VOAL

VOAL

Rusi: Janë rrahur korrespondentët e Radios Evropa e Lirë

March 28, 2017

Komentet

“Putini po e pret Trumpin”: Bolton shpreh frikë për të ardhmen e Ukrainës dhe NATO-s

Ksenia Sokolyanskaya, Anton Zolotykh

Ukraina përballet “me rrezik” nëse Shtetet e Bashkuara nuk miratojnë me shpejtësi ndihmën ushtarake për Kievin, tha ish-këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, përderisa avantazhi që Rusia ka sa i përket numrit të trupave dhe armatimit, po e ndihmon Kremlinin në luftën e tij ndaj shtetit fqinj, luftë që ka hyrë në vitin e tretë.

Duke folur për Current Time, rrjetin në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës, Bolton theksoi se Rusia aktualisht po shpenzon pesë apo gjashtë predha të artilerisë kundrejt një predhe që gjuan Ukraina, një shkallë, që sipas tij, “nuk është e qëndrueshme për një periudhë afatgjatë”.

“Mendoj se më e mira është që të shpresojmë deri në zgjedhjet amerikane [të 5 nëntorit] është një ngërç [në luftime]. Mendoj se [presidenti rus, Vladimir] Putin, po pret [ish-presidentin amerikan, Donald] Trump. Nëse ai zgjidhet, unë do të jem shumë i shqetësuar për të ardhmen e Ukrainës”, tha Bolton, duke theksuar izolacionizmin në rritje brenda Partisë Republikane në SHBA “për shkak të efektit të Donald Trumpit”.

Ky izolacionizëm, tha ai, po paralizon përpjekjet për të luftuar kërcënimet që vijnë nga Irani, Rusia dhe Kina. Sulmet që Irani kreu së fundi ndaj Izraelit, sipas tij, mund të shërbejnë si “një terapi shoku” për shumë republikan në Kongres.

“Ukraina ka nevojë për ndihmë, Tajvani ka nevojë për ndihmë”, tha ai. “E gjithë kjo është pjesë e përpjekjes së njëjtë. Shpresoj që gjatë kësaj jave të ketë lëvizje të vërtetë në të gjitha këto fronte, veçmas sa i përket ndihmës për Ukrainën”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, aleat i Trumpit, më 15 prill u duk se bëri përpjekje që gjatë kësaj jave të miratohen masat për ndihmën për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin në vlerë prej 95 miliardë dollarësh. Nga kjo shumë, 61 miliardë dollarë ndihmë ushtarake janë paraparë t’i jepen Kievit.

Bolton ka shërbyer si këshilltari i tretë i Trumpit për sigurinë kombëtare në periudhë 2018-2019. Atij iu kërkua që të jepte dorëheqje nga ky post pasi për muaj të tërë kishte pasur mendime ndryshe me Shtëpinë e Bardhë sa i përket politikave. Ai po ashtu ishte ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara gjatë mandatit të presidentit George W.Bush, dhe ishte mbështetës i zëshëm i pushtimit të Irakut nga SHBA-ja më 2003.

Ai aktualisht është këshilltar për politika të jashtme dhe analist politik.

Nëse kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale amerikane, Donald Trump, fiton zgjedhjet e nëntorit, Bolton paralajmëroi se ai “do të tentojë të tërhiqet nga NATO-ja”.

“Do të ishte një gabim katastrofal për SHBA-në dhe mbarë botën nëse ai do të bënte diçka të tillë”, tha Bolton.

“Tërheqja e SHBA-së, në thelb do ta bënte NATO-n joefektive, jo vetëm për Ukrainë, por për mbarë aleancën”.

Rusia nën presidentin Vladimir Putin “vazhdon të jetë kërcënim, veçmas pasi bashkëpunimi i saj me Kinën po rritet dhe mendoj se do të vazhdojë të rritet”, tha Bolton.

“Do të jetë kërcënim derisa Putini i regjimit të largohet disi nga pushteti dhe Rusia dhe demokracia të kenë shans sërish. Nuk e di se kur mund të ndodhë kjo. Nuk jam optimist”, shtoi ai.

Bolton argumentoi se në Rusi nuk ka mekanizma të transferimit paqësor të pushtetit, në shtetin ku Putini është në pushtet që çerek shekulli dhe ku zgjedhjet “qartësisht janë të manipuluara”.

