VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Romeo Gurakuqi: E gjithë media nën kontroll!

By | July 25, 2017

Komentet

DOKUMENTI – Agron Tufa ngre padi kundër Spartak Brahos dhe Fatos Tarifës pas ikjes nga vendi

Ish-kreu i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa ka paditur në gjykatë deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho dhe publicistin Fatos Tarifa.

Duke marrë shkasë nga një artikull i Brahos i një dite më parë, Tufa shkruan në padi, se ai pa shpifur dhe fyer në forma të ndryshme si :”Hajdut e mashtrues i neveritshëm”, “njeri ordiner” dhe “bëmat e ndyra të këtij njeriu”, si “vjedhjet e institucionit që drejtonte”, “abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë” e “plagjiaturë në universitet”.

I akuzuari Spartak Braho është i vetëdijshëm që viktima nuk ka qenë asnjëherë i ndjekur penalisht apo i proceduar administrativisht për hajtur dhe mashtrues, madje edhe i cilësuar si njeri ordiner, por me këto fraza të përdorura, ka fyer dhe shpifur me qëllim për t’i ofruar opinionit publik se Agron Tufa, nuk është ai që ju njihni për njeri të ndershëm”.

Gjithashtu në padi thuhet se Braho ka shpifur kur akuzon zt.Tufa sikur ka vjedhur fondet publike dhe është larguar nga vendit. Në padi thuhet se nuk ka asnjë akt kontrolli administrativ që tregon për vjedhje të fondeve.

Edhe ndaj Zt. Tarifa renditen të njëjtat akuza penale bazuar mbi një artikull të tij po në të njëjtën gazetë, me titull “Iku Tufa, një mashtrues e një plagjiator më pak”.

Për sa më sipër, Agron Tufa thekson se në “kushtet e sulmeve të paprecedenta ndaj tij por kryesisht edhe ndaj familjes së tij, bashkëshortes dhe fëmijëve, më datë 3 dhjetor 2019, vendosi të largohej nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në një nga vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në midis të tjerash në padi.

Në fund të padisë, Tufa kërkon nga gjykata shumat prej 250 mijë lekësh për secilin nga personat e akuzuar.

 

KUSH E MBRON Z. AGRON TUFA DHE FAMILJEN E TIJ? Nga Frank Shkreli

Ja dhe lajmi i papritur, i çuditshëm, por edhe shqetësues.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi se Agron Tufa, tani ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri ka kërkuar azil politik në një vend të Europës.  “Azil politik”, është ky një term që nuk e kam dëgjuar për pothuaj 30-vjet tani, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.  Por, kur flitet për Shiqpërinë post-komuniste, asgjë nuk është dhe nuk duhet të na çudit –madje as të kërkuarit e azilit politik në vendet perëndimore nga shtetasit shqiptar, si dikurë në kohën e komunizmit, megjithëse është një rast tepër shqetësues.  Heshtja e autoriteteve ndaj faktit se Agron Tufa largohet nga vendi për të kërkuar azil politik në Evropë, i kërcënuar me jetë, është diçka që duhet të shqetësojë të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë.

Për më tepër në këtë rast nuk kemi të bejmë me një shtetas të thjesht shqiptar, jo.  Është fjala për një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, i cili deri dje kryesonte Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.  Agron Tufa i tha “Zërit të Amerikës, se kërkoi azil politik në një vend të Europës, “Për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij për shkak të detyrës”

Me anë të një letre të cilën mund ta lexoni më poshtë, dërguar Kryetarit të Bordit të Institutit të lartëpërmendur, Uran Butka dhe përcjellë për dijeni edhe Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Prokurores së Përgjithshme, Z. Tufa ka paraqitur dorëheqjen e tij si Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, një detyrë kjo që ai e mbante ç’prej vitit 2010.   Që të jemi të qartë, duhet theksuar se Agron Tufa nuk ishte kryetar i ndonjë do si do organizate jo-qeveritare ose të ndonjë grumbullimi të ish-përndjekurish të regjimit komunist që politika dhe shoqëria shqiptare i injoron dhe i anashkalon, jo.  Ai ishte Drejtor i një enti shtetëror, i themeluar, i sanksionuar dhe financuar nga vet qeveria dhe shteti shqiptar, me akt të Kuvendit të Shqipërisë.  Ai dhe familja e tij janë kërcënuar në kapacitetin e detyrës që ai ka mbajtur në një detyrë shtetërore.

Të rifreskojmë kujtesën se sipas legjislacionit shqiqptar, “Misioni dhe qëllimi i punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është grumbullimi, studimi, analizimi, evidentimi i fakteve dhe informimi i publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri (1944-1991), në të gjitha aspektet e tij”.   Sipas nenit 5, të Ligjit Nr. 10 242, datë 25.2.2010, Instituti, ndër të tjera: “Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist; analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit….”  Misioni i Institutit që drejtonte Agron Tufa ishte dhe është i qartë dhe i sanksionuar me ligj.  Sipas shumë vërejtësve, Agron Tufa e kryente detyrën e tij me përgjegjësi ndaj ligjit, me përpikëmëri morale dhe me ndershmëri akademike.   Atëherë ku qendron problemi me punën e bërë nga Z.Tufa dhe pse ai dhe familja e tij u kërcënuan me jetë nga individë të njohur ose të panjohur, disa në nivele të larta të pushtetit socialist.

