VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Richard Grenell zhvillon takimet në Kosovë

By | October 9, 2019

Komentet

Haradinaj thirrje Kurtit: Hiqe taksën për njohje reciproke, e jo për t’u rikthyer në dialog

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar sërish kryeministrit Albin Kurti, lidhur me taksën 100% për mallrat të cilat vijnë nga Serbia.

Haradinaj i ka bërë thirrje të mos e heqë taksën e të kthehet në procesin e dialogut që sipas tij tashmë është konsumuar, por ai ka kërkuar nga Kurti të largojë taksën për kontratën finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

“Albin, ke ofertu heqjen e taksës, e po të ofrohet kthim në procesin dialogues, tashmë të konsumuar e kompromentuar. Mos e heq taksën për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar, por oferto për kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj ka thënë se Kosova i ka dakorduar tri të drejta: Asociacionin në bazë të Kushtetutës, të drejta të zgjeruara për komunitetin serb sipas orientimit të Planit të Ahtisarit, dhe status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe sipas Projektligjit për Liritë Fetare.

“Oferto heqjen e taksës për Kontratën Finale për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e komprometuar”, vijon shkrimi i tij.

Haradinaj në fund të shkrimit ka porositur Kurtin se nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta ketë përkrahjen e tij dhe të Aleancës, por nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, ai ka pohuar se do e mbajnë përgjegjës Kurtin për pasojat.

Kriza e ujit të pijshëm – Borxhet e konsumatorëve arrijnë në 47 milionë euro

Liqeni i Përlepnicës
Ariana Kasapolli – Selani

Mungesa e reshjeve atmosferike, për disa rajone të Kosovës si Prishtina me rrethinë dhe Gjilani, nga organet kompetente, po paralajmërohet se do të sjellë si pasojë mungesën e ujit të pijshëm.

Krahas shterjes së burimeve të ujit të pijshëm, një problem tjetër që e bën gjendjen edhe më të rëndë, konsiderohet të jetë mospagesa e borxheve nga qytetarët për ujin që konsumojnë.

Vetëm qytetarët e Prishtinës me vendbanimet përreth, i kanë borxh Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, rreth 47 milionë euro.

Borxhi i grumbulluar, sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Ilir Abdullahu, ka bërë që të mendojnë për ç’kyçje të konsumatorëve nga rrjeti i furnizimit me ujë, ndonëse ende nuk ka një vendim të prerë.

Ndonëse rezervat e ujit, sipas ujësjellësit po zvogëlohen, aktualisht qytetarët e Prishtinës me rrethinë furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.

Labinot Rexha, një qytetar i Prishtinës, i cili jeton në një banesë kolektive me katër anëtarë të tjerë të familjes, tha se nuk është pagues i rregullt i ujit. Ai tregon arsyet pse nuk e paguan ujin të cilin e shpenzon.

“Të gjithë e dimë që pa ujë s’ka jetë, por unë nuk e paguaj për arsye se asnjëherë, pra asnjë muaj, nuk më vjen çmimi i njëjtë. Kam qenë në kompaninë e Ujësjellësit ‘Prishtina’ dhe më kanë thënë se duhet ta montojë një orë vetëm për vete, në mënyrë që të dihet saktë se sa shpenzoj”, tha ai.

“Atë (orën e ujit) duhet ta paguaj unë vet, kushton diku rreth 50 euro dhe nuk po kam mundësi, pasi jetojmë vetëm me një pagë, e jemi pesë anëtarë të familjes. Pra, unë nuk mund ta paguaj ujin, aq sa nuk shpenzoj. Ka raste kur për një muaj më vjen fatura deri në 30 euro. Kjo është e papërballueshme, por është edhe paushall, pra nuk është matje reale sepse unë nuk jam kompani apo autolarje të shpenzoj aq shumë ujë”, tha ai.

Në anën tjetër, kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, konfirmon se po përballet me vështirësi, pasi niveli i ujit në liqenet akumuluese, atij të Batllavës dhe Badovcit prej nga furnizohen më shumë se 140 mijë qytetarë me ujë të pijes, ka rënë minus dhjetë metra, si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike.

Kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësit, Ilir Abdullahu thotë për Radion Evropa e Lirë se kur reshjet mungojnë, niveli i ujit bie pasi që liqenet e Batllavës dhe Badovcit janë rezervuarë apo liqene artificiale, që janë të ndërtuar në pellgje dhe varen nga akumulimi i reshjeve të shiut dhe borës.

“Aktualisht jemi minus 10.5 metra me mungesë uji në liqenin e Batllavës dhe 10.3 metra minus në liqenin e Badovcit. Kjo i bie që 70 për qind të rezervave, kanë ikur, në akumulim total. Kjo ka ardhur në këtë kohë kur po ballafaqohemi me mungesë të reshjeve atmosferike”, tha Abdullahu.

Letafete Latifi, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, tha se ndonëse parashihet që gjatë kësaj jave të ketë reshje shiu, kjo do të ndikojë shumë pak në përmirësimin e gjendjes aktuale sa i përket kompensimit të ujit tashmë të humbur në liqenet artificiale.

“Nga dita e enjte do të kemi ndryshime të motit dhe kushte meteorologjike për reshje shiu në zonat urbane, derisa në zonat malore do të ketë reshje bore. Deficiti i krijuar i ujërave në liqene akumuluese, nuk pritet që me këto reshje të krijojnë në gjendje më të mirë, pasi ka me qenë minor. Kjo pasi jemi në një situatë me deficit shumë të madh të ujërave. Situata nuk do të përmirësohet, pasi reshjet do duhej të jenë për kohë më të gjatë, në mënyrë që të përmirësohet”, tha Latifi.