“Do të jetë një periudhë shumë e rrezikshme për Rusinë”, tha Bolton. “Tani ka më pak gjasa se kurrë më parë që Rusia të bëhet pjesë e Perëndimit”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Netanyahu thotë se Izraeli do të vendosë vetë si të mbrohet, pas thirrjeve për vetëpërmbajtje

Izraeli do t’i marrë vetë vendimet për mënyrën se si do ta mbrojë veten, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën, pasi vendet e Perëndimit i bënë thirrje përsëri të vetëpërmbahet nga hakmarrja ndaj Iranit.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe grupi i vendeve të industrializuara (G7), njoftuan se po shqyrtojnë sanksione më të fuqishme kundër Iranit, të cilat thuhet se do të vendosen për ta kënaqur Izraelin dhe për ta bindur atë të mos i përgjigjet sulmit të Iranit.

Teherani i lëshoi qindra dronë dhe raketa drejt Izraelit më 13 prill, duke e kryer sulmin e parë të drejtpërdrejtë kundër armikut të vet të përbetuar.

Netanyahu u takua me sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Davi Cameron dhe me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, të cilën e vizituan Izraelin të mërkurën në përpjekje për të mos e lejuar përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit.

Zyra e Netanyahut tha se e ai i falënderoi Cameronin dhe Baerbockun për mbështetjen e tyre, derisa u tha atyre: “Dua të jem i qartë – ne i marrim vetë vendimet tona dhe shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta mbrojtur veten”.

Më herët, Cameron tha se është e qartë se Izraeli ka bërë plane për t’u hakmarrë ndaj sulmit iranian me dronë dhe raketa, të cilin Teherani e kreu si përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar izraelit nga i cili u vranë zyrtarë ushtarakë në konsullatën iraniane në Siri më 1 prill.

Baerbock tha se përshkallëzimi “nuk do t’i shërbejë askujt, as sigurisë së Izraelit, as shumë prej dhjetëra pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi [grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE], as popullsisë së përvuajtur në Gazë, as shumë njerëzve në Iran të cilët po vuajnë nën sundimin e regjimit, dhe as vendeve të treta në rajon, të cilat thjesht duan të jetojnë në paqe”.

Pas më shumë se gjashtë muajve luftë në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit, e cila i ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme, diplomatët po kërkojnë mënyra për ta shmangur një luftë të drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Iranit.

Shumica dërrmuese e dronëve dhe raketave iraniane të lëshuara drejt Izraelit të shtunën u rrëzuan nga ky i fundit dhe aleatët e tij, dhe nuk shkaktuan viktima.

Por, Izraeli thotë se i duhet të hakmerret patjetër për ta ruajtur besueshmërinë e mbrojtjes së vet. Irani, në anën tjetër, thotë se kjo çështje është e mbyllur, por se do të hakmerret nëse Izraeli e sulmon.REL

Konsultime në OKB lidhur me rezolutën për Srebrenicën

Konsultimet joformale për draft-rezolutën që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë do të mbahen më 17 prill në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u tha në ueb-faqen zyrtare të kësaj organizate.

Takimi është thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe misionit të Shteteve të Bashkuara.

Kabineti i kryesuesit të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, dhe anëtari i Presidencës, Zhelko Komshiq, njoftuan para mbajtjes së konsultimeve joformale në Nju Jork, se të dy do të qëndrojnë në selinë e OKB-së më 17 prill për shkak të rezolutës së propozuar për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ata shtuan se rezoluta e propozuar do të futet në agjendë në fillim të majit.

Në draft-rezolutë, në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, kërkohet që të dënohet çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe inkurajohen anëtarët e OKB-së që të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë program të duhura përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë revizionizmin dhe gjenocidin në të ardhmen.

Draft-rezoluta vë në pah rëndësinë e përfundimit të procesit të kërkimit dhe identifikimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe mundësinë që ata të varrosen në mënyrë dinjitoze.

Po ashtu, rezoluta e propozuar bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes ligjore të kryerësve të gjenocidit.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodi dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë. REL

BBC publikon raportin: Më shumë se 50 mijë ushtarë të Putinit humbën jetën në Ukrainë

Ndërkohë që lufta në Ukrainë i ka kaluar tashmë dy vite, BBC raporton se numri i ushtarëve rusë që kanë humbur jetën është shumë më i lartë se sa pretendon Moska, të paktën 25 përqind më i lartë se në vitin e parë.

Duket se më shumë se 27.300 ushtarë rusë vdiqën në vitin e dytë të luftimit, çka tregon koston e madhe njerëzore që Rusia po paguan nga sulmet në Ukrainë.