Problemi është se një ndër pikat e misionit të Institutit Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është se këtij enti i kërkohet me ligj që të, “Evidentojë personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit”.  Dhe për të gjitha këto të “vëjë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave”, pikërisht nga personat që dikur ishin pjesë e organeve shtetërore në regjimin komunist — që mund të kenë kryer edhe krime kundër njerëzimit — e të cilët vazhdojnë edhe sot të mbajnë poste të larta në shtet dhe në qeverinë e qashtuquajtur “demokratike” të Republikës së Shqipërisë, madje edhe 30 vjet pas asaj që mendonim se ishte një “shembje” njëherë e mirë e komunizmit.

Agron Tufa thotë në letrën e dorëheqjes nga detyra e tij, se si përfundim i kërcënimeve kundër tij dhe familjes, ai sidomos këtë vit, “ishte vënë përballë falangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ”.  Tufa shprehet se përball kërcënimeve të vazhdueshme dhe“Pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër”, është shprehur Tufa në letrën drejtuar Kryetarit të Bordit të Institutit, Z. Uran Butka.  Mjafton të përmendet fakti se media të ndryshme kanë ndjekur, për pothuaj një vit tani, debatin e ashpër publik me ish Kryetarin e Komisionit të Sigurisë, deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho, për të cilin thuhet se ka patur detyra të larta edhe në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe që vazhdon gjithnjë të ushtrojë influencë në Partinë Socialiste, pasardhëse e Partisë Komuniste/Partisë së Punës si dhe në Kuvendin aktual të Shqipërisë, i dominuar nga kjo parti.

Unë nuk jam në dijeni të ndonjë krimi nga Agron Tufa.  Kjo duhet të jetë puna e Prokurorisë dhe e enteve të tjera të drejtësisë, ashtu siç janë, fatrkeqsisht dhe jo e ndonjë “aparatçiku” komunist.  Por ajo që dihet është se ai nuk ka asnjë mbështetje nga askush.

Pa asnjë garanci mbrojtjeje nga autoritetet shqiptare, Agron Tufa detyrohet të kërkojë azil politik në Evropë për veten dhe familjen e tij.  E kush duhet ta mbrojë, në parim, Z. Agron Tufën dhe familjen e tij përball kërcënimeve serioze për jetë?  Ku është Kryeministri?  Ku është Ministri i Mbrendshëm.  Po ku është Prokuroria?  Po opozitën, çfarë e dallon nga pozita përsa i përket kërcënimeve ndaj Z. Tufa dhe familjes së tij.   Ndanë opozita të njëjtat vlera me pozitën në lidhje me këtë rast???   Në një vend normal, këta dhe zyrtarë të tjerë të lartë në pushtet do jepnin menjëherë dorëheqjen para një rasti të tillë mosveprimi e heshtjeje.  Po ku është Kuvendi i Shqipërisë, i cili miratoi ligjin në bazë të cilit veproi Z. Tufa???  Z. President?

 Askush nuk reagon!  Shteti heshtë, qeveria heshtë opozita heshtë, mediat e mëdha heshtin, organizatat jo qeveritare heshtin.   Po Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka gjë të thotë për të drejtat e njeriut për Z. Agron Tufën?  Po mbrojtësit e fjalës së lirë në Shqipëri, ku janë, pse nuk flasin?   Po ndërkombëtarët ku janë, të cilët nuk lënë gjë pa reaguar në Shqipëri?  Ku jeni përfaqsues të Perenëndimit demokratik në Tiranë që nuk reagoni????   Po Diaspora, sidomos ajo në Amerikë, ku është, pse nuk flet, si individ, si organizata, a po në terësi???  Ku janë akademikët shqiptarë, anë e mbanë trojeve?  Një papërgjegjësi e tmershme morale e kombëtare, jo vetëm në nivelin politik por edhe mbarë shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar!  Të gjithë heshtin përball kërcënimeve me jetë nga elementë të krimit ndaj shtetasve të vet, ndaj një akademiku dhe një zyrtari të lartë të një enti shtetëror e familjes së tij – me ndonjë përjashtim të vogël, aty këtu!

