-vjetorit të PPSH”, Në vitin 1989 “Urdhër i Flamurit të Kuq të Punës”, në vitin 2011 “Qytetar Nderi i Qytetit B. Curri”, në vitin 2015 “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”.

Në vitin 2017 Presidenti i Republikës i akordon titullin “MJESHTËR I MADH”
Sokol Meta si njeri me shumë vlera, i cili la pas brezave gjurmë të një njeriu shembullor dhe i punës, u bë objekt i shumë shkrimeve e përshkrimeve që nga monografia e autorit Zef Doda, me titull “Sokol Meshi, Njeriu i Punës” e më pas Ali Lushaj, Mehmet Doҫi e Ibrahim Kadria. Zef Doda në librin e tij shkruan: “Sokol Meshi është njeriu tipik që mund të thuhet se ka shumë jetë brenda një jete. Duhet të ndjesh kënaqësi për sukseset e tij të punës, që pastaj të shfaqet hero me tërë madhështinë e dukurive të saj.”

PUNA E PALODHSHME E MËSUESIT YMER ADEM LLUGALIU,ME GJURMË TË PËRJETSHME NË MENDJET DHE ZEMRAT E MIRDITORËVE – Nga ARIF EJUPI

 

Ymer Adem Llugaliu, si njëri nga pedagogët më të dalluar të brezit të tij dha gjithçka nga vetja në ngritjen dhe arsimimin e të rinjve të Beratit, Mirditës, Elbasanit dhe Llapit.

 

Luan Rama, zëvendëskryetar i LSI- së, pas 44 viteve takon ish- mësuesin e tij, disident Ymer Adem  Llugaliu

Ymeri i lindur më 11 shtator të vitit 1936 në Surkish të Podujevës, qysh si nxënës i fillores bije në sy me njohurit e tij të gjithanshme .

Prirjet e tij të theksuara në Gjuhë, Histori, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji dhe Art, u vlerësuan lartë edhe nga arsimtarët e tij të progjimnazit të atëhershëm të Podujevës si:Sabit Kapiti,Nexhmi Sejdiu, Ibrahim Demolli, Abdyl Sokoli, Hasan Shala, Ali Zeneli, si dhe nga vet drejtori i përgjithshëm i kësaj shkolle Tadej Rodiqi, që para një viti kishte ardhur nga Prizreni në Podujevë.

Arratisja e paparalajmëruar e Llugaliut përtej Bjeshkëve të Nemuna,pikënisjen e pati nga një debat i nxehtë me arsimtarin e shkollës së Mesme Zhikica Jovanoviq, i cili jepte Gjuhën serbe.

Jovanoviq, në një orë mësimi kishte thënë “Kam përshtypjen që Gjuha shqipe, është një përzierje  shumëgjuhësore çfarë lë me dyshue, a mundet me u quajt gjuhë në vete, apo jo. Ka latinizma, ka turqizma, ka serbizma, ka…”

Në formë kundërshtimi Ymeri kishte thënë jo- jo mësues gabim e keni.Pjetër Budi, librin“Doktrina kristiane”e ka shkruar qartë dhe pastër në gjuhën shqipe, qysh më 1618.

Ai,madje e ka pasuruar gjuhën edhe me neologjizma të burimit shqip, 49 vjet më herët se Johon Milton, gjuhën angleze me poemën “Parajsa e Humbur”.

Duke menduar që debati mësues- nxënës duhet të jetë i shëndosh dhe konstruktiv Ymeri, kishte vazhduar diskutimin e tij me gjuhën e argumenteve.

Ai kishte thënë: ”Mësues nga hulumtimet e mia shoh që serbishtja juaj është tamam një gjuhë laramane me rusizma, bullgarizma të dyja varianteve egjeiane dhe gjevgjeliane, si dhe me mishmashin e gjuhëve të tjera sllave.

Jovanoviq i revoltuar dhe i pakënaqur me debatin,Ymerin e paraqet në Drejtorinë e shkollës,si nxënës provokator dhe me pikëpamje nacionaliste.

Ai mbase do ta denonconte edhe në Polici, por se lejonte sedra e sëmur dhe inatçore me pohuar që në debate me nxënësin e tij çdoherë dilte humbës. Urrejtja e papërmbajtur e shovenve serbë del në shesh me arrestimin e arsimtarit të Historisë,Ibrahim Demolli, nga UDB-ja.

Ai  ishte arrestuar vetëm pse i kishte bërë vërejtje tekstit të Historisë,për klasën e – lll- të,në të cilin fillim e mbarim ishte falsifikuar origjina e shqiptarëve autokton.

Ymeri lajmin mbi arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, e kishte pritur me dhembje dhe indinjatë të thellë.

Ai druante që fare lehtë mund ta ketë fatin e mësuesit të tij,të cilin për reagimet e tij konkrete dhe në kohë e quante edhe si mësues “Shtylla”.

Kjo ndjenjë pasigurie dhe mosdurimi ndaj shovenëve serbë e pati detyruar Llugaliun,ende adoleshent që të kalojë në tokën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut me origjinë nga Kastri i Hasit të Prizrenit, me banim në Mat, me ngadhënjimin në Krujë, që shekullin  e – XV- e bëri EPOKË  të  ARBANISË.

Llugaliu,që i hypi krahut të ëndrrës dhe kaloi matanë maleve i bindur që edhe ai është një krah shqipje regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku vitin e parë të studimeve e kryen me sukses maksimal.

Me gjithë rezultatin e arritur në Mjekësi,atë vazhdimisht e tundon dëshira e papërshkruar për të studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe.

Inspirimin për studim të mirëfilltë dhe me rrënjë të Gjuhës,historisë dhe kulturës shqiptare ia ngjalli  përçmimi dhe urrejtja që shovinistët serbo- sllav, i bënin Gjuhës shqipe, dhe popullit të robëruar shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë lindore.

Pas përfundimit të studimeve me sukses shembullor Ymeri,priste që të bëjë punën e ndihmës profesorit (asistentit) në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Mirëpo,një ditë fundgushti atij pa kurrfarë paralajmërimi i jepet urdhëri që të shkojë në Krahinën më të prapambetur dhe më të persekutuar të vendit, në Mirditë.

I njohur me virtytet e tij prej burri dhe pedagogu profesionist plot nëntë vjet punon në shkollën e Mesme në Rrëshen,dhe në atë Tetëvjeçare në Kurbnesh.

Llugaliu përkundër kushteve të vështira për punë detyrën e tij të mësuesit të Gjuhës Shqipe,dhe letërsisë,siç ishte emërtuar kjo lëndë atëherë e kryente me mjaft sukses.

Ai duke e konsideruar arsimimin e brezave si burim drite, edhe në kohën kur ishte student kishte punuar si mësues i së njëjtës lëndë 15- 16 muaj, edhe në Berat.

Me përvojën e tij të gjatë ai ishte në gjendje që nëpërmjet procedurave të testimit ta bëjë edhe matjen e inteligjencës të secilit nxënës.

Po ashtu llogaritjen e pikëve për notë e bënte saktë dhe pa i hyrë askujt në hak.Vazhdimisht nxënësëve të tij ua përsëriste thënien “Shumë shpejt e keni kryer punën,nëse e keni kryer si duhet .”

Llugaliu,përveç aftësive intelektuale dhe organizimeve dallohej edhe për respektimin dhe dashurinë e treguar ndaj malësorëve të Mirditës .

Mania e pansllavistëve kokëbosh dhe klysh të Stalinit nëprmjet “fabrikave”të llojit kovaçhane  banorët e kësaj zone i detyronte të bëjnë punë skllavi si në feudalizëm.

Ata që kundërshtonin shpalleshin armiq të popullit, dhe përfundonin në kampe internimi,ku vite më radhë thanin këneta e moçale.

Grupi tjetër i “vullnetarëve”amator ndërtonte“pallate”me qerpiç e baltë. Çdonjërit veç e veç, apo si kolektiv për një normë të parealizuar i avullonte jeta.

Këtë diktaturë ekzemplar tmerri disa të verbëruar e atoparlant të monismit e përshkruanin si parasë,vetburgimin liri, diktaturën demokraci .

Kurse,Hoxha gjirokastritin pejgamber,sepse kështjellën e rrezistencës së Gegnisë,të ndërtuar me djersë e gjak nga Buzuku, Bardhi, Bogdani, Budi, Veqilharxhi, Pashko Vasa, Mjeda, Fishta e Migjeni etj, e kishte bërë rrafsh me tokë, nga frika që pasardhësit e tyre po e lidhnin Arbanin me Vatikanin dhe Përendimin.

Llugaliu si bir i traditës kësaj çmendurie paranoiake i kundërvihet me vargjet revoltë të Migjenit”: Oh,si s’ po kam nji grusht të fuqishëm Malit( diktaturës) që vret mu në zemër me ia ngjesh”.

Më 10 nëntor të vitit 1976, nën pretekstin e “ Agjitacion propagandës”Llugaliu u arrestua dhe u dënua me tetë vjet heqje lirie.

Arrestimit të tij i parapriu spiunimi i një “kolegu“në eskursionin me nxënës në Pllajën e Valmorit.

Ai e kishte provokuar mësueses Ymerin,duke i thënë : – Or kosovar si të duket Valmori ?…

Ymeri,modest dhe pa u mburrur këtij të shituri që ishte si gacë e mbuluar me shumë shtresa shpuze iu kishte përgjigjur:” Valmori është i bukur, ama shumëfish më e bukur është Fusha e Kosovës”.

Të nesërmën “kolegu”i tij, një kuisling që regjimi diktatorial e kishte bërë rregëzinë, duke sajuar edhe njëqind gënjeshtra të tjera, raporton tek padronët e tij të Sigurimit të Shtetit.

Pastaj,ata bëjnë atë që s’ kishte arritur ta bëj vëllai i tyre ideologjik Zhikica Jovanoviq. Llugaliun e mbyllin në burgun e Spaçit . Atje i ballafaquar çdoherë me uri dhe etje detyrohet që të kryejë punët më të rënda fizike.

Pas daljes nga burgu rehabilitimin e tij dhe avancimin në pozita,diktatorët gardianë të ferrit të kuq komunist e kushtëzojnë me kërkesën që ai me shkrimet e tij të glorifikoj Kryediktatorin, duke i thurur  në të njëjtën kohë elozhe edhe kolektivizimit të vendit, që ishte kthyer në varr të hapur të shqiptarëve.

Llugaliu guximtar dhe frontal,siç janë zakonisht malsorët kësaj oferte i bën refuzim të dyfishtë,jo për mungesë talenti,por nuk donte me u bë në asnjë mënyrë nallban për me mbadh kuaj të xhelatëve komunistë, të cilët gjatë 50 vjetëve- shekuj likuiduan figurat më të ndritura të kombit tonë.

