Ina Kosturi tregon përpjekjet e saj për të gjetur pjesë të vjetra muzikore të kompozitorëve shqiptarë. Kësaj here bëri bashkë në një koncert muzikën e kompozuar nga Noli, Kurti, Nasi dhe Papajorgji për violinë e piano. Shprehet se nuk do të ndalet, së vëni në skenë pjesë të panjohura për publikun
Sonata e Fan Nolit, romanca e sonata e Lec Kurtit, tre pjesë nga Thoma Nassi, një nokturn nga Kostandin Papajorgji për violinë e piano, si dhe këngë të tjera shqiptare për piano (Prizren 1915) erdhën për publikun në një koncert nga artistwt shqiptarw. Violinistja Ina Kosturi rrëfen emocionet pas koncertit, por edhe arsyet, se përse nuk do të ndalë së vëni në skenë vepra shqiptare, të cilat flasin për vlerat tona kombëtare dhe kulturore. Krahas veprave për violinë e piano, violinë e kuintet harqesh, koncerti solli larmi tingujsh të vjetër e të sotëm, të rrallë e shumë të njohur. Në koncert interpretuan, Ina Kosturi (violinë), Rudina Ciko – (piano) dhe kuinteti i harqeve, Lorenc Radovani (violinë e udhëheqës artistik), Arian Paço (violë), Arben Basha (kontrabas), Gëzim Belegu (violonçel) e Fatjon Memaj (violinë).
Ina, nuk është hera e parë, që ju riktheni te publiku muzikën e vjetër shqiptare. Kësaj here i bëtë bashkë Kurtin, Nolin, Papajorgjin dhe Nasin. Por, çfarë mund të na thuash, për emocionet e përjetuara nga ju, kur të gjithë këta autorë i solle së bashku?
Çdo koncert ka emocionet, specifikat, e ky i fundit rikthimin e muzikës së vjetër shqiptare, nga e cila kisha interpretuar në vitin 2008 sonatën e Nolit dhe pjesët e Thoma Nasit për violinë, si dhe kuriozitetin për interpretimin e sonatës e romancës së Lec Kurtit, të cilat nuk i kisha shfletuar më parë. Veç ngjashmërisë me pullat shqiptare, për faktin e datave dhe vendeve që mbanin partiturat: 1914 Venecia, Napoli 1925 etj., rrethanat e sollën që koncerti të vinte dhe në një stil të vjetër. I mbështetur nga Posta Shqiptare, duke qenë pjesë e eventit të rëndësisë së veçantë, u desh të ndërronim disa herë orën, vendin, për të interpretuar në mjedisin e hapur ku zhvillohej veprimtaria e Postës Shqiptare, e cila na nderoi dhe bëri pjesë të veprimtarive për nder të 105 vjetorit të Pullës së Parë.
Kushtet atmosferike dhe specifika jonë klasike bënë të vështirë daljen e pianos në ambient të hapur, dhe kështu koncerti u realizua në sallën brenda Muzeut, duke e zhvendosur në mënyrë figurative në një kohë të shkuar, ngjashmërisht, si thënia e Thoma Nassit në partiturë “Përkrahni Muzikën e thjeshtë shqiptare”. E përkrahëm në nderim të Pullës së Parë, e interpretuam për t’u njohur me kompozitorët, e kujtuam në nderim të këtyre personaliteteve të muzikës dhe historisë shqiptare bashkë me publikun, i cili pavarësisht ndërrimit të orareve u gjend në sallë në çastin e duhur.
Ky koncert u realizua për 105-vjetorin e Postës e Filatelisë Shqiptare, një datë historike, që ka në qendër krijimin e shtetit shqiptar, por sa është ruajtur ky interes sot, sipas jush?
Mendoj se ekspozita filatelike e hapur nga Shoqata e Koleksionistëve ruajti interesin e eventit dhe kjo ishte pjesa e rëndësishme e aktivitetit, si dhe botimi i një libri mbi filatelinë, duke evidentuar nëpërmjet pullave dhe historinë e shtetit.
Po për lidhjen që keni me këta emra për shkak të prejardhjes suaj, çfarë mund të na thoni?
Ishte kënaqësi që secili nga kompozitorët, figura të historisë e të muzikës kanë lidhje më të parët e mi. Janë shumë personazhe, që lidhen midis tyre, ka letra interesante që flasin për miqësinë e Fan Nolit me Lef Nosin, ministrin e parë të Postë- Telegrafëve. Lec Kurti ka qenë krahas muzikantit dhe diplomat e personalitet, Thoma Nassi gjithashtu, në lidhjet me luftën e Vlorës dhe faktin se ka qenë pedagog në liceun Francez në Korçë, kudo gjen një koincidencë të bukur dhe të rrallë. Këto rastësi e bënë koncertin të ndryshëm nga të tjerë koncerte apo recitale, ku luaj vepra premierë apo të njohura.
Gjithsesi, fakti se kompozitori ka qenë pedagog i muzikës së gjyshit apo të tjera gjëra, si këto, fakti se Noli ka shkruar diçka të mrekullueshme për të parët e t’u, siç është rasti për Spiro Kosturin, përtej koncertit është gati një skenar më ngjarje të vërteta. Çdo muzikant ka përjetimet e tij, disa janë pasardhës muzikantësh, për disa kompozitorët kanë shkruar vepra me dedikim dhe i kanë luajtur për herë të parë, mua më ndodhin këto koincidenca me të shkuarën dhe jam e kënaqur për këtë, duke i bërë pjesë të aktivitetit, si pjesë e trashëgimisë sonë.
