VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“RILINDJA” SHQIPTARE ASHT TURPI I BALLKANIT EUROPIAN – Nga Fritz RADOVANI

By | July 16, 2019
2 Comments
  • author avatar
    TIRONA 6 months ago Reply

    fritz radovani , vetem te zeza paske!
    Nuk te pelqeu djaloshi demokrat
    Arben Broci ?Ne je burre tregoju shqiptareve :KUSH E VRAU ?

  • author avatar
    Fritz Radovani 6 months ago Reply

    Se kush e vrau Arben Brocin une e kam tregue ne mbledhjen e Kom Ekz te Shkodres atehere kur e vrane, dhe e kam perserite emnin e kriminelit ne mitingun e Tiranes…
    Kur PD kerkoi mbylljen e gjyqit, une nuk kam pranue i derguem ne mbledhje nga BSPSh , dhe ata qe ishin prezent e kujtojne pergjegjen qe i kam dhane Pjeter Arbnorit. Gjyqi vazhdoi po pa sukses se vrasesi i te kater shkodranve dhe qe plagosi edhe 89 vete te tjere, u mbrojt nga urdhnuesi kriminel Ramiz Alia, i cili vet i shtati ka ndjeke krejt zhvillimin e vrasjeve ne shesh ne TV. Besoj me mendimin tim asht edhe ishministri Gramoz Ruci, i cili duhet ta kete letren time.
    A me pelqeu Heroi Arben Broci, dhe tre te tjeret qe dhane jeten per Demokracine…, per kete po deshte pyet Nanen e te Ndjerit Arben…

Komentet

Masakra e Reçakut, çfarë shkruante mjeku shqiptar në fletoren e tij. Dëshmitë e para nga momenti kur pa 45 civilët e vrarë

Liderët serbë ende vazhdojnë të mohojnë masakrën e shkaktuar në Reçak. Madje presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe vartësit e tij deklaruan se “masakra e Reçakut është një trillim”.

Krahas dëshmisë nga vendi i ngjarjes në ditën e masakrës nga shefi i misionit të atëhershëm i OSBE-së, William Walker, edhe një i ri shqiptar që në kohën kur ndodhi masakra ishte vetëm 14 vjeçar posedon një mori dokumentesh që argumentojnë masakrën serbe mbi popullatën civile të Reçakut. Gojart Bajrami, në një rrëfim për Ekonomia Online tregon se prindi i tij, tashmë i ndjerë Vezir Bajrami, ishte mjeku që hasi i pari në viktimat e Reçakut dhe bashkë me ekipin mjekësor bëri identifikimin e 45 trupave të masakruar. Ai tregon se në dokumentet e shkruara të lëna nga prindi i tij bëhen të ditura detajet se në çfarë gjendje ishin viktimat. Pamjet sipas dorëshkrimeve të doktorit të luftës ishin tronditëse dhe të paimagjinuara. Aty thuhet se viktimat fillimisht janë keqtrajtuar, mandej janë vrarë me armë zjarri nga afërsia për t’u masakruar me mjete të forta, si sopat, thika, bajoneta e jo çka tjetër. “Mbaj mend që ka qenë shumë e vështirë edhe për neve duke pasur parasysh gjithë këto rrethana dhe mbi bazën e asaj çfarë kam dëgjuar nga prindi im unë marr të drejtën sot pas 21 vjetëve të flas pak se si kishte ndodhur kjo masakër e përshkruar detajisht nga mjeku i kësaj zone, prindi im dr. Vezir Bajrami. Gjendja e të masakruarve sipas prindit ka qenë shumë e rëndë. Fillimisht ata i kanë keqtrajtuar me mjete të rënda, të topitura, me mjete të forta, pastaj ka ndodhur edhe vrasja e tyre. Pas vrasjes edhe masakrimi i tyre në afërsi, thotë ai”. “Prindi tregon dhe është e ditur botërisht se masakra e Reçakut është përcjell edhe me filmime dhe video. Ka pasur të masakruar pa zemër, pa kokë, kokën e rrjepur, me bajonetë, të therur me thika. Përshkrimi i plagës detale në atë kohë kujtoj se ka qenë e rëndë për prindin tim t’i përmend detajet. Unë posedoj edhe një dorëshkrim të prindit që e ka përshkruar në detaje masakrën e Reçakut, prej mëngjesit të 15 janarit deri në përfundim të saj dhe pas leximit të atij dorëshkrimi dhe gjithë atyre rrëfimeve që i kemi dëgjuar prej tij kam mbërri ta kuptoj që gjendja emocionale gjatë atyre ditëve ka qenë shumë e rëndë për prindin tim”, -thotë ai.

Gojarti bart me vete dorëshkrimet që babai i ndjerë i la për të dëshmuar se çfarë kishte ndodhur ditën e 15 janarit të vitit 1999. Ai tregon se ekipi mjekësor ka bërë përshkrimin detal të plagëve të secilës viktimë të masakruar dhe më pastaj është bërë një raport përfundimtar i cili në atë kohë i ishte dorëzuar ambasadorit William Walker.

“Identifikimi dhe përshkrimi i saktë i plagëve të të masakruarve të masakrës së Reçakut është bërë nga ajo ekip mjekësore e Zonës Operative të Nerodimës në krye me prindin tim dr. Vezir Bajrami, me motrën medicinale Mevlide Zymeri, me motrën tjetër Vlora Asllani dhe fotoreporteren e asaj kohe Nergjivane Azizi. Përshkrimin e plagëve identifikimin e kufomave e kanë bërë kjo ekip hap pas hapi dhe përshkrimin detal të plagëve që i kanë pasur të masakruarit. Më pastaj është bërë një raport përfundimtar me të gjitha plagët dhe i është dorëzuar në atë kohë ambasadorit William Walker. Secila plagë, secili i masakruar është i fotografuar dhe dokumentuar edhe me fotografi”, -rrëfen tregimin djali i dr. Vezirit.
Gojarti në çantën e tij posedon dhjetëra dorëshkrime, por edhe dokumente të tjera që i ruan si dëshmi për të gjithë ata që pretendojnë që kjo masakër nuk ekziston. Ai madje i ftoi politikanët serbë që t’i shohin këto argumente dhe gjurmë të lëna në fletore të cilat dëshmojnë masakrën që ata vet e shkaktuan.
“Mesazhi për ata që nuk e besojnë dhe e quajnë trillim i ftoj që t’i shohin dokumentet origjinale të asaj kohe dhe t’i shohin fotografitë. Ndoshta mungesa e shfaqjes së një dokumenti zyrtar të asaj kohe ka munguar deri sot. Por sot e kemi rastin që atë dokument ta shohim edhe sot publikisht. Mirëpo nuk e zbeh aspak as pak faktin që masakra e Reçakut ka ndodhur dhe është quajtur me të drejtë krim kundër njerëzimit, mbi bazën e këtyre të dhënave që janë marr në teren. Mesazhi për ata që nuk e njohin realisht që e kanë kryer vet dhe kanë dashurua të humbin gjurmët e masakrës së Reçakut, realisht ftoi që të shohin të gjitha këto filmime, këto fotografi dhe gjurmë të lëna në fletore nga ajo kohë dhe përshkrimi detal i plagëve”, përfundon rrëfimin e tij Gojart Bajrami.

21 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar. Ambasadori William Wolker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.

RA MURI I BERLINIT !.. PO MURI I SHKUMBINIT !? – Nga Fritz RADOVANI

SHKUMBINI

EDHE PAK DIELLIN NUK E SHOHIM MA!.. FUTET DIKUND… A E BESONI ?!

Edhe kur Shoqnia “Bashkimi” u themelue… Shtëpia e Imz. Doçit ishte e re, e bukur…

Aty u mblodhën disa Burra Shqiptarë të vertetë në 1899… Po asnjeni nuk shihen ma…

Aty thonë se ishte edhe frati At Gjergj Fishta, që krijoi Alfabetin Shqip… Kur Manastiri u mblodh dhe pranoi Alfabetin në 1908, u ba festë e madhe… Asnjeni prej Tyne s’ asht ma!

Thonë disa se edhe shtëpia e Tij po shembet… Le t’ shembet, si thoni me njollosë PS ?..

Edhe Luigj Gurakuqi jetonte pranë shtëpisë sime… Hapi Shkollen Normale t’ Elbasanit, nxori edhe disa mësuesa të rij… Në 1925 e vrane edhe Ate bashkë me Bajram Currin… Shtëpia edhe Atij i ra mbrendë… Edhe Ata të dy nuk shihen ma… E bashkë me Emnat e Tyne nuk zehet me gojë as Dedë Gjo’ Luli, as At Mati Prennushi e as At Buon Gjeçaj…

Flamuri i Gjergj Kastriotit i ngritun në Deçiq në 1911, thonë se u vue dikund mbi një shkamb që nuk shihet askund nder libra… Edhe Ai, kje mbi Shkumbin! Nuk shihet ma!

Historia e letersia janë shkrue njëherë, janë modifikue dhe modernizue me sllavizma dhe turqizma… Edhe këto mbi lumin Shkumbin. Studjuesit tanë perditë tregojnë “barceleta” historike per Esad Pashen, Ahmet Zogun e Matit, Enverin e sokakut budallenjëve dhe “çlirimtarët e nën-Shkumbinit”… Pra, janë “ata që shkelqejnë nën ujë” kur ikë Dielli…

Mundeni me ra në zhyt e me studjue: “Histori, Letersi, Gjuhësi, Diplomaci, Moral”!..

