VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Robert O’Brien emërohet këshilltar i Sigurisë Kombëtare

By | September 18, 2019

Komentet

Hetimet e FBI-së për Rusinë; dëshmon në Senat Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po dëshmon sot përpara Komisionit të Ligjeve të Senatit rreth raportit të tij që nuk gjeti evidencë për anshmëri politike në fillimin e hetimeve nga FBI-ja për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Michael Horowitz publikoi raportin e tij të hënën. Konkluzionet e tij hedhin poshtë pretendimin e përsëritur të Presidentit Donald Trump se hetimi i FBI-së ishte një gjueti shtrigash që synonte zhbërjen e presidencës së tij.

Presidenti Trump megjithatë u shpreh se raporti konfirmon se pati një “përpjekje për të rrëzuar” qeverinë, në një formë shumë më të keqe nga ç’e kishte menduar.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray

Presidenti kritikoi të martën Drejtorin e FBI-së Christopher Wray, i cili tha në një intervistë për kanalin ABC News se hetimi “u çel me parapërgatitjen dhe autorizimin e duhur”. Zoti Wray gjithashtu vuri në dukje se Inspektori i Përgjithshëm Horowitz konstatoi se FBI-ja bëri disa gabime gjatë hetimit.

“Nuk di se çfarë raporti ka qenë duke lexuar Drejtori aktual i FBI-së, Christopher Wray, por jam i sigurtë se nuk është raporti që kam marrë unë”, shkruajti Presidenti Trump në Twitter. “Me këtë lloj sjelljeje, ai nuk do t’ia arrijë kurrë ta ndreqë FBI-në, e cila është goditur keqazi, megjithëse aty punojnë disa prej burrave dhe grave më të shkëlqyera”.

Gjatë një interviste të transmetuar të martën me korrespondentin e NBC News, Pete Williams, Prokurori i Përgjithshëm William Barr përsëriti mendimin e tij se FBI-ja mund të ketë vepruar “me qëllim të keq” kur zhvilloi hetime nëse fushata Trump pati bashkëpunuar fshehtazi me Rusinë.

“Mendoj se vendi ynë u kthye me kokë poshtë për tre vite, bazuar në një version krejtësisht të rremë, i cili u fry dhe u nxit nga një shtyp krejtësisht i papërgjegjshëm”, tha zoti Barr. “Mendoj se pati abuzime të mëdha… dhe një sjellje të pashpjegueshme që nuk tolerohet në FBI”.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr

Komentet e Prokurorit të Përgjithshëm duket se do ta nxisin më tej debatin rreth pyetjes nëse ai vërtet po vepron në mirëbesim, apo si një mbështetës i Presidentit Trump.

Zoti Horowitz shprehet në raportin e tij se FBI-ja ishte e justifikuar në çeljen e hetimit në vitin 2016 për lidhjet e dyshuara mes anëtarëve të fushatës elektorale Trump dhe Rusisë. Raporti konkludon se zyrtarët patën evidencë të mjaftueshme për të autorizuar një hetim.

Shtëpia e Bardhë: Akuzat e demokratëve e forcojnë presidentin

Presidenti i SHBA Donald Trump do t’u përgjigjet akuzave të demokratëve për shkarkimin e tij, kur procedura të kalojë në fazën e gjykimit në Senat, ku republikanët kanë shumicën, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Reagimi vjen pas shpalljes të martën nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve të dy akuzave: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Shtëpia e Bardhë ka zgjedhur të mos ngrejë argumente kundër akuzave në prag të hedhjes së tyre në votë në Dhomën e Përfaqësuesve, që pritet të bëhet së shpejti.

“Presidenti do t’u përgjigjet këto akuza të rreme në Senat dhe pret që ai ta nxjerrë plotësisht të pafajshëm, sepse nuk ka bërë asgjë të gabuar, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham në një deklaratë.

Deklarata nuk sqaron se si do t’u përgjigjet akuzave Presidenti. E pyetur në një intervistë për Fox News nëse zoti Trump do të donte të dëshmonte në Senat, zonja Grisham tha se nuk ishte në dijeni.

“Unë nuk dua t’i paraprij asaj që ai mund të bëjë por jam e sigurt se ne do të marrim pjesë në një farë mënyre, sigurisht me këshilltarin tonë,” tha ajo. “Gjithashtu do të sjellim dëshmitarët tanë, që ne shpresojmë se ata do të marrin pjesë”.