Ajo shton se vitin e kaluar, në periudhën e njëjtë, vendi ka qenë në të njëjtën pozitë, kur liqenet kishin rënë nën nivel nga mungesa e reshjeve. Mirëpo, gjendja kishte ndryshuar në muajt në vijim.

“Vitin e kaluar nga 19 prilli deri më 9 maj, është arritur kuota maksimale e akumulacionit nëpër liqene, pasi që ka pasur reshje të vazhdueshme. Për shkak të reshjeve në këta muaj ka pasur kuotë maksimale të mbushjes së liqeneve”, tha Latifi.

Edhe në Shoqatën e ujësjellësve të Kosovës, pohojnë se mungesa e reshjeve atmosferike, ka ndikuar në zvogëlimin e sasisë së ujit në nivel vendi, por gjendje më e rëndë gjatë janarit ishte paraqitur në Komunën e Gjilanit.

Komuna e Gjilanit që nga mesi i vitit të kaluar është ballafaquar me mungesë të madhe të rezervave të ujit.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave. Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batallava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë.

Qalaj: Më shumë se 100 policë kanë probleme serioze shëndetësore

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se më shumë se 100 policë kanë probleme serioze shëndetësore, dhe se ata janë duke marrë trajtim adekuat shëndetësor.

Sipas tij, sëmundjet më të cilat përballen policët janë të natyrave të ndryshme duke përfshirë edhe sëmundjet psikike.

“Ne kemi mjaft kolegë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, nga sëmundje të rënda duke përfshirë edhe disa kolegë që vuajnë nga sëmundje psikike. Të gjithë janë duke u trajtuar në aspektin mjekësor”, tha Qalaj.

Qalaj tha se për rastet në të cilat zyrtarët policorë kanë probleme të tilla shëndetësore, parashihen edhe masat siç është ri-sistemimi në pozita tjera të punës.

“Shumica prej tyre punojnë me detyra të lehtësuara, pa armë, pa pajisje, mirëpo për shkak të moseksiztimit të ligjeve adekuate ne duhet t’i mbajmë ata në punë dhe maksimalisht bëjmë përpjekje që t’i sistemojmë aty ku ata mund të kryejnë ndonjë punë dhe ta ndjejnë veten se janë pjesë e sistemit”, deklaroi Qalaj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, i bëri këto komente në Gjilan, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
I pyetur për rastin e së martës ku një zyrtare policore dyshohet se vrau me armën e saj zyrtare nënën, babanë dhe dy vëllezërit e më pas edhe veten, Qalaj, refuzoi që të jep detaje, duke thënë se rasti është nën hetim dhe se të gjitha detajet do të zbardhen nga prokuroria.

Në orët e vona të së martës, Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e katër punonjësve të Policisë së Kosovës duke përfshirë edhe komandantin e stacionit policor, zëvendëskomandantin policor dhe shefin e operativës së stacionit policor në Gjilan.
Si ndodhi incidenti në Gjilan?

Më 18 shkurt, një zyrtare e Policisë së Kosovës në Gjilan ka vrarë katër anëtarë të familjes së saj dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar përmes një komunikate se policja, me inicialet V.B., “me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa pastaj ka kryer vetëvrasje”.

Nënkoloneli, Remzi Azemi, dhe prokurori i rastit Arben Kadriu, kanë konfirmuar se vrasja nga policja, ka ndodhur me armë zyrtare.

“Ishte zyrtare policore aktive dhe dyshohet se ka përdorur armën zyrtare”, ka thënë zoti Kadriu, duke tërhequr vërejtjen se hetimet janë në fazën fillestare. rel

Cakaj: Shqipëria e gatshme të nisë zhbërjen e kufirit me Kosovën

Shqipëria është e gatshme të zhbëjë kufirin me Kosovën, ka deklaruar sot në Prishtinë, ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Këto komente ai i bëri gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit, i kishte propozuar qeverisë së Shqipërisë që së bashku ta heqin kufirin me Kosovën.

“Do të ishte mrekulli që viti 2020 të fillojë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, për çka e ftoj mikun tim kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama që të marrë këtë vendim”, pati deklaruar Thaçi në një konferencë për media në fund të dhjetorit të vitit, 2019.

Përgjigja nga Shqipëria, atij i erdhi përmes ministrit Cakaj i cili tha se edhe Tirana zyrtare pajtohet që kufiri të zhbëhet.

“Jemi të gatshëm të nisim punën për zhbërjen e kufirit. Duhet të jetë më shumë çështje e hapave teknik, sesa e diskutimeve politike”, tha Cakaj.

Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova kanë bashkëpunim në shumë fusha, por ai bashkëpunim, sipas tij, duhet të jetë maksimal.

Një angazhim të veçantë në politikën e tij të Jashtme, Cakaj tha se ia kushton edhe vendosjes së ambasadave të përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ministri Caka, i cili është nga Kosova, i ka dhënë një shpirt të ri të afirmimit të shtetit të Kosovës në botë.

“Edhe tash ku po fillojmë me një fazë të re të zhvillimit ekonomik dhe perspektivës euroatlantike qe në fokus në Bashkimin Evropian dhe me fokus në Integrimet Evropiane”, tha Thaçi.

Gjatë kësaj vizite, ministri Cakaj ka në agjendë edhe takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca.

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar 77 marrëveshje, por të cilat, në masë të madhe nuk kanë gjetur zbatim.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ende vazhdojnë të paraqiten barriera.

