VOAL – BERNË, 4 QERSHOR – Populli zviceran shkon në kutitë e votimit të dielën më 5 qershor për pesë objekte, shkruan voal.ch. Futja e një rroge bazë të pakushtëzuar është tema që ka ngjallur më shumë interes, sipas swissinfo.ch. Por nuk pritet që të miratohet nga votuesit. Ndërsa reforma e azilit do të ketë përkrahje të gjerë.

Ndërmarrë nga një grup i pavarur, iniciativa “Për një rrogë bazë të pakushtëzuar” propozon që t’i shpërndahet çdo qytetari, nga lindja deri në vdekje, një rrogë bazë të mjaftueshme për të jetuar. Sipas promotorëve, një propozim i tillë e pakëson varfërinë, rrit kreativitetin dhe vullnetarizmin si dhe i shkurton kërkesat për ndihmë sociale.

Një fushatë novatore

Të dielën, nesër, elektorati helvetik do të shprehet vetëm për parimin e rrogës bazë të pakushtëzuar. Projekti i paraqitur për votim nuk është shoqëruar me shifra, ndonëse gjatë fushatës është përmendur një shumë 2 500 franga për të rriturit.

Iniciativa ka një mbështetje politike të kufizuar, madje edhe në sferat e së majtës, dhe është hedhur poshtë nga dy dhomat e parlamentit. Argumenti kryesor i kundërshtarëve lidhet me financimin, sipas të cilëve, është i pamundur. 

Promotorët e iniciativës e kanë kompensuar mungesën e mbështetjes me një fushatë politike veçanërisht moderne dhe novatore. Për shembull, kanë shpërndarë kartmonedha dhjetëfrangëshe në stacione. Dhe ditën kur e kanë depozituar iniciativën e tye në Kancelerinë Federale, kanë shtruar tetë milionë pesë centëshe në Sheshin Federal të Bernës.

Por kjo iniciaivë, sipas sondazheve, ende nuk e bind gjerësisht popullin zviceran.