Aparati politik i Shtëpisë së Bardhë dhe i Presidentit Trump, që përfshijnë fushatën e tij të rizgjedhjes dhe Komitetin Kombëtar Republikan, kanë zgjedhur të sulmojnë procesin e shkarkimit në vend që të debatojnë faktet e paraqitura nga demokratët.

Presidenti Trump dhe aleatët e tij e kanë quajtur procesin partiak, duke thënë se atij i mungon paanshmëria. Ata i përshkruajnë akuzuesit demokratë të Presidentit si njerëz që përpiqen të zhbëjnë zgjedhjen e tij në vitin 2016.

Akuzat e ngritura nga Dhoma i Përfaqësuesve të martën i japin fund disa javëve hetime dhe seanca dëgjimore, të cilat Presidenti Trump i ka cilësuar të njëanshme. Ai thotë se seancat nuk i kanë dhënë atij asnjë mundësi për të paraqitur pikëpamjen e tij.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar kërkesat e përsëritura që zyrtarët e saj të lartë të dëshmojnë në Kongres apo që të dorëzojnë dokumente në komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve, ku demokratët kanë shumicën.

Dhoma e Përfaqësuesve është pothuajse e sigurtë se procesi i shkarkimit do të marrë miratimin e saj, që nuk mund të ndodhë përveçse në linja partiake. Më pas, në muajin janar Senati, i kontrolluar nga republikanët do të zhvillojë gjykimin. Asnjë republikan në asnjërën prej dhomave të Kongresit nuk është shprehur pro shkarkimit të Presidentit Trump.

Zoti Trump dhe aleatët e janë përpjekur ta përshkruajnë krejt procesin si në fakt një fitore për presidentin, duke argumentuar se orvatjet e demokratëve ka bërë që mbështetja e përkrahësve të të forcohet akoma më shumë.

“Shpallja e dy akuzave të pabaza për shkarkimin e presidentit Trump nuk e dëmton atë, por dëmton popullin amerikan, i cili pret që zyrtarët e zgjedhur prej tij të punojnë për të forcuar vendin,” tha zonja Grisham në deklaratë.

ASHPËRSOHET BETEJA POLITIKE

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet para Krishtlindjeve. Presidenti Trump reagoi në Twitter duke e quajtur procesin kundër tij një “çmenduri të pastër politike.”

Shpallja e akuzave shënon një hap të ri drejt votimit historik që pritet të ndërmarrë Dhoma e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata e akuzojnë presidentin se ka korruptuar procesin e zgjedhjeve dhe ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e shoqëruar nga kryetarët e komisioneve që kanë organizuar hetimet kundër presidentit, e quajti hapin e sotëm “një akt solemn”.

Akuzat i shpalli kryetari i komisionit të ligjeve, demokrati Jerrod Nadler.

“Ai rrezikon demokracinë tonë, rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Zgjedhjet tona të rradhës janë në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë tani”, tha zoti Nadler.

From left House Speaker Nancy Pelosi, Chairwoman of the House Financial Services Committee Maxine Waters, D-Calif., Chairman of the House Foreign Affairs Committee Eliot Engel, D-N.Y., House Judiciary Committee Chairman Jerrold Nadler, D-N.Y., Chairwoman

From left House Speaker Nancy Pelosi, Chairwoman of the House Financial Services Committee Maxine Waters, D-Calif., Chairman of the House Foreign Affairs Committee Eliot Engel, D-N.Y., House Judiciary Committee Chairman Jerrold Nadler, D-N.Y., Chairwoman

Akuzat e shpallura të martën burojnë nga presioni që demokratët thonë se presidenti Trump i bëri Ukrainës që ajo të ndërmerrte hetime kundër rivalit të tij politik, ndërkohë që pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.

Por, republikanët thonë se demokratët nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk kemi krim, nuk kemi asgjë dhe askush nuk po kupton se çfarë po përpiqet të bëjë maxhoranca. Përveçse të ndërhyjë për t’u siguruar që Presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm pasi ndaj tij janë ngritur akuza”, thotë ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump publikoi një koment në Twitter përpara njoftimit ku thoshte se të përpiqesh të shkarkosh një president me arritje si të tijat është “çmenduri e pastër politike.”

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Votimi në Komisionin e Ligjeve pritet brenda pak ditëve, ndërsa para Krishtlindjeve do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve.

