VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

REAGIM-KRYEKAZANI ETIKETON”KAZAN” MEDIAT E DIASPORËS Nga Dalip Greca, kryeredaktori i Diellit

By | March 5, 2019

Komentet

Trimat e mirë me shokë shumë….! – Nga AGRON SHABANI

Gjergj Katrioti-Skendèrbu: I lindur për të mos vdekur kurrë në shpirtin dhe kujtesën e njerèzve, popullit (kombit) dhe atdheut tè tij: Kryetrimi dhe kryeheroi ynè legjendar, Gjergj Kastrioti-Skendèrbeu, tërë jetën dhe personalitetin e tij ia kushtoi një qëllimi ose ideali të vetëm: T’u ndihmonte kombit dhe atdheut, kur ata e kaishin mëse vështiri dhe kur kishin nevojë.
Se këndemi, Gjergj Kastrioti, ishte tepër i veçantë dhe shumë i vështirë për t´u përshkruar ose deshifruar me pak fjalë. Sepse, Ai gjithmonë ishte fjalëpak dhe tepër modest. Nuk fliste shumë për jetën, veprën dhe personalitetin e tij, nuk i nënçmonte kurrë të tjerët, qofshin ata edhe rivalë, kundërshtarë ose armiq të ndryshëm në vijen e parë të frontit. Nuk ishte shpirtëshitur, shpirtëzi, xhelozë, prepotent, megaloman, supersticiozë, komplotistë, hakmarrës, dinastikë, konformistë, demagogë, hipokritë ose dogmatikë si mbretërit ose komandantèt tjerè. Nuk fliste as nuk mendonte nga konteksti i atyre “ideve” që i fliste ose mendonte turma. Jo. Dhe, aq më pak mbi ato gjëra që nuk i qëndronin arsyes dhe gjykimit tè shëndoshë ose racional. Nuk ishte i dashuruar në ‘egon’ ose vetvetën e tij . Nuk hedhëj në fjalime, veprime, reagime ose vendime të ndryshme mbi bazën e asgjësë për asgjë. Ai gjithëmonë fliste, mendonte, vepronte, vendoste ose reagonte më shumë mençuri dhe maturi maksimale. Nuk i shiste dhe nuk i tradhëtonte kurrë interesat dhe idealet e njohura të miqve, bashkëpunëtorëve ose bashkëluftëtarë të tij. Dhe, aq me pak interesat e larta të kombit dhe atdheut.

Aleksandri (Leka) i Madh: Në frontin e luftës ose fushèn e nderit, i mundi shumë komandant të shquar ushtarak ose luftarak, mbretër dhe perandorë, por nuk e vodhi (plaçkiti), nuk e nënçmojë dhe nuk e poshtërojë askënd. Dhe, lërë më ti shokët, bashkëluftëtarët, njerëzit ose popullin e vet. Sepse, Aleksandri (Leka) i Madh, nuk ishte pirat, llaskuc, matrapazë ose profiter lufte, por ishte luftëtarë i vërtetër dhe komandant. Sepse, jetën, shpirtin dhe trupin e vet, siç thoshte, ua kishte borxh Zotit dhe prindërve të tij, ndërkaq, edukatën, kulturën, nderin (moralin), karakterin, aftësitë ose shkathtësitë e njohura ushtarake dhe politike, ua kishte borxh Aristotelit dhe mësuesve të tjerë në Akademinë e Platonit dhe Aristotelit në Athinë .Thonë se gjysèmotra e bukur, sharmante, ekskluzive dhe tepër ekzotike e Alekssandrit (Lekës) të Madh, Selanikia (Thesalonikia) në bazë të së cilës e ka marë emrin edhe Qyteti i Selanikut, e cila luftoi deri nè fund pèr trashegiminè e madhe ushtarake dhe politike tè vallut tè saj, para se të nisej në luftë, atëbotë i kishte çuar fjalë vëllait të saj (Lekës të Madh), duke i thënë: ‘Vëlla i dashur! Lus Zotin e tokës, detit dhe qiellin për jetën dhe sukseset tua në fushën e nderit ose fushën e luftës! Por, gjithashtu lutëm për kokën dhe shpatën tënde krenare! Sepse, Ti thonè se je si Akili, i dënuar nga nderi (morali), virtyti, karakteri, forca dhe madhështia jote!” Gjithashtu thuhet se i mërzitur dhe pikëlluar shumë me rastin e rënies së një bashkëluftëtari ose bashkëkomandanti të tij në fushën e nderit, Aleksandri (Leka) i Madh asokohe i tha edhe këto fjalë madhështore në varrimin e tij: Trupi ytè v’lla do pushojë këtu në tokën e Zotit, ndërsa jeta dhe vepra jote do na bëjnë dritë gjithëkah dhe gjithandej. Lavdi! “, fund i citatit. Ndërkaq, dikur më vonë, i ndodhur në shtratin e vdekjës, Aleksandri (Leka) i Madh u tha bashkëluftëtarëve ose bashkëkomandantëve të tij: Mbajeni çelësin e fitorës fortë në duart tuaja, duke besuar se nuk do mi bëni nderimet e fundit me armë ose shpata të kthyera kundër njeri tjetrit!’

Ndryshe nga kjo, shoqëria athinase asokohe ishte shumë e fokusuar tek të pasurit, aristokratët dhe politokratët e ndryshëm. Ndërkohë që me tepër se 😯 % e athinasve nuk kishin të drejtë vote as pune. Kështu që “polisi” (shteti) i Athinës asokohe ishte i ndarë në të varfër dhe shumë të pasur. Kjo deri me rastin e një intervenimi spektakular ose tepër enërgjikë të Aleksandrit (Lekës) të Madh i cili ua konfiskoi pronën ose pasurinë aristokratëve të lartët të Athinës, duke ua shpërndarë shtresave ose kategorive të varfëra, si dhe duke i burgosur, përndjekur ose internuar të gjithë të gjithë të korruptuarit ose abuzuesit e ndryshëm me pronën ose pasurinë e shtetit së bashku me ata që çuan Athinën drejt një qeverisjeje katastrofike si dhe në luftëra e disfata fatale. Aleksandri (Leka) i Madh qëlloi edhe më fat kur prindërit e tij e dërguan në Shkollën ose Akademinë e njohur të Platonit dhe Aristotelit në Athinë.