E ka dijtë Ramiz Alia kur tha: “Kemi ruajtur lidhjet… Pushteti do të jetë përjetsisht yni!”

Per nën–Shkumbin e ka dijtë sakt, mbi Shkumbin e dijnë sllavët e hypun në Murin tonë!

            Melbourne, 2020                  

 

“Dosja 184 duhet të transferohet në SPAK” PD: të hetohet në Dibër grupi i instruktuar kriminal i drejtuar nga Edi Rama dhe Damian Gjiknuri

PD: të hetohet për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër grupi i instruktuar kriminal i drejtuar nga Edi Rama dhe Damian Gjiknuri

 

Partia Demokratike i kërkoi informacion zyrtar Prokurorisë së Dibrës për dosjen 184, të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, dosje e cila u transferua atje nga Krimet e Rënda pak kohë përpara ngritjes së SPAK. Nëpërmjet një letre, PD shpreh bindjen se kjo dosje duhet t’i transferohet SPAK-ut, duke qenë se atje është i faktuar bashkëpunimi në një grup të struktuar kriminal për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër të kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu, shefi i komisariatit të Dibrës Robert Aga dhe disa personazhë të tjerë që u emëruan kryebashkiakë si Dionis Imeraj, Valbona Sako apo Agron Malaj.

 

“Në Qershor 2019, gazeta prestigjioze gjermane Bild, publikoo përgjime, pjesë të kësaj dosje hetimore, ku provohej qartë, jo vetëm veprimtaria kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve vendore në Dibër, por edhe fakti se kjo veprimtari ishte e struktuar, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që drejtohej personalisht nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe Damian Gjiknuri, deputet i Kuvendit të Shqipërisë”- thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi për Prokurorinë e Dibrës.

 

Sipas logjit, duke qenë në cilësinë e kallëzuesit, PD ka të drejtë të marrë çdo informacion në lidhje me ecurinë e hetimeve, por në leter theksohet fakti se ky informacion mungon. Bazuar mbi të drejtën që i jep ligji, PD i ka drejtuar 3 kërkesa prokurorisë së Dibrës, e cila e mban prej 6 muajsh dosjen 184.

 

1. Informacion në lidhje me gjendjen e procedimit penal 184/2016

2. Informacion nëse Prokuroria e Dibrës ka shpallur apo jo moskopetencën dhe nëse aktet i kanë kaluar SPAK

3. Njohjen me provat dhe aktet e administruara deri tani.

Bashkengjitur shkresa drejtuar prokurorise: 

Shkrese per Prokurorine Diber 15.01.2020

Një historik i shkurtër i momenteve më të rëndësishme të diasporës shqiptare – Nga Dr. Dorian Koçi

 

Nëse do tentonim të ndërtonim një histori të momenteve më të rëndësishme të diasporës shqiptare do ta nismim duke respektuar parimin kronologji me epokën pas vdekjes së  Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeut, epokë që shënoi valët të para të mëdha të emigrimit shqiptar. Vijojnë arbëreshët e parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut. Diaspora Shqiptare dha kontribute të shquara në lëvizjet kombëtare në shtetet ku u vendos. Arbëria Mesjetare kishte qenë një monadë kulturore e Ballkanit, situatë kulturore të cilen e kish trashëguar Shqipëria që sipas Shuflait në të pasqyrohet krejt kozmosi ballkanik me gjithë ngjyresat e veta latine, greke, romane, bizantine, italiane dhe sllave, ku ende sot vezullojnë kristale të shumta të gjendjes zanafillore, ku ende duken ato shtresa themelore etnike të Gadishullit Ballkanik, ngulmimi dhe qendresa e të cilave u dha gjuhëve ballkanike vulën e një fizionomije të përbashkët e ndihmoi edhe në krijimin e një karakteri të përbashkët të kulturës mesjetare ballkanike.[1] Ishte e natyrshme që ky kontekst kulturor të ishte transportuar edhe në brigjet matanë Adriatikut. ,Ky kontekst kulturor e social do të transmetohej i pacënuar në shekuj për shkak se shoqeritë rurale të Kalabrisë ishin kryesisht shoqëri të mbyllura gjatë Mesjetës dhe për më tepër një pjesë e madhe e kolonive arbëreshe dispononin statuse të veçanta , të vulosura me dokumente diploma dhe priviligje[2], çka garantonte ruajtjen e një origjinaliteti dhe autonomie kulturore të pranueshme për kushtet e kohës.

Një rol tjetër të madh në këtë drejtim kishte luajtuar edhe identiteti fetar i arbëreshëve, i ndryshëm nga popullsia vendase. Pavarësisht faktit se në filllimet e shekullit të XVIII edhe ortodoksët kaluan në kultin latin qoftë vullnetarisht, qoftë kur shtyheshin nga autoritetet, në fillimet e këtij shekulli ata patën mundësi të kishin edhe seminaret e tyre , të destinuara për formimin e klerit të ritit grek (thotë Clayer por ndoshta më mirë do të ishte termi ortodoks), që dhanë po ashtu ndihmesën e tyre në formimin e një elite  laike greko-shqiptare[3].Pikërisht nga gjiri i këtij konteksti kulturor një shekull më vonë nën influencat e fuqishme tëIluminizmit, luftërave Napoloniane dhe Romantizmit do të lindte dhe do të merrte udhësendërtimi i një identiteti të veçantë kulturor e kombëtar që në revokimin e së kaluarës heroike të epopesë skënderbejane të shekullit të XV do të përpiqej të ngjizte një Shqipëri tjetër përtej detit. Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kësaj elite arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada që ndryshe nga paraardhësit e vet jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Studimi dhe analizat e ndryshme letrare që ia janë bërë “Këngëve të Milosaos” që nga botimi i parë i saj e deri më sot, përpos faktit që kanë pasuruar leximet e ndryshme të saj, kanë lënë disi në hije kontekstin historik e gjeografik  të pasqyrimit të kohës historike  në të cilën De Rada vendos ngjarjet, toponimisë së vendeve të përmendura në poemë dhe simboleve kulturore të veçanta.

Arvanitasit në Greqi  u dalluan si luftëtarë të guximshëm të Revolucionit Grek të vitit 1821 dhe nxorën nga gjiri i tyre figura të tilla si; Marko Boçari, A. Kullurioti, Dhaskalina Bubulina etj. Në Itali Garibaldi i quan Arbëreshët heronj të lëvizjes çlirimtare italiane dhe për bashkimin e vendit. Në ditët e sotme problemi dhe statusi i popullsisë arvanitase në Greqi vazhdon të jetë i mjegullt dhe disa ngjarje kulturore që kanë ndodhur brenda komunitetit arvanitas mundtë  konsiderohen si ngjarje  që ringjallën një çështje të harruar dhe që nën tendencat unifikuese të Globalizmit kishte tendenca për tu harruar. Një nga veprimtarët më të rëndësishëm  të ringjalljes kulturore arvanitase gjatë viteve 1980-2000 është studiuesi, avokati dhe publicisti Aristidh Kolia i cili  në librin e vet “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” i bëri jehonë sërish mitit pellazg të origjinës së përbashkët greko-shqiptare që nga lashtësia dhe ripohonte me krenari se 90 nga 100 heronj të Kryengritjes janë arbër, por kjo jo vetëm që nuk përmendet nga historianët tanë, por bëhet përpjekje të fshihet ky fakt dhe nga na tjetër të përdëllëhet i gjithë populli arbëror.[4] Gjithësesi pavarësisht kësaj ringjallje kulturore duhet pranuar fakti se popullsia arvanitase në Greqi edhe pse për një kohë shumë të gjatë kish ruajtur një identitet të fortë gjuhësor të veçantë të dëshmuar edhe nga udhëtarë të shumtë të huaj që vizituan territoret greke në 50 vjeçarin e parë të shekullit të XIX, madje dhe në hapat e para të zgjimit kombëtar të shqiptarëve kishte pasur aktivistë të shquar që kishin marrë pjesë në lëvizjen nacionaliste shqiptare si Anastas Kullurioti, në vitet 90-të paraqitej me  me një ndërgjegje helenike si rezultat i shumë proceseve asimilues që kishin ndodhur një shekull e gjysëm më parë që me themelimin e mbretërisë së re greke. Këto procese asimiluese ishin bazuar në ato karekteristika që kishin ndihmuar për të themeluar kombin grek si identiteti fetar,urbanizimi i menjëhershëm që hyri mbretëria e re greke dhe sidomos rajoni i Atikës ku kjo popullsi ishte më tepër e përqendruar. Si të krishterë ortodoksë që ishin,dhe duke qenë se ortodoksia ishte në themel të identitetit helen modern që po lindte, shumë prej tyre kishin marrë në luftën për çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të saj. Njëlloj si në shekujt e mëparshëm helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe moskompaktësia e disa popullsive, si dhe procesi i urbanizimit. Mungesa e një tradite letrare vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht që po zhvillohej ishte, sëbashku me Kishën, një motor i fuqishëm i greqizimit, veçanrisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t’i përkisje shtresës më të ulët të shoqërisë neo-helenike, domethënë të ishe fshatar ose marinar, kuse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një “helen i vërtetë”.[5]

Pikërisht ky dyzim kulturor kish influencuar më tepër helenizmin por i kish dhënë jetë dhe një literature të tërë në greqisht të shkruar nga nga anëtarë të shquar të kësaj popullsie për origjinën e përbashkët të kombeve grek dhe shqiptar si dhe përpjekjeve për të krijuar një monarki të përbashkët greko-shqiptare.

