VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Regjistrimi i pasurive jomateriale- Kërcimi i Tropojës, dijebërja e Xhubletës, bjeshkimi dhe Eposi i Kreshnikëve do t’i propozohen Unescos nga Shqipëria

By | August 12, 2020

Komentet

DOLI NGA SHTYPI LIBRI „NEZIR ZASELLA LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR”, I AUTORIT AVDYL UKA – Nga Prof. Fetah BAHTIRI, recension

 

      Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi

 

NJË DOKUMENTAR I HOLLËSISHËM PËR ATDHETARIN EMBLEMATIK NEZIR ZASELLËN

”NEZIR ZASELLA LUFTËTAR DHE ATDHETAR I PËRBETUAR” është titulli i këtij libri me autor Avdyl Ukën. Që në fillim dua të theksoj se libri është një dokumentar me shumë e shumë të dhëna interesante e të hollësishme për jetën dhe heroizmat e një tribuni – Nezir Zasellës. Libri nuk e mban titullin monografi, por ai është një lloj moniografe historike e pasur për njeriun emblematik të rezistencës shqiptare ndaj sunduesve turq e serbë mbi trojet shqiptare. Gjithashtu dëshiroj të cek se Avdyl Uka ka bërë shumë mirë që i ka hyrë kësaj pune serioze dhe i ka vënë në letër gjërat të cilat shpejt me kalimin e kohës mund t´i mbulojë pluhuri i harresës. Tani e tutje çdo gjë, çdo fakt është i dokumentuar dhe i shkruar në libër dhe libri do t´u shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme për t´i Avdyl Uka 274 pasuruar njohuritë për sfondin e ngjarjeve historike për një kohë e një njeri i cili pothuajse i përket historisë së re të shqiptarëve, konkretisht për heroizmat e trimit nga Shala e Bajgorës që quhet Nezir Zasella. Para se të thellohem më shumë në brendinë e librit, dua të theksoj se edhe autori, zotëri Avdyl Uka është një Nezir Zasellë i kohës më të re, i epokës së tanishme, i cili duke mbrojtur familjen e vet dhe pragun e shtëpisë, më 22 qershor 1991 shtiu me pushkën e burrërisë, trimërisë dhe të krenarisë kombëtare, pushkë kjo që jehoi në të gjitha trojet shqiptare. Avdyl Uka vrau në shtëpinë e vet paramilitarin serb Sllavenko Tomasheviq, i cili u kishte hyrë brenda në pikë të natës për ta masakruar familjen e Avdylit me rreth 20 anëtarë. (Për më shumë, shih librin prej 470 faqesh të autorit Hysen Ibrahimi me titullin “Avdyl Uka hero i dëshmuar i atdheut”, 2020). Kështu, pra, heroi Avdyl Uka shkruan libër për heroin Nezir Zasella. Aferim! Përndryshe, në librin ”Nezir Zasella luftëtar dhe atdhetar i përbetuar” lexuesit i prezantohen faktet që dëshmojnë se Nezir Zasella (1885 – 1945) ishte një atdhetar i devotshëm dhe luftëtar i madh për çlirimin e trojeve shqiptare. Ai kishte marrë pjesë në shumë beteja kundër okupimit turk dhe atij serb. Libri është i ndarë në katër kapituj, si vijon: Kapitulli i parë mban titullin ”JETA DHE VEPRIMTARIA E NEZIR ZASELLËS (1885-1945)”, Kapitulli i dytë ka titullin ”PORTRETE LUFTËTARËSH”, i treti ”MENDIME E VLERËSIME PËR NEZIR ZASELLËN” dhe i katërti – ”TRIMI DHE KËNGA”. Vërehet se ky dokumentar për Nezir Zasellën është redaktuar nga një dorë e vyer dhe e aftë për NEZIR ZASELLA LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR 275 materiale me përmbajtje historike, gjë e cila ia shton vlerën librit. Me të dhëna bindëse argumentohet se për Nezir Zasellën mbi të gjitha ishte Kombi dhe Atdheu. Faktet që i hasim dhe i lexojmë këtu dëshmojnë se emri i tij ia rriti nderin dhe ia shtoi namin Zasellës dhe Shalës së Bajgorës, ku në atë kohë për veprimtarinë luftarake si burrat më të shquar ishin Isa Boletini, Beqir Voca, Tafil Boletini, Sherif Vocan dhe pikërisht Nezir Zasella, protagonisti i këtij libri. Sipas të dhënave të paraqitura në kapitullin e parë të librit, Nezir Zasellën e gjejmë të angazhuar qysh në vitin 1903, kur ai ishte vetëm 17-vjeçar, në luftën e shaljanëve tek Ura e lumit Sitnicë, kundër garnizonit turk.

 

Neziri me bashkëluftëtarët e tij e kundërshtonin me forcë vendosjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Nezir Zasellën e gjejmë të mobilizuar edhe kundër forcave serbe në trojet shqiptare deri në Novi Pazar, e gjejmë në kullën e tij në kuvendime të shpeshta e të shumta me Isa Boletinin, Azem Bejtë Galicën, Xhemë Tërnafcin e shumë luftëtarë të tjerë, e gjejmë në të gjitha kuvendet rajonale dhe ndërrajonale si në Boletin, Melenicë, Vesekofc, Bare, Vidishiq, Selac, Kurillovë, ku u lidh besa e Shalës dhe Llapit, në Kuvendin e Bradashit, të Murgullës, të Ferizajit më 20 Korrik 1908, në Kuvendin te Verat e Llukës më 1910, ku u zgjodh Isa Boletini komandant i forcave të armatosura, në Kuvendin që u mbajt në Junik e në kuvende të tjera, të cilat i paraprinë Kryengritjes së Përgjithshme për çlirimin e Kosovës, në pranverën e vitit 1910 e gjejmë edhe si ushtar sypatrembur e vigjilent në ushtrinë e Isa Boletinit në Grykën e Carralevës kundër hordhive turke në betejat fytafyt me forcat osmane, e gjejmë si pjesëmarrës edhe Avdyl Uka 276 në shumë luftëra për mbrojtjen e Shalës së Bajgorës, duke qenë gjithmonë në lidhje të drejtpërdrejtë me luftëtarët e Shalës, Llapit, Drenicës dhe viseve të tjera të Kosovës, në vitin historik 1912 e gjejmë në mesin e kalorësve të armatosur, që i drejtonte Isa Boletini për të marrë pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, e gjejmë edhe në Lëvizjen e Kaçakëve në Kosovë në koordinim me Azem Galicën, Emin Boletinin, Arif Lisicën etj., në odën e tij në kuvende të shumta të udhëheqësve të çetave kaçake për të organizuar dhe vepruar për çështjen kombëtare, për t’i mbrojtur trojet shqiptare nga pushtimi serb e malazez, e gjejmë në bashkëpunim e bashkëveprim me të gjitha personalitetet e dalluara të rezistencës deri në vitin 1927 kur kaloi në Shqipëri, siç ishin: Azem Bejtë Galica. Arif Lisica, Bajram Zhazha, Bejtullah Shupkovci, Dibran Shosholli, Emin Boletini, Hajdar Shosholli, Hoxhë Kadriu, Isa Boletini, Jetullah Jetullahu, Lah Rashani, Mehmet Konjuhi, Mehmet Hasani, Osman Melenica, Osman Zhazha, Qerim Boletini, Rifat Banjska, Rizak Qabra, Shaban Buliqi, Shaqir Uka, Tafil Boletini, vëllezërit Bajçinovci, Xhemë Tërnafci, Ymer Kutllovci, Nezir Melenica, Xajë Kosova, Lah Rzhana, Lah Kotorri, Behë Mihaliqi etj., e gjejmë ne bejeta kundër xhandarmërinë serbe së bashku edhe me djemtë e tij – Manin e Zeqirit të cilët vriten, e gjejmë anëtar aktiv të Komitetit për Çlirimin e Trojeve Shqiptare me seli në Shkodër, e gjejmë në Fier të Shqipërisë gjatë viteve 1927 – 1941 aktiv sidomos prijës e drejtues të grupeve që organizonin aksione atdhetare e humanitare për pajtimin e gjaqeve, ngatërresave dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet shqiptarëve, e gjejmë të kthyer nga Shqipëria pas 14 vjetësh të qëndrimit atje në fshatin e vet, në NEZIR ZASELLA LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR 277 fshatin e lindjes – në Zasellën heroike, ku vdiqi dhe u varros në vitin 1945, e mbi varrin e tij valon ditë e natë Flamuri Kombëtar Shqiptar, me të cilin dhe për të cilin ai punoi dhe luftoi gjatë tërë jetës për t’i mbrojtur trojet tona shekullore dhe bashkimin e tyre. Në kapitullin e dytë të librit janë dhënë portretet e disa luftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të Nezir Zasellës, dy luftëtarëve nga lufta e fundit për çlirim e Kosovës. Këta luftëtarë janë: MULLA HYSENI-PREKAZI (1890- 1952), RIZAK SELIMI-ÇABRA, MEHMET KONJUHI 1853-1925, BISLIM BAJGORA, MUHARREM SHALA, SHEMSI (ARIF) AHMETI 1969-1999, BEDRI RRAHMANI 1953-2013, QERIM BOLETINI 1892-1976 dhe LAH ZEJNULLAH ASLLANI (LAH RËZHANA) 1873-1946. Në kapitullin e tretë lexojmë opinione, mendime dhe vlerësime për figurën e Nezir Zasellës, ku gjejmë (i përmendim shkrimet të titulluara ashtu si janë dhënë në libër): TV MITROVICA, REPORTAZH NGA ZASELLA DHE NGA HAVALEASI I FIERIT, opinionet e gazetarit Hysni Syla, pastaj – HILMI RRAHMANI – NIP I NEZIR ZASELLËS, Dr. SKENDER SKENDERI, EMIN MORINA- një kosovar, nga Shupkovci, me prejardhje nga Zasella që jeton në Fier, NIPI ME EMRIN E GJYSHIT NEZIR RRAHMANI, MUSTAFË HAZIRI PËR NEZIR ZASELLËN, HAMDI SHYTI, HYSEN TËRNAFCI, UKSHIN SHOSHOLLI, BEJTULLA SYLA, REMZI MUJA, SABIT HASANI, REXHEP RRAHMANI NIPI I NEZIR ZASELLËS, MINATORI GREVIST QË LA GJURMË TË PASHLYESHME NË LËVIZJEN KOMBËTARE E SINDIKALE, HAJZER ISTREFI – BEDRI RRAHMANI RJEDH NGA NJË FAMILJE PATRIOTIKE E ATDHETARE, XHEVAT (SHAQIR) Avdyl Uka 278 UKA – ZASELLA NEZIR ZASELLA MERITON MË SHUMË, LIBRI DHE KULLA, NË ZASELLË PRANË KULLËS SË NEZIR ZASELLËS, U përuruan librat “Thesari Kombëtar” 7 e 8 dhe disa libra tjerë. U zgjodh ky vend historik, pranë kullës historike të atdhetarit Nezir Zasella, ku tema e bisedës ishte kryesisht për Nezir Rrahmani-Zasella, Dr. MEHMET RUKIQI NEZIR ZASELLA SHQUHEJ ME VIRTYTET MË TË LARTA TË PERSONALITETIT QË IA DHUROI TRADITA SHEKULLORE E POPULLIT TË VET, Nga dr. Nuhi Vinca VEPËR ENCIKLOPEDIKE PËR ÇËSHTJE JETIKE, AVDYL UKA PRANË KULLËS TË NEZIR ZASELLËS, Fjalimi me rastin e promovimmeve e librave MIRËNJOHJE PËR ZASELLASIT, HYSEN IBRAHIMI. Në kapitullin e fundit, të katërtin, janë dhënë disa poezi të frymëzuara nga atdhedashuria, trimëria dhe luftërat e Nezir Zasellës. Autor i poezive KËNGË PËR NEZIR ZASELLËN (2004), KËNGË PËR NEZIR ZASELLËN (Varianti i shkurtër) – 2007 dhe LUFTA E KAÇAKËVE NË MAJDAN (Nezir Zasella me shokë, viti 1918) është Nazmi Sadiku, pason vjersha e Rexhep Rrahmanit (Nipi i Nezir Zasellës) E kujtoj gjyshin tim. Autori i librit Avdyl Uka ka prezantuar edhe burimet e informacioneve në të cilat është mbështetur kur e ka përpiluar këtë libër. Këto burime janë: INFORMATORËT: Familjarët e autorit – Gjyshi, Shaqir Uka, babai, Xhevat Uka, vetë autori, axhallarët: Murat Uka, Ferat Uka dhe Ramadan Uka, vajza e madhe e Nezirit, Hanifja, nipërit e Nezirit: Nezir Rrahmani, Rexhep Rrahmani, Hilmi Rrahmani, Vehbi Rrahmani, Bashkëfshatarët: Skender Skenderi, Hysni Syla, Bejtulla Syla, Sabit Hasani, -Të tjerë: Prof. dr. NEZIR ZASELLA LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR 279 Mehmet Rukiqi, Dr. Nuhi Vinca, Mustafë Haziri, Hamdi Shyti, Hysen Tërnafci, Ukshin Shosholli, Remzi Muja, Emin Morina, Afrim Peci, Ramë Kutllovci, Latif Peci, Adem Buliqi, Mustafë dhe Sylejman Musa, Mon Hajzeri Vllahija, Hysen Ibrahimi etj., Libri, “Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” vëllimi 7, 2017, Libri, “Zasella”, autor Hysni Syla, 2018. Si përfundim, mund të theksoj se autori Avdyl Uka ka bërë një punë të shkëlqyeshme me përpilimin e këtij libri jashtëzakonisht të vlefshëm për një person dhe për një periudhë të lavdishme të pupollit tonë për çlirim nga okupatorët turq e sllavë. Puna e autorit ka qenë voluminoze e mundimshme, por ia vlen sakrifica kur merret parasysh pesha dhe rëndësia e librit i cili bazohet në burimet, faktet dhe argumentet e cituara. Ajo që nuk shkruhet – harrohet. Por Avdyl Uka me këtë libër e bën të paharruar trimërinë, guximin, angazhimin, veprimtarinë dhe luftën e një atdhetari emblematik siç ishte Nezir Zasella, gjithnjë në shërbim të Atdheut dhe Kombit. Urime për këtë dokumentar të rëndësishëm për historinë kombëtare, Avdyl Uka!

 

Uddevalla, 17.09.2020

“Europrint” botoi studimin “Autoktonia e Shqipërisë Jugore, Enigma e shekujve” të autores Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

 

Ky shkrim u dedikohet të gjithë studiuesve të huaj dhe vendas që me këmbëngulje kanë kërkuar dhe kanë pranuar realitetin rreth autoktonisë së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, si dy elementë të lashtësisë, të cilët janë  zanafilla e formimit të kombeve dhe gjuhëve të Evropës. Autorja

Para pak ditësh doli nga botimi libri, “Autoktonia e Shqipërisë Jugore, Enigma e shekujve” i autores së mirënjohur  Vilhelme Vrana Haxhiraj, një studim rigoroz dhe serioz, i cili mbart në çdo paragraf dhe faqe të tij vlera të larta atdhetare rreth autoktonisë së shqiptarëve dhe lashtësisë së gjuhës shqipe.

Shkrimtarja Vranari,  “Mjeshtre  e Madhe e Penës” & Akademike pas një pune të gjatë hulumtuese, dokumenton shpifjet , sajesat dhe mashtrimet e Historisë, jo vetëm të Evropës jugëlindore, por edhe Historisë Botërore, ku brezat e mbarë botës kanë mësuar dhe vazhdojnë të  mësojnë zanafillën e një historie antike të gënjeshtërt. Duke ballafaquar mashtrimet e pseudohistorianëve  me artefaktet që zgjojnë  të vërtetat e historisë së lashtë nga studiuesit  e huaj duke nisur qysh nga autorët antikë e deri në ditët tona, autorja ka perifrazuar një numer të konsiderueshëm studiuesish,  historianë, arkeologë, linguistë. etimologë, paleontologë etj, si dhe të faktuara me kulturë materiale që i përket lashtësisë. Gjithashtu ekzistencën neoloitike të Pellazgjisë dhe shtrirjen e saj në gjithë Evropën, Azinë e Vogël dhe pellgun e Mesdheut, na e deklamon përmes hartave të sapozbuluara qysh nga shek. IV pr. Kr si dhe hartat që tregojnë për shpërbërjen e kombit shqiptar botuar në fundvitin 2019 nga Biblioteka e Kongresit Amerikan, apo kufijtë tokësor të Greqisë të vitit 1830-1930 paraqiten origjinalë në një pullë poste greke.

Me të drejtë autorja në fq.3 të librit citon: “Epiri Pellazg-Ilir-Thesprot është kyçi i artë, që po u hap, zbulohet thesari gjenetik i varrosur në trupin e tij,ndaj nuk ka forcë në botë që të kundërshtojë gjuhën e lashtë shqipe dhe autoktoninë e shqiptarëve.” Vivra

Më tej Vranari vazhdon…

“  …E vërteta shkencore nuk ka nevojë për lavdi të sajuar siç ka ndodhur me të ardhurit në gadishullin Ilirik, si, fiset semite(afro-aziatike) që u vetëqujtën grekë, apo Helenë, pa asnjë origjinë gjenetike. Kurse 13 shekuj pas tyre, erdhën Sllavët në Iliri. Të dy këto fise gjetën një sistem shoqëror  të zhvilluar,  të cilin e përvetësuan. Kulturën pellazgo-ilire duke e çuar atë më tej. Pas pushtimit romak, këtë kulturë të lulëzuarmbi rrënjt e kulturës pellazge,  romakët e quajtën helene,duke ia rritur famën Greqisë inekzistente për kohën. Kanë kaluar mbi 2200 vite gënjeshtra, që Greqia jeton mbi sajesat dhe mashtrimet historike lidhur me lashtësinë , duke u vetëquajtur autoktonë në këto troje dhe se gjoja flasin greqishten e vjetër, e cila është gjuhë e vdekur bashkë me gjuhët Sumere,  sanskritishten, latinishten etj … Të gjitha gjuhët e lashta bashkëkohëse të gjuhës shqipe, e cila është e vetmja  gjuhë që vazhdon të flitet, të tjerat janë  gjuhë të vdekura. Lashtësia e gjuhës shqipe dëshmohet nga fakti se, vetëm përmes shqipes deshifrohen gjuhët e lashta.