SHBA do të dërgojnë 20 000 trupa në Evropë

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 20 000 trupa në Evropë në muajt prill dhe maj për manovra ushtrake. Këto do të jenë manovrat më të mëdha ushtarake në tokën evropiane që nga Lufta e Ftohtë dhe nënvizojnë angazhimin e Uashingtonit ndaj NATO-s. Njoftimi u bë të martën nga një komandant i lartë i NATO-s dhe vjen pak ditë pas një samiti të Aleancës në Londër.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara synon të pengojë Rusinë nga një përsëritje e aneksimit të gradishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014. SHBA do të provojnë aftësinë për të transportuar trupat e tyre përtej Atlantikut, në Belgjikë dhe Hollandë dhe pastaj për t’i lëvizur me shpejtësi drejt Lindjes përmes Gjermanisë në Poloni dhe përgjatë krahut lindor të NATO-s. Pas manovrave, trupat do të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

NATO-ja ka dërguar tashmë batalione në Balltik dhe Poloni për të parandaluar inkursione të mundshme ruse, por tani synon të jetë në gjendje të mbështesë çdo operacion ushtarak. Qeveritë evropiane janë gjithashtu duke shpenzuar më shumë për t’i mbajtur në gatishmëri forcat e tyre ushtarake.

Rusia thotë se nuk ka ndërmend të sulmojë NATO-n dhe akuzon aleancën për destabilizimin e Evropës. zëri i amerikës

Demokratët shpallin akuzat për shkarkimin e presidentit

Nga njoftimi i krerëve të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve

Në SHBA, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve shpallën të martën dy akuza në procesin e ndërmarrë prej tyre për shkarkimin e Presidentit Donald Trump: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet para Krishtlindjeve. Presidenti Trump reagoi në Twitter duke e quajtur procesin kundër tij një “çmenduri të pastër politike.”

Shpallja e akuzave shënon një hap të ri drejt votimit historik që pritet të ndërmarrë Dhoma e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata e akuzojnë presidentin se ka korruptuar procesin e zgjedhjeve dhe ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e shoqëruar nga kryetarët e komisioneve që kanë organizuar hetimet kundër presidentit, e quajti hapin e sotëm “një akt solemn”.

Akuzat i shpalli kryetari i komisionit të ligjeve, demokrati Jerrod Nadler.

“Ai rrezikon demokracinë tonë, rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Zgjedhjet tona të rradhës janë në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë tani”, tha zoti Nadler.

Akuzat e shpallura të martën burojnë nga presioni që demokratët thonë se presidenti Trump i bëri Ukrainës që ajo të ndërmerrte hetime kundër rivalit të tij politik, ndërkohë që pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.

Por, republikanët thonë se demokratët nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk kemi krim, nuk kemi asgjë dhe askush nuk po kupton se çfarë po përpiqet të bëjë maxhoranca. Përveçse të ndërhyjë për t’u siguruar që Presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm pasi ndaj tij janë ngritur akuza”, thotë ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump publikoi një koment në Twitter përpara njoftimit ku thoshte se të përpiqesh të shkarkosh një president me arritje si të tijat është “çmenduri e pastër politike.”

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Votimi në Komisionin e Ligjeve pritet brenda pak ditëve, ndërsa para Krishtlindjeve do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve. zëri i amerikës

Demokratët përpilojnë akuzat ndaj Presidentit Trump

Komisioni i Ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve organizon një tjetër dëgjesë sot në kuadrin e hetimeve me qëllim shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Hetimet janë zhvilluar rreth akuzave se presidenti abuzoi me pushtetin duke i bërë presion Ukrainës të njoftonte çeljen e hetimeve për rivalin e tij politik Joe Biden, kandidatin kryesor demokrat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, tensionet partiake në Uashington pritet të intensifikohen më tej.

Ajo që filloi si një mision faktmbledhës u përshkallëzua me njoftimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve.

“Me hidhërim, por me besim dhe përulësi, me besnikëri ndaj etërve tanë, dhe me një zemër plot dashuri për Amerikën, sot do kërkoj fillimin e hartimit të akuzave për shkarkimin”, deklaroi Nancy Pelosi, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

Dëgjesat më të fundit janë zhvilluar në Komisionin e Ligjeve.