Gjatë pushtimit osman, sidomos në Rilindjen Kombëtare kolonitë shqiptare mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë kontribute të shquara në lëvizjen kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Rilindësit e mëdhenj që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, princesa rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika ose D. D’Istria, Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko, Fan Stilian Noli, Faik Konica ishin personalitete të shquara të diasporës në hartimin e programit të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, në zhvillimin e arsimit dhe të kulturës, në krijimin e shoqërive patriotike etj. Kolonitë shqiptare vazhduan veprimtarinë e tyre edhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Ato e mbështetën atë hap pas hapi në rrugën e gjatë të konsolidimit të tij, të afirmimit në botën ndërkombëtare për demokratizimin dhe lidhjet e tij me popujt e tjerë etj. Shqiptarët e Bukureshtit kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Ndër emrat më të spikatur mbetet Elena Gjika, e cila ka pasur një korrespodencë të dendur me rilindasit shqiptarë si Thimi Mitko, Zef Jubani, Dhimitër Kamarda, Jeronim de Rada etj. Duke folur për princeshën rumune me origjinë shqiptare, Dhimitër Kamarda ka thënë: “Ajo kishte mirësinë e engjëllit, hiret e fisnikërisë, të cilat e bënin një krijesë të veçantë”. Elena Gjika ishte një historiane, filologe dhe etnologe me njohuri të thella. Dhimitër Kamarda e ka quajtur Dora d’Istrian “Unazë qytetërimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”.[6] Në vitin 1881 intelektualët shqiptarë që jetonin në Rumani, në një mbledhje në shtëpinë e Vasil Terpos në Bukuresht, themeluan një shoqëri për të shtypur libra në gjuhën shqipe, të cilën e quajtën “Deg’ e shoqërisë së Stambollit për vivlla shqipe”. Roli dhe rëndësia e kësaj shoqërie për forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare është mjaft i çmuar. Prej ditës së themelimit numri i anëtarëve të shoqërisë rritej vazhdimish, prandaj më 1884 u vendos që shoqëria të quhej “Drita”. Kjo shoqëri pati rol kryesor në organizimin e jetës kulturore dhe politike të shqiptarëve të Bukureshtit. Drejtimin e shoqërisë kulturore-letrare “Drita” e mori Anastas Avramidhi Laçke, një pasanik nga Korça. Vite më vonë u krijuan edhe dy shoqëri të tjera. Kështu më 1886, Nikolla Naço themeloi të parën Shoqëri Kulturore Shqiptare “Drita”, me seli në Bukuresht, ndërsa më 1887 u themelua shoqëria “Dituria”, nën kryesinë e Kristaq Duros. Shoqëria kulturore “Drita” merrej me edukimin e të rinjve shqiptarë në Shkollën Normale të Bukureshtit,[7] ndërsa shoqëria “Dituria” zhvilloi një veprimtari të fuqishme për botimin e librave shkollorë dhe të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe.[8] Më 1888 në Bukuresht u botua e përjavshmja dygjuhëshe (shqip e rumanisht) “Shqiptari” (Albanezul), ndërsa më 1891 u botua “Apel à nos frères albanais”. Më 1897 sheh dritën e botimit gazeta “Shqipëria”, e drejtuar nga Visar Dodani, ndërsa një vit më vonë, më 1898 organi tjetër “Ylli i Shqipërisë”, në tri gjuhë: shqip, greqisht e frëngjisht. Ja vlen të theksojmë se “Shqiptari”, me disa ndërprerje, vazhdoi të botohej deri më 1903.

Në vitin 1898, në Bukuresht, intelektualët shqiptarë Visar Dodani, Faik Konica, Pandeli Evangjeli etj., mbajtën një kuvend ku u trajtuan probleme të ndryshme të arsimimit dhe edukimit të shqiptarëve. Këta intelektualë shqiptarë kërkonin nga sulltani që të mësohet gjuha shqipe në të gjitha shkollat shqipe në Shqipëri. Kur shtypi europian lajmëronte se shqiptarët ishin ngritur kundër perandorisë osmane dhe revista “La nazione Albanese” shkruante për situatën e vështirë të popullit shqiptar nën sundimin osman, shqiptarët e Rumanisë nuk mund të rrinin indiferentë. Intelektualët shqiptarë Visar Dodani, Dr. Ibrahim Temo, Dervish Hima, Nikolla Naço etj., me ndihmën e bashkatdhetarëve tjerë shqiptarë dhanë një kontribut të jashtzakonshëm në organizimin e popullit shqiptar në luftë për pavarësi. Në Bukuresht botoheshin tekstet shkollore, që i hartonin intelektualët shqiptarë që jetonin e vepronin në Stamboll. Në janar të vitit 1907 u themelua shoqëria “Bashkimi”, nga shkrirja e të gjitha shoqërive që ndodheshin në Bukuresht. Eksponentët kryesorë të kësaj shoqërie qenë: Anastas Lakçe, Vangjel Çeço, Spiro Maçuka, Kristo Luarasi, Sotir Peçi etj.

Më 1908 shqiptarët e Bukureshtit të udhëhequr nga Nikolla Naço[9] mundën të hapnin një kishë për shqiptarët. Anëtarët e kolonisë mblodhën fonde për ndërtesën e kishës dhe për pagesën e meshtarit. Si kishë u zgjodh Shën Gjergji i Vjetër, ndërsa si meshtar caktuan atë Harallamb Çalamanin.[10] Gjithashtu me fondet e grumbulluara u ble një organo dhe u sigurua pagesa e drejtuesit të korit të kishës, që ishte një nga muzikantët e njohur prof. Kiriak.[11] Ngjarje e shënuar ishte mesha e parë në gjuhën shqipe më 1908, ku pa dyshim kori kishtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte pjesë e saj. Shqiptarët e Bukureshtit kishin korin[12] kishtar dhe kishin marrë me qira një sallë që bënin provat. Përveç këngëve patriotike shqiptare, kori mësoi edhe himnin e Rumanisë, i cili titullohej “Mbi flamurin tonë”.[13] Shqiptarët e Rumanisë të entuzjazmuar prej këtij himni iu lutën Asdrenit që t’i përshtaste vargjet në gjuhën shqipe. Asdreni përshtati fjalët shqipe sipas melodisë së himnit rumun dhe tekstin e titulloi “Betimi mbi flamur”. Ky himn u popullarizua shumë tek shqiptarët e Bukureshtit dhe mbërriti në atdhe me anën e Tashko Ilos dhe Hilë Mosit. Këta të fundit sollën partiturat e himnit në Korçë dhe më pas e përhapën në gjithë Shqipërinë. Hilë Mosi, i cili kishte prirje për muzikë bëri përshtatjen e himnit në gjuhën shqipe sipas muzikës rumune. Ky himn ka shoqëruar ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912.  Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin “Continental” të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Ismail Qemali në fjalën e tij theksoi “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”.[14] Një dokument që mban datën 5 nëntor 1912 bën fjalë për mbledhjen historike të shqiptarëve të Bukureshtit, nën kryesinë e Ismail Qemalit.[15] Ismail Qemali, sikurse njoftonte gazeta “Universul” (Gjithësia), e datës 22.10.1912, kishte mbërritur në Bukuresht një ditë më parë. Në mbledhjen e drejtuar nga Ismail Qemali, morën pjesë Luigj Gurakuqi, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Akile Eftimiu, Dhimitër Berati etj. Pra shpallja e pavarësisë dhe formimi i Qeverisë së Parë Kombëtare Shqiptare janë vendosur në Bukuresht. Mbledhja e Bukureshtit ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte me përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin për shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit të ri shqiptar.

Diaspora shqiptare  në  SH.B.A ka protagonistëve të saj  Fan S. Nolin dhe Faik Konicën. Shoqëria “Vatra” përbën pa dyshim një nga historitë më të suksesshme të organizmit të shqiptarëve përgjatë këtij shekulli. E lindur dhe e organizuar si një kopje e shoqërive të tjera që shqiptarët patën krijuar në Rumani, Bullgari, Egjipt e Turqi, “Vatra” pati meritën që duke përqafuar mentalitetin dhe etikën e punës të vendit ku u krijua të shndërrohej në një përfaqësi dinjitoze të shqiptarëve në botë dhe të kontribuonte si askush tjetër në themelimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar. Për më tepër Shoqëria “Vatra” është fiksuar në memorien shtet formuese shqiptare si shprehësja e parë e konceptit të vullnetarizmit pasi ishte pothuajse shoqëria e vetme shqiptare në botë që vazhdimisht u bë promotore e ngjarjeve në Shqipëri nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtë për së drejtë të vullnetarëve të saj në ngjarjet e mëdha të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, Luftës së Vlorës apo dhe ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar në periudhën 1920-1924. Aq i madh, i njohur dhe i pranuar gjerësisht  ishte ky kontribut i “Vatrës” sa ajo ishte e vetmja shoqëri patriotike që u lejua të përfaqësohej me një deputet të saj në parlamentin shqiptar 1921-1924.  Emigracioni i punës në Shqipëri arriti kulmin në fund të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, i shkaktuar nga proceset e industrializimit dhe urbanizimit të shpejtë në shumë vende evropiane dhe në Amerikën e Veriut. Gjatë gjithë kësaj periudhe, një numër i madh i shqiptarëve emigruan për arsye politike dhe ekonomike, si: Gjon Mili, Stavro Skëndi etj.