  Gjuha dhe  Artefaktet janë realitet i historisë kombëtare,  janë përparësi të së vërtetës së pamohueshme e hedhur pa mëshirë në udhëkryqet e jetës.    

   Gjithashtu është sfidë atdhetare, morale dhe shkencore për një nivel të epërm kulturor për cilindo që ngrihet ndaj çdo lloj mashtrimi, gënjeshtre dhe falsifikimi të fakteve hisorike, përmes të cilave kryhet krim ndaj kombit dhe historisë së tij!…”

Shkolla më efikase për çdo njeri, është jeta me përvojat e saj, të cilat jo gjithmonë janë të suksesshme. Por vullneti për të arritur të pamundshmen, të çon drejt njohjes të së panjohurës, e cila na çon në zbërthimin e enigmës mijëra vjeçare. Vetëm përmes studimit shkohet drejt njohjes të së vërtetës së pamohueshme… Në këtë rast një nga elementët kryesor të autencitetit të një kombi është gjuha.Gjatë punës sime hulumtuese jam bazuar në studimet historike, arkeologjike, gjuhësore, peleontologjike, antropologjike, të bëra nga studiues të huaj dhe vendas.

Për shkak të disa faktorëve, si: lënia në harresë e historisë së Kombit më të lashtë  në mijëra vjeçarë errësirë, mohimi dhe rrëmbimi i fakteve arkeologjike nga fqinjët apo pushtuesit,  shkrimi i historisë  shqiptare nga të huajtë, pushtimet e gjata shekullore, ne sot kemi një Histori të cunguar, të tjetërsuar dhe të mohuar. Historia e Shqipërisë duhej të ishte e konsoliduar, ndaj sot është turp dhe krim që diskutohet për autoktoninë dhe lashtësinë e gjuhës shqipe, e cila është fillimi i gjuhëve dhe kombeve në Evropë, kur rrënjët e gadishullit ilirik janë shqiptare, trashëgimi e paraardhësve pellazgë-ilirë-thrakas… Gjithashtu për shkak të ndryshimeve nga fenomenet natyrore dhe veprimet shkatërruese të njeriut, mungesës së dokumenteve të varrosura nën tokë, pa harruar politikat e mbrapshta antikombëtare, janë pengesa serioze në studimet e shkencave të ndryshme që flasin me gjuhën e së vërtetës për lashtësinë gjenetike të një kombi të lashtë, për zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të një komuniteti.

Por me gjithë këto faktorë pengues, ajo që e lehtëson zgjidhjen e enigmës së autoktonisë legjitime të shqiptarëve si pasardhës direkt të  Pellazgë-Ilirë-arbërve qysh nga neoliti e deri sot te shqiptarët, është gjuha e trashëguar në mbishkrimet e gjetura, si dhe artefaktet e gjetura arkeologjike të zbuluara gjatë shekujve.

Nëse ballafaqojmë të gjitha dokumentet e shkruara nga autorë të ndryshëm, ndeshim në kundërshti të fakteve reale  me ato të sajuara. Por e vërteta sado të mohohet apo të fshihet nga kujtesat kohore , vjen një ditë dhe del në dritë me forcë dhe vërtetësi të pakundërshtueshme. Ndër të parët që kundërshton pseudohistorianët e sëmurë,të cilët kanë falsifikuar historinë e kombeve, është  natyralisti i famshëm romak,    Gaius Plinius Secundus, ose Plini Plaku (23-79 e.s.), botoi në vitin 77 er e re. serinë  me 37 vëllime“Naturalis Historia“. Në vëllimin VI (fq.93-94) Plini Plaku shkruan:” romakët alfabetin e morën nga pellazgët-Ilirët”.
Këtë trashëgimi e vërteton më së miri gjuha mesape, ligure, apo në Sardenjë, Toskanë, Venecia etj. Gjurmët e gjuhës ilire gjenden në gjithë gadishullin Apenin , veçanërisht në brigjet lindore të saj duke nisur në verilindje të saj që nga fshati Alban në kufi me Slloveninë, ku shkruhet me shkronja të mëdha ALBANI, që  bie në sy qysh nga larg në portën hyrëse të qytezës.

    Gjuha e etruskëve është gjuha e ilirëve që ka pasur si model të vetmen gjuhë, gjuhën shqipe. Për këtë dëshmon Nermin Vlora Falaski. Kurse  Francesko D’Andria, Profesor i Merituar, Univ.Salento: (direkt  në ekran, më, 11.4,2020,  “ Salento dhe rrënjët e tij indigjene”  f. 2-31) Accademia d’Italia, Firenca,1943.Sipas autorëve dhe Prof. D’Andria shkruhet:”Historia e lashtë 2800-3000 vjeçare e Mesapëve, është një teori e errët, e humbur nëpër shekuj pasi kanë jetuar para mëse 30 shekujsh. Është  koha kur në të dy brigjet e Adriatikut flitej gjuha ilire si nga Ilirët dhe mesapët ”Mbishkrimet, qeramika, varret e gjetura, tregojnë shtrirjen e fiseve ilire në të dy gadishujt…Për të nxjerrë të vërtetën katedra nën drejtimin e  Prof. F.D’Andria kërkojnë bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave Shqiptare dhe Institutin e Studimeve Alabanologjike të Shqipërisë, që për fat të keq është në gjumë letargjik.

Zgjidhjen e enigmës së shekujve për autoktoninë e shqiptarëve  është vazhdimësia e jetës në trojet e paraardhësve dhe trashëgimia gjuhësore. Ajo që u jep rrugë gjithë shkencave e veçanërisht gjenezës së  një populli,veç fakteve arkeologjike, parësore është shkenca e gjuhës.

Për zhvillimin dhe integrimin e një kombi, në plan të parë qëndron kultura e gjuhësisë .

Lind pyetja: Cilët janë pararendësit e shqipes së shkruar,ose hapat e parë në shkrimin e gjuhës shqipe?  Gjithkush mund të bëj pyetjen:- Pse?

Sepse shkalla e njohjes së një populli, hedhja e themeleve të një kombi nis nga zero (0) tek numri një (1) dhe në vazhdimësi me rritje progresive (sasi dhe cilësi). “Zhvillimi i kombit nis nga gjuha”,- ka theksuar Konfuci. Madje theksoj se është gjuha ajo që e dallon një komb nga tjetri.

U kujtojmë pseudohistorianëve  se,“Gjuha shqipe ka një pasuri gjuhësore të pasurdhe të jashtëzakonshme.” Kjo gjuhë e fillimit ka shtatë zanore, që tingëllojnë aq bukur dhe aq veçantë si shtatë notat muzikore të pentagramit. Shqipja është gjuha më harmonike në botë, e cila ka tingëllimin zanor më të ëmbël, është si buka e tokës së të parëlindurve Pellazgë  në këto troje.” autorja.

 

Disa thënie nga libri

 

“…Nëse doni të zbuloni historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet të studioni gjuhën shqipe!” Laibnic

“Shqiptarët janë të vetmit pasardhës të pellazgëve parahistorikë. Pellazgët janë ilirët e lashtë…” August Friedrich Pott

-“Ilirët janë pasardhësit e pellazgëve në gadishullin tonë. Si lashtësi dhe si qytetërim vetëm tre popuj numërojnë mijëvjeçarët e thellë: Pellazgët, Maqedonët dhe Epirotët.” Herodoti

“Shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre, vazhdues të ilirëve që nuk u asimiluan as nga romakët dhe as nga gjithë pushtuesit në vazhdim.” Johan Thunman

-“Historia e gjuhës është historia e popullit që e flet.” Eqrem Çabej

“Ç’pasuri e madhe dijesh e pret arkeologun kur toka shqiptare të hapë thesaret e historisë së Pellazgëve!” George Fred Wiliams

Shqipja është gjuhë e përbashkët e pellazgëve, ilirëve dhe e etruskëve të lashtë, prandaj nëpërmjet saj mund të rindërtohet edhe historia e tyre”. NerminVlora

Tokat e banuara nga Shqiptarët u populluan së pari në epokën e gurit, mbi 100 000 vjet më parë.(John Boardman)

-“Shqipja rrjedh nga Ilirishtja dhe Ilirishtja nga Pellazgjishtja”. J.Georg Von Hahn

“Gjuha shqipe është trashëguesja e pellazgjishtes së lashtë.” ‘Dialekti geg i veriut,një fosil i gjallë.” Aref Mathieu

– “Nëna e gjuhës greke është gjuha shqipe.” Aristidh Kola

 

Urime dhe suksese shkrimtares Vranari-Haxhiraj

Shtëpia Botuse dhe Shtypshkronja Europrint

Sadulla Zendeli – Daja, një qiri i ndezur, që shkrihet për kombin, për lirinë dhe të vërtetën – Nga VIRON KONA

Biri i Sërmnovës, nderi i Gostivarit, mbi 50 vjet në “luftë” me penë për çështjen kombëtare

 

Sapo ka dalë nga shtypi libri “Mallëngjime mërgimtare” (Ese dhe poezi) shkruar nga poeti dhe leksikografi i  mirënjohur Sadulla Zendeli – Daja. Libri përmban një krijimtari të pasur dhe cilësore, në prozë e poezi,  por dhe ide, mendime dhe ndjenja atdhetare të poetit, leksikografit dhe atdhetarit të shquar nga Gostivari, i cili prej mëse 50 vjetësh jeton në Suedi.

Ndonëse lexuesi është i njohur me emrin dhe veprën e z. Zendeli, nëpërmjet këtij artikulli po e rikujtojmë edhe një herë  veprën e tij  të shquara në dobi të  gjuhës shqipe dhe mësimit të saj, artit  dhe kulturës, por veçanërisht personalitetit të tij si një leksikograf i shquar, autor i më shumë se 5 fjalorëve shqip – suedisht dhe suedisht – shqip, por dhe i veprave të larmishme poetike dhe në prozë, ku shfaqet një mendje e artë e mbushur plot e përplotë me dashuri për kulturën, gjuhën shqipe, traditat dhe artin, për atdheun, vendlindjen e tij Gostivarin dhe të gjitha trojet shqiptare.

                                           Bashkëkombësit e duan shumë    

Sadulla Zendeli – Daja ka lindur në Sërmnovë të Gostivarit më 3 qershor 1935. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren në Vrapçisht të Gostivarit. Gjimnazin (dega e ekonomisë) e filloi në Gostivar  dhe e vazhdoi në Strumicë – shkollë, profesionale për drejtor kooperative. Kreu, gjithashtu, edhe shkollën politike njëvjeçare në Shkup. Në vendlindje ka punuar drejtor kooperative dhe llogaritar financier në Sipërmarrjen  e Hekurudhës, Shkup, dega në Gostivar. Si intelektual me ide përparimtare, Daja që herrët nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvënë në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm komunist në ish Jugosllavi. Aktiviteti i tij u bë halë në sy të regjimit të asaj periudhe famëkeqe rankoviçiane, i cili nisi ta përndjekë këtë atdhetar të shquar.

Më 28 nëntor 1966 Sadulla Zendeli-Daja u detyrua të mërgojë në Suedi. Aty, ai gjeti besimin tek ëndrra e tij për  arsim e kulturë, mbështetjen për  lirinë e shumëkërkuar të bashkëkombësve të tij shqiptarë. Fillimisht kreu kursin paraprak të gjuhës suedeze e, në vazhdim, arriti të diplomohej  për shkencat filozofike në Universitetin e Upsallës, njëri ndër universitetet e njohura të botës. Studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes, dega e Albanologjisë, duke pasur  shef të katedrës albanologjike profesorin e shquar Thoma Kaçorri. Më pas kreu shkollën e lartë të bibliotekave në qytetin Borås dhe punoi shef i bibliotekave të shkollave në qytetin Nybro të Suedisë. Gjatë asaj periudhe u angazhua për hapjen e shkollës shqipe dhe, që nga 5 marsi i vitit 1975 nisi të punojë arsimtar i gjuhës shqipe në qytetin Nybro.

S.Z. Daja do të ishte ndër të parët mësues të gjuhës amtare në Skandinavi, në këtë vend me liri dhe demokraci si rrallë tjetër vend në botë. Ndoqi rrugën e mësuesisë, duke pasur si lajtmotiv në radhë të parë arsimimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të ardhur në Suedi për mbijetesë dhe për një jetë më të mirë. Daja hapi shkollën e parë  shqipe edhe në qytetet suedeze Emmaboda, fillimisht  me 5 nxënës dhe në Kalmar me 10 nxënës. Në Nybro, përveç  shkollës shqipe, me bashkatdhetarët, formuan shoqatën e parë shqiptare me emrin “Ilirida”. Kuptimplotë është fakti se në ishullin Ëland, ku Daja banon, ka hapur  restorantin me emrin “Shqiponja”, në ballë të të cilit janë vendosur dukshëm dy flamuj: njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës. Shqiponja u qëndron të dyve mbi krye, shqiponja e lirisë.

Sadulla Zendeli – Daja dhe Viron Kona

 

Me veprimtarinë e gjerë atdhetare dhe krijuese Sadulla Zendeli-Daja ka fituar respektin e mërgimtarëve shqiptarë në gadishullin skandinav. Ai nderohet dhe  respektohet prej tyre për mbështetjen dhe ndihmën e madhe vëllazërore e të pakursyer. Gojëtaria e tij e mençur dhe  e zjarrtë duartrokitet në tubime të mërgimtarëve shqiptarë dhe mirëpritësve suedezë, teksa vendlindja e ka vlerësuar me rastin e 80 vjetorit të lindjes me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Gostivarit. Është realiste në vlerësimin e saj poetik për S. Z. Dajën, poetja e njohur shqiptare në Suedi, Zyrafete Manaj, e cila shkruan: “Paqja fle në fjalët e tij. Daja është zemra e atdheut dhe djepi i Iliridës së lashtë që për besë, bashkëkombësit e duan shumë.”

 

                                  Fjalorë dhe vepra letrare e publicistike

Sadulla Zendeli-Daja ka një krijimtari të pasur leksikografike, publicistike, letrare dhe artistike, ku spikat puna e madhe këmbëngulëse për hartimin e  fjalorëve shqip – suedisht dhe suedisht – shqip. Nga kjo krijimtari e gjerë, përmendim: Fjalori i parë  suedisht-shqip,17000 fjalë (Suedi, 1994), Fjalori i dytë suedisht-shqip, 28.500 fjalë (Suedi 2004), Përkthimi i Fjalorit për fëmijë katërgjuhësh shqip-anglisht-italisht-suedisht nga autorja Meri Toçi (versioni shqip-suedisht nga Sdulla Zendeli-Daja) “Toena”, Tiranë, 2011, Gramatika e gjuhës shqipe për klasën e  parë deri në klasën e nëntë, Fletore pune: Gjuha jonë (që nga parashkollorët deri në klasën e tretë), “Toena”, Tiranë 1999, Përkthim në gjuhën suedeze i librit për fëmijë “Skënderbeu” të autorit Fatmir Toçi.

Në vitin 2014, Sadulla Zendeli- Daja botoi Fjalorin shqip-suedisht me 35 mijë fjalë, vepër madhore për shkollën dhe bibliotekën, Botimet “Toena”, Tiranë, 2014. Ky fjalor, është përuruar në Panairin e librit 2014, në Tiranë, në Gostivar, në qytetet Nybro dhe Malmë të Suedisë etj. Fjalori i pestë, suedisht-shqip me 10.000 fjalë, është i pari i këtij lloji, që u jepet në dorë nxënësve të shkollës 9-vjeçare dhe të mesme, që të mësojnë në këtë gjuhë. Ky fjalor është botuar në Shqipëri nga Shtëpia Botuese “Toena”, Tiranë, 2018.

  1. Z. Daja ka botuar gjithashtu librat: “Ditari i dhimbjeve”, Botimet “Toena”, Tiranë 2011, “Ditari i kujtimeve të paharruara”, Botimet “Toena”, Tiranë 2013 dhe Amanda Edit, Bukuresht 2013, “Moj e dashura Arbëri!”, Botimet “Toena”, Tiranë, 2014, “Gostivari në zemrën time”, Botimet “Toena”, Tiranë 2014, ”Rizgjimi i Arbërisë”, Botimet “Toena”, Tiranë, 2015, “Kur kam atdheun, kam gjithçka”, Botimet “Toena”, Tiranë 2016, “Dëgjoni zemrën time”, Botimet “Toena”, Tiranë 2017,   “Shekulli i pajtimit”, Botimet “Toena”, Tiranë, 2018,   “Mallëngjime mërgimtare”, Botimet “West print”, Tiranë, 2020 etj. Ndër shkrimet publicistike të botuara veçojmë: Katalogu i librave në gjuhën shqipe dhe gjuhëve  tjera ballkanike në bibliotekat  suedeze (nga viti 1948 deri më 1973), publikim intern Nr. 142 (Shkolla e Lartë Bibliotekare në Borås); Punimi me titull: “Historia e shqiptarëve nga viti 600 p. e. deri më 1973”, (publikim intern në bibliotekën e shkollës Åkrahäll Nybro 1975), ku spikatin: “Vjeshta e përgjakur”, “Gurra e Shën Milit”, “Drejt Gostivarit”, “Tmerri i Vardarit”, “Ditë mortore  për shqiptarët”, etj. Shumica e këtyre shkrimeve janë botuar edhe në revistën “Besa”, ku Sadulla Zendeli-Daja ishte njëri prej redaktorëve të saj.

                                         Tempulli i dritës i Sadulla Zendeli-Dajës

Jeta dhe veprimtaria e Sadulla Zendelit-Dajës është plot ndodhi mbresëlënëse, të cilat kur i lexon apo i dëgjon, të mbeten aq thellë në kujtesë, saqë edhe të duash nuk i harron dot. Daja vendosi të jetonte në ishullin Ëland në detin Baltik. Një ishull i mrekullueshëm, ku të çon një ndër urat më të gjata në Evropë. E, pikërisht në këtë ishull, ku edhe mbreti i Suedisë ka rezidencën e tij verore, ku ndodhet një kështjellë madhështore e kohëve të vjetra, ku ngrihet monumenti simbol i Birgitës,  në këtë ishull të Veriut të largët, Daja ngriti shtëpinë dhe “tempullin” e tij.