“Pas Serbisë, Shqipëria mbetet vendi me më së shumti barriera jo-tarifore për produktet nga Kosova. Produkte të caktuara kosovare më lehte eksportohen në Skandinavi sesa në Shqipëri. Niveli i këmbimeve tregtare mes dy vendeve, është jo më shumë se këmbimet mes dy kompanive mesatare evropiane”, ka shkruar Rukiqi.

Kosova dhe Shqipëria i kanë filluar takimet e përbashkëta në nivel të qeverive që nga viti 2014.

Deri tani janë mbajtur pesë takime të përbashkëta. Sa u përket marrëveshjeve, është thënë se qëllimi i tyre është një qeverisje e përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.

Por, përtej këtij zotimi, përplasjet në mes dy qeverive kanë filluar pas qëndrimeve të kundërta rreth projektit të quajtur, “Mini-Shengeni” ballkanik. Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkretisht Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, pa Kosovën, kanë nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Të gjitha takimet e deritashme, i kishte refuzuar Kosova./ rel

HOMAZHE TE VARRI I PRESIDENTIT RUGOVA: KURTI SHKON, THAÇI HARRON?! – Nga BINAK MAXHARRAJ

/Beri homazhe kryeministri Albin Kurti por jo edhe Presidenti Hashim Thaçi/

Sot në në vitin e 12 të pavarëisisë së Kosovës si zakonishtë behen ndërime te varri i Presidentit Ibrahim Rugova.

Sot ishte kënaqesi të shihej ndërimi qe i beri Presidentit Rugova Kryeministri Albin Kurti që veç para një viti askush nuk do ta paramendonte.

Askush nuk e detyroi Kryeministrin qe ta bejë një gjë te këtillë ai vendosi vetë sepse gjërat kanë ndyshu është burr shteti dhe e ka pa te arsyeshëm ta nderoi ideatorin e pavaresisë se Kosovës bash në këtë ditë të pavarësisë.

Albin Kurti nuk shkojë te bëjë nderime të varri i Presidentit Rugova sespe kishte nevojë për vota.Jo atij votat ia kishte dhanë populli edhe pa shkuar te varri.Shkojë atje thjeshtë për një ndërim te cilit i takonte të bënte si kryeministër i vendit.

Por,sot në ditën e pavaresisë së Kosovës nuk u pa te këtë shkuar të varri i presidentit Rugova edhe Presidenti Hashim Thaçi.Ndoshta ka harru,apo ndoshta nuk ka pasë nevojë,sepse ai atje shkonte jo nga deshira por nga zori, për vota.

Apo ndoshta Presidenti Hashim Thaçi nuk shkojë sot ti bënë nderime Presidentit Ibrahim Rugova nga gjelozia së atje ishte pare të bente homazhe Kryeministri Albin Kurti.

Kosovë, përfaqësuesit politikë diskutojnë për dialogun me Serbinë

Prishtinë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezë të diskutimit me temë “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në panel të diskutimit kanë marrë pjesë përfaqësues të subjekteve politike ku kanë diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend pas formimit të qeverisë së re, përfshirjen e SHBA-ve në proces, angazhimin e proklamuar nga Bashkimi Evropian (BE), lehtësimin e procesit të normalizimit, si dhe mundësinë e zëvendësimit të tarifës 100 për qind me reciprocitet ndaj Serbisë.

Pjesëtarë të ekzekutivit në këtë tryezë thanë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti është e përgatitur ndaj sfidave që sjell dialogu me Serbinë, pas heqjes së taksës dhe vendosjes së reciprocitetit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, tha se qeverisja aktuale “pas stërzgjatjes së dialogut me Serbinë, do t’i qaset me seriozitet këtij procesi, duke eleminiuar diskutimin për kufijtë e Kosovës”. Abrashi theksoi atë që kryeministri Kurti e ka thënë para disa ditësh, që taksa do të zëvendësohet me reciprocitetin ekonomik e politik ndaj Serbisë.

“Natyrisht se ne besojmë në marrëveshje dhe ky është edhe synimi, por jo pa dialoguar dhe pa shqyrtar secilën rrethanë dhe secilën situatë, me seriozitetin dhe përgatitjen më të madhe. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk besoj se problemet e komplikuara bëhen me zgjidhje të thjeshta, të menjëhershme ose të përshpejtuara, sepse kjo mund ta komplikojë edhe më shumë tërë procesin. Prandaj, fillmisht palët duhet të ulen në tavolinë, duhet t’i diskutojmë një nga një për detajet. Por ajo që na takon neve është që kërkesat dhe interesat e Kosovës janë të panegociueshme”, tha Abrashi.

Abrashi shtoi se në dialogun dhe marrëveshjen me Serbinë nuk do të ketë harta.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se pasojat e tarifës kanë qenë të mëdha, ndërsa tani tha se heqja e saj do të mundësojë rifillimin e negociatave me Serbinë.

“Po shqyrtojmë mundësinë t’ia bëjmë një kërkesë të drejtpërdrejtë bashkësisë ndërkombëtare. Për t’i dhënë shansë bashkësisë ndërkombëtare që të fasilitoj dialogun e Kosovës me Serbinë. Në anën tjetër ne kemi deklaruar reciprocitetin i cili do të vendoset, por, do të vendoset ashtu që të mos pengojë sërish bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare në veçanti nga SHBA-të”, tha Gashi.