Si ndikon kjo lidhje në punën e vazhdueshme, që ju bëni me veprat e autorëve shqiptarë?
Jam përpjekur të kërkoj e të gjej me ndihmën e koleksionistëve edhe të tjera pjesë të vjetra, duke shpresuar të gjenden, duke besuar se ka të tilla. Kostandin Papajorgji duhet të ketë të tjera krijime, veç Nokturnit që na ka dhuruar koleksionisti Shpëtim Sala.
“Fantazia”, një pjesë e shkruar nga ju dhe orkestruar nga Robert Radoja, e cila u mirëprit edhe nga publiku. A mund të na thuash diçka më tepër për këtë? Si ka lindur dhe çfarë prioriteti mendon Ina, që t’i jap në vazhdim kompozicionit?
Kompozicioni është fjalë e madhe për mua, natyrshëm si dikush që merret me muzikë në mënyrë spontane mund të shkruaj diçka modeste, kam guxuar pas botimit të një libri. Pasion i bukur, që më bën të ndihem paska keq, kur duhet të shkruaj te programet emrin tim krahas kompozitorëve botërore apo shqiptarë dhe shpëtoj nga sikleti, duke përmendur emrin e orkestruesit…
Ndonëse, pjesët mund të pëlqehen nga publiku, nuk e ndryshojnë faktin se nuk jam kompozitore. M’u kujtua përgjigjja, që i kam dhënë shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare për pyetjen: “Je shkrimtare apo violiniste? Jam violiniste…
Ju jeni një artiste e angazhuar gjatë gjithë kohës. Por sa e lehtë, është sot, që një artist të arrijë realizojë një koncert për violinë? Ju mbështetjen e kujt keni pasur? Sa pranë e keni ndierë në krijimtarinë tuaj, mbështetjen e institucioneve të kulturës?
E quaj fat kur hapen dyert e institucioneve, drejtoj një shoqatë për të vetmin motiv, daljen në skenë dhe promovimin e muzikës violinistike dhe them faleminderit sa herë më krijohet mundësia për fonde modeste, që i njeh vetëm komuniteti i muzikantëve! Quaj fat dhe kënaqësi bashkëpunimin me profesorët e Universitetit të Arteve, ku unë punoj, me muzikantët e spikatur të skenës shqiptare e jashtë saj, Lorenc Radovani, Arian Paço, Arben Basha, Gëzim Belegu, me kontribut, si solistë, pjesëmarrës në formacione e kontribut në rrugëtimin e instrumenteve me hark! Do ndalesha në formacionin e veçantë, me të cilin interpretoj, violinë soliste dhe kuintet harqesh. Falë aftësive dhe eksperiencës së madhe, që kanë mund të luash me ta vepra, si Ciaçona e Vitalit, ku Lorenc Radovani është jo vetëm dirigjent, por kjo vepër është edhe transkiptuar prej tij në mënyrë të shkëlqyer.
Përtej njohjes, si violinist solist i spikatur në koncerte me orkestër brenda e jashtë vendit, në recitale apo formacione të ndryshme, si drejtues, spalë, do përmendja kontributin e madh në dixhitalizimin e shumë veprave shqiptare, duke mundësuar ngjitjen në skenë e vazhdimësinë e interpretimit krijimtarisë së kompozitorëve më të njohur shqiptarë dhe së fundmi dhe orkestrimin e “ Katër valleve” të Thoma Nassit për violinë e orkestër simfonike, ku më shumë vepra ngjan, si kompozim mbi temën, pasi nga pak minuta vepra vjen e plotë dhe merr trajtën e një pjese të rëndësishme. Kemi folur gjithmonë për kompozitorët po asnjëherë për ata me të cilët bashkëpunojmë dhe janë pesha më e rëndësishme e koncerteve.
Modestinë që transmetojnë duhet ta flakim ndonjëherë për t’ua përmendur arritjet, apo për të thyer heshtjen, që si pjesë e traditës na pengon të flasim për ata që bashkëpunojmë. Kështu ndodh dhe me pianisten Rudina Ciko, sa më shumë bashkëpunojmë aq më pak komentoj aftësitë profesionale, koncertet si soliste, ndonëse kam qenë aktive në shkrime për shumë aktivitete, duke evidentuar interpretues e muzikantë, pianistë e violinistë. Mjaftojnë tingujt e Ciaçonës, violina , viola apo basi e cello për të imponuar një lojë të bukur dhe për t’i evidentuar, si artistë teksa interpreton. Në një tjetër plan bashkëpunimi ngjan me ekspozitën e një piktori së fundmi, ku kish ekspozuar portretin e një tjetër piktori. Është ajo që i duhet komuniteteve artistike e atij të muzikantëve.
Përtej, violinës, kompozimit, ju edhe shkruani. A keni diçka në duar këtë periudhë?
Artikuj që më vijnë në mëndje papritmas. Më pëlqen ajo atmosfera e nëntorit, asnjëherë nuk i dihet, diçka të kohës me personazhe thuajse reale….
Edhe së fundmi, cilat janë projektet artistike të Inës violiniste?
Një tjetër koncert, sekret deri sa të dalë afishja …
Komentet