Në mars të vitit 1991, pas rënies së diktaturës dhe zgjedhjeve të para demokratike, vetëm pak ditë, më shumë se 24,000 shqiptarë u ulën në brigjet e Italisë, një ngjarje që konsiderohej si një krizë kombëtare për Italinë dhe Shqipërinë. Mijëra e mijëra qytetarë u larguan duke lënë pas adheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit. Në të gjitha periudhat veprimtaria ekonomike e emigrantëve shqiptarë mbeti një faktor i rëndësishëm ekonomik në buxhetin e familjeve të tyre dhe më pas të shtetit shqiptar. Diaspora e re bën përpjekje të mëdha për t’u integruar me sukses në jetën ekonomike, politike dhe kulturore të vendeve pritëse, ndikon në zhvillimet e Shqipërisë dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse. Diaspora Shqiptare në shumë raste e pasuruar me elementë të rinj dhe të shkolluar në perëndim, dha ndihmesë në pluralizmin e ideve, në emancipimin e politikës shqiptare dhe të gjithë opinionit.

Bibliografi:

  • Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 71, Dosje 1, Nr. 71.283. Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Nëntor 1912-Janar 1914, përpunuar e redaktuar nga Dhimitër Kotini, Xhavit Struga, Fane Veizi, Mediha Shuteriqi, Kleanthi Dedi, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore, Tiranë, 1963.
  • Aristidh Kolia. Arvanitët dhe prejardhja e grekëve. Tiranë; Toena, 2008
  • Ilir Ikonomi, Pavarësia. Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit, UET Press, Tiranë, 2012.
  • Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë myslimane  në Europë. Tiranë: Përpjekja, 2009
  • Vehbi Bala, Jeta e Elena Gjikës “Dora d’Istrias”, Tiranë 1967.
  • Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L, Tiranë, 2006.

[1] Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L, Tiranë, 2006 fq 49

[2] Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë  myslimane  në Europë. Tiranë: Përpjekja, 2009, fq 122

[3] Po aty, fq 122

[4] Aristidh Kolia. Arvanitët dhe prejardhja e grekëve. Tiranë; Toena, 2008, faqe 18

[5] Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë  myslimane  në Europë. Tiranë: Përpjekja, 2009,faqe 119-120

[6]-Vehbi Bala, Jeta e Elena Gjikës “Dora d’Istrias”, Tiranë 1967, faqe 101; Vehbi Bala, Ahmet Kondo, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2008, faqe 834.

[7]-Shkolla Normale e Bukureshtit u çel në vitin 1892.

[8]-Disa nga librat që u botuan në shtypshkronjën e Bukureshtit në vitin 1886 qenë: “Bagëti e Bujqësija”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoreja” me dy vëllime, “Istori e përgjithshme” dhe “Dituritë”. Historia e Popullit Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Volumi II, Toena, Tiranë 2002, faqe 354.

[9]-Nikolla Naço ishte zgjedhur kryetar i Shoqërisë “Drita” në Bukuresht. Prej vitesh kishte punuar për themelimin e shkollave shqipe dhe për përkthimin e librave në gjuhën shqipe. Që në vitin 1893 në Bukuresht funksiononte shkolla normale shqipe nën drejtimin e Nikolla Naços, e cila financohej nga familja rumune Butulesku. Për ngritjen e shkollës Naço u përgëzua nga Mihal Grameno. Nikolla Naço ka vdekur më 24 prill të vitit 1913.

[10]-Atë Harallamb Çalamani ishte me origjinë nga Berati dhe vinte nga Patriarkana e Stambollit. Ai u zgjodh meshtari i komunitetit shqiptar të Bukureshtit.

[11]-Kiriak Georgesku (1866-1929) ka qenë profesor në Konservatorin e Bukureshtit. Punën e prof. Kiriakut më vonë e vijoi Ionesku, një djalë 25-vjeçar, që ishte specializuar për këngë korale kishtare.

[12]-Kori përbëhej nga 30 vetë. Ndër ta mund të përmendim  vëllezërit Dhimitër dhe Grigor Zografi, Dhimitër Kalakuçi, Ilia Teodoru, Pandel Durmishi, Rafail Anastasiu, Andrea Alizoti, Jani Danga etj.

[13]-Himni kombëtar i Rumanisë është shkruar nga poeti Ioan Barsan dhe është kompozuar prej Ciprian Porumbeskut. Valbona Karakaçi, Himni kombëtar i shqiptarëve, Naimi, Tiranë, 2009, faqe 98.

[14]-Ilir Ikonomi, Pavarësia. Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit, UET Press, Tiranë, 2012, faqe 74.

[15]– Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 71, Dosje 1, Nr. 71.283. Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Nëntor 1912-Janar 1914, përpunuar e redaktuar nga Dhimitër Kotini, Xhavit Struga, Fane Veizi, Mediha Shuteriqi, Kleanthi Dedi, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore, Tiranë, 1963, faqe 25-26.

Le Figaro (1937)- 250 mijë hektarë (Akër) tokë iu shpërndanë fermerëve shqiptarë falë reformës agrare të Mbretit Zog

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Janar 2020

 

“Le Figaro” ka botuar, të hënën e 4 janarit 1937, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me zbatimin e planit të reformës agrare në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Lajmet Ndërkombëtare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqipëri. — Në zbatim të planit të reformës agrare, më shumë se 250.000 hektarë (akër) tokë janë shpërndarë midis fermerëve nga qeveria. Me këtë rast, Mbreti Zog dhuroi një pjesë të pasurive të tij private.

L’Humanité (1914) / Esat Pasha – Princ Vidit, kur zbarkoi në Durrës për herë të parë : “Ju do të jeni një Skënderbe i dytë për shqiptarët !”

Excelsior (E premte, 13 Mars 1914, Ballinë) – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Janar 2020

 

“L’Humanité” ka botuar, të hënën e 9 marsit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe pritjen e tij nga Esat Pashë Toptani, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Festimet në Durrës

Mirëseardhja e Esat Pashës për Princ Vidin

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrës, 8 Mars. Ja detajet për ardhjen e sovranëve shqiptarë.

 

Që në mëngjes, rrugica ku duhet të kalojnë sovranët është zbukuruar me harqe triumfi. Paria mbërrin në marine (port) rreth orës një, turma është shumë e madhe. Në orën 1 e 30 minuta anijet shfaqen sipas rendit të mëposhtëm : Taurus-i, Quarto, Bruix-i, Gloucester-i ; një varkë, duke pasur në bord Esat Pashën, guvernatorin e përgjithshëm të Durrësit, kryebashkiakun dhe komandantin holandez të xhandarmërisë niset në orën 2 e 05 minuta.

 

Varka mbretërore largohet nga Taurus-i në orën 2 e 40 minuta, ndërsa marinsat e anijeve në breg brohorasin dhe topat buçasin. Sovranët priten në breg nga Mexhit beu, trupi konsullor, përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë dhe nga oficerë të anijeve në port. Mexhit beu bën prezantimet.

 

Duke përshëndetur sovranët, në bordin e Taurus-it, Esat Pasha tha këto fjalë :

 

Unë jam i lumtur t’ju uroj mirëserardhjen. Ju do të jeni një Skënderbe i dytë. Të gjithë shqiptarët janë të bindur se ju do ta bëni Shqipërinë të madhe dhe se do të jeni babai ynë.

 

Gjatë mbrëmjes, orkestra italiane dha një koncert në sheshin e Marinës, i ndriçuar në mënyrë shkëlqyeshme, në prani të një turme të madhe. Pati një spektakël të madh fishekzjarresh. Delegacionet shqiptare marshuan në kopshtin mbretëror përpara sovranëve. U mbajtën disa fjalime. Grupe të mëdha demonstruesish marshonin në rrugët e qytetit, duke brohoritur me entuziazëm para konsullatave italiane dhe austro-hungareze. (Havas).

 

Esat Pasha – redaktorit të një gazete në Trieste (1914): “Në emër të popullit dhe të bejlerëve, ne i dorëzuam mbretit tonë Vilhelm pak tokë, ujë dhe rërë, të marra në atdheun shqiptar…”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Janar 2020

 

“L’Echo d’Alger” ka botuar, të shtunën e 7 marsit 1914, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e Esat Pashë Toptanit me redaktorin e një gazete të Triestes, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Principata e Shqipërisë

Çështja shqiptare

Esat Pasha shpjegon se cili do të jetë regjimi i ri i Shqipërisë

 

Trieste, 6 Mars. – Një redaktor i një gazete të Triestes intervistoi Esat Pashën. Ai bëri deklaratat e mëposhtme :

 

Në emër të popullit dhe të bejlerëve, ne i dorëzuam mbretit tonë Vilhelm, pak tokë, ujë dhe rërë, të marra në atdheun shqiptar. Tani ai është udhëheqësi ynë.

 

Nuk duhet të ketë frikë se kombësia e tij do të ketë një ndikim gjermanik në vend. Politika e tij e vetme do të udhëhiqet nga ky mendim, të punojë për madhështinë e Shqipërisë, në marrëveshje perfekte me Evropën.