“Secili nga ne është betuar të mbrojë Kushtetutën dhe faktet përpara nesh janë të qarta. Presidenti Trump nuk kërkoi thjesht të përfitonte nga ndërhyrja e huaj në zgjedhjet tona, por ai e ftoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapur këtë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona”, tha Jerry Nadler, Kryetar i Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Trump i ka kritikuar ashpër këto procese dhe aleatët e tij republikanë thonë se hetimi është i motivuar politikisht.

“Kryetari citoi shumë nga themeluesit dhe se prandaj po e zhvillojmë këtë dëgjesë, pasi themeluesit ishin të shqetësuar për influencën e huaj. Por, ai nuk citoi se themeluesit ishin gjithashtu vërtet të shqetësuar për procesin politik të shkarkimit vetëm pse nuk na pëlqen personi”, tha Ligjvënësi republikan Doug Collins.

Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar anëtarët e kabinetit qeveritar, me njohuri të drejtpërdrejtë të telefonatës gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkonte favore Presidentit të Ukrainës, të injorojnë fletëthirrjet e Kongresit.

“Presidenti i ka ndalur me të padrejtë këta dëshmitarë. Ideja se ekziston imuniteti absolut është absurde. Kjo nuk bazohet askund në ligje apo në Kushtetutë. Është një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë kombëtare dhe është abuzim me pushtetin”, tha Ligjvënësja demokrate Zoe Lofgren.

Republikanët thonë se nëse detyrohen të dëshmojnë anëtarët e kabinetit qeveritar, kjo do të vendoste një precedent të rrezikshëm.

“Nëse në të ardhmen të gjithë do të ngurrojnë t’i japin mendim presidentit për sfidën e radhës, pasi fjalët e tyre do të merren dhe t’i lexohen Kongresit dhe publikut fjalë për fjalë, atëherë kjo mund të dëmtojë kreativitetin dhe mendimin novator që dëshirojmë të shohim tek dega ekzekutive”, tha Ligjvënësi republikan Matt Gaetz.

Dëgjesa e sotshme e Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve do të rishqyrtojë evidencën kundër Presidentit Trump. Kryetari Nadler është shprehur se akuzat e përgatitura ndaj Presidentit Trump mund të bëhen gati për t’u votuar që nga fundi i kësaj jave.

Nadler: Ekziston një “çështje e fortë” kundër Presidentit Trump

Udhëheqësi i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po shqyrton listën e akuzat kundër Presidentit Donald Trump argumentoi se ekziston një “çështje e fortë” kundër udhëheqësit amerikan.

Kongresmeni Jerrold Nadler deklaroi në CNN se Presidenti Trump do të shpallej fajtor në “tri minuta” nëse ai do të ndeshej me këto akuza para një jurie të gjykatës penale se abuzoi me postin e tij duke i kërkuar Ukrainën për të hetuar një nga kundërshtarët e tij kryesorë të demokratëve në zgjedhjet e vitit 2020, ish-nënpresidentin Joe Biden.

Zoti Nadler tha se nëse Presidenti Trump “kishte ndonjë provë shfajësuese”, do ta kishte bërë të ditur, sesa të refuzonte pjesëmarrjen, siç ka bërë Shtëpia e Bardhë, përpara se Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve kontrolluar nga demokratët të shqyrtonte akuzat për shkarkimin nga detyra të presidentit republikan.

Zoti Nadler tha se paneli juridik, pas një seance dëgjimore të hënën mbi provat e mbledhura tashmë nga Komisioni i Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve për ndërveprimet mes Presidentit Trump dhe ndihmësve të tij për Ukrainën, mund të votojë mbi listën e akuzave deri në fund të javës. Më pas, një votë e plotë e Dhomës së Përfaqësuesve mund të jetë në rrugën e duhur për të fajësuar Trump përpara se të fillojnë pushimet për festat e Krishtlindjeve në dy javë, duke hapur rrugën për një gjykim në Senatin me shumicë republikane në janar, megjithëse dënimi dhe shkarkimi i Presidentit Trump mbetet i pamundur.

Por zoti Nadler nuk pranoi të spekulojë se sa akuza do të sillen kundër Presidentit Trump dhe përmbajtjen e tyre. zëri i amerikës

SHBA: Sajmir Alimehmeti dënohet me 22 vjet heqje lirie për mbështetje të terrorizimit

Një gjykatë në New York, dënoi me 22 vjet heqje lirie një shqiptar me vendbanim në Bronx, që synonte të bëhej pjesë e grupit ekstremist Shteti Islamik.