 

Bravo Gentiana Sula dhe Jonila Godole!   Znj. Gentiana Sula, Shefe e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit shprehu keqardhjen e saj për largimin e Agron Tufës nga atdheu për të kërkuar azil politik në Evropë përballë kërcënimeve për jetën e tij dhe të familjes sës tij, ndërkohë që shprehu shqetësimin e saj për mosveprimin e ligjeve dhe të organeve të shtetit, në këtë rast.  “Kam ndjekur me shqetësim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar që këto do të trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do të ndaleshin.  Që një zyrtar i lartë shtetëror ndërmerr një hap të tillë, tregon se institucionet që duhet ta mbrojnë, ligjet tona, nuk kanë vepruar.”, ka shkruar Znj. Gentiana Sula në faqen e saj të internetit.   Edhe anëtarja e Bordit të të Përndjekurve Politikë, Znj. Jonila Godole ka komentuar rastin e Agron Tufës, si një zë kritik ndaj qeverisjes aktuale që u detyrua të largohej, duke shtuar se “Fatkeqsisht, Shqipëria i është rikthyer, sërish trashëgimisë të kalbur komuniste, që katandisi Shqipërinë sërish në një vend mono-partiak”.

 

Në mungesë të reagimeve të autoriteteve shqiptare dhe të organizatave jo-qveritare në Shqipëri përball kërcënimeve ndaj jetës së Agron Tufës dhe familjes së tij, reagoi Platforma Evropiane e Kujtesës dhe e Ndërgjegjës (PEMC), duke shprehur shqetësimin e kësaj organizate evropiane ndaj trajtimit të Agron Tufës:  “PEMC mësoi me shqetësim të madh për kërcënimet që i janë drejtuar Z. Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.  Platforma u bën thirrje autoriteteve përkatëse të garantojnë sigurinë e tij dhe të sigurojnë punën e Institutit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në Deklaratën e Paltformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjës(PEMC).

 

Po, në mungesë të mbrojtjes nga autoritetet shqiptare dhe përball kërcënimeve të reja, madje edhe pas largimit të tij nga Shqipëria, kush do e garantojë sigurinë e Agron Tufës dhe të familjes së tij, qoftë në Shqipëri, qoftë në Evropë ku po kërkon azil politik?  Është shumë vështirë të shihet, nën këto rrethana, se kush do t’i dalë në mbështetje për t’i garantuar sigurinë Z. Agron Tufa dhe familjes së tij.

 

Frank Shkreli

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të skanuar të Agron Tufës drejtuar Kryetarit të Bordit të ISKK, me dijeni për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta, Z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Znj. Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.

 

 

Kush është Olsian Çela, kryeprokurori i sapovotuar

Me 101 vota pro Olsian Çela u zgjodh këtë e enjte kryeprokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, duke zënë kështu vendin që më parë e mbante përkohësisht Arta Marku. 

Çela ishte i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgoi Kuvendit, pasi mori më shumë pikë gjatë procesit të intervistimit. Cela beri edhe betimin sot ne Kuvend, per te nisur keshtu detyren e re.

PROFILI

Olsian Çela është konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’.

Kjo pasi ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa.

Si prokurori ai hetoi edhe mbi masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.

Çela e ka nisur karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror te Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.

Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar. Është njohës i 4 gjuhëve të huaja.

Olsian Çela zgjidhet Kryeprokuror i Republikës së Shqipërisë

“Kuvendi” ka zgjedhur sot Kryeprokurorin e ri të Përgjithshëm, Olsian Çela, me 101 vota pro 2 kundra 10 abstenim, Çela u miratua kryeprokurori i ri.

Ai do te beje betimin ne Parlament ne fund te seances plenare. Nderkohë Çela ishte i pranishëm në lozhën e Kuvendit ku ndoqi nga afër votimin e Kuvendit.

 

Arta Marku mori 11 vota pro, 22 kunder, 78 abstenim dhe 2 nuk kane marre pjese ne votim.

 

Fatjona Memcaj mori 8 pro, 6 kundër 87 abstenim dhe 3 s’kanë marrë pjesë në votim.

Udhëheqësit e Natos: Samiti i Londrës, një sukses

Udhëheqësit e NATO-s lanë mënjanë fyerjet publike me fjalë si “kriminale”, “vdekje klinike”, apo “dyfytyrësh”, duke deklaruar të mërkurën se do të qëndrojnë të bashkuar kundër një kërcënimi të përbashkët nga Rusia dhe në përgatitje të rritjes së Kinës.

Zyrtarët këmbëngulën se samiti ishte një sukses: më e rëndësishmja, Presidenti turk Tayip Erdogan u tërhoq nga kërcënimi për të bllokuar planet e mbrojtjes së Evropës Veriore dhe Lindore, me kusht që aleatët t’i shpallin si terroristë luftëtarë kurdë në Siri.

Megjithatë, takimi filloi dhe mbaroi me tensione që mund të quhen befasi edhe në epokën e një presidenti amerikan si Donald Trump, i cili kur arriti e cilësoi si “të pasjellshëm” presidentin francez dhe u largua duke e quajtur kryeministrin kanadez “njeri me dy fytyra”, pasi ky u filmua duke e ironizuar presidentin amerikan.