PROFANI APO TRADHTI KËRKESAT SKANDALOZE TË HASHIMIT E RAMUSHIT – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

    Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, edhe pse nuk u lëndëzua zyrtarisht, me njohje ndërkombëtare, ajo ishte shumë domëthënëse. Akti i deklarimit të pavarësisë, nga Kuvendi i Republikës të Kosovës, tashmë, nën përkujdesjen e drejtëpërdrejtë të Dr. Ibrahim Rugovës, me pushtet absolut moral e shpirtëror, pati efekte në rrafshin vendor e ndërkombëtar.
     Në aspektin e brendshëm, populli i Kosovës, pas një dekade përdjekjeje provokuese e sakatosëse, nga regjimi i egër serbo-sllav, vendosi të shkëputet nga kufoma e galvanizuar, siç ishte Federata jugosllave. Në aspektin e jashtëm, botës po i dërgohej një mesazh i qartë: Populli shqiptar i Kosovës, ka vendosur të mos tolerojë më tutelën e vrazhdët jugosllave.
     Deklaratën e Pavarësisë, brenda dy vitësh, do ta pasonin edhe aktet e tjera shtet-formuese. Dekada e dytë e terrorit serbo-sllav, do të vrazhdësohej edhe më shumë, duke e detyruar popullin e Kosovës të mbrohet, tashmë, më armë. Raporti shpërpjestimor i forcave në konfrontim, përballje, më shumë se luftë, ishte masakër mbi shqiptarët. Dëshmi janë shifrat fatale të viktimave shqiptare, në 400 masakrat serbo-sllave.
     Konferenca në Rambuje, përcaktoi fatin e Kosovës, me vendimin për ndërhyrjen e forcave ushtarake ndërkombëtare, të organizuara në NATO-paktin. Me “Apaçët” e saj bombardues, përmbylli edhe “lojën” e përgjakshme të Millosheviçit, me falangat e tij vrastare.
     U deshën afro 9 vjet pritje, nga çlirimi, deri ke rishpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Njohja ndërkombëtare ishte solide, meqë përfaqësohej nga shtete me peshë në vendimmarrjet botërore.
     Sot, pas 20 vjet lirie dhe 11 vjet pavarësie, Kosova bën regresin e madh, sa të papritshëm, aq edhe të rrezikshëm. Dhe, ky regres përfaqësohet nga, hiç më pak, se sa Presidenti dhe Kryeministri i vendit, përkatësisht, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.
     I pari kërkon rishikimin e kufijëve, korrigjimin e tyre, nëpërmjet një dialogu maratonë me Serbinë, kinse, “për të përfunduar me një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përfundimtare!”
     I dyni kërkon një Konferencë Ndërkombëtare, për t`i trajtuar pretendimet e Serbisë, “për të përfunduar edhe me njohjen e Kosovës nga Serbia!”
     Qoftë kërkesa e Hashimit, me korrigjimin e kufijëve, në mes Kosovës dhe Serbisë; qoftë kërkesa e Ramushit, për një Konferencë Ndërkombëtare, janë, qartësisht, të dëmshme, fatale për Kosovën, madje skandaloze, deri në idiotësi politike. Dhe, natyrshëm, lind pyetja: profani, injorancë, mosdije politike apo tradhti e vetëdijshme e Hashimit e Ramushit, veprimet e tyre ngulmuese, në kërkesat publike të bëra?!
     Mendoj se profania, injoranca politike, është para tradhtisë së tyre. Por, sidoqoftë, profania apo tradhtia, për ta neutralizuar, amortizuar, dëmin e madh, tashmë, të vënë në tavolinën e bisedimeve, më e pakëta që duhet bërë, është dorëheqja e Presidentit dhe e Kryeministrit. Në të kundërtën, largimi i dhunshëm i tyre, është domosdo. Dhe, sa më parë, aq më mirë. Fajet politike, nuk mund të tejkalohen me retushime, arnime. Vetëm bisturia, operimi, sanon, shëron plagën.
     Bën përshtypje se kërkesa e Ramushit shoqërohet me një varg kushtëzimesh ndaj Evropës dhe Amerikës, që përbën një idiotësi, në llojin e vet. “Ai flet si e ëma e Zeqos maje thanës”, shprehje kjo e vëllezërve jugorë, që pëdoret kur dikush flet palidhje, budallallëk.
     Përmendim vetëm kushtin e liberalizimit të vizave. Çfarë fytyre kanë Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari, kryetari i Nisma, me zyrtarët e tyre banditër, të kërkojnë liberalizimin e vizave, duke mashtruar e gënjyer, turpshëm, qytetarët e Kosovës, BE-në dhe botën, sikur, gjoja, janë plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
      Realisht, Kosova nuk ka përmbushur dy kushtet bazë:
     1. Luftimin e krimit të organizuar:
     Janë 320 mijë lëndë penale të pazgjidhura dhe 1.820 vrasje politike të pazbuluara. Ndërkohë, nën akuzë janë, pikërisht, edhe 4 (katër) zyrtarët kupolë pushtetarë, të cituar dhe bandat e tyre, të shtrira në tërë Kosovën. Shquhen për krime dhe terror ndaj shqiptarëve, përkatësisht, kundërshtarëve politikë, bandat bashkëpunuese në ekzekutime: Dukagjini, Drenica dhe LLapi, të cilat kanë përgjakur Kosovën.
     2. Korrupsioni, vjedhja zyrtare, tashmë, i denoncuar, kallëzuar me fakte, por, jo edhe i gjykuar, i ndëshkuar zyrtarisht! Janë evidentuar 89 milionë euro vjedhje zyrtare, edhe pse specialistët thonë se kjo shifër është e shumëfishtë  dhe vazhdon të rritet. Prej tyre, deri tani, janë sekuestruar vetëm 4 (katër) milionë euro!!! Janë, pikërisht, këta kriminelë, të cilët çirrën, kushtëzojnë e kërkojnë, madje me fyerje e kërcënime, ndaj Evropës dhe Amerikës, për liberalizimin e vizave!
     Pushtetarët aktual prijnë me korrupsionin, vjedhjen zyrtare,duke blerë pasuri të patundshme milionëshe, me pak mijëra euro; duke grabitur pasuritë e brezave shqiptarë; duke ushtruar haraçin e përgjakshëm; tenderimet korruptive dhe të gjithë katalogun e pisllëqeve hajnore.
     Pse krerët kriminelë, në kupolë të pushtetit në Kosovë, nuk dorëzojnë në sekuestro tokat e grabitura shtetërore; pallatet e dhëna me qera; objektet e ndryshme biznesore, të aktivizuara në lokacionet e mëparshme shtetërore, disa syrësh, me pronësi të bartur ortakërisë familjare, duke i inkriminuar edhe ata?!
     Pushtetarët e pacipshëm e kriminelë, kanë kapur sistemin e drejtësisë, kanë kapur shtetin e Kosovës, duke e kthyer në çiflig të tyre. Një popull qyqar, që manipulohet lehtë, vegjeton, gjumon e heshtë, si skllevërit e qëmotit!
     Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duke sjellur dy urtësi popullore, ka dhënë, madje, në sintezë, gjëmën e madhe, që po i sjellin Kosovës, Presidenti dhe Kryeministri i vendit, duke kërkuar Marrëveshje e Konferenca Ndërkombëtare, duke e kthyer Kosovën në para Rambuje, për të vënë në luhajë sovranitetin tokësor të Kosovës. Këta dy mjeranë, kërkojnë të risjellin në tavolinë pretentimet e akademikëve serbë, për tokat shqiptare.
     Citojmë, Jakup Krasniqi: “Në këtë rast do t`i theksoj dy thënie sa filozofike e po aq edhe emblematike të popullit tonë. siç janë”:
  1. “Qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë!”
  2. “Nuk më erdhi keq prej ujqerëve, që m`i shqyen delet, por pse qentë tanë u bashkuan me ta!” Kur nuk ka kush me ta ruajtur torishtën, dëmi është hazër! Pësimi bie mbi delet e urta”,- shkruan Krasniqi.
     Qendrat e Vendosjes, duke dëgjuar kërkesat e Presidentit dhe të Kryeministrit të Kosovës, me zyrtarët lakej të tyre, arritën në konkluzionin se “nëse palët dakordohen edhe për ndryshime e shkëmbime territoresh dhe çfarëdo marrëveshje tjetër, edhe ne pajtohemi!”
 