Ndërkohë numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë duket se është në më shumë se 50 mijë, edhe pse shifra reale mendohet të jetë edhe më e lartë.

Rusia ka hequr dorë nga raportimi i humbjeve në njerëz, që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, Ukraina rrallë komenton shkallën e viktimave të saj në fushën e betejës. Në shkurt, presidenti Volodymyr Zelensky tha se 31,000 ushtarë ukrainas ishin vrarë, por vlerësimet bazuar në inteligjencën amerikane, sugjerojnë humbje më të mëdha.

Një nga arsyet e një numri kaq të larë viktimash, është përdorimi në front i të burgosurve, të cilët u dërguan në Ukrainë me premtimin për t’iu zeruar vitet e dënimit.

Ata u rekrutuan nga grupi i mercenarëve Wagner.

Moska lejoi udhëheqësin Yevgeny Prigozhin të fillonte rekrutimin në burgje nga qershori 2022. Të burgosurit e kthyer në luftëtarë luftuan më pas si pjesë e një ushtrie private në emër të qeverisë ruse.

Wagner kishte një reputacion të frikshëm për taktikat e pamëshirshme luftarake dhe disiplinën e brendshme brutale. Ushtarët mund të ekzekutoheshin në vend nëse tërhiqeshin pa urdhër.

Grupi vazhdoi të rekrutonte të burgosur deri në shkurt 2023, kur marrëdhënia e kreut të grupit me Moskën filloi të përkeqësohej.

Prigozhin organizoi një rebelim kundër forcave të armatosura ruse në qershor të vitit të kaluar dhe u përpoq të përparonte drejt Moskës përpara se të pranonte të kthehej prapa.

Në gusht, ai humbi jetën në një aksident ajror.

Kohët e fundit, luftëtarët e Storm ishin të rëndësishëm në betejën disamujore për të kapur

Kur punonin për Wagner, të burgosurit zakonisht kontraktoheshin për gjashtë muaj.
Nëse mbijetonin atyre do t’u jepej liria.

Por, që nga shtatori i kaluar, të burgosurit e rekrutuar duhet të luftojnë derisa të vdesin ose derisa të mbarojë lufta.

BBC ka dëgjuar histori të fundit të të burgosurve që u kërkonin të afërmve t’i ndihmonin të blinin uniformat dhe çizmet e duhura. Ka pasur gjithashtu raportime për të burgosur që janë dërguar për të luftuar pa çantën e duhur, pajisje mjekësore apo edhe armë kallashnikov.
“Shumë ushtarë kishin pushkë që ishin të papërshtatshme për luftim”, shkruan në kanalin e tij Telegram blogeri rus i luftës, Vladimir Grubnik.

“Se çfarë duhet të bëjë një ushtar këmbësor në vijën e frontit pa çantën e ndihmës së parë, një lopatë për të gërmuar në llogore dhe me një pushkë të thyer është një mister i madh!”, shkroi ai.bw

Përshkallëzimi- Krahasimi mes fuqisë ushtarake të Iranit dhe Izraelit

Nga Jonathan Baele, BBC

Irani është shumë më i madh se Izraeli gjeografikisht dhe ka një popullsi prej afro 90 milionë banorësh, pothuajse 10 herë më e madhe se ajo e Izraelit – por kjo nuk përkthehet në fuqi më të madhe ushtarake.

Irani ka investuar shumë në raketa dhe dronë. Ai ka një arsenal të madh të vetin, por gjithashtu ka furnizuar sasi të konsiderueshme për përfaqësuesit e saj – Huthit në Jemen dhe Hezbollahun në Liban.

Ajo që i mungon janë sistemet moderne të mbrojtjes ajrore dhe avionët luftarakë.

Rusia besohet se po bashkëpunon me Iranin për t’i përmirësuar ato, në këmbim të mbështetjes ushtarake që Teherani i ka dhënë Moskës në luftën e saj me Ukrainën – kryesisht në formën e dronëve Shahed, të cilët thuhet se rusët tani po i prodhojnë vetë.

Në të kundërt, Izraeli ka një nga forcat ajrore më të avancuara në botë. Sipas bilancit ushtarak të IISS, Izraeli ka të paktën 14 skuadrone avionësh – duke përfshirë F15, F16 dhe avionët më të fundit të fshehtë F-35.