Sadulla Zendeli-Daja në studion e tij në ishullin Ëland të Suedisë

 

Studioja e këtij tempulli, prodhon pareshtur literaturë shkencore dhe leksikografike, letrare dhe publicistike. Ai është një tempull i dijes dhe i kulturës, është tempull i dritës rrezatuese, tempull i atdhetarizmit dhe shqiptarizmit. Rruga e jetës së Dajës, është e shkrirë, e përgjithësuar me rrugën  e qindra mijëra shqiptarëve në shekuj, në dekada e vite. Ai është shndërruar në simbol të qëndresës, të rezistencës, të betejave të vazhdueshme  për jetë e liri. Ky njeri i urtë dhe paqësor, tërë jetën ka shpërndarë mes njerëzve ngrohtësi dhe dituri, ka dashur dhe ka respektuar më të mirën dhe më të dobishmen, ka treguar dhembshurinë  e prindit për këdo, ka sakrifikuar përherë nga vetja, duke merituar vazhdimisht  respektin dhe dashurinë e mijëra njerëzve. Shpirtbukur dhe dritë përhapës, Sadulla Zendeli-Daja vazhdon të botojë pareshtur dhe me intensitet vepra mbresëlënëse leksikografike, atdhetare, publicistike e letrare, duke i shërbyer të sotmes dhe të ardhmes. Studioja e atij tempulli, do bënte “xheloz” çdo institucion akademik, sepse atje, një njeri i vetëm me emrin e ndritur Sadulla Zendeli-Daja, si një projektor i fuqishëm, prodhon pareshtur dhe pandërprerë dritë,  dije dhe frymëzim në shërbim të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë trojeve shqiptare.

                                           Mos je shqiptar, o vëlla?

“Mallëngjime mërgimtare”, botim i shtëpisë botuese “West print”, nis me një artikull të plotë nga profesori i mirënjohur Bardhosh Gaçe, i cili që në hyrje e përkufizon ”Sadulla Zendeli-Dajën, si  një rilindës të kohëve moderne”, duke  shpalosur portretin dhe veprën e  tij si leksikograf, poet dhe atdhetar i shquar. Gaçe, ndër të tjera vlerëson: “Në personin e Sadulla Zendeli – Dajës, pleksen intelektualizmi, patriotizmi, poeti, mësuesi, leksikografi, humanisti, atdhetari dhe njeriu bashkëkohorë, cilësi dhe atribute të rralla, të mishëruara në një njeri të vetëm”.

Pjesa e parë e këtij libri: ”Mërgata, mërgimi dhe mërgimtari”, përmban një sërë artikujsh dhe ese të autorit, ku ai shpreh ndjenjat, mendimet dhe mesazhet e tij. Ai pikëzon: “Mërgimtari është një përgjithësi e përgjysmuar: me trupin në mërgim, me shpirt e zemër në atdhe”. Por, duke shpalosur karakterin e  fortë të shqiptarit dhe dashurinë e tij për mëmëdheun, Zendeli veçon se nga këta shqiptarë që kanë emigruar për shkaqe të ndryshme, shpesh herë janë krijuar grupe të organizuara në shoqata social-kulturore, me dëshirën për t`i shërbyer njëri – tjetrit, vlerave, gjuhës shqipe, traditave kombëtare dhe atdheut. Interesant shfaqet në libër vendimi i Sadulla Zendelit për emigrim qysh në vitin 1966. ”Punoja, – thotë ai, – si llogaritar i financave në Sipërmarrjen e Hekurudhës Shkup, dega në Gostivar. Isha anëtar i partisë komuniste, delegat i komunës, delegat në komitet të partisë. Pozitat i kisha goxha të mëdha. Por kush na pyeste neve? Ishim vetëm në numër, sepse vendimet i merrnin ata. T’ju them të vërtetën, kur e përmend këtë aktivitet më duket se akoma kam dhimbje në shputat e duarve, duke duartrokitur dhe brohoritur: Rroftë regjimi! Rroftë komunizmi! Rroftë udhëheqja e Shkupit dhe e Beogradit! Rroftë… dreqi me dreqërit e tjerë!… Kur zgjohesha në mëngjes për të shkuar në punë, para banesës sime rrinin 10-15 shqiptarë që pritnin për t’i ndihmuar, duke u shkruar lutje se do ta shisnin kalin, lopën, gomarin, ndonjë gjel a pulë, që e sillnin nga fshati 20-50 km., për t’i shitur në tregun e Gostivarit për një kafshatë buke! Në dilemën e bashkëpunimit me pushtuesit sllavë dhe me dilemën e largimit, kjo e fundit do të ishte zgjidhja. Zgjodha më të mirën e së keqes. Emigrova. Përse vallë? Sepse ndryshe duhej të bëhesha hafije e vëllezërve të mi, të atyre që mbanin plis të bardhë, të atyre që e donin flamurin shqiptar, të atyre që këndonin e vallëzonin valle shqiptare, të të burgosurve që për faj kishin dashurinë për Shqipërinë dhe trojet tona të shkëputura nga shteti amë, të mësuesve, mjekëve etj. E këtë nuk mundesha ta bëj, prandaj zgjodha të keqen më të vogël, duke u shpërngulur nga vendi im i dashur, nga ai vend ku çuditërisht gurët që m`i vrisnin këmbët e zbathura , më dukeshin të butë bash sikur po ecja në barin e njomë të vendlindjes sime të dashur! Vendosa të largohem kudoqoftë, në Mars, në Hënë, në ferr, vetëm e vetëm që të shpëtoj nga shtetet sllave! Fati më ndihmoi që të ma zbuste këtë dhimbje, duke më dërguar në Suedinë nordike..”.  Në vazhdim autori shpalos jetën e vetë, vështirësitë e integrimit, shkollimin në një ndër universitetet më të njohura të botës, në atë të Uppsalës. Ai na emocionon kur shkruan dhe rrëfen: “Ditën e parë, në qytetin Universitar Uppsala, shkova në një stacion të autobusëve urbanë. Shoferi ish një djalosh i ri. Më dukej i huaj, flokë zi dhe i pashëm. Me mikrofon lajmëronte udhëtarët për stacionin që vjen: “Lajmëroi sistastation Gamla Uppsala”, në suedisht, anglisht dhe “stacioni i fundit Upsala e vjetër”, tha djaloshi shqip. O Zot, thashë. Flokët e kokës m’u ngritën përpjetë. Emocionet nuk po i kontrolloja dot. Sa nuk fillova të qajë mes pasagjerëve suedezë, të cilët me siguri do të më dërgonin në spitalin e të çmendurve Ulleråkessjukhus! Nuk zbrita nga asnjë stacion dhe shkova deri në stacion të fundit. Askush nuk mund ta kuptojë këtë situatë, duke shpjeguar me të shkruar se përveç meje nuk ka shkencë që mund t`i hedhë në letër këto emocione. Ndoshta ka qenë një çast që ka ndikuar, që unë të besoj në fatin tim. Kur u ndal autobusi, djaloshi më tha në suedisht:

-Ku po shkoni zotëri? Ky është stacioni i fundit.

E shikova.

-Mos je shqiptar, o vëlla, – i thashë.

-O, po unë jam shqiptar, po ju si jeni, ku shkoni, a keni nevojë për ndihmë? – më tha.

Sytë m’u mbushën me lot! Shkuam në qendër të qytetit Uppsala. E pyeta djaloshin pse i informon udhëtarët edhe shqip? Kemi të drejtë nga sipërmarrja të lajmërojmë në suedisht, anglisht dhe një gjuhë që ne e dimë, ose gjuhë amtare, gjuhën shqipe e kam sjellë nga vendlindja ime, nga Strajoni i Gostivarit. “-Jam krenar për gjuhën time dhe e hapi gjoksin duke thënë: Kjo është gjuha ime e trashëguar nga të parët tanë me flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare me emblemën e Skënderbeut”.

Djaloshi kishte emigruar nga një fshat i malësisë së Strajonit të Gostivarit…

 

                          27 vjet me radhë mësues i gjuhës shqipe në Suedi

 

“Takimi i parë me Suedinë ishte edhe takimi e sinjali se ëndrra ime për arsim dhe liria e popullit do të zbatohet. Ky ishte një vrull atdhedashurie nga dita e parë në trojet e bukura të Skandinavisë. Që ditën që kam dalë nga Universiteti i Uppsalës kam shijuar lirinë, rendin, urtësinë në këtë shtet mikpritës. I thashë vetes: Kjo ishte drita ime në mjegull, t’i ndihmoj popullit dhe mërgatës shqiptare, dhe ky vend më frymëzoi! Kur hyn në shpirtin suedez thellë, të japin forcë, fuqi, ide, optimizëm, jetë, gjallëri. Nëse hyn në shpirtin suedez gjen gjëra shumë të mira. Kemi edhe ne shqiptarët gjëra shumë të mira, dhe këtu bëhet pikëtakimi”.

Dhe, në vazhdim, lexuesi mëson se ëndrra e nisur nga ky atdhetar ka marrë formë dhe është bërë realitet. Ai duke mësuar me vullnet dhe këmbëngulje të veçantë gjuhën suedeze, duke qenë njohës i gjuhës shqipe, ia arriti të përgatisë 5 fjalorë shqip – suedisht dhe suedisht – shqip. Janë fjalorë madhorë e cilësorë, fjalorë të vlerësuar nga akademikë, profesorë dhe intelektualë të shquar shqiptarë dhe suedezë, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në kulturën dhe gjuhësinë e të dy vendeve mike, Suedisë dhe Shqipërisë.

Kontributet e këtij njeriu janë të  mëdha, madje të jashtëzakonshme, veçanërisht në çeljen e  shkollave shqipe në Suedi. Sadulla Zendeli – Daja ishte i pari që  çeli shkollat shqipe në qytetet Nybro, Emmaboda dhe Kalmar, duke dhënë dhe vetë mësim në Nybro për 27 vjet me radhë. Kur u çel shkolla e parë shqipe në Suedi, S. Z. Daja shkruan:   “Atë ditë, kur filluam mësimin në  gjuhën shqipe, bashkë me nxënësit erdhën edhe prindërit. Disa qanin fshehurazi, që të mos i shihnin fëmijët. Ishte një atmosferë entuziazte dhe prekëse…Kurse, po atë ditë, Adil Zhuta theri demin me rastin e hapjes së shkollës shqipe në Nybro…

Si atdhetarë i shquar, Sadulla Zendeli – Daja mobilizoi bashkëkombësit shqiptarë, që të bashkoheshin në shoqata shqiptare dhe të përballonin kështu presionin e shoqatave dhe organizimeve serbe, sllave maqedonase, të cilat edhe atje në emigrim, ishin masha të zgjatura e të mprehta, me gjemba, të pushtetit kriminal serbë, që edhe atje donte të mbante të shypur shqiptarët dhe ndjenjat e tyre atdhetare.

 

Kështu, Sadulla Zendeli – Daja është ndër të parët që krijuan shoqatat shqiptare, tashmë të njohura “Ilirida” dhe më pas “Kosova” në Suedi, që mbështeti gjerësisht shqiptarët, që sqaroi tek autoritetet suedeze vendin dhe rolin e  tyre, dritësoi emrin shqiptar, gjuhën dhe kulturën, sqaroi kthjellësisht se shqiptarët janë një popull i lashtë me vlera të shumanëshme dhe kontribute, jo vetëm atdhetare, por edhe europiane, me heroin Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, i cili me fuqinë dhe mençurinë e tij si një strateg i madh ushtarak, arriti të ndalte vërshimin e papërmbajtur osman drejt Europës.

Ishin këto dhe të tjera vlera, që bashkëkombësit e zgjodhën Sadulla Zendeli – Dajën kryetar të Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi.

 

                         Do të arrijë t’i shkruajë edhe pesë fjalorë të tjerë…

 

Kontributi i Sadulla Zendeli – Dajës si krijues, intelektual dhe qytetar, ka qenë dhe është jo thjesht një stoli, por një vlerë e jashtëzakonshme në dobi të kombit. “Tani, – thotë ky atdhetar i shquar, – kam mbushur 85 vjet të plota dhe i them vetes: ”Nuk kam drojë se do të vdes! Gjuhës shqipe dhe suedeze shumë pak i ndihmova! Fatmirësisht që kaq gjatë jetova, nuk më tremb pleqëria dhe jam ende me shëndet të mirë, që të  arrij të shkruaj edhe 5  fjalorë të tjerë, sepse, ashtu më tha edhe mjeku suedez kur flisja në kllapi gjatë një operacioni: “Zgjohu Gjelbërim  Zendeli Daja! Ti do të shkruash edhe 10 fjalorë për shqiptarët dhe suedezët!” (Vakna-Gjelbërim Zendeli! Dukommerattskriva 10 lexikontill!) I kam shkruar pesë, më kanë mbetur edhe pesë. Shpresoj dhe besoj se do të arrijë t’i shkruajë edhe pesë fjalorë të tjerë…

 

                               Bijtë e nënës, mos e lëshoni njëri-tjetrin!

               

Pjesa e dytë e librit titullohet:”Për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë”(Histori, kujtime, artikuj).

Në këtë pjesë, spikatin artikujt plot tharm atdhetarie, ku autori nënvizon se “Shqiptarët nuk kanë pranuar t’i përulen asnjëherë agresorëve dhe pushtuesve, por kanë ngritur përballë tyre murin e hekurt të qëndresës, rezistencës dhe luftës së vazhdueshme, duke përballuar kështu stuhitë e egra të kohëve, sulmet e pandërprera të hordhive të çmendura ushtarake policore të Serbisë barbare dhe çetnikëve të Maqedonisë komuniste, të cilat kanë dashur ta mbajnë kombin shqiptar të nënshtruar, ta asimilojnë, t’i shuajnë gjuhën, kulturën, traditat e çmuara e të vyera, që janë dhe do të jenë kurdoherë të palëkundura sepse mbështeten në rrënjët e tokës së lashtë pellazge-ilire-shqiptare”. Në vijim, ai shpalos disa artikuj si dhe nxit e frymëzon përpjekjet shqiptare për identitet kombëtar, për prejardhjen ilire dhe gjuhën shqipe, duke përmendur këtu me respekt dhe nderim të thellë plejadën e mendimtarëve të vjetër të kulturës sonë kombëtare: Pal Engjëllin me  ”Formulën e pagëzimit”(1462), Gjon Buzukun dhe “Mesharin”, Barletin dhe ”Historinë e Skënderbeut”, Pjetër Budin dhe “Pasqyrën e rrëfimit”, Frang Bardhin dhe “Apologjinë e Skënderbeut”, Pjetër Bogdanin dhe “Çetën e profetëve” dhe plot vepra të tjera të këtyre mendimtarëve apo të tjerëve si ata, që sakrifikuan dhe u përkushtuan për gjuhën dhe kulturën e vjetër shqipe…

Libri alternohet me ese të bukura, të cilat si për ta çlodhur disi lexuesin, i japin atij informacionin real të gjendjes dhe jetës së shqiptarëve,  veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, në kohën e  sllavizmit – komunist, kur popullësia shqiptare trajtohej kafshërisht dhe në mënyrën më mizore. ”Ne, – shkruan Zendeli, – ishim asgjë për ata ushtarë që mezi prisnin të shfrenin mbi ne dufin e tyre shtazarak”. Dhe, në vazhdim ai përshkruan një skenë që e kujton dhe vetë nga fëmijëria e tij, kur të shtypur dhe të përndjekur nga ushtarët sllav–maqedonas: Një grumbull i madh njerëzish, gra, burra, të moshuar, fëmijë, ecnin duke brohoritur:   “Na lironi urën!” Disa u kthyhen mbrapa në drejtim të fshatrave të tyre, andej nga kishin ardhur. Papritmas njëri nga rojet gjuajti me mitraloz drejt popullatës shqiptare, duke vrarë dhe plagosur shumë syresh, si të gjuante mbi një trumbë me zogj të pambrojtur…Ata që u vranë dhe u plagosën nga pushkët e rojeve i hodhën në ujin e turbullt të Vardarit…Njëra nga nënat shqiptare bërtiti: ”Vëllezër, më mirë të mbytemi në ujin tonë, se sa të na e marrë shpirtin pushka e shkinisë!”.  U kapëm dorë më dorë me njëri-tjetrin. Nëna Kadë, na shtrëngoi fort për duarsh mua dhe Xhonin dhe na tha: ”Bijtë e nënës, ose do të dalim gjallë që të katërt, ose do të mbytemi në lumë. Mos e lëshoni njëri-tjetrin.” (Shkëputur nga pjesa: “Tmerri i Vardarit” shkruar nga S.Z.Daja) viti 2019.  

Kur kanë kaluar dekada nga ajo kohë që Sadulla Zendeli – Daja kontribuoi për ngritjen e shoqatave shqiptare “Ilirida” dhe “Kosova”  në Suedi, ai tashmë i moshuar u drejtohet atyre me një letër të ngrohtë përgëzuese, nxitëse për vazhdimin e  shqiptarizmit, për ruajtjen e gjuhës shqipe, por dhe të kulturës dhe të traditave të vyera të kombit shqiptar. Interesant dhe intrigues është në këtë pjesë artikulli: “O Plevnë, e shkreta Plevnë!”, ku autori shfaq kulturën dhe dijet e  tij për historinë dhe luftërat kundër Perandorisë Osmane dhe çlirimin e popujve, por, që, edhe aty u pleksen disa herë interesat e fuqive të mëdha, të cilat, duke abuzuar gjoja se donin të çlironin popujt nga osmanët, përpiqeshin t`i gllabëronin ata për vete. Kështu bënin sllavët, rusët dhe veçanërisht serbët, të cilët, duke gllabëruar tokat shqiptare, kryenin krime nga më çnjerëzoret mbi popullësinë e pafajshme dhe mbi rezistencën atdhetare shqiptare. Dhe, duke evokuar të kaluarën e lashtë dhe të lavdishme iliro-arbërore-shqiptare, Zendeli citon fjalët e shenjta të At Gjergj Fishtës se: “Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët kishin kryer ciklin dymijëvjeçar të qytetërimit të lashtë”.

