VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Rritja e antagonizmave amerikano-gjermane – Nga JANUSZ BUGAJSKI*

By | April 21, 2019

Komentet

Ndërtesat inteligjente që mund të ndjejnë kërcënimet

Elizabeth Lee

Disa sulme me armë në Shtetet e Bashkuara kanë ri-ndezur debatet e ashpra për kontrollin e armëve në Amerikë. Por ka edhe përpjekje të tjera për të mbrojtur njerëzit nga dhuna me armë – si krijimi i një ndërtese inteligjente me synim trajtimin e situatave të sulmeve me armë. Inxhinierët e shkencave kompjuterike në Universitetin e Kalifornisë Jugore po përdorin realitetin virtual për të projektuar ndërtesa që mund të mbrojnë banorët e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee sjell hollësitë nga Los Anxhelosi.

Në këtë video virtuale, një sulmues me armë ndodhet në një shkollë. Si reagojnë njerëzit brenda? A do të përgjigjen ata ndryshe nëse ndërtesa është projektuar në një mënyrë tjetër? Realiteti virtual është hapi i parë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, për të ndihmuar inxhinierët të krijojnë një ndërtesë më të sigurt, thotë Gale Lucas, i cili studion ndërveprimin e kompjuterve me njeriun.

“Ne jemi të interesuar të shohim se si atributet e ndryshme të ndërtesës ndikojnë në reagimet ndaj incidenteve të dhunës ekstreme. Dhe kjo është diçka që ne nuk mund ta manipulojmë me lehtësi në botën reale, por në realitetin virtual kjo është e mundur, e sigurt dhe etike”.

Së shpejti mësuesit dhe punonjësit e zyrës do të testohen për të parë se si reagojnë ata gjatë një incidenti të dhunshëm virtual të inskenuar brenda modeleve të ndryshme të ndërtesave të zyrave dhe shkollave.

Makina të ngjashme si këto do të përdoren për të mundësuar vrapimin ose ecjen. Projektuesit do të shikojnë numrin e daljeve, vendeve të fshehura dhe nëse dritaret e qelqit duhet të jenë të tejdukshme apo të patejdukshme, bazuar në rekomandimet e ekspertëve qeveritarë dhe të sigurisë.

Burcin Becerik-Gerber është specialist i ambienteve inteligjente.

“Ka kaq shumë rekomandime dhe shumë para po investohen në këto ide, por ato nuk janë testuar mirë në botën reale në kuptimin e mënyrës se si funksionojnë.”

Qelqi i patejdukshëm për shembull, mund t’i mbajë njerëzit të sigurt në një situatë si kjo, por mund të mos jetë ideale në rrethana normale, për shembull në rastet kur personeli shkollor dëshiron të shohë brenda një klase.

“Unë mendoj se elementët kinetikë janë më dinamikë dhe më të mirë se se sa elementet statike të ndërtimit. Po flasim për qelqin e patejdukshëm kundrejt atij normal, por ato mund të pajisen me elemente inteligjente që reagojnë ndaj kërcënimeve kundër ndërtesës.”

Kështu që një dritare me qelq të tejdukshëm mund të bëhet e patejdukshme kur ekziston kërcënimi, thekson Becerik-Gerber.

Inteligjenca artificiale dhe sensorët në ndërtesa mund ta bëjnë këtë të mundur.

“Mund të përdoren sensorë të cilët mund të identifikojnë zhurmën e krijuar nga të shtënat me armë, klithmat dhe gjëra të tjera. Kështu që ndërtesa mund të ketë, për shembull, mure dinamike që bllokojnë ndoshta aktorët e këqij në ndërtesë.”

Një ndërtesë inteligjente gjithashtu mund të prodhojë sinjalistikë dixhitale që ua tregon banorëve daljet më të sigurta, larg dhunës.

“Nëse kemi mentalitetin e duhur dhe gatishmërinë për t’i zbatuar, ato nuk janë teknologji shumë të sofistikuara. Kështu që nuk besoj se jemi shumë larg krijimit të ambienteve inteligjente.”

Pasi studiuesit të kuptojnë se si tipare të ndryshme të projektimit ndikojnë në sjelljen e njerëzve, ata mund të projektojnë ndërtesa më të mira dhe mund të dinë se cilat lloje teknologjish do t’i mbajnë njerëzit të sigurt gjatë një akti të dhunës në masë.

Trump: Amerika iu është rikthyer fitoreve

 VOAL – (ANSA) – DAVOS, 21 Janar – “Dy vjet më parë këtu kisha paralajmëruar një rikthim të madh të Amerikës. Sot jam krenar të them që Amerika po fiton përsëri, si kurrë më parë”. Presidenti amerikan Donald Trump e tha këtë gjatë ‘fjalimit të tij special’ në Forumin Ekonomik Botëror. “Ne kemi hyrë në marrëveshje të jashtëzakonshme tregtare me Kinën nga njëra anë, dhe Meksikën dhe Kanadanë nga ana tjetër, marrëveshjet më të mira ndonjëherë”, pohoi Trump. Këtë e tha presidenti amerikan Donald Trump, duke përmendur sukseset e administratës së tij gjatë ‘fjalimit special’ të tij në Forumin Ekonomik Botëror. “Ka pasur gjëra shumë pozitive tek ne, por, megjithatë jo aq pozitive gjetkë,” tha Trump në një referencë të dukshme ironike ndaj Evropës.

Gazetari Denis Dyrnjaja vë alarmin: Sandër Lleshi zbriti Mercedesit: Njerëzit po terrorizohen nëpër qytete!

 

Gazetari Denis Dyrnjaja që punon në televizionin Top Channel vë alarmin dhe i bën apel ministrit të brendshëm Sandër Lleshi për shkak të degradimit të rendit publik në të gjithë vendin. Populli jeton nën terrorin e bandave, kryebanditët e të cilave lirohen çdo ditë nga burgjet e Shqipërisë.  Më poshtë po sjellim statusin e plotë të Denis Dyrnjasë marrë prej faqes së tij në rrjetin social:

 

 

 

 

Modelet e mbijetuara prej humanizmit arbëror – Nga Ndriçim Kulla

Në  vijimësinë tonë historike, edhe një popull si i yni e ka ruajtur nëpër shekuj identitetin etnokulturor dhe ka kultivuar një gjuhë të vetën origjinale duke e përdorur oratorinë edhe si fjalë publike. P.sh. Marin Barleti në Historinë e Skënderbeut tregon për praninë e gjithanshme të oratorisë në jetën e shqiptarëve. Fjalimet e Skënderbeut, që në vepër zënë po aq vend sa dhe përshkrimi i betejave, nuk janë rastësi, por një pjesë e qëllimshme, që shërben si një hermeneutikë e kohës dhe mendimit të saj. Ashtu siç nuk është rastësi që Gjon Gazulli, njihej si një nga latinistët më të shkëlqyer të kohës edhe më parë se Barleti, me atë monument të oratorisë, siç ishte fjalimi para Papës Nikolla V, në Romë më 1451; ndërsa Marin Beçikemi, në historinë e retorikës mesjetare si profesor i saj në universitetion e Padovas, dhe autor i veprës së famshme Panegaë (1503), që përmbledh fjalime të mbajtura në Senatin e Venedikut dhe Breshias.



Zbatica katastrofike që pësoi qytetërimi ynë pas këtyre shekujve, e reduktoi oratorinë në nivelin e oratorisë popullore, si pjesë e pandarë e kulturës së tij orale. Vetëm me Rilindjen Kombëtare mund të flasim për një ringjallje të gojëtarisë shqiptare, një ringjallje kjo që do të arrijë kulmin në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që nxori prej vetes një sërë tribunësh të shquar. Spikat këtu Abdyl Frashëri, i cili gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit, shkëlqeu me oratorinë e tij për fuqinë bindëse të mendimit dhe për rrjedhshmërinë artistike të fjalës. Ai kështu, njihet si vijuesi i një plejade të tërë rilindasish, që u shquan për elokuencën e fjalës publike, të tillë si Kristoforidhi, De Rada, Jani Vreto, etj. Po aty nga fundi i Rilindjes, me daljen në skenë të Fan Nolit, oratoria shqiptare do të fitonte atributet e saj më të vërteta, për t’u pasuar më pas me kulmin e oratorisë së viteve 30-të, që do t’i takonte Anton Harapit me 6 ligjëratat e tij të famshme të mbajtura në qytetin e Korçës. Duket se ai brez humanistësh arbërorë nuk i kanë dhënë rastësisht ose në mënyrë fenomenike udhë kësaj njësie të qëndrueshme të retorikës dhe oratorisë në mendimin shqiptar. Kodi i burimit etnik ka qenë rrjedha e brendshme e psikikës së kombit që ka ujitur herë pas here truallin mendor të bijve të vet, në epoka dhe rrethana krejt të ndryshme, kah mbirjes dhe lartësimit deri në nivelin e personaliteteve të këtij lloj mendimi.

 Në këtë kohë të turbullt një nga krerët kishtarë të vendit, Pal Engjëlli, arqipeshkvi i Durrësit, hartoi planin e madh për t’i vënë një ledh gjendjes së mjeruar të besimit. Ai është i pari në atë varg të gjatë prelatësh e priftërinjsh të historisë shqiptare, të cilët përveçse barinj shpirtërorë, kanë qenë edhe agjitatorë, që sipas frymës së kohës, pa ndarë idenë e fesë nga atdheu, kanë udhëhequr popullin në luftë për të drejtat e tij, në secilën prej këtyre fushave. Më 8 nëntor 1462, në një fazë relativisht të qetë të luftërave turko-shqiptare, me nismën e këtij prelati e nën kryesi të tij mblidhet ky sinod pranë manastirit të Skënderbeut në Mat në një vend të kësaj treve që sot për sot nuk mund të lokalizohet më saktë. Në këtë mbledhje përveç ipeshkvit Andrea e një shumice klerikësh të Shqipërisë së mesme e veriore, marrin pjesë dhe parësia e vendit e një mori e panumërt e popullit.

Ky është i pari kuvend kishtar shqiptar që dimë nga historia. Mblidhet në periudhën e shkurtër të pavarësisë kombëtare, por në një periudhë njëkohësisht nga më tragjiket e historisë sonë. Një tjetër kuvend i këtillë do të organizohet dy shekuj e gjysmë më vonë, në një kohë kur islamizimi i vendit ka marrë përmasa shumë më të mëdha. Ky është “Kuvendi i Arbënit”, i cili mbahet në vitin 1703 në kishën e Shën Gjonit në Mërqinjë të Lezhës. Është një kuvend shumë më i gjerë se ai i pari, dhe prapa tij qëndron Papa Klementi XI, i familjes bujare Albani, e cila e njihte veten si të rrjedhur prej gjaku shqiptar.