Pas këtij refuzimi atij gojën ia mbyllin e lapsin ia kthejnë në kazmë,duke e izoluar dhe internuar në zona të thella malore, ku nëntëmbëdhjetë vjet rresht, nuk i lejohet kontakti me njeri.

Atë ushqim të paktë dhe pagrimë shije të shumtën e herëve ia hudhnin nëpër sportelet e thurura me thupra hekuri sikur luanit në kafaz.

Edhe pse ishte me qafë nën shpatën e Demokleut, alias Diktatorit, Enver Hoxha, më 13 gusht të vitit 1983,ai bëhet shembull guximi dhe besnikrie. Me katër- pesë shokë e bën varrosjen e disidentes së parë Shqiptare, Musine Kokalari, e cila kishte vdekur në vetmi dhe vuajtje të paimagjinueshme në një kasolle të Rrëshenit .

Pas përmbysjes së Diktaturës, Llugaliu një ditë të vonuar pranvere kthehet në vendlindje, ku e kishte lënë të ndryme rininë e tij të hershme.

Atij i bëhet pritje madhështore. Surkishi ato ditë ishte vend pelegrinazhi, i të gjithë llapjanëve.

Pushtuesit serbë që ishin instaluar në hyrje të këtij fshati me të kuptuar se Llugaliu,ishte kthyer në Dardani,në tokën e të parëve të tij, e arrestojë dhe ia plaçkisin të gjitha peshqeshet, dhe të hollat e dhuruara nga familjar, shokë e miq.

Pas katër- pesë ditëve e dëbojnë matanë kufirit të vendosur me dhunë e gjak. Llugaliu që ishte flijuar  për Shqipërinë Etnike, shkon në Elbasan, ku fillon punën e mësimdhënësit të Gjuhës Gjermane në shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja.

Po ashtu kontribuon në të gjitha lëvizjet për liri dhe demokraci të Shqipërisë. Më gjithë ferrin e përjetuar Llugaliu, pedagog dhe krijues më 1993, e boton në “Eurorilindja” Tiranë, librin me poezi,,Luani i Prishtinës”. Pas këtij libri ai ka botuar edhe shtatë- tetë libra të tjerë me temë nga historia,kultura dhe gjuhësia.

Sidomos vëmendjen e atyre që studiojnë Gjuhë shqipe,e kanë zgjuar librat me analiza të ngjeshura nga Fonetika, Morfologjia dhe Sintaksa” Gjuhësi e letrarizueme” dhe ai “ Ma i lashti dhe ma i riu”

Llugaliu, fondin e tij krijues e pasuron edhe me fejtone të shumta të botuara në Gazetat e ditës dhe ato javore në Shqipëri e Kosovë.

Po ashtu është më rëndësi të theksohet që ai më 2005, pati botuar studimin dygjuhësor shqip- anglisht“Pretendimet serbe rreth Kosovës dhe realiteti kosovar”. “ Serbian claims about Kosova and kosovarian reality “.

Ymer Llugaliu, edhe pse në moshë të shtyrë posedon potencial të pashtershëm krijues. Ai ka në dorëshkrim edhe disa tema nga fusha e Gramatikës së Gjuhës shqipe, ku së shpejti pret botimin e tyre të përmbledhur në një libër.

Mirditorët edhe pse ka kaluar gati gjysmëshekulli ndihen krenar me ish- mësuesin e tyre të mrekullueshëm Ymer Adem Llugaliu.

Ata të nxitur nga respekti i pakufishëm ndaj tij nëntorin e vitit të kaluar në mënyrë të organizuar e patën vizituar atë në fshatin e tij të lindjes Surkish të Podujevës.

Ngjashëm me shokët e tij veproi dhe politikologu e publicisti i njohur Luan Rama. Ai me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit,erdhi enkas nga Tirana, në Llap, për t’i shprehur mirënjohjen dhe konsideratën  e tij, për punën e shkëlqyer mësuesit dhe disidentit Ymer Adem Llugaliu.

Llugaliu,ndihet shumë i nderuar nga këto vizita të ish- nxënësve të tij, ngase ato janë prova më e mirë që veprën e tij s’mundi me zhduk e as me hijezue diktatura komuniste .

 

ARIF EJUPI

Rusia e quan manipulim të Prishtinës heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe

Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate, ka shprehur qëndrimin lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës në detyrë, për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e masës së reciprocitetit.

“Autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të manipulojnë me temën e heqjes së tarifave doganore 100 për qind për mallrat nga pjesa qendrore e Serbisë, të cilat u vendosën në nëntor 2018, dhe rezultuan që procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës të ndalet”, thuhet në deklaratë.

Nga 1 prilli, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës.

Në rastin e Serbisë, atë e ka zëvendësuar me masa reciprociteti, kurse ndaj Bosnjës nuk ka marrë ndonjë masë shtesë.

Por për autoritetet ruse ky vendim është “një gjest tjetër i demagogjisë së ushtruesit të detyrës së kryeministrit, Albin Kurti”.

“Kështu, kosovarët nuk e kanë zbutur qëndrimin, ashtu siç u kërkuan mbrojtësit e tyre perëndimorë, por përkundrazi i forcuan parakushtet e tyre. Është thënë se edhe Uashingtoni, i cili mbështet plotësisht ‘pavarësinë e Kosovës’, ishte kritik për veprimin e fundit të Prishtinës. Ky veprim me qëllim e vonon mundësinë e rifillimit të dialogut me Beogradin”, thuhet në deklaratë.

Rusia e quan të çuditshëm edhe reagimin e Bashkimit Evropian, pasi që, siç thuhet BE-ja “duhet të përgjigjet me një vlerësim të matur të situatës pa favorizuar asnjë nga palët”.

Moska kërkon nga autoritetet e Kosovës heqjen pa kushte të masave ndaj Serbisë.

Tarifa ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga qeverish e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Masa ishte marrë për shkak të, siç thuhej, fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kundër pavarësisë së saj.

Për shkak të tarifës, Beogradi pezulloi pjesëmarrjen në dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovës, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe dhe vendosjes së masës së reciprocitetit, nga ana e qeverisë në detyrë të Kosovës, Bashkimi Evropian e ka mirëpritur këtë hap.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19”, tha ai në Twitter.

Por, Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, thanë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika i lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngufatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. rel

Majlinda F. Keta, letër publike për gazetarët shqiptarë: ju faleminderit që nuk e latë informacionin të futet në karantinë!

Massmedia Word Cloud News Concept Vector | Royalty-Free Stock Image

Javë plot shëndet dhe të paqme paçim brenda dhe jashtë shtëpive tona!

Sot mund t’i japim një urim shëndetit të gazetarëve që në kushte jo si tonat, që rrijmë në shtëpi, janë në terren, redaksi, nga shtëpitë e tyre vetëm e vetëm që informacioni për ne të mos futej në karantinë, “të mos i fikeshin dritat” e mendjes dhe syrit tonë në një ditë që pa ju nuk do të di si mund të ishte.

Tek ju është mendja jonë, syri, por tek ju “shohim” edhe kur mendja përhumbet…. Mbi të gjitha ju jeni përpara syve dhe shpirtit të fëmijëve me shumë forma, nga argëtimi tek lajmi e mësimi.

Tashmë e kemi pranuar të gjithë që edhe nga ju varet ruajtja e shëndetit tonë, sidomos ai mendor, mbase tashmë më i rëndësishmi për javën që nisëm.

Karantina ndryshoi ditën tuaj profesionale në çdo komponent, sjelljet por dhe profesionin tuaj. Ashtu si mësimi online e arsimit ju hyni prej kaq javësh si asnjëherë në aq shumë orë në ditët dhe shtëpitë e çdo shqiptari.

Shqipja përmes jush u bë kuratore e kësaj karantine dhe falë jush ajo solli botën anticovid tek ne. Kjo mundësohet nga ju dhe vetëm nga ju.

Falë jush ne kemi njohur EDHE se sa shumë studjues dhe mjekë paskëshim patur nëpër botë… dhe ne sot i “gëzojmë” ekspertizat e tyre online?! Ju i kërkoni, i gjurmoni që së bashku të shtoni kujdesin për ne.

Kujdes për veten tuaj gazetarë të nderuar, shëndeti juaj është shumë i vlefshëm dhe për ne, mos neglizhoni masat mbrojtëse se pas pune ju jeni në familjet tuaja, jeni të shtrenjtët e tyre.

Speciale janë urimet për shëndetin e zonjave të medias në terren, redaksi, studio dhe online.

Ju lutem vijoni të sillni lajmin me të vërtetën që vetëm instikti i nënës nuk e gabon; me shpirtin e nënës që i mendon të gjithë dhe i dhembin të gjithë, por dhe me “ëmbëlsinë” e gjuhës që vetëm nënat dijnë ta prodhojnë ndonëse hidhësia mund të jetë shijuar nga ajo e para.

Shëndet dhe respekt për ju gazetarë!

Elida Buçpapaj
Luli Progni
Artur Nura
Çerçiz Loloçi
Manjola Arizaj Zeka
Matilda Bega
Ermenita Stafa Njuma
Ilirian Agolli
Mimoza Picari
Erikleda Dorezi
Esmeralda Keta

etj.etj.

Amazonat shqiptare përkrah titanëve të lirisë për çlirim kombëtar – Nga AZGAN HAKLAJ

 

Kryengritja e vitit 1911, prologu i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Kruja e dytë Vlona e parë, Ded Gjon Luli flamurtar.

Fundi Kristian i dragojëve të shqiptarizmit Ded Gjon Luli dhe Isa Boletini, në kurthin e shtrigave esadiste dhe pusitë e krajlëve të Serbisë dhe Malit të Zi.