     Njëjtë ka ndodhur edhe për Demarkacionin me Malin e Zi. Kryeministri Isa Mustafa dhe Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, deklaruan, madje, botërisht, se “Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë, me vijën kufitare të shënuar nga Mali i Zi!” Dhe, bota jo vetëm e aprovoi, por, edhe ngulmoi të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës, Marrëveshja e nënshkruar, paraprakisht, nga ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni. Shefat botërorë merren vetëm me zyrtarët shtetërorë dhe nuk pyesin çfarë mendon e thotë opozita, çarshia.
 
     Arma e vetme e opozitës është rruga, protestat masive dhe të çdoditshme, deri në largimin e pushtetarëve kriminelë e hajdutë, tani, edhe tregëtarë të tokave stërgjyshore.
 
     Lëvizja Vetëvendosje, dikur, e vetme në mbrojtje të Republikës, tani, po heshtë si peshku! Po mjaftohet duke lëshuar ndonjë tullumbace kundër bullecit Shpend Ahmetit, një manipulator i pafytyrshëm. Ai po i diskrediton, keqas, vajzat e djemtë, dikur, luftëtarë krenarë në radhët e Vetëvendosjes. Njëherësh, kriminalisht, po e mbanë në pushtet bandën PAN, me arsyetime absurde e bajate, hipokrite e servile. Realisht, lëpirja e tij pas PAN-it, është përgaditje për strehim afatgjatë në strofullën e krimit.
 
     LDK-ja, me skënderhysenat e saj, është e shantazhuar dhe e bllokuar nga SHIK-u. Parlamentarizmi i LDK-së, nuk premton një zgjidhje të shpejtë, ndërkohë që intrigimet varrmihëse ndaj Kosovës janë intensifikuar. Kosova para rrezikut SOS! Kohë për reflektim dhe veprim. 
 
     Opozita shumicë, duhet të jetë e pranishme çdo ditë me Konferenca shtypi dhe thirrje për syçeltësi të popullit, keqas, të mashtruar dhe të përgjumur, nga propaganda lehaqene e shterruese e bandës PAN në pushtet. Opozita duhet të agjitojë në qytet e fshat, në lagje e shtëpi, për ta sqaruar e vetëdijësuar popullin, për pazarët e pista që vazhdojnë të bëjnë pushtetarët e krimit, hajnisë zyrtare, haraçit të përgjakshëm dhe pisllëqet tjera. 
 
     Opozita duhet të pushtojë rrugët, sheshet dhe bulevardet e Kosovës, deri në shporrjen e krimit nga kupola e shtetit dhe e pushtetit mafioz e kriminal, që ka ngulfatur Kosovën, duke vrarë shpresën e qytetarëve të saj për një jetë normale dhe të dinjitetshme.

Shëtitje në qytetet antike e mesjetare të Dardanisë – A është Artana vazhdimësi e Damastionit të lashtë? – Nga GANI MEHMETAJ

Më dukej si në filmin fantastik “Mbreti i unazave” visorja me bjeshkët e larta, me vegjetacionin që mugullonte me kursim, ndërsa qëndroja në njërën nga kullat e vrojtimit. Kështjella e Artanës të jep mundësi vrojtimi larg në horizont. Poshtë shihen lugina e katundet. Kështjella e  ndërtuar mbi kurrizin e një kodre të lartë ua mundësonte kështjellarëve të ndiqnin situatën e lëvizjet e dyshimta dhjetëra kilometra larg, të jepnin kushtrimin me të vërejtur armikun, t’i kishin si në pëllëmbë të dorës mësymësit dhe t’i godisnin nga muret e kështjellës me gurë, heshta e vaj të valuar. Ishte vështirë t’i qaseshe kështjellës sa nga pjerrtësia, aq nga kodrat e zhveshura. Edhe hyrja në kështjellë ishte e ndarë: për qerret e kalorësit në njërën anë, për këmbësorët në hyrjen tjetër. Koha ishte dramatike me makthe e tensione. Iliria ishte e trazuar. Kur nuk kishte alarme, mësymje e mbrojtje, luftë e sëmundje, kështjellarët bënin jetë të zakonshme, jetonin, punonin, ëndërronin, dashuronin apo urrenin. Disa prej tyre krijonin vepra arti, arkitekture e shkruanin kronika. Kjo ishte Artana dikur.

Ndërkaq, Artana (Nuovomonte, Nuovobardo, Nyeuberghe, Nobordan) sot është ndër qytetet e braktisura një kohë të gjatë. Qindra vjet në qytetin e vjetër askush nuk jeton brenda as përreth, qindra vjet nuk farkohen monedha ari e argjendi, që e bënë dikur qytetin ndër më të pasurit në gadishull, qindra vjet nuk dëgjohet zëri e gumëzhima e qytetarëve arbërorë, nuk ka xehetarë sasë, e kanë braktisur qytetin tregtarët raguzianë e pasunarët dardanë, qindra vjet nuk ushtojnë malet e luginat nga kushtrimi i ushtarëve mbi bedenat e kështjellës. Nga ato përshtypje ende të ushton në vesh gjallëria e dikurshme e një jete që u zhvillua brenda mureve të kështjellës e në rrethinë.

Në qytetin e vjetër jepeshin shfaqje teatri, shesheve të shtruara me gurë të lëmuar silleshin këngëtarë endacakë që e argëtonin publikun. Ushtonin kambanat e kishave monumentale. Priftërinjtë e famshëm Martin Segoni e Pjetër Bogdani nuk i shkruajnë më kronikat, ndërkaq janë kronikat e priftërinjve arbërorë dëshmi të rralla të shkruara që e përjetësuan Artanën e Arbërinë, pos dëshmive arkeologjike.

Rrugët e rrugicat janë të shkreta e të braktisura, të dëmtuara nga koha e nga kazma e piratëve të stolive, ose nga dhëmbi i kohës e rrënimet e luftërave. Janë muret e ringritura e të konservuara, por që në disa faqe muri janë rrjepur si lëkura e fytyrës së luftëtarëve të Artanës nga dielli përcëllues. Qëndrojnë në heshtje themelet e kishave e të katedraleve që zinin mijëra besimtarë.

“Në Artanën e Epërme jetonin aristokracia e qytetit e sundimtari, dhjetë metra ishin muret rrethuese, ndërsa dyert e bungut e mbyllnin kështjellën e parë. Në Artanën e Poshtme jetonte administrata e qytetit, ushtarët e shtresa e  mesme që e qeverisnin qytetin. Edhe kjo pjesë e qytetit ishte e rrethuar me mure mbrojtëse. Në të dyja pjesët e qytetit kishte rezervuarë të thellë uji, të ndërtuar me gurë. Ndërkaq, jashtë mureve të larta 10 metra me kullat vrojtuese deri në 15 metra, jetonte popullata”, rrëfen arkeologu H. Mehmetaj. Sasët e famshëm, mjeshtër të shfrytëzimit të xehes që i sollën nga Saksonia, kishin komunitetin e tyre, pranë xeherorëve dhe aty ku shkrihej e përpunohej xehja. E tërë hapësira kodrinore ishte rezervuar i xeheve, kështu që një pjesë e madhe e kësaj hapësire shfrytëzohej për nxjerrjen e përpunimin e argjendit e të arit. Gropat e xeheve janë edhe sot, të thella e të errëta.