  Këto nuk janë vetëm dhe thjesht sinode kishtare. Janë mbledhje të mirëfillta fetare-politike, ku krerët e kishës bashkë me parësinë e vendit bisedojnë e marrin vendime për të shpëtuar ç’mund të shpëtohet nga visari etik “fe e atdhe”, koncepte që për atë kohë përbëjnë një njësi të pandarë .  Një gjë të tillë synojnë në thelb dhe mendimtarët kishtarë të një periudhe të mëvonshme si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë, e në një farë mase edhe ata të kolonive arbëreshe siç është Lekë Matranga i Siçilisë. Është ky ai kodi i mbijetesës “për fe e atdhe” që ata i përçuan mendimit, e të cilit, vetëdija jonë do t’i raportohet kohë pas kohe.

Të njëjtës mënyrë raportimi do t’i ushtrohet edhe figura e Skënderbeut që nga epoka e humanistit Barleti e deri te letrat e sotme shqipe, duke e personifikuar heroin si arketip përtëritës nëpër kohë, që i jep zërin e pamjen e vet secilës kohë, dhe në secilën kohë është një personalitet që nxit debate, që përballet me vlerësimet më të skajshme, me mohimet më të skajshme dhe me vlerësimet mitizuese e deri ç’mitizuese. Mirëpo, prej thelbit të modelit të tij heroik në kohë, një tjetër model merr fuqi e ndikim, për t’u fronësuar në historinë e mendimit. Ky është modeli shqiptar i tolerancës ndërfetare, krahinore apo modeli shqiptar i heroit konsensual apo i Konsensusit Historik Ndërshqiptar. Po pse vallë, a nuk është ky një model që i shërben edhe civilizimit modern botëror për zgjidhjen e shumë konflikteve? Ato forca brendakombëtare, që e kanë prishur këtë konsensus, sikundër ndodhi në epokën e komunizmit, a nuk e sollën në luhatje vetë qenien tonë nacionale, vlerat e saj të përbashkëta?

 Në këto rrënjë e gjeti mbirjen fara e vetëdijes së përbashkët. Por, e lidhur ngushtë me këtë vetëdije, është edhe një kod interesant, i nxjerrë prej ligjërimeve të shumta që përdor Barleti në veprën e tij. Në fjalimin e kuvendit të Lezhës , përdorimi më i shpeshtë është ai i fjalës liri. Mirëpo ky nuk është një simbol oratorie, përkundrazi, është një shenjë e qartë e një kulture të caktuar. Ndryshe nga civilizimi pushtues otoman që nuk e kishte në fjalorin e vet këtë fjalë (ata kishin fjalën nënshtrim Allahut kundër “të pafeve”…). Orlando Paterson, një dijetar amerikan, në librin e tij “Liria në formimin e kulturës perëndimore”, shpjegon se liria ka formuar modelin kulturor të Perëndimit, ka qenë vlera thelbësore e kulturës perëndimore gjatë gjithë historisë së saj; ndërsa fjala liri te popujt e vendeve joperëndimore nuk ekziston, ato vende e popuj nuk kanë ndonjë fjalë a term të barasvlershëm që do ta shprehte konceptin për lirinë. Madje, ai nënvizon se liria qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore; ajo lindi nga përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për të.

Dhe Skënderbeu, nëpërmjet Barletit, na del mbrojtës i madhërishëm i lirisë. Askund nuk përdor formula fetare të krishtera! Barleti shkruante si humanist, dhe heroi i tij, në radhë të parë, është humanist, zëdhënës i ri i pikëpamjeve për lirinë. Madje, fjalia e parë retorike, me figurën e apelacionit, hapet me fjalinë që ka thelb të saj lirinë: Ju epirotët mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë…!
Dhe pak më tutje: Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit…! Një përkufizim i tillë, nxjerr në shesh shqiptarin (arbërorin) si karakter që është mësuar të mos jetojë i nënshtruar, si karakter durimtar për ta realizuar qëllimin, por njeri që nuk duron mbi veten dikë tjetër… Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Ja, pra, një tjetër koncept, çlirimtari (liberatori). Barleti, diku tjetër, nëpërmjet Skënderbeut, shfaq dhembshuri edhe për popullin turk që vuan nën tiraninë e Sulltanit! Dhe këtë e thotë Skënderbeu, e thotë Barleti, prift i krishterë! Mendime që i qëndrojnë plotësisht edhe kohës së sotme. Secila fjali për lirinë, është e bindshme edhe sot.

    Në gjithë këtë panoramë vlerash dhe traditash, një aspekt themelor që nuk duhet harruar, është ai komunikim i madh që kodi i burimit etnik pati me humanizmin, të këndvështruar si një lëvizje e gjerë social-kulturore. Karakteristikë themelore e kësaj lëvizjeje ishte rizbulimi i njeriut nëpërmjet studimit dhe vlerësimit të krijimtarisë së lënë trashëgim nga autorët klasikë latinë dhe grekë, të asaj që quhet letërsi humane apo studime humane. Prej këtej vjen dhe zanafilla e termit “humanizëm” . Është ky rizbulim i njeriut që përbën dhe një nga premisat e domosdoshme kulturore të Rilindjes, me të cilën lindja e periudhës humaniste nxjerr në pah një distancim të qartë prej botës mesjetare, që karakterizohej nga vënia e Zotit në qendër të Universit dhe lënia e njeriut në një nënshtrim tërësor ndaj vullnetit dhe pushtetit të kishës, ndërkohë që vizioni humanist e vendos njeriun në qendër të Universit, si krijuesin dhe farkëtuesin e fatit të tij.

Megjithatë, humanizmi nuk është thjesht një ndër aspektet kryesore të mendimit të shek. XIV-XV. Ai merr përmasat e një lëvizjeje të gjerë letrare, artistike, filologjike që ka pa dyshim edhe një përmbajtje të caktuar filozofike. Një trajtesë e tillë me karakter laik ishte pothuajse e huaj për autorët mesjetarë që ishin të interesuar më shumë pas teologjisë, pra, që çdo gjë përpiqeshin t’a shpjegonin vetëm me argumente teologjike. Ajo ka qenë e pranishme vetëm te autorët antikë, qofshin grekë apo latinë. Madje, disa prej autorëve të asaj periudhe, siç është p.sh rasti i Ciceronit, jo rastësisht e njësonin veprimtarinë e tyre me të ashtuquajturën studia humanitatis, d.m.th. me studime të tilla që synonin përsosjen e gjithanshme të shpirtit njerëzor, dhe më tej, formimin e “njeriut” në tërësinë e vet. Për humanistët , kultura nuk përfaqëson vetëm një tërësi dijesh, të lidhura ngushtë me njeriun, por dhe një mënyre jetese.

Pothuajse të gjithë personalitetet e lëvizjes sonë humaniste e plotësojnë këtë parim, qenë njerëz të ndershëm e plot virtyte. P.sh., ja se ç’shkruhet për Leonik Tomeun: “E kalonte jetën e tij larg çdo grindjeje dhe ambicieje, në një kohë të lirë të qetë dhe të virtutshme. Nuk ka pasur shumë pasuri, por me të ishte sjellë gjithmonë me ndershmëri, duke shkuar jetën e një njeriu të mirë e të respektuar prej gjithkujt”. Një shembulli virtyti dhe rreptësie në zakone, personifikohej edhe Pal Engjëlli, kurse Mihal Artioti përmendej nga të gjithë si modeli i gjallë i stoikut.

Në këtë realitet të ri kulturor e filozofik të shekullit të XV nuk mund të lihet pa përmendur gjithçka me vlerë që vendeve evropiane në përgjithësi, dhe Italisë në veçanti, i “vërshoi” prej kulturës bizantine, nëpërmjet disa prej letrarëve dhe filozofëve më të rëndësishëm të Perandorisë Romake të Lindjes. Të ardhur në Itali, ata i ndeshje herë si pedagogë të thjeshtë të gjuhës grekë, herë si këshilltarë të Etërve lindorë në këshillat ekumenike të Ferraras dhe Firences apo thjesht si emigrantë të ardhur nga Kostantinopoja, si rrjedhojë e pushtimit të saj prej turqve. Të gjitha këto të marra së bashku do të jepnin një ndihmesë të veçantë në rilindjen e aristotelizmit, nëpërmjet njohjes dhe rivlerësimit të tij drejtpërsëdrejti nga tekstet greke. Jo rastësisht, dy prej figurave më të mëdha të filozofisë arbërore të humanizmit, Tomeu dhe Artioti, ia dedikojnë këtë status prejardhjes së tyre nga Epiri dhe njohjes me gjuhën greke, krahas asaj latine.

Gjithashtu, në këtë zanafillë të kulturës humaniste, ajo ç’ka bie në sy, është prirja për t’ia kundërvënë kulturën humaniste asaj shkencore. Krahas saj, nis të manifestohet një veprimtari karakteristike e humanizmit. Ajo është e lidhur me qëmtimin dhe studimin e dorëshkrimeve të veprave antike, të ruajtura deri atëherë nëpër bibliotekat apo arkivat e kishave e manastireve të Italisë dhe të vendeve përtej Alpeve. Por në shekullin e XV, humanizmi do të përftojë një karakter të veçantë dhe krejt të ndryshëm nga ai i hapave të para të tij. Ai do të përshkohet nga ngjyrime të theksuara etiko-politike. Bie në sy roli që kanë luajtur në këtë drejtim universitetet, në përgjithësi, e sidomos ata të Padovas, Bolonjës, Ferraras, e mbi të gjitha, ai i Padovas. Mund të bëhet fjalë për dy “shpirtra” të shekullit të XV, të cilët, qenë që të dy italianë: humanizmi politik, simbol i të cilit konsiderohet njëzëri Firencja, dhe tradita filozofiko-shkencore, si simbol i së cilës mund të merret Padova. Firencja spikaste me realitetin e saj të ri politik ku veçoheshin, fillimisht republikat dhe më pas, principatat e krijuara në të. Në to krijohen mundësi të reja për të reflektuar dhe menduar, sidomos për të gjithë ata që jetonin pranë kryeqyteteve të saj. Kurse Padova ishte bërë qendër e kultivimit të një kulture të re, me karakter të theksuar teorik dhe e paangazhuar në aspektin politik. Është ky ambienti ideal, thelbësisht humanist, larg ngjyrimeve politike që do t’i tërheqë shqiptarët, për shekuj me radhë, kah kësaj vatre të dijes, për t’u shndërruar kështu në një shenjë dalluese të formimit nëpër epoka të ndryshme. Në Padova, do të gjejë mbështetje Bogdani për kryeveprën e tij, aty do të studiojnë Koliqi e latinisti i shkëlqyer Enrik Laçaj, e po aty do të lindë dhe formohet Valentini.