 

                                                       I papërkulur 

 

Pjesa e tretë e librit, e titulluar ”Me shpirt e zemër flasin poetët”, pasqyron dhjetëra poezi të ndjera dhe me theks patriotik dhe atdhetar të autorit, por, gjen aty dhe poezi me tema sociale, politike, ashtu dhe me tema të ndjeshme poetike, ku Zendeli rrëfen përjetime reale për jetën, për idetë e përparuara, për prindërit dhe për vajzën që dashuron. Ngjall kërshëri teksti i hyrjes së këtyre poezive, ku autori nënvizon: “Asgjë  nuk është më e pasur, më e bukur dhe më e këndshme se sa poezia. Ajo është një dhuratë e shenjtë që krijon miq dhe famë, por jo edhe para!… Motivet lirike që defilojnë në poezitë e mia janë: atdheu, mali, drita, heshtja, malli, gjumi, vera, hëna dielli, yjet, dashuria, vetmia etj.. Poeti, – shkruan ai, – është një shqiponjë që vjen dhe ikën…”

Poezitë e këtij vëllim janë tërheqëse, me përmbajtje të thellë, me figuracion të pasur poetik, ku metaforat e fuqishme rrezatojnë shpirtin e ndjerë dhe të zjarrtë të Sadulla Zendelit. Mjafton të kujtojnë disa prej titujve të tyre: ”Poeti me flatra fluturon”,  “Poeti, vendi dhe dashuria”,   “Brengat e njeriut”,   “O vëllezër shqiptarë dhe mërgimtarë”,  “Vuaj dhe vdes për ty”,   “O bre burrë bjeri tumpanit”, nga e cila po shkëputim vargjet: “Bjeri bre burrë tupanit,/Deri kur lëkura të çirret,/Pastaj shko ti në amshim,/Kënga është shpirti im…”Kurse te poezia “Qumështi i jetës”, autori e lëmon dhe e ngre poezinë në nivele filozofike, duke u shprehur me një figuracion brilant, ku pemët, dhe valët e detit nëpërmjet metaforës së përdorur, fitojnë cilësi dhe “vetëdije” si të ishin njerëz, ato “i mbajnë krahët e ngritur/Dhe kërkojnë bekimin e  qiellit”,/ kurse “Valët vijnë  e shkojnë,/ Duke e prurë shpirtin e detit.” Një peizazh po aq i prekshëm, njëherazi dhe filozofik, është edhe poezia “U zgjuan fjalët”, ku stilistika poetike dhe figuracioni që zgjedh autori, shkojnë natyrshëm në vendin e  tyre, teksa lexuesi mbetet i stepur nga bukuria e vargut: “U zgjuan fjalët nga gjumi,/Pranë librarisë,/Ku bënin gjumë librat./ Disa autorë vallëzonin,/Mbi lëndinat e shpresave,/Në vendlindjen e fjalëve”. Shpirti i poetit është i ndjeshëm, për atë, çdo gjallesë e natyrës është e dashur, e sidomos kur ajo bëhet pjesëtare  e shtëpisë, siç është rasti i Çunit, maces së shtëpisë, që rrojti me poetin dhe me familjen e tij: “Rreth 24 vjet rrinte afër meje,/Në karrigen e tij ulur më shikonte,/Kur lexoja me zë më dëgjonte,/Kur shkruaja ia kriste gjumit./Çuni vdiq më 12 Dhjetor 2018./Në karrige e kam fotografinë,/Më duket se ka shkuar ndokund,/Por do të kthehet në shtëpinë e tij!”.

Kështu vijojnë poezitë “Deti ynë i bekuar”,   “Pranvera lulet na dhuroi”. Kurse te poezia  “Kujtime mërgimtare”, ndjenjat e autorit shpërthejnë:   “Lexoj, kujtoj dhe qaj,/Me sy të skuqur,/Për vendin tim të ndarë,/Në pesë shtete shpërndarë.” Te “Vajza të lazdëruara” Zendeli përshkruan me nota të bukura poetike lindjen dhe shpërthimin e dashurisë: Kalojnë jetën,/ Siç kalojnë gjethet,/Nga pranvera në verë,/Duke pikur në vjeshtë,/Kur piqet e ëmbëlsohet,/Lëngu i rrushit në vreshtë,/Me afsh e me zjarr në gji,/Dhe me tufa trëndafilash,/Të mbledhura në lëndina,/ E me vargje dashurie,/Që trokasin mbi kodrina,/Vrapojnë nga porta në portë,/Për ta shijuar jetën e natyrën,/ Më të bukur në botë”. Te poezitë e këtij autori, takon vargje të atillë, që të mbeten thellë në mendje dhe që pëcjellin te lexuesi shpirtin e pasur plot jetë dhe shprehje dashurore: “Eja ta gëzojmë edhe shpatin,/Sepse unë të dua më shumë,/Se dielli kur ndriçon fshatin”.  Është origjinale dhe plot ndjenjë dhe mall eseja “Xhamadani”, ku S.Z. Daja rrëfen dashurinë për prindërit dhe sidomos  për nënën e tij të dashur. Ai xhamadan i nënës, i zgjon atij mall dhe ai e dëshiron dhe e mban gjithnjë të veshur, sepse i duket sikur ka pranë prindërit e dashur, babanë që e la të vogël dhe nënën e shtrenjtë, që iu thanë sytë për djalin që mbeti atje larg në mërgim dhe që për atdhetarizëm, serbët nuk e lejonin të kthehej në mëmëdhe, madje as kur ajo vdiq, ata nuk e lejuan Sadullanë të vinte në atdhe dhe të hidhte një grusht dhe`…Spiunët serbë, gëlonin atë ditë në varreza si fantazma me veladon të zi, duke kërkuar mes procesionit mortor edhe atdhetarin Zendeli…

Në vazhdim, vargjet poetike pikojnë dashuri e dhembje: Dhe mos harro, o bir:/Kur të vish, pyet për mua,/Do të thonë se ku jam…/Do më gjesh nën këmbët e malit,/Të tretur prej mallit..,/Aty do të gjesh edhe një gur pa emër,/Nën atë gur, do të dëgjosh rënkimin tim,/Nga dhimbja për ty, biri im!” Kështu, vargjet e dhembshura, prekëse  e plot ndjenjë, harmonizohen hijshëm me dashurinë dhe mallin e protagonistit për prindërit, për fshatin e tij të dashur Sërmnovën, për atdheun. Kudo dhe kurdoherë, figura e tij, përballë vështirësive dhe pengesave, ngrihet e lartësohet fuqishëm, si një lis i drejtë e i papërkulur, që sheh gjithnjë qiellin e kaltër dhe diellin jetëdhënës.

 

                                               Ti o Dajë, o lulja e Sharrit!

 

Është po aq intersantë fakti se Sadulla Zendeli – Daja, ky atdhetar i shquar, është banori më i shpeshtë, madje i përhershëm i panaireve të librit në Tiranë. Ai ka marrë pjesë në të gjithë panairet e librit, ka munguar vetëm një herë kur do të operohej në Suedi, por, edhe atëherë, me mendje dhe me zemër ai ishte atje te panairi, te librat, te shkronjat dhe gjuha e bukur shqipe. S`ka asnjë shqiptar tjetër, as në Shqipëri, Kosovë, në trojet shqiptare dhe në botë, që të ketë marrë pjesë në të gjithë panairet e librit të zhvilluara  në Tiranë. Kurdoherë, ky njeri me zemër të artë dhe të bukur, ka qenë atje i pranishëm edhe me veprat e tij, me libra, poezi dhe prozë dhe me fjalorët tashmë të  njohur.  Siç thotë me të drejtë albanologu i njohur dhe Miku i Madh i Shqiptarëve, suedezi Ullmar Qvick (Kvik): “Vepra e Dajës do të rrojë në dobi të shqiptarëve, kudo ku ndodhen. Nderi i tij dhe nami i mirë do të ruhen në historinë e kulturës shqipe.”

Pjesa e katërt e librit “Mallëngjime mërgimtare” titullohet: “Artikuj dhe libra të botuara nga Sadulla Zendeli – Daja”. Kjo pjesë çelet me artikullin   “Një shkrim që duhet vazhdimisht të përsëritet”, të cilin, autori ua kushton heroizmit dhe vdekjes së Jusuf Gërvallës me të vëllanë Bardhoshin dhe bashkë idealistin Kadri Zekën, që u vranë nga dora katile e sigurimit ish jugosllav më 17 Janar 1982 në Gjermani, në rrethinë të Shtutgartit. Zendeli shkruan me zjarr: “Emrat e tyre janë të pavdekshëm në zemrat e çdo shqiptari dhe të pashlyeshëm mbeten për jetë të jetës në faqet e historisë sonë të lavdishme”. Pjesa vazhdon me artikujt: “Shpëtimi kombëtar”,   “Liria shqiptare varet nga vet shqiptarët”, por ka edhe ese të tilla: ”Për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë”, ”Besimi katolik, ortodoks dhe mysliman”, ”Mita, rryshfeti apo korrupsioni”,   “Për të huajt në vend të huaj”. ”Një jetë aktive në shërbim të kombit”,   “Për kulturën shqiptare në Suedi”,   “Sadulla Zendeli – Daja për shoqatën shqiptare: “Papa Klementi XI Albani”, Suedi”,   “Mëma është e shenjtë ajo nuk harrohet asnjëherë”, “Të gjithë, në një gjuhë e një flamur”. Sikurse, është informues dhe mesazhdhënës artikulli “Pak fjalë për historinë e fjalorëve të gjuhës shqipe”. Kjo pjesë mbyllet me një krijim brilant të rapsodit të njohur dhe të paharruar shqiptar Agim Gashi, i cili i ka kushtuar Sadulla Zendeli-Dajës një këngë me ndjenjë dhe me mesazhe të mëdha, e cila mbyllet me strofën: “Ti o Dajë, o lulja e Sharrit,/O stërnip i Xhemë Gostivarit,/ Besë, burrni e njerëzi n’jetë,/Na i le ti amanet;/Emri yt na është mirësia,/Me ty krenohet Shqiptaria, o hej!”

 

                                     Biri i Sërmnovës, nderi i Gostivarit,

                      mbi 50 vjet në “luftë” me penë për çështjen kombëtare

 

Pjesa  e pestë e librit, shpalos fillimisht një ekspoze të kohës dhe të mjedisit  ku    u përurua libri “Shekulli i pajtimit” i Sadulla Zendeli – Dajës, fjalët që u mbajtën atje nga botuesit, pjesëmarrësit dhe diskutuesit e shumtë, të cilët folën me pasion dhe me dashuri për vlerat e rralla të veprave të këtij personaliteti të shquar të kulturës dhe leksikografisë shqiptare. Ishin origjinale tema të tilla: “Sadulla Zendeli – Daja,  leksikograf, poet dhe mëmëdhetar i kohëve moderne”, poezia “I ngjashëm me stuhitë”, e krijuar dhe e recituar aty në sallë nga Liljana Kona, mes të cilës veçojmë vargjet: “Malli të djeg për vendlindjen Sërmnovë,/Ku çdo plis dheu, pemë dhe lule është flori,/Ku çdo burim uji, shteg dhe çdo fije bari,/Të ngjallin në shpirt ëndrra dhe dashuri./Vjen tek ne kurdoherë me vepra të vyera,/Si Dhaskal Thodri me shkronja n`Shqipëri,/Je përherë i nderuar, kryemësues i shqipes,/Ndaj të duan të gjithë, të rritur dhe fëmijë./Me njerëz si ty, jeta bëhet më e bukur,/Na jep krenari, me vepra na frymëzon,/Të urojmë jetë të gjatë, Sadulla Zendeli,/Ëndrra të realizuara sot  e përgjithmonë!”

Mbresëlënëse është edhe eseja e mbajtur nga Bujar Poçari: “Ta kurorëzojmë e ta pagëzojmë këtë shekull ”Shekull i pajtimit”, ku autori nënëvizon se “Sadulla Zendeli i Suedisë, bir i Sërmnovës, nderi i Gostivarit – 50 vjet në luftë për çështjen kombëtare”. Po aq fuqishëm tingëllon dhe fjala e poetes, stilistes dhe atdhetares Emine S. Hoti, ardhur nga Norvegjia: ”Kombi ynë i bukur dhe i lashtë e kërkon lirinë si shqiponja”. Gjithashtu dhe fjala e prozatorit Bashkim Saliasi: ”Zgalemi, Sadulla Zendeli – Daja” etj. Po aq i bukur është dhe montazhi me fotografi të pjesëmarrësve në përurimin e librit të Sadulla Zendeli – Dajës “Shekulli i pajtimit”.

Pjesa  e gjashtë  e këtij libri, ka në përmbajtjen e  saj artikuj kushtuar Sadulla Zendeli- Dajës nga gazetarë e studiues: Baki Imeri, poet, përkthyes, eseist dhe publicist shqiptar në Rumani, i cili shkruan artikullin “Lokomotiva letrare e mërgatës shqiptare”, që mbyllet me urimin:  “Qoftë e bekuar edhe kjo vepër e re e gostivarliut tonë, që jeton dhe vepron në trojet e mërgatës shqiptare!”  Vazhdon artikulli i gazetarit shqiptar Fran Gjoka ”Nderim për leksikografin, poetin dhe atdhetarin S. Z. Daja”, eseja “Daja” shkruar nga shkrimtari i njohur Andon Andoni. Në mbyllje të këtij libri botohen dhe dy mesazhe të përzgjedhur nga vet autori: “Vera, sa më  e vjetër, shijon më shumë” dhe “Vepra, që i flasin së ardhmes”, e  që ia dërgon Sadulla Zendeli – Dajës, shkrimtari Viron Kona, njëherazi recensent i librit, pasi është njohur me projektin e librit ”Mallëngjime mërgimtare”.

Duhet të pohojmë se librat dhe ajo bibliotekë e plotë e krijuar nga Sadulla Zendeli – Daja, fjalorët, – të parët, por edhe veprat e shumta në poezi e prozë, kontributi i tij në hapjen e së parës shkollë shqipe në Suedi,  sikurse dhe mesazhet, fjalimet dhe korrespondenca atdhetare, janë një pasuri e jashtëzakonshme librore e shpirtërore, të cilën ai e ka  ushqyer përherë me përkushtim dhe dashuri në  vite. Tashmë ajo krijimtari është e arkivuar në biblioteka publike e personale, apo në duar të lexuesve, teksa një gjë është më se e sigurtë: ajo do të jetë me përdorim gjithëkohor, sepse krijimtaria e Sadulla Zendeli – Dajës është gjithnjë një qiri i ndezur, që shkrihet për dashurinë për njerëzit, për kombin, për lirinë dhe të vërtetën.

ATDHETARI RIZA KISHTA Në optikën e studiuesit Meçan Hoxha – Nga Kadri Tarelli

 

Para pak kohësh e ftova Meçanin për kafe. U tregua i gatshëm. Me këtë rast këmbyem libra, si e vetmja mundësi për të nderuar dhe kënaqur njëri-tjetrin. Ai më dhuroi librin e tij të fundit “RIZA KISHTA. Emër që nuk harrohet”, ndërsa unë, “Koha në vargje”.

Që në fjalët e para, dua të shpreh falënderim dhe mirënjohje ndaj autorit, që ka shkruar e nxjerrë në dritë një libër me vlera lokale (për krahinën e Gramshit), po se po, por edhe me vlera kombëtare. Kam përshtypjen, se kur lexojmë fjalë të tilla të mëdha, na lind mosbesim ose dyshimi për vlerat e vërteta. Mos nxitoni dhe mos u trembni, bëni pak durim dhe më gjykoni kur të arrini në faqen e fundit. Sepse siç pohon Cornela Funke: “Disa libra shijohen ngadalë, të tjerë përpihen me një kafshatë dhe vetëm disa pak të tillë, përtypen për t’i tretur plotësisht”.       

Nuk them se e lexova librin me një frymë, siç shprehen disa, por e kundrova me shumë kujdes dhe interes, duke bërë nën-vizime e duke mbajtur shënime, pasi bën fjalë për histori njerëzore, ku fati i tyre është i ndërthurur me historinë tonë kombëtare, gjatë luftës e më shumë edhe pas saj. Fatkeqësi, por shoqëria qëllimisht dhe pabesisht u nda në dy grupe në kundërshti me njëri-tjetrin, ku pati xhelatë dhe natyrisht edhe viktima. Vetiu më gris pyetja, që s’i jap dot përgjigje: Kujt i shërbeu ky konflikt shoqëror?”. Për të ardhur keq që edhe sot e kësaj dite, vazhdon kjo përçarje që nuk i sjell asnjë dobi kombit në tërësi, por edhe individëve në veçanti e që s’po gjejmë qetësi. Pengojmë njëri-tjetrin, në vend që ta duam, ta ndihmojmë apo ta nxisim për vepra të mira, kur, me apo pa dashje, mohohen vlerat e veprimtarëve të nderuar, në emër të absurdit politik.

Kush ka njohur krijimtarinë e studiuesit Meçan Hoxha, rreth 10 libra, ku pjesa dërmuese e tyre lidhet me studime të karakterit historik, më jep të drejtë në gjykimin tim, sepse ai jo vetëm është mjeshtër i fjalës së bukur, por më shumë i mendimit të pjekur e të lirë, për të thënë kurdoherë të vërtetën. Këtu ai nuk bën kompromis më askënd, kur bëhet fjalë për këtë parim të shenjtë sa jeta. Ai adhuron filozofin e lashtësisë Aristotelin, që thoshte: “Platonin e kam mik, por më mik kam të vërtetën”. Ky është karakteri i tij, që buron nga fisnikëria dhe tradita, nga kultura dhe qasja që i bën vetes me realitetin tonë të trazuar, pa u ndikuar nga miqësitë, nga bindjet apo qejf-mbetjet. “Më mirë të jesh i torturuar nga e vërteta, sesa i lumtur nga gënjeshtra”, thotë dijetari Seneka.

Të gjitha sa shpreha më lart burojnë nga “respekti për të vërtetën”, siç thotë autori që në hyrje, pasi Riza Kishta, heroi i librit: “Është personaliteti më i përfolur ndër gramshiotët, në Gramsh e më gjerë. Është folur aq shumë që nga viti 1918…….. Veçanërisht shumë është folur pas çlirimit të vendit deri 1990, dhe i është rënë vetëm një avazi të një kënge të pështirë…., e cila është bërë e lemerishme”.

Është e çuditshme, që edhe pas 30-vjetësh të përmbysjes së diktaturës dhe propagandës marramendëse të luftës së klasave, ende mbeten njerëz me po ato bindje, si receta mjeku, apo si thënie të Biblës dhe Kuranit, që vetëm duhen besuar. Është fatkeqësi që ende ka “skllevër” të atyre mendimeve, kur kanë dalë aq shumë libra dhe dokumente mbi shtrembërimet e historisë sonë, sidomos të luftës NÇL, duke e paraqitur dhe pranuar vetëm bardhë e zi: komunistët “atdhetarë” e ballistët “tradhtarë”, sikur ata nuk ishin nga një gjak e nga një truall.