Në dhjetëvjetëshin e fundit janë nxjerrë në sipërfaqe dëshmi nga më të rrallat për një jetë të pasur materiale e shpirtërore. Arkeologët gërmuan e zbuluan gjëra me vlerë, e konservuan qytetin që t’u prezantohet pasardhësve të dardanëve e të huajve. Sipas arkeologut Mehmetaj, “Artana (Novobërda) bën pjesë në qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike jo vetëm në Dardani, por edhe në Evropën Juglindore. Përbëhet nga qyteti i periudhës së Mbretërisë së Dardanisë, Damastioni (?), nga qyteti mesjetar, nga qendra të vogla zejtare, sikurse edhe nga minierat e metaleve. Gjatë kërkimeve të vitit 1994, rrëzë anës veriore të paralagjeve të qytetit, u gjetën monedha perandorake bronzi të shek. III dhe IV, sikurse edhe një stelë dardane e shek. III pranë Katedrales së Kishës Katolike të Shën Premtes. E gjithë kjo tregon se qyteti mesjetar ishte ngritur mbi bërthamën e një vendbanimi a qyteti antik. Artana është në lartësinë mbidetare 1 124 metra, lartësinë mbidetare më të madhe të vendbanimeve mesjetare në territorin e Dardanisë”.

Sundimtari i fundit i Artanës – Llesh Spani

Në një qytet dikur plot gjallëri e jetë, të mbërthen trishtimi kur e sheh në një gjendje të tillë, të vetmuar e të braktisur me brinjë rrënojash të dala jashtë, ndërsa themele gurësh, mure të mbetura ende në këmbë se si ta ndjellin kujtimin për lavdinë e dikurshme. Kronistët e ndryshëm, arbërorë e të huaj, perëndimorë e lindorë, shkruajnë se Artana a Nuovo Barda ishte njëri ndër qytetet më të njohura gjatë shekullit XIV e XV jo vetëm në Dardani, por edhe në Gadishullin Ilirik.

Artana, qytet i zhvilluar xehetar e tregtar, gjatë mesjetës kishte një jetë të zhvilluar ekonomike e tregtare, kishte shtëpi të bukura aristokratësh e kisha. Ndër kishat më të njohura përmendet Katedralja katolike, kushtuar pajtorit të këtij qyteti, Shën Nikollës, shkruan Gjon Berisha. Ndërkaq, H. Mehmetaj për Katedralen katolike, e cila zihet në gojë në burimet historike, thotë se njihet me tre emra të njëpasnjëshëm: Shën Mëria, Shën Nikolla dhe Shën Premtja. Ka qindra varre përfundi dyshemesë së katedrales e të murosur në katedrale.  Katedralja, sipas tij, rreshtohet ndër objektet më të mëdha dhe më luksoze në Evropën Juglindore.

Artana u pushtua nga Perandoria Osmane (1455), ndërsa kishat u shndërruan në xhami, kështu Katedrales katolike iu shtua një minare më 1466, shkruan Zamputi. Ishte praktikë e pushtuesit turk që kishat katolike arbërore t’i shndërronte në xhami.

Kur shkruan për Artanën-Nuovo Bardon, historiani Gjon Berisha në librin  “Arbërorët” citon Konstantin Filozofin: “Ai në të vërtetë është qytet i argjendit dhe i arit”. Duka, shkrimtar bizantin, e përmend Artanën si nënën e qyteteve, ndërsa Kritobuli shkruan se është aq i pasur me ar e argjend, saqë do të mund të “lëvrohej nëpër ar të pastër”.

 Ndërkaq, Marin Bici në raportin e tij përmend se në qytet e kanë një kishë të madhe, ku mund të rrinë 1 000 frymë. Për kishën sase, pak më tutje, ai shkruan se është e bukur dhe e madhe, e që mund t’i zërë 3 000 veta.

Arkeologu Haxhi Mehmetaj, i cili udhëhoqi hulumtimet arkeologjike,  disa herë, shkruan se rreth një kilometër në juglindje të qytetit mesjetar, më 1990, në lagjen Gumnishtë, kur po bëheshin gjurmime arkeologjike, me karakter sistematik hulumtimi, u zbuluan gjurmët e një qyteti të fortifikuar të mbretërisë dardane, të tipit polismation, emri i të cilit do vënë në lidhshmëri me qytetin ilir Damastion, i cili për 200 vjet rresht farkoi monedha argjendi ndër më cilësoret në Evropën Juglindore. Pra, sipas tij, qyteti shpeshherë i mistifikuar Damastion është pak më tutje Artanës mesjetare, sepse kishte hamendësime nga më të ndryshmet për qytetin antik e të parahistorisë. Kronistët e antikës qytetin Damastion e kanë lidhur me shkëlqimin e prodhimin e arit e të argjendit.

Në një punim të publikuar nga H. Mehmetaj thuhet: “Qyteti brenda mureve zinte sipërfaqe prej 7.10 hektarësh. Brenda arealit të qytetit u zbuluan shtresime të zgjyrës së metaleve si dëshmi e eksploatimit dhe të shkrirjes së xeheve, blloqe gurësh ciklopikë në trajtë katërkëndëshe, një trakt i murit rrethues me gjatësi 25 m i përforcuar me (kontrafor), i ngritur nga gurët e rreshtuar në teknikë të thatë murimi. Janë zbuluar po ashtu enë e fragmente luksoze të zbukuruara me motive mitologjike të shek. VI – IV para Krishtit etj.  Hygia – hyjnesha e mjekësisë shek. IV. p. Kr., është zbuluar në qytetin e Mbretërisë Dardane”.

Në Artanë jetoi biografi i parë i Gjergj Kastriotit

Novobërda, për herë të parë, në burimet e shkruara historike përmendet në vitin 1326, me emrin Nuovo Monte. Në vitin 1349 ka farkuar monedha autonome të njohura me emrin grossi di Novaberda (groshët e Novobërdës). Duke iu falënderuar xeheve të pasura të plumbit, arit e të argjendit, e në veçanti të argjendit, që radhitet ndër mineralet më cilësore të argjendit në minierat evropiane, zhvillimin më të hovshëm ekonomik, qyteti e arrin në fillim të shek. XV.

“Qyteti një kohë të gjatë u përballoi dyndjeve të ushtrisë osmane, por pas dyzet ditësh rrethimi nga Sulltan Mehmeti i Dytë, Artanën e pushtuan turqit më 1445. Sundimtari i fundit para rënies nën sundimin turk ishte Llesh Spani nga Drivasti (Drishti). Ndërsa në shek. XV në Artanë jetonte dhe vepronte shkrimtari ynë Martin Segoni (Shegyni), autori i parë i historisë së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, sikundër edhe një varg dijetaresh të tjerë” (H.M.).

 Në shek. XVII Artana i takonte peshkopatës së Shkupit, ndërsa peshkop ishte Ndre Bogdani, ungji i Pjetër Bogdanit. Pas luftërave austro – turke të vitit 1689 qyteti humb famën e dikurshme. Në këtë kohë nisën shpërnguljet e mëdha të popullatës arbërore drejt veriut, si pasojë e humbjes së luftës së koalicionit të krishterë që e udhëhiqte Austria. Kolera i përgjysmoi banorët dhe i cyti ta braktisnin qytetin.