Si përfundim, mund të thuhet se deri në fund të shekullit të 15-të, bota shqiptare kombëtarisht e kishte zhvilluar vetëdijen e bashkimit kombëtar dhe kishte zhdukur dallimet e krishtera ndërkishtare; politikisht kishte humbur pozitën vetjake kombëtare e ndërkombëtare; ekonomikisht, nga luftimet e gjata mbi njëshekullore, ishte shkatërruar krejtësisht; ndërkaq ekzistencialisht ishte buzë greminës e për t’i shpëtuar asgjësimit fizik kish marrë rrugët e mërgimit. Pavarësisht se intelektualët shqiptarë edhe më tej shkollohen nëpër qendrat arsimore të Italisë, ku vijnë në kontakt më të përafërt me lëvizjet e reja evropiane dhe me kërkesat e tyre politike e kulturore, për arsyet e përmendura më sipër, këto ide nuk do të kenë mundësi t’i tejbartin në popull, nuk do të kenë jehonë dhe ndikim te ai dhe prej tij ta gëzojnë përkrahjen e merituar. Është një kod ky që do të mbijetojë gjatë në historinë shqiptare, një elitë bijsh të migruar, fëmijët jashtë Shqipërisë, që u munduan të ndikonin me të gjitha mënyrat në fatin e atdheut, por kurrë nuk arritën të gjenin dot tek ai një auditor të përshtatshëm, pasi popullsia e tij ngeli përherë në shumicën e kohës e paarsimuar ashtu e ndrydhur mes skamjes, luftrave dhe ndalimit prej 300 vitesh të gjuhës nga ana e pushtuesve turq. Ky shpërpjestim i skajshëm midis nivelit të lartë të elitës dhe nivelit të popullit, do të bëhet që nga kjo kohë e tutje një shenjë dalluese e historisë së mendimit shqiptar deri në epokën e pavarësisë dhe shtetformimit, kur ajo do të fillojë të ngushtohet e të zbutet dalëngadalë.   

Prishtinasi që ia la qenit emrin Josip Broz për shaka

Emrin e ish-diktatorit jugosllav e mban një qen në Prishtinë. Vetëm nofkën nuk e ka Tito, por Pipo. Pronari i qenit të quajtur Josip Broz Pipo, Mentor Mahmuti, thotë se e pagëzoi kafshën shtëpiake me emrin liderit të dikurshëm jugosllav jo për qëllime ideologjike, por për shaka. Thotë se nuk ka një mendim të qartë për njeriun që vrau më shumë se 1 milion njerëz gjatë udhëheqjes 35 vjeçare të Jugosllavisë.

Shkruan: Rinesa Osmanaj*

Mentor Mahmuti e ka pagëzuar qenin e tij me emrin e ish-udhëheqësit jugosllav, Josip Broz. Mirëpo, nofkën e Titos e ka ndryshuar në “Pipo”.

Pronari i qenit thotë se ia vendosi kafshës së tij emrin e Titos më shumë për të bërë shaka e jo për qëllime të tjera.

“Nuk ka ngjyrime ideologjike pas këtij emërtimi. Por është thjesht një shaka mes miqve”, shpjegon 25 vjeçari nga Prishtina.

Josip Broz Tito ishte udhëheqës i Jugosllavisë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në maj të vitit 1980, kur vdiq. Tito konsiderohet njëri prej diktatorëve më të mëdhenj të Ballkanit dhe njeriu që ka vrarë e likuiduar më shumë se një milion njerëz.

Profesori i UP-së, Milazim Krasniqi, duke cituar arkivat e dokumenteve serbe, shpjegon se në ish –Jugosllavinë e Titos janë vrarë ose kanë vdekur nga ekspozimi ndaj kushteve çnjerëzore 1 milion e 170 mijë njerëz. Në këtë numër janë mbi 50 mijë shqiptarë të vrarë e masakruar.

Gjatë kohës së pushtetit të Titos, tri herë ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë.

Megjithëkëtë, Mentor Mahmuti thotë se nuk ka simpati të njëjtë për qenin dhe ish-shefin e Jugosllavisë së dikurshme.

“Dashuria për qenin Josip Broz Pipo është e madhe, por ndjenja të ngjashme nuk ndaj edhe për personin në të cilin jam bazuar për emër”, thotë ai.

Djaloshi nga Prishtina ka 5 vjet që e ka qenin e llojit “Dogo Argentino”, i cili tashmë është pjesë e pandashme e familjes dhe gjithë miqve të tij.

Por në lidhje me mendimet e tij personale ndaj Titos, ai e quan atë si lider interesant krahasuar me natyrën e liderëve të tjerë të shteteve të ashtuquajtura socialiste ose komuniste. Ai pohoi se njohuritë e tij për të janë të mjegullta.

Një pjesë e shqiptarëve e konsiderojnë Titon si njërin prej liderëve të mirë të kohës. Madje, e përmendin si meritë të tij edhe hapjen e universitetit dhe hapjen e shumë fabrikave në Kosovë.

Pronari i qenit me emrin “Josip Broz-Pipo” nuk e ka problem nëse dikush e keqkupton pse e ka pagëzuar kafshën e butë më një udhëheqës kundërthënës.

Madje, ai thotë se rrëfimet e njerëzve më të moshuar janë se Tito ishte njëfarë lideri interesant i kohës.

“Po, definitivisht po. Mësa kam dëgjuar nga gjeneratat më të vjetra, Tito konsiderohej si balanc i Jugosllavisë”, u shpreh ai.

Pipo nuk është i vetmi në Prishtinë që emri i tij fillon me Josip Broz pasi që në hotelin Grand gjendet një suitë e cila mban emrin e plotë të ish presidentit gugosllav, ku ai kishte qëndruar në vizitën e tij të fundit në Kosovë në vitin 1979, pak kohë para vdekjes së tij, më 4 maj 1980.

*Rinesa Osmanaj është studente e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë.

Leksionet e tërmetit të vitit 1926 për rindërtimin e Durrësit – Nga Gëzim Kabashi

Durrësi sapo ka nisur një vit të vështirë! 54 sekondat e tmerrshme të lëkundjeve nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili bashkë me viktimat u morri qindra familjeve banesat apo bizneset, duket se do të kërkojë shumë kohë, punë dhe financime për të shëruar plagët dhe për t’ia rikthyer imazhin qytetit bregdetar.

Për të gjithë ata që janë angazhuar në përballimin e pasojave të rënda do të ishte me shumë vlerë rikthimi në përvojën e krijuar pas tërmetit të vitit 1926, kur një pjesë e qytetit u rrënua plotësisht dhe kur brenda 15 vitesh Durrësi morri pjesërisht pamjen që ka sot.

Pa harruar se ai mbetet qyteti i vetëm antik në bregun lindor të Adriatikut që vazhdon të mbijetojë, pavarësisht nga pushtimet e shumta dhe tërmetet shkatërrues. Në 3 mijë vitet e ekzistencës, durrsakët e kanë rindërtuar atë, jo vetëm me vullnet dhe aftësi, por edhe falë qytetarisë që i karakterizon.

Por le ti rikthehemi shembullit të shekullit të kaluar.

Sipas studiuesve, në dhjetor të vitit 1926 rajoni i Durrësit dhe Kavajës u godit nga një seri tërmetesh të fuqishme, që shkatërruan shumicën e shtëpive, rrëzuan minaretë e xhamive, ndërsa një portë e kalasë së vjetër u shkatërrua plotësisht.

Në mungesë të aparaturave sizmike të dhënat u siguruan nga buletini i Sarajevës, sipas të cilit magnituda arrinte në 6.5.

Dr. Ali Sula, 97 vjeç, mjek shumë i njohur në Durrës thotë se kujtimi i parë i fëmijërisë së tij lidhet me tërmetin e 16-17 dhjetorit 1926, kur “qyteti u drodh disa ditë me radhë dhe mjaft banesa u shkatërruan plotësisht”.

Mjeku i nderuar kujton se pikërisht asaj periudhe i përkasin projektet për ndërtimet më të rëndësishme të qytetit, shumë prej të cilave përfaqësojnë imazhin e tij edhe sot. Durrësi në atë kohë kishte vetëm 4 mijë banorë dhe gjithçka zhvillohej brenda mureve të kalasë.

Brenda pak vitesh pamja urbanistike e qytetit ndryshoi krejtësisht. Marrëdhëniet e favorshme me Italinë fqinje mundësuan konsulencën e projektuesve të shquar të kohës, ndërsa ata pak inxhinjerë dhe specialistë vendas punuan në hartim dhe zbatim.

Ndër godinat e para që u ngritën pas tërmetit ishte ajo e Bankës së Shtetit, e cila vazhdon të jetë një nga ndërtimet më të bukura në qytet.

Ndërtimi i portit modern filloi në vitin 1928. Godinat e drejtorisë së portit dhe xhamia e madhe, që përfundoi në vitin 1938 bashkohen nga bulevardi që për shumë kohë u njoh me emrin “Rruga tregtare” (sot Bulevardi “Epidamn”) dhe që nga lart të krijon edhe sot idenë e spirancës së anijes. Urbanistët edhe në këtë pikë ishin kujdesur për të dhënë imazhin e qytetit-port.

Në të dy krahët e bulevardit u ngritën vila 2-3-katëshe, të cilat shërbejnë edhe pas 80 vitesh si dyqane, lokale, hotele apo biznese me destinacion turistik.

Sheshi qendror me emrin “Lirija” u krijua pikërisht në këtë periudhë, kur u ndërtua edhe godina aktuale e Bashkisë. Shumë pranë torrës mesjetare përfundoi në vitin 1940 edhe hoteli, që njihet edhe sot me emrin “Vollga”.

Një tjetër godinë me pamje të mrekullueshme u ndërtua në vitin 1937. Vila e ish-mbretit Zog, vazhdon të jetë një nga godinat më të hijshme të Durrësit, edhe pse e dëmtuar rëndë në vitin 1997.

Gjithçka u ndërtua në harkun e 15-20 viteve, menjëherë pas tërmetit të rëndë të vitit 1926. Madje edhe plani urbanistik i plazhit nisi të zbatohej në atë kohë. Durrësi u rimëkëmb shumë shpejt dhe numri i banorëve u shtua me mjekë, arsimtarë dhe zanatçinj. Qyteti, që dikur kishte pamjen e fshati të madh u kthye në një zonë mjaft tërheqëse me kinema, hotele dhe restorante.