Sipas akuzës, që nga viti 2015, Sajmir Alimehmeti, i cili veten e quante “Dentisti”, kishte blerë thika dhe pajisje të tipit ushtarak.

“Ju jeni një bombë e kurdisur”, tha të premten gjykatësi federal i Manhatanit, Paul Engelmayer, derisa po publikonte vendimin për dënimin e tij nën akuzat për ofrim të mbështetjes materiale për ISIS-it dhe për mashtrim me pasaportë.

Alimehmeti, shtetas i natyralizuar amerikan ishte arrestuar në vitin 2016. Një agjent i fshehtë ishte takuar me Alimehmetin në banesën e tij në Bronx, ku ai kishte luajtur video, ku shihej një prej luftëtarëve të ISIS-it duke u prerë kokën të burgosurve.

Alimehmeti i kishte thënë agjentit të fshehtë se “ai dhe vëllai i tij kishin patur në plan për të udhëtuar nga Shqipëria në Raka të Sirisë, por i vëllai ishte arrestuar.”

Ai kishte qenë në vëmendje të autoriteteve të paktën që nga viti 2014, kur atij i ishte mohuar dy herë hyrja në Britani, prej nga synonte të udhëtonte për në Siri. Në vitin 2015 ai kishte aplikuar për një pasaportë të re amerikane, duke pretenduar se e kishte humbur të parën. Sipas FBI-së, ai mendonte se përdorimi i pasaportës së vjetër me vulat britanike të refuzimit do të ngjallte dyshime.

Në vitin 2018 ai kishte pranuar fajësinë, duke theksuar se ka gënjyer gjatë aplikimit për pasaportë si dhe për ofrim të mbështetjes materiale për ISIS-in. zëri i amerikës

Ford me mbetjet e kokrrës së kafesë do të prodhojë pjesë të automjeteve

Gjiganti i automjeteve me bazë në SHBA, Ford Motor Company, do të përdorë mbeturinat e kafesë për prodhimin e pjesëve të automjeteve, bëri të ditur sot kompania, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ford dhe zinxhiri global i ushqimit të shpejtë Mc Donald’s do të fillojnë bashkëpunimin për përpunimin e kokrrës së kafesë, thuhet në një njoftim për media nga prodhuesi i automjeteve.

“Të dy kompanitë kanë zbuluar që mbeturinat e kokrrës së kafesë mund të shndërrohen në një material shumë të qëndrueshëm që mund të përdoret për pjesë të automjeteve”, thuhet më tej.

Këto përbërës përputhen me specifikimet e cilësisë që kërkohen nga paneli i montimit të dritave dhe pjesëve të tjera të trupit dhe pjesëve të jashtme të karrocerit.

Kur mbeturina e kafesë nxehet në temperatura të larta nën oksigjen të ulët dhe përzihet me plastikë dhe aditivë të tjerë, materiali që prodhohet mund të shndërrohet në forma të ndryshme.

“Për më tepër, pjesët e prodhuara nga kjo metodë janë 20 për qind më të lehta dhe kanë nevojë për 25 për qind më pak energji në procesin e formimit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Trump: SHBA mund të ndërmarrin veprime tregtare ndaj vendeve të NATO-s që nuk kontribuojnë

Presidenti Donald Trump tha të enjten se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin veprime tregtare ndaj vendeve që nuk kontribuojnë sa duhet për NATO-n.

Presidenti Trump, i sapokthyer nga udhëtimi në Londër për samitin e NATO-s, po u bën trysni vendeve anëtare që të kontribuojnë më shumë financiarisht për aleancën.

Ai tha se shumë vende po i afrohen objektivit të shpenzimeve prej dy përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto përsa i përket kontributit për NATO-n.

“Shumë vende janë afër dhe po afrohen. Disa nuk janë shumë afër, dhe ne mund të ndëmarrim gjëra që kanë të bëjnë me tregtinë. Nuk është e drejtë që ata të kenë mbrojtjen amerikane dhe të mos paguajnë,” tha ai.

Presidenti Trump dhe udhëheqësi francez Emmanuel Macron debatuan ashpër rreth të ardhmes së NATO-s në prag samitit që u mblodh për të shënuar 70 vjetorin e aleancës ushtarake perëndimore.

Në shkëmbimet e mprehta mes tyre, Presidenti Trump kërkoi që Evropa të paguajë më shumë për mbrojtjen e saj kolektive dhe të bëjë lëshime në favor të interesave tregtare amerikane.