Poshtë kështjellës, në kurrizin e malit, shfrytëzimi i xehes së argjendit është bërë deri në vitin 1999. Skeleti i shiritave transportues e konstruksionet metalike gjigante me grykën e xeherores ende dëshmojnë për një qytezë industriale, me qindra shtëpi ish-xehetarësh, mensa punëtorësh e godina shumëkatëshe për ish-administratën e dikurshme të qytetit të minierës. Miniera është braktisur, një pjesë e madhe e shtëpive e godinave shumëkatëshe, ndërtuar enkas për punëtorë e menaxherë, janë pothuajse të braktisura, ndonjë plakë ose plak lëvizin ngathët sa për të na e kujtuar se aty ende ka jetë.

Por restorantet e ngritura me shtëpitë e vogla për pushime të bëjnë me dije se kështjella e qyteti i Artanës po e ringjallin jetën përreth pas qindra vjetësh braktisjeje. Kamerieri Gjergj atë ditë të freskët marsi na shërbente në restorant me dashamirësi mish keci të katundit bri Artanës. Vizitorët ishin të shumtë. Disa shtëpi e kafene gjysmë montazhi ishin ndërtuar në rrethin e tretë të qytetit, jashtë mureve mbrojtëse.

Artana ngadalë po rikthehet në vëmendjen e  dardanëve e vizitorëve të huaj.

Parashtruemja e Kërkesavet Shqiptare përpara Këshillit të të Dhetvet – Nga MUSTAFA KRUJA

