Ata kërkuan nga unë që t`i ndihmoj, u ndërmend Bato Bregu, ndërsa po shihte kockat e mishit të pjekur të zhveshura dhe gotat e rakisë të lyrosura nga jashtë.Pllaja fundosej në muzg si një fushë daulljeje me furinë e tingujve të pandjeshme që e godisnin gjithandej.Kishin kohë që patën ikur dhe atij s`po i shqiteshin nga mendtë qentë e tij që mend i kishin çapëlyer.Nëse ai do i kish lejuar, gjithë fshati e më gjërë, do ta thashethemnonin për Bato Bregun dhe qentë e tij që kishin copëtuar kandidatin për deputet Bekim Asllani, e, zona do mbetej me turp.Qentë e tij s`kishin lehur kurrë kështu, madje edhe kur pranë stanit afrohej ujku, mos vallë një deputet qenka më i vështirë sesa ujku?
Ai risolli ndërmend fjalën që i kishte dhënë Bekimit, që do ta ndihmonte, dhe s`kish pse mos e kryente këtë ndihmë të vogël ,ndërsa ishte herë e parë që ofronin në zonën e tyre një djalë nga fshati Kotrenë.Gjithnjë deputetët kishin ardhë nga zona të largëta ,patën marrë votën e s`kishin bërë gjë.Fshati i tyre ishte në një grykë mali, që izolohej vetvetiu nga natyra, me bukuri përrallore, ara të sheshta , ujë të bollshëm ,kullota e pyje të pafundmë që ishin ruajtur se mungonte rruga e makinës, e cila qe hapur dikur, po duheshin vetëm dy kilometra të prishura që të rregulloheshin dhe fshati lidhej përbukuri me qendrën komunale.Ruga ishte pengu i tyre, ajo kishte gjarpëruar përjetësisht në premtimet e zyrtarëve, si një fill për të lidhë mashtrimet e sheqerosura, po kurrë nuk e kishte vrarë mendjen kush për të.Tani, kur Bekim Asllani erdhi, me siguri do të siguronte fondet e nevojshme.
Kur Bato Bregu zbriti nga stani në fshat vuri re se njerëzit ishin ndarë në kampe.Ata të qorollepseshin si të donin me njëri tjetrin, kur ,një gjë dihej e sigurtë ,se vetëm fisi i Batos përcaktonte shigjetën e fitores.Partitë fantazma silleshin nëpër fshat dhe shanin dy partitë e mëdha, tarafet e fshehta mblidheshin dhe bënin llogaritë, qarkullonin fjalë se disa familje nuk do votonin pa zgjidhur një problem uji që ishte i vjetër.Ai nuk ishte marrë kurrë me këto punë, po ja që iu dha rasti të merrej, dhe kjo po i pëlqente.Në fillim shetiti nepër familjet e fisit të vet.E dinte se kishte autoritet tek njerëzit , po ata ishin ngatërruar keq me atë të flamosur politikë.Dy kushërinj e kishin ndarë mendjen:do votonin për Legalitetin, ndërsa njëri kokëkrisur siç qe ,e priti me këmbët e para:do votonte për një parti greke, sepse priste një vizë.Batos iu fry rrembi i zemërimit në ballë, nuk e kishte zakon të luste kënd, por i tha se së shpejti do ia kishte nevojën dhe atëhere mbase qe vonë.Vuri re se tjetri u lëkund.Të tjerët i dhanë fjalën për të votuar për Bekim Asllanin,ndonëse me rezerva, kur i kujtuan se ai djalë vërtet ishte nga fshati i tyre ,po fisi i tij gjithnjë kishte prashitur nëpër ferra, ose e kishte prerë kashtën e misrit përmbi kalli, e për këtë arsye s`e kishte nxjerrë kurrë qimen nga qulli.Megjithatë i joti se i joti mbetetet, por i yti është edhe…Bato Bregu gjithnjë ngulte këmbë në të tijën, nuk duhej gjykuar kështu, Bekim Asllani ishte djalë i shkolluar, i ditur dhe nga i dituri nuk vjen kurrë gjë e keqe.Po i ditur sot , është edhe fëmija në bark të nënës, veçse, aha, burra të llafit e të besës s`ka më, ka ardhë një kohë e çuditshme kur shitet njeriu për një thes miell e dy pako makarona.Bato Bregu e kundërshtonte çdo mendim që s`i vinte për hosh.