 

Esat Pasha tha në vijim se princi i Shqipërisë do të jetë mbret, domethënë “Mbret” ose sulltan. Durrësi do të jetë kryeqyteti i tij i përkohshëm, ndërsa Tirana rezidenca e tij verore.

 

Mbreti i ri e siguroi atë se qeveria e tij nuk do të jetë as autokraci dhe as regjim parlamentar. Shqipëria, në fakt, nuk dëshiron të bëjë gabimet e turqve të rinj. Qeveria do të përbëhet nga Ministra dhe një Senat, i zgjedhur gjysma prej popullit dhe gjysma tjetër e emëruar nga mbreti. Senati do të duhet të përgatisë statutin kushtetues.

 

Sovrani do të ketë si këshilltarë dhe Senati si president, qytetarët më të mirë të mbretërisë.

KUR VDIQ GJERGJ KASTRIOTI… – Nga Fritz RADOVANI

17 JANAR 1468, Kur vdiq Gjergj KASTRIOTI Skenderbeu, sulltani tha;

 

“Tashti Europa dhe Azia janë të mijat! Mjer’ Europa, se i humbi shpata dhe mburoja!”

Në shtratin e vdekjes Ai korri fitoren e Tij të fundit pa kenë aty. Një ushtri turke, që kishte pushtue krahinen e Shkodres në kohë dimni, u shpartallue prej ushtrisë Kastriotit pa Skenderbeun, sepse Ai nuk mujte me u ngritë nga shtrati me i hypë kalit..

Fryma e Kastriotit jetoi per shumë kohë në Popullin Shqiptar, ndonse Ai vetë kje zhdukë.

Me 16 Qershor 1478 qyteti i Lezhës u dorzue nga shpartallimi prej urisë, ndonse sulltani i kishte premtue që mos të prekej jeta e mbrojtësve trima të kështjellës. Fan Noli shkruen:

“Mehmeti II dha urdhër t’i thernin burrat pa mëshirë dhe t’i skllavronin gratë e fëmijët. Një vit më vonë (1479) ra dhe Shkodra, pas një rrethimi të gjatë të udhëhequr prej vetë Mehmetit II. Historia e mbrojtjes së saj heroike tregohet prej Marin Barletit, që ka qenë aty dëshmitar dhe ka parë predhat prej guri që shperthenin brenda në qytet çdo ditë…

Kështu, njeri pas tjetrit, gjithë qytetet u shkatërruan dhe u kthyen në katunde të mjera.

Qytetet e lulëzuara të bregdetit u zhdukën, dhe mjerimi i plotë zuri vendin e tyre.., për të treguar historinë e tyre në gjuhen e Viktor Hugoit: “Turqit kaluan andej, çdo gjë u bë gërmadhë e zi.” (F. Noli: Historia Gjergj Kastrioti Skenderbeu – fq. 151).

Marin Barleti shkruen tek “Rrethimi i Shkodres” (fq. 47): “Tashti a mund të besohet se nji shpirt kaq mizor e i ndytë të shporret në pleqni prej të gjitha këtyne të zezave që prej natyre lindin në gjak qysh në moshen ma të njomë? Edhe askujt s’ i shkon mendja me thanë se ai me drejtësi asht ba zot i çdo gjaje, kur të merret parasysh se mbrenda nji kohe aq të shkurtën ai ka krijue nji perandori kaq të madhe. Dhe me të vertetë ai çdo gja pervetsoi në mënyrë të padrejtë e të palejueshme e me perbuzje flliqi çdo gja hyjnore e njerzore, gjithmonë veproi me dredhi, me të pabesë e me epsh të keq. Çfarë poshtërsish s’ ka ba ai njeri: Çdo flligshti; ai ka shnderue, ai ka thye kunorë. Ai ka dhunue Kishë, ka heqë të gjithë meshtarët, ka ngatrrue urdhna, ka perlye mbretni e gjithnji asht orvatë të ngatrrojë e të shuejë çdo gja religjoze, të madhnueshme e të ndershme, a ligjët a kanunet e jetës, a zakone a besë e nder apo çdo disiplinë të drejtë. Qe pra, kjo asht arsyeja per të cilën duhet të hapim sytë e të ruhemi mirë nga pusitë e këtij farë tirani… Duhet të shtijmë në punë të gjitha armët tona, që mos të mbesë gjallë asnji Shkodranë…”

Porosi që vazhdoi të persëritet nga Enver Hoxha e deri sot nga “Rilindja” e Edi Ramës!

            Melbourne, 16 Janar 2020.      

FOTOT – Kush janë serbët, përgjegjës për masakrën e Reçakut

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës Jetlir Zyberaj në profilin e tij në “Facebook” ka publikuar dokumente dhe fotografi të autorëve të masakrës së Reçakut.

“Për rikujtim: Këta janë disa nga kryesit e masakrës së Reçakut.#Kosova nuk do të harrojë asnjëherë”, shkruan Zyberaj.

 

Publikimi i dokumenteve dhe fotove të serbëve të dyshuar për masakrën vijnë në 21-vjetorin e kujtimit të masakrës në Reçak.

Amerikanizmi asht modernizmi i sotshëm – LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

Graz, me 18 kallnduer 1957

 

Shum i dashuni Mik,

Më kënaqi sa s’ka letra e Jote, qi e mora me 19 dhetuer. Kúr pate zbritë në fillim n’Amerikë, më pate shkrue nji kartë nga “Toka e Premtueme”. Natyrisht Amerika e bân njerin per vedi, kúr të ketë kalue shumë vjet atje. Per né, qi jemi kenë mësue me jetën patriarkale t’onen, por edhe per Europjan të para-luftës âsht pernjimend si me ndrrue jetë e shkuemja n’ Amerikë. Por tashmâ jeta amerikane âsht tue bâ per vedi edhe Europjanin qi rrin n’Europë. Nuk mendohet mâ tash vetem se me fitue e sá mâ shumë, e me gzue, e me gzue sa mâ shumë. Jeta familjare, si e kuptojshim na “Primitivët” nuk egziton per ket njerin modern të sotshem. Seicilli do të rrijë në zyre apor në punë, per të fitue jetesën. Un n’Amerikë veç në më tokoftë me ardhë sá per ndonji kohë të shkurtë, se nuk më terhjekë fort. Sá me pá nji herë grattacieli-t e Amerikës, ndoshta âsht interesant, por tashmâ edhe Europjanët po i imitojnë Amerikant me ndertimin e grattacielavet. E mâ muzhika e “bukur” amerikane “jazz” po i entuzjazmon edhe Europjanët majmuna.

Sido qoftë un gzohem sa s’ka qi po keni mundsín me e kalue gjysen e dytë të jetës s’Uej n’Amerikë pá kujdese të mdhaja, mbasi djali e vajza po punojnë si per vedi ashtu per Jú. Tjerë qi po shkojnë n’ Amerikë,  po ankohen boll e nuk po u del ashtu nji parriz toket, qi kanë pasë kujtue para se t’emigrojshin atje.

Un gjindem shndosh e mirë në ket Europën plakë. Me punë po shtŷj si po mundem.

Nuk keni nevojë me u kujdesë per librin e Gjorgjeviqit, sepse e kam gjetë këtû e e kam blé per 12 shilinga (gjysë dollarit) në gjuhen gjermanishte, taman në gjuhen origjinale në të cillen e pat shkrue Gjorgjeviqi.

Të falem nderës per tfillime qi më dhaet me letren relativisht të gjatë qi më derguet.

Tashti nji pyetje. A âsht Aqif Pashë Permeti e Aqif Pashë Elbasani e njajta personë apo jo? Mue më duket se âsht e njajta personë, por e kam gjetë dikund herë njanin, herë tjetrin êmen. Cilli âsht êmni i vertetë i tij?

Edhe nji gjâ tjeter. A mundeni Ju me më diftue êmnat e patriotëve mâ të shquet shqiptarë qi i kanë perkitë besimit bektashjan? A âsht edhe Zogu i besimit bektashjan apor âsht Sunnit? Frasherjotët e dij se ishin Bektashjanë, gjithashtu po këndoj se Ismail Qemali po paska kenë bektashjan e edhe Aqif Permeti apo Elbasani. Edhe per Jú më duket se kam ndie se i perkitni po të njajtit bektashizëm. Kishe me dashtë me dijtë edhe per patriotë të tjerë shqiptarë në se i perkitshin apo jo të njajtit besim.

Pyetje tjera nuk po Ju bâj, pse nuk due me Ju qitë punë. Shpresoj se mbrenda vjetit vazhdues tash më shkrueni njiherë e tash m’i pergjegjni letres së sotshme.

Nderkaq po Ju uroj me zemer 70-vjetorin e jetës qi per së shpejtit po Ju mbrrijtka, si më shkrueni vetë në leter. Me shndet të plotë e me njimî të mira i pritsh edhe 70 vjetë tjera në parrizin amerikan, në të cillin porsá ké hŷm.

Po më bjen nder mend edhe dishka qi gati e pata harrue. Ajo fotografija e Juej qi më keni pasë dergue njiherë, më ka hupë dikund e nuk mund e gjêj mâ. Prandej të keni mirsín me më dergue nji fotografí tjeter t’ Uejen të bâme me rasen e 70-vjetorit. Ajo e dergueme aso here ka pasë kenë shumë e bukur e shpresoj se e keni edhe nji copë.