“Ne ishim në gjendje t’i kapërcenim mosmarrëveshjet dhe vazhdojmë të përmbushim detyrat tona kryesore për të mbrojtur njëri-tjetrin,” tha me tone si gjithnjë optimiste Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

Në një deklaratë të përbashkët, 29 udhëheqësit e aleancës thanë: “Veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë Euro-Atlantike; terrorizmi në të gjitha format dhe manifestimet e tij mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë ne”.

Samiti gjysmë ditor në një vendpushim golfi në periferitë e Londrës me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, gjithnjë pritej të ishte i komplikuar, por zyrtarët shpresonin të shmangnin kritikat e befta si ato në takimin e tyre vitin e kaluar kur Presidenti Trump u ankua për aleatët që nuk ndanin barrën e sigurisë kolektive.

Takimi i këtij viti u bë edhe më i vështirë për shkak të presidentit Erdogan, i cili nisi një inkursion në Siri dhe bleu raketa ruse megjithë kundërshtimet e aleatëve, si dhe nga deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në një intervistë muajin e kaluar e përshkroi aleancën si në “vdekje klinike”.

Në publik gjërat dukej se po shkonin më keq sesa pritej, duke filluar nga dita e martë, kur Presidenti Trump i quajti komentet e zotit Macron “shumë, shumë të pasjellshme” dhe i përshkroi aleatët që shpenzojnë shumë pak për mbrojtjen si “kriminalë”, koment që sipas zyrtarëve, Presidenti Trump e përdori përsëri të mërkurën pas dyerve të mbyllura gjatë samitit.

Trump Erdogan

Ndërkaq, Presidenti i SHBA e quajti Kryeministrin kanadez Justin Trudeau si “njeri me dy fytyra” pasi ky i fundit u kap në kamera të martën mbrëma duke ironizuar një konferencë shtypi të Presidentit Trump.

Incidenti ndodhi gjatë një pritjeje në Pallatin Buckingham, pasi zoti Trump kishte kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë kur iu përgjigj gazetarëve në prag të samitit të NATO-s.

Macron, Trudeau, Kryeministri britanik Boris Johnson dhe Kryeministri hollandez Mark Rutte u filmuan duke biseduar në pritje, së bashku me vajzën e mbretëreshës Elizabeth, Princeshën Anne.

“A është kjo arsyeja pse u vonove?” e pyeti Kryeministri Johnson Presidentin Macron.

“.. Ishte si një konferencë shtypi 40-minutëshe. Po, po, po! Dyzet minuta,” tha Trudeau.

Të pranishmit shkëmbyen edhe fjalë të tjera por që nuk u kapën nga mikrofoni i kamerës.

Pastaj, Trudeau shtoi me të qeshur: “Po shihja se si ekipi i tij i këshilltarëve mbeti i shtangur.”

I pyetur të mërkurën për komentet e zotit Trudeau, Presidenti Trump u përgjigj: “Ai është me dy fytyra.”

Zoti Trump la të kuptohet se Kryeministri Trudeau ishte i mërzitur pasi ishte kritikuar prej tij që nuk kishte përmbushur objektivin e shpenzimit të 2% të prodhimit kombëtar për mbrojtjen.

Në një konferencë shtypi pas samitit, Trudeau tha se fjalët e tij që “këshilltarët shtangën” kishte të bënte me njoftimin e papritur të Presidentit Trump se samiti tjetër i G7 do të zhvillohet në Camp David dhe se ai nuk e kishte thënë këtë në formë fyese.

“Kemi pasur një takim të shkëlqyer dje mes meje dhe presidentit,” deklaroi Trudeau.

Presidenti Trump vendosi të mos mbajë një konferencë përfundimtare për shtyp, duke thënë se kishte folur mjaft.

HUAWEI DHE RREZIQET E SIGURISË

Megjithë mosmarrëveshjet, zyrtarët thanë se ishin arritur vendime të rëndësishme, përfshirë një marrëveshje për të garantuar sigurinë e komunikimeve, përfshirë rrjetet e reja të telefonisë celulare G5.

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që aleatët të mos përdorin pajisje të firmës kineze Huawei, prodhuesi më i madh i pajisjeve të telekomunikacionit në botë. “Unë mendoj se është një rrezik sigurie,” tha Presidenti Trump në përgjigje të një pyetje për Huawei-n.

“Fola me Italinë dhe duket se ata nuk do ta vazhdojnë planin për blerjet nga Huawei. Kam folur edhe me vendet e tjera, edhe ata nuk do të vazhdojnë të blejnë,” tha ai.

Ndërkaq, Presidenti Macron u qëndroi kritikave të tij të mëparshme ndaj strategjisë së NATO-s, duke thënë se është e rëndësishme që udhëheqësit t’i diskutojnë problemet të hapur nëse duan të gjejnë zgjidhje.

