Rëndësia e këtij Kuvendi, këtij tubimi të ndodhur 73 vite më parë është mëse e qartë. Është thënë dhe artikuluar ndër vite nga historianë shqiptarë, rëndësia e Konferencës së Mukjes, por 26 vitet e fundit në sistemin demokratik, historianët e të dyja rrymave me ndikim politik kanë folur më shumë për të dhe më të çliruar nga censura e sistemit të egër komunist. Kjo ngjarje meriton të kujtohet, për ato çka bënë ata burra, në ato ditë që u shënuan në historinë e Shqipërisë. Në Mukje ata, nacionalistë dhe komunistë, arritën të komunikojnë me njëri-tjetrin. Këtu qëndron edhe rëndësia. Komunikimi, që shpeshherë në politiken shqiptare, dje dhe sot, politikanët e dyja kampeve politike, të djathtë e të majtë, nuk e gjejnë.Komunikimin mes tyre, për gjëra shumë të rëndësishme, por edhe shumë të vogla. Komunikimi, ky element aq i çmuar i klasës politike e shkencore, aq i rëndësishëm në momentet më të vështira që kalon Shqipëria, mbetet problematik veçanërisht kur kërkohet kompromis. Rëndësia e Konferencës në Mukje, pikërisht edhe për këtë komunikim e kompromis, është një ngjarje e madhe, që meriton jo vetëm të kujtohet, por edhe të vlerësohet si një ngjarje e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Kjo është një konferencë krejt e veçantë, që nëpërmjet kompromisit bashkoi dy ekstremet kur çështja shqiptare kishte rrezikun e ekzistencës së saj. Ndaj, është një model edhe për ditët e sotme. Nga dokumentet britanike dhe ato shqiptare rezulton se ishte vullneti dhe përgjegjësia shqiptare për ta realizuar këtë bashkim në Kuvendin e Mukjes.
Kemi një dokument të Bill Magit, i cili i drejtohet kuartierit të përgjithshëm ku shkruhet: “Jam i informuar se këto ditë do të bëhet një takim ndërmjet përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtarëve, me qëllim bashkimin për një luftë të përbashkët”. Mukja është një vepër e shqiptarëve, por natyrisht kanë ndikuar britanikët dhe jugosllavet. Dokumente të tilla ta bëjnë të pamundur të mos vlerësosh interesin e diplomacisë ndërkombëtare rreth kësaj ngjarjeje dhe ndikimin e forcave britanike sidomos te Bill Macklin, i cili mori pjesë edhe në Konferencën e Labinotit. Por, nuk mund të mos vlerësosh edhe ndikimin e komunisteve jugosllavë nëpërmjet Svetozar Vukmanoviç– Tempo. Pra, përfaqeëues nga perëndimi dhe lindja e Europës ndiqnin me intensitet dhe me praninë e tyre ngjarjet në Shqipëri.
Një ndër pikat që u nënshkrua në dokumentin final në Mukje është dhe: “1.- Luftë e përbashkët dhe e menjëhershme përbri aleatëve të mëdhenj antifashistë Angli, SHBA, Bashkim Sovjetik si dhe i popujve të shtypur kundër armikut barbar. 2.- Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.” etj. Pra, shihet qartë përpjekja e pjesëmarrësve në Mukje, i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, për t’u mbështetur edhe te roli i rëndësishëm i diplomacisë ndërkombëtare. Zgjuarsi diplomatike është vendimi i pjesëmarrësve delegatë, që në ato momente të vështira kërkuan kompromis mes tyre për t’u mbështetur njëkohësisht nga SHBA, si dhe nga shtetet e perëndimit dhe të lindjes europiane.
Por, a mundej të qëndronte bashkë ky “unitet” i kërkuar prej tyre për të shpëtuar fatet e Shqipërisë dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes sonë kombëtare, bashkimin e trojeve në një shtet të vetëm shqiptar? Mbledhja e Mukjes u mbajt prej 1-3 gusht 1943. Aty morën pjesë 12 përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar dhe 12 përfaqësues të Ballit Kombëtar. Mukja nuk ishte vetëm një marrëveshje në letër, por edhe një marrëveshje në terren. Një ditë pas Marrëveshjes së Mukjes, u bë një luftë e përbashkët e udhëhequr nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, në Qafështamë, me në krye Major Abaz Kupin, ku u luftua kundër fashistëve italianë. Një luftë po në 8 gusht u bë në Kthesat e Barmashit, luftë kundër nazistëve gjermanë, që e ka përshkruar edhe David Smiley, një betejë ku mori pjesë edhe vetë David Smiley.