Po të delte tash L’ALBANIE LIBRE, kishte me mujtë me shkrue ndoj gjâ per 70-vjetorin t’ Uej. Por edhe kjo gazetë po del kúr t’i teket, pse po i mungojn fondet.

Persrí po Ju dergoj urimet e mija mâ të perzemertat per mbushjen e 70-vjetorit si dhe shndet e të mira per kohen e ardhshme, e cilla dishroj  qi të zgjatet sá mâ fort.

Shum shndet e urime djalit e vajzës e motrës.

 

I Jueji me zemer

  1. P. Margjokaj O.F.M.

 

 

 

 

N.F., 14 Prill 1957

 

I dashuni mik,

Më ke shkruem me 18 kallnduer e më ke thânë n’atë letër edhe qe-këto fjalë: “Shpresoj se mbrenda vjetit  vazhdues tash më shkrueni nji herë e tash m’i përgjegjni letrës së sotshme”. Pra paske menduem atëherë se un do të pritsha Kërshëndellat për me t’u përgjegjun! Kështu qi tue e marrë përgjegjen në krye të tre muejve, vetëm se do të gzohesh mâ fort. Besa. lum miku, me këtë “gjysë moshe” qi kam, mâ të rijt se un do të mendohen nji fije para se me më vûmë faj, sikur edhe nji herë në vjetë me u shkruem e jo fort gjatë.

Mënyra e urimit t’ând për 70 vjett e mija âsht me të vertetë nji kryevepër styli, nji finecë e pashoqe kisha me thânë, sido qi të jetë, pa dyshim, origjinale. Un të falem nderës pa masë. Vetë i lutem Zotit shpesh  vetëm për nji gjâ për sa i përket ksaj pike: me ma marrë shpirtin në çdo ças qi të jetë vullnet’ i Tij, veçse pa më bâmë me lënguem. Kjo âsht mëshrira qi I lyp për veten t’eme. Edhe këtê po Vetë Ai e ka në dorë, si çdo gjâ tjetër e le të bâjë si të detë.

Pjesa e parë e letrës s’ate qi flet mbi amerikanizmën, nëse mund t’a quejmë kështu modernizmën e sodshme, âsht si me t’a pasë diktatun un. E më ka kënaqun. Në se un bâna çmos për me ardhun në këtë vênd, të cillit i jam mirënjohës me tânë zêmrën t’eme qi më pranoi, në se e kam quejtun e e quej “Toka e Premtueme e refugjatet antikomunista”, âsht për arsyena shumë e shumë mâ të forta se ato qi brezit t’em edhe t’ândit va bâjnë antipathik. Evropa e pat, lum miku, ajo s’âsht mâ tjetër, veçse e kaluemja e njerzisë qi ka krijuem gjithça shkëlqen mâ së miri e mâ së bukuri në botë. Problema vigane qi na mban sod pezull ndërmjet mënderës e shpresës âsht nji tjetër: cilli kontinent tjetër, Asija barbare apo Amerika e qytetnueme, ndonse me nji qytetní mjaft të ndryshueme prej si ka qênë, po e merr trashigimin e saj për të ardhëshmen imediate? Gjasët mâ të fortat un i shoh në kët anë, ndoshta pse kështu m’a ka ânda; por askush nuk mund t’a thotë me sigurí, madje as me nji përqindje qi e kalon fort nalt gjymsën. E në qoftë, mbasandej, se ky trashigim do të fitohet nëpër nji luftë nukleare, merre me mênd atbotë se ç’farë trashigimi ka me qênë.

Ka nji pakicë relative gjindsh qi, si po shkruen ti, vijnë këtu e nuk mbesin të kënaqun. Shumica e ksaj pakice ndo janë përtaca ndo mêndemëdhoj. Rrallë ke me gjetun njeri prej nji kategorije të tretë qi të gjêj arsye me u ankuem. Po të flas për vete: un mërzitem mjaft ; se Zoti më ka falë shëndet e fuqí e mund t’a bâj ndonji punë për me fituem diça e me i ndihmuem nemose familjes s’eme sa duhet, mbasi këtu për mue po kam dy qi punojnë. E çfarë pune mund të bâj un këtu? Un mund të mësoj shqip, tyrqisht, italisht e frëngjisht. Asnji prej këtyne katër dyere s’po më çilet, se s’ka si më çilet mbasi s’e kam në dorë çelsin qi kishte me m’a çelë cillen do qi të lakmoj: nuk e dij gjuhën anglishte! E si kam me i a spjeguem Amerikanit gjuhën e huej qi dij un? Po e lâmë mësuesinë. Por çdo punë shum’a pak intelektuale nuk mund të bâhet pa anglishten, gjuhën e vêndit. Mund të bâhen vetëm punë krahu ndër fabrika. E mue për kso punësh s’më mjafton vërtyti e kisha me ramë i sëmûtë mbrênda pak ditsh. Prashtu, mbasi due me bâmë diça e nuk mundem, un mërzitem. Por faj s’më ka kurrkush e prandej s’kam të drejtë me i u ankuem askuj. Po grîhem vetë me vete tue u munduem me nxânë anglishten. E si t’a kemë nxânë me e folë e me e marrë vesht disi mirë, atëherë shoh e bâj.

70-vjetoren s’kam mujtun me e kremtuem aspak, se Shoqnija elektro-qemike Hooker, ku më punon djali, m’a ka grabitun këtë e dërguem në Michigan me nji misjon teknik të përkohshëm e pa qênë të tre bashkë këtu s’kisha si me e kremtuem. E tashmâ, mbasi nuk u bâ me kohë, i shkoi shija. Por fotografinë do t’a nxjerrë sa të më kthehet im bir e do të t’a dërgoj nji pa fjalë. Si ajo qi paske hupun s’kam mâ. Tash po gërmoj e bubërroj pale a mund të gjêj n’arqivat e mija nji format pasaportit po t’asaj qi dishiron.

E po vijmë tash ke pyetjet.

Aqif (Pashë) Elbasani e Aqif Përmeti janë dý persona qi s’kanë asnji lidhje njâni me tjetrin. Sikurse e thotë mbiemni vetë, i pari âsht prej Elbasani e tjetri nga Përmeti. I pari ka qênë pashë civil i mbretnisë othomane e i dyti pat mbërrîmë në të parën gradë t’ oficerit gjeneral në Shqipní. I pari ka qênë edhe ministër i mbrêndshëm nën kabinetin e parë të Tur(k)han Pashës (në kohën e Princ Wiedit). Pasha civil i Tyrqisë ka qênë nji pashë në shtëpí të vet pa kurrfarë zyre, si baroni, konti et. në Evropë, edhe kishte grada të ndryshme si këta, por titulli ishte gjithmonë pashë. Ka qênë patrijot, bektashí i fortë e trim. Kushrî i parë prej nanet i Esat Toptanit, por kundrështar i tij. Gjeneral Aqifin nuk e njoh, due me thânë s’e kam njohun me rrânjë. Nuk di se si ka qênë bâmë oficer. Ka qênë, me sa dij un, nji emigrant këtu ndër Shtetet e Bashkueme. Kur u kthye në Shqipní e si hyni n’ushtrinë apo në gjindarmërinë shqiptare nuk dij. Më duket se në 39 Italija e gjet kolonel e e bâni gjeneral. Në mos u gabofsha, e kanë mbytun komunistat. Aqifi i Elbasanit ka dekun edhe ai. Mund të ketë qênë nja 20 vjet mâ i motshëm se un. Kurse tjetri, ndoshta, nja 5 vjet mâ i ri ase sa un. Të dy dijshin me e mbajtun pêndën në dorë, por të dy kanë qênë injoranta. Harrova me të thânë se Aqif Elbasani (kështu nënshkruhej) pat marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe emnuem prej këtij nji ndër katër regjentat e atëhershëm, ndërsa Ahmet Zogu qe emnuem ministër i mbrêndshëm. Ai ka qênë kundrështar i rreptë dhe i këtij.

Do të mundohem me t’a përgatitun nji listë bektashijsh patrijotë të vjetër me hetimet qi mund të bâj prej të tjerësh, se un vetë s’kam qênë bektashí e nuk mund të pohoj gjâ me të saktë.

Po të bâj nji kompliment pak si vonë për nënshkrimin t’ând : për drejtor banket e ke!

T’im bir, Bashkimin, m’a ka larguem puna e tij  për do kohë. Motrën e kam këtu e me gjithë tê të falemi me shëndet fort miqsisht.

MKruja

 

  1. S. Këtu, prej djalit, jam mâ i njohun si Merlika se si Kruja.

 

 

 

N.F., 18. IV. 1957

 

Post Scriptum hjekun rumbujq,*

Shênjet e pleqnisë natyrisht nuk munden me munguem n’askend! Kam harruem me të shtí në letër fotografinë e tash po më kujtohet prej shênjit * qi vûna mâ nalt se e kam nji edhe në letërt, lânë thatë. Pra po filloj me atê të letrës te fjala “vjeti” në letrën t’ânde. Kam shkruem mbi emnat e kohnavet e adverbet në të ndjyemin “Shpirti Shqiptar” të Namik Resulit. Në mos e paç këtë rivistë (katër numra gjithsej kanë dalë), atje kam thânë e po e përsris se, me sa dij un, n’asnji krahinë të Gegnisë e te asnji shkrimtar i hershëm kjo fjalë nuk âsht emën mashkulluer, por femnuer: vjetë, vjeta, dý vjet, tri vjet (njâjsi vjetë e shumsi vjet si ditë e dit, të jashtarregullt). Desha me t’a shënuem, mbasi e dij, se e shoh qi të ka ânda gjuhën e drejtë të popullit e jo atë të psevdoshkrimtaret.