Izraeli gjithashtu ka përvojë në kryerjen e sulmeve në thellësi të territorit armik.sn

Jordania, Perëndimi (dhe sauditët?): Aleanca që “shoi” sulmet iraniane

Jordania ka një rol kyç (dhe delikat): “Të kapë dronët dhe raketat. Të evitojë një përshkallëzim. Pas kërcënimeve të Teherani, Mbretëria e Mbretit Abdullah zbut tonet, por qëndron besnike e marrëveshjeve ushtarake me SHBA

“Këto janë kohë të ndërlikuara dhe delikate për Jordaninë. Në fund të fundit, kështu ka qenë që nga 7 tetori”.

Monarkia Hashemite i ka qëndruar besnike rolit të saj si një aleate kushinetë e Uashingtonit në rajon, si dhe një partnere e Izraelit. Ajo kapi “dronë dhe raketa” iranianë – disa fragmente ranë gjithashtu në territorin jordanez pa shkaktuar lëndime – dhe në të njëjtën kohë u përmbush edhe kërcënimi i Teheranit. “Nëse e pengoni sulmin, do të jeni shënjestra e radhës”, ishte mesazhi i dërguar nga Garda Revolucionare. Një test i rëndësishëm për Netanyahun, por edhe për administratën e Bidenit, e cila në bashkëpunim të ngushtë me Izraelin dhe në vazhdën e Marrëveshjeve të Abrahamit të nënshkruar nga Trump, ka realizuar krijimin e një ombrellë mbrojtjeje rajonale me bashkëpunimin e vendeve europiane, përfshirë këtu edhe Britaninë, Francën, dhe disa shtete sunite në rajon, duke përfshirë Jordaninë, Arabinë Saudite dhe Emiratet. Sistemi që hyri në veprim të shtunën mbrëma bazohet në një rrjet të përbërë nga sensorë të shpërndarë në vende të ndryshme, në të cilin partnerët kontribuojnë me radarë të vendosur pranë kufirit iranian.

Gjatë gjashtë muajve të parë të luftës pati disa shenja të funksionimit të këtij sistemi mbrojtës rajonal, i mbiquajtur Mead (Aleanca e Mbrojtjes Ajrore të Lindjes së Mesme) nga amerikanët. Dhe Jordania është gjithashtu pjesë e kësaj “aleance”. Por asgjë zyrtare. Më 2 shkurt, kur raportet e mediave qarkulluan për pjesëmarrjen e Jordanisë në sulmet ajrore të SHBA-ve në Irak, si përgjigje ndaj sulmeve që kushtuan jetën e tre ushtarëve amerikanë afër kufirit, Amman e mohoi atë. Mbreti Abdullah II, si dhe sauditët dhe Emiratet, qëndrojnë sa këtu aty. Siç shpjegon Osama Al Sharif, një komentator politik dhe kolumnist jordanez për Courier-in, Amani është i kujdesshëm që të mos e përkeqësojë tonin. “Qeveria jonë urdhëroi mbylljen e hapësirës ajrore dhe punoi për të mbrojtur qiejt dhe sovranitetin e saj”.

Për monarkinë ka shumë çështje dhe rreziku i një përshkallëzimi rajonal të konfliktit është real. “Në dekadën e fundit ne kemi qenë të përfshirë në konfliktin sirian me një fluks të madh refugjatësh, si dhe jemi pjesë e koalicionit anti-ISIS. Por vendi ka arritur të qëndrojë gjithmonë në ekuilibër. Tani, megjithatë, sfidat janë më komplekse dhe më të shtresuara”, përfundon Al Sharif.

Duke rikthyer kasetën, frika jordaneze për t’u bërë teatri i një lufte të re Proxy nuk duket aq e pabazë.

Tashmë në fund të tetorit të këtij viti, Amman i kërkoi Uashingtonit të vendoste sistemin e tij të mbrojtjes raketore Patriot në kufij. Që nga viti 2020, milicitë e mbështetur nga Irani janë bërë gjithnjë e më aktive në kufirin Jordan-Siri, veçanërisht pranë bazës amerikane al-Tanf, vetëm një hap përtej kufirit në Siri dhe në autostradën Bagdad-Damask, ku grupet e mbështetura nga Irani kërkojnë të kontrollojnë trafikun e armëve dhe drogës.

Në vitin 2021, Mbreti Abdullah II, duke anashkaluar parlamentin, nënshkroi një marrëveshje mbrojtëse me Shtetet e Bashkuara që lejonte hyrjen e lirë të forcave, avionëve dhe automjeteve amerikane për “bashkëpunim stërvitor dhe kundër terrorizmit”. Dhe në janar Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje prej 845.1 milionë dollarësh për të mbështetur buxhetin e Mbretërisë. Fonde që është e vështirë të heqësh dorë.