Ndërkaq, ai foli me optimizëm për aleancën dhe tha se takimet e tij gjatë samitit shkuan mirë dhe se “NATO-ja është në formë shumë, shumë të mirë.” Edhe marrëdhëniet me vendet e tjera janë “vërtet të jashtëzakonshme,” tha Presidenti Trump në komentet që bëri të enjten. zëri i amerikës

Presidenti Trump dhe lufta ndaj karteleve meksikane të drogave

Ardita Dunellari

Presidenti amerikan Donald Trump duket se do të vërë në jetë planin e tij për të përcaktuar zyrtarisht kartelet e drogës meksikane si organizata terroriste. Njoftimi i tij e ka vënë në pozita mbrojtëse qeverinë meksikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ardita Dunellari i hedh një vështrim ndikimit politik të një lëvizjeje të tillë dhe efektin e saj në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Meksikë.

Makina të djegura, rrugë të lyera me gjak dhe civilë të tmerruar, kjo është pasoja e konfliktit të dhunshëm të së shtunës mes karteleve të drogës dhe autoriteteve meksikane. Kjo përballje la 22 të vdekur, përfshirë katër policë.

Krimi i organizuar ndërkufitar mbetet një sfidë serioze e sigurisë si për Meksikën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara. Një sulm i pamëshirshëm i grupeve të drogës la nëntë shtetas amerikanë të vdekur në fillim të nëntorit në Meksikë, duke bërë që Presidenti Trump të deklaronte synimin e tij për t’i shpallur kartelet e drogës si Organizata të Huaja Terroriste. Presidenti e përsëriti premtimin e tij në një intervistë javën e kaluar.

Analistit Adam Isacson kjo i kujton retorikën e fushatës, kur Presidenti fliste për Amerikën Latine si një rajon që dërgon njerëz të këqij në Shtetet e Bashkuara.

“Ideja e futjes së grupeve kriminale në listën e organizatave terroriste dhe kthimi i vëmendjes tek kaosi që po ndodh në Meksikë, përshtatet shumë mirë me mesazhin e Presidentit.”

Kjo do t’i jepte autoritetin institucioneve amerikane për të ngrirë pasuritë financiare të këtyre grupeve kriminale, ndjekjen e tyre penale për aktivitetet që mbështesin terrorizmin dhe ndalimin e hyrjes në vend për individë dhe subjekte të lidhura me këto grupe.

Presidenti Trump tha se ai i kishte ofruar presidentit Meksikan ndihmë për “të hyrë brenda dhe për të pastruar (zonat nga grupet kriminale)”, duke krijuar shqietësim për një ndërhyrje të mundshme amerikane.

Presidenti Meksikan reagoi menjëherë, duke deklaruar se asnjë forcë e huaj nuk do të përfshihej në vendosjen e rendit dhe ligjit në Meksikë:

“Ne nuk pranojmë asnjë lloj ndërhyrje. Ne jemi një vend i lirë, sovran”, tha Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador.

Qeveria meksikane është pak e shqetësuar për sovranitetin, duke marrë parasysh se si ajo nga presioni liroi djalin e udhëheqësit famëkeq të karteleve të drogës, El Chapo, thotë Dan Cadman nga Qendra për Studime të Emigracionit. Sipas tij, fajin e ka paaftësia e autoriteteve meksikane për të trajtuar problemin e karteleve të drogës.

“Ata janë duke minuar aftësinë e qeverisë për të kontrolluar veten në të njëjtën mënyrë siç bënë Talibanët në Afganistan, ku ata kontrollojnë fushat me opium.”

Kritikët e kësaj politike, përfshirë analistin Isacson, janë kundër përdorimit të mjeteve të krijuara për të luftuar terrorizmin në luftën kundër karteleve të krimit. Sipas kritikëve, kjo nuk do të përmirësonte aftësitë e luftimit të krimit, por mund t’i dobësojë masat e antiterrorizmit. Zoti Isacson ngre shqetësime për efektin negativ që futja e këtyre grupeve në listën e organizatave terroriste do të kishte në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, dy vende që ndajnë shumë më tepër sesa një kufi dhe një interes të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar.

Mbetet për t’u parë nëse Departamenti i Shtetit do të shpallë kartelet meksikane të drogës organizata terroriste, pasi ligji amerikan specifikon një numër kriteresh për futjen e grupeve dhe individët në listën e organizatave terroriste.