U fol se dikush kishte shpërndarë para në lagjen e sipërme të fshatit , ishte një biznesmen, i ardhur nga Tirana.Kjo nuk u vërtetua kurrë po një gjë u pa qartë pas dy ditësh se gjithë listat e ushqimeve tek dyqani i fshatit qenë shlyer.Bato Bregu nuk e vrau mendjen për këtë, as u orvat të mësonte diçka më të hollësishme, ata kot e kishin, ai e parandjente kush do fitonte.Ditët rridhnin me një trazim që i shkon fushatës.Së bashku me Bekimin i mblodhi fshatarët një ditë dhe u foli.E dëgjonin me respekt. Përafërsisht tha se ata le të merrnin çdo ndihmë që afronin kandidatët, nuk përmendi lekë nga frika mos i fyente, por një gjë duhej ta dinin mirë, askush s`kish premtuar për rrugën, veç Bekimit, ata duhej të shikonin para, dhe të kthenin kokën për të parë se sa herë e merrnin rrugën në këmbë për në qendër të komunës, tre orë rrugë, sa herë kishin transportuar njerëz të sëmurë me vig, sa herë ishin lagur nga shiu e ishin futur në ujë për shkak të mungesës së një ure, e pra, duke i kujtuar këto, le të mendoheshin mirë kur të shkonin tek kutia e votimit,sepse këto do t`i bënte vetëm djali i fshatit dhe askush tjetër. Koha e shkuar kishte qenë e mjaftueshme për të kuptuar të gjitha rrenat e ikanakëve të mëdhenj.Bekim Asllani nuk foli më mirë, mbase as që ishte nevoja të fliste pas këtyre fjalëve që ngjitën aq fort, sa ca kundërshtarë që Bato i njihte ulën kokat dhe filluan të mendoheshin…
Dita e votimit afroi. Bato ishte kryetar komisioni dhe jepte shenjat e nevojshme, njerëzit buzëqeshnin me miratim.Pasi u numëruan votat edhe në fshatra të tjera, Bekimi doli fitues. I çoi fjalë Batos të zbriste deri në qendër të komunës.Atje kishte shtruar një drekë të bollshme, ishin therur qengja dhe qenë rreshtuar arkat me birrë.Deputeti e mori Baton në krahun e djathtë, e nisi fjalën duke i përshëndetur të gjithë , e veçanërisht, Baton, këtë mik të çmuar, burrë ne vlera të larta, njeri të zakonit e cilësive më të mira të malësorit shqiptar.Ai ripremtoi se çfarë kishte folur do ta kthente në realitet.
Ditët e mëpasme u dëgjua se Bekim Asllani na qenkësh bërë ministër. E kripa djathin, mendoi Bato, dhe e mori në telefon, siç e merrte gjithnjë, po tani me një ndjenjë të veçantë gëzimi që dyfishohej prej emërimit të tij.Tani, i tha Bato, ka ardhë çasti i duhur për të menduar për rrugën e për t`i dhënë zgjidhje të shpejtë këtij problemi.Mos u ngut, Bato, ia ktheu tjetri ,po negociohet me një kompani austriake për kërkime nafte në fshatin tonë, dhe, së pari dihet, vjen rruga.Pse s`thua, ne po i a kalokemi Kuvajtit, tha Bato, pa u menduar se tjetri mund t`i merrte këto fjalë si një qesëndi që s`e priste prej tij.
Djali i madh nga mësues i thjeshtë filloi drejtor shkolle.Ditët e para të detyrës ai i kërcënoi disa mësues se do t`i hiqte nga puna, madje njërin e pushoi.Vetëm nëse ai jepte një kuotë të caktuar parashë,të cilat, kuptohej, nuk i donte ai, po drejtori i arsimit në rreth, një kopil i adaptuar nga një ish funksionar i sistemit të dikurshëm.Ndonëse Dyli kishte dyzet vjet mësues s`pati çfarë t`i bënte, ishte me pedagogjike.Kur Dyli vajti dhe ia tha këtë Batos, ai u xhindos, e, po ta kishte djalin afër me siguri do ta qëllonte.Vajti të nesërmen në Drejtorinë e rrethit dhe i mori letrën e rikthimit në punë.I biri u çudit nga kjo dhe i ranë veshët, po ai nuk e dinte se këtë gjë e kishte vënë në vend i ati.Djali tjetër filloi punë në komunë si agronom.Bato kuptoi se po bëhej i rëndësishëm dhe kjo i pëlqente.Ai po kuptonte se njerëzit kishin halle nga më të ndryshmet.Qe shndërruar në një mbrojtës të tyre, kohë nuk kishte, po njerëzve nuk ua prishte dot. Kështu kish qenë gjithnjë ai, i papërtuar që e jepte ndihmën me kërkesën e parë.Një ditë i erdhën tre njerëz në stan, ai i priti mirë, po ata i kërkuan një liçensë për shfrytëzim pylli.