Por pasi zgjidhet një problem, lind një tjetër. Kushërinjtë sunitë nuk duan të kontribuojnë në stabilitetin e Mbretërisë. Në vitin 2021, Princi Hamzah, gjysmëvëllai i tij dhe ish-princi i kurorës, u vu nën arrest shtëpiak, ndërsa 15 figura të shquara u arrestuan, duke përfshirë ish-zyrtarin e lartë, Bassem Awadallah, i famshëm për afërsinë e tij me një tjetër princ të kurorës, sundimtarin saudit Mohamed Ben Salman dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Për më tepër, pas 7 tetorit, opinioni publik në vend – 60 % e jordanezëve janë me origjinë palestineze – filloi të protestojë kundër sulmeve izraelite në Gaza.

Dhe tani nuk kalon asnjë ditë pa vënë në dukje se popullariteti i grupeve antiperëndimore si Vëllazëria Myslimane është rritur në Jordani. Lëvizjet që Teherani dhe Moska sigurisht po i shikojnë me interes./American Eye.al/

Izraeli i kërkon Këshillit të Sigurimit të dënojë Iranin për sulmin e së shtunës

VOA/Margaret Besheer

Izraeli kërkoi të dielën që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të veprojë për të ndëshkuar Iranin, pas një sulmi të pashembullt ushtarak iranian ndaj Izraelit, që Teherani tha se ishte në hakmarrje për një sulm të dyshuar izraelit në ambasadën e tij në Siri, në fillim të këtij muaji.

“Sot, këshilli duhet të ndërmarrë veprime”, i tha Këshillit të Sigurimit i dërguari i Izraelit në OKB, Gilad Erdan. “Dënojeni Iranin për terrorin e tij; rivendosni sanksionet gjymtuese; shpallini Rojat Revolucionare iraniane si një organizatë terroriste. Duhet të veprohet tani. Jo për hir të Izraelit, jo për hir të rajonit, por për hir të botës”, tha ai.

Izraeli kërkoi takimin urgjent të këshillit pas një sulmi të drejtpërdrejtë në territorin e tij nga Irani, i cili tha se përfshinte 170 dronë dhe mbi 150 raketa. Izraeli tha se mbrojtja e tij ajrore, së bashku me ato të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë, rrëzuan 99 për qind të tyre.

I dërguari izraelit Erdan kritikoi këshillin që nuk u vuri veshin paralajmërimeve të Izraelit përgjatë viteve për Iranin. Ai tha se komuniteti ndërkombëtar qëndroi i heshtur për ngritjen e “një Rajhu islamik shiit”, por me sulmin e drejtpërdrejtë të Iranit ndaj Izraelit, regjimi tani është shpërfaqur.

Ai tha se Irani kishte “kaluar çdo vijë të kuqe” dhe se Izraeli ruan të drejtën ligjore për t’u hakmarrë.

I dërguari i Iranit tha se iranianët nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëmbrojtje pas sulmit të 1 prillit në ambasadën e tyre në Damask, dhe dështimit të Këshillit të Sigurimit për ta dënuar zyrtarisht atë.

Disa diplomatë të këshillit thanë se Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania bllokuan një dënim të sulmit të 1 prillit, sepse kishin pikëpyetje nëse objektet iraniane po përdoreshin për operacione të fshehta.

“Ky regjim i paligjshëm ka kryer shumë krime mizore kundër popullit tonë”, tha ambasadori iranian Amir Saeid Iravani duke folur për Izraelin. “Ky regjim pranoi hapur përgjegjësinë e tij për operacionet terroriste dhe shkatërruese të kryera kundër zyrtarëve, shkencëtarëve dhe civilëve iranianë dhe sabotimit të infrastrukturës sonë bërthamore paqësore në vitet e fundit”.

Izraeli dyshohet se ka kryer disa sulme ajrore, atentate dhe sulme kibernetike ndaj Iranit në vitet e fundit, shumica të përqendruara në programin e tyre bërthamor. Izraeli kurrë nuk i konfirmon publikisht operacionet e tilla.

I dërguari Iravani tha se Irani “nuk kërkon përshkallëzim apo luftë në rajon”, por do të mbrohet nëse është e nevojshme.

Ai gjithashtu theksoi se Irani nuk dëshiron një konflikt me Shtetet e Bashkuara.