SHBA: Demokratët do të hartojnë akuzat për shkarkimin e presidentit

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi njoftoi të enjten se Dhoma e Përfaqësuesve do të hartojë listën me akuza për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

“Bëhet fjalë për fatin e demokracisë sonë. Presidenti nuk na la zgjidhje tjetër veçse të veprojmë,” tha zonja Pelosi.

Ajo e bëri njoftimin historik ndërsa demokratët po kërkojnë me ngulm që Dhoma e Përfaqësuesve, ku ata kanë shumicën, ta hedhë në votë propozimin, ndoshta para Krishtlindjeve.

Zonja Pelosi tha se e kishte autorizuar hartimin e akuzave për shkarkimin e presidentit “me një ndjenjë trishtimi por me besim dhe përulje.”

“Veprimet e presidentit kanë shkelur seriozisht Kushtetutën,” tha zonja Pelosi.

Në qendër të hetimeve është një telefonatë e Presidentit Trump me presidentin e Ukrainës në korrik të këtij viti, ku zoti Trump i bëri presion bashkëbiseduesit për të hetuar rivalin demokrat Joe Biden si kusht që Ukrainës t’i livrohej ndihma ushtarake. Presidenti Trump i ka mohuar akuzat. Shtëpia e Bardhë tha se demokratëve duhet t’u vijë turp.

Nëse Dhomae Përfaqësuesve e miraton listën e akuzave, në Senat, ku shumicën e kanë republikanët, zhvillohet një gjyq. Në këtë rast, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve luajnë rolin e prokurorëve dhe senatorët rolin e jurisë. Kreu i Gjykatës së Lartë kryeson gjyqin. Presidenti lejohet të ketë në gjyq avokatë mbrojtës, të cilët thërrasin dëshmitarë dhe kërkojnë dokumente.

Presidenti Trump tha sot se nëse Dhoma e Përfaqësuesve vendos të miratojë akuzat për shkarkimin e tij, ajo duhet ta bëjë këtë tani dhe sa më shpejt, në mënyrë që çështja t’i kalojë senatit dhe vendi t’i kthehet punës.

Ai tha se një vendim i tillë i demokratëve nënkupton që presidentët e ardhshëm do të përballen në mënyrë rutinë me kërcënime për shkarkim nga ligjvënësit. zëri i amerikës

Raporti i komisionit të Zbulimit: Presidenti abuzoi me pushtetin

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve parashtruan të martën raportin e tyre lidhur me shkarkimin e Presidentit Donald Trump, duke e akuzuar atë për përdorimin e kompetencave që i jep posti i tij për të kërkuar ndërhyrje nga një qeveri e huaj për zgjedhjet e vitit 2020. Në raportin e komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, që udhëhoqi hetimet që nisën zyrtarisht në shtator, thuhej gjithashtu se presidenti republikan ka penguar hetimin.

Komisioni pritet të mblidhet më vonë gjatë ditës së sotme për të votuar mbi raportin. Më pas çështja do t’i kalojë komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve që do të nisë veprimtarinë mbi këtë çështje të mërkurën.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të votonte pro akuzave për shkarkimin e presidentit, çështja do t’i kalonte për gjykim senatit ku për shkarkimin e tij do të nevojiteshin votat e dy të tretës së senatorëve të pranishëm.

Pjesë e diskutimit është çështja nëse presidenti Trump ka shpërdoruar detyrën duke i bërë presion Ukrainës që të hetojë ish-nënpresidentin amerikan Joe Biden, një nga pretendentët kryesorë për të qenë kandidati zyrtar i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Zoti Trump ka mohuar të ketë shkelur ligjin dhe ka akuzuar demokratët se kanë përdorur hetimet për të përmbysur rezultatin e zgjedhje të 2016.

Sondazhet tregojnë se amerikanët janë të ndarë lidhur me qasjen e tyre ndaj procesit për shkarkimin e presidentit Trump.

Ligjvënësit dhe publiku kanë dëgjuar dëshmi nga zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë se ndihma ushtarake ndaj Ukrainës u pezullua dhe se një takim në Shtëpinë e Bardhë i Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ishte kushtëzuar me nisjen e hetimeve nga Kievi rreth një teorie të pafaktuar se Ukraina ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të 2016-s. zëri i amerikës