“Mendoj se është përgjegjësia jonë të nxjerrim në pah dallimet të cilat mund të jenë të dëmshme dhe kështu të kemi një debat të vërtetë strategjik,” tha ai.

“Kjo ka filluar, kështu që unë jam i kënaqur”, shtoi presidenti francez.

Një nga ankesat kryesore të zotit Macron është se Turqia, anëtare e NATO-s që nga viti 1952 dhe aleate me rëndësi në Lindjen e Mesme, po vepron gjithnjë e më shumë në mënyrë të njëanshme, duke filluar me inkursionin e saj në Siri dhe me blerjen e raketave anti-ajrore ruse S-400.

Në komentet e tij për shtypin, shefi i NATO-s Stoltenberg tha se ndërsa Rusia ishte një kërcënim, NATO-ja gjithashtu dëshiron të sigurojë një dialog konstruktiv me të. Ai shtoi se Sistemi S-400 nuk përputhet në asnjë mënyrë me mbrojtjen e NATO-s.

Franca dhe Gjermania gjithashtu morën mbështetje për një rishikim strategjik të misionit të NATO-s. Aleanca do të krijojë një “grup personash të mençur” për të studiuar se si duhet të ripozicionuar aleanca në të ardhmen. Kjo mund të përfshijë zhvendosjen e operacioneve të saj nga Evropa Lindore drejt kërcënimeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Samiti u zhvillua ndërsa Presidenti Trump përballet me një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikën e tij për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca dëgjimore ndërsa ai po merr pjesë në samit.

Donald Trump nuk është presidenti i parë i amerikan që merr pjesë në një samit të NATO-s nën renë e fajësimit. Në vitin 1974 Richard Nixon shkoi në takimin e 25-vjetorit të NATO-s në Bruksel, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po përmbyllte hetimin e saj për procesin e shkarkimit. Nixon dha dorëheqjen pak javë më vonë. zëri i amerikës

“Ne jemi unik si kurrë më parë”, Ramush Haradinaj: Të bashkuar nuk ka tërmet që në ligështon!

PRISHTINË

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij në Prishtinë, ku i pranishëm është edhe kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, i cili ka udhëtuar sot drejt Prishtinës për të vlerësuar punën e FSK-së së Kosovës në operacionin e kërkim-shpëtimit theksoi faktin se kur Kosova dhe Shqipëria janë bashkë nuk ka tërmet që i ligështon shqiptarët.

Më tej, Ramush Haradinaj tha se Shqipëria dhe Kosova nuk janë më terrin e vetmisë së madhe dhe kjo sipas tij, u faktua nga ndihmat dhe solidariteti që treguan shumë vende të rajonit, por jo vetëm.

“Ne nuk jemi në dimrin e vetmisë së madhe. Na erdhën në ndihmë shumë miq, dhe kjo është një rrugë e duhur se ne jemi të rreshtuar në drejtimin e duhur. Pasi i qajtëm dhe i varrosëm njerëzit tanë, tani nis beteja e vërtetë për të gjallët. Ne jemi  unik si kurrë më parë, të majtë dhe të djathtë, të ngrihemi mbi interesat dhe të punojmë për ta. Ne kemi reaguar si shtet me të gjitha resurset që në orët e para të 26 nëntorit fatal. Vetëm kjo Kosovë na bën më të vlefshëm për Shqipërinë dhe për rajonin, SHBA, NATO. Të bashkuar  nuk ka tërmet që në ligështon. Urime për 107-vjetorin e Forcave të Shqipërisë.”-tha ai.

Meta falënderon Kosovën: Themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë një mesazh prekës, teksa po merr pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Duke shprehur mirënjohje të thellë për ndihmën dhe solidarizimin maksimal të Kosovës në këto momente dramatike për Shqipërinë, Kreu i Shtetit theksoi se tërmeti i 26 nëntorit tundi si asnjëherë më parë themelet e shumë ndërtesave, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

Gjithashtu, Meta falënderoi vendin e dytë të shqiptarëve edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme financiare, duke u shprehur se “Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre”.

Mesazhi i Metës:
Nuk ka emër dhe vlerësim më të mirë, sesa “shpëtimtarë” për të gjithë ju të FSK. Do donim t’i festonim festat e nëntorit së bashku, por ja që nuk ishte e thënë. Megjithatë, edhe ky 28 nëntor që sapo lamë pas, na gjeti të përbashkuar si asnjëherë tjetër në historinë tonë, të gjithë shqiptarëve, për t’u përballur me pasojat katastrofike të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Në këtë betejë të vërtetë, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike e partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë, por Kosova ishte e para që u ndodh aty, në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e çdo shqiptari. Ekipet tuaja ishin aty vëllazërisht për të shpëtuar jetë. Do ju jemi gjithmonë mirënjohës forcave të Kosovës, ekipeve të kërkim-shpëtimit, të shëndetësisë, policisë ushtarake, ekipit të vlerësimit, njësisë zjarrfikëse, etj, që treguan solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri. Kosova duhet të jetë krenare për forcat e sigurisë së saj, por edhe të policisë. Çdo vend i NATO-s është krenarë me ta.