Revolucioni Xhonturk që filloi në korrik të vitit 1908 ishte një lëvizje borgjeze që lindi në Perandorinë Osmane, e cila nuk kishte synim ndërmarrjen e reformave liberale siç është trumbetuar atë kohë.
Jo aspak.
Ajo vërtet drejtojej kundër absolutizmit të Sulltan Abdyl Hamidit por qëllimi kryesor i programit të turqëve të rinjë ishte forcimi i pushtetit të centralizuar të Perandorisë multietnike mby popujt që i sundonte prej disa shekujsh dhe nuk konsideronte çështjet nacionale të tyre, por paprekshmërinë e dinastisë Osmane, ruajtjen e unitetit të saj, me kushtin që pushteti arbitrar absolut të zëvendësohej me një monarki kushtetuese parlamentare.
Filozofia e programit të tyre mbështetej në osmanizmin, panturkizmin, pansllavizmin, një lidhje organike kjo ortodokso- otomane, për shkak të lidhdhjes së gjakut mes Sulltan Muratit dhe Brankoviçit.
Historia na mëson se edhe Perandoria Romake, me vonë ajo Bizantine t’huajsoj kulturën helene, dmth u ortodoksizua.
Programi i turqëve të rinjë u hartua nga grupi i Ali Rizajt.
Shqiptarët e mbështetën lëvizjen xhonturke me shpresë se do të perfitonin nga situata e krijuar.
Iluministët tanë me dt 14- 22 nëntor të vitit 1908 organizuan Kongresin e Manastirit, të njësimit të Gjuhës Shqipe ku u formësua Identiteti kulturor shqiptar, si premisë e Shtetit Komb, që ishte farkëtuar në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ripërtëriu Epokën e Lavdishme të Gjergj Kastriotit (Skënderbeu), tri dekada më parë atëkohë para këtij Kongresi.
Ata kishin besim të madh e ishin shpresëplotë së do të realizonin ëndrrën nacionale sepse tashmë perfaqësoheshin në Parlamentin e Turqisë me 26 personalitete.
Mirëpo turqit e rinjë vendosën masa të reja, të egra ,shtrënguese ndaj shqiptarëve të cilët ishin të ndarë në katër vilajete qysh pas përfundimit të reformave të Tanzimatit dhe riorganizimit të Perandorisë Osmane në vitet 1864-1868.
Masat e reja centralizese, taksat e dyfishta, rekrutimi i detyrueshëm ushtarak, çarmstosja me dhunë e popullsisë, ndjekjet policore ndaj klubeve e rretheve patriotike shqiptare, reaksioni i xhonturqëve kundër shkollës e shkrimit shqip të ndërmarra nga Xhavit Pasha i acaroj marrëdheniet mes shqiptarëve e turqëve.
Këto veprime të ndërmarra në muajt e parë të vitit 1909 e nxitën Isa Boletinin të ndërmerrte një inkursion për të bindur liderët shqiptarë që të organizonin një tjetër kryengritje.
E kështu filluan aksione guerilase ndaj kazermave e stacioneve ushtarake turke.
Me dt 3 prill të vitit 1910, tek verrat e Llukës mbi 3000 luftëtarë të udhëhequr nga Isa Boletini, Shaban Binaku e Sylejman Botusha u besatuan për të vazhduar kryengritjen ushtarake.
Kjo Kryengritje gjeti mbështetjen e 13 deputetëve shqiptarë në Parlamentin Osmanë.
Kryengritja që plasi në gjysmën e dytë të prillit pati dy vatra të fuqishme, në rajonin e Mitrovicës e udhëhequr nga Isa Boletini dhe në rajonin e Karadakut të udhëhequr nga Idriz Seferi.
Në keto luftime u shqua edhe trimi nga Drenica Azem Galica.
Sulmet mbi osmanët në Prishtinë, vrasja e komandantit osman në Pejë, bllokimi i Hekurudhës së Shkupit, në Grykën e Kaçanikut çoj në shpalljen e ligjit ushtarak në këtë zonë.
Përpjekjet e deputetëve shqiptar Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Naxhip Draga etj për ťë parandaluar ekspeditën ushtarake nuk pati rezultat as ne parlament por as në orvatjet diplomatike tek fuqitë e mëdha.
Lufta u ndez e egër e gjakatare.
Për disa ditë kryengritësit korrën suksese të jashtëzakonshme në luftën e ashpër e të pabarabarë me pushtuesit shekullorë të trojeve të tyre.
Ashpërsinë, tragjizmin, vetëmohim, qëndresën titanike të dragojëve të lirisë e amazonave shqiptare e përshkruajnë vargjet lapidare.
“Ka kris pushka s’i n’Karadak
Gur e dru janë la me gjak
Kaçanik o gur i thatë
Me thika luftojnë gratë.
Kaçanikut i raftë pika
Shtat sahat janë ther me thika
Ç’ka kanë retë që po votojnë
Dy dragojë sot po luftojnë
N’Kaçanik e n’Caralevë
Isa Begu me Idriz Seferin”.
Ushtria turke e stërmadhe dhe e armatosur rëndë komandohej nga ministri i luftës Mahmut Shefqet Pasha i cili u detyrua të vihej vetë në krye të operacionit.
Kryengritja antiosmane u përhap edhe në zanat e tjera.
Një divizion i ushtarëve osmanë i udhëhequr nga Turgut Pasha u përball në luftime të rrepta me malësorët e Gashit dhe të Krasniqes të udhëhequr nga Bajram Curri, Adullah Hoxha, Shaban Binaku, Shpend Zeqir Haklaj në mesin e qershorit të atij viti të cilët ishin bërë barrikadë e pakapërcyeshme në Qafë të Morinës.
Turqit ndoqën një taktikë tjetër, u sollën e u dolën përmbrapa çka i detyroj kryengritësit të terhiqeshin dhe për disa ditë më radhë beteja u zhvendos në kodrat e haklajve.
Ushtarët mizorë të hordhive turke bombarduan me artileri të rëndë Gashin e Gurit por trimat e udhëhequr nga Abdullah Hoxha e Shpend Zeqiri nuk i lëshonin Istikamet.
Gashi historikisht ka qënë barrikada e parë e invadorvëve të shumtë që kërkonin pushtimin e Malësisë së Gjakovës.
Këto beteja i ka skalitur populli në këngë:
“Ku po del kjo flakë e verdhë
Gashit t’Gurit si përhërë
Gashit t’ Gurit rena- rena
I ka djemt me nga shtat zemra, ( Bajram Rama me shtat zemra).
Apo vargjet e shkëputura nga kënga kushtuar Kryengritjes së vitit 1910:
“Sadri Bardhi të madhe briti ( thirri)
Po ku je Halil Brahimi
L’sho kushtrimin tek Shpend Zeqiri”.
Shpend Zeqir Haklaj kishte qenë komandat i formacioneve luftarake të Gashit në Betejën e Shtimes të Lidhjes Shqiptare të Prizrénit ku dhe është plagosur rëndë me dt 21 prill të vitit 1881,aty ku u bë njësh me grykën e topit gjoksi shkëmb i Mic Sokolit.
Në betejat e tmerrshme, ato ditë të dhimbshme Shpend Zeqiri luftonte bashkë me të bijtë.
Ra në fushën e nderit nipi i tij Man Arifi, ( Haklaj) sot deshmor i Atdheut.
Pak kohë me parë në betejat trup me trup me hordhitë turke, atëkohë në Hereç të Gjakovës Shpendi e kishte humbur kushëririn Zmajl Plak Haklaj, i nderuar me Medaljen e trimërisë së bashku me Shpendin për sherbime të larta ndaj Atdheut, me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Edhe pse betejat në kodrat e haklajve ishin të ashpra trimat nuk u dorëzuan.
Turgut Pasha pasi bombardoj dhe bëri shkrumb e hi Gashin u nis për në Nikaj- Mertur me qëllim të depertone për në Shkodër nga Qafa e Agrit.
Që në javën e parë të korrikut trupat osmane u gjëndën përballë forcave të udhëhequra nga Prel Tuli në Qafěn të Kolçit dhe nga krahu tjetër dolën djelmnia e Dukagjinit të prirë nga Mehmet Shpendi.
Turgut Pasha u detyrua pas disa ditësh ngujimi mes qafave të Kolçit dhe asaj të Agrit nga dt 10 -24 korrik të kthehet i mundur e i turpëruar edhe njëherë nga kishte ardhur për të gjetur një rrugë tjetër drejt Shkodres, atë nga Puka, ku në fakt ashtu ndodhi.
Pas rezistencës disa mujore kryengritja e vitit 1910 u shtyp me zjarr e hekur por kurrë deshira e zjarrtë për liri e çlirim kombëtar.
Ndonëse mbeti brenda Vilajetit të Kosovës, edhe pse u shtri edhe në zonën e Pollogut nuk pati sukses për shkak të epërsisë numerike dhe armatosjes së rëndë të ushtrisë turke
Kjo Kryengritje nga shtypi botëror i kohës u quajt revolucioni i parë i shqiptarëve kundër xhonturqëve.
Perandoria turke vazhdoj një ekspeditë mizore ndaj kryengritësve shqiptarë.
Ashtu siç pati vepruar Dervish Pasha me Sef Kosharen pasi e kapi të plagosur e vari në majë të lisit dhe e la tre ditë për të tmerruar njerëzit pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kështu edhe xhonturqit varën dy protagonistë të Kryengritjes së vitit 1910, tek Ura e Tabakëve Gjakovë, Adullah Hoxhën e Gashit dhe Shaban Binakun e Krasniqes nga Malësia e Gjakovës të cilët i thirrën për bisedime dhe i prenë në besë.
Populli i Malësisë së Gjakovës dhe krejt Kosova i ka përjetësuar në pavdekësi me vargjet memoriale:
“Haj medet po ban Kosova
Sot po varet Adullah Hoxha
Haj medet po ban konaku
Sot po varet Shaban Binaku
Shaban Binaku si gjylja e topit
Me duhi (ushtimë) po i shkon konopit (litarit).
Turqit e rinjë e thyen Kryengritjen e vitit 1910, por tek shqiptarët e forcuan ndjenjën e zjarrtë për liri e pavarësi dhe e rritën besimin e shpresën për fitore.
Mirëpo edhe Revolucioni Xhonturk dështoj në modernizimin dhe konsolidimin e Perandorisë Osmane.
Të drejtat e shqiptarëve u shtypën në katër vilajetet.
Dhuna më e egër u ushtrua në Malësinë e Madhe.
Por populli shqiptar megjithëse i vogël nga numri, por i madh nga morali dhe trimëria nuk ia ndali pushkën kësaj supërfuqie që shtrihej në tri kontinente.
Shqiptari asnjëherë nuk u pajtua me robërinë, sepse e don me gjithë zemër Atdheun e përbashkët kudo që ndodhet në Botë dhe është i gatshëm për të dhanë jetën për lirinë e pavarësinë e tij.
Deshmi e gjallë për këtë qendresë është lufta heroike e Malësisë Madhe e udhëhequr nga Ded Gjon Luli, e cila filloi me dt 24 mars në vitit 1911, ku përfshiu shtatë bajraqet e në një kohë rekord, prej dy javësh në luftime gjakatare ku mbetën shumë të vrarë e të plagosur ja doli të kurorëzojë me sukses ngritjen me dt 6 Prill në Bratilë, Deçiç të Flamurit Kuqezi të Gjergj Kastriotit, në vend të flamurit të sulltanëve të Turqisë që na kishin sunduar një kohë të gjatë, për pesë shekuj na kishin mbajtur në robëri.
Populli e ka skalitur bukur këtë vepër madhështore në refrenin e këngëve:
“Kruja e dytë Vlona e parë
Ded Gjon Luli flamurtar”
Apo, “O flamur o bajrak shqiptaria t’lau me gjak
O flamur o flamur, Ded Gjon Luli t’mbajti n’dur”.
Plaku i maleve është cilësuar nga Babai i Pavarësisë Ismail Qemali “Pushkë e ngrehur për Shqipërinë”.
Sot pas 109 vitesh kujtojmë veprën sublime të Dedës, familjes së tij, udhëheqësve të tjerë e deshmorëve të kësaj kryengritje, Çun Mulës, Marash Ucit, Nik Gjelosh Lulit, Pal Troboinit, Smajl Mustafës, Sokol Bacit, orëve të maleve shqiptare që luftuan përkrah titanëve të lirisë Tringë Smajles e Norës, gruas së të birit Kolës, apo “Djalit të mirë të babës” siç e thirrte Deda me perkedhelëri” këtë trimneshë që ishte pagëzuar me emrin e Norës së Kelmendit, e cila në luftën e vitit 1638-1639 guxoj ta godiste në çadrën e tij pashain turk nga Bosnja dhe me vonë ta vriste në duel.
Nora qe pagëzuar me emrin e Norës Kelmendit, Zhandarkës Shqiptare që përsëriti aktin heroik të Shqiptarit nga Drenica Millosh Kopiliqi kur vrau Sulltan Muratin e parë në Betejën e FushëKosovës të vitit 1389.
Tringa e Nora luftuan trimërisht siç pati luftuar Kajë Gal Selmani, motra e Zhuj Selmanit për kater dekada për liri përkrah burrit Maliqit dhe djemëve të saj që nga Beteja e Nokshiqit të vitit 1879, në vitet 1912- 1913, 1918 -1919 për mbrojtjen e trojeve shqiptare, akteve heroike të secilës populli u këndon:
“Motra e Zhujes qafë Kaprisë
Katër shkie i ka pre sakicë”.
Siç luftoj nusja e maleve Shote Galica përkrah Azemit, e cila mori pjesë në 40 aksione kundër pushtuesve të ndryshëm.
Sa herë të kujtohet Ismail Qemali do të kujtohet edhe Marigoja që e qendisi Flamurin Kuqezi por edhe Bratila ku ai u ngrit për herë të parë i lirë dhe krenar pas pesë shekujsh robëri.
Vargu i trimave të Malësisë që luftuan e deshmorëve të lirisë që dhanë jetën është i gjatë prandaj nuk mjaftojnë këto rreshta për të shprehur respektin e mirënjohjen për veprën e tyre sublime.
Lavdi të përjetshme deshmorëve të Kombit.
Kjo lëvizje e armatosur ka një rol kyç në realizimin e programit politik për finalizimin e Kauzës Nacionale ťë shqiptarëve.