Përfaqësues opozitarë në këtë tryezë deklaruan se LVV-ja dhe LDK-ja “nuk e kanë të qartë se çka nënkupton reciprociteti”.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, tha se reciprociteti është një shmangie për opinionin publik, derisa kërkoj që në dialog të shkohet për njohje reciproke.

“Përderisa nuk ka njohje reciproke nuk do të ketë funksionim të reciprocitetit. Më shumë është një shmangie e përgjegjësisë para opinionit publik në Kosovë. Taksa nuk i është vendosur miqve tanë, në këtë rast aleatëve tanë amerikanë dhe evropianë, por taksa i është vendosur Serbisë. Dhe, arsyeshmëria pse është vendosur ajo taksë është e qartë, sepse Serbia para tri vjetësh ka qenë tepër agresive kur Kosova ka qenë kandidate për anëtarësim në UNESCO dhe sidomos rreth anëtarësimit në INTERPOL”, theksoi Haradinaj.

Haxhi Shala nga grupi parlamentar i NISMA-s paralajmëroj se heqja e tarifës është goditje për Kosovën, derisa kërkoi dokumente të qarta nga dy partitë politike përgjegjëse për fillimin e dialogut.

Javën e kaluar në Konferencën për Siguri në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmendi tri parime bazë për një dialog të suksesshëm mes dy vendeve. Ai tha se nuk mund të ketë “marrëveshje pa dialog, nuk mund të ketë dialog me harta dhe nuk mund të ketë dialog me presidentë rreth hartave”.

Serwer: Kurti me të drejtë po e kërkon reciprocitetin me Serbinë

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit Perëndimor, siç raporton Zëri i Amerikës (edicioni në gjuhën serbe) në 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka thënë se nuk ka shumë vende të cilat kanë arritur më shumë gjatë 12 viteve të ekzistimit të tyre.

“Kryeministri Kurti e ka sqaruar se do të kërkojë që marrëdhëniet me Serbinë të bazohen në reciprocitet. Unë nuk jam i sigurt që Beogradi është i gatshëm për këtë, megjithëse mendoj se Kurti me të drejtë e kërkon këtë. Nuk pres ndonjë lëvizje në marrëdhëniet mes dy palëve deri në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të prillit në Serbi “, tha Daniel Serwer.

I pyetur nëse ky është viti në të cilin Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, Interpolit dhe UNESCO-s, Serveri tha se kjo është e paqartë duke pasur parasysh kundërshtimin e Serbisë dhe Rusisë.

“Çështja e anëtarësimit në Interpol dhe UNESCO mund të zgjidhet brenda një ore – nëse Serbia bie dakord. Unë mendoj se ajo duhet ta bëjë një gjë të tillë. Kur bëhet fjalë për Kombet e Bashkuara, është një çështje shumë më e vështirë, sepse, përveç Beogradit, Moska do të përpiqet ta materializojë shtrenjtë nga Uashingtoni. Gjë të cilën Uashingtoni nuk do të dëshirojë ta bëjë “, tha Serwer.

Me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Server tha se nuk ka shumë vende që kanë arritur më shumë gjatë 12 viteve të ekzistencës së tyre.

Duke treguar se për asnjë shtet nuk mund të thuhet se është plotësisht stabil, Serveri potencon se së fundmi në Kosovë është formuar një qeveri e re demokratike.

“Media në Kosovë kryesisht janë të lira. Gjykata Kushtetuese po demonstron vazhdimisht pavarësi krahasuar me degët e tjera të pushtetit. Sektori civil është zhvilluar, si edhe opozita. Ka pasur rritje në sferën ekonomike – duke pasur parasysh përparimin e ngadaltë në zonën e Bashkimit Evropian”, tha eksperti amerikan për Ballkanin.

Serwer përmend korrupsionin si një nga problemet më të mëdha në Kosovën bashkëkohore, me të cilin, siç thotë ai, po përballen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Vjosa Osmani thyen tabunë, është zyrtarja e parë e LDK-së që e nderon Adem Demaçin

Vjosa Osmani, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që aktualisht mban postin e kryeparlamentares, pikërisht në ditën kur Albin Kurti u përkul para varrit të Ibrahim Rugovës, bëri të njëjtën gjë te varri i Adem Demaçit. Demaçi, që nga shumëkush konsiderohet si njëri nga veprimtarët simbol të rezistencës ndaj Serbisë, ishte kundërshtar i rreptë i LDK’së dhe Ibrahim Rugovës. Kjo është edhe arsyeja që zyrtarë të kësaj partie nuk tejkaluan hidhërimin dhe nuk iu bashkuan Osmanit për t’i bërë homazhe, shkruan Gazeta Express.

GAZETA EXPRESS

Pak metra larg njëri – tjetrit prehen në varrezat e Velanisë, ish-presidenti historik Ibrahim Rugova dhe veprimtari më i njohur i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Dy nga figurat më të popullarizuara të Kosovës të kohëve moderne, sa ishin gjallë marrëdhëniet i kishin të këqija. Fillimisht Demaçi, pas daljes nga burgu e kishte mbështetur Rugovën, por më vonë teksa Rugovës po i bëheshin shumë vite pa rezultate në politikën paqësore, ai kishte filluar ta kritikonte ashpër. Natyrisht, Rugova në stilin e tij, nuk ia kishte kthyer kurrë Demaçit.

Qëndrimi i Demaçit, duket se kishte afektuar asokohe edhe studentin Albin Kurti, që në vitin 1998 u bë sekretar në zyrën e UÇK-së. Kjo zyrë në mes të Prishtinës drejtohej pikërisht nga Adem Demaçi, “punëdhënësi” i Kurtit.