“Kush shpëton jetë, shpëton një botë të tërë”, ka thënë Nënë Tereza. Ju shpëtuat shumë jetë dhe për këtë ju jemi mirënjohës. Kosova dha dhe kontribut financiar, duke nxitur mbështetjen e jashtëzakonshme. Marrëdhënia jonë me Kosovën është e palëkundur edhe në momente dramatike. Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre. Tërmeti i 26 nëntorit tundi fort, si asnjëherë më parë, themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, dhe madje i rrëzoi shumë keq disa prej tyre, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

(BalkanWeb)M

Lorik Cana nga Amerika, thirrje për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti (video)

Në Shtetet e Bashkuara ndodhet ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana. Ai erdhi në ShBA ditën kur Shqipëria u godit nga tërmeti që shkaktoi shumë vdekje. Tragjedia i ndryshoi misionin në Amerikë. Në vizitën që kishte planifkikuar të festonte për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ai po grumbullon fonde për të ndihmuar të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. Në Detroit, gazetari i Zërit të Amerikës, Burim Goxhuli bisedoi me futbollistin, i cili ndër të tjera porositi shqiptarët që të jenë po të bashkuar kurdo dhe kudo që ndodhen.

Ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, e kishte planifikuar ndryshe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara.

Por pas tërmetit në Shqipëri, qëllimi i vizitës së tij ndryshoi.

“Sigurisht ka pasur anulime të mbrëmjeve, por shoqatat kryesore kanë vazhduar të mbledhin njerëzit me të njëjtin simbol dhe flamur, jo më në formë gëzimi për të festuar, por në formë mbështjeje. Dhe besoj ka qenë mënyra e duhur”, tha Lorik Cana për Zërin e Amerikës.

Të pranishmit në mbrëmjet shqiptare, iu përgjigjen thirrjeve të tij për të ndihmuar financiarisht të prekurit e tërmetit.

“Kemi mbledhur më duket diku rreth 50-60 mijë dollarë, vetëm në mbrëmjen e parë. Dhe ne i kemi inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë dhe të japin donacione në këto ditë dhe në javët në vijim aq sa munden”, tha ai.

Futbollisti Cana u bën thirrje të gjithë grumbulluesve të donacioneve, që të kenë shumë kujdes në menaxhimin e tyre.

“Duhet t’ua çojmë amanetin deri në fund sepse në fund të fundit është një detyrë morale, është një detyrë shpirtërore dhe nuk luhet me momente të tilla”.

Ai nuk beson se do të abuzohet me mjetet e grumbulluara, por preferon që të sigurohet se ato do të përfundojnë në duar të nevojtarëve.

“Ne me fondacionin dhe me shoqatat këtu në Amerikë do evidentojmë shtëpi, ose do të evidentojmë shkollë ose kopsht që do të ketë nevojë për rindërtim dhe do t’a bëjmë drejtëpërdrejtë me fondacionin tim”.

Ylli i kombëtares shqiptare në futboll thotë se populli shqiptar duhet të nxjerrë mësime nga kjo tragjedi.

“Unë jam shumë i bindur që do i ndihmojmë njerëzit, do t’i rindërtojmë dhe do të ringrihemi. Në momente të vështira e kemi dëshmuar këtë. Kemi ruajtur identitetin dhe gjuhën tonë. Problemi tek ne shqiptarët qëndron tek momenti kur gjendja qetësohet, rikthehet një llojë normaliteti. Gjithë fokusi për të ndërtuar shoqërinë tonë mbarë-kombëtare, humbet, sepse atëherë ne fillojmë të mendojmë vetëm si individ, vetëm si grupacione dhe vetëm si parti politike”, tha Cana për Zërin e Amerikës.

Mesazhi i tij në këtë intervistë për Zërin e Amerikës është që fryma bashkëpunuese të shoqërojë shqiptarët, kurdo dhe kudo që ndodhen.

“Dashuria për vendin, dashuria për të ndërtuar një shoqëri, dashuria për të investuar tek gjeneratat që do të vijnë, nuk është diçka e cila fiket dhe ndizet. Është sikur besimi ndaj Zotit. Besimit ndaj Zotit nuk mund t’i kthehemi vetëm kur gjendja është e vështirë, kur jemi të sëmurë, kur kemi fëmijë të sëmurë, kur ndodh një tragjedi, kur humbim një person. Besimi ndaj Zotit është për çdo ditë. Duhet të falenderojmë zotin çdo ditë, duhet të besojmë Zotin çdo ditë, atdhedashuria është njësoj. Ne nuk mund të ndezim pjesën e atdhedashurisë vetëm në momentin e tragjedisë, sepse në shumë raste ajo që na çon deri në këto ngjarje është pikërisht sepse gjatë rrugës nuk i bëjmë gjërat e duhura”, tha ai gjatë vizitës së tij në Michigan.