-As, më çani kokën , u hakërrye ai, çfarë më pandehni mua, ministër?Shteti ka rregulla…
-Po ne të japim pjesën, thanë ata.
Kjo e tërboi më shumë Baton , sa bërtiti me të madhe, dhe ata u larguan të trembur.Ai po tërbohej, askush s`po kërkonte të bëhej rruga, sejcili shihte menderen e vet,kërkonte të zgjidhte punët shpejt e shpej, pa i hyrë gjemb në këmbë.Stërkëmbëshat, bërrylat, llafet pas shpine, ndiheshin dhe zgjatnin fijet kudo.Kjo ishte për të vënë duart në kokë e për t`i thënë njëherë e mirë sikter çdo gjëje.
Kështu mendonte ai netëve në stan ,ndërsa në pyjet e largëta dëgjohej ulërima e ujqërve, ulërimë e zvargur , gërryese, e ndërprerë ,që ngulmonte gjithnjë për kapjen e presë.A s`do ishte më mirë të mos qe ndërfutur në këto punë, të rrinte i qetë siç kishte ndenjur gjithnjë, vetëm në hall të vet.Sa mirë do të qe, po ja, krejt papritur, u përfshi në këtë vorbull, e, tani qe vështirë të dilte.Njerëzit prisnin prej tij dhe ai kurrë s`e kishte pasur zakon të zhgënjente të tjerët.Por tani ndonjë edhe po e zhgënjente, sepse s`donte të premtonte qiqra në hell…
Një telefonatë e të birit e bëri të kthehej në fshat.Për ku nuk i shkoi mendja Batos.Agronomi i komunës rrinte i mërzitur.Bato i shkoi tek shtëpia pas aq kohe dhe vuri re se i biri kishte bërë ndryshime.Kishte blerë televizor plazmë, divane të rinj, dixhitalb, kolltuqe, shëpia ndriste nga një mobilim i këndshëm.Bato nuk e pyeti për asgjë , priste që i biri të thoshte vetë përse e kishte kërkuar.Po i biri më parë shtroi tavolinën me gjithë të mirat, ngriti shëndet për babanë, e pyeti për mbarëvajtjen e punës dhe vetëm kur e quajti të arsyeshme ndërhyri për të zbrazur hallin e tij.Ai duhej të shkonte, punë ditësh, tek Bekimi, e t`i kërkonte një favor të thjeshtë, atij nuk i jepnin një liçensë për shfrytëzim në një sipërfaqe pylli.Kjo rregullohej me një telefonatë nga lart.
-Po ti je në punë shteti?-pyeti Bato.
-Mendoj ta lë, tha i biri.
-Pra, ti kërkon të krijosh një firmë ?Dhe nuk ke as mjete, as makina, asgjë.
-Do t`i ble, tha i biri.
-Dhe kaq shpejt?
–Me kredi, tha i biri.Baba,një herë në katër vjet fluturon një patë e pjekur…
I ati heshti dhe i biri kuptoi miratimin.Ai do të nisej të nesërmen .I biri nxori një tufë lekësh dhe ia futi në xhep.
-Pije një kafe me ministrin, tha.
Të nesërmen herët Bato u nis për në Tiranë.Do të bënte një bisedë të mirë me Bekimin, kishin kohë që s`ishin parë dhe, ç`është e vërteta, atë e kishte marrë cazë malli.Tek ministria e ndaloi roja.
-Kërkoj ministrin , tha Bato.
-Ministri është në Austri-u përgjigj roja-kthehet pas tre ditësh.
-Jo, more-ç`fat i keq, mërmëriti Bato dhe atëhere u kujtua se duhej ta kish marrë në telefon. Nxori aparatin në sy të rojes dhe formuloi numrin , po ai numër ishte i bllokuar.Roja nënqeshi duke e marrë këtë si demonstrim rëndësie.Pastaj për të mos e parë fshatari, mënjanoi kokën, po tjetri as e kishte mendjen.Ishte mbasdite, Bato u suall vërdallë nëpër Tiranë, takoi rastësisht dy fshatarë të vet që rrinin në këmbë, kot , tek një lulishte, po asnjëri nga ata nuk e ftoi për kafe, atëhere i ftoi Bato ata.Nuk deshi të rrijë më shumë me ta, kur kuptoi se ishin të çinteresuar për fshatin.Flisnin kot më kot dhe bënin ca llogari punësh në ndërtim.