Ajo shkaktoi panik tek autoritetet turke në Shkodër.
Pashallaret e Sulltanit Bedri Pasha, Turgut Pasha e Ethem Pasha dështuan në përpjekjet e tyre dredharake për ti përëçarë shqiptarët duke e emërtuar levizje katolike brenda vilajetit të Shkodrës Kryengritjen e vitit 1911, duke i etiketuar udhëheqësit e saj si vegla të Krajlit të Malit të Zi, si dhe me ofertat komprementuese me para ndaj udhëheqësve të saj e konkretisht ndaj Ded Gjon Lulit.
Burri i magjes së miellit do ti pergjigjej solemnisht Bedri Pashës:
“Nuk jam postermë me u ter në trinë”.
E i kthehet të birit, Kolës:
“Shko tek kojshitë e na merr hua një magje miell”.
Popullsia myslimane e shpërfilli këtë propagandë.
Kryengritja përfshiu menjëherë të gjitha krahinat e Malësisë së Madhe.
Numri i kryengritësve arriti 3000 dhe qysh me dt 28 mars e morën Tuzin.
Këtë ditë pati të vrarë disa shqiptare e shume të plagosur por armikut i kishin shkaktuar shumë të vrarë e të plagosur dhe u kishin ngjallë tmerrin.
Kudo zhvilloheshin luftime të ashpra.
Kryengritësit shqiptare ishin nën goditjen e forcave të Bedri Pashës dhe Turgut Pashës që vinin nga Lezha e Shkodra dhe nga mbrapa nga forcat e Ethem Pashës që vinin nga Gjakova.
Vilajeti i Kosovës ende se kishte marrê vehten nga thundra e hekurt e ekspeditës me të tmerrshme përjetuar ndonjëherë, të vrasjeve, burgosjeve, internimeve, çarmatimit pas kryengritjes së vitit 1910.
Isa Boletini kishte bërë thirrje gjithë shqiptarëve qysh me dt 23 mars për tu ngritur të gjithë në kryengritje e për të mbështetur Malësinë e Madhe dhe sëbashku me Sylejman Botushën e Bajram Currin u përpoqën ta shtrijnë atë edhe në Rrafshin e Dukagjinit.
Kjo Kryengritje vuri në levizje dhe Jugun e Shqipërisë.
Kudo filluan veprime të armatosura por të shkëputura.
Përkrahësit i drejtoheshin popullit:
” Vëllezërit tanë gegë po na ftojnë ne bijtë e Pirros që tu vijmë në ndihmë, prandaj çdo shqiptar e ka për detyrë të marrë pushkën në krah e të bashkohet me kryengritësit e të mos e lëmë të na turpërohet Baba Tomorri, Shenjtori ynë që po buçet.
“Duam lirinë, vetëqeverisjen e Shqipërisë.
Duam të drejtat tona e do ti kërkojmë deri sa të shuhemi të gjithë”.
Me dt 14 maj Shefqet Turgut Pasha goditi befasisht malësorët dhe bombardoj fshatrat e popullsinë civile me artileri të rëndë duke shkatërruar gjithçka.
Ai shkrumboj të gjitha katundet që bënë qëndresë.
Në krye të veprimeve diplomatike ishin Ismail Qemali Luigj Gurakuqi, Nikoll Ivanaj, Risto Siliqi, Hile Mosi.
Por ashtu sikur një vit më parë ndaj Kryengritjes së vitit 1910 edhe për Kryengritjen e Malësisë së Madhe fuqitë e mëdha i konsideruan si probleme të brendshme të Perandorisë Otomane dhe e mbështetën atë nën emrin e vendosjes së qetësisë në Ballkan.
Megjithëse ende nuk ishte larguar era e barutit të kullës së Oso Kukës qeveria malazeze donte të mbështeste kryengritjen, natyrisht për qëllimet e veta por u kundërshtua ashpër nga Rusia, madje u kërcënua.
Po pse e mbajti Rusia këtë qendrim?!
Për ti dhënë pergjigje kësaj pyetje duhet të kthehemi prapa në kohë.
Që nga koha e Pjetrit të madh e Katerinës së Madhe dipomacia ruse ishte investuar për rigjallërimin e pansllavizmit.
Fushatën e reformave të Tanzimatit të viteve 1832-1862 dhe ndarjen e shqiptarëve në katër vilajete në vitin 1864, ajo e shfrytëzoj për të mbështetur “Neçartanian” e Ilia Garashaninit dhe “Megalidhenë” e Koletit, projektet e viti 1844, të cilat krijonin Serbinë e madhe dhe Greqinë e madhe dhe asgjesonin përfundimisht shqiptarët.
Është i njohur projekti i Rusisë në vitin 1866 për copëtimin e Shqipërisë.
Gjysma e saj do të bashkohej me Bosnje Hercegovinën ndërsa gjysma tjetër me Thesalinë e Janinën.
Dy vjet më vonë perfundoj një marrveshje tjetër mes Serbisë dhe Greqisë për të ndarë Shqipërinë dhe asgjësimin e saj nga harta, në Durrës e sipër Serbia dhe në Durres e poshtë Greqia.
Kriza lindore e viteve 1875 -1876 e luftërave të Bosnjës dhe e Bullgarisë, shpallja e luftës së Serbisë e Malit të Zi në vitin 1876, lufta ruso -turke e vitit 1877 dhe fitorja e Rusisë, Traktati i Shen Stefanit i 3 marsit të këtij viti që çertifikonte pansllavizmin me Bullgarinë e madhe verteton projektet e vjetra të Rusisë që rrinin në sirtar e prisnin momentin për tu finalizuar.
Këto ishin arsyet pse Rusia kërcenoj Qeverinë Malazeze atëkohë që të mos mbështeste Kryengritjen e Malësisë së Madhe.
Kryengritja e Malësisë së Madhe edhe pse nuk arriti ti tërhiqte edhe krahinat e tjera të Shqipërisë ishte vazhdim i Kryengritjes së vitit 1910, ajo shënoj një hap cilësor në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë më të lartë ndërgjegjen kombëtare.
Kulmi i saj është 23 qershori, dita e miratimit të Memorandumit të Greçes, “Libri i Kuq” me 12 pika dhe shpallja e Autonomisë së Shqipërisë.
Kjo Kryengritje i detyroj turqi të uleshin në bisedime me shqiptarët për tu parashtruar kërkesat.
Memorandumi i Greçes kërkonte:
Paprekshmërinë e territoreve shqiptare.
Gjuha Shqipe gjuhë zyrtare në katër vilajetet.
Në zyra e gjygje e mesimi i saj në shkolla.
Të gjithë nëpunësit në Shqipëri të jenë shqiptarë e tu njihej zyrtarisht kombësia shqiptare.
Të ardhurat buxhetore të përdoreshin për zhvllimin e vendit.
Djemtë shqiptarë të mos shkonin ushtarë jashtë trojeve shqiptare, me perjashtim të rasteve të luftës etj.
Ky Memorandum i hartuar nga Luigj Gurakuqi e Ismail Qemali është nënshkruar nga Ded Gjon Luli, Isa Boletini, Sokol Baci, Preng Kola, Mehmet Shpendi etj, e ju dorëzua përfaqësive diplomatike të fuqive të mëdha në Çetinë.
Shtypi i kohës theksonte se edhe pse kryengritja u zhvilluan në një zonë të ngushtë e katolike kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare.
Që nga kjo kohë Çeshtja Shqiptare filloi të trajtohet si çeshtje e veçantë e Diplomacisë Europiane.
Ishe kjo Kryengritje që e detyroj Perandorinë Austro-Hungareze të ndryshonte qëndrimet e mëparshme pothuajse të njëjtë me Rusinë dhe të dalë zyrtarisht me idenë e Shtetit të shqiptarëve.
Kryengritja e Malësisë së Madhe është prologu i Revolucionit Nacional Shqiptar të vitit 1912.
Megjithëse bëri disa lëshime Xhavit Pasha edhe pas kësaj kryengritje vazhdoj të shtypë përsëri shqiptarët.
Ajo përfundoj në marrveshje gjysmake sepse nuk arriti të shndërrohej në kryengritje të përgjithshme.
Ajo nuk arriti ta detyroje Qeverinë Xhonturke të njohë autonominë.
Dedë Gjon Luli dhe malësorët trima do të vazhdonin përsëri betejat për liri.
Ata nuk e humbën besimin e shpresën asnjëherë sepse kishin mësuar nga historia se për më shumë se 23 shekuj kishin luftuar me pushtues të shumtë për të mbrojtur trojet e tyre stërgjyshërore.
Për qëndresën shekullore të malësorëve kanë shkruar:
Prof.Gjerman Ferdinand Huepe ” Vetëm në malet shqiptare u zmbraps furia e valëve sllave”.
Francezi Ciprion Robert, “Malësisë janë nervi kryesor i Shqipërisë”.
Dora d’Istra, “Në malësitë e Veriut ka gjetur strehë shpirti i Pavarësisë”.
Ded Gjon Luli për 50 vite luftoj për çlirim kombëtar.
Ai ishte pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës “Besa Besë”.
Luftoj për mbrojtjen e trojeve shqiptare të ndara padrejtësisht nga Kongresi i Berlinit përkrah Hodo Sokolit, Baca Kurtit e Preng Bib Dedës, ndonëse në moshë të thyer luftoj kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londrër.
Ai sakrifikoj gjithë familjen për liri.
Pas Betejës se 29 grushtit 1912 kur ja prunë lajmin Dedës i thanë kanë mbetë 20 luftëtarë, burrat në luftë mbeten ua ktheu ai, po mbeti dhe djali yt Gjergji iu kthye lajmësi, po edhe ai djalë nane ish tha Deda.
Kur perfaqësite diplomatike i thanë se Konferenca e Londrës i ka lanë jashtë Shqipërisë trojet tuaja ai u përgjigj “Kqyrni kopshtin tuaj”.
Unë nuk do të ju marr leje me e derdh gjakun tem për Shqipërinë.
Me shtator të vitit 1915 u thirr në një takim kurth në emër të kapedanit të Mirditës, që e fton në Orosh për të biseduar për fatet e Vatanit.
Edhe pse e ndiente rrezikun, anipse Nora “Djali i mirë i babës” i tha kam pa një ëndërr të keqe e mos shko ai vendosi të shkonte, por i dorëzoj çalesat e dollapit Norës dhe një fletare ku kishte të shënuar disa emra që u kishte borxhe e i kërkoj që ty shlyente nëse ndodh që të mos kthehej.
E mori rrugën e gjatë duke menduar dhe se nuk do të kthehej.
Udhëtoj disa ditë nëpër bjeshkët e Mirditës së bashku me Kolën vetëm për të mbajtur fjalën.
Kur po shkonte tek Kisha e Oroshit i dalin para 30 serbë të armatosur.
Ai kërkon ta takojë bajraktarin por ai ishte fshehur pyjeve të mëdha të Oroshit
Sapo e kishte parë kapitenin serb Gjura që u doli para ai u kishte thënë gjakftohte mirditorëve që e shoqëronin:
“Paskemi mbarue”.
Kur e lidhin dhe filluan ta kontrollojnë nëpër xhepa ai ju drejtohet serbëve:
“Haj haj, po ju kujtoni se unë kam luftue tërë jetën për pasuri, po kjo është marre.
Burri i Hotit lufton për Vatan o shkja të ndymë”.
Serbët ju sulën me bajoneta duke e bërë shportë e duke ja ndalur fjalën në mes.
Ata vepruan si romakët me Jezu Krishtin, turqit me eshtrat e Gjergj Kastriotin e me Rilindasin Pjetër Bogdanin, komunistët me Gjergj Fishtën.
Aktin e tij heroik dhe fundin tragjik si të Jezu Krishtit populli e ka përjetësuar në pavdekësi:
” Serbi thikën ia ngulë në krahnuer
Ded Gjon Luli burrë malëcuer
S’u perkul as nuk u tut
Por po thotë këtë fjalë açik
Gjaku em le të shkojë fli
Për me pshtue t’ngratën Shqipni”.
Pasi e vrasin e mbulojë me dushk dhe e lënë tek Shpella e Oroshit.
Disa ditë më vonë e merr një prift dhe e varros.
Keshtu u vra Ded Gjon Luli nga ushtarët e Krajl Pjetrit të Serbisë për ti shërbyer Knjaz Nikollës të Malit të Zi, me dt 24 shtator 1915.
Kështu u shua jeta e dinosaurit të shqiptarizmit.
Shpirti i tij fluturoj në amshim, në lirinë për të cilën kishte luftuar gjysëm shekulli.
Katër muaj me vonë forcat e Knjaz Nikollës ia kthejnë nderin Krajlit Pjetër, vrasin Isa Boletinin me disa pjestarë të familjes së tij në Podgoricë me dt 23 janar të vitit 1916.
Tre vite më vonë vdes dhe Kola i helmuar në vitin 1918.
Në vitin 1920 do të binte me armë në dorë Luc Nushi i bëri i Nush Gjelosh Lulit.
Nga fisi i tij ranë deshmorë në luftërat për liri nipi i Dedës Zef Lan Ula, vëllai prej nane Baca Xheka, miqtë e shtëpisë Kol Marash Vata, Kol Kurti.
Në maj të vitit 1923 me këmbënguljen e të bijës Nareja dhe Norës (bashkëshortja e Kolës) bëhet varrimi i tij dhe Kolës në Shkodër.
Ato sollën nga Oroshi dhe Vlona eshtrat e tyre.
Në këtë ceremoni morën pjesë mijëra vetë në shenjë nderimi e vlerësimi për veprën e misionarëve të Kombit.
Shumë personalitete politike, akademike, historianë e media të kohës e vlerësuan ashtu siç e meritonte Titanin e shqiptarizmit.
Në vitin 1965 vdiq Nora bashkëluftëtarëja “Djali i Babës”.
Kështu u shua familja legjendare e Ded Gjon Lulit e shquar në betejat për liri e pavarësi.
Ajo shkroi emrin me shkronja të arta në Panteonin e Kombit.
Mbeti përjetësisht kryefjala e kallzuesi i kujtesës sonë historike shqiptare.
Vepra e Ded Gjon Lulit është derdhur në bronz tek Kulla e tij, simbolikisht ashtu si atëherë kur priste miqtë e shumtë dhe para Muzeut Kombëtar në Tiranë.
Ajo është përmendore e shpirtit të nacionalizmit shqiptar.
Shqiptarët e Tuzit me dt 3 mars të vitit 2019 realizuan ëndrrën e Ded Gjon Lulit në zgjedhjet lokale.
Flamuri Kuqezi u valëvit krenarë.

Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh”.
Ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë
President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar
“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Veprimtaria e shkencëtarit amerikan Charles Lieber deri në arrestimin e tij

Deri në fund të muajit të kaluar, Charles Lieber jetoi jetën e qetë të një shkencëtari elitar amerikan. Laboratori i tij në Universitetin e Harvardit hulumtoi gjëra të tilla si të shkrihet elektronika e vogël me trurin. Në kohën e lirë, ai rriti kunguj para shtëpisë së tij.

Dhe, më 28 janar, FBI’ja trokiti në derën e tij.

Tani Lieber përballet me akuza për tregti të njohurive për para dhe për gënjeshtra. Prokurorët pretendojnë se ai ngriti një laborator në Kinë në këmbim të qindra mijëra dollarëve në pagesa nga qeveria kineze dhe më pas mohoi ato pagesa për hetuesit nga SHBA’ja.

Avokati i Lieber, Peter Levitt, nuk pranoi të fliste me NPR për akuzat. Por të tjerë që shikojnë rastin thonë se kjo ngre pyetje të rëndësishme në lidhje me etikën, hapjen shkencore dhe profilizimin e mundshëm racor në një epokë të tensionit gjeopolitik.

“Ky është një rast i madh, i madh”, thotë Frank Ëu, një profesor në Universitetin e Kalifornisë ‘’Hastings College of Law’’ që ndjek çështjet e spiunazhit kinez. “Ky është një rast që ka të bëjë me marrëdhëniet SHBA-Kinë. Ka të bëjë me konkurrencën. Është për mënyrën sesi duhet bërë shkenca.”

Çështja Lieber përqendrohet në një program kinez të rekrutimeve të quajtur Plani Mijëra Talentë. Ajo u fillua nga qeveria kineze në vitin 2008, kryesisht si një mënyrë për të tërhequr studiuesit kinezë përsëri në Kinë, sipas Michael Lauer, zëvendësdrejtor i hulumtimeve të jashtme në Institutet Kombëtare të Shëndetësisë.

“Qeveria kineze dëshironte të sillte në Kinë shkencëtarë të shquar, në mënyrë që të zhvillonte shkencën dhe teknologjinë e tyre,” thotë Lauer.

Me kalimin e kohës, programi filloi të rekrutojë edhe shkencëtarë perëndimorë. Studiuesve iu kërkua të krijonin laboratorë në Kinë dhe të kalonin të paktën një pjesë të kohës së tyre duke bërë punë atje, në këmbim të granteve dhe shpenzimeve të paguara. Disa u zhvendosën në Kinë, por të tjerët ndanin kohën e tyre midis institucioneve të tyre të shtëpisë dhe një universiteti kinez.

Programe të tilla ekzistojnë në vendet e tjera. Kanada, për shembull, ka pasur një program 150 Karrige të Kërkimit që duket i ngjashëm në shumë mënyra me Planin e Mijëra Talentëve.

Por NIH është bërë i vetëdijshëm për shkelje të shumta etike që lidhen me planin kinez, thotë Lauer. Disa studiues kanë dorëzuar aplikime identike për grante si NIH dhe Mijëra Talentë. Të tjerët kanë ndarë aplikime për grante konfidenciale nga studiues të tjerë me bashkëpunëtorët e tyre në Kinë. Dhe atëherë lind pyetja e parave: Studiuesit nuk po arrijnë të zbulojnë fondet që marrin nga Kina për agjencitë amerikane si NIH, siç kërkohet me ligj.