Por, beteja zhvilloi edhe Fronti Nacionalçlirimtar, ku merrnin pjesë përfaqësues të komunistëve jugosllavë. Në këtë luftë u përfshinë edhe klerikë katolikë patriotë, që luftonin për fe e atdhe, përfaqësues të Demokristianes, si Imzot Bernardin Shllaku, At Lek Luli, etj. Shihet qartë që përpjekjet për të bashkuar lindjen komuniste dhe perëndimin antikomunist në luftën e përbashkët për çlirimin e Shqipërisë, bëhej çdo ditë e më i pamundur. Shqipëria, si thuajse përherë në historinë e saj, edhe në këtë betejë ndodhej midis Perëndimit dhe Lindjes. Në nëntor të ’43-shit gjenerali Dejvis erdhi për të kryesuar Misionet Britanike në Shqipëri, me mendimin se në Shqipëri do të kishte një rezistencë të madhe.
Ai ka realizuar takime me të gjitha forcat ushtarake dhe politike në Shqipëri dhe u mundua t’i bashkonte në një emërues të përbashkët në luftën kundra okupatorit gjerman. Por, duket se punët kishin ecur më shumë drejt ndarjes se drejt bashkimit. Marrëveshja e Mukjes u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë, Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptarë e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Një grupim i historianëve mendon se Mukja u prish për shkak të ndërhyrjes jugosllavëve, grupimi tjetër mendon ndryshe. Por, më i besueshëm është fakti se komunistët jugosllavë kanë gisht në prishjen e Mukjes. Çështja më e rëndësishme dhe që ata i shqetësonte ishte koncepti i Shqipërisë etnike.
Mosmarrëveshja kryesore u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Në programin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë parashikohej jo vetëm lufta për një Shqipëri të pavarur e të lirë, por edhe lufta për një Shqipëri etnike. Kjo kërkesë dhe marrëveshje për bashkëpunim me Ballin Kombëtar nuk u pëlqeu të dërguarve komunistë jugosllavë dhe Enver Hoxhës, që zbatonte verbërisht këshillat e tyre.
Prandaj, Marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës. Ideja siç u shtrua në Mukje binte ndesh me Kartën e Atlantikut, e cila propozonte zgjidhjen e problemit paslufte përmes plebishiteve dhe në bazë të kontributit. Këtë defekt Mithat Frashëri e ka rregulluar në korrik të 1944, ka një memorandum që ia dërgon Misionit Amerikan në Shqipëri dhe në atë memorandum pranon në mënyrë eksplicite formulën e aleatëve, dmth., flet për Shqipëri etnike, por të zgjidhur sipas Kartës së Atlantikut.
Mukja përveç të tjerave fshihte edhe një çështje tjetër mjaft të rëndësishme. Në fund të luftës kush do ta merrte pushtetin? Komunistë apo ballistët? Secila palë donte të dominonte mbi tjetrën. Komunistët aleatë me Lindjen, ndërsa nacionalistët aleatë me Perëndimin krijuan kushte për të përçarë këtë lëvizje të rezistencës. Nga njëra anë komunistët jugosllavë lindorë, nga ana tjetër aleatët perëndimorë, që zbarkuan në Shqipëri. Shqipëria edhe një herë midis Lindjes dhe Perëndimit. Në nëntor të 1944, në Shqipëri fituan forcat e Lindjes komuniste dhe u tërhoqën antikomunistët perëndimorë.