Edhe pse Rugova s’merrej me Demaçin, ishte Lidhja Demokratike e Kosovës ajo që kurrë nuk ia kishte falur Adem Demaçit qëndrimin ndaj Rugovës. Disa vjet para vdekjes një mik i ngushtë dhe mbështetës i Rugovës akademiku Mark Krasniqi që ishte i afërt edhe me LDK’në, kishte goditur rëndë Demaçin pasi ky i fundit vazhdonte ta kritikonte ish-presidentin edhe pas vdekjes.

“Adem Demaçi do të bënte mirë për vetveten sikur të vdiste atë ditë kur është dalë prej burgut se tash është njeri tjetër se çka kem mendu na sa ka qenë në burg…” kishte thënë Krasniqi në një intervistë në vitin 2013.

Hidhërimin LDK e kishte çuar deri në fund. Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte bojkotuar edhe varrimin e Demaçit kur ky vdiq në vitin 2018, derisa për këtë veprim LDK-ja pavarësisht kritikave, nuk kishin dal me sqarim.

Sot gjatë ditës ndërkaq, para varrit të Rugovës në Velani kanë bërë homazhe shumë prej zyrtarëve të LDK-së, anëtarë të kryesisë e ministra, mirëpo, të njëjtit nuk shkuan te varri i Demaçit.

Derisa Kurti me Osmanin po bënin homazhe në Velani te varri i Demaçit, të pranishëm më ta nuk ishte asnjë nga ministrat e Lidhjes Demokratike, pos ata të komuniteteve dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por Kryeparlamentarja Osmani nuk hezitoi t’i konfirmojë meritat që tashmë janë rezervuar nga shqiptarët për Demaçin.

“Ne sot nderojmë edhe Adem Demaçin një për veprimtarëve simbol të çështjesh shqiptare që luftoi okupimin dhe regjimin serb. Ai dëshmoi se si liria individuale sakrifikohet në të mirë të lirisë kolektive. Vendosi lirinë e popullit para çdo lirie dhe interesi tjetër”, tha sot Osmani pas homazheve.

12 vjet njohje ndërkombëtare, 12 vjet izolim! – Nga Florim Zeqa

Edhe pse me qeveri të re, Republika e Kosovës 12 vjetorin e njohjes ndërkombëtare është duke e pritur më e katandisur si asnjëherë më parë; me fusnotë*, me pozicion inferior dhe me status të hapur në arenën ndërkombëtare, me tkurrje njohjesh, mes takses 100 % dhe reciprocitetit me Serbinë, mes idesë së korrigjimit dhe ndryshimit të kufijve, mes minishëngenit ballkanik dhe makroshëngenit kombëtar.
Pas rihapjes së statusit të Kosovës, jo vëtëm që më nuk po bëhet më fjalë për njohje të reja, sfiduese për qeverinë e re mbetët mbrojtja e 17 shkurtit 2008-të, gjegjësisht mbrojtja e njohjeve ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit kundrejt invazionit politik të Serbisë.
Si rezultat i personalitetit të dyfisht të liderëve shtetëror, që 12 vjet Kosova vendnumëron dhe rrotullohet rreth boshtit të ri-shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008-të, duke i kaluar 12 vite izolim me njohje ndërkombëtare, pa mirëqënje qytetare dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.
Rihapja e statusit të Kosovës në dialogun e Brukselit, Kosovës i kushtoj me tërheqjën e 18 njohjeve ndërkombëtare.

17 shkurti 2008, akt i njohjes formale të shtetit të Kosovës

17 shkurti 2008 nuk e solli pavarësinë dhe as Republikën e Kosovës, por ishte vetëm një akt i njohjes formale ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Dëshmi e kësaj që themë është protektorati 21 vjeçar mbi Kosovën dhe varësia e plotë e lirisë sonë nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare (KFOR).
Presidenti historik Ibrahim Rugova asnjëherë nuk kërkonte rishpallje të pavarësisë, por vetëm njohje formale dhe përmbyllje të protektoratit ndërkombëtar, formimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe forcimin e shtetit ligjor.
Arsyeja pse Rugova kërkonte vetëm njohje e jo rishpallje të pavarësisë, është fakti, se ai ishte i vetëdijshëm se, në historinë e krijimit të shteteve ekziston vetëm një datë dhe një ditë e shpalljës së pavarësisë, jo dy apo tri sosh!
Edhe pse me vetëm një njohje (nga Shqipëria), Kosova një herë ka shpallë pavarësinë e saj më 2 korrik 1990-të, edhe pse në rrethana të okupimit klasik, e ka historinë e funksionimit të shtetësisë së saj, ka edhe kushtetutën e shpallur dhe miratuar nga deputetët shqiptar më 7 shtator 1990 në Kaçanik.

Pse nuk ndodhi njohja ndërkombëtare e Republikës së Kosovës para 17 shkurtit 2008!?