“Ne treguam përkushtimin tonë për paqen duke ushtruar përmbajtjen tonë për përfshirjen e ushtrisë amerikane në pengimin e dronëve dhe raketave iraniane të nisura kundër objektivave ushtarake në territoret e pushtuara palestineze”, tha ai. “Kjo nënvizon përkushtimin tonë për uljen e tensioneve dhe shmangien e zgjerimit të konfliktit”.

Por. ai shtoi se nëse ushtria e Shteteve të Bashkuara fillon ndonjë operacion kundër vendit të tij, qytetarëve ose interesave të tij të sigurisë, Irani do të “përgjigjet me të njëjtën masë”.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Robert Wood, tha se Uashingtoni nuk po kërkon një përshkallëzim me Teheranin, por lëshoi një paralajmërim.

“Më lejoni të jem i qartë, nëse Irani ose zgjatimet e tij ndërmarrin veprime kundër Shteteve të Bashkuara ose veprime të mëtejshme kundër Izraelit, Irani do të mbahet përgjegjës”, tha ai.

I dërguari Wood tha se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë këshillimet me vendet e tjera për të “shqyrtuar masa shtesë për ta mbajtur Iranin përgjegjës këtu në Kombet e Bashkuara”. Ai nuk dha hollësi se çfarë mund të përfshijë kjo, por i kërkoi Këshillit të Sigurimit të “dënojë pa mëdyshje” veprimet e Iranit dhe t’u bëjë thirrje partnerëve dhe zgjatimeve të tij t’i japin fund sulmeve të tyre.

Grupet e mbështetura nga Irani, përfshirë Hezbollahun në Liban dhe Huthit në Jemen, kanë qëlluar me raketa në drejtim të Izraelit, dhe Houthit kanë kryer sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Ngushticën e Hormuzit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së iu drejtua takimit urgjent, duke bërë thirrje për ulje të tensioneve.

“Është koha të tërhiqemi nga buza e greminës”, tha sekretari Antonio Guterres, duke shtuar se as Lindja e Mesme dhe as bota nuk mund të përballojnë më shumë luftë.

Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dënoi përshkallëzimin dhe u bëri jehonë thirrjeve të shefit të ë OKB-së për ulje tensionesh dhe diplomaci, ndërsa shprehu shqetësimin për rrezikun e zgjerimit të trazirave rajonale.

Analiza e CNN: Sulmi iranian, ‘i projektuar për të dështuar’

Sulmi masiv i nisur nga Irani kundër Izraelit në orët e para të ditës së diel, me lëshimin e mbi 300 dronëve dhe raketave vetëvrasëse drejt shtetit hebre, duket se është planifikuar qëllimisht “për të dështuar”.

Kështu shkruan televizioni “CNN”, sipas të cilit operacioni sulmues i kryer nga Irani, shumë kompleks në nivel operacional, kishte për qëllim maksimizimin e efektit të imazhit dhe minimizimin e dëmeve konkrete ndaj Izraelit.

Autoritetet izraelite thanë se arritën të mbroheshim me sukses fal dhe ndihmës së aleatëve të SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Dje u mblodhën përfaqësuesit e G7, të cilët njëzëri dënuan ashpër sulmin iranian mbi Izraelin.sn

Izraeli zmbraps sulmet iraniane me ndihmën e aleatëve. Shqetësim për përshkallëzim

Sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit

VOA

Në një veprim të paprecedentë, Irani sulmoi të shtunën Izraelin ndërsa mbrojtja ajrore e këtij të fundit e ndihmuar edhe nga aleatët, SHBA, Britania, Jordania dhe Arabia Saudite arritën të rrëzojnë rreth 99 % të më shumë se 300 dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani. Por tensionet mbeten të larta, mes frikës për përshkallëzim të mëtejshëm në rast të një kundërsulmi të mundshëm izraelit. Presidenti amerikan, Joe Biden tha se do të thërrasë një takim të G-7-ës për të koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike. Ekspertët thonë se ky sulm shënoi një kapitull të ri në histori.

Izraeli njoftoi të dielën se kishte përballuar me sukses sulmin e paprecedentë nga Irani, ndërsa ushtria izraelite dhe aleatët rrëzuan 99% të më shumë se 300 dronëve dhe raketave të lëshuara drejt territorit izraelit.

“Të shtunën Irani ndërmori një sulm kundër Izraelit dhe nisi më shumë se 300 dronë dhe raketa. Kërcënimi iranian u përball me epërsinë ajrore dhe teknologjike të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit së bashku me një koalicion të fortë me aleatët, i cili së bashku goditi shumicën e dronëve dhe raketave. Ne goditëm 99% të kërcënimeve të lëshuara ndaj territorit të Izraelit. Kjo është një arritje strategjike shumë e rëndësishme”, tha zëdhënës i Ushtrisë izraelite.