“Llojet e sjelljeve që ne po shohim nuk janë shkelje delikate ose të vogla,” thotë Lauer. “Ajo që ne po shohim është me të vërtetë mjaft e egër.”

Çështjet e financimit kanë kushtuar tashmë mbi një duzinë studiuesish punën e tyre në institucionet rreth SHBA. Lauer thotë se NIH po heton rreth 180 shkencëtarë të tjerë, megjithëse shumë pjesëmarrës të tjerë duket se po kryejnë punën e tyre me korrektësi.

Kontrolli i shtuar nga agjencitë kërkimore si NIH është shoqëruar me një rritje të ndjekjeve penale nga Departamenti i Drejtësisë. Në 2018, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions filloi atë që ai e quajti Iniciativa e Kinës, një program i gjerë për të goditur transferimin e njohurive të SHBA’së në Kinë. Deri më tani, iniciativa ka ngritur kallëzime penale kundër dhjetëra njerëzve dhe ka fituar disa aktakuza për spiunazh.

Këto lloje të rasteve nuk janë gjithmonë të drejtpërdrejta, veçanërisht kur bëhet fjalë për kërkime themelore. Në pranverën e vitit 2015, Xi Xiaoxing, një fizikant në Universitetin Temple në Filadelfia, u arrestua dhe u akuzua për ndarjen e teknologjisë së ndjeshme me bashkëpunëtorët e tij në Kinë.

Më vonë doli se ai kurrë nuk e bëri. Për më tepër, thotë ai, gjithçka që bëri atë ishte tashmë publike, sepse gjetjet e hulumtimeve themelore nuk janë sekrete. Ato janë botuar në revista shkencore.

“Spiunazhi akademik është një kontradiktë,” thotë Xi. “Nuk ka asgjë për të vjedhur, ju thjesht mund të uleni atje dhe të lexoni letrën tuaj.”

Prokurori federal që po ndjek çështjen kundër kimistit të Harvardit Charles Lieber pajtohet.

“E gjithë programi Mijëra Talentë është që të detyrojë njerëzit që janë duke bërë kërkime në Shtetet e Bashkuara për të ardhur në Kinë, dhe të bëjnë të njëjtin hulumtim, duke u ofruar atyre para,” thotë Andrew Lelling, avokati i Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Massachusettsit. “Dhe kjo nuk është e paligjshme”.

Por Lelling thotë se studiuesit duhet të zbulojnë paratë që marrin tek agjencitë e financimit dhe në universitetin e tyre. Kjo është pjesërisht sepse agjensitë federale të kërkimit nuk duan të paguajnë për të njëjtën shkencë dy herë – në SHBA dhe në Kinë.

Ankesa penale kundër Lieber pretendon se ai gënjeu të dyja, qeverinë dhe Harvardin në lidhje me përfshirjen e tij në Planin e Mijëra Talentëve. Sipas ankesës, Lieber ishte përfshirë në program nga të paktën 2012 deri në 2017. Kontrata e tij bëri thirrje për pagë deri në 50,000 dollarë në muaj, së bashku me rreth 150,000 dollarë në vit për shpenzime jetese dhe 1.5 milion dollarë për krijimin e një laboratori në Universitetin e Teknologjisë në Wuhan.

Lieber ngriti “Laboratorin e përbashkët ËAN-Harvard Nano Key”, sipas ankesës, pa i treguar Harvardit për të. Ankesa thotë se kur u mor në pyetje nga Harvard dhe prej hetuesve nga Departamenti i Mbrojtjes të cilët së bashku me NIH i dhanë atij gati 18 milion dollarë në grante, Lieber tha që “asnjëherë nuk iu kërkua të marrë pjesë në Programin Mijëra Talentë”..

Lieber nuk është kinez, por shumë nga studiuesit që arrestohen ose pushohen nga puna për akuzat që morën para nga programi Mijëra Talentë janë shtetas kinezë ose të përkatësisë etnike kineze. Kjo ka bërë që disa të pohojnë se qeveria po profilizon në bazë të racës, një akuzë që Lelling mohon.

“Nëse qeveria franceze do bënte përpjekje për të vjedhur teknologjinë amerikane në një fushatë masive dhjetë vjeçare, ne do të kërkonim njerëz francez. Por nuk është ashtu, është qeveria kineze,” thotë ai.

Por, profesori i drejtësisë Frank Wu thotë se një rritje e kohëve të fundit në ndjekjet penale shënon një ndryshim të madh. Deri para disa vitesh, universitetet po nxisnin studiuesit e tyre të bashkëpunonin me Kinën. Nëse do të kishte një çështje financimi, një studiues mund të përballet me një masë disiplinore, “por nuk do të përballesh me të pushuar nga puna në burg dhe të shkosh emrin të tërhiqesh nëpër baltë si spiun,” thotë Wu.

Wu thotë se ka frikë nga kjo përgjigje e re dhe e rëndë mund të përfundojë në përndjekjen e dhjetëra mijëra studentëve dhe studiuesve me origjinë kineze. Këta janë studiues, të cilët ai beson se i ofrojnë SHBA’së shumë më tepër se gjithçka që Kina po merr përmes Planit të Tij Mijëra Talenteve.

“Progresi shkencor këtu, përparimi sipërmarrës këtu, është nxitur në masë të madhe nga imigrantët aziatikë,” thotë ai. “Ne kemi nevojë për talentin që të dëshirojmë të vijmë në këto brigje.”/Express

SHBA arreston doktorin që prodhoi dhe shiti koronavirusin në Kinë?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sapo kanë zbuluar personin i cili dyshohet se bëri dhe e shiti virusin Corona në Kinë. Është ky doktor Charles Lieber, shef i Deparatamentit të Kimisë dhe Biologjisë në Universitetin e Harvardit, raportojnë mediet amerikane.

Njësitë Federale janë parë në mëngjesin e ditës së djeshme në shtëpinë e doktorit 60 vjeçar Charles Lieber, i cili është arretuar teksa ishte në zyrën e tij në Universitetin e Harvardit, raportojnë mediet amerikane, transmeton IndeksOnline.

Adrew Llelling, zyrtar në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë para medieve se aktakuza që e ngarkon doktorin Lieber ka të bëjë me një kontratë që ai e ka nënshkruar në Universitetin kinez në Wuhan, e për të cilin është paguar 15 mijë dollarë në muaj plus shpenzimet e tjera shtesë.

Ai tutje thuhet se ka marrë më shumë se 1.5 milion dollarë për hulumtimin e tij për laboratorin kinez. Të gjitha këto i ka kryer teksa po punonte në Harvard dhe merrte para të mëdha nga shteti amerikan, përkatësisht nga Departamenti i Mbrojtjes nga Instituti i Shëndetësisë. Po ashtu një natë më parë janë arrestuar edhe dy shtetas kinezë.

Militantët, homofobët, Albini dhe Vjosa – Nga Lis Bukuroca

Nuk janë vetëm militantët e VV-së, që revoltohen, shajnë e kërcënojnë, por ithtarët e të gjitha partive „përleshen“ në facebook. Megjithëkëtë, akuzohen kryesisht ata të VV-së. Tani është në modë djallëzimi i Albin Kurtit dhe krahasimet i bëhen me Stalinin, Hitlerin dhe Kim Jong Un e Koresë Veriore

 

Një shtresë nuk e sheh, nuk dëshiron ta përkap atë që faktikisht është, por e beson atë që i pëlqen, por që realisht nuk është. Shpesh herë njerëzit nga interesi, apo mirënjohja (i punësuar vetë apo dikush nga familja, përfitimi, shpresa për punësim etj.) shpërfillin realitetin dhe ndërtojnë një realitet të rrejshëm. Këtë pastaj e propagandojnë si të vërtetë të pakontestueshme dhe e besojnë. Ata të shkëputur nga ndjenja e objektivitetit, te kundërshtari shohin çdo të metë të vogël, por te lideri i vet, i idealizojnë dhe fisnikërojnë edhe të mëdhatë.

Për ta bërë kundërshtarin më të lig se sa komunisti i vet në krye, militantët e LDK-së Albin Kurtin e identifikojnë me Stalinin. Pra, disa shkallë më lartë, disa mijëra herë më të rrezikshëm. Kështu veprojnë edhe disa militantë të komandantëve. E quajnë Hitler, pra më të lig se Millosheviqin. Pse e bëjnë? Sepse ata përpiqen të mbrojnë pasurinë e vet! Ata trishtohen dhe tmerrohen para shtetit juridik!

Merre me mend Ti dhe krahaso një politikan si Albini, me një diktator paranojak si Stalini, që ka vrarë 3-20 milionë veta. Merri me mend kampet e përqendrimit, 50 milionë të vrarë në LDB dhe krahasoje Albin Kurtin me psikopatin tjetër Adolf Hitlerin! Dhe, gjoja kanë frikë nga instalimi i diktaturës në Kosovë! Me NATO-në brenda! Merre me mend Ti!

Kur një njeri krahasohet me të ligën më sipërore të mundshme, atëherë përligjet edhe likuidimi!

Çdo shqiptar politikisht i lirë, i pavarur, e di se LDK e Mustafës nuk synon shtet juridik, përndryshe do të duhej të arrestonte pikësëpari njerëz nga kryesia e vet. Sikur ta dëshironte atë shtet, kurrë nuk do të kishte ngulur këmbë për të marrë Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilën e pati (Skender Hyseni) edhe kur nga Kosova rekrutoheshin islamistët për Siri!

Por pse na duken se shumica janë të VV-së ata që bëjnë shantazhe? Sepse i është bashkangjitur populli, njerëz pa parti dhe nuk na duken shumë, por janë bërë shumë! Dhe, ajo shumicë nuk është as militante, as anëtare e ndonjë partie, as antiamerikane! Ajo është ajo shumica, që nesër do t’i prezantojë LDK-së llogarinë! Thjeshtë është ajo shtresa e idealistëve, që priste ndërtimin e shtetit ligjor, por që Hashim Thaçi, (duhet të kihet parasysh edhe roli i Vlora Çitakut në Uashington ) ua zhduku si shpresë dhe si ëndërr. Është ajo shumicë, që në anketa e trishton LDK-në të marrë me mend zgjedhjet.

Fushata e ashpër bëhet tani nga militantët e LDK-së. Edhe pse e rrëzuan qeverinë e vet, nuk pushojnë me etiketimet, insinuatat, përbuzjet dhe talljet. Disa janë obsesionuar nga Albin Kurti. E shajnë të majtën, edhe pse e majta në Europë është parti moderne dhe gjendet kudo nëpër kuvende, apo qeveri. Kurtin e shajnë si „komunist“, edhe pse vetë kanë në krye të partisë anëtarin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë: Isa Mustafën.