97-vjeçari Ali Sula është nga dëshmitarët e gjallë se si qyteti sakrifikoi godinat e dikurshme për të krijuar një pamje krejtësisht tjetër.

E njëjta gjë që duhet bërë veçanërisht me hapësirat e lira që u krijuan pas shkatërrimit të mjaft godinave në zonën e plazhit. Shfrytëzimi i tyre si sipërfaqe të gjelbëruara, sheshe lodrash për fëmijët dhe lulishte pushimi për të moshuarit, apo edhe si vendparkime automjetesh, do të nxirrte nga asfiksia edhe disa nga lagjet e populluara mjaft dendur në qytet.

Por kjo mund të bëhet vetëm duke pranuar ndërtimet e gabuara dhe duke e shikuar të ardhmen e qytetit me sytë e atyre që e duan Durrësin.

Në historikët e qytetit përmendet jo vetëm kryebashkiakët që udhëhoqën procesin e transformimit të qytetit, por edhe projektuesit dhe ustallarët ndërtues.

Njerëz të thjeshtë, një pjesë e të cilëve po harrohen vit pas viti. Ashtu siç janë harruar edhe kontribuues të shquar në zhvillimin e qytetit ndër vite.

Fatkeqsisht një nga shoqatat më të mëdha durrsake, si dhe bashkia e qytetit në 20 vitet e fundit janë kujdesur për tu dhënë tituj nderi veçanërisht ndërtuesve të kohëve të fundit.

Disa prej atyre që janë ngjitur në podiumet e ceremonive për të marrë certifikatat “Nderi i qytetit” apo “Simbol i Durrësit” tashmë konsiderohen të paktën moralisht fajtorë për cilësinë e dobët të ndërtimeve, që lanë pas jo vetëm rrënime.

Qyteti i Durrësit duhet ti rikthehet vlerave të vërteta dhe mbi të gjitha të mësojë nga veprimtaria e tyre njerëzore.

Ndërsa Bashkisë iu deshën më shumë se 10 vjet për të emërtuar një rrugë me emrin e tij, kohët e fundit një grup arkeologësh dhe intelektualësh të Durrësit kanë kërkuar zyrtarisht që 2020 të shpallet “Viti mbarëkombëtar i arkeologjisë “Vangjel Toçi”.

Propozuesit dhe qytetarët e hershëm durrsakë e shohin figurën e arkeologut Vangjel Toçi si një mundësi për të nënvizuar vlerat që vijnë nga përkushtimi, aftësia dhe ndershmëria.

Vangjel Toçi (1920-1999) nuk është vetëm zbulues i Amfiteatrit antik, i Termave romake apo i Mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”, por edhe themelues i Muzeut arkeologjik të Durrësit (1951), i Bibliotekës së qytetit (1945), i Ateliesë së Monumenteve (1962), i Galerisë së Arteve (1968), etj.

“Është një rast shumë i mirë për organizimin e veprimtarive gjithëvjetore që nënvizojnë rëndësinë e zbulimit dhe ruajtjes së vlerave arkeologjike, një nga asetet më të rëndësishme turistike dhe ekonomike për qytetin 3000-vjeçar”, shkruhet në kërkesën që ata i kanë drejtuar Ministrisë së Kulturës./BIRN

 

Vëllai iu arrestua për drogë, pezullohet nga detyra zyrtari i policisë në Dibër. Emri i tij doli në përgjimet e dosjes 184 (video)

Pezullohet nga detyra shefi i sektorit të Qarkullimit të Dibrës Robert Aga. Mësohet se vëllai i Pajtim Agës, i arrestuar gjatë një operacioni anti drogë nga policia.

Emri i Robert Agës doli edhe në përgjimet e dosjes 184 për shitblerjen e votës në zgjedhjet e 2016 në Dibër. Në një prej përgjimeve, ai i thotë Saimir Tahirit: “Unë jam ushtari jot i bindur”.

Në përgjime Robert Aga, flet me Damian Gjiknurin, Xhemal Qefalinë, Ulsi Manjën e Saimir Tahirin për të marrë një pozicion më të mirë pune pas ndihmës që i ka dhënë PS-së në zgjedhjet vendore. Deri në momentin e zgjedhjeve ai ishte Drejtori i Policisë Dibër.

Partia Demokratike e ka akuzuar disa herë Agën për implikim në aktivitet kriminal, kultivim e trafik droge. Aga është personi të cilit Damian Gjiknuri i drejtohej në përgjime me fjalën ‘mjeshtër’ duke i thënë se kishin bërë ‘tërmet’.

Një prej përgjimeve

Shefi i Policisë Dibër Robert Aga në telefon me Bekim Krashin dhe më pas me Damian Gjiknurin

Shefi i Policisë Dibër: A djalosh

Bekim Krashi: Ça keni bo mo ca keni no, se e keni nez fare. Sjeni tu lon gjo pa bo.

Shefi i Policisë Dibër: Duhet të kemi 1 mijë plus. Poshtë 1 mijë nuk e pranoj

Bekim Krashi: Ca fol me ça fol, ke fillu pretendimet të mëdhoja. Ti jap unë (qesh)

Shefi i Policisë Dibër: Hej

Bekim Krashi: Po

Shefi i Policisë Dibër: O shpirt i vëllait. Po ti kujtojshe se ata ishin budalla (opozita) që bejshin ashtu…

Bekim Krashi: Po dinë me bë rrëmujë ata

Shefi i Policisë Dibër: Ej… ajo strategjia ime funksionon

Bekim Krashi: E di mo shpirt i vëllait e di. Ti e ke deklaruar komisar politik. Hahaha

Shefi i Policisë Dibër: Shife… A ke Damian Gjiknurin aty

Bekim Krashi: Do të ta jap në telefon

Shefi i Policisë Dibër: Jepja pak

Shefi i Policisë Dibër: O shef

Gjiknuri: Si të kam?

Shefi i Policisë Dibër: Shumë mirë

Gjiknuri: Ho me ça bone

Shefi i Policisë Dibër: He si jemi

Gjiknuri: Shumë mirë. Shumë fort. Më mirë nuk bëhet

Shefi i Policisë Dibër: Nuk pate besim te unë

Gjiknuri: Tërmet. Tërmet. Je mjeshtër. I madh je. Hajde flasim. Ciao.

Shqiptarët e Luginës synojnë 4 deputetë në parlamentin serb

Ministri shqiptar për Punë të Jashtme Gent Cakaj dhe liderët politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Bekim Bislimi

Katër subjekte politike shqiptare të komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Serbi, që njihet si Lugina e Preshevës, janë marrë vesh që të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në pranverën e këtij viti.

Arritja e marrëveshjes sipas tyre është pikënisje për të synuar fuqizimin e zërit të votuesve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Marrëveshja ndërmjet Partisë për Veprim Demokratik, Alternativës për Ndryshim, Lëvizjes për Progresin Demokratik dhe Lëvizjes për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare, është arritur të enjten, në Tiranë, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Shqipërim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, i cili vjen nga radhët e Alternativës për Ndryshim, thotë për Radion Evropa e Lirë që pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, qëllimi i liderëve të këtyre partive politike është që problemet që ekzistojnë në Luginën e Preshevës, për të cilat jo rrallë vet këta liderë janë grindur mes vete, ato t’i bartin në Parlamentin e Serbisë.

“Ideja është që shqiptarët në Parlamentin e Serbisë, në 10 apo 12 vjetët e fundit, prej kur kanë filluar të marrin pjesë aty në këtë dekadë të këtij shekulli, nuk kanë qenë të përfaqësuar, jo vetëm me numër të mjaftueshëm, por as me kualitetin e mjaftueshëm. Tash është një tjetër situatë. Unifikimi mund të sjellë tre deri në katër deputetë, që e mundëson një grup parlamentar prej 5 deputetësh, duke përfshirë edhe një minoritet tjetër, në Parlamentin e Serbisë. Pastaj, do të fillojmë ta sjellim kualitetin, të cilin e kërkojmë për shumë vite, për të mos thënë dekada”, tha Arifi.

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se aktualisht shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë vetëm një ulëse në Parlamentin e Serbisë. Në legjislaturat e mëhershme të këtij shteti, sipas tij, ka pasur edhe deputet tjerë shqiptarë, por të paktë dhe të cilët, përveç sensibilizimit të problemeve të shqiptarëve, nuk kanë arritur të imponojnë ndonjë zgjidhje për ato probleme, për shkak të mungesës së kapaciteteve demokratike në Serbi.

“Kësaj radhe, kur pritet që opozita në serbi t’i bojkotojë zgjedhjet, kur pritet që bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë pas krijimit të qeverisë në Prishtinë, ne mendojmë– dhe kjo ishte edhe ideja e Tiranës – që fuqizimi i zërit politik të shqiptarëve në parlament do ta ketë një rëndësi dhe një peshë të përfaqësimin e problemeve tona atje. Kjo, për ta detyruar, në radhë të parë Beogradin, duke kërkuar ndihmën edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e sigurisht edhe nga Tirana dhe Prishtina, që këto probleme të marrin kahen e zgjidhjes, sepse është krijuar një situatë e pashpresë këtu në Luginën e Preshevës”, theksoi Kamberi.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Armend Muja, thotë për Radion Evropa e Lirë, se marrëveshja e arritur ndërmjet partive politike në Luginën e Preshevës për unifikimin e një liste zgjedhore për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Serbi, është një përpjekje në drejtimin e duhur, e cila ka gjasa reale që të konkretizohet.

“Unë këtë e shoh si përpjekje, në vazhdën e një serie të përpjekjeve që kanë qenë, sikurse te korpuset politike të shqiptarëve në Mal të Zi më herët dhe më pas, tash edhe në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Megjithatë, për ndryshim nga Mali i Zi, ku faktori shqiptar shpeshherë është përcaktues, këtu influenca e tyre gjithsesi, marrë parasysh edhe shtrirjen e tyre të vogël në trupin zgjedhor, do të jetë e vogël. Mirëpo, e rëndësishme është si platformë e unifikimit të qëndrimeve kyçe nacionale për sa u përket të drejtave të tyre në Luginë dhe unë mendoj se kjo është një iniciativë e rëndësishme”, u shpreh Muja.