Por tensionet rajonale mbeten të larta, mes frikës për përshkallëzim të mëtejshëm në rast të një kundërsulmi të mundshëm izraelit.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se “ai do të thërriste një takim të G-7-ës (shtatë vendet më të industrializuara të botës) për t’u koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të paprecedentë të Iranit”.

Sipas analistëve, gjuha e deklaratës tregoi se administrata Biden nuk dëshiron të futet në një konflikt më të gjerë ushtarak. Një zyrtar i lartë amerikan tha se Uashingtoni e kishte informuar Izraelin se nuk planifikon të godasë vetë Iranin.

Sulmet iraniane ndaj Izraelit ndodhën pas një sulmi ajror në një ndërtesë konsullore iraniane në Siri në fillim të këtij muaji, ku u vranë dy gjeneralë iranianë. Izraeli as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përgjegjësinë për këtë sulm.

“Mendoj se trysnia ndaj udhëheqësit suprem Ayatollah Khamenei u rrit deri në pikën ku Irani e ndjeu se ishte e nevojshme që nëse nuk i kryente këto sulme ndaj Izraelit, Izraeli thjesht do të vazhdonte të merrte gjeneralët iranianë një nga një”, thotë për Zërin e Amerikës, Barbara Slavin, eksperte pranë qendrës “Stimson” .

Prej vitesh, Izraeli dhe Irani kanë zhvilluar një luftë në hije me incidente si sulmi ndaj konsullatës në Damask, por sulmet e së shtunës ishin sulmet e para të drejtpërdrejta iraniane ndaj Izraelit, pavarësisht dekadave të armiqësisë që daton që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

“Ky është një kapitull i ri për historinë e Lindjes së Mesme. Deri në këtë pikë, as Irani dhe as Izraeli nuk e kishin sulmuar drejtpërdrejt njëri-tjetrin nga territori i tij. Irani tani e ka ndryshuar këtë. Për Izraelin, kjo do të thotë se Irani mund të bëjë sulme të ngjashme në të ardhmen. Po kështu, kjo do të thotë se Izraeli tani ka të drejtë ta bëjë të njëjtat sulme kundër vetë Iranit. Veprimet e Iranit kanë ndryshuar rrjedhën e dinamikës së sigurisë rajonale”, thotë për Zërin e Amerikës eksperti Norman Roule.

“Përshkallëzimi i dhunës është shumë i rrezikshëm. Shumë prej nesh që e kemi parë me habi luftën e Gazës gjatë 6 muajve të fundit, jemi të shqetësuar se ky lloj përshkallëzimi mund të sillte një konflikt më të gjerë, nëse situata në Gaza nuk zgjidhet shpejt”, thotë për Zërin e Amerikës Barbara Slavin, eksperte pranë qendrës “Stimson” .

Izraeli ndër vite ka krijuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara një sistem të mbrojtjes ajrore, i aftë të përballojë një sërë kërcënimesh, duke përfshirë raketa me rreze të gjatë, dronë apo raketa me rreze të shkurtër veprimi.

Ky sistem, së bashku me avionët amerikanë, britanike dhe të aleatëve të tjerë bënë që Izraeli të përballonte me sukses sulmin masiv iranian, ndërkohë që ushtria është në luftë me grupin militant Hamas në Gazë dhe Hezbollahun në Liban. Si Hamasi ashtu edhe Hezbollahu mbështeten nga Irani.

“Teknologjia iraniane nuk arriti të depërtojë përtej mbrojtjes ajrore perëndimore. Po ashtu ushtria iraniane ishte në gjendje të demonstronte se ishte e gatshme të godiste Izraelin. Pavarësisht reputacionit ushtarak të Izraelit dhe pavarësisht mbështetjes së Izraelit nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Por është e pamundur të thuhet sonte se Irani do të largohet nga ky sulm me ndjenjën se ka frenuar Izraelin apo Shtetet e Bashkuara”, thotë eksperti Norman Roule për Zërin e Amerikës.

Gjenerali Mohammad Hossein Bagheri, shefi i Shtabit të Forcave të armatosura iraniane, tha se operacioni kishte përfunduar, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

“Ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë operacionin kundër Izraelit”, citohet të ketë thënë ai.

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, pretendoi se Irani i kishte dhënë një mësim Izraelit dhe paralajmëroi se “çdo aventurë e re kundër interesave të kombit iranian do të përballej me një përgjigje më të rëndë dhe pa keqardhje nga Republika Islamike e Iranit”.