* E ka Frangu i Bardhë: “remulcare= me hjekun rumbujq; remulcant navem – hjekën (për hjekin) rrumbujq (kështu: nji herë r-e nji herë rr-, e kjo e dyta âsht e çuditshme, se askund ngjetaj Bardhi s’ka rr-) barkën”. Thashë me këtê post scriptum “hjekun rumbujq” për arsye se letra âsht nisun para e këtë e la përmbrapa (se i u këput konopi).

M.K.

Dy nipërit e Ali Pashë Tepelenës në penelin e Luis Dupre – Nga Dr. Dorian Koçi

 

 Epoka e Pashallëkut të Janinës është epoka më mirë e dokumentuar në historinë e afërme të shqiptarëve. Ky dokumentacion nuk është vetëm arkivor por e gjejmë edhe në burime dytësore( kujtime, libra udhëtimesh)  por edhe në art( tablo , poema e muzikë). Në këtë drejtim përveçse interesit për administrimin politiko-ushtarak dhe  ekonomisë të Pashallëkut një rëndësi të veçantë paraqiste dhe gjeografia, ndërtimet, dhe imazhi i vetë Vezirit dhe familjes së tij.

Jeta personale dhe e pasardhësve të Ali Pashë Tepelenës pati një interesim të madh që në momentet kur Ali Pashë Tepelena sundonte në territorin e tij të gjerë të pashallëkut të vet. Interesimi i udhëtarëve të huaj, diplomatëve dhe piktorëve gjendet në shumë udhëpërshkrime e tablo të kohës. Për udhëtarët e diplomatët e huaj vizita në Pashallëkun e Janinës ishte një kontakt me Lindjen ndaj diskursi që zotëron në tekste është një diskurs orientalist dhe penelat në tablo janë penelata reflektive të konstrasteve të thella që reflektojnë dallimet midis Lindjese Perëndimit. Nga ana tjetër edhe Ali pasha Tepelena e kuptonte këtë interesim të madh të udhëtarëve e diplomatëve europianë  ndaj u përpoq që ta shfrytëzonte sa më mirë në interes të rritjes së imazhit të vet në Europë. Disa herë ai pozoi për tu pikturuar dhe lejoi që sarajet e tij të riprodhoheshin në gravura.  Imazhi orientalist i Aliut gërshetohet me imazhin që Aliu jepte për vetveten. Me kalimin e kohës, Aliu e njohu thellësisht këtë vizion orinetalist të personazhit të tij dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri për qëllimet e tij.[1] (Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman:Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003, Tiranë, fq 163)Janë të shumta tabotë dhe përshkrimet e këtyre momenteve por mes tyre një përshkrim dhe një tablo e Luis Dupre, piktorit francez tërheq vëmendjen sepse është një tablo dokument i paraqitjes fizike të e dy nipërve të Ali Pashë Tepelenës. Përshkrimi dhe tabloja janë botuar në librin Voyage à Athènes et à Constantinople, -Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë(1825) ku një pjesë të rëndësishme zë dhe udhëtimi i Dupre në Janinë e Butrint. Ashtu si dhe udhëtarët e tjerë ai ishte frymëzuar nga udhëtimet e Bajronit dhe Pouqeville dhe përkrimet e tyre  për Lindjen e Afërt dhe  Ballkanin. Tabloja paraqet dy nipërit e Ali Pashës, Mehmet dhe Ismail Beun, djemtë e Veli Pashës që në fakt ishin dhe të vetmit që mbijetuan pas ekzekutimeve mizore të anëtarëve të tjerë të familjes. Tabloja paraqet dy të rinj të veshur me një turban në kokë sipas stilit otoman , me rroba  popullore shqiptare, ku shquan fustanella, silahu , armët e lara me flori  dhe me peliçe të hedhur mbi supe. Pelicja tregon statusin e tyre aristokratik pasi ishte një dhuratë e shtrenjtë që zakonisht bëhej nga Sulltani drejt pashallarëve të tij. Vështrimi i tyre është i përqendruar dhe në përgjithësi të japin përshtypjen e dy djemve adoleshentë të pafajshëm dhe të kulturuar. Por a është i njëjtë imazhi që përcjellë tabloja me përshtypjen e drejtë për së drejtë të autorit?

Në librin e vet Dypre e përshkruan  takimin e parë me një nga nipërit, Ismail Beun në Butrint si një takim me një princ arrogant e mburravec.

…Pritej gjithashtu që bashkë me të, hipur në anijen angleze të vinte edhe Ismail Beu, nipi i Aliut. Fregara ishte zbukuruar plot flamuj që valëviteshin. Marinarët ishin ngjitur lart, mbi direkun e mesit të anijes dhe në kuvertë, duke tundur kapelet e tyre dhe duke përshëndetur mikun e ri plot xheste e zëra. Në të vërtetë ky spektakël kishte në dukje diçka impozante. Por a mund të ishte kënaqësi shpirtërore kur mendoje se kujt i bëheshin gjithë këto nderime. Krahas kujtimit të lavdisë së antikitetit grek, fuqia e parë detare e botës dhe një nga pararojat e qytetërimit, manifestonte respekt e miqësi për familjen e një prijësi dikur bandit, që çudia e fatit, pasuria dhe nënshtrimi i grekëve e kishin sjellë në fronin e dikurshëm të Piros. Për shumë kohë, festat, ballot, banketet reciproke të dhëna nga Ali Pashai dhe Komisari Britanik mbushnin plot qejfe jetën e këtyre dy personazheve të rëndësishëm, të cilët ishin jashtë kontrollit të qeverive të tyre. Midis këtyre festimeve, ata folën fshehurazi e në mënyrë të turpshme për dhënien e Pargës, duke bërë pazar me rrënojat e asaj strehe të fundit të lirisë greke që po jepte shpirt.

Ismail Beu edhe pse po mbushte 12 vjeç, duke iu bashkuar tashmë botës hijerëndë turke me vlerësimin e lartë që i bënte vetes, çka karakterizon muslimanin, nuk i hidhte as vështrimin më të vogël shikimeve tona. Ai u tregua shumë indifferent gjatë gjithë demostrimit festiv dhe përgatitjes së festës. Kur dikush i tha se një pritje e tillë te ne i bëhej veçse një personaliteti mbretëror, vetëm atëhere ky princ, që një ditë shpresonte të bëhej pasha, dënjoi të shfaqë një buzëqeshje në buzët e tij, duke falënderuar me xhestin dinjitoz të një sulltani. Meqenëse e kishin hipur mbi një stol që të shikonte më mirë fregatën, ai bëri shenjë ti afrohej një i moshuar që më thanë se ishte mbajtësi i vulës së pashait. Ngadalë ai mbështeti bërrylin tek ky fisnik i madh, fytyra e të cilit u mbulua nga tymi që ngrihej prej pipës së beut të ri. Si një spektator i thjeshtë i kësaj skene s’dija çfarë të admiroja më shumë, lehtësinë me të cilën krenaria angleze shfaqej në këtë lloj komedie apo fytyrën hijerëndë të një fëmije që gjithë ky pushtet e shkëlqim nuk mundën ta shqetësonin as edhe  një çast. Figura e palëvizur e një ministri që i shërbente Princit si një vend për të mbështetur pipën e tij të gjatë, ishte padyshim diçka tepër kureshtare edhe pse ndoshta kjo hynte në zakonet e këtij kombi ku çdo gjë që nuk është sovrane, është skllave.

Nipi i Ali Pashës u shoqërua me të njëjtin ceremonial gjer poshtë shkallares së fregatës. Pastaj hipi sërsh në barkë dhe mori drejtimin e Butrintit, ku ne nuk vonuam ta ndjekim nga pas. Butrinti apo Buthrotum i lashtë, kryeqyteti i dikurshëm i Kaonisë, të ofron veç rrënoja që asnjëherë nuk janë bërë të njohura, si në kohërat e lumtura të Greqisë. Por padyshim, një ditë, nën një regjim më pak barbar, do të shohim se ato do të zbulohen me sukses dhe thesaret arkeologjike do të dalin nga ajo errësirë që i mbulon prej shekujsh…[2] (Louis Dupre, Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë, Bota Shqiptare, Tiranë 2019, faqe 52-55)