Marrëveshjen e partive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e ka përshëndetur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se i mirëpret “marrëveshjen për krijimin e një liste të unifikuar elektorale të partive shqiptare në Luginën e Preshevës, si një mjet i rëndësishëm për fuqizimin politik dhe mbrojtjen e interesave kombëtare”.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, në vitin 2016, partitë politike të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, përveç Partisë për Veprim Demokratik, nuk morën pjesë në garën zgjedhore për shkak të siç kishin deklaruar, pakënaqësisë për qëndrimin e autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve në Serbi.

Në Parlamentin e Serbisë, që ka 250 deputetë, Ardita Sinani u zgjodh si përfaqësuesja e vetme shqiptare.

Anatomia e një atentati – Nga XHAFER SHATRI

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e trishtë në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet e prijësve të shquar, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në këtë ish-shtet.
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach. Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe burrërimit të fëmijëve të tyre.
Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas kaq dekadash, ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës të mundshëm apo të sigurt?

1. Një Lëvizje e re përballë një shteti të vjetër

Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pati filluar, në përmasa të pabesueshme, radiologjia e diferencimit politik që nënkuptonte terrorizimin psiqik të shqiptarëve, largimet nga shkollat e nga puna, arrestimet, torturat dhe burgimet e gjata.
Shërbimet sekrete jugosllave përmes arrestimeve i kishin dhënë një grusht të rëndë Lëvizjes për pavarësi, mijëra njerëz ndodheshin nëpër burgje civile ose ushtarake; mbikëqyrej çdo gjo gjë e çdo kush. Elita politike duke qenë e papërgatitur për këto rrethana dhe e përçarë nuk mundi t’a përballojë presionin serb që mëtonte nënshtrimin definitiv të shqiptarëve. Në anën tjetër intelegjencia duke qenë krejt e papërgatitur dhe e pambrojtur u struk para rrezikut evident, kështu që politikën e shqiptarëve filluan ta bëjnë të rinjtë, që ende ishin me njërën këmbë në fëmijëri. Dhe kjo nuk ishte një politikë e madhe: aty këtu ndonjë trakt, ndonjë parullë, ndonjë revoltë e shkruar në letër, në mur ose në asfalt, po që përçonte një mesazh të fuqishëm: kurrë nuk do të mund të na nënshtroni!
Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte një eshalon të veçantë të Lëvizjes për pavarësi. Përparësia e saj ishte se ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare e personale… Roli i saj ishte ndier në mënyrë të drejtpërdrejtë në prag, gjatë dhe pas demonstratave të vitit ’81 përmes shtypit që përgatitej jashtë dhe shpërndahej brenda, përmes krijimit të rrjetit të organizimit etj.
I vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve të fshehta civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht shkallmues që do t’i jipej mërgatës, në mënyrë që ajo të shfaktorizohej njëherë e mirë.
Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqëndruar në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që ishin fituar me shumë përpjekje e flijime.

Atentati pati pasoja të rënda sepse u krye kur shumë prijës të Lëvizjes për pavarësi, që vepronin ilegalisht ose gjysmilegalisht ishin arrestuar dhe kundër tyre ishin kryer ose përgatiteshin proceset politike. Veç të tjerash, kjo vrasje shkaktoi tronditje të mëdha edhe për faktin se u krye në një periudhë destabilizimi e krize të thellë politike në gjithë hapësirat shqiptare.
Ngjarjet e Kosovës në Shqipëri patën efekt të drejtpërdrejtë, sepse çuan deri te konflikte të përgjakshme në vetë udhëheqjen e shtetit për politikën që ishte ndjekur apo që do të ndiqej aty e tutje.
Këto trandje madje ndikuan në fundin tragjik të kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu.
Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar në Kosovë për politikën e Shqipërisë viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje.

2. Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë

Në atë kohë në mërgim vepronin shumë organizata. Që në krye duhet nënvizuar se mërgata e vjetër ishte rraskapitur madje edhe dërrmuar në përballjet e shërbimeve jugosllave me ato shqiptare që ishin bërë brenda saj. Por objekt i kësaj trajtese do të jenë ato grupime që mund të kishin një ndikim në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Atëherë në Evropën Perëndimore, konkretisht në Gjermani e Zvicër vepronin:

  1. Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me mërgatën kroate.
  2. Grupi komunist “Zëri i Kosovës”, një qerthull që drejtohej nga Riza Salihu.
  3. Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, dhe nxirrte gazetën “Bashkimi” (janë botuar 3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë.
    “Bashkimi“ mori trajtën e gazetës vetëm pasi filloi ta redaktonte Jusuf Gërvalla.
  4. Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën “Liria” (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh kishte aktivistët e saj në Zvicër.
  5. Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla.
    Fillimisht Jusufi, siç u tha, ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, pastaj ka nxjerrë gazetën “Lajmëtari i Lirisë” (gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën “Zëri i Kosovës”.
    Pas shpërthimit të demonstratave të vitit ’81 u bënë përpjekje për bashkimin e disa prej këtyre organizatave, konkretisht mes atyre që kishin udhëheqje politike brenda, pra OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
    Përpjekjet për bashkim janë bërë në Kosovë dhe në mërgim. Bisedimet për bashkimin e organizatave janë vonuar e vështirësuar për shkak të veprimit në ilegalitet dhe të rrethanave që u krijuan pas arrestimeve të mëdha gjatë gjithë vitit të demonstratave. Një takim i mbajtur në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues të LNÇVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm për shkak të dallimeve konceptuale. Bisedimet për bashkim të këtyre organizatave nuk mund të përjashtoheshin nga rrethanat shqiptare dhe rajonale, sepse organet e shtetit shqiptar, pas disa dështimeve në përballjet me shërbimet jugosllave, përpiqeshin ta konsolidojnë apo thënë më mirë ta kontrollojnë Lëvizjen e Kosovës për pavarësi. Në treshin që u vra shteti shqiptar shihte shtyllat e rëndësishme të mbajtjes gjallë të qëndresës në Kosovë.

Megjithatë, pavarësisht dallimeve apo pykave të përçarësve të ndryshëm, aktivistët e këtyre dy organizatave jashtë, konkretisht Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar ngushtë në nxjerrjen e gazetave, në organizimin e demonstratave dhe manifestimeve të ndryshme. Sipas burimeve të besueshme në prag të vrasjes janë bërë përpjekje fort serioze për bashkim dhe ai duhet të ketë qenë shumë afër.

3. Uniteti i veprimit

Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë të parë në mërgim, në fillim të vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit ilegal, konkretisht të gazetës “Liria”, në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në mbështetje të kërkesave të Lëvizjes Studentore në Kosovë.
Demonstratën e parë e kanë organizuar në Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një javë më vonë një demonstratë tjetër në Zürich, më 25 prill kanë organizuar një demonstratë në Stutgart. Me këtë rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin. Në mesin e “fotografëve” kishte qenë konsulli Branko Dimitrijeviq dhe një udbash shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve.
Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë në Dusseldorf.
Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel.

Me këtë rast në formë të një peticioni konkretizohen kërkesat politike:

  1. Kosovës t’i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës;
  2. Popullit tonë t’i njihet e drejta për vetëvendosje;
  3. Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë;
  4. Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t’i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet;
  5. T’i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
  6. Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë;
  7. Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;
  8. Lirinë e fjalës dhe shtypit;
  9. Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;
  10. Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjellura nga jashtë;
  11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar.

Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të mërgimtarëve shqiptarë.

4.Pse u krye atentati?

Veprimtaria e gjithanshme e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet jugosllave jashtë dhe brenda. Ata ishin një trio e kompletuar, që një lëvizjeje atdhetare i duhet shumë kohë për ta krijuar: Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë,
Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal,
Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe ishte komunikator i talentuar.
Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.
Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi.
Jugosllavia prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të pamëshirshme kundër oponentëve të këtij shteti, konkretisht kundër përfaqësuesve të popujve që nuk kishin pranuar të futen nën tutelën serbe. Prijësit më me peshë të kroatëve, maqedonëve dhe shqiptarëve, që i janë kundërvënë politikës serbe, janë ndjekur në vazhdimësi dhe janë luftuar me të gjitha mjetet nga eskadronet speciale serbe.
Prej atëherë e gjer më sot sektorët më të përgatitura të shërbimeve informative serbe kanë qenë ato që kanë luftuar kundër mërgatës kroate, shqiptare etj.
Format e luftës kanë qenë të nduarduarshme: përcjellje e përgjime hap pas hapi, intriga e përçarje, kërcënime dhe eleminime fizike.
Kjo praktikë ka vazhduar edhe më me këmbëngulje pas Luftës së Dytë Botërore. Disa dhjetëra prijës kroatë janë vrarë në atentate spektakulare nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet.
Struktura të tëra të shërbimeve informative që janë kontrolluar nga serbët kanë funksionuar jashtë. Këto struktura kanë pasur fonde marramendëse, përmes të cilave kanë depërtuar jo vetëm nëpër “organizatat armiqësore”, por edhe në struktura shtetërore të vendeve të ndryshme dhe në organizata e institucione ndërkombëtare me peshë.

Shërbimet serbe me dekada kanë vepruar të papenguara nëpër shumë vende perëndimore, ku përmes parave, femrave, shantazhit etj. kanë qenë fort të pranishme edhe në qendra themelore të vendimmarrjes. Frytet e këtij aktiviteti Beogradi do t’i korrë sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, kur pa ndonjë pengesë serioze do ta përgjakë keq Kroacinë, do ta masakrojë Bosnje e Hercegovinën dhe përmes një apartheidi të hapur e brutal do ta mbajë Kosovën në zgripc të ekzistencës.