Nuk ndodhi më heret për arsye se presidenti historik, arkitetkti i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova nuk ishte i gatshëm të pranonte kompromiset e dhimbshme e as ndryshimin e përmbajtjes së elementeve shtetërore që solli 17 shkurti; duke filluar nga simbolet antikombëtare, përmajtjen multietnike të shtetit e deri të një kushtetutë e hartuar jo mbi vullnetin dhe nevojat e popullit, por në bazë të një pakoje që avancon pakicat (serbe) në dëm të popullatës shumicë (shqiptare) në vend.
Atë që e solli 17 shkurti 2008, është në kundërshtim të plotë më vullnetin plebishitar të popullit të Kosovës të shprehur në referendumin popullor të 26-30 shtator 1991.
Rikonfirmim i referendumit gjithëpopullor, 2 korrikut e 7 shtatorit 1990, ishte lufta çlirimtare, gjaku i derdhur për liri dhe sakrificat e panumërta të popullit të Kosovës.
Ikja nga këto data, është ikje nga themelet e shtetit të Kosovës.
Republika e Kosovës pas 17 shkurtit 2008, erdhi si rezultat i një lidershipi të papërgjegjëshëm, që pranoj të tjetërsohet vullneti i popullatës shumicë të Kosovës për hatër të atyre ndërkombëtarëve që nuk e duan një shtet të dytë shqiptar në Ballkan.
Tashmë të gjithë e kanë kuptuar se Kosova “multietnike”, jo vetëm që nuk është vullnet i popullatës shumicë, është shkelje e gjakut të dëshmorëve dhe martirëve, mohim i sakrificave të panumërta të popullit shqiptar të Kosovës ndër dekada e shekuj.

Levizja e lirë për kosovarët, e drejtë e privuar nga Brukseli

Edhe pse Kosova është i vetmi vend në rajon me prezencën më të madhe ndërkombëtare, shtetasit kosovar kanë mbetur të vetmit të getoizuar në rajon, pa të drejtën e levizjes së lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian!
Kushtet dhe kriteret e njëpasnjëshme të vëna padrejtësisht ndaj qeverive të Kosovës për liberalizim të vizave nga Bashkimi Evropian, na kushtuan me humbje territori, thyerje shpresash për qytetarët dhe mungese të përspektivës zhvillimore të vendit.
Akoma më të paparashikueshëm liberalizimin e vizave për qytetarët kosovar e bënë dialogu me Serbinë, i kushtëzuar me gjithçka dhe çdo gjë që e favorizon dhe fuqizon shtetin serb karrshi shtetit të Kosovës
Pra, edhe në këtë përvjetor të 12-të të njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, po vazhdon getoizimi i padrejtë i shtetasve kosovar dhe privilegjet për shtetin serb nga bashkësia ndërkombëtare.
12 vjet pas njohjes së shtetit tonë nga bashkësia ndërkombëtare, është e kundërta e asaj çka kanë pritur e dëshiruar qytetarët e Kosovës: mungesë sovraniteti, mungesë territori, mungesë lirie, mungesë zhvillimi ekonomik, mungesë demokracie dhe barazie qytetare në vendin tonë.
Si do që të jetë, Kosova ka nevojë për një qeveri që realizon Republikën e 2 Korrikut dhe Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, për të hapë rrugën e realizimit të idealit të shumë brezave për një shtet të përbashkët shqiptar në Ballkan.
Urimi më i mirë në 12 vjetorin e njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë, do të ishte që Kosova të jetë e liruar nga strukturat kriminale në veri, si dhe e liruar nga uzurpatorët e shtetit në brendi të vendit, përkatësisht nga kusarët politik të “Cosa Nostra”-s apo mafias kosovare të shekullit 21 në të dyja nivelet e qeverisjes, si kusht i domosdoshëm për rritën dhe zhvillimin e shtetit tonë-Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kosova shënon përvjetorin e pavarësisë (video)

Kosova po shënon 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në një periudhë të trysnisë së ripërtërirë ndërkombëtare për një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe më nje skenë politike ndryshe nga 12 vjetet e shkuara.

Udhëheqës të institucioneve ngritën flamurin shtetëror, vunë kurora tek shtatoret e ish udhëheqësve politikë e ushtarakë të vendit dhe nderuan të rënët e të zhdukurit gjatë luftës së fundit.

Forca e Sigurisë së Kosovës parakaloi në qendrën e Prishtinës të stolisur me flamujt e Kosovës dhe aleatëve të saj.

Parlamenti i Kosovës u mblodh në seancë solemne për të shënuar këtë përvjetor, në të cilën kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani, theksoi mirënjohjen ndaj aleatëve të vendit.

“Këtë rrugëtim e bëmë bashkë me shumë miq, të cilëve do t’u jemi përjetëissht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krahas popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit. Ne sot i lusim ata që të qëndrojnë krah nesh dhe në synimet tona të përbashkëta edhe tash e tutje. I lusim që të qëndrojnë krah nesh në jetësimin e vullnetit të qytetarëve tanë për integrim të shpejt në struktura euro-atlantike, për zhvillim ekonomik dhe prosperim të përgjithshëm të vendit. U jemi mirënjohës vendeve dhe popujve evropianë me të cilët ne i ndajmë të njëjta hapësira gjeografike por po ashtu të njëjta vlera. Në veçanti u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit të lirë amerikan me të cilët ne ruajmë miqësi të hershme e të përhershme”.

Ajo tha se pavarësia e Kosovës e ka vulosur edhe fatin edhe lirinë e popujve në Ballkan dhe ishte hapi vendimtar në konsolidimin e marrëdhënieve mes popujve në Evropën Juglindore të cilët duan të jetojnë të lirë e të pavarur dhe në paqe me njëri tjetrin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një fjalim para Forcës së Sigurisë së Kosovës se vendi duhet të jetë i bashkuar në politikën e jashtme.

“Dallimet e brendshme duhet të mbeten brenda. Ne duhet ta forcojmë vendin edhe nga brenda edhe nga jashtë, prandaj investimet në ushtri janë të nevojshme. Përderisa forcojmë ushtrinë do të forcojmë edhe ekonominë. Pasuria nuk duhet të pasurojë politikanët po popullin”, tha mes tjerash ai.