Lëdëkistët, apo më saktë militantët e Mustafës, përpiqen të shpëtojnë fytyrën dhe çajnë kokën në çfarë mënyrë ta arsyetojnë, si të përligjin një koalicion me ata që i akuzonin për krime ekonomike dhe politike.

Nuk janë (vetëm) ithtarët e Albinit homofobë. Homofobia predikohet nga klerikët e monoteizmit dhe ekziston kudo në Ballkan dhe jashtë tij, por më shumë aty ku nuk kanë përjetuar iluminizmin! Homofobi ka kudo ku në shtëpi fëmija edukohet në frymë diskriminuese dhe linçuese ndaj tyre. Dhe, vështirë të gjendet familje në Ballkan ku i thuhet djalit: „Jeta është e jotja, martohu me burrë ose me grua!“ Arsyeja? Brutalisht normale dhe ordinere: Deri para 25 vjetëve në Perëndim për homoseksualizëm dënohej njeriu! Ne nuk edukohemi për të përbuzur vetëm homoseksualët, por për të diskriminuar edhe gratë dhe motrat tona!

Po pse vërtetë LDK rrëzoi qeverinë e vet? Arsyeja kryesor ishte t’i tregohet Vjosa Osmanit vendi dhe, nëse ajo nuk përkulet, çfarë do të mund të pasojë! LDK ka një paqe dhe harmoni të rrejshme. Ajo gjendet para shpërthimit, edhe atë mes brezit të ri të Republikës (intelektualëve të rinj idealistë) dhe brezit makiavelist, (oligarkëve, fraksioni i Thaçit) shumëfytyrësh të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

James Pardew: “Washingtoni përzihet tinëzisht në Ballkan derisa koronavirusi mbërthen botën”

James Pardew është ish-ambasador i SHBA-së në Bullgari dhe ish-ndihmëssekretar i NATO-s. Përmes një vështrimi të publikuar në “The Hill”, ai ka komentuar qasen e administratës Trump karshi Kosovës.

Në vijim po e japim të plotë vështrimin e tij:

Cili interes i mundshëm amerikan realizohet përmes diplomacisë së vazhdueshme të administratës Trump, e cila është duke e destabilizuar Kosovën, shtetin e vogël dhe të brishtë pro-amerikan të Ballkanit, gjatë një pandemie globale? Dhe, përse ekipi e Trumpit e bën këtë, kur ishte SHBA-ja ajo që e ndali Serbinë – me forcë – që të kryejë gjenocid në Kosovë më 1999?

Një gjë e tillë zgjon kureshtje të veçantë, pasi që SHBA-ja ishte akterja kryesore në pavarësimin e Kosovës dhe pasi që Kosova ka qenë shteti më pro-amerikan në Evropë, pas pavarësisë. Sidoqoftë, diplomacia e vazhdueshme amerikane sot e favorizon Serbinë, aleaten më të afërt të Rusisë në rajon.

I dërguari i Trumpit, Richard Grenelli është duke u munduar ta detyrojë Kosovën që t’i pranojë kërkesat serbe, në kuadër të “negociatave” për normalizimin e raporteve midis dy shteteve.

Grenelli po i udhëheq përpjekjet e tanishme diplomatike në Kosovë, ai po ashtu mban postin e ambasadorit të SHBA-së në Gjermani dhe është ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës amerikane. Është kjo një gamë absurde detyrash për dikë me përvojë të kufizuar diplomatike dhe pa kurrfarë përvojë në inteligjencë.

Grenelli raportohet të ketë qenë katastrofik si ambasador në Gjermani, nëse si standard merret raporti bashkëpunues me aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Evropë. Zyrtarët gjermanë mezi që e presin largimin e Grenellit, transmeton KOHA.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Susan Rice e quajti Grenellin “njërin prej personave më të papëlqyeshëm dhe më të pasinqertë që kam takuar ndonjëherë”.

Serbia sot udhëhiqet prej presidentit Aleksandër Vuçiq, nacionalistit serb që po e shfrytëzon urrejtjen etnike si mjet politik për të fituar përkrahje lokale politike – ashtu si bëri Slobodan Milosheviqi në vitet nëntëdhjetë. Sot, liderët serbë në Beograd vazhdojnë të nxisin përçarje dhe armiqësi, si në Bosnjë, ashtu edhe në Kosovë. Vladimir Putini është i gatshëm ta ndihmojë Beogradin në gjithçka që e cenon unitetin e Evropës Perëndimore dhe SHBA-së.

Ajo çfarë po bëjnë tani në Kosovë Trumpi dhe Grenelli, paraqet një shkëputje prej politikave të suksesshme amerikane në rajon, në mënyrë rrënjësore.

Një parim i SHBA-së që solli paqe në rajon nga 2008-ta, ishte koncepti se kufijtë ishin të pandryshueshëm dhe se zgjidhjet politike duhej të gjendeshin Brenda kufijve të shteteve të caktuara. Marrëveshja e Ohrit që e parandaloi luftën në Maqedoni shkruan në mënyrë të qartë se “nuk ka zgjidhje territorial për çështjet etnike”. Të drejtat, jo territoret, janë zgjidhje e këtyre problemeve.

Udhëheqja amerikane me një koalicion të fortë të partnerëve ndërkombëtarë përdori diplomacinë intensive dhe forcën ushtarake për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Bosnjë, për ta ndalur një fatkeqësi mizore humanitare të radhës në Kosovë dhe për ta parandaluar një luftë civile në Maqedoni, gjatë viteve 1995-2008, teksa ish-Jugosllavia po shpërbëhej. Përpjekjet e udhëhequra prej amerikanëve në ish-Jugosllavi ishin një sukses i madh i politikës së jashtme për SHBA-në, në periudhën e hershme post-sovjetike.

Sot, Kosova është shtet sovran demokratik, i njohur prej 97 shteteve. Por, Serbia e ka përdorur ndikimin e saj për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në institucionet tjera ndërkombëtare. Si kundërpërgjigje, Kosova ka vënë tarifë 100 për qind mbi mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenelli e ka nxitur Kosovën që t’i heqë tarifat, në mënyrë që të vazhdojnë negociatat e ndërprera.

Përderisa sanksionet ndërkombëtare dhe tarifat janë politikë e preferuar e administratës Trump, kundërshtimi, prej Trumpit, i tarifave legjitime si levë ndërkombëtare, është më shumë se ironik.

Për t’i bërë presion Prishtinës që ta heqë embargon, SHBA-ja pezulloi ndihmat e domosdoshme për Kosovën. Disa zyrtarë në Washington madje edhe e shtruan mundësinë e largimit të kontingjentit të vogël të trupave amerikane në Kosovë, esencialë për sigurinë në Ballkan që nga 1999-ta. Ishte ky faktor i rëndësishëm në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, teksa koronavirusi po përhapej nëpër rajon. Kosova tani qeveriset prej një Qeverie në detyrë.

Grenelli duket se e preferon qasjen e politikanit të kahmotshëm të Kosovës dhe presidentit aktual, Hashim Thaçit, i cili e ka favorizuar një marrëveshje me Beogradin, madje edhe nëse përfshin shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Beogradit.

E këshillova Thaçi gjatë një bisede personale në Washington, para më shumë se një viti, se marrëveshja për shkëmbim territoresh ishte një truk serb që nuk do të shpinte askund dhe se ai nuk mund t’ besonte administratës Trump në çfarëdo negociatash me Beogradin. Ai ka shpërfillur këtë këshillë timen.

Shumë pyetje ngritën lidhur me misionin e Grenellit në Kosovë. Përse dikush me përvojë aq të kufizuar dhe me portofol aq të rëndësishëm shtetëror do të përfshihej në negociatat midis dy kundërshtarëve të dobët në Ballkan? Përse Grenelli po mban qëndrim pro-serb në bisedime? Përse SHBA-ja po e destabilizon një shtet pro-amerikan në një periudhë aq të brishtë?

Diçka këtu është e dyshimtë.

Si entuziast i përkushtuar i Trumpit, Grenelli thjeshtë mund të synojë që me çdo kusht ta gëzojë shefin e vet. Por, dyshoj se në këtë mes ka diçka më shqetësuese, posaçërisht pasi që kam dyshime të thella rreth raporteve të Trumpit me Vladimir Putinin. Dyshoj – pa dëshmi – se Putini ia ka paraqitur qëndrimet e veta pro-serbe Trumpit, e ka theksuar se shqiptarët janë myslimanë dhe pastaj i ka kërkuar Trumpit ndihmë në negociata.

Ashtu si edhe me të gjitha emërimet tjera të pamenduara mirë, Trumpi e bëri shërbëtorin e tij lokal, Grenellin agresiv dhe armiqësor, njeriun e tij kryesor për Kosovën. Kjo do të ishte një dhuratë për Putinin, që kënaqet në nxitjen e telasheve – të çfarëdo lloji – në Evropë.

Të kesh angazhim diplomatik të inspiruar prej Trumpit në ish-Jugosllavi është sikur ta lësh një dyvjeçar të luajë me qiri të ndezur midis kashtës.

Misioni i Grenellit në Kosovë rrezikon të nxisë jostabilitet në Ballkan dhe nuk i shërben asnjë interesi shtetëror amerikan. Politika aktuale amerikane në Kosovë do të mund të përkufizohej paaftësi diplomatike në rastin më të mirë, e mbase edhe keqpërdorim zyrtar.

Teksa COVID-19 ka mbërthyer SHBA-në dhe Evropën, Grenelli nuk duhet të nxisë përplasje në Ballkan, ku i mungojnë njohuritë, përvoja dhe aftësia diplomatike për përmirësimin e gjendjes.

Në vend të kësaj, SHBA-ja duhet ta promovojë një qeveri stabile në Kosovë, për t’u përballur me krizën aktuale shëndetësore.

Raporti Kosovë-Serbi është problem afatgjatë që meriton vëmendje serioze dhe profesionale, e jo politika gjysmake të njëanshme që shkojnë në favor të interesave serbe dhe ruse.

(Express)

Shpallet në kërkim KKD dhe ministri Majko – Nga TAULANT DEDJA

Këto muaj ku pandemia covid-19 ka detyruar shtetet të marrin masa të forta izolimi komunitar dhe kufitar, shumë shtetas kanë mbetur në rrugë pa rrugë. Por vendet me qeverisje humane dhe racionale i kanë dalë për zot qytetarëve të tyre duke u siguruar në kushte të vështira kthimin në shtëpi. Ndërsa shteti shqiptar, ka lënë prej disa ditësh 33 shqiptarë në vijën e gjelbër mes Greqisë dhe Shqipërisë në mëshirë të fatit dhe shtetit fqinj, dhe nuk e di sa të tjerë në vende të tjera në pritje të “Lasgushit”. Sot bëhet me dije se 10 prej tyre janë kthyer mbrapsht në Greqi, disa kanë hyrë me forcë në territorin shqiptar dhe janë gjobitur, 7 kanë mbetur ende në zonën neutrale në pritje.