Mirëpo duket se jo të gjithë udhëtarët e huaj kanë qenë të një mendjeje për përshkrimin e karakterit të nipërve të Ali pashë Tepelenës. Udhëtarët britanikë Lord Byron dhe Hobhouse i takuan njërin prej tyre, djalin e Myftar Pashës në 1809 në galeritë e Pallatit të Janinës. Ja si e përshkruan J.K.Hobhause-i, në letrën e tij të gjashtë vizitat që i kënaqnin dhe zbavitnin udhëtimin.Ditën e dytë të qendrimit në Janinë, i bënë një vizitë fëmijës se vogël dhjetëvjeçar, djalit të madh të Aliut, Myftar Pashës. I sollën kafenë dhe sherbetin dhe i shprehën dëshirën që të vizitonte edhe pallatin, ku ai rrinte. Beu i vogël do t u tregonte gjithçka, duke filluar që nga dhomat , ku hynte i pari dhe dilte i fundit, gjë që përbënte pjesë të edukatës së tij për mikpritësit… Beu i vogël ishte tepër i gëzuar që na rrëfenet pallatin e babait të tij. Ajo që binte në sy ishte se kudo i bënin temena…Kur na tregoi orën e vet dhe nja dy a tri zbukurime të tjera, unë i zgjata dorën që të prekja një kutizë të vogël argjendi në formë zemre, që kish varur në qafë. Ai bëri Jo! Mendova se ishte ndonjë hajmali, ose ndonjë send magjie. Kujdestari nxitoi të mërmëriste ca fjalë religjioze si shenjë edukate për nxënësin e vet. Beu fliste shqip dhe greqisht dhe tani po mësonte të lexonte turqisht dhe arabisht. Morëm leje dhe djaloshi ishte i kënaqur nga ky ceremonial, që u bë kur hymë ndër dhoma…[3]

Në të dy përshkrimet e nipërve të Ali Pashë Tepelenës identifikohen lehtë toni orientalist dhe paragjykimi ndaj kulturës së Tjetrit. Tokat e Aliuti tërhiqnin udhëtarët evropianë jo thjesht se ishin territoret osmane më të afërta. Aty gjendeshin disa nga qendrat klasike greke më të njohura për letrat europiane dhe imagjinatën filozofike. Në rajonin e qeverisur nga Aliu ndodheshin qendrat e famshme të periudhës klasike, si Orakulli i Dodonës dhe Mali Olimp. Vizitorëve të shumtë Janina u interesonte jo dhe aq si kryeqyteti i Aliut , por, çka ishte më e rëndësishme , si qyteti më i begatë i bërthamës së territoreve të Greqisë klasike.Ali, pra shikohej më shumë në kontekstin  e Epirit klasik sesa në atë të Perandorisë Osmane[4] Për Luis Dupre , Butrinti paraqet pikërisht një interes të tillë ndaj kulturës klasike greke duke harruar p.sh që atë që ai e quante si një regjim barbar jo shumë kohë më parë kishte ndihmuar në gjetjen e rrënojave të Nikopolisit të lashtë pranë Prevezës. Në këtë kontekst Dupre e konsideron Ali Pashën si  një uzurpues të fronit të Pirros dhe jo si një përfaqësues i elitës shqiptare drejtuese  të Epirit që kish që nga shekulli i XIV që e kishte gjetur veten në krye të piramidës së pushtetit.

Gjithësesi dokumentimi dhe portretizimi i dy nipërve të Ali Pashë Tepelenës është një tablo historike e rëndësisë së veçantë pasi në kulturën tonë ka mungesa të portreteve të figurave historike edhe më të vonshme. Kjo tablo ndihmon për të plotësuar historinë e rajonit pasi figura e Ali Pashë Tepelenës nuk përfaqëson vetëm figurën e një princi lokal shqiptar por ajo shihet si njw figurë-mozaik i një tërësie çështjesh sociale, kulturore dhe diplomatike që karakterizuan marrëdhëniet e Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë, Perandorisë Otomane e Shqipërisë e Greqisë që po rilindnin në fillimin e shekullit të XIX.

Bibliografi:

  • Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman:Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003
  • John C. Hobhouse. Letra nga Shqipëria. Tiranë : Toena, 2001.
  • Louis Dupre, Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë, Bota Shqiptare, Tiranë 2019

[1] Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman:Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003, Tiranë, fq 163

[2] Louis Dupre, Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë, Bota Shqiptare, Tiranë 2019, faqe 52-55.

[3] John C. Hobhouse. Letra nga Shqipëria. Tiranë : Toena, 2001. Letra e gjashtë.

[4] Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman:Diplomacia dhe oruientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003, Tiranë, fq 203

“Në kufi bëheshin vrasje, në burgje tortura”, Helena Kadare rrëfen takimin sekret të Ismailit më ’90 me djaloshin shkodran

Fatmira Nikolli

Pasi kishin bërë ta pamundurën të gjenin dinamit pa ia dalë dot, pasi kishin tentuar të rrëzonin bustin pa ia dalë dot, 10 të rinjtë shkodranë po vuanin dënimin në burgje, ndërsa Shqipërinë e kishte përpirë më një anë nevoja për liri, e më anën tjetër ‘frika’ e sindromës rumune. A do të ekzekutoheshin edhe në Shqipëri komunistët si Çausheski?

Atmosfera e 30 viteve më parë, ndërsa Dedë Krasniqi, Rini Monajka Nikolin Margjini, Gjergj Livadhi, Flamur Begu, Kolec Hublina, Tonin Dema, Nikolin Thana, Aldo Perizi dhe Klaudio Daka vuanin torturat në burgje, përshkruhet nga Helena Kadare në librin e saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”. Ajo shkruan se “Në Tiranë qarkullonin gjithfarë fjalësh. Midis tyre dalloheshin ato që përhapte Sigurimi, shumica e të cilave ishin kërcënime të tërthorta. Tmerri i asaj që kishte ndodhur në Rumani ndihej kudo. Në Shkodër ishte bërë një përpjekje për të rrëzuar bustin e Stalinit”.

Njëherësh ajo tregon edhe një takim me një prej organizatorëve të protestës, të riun Ardian Ndreca që në emër të shkodranëve të tjerë, i kërkon takim Ismail Kadaresë. Shkrimtari do t’i përgjigjej me një telegram se do t’i priste. Më poshtë kujtimet mbi 30 vite më parë.

RRËFIMI I HELENA
KADARESË
Natën e Krishtlindjeve ishim ftuar te Lic Barnier dhe Liri Begeja regjisorja e versionit francez të “Prillit të thyer”, por kaq shumë ishim të hutuar pas lajmeve rumune, saqë mbërritëm tek ata me një vonesë skandaloze.

Viti 1990 hyri gjithë nervozizëm. Në Tiranë qarkullonin gjithfarë fjalësh. Midis tyre dalloheshin ato që përhapte Sigurimi, shumica e të cilave ishin kërcënime të tërthorta. Tmerri i asaj që kishte ndodhur në Rumani ndihej kudo. Në Shkodër ishte bërë një përpjekje për të rrëzuar bustin e Stalinit. Pas kësaj, një grup të rinjsh shkodranë i çuan fjalë IS se donin të takoheshin me të. Ishin shokët e atyre që ishin arrestuar për shkak të bustit dhe tani po i torturonin në dhomat e policisë. Is iu përgjigj me një telegram se do t’i priste. Kështu erdhi në shtëpinë tonë i dërguari i tyre, një djalë fare i ri, i brishtë, me një vështrim të kthjellët, ku i lexohej një vendosmëri e pakthyeshme për të bërë diçka të fortë, edhe pse, nga sa më tregoi IS më pas, nuk e kishin të qartë se çfarë pikërisht duhej të bënin. Djaloshi shkodran quhej Ardian Ndreca. Për mua ishte hera e parë që po shikoja kundërshtarë të regjimi të brezit ku bënin pjesë vajzat tona.

Në shënimet e tij të botuara, kur ka qenë fjala për përjetimet e vitit 1990, Is nuk e ka përmendur asnjëherë këtë takim. Ashtu siç nuk ka përmendur njerëzit që ka liruar nga burgu ose internimi, ose jehonën e intervistës ku, duke kërkuar vendosjen e bustit të Gjon Buzukut, përpara Akademisë së Shkencave, kërkonte praktikisht heqjen e bustit të Stalinit, që ndodhej pikërisht te hyrja e Akademisë.

Arsyeja e mospërmendjes së këtyre fakteve, ishte trysnia që u bë e zakonshme në Shqipëri fill pas rënies së komunizmit.. po të flisje për gjëra të tilla, me dhjetëra njerëz të hidheshin në fyt: pse i përmend këto? Mos do të hiqesh si hero?

Trysnia bëhej sidomos nga njerëz që duke mos bërë asgjë për të ndihmuar sadopak zhvillimin e ngjarjeve nuk donin të përmendeshin shembujt që tregonin të kundërtën.
Ndoshta as unë nuk do ta përmendja ardhjen e të dërguarit të të rinjve antistalinistë shkodrane te ne, sikur Ardian Ndreca, kryeredaktor i tanishëm i Hyllit të Dritës, të mos e përmendte atë vite me pas, në një forum në Tiranë, bashkë me falënderimin publik ndaj IS.

Gjatë asaj periudhe, IS pati dy takime me presidentin e vendit, Ramiz Alinë. Të dyja herët vinte me shpresë, pastaj, pas disa ditësh bëhej nervoz. Loja hiporkite e regjimit sa vinte e bëhej më e qartë. Reformat ekonomike vazhdonin me pikatore, ai vendimi për lejimin e mbajtjes së dy qengjave, që, siç më tha Is ishte hartuar me rreth njëzet e dy faqe. E po kështu, lejimin e një lope. E po kështu, për lejimin e ca pulave e ca gjelave… Qesharake! Is thoshte se kjo punë ngjante njëlloj sikur të nxirreshin vendime për ajrosjen e shtëpive, apo orarin e fjetjes, sipas qejfit të secilit. Më e rënda nga këto ishte terrori politik, që ushtrohej po aq i egër sa më parë. Në kufi bëheshin vrasje, në burgje torturat vazhdonin./GSH.al