Shqiptarët e mbështesin të tânë shpresën e tyne më drejtësín e kësaj Mbledhjeje të Naltë. Ata shpresojnë se parimi i kombsivet, qi âsht proklamuem aqë naltas e me aqë bujë si nga ana e kryetarit Wilson ashtu edhe prej shokvet të mëdhâj të tij, nuk ka me qênë nji fjalë e kotë e se të drejtat e Shqipnís qi kanë qênë marrë deri sod nëpër kâmbë kanë për t’u nderuem në këtê Kongres, i cili ka marrë mbi vete misionin e naltë për me begatun njerzín me nji paqë qi, për me qênë e qêndrueshme, duhet të jetë ngrehun vetëm mbi të drejtën e drejtësín.
Ay qi nuk i ka njohun mâ s’pari të drejtat e kombit shqiptar ka qênë Kuvêndi i Berlinit. Arsyet e kësaj mosnjohjeje shkoqiten me fatin qi Shqipnia s’ka pasun kurrë projtës ashtu si kombet e tjera të Balkanit. Shkoqiten edhe me situatën gjeografike të Shqipnís qi ka tërhekun gjithmonë lakmít e fqîjvet të vet.
Traktati i Berlinit i ka këputun Shqipniës Tivarin, Hotin, Grudën, Triepshin, Kuçin, Podgoricën, Plavën e Gucín për Malin e Zi, edhe nji pjesë nga ana e poshtme ndërmjet gjînit të Prevezës e lumit Kalamas për Greqín. Mbi këtê padrejtësí Shqiptarët formuen Lidhjen patriotike të Prizrêndit qi i u kundrështue me armë lëshimit të Plavës, Gucís, Hotit e Grudës. Fuqít e Mëdhaja i dhanë at’here Malit të Zi, si shpërblim të këtyne viseve, limanin e Ulqinit. Edhe ky shpërblim mundi të vêhet në veprim vetëm me njê “demostratë navale”, qi njihet mjaft mirë me êmnin “Demostrata Navale e Ulqinit”.
Nga ana e poshtme Lidhja qêndroi gjithashtu gallsisht. Komisioni ndërkombtar qi kishte vajtun në Prevezë për me i dhânë Greqís ato vise shqiptare, hasi në qêndrimin e popullsís e duel e shkoi pa qênë i zoti me e mbaruem misionin e vet. Mbi raportën e këtij komisioni Mbretnít e Mëdhaja u shtrënguen t’i a njohin karakterin shqiptar asaj krahine qi deshën t’i japin Greqís dhe e zbritën kufînin e kësaj te lumi i Nartës.
Me arsye të drejtë âsht thirrun traktati i Berlinit “traktati i vorrimit të Shqipnís”. Me gjithë këtê cungllimet q’i ka bâmun traktati i Berlinit Shqipnís munden me u quejtun gërvishtje, po të përkrahasohen me ato q’i ka bâmun Konferenca e Londrës më 1913. Kësaj Konference nuk i mjaftoi via e Kalamasit si kufî, të cilën Shqiptarët, sikur u pa, e kishin prishun e çuem në Nartë, por i dha Greqís gjith’ atê krahinë prej gjînit të Prevezës e deri në Kep Stilos. Kjo krahinë, qi shtrihet deri më 30-40 kilometra thellë, ka pasun, para luftës balkanike nji popullsí të përgjithëshme 63.000 shpirtësh, nga e cila 40.000 Shqiptarë musulmanë, 14.000 Shqiptarë të krishtênë e 9.000 Grekë.
Në Nord e n’Est i ka falun Malit të Zi e Serbís Krajen, Anën e Malit e bajrakët e Hotit e Grudës, Plavën, Gucín, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, Prishtinën, Gjilanin, Ferizovikun, Kaçanikun, Shkupin, Prizrêndin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, Strugën e Ohrin. Në këto vise, qi gjinden në dy vilajetet e hershme të Kosovës e të Monastirit, popullsia shqiptare formon nji shumicë 80% mbi elementin slav. Kërkojmë pra të gjitha këto vise qi na janë këputun me Kuvêndin e Berlinit e me Konferencën e Londrës.
Kosova qi Serbvet u pëlqen t’a quejnë “Serbia e Vjetër” ka qênë heret e vonë vênd i populluem me Shqiptarë. Serbët kanë shkelun aty më të shtattin shekull, por s’kanë mundun kurrë të zânë vênd si prej kryengritjeve të Shqiptarvet si prej bashklakmís së Bullgarvet.
Mbipeshimi serb në krahinët e Kosovës kurrë ndo njê herë s’ka ngjatun; Shqiptarët kanë formuem gjithmonë shumicën e madhe të popullsís së saj, me gjithë të ndrydhunit e salvimet qi kanë psuem prej Serbvet. Popullsia serbe qi âsht futun mbasandej nuk formon mâ tepër se 15%.
Shqiptarët kanë bâmun në kohnat e fundme e sidomos më 1910, 1911 e 1912, sa kryengritje për me fituem lirín e tyne. Më 1912, 18.000 Shqiptarë prej Kosove, pas nji lufte të fortë kundra ushtrís turke, pushtuen qytetin e Shkupit, duke shtrënguem Turqín qi t’u bânte konqesina.
Qeveria turke qe gati për t’u njohun Shqiptarvet të drejtën për sa kishin kërkuem e për të formuem nji administratë autonome, e cila do të përmblidhte tre vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës edhe nji pjesë të vilajetit të Monastirit. Shtetënit e Balkanit duke kuptuem dobsín e Turqís qi s’po mundte me i shtruem Shqiptarët e duke pasun frigë se po formohej nji Shtet vetqeverimtar shqiptar n’ato vênde qi lakmojshin prej sa kohe, shpejtuen me i shpallun luftën Turqís e prandej Shqiptarët nuk mundën të nxjerrin ndo nji fitim nga konqesít qi kishin fituem me armë në dorë.
Në të damen e vêndevet të Balkanit më 1913, atdheu ynë u bâ flia e fqîjvet për me mos i u dhânë shkak njê lufte europiane. Por tashti qi kjo luftë u bâ edhe âsht tue marrë fund me triumfin e të drejtavet të gjithë popujvet, besojmë plotësisht se ato krahina të gratëshme thjesht shqiptare, pa të cilat Shqipnia as nuk mundet me jetuem, kanë për t’i u këthyem mâmës-atdhè.
Ndonse âsht e vërtetë qi do të hyjnë disa pakica të hueja në kufîjt e Shtetit shqiptar, do të ketë edhe grumbuj të mëdhâj Shqiptarësh qi kanë për të mbetun jashtë.
Konferenca do e mos do t’a shohë ndryshimin qi gjindet ndërmjet deshirit t’onë të drejtë për me futun vëllaznit t’anë në familjen shqiptare, e lakmivet të padrejta të fqîjvet t’anë, të cilët, duke mos u ngîmun me aqë vênde thjesht shqiptare qi na kanë këputun me përdhunë, vijnë përsëri me i kërkuem qi të na këputen të tjera.
Greqia kërkon nji pjesë të Shqipnís së Poshtme, të quejtun Epir i Veriut, duke prumun si argument se në këtê krahinë ka njê popullsië prej 120.000 Grekësh e 80.000 Shqiptarësh. Na i qesim të padrejtë këta numra e thomi qi popullsia greke në këtê krahinë nuk i kapërcen 20.000 shpirtë. Këta 20.000 shpirtë rrijnë në fushët të Dropullit e të Vurkut të Delvinës. Janë të gjithë bujqë, pa tokë e pa shtëpí, qi punojnë dhenat e Shqiptarve.
Thuhet edhe qi të tânë Shqiptarët ortodoksë duhet të quhen Grekë, pa u marrë para sŷsh kombsia e vërtetë e tyne.
Kjo davà e kotë e ka shtymun natyrisht priftnín greke me e bâmun fenë nji vegël të ndrydhuni e tiraníe.