Është vërtet e dhimbshme, kur bëhet fjalë për ngjarje dhe veçanërisht për personalitete, si Riza Kishta, që e jetuan kohën, që kanë dominuar kohën me vendimmarrjet dhe që, në një farë mënyre ndikuan mbi rrjedhën e ngjarjeve. Ndaj duhet lexuar dhe nxjerrë mësime për historinë tonë të çoroditur.

Këtu qëndron edhe merita e librit dhe autorit, që sjell para lexuesit dhe opinionit publik, birin e Gramshit Riza Kishta, një personalitet të nderuar, një burrë shteti, autoritet i pa cenuar në veprime dhe në fjalë, të dhënë e të mbajtur në besë burrash, pavarësisht pasojave. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe kundërshtarët, mbase nuk e duan, por e nderojnë. Besoj se raste të tilla janë të rralla, por që nderojnë një familje, një fis, një krahinë dhe një popull. Nga shembuj të tillë mësohen, edukohen e udhëhiqen brezat në shekuj.

Një vlerë tjetër që duhet vënë në dukje, është puna e gjatë për rreth 30 vjetësh: “Ende lundroj në lumin ujëplot të Riza Kishtës”, thotë Meçani në bisedë mes shokësh. Një punë e pambarim dhe plot durim, për të grumbulluar material dokumentar e gojor të besuar dhe të ballafaquar, siç ndodh në monografitë, në mënyrë që të jenë sa të vërteta, aq edhe të besueshme. Ndaj unë i quaj kokëkrisur të gjithë ata që marrin përsipër të hartojnë një monografi, sepse veç vështirësive që has në emra personash, data, ngjarje e ndodhi, ku duhet t’i kthehesh disa herë, për të qenë i saktë, në përfundim do të ndeshesh edhe me opinionet dhe mendimet ndryshe, të cilave duhet t’u japësh përgjigje.

Megjithatë, unë dhe kushdo tjetër, kupton se autori i gjendur para kaq shumë të dhënash, është futur në lëkurën e kohës, aq sa na bën të besojmë se edhe ne si lexues po e jetojmë atë kohë, duke pyetur: Ç’ qëndrim do të mbaja unë, ti dhe të tjerët, para ngjarjeve dhe përplasjeve të mëdha të kohës? Si do t’i përballeshe me kurthet dhe të papriturat e luftës, të “miqve” dhe armiqve? Ç’anë do të mbaje para dilemave të mëdha ideologjike dhe politike që zienin dhe trazonin mjedisin shqiptar? Të bashkoheshe me sllavët armiqtë shekullor, apo të mbroje bashkimin me Kosovën, pa kufij, me administratë e arsim tw njësuar dhe kryeqytet Tirana, si fakt dhe frymë atdhetarizmi, që mbizotëronte te të gjithë nacionalistët, përfshi edhe njerëzit e thjeshtë?

Nuk ishte e lehtë të gjeje udhën edhe në oborrin tënd. Bashkimi trojeve nuk ishte “gozhdë” për të varur gunën apo xhaketën, por frymë atdhetarie e shqiptarie. Besoj se këtë mëdyshje e zgjidh përfundimisht një thënie të diplomatit Rauf Fico, biri i madh i Gjirokastrës, i vlerësuar aq lart edhe nga bota, që u thërret shqiptarëve si me profeci Dodone: “Dashtë Zoti me Flamurin Kombëtar në krye, të marrim dhe Kosovën e Çamërinë. E nëse nuk do t‘ia arrijmë kësaj, brezat e ardhmë do na gjejnë në varr, me gishtin drejtuar nga këto vise”.

Vlera më e madhe e këtij libri, por edhe e librave të këtij lloji të botuara së fundi, besoj se është mësimi i historisë pa hile dhe shtrembërime të sajuara apo të stisura qëllimisht. Kam përshtypjen se librat që kanë vetëm dokumentacion, kanë shumë vlerë, por janë të ftohtë. Dokumenti është pa lëng jete, nuk të ngjall ndjesi e përjetime. Thjesht të bind në të vërtetën historike dhe vetëm kaq. Ndërsa libri i Meçanit është shumë i ngrohtë, jo se ai e do dhe e përkëdhel “Heroin”, por e nderon atë, nuk i përbuz kundërshtarët, por i ve para provës, për t’u bindur e për t’i bindur, nga anon e vërteta dhe e drejta. Libri të tërheq ta çosh deri në faqen dhe fjalën e fundit, sepse ndërthuret me ngjarje të tabanit e të vatanit, në konferenca, parlament, fshat e qytet, në odat e miqve dhe në stane, kasolle dhe shpellat e krahinës, te miqtë dhe besnikë të besës, si zakon dhe betim shqiptari.

Në këtë hulli mendimi, cilindo e çudit një fakt i jashtëzakonshëm, kur e lexon: Rizai u arratis, duke kaluar në ilegalitet brenda krahinë së Gramshit, për një vit e gjysmë te miqtë dhe të njohurit e tij dhe nuk u kap nga forcat e ndjekjes, që kontrollonin çdo shteg, ditën dhe natën. Ky ishte nderimi që i bënte vendi, kësaj figure atdhetare dhe autoriteti që gëzonte ai. Cili nuk do e lakmonte këtë vlerësim deri në adhurim, nga populli i vet? Libri vazhdon më tej: Rizai kaloi rreth 14 muaj hetuesi, veç ai e di se ç’ hoqi. Aty provoi torturat e hetuesisë shqiptare, aq sa u mbeti në dorë, duke ndërruar jetë, por nuk u dëshmua asnjë faj që ta baltoste dhe ta damkoste, si armik apo tradhtar i atdheut.

Vetë libri është një dokument i plotë dhe i qëndrueshëm për historinë tonë kombëtare, pasi ashtu siç rrodhën ngjarjet në zonën e Gramshit, me pak dallime janë zhvilluar kudo nëpër Shqipëri. Nuk mund të hyj në hollësi, le t’i shijojë lexuesi të fshehtat që të mbajnë të mbërthyer deri në fjalën e fundit. Më duhet të nënvizoj një dukuri të asaj kohe: Fjala që përmendet shpesh nga Riza Kishta, si komandant i “Ballit” për krahinën e Gramshit, kur mund të kishte përplasje me armë, është: “Janë djemtë tanë dhe s’duhet të derdhim gjak shqiptarësh”. Ai e nderonte luftën për liri dhe luftëtarët që u ngritë, ndaj edhe shmangu çdo përplasje, kur në të njëjtën kohë, pas Konferencës së Mukjes, komunistët shpallën armik Ballin dhe ballistët, për t’u luftuar pa kompromis.

Në këtë shteg gjykimi, secili ka të drejtë të meditojë: Ç’ qëndrim do të mbaja unë, ndaj Shtabit të Përgjithshëm dhe Enver Hoxhës, kur u strehua në zonën e Gramshit, zonë që me forca të shumta e kontrollonte Balli? Rizai e dinte, por nuk veproi, e tëra në emër të luftës për çlirim dhe besës ndaj mikut, që vjen në shtëpi. Nuk e përtypte dot turpin, që do të mbante mbi shpinë. Një fisnikëri për t’u admiruar!

Vetë Rizai, ashtu edhe plot nacionalistë në mbarë vendin, ishin për pajtim kombëtar dhe jo vëllavrasje. Pas lufte, mendonin për një shtet demokratik, ku të sundonte ligji dhe drejtësia, jo për ndarje e luftë klasash, si murtaja më e egër që e sëmur dhe e prish një komb.

Kjo është edhe vlera e këtij libri, që të mëson dhe në të njëjtën kohë të bën të mendohesh e mundësisht të përjetosh ngjarjet. Sepse “E vërteta është e vetmja gjë që mund ta bëjë të madh një popull”, shprehet diku atdhetari i  rilindjes kombëtare Koto Hoxhi.

Riza Kishta lindi, u rrit dhe u burrërua si luftëtar e atdhetar i fisëm, por vdiq si antikomunist i vendosur. Mund të thotë kush, se ku qëndron faji i tij?

Në fund të këtij shkrimi modest, dua të përshëndes autorin, pasi titullit të librit, “Riza Kishta. Emër që nuk harrohet”, i dha kuptimin e duhur, duke e bërë atë të mos harrohet në jetë të jetëve, nëpërmjet futjes tek “Arka e kujtesës”, përkatësisht në një libër monografi. Ky libër e ngjalli dhe e solli Rizain e vërtetë në jetën e vërtetë, si një monument që nuk ka piedestal dhe shesh, por qëndron në ballë të çdo oxhaku nëpër shtëpitë e çdo gramshioti dhe në raftet e librave në mbarë mjedisin ku jetojnë shqiptarë.

Urime autorit Meçan Hoxha, duke shpresuar për libra të tjerë po kaq të bukur letrarisht dhe me vlerë përdorimi shqiptarisht!

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 07, vjeshta e parë, 2020.

 

Diva botërore Inva Mula me një grandkoncert në Arenën e Klan Kosova – E dua Kosovën – me këtë koncert vij t’i them “Faleminderit”!

voal.ch – Një koncert madhështor i sopranos Inva Mula në Arenën e Klan Kosovës me titullin – “Të du Kosovë”, duke sjellë reporterin e këngëtareve më të famshëm të Kosovës, si Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli, Muharrem Qena, Sabri Fejzullahu etj.

Inva startoi koncertin me këngët e divës Kosovare Nexhmije Pagarusha “Të du Prishtinë”, pastaj me “Zambakun e Prizrenit” e me rradhë.

Me një performancë magjike, me një orkestër të jashtëzakonshme, në piano Genc Tukiçi, me një skenë dhe ndriçim të përkryer dhe një kamer shumë artistike

Inva Mula performoi mrekullisht, duke bërë ta duartrokasë me zemër e gjithë Kosova.

Kishte një ngarkesë të tillë emocionale, sa dukej sikur intepretonte në qiellin e shtatë, niveli superor që arrin Artisti.

U duk sikur Pagarusha u ringjall!

Inva solli si homazh këngën e të jatit, Artistit të Popullit Avni Mula, gjakovar që u largua nga Gjakova 2 vjeç dhe u kthye pas dekadash.

Sopranoja me famë botërore krijoi mes publikut dhe interpretimit të saj një fushë manjetike nga ato që dinë të krijojnë vetëm artistët e dimensioneve të saj.

Nëse e do Kosovën një herë, Kosova ta kthen me dashuri njëqindfishe.

“Po këndoj këngë të mëdha, janë të vjetra në kohë, por janë të pavdekshme”, thotë Inva.

“E dua Kosovën, shprehet Inva Mula përpara mikrofonit. “Jam rritur me këto këngë, artistët e Kosovës kanë patur një ndikim shumë të rëndësishëm në formimin tim si artiste dhe sot me këtë koncert, kam ardhur këtu t’ju them “faleminderit”.

Në fakt është një gërshetim reciprok falenderimesh midis Inva Mulës dhe Kosovës./Elida Buçpapaj

Migjeni uragan në letërsinë shqipe – Nga BLEDI FILIPI

 

 „…vepra ime ka karakter luftarak dhe, paraprakisht, për kushtet e veçanta tonat, duhet me e manovrue, pra, disa herë, edhe në mënyrë të maskueme. Unë s’mund t’ua spjegoj këto grupeve. Ata duhet t’i kuptojnë vetë. Qarkullimi i veprës s’ime  diktohet nga imperativi i etapës shoqnore që po kalojmë. Për veten time, unë e quej veprën t’ime si një kontribut për bashkimin e këtyre rretheve. Në rrnofsha, vepra ime konspektivisht do të kryhet. Kam besim se vegimet e mia do t’i verifikojë zhvillimi i mëvonshëm i ngjarjeve..”.-Migjeni ( “Nëntori” 11 1955/ f.69).

Migjeni ndoshta e parandjente që do të largohej shpejtë nga kjo botë. Ndaj edhe shkrimi i mësipërm vjen si një profeci që ai bën për jetën dhe veprën e tij. Shkrimtar që pëlqehet nga çdo moshë dhe vargjet e tij pëlqehen nga cilido, kjo për të vetmen arsye: se ai ishte vetvetja dhe e nxirrte atë çka i vlonte në gji.

Migjeni , ky uragan i letërsisë shqipe që qe zëri i rinisë së atëhershme jetoi pak por la pas një vepër madhore. Veprimtaria  e Migjenit përmblidhet në vitet 1934-1936. Gjer më 1936-tën ai pati  shkruar pjesën më të madhe të vjershave dhe prozave të tij. Më 1937-1938 shkroi  pak sepse sëmundja sa vinte dhe e rëndonte më tepër. Në  mbarim të vitit 1937 Migjeni do të niset për në Torino të Italisë për t’u mjekuar  dhe ndjekur studimet për letërsi.

Por fati nuk mbajti në anën e Migjenit, sëmundja e rëndoj edhe më tepër dhe pikërisht në marsin e vitit 1938, poeti u shtrua në sanatoriumin e Torinos, dhe më 26 gusht  kur ende nuk kishte mbushur 27 vjeç, Migjeni u shua.

Migjeni , mbetet një ndër shkrimtarët e pëlqyer në letërsinë shqipe si poet dhe si prozator. Prozat e  Migjenit  kanë rëndësi jo vetëm për gjerësinë e tematikës, forcën e ideve, vlerën artistike, por se ato, i flasin hapur lexuesit sikur dialogojnë me të. Përmes alegorisë Migjeni fshikullon anët e errëta të shoqërisë së atëhershme. Kjo duket te : ‘’Sokrati i vuejtun apo derr i kënaqun”, këtu ai godet hipokrizinë shoqërore.

Tek Migjeni nuk mungon as elementi  romantik. Elementi romantik është pjesë përbërëse e  realizmit të Migjenit. Si në prozë ashtu edhe në poezi, Migjeni ka stilin e vet, një stil që i dallon menjëherë shkrimet e tij. Stili i tij është energjik dhe sulmues; gjëmon dhembja për të mjerët. Nëse në poezi Migjeni zgjatet, në prozë bën të kundërtën: shkurt dhe prerazi.

Për gjuhën e Migjenit mund të nxirren këto përfundime:

Ai shkroi në të folmen e Shkodrës, por edhe të folmeve të krahinave të saj. Tek poeti ndeshet ndonjëherë edhe  ndonjë influencë të rrallë të  toskërishtes, kjo për arsye se kishte jetuar në Manastir. Disa nga fjalët gegërisht që e pasurojnë  gjuhën e Migjenit janë: aht, biban, i harlisun,marre,   i molisun , dikon, zhelmel etj.

Gjithashtu në shkrimet e Migjenit hasen edhe  fjalë neolatine: akord, akrobaci, alegori, apotezë, diskret, ekstazë, fatal etj.

Migjeni,  jetoi pak por la pas një vepër madhore. Fuqia e tij e fjalës , saktësia e përshkrimit, njohja e jetës e çuan  i dhanë shtysë për të ecur në krijimtari. Migjeni poeti i madh që i reziston kohërave është dhe mbetet një Bodler i letërsisë shqipe.

Mustafa Spahiu, i vetmi shqiptar në Antologjinë botërore të poezisë për fëmijë – Nga Tafil VELIU

 

Poeti dhe përkthyesi i mirënjohur Mustafa Spahiu, i vetmi shqiptar në Antologjinë botërore të poezisë për fëmijë dygjuhëshe në serbishte dhe gjermanisht. Spahiu është prezentuar me 10 vjersha.

 

 

BOTA FËMIJËRORE NË “GËZIMIN

E FËMIJËS”

 

 

Antologjia më e re – “Deçja radost” – “KINDERFREUDE” (Gëzimi i fëmijës), 2020, në serbisht e gjermanisht, në të cilën janë përfshirë 63 autorë nga shumë vende europiane, është si një lumë i fantazisë së kujtimeve, personifikimi i përdridhjeve të butësisë së flladit të këndshëm të fëmijës, është libër i 31-të i përmbledhjeve antologjike, në të cilën janë qëmtuar dorëshkrimet, përzgjedhja, përkthimi dhe shënimet e shkurta për autorët.

Me entuziazmin të them gati të pashembullt, me energjinë e papërsëritshme ia ka dhuruar kë vepër botës së fëmijës Prof. Dragica Matejiç Schröder nga Jagodina.

Ajo, pra, me shkathtësinë e vet i ka radhitur si rruazat në gjerdan, zhanret e ndryshme të arritura dhe me këtë ka arritur një efekt të bëshëm letrar… Çdo gjë është e përkryer, biles është numri i barabartë i përfaqësuesve sa meshkuj aq femra krijues.

Antologjia “Gëzimi i fëmijës” është gërshetuar nga rrëfenjat, tregimet e shkurta e të poezisë, të gjitha me cilësi karakteristike në vete. Dorëshkrimet burojnë nga arkivi i oazes së paqes dhe “gjallërojnë” para syve tanë, sepse fëmijët janë si zogj të rrallë dhe mendimet e tyre janë si lulishte… Urat jashtëkohore të znj. Dragica Schröder, tani gjatë kohë e bashkangjesin artin e kulturën e shumë kombeve të ndryshme, që është një dëshmi e 63 me stile nga më të larmishmet, që na ofron tokën me ngjyra-ngjyra dhe kthimin në mrekullit e hareshme fëmijërore…

E tërë një botë “jeton” në këtë Antologji, që është zhdukur bashkë me puhizën, duke na ofruar imazhe të së kaluarës, të ndërtuara me magjinë e bukurisë së fjalës; përplot e mbushur me kujtime të mëndafshta e moskokëçarje të viteve të arta fëmijërore…

Antologjia “Gëzimi i fëmijës” paraqet një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe me vlerë cilësore letrare.


Mustafa SPAHIU, u lind me 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Anamoravës së Gjilanit, Republika e Kosovës. Rrjedh prej një familje zejtare-bujqësore të kamur e fisnike. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. E kreu Akademinë pedagogjike – gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup. I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe. Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në “Flaka për fëmijët tanë” – Shkup.

Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi – programet në gjuhën shqipe. Për 25 vjetë me rradhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionion më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”. Mbi 14 vjet e drejtoi emisionin letrar të koduar “Tingulli i artë i fjalës”.

Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve “Pushkin” në Tetovë u nderua me çmim të parë.

Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave: kroatishte, boshnjakishte, maqedonishte, serbishte, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë.

Është anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë. Është anëtar i Klubit të shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” të Elbasanit, R. e Shqipërisë. Është qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe Mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit.

Pas 41 vjet shtazh pune është pensionist, krijon, punon, lexon, përkthen, boton dhe jeton në qytetin e Shkupit. Vendlindjen e ka burim të pashtershëm frymëzimi.