Ashtu sikur Lorik Cana, edhe personalitete tjera të njohura të sportit e kulturës kontribuan për grumbullimin e fondeve për të prekurit e tërmetit.

Bie bora e parë, ja aksi që u zbardh nga reshjet, kujdesi që duhet treguar

Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një njoftimi për mediat lajmëron se ka rënë bora e parë për këtë vit në vendin tonë.

ARRSH thotë se bora e parë ka rënë në Qafë Mali të Fierzës. Po ashtu, ARRSH shprehet se të gjithë qytetarët ëqë lëvizin në këtë aks rrugor, duhet që të kenë kujdes, pasi terreni paraqitet problematik.

Njoftimi i ARRSH:

Filluan reshjet e para për këtë vit 🌨

👉Pamje përgjatë aksit Qafë Mali-Fierzë, trashësia momentalisht ka arritur në 10 cm.

❄️ Sapo filluan reshjet, u morrën menjëherë masat e para 👨‍🔧të mirëmbajtjes dimërore 🚜 nisi puna për pastrimin dhe hedhjen e kripës.

⚠️Automjetet që zgjedhin të kalojnë këtë aks të tregojnë kujdesin e duhur, të reduktojnë shpejtësinë 🚘 dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit ✳️

E trishtë- Agron Tufa kërkon azil politik në Zvicër, u kërcënua me jetë

Agron Tufa, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), ka kërkuar azil politik në Zvicër, për shkak të pasigurisë për jetën e tij dhe të familjes së tij në Shqipëri.

Burimeve të besueshme konfidenciale thanë për Gazeta “Minerva”, se Tufa ka kërkuar zyrtarisht strehim politik ne shtetin e Zvicrës dhe aktualisht ndodhet familjarisht i strehuar, në një nga qendrat për azilantë politikë te këtij shteti.

Nga Zvicra, ai ka dhënë dorëheqjen si drejtor i ISKPK, nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Bordit Drejtues te ISKPK, Uran Butka.

Prej disa kohësh, Tufa dhe instituti që ai drejton ishin vënë nën shënjestrën e goditjeve dhe sulmeve të mazhorancës. Ai u kërcënua dhe u fye publikisht në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti i qeverisë Spartak Braho, ish-hetues e gjykatës i diktaturës komuniste.

Politikanë e zyrtarë të lartë të shtetit kanë ngritur një sërë padish ndaj tij.

Tufa ishte kërcënuar disa herë me jetë dhe i ka publikuar kërcënimet dhe në media.

Kosova del nga sistemi rregullues energjetik i Serbisë, i bashkohet Shqipërisë

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) nënshkruan të hënën në Tiranë marrëveshjen e themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një komunikatë për publikun, KOSTT tha se marrëveshja u nënshkrua me dijeninë e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Kjo marrëveshje parashihet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020.

“Blloku Rregullues, i përbërë prej dy zonave rregulluese, KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike, si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dyja sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, citohet të ketë thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Shqipërinë, Kosova shkëputet nga ombrella e zonës rregulluese serbe (EMS) dhe bëhet pjesë e OST-së.

“Kjo është marrëveshje historike për Kosovën dhe KOSTT-in, meqë, deri më tani, ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese të Serbisë (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut). Tani, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me OST-in dhe fillimin e implementimit të saj në prill të vitit 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe dhe bëhemi pjesë e Bllokut Rregullues me OST-në e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Shala.

Skerdi Drenova, administratori i përgjithshëm i OST-së, tha se kjo marrëveshje krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda bllokut.

“Tregu i drogave 2019”: Shqipëria trafikuesja më e madhe e kanabisit në BE, paratë investohen në ndërtim e turizëm

Raporti “Tregu i drogave 2019”, një publikim, që bëhet një herë në tre vjet nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave (EMCDDA) e përmend Shqipërinë si prodhuesen më të madhe të kanabisit të trafikuar në Bashkimin Europian, paratë e të cilës transportohen cash me makina drejt Shqipërisë dhe investohen në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm. Raporti përmend fuqizimin e grupeve kriminale shqipfolëse (ku përfshihen individët shqipfolës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj) në vendet e Bashkimit Europian, sidomos në trafikimin e heroinës e kokainës në Britaninë e Madhe, duke zhvendosur turqit e të tjerë.