Lidhja e Prizrêndit i pati këputun Turqís lêjën me hapun nji shkollë shqipe në Korçë. Priftnía greke mallkonte ata prindën ortodoksë qi dërgojshin fëmijët në këtê shkollë e i paditshin te qeveria turke si kospiratorë kundra njësís së Shtetit. Kjo manovër ka shkaktuem mërgimin e burgimin e shumë krenëve familjesh shqiptarë e mbërrîni deri në të mbyllunit e shkollës.
Nga ana tjetër, qeveria turke duke i shtrënguem gjithashtu prindnit musulmanë për me mos i lânë të dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe, kishin, në këtê rasë, me priftnín greke njisí qëllimesh e bashkpunim të plotë ndërmjet tyne.
Tue i marrë Shqiptarët ortodoksë për Grekë, po qitet mêndimi qi s’do t’ishte punë e drejtë me i shtruem nji pakice mâ pak të qytetnueme nji shumicë me njê qytetní mâ të naltë. S’mundet me u bâmun fjalë për ndryshim qytetníe ndërmjet bijvet të nji fare qi jetojnë bashkë pa ndryshim konditash, qi flasin nji gjuhë pa ndryshim zakonesh. Në qoftë se Shqiptarët ortodoksë janë mësuem në shkolla greke, Shqiptarët musulmanë e katolikë, të cilvet u ishte ndaluem e drejta me u mësuem në gjuhë kombtare, kanë kënduem në shkolla turke, italiane, frênge, hinglize e amerikane.
Po merren për shkak ndîesít filogreke të Shqiptarvet ortodoksë. Këtij mêndimi i vêmë kundra atê të Lord Hobhouses qi ka shoqnuem Lord Byronin në Shqipní e qi shkruente në fillim të shekullit të nândëmbëdhetë mbi popullsít e Epirit otoman:
“Vetëm Shqiptarët e kanë ndîesín e kombsís; as nji prej popujvet tjerë të mbretnís otomane s’ndîen tjetër gjâ përveç fesë”.
Z. Abaret, delegat i Francës në Komisionin e Rumelís Lindore, në nji mêndore q’i ka paraqitun komisionit më 13 Gusht 1880, ka thânë:
“Shqiptarët rrojnë në nji harmoní të plotë; para ç’do sêndi tjetër janë Shqiptarë. N’âsht e vërtetë qi katolikët janë të lidhun me gjithë zêmër mbas fesë së tyne, s’âsht mâ pak e vërtetë prap se për ata, si edhe për bashkatdhetarët e tyne musulmanë, ndîesía kombtare, dashunia për vêndin e vet e nderimi i zakonevet të vjetra janë sênde qi kanë mâ të madhen rândësí e qi dalin përmbi të tâna tjerat”.
Qe edhe se çë shkruen Z. Vaucher, në “L’Ilustration” të 7 Prillit 1917, mbi kazán e Korçës:
“Shqipnia e Shqiptarvet, kjo âsht kryefjala e të tânë ndêjësvet të kësaj fushe pjellore të Korçës.
“Qyshë sod dy muej qi âsht formuem republika e Korçës, Shqiptarët po na e provojnë se janë të zott me jetuem në harmoní njêni me tjetrin. Ngatërresa fetare s’ka mâ, përse s’ka mâ se kush t’i nxisë”.
Anmiqt t’anë kërkojnë nga Shqipnia bash nj’atê krahinë qi çetat gjeritase të Zografit me ushtarë grekë të shndërruem, nên urdhën t’oficerve grekë, e kanë djegun vetë me dorë. Asht çudí me pamun qi Grekët të munden me i quejtun të tyne këto vise, mbas si i rrenuen e i rrafshuen krejt për tokë. Mbi këtê, Z. Vaucher, korrespondenti i Illustration-it shkruen:
“E gjithë kjo krahina e Kolonjës âsht rrenuem prej çetavet greke më 1913. Emnat qi gjinden mbi kartët s’janë mâ tjetër veçse kujtime. Mbi dhé s’kanë tjetër shêj veçse disa gërmadha të paforma qi dëftejnë vêndet e katundevet musulmane”.
Duket se tue kërkuem Epirin e Epër, Grekët s’kanë qëllim tjetër veçse me frigsuem Shqiptarët e me i bâmun të hekin dorë nga kërkesat e drejta të tyne n’Epirin e Poshtër e sidomos mi Çamërín qi âsht thjeshtë shqiptare.
Kur kundrëthânsit t’anë bâjnë davá se Shqiptarët ortodoksë t’Epirit t’Epër do të kishin dëshirë me u bashkuem me Greqín, Vëlleht e Pindit, qi e kanë njohun mirë administratën greke, po lypin bashkimin me Shqipnín.
E si munden me u pajtuem këto dy mêndime? Si mundet me u pranuem qi të ketë Shqiptarë me mohuem vëllaznit e vet, kur njê element i huej, si Vëlleht, s’po kërkon tjetër veçse bashkimin me Shqiptarët?
Shqipnia qi ka vuejtun shumë të këqia, po sa të jetë përngrehun, do t’a bâjë detyrë të veten me jetuem në bashkim të plotë e me nji shpirt tolerance sa mâ të gjânë, duke u dhânë pakicavet të hueja të gjitha të drejtat qi u njihen në vêndet mâ të përparuemet në qytetnim.
Kufîni i Shqipnís në Sud duket si me qênë caktuem prej natyre: âsht vargu i malevet të Gramozit e Pindit. Vetëm ky kufî mundet t’u përgjigjet nevojavet projtorake e ekonomike të nji vêndi kaqë të pafuqishëm si Shqipnía.
Po të kishte pasun Shqipnía lirië në veprimet e saj, do t’ishte vûmun do e mos në shërbim të Kuptimit me i ndihmuem me të tâna fuqít e veta. Deri ditën kur âsht pushtuem prej anmiqvet, të gjitha mjetet qi ka pasun në dorë, i ka vûmun në shërbim të Kuptimit, duke u dhânë ndihmë e ushqim ushtrivet serbe në të tërhekunit e tyne nëpër Shqipní.
Shërbimet e bâme ushtrivet serbe marrin njê rândësí mâ të madhe, kur të kujtohen barbarít e plojet sistematike të bâme po prej këtyne ushtrive serbe, sidomos kundra popullsivet shqiptare të Kosovës në luftat e pas luftash balkanike, si edhe të djegunit e shumë katundeve shqiptare të raportueme në kohët të vet nga ana e të tânë korrespondentavet të shtypit europian.
Shqiptarët u kanë bâmun mâ të mëdhajat shërbime ushtrivet italiane e frênge qyshë se ato kanë arrijtun në Shqipní, e, nga ana tjetër, s’kanë ndëgjuem me formuem trupa ndihmëtarë në Shqipní të Poshtëme, me gjithë zotimet qi Austriakët, bashkë me nji Shtet balkanik, nuk prâjshin tuke u bâmun.
Konferenca âsht duke u kujdesuem për me hudhun themelet e nji paqe të qêndrueshme. Kjo paqë s’mundet me u bâmun pa u marrë para sŷsh të drejtat e kombsivet.
Për sa i përket Shqipnís, në qoftë se Kongresi, kundra këtij parimi, kishte me i pëlqyem cungllimet e bâme aqë fatkeqsisht më 1878 e më 1913, vêndi i ynë kurrë ndo nji herë s’ka me e gëzuem atê qetësí q’i duhet për zhvillimin e tij ekonomik; ky do t’ishte edhe krijimi i krizave periodike në Greqí e në Serbí, të cilat s’janë aspak të zôjat me përtypun njê shumicë Shqiptarësh aqë madhështorë për mëvetësín e tyne e aqë të lidhun mbas gojdhânavet kombtare. Kjo situatë âsht e atillë natyre me shkaktuem turbullime të padame për të gjatë gjithë kufîjvet të Shqipnís.
Padrejtësít e plojet e bâme kundra popullsivet shqiptare qi banojnë krahinat e zaptueme nga ana e Shtetënvet të sipërêmnuem, bâjnë me pasun frigë prej fatit qi po i pret, këto popullsí, të cilat s’kanë me njohun paqë veçse në hikë ase në vdekë.
Kjo do të sjellë në kujtim fjalët e Taqitit: “Ubi solitu dinem faciunt, pacem appellant”.