Ndikimi i nëndheshëm i Serbisë u rrënua vetëm kur Beogradi, faqe tërë botës, u përpoq ta asgjësojë krejt popullin e Kosovës.
Në këtë kuptim përballja e mërgatës së re politike të Kosovës (që ishte pa asnjë mbështetje politike, që nuk kishte arritur të ketë as ndikimin më të vogël në mediat e fuqishme perëndimore, që kishte një gjendje financiare katastrofike) me strukturat e shërbimeve jugosllave ishte tmerrësisht e pabarabartë. Lëvizja shqiptare kishte vetëm një epërsi: idealizmin e pakufishëm, i cili mund të mbijetojë vetëm falë aspiratës së përjetshme për të qenë dhe për të jetuar të lirë.
Me një fjalë, shërbimet serbe kanë përcjellë gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare nga brenda dhe nga jashtë, sepse ky ka qenë një organizim që posa kishte filluar të vërë rrënjë dhe infiltrimi i provokatorëve nuk ka qenë i pamundshëm.
Kështu që përcjellja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës nuk ka qenë ndonjë problem i madh për UDB-në. Lëvizjet dhe aktivitetet e tyre kanë qenë publike:
28 Nëntorin, ditën e Flamurit e kanë festuar në rrethinën e Ludwigsbourg-ut. Aty Jusufi e Kadriu kanë pasur një debat të drejtpërdrejtë (pyetje-përgjigje) me bashkatdhetarët.
Më 2 janar është martuar Kadri Zeka me Saime Isufin. Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 50 aktivistë nga Zvicra dhe Gjermania. Ne dasmë kanë qenë edhe vëllezërit Gërvalla.
Më 13 janar 1982 Kadri Zeka ka udhëtuar me tren për Gjermani. Konkretisht në Dusseldorf, ku ka ndejtur gjer më 16 janar. Po atë ditë ka udhëtuar për në rrethinën e Stutgartit, konkretisht në Bernhausen, ku Vëllezërit Gërvalla kishin organizuar shfaqje të filmave shqiptarë me një rreth bashkatdhetarësh.
Aty kanë ndejtur deri pas mesnatës. Në banesën e Vëllezërve Gërvalla, në rrugën Habichthöhe, nr. 40, në Untergruppenbach, qytezë afër Heilbronn-it kanë arritur kah ora 3 e mëngjesit. Atë natë nuk kanë fjetur fare. Gjatë ditës kanë planifikuar aktivitetet e mëtejme. Në mbrëmje kanë dalë nga ora 22:00 me veturën e Bardhit, një BMW 316 ngjyrë e gjelbër me targë HN-CY 353.

5.Neve na vrau UDB-ja jugosllave!

Lagjja ku kanë banuar Vëllezërit Gërvalla ka qenë një lagje e qetë e banuar kryesisht me mësues, mjekë, inxhinierë. Në njërën hyrje të rrugës, në anën e majtë ka pasur shumë garazha, gjithashtu edhe përballë banesës dykatëshe të familjes Gërvalla ka pasur të tilla.
Ndërkaq në fillim të kthesës atëherë ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave prej asaj ndërtese kanë përcjellë jo me ndonjë drojë të veçantë banesën e familjes Gërvalla, hyrjet, daljet etj…

Atë kohë ka pasur jo pak indikacione se po përgatitet eliminimi i Vëllezërve Gërvalla dhe i Kadri Zekës.
Nata e 17 janarit 1982 ka qenë shumë ftohtë e me shumë borë.
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalur në atë kohë, siç i kanë thënë shoqes së Jusufit, Syzana Gërvallës për ta bërë një telefonatë nga një kabinë telefonike e një fshati fqinj. Ndoshta për të evituar përgjimin.
Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazhë, kanë hipur në veturë, të cilën e ka ngarë Bardhoshi.
Për të dalur nga garazha në rrugë, vetura, për shkak të borës, është dashur të ngitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë mu përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit.
Këta të fundit kanë parë daljen e veprimtarëve shqiptarë nga banesa pastaj hyrjen në garazh dhe janë bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura ka ardhur së prapthi përballë shtëpisë në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj.
Sipas dëshmitarëve kanë qenë dy vrasës, njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën duke e qëlluar 6 herë, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën që ishte në ulësen e përparme, në anën e djathtë. Pastaj e kanë plagosur për vdekje Jusuf Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme. Dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba. Ndërkaq vetura ka vazhduar të ecë përpara gjersa është ndalur në derën e një garazhi përballë.
Ndërkohë një fqinj, gjerman, ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur. Pastaj ia ka lënë porositë e fundit gruas së tij.
Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbronn-i.
Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3 të mëngjesit të datës 18 janar 1982 edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por para se të vdes Ai arriti t’i thotë policisë gjermane: Neve na vrau UDB jugosllave!

Kjo fjalë e atdhetarit dhe poetit Jusuf Gërvalla, e shqiptuar me frymën e fundit do të sfidojë gjithë makinerinë jugosllave të dezinformimit.

6.Praktikat e ekzekutimit

Vendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjtë, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrjedalje, etj., etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi.
Pasi është analizuar dosja është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve përanash, shlyerësit e gjurmëve të mundshme. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat e telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme. Synimi është që jo vetëm të fshehen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh në mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh në mes përfaqësuesve të nëntokës etj. etj.

Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë ambientin politik shqiptar edhe sot pas gati 4 dekadash nga atentati. Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit madje edhe përmes shtypit nxorën dhe arrestuan si të dyshimtë kryesor për atentatin një refugjatë shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në media edhe fotografinë e tij, gjë që dëshmon se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën në mënyrë të përkryer.

Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës, krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, për të propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon, jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në Gjermani.
Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar. Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës, për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia gjermane e ka ndalur me një rast dhe i ka gjetur një revole…
Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet e tjera politike në mërgim kjo nuk është për t’u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve në mërgatë ka qenë një metodë klasike e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj. Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach.

Fillimisht policia e Baden Würtembergut formoi një komision special ku duhet të kenë qenë të angazhuar rreth 40 persona. Që në ditët e para policia publikoi përshkrimin e mundshëm të vrasësve duke premtuar edhe një shpërblim prej 10 mijë DM për dëshmi të besueshme. Në kërkesën e policisë për bashkëpunim jipen edhe këto të dhëna:
Të dielen, më 17 janar 1982, rreth orës 22h15 i kanë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe shokun e tyre Kadri Zekën. Gjatë daljes së tyre nga garazhi dy persona kanë shtënë me armë mbi ta. Ka të dhëna të besueshme se vrasësit janë sjellur nëpër Untergrupenbach të paktën prej datës 10 janar 1982. Ata duken si më posht:
I dyshimti i parë: Rreth 30 vjeç, i gjatë 180-183 cm. I fuqishëm. Ka në kokë një kapelë të kthyer në majë. Pallto të shkurt ngjyrë kafe me jake të mbylltë, pantollona të kuq e të ngushtë, çizme të gjata me një rreth leshi të bardhë lart. I dyshimti i dytë: ka rreth 25 vjet, është më i thatë dhe më i vogël se i pari. Ai ishte i veshur me tesha ngjyrë të mbylltë. Në kokë kishte një kapulaçë të leshtë me një topth në majë.

Krahas këtij informacioni, policia kishte publikuar gjithashtu edhe fotografinë e veturës me të cilin mund të jenë arratisur vrasësit. Fjala është për një Citroén CX2000 ngjyrë të çelur.
Për dëshmitarët e mundshëm ishte dhënë edhe telefoni i policisë: 07131 104 2205.
Pas nëntë muaj hetimesh, kur dosja 08/15 kishte rreth 30 vëllime dokumentacion, por asnjë të arrestuar me akuzë të argumentuar, autoritetet gjermane vetëm mund të pohojnë se “kjo është një vrasje politike e kryer nga vrasës profesionistë dhe se dyshohet se një apo më shumë shërbime të fshehta drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë marrë pjesë në tërheqjen e këmbëzave të revoleve të kalibrit 7.65 mm” (Heilbronner stimme, datë 1 tetor 1982).

7.Kush i vrau Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën?

Eshtë e njohur se UDB-ja si armë për atentate ka përdorur revolet “Bereta” të kalibrit 7.65mm.
Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative, ka qenë e përqëndruar në duart e Stane Dollancit, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan Franjo Herleviq, me kombësi kroate.
Me ardhjen e Dollancit në Kryesi, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.

Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazez. Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës.
Nga kriminel me renome ndërkombëtare Arkani, me insistimin personal të Stane Dollanc-it bëhet oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe.
Ka indikacione se në këtë krim mund të qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Ljubo Zemunac.
Arkani dhe Gjorgje Boshkoviq, i njohur me nofkën Gishka, një vit më vonë, e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar edhe me sopatë.

Gjatë viteve nëntëdhjetë Arkani do të jetë grushti i hekurt i regjimit serb kundër popullsisë civile në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë. Ai ka udhëhequr njësitë e ushtrisë që kishin në përbërje kriminelët më të regjur e më katilë të nëntokës serbe.
Edhe sot, pas njëzet vitesh, policia gjermane zhvillon hetime lidhur me krimin në Untergruppenbach. Gjykata e këtij vendi të madh evropian akoma nuk ka nxjerrë në bangë të zezë organizatorët, vrasësit apo pjesëmarrësit e çfarëdo niveli në këtë atentat.
Por nuk duhet harruar se shërbimet informative gjermane, duke qenë ndër më seriozet e më profesionalet në botë dhe më depërtueset në Evropën Juglindore e dijnë saktësisht gjithë zinxhirin dhe gjithë personat e implikuar në këtë vrasje të shumëfishtë, e cila e qiti në të dy gjunjtë Lëvizjen e Kosovës për Pavarësi.

Është udhëheqja politike gjermane ajo që bart përgjegjësinë pse nuk ka ngritur kurrë zërin për këtë krim të shëmtuar. Eshtë vetëm një përjashtim: menjëherë pas atentatit një deputet i partisë Socialdemokrate, aso kohe në opozitë, pati shtruar një pyetje në parlamentin federal se a qëndrojnë shërbimet serbe prapa këtij atentati. Asgjë më shumë. Për më keq as autoritetet lokale nuk denjuan familjen Gërvalla, që kishte kërkuar strehim politik në këtë vend, me një telegram ngushëllimi.
As mediat gjermane nuk i kushtuan rëndësinë që pritej atentatit në Untergruppenbah. Bën përjashtim vetëm revista prestigjioze Der spiegel, e cila menjëherë pas vrasjes botoi një artikull, në të cilin pa asnjë hezitim drejtoi gishtin drejt burimit të këtij krimi, duke e ngarkuar me përgjegjësi UDB-në jugosllave.

Ndërka dihet se në këtë organ diabolik kanë punuar dhe jo pak shqiptarë dhe ka në mesin e tyre që e dijnë saktësisht se si dhe kush i ka vrarë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, se si dhe kush e ka vrarë Rexhep Malën e Nuhi Berishën, se si është qitur në kurth Zija Shemsiu, se si dhe kush i ka eliminuar Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun…, që e dijnë se cilët kanë qenë urithët e policisë politike nëpër organizatat ilegale të Kosovës jashtë dhe brenda… etj., etj. Por deri më sot asnjëri prej tyre nuk e ka çelur thesin. Dhe kjo flet shumë, flet për mungesë ndërgjegjeje, madje edhe për bindje se kanë vepruar drejt… Flet për shoqërinë kosovare, e cila ka mbamendje kaq të cekët, flet për elitën politike shqiptare dhe për moralin e saj të dyshimtë… Sepse ajo në bërrylimet për pushtet gati fiktiv harroi 20 vjetorin e vrasjes në Untergruppenbach dhe detyrimin e saj që në njërin prej shesheve kryesore të kryeqytetit t’u ngrisë një përmendore të përbashkët atyre që ishin ndërgjegja e kombit, atyre që u flijuan për këtë ditë të madhe… Dhe njëherit të rezervojë dy pëllëmbë toke te varrezat e dëshmorëve e t’i vendosë aty eshtrat e këtyre Burrave që nderuan Kombin.