Përveç disa mediave që kanë shprehur shqetësim për këta qytetarë, askush tjetër nuk është ndjerë. Ata që kanë në dorë çelsat e portave apo sekretin e zgjidhjeve rrinë me shpresën e kalimit me heshtje edhe të kësaj çështjeje si shumë të tjera ose përcjellin prej rehatisë së divanit mesazhe dhe zgjidhje çnjerëzore.

Kujtojmë se qeveria shqiptare posaçërisht për emigrantët ka ngritur një ministri diaspore, e cila duhet të dijë që nuk është vetëm për aktivitete shpërndarjeje çmimesh apo reklamime suksesesh, por edhe për të përcjellë zërin e grupeve që ajo përfaqëson.

Ministri Majko është zhdukur nga daljet publike. Burime të brendshme thonë se ka patur merakun e gazetës së diasporës, si i vetmi rast për të justifikuar vendin e punës. Aty do t’i dilte emri në një shkrim ku do ngrinte në piedestal dashurinë në kohën e kolerës, pa kuptuar në fakt as librin e Markezit dhe as situatën e sotme.

Krahas Majkos, vepron edhe Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili është një organ që përfaqëson emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të atdheut. Ky këshill përbëhet prej 15 anëtarësh, 3 prej të cilëve përfaqësojnë shqiptarët në SHBA, 2 të Kanadasë, 6 të Europës, 2 të Britanisë, një Turqisë, një Australisë. Dhe ja ku u bënë 15 pjesëtarët. Ndër këta 15 anëtarë, të cilët jo të gjithë janë gjithmonë gojëkyçur, një prej tyre duhet të jetë edhe përfaqësues i diasporës në Greqi. Nuk është ndjerë as ky anëtar dhe as anëtarët e Europës mesa duket. Pra funksioni i këtij këshilli si përfaqësues të emigrantëve nuk po duket i shprehur në rast konkret nevoje. Kujt i duhet ky këshill atëherë? Për raste suksesesh s’ka nevojë njeri për lajmëtarë. Njerëzit kanë nevojë për një dorë kur kanë halle.

Gazetari i njohur në Londër Petrit Kuçana, para disa ditësh i drejtoi një letër këtij këshilli pikërisht për këtë qëllim. Të ndërhynte dhe të ushtronte funksionin ndërlidhës mes diasporës dhe qeverisë shqiptare. Deri më sot kjo letër nuk ka marrë përgjigje zyrtare. Kryetari i KKD nuk është ndjerë, anëtarët mesa duket nuk veprojnë më vete pa një lider. Ndërkohë që këta anëtarë janë zgjedhur aty në bazë të kriterit të integritetit të lartë dhe reputacionit në komunitetin ku ata jetojnë si dhe aftësisë për të përmbushur detyrat për mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës. Vërejmë se në rastin konkret të nevojës për prezencën e KKD, nuk po shpaloset botërisht as integriteti dhe as aftësia. Lind pyetja, a ka vlerë reale ky këshill? Dyshojmë.

Sa i përket Minstrit të Diasporës, shqiptarët edhe njëherë ta marrin vesh mirë se ministri është i zënë me prokurimet e qelesheve që t’i shpërndajë ato në udhëtimet e radhës nëpër botë sapo të çelen kufijtë. Madje valixhen me padurim duhet ta ketë lënë te dera gati.

Në mungesë të këtyre të sipërpërmendurve, të cilët i shpallim në kërkim, kujt t’i kërkosh hesap? Ministrit të Jashtëm në detyrë do thoni ju. Sigurisht që edhe ai ka pjesën e vet të madhe, por siç e dini ai është thjesht në detyrë i komanduar nga një tjetër. E kështu zinxhir venë këto punë, njëri ia delegon tjetrit dhe halli mbetet jetim edhe pse dikushi ka thënë që është babai i të gjithëve.

Urojmë që bashkëatdhetarëve mbetur rrugëve t’u dalë nëna për zot, se babain e morëm vesh që është vetëm për show.

Koronavirusi- “The Guardian”: Bota po lufton infeksionin e shekullit të 21-të me armë të shekullit 20

Një profesor i Epidemiologjisë dhe Mjekësisë në Universitetin e Oksfordit tha se bota po lufton infeksionin e shekullit të 21-të me armë të shekullit 20.

 

Në një opinion botuar në “the Guardian”, David J. Hunter thotë se:

Covid-19 ka ekspozuar mangësitë e sistemeve kombëtare të zbulimit dhe parandalimit të sëmundjeve në shumë vende të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara. Në Mbretërinë e Bashkuar, gjurmimi i kontakteve u braktis herët për shkak të mungesës së kapacitetit…

Pas një dekade shtrëngimi dhe decentralizimi, ne jemi duke u përpjekur të rikuperojmë kujtesën e humbur të muskujve të përgjigjes së shëndetit publik.

Nuk do të kalojnë 100 vjet deri në pandeminë tjetër. Rritja e popullsisë, pushtimi njerëzor i habitateve të kafshëve dhe rifillimi i udhëtimit të shpejtë midis kontinenteve do të kujdeset për këtë. Më urgjentisht ne kemi nevojë për një sistem për të parandaluar që një valë e dytë e pandemisë Covid-19 të jetë më e keqe sesa e para.

Mungesa jonë e sistemeve të informacionit koherent dhe të bashkuar do të thotë që ende nuk mund t’u përgjigjemi shumë pyetjeve të rëndësishme klinike, që kanë të bëjnë me këtë epidemi.

Cilat sëmundje dhe ilaçe paraekzistuese predispozojnë njerëzit ndaj infeksionit Covid-19 ose një rezultat të keq?

A janë disa njerëz gjenetikisht të ndjeshëm dhe, nëse po, duhet që terapikët dhe dizajni i vaksinave të marrin parasysh këtë?

Pse disa të rinj kanë nevojë për shtrimin në spital, por shumica mezi vërejnë infeksionin?

Kujdesi shëndetësor i së ardhmes mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, duke drejtuar disa programe kompjuterike.

Pasi të ketë kaluar kulmi i epidemisë, do të na duhet të hapim ekonominë dhe të rifillojmë udhëtimet e nevojshme, ndërkohë që mbajmë një kapak mbi Covid-19. Zgjidhjet krijuese po fillojnë të na afrojnë atje më shpejt, siç janë aplikacionet për të ndjekur me kë jemi në kontakt, kështu që ato mund të paralajmërojnë nëse infektohemi dhe testimi javor i të gjithë popullatës, përmes një rrjeti të shpërndarë laboratorësh.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një aplikacion për monitorimin e përhapjes së simptomave të ngjashme me Covid-19 u shkarkua më shumë se 2 milionë herë brenda disa ditësh. Në SHBA, një rrjet i lidhur me bluetooth me një termometër dixhital krijon një hartë të ‘motit’ shëndetësor që gjurmon epideminë. Fuqia punëtore e shëndetit publik ka nevojë për mjete të reja dixhitale si këto, për të qenë në gjendje t’i përgjigjen me shpejtësi. Dhe ndërsa gërmojmë nga kjo katastrofë akute, duhet të ndërtojmë bazat për reagimin e ardhshëm.

Imagjinoni nëse mund të lidhim informacionin e faktorit të rrezikut nga të dhënat e kujdesit parësor me të dhënat e rezultatit Covid-19 në orë dhe jo në muaj, dhe kështu t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve në lidhje me faktorët e rrezikut për infeksionin dhe vdekjen.

Imagjinoni nëse mund të lidhim të dhënat Covid-19 me sekuencat e gjenomit individual në një bazë të dhënash të sigurt kërkimi për pesë milion prej nesh, siç parashikohet nga Iniciativa e Përshpejtimit të Detektimit të Sëmundjeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe kështu t’i përgjigjemi pyetjes së ndjeshmërisë gjenetike.

Reagimi ndaj pandemisë duket se ka gjasë të shkaktojë një recesion, nëse jo edhe një depresion në shkallë të plotë. Investimi në një infrastrukturë kombëtare shëndetësore dixhitale të lidhur me biomostra do të përfaqësonte një pjesë të vogël të përgjigjes ekonomike deri më tani.

Të menduarit për infrastrukturën e informacionit mbi shëndetin publik të shekullit 21 nuk filloi me Covid-19.

NHS Digital, NHSX dhe Kërkimi i të Dhënave të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar janë përpjekur të lehtësojnë lidhjet e të dhënave shëndetësore. Megjithatë, përparimi ka qenë i ngadaltë dhe informacioni është i qetë. Një hendek i madh është se për shumicën e pacientëve me NHS ne nuk regjistrojmë në mënyrë rutinore të dhëna të thjeshta të faktorit të rrezikut, të tilla si histori familjare të sëmundjes ose strukturës shtëpiake dhe mbështetëse. Në botën e vjetër ky ishte lloji i intervistës dhe futja e të dhënave me dorë; tani mund të mblidhet dhe rifreskohet nga shumica e njerëzve në një aplikacion.

Natyrisht, lidhja e të dhënave shëndetësore kërkon pëlqimin individual. Përsëri, pëlqimi mund të kërkohet në mënyrë efikase në internet dhe shumica e pacientëve janë të befasuar kur mësojnë se të dhënat e tyre nuk përdoren si për përfitimin e tyre, ashtu edhe për të mirën e popullatës.

Përvoja e të dhënave të kujdesit tregon rëndësinë e transparencës së përdorimit dhe aksesit të të dhënave, si dhe kufizimin e përdorimit të të dhënave për hulumtime shëndetësore në interes të publikut. Konfidencialiteti individual, pëlqimi individual për përdorimin e informacionit të tyre mjekësor dhe pavarësia e kombeve të devotshme duhet të respektohen të gjithë.

Një sistem i unifikuar dhe gjithëpërfshirës i të dhënave shëndetësore jo vetëm që do të na sigurojë platformën për të përmirësuar reagimin tonë ndaj valëve të mëvonshme të Covid-19, dhe epidemive pas kësaj, ajo gjithashtu do të mundësonte kuptim më të mirë të faktorëve të rrezikut për sëmundjet joinfektive siç janë kanceri, sëmundja e zemrës, infarkti dhe diabeti, që janë puna kryesore e NHS midis pandemive./ The Guardian