 

Biografi lirike e librave të autorit:

  • Buzëqeshjet e okarinave – (1981)
  • Ylbere lirie… – (1982)
  • Mollëkuqet e blerimit – (1984)
  • Fëmijët kalojnë nën ylbere – (1988)
  • Nobelistët për fëmijë – (1989)
  • Livadhi im – “Moja livada” – (1989)
  • Buzëburimi – “Pokraj izvorot” – (1992)
  • Sytë që shkrepin fëmijëri – (1994)
  • Fëmijët lozin në brerore – (1994)
  • …Më ka marrë malli… – (1995)
  • Rregullat e mirësjelljes (Bonton) – (1995)
  • Ora që kurdiset nga ëndrrat e fëmijëve – (1996)
  • Vallja e okarinave – (1999)
  • Kolovajza e ëndrrës sime – (2000)
  • Këngët e trishtilit – (2000)
  • Sikur t’isha djalë i diellit – (2004)
  • Fëmija është bilbil i shtëpisë – (2005)
  • Me buzëqeshje ju dal përballë – (2005)
  • Fëmijët fshihen në gjelbërim – (2007)
  • Era s’ka shtëpi (haiku) – (2007)
  • Fermanet e pranverës – (2009)
  • Një imazh fshati më mungon – (2011)
  • Çka ëndërron dallandyshja – (2011)
  • Flamingo (haiku) – (2011)
  • Unazë në amforë (haiku me rimë) – (2013)
  • Shtëpia me melodi violinash – (2013)
  • Vashëza ullinjore fsheh ishullin – (2013)
  • Rreze mbi lirikën e zogut – (2015)
  • Në ballë të ditës bukuritë – (2015)
  • Ni bambus, ni ključ / As bambu, as katinar (haiku kroatisht – shqip) – (Zarë, 2016)
  • Dromca ëndrre (haiku) – (2016)
  • Lirikat e qershorit – (2017)
  • S’lejoj askush t’ma ndërrojë fëmijërinë – (2017)
  • Jam nga fëmijëria ime – (2018)
  • Vjeshtë e parvjetshme thashethëmesh – (2018)
  • Ani bambus, ani klucz / Ni bambus, ni ključ / As bambu, as katinar – (tregjuhëshe: polonisht, kroatisht, shqip) – Krosno, Poloni (2018)
  • Fluturoj pa kraj, vrapoj pa këmbë, puth pa buzë – hajkun – (2019)
  • Piknik në liqenin e bardhë – (2020)

NJË VËSHTRIM I VEPRËS MË TË FUNDIT TË GËZIM ALPIONIT PËR SHQIPTAREN MË TË FAMSHME NË BOTË – Nga Dr Ridvan Peshkopia*

 

 

12 Gusht 2020

 

Miku dhe bashkatdhetari im studiues Gëzim Alpion, i cili ligjëron në Universitetin e Birmingham-it, i ka përkushtuar një copë të madhe të karrierës së tij akademike hetimit, ndriçimit dhe shkolitjes së personalitetit jashtëzakonisht kompleks të Gonxhe Agnes Bojaxhiut. Bota e njeh atë më mirë si Nëna Terezë.

 

Unë e konsideroj këtë përkushtim të Alpionit një sakrificë në vetvete (unë vetë nuk kam mundur t’i përkushtohem një teme të vetme hulumtuese), por kjo sakrificë është shpaguar. Ai konsiderohet sot si “autori më serioz në gjuhën angleze” për Nënën Terezë dhe “themeluesi i fushës studimore për Nënën Terezë.” Ai është mbase autori më i mirë në botë në lidhje me Bojaxhiun dhe studimi i mëtejshëm i saj nuk mund të kryhet pa iu referuar gjerësisht punës së Alpionit.

 

Libri i tij i ri, Nëna Terezë: Shenjtorja dhe Kombi i Saj, u hodh në qarkullim nga shtëpia botuese Bloomsbury Academic Publishing më 31 korrik. Në disa vende, libri do të dalë në qarkullim më 6 gusht dhe 15 shtator.

 

Përpara se t’i kthehem punës së tij, një shënim i shkurtër për vetë Nënën Terezë. Unë vetë e kam takuar Nënën Terezë dy herë, përzemërsisht, shpenguar dhe pa më lënë ndonjë përshtypje afatgjatë. Unë nuk jam mes atyre që e adhurojnë Nënën Terezë e as mes atyre që i ngrenë monumente asaj pasi i kanë mohuar për dekada bashkimin familjar me një nënë të sëmurë e cila jetonte e izoluar bashkë me të bijën, motrën e Nënës Terezë; dhe as jam unë ndonjë nga ata që e mallkojnë atë si të pafe dhe satanike.

 

Unë kam lexuar kritika të besueshme kundër saj nga mjekë indianë dhe intelektualë botërorë, por po ashtu prirem të pranoj se vullneti i saj i fuqishëm njerëzor ndihmoi në ndryshimin e të kuptuarit nga bota perëndimore të varfërisë në Botën e Tretë, transformoi konceptin e bamirësisë dhe ndihmoi formësimin një këndvështrimi të institucioneve fetare në shekullin e 20-të si organizata të punës sociale.

 

Nëna Terezë çau rrugën drejt një transformimi të madh në marrëdhëniet ndërklasore dhe, duke humanizuar të skamurin, u ofroi një mundësi të kamurve të gjejnë humanizmin e tyre. Kjo ishte një arritje revolucionare në vetvete.

 

Në librin e tij më të fundit, argumenti kryesor teorik i Alpionit është se një personalitet i përmasave dhe ndikimit botëror si Nëna Terezë nuk vjen rastësisht.

 

Për të dhënë një portret të plotë të kësaj figure ndikimplotë, libri i qaset Nënës Terezë në rrethanat e saj familjare dhe mjedisin e saj etnik, kulturor dhe shpirtëror. Autori eksploron jetën dhe veprën e saj nën dritën e informacionit të zbuluar rishtas për familjen e saj, traditën shpirtërore shqiptare përpara dhe pas hyrjes së krishtërimit si dhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera mbi popullin e saj qysh nga mesjeta e hershme.

 

Duke u përqëndruar në traumat e saj, vuajtjet dhe arritjet si individ por edhe si misionare, si dhe në spiritualitetin e saj kompleks, Alpioni argumenton se jeta e Nënës Terezë dhe historia e kombit të saj, veçanërisht marrëdhënia e popullit të saj me katolicizmin, janë të ndërlidhura. Shkolitja e kësaj ndërlidhje është thelbësore në kuptimin e asaj se si kjo ikonë bashkëkohore shpirtërore dhe humanitare u bë mishërimi i ADN-së kulturore dhe shpirtërore të kombit të saj.

 

Në këtë vepër Alpioni përqëndrohet në traditën shpirtërore iliro-shqiptare përpara dhe pas futjes së feve monoteiste. Ai ofron informacion mbi rolin kyç dhe të pakrahasueshëm që luajtën ilirët në krijimin e një strehe për krishtërimin në Evropë më shumë se tre breza para se sa vetë romakët të konvertoheshin zyrtarisht në të. Alpioni thekson traditën apostolike ilire për të treguar se, në këtë drejtim, shqiptarët ishin përpara gjithkujt tjetër në Evropë. Për më tepër, libri argumenton se mikpritja që ilirët e lashtë i dhanë kësaj feje ishte një pasqyrim i homogjenitetit të kësaj “race të përbërë.”

 

Po ashtu, ky përqafim i hershëm i krishtërimit, asokohe feja e skllevërve, të varfërve dhe të shtypurve, ka domethënie të madhe si për statusin e ilirëve në Perandorinë Romake, ashtu edhe për ndjenjat e tyre ndaj Romës së asaj kohe. Kësisoj, Alpioni argumenton se marrja e fesë së krishtere nuk ndodhi as për të mbushur ndonjë zbrazëti shpirtërore dhe as si përpjekje për të fituar një identitet kombëtar të ri.

 

Për Alpionin, shqiptarët janë përbrendshmërisht pragmatistë. Pragmatizmi i tyre, i cili shfaqet veçanërisht në zgjedhjet e tyre shpirtërore dhe fetare, ilustron mbi të gjitha karakteristikën më të spikatur të këtij populli. Shqiptarët nuk e kanë vendosur kurrë fenë në qendër të identitetit të tyre; asnjë fe nuk ka qenë për ta raison d’être apo shenjuesja kryesore e identitetit të tyre kombëtar.

 

Përkundrazi, duke ndjekur analizën e Alpionit, duket e arsyeshme të argumentosh se krishtërimi i hershëm, më shumë se sa një burim identiteti kombëtar dhe/ose spiritualizëm individual, thjesht u dha shqiptarëve një ideologji çlirimtare.

 

Vëmendja që Alpioni i kushton në këtë libër trashëgimisë së lashtë krishtere të kombit shqiptar nuk ka aspak të bëjë me pikëpamjen e disave — si të huaj ashtu edhe shqiptarë — se kjo fe është feja “e vërtetë” e këtij populli.

 

Ndryshe nga krishtërimi, islami pati qenë sjellë në Shqipëri nga pushtuesit osmanë. Megjithatë, kjo fe nuk duhet parë si mbivendosje në identitetin dhe trashëgiminë shqiptare dhe mbi këtë bazë të hiqet qafe. Ashtu sikundër krishtërimi, edhe islami përbën një element të identitetit shqiptar.

 

Alpioni argumenton se shqiptarët kanë përfituar shpirtërisht nga të dyja këto fe. Ato ilustrojnë aftësinë mbresëlënëse të këtij populli për të marrë, përqafuar dhe praktikuar fe të reja me lirshmërinë inovative që karakterizon veçanërisht popujt e vjetër me filozofi kulturore të sofistikuara, duke mos lejuar asnjë fanatizëm të kontrollojë plotësisht jetët e tyre.

 

Kjo shpegon pse, për shqiptarët, identiteti kombëtar është një nocion që përfshin tejetej ekzistencën e tyre para- dhe pasmonoteiste. Unë mendoj se ky është një argument elegant, i cili ndihmon në të kuptuarit edhe qëndrimin unik të shqiptarëve ndaj fesë dhe tolerancën mbresëlënëse ndërfetare mes tyre.

 

Alpioni po ashtu tregon se lidhja e matur dhe skepticizmi i shqiptarëve ndaj feve janë rezultat i përvojave të tyre të dhimbshme me fetë dhe institucionet fetare.

Për arsye të parashtuara tejetej në libër, përfshirja e Vatikanit në zvogëlimin e arkdioqezave katolike të Dardanisë, Ohrit, Tivarit dhe Shkupit dhe në rrudhjen e komunitetit katolik të origjinës së Nënës Terezë në Shkup, tregon se kjo organizatë, së bashku me Kishën Ortodokse Serbe, ka luajtur një rol në sabotimin e krishtërimit mes shqiptarëve dhe, si rezultat, ka kontribuar në sllavizimin e tyre.

 

Shqiptarët ortodoksë, nga ana e tyre, po ashtu prej shekujsh kanë qenë nën presionin e Patriarkanës Ekumenike Ortodokse dhe Kishës Ortodokse Greke dhe përpjekjet e tyre për helenizimin e këtyre shqiptarëve vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

 

Po aq e dhimbshme ka qenë dhe mbetet përvoja e shqiptarëve muslimanë. Kërcënimi osman ndaj identitetit dhe kohezionit kombëtar është rishtuar tani me përpjekje të pareshtura dhe fonde të pamata nga Turqia për të turqizuar muslimanët shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.

 

Ngjashmërisht me punët e tij të mëherëshme, në këtë libër të ri Alpioni zbaton një perspektivë sociologjike për të sëndërtuar dhe testuar arguementet e tij teorike. Në monografinë e tij Nëna Terezë: Shenjtore apo e Famshme? botuar në 2007 nga shtëpia botuese Routledge dhe në një artikull të vitit 2019 për arsyet e mungesës së personaliteteve fetare në fushën e studimit të njerëzve të famshëm, Alpioni ka nënvizuar nevojën për një perspektivë sociologjike në trajtimin e çështjeve/temave dhe personaliteteve fetare, në vend që ato t’u lihen përjashtimisht teologjisë dhe hajografisë.

 

Në këtë libër të ri, Alpioni thekson domethënien e përdorimit të përfytyrimit sociologjik në studimin e ndërveprimit të individit dhe shoqërisë, ndërthurjen e biografisë dhe historisë, si edhe transformimin e “problemeve personale” në “çështje publike.”

 

Me argumentin e tij kompleks, ky studim e përballi Alpionin me disa sfida serioze epistemologjike dhe metodologjike. Teksa mbetet thelbësisht një studim sociologjik, ashtu sikundër edhe në ndërmarrjet e tij të tjera hulumtuese, përveçse si sociolog, në këtë monografi Alpioni vepron në mënyrë të ndërsjelltë edhe si teolog, historian, antropolog, psikolog, shkencëtar politik, ekspert i studimeve kulturore dhe analist i medias.

 

Për të kryer punën e tij në terren, Alpioni udhëtoi në një numër vendesh (Indi, Australi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Itali) për të takuar të afërm të Nënës Terezë, kolegë si edhe vullnetarë që kanë ndihmuar në organizatën e saj.

 

Ai po ashtu ka përdorur gjerësisht Arkivin Kombëtar Shqiptar në Tiranë, Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe Arkivin e Arkdioqezës Katolike Tiranë-Durrës. Po ashtu, Alpioni ka pasur qasje në dokumentacionin dhe letrat private të Nënës Terezë të ruajtura në një numër arkivash personale dhe të papërdorura më parë në studimet për Nënën Terezë.

 

Unë kam qenë kurdoherë i magjepsur me punën e Alpionit rreth Nënës Terezë, sepse ai kurdoherë ka mbajtur distancë emocionale dhe shpirtërore nga subjekti i studimit të tij, duke e bërë atë domosdoshmërisht dhe arsyetueshmërisht objektiv në studimin e temës së vështirë të personalitetit dhe spiritualitetit të Nënës Terezë.

 

Në këtë libër të ri, Alpioni kombinon këndshëm ekspetizën e tij në sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe një stil letrar të pashoq.

Një nga temat më magjepsëse që Alpioni ka hulumtuar te Nëna Terezë është errësira e shpirtit. Nga bisedat e mija të gjata virtuale me të (dhe ndonjëherë në takime dhe diskutime shoqëruar me kafe), kam kuptuar se errësira e shpirtit e Nënës Terezë (të cilën ajo e pranon në disa nga letrat e saj), ka frymëzuar tek Alpioni një opus të ri kërkimor.

 

Në botimet e tij më të fundit, Alpioni merret me koncepte të tilla ekzotike dhe ezoterike si karizma e parë nga një perspektivë sociologjike dhe e perspektivës së teologjisë publike, retorika populiste e Enoch Powell-it dhe arsyeja e mungesës së ikonave bashkëkohore shpirtërore në studimet e njerëzve të famshëm.

Përgjatë vijave të tilla të mendimit, Alpioni po zhvillon tani idenë e “kapitalit të famës” si një ndryshore në kontekste si brenda vendeve, ashtu edhe ato ndërkombëtare, ku ai depërton brenda dukurisë së “Natës së Errët të Shpirtit” nga një perspektivë sociologjike dhe eksploron rolin e fesë në fabrikimin e identitetit kombëtar.

 

Libri i tij më i fundit është një kulminim e këtyre përpjekjeve.

PËR AUTORIN E SHKRIMIT

 

Professor Ridvan Peshkopia është lektor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, Kosovë. Ai e ka marë doktoraturën e tij në Shkenca Politike nga University of Kentucky dhe ka qenë për një vit akademik studiues postdoktoral në George Washington University. Fushat e tij të kërkimit mbulojnë modelimin matematikor dhe statistikor për shkenca politike, sjellje politike, teori politike, studime migracioni, studime të paqes dhe studime filmike. Ai ndan kohën mes Gjakovës dhe Tiranës.

 

Regjistrimi i pasurive jomateriale- Kërcimi i Tropojës, dijebërja e Xhubletës, bjeshkimi dhe Eposi i Kreshnikëve do t’i propozohen Unescos nga Shqipëria

Fatmira Nikolli

Kënga majekrahu është një prej elementeve më të rrallë të pasurive kulturore në zonën e Mbishkodrës. Më shumë se sa art, ajo ka lindur si mënyrë komunikimi, çka e bën tashmë një element në zhdukje, kur mënyrat e komunikimit janë të shumëllojshme dhe të shpejta.

Për elemente si ajo, Ministria e kulturës ka nisur inventarizimin e pasurive kulturore jomateriale në bashkëpunim me Unescon. Inventari që do të njihet si regjistri kombëtar, është konceptuar si një open data, duke qenë edhe se sfidat e epokës digjitale bartësit e këtyre pasurive i ka vënë në sfida mbijetese.

Meri Kumbe zv.ministre e Kulturës tha se projekti do të shtrihet në Korçë, Shkodër, Gjirokastër dhe pritet të regjistrohen 90 elemente për 2 vite.

“Elementët do të përzgjidhen nga vetë komunitetet. Në secilin qark do ketë dy grupe në terren, të përbërë nga banorë, bartës e specialiste. Në fokus në fillim do jenë dukuritë në rrezik”, tha Kumbe duke shtuar se përparësi do kenë dukuritë në rrezik.

Synimi i regjistrit kombëtar mund të shërbeje edhe për rizgjimin e zonave.

“Regjistri shihet si fillesë e turizmit kulturor”, tha Kumbe.
Drejt Unescos ndërkaq do shkojnë katër propozime: Vallja e Tropojës, bjeshkimi e dijebërja e xhubletës. Ndërkaq Kumbe tha se rinis dhe dosja e Eposit të Kreshnikëve
Festivali folklorik i Gjirokastrës që shërben si përbashkues e promovues i dukurive e kulturave, do të mbahet në varësi të ndryshimit të masave anticovid.