Sipas raportit, “Shqipëria ka të ngjarë të jetë prodhuesi më i madh i kanabisit bimor të trafikuar në BE. Gjatë vitit 2017 dhe 2018, trafikimi në shkallë të gjerë i kanabisit bimor nga Shqipëria në BE vazhdoi. Konfiskimet italiane të kanabisit bimor u rritën nga afro 42 ton në vitin 2016 në më shumë se 90 ton në 2017, duke reflektuar intensifikimin e aktivitetit të trafikimit në të gjithë Detin Adriatik. Si përgjigje ndaj presionit në rritje të ushtruar nga autoritetet italiane, organizatat kriminale shqipfolëse, shpesh në bashkëpunim me ato të stilit mafioz italian, tani synojnë vendet më tej në veri përgjatë bregdetit italian si pika dorëzimi. Rojet bregdetare greke raportojnë lëvizje të rregullta të anijeve të vogla me shpejtësi të lartë nga Shqipëria dhe Italia në drejtim të deteve Egje dhe Jon, me qëllimin për të kontrabanduar kanabis bimor shqiptar drejt Turqisë. Organizatat kriminale shqipfolëse bashkëpunojnë me të tjera në disa shtete anëtare të BE-së: Austri, Kroaci, Greqi, Hungari, Itali, Rumani, Suedi, Turqi dhe Mbretëria e Bashkuar. Këto shtete kanë raportuar rritje të konfiskimeve të kanabisit bimor, me origjinë shqiptare. Organizatat kriminale shqipfolëse, të përfshira në trafikun e kanabisit bimor përdorin gjithashtu korrierët e parave cash, të cilët zakonisht kontrabandojnë para me makinë në Shqipëri nga BE me makinë. Në Shqipëri, paratë cash përdoren për të investuar në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm”.

Raporti përmend fuqizimin e grupeve shqipfolëse në tregun e trafikimit dhe shpërndarjes së kokainës, krahas kolumbianëve dhe italianëve, që kanë pasur historikisht një rol kyç. Disa organizata kanë vendosur lidhje direkte me shtetet e Amerikës Latine, duke përdorur një model të ri biznesi nga “fillimi në fund” për të menaxhuar zinxhirin e furnizimit, me sasi të mëdha kokaine që blihen afër zonave prodhuese me kosto të ulët. Belgjika, Holanda dhe Spanja mbeten pikat kyçe të hyrjes dhe shpërndarjes së kokainës në BE.

Në raport shpjegohen dhe rrugët e trafikimit të produkteve narkotike. Korridori jugor kalon përmes Greqisë, Shqipërisë dhe ose Italisë, duke përdorur si transportin detar ashtu dhe atë tokësor. Një tjetër rrugë është ajri. Për shembull, trafikimi i narkotikëve ndodh mes Shqipërisë dhe Italisë me avionë që nisen nga klubet ajrore të Italisë ose pistat e avionëve, duke fluturuar në lartësi të ulët, nën mbulimin e një udhëtimi për kënaqësi. Ato kalojnë detin Adriatik dhe ulen në fusha të posaçme në Shqipëri.

Edhe prodhimi i vajit të kanabisit ka njohur zhvillim në Shqipëri. “Të dhënat e konfiskimit sugjerojnë që vaji i kanabisit është i disponueshëm në vendet në jug-lindje të BE-së. Ndërsa prodhimi i vajit të kanabisit rrallë raportohet në BE, ka disa informacione që sugjerojnë se mund të ndodhë në Shqipëri. Në vitet 2014-15, autoritetet shqiptare çmontuan tre njësi të prodhimit të vajit të kanabisit. Në vitin 2017, policia malazeze kapi rreth 17 litra vaj kanabis, të dyshuar se ishin me origjinë nga Shqipëria, të fshehur në një veturë pasagjerësh në kufirin Malazez-Kroat. Të dhënat e marra nga laboratori mjeko-ligjor shqiptar në Tiranë konfirmuan analizën e 312.5 litra vaj kanabisi nga pesë raste të ndryshme në 2017. Kjo shumë është relativisht e madhe në krahasim me shumat totale të sekuestruara në BE.

Grupet shqipfolëse po kapin tregun e heroinës dhe në Europë, sidomos Britani. “Për shumë vite, organizatat kriminale shqipfolëse gjithashtu janë identifikuar se janë të përfshira në furnizimin dhe shpërndarjen e heroinës në BE, duke kontrolluar seksionet e rrugës Ballkanike. Organizatat në gjuhën shqipe, si dhe grupet serbe dhe bullgare, prokurojnë heroinë nga ato turke dhe bashkëpunojnë me grupe të tjera të krimit me bazë në BE. Kohët e fundit ata duket se kanë zgjeruar përfshirjen e tyre në shpërndarjen e heroinës në Shtetet Anëtare të BE-së, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, dhe duke u përfshirë më shumë me shpërndarjen lokale. Në disa raste, ata kanë zhvendosur lojtarë të tjerë, përfshirë organizatat kriminele turke, në shpërndarjen me shumicë të heroinës”.

Raporti thekson se grupet shqipfolëse vazhdojnë të shtrijnë në mënyrë agresive pjesëmarrjen e tyre në tregtinë e kokainës, duke u bërë lojtarë kryesorë më disa tregje të mëdha, si Mbretëria e Bashkuar. Për më tepër ata e kanë shtrirë aktivitetin dhe në tregje më të vogla konsumi si Gjermania dhe Holanda./monitor