Nëntë vjeçari Abdul Samir Zaher pasi kishte kaluar një rrugë të gjatë me mijëra kilometra në kushte të tejet të vështira arriti që përsëri të përqafojë prindërit, vëllezërit dhe motrën
KOPENHAGË – Nëntë vjeçari Abdul Samir Zaher, i cili në rrugën drejt familjes të cilët ishin vendosur në Kopenhagë, kishte kaluar me mijëra kilometra, në saje të Gjysmëhënës së Kuqe Turke arriti që përsëri të përqafojë familjen e tij pas një kohe të gjatë.
Ekipi i AA-së ka regjistruar ditët e fundit të Samirit në Erzurum të Turqisë, dhe udhëtimin e tij drejt Kopenhagës dhe takimin me familjen.
Djali në Erzurum është gjetur i vetëm, me duar të ngrira, pothuajse në prag të vdekjes, pas së cilës u transferua në spital, dhe pastaj me çështjen e tij janë marrë edhe Ministria turke për Çështje të Familjes dhe Sociale, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Kryqi i Kuq Danez.
Samir tha se prindërit e tij dy vjet më parë, së bashku me tre vëllezërit dhe motrat më të vegjël nga Afganistani u nisën për në Danimarkë, por më vonë ata kishin planifikuar që të sjellin atë dhe vëllain e tij të madh.
Ai tha se nuk ka mundur më të durojë pa familje dhe se pas dy muajsh me dajën e tij ishte nisur në rrugëtimin e shpresës, ku pavarësisht dimrit kishin ecur mijëra kilometra.
Daja, tregon ai, u frikësua se mos do të vdes nga të ftohtit, prandaj e kishte lënë në një pushimore në Erzurum.
“Nuk kishim automjet. Binte borë dhe bënte ftohtë. Duart m’u ngrinë. Më vonë më gjetën dhe më dërguan në spital”, shton vogëlushi.
Pasi që i ishte fundosur gomoneja, daja i tij u kthye në Erzurum, ku gjeti nipin për të cilin kishte menduar se ka vdekur.
Abdul Samir një kohë të caktuar, pas shërimit ka shkuar në shkollë, ku ka mësuar gjuhën turke. Duke falënderuar studenten me origjinë afgane Hadis Shiva (21) me të cilën kaloi shumë kohë, ai arriti që përmes internetit të bie në kontakt me familjen.
Vogëlushi shprehu dëshirën për përfundimin e konfliktit në Afganistan dhe Lindjen e Mesme dhe familjet të mos ndahen dhe se emigrantët sa më shpejt të jetë e mundur të bashkohen me familjet e tyre.
Ai thotë se i mungon familja e tij në Danimarkë, por edhe vëllai i cili ka mbetur në Afganistan.
Shiva e cila asnjë ditë nuk e kishte lënë të vetëm gjatë qëndrimit të tij në Erzurum, e kishtë si nënë, kurse edhe ajo me familjen e saj në vitin 2011 kishte ikur nga lufta në Turqi.
“Kur e pashë ai ishte në një karrocë dhe i frikësuar. Më pyeti se ku jemi, a do ta dërgojmë te nëna e tij. Ai nuk mendonte për shëndetin e tij, por për takimin me familjen e tij. Mjekët fillimisht menduan se mund të mbetet pa duar, por arritën t’ia shpëtojnë. Në spital qëndroi dy muaj”, ka thënë Shiva e cila shtoi se Samirin e do si vëlla.
Ajo tha se do t’i mungojë dhe se është një fëmijë shumë i mirë dhe i fortë.
Shiva shtoi se jeta e refugjatit është e vështirë dhe se nuk është e lehtë që të shkohet nga një vend në tjetrin.
“Nuk i njeh, nuk e di gjuhën. Sikur edhe një herë të vish në botë. Kështu janë ndjenjat. Dëshirojmë që lufta të përfundon”, tha Shiva.
Samir një ditë para nisjes në Danimarkë ka biseduar me nënë Rashide, babain Jemil dhe me vëllezërit dhe motrat.
Babai i tij duke falënderuar Shivën shfrytëzoi rastin për të thënë se sa i mungojnë fëmijët dhe se dëshiron që sa më shpejt të jetë e mundur të takohen.
“Kishim aq shumë probleme sa që ishim të detyruar t’i lëmë dy fëmijë në Afganistan. Nga Afganistani në Iran, nga Irani në Turqi, Pakistan, Qipro, Greqi, të gjitha i kemi kaluar. Kemi kaluar përmes rrugës së vdekjes. Madje 45 ditë kemi ecur nëpër pyje, kemi lundruar përtej detit dhe arritëm në Danimarkë. Një fëmijë ende nuk mund të tejkalojë ato që ka përjetuar dhe nuk mund të fle për netë të tëra”, tha Zaher.
Gjyshin e Samirit në Afganistan e kishin vrarë talebanët, kurse babai Zaher thotë se familja vazhdimisht ka marrë kërcënime.
“Ishim të detyruar të shpëtojmë fëmijët. Munda të shpëtojë vetëm tre prej tyre. Ata donin të na vrisnin. Kjo nuk mund të përshkruhet me fjalë. Këtë mund të kuptojë vetëm ndokush që ka përjetuar të gjitha këto”, tha Zaher.
Nëna tha se ajo nuk fle që kur ka mësuar se përsëri do të përqafojë të birin. Pasi që kanë përfunduar procedurat e nevojshme, ka ardhur koha që vogëlushi t’u thotë lamtumirë miqve në Erzurum të cilët sigurisht nuk do t’i harroj.
Së bashku me ekipin e Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe ekipin e AA-së nëpërmjet Stambollit ata u nisën për në Danimarkë.
Familja kishte dalur në aeroportin e Kopenhagës për ta pritur, kurse takimi ishte shumë emocional. Motra e tij Marhaba kërcente nga gëzimi, kurse nëna e përqafonte shumë.
“Ma kthyet djalin e humbur. Ne menduam se më kurrë nuk do ta shohim”, tha babai me këtë rast.
Samiri, gjithashtu ishte shumë i gëzuar që përsëri takoi familjen, e cila falënderoi të gjithë ata që mundësuan bashkimin.
Djali më pas së bashku me familjen e tij u nisën drejt kampit të refugjatëve në afërsi të Kopenhagës dhe kështu nisi jetën e re.aa
Komentet