Përvjetori i po përshkohet me thirrjet për të hequr tarifat e vendosura nga qeveria ndaj mallrave serbe, që t’i hapet rrugë procesit të bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Diplomacia amerikane njëkohësisht i ka bërë thirrje Serbisë që të heq dorë nga përpjekjet për të tërhequr njohjet për Kosovën. Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar edhe në urimet me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës se një marrëveshje me Serbinë duhet ta ketë në thelb, njohjen e ndërsjellë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

Pavarësia e saj është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia. Procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja palëve mbetet i pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për të vazhduar bisedimet pa heqjen e tarifave nga qeveria e Kosovës të vendosura në nëntor të vitit 2018.

Por edhe përvjetori i 12-të i pavarësisë e gjen Kosovën të fundit në rajon në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shëngen.

THAÇI THIKË PAS SHPINE QEVERISË KURTI – Nga BINAK MAXHARRAJ

Hashim Thaçi i cili njihët edhe me nofkën ”gjarpër pa zile” qe lëvizë pahetueshëm, pa u ndegju, por kur ti jipet rasti te kafshonë ne pabesi. Këtë ai e tregoi edhe këto dite kur po mbahej Konferenca për Siguri ne Mynih të Gjermanisë,ku midis tjerash do te nenshkruheshin edhe dy Mareveshje midis Kosovës dhe Serbisë,ajo ajror dhe hekurudhorë të pregatitura diku ne erresirë pa dijën e kryeministrit Albin Kurti,por me dijën e Presidentit Hashim Thaçi.

Një ditë më parë kryeministri A.Kurti ia shkroi një leter Presidentit para së te shkojnë në Mynih duhet te akordohën mes vedi,por letra nuk e gjeti Thaçin ne Presidencë kur ajo njoftoi së Presidenti veç ka udhetuar për Mynih.

E qartë por dhe e çuditëshme,nguti i jo mahi?!

Në praninë e Ambasadorit Richard Genell,Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçi u nenshkruan këto dy Mareveshje,por aty nuk ishte i pranishëm edhe Kryeministri Albin Kurti, anipse qeveria ishte formuar ditë me pare para së te neshkruhej mareveshja kryesishtë nga administrator te Minstris së infrastrukturës.

Kryeministri u gjetë i habitur th hapas se nuk ishte i njohtuar për këto dy mareveshje,as qe i kishte pas në dorë e as lexuar.Mareveshjet e këtilla duheshin te kalojnë përmes duarve të Kryeministrit.Por si pa dukëtë këtë kurthe qe ia kishte pergatit Presidenti Hashim Thaçi sepse ky ishte në plotëni i informuar për rrjedhat e këtyre dy varëveshjeve por qe nuk e kishte pa te aresyeshme,apo nuk ka deshtë të njohtoi Kryeministrin.
Rreth këtyre dy mareveshjeve,siç deklaroi nuk ishte e informuar as Kryeparlamentarja Vjosa Osmani,kur e pyeten mediat ajo tha se unë nuk di asgje për këto mareveshje nuk më ka lajmeruar askush.
Kjo është thikë pas shpine e Presidentit Hashim Thaçit qeverisë se Kurtit.Keshtu nuk krijohet paterniteti midis inastitucioneve te Kosovës.
Albini,duhet te këtë kujdes nga sjelljet e “gjarprit pa zile”sepse ai te pickon edhe kur nuk e paramendon,ai e shikon vetem intersin e vetë përsonal e jo ate shtetoror.

Albin besimin ndaj Thaçit duhesh ta marrish me shumë rezerve dhe më shumë kujdesë.

Mungesë konstruktiviteti apo fillim i një anarkie të re!? – Nga Florim Zeqa

 

Vendimi i pjesshëm i qeverisë Kurti për shfuqizimin e rritjes 100 për qind të pagave që kishte bërë për vete qeveria Haradinaj, i cili duhej të ndodhte në mbledhjen e parë të qeverisë Kurti, është mirë që ndodhi në fund të javës së parë. Vendim ky që ka ngjallë shpresat e qytetarëve për vendime tjera akoma më të guximshme dhe më përmbajtësore.
Ashtu siq e mbështeta vendimin e parë të mirë të kryeministrit Kurti, do t’i mbështes në vijimësi të gjitha vendimet e tjera për të mirën e shtetit dhe qytetarëve, sikurse që do të kundërshtojë çdo vonesë dhe neglizhencë në përmbushjen e çdo premtimi elektoral të kryeministrit Kurti dhe jo vetëm.
I kuptoj pengesat, vështirësitë dhe obstruksionet që i behen nga brenda dhe jashtë për marrjen e veprimeve dhe vendimeve të guximshme, por kapacitetet intelektuale nuk e lejojnë zotin Kurti të përserisë gabimet e kryeministrave paraprak.