Faktori shqiptar ishte i ndarë, i përçarë dhe i tillë mbeti. Partia Komuniste dhe Balli Kombëtar kishin të njëjtat synime të përbashkëta, pushtetin. Çështja kombëtare mbeti në hije përballë egoizmit, karrierizmit dhe luftës për pushtet. Këto dy synime e dëmtuan realizimin e Marrëveshjes së Mukjes dhe e kthyen në një mosmarrëveshje edhe në lidhje me statusin e Kosovës dhe Shqipërisë etnike edhe në lidhje me pushtetin. Përfundimi dihet. Pushtetin në Shqipëri e fituan komunistët e Enver Hoxhës të përkrahur e të mbështetur nga shtetet komuniste të Europës Lindore, të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik dhe Stalini. Referendumi i popullit shqiptar sipas Kartës së Atlantikut në fund të luftës nuk u krye nga komunistët. Kosova mbeti brenda Jugosllavisë dhe toka të tjera të Shqipërisë mbetën në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi.
Po nëse pushtetin do ta merrnin forcat nacionaliste të udhëhequra nga Balli Kombëtar, të mbështetura nga SHBA-të dhe Anglia, a do të realizohej Marrëveshja e Mukjes që Shqipëria të ishte e bashkuar me Kosovën dhe të gjitha territoret e saj, në një Shqipëri etnike? Kushedi? Askush nuk e di, përderisa nuk është provuar. Por, një gjë është e sigurt: nëse krerët e Nacionalçlirimtares komuniste dhe të Ballit Kombëtar do të vinin në krye të axhendës atdheun, kombin, popullin shqiptar, interesat kombëtare etj., pa marrë parasysh etjen e tyre për pushtet, egoizmin etj., do të bashkëpunonin sipas dokumentit të nënshkruar në Mukje, do t’i mbyllnin plagët shekullore të kombit shqiptar. Por, kjo nuk u realizua. Ata, komunistë e nacionalistë, në një farë mënyre janë të gjithë përgjegjës që Shqipëria vuajti dhe vuan pasojat.
Prandaj roli i diplomacisë ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm. Prandaj, nënvlerësimi i rolit të diplomacisë jo pak herë ka qenë fatal për fatet e Shqipërisë. Diplomacia ka forma të ndryshme të shfaqjes së saj. Ajo është herë e qetë dhe herë agresive. Nëse në dokumentin final në Mukje u renditën si: “Aleatë të mëdhenj antifashistë Angli, SHBA, Bashkim Sovjetik”, firmëtarët nuk bënë asgjë tjetër, vetëm se përcaktuan renditjen diplomatike të aleatëve të tyre.
Por, a ishin këto shtete aleate të të gjithë firmëtarëve shqiptarë? Jo. Absolutisht jo. 12 firmëtarë kishin aleat Bashkimin Sovjetik dhe 12 firmëtarë të tjerë, Anglinë dhe SHBA-të. E qartë. Shqipëria vijon të vuaje nga një diplomaci pa krye, pa bosht kombëtar. Politikanët vazhdojnë t’i qëndrojnë larg komunikimit mes tyre dhe kompromisit. Lufta për pushtet, egoizmi, karrierizmi, etja për fitime dhe pasuri i ka zhytur në korrupsion e kriminalitet dhe e ka rritur dozën e mospërfilljes ndaj rolit të diplomacisë, ndaj rolit të rëndësishëm të aleatëve strategjikë të Shqipërisë. Marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me aleatët lidhen e zgjidhen sipas interesave të çastit të liderëve politikë. Sa keq!
Pasojat e një diplomacie amatore, të dobët, pa një “Platformë të Çështjes Kombëtare” e të miratuar në Parlament me dialog e konsensus nga të gjitha palët, po e dëmtojnë ende sot zhvillimin e shtetit shqiptar. Prioritet në marrëdhëniet diplomatike me shtetet kufitare, rajonale, bilaterale, multilaterale, janë pjesë e “Strategjisë Kombëtare” dhe jo e interesave personale të pushtetarëve. Veçanërisht marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me një nga shtetet që historikisht e ka mbështetur çështjen shqiptare, çështjen tonë kombëtare, nuk është detyrë e asnjë lideri politik, qoftë ai i majtë apo i djathtë, por është vullnet i popullit shqiptar nëpërmjet referendumit, por duhet të jetë vendim edhe i Parlamentit të Shqipërisë. Kur politika t’i kushtojë rëndësi diplomacisë, atëherë edhe diplomacia ndërkombëtare do na kushtojë rëndësi.
Komentet