Atë natë bujti në Babrru tek një nip, kur mësoi rastësisht nëpërmjet një kronike televizive se ministri ishte në Tiranë.Roja e kishte gënjyer.Seç ndjeu një flakë gënjimi që i përpinte gjymtyrët, një shenjë dobësie përzier me forcë, e po ta kishte afër atë imcak turilëpjetë sa dëshirë do kishte t`ia këpuste një grusht në ato hundë të tërhequra nga era e keqe e koridorëve të administratës.
Të nesërmen kur ai e pa rojen që po fliste në telefon nuk e kishte më atë zemërim. Po mendonte më gjatë për të. I shkreti ,ruante punën, mbase kishte fëmijë shumë, s`dihej çfarë e urdhëronin shefat e rreptë.Befas nga xhami i derës së jashtme pa ministrin, po, po, ishte vërtetë, ai , i shoqëruar nga dy çuna kokëqethur… Bëri para duke thirrur:
-Bekim, ku je, more evlat..po ndërkohë roja, si për dreq, kishte dalë përpara.I dha një të shtyrë dhe Bato u mbështet përtoke duke ulur gjunjët rreth murit, drejt dyshemesë.Ndërkohë s`e kuptoi se si dy çunat ia kishin bllokuar duart , të cilat ai ,megjithatë, i lëvizi, dhe po të mos ishte ndërhyrja e ministrit njërin me siguri do e kishte plandosur përtokë.Ministri u foli atyre me ton të prerë:
-Lereni, Bato është miku im…
Bato Bregu ishte zverdhur,po u kujtua se duhej ta mbante veten, nuk i kishte hije një malësori kryelartë të përgjunjej, në ato çaste.Atij befas iu kujtuan qentë e tij që mend e kishin çapëlyer BekimAsllanin,po ai s`i kishte lënë ta preknin.Ndërsa qentë e tij qenkëshin më të rrezikshëm.Qeshi mbytas ,ndërsa po ngjiste shkallët me ministrin,i cili i kishte futur krahun.Zyra ishte e tejngopur me konfort.Ministri e la tavolinën e vet dhe u ul aty ku u ul Bato ,ngjitur me të.Ai i zgjati edhe një herë dorën me përzemërsi si shenjë çliruese dhe afruese sikur donte t`i kërkonte të falur për incidentin.Bato rrinte si i përhumbur ,por vetiu po ndjente një shenjë ardhje në normalitet dhe po kujtohej përse kishte ardhë.Pasi iu përgjigj disa interesimeve të ministrit, Bato doli aty ku duhej.Ia shpjegoi hallin e vet ,ndërsa ministri e dëgjonte me vëmendje.U bë një pauzë.Bato nuk e gjykoi se duhej të fliste.Me mikun mjaftojnë vetëm disa fjalë dhe nuk ka nevojë të përsëriten llafet.Ministri u ngrit në këmbë ,bëri një rrethrrotullim të vogël,kryqëzoi duart dhe papritur shkoi drejt tavolinës së vet,hapi një sirtar mori diçka,po letrat i la mbi tavolinë.Ai u ul sërish në vendin e mëparshëm dhe foli:
-Këtë nuk e kam në dorë,po një ministri tjetër.Megjithatë do interesohem.Them që do ta bëj.E bëj vetëm për ty,sa për djalin…Heshti pakëz dhe vijoi:Djali jot ka bërë disa proçka në komunë…Bato ndjente një afrim të lehtë të tjetrit përmes fjalëve serioze.Ai nuk shprehu asgjë falenderuese …Vetëm të kuptohemi,vijoi ministri,djali duhet të mbyllë gojën dhe të shikojë punën.Pastaj duhet të vijë të më takojë herë tjetër mua se nuk i dihet…
Kur Bato po i zgjaste dorën mikut ministri shkoi sërish te tavolina e mori letrën dhe e rifuti në sirtar.Dora e Batos mbeti e ngrirë.Ministri u kujtua për të.Nxitoi dhe i dha dorën e me një shtërngim të lehtë mërmëriti:
-Bato ti sikur e kishe merak rrugën e fshati.Nuk pyete një fjalë…
Atë çast Bato e shkëputi dorën si ta takonte në zjarr.Kur doli në rrugë u kujtua për veprimin e çuditshëm të ministrit që kishte hapur dy herë sirtarin e tavolinës.Qeshi hidhur…
Komentet