Plagjiatura, hajdutëri që dhëmb (gjithnjë) – nga Bajram Sefaj

 

 

(Shkëputje nga romani “Terra nullius”, Rozafa, Prishtinë – 2009)

Dëshpërimi ishte më i madh. Më egërshan se shfaqej në shikim të parë. Rasti i shkrimtarit nobelist, sikur ia gërvishti dhe lëndoi plagën e thellë, që kurrsesi të zinte cipë shërimi. Kishte kohë që ishte ndalur në nyjën që iu duk më e madhe se Nyja e Gordonit. (Pyetje: pse, si e qysh ka ardhur deri të ky krahasim, nuk e dinte dhe, hëpërhë përtonte të rrëmonte nëpër fjalorë të fjalëve e shprehjeve të huaja, i bindur se të tjerët, lexuesit e vëmendshëm, e dinë mirë këtë, prandaj e la për njëherë tjetër!). Problemi që e mundonte tash ishte më i madh se çdo nyjë dhe se shumë vështirë do të lirohej prej tij. I duhej shërim sa më i shpejtë. Sa më efikas. Kishte krupë, mosdurim kishte, ndaj vjedhësve. Ndaj hajdutëve, të çdo lloji e soji. Qoftë edhe të imët. Në veçanti ua kishte inat atyre që çojnë dorë në shkrimet e tjetrit. Huazusve. Përshkruesve të tekstit të tjetrit. Shkërbyesve. Me një fjalë, plagjiatorëve. Kleptomanëve. Të gjithë, pa përjashtim, e dinë domethënien e këtyre dy fjalëve të huaja. Uri a etje e sëmurë për vjedhje, nevojë e pa nevojë, bre, fytyrë mos paçin!

(Huazim: “Si sorra sot/ Gjenden njerëz plot; shkronjëtore plot kam parë/ Vjershëtorë të dëgjuar/ Po veprat që kanë shkruar/ Nga të tjer’ i kanë marrë/ Më vjen të shaj këto shkrime/ Po nuk është puna ime”. Po, po, tha Ndreu dhe bloi: po të kihet parasysh se këto vargje u shkëputën nga poema “Sorra që niset me pendët e palloit”, të fabulistit me famë botërore La Fontaine, që ka jetuar dhe shkruar midis viteve 1621 dhe 1695, domethënë para afro pesëqind vjetësh, kjo vetiu do të thotë se shëmtia e plagjiaturës është jetëgjatë, sa edhe rrena, tradhtia, pabesia, lia, inati, zilia, sifilizi, mortaja, jahnietllëku…!).

Lum fabulisti i famshëm, La Fontaine, kur poemën e mbyll me vargun – “po nuk është puna ime”. Ndaj atyre që “Po veprat që kanë shkruar/ nga të tjer’ i kanë marrë”, Ndreu kishte një mosdurim e hidhërim të pashërueshëm!

Sa lexoi për skandalin më të ri të kësaj dukurie, aq më tepër kur këtë radhë ishte i nivelit më të lartë dhe merrte përmasa botërore, në vështrim iu shfaq një fushë, një mal i madh, plagjiatorësh, hajdutësh e shkretanësh të tjerë, që as emrin e vet nuk dinë ta shkruajnë si duhet e me korrektësi, as emrin e vet nuk kanë fuqi ta qesin në letër pa konsultuar shkrimin e tjetrit. Në mesin e tyre kishte gjithfarë fytyrash bajate. Më të imëtit, por njësoj të dëmshëm, për të mos thënë të rrezikshëm, kur përditë shkruajnë e botojnë në shtypin e shkruar dhe atë elektronik. Më të rrezikshmit, më të pandershmit dhe më të çoroditurit janë ata shkrimtarë dhe poetë, që ngrihen e zhvillohen si të tillë, gjithmonë në saje të vjedhjes, të marrjes hua nga të tjerët. Ata janë më të shëmtuarit. Të tillët nuk ka ujë në dete e oqeane që t’i lajë, t’i pastrojë mëkati e marreje.

Në çastin më kritik, në kthesën më të keqe, në bërrylin më të mprehtë dhe më delikat të dëshpërimit, kur ishte në një gjendje të tillë shpirtërore, shqetësimi dhe trazimi, në çastin kur jo vetëm shkrimin në prodhim (ndërtim), por gjithë atë që kishte rreth vetes desh i asgjësoi dhe i bëri hi e pluhur, duke filluar nga ato më të trashat: kompjuter, monitor, tryezë e punës e deri të ato më të imëtat: stilolapsat, shumë fletë të radhorëve, shpërndarë gjithandej me copa shënimesh, qoftë edhe si ide të mjegulluara, për ndonjë krijim të arsyeshëm, nëse jeta shfaqet dorëlirë e i jepte ymër, i erdhi në ndihmë krenaria, mburrja, gëzimi… Krejt kjo ndodhi, sa mbyll e çil sytë, kur ishte në atë teh zeherli, sa s’bëhet më i mprehtë, dileme: ç’të bënte, si t’ia bënte, nga t’ua mbathte, kur ishte në cep gremine…

Në buzëshkrumb iu ngjit një rreze buzëqeshjeje, që, sado e vogël ishte, megjithatë kishte fuqi të mrekullueshme shërimi dhe rehabilitimi.

Ngjalljeje, ringjalljeje.

– Eh, do të vazhdoj, tha, në mënyrë triumfale!

E tha këtë me siguri e vetëbesim të pa luhatur.

Deri sot kurrë nuk kishte futur dorën në xhep të tjetrit. Nuk kishte vjedhur, qoftë një qindarkë, një varg poezie, një rresht proze. Edhe nëse, ndonjëherë, në të rrallë, e kish kapur e liga, i kish ndodhur huazimi, në çast magjepsjeje a mrekullie, nga një thënie, mendim, përshkrim apo varg i bukurisë mahnitëse të një tjetri, shpejt e ngutas, si të binte me bythë në prush, nxitonte e përnjëherë e fuste nën thonjëza dhe, po ashtu shpejt e pa hezitim, shënonte burimin nga e kishte marrë një xhevahir tillë!

Pra, në malin a llumin e dendur të hajdutëve kishte edhe të atillë, që lirisht mund të emërtohen e kualifikohen, të renditen midis njerëzve të sëmurë nga kleptomania. Ndër shumë krijues (këtë fjalë lezetshëm do ta ngujonte mes thonjëzash “krijues”, pra!), kishte edhe mjaft të atillë që ishin të paskrupull, të pamoralshëm. Përvetësimet, vjedhjet, nga etja e pangopur kleptomanie, i quanin punë të tyre, arritje të veta. Krenoheshin, deri në krekosje, me to. Ata mjeranë, me përjashtime të vogla, shpesh e në shumë raste, merrnin edhe shpërblime nëpër konkurse të ndryshme letrare. Mirënjohje shoqërore e letrare, deri te ato me të lartat. Kjo nuk ndodhte ngaqë në juritë krye konkurseve dhe garave të ndryshme letrare, qëndronin njerëz të paditur. Përkundrazi, ata ishin, kryesisht, të mprehtë dhe me prirje. I dallonin vlerat e mirëfillta letrare dhe artistike. Ndaj edhe i vlerësonin ato me notë të lartë, pa e ditur, në fakt, se të kujt janë. (Ndreu, këtu kishte rastin, sa për dëshmi e, më tepër, për ilustrim, të sillte shembullin nga përvoja e tij, jo aq e pasur. Ndaj shkrimeve të një ish-kolegeje të tij, kishte alergji, ngase ajo ishte analfabete. Një ditë, e veshur me plot furtunë ia beh tek ai dhe fillon t’ia lexojë një tekst të gjatë. E dëgjoi me kureshtje, pa e ndërprerë fare. – Ani, gjithmonë mendon se nuk di të shkruaj. Çka thua tani? – iu hakërrua ajo. – Nuk kam ç’të them, pos se është një tekst i shkëlqyer, – ia drodhi ai. Enigma u lakuriqësua aty për aty. Ai fragment teksti ishte shkëputur nga një shkrim i një shkrimtari të shquar, nobelist).

Ishte në situatë të radhiste shembuj e shembuj huazimesh, që mbushin faqe të tëra të letërsisë sonë, jo vetëm asaj më të re, nga zhvatjet e shkrimeve të shkrimtarëve, siç janë: James Joyce, Eugéne Ionesco, Samuel Beckett, Franz Kafka… Disa shkrimtarë të rinj dhe të patalent, gjithsesi, merrnin yrnek shkrimtarin makinë qensh, atë me emrin Georges Simenon, që, gjatë jetës së vet, ka nënshkruar katërqind romane, madje edhe voluminoze, apo ndonjë tjetër, bash sikurse dikur, jo fort moti, poetët tanë atëbotë të rinj, mbushnin bateritë me energji të pashtershme “frymëzimi”,  eksploatuar nga vargjet e poetit spanjoll, Frederic Garcia Lorca etj. etj.

Hajdutët e tjerë e kanë njëfarë boje, por këta që janë vjedhës të krijimtarisë së tjetrit, të pjellës dhe frytit shpirtëror të tjetrit, nuk marrin asnjë ngjyrë. Janë matrapazë faqezinj dhe të pa cipë fare, të pamoral. Pisanjosa. Janë prostituta, bythëqirë. Pervers! Lule dritë (sado dritë e errët!), të futet dora në xhep të huaj dhe që andej kthehet me ndonjë lek të imët, krahas asaj që të hapet romani, libri shkencor a vëllimi me poezi i tjetrit e të përshkruhet. Me fjalë të tjera, të vidhet. Në këtë mes, mburravecët, narcisoidë, rrahagjoksët, detyrimisht ta kujtojnë mllefin e Sheremetit, personazhit të dramës “Rekuiem” të autorit krajan, kur i thotë vetës:”Ulu aty, bëj një kakë të vogël dhe thuaj pastaj: kjo është kryevepër!”, ashtu siç përditë e pa ndërpre, deklaronin, brohoritnin e krrokatnin, një dorë, një specie, e llojit të vet, suis generis, të “krijuesve” tanë, sa shumë që ishin, medet, në këtë hapësirë tonën të ngushtë, edhe letrare e artistike, përgjithësisht.

Asgjë më të mirë nuk janë as epigonët. Ata që, duke mos pasur besim në fuqitë e veta, krijuese përgjithësisht, hyjnë nën hijen e pemës se tjetrit. Mbledhin fruta të pjekura, të gatshme ose të ngjashme. E kështu me radhë, gjer në pambarim. Deri në të pasosur.

Demoralizimi e katandisi të tërin Ndreun, kur i shkrepi në mendje edhe autorësia e vetë Wiliem Chakespeare. Iu kontestua ajo, duke thënë se Hamletin dhe të tjerat kryevepra të dramaturgjisë botërore, të firmosura nga ky autor, nuk qenkëshin të tijat. Ato paskëshin qenë pjellë e mendjes, punës dhe dorës se një tjetrit. Del, pra, se edhe vetë Shekspiri ishte një plagjiator. Hala më keq se epigon e sëmundje të tjera të ngjashme. Nëse dëshmohet ashtu, siç vazhdon të supozohet, se edhe ai ishte një hajdut, një vjedhës i madh, që mori, përvetësoi dhe me emrin e vet nënshkroi, shumë kryevepra letrare dramaturgjike, duke fituar me to reputacionin dhe famën më të famshme botërore, kuku për ne dhe letërsinë e Globit tonë, të ri e të vjetër… (Këtu papritmas, si i kapur nga një kafshim i egër, Ndreu lëshoi një britmë plot lëngatë. Ç’jam duke bërë e nga jam duke shkuar, unë i mjeri! Klithmat iu ngujuan dhe e mbytën në vaj me shumë lot vërshues, që ia lagën jo vetëm këmishë e jelek, por ia qullën tërë trupin!).

Fshiu jargët, qurrat. Djersët…

U shkund sikur të lirohej nga vargonjtë e prangave që shtrëngonin për vdekje. – Eh, tha me vete, më parë e kolliti, siç kollitet një diçka e hidhur, dhe shtoi: duhet vazhduar. Rrugë as shpëtimi tjetër nuk ka! Jam topall (shkrimtar mesatar!), por jam krenar. Zemra i këndoi thellë, kur edhe një herë kujtoi se kurrë kurrgjë nuk vodhi, as nuk huazoi nga askush. As sa mbart miza në krahë. As i madh, as i vogël. As i famshëm, as anonim.

DUKE KUJTUAR SHKRIMTARIN SKËNDER DRINI – Nga XHAHID BUSHATI

 

-Në 85 vjetorin e lindjes së shkrimtarit (09.08.1935 – 16.12.2014)

1.
Më mungon miku im Skënder Drini!
Të njoha si njeri. Njoha mjaft mirë edhe krijimtarinë tënde. Ishe dhe mbetesh një nga prozatorët më të talentuar të letërsisë shqipe.
Sot, në përvjetorin e 85-të m’u kujtua romani “Korbi” dhe dua të flas për të. Në pjesën e dytë të shkrimit, në arkivin tim gjeta një intervistë të bijës sime Eris, kur ishte gjimnaziste. Ishte një bashkëbisedim i këndshëm me Ty. Ti ishte serioz dhe kishe kodin e mirësjelljes dhe të komunikimit, edhe pse vajza ime nuk ishte më shumë se 16 vjeçe.
Pikërisht këto dy rrëfime po i paraqes sot, në 85-vjetorin e lindjes tënde, sepse të dy kanë lidhje me romanin “Korbi”:

Xhahid Bushati

Alberti, si shenjë e si kod në tekstin e një romani

-Shënime për romanin “Korbi” të shkrimtarit Skënder Drini, botues “Globus R’, Tiranë, 2007

Shkrimtari Skënder Drini, me veprën e tij të titulluar “Korbi”, ripohon dhe ri- dimensionon fuqishëm personalitetin e tij artistik në gjininë e romanit si dhe në fushën e letrave shqipe. Edhe më parë, pra, në veprat e opusit të këtij shkrimtari, teksti ruan mendimin filozofik, simbolikën, kontrastin dhe ngarkesën emocionale të fjalës: poetikën. Në këtë roman ato përvijohen dhe thellohen në rrafshe dhe marrëdhënie të ndërsjella në mes tekstit, autorit dhe lexuesit. Gjithashtu në këto marrëdhënie, koha dhe zhvillimi i ngjarjeve ka fytyrën dhe realitetin e vet. Ndërlidhen dhe bashkëjetojnë gjatë gjithë linjës fabulore. Pa përjashtuar shtresëzimet e saj fokusohen në dramën e plakut Albert. Nga mënyra se si është koncpetuar dhe shpërfaqur na paraqitet një personazh tragjik që lëviz në realitete tragjike, në realitete reale dhe ireale, të zakonshme dhe të jashtëzakonshme. Duke iu përmbajtur kësaj grafike shënojmë vizualisht: Alberti ikën nga realiteti tragjik = BURGU. Jetoi në një realitet të vetmisë së thellë = AUSTRALIA E LARGËT dhe brenda vetvetes. Kthimi i tij përsëri në vendi ku lindi = Tani më një REALITET EKZISTUES ABSURD, ku ballafaqohet.
Faqe pas faqe e skenë pas skene, përjetojmë në mënyrë emocionale rrethin dantesk të Albertit që konfigurohet në marrëdhënie sa të dukshme aq dhe të padukshme me korbin, si simbolikë e mëvetësishme, simbolikë herë e hapur me realitetin e herë e mbyllur me ndërgjegjen e tij, por që lëviz brenda natyrës, psikologjisë, anatomisë e universalitetit të filozofisë së një njeriu, që quhet Albert.
Ai vjen si shenjë e si kod në tekstin e këtij romani. Është produkt i gërshetimit të diakronisë e sinkronisë së kohës, brenda dhe në përputhje me dimensionin real dhe ireal të saj. Pra, shfaqet si shenjë e së shkuarës, por që lë gjurmë edhe në të sotmën e tij, por që besojmë edhe në të nesërmen.
Herë pas here Alberti përballet me momente të vështira në realitetin ekzistues. E shkuara, ashtu siç e përmendëm, ndonëse është tragjike, vjen e para dhe lë shenjë në jetën e tij. Është: e paharruara. Vjen si kujtim i hidhur, sepse është pjesë e biografisë së tij. Për personazhin është e njohur kjo “pjesëz”. Kjo e “njohura” vjen për të plotësuar herë pas here një mangësi të tij, pa të cilën nuk mund të jetojë. I është bërë domosdoshmëri dhe psikologji. Në tërësinë e vet, si për romanin ashtu edhe për personazhin është një risi. Risi edhe në rrugën e zhvillimit të romanit pas viteve ’90.
Po çfarë na ofron tjetër kujtimi i hidhur si shenjë? Në radhë të parë, patjetërsimin e Albertit, autoktoninnë e tij që sfidon shpërbërjen e përhumbjen. Në radhë të dytë, ëndërrimin aq të dëshiruar tek Alberti, si shenjë i një pritjeje të gjatë dhe të pafund dhe njëkohësisht i një të ardhme. Ëndërrimi dhe pritja si nocione kanë kufij për personazhin dhe e gjitha kjo hapësirë është e mbarsur si produkt e vlerë njerëzore. Për rrjedhojë, përqëndrimi i subjektit Albert që “shëtit” nga e kaluara, përshkohet në të sotmen dhe “jeton” në të ardhmen, nuk bën gjë tjetër veçse lëviz e zhvendoset dialektikisht nga kujtesa në ëndërrim dhe anasjelltas. Në identitetin e personazhit përftesa më shumë është shenjë e humbjes se sa e kthimit. Në këtë rrafsh mbetet aktor i ndërrimit të sistemeve dhe përjetues i dhembjes së tyre. Kjo është arsyeja që në narracionin e shkrimtarit lexuesi përballet me një personazh me dramaticitet të brendshëm dhe shpesh të skajshëm. Mjafton të kujtojme i gjithë dialogun e Albertit me korbin, që sipas mendimit tim kërkon një studim të veçantë. Paraprakisht po hedh edhe ndonjë mendim. Autori në këtë marrëdhënie na ofron si mesazh: luftën e së përdishmes që bën njeriu për të qenë vetvetja, nje dramë më vete do të thosha, shumë e dhimbshme por fisnike e qenies njerëzore. Kjo është arsyeja që shkrimtari Drini, me personazhet e tij projekton sa realitete jetësore aq dhe realitete letrare. I tillë është Alberti, por të tillë janë dhe Zherkoja, Trudi, Xhaferri, etj., që do t’i quaja personazhe të shpërfillur të një kohe të shprishur. I kujton këto personazhe dhe menjëherë të vijnë ndër mend mënyra se si janë konceptuar e gdhendur, kujton ngjyrat e skenave si funksion, shprehësi e marrëdhënie direkte dhe menjëherë të vijnë ndër mend mënyrën se si ata janë plotësues të njëri-tjetrit e më tej. Dhe në fund, unë besoj se, do të ndjeni më nga afër talentin e shkrimtarit Skënder Drini.
E, dua t’i sillem përsëri figurës së Albertit. Ëndërron personazhi. Ëndërrimet shenjohen në vetminë e tij, nuk dalin jashtë botës së personazhit. Por të ngjan se edhe shkrimtari Drini vetminë e ka mbajtur dhe e mban me vete, njëherësh si shenjë e njëherësh si fat njerëzor. E pse jo, edhe si lidhje shpirtërore.
Korbi është në bashkëjetesë Albertin. Fle e zgjohet, zgjohet e fle përsëri, si një ciklim i përjetshëm brenda ndërgjegjes e vetëdijes së tij. Ndaj dhe korbi nënkupton edhe gjendje të përhershme emocionale e të trazuar të Albertit deri në absurd. Mendoj se është një dukuri e parë. Alberti jeton i përcaktuar në kufijtë e vetmisë. Mendoj gjithashtu se është një dukuri e dytë. Alberti jeton si një personazh ekzistencial duke ndërtuar marrëdhënie me realitetin direkt apo indirekt, brenda dhe jashtë tij, brenda dhe jashtë kohës së këtij realiteti. Gjithashtu mendoj se paraqitet si një dukuri e tretë. Alberti teksa bashkëbisedon me korbin nuk bën gjë tjetër veçse projekton mallin për Jetën, për të qenë Dikushi, për të lënë gjurmë e shenja, për të qenë identitet e për të rrëfyer identitet. Gjithashtu mendoj se paraqitet si dukuri e katërt.
Shpesh plaku Albert gjëndet përballë korbit. Një skenë që përsëritet herë pas here në roman. Fal mjeshtërisë së prozatorit nuk përftojmë asnjë shenjë a gjurmë rëndomtësie, por përftojmë ridimensionim vlerash. Njeriu apo korbi, korbi apo njeriu, miti korb apo miti njeri, apo çmitizim i të dyve, apo të dy bashkë si plotësim apo mangësi e njëri-tjetrit. Sido që të jetë kjo marrëdhënie në raportet e saj, kushdo që të jetë fillestari; e gjitha kjo shndërrohet në përcaktuese të dramaticitetit të tekstit.
Duke parë tekstin në romanin “Korbi”, kodi i gjuhës është kodi i identitetit të Skënder Drinit. Esenca e këtij kodi është ligjërimi sa filozofik aq dhe poetik. Ky kult gjuhe është pjesë vlere krahas vlerave të tjera të romanit “Korbi”, që në letërsinë e pas viteve ’90, nga kritika jonë letrare duhet jetë si prirje e domosdoshme studimi, si zhvillim i mbarë dhe i sukseshëm i romanit shqiptar.