Distopia serbe – Nga VETON SURROI

Elita politike, intelektuale, religjioze serbe dhe e Serbisë po iu rikthehet rrëfimeve të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar

1.

Banjallukë – Çdo mëngjes unë dhe shoqja ime Jelena, e cila jeton në rrugën “Momir Nikoliq” (i dënuar me 20 vjet burg), shkojmë së bashku në shkollën “Bilana Pllavshiq” (11 vjet burg). Unë jetoj në rrugën “Stanisllav Galiq”, numër 92 (i dënuar me burg të përjetshëm). Që të mbërrijmë në shkollë na duhet ta kalojmë avenynë “Radosllav Kërstiq” (dënuar me 35 vjet burg) dhe parkun “Lubomir Borovçanin” (dënuar me 17 vjet burg). Unë dhe shokët e mi jemi nxënës të shkëlqyeshëm dhe duam të regjistrohemi në gjimnazin “Momçillo Krajishnik” ( i dënuar me 20 vjet burg)….

Pas shkollës shkojmë në stërvitje, gjimnastikë ritmike në klubin “Dushko Tadiq” (dënuar me 20 vjet burg). Ne jemi kampionë të Republikës Serbe dhe vicekampion të Serbisë së madhe. Natyrisht, do të jemi shumë më të mirë kur të ndërtohet kompleksi sportiv “Ratko Mlladiq” (burg i përjetshëm). Unë jam edhe anëtar i vëzhguesve “Radosllav Bërgjanin” (dënuar me 30 vjet burg). Kjo është përditshmëria jonë! (…)

2.

Ky është një postim në Facebook. Prej anonimitetit ka marrë rrugën e vet të famës në këtë rrjet social. Është përsëritur me qindra herë, nga një shumicë njerëzish në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Serbi. Ka shkaktuar indinjatë, pezmatim, hidhërim mbase. Te një numër të madh sish ka nxitur pyetjen “A është e vërtetë?” dhe te një numër tjetër sish komentin ende pa u vërtetuar nëse është e vërtetë apo jo përmbajtja e postimit, “të këtillë janë ata!”.

Dhe, sikur çdo postim tjetër, edhe ky do ta ketë jetën e kufizuar, që në kohën e komunikimit elektronik mund të quhet jetë xixëllonje; një shndritje gjatë natës sa për ta treguar praninë dhe për ta përfunduar jetën deri në mëngjes, kur t’i vijë radha postimit tjetër të radhës me jetën e xixëllonjës.

Megjithatë, e veçova këtë sepse meriton të jetojë shumë më gjatë. Në fakt, është rrëfimi më i shkurtër dhe më i efektshëm për një gjendje të re që është krijuar e që quhet distopia serbe. Distopi është gjendja e kundërt e utopisë, një shteti a shoqërie ideale, e liruar nga krimi, varfëria e dhuna. Distopia është në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të greqishtes së vjetër një vend i keq për të jetuar, gjegjësisht një shoqëri a shtet i padëshiruar, frikësues, i dehumanizuar.

Distopia serbe nuk ka nevojë për përshkrim më të gjatë se 160 fjalët e postimit imagjinar të emrave të rrugëve dhe shkollave në Banjallukë, kryeqytetin e Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë – që të gjithë kriminelë të dënuar të luftës. Në një përshkrim të këtillë, shoqëria lëre që nuk merret në formë kritike me të kaluarën, por pjesën më të errët të saj e ka vënë në spikamë si pjesën me të cilën do krenuar më së shumti.

Në distopinë serbe, gjenocidi i ushtruar ndaj popujve të tjerë në Bosnjë-Hercegovinë shndërrohet në vlerën më të madhe kombëtare serbe.

3.

Gjatë shekullit XX është zhvilluar romani distopik dhe ai “1984” i George Orwellit është tashmë vepër e njohur gjithandej në botë si një zë i fuqishëm antitotalitar. Në shekullin XXI, e me ngjalljen e populizmit në demokracitë e konsoliduara si SHBA dhe Britania e Madhe, vepra e shkrimtares kanadeze Margaret Atwood, “Handmaid’s Tale”, po shndërrohet në zërin e fuqishëm antitotalitar, madje aq sa të popullarizohet në medium tjetër, atë të serialit për “Netflix”.

Serbia dhe politika prijëse serbe nuk po merren me romane a seriale – distopia serbe tashmë është shndërruar në një vetëdije shoqërore. Ditë pas dite, vit pas viti, qarqet politike, intelektuale, fetare dhe kulturore që janë në pushtet në Serbi dhe ndër serbë kanë zhvilluar një rrëfim të kundërt me ballafaqimin me të kaluarën. Çdo gjykim i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës që ka vërtetuar se forcat serbe kanë vepruar kundër popujve të tjerë në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë është ballafaquar me një rrëfim krejtësisht të kundërt, një në të cilin e tërë bota, me përjashtim të Rusisë, ka vepruar kundër Serbisë dhe popullit serb.

Në distopinë serbe, gjenocidi në Srebrenicë është një gënjeshtër, ekzekutimi i pacientëve të spitalit të Vukovarit në Kroaci një trillim, ndërsa masakra e Reçakut një sajesë shqiptaro-amerikane që shërbeu si shkas për të bombarduar Serbinë.

Në atë distopi, duke u heshtur ditë pas dite, vit pas viti, se kamionë frigoriferë kanë transportuar kufoma civilësh të ekzekutuar shqiptarë – fëmijësh, grash dhe burrash – prej Suhareke, Meje apo vendeve të tjera në Kosovë dhe i kanë varrosur në varreza masive në Batajnicë, tashmë nuk ekziston kujtesa për këtë. Meqë nuk ka kujtesë, nuk ka varrezë masive në Batajnicë, e as që ka ekzistuar ndonjëherë.

Në mungesë të kujtesës për krime, distopia serbe është kthyer tek rrëfimi i viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Kroatët janë popull gjenocidal që ka vrarë serbë, Bosnjë-Hercegovina është një prodhim artificial, i cili pretendon që të islamizojë serbët, Mali i Zi është “Sparta serbe”, të cilën po duan ta ndajnë nga serbizmi shërbëtorët e ustashëve kroatë. Kosova, zemra e Serbisë, është përkohësisht e okupuar, por do të çlirohet si çdo tokë serbe, me hatër a me dhunë. Këto nuk janë më rrëfime politikanësh, akademikësh e priftërinjsh pleq, por janë rrëfime të njëzetvjeçarëve të rritur në distopinë serbe.

Sot njëzetvjeçarët demonstrojnë kundër Malit të Zi në Podgoricë, janë të gatshëm ta shkatërrojnë Bosnjë- Hercegovinën edhe me dhunë nëse duhet dhe injektohen me steroide nacionaliste, kur Novak Gjokoviqi dhe shokët e tij teniserë këndojnë duke festuar marshe ushtarake apo brohorisin parulla për Kosovën, zemrën e Serbisë.

4.

Njëra prej betejave të mëdha intelektuale evropiane pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë lufta kundër harresës për krimet, gjegjësisht lufta kundër revizionizmit, rirrëfimeve historike që do të anashkalonin apo harronin krimet. Në një kontekst integrimesh politike, ekonomike, sociale, Evropa e bashkuar është mbështetur edhe në integrim kujtese, aso që nuk do të lejonte rikthimin e narracionit që solli luftërat.

Në ish-Jugosllavi kjo betejë është humbur ditën e parë pas luftës së armatosur. Dhe, nëse vazhdohet me humbje, do të mbërrihet lehtë që postimi 160 fjalësh i Banjallukës të jetë kurrgjë tjetër pos i vërtetë./koha.net

Të padisësh Kryeministrin e Kosovës dhe të përqafosh Kryeministrin e Serbisë – Nga MARK MARKU

Ditën e djeshme, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka ngritur padi kundër Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një Gjykatë të Prishtinës.

Ajo që bie në sy është fakti se Kryeministri Rama ka gjetur pikërisht ditën kur në Kosovë përkujtohej Masakra e Reçakut, për të ngritur një padi kundër Kryeministrit të Kosovës. Edhe miku i Ramës, Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, nuk do të kishte shkuar aq larg sa ta hidhte në gjyq pikërisht këtë ditë Kryeministrin e Kosovës. Miku i tij serb, Aleksandër Vuçiç, e ka mohuar përgjegjësinë serbe për Masakrën e Reçakut, por nuk mund të shkonte deri në atë pikë sa pikërisht në atë ditë kur paramilitarët e idhullit dhe komandantit të tij, Voislav Sheshel, masakronin shqiptarët, të hidhte në gjyq Kryeministrin e tyre, i cili është njëherësh edhe komandant i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës kundër kësaj barbarie.

Por ja që Kryeministri i Shqipërisë guxon dhe e bën një gjë të tillë. Inati ndaj homologut të tij shqiptar, i cili e ka akuzuar se po bën matrapazllëqe me serbët në kurriz të shqiptarëve qenka më i madh se inati ndaj homologut të tij serb, i cili, pikërisht në momentin kur masakroheshin shqiptarët, mbështeste Sheshelin dhe Millosheviçin. Prej 6 vitesh i kemi parë të dy bashkë, Ramën e Vuçiçin, duke u endur nëpër viset ballkanike, në një klounadë diplomatike, hokatarë, miqësorë, sportivë, duke projektuar ndarje kufijsh e hapësira të përbashkëta miniShengeni.

Asnjëherë Kryeministri shqiptar Rama nuk i ka kërkuar Kryeministrit serb ndonjë reflektim apo prononcim për masakrat ndaj shqiptarëve, asnjëherë nuk i ka shkuar në mendje të bëjë ndonjë hap për të kërkuar ndonjë proces gjyqësor ndërkombëtar për autorët e këtyre masakrave. Ia ka falur Vuçiçit të gjitha, edhe kontributin në masakrat e Sheshelit, edhe deklaratën se nuk ka pasur një masakër në Reçak. Por, nga ana tjetër, Kryeministrin Haradinaj nuk e fal për akuzat e tij. Me gjithë hallet e mëdha që ka si lider i madh botëror, sidomos me angazhimet e fundit për zgjidhjen e konflikteve ruso-ukrainase dhe amerikano-iraniane, ai gjen pak kohë sa për t’u marrë me Kryeministrin e Kosovës, duke i ngritur padi në Gjykatë.