Sulmi i paprecedentë iranian- Ekspertët e mbrojtjes tregojnë se çfarë hapash mund të ndërmarrë Izraeli

Ekspertët e mbrojtjes kanë folur për CNN nëse dhe si Izraeli mund t’i përgjigjet sulmeve të kësaj fundjave nga Irani.

Michael Oren, ish-ambasador izraelit në Shtetet e Bashkuara, i tha CNN se “rregullat duhet të ndryshohen” pas sulmit të së shtunës mbrëma, përcjell Telegrafi.

“Do të varet kryesisht nga shkalla e dëmit të shkaktuar nga kjo valë e parë e dronëve dhe raketave iraniane”, citohet të ketë thënë Oren.

“Por në çdo rast, ne jemi në Lindjen e Mesme dhe presioni dhe parandalimi llogariten shumë këtu. Nuk mendoj se Izraeli mund të goditet në këtë mënyrë në një shkallë kaq masive dhe të mos përgjigjet në një mënyrë domethënëse”.

Ndërsa Eyal Hulata, një ish-këshilltar izraelit për sigurinë kombëtare, theksoi se hakmarrja ushtarake nuk është përgjigja e vetme në dispozicion, duke shtuar se sanksione të tjera ndërkombëtare kundër Iranit mund të jenë të mundshme.

Ndryshe, SHBA njoftoi sanksione ndaj Iranit në shkurt – duke synuar një sërë nismash keqdashëse iraniane, duke përfshirë luftën kibernetike dhe programet e tyre me dron.

“Asgjë e tillë nuk ka ndodhur më parë. Ky është Irani që kalon të gjithë vijat. Por nuk mjafton vetëm të pyesim se çfarë duhet të bëjë Izraeli, por gjithashtu, çfarë duhet të bëjë komuniteti ndërkombëtar kur Irani ka bërë diçka kaq të paimagjinueshme”, mendon Hulata.

Irani ka qenë nën një mori sanksionesh ndërkombëtare për vite të tëra, të cilat kanë goditur ekonominë e vendit. Por ato kanë pasur ndikim të kufizuar në ndryshimin e qasjes së qeverisë ndaj Izraelit dhe Lindjes së Mesme më gjerë.sn

Sulm iranian, mbi 200 dronë dhe raketa drejt Izraelit

Pothuajse të gjithë u rrëzuan: dëme relativisht të kufizuara – takimi urgjent i OKB-së i caktuar për të dielën – Teheran: “SHBA mos u përfshi”

VOAL- Gjatë natës midis së shtunës dhe të dielës, Irani nisi disa valë të një sulmi raketor në shkallë të gjerë kundër Izraelit në hakmarrje për bombardimin vdekjeprurës që goditi ambasadën e tij në Siri dy javë më parë.

Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, “u kryen mbi 200 sulme të ndryshme – të kryera me dronë, raketa lundrimi dhe balistike – shumica e të cilave u kapën”. Krahasuar me madhësinë e sulmit, dëmi ishte “relativisht i kufizuar”; Kështu thonë dy zyrtarë amerikanë të cituar nga New York Times. Një i mitur është plagosur rëndë, raportojnë gazetat lokale.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me kërkesë të Izraelit, do të mbahet të dielën. një takim urgjent për ngjarjen. Teherani pretendon legjitimitetin e sulmit duke iu drejtuar ligjit ndërkombëtar: “Është një përgjigje ndaj agresionit të regjimit sionist kundër selisë sonë diplomatike në Damask”. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar dënon ashpër sulmin.rsi-eb

Ministri izraelit i Mbrojtjes: Sulmi nga Irani u pengua ‘në mënyrë mbresëlënëse’

Ministri i mbrojtjes i Izraelit ka thënë se ai ka përfunduar një vlerësim të situatës operacionale me anëtarë të lartë të institucionit të mbrojtjes të Izraelit dhe ka arritur në përfundimin se IDF-ja “e pengoi” sulmin nga Irani “në një mënyrë mbresëlënëse”.

Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë shtesë, ne arritëm të mbronim territorin e shtetit të Izraelit. U shkaktuan shumë pak dëme – ky është rezultat i operacioneve mbresëlënëse të IDF-së.

Gallant tha se ndërsa “fushata nuk ka përfunduar ende”, Izraeli “e pengoi valën më të rëndësishme [të sulmit] dhe ne e bëmë këtë me sukses”.sn


Send this to a friend