Intervistë e gjimnazistes Eris Bushati me shkrimtarin Skënder Drini

Eris – Çfarë ju ka frymëzuar për të shkruar këtë roman?
Skënderi – “Korbi” nisi si tregim, dhe ky tregim fitoi çmimin e parë në një konkurs në Tiranë. Shokët që e lexuan tregimin thanë që ngarkesa filozofike, subjekti dhe problemet që shtrohen i kalojnë caqet e një tregimi. Dhe ata më sugjeruan që në qoftë se unë do ta mbaja në të njëjtin nivel, në të njëjtin potencë, do të ishte në kufijtë e një romani dhe unë kështu veprova, dhe doli romani me të njëjtin titull.
Korbi është një histori e gjatë, një eksperiencë e imja e shumë viteve më përpara, 60 vite a 70 më përpara në Turqi, që unë kam pasur rastin të shoh e të njoh një korb që fliste disa fjalë. Dhe unë kisha elementin e parë, korbin që fliste pak fjalë, por më ka intriguar vite me radhë, por nuk kisha pjekur e kristalizuar filozofinë e veprës, unë e ndieja që e kisha këtë korb, dhe gjatë viteve filozofia u kristalizua dhe u qartësua dhe doli romani.

Eris – Një Albert, një korb, po pse edhe një Efraim? Cili nga të dy Alberti apo Efraimi kanë qenë figura më të vështira për t’u vizatuar si karaktere?
Skënderi – Efraimi është një alter ego i Albertit, një vice versa. Unë mendoj se ka qenë më i vështirë për t’u vizatuar Efraimi sepse ishte një person që do të dyzonte personazhin kryesor, por do të dyzonte në distancë, ndryshe do të kishin dy emra dhe një njeri.

Eris – A mendoni se jashtë jetës që bëjmë diku në një lloj “Australi”, secilin prej nesh do ta priste një korb?
Skënderi – Pyetje shumë interesante, ashtu si e para dhe e dyta. Unë nuk besoj që jo të gjithë emigrantët i ka pritur një korb, sepse jo vetëm fati i emigracionit shqiptar, por edhe fati i emigracionit në shkallë botërore ka notat e veta të dhimbshme e të trishtuara dhe fillon me një hap mjerimi do të thosha unë dhe ekzistojnë më të fortët, ata që jetojnë dhe mbijetojnë.

Eris – Sa e gjen veten Skënder Drini në atë mori monologjesh që e strukturojnë romanin “Korbi”?
Skënderi – Duke e shkruar këtë vepër unë kam kujtuar Xhek Londonin, “Dhëmbin e bardhë”, romanin e tij. Në kohën kur doli kjo vepër, një pjesë e kritikës tha: pa qenë qen Xhek Londoni nuk mund ta shkruante këtë vepër. Edhe gjatë veprës kam menduar shpesh, se pa qenë korb nuk mund ta shkruaj këtë vepër.

Eris – Po të duhej një titull tjetër për romanin, cili do të kishte qenë ai?
Skënderi – Unë nuk jam shumë i zoti për titujt të bukur, mbase unë nuk u jap shumë rëndësi titullit, ky titull gjeti vetveten. Ashtu siç thotë një mik i imi që kjo vepër është sikur shkruar vetvetiu, sikur nuk është shkruar nga një dorë e njeriut

Shkodër, 09.08.2020

“ATA ISHIN NJERËZ”. DRAMË APO TRAGJEDI? – Nga Kadri Tarelli

 

Autor. Shpendi Topollaj  

E shajmë dhe e mallkojmë virusin dhe karantinën, në të cilën u vetë-ngujuam, më shumë më urdhër nga qeveria sesa me dëshirën tonë. Megjithatë u bindëm, pavarësisht nazeve dhe mërzitjes së madhe. Secili nga ne e gjeti udhën për ta kaluar këtë periudhë, me sa më pak vuajtje dhe mundim mendor e shpirtëror. Mendoj se njerëzit e letrave e patën më të lehtë, pasi puna krijuese kërkon kohën e vet “Të ngujuar”, mundësisht të pa trazuar. I vetmi shqetësim mbeteshin zhurmat dhe problemet e vogla të ditës, që shkaktohen jo vetëm nga gratë, por sidomos nga fëmijët, nipat dhe mbesat, që e bëjnë shtëpinë lëmsh.

Pikërisht këtë periudhë të zymtë e detyruese, e shfrytëzoi aq mjeshtërisht edhe Shpendi Topollaj, shkrimtar, tregimtar, kritik letrar, studiues dhe së fundmi e dhe dramaturg, si gjini letrare e pa rrahur më parë nga ai, duke na sjell brenda një kohe të shkurtër dramën “E përdala” dhe “Ata ishin njerëz”. Dy dramatizime, e para nga novela “Kurva” dhe e dyta nga romani “Pushkatimi”, libër i përkthyer në Italisht dhe rusisht. Çuditërisht, të dy dramat kanë përfundim tragjik; e para me problemet shoqërore të kohës, ndërsa e dyta me marrëzitë e politikës, si nxitëse dhe ushqyese kryesore, ku tragjeditë nuk reshtën për gjatë gjithë kohës së diktaturës.

Ishte janari i vitit 2014, kur unë pasi mbarova së lexuari romanin “Mashtruesi”, i bëra një shkrim këtij libri të mrekullueshëm: “MASHTRUESI” i Shpendi Topollajt, le pas Tartufin, Harpagonin dhe Jagon. Shkrim i publikuar në disa gazeta të kohës. Nuk jam orakulli Dodonës apo i Delfit, por shkrova në fund: “Çudi! Si ky roman me kaq vlera, i ka shpëtuar penës së dramaturgëve për ta vënë në skenë? Do t`i bënte nder gjithkujt. …..Vështirë të arrihet kjo, pa u futur në tempullin e fjalës, në teatër, apo kinematografi. ….. Të gjithë heronjtë, pozitiv, apo negativ, simbole të njerëzimit të gdhendura në art, që nga lashtësia e deri sot, të njohur e të famshëm i ka bërë teatri dhe ekrani. Gjithsesi, kam përshtypjen se do të rrjedhë edhe mjaft kohë”.

Kështu Shpendi priti goxha gjatë, që dikush të dramatizonte novelat dhe romanet e tij, por më kot. Më në fund i hyri vetë kësaj gjinie të bukur dhe mendoj se ia ka dalë me sukses, aq sa kur mora në dorë dramën ”E përdala”, i thashë: “Po ku ishe më parë, o miku im, që nuk je marrë edhe me këtë gjini!?”. Shpresoj në krijime të tjera. Më pëlqen të them, se nuk gabova.

Drama “Ata ishin njerëz”, mirë do të ishte, të mbante të njëjtin titull si romani “Pushkatimi”, pasi kështu zbehet drama familjare, por edhe tragjedia, jo vetëm për një njeri, siç ishte Thoma Rafeli, inxhinier ushtarak, por edhe për shumë figura të tjera të njohura nga publiku shqiptar, që u pushkatuan, si Trifon Xhagjika, oficer dhe poet fjalëzjarrtë, Fadil Kokomani, gazetar dhe Vangjel Lezho, edhe ky gazetar, etj, etj.

Ajo që bie në sy në të gjitha tregimet dhe veprat e Shpendit, është se ngjarjet i vendos në truallin shqiptar. Ato i merr nga jeta dhe janë aq të vërteta, sa edhe personazhet në pjesën dërmuese të tyre, mbajnë të njëjtin emër e mbiemër. Një dëshmi kokëfortë e Shpendit, për t’i qëndruar besnik ngjarjeve dhe kohës, dukë qenë sa më i vërtetë, ndaj edhe shkrimet veç veshjes dhe kostumit artistik, nuk kanë teprime dhe fantazi shkrimtari. Kam përshtypjen se kjo formë e të shkruarit, i bën shkrimet e Autorit, jo vetëm të besueshme, por edhe të pëlqyeshme për cilindo lexues, tani edhe spektator në sallat e teatrove, pavarësisht shkallës së arsimimit dhe kulturës që ata zotërojnë. I besoj plotësisht shkrimtarit Nikolae Jorga, që thotë: “Gjithkush, kur të mbarojë së lexuari këtë libër, do të ndiejë se ka njohur një Njeri, i cili shkruan edhe për të”.

Përmbajtja e dramës-tragjedi, është e thjeshtë në dukje, sidomos për brezin që e jetoi: Shkatërrimi i familjeve të atyre shqiptarëve që u martuan me vajza jo shqiptare, pra me gra të huaja. Shkatërrim, jo thjesht ndarje, por edhe dënime, burgosje, internime, ndëshkime dhe humbje jete, apo më thjesht: Pushkatime. Është një temë tashmë e rrahur në letërsinë shqiptare, pasi numri i këtyre familjeve ishte tepër i madh. Aq sa cilido do të bënte pyetjen që ka edhe përgjigjen brenda: Pse ndodhi?

Ishin vitet e pas luftës së dytë botërore dhe vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri dhe ne disa vende të Eurpës lindore, me gjasa demokraci popullore socialiste, por të pushtuara ushtarakisht nga ushtria Sovjetike. Shteti komunist Shqiptar i porsa krijuar, pasi zhduku tërësisht inteligjencën e kultivuar në shkollat perëndimore, i duhej urgjentisht të krijonte inteligjencën e re, të mësuar në shkollat e lindjes, kryesisht në Bashkimin Sovjetik (Perandori Ruse me dymbëdhjetë republika brenda saj), përfshi edhe vendet e pushtuara të Eurpës Lindore, të quajtura Republika Socialiste. Zgjidheshin nxënësit më të mirë të shkollave të mesme, duke pasur edhe biografinë e mirë, të lidhur me partinë shtet, me një fjalë: “Pa njolla në biografi”.

E kush nuk do t’i pëlqente dhe dashuronte djemtë tanë të bukur dhe të mençur? Kam përshtypjen, se në asnjë rast nuk u porositën, që të kenë kujdes nga lidhjet, apo martesat me vajzat e huaja. Për më tepër, deri nga viti 1960-61, kur politika ndryshoi qëndrim, të gjithë këto çifte të sapo martuar, shiheshin me sy të mirë. Një lloj lëshimin apo servilizmi i pakuptimtë i shtetit dhe politikës shqiptare. Aq e vërtetë kjo, sa edhe dy vëllezërit e Thoma Rafaelit, i kishin gratë nga vendi ku kishin studiuar.

Drama filloi kur u prishën marrëdhëniet politike me Kampin Socialist, koha kur strukturat tona shtetërore u përkujdesën të prisheshin këto familje, me pretendimin se dëmtonin Shqipërinë. Si fillim me propozim për ndarje dhe largim të grave të huaja, të dyshuara si agjente të zbulimit të huaj. …..“Unë në emër të Partisë, u kam thirru juve që keni gratë e huaja, që të mendoheni mirë se ç’do të bëni me to. Interesi ynë, pra i vendit, është që t’i ndani”. Ky është dialogu i Ministrit të mbrojtjes, me të gjithë ata oficerë që ishin martuar me gra të huaja, duke shtuar: “Mos harroni pasojat që do të keni, qoftë ju si komunistë, qofshin edhe të afërmit tuaj”. Në këtë oxhak vullkani u ndodh çiftit Thoma Rafaeli dhe Maja nga Ukraina, vitet e para familje e lumtur, e më pas përfundim tragjik, pushkatim dhe pa varr, ku njerëzit e dashur të venë e ta kujtojnë. Ishte një fund gati i parashikuar që në bisedat e para me të dashurën bukuroshe Maja, kur Rafaeli i thotë: “Te ne thonë, se fatin e ka në dorë vetë njeriu. Por nga një herë ndodh, që fati yt ecën sipas tekave të dikujt tjetër. Dhe ti je i pafuqishëm ta ndryshosh”.

Ajo që bie në sy të çdo lexuesi, është dialogu i shpejtë, i mprehtë, i ngjeshur me mendim dhe kundërshti të mbështetura në logjikën e të vërtetave. Më pas dënim pa fakte, duhet thënë dënime me porosi, vetëm me parulla shterp; armik, spiun, bashkëpunëtor i të huajve, etej, etj. Përballë jeta me vdekjen, një lloj kuvendimi i tendosur, që të mbërthen dhe s’të le të lëvizësh për gati dy orë, duke pritur fundin tragjik të padëshiruar. Vetë drama është vetëm një njollë gjaku në pellgun e mbushur me gjakun e plot të tjerëve oficerë madhor, që u dënuan gjatë viteve.

Është përfundim i konfliktit të dramës: dashuri+familje dhe sistemit të diktaturës, që nuk pyet për fatet njerëzore. Pra, ndryshe nga format klasike të dramave apo tragjedive, ku konflikti është në mes personave apo grupeve shoqërore, këtu është individi i pafuqishëm, përballë ingranazheve të një sistemi të tërë, që vendos për jetën, ta le, por të bën të vuash, apo ta merr, kur dhe si t’i dojë qejfi. Ja si shprehet Zhani Ciko: “I kam njohur nga afër personazhet e kësaj drame dhe them se Shpendi i ka dhënë me vërtetësi të pa shoqe, ashtu sikurse ka përshkruar pa asnjë tepri edhe kohën e mbrapshtë kur ata jetuan”.

Mjerë ai njeri që përfshihej dhe përtypej nga nofullat e kësaj makinerie vrastare, e organizuar përsosmërisht, ku askush nuk guxonte të ndihmonte, apo të thoshte së paku një fjalë të mirë. Nuk di sa mund të përshtaten këto pak fjalë të të madhit Dritero Agolli: “Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim, /Po në një vend të huaj dhe të largët, /Në një qytet me buba dhe me minj/Mes mureve të rrjepur dhe të lagët”.

Duhet përshëndetur autori, sepse ka një meritë të veçantë: brenda zymtësisë së ngjarjeve, mjeshtërisht gjen vend për gërshetimin e ndodhive të çastit apo të pritshmërive, me vargje të poetit kombëtar Ukrainas Taras Shevenko, vargje të qëmtuar hollë nga vepra “Kobzari”. …. “Përmbi mua kush do qajë/heshtur me trishtim?/Kush do m’i vadisë kalinat/ përmbi varrin tim? Shijoni edhe katër vargje të tjerë: “Ja ç’gjynahe përmbi tokë/ bëjnë njerëzia;/ vajzën pa faj në botë/ ndajnë nga shtëpia”.

Nuk mungojnë edhe vargje të poetëve tanë. Është një kombinim i përkryer i të bukurës, të magjishmes, hyjnores për jetën dhe dashurinë, përballë të shëmtuarës, të egrës, vrastares, tragjikes, të cilës nuk i shpëtuan jo vetëm “Armiqtë e klasës”, por edhe ata që i besuan dhe i shërbyen me përkushtim sistemit dhe adhuruan si perëndi “Zeusin” tonë. Tema i kërkon si me porosi këto vargje të poetit Trifon Xhagjika, oficer i gjykuar dhe dënuar bashkë me Thoma Rafaelin: “Nga Olimpi vin’ rrufetë/ Vrasin njerëz të pafaj/ Hidhet Zeusi përpjetë/ Nga gëzimi qerrataj”.

Në mugëtirën e shtegut pa rrugëdalje, vetiu lindi pyetjet: kush i kërkonte, kujt i interesonte dhe përse? Pyetje që mbeten pa përgjigje, në monologun që bën secili me vete, kur ndjen fundin e kësaj drame-tragjedi, në veçanti ushtarakët, kohanikët e viktimave.

Më pëlqejnë falët e kritikut Luan Laze, i cili shprehet: “Sikur dramaturgjia jonë të kishte përherë këtë nivel artistik, dua të besoj se sallat e teatrove do të ishin gjithmonë plot”.

Urime Shpendi në këtë gjini të bukur letrare. Na solle një copëz jete të historisë shqiptare, plot dhimbje.

Presim edhe plot libra të tjerë po kaq të bukur dhe të arrirë artistikisht!

 

Kadri Tarelli

Durrës. Korrik 2020.

 

 


Send this to a friend