Shfrenimi i orkestruar dhe loja me fotografi në Kuvendin e Kosovës

Pas Seancës së Kuvendit të 3 shkurtit 2020, gjegjësisht pas shfryerjes së orkestruar të deputetëve të PDK-së ndaj Albin Kurtit, me një tekst të shkruar nga e njëjta dorë, e përshtatur sipas profilit të deputetëve, e pasuar me bojkot të votimit të kryeministrit dhe kryeparlamentares, ishte paralajmërim i një opozitarizmi të shfrenuar, e jo konstruktiv çfarë i duhet Kosovës.
Mirëpo e gjitha nuk përfundoj me kaq. PDK-ja duke e marrë si shkas heqjen e fotografisë së presidentit Thaçi nga Vjosa Osmani në zyrën e saj, është duke e vazhduar bojkotin e mbledhjeve të kryesisë së Kuvendit dhe lojën me fotografi në Kuvendin e Kosovës, lojë e cila për qëllim të fundit e ka ngatërrimin dhe pengimin e punës së Qeverisë Kurti.
Loja me fotografi nuk është se ka filluar tani, sikurse që edhe mos respektimi i institucionit të presidentit, zanafillen e kanë nga përfundimi i luftës në Kosovë. Fillimisht PDK-ja si parti opozitare nuk e ka njohtë dhe respektu institucionin e presidentit të vendit, duke e vazhduar të njëjtin avaz me mos respektim të figurës së presidentit edhe pas ardhjes në pushtet.
Vetëm tani, pas humbjes së pushtetit e kanë kuptuar se çfarë do të thotë respekti ndaj figurës së presidentit.
Dihet mirëfilli se asnjëri nga ministrat e PDK-së në bashkëqeverisje me LDK-në asokohe nuk e kanë mbajtur fotografinë e presidentit në zyrat e tyre. Është për keqardhje, por asnjëherë partneri në koalicion (LDK) nuk ju kishte kërkuar llogari ministrave të PDK-së për mos respektim të figurës së presidentit, siq po e bëjnë tani zyrtarët e PDK-së ndaj Vjosa Osmanit dhe të tjerëve të cilët nuk po e respektojnë fotografinë e presiedentit aktual.
Edhe pse në dukje të parë janë veprime të kundërta, heqja e fotos së presidentit Thaçi në zyrën e kryeparlamentares dhe vendosja e të njëjtit në Seancë të Kuvendit, mund të jenë veprime të sinkronizuara për zhvendosje të vëmendjes së opinionit publik dhe për përfitime personale për ngritjen e imazhit tek elektorati, si parapërgatitje për zgjedhje të radhës.
Loja me fotografi, në radhë të parë është shprehje e papjekurisë politike, është mungesë respekti ndaj institucioneve të shtetit dhe ligjeve që burojnë nga Kushtetuta e vendit.
Në të gjitha vendet e BE-së është e rregulluar me ligj çështja e përdorimit të simboleve dhe fotografive nëpër institucione. Bie fjala në Itali, çështja e fotografisë së presidentit është e rregulluar me ligj. Të gjitha institucionet, filluar nga ato shtetërore dhe publike janë të obliguara të mbajnë fotografinë e preseidentit aktual, pavarësisht dallimeve dhe pikëpamjeve politike në të dyja nivelet e qeverisjes.
Qëllimi i bojkotimit të PDK-së në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nuk është pengesë fotografia e Thaçit, por shkak, pasi qëllimi primar i tyre është ngatërrues për të penguar punën e Qeverisë së re.

Ndryshimi të fillojë nga brenda, pastaj nga jashtë

Me këtë u dëshmua se, me largimin e PAN-it nga pushteti me 6 tetor 2019, nuk ka ndodhur ndryshimi epokal siq po paraqitet në disa medie të shkruara dhe vizuele, por ka ndodhur vetëm një ndryshim i vogël dhe sipërfaqësor, për shkak se brenda këtyre dy subjekteve politike (LVV dhe LDK) janë të instaluara strukturat e SHIK-ut famëkeq që i dirigjojnë dhe mbajnë nën kontrollë të plotë këto dy subjekte politike. Poashtu brenda këtyre dy subjekteve politike ka politikan të koruptuar, njerëz shantazhues dhe të shantazhuar, veteranë të rrejshëm, matrapaz politik dhe karrierist të sëmurë për pushtet.
Është i mirëseardhur çdo vendim i kryeministrit Kurti për ndryshime në në këtë vend. Megjithatë, për të qenë bindës para qytetarëve të vendit, Albin Kurti ndryshimet duhet t’i fillojë brenda subjektit të tij politik.
E njëjta gjë vlenë edhe për Vjosa Osmanin. Në vend që të shpenzojë kohë duke u marrë me zhvendosje dhe vendosje të fotografive në zyrën e saj, duhet të merret më tepër me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, vënjen në binarë të shëndoshë të sistemit të drejtësisë, si dhe përmbushjen e premtimeve tjera, përmes të cilave ua rrëmbeu votën elektoratit besnik rugovian.
Për dallim nga Albin Kurti që është i ngarkuar me obligime dhe që do të përballet me shumë sfida, Vjosa Osmani i ka duart më të lira për të vepruar edhe në dy rrafshe tjera, në konsolidimin e demokracisë parlamentare, gjegjësisht krijimit të raporteve demokratike pozitë-opozitë në Kuvendin e Kosovës, si dhe marrjen e një iniciative për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në partinë e saj, për çkapjen e LDK-së nga grupet e interesit dhe konsolidimin demokratik të kësaj parite.
Pra, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë në dorë rastin historik, për të përmbyllur një kapitull të errët të politi-kbërjes kosovare, për ç’rrënjosjen e urrejtjes dhe armiqësive partiake, për ta kthyer rivalitetin e shëndoshë në skenën politike kosovare, si të vetmen mundësi prosepruese për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve.
Nëse nisemi prej thënjes popullore “Dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë fillimi i punës së legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës lenë pak për të shpresuar, për shkak të mungesës së konstruktivitetit të opozitës, i cili nga çasti në çast mund ta shndërrojë kuvendin në arenë gladiatorësh dhe Kosovën në anarki totale, ku askush nuk e njehë askend dhe të gjithë luftojnë kundër njëri-tjetrit.