Përtej sarkazmës, akti i Kryeministrit shqiptar është sa i shëmtuar, edhe tregues i faktit se me delirin e tij, Edi Rama, si Kryeministër, ka arritur të bëjë atë që s’e ka bërë asnjë nga kryeministrat shqiptarë të pas ‘90-s: të jetë në konflikt të hapur me aktorët kryesorë shtetërorë dhe politikë të shtetit të Kosovës. Kjo, sepse me dashje apo pa dashje, axhenda politike dhe diplomatike e Kryeministrit të Shqipërisë shkon përkundër axhendës së përfaqësuesve shtetërore e politikë të Kosovës.

Axhenda politike dhe diplomatike i shkon përshtat axhendës së Kryeministrit serb, e cila nuk është as më shumë e as më pak, veçse një përpjekje e Serbisë për të rikthyer kufijtë politikë të asaj çfarë pretendonte Milosheviçi pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia të Kroacisë dhe Sllovenisë.

Dihet tashmë se Sllobodan Millosheviçi, pasi e kuptoi se nuk mund ta vendoste gjithë Jugosllavinë e vjetër nën sundimin e serbëve pas rezistencës kroate dhe sllovene të mbështetur nga vendet europiane dhe SHBA, kaloi në planin B: lejimin e shkëputjes së këtyre dy republikave me idenë se më pas do ta kishte më të lehtë për të mbajtur nën ndikimin e vet një federatë me pjesën tjetër të mbetur, ku pa dyshim pengesa kryesore do të ishte rezistenca e shqiptarëve të Kosovës. Me shqiptarët kishte vendosur t’i zgjidhte punët përmes dhunës dhe shpërnguljeve masive dhe Kryeministri i sotshëm serb ishte një nga mbështetësit kryesorë të këtij projekti përmes Partisë Radikale të Serbisë, eksponent i rëndësishëm i së cilës ishte.

Në arenën ndërkombëtare, plani i Millosheviçit kishte vetëm një aleat: Rusinë, ndërkohë që në çdo fazë të vetën kishte kundërshtar BE-në dhe SHBA. Në këtë përplasje të madhe të politikës ndërkombëtare, Millosheviçi pa të humbte njërën pas tjetrës pjesë të perandorisë së vet të imagjinuar: Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe madje edhe Republika Serbska-n, e cila, falë ndërhyrjes ndërkombëtare në Bosnje, nuk u bë pjesë e Serbisë. Humbja e Serbisë në të vërtetë ishte humbje e Rusisë në betejat gjeopolitike në Ballkan, madje humbja më e madhe pas Kongresit të Berlinit, po të kemi parasysh faktin se edhe Bullgaria që dikur ishte aleat i Rusisë sot, është vend i BE-së dhe anëtar i NATO-s

As Serbia dhe as Rusia nuk janë pajtuar me këtë humbje dhe prej vitesh po përpiqen të faktorizohen sërish dhe ta kthejnë Ballkanin në një zonë të ndikimit rus, ose të paktën të kthejnë nën ndikimin rus zonat e dikurshme që ishin nën këtë ndikim. Paradoksi qëndron në faktin se në këtë lojë është futur edhe qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama, duke u bërë me dashje ose pa dashje një vegël e lojës politike të Beogradit. Sponsorizimi i fortë dhe pa kushte që Kryeministri Rama i ka bërë projektit të mini-Shengenit Ballkanik është në të vërtetë mbështetje për një projekt që nga pikëpamja politike, ekonomike, diplomatike, i shërben Serbisë dhe aleatit të saj, Rusisë. Projekti synon përafrimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë me interesat e Beogradit dhe Moskës, duke krijuar kështu pengesa të reja për integrimin e tyre në BE.

Por mbi të gjitha ai synon izolimin e Republikës së Kosovës dhe me të drejtë të gjithë aktorët politikë dhe gjithë shoqëria shqiptare e Kosovës dhe e Shqipërisë e shikojnë krijimin e një zone të përbashkët me Serbinë pa njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia si një pretekst për ripushtimin e saj nga Serbia, madje krijimin e premisave edhe për përçarjen e faktorit shqiptar në rajon. Në përçarjen e faktorit shqiptar në rajon, Rama ka arritur, sidomos në këto vitet e fundit, të jetë vërtet efikas. Fillimisht, me përkrahjen e projektit të ndarjes së kufijve dhe së fundi me miniShengenin Ballkanik. Braktisja e tij prej Republikës së Kosovës në projektin e fundit e tërboi aq shumë Ramën sa para vëllait të ri, Vuçiç, i shiti pa iu skuqur faqja gjithë liderët shqiptarë të Kosovës, duke i sharë e trajtuar ata si kushërinj të largët, madje si fqinj të këqij.

Opinioni publik ka qenë aq i ngarkuar për muaj të tërë me “projektet” e Vuçiçit dhe Ramës, sa në shumë raste e ka konsideruar aktin e Ramës tradhti kombëtare, vetë Ramën Esat Pashë Toptani e kështu me radhë. Për këtë arsye është e çuditshme se si ai e ka ngushtuar objektin e padisë së tij vetëm me Haradinajn dhe nuk ka përfshirë në të pjesën më të madhe të faktorit politik shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, mediat, madje gjithë publikun e tyre që ka ngritur ndaj tij akuza të pafundme./panorama

Në Stenton, vendlindjen e Presidentit Wilson (video)

Në qytetin Stenton (Staunton) të Virxhinias, banorët do të kenë më shumë raste për t’u njohur me shqiptarët dhe trashëgiminë e tyre historike dhe kulturore.

Qyteti ka vendosur lidhje me komunën e Çairit në Shkup, me të cilën ka shkëmbyer vizita.

Qyteti Stenton shtrihet në një zonë rurale, rreth 250 kilometra në jugperëndim të Uashingtonit. E veçanta e tij është se këtu ka lindur presidenti i 28 i Amerikës, Woodrow Wilson. Banorët janë krenarë. Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës ishte këto ditë në Stenton ku bisedoi me disa personalitete të qytetit.

“Ndonjëherë ne e marrim për diçka të natyrshme që jetojmë në vendlindjen e Wilsonit dhe ndoshta nuk na bën shumë përshtypje, por ndonjëherë harrojmë se çfarë personalitet i fuqishëm ka qenë Wilsoni dhe sa gjëra të mëdha bëri. Ai ishte njeri dhe çdo njeri bën gabime. Nuk them se ishte i përsosur. Por fakti që ishte në gjendje ta ruante Shqipërinë si shtet dhe ndoshta të garantonte ekzistencën e popullit të saj, kjo është diçka e mrekullueshme që e nderon,” thotë Carolyn Dull, Kryetare e Bashkisë.

Ne e takuam kryebashkiaken Dull gjatë një prezantimi, ku ajo foli për lidhjen që qyteti ka vendosur me Çairin, një ndër 10 komunat e Shkupit.

Banorët u mblodhën në Bibliotekën dhe Muzeun Woodrow Wilson.

Në qershor të vitit të kaluar, një delegacion me përfaqësues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut erdhën këtu për vizitë. Para vizitës, ata kishin shprehur dëshirën për një binjakëzim mes qytetit Staunton dhe Çairit.

“Kryetari i Bashkisë së Çairit, Visar Ganiu, më dërgoi një letër, ku më pyeste nëse ne ishim të interesuar për të bërë një binjakëzim jo-zyrtar, sepse ne jemi vendlindja e Woodrow Wilsonit ndërsa Çairi është vendlindja e Nënë Terezës, që të dy fitues të Çmimit Nobel,” thotë zonja Dull.

Në nëntor, kryebashkiakja Dull dhe të tjerë nga qyteti Stenton, shkuan në Çair, ku u bë përurimi i një busti të presidentit Wilson.

Robin von Seldeneck është drejtore ekzekutive e Bibliotekës Presidenciale dhe Muzeut Woodrow Wilson. Me profesion historiane, ajo ishte pjesë e delegacionit që vizitoi Çairin.

“Nga përvoja ime si historiane e dija që Wilsoni kishte shpëtuar Shqipërinë, por ishte ndryshe ta dije këtë si teori dhe ndryshe pasi takova shqiptarët dhe ta kuptoja me zemër ndryshimin që ai solli,” thotë zonja von Seldeneck.

Kryebashkiakja Dull tha se i bëri shumë përshtypje rrëfimi se si Presidenti Wilson kishte shpëtuar Shqipërinë:

“Ne dëgjuam për këtë në qershor të vitit të kaluar, kur ata erdhën këtu. Unë nuk e kisha ditur.”

Ky portret i Presidentit Wilson është punuar në mëndafsh nga shkodrani Guri Duro në vitin 1918 dhe i është dhuruar më vonë muzeut nga një çift amerikan që e kishte blerë në një ankand.

“Vura re se secili në delegacionin e tyre, kur kalonte përpara portretit të Wilsonit, përulej me respekt. Deri në atë kohë nuk e njihja këtë histori.”

Dëshira që njerëzit në Stenton të dinë më shumë për shqiptarët, historinë dhe kulturën e tyre i mblodhi këta banorë në sallën e muzeut.

“Krijimi i lidhjes së përbashkët është një rast i shkëlqyer që dy komunitetet të mësojnë nga njëri-tjetri. Kjo është lidhja mes dy fituesve të Çmimit Nobel, prandaj jemi shumë të gëzuar për këtë marrëdhënie të re. Ne i falenderojmë për mikpritjen,” Julie Jones eksperte e granteve për muzeun

Qyteti shpreson ta zhvillojë më tej lidhjen me Çairin.

“Mendoj se ishte një ide e shkëlqyer. Jam e gëzuar dhe shpresoj se do të arrijmë të organizojmë vizita te njëri-tjetri dhe ndoshta shkëmbime studentësh. Njerëzit që takova ishin të gjithë të mrekullueshëm,” thotë zonja Dull.

Sipas zonjës Robin von Seldeneck, “çelësi i kësaj miqësie është dëshira për paqe mes njerëzve. Nëse ndjekim fjalët e Woodrow Wilsonit dhe i zgjasim të tjerëve dorën e miqësisë, bota bëhet një vend shumë më i mirë. Fakti që mësojmë për kultura të ndryshme mund të na ndihmojë të kuptojmë njerëzit. Ne mësojmë në fakt se sa të ngjashëm jemi, më shumë sesa ndryshime kemi.

Zonja Seldeneck thotë se kur muzeu të riorganzohet, marrëdhënieve të Presidentit Wilson me Shqipërinë dhe shqiptarët do t’i kushtohet një seksion i veçantë.