Paris, më 24 Shkurt 1919

Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”

Largimi (Brexiti) eventual i Britanisë së Madhe nga UE, vullnet popullor apo vendim politik…? – Vështrim nga AGRON SHABANI

Britania e Madhe (Mbretëria e Bashkuar) së bashku me Republikën Federale të Gjermanisë, Francën dhe Italinë e përbënin dikur “Katërshën e Madhe” të UE-së. Respektivishtë, dikur” boshtin kurrizor” ose “centrifugën kryesore” të UE-s ( BE-s). Ndërkohë që Britania e Madhe, pos tjerash është edhe njëra prej fuqive kryesore të Natos si dhe aleate tradicionale ose historike e SHBA-së. Gjë që largimin e mundshëm ose eventual të Britanisë së Madhe nga BE-së, e bën akoma me të ndjeshëm dhe me të komplikuar në sfond. Mos të flasim këtu mbi ndikimet, implikimet ose pasojat e ndryshme tregtare, finansiare, manufakturale, konjukturale, politike, ekonomike dhe të tjera në nivel kontinental dhe interkontinental. Në strukturën, infrastrukturën dhe arkitekturën e gjithëmbarëshme të marëdhëniëve ose raportëve të brendshme kontinentale sidomos. Duke menduar këtu në ndikimet, influencat ose interferimet e ndryshme eksterne ose eksplikative të largimit britanik në proviniencat, reminishencat ose konstelacionet e ndryshme tregtare, finansiare ( bankare), ekonomike, konjukturale, manufakturale, industriale, teknologjike etj.
Sipas shumë gjasave, largimi (brexiti) briranik me tepër është vendim politikë, se sa verdiktë ose vullnet i përgjithshëm (gjeneral) i popullit anglez ose britanikë. Ndërkohë që fijet ose rrenjèt e ndryshme konpirative ose logjistike tè brexitit anglez ose britanik, hèpèrhè ndodhèn të fshehura ose maskuara nepër trashe ose istikame të ndryshme politike dhe gjeostrategjike. Apo, mbase nën rrogoz. Kush e di ?!
Në këtë sfond thonë se mosbesimi ose ‘ateizmi´i përgjithshëm’ politikë, ekonomikè, industrial, teknologjikè etj., janë të arësyeshëm dhe të akceptueshëm deri atëherë kur i zbulojnë dhe justifikojnë shkaqet dhe arësyetueshmerinë e përgjithshme të një besimi të thellë esencial ose substancial. E dekoduar dhe deshifruar ndryshe kjo donë të thotë se miliardat e dhuruara (huazuara) nga Banka e Përbashkët Europiane dhe donatorët tjerë botëror ose ndërkombëtar ndaj shtetit helen (Greqisë) dhe të tjerëve nè kuader të “kontributëve dhe solidaritetit të përbashkët europian” mund t’i ketë revoltuar ose bërë nervozë anglezët ose britanikët për të vendosur të largohën nga UE-s ose Eurozona?
Aty janë edhe implikimet ose rekomandimet e një pjese të madhe të Administratës Amerikane të Presidentit Trupm (sidomos e këshillëtarit Bollton etj.) ndaj Qeverisë Britanike. Ndonëse, pa i harruar këtu edhe lidhjet e moçme familjare, monarkiste, biologjike ose gjenealogjike të Oborrit Mbretërorë të Britanisë së Madhe me Romanovët e Rusisë dhe kështu me radhë. Thuhet se SHBA-s dhe Rusia, gjithëmonë u janë drojtur ose frikësuar lidhjeve ose aleancave të ndryshme në mes Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë të cilat zatën e përbejnë edhe ‘katërkëndëshin e madh ‘kulturorë, ekonomikë, industrial, teknologjikë, ushtarak dhe politikë të kontinentit të vjetër.
Aty janë edhe kapriciot ose indiciet e njohura rivale ose antagoniste brendapërbrenda popullit (popujve) dhe kurorës së bashkuar britanike të trashegimtarëve të yorkëve, lankasterëve, stjuartëve, tudorëve etj. Në këtë prizëm edhe raportët ose marëdhëniet e ndryshme në mes “eminencave gri” ose “par-exelencave” të ndryshme rojaliste, qeveritare, parlamentare, partiake ose politike, jo rrallë i ngjajnë “Darkës së fshehtë” të Jezu Krishtit me apostuj. Për të mos thënë marëdhënjëve ose raportëve të njohura në mes “Dashurisë dhe Urrejtjes”!(…).
Ndryshe nga kjo, kriza dhe kolapsi i mehërshërm finansiar dhe ekonomik në shtetin helen (Greqi) së bashku me krizat e ndryshme akute ose kronike në Portugali, Irlandë, Spanjë, Itali dhe kështu me radhë: Kanë nxitur dhe shkaktuar shpesh të çara (plasje), fraktura, kolizione, fraksione dhe korrezione të ndryshme strukturale ,konceptuale, konjukturale ,manufakturale ,finansiare ,ekonomike, sociopsikologjike dhe të tjera brendapërbrenda vendëve të ndryshme kryesore të ´kompozicionit të përbashkët europian´ që mund të kenë pasur pasoja, implikime dhe reflektime të ndryshme ( eksterne ose eksplikative) në strukturën, infrastrukturën dhe “arkitekturën e përbashkët” të Bashkësisë Europiane. Në mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Francës (si vendët me të fuqishme ose kryesore të këtij unioni..) sidomos. Kështu për dallim të gjermanëve ose Gjermanisë që me plot të drejt e shohin dhe konsiderojnë vetën si “boshtin kurrizor” ose Lokomotiven kryesore të “kompozicionit të përbashkët” evropian: Janë Franca ose francezët ata që në stilin dhe manirin e njohur të një” l´grande nationi” të imagjinuar (fiktiv) ose tradicional, vazhdojnë ta shohin dhe paramendojnë vetën si fuqinë me të madhe ushtarake, politike, industriale dhe ekonomike në Unionin Europian dhe me gjërë .Në këtë frymë, politikani dhe analisti i njohur francez, Zhak Atali gjatë një interviste të dikurshme ekskluzive për “Euronews” :Duke i numëruar dhe llogaritur siç thoshte asokohe ai “përparësitë dhe avantazhet e shumëta ushtarake, industriale, ekonomike dhe të tjera të Francës në raport me Gjermaninë dhe të tjerët në njerën anë, si dhe duke i elaboruar ose paragjykuar të “metat”, “dobësitë” ose “disfavoret” e ndryshme njerëzore, materiale, industriale, ekonomike dhe të tjera të Gjermanisë në raport me vendin e tij (Francën) në anën tjetër: Asokohe e quajti Gjermaninë si një “njeri” ose “pacient të sëmurë” të Bashkimit Europian. Duke u shprehur në vazhdim për siç thoshte ai “shkallën e ulët të natalitetit (plakjen graduale ose sistematike) të popullit gjerman ,madje për çështje dhe aspekte të tjera sociale, finansiare dhe ekonomike që në të shumtën e rastëve nuk përkojnë fare me realitetin dhe faktët e njohura në terren. Gjermanët dhe Gjermania janë sponsorët dhe donatorët me të rëndësishëm ose kryesor të ndihmave dhe kontributëve të përbashkëta finansiare dhe ekonomike në kuadër të Bashkimit Europian. Ndërkohë që industria, teknologjia dhe ekonomia e fuqishme gjermane gjatë kohëve të fundit, nèn drejtimin e Kacelares Dr. Angela Merkel, kanë njohur (shënuar) rritje dhe lulëzim të përgjithshëm në të gjitha fushat dhe segmentët e mundshme. Duke e bërë sot Gjermaninë njerën prej vendëve me të fuqishme industriale dhe konomike në të gjithë globin. Në këtë sfond edhe ndihmat dhe kontributët e lartëpërmendura finansiare dhe ekonomike të Bankës së Bashkuar Europiane dhe bankave të tjera nacionale ose internaionale për Greqinë, Portugalinë, Irlanden dhe vendët tjera të ´eurozonës” që ndodhëshin në kriza të ndryshme ose në recesion në të shumtën e rastëve ishin të garantuara dhe sigurura nga taksapaguesit (tatimpaguesit) gjerman etj. Në këtë drejtim njohësit dhe studiuesit (ekspertët) e ndryshëm të rrjedhave dhe zhvillimëve të përgjithshme politike, finansiare, industriale dhe ekonomike brendapërbrenda “tregut të përbashkët” europian duke i analizuar dhe komentuar trendët ose standardet e ndryshme (dominante dhe eksluziviste) të vendëve ose fuqive të ndryshme të BE-s.:Kanë bëtë fjalë për ndarje ose “forma të reja” suksesive, secesive, proteksioniste ose merkantaliste të valutës (euros) dhe “kapitalit të përbashkët” europian në të ardhmen. Gjegjësisht, për “muskuj” ose barriera të ndryshme finansiare, industriale dhe ekonomike të fuqive ose superfuqive të ndryshme industriale dhe ekonomike të BE-s- ndaj vendëve të ndryshme me të vogla ose me të pazhvilluara të ketij UE-s. Aty janë edhe “zonat” ose “modelet” e ndryshme industriale dhe ekonomike brendapërbrenda Bashkimit Europian si “Modeli i Rajnës” i përbërë nga Gjermania, Franca, Belgjika dhe Luksemburgu; “Modeli Anglo-Sakson” i përbërë nga Britania e Madhe, Irlanda dhe Portugalia; “Modeli Skandinavë” i përbërë nga Austria, Holanda, Danimarka, Finlanda dhe Suedia; “Modeli Jugor ose Mesdhetar” i përbërë nga Spanja, Italia dhe Greqia etj. Ndonëse, sëcili (ose akëcila) prej tyre me kuota, ritme, trende dhe standarde të ndryshme zhvillimore, sociale, jetësore dhe ekonomike. Ndërkohë që në Britaninë e Madhe, jetojnë dhe punojnë me tepër se 4 milion francezë.

Në këtë botën tonë të çoroditun… – Nga SAMI REPISHTI*

Ridgefield,CT.- Pa dyshim jetojmë në nji botë me të paprituna të përditëshme: shumica e tyne të padëshirueshme; mjaft prej tyne me karakter tragjik dhe përpjestime masive. Ka shumë spjegime, ka shumë përcaktime të kësaj situate të vështirë dhe të rrezikshme. Ajo që shqetëson ma shumë ashtë përdorimi i papushim i fjalës: urrejtje – nji përbuzje e fortë e shoqënueme me vullnet të keq e dëshirë për shkatërrim! Kudo që ngjasin trazime që na shqetësojnë gjindet nji spjegim: urrejtja. Kudo që konfliktet gjakosin masat e pafajshme spjegohen me fjalën: urrejtje. Përpjekjet tona me krijue nji atmosferë ku njeriu të afrohet me njeriun si vëllau me vëlla duket sikur janë fjalë pa kuptim në këte botë të çoroditun që refuzon të mirën, që përqafon të keqen dhe që shkatërron dalëngadalë, por me siguri, arritjet e qytetnimeve mijëvjeçare të të gjithë kontinenteve, tue damtue randë frymën e shpresës për nji të ardhme ma të mirë….

Ashtë tragjedia e botës sonë bashkëkohore!

Më 15 mars 2019, ditën e premte (xhuma), ditë e shenjtë për afër 1.4 miliard besimtarë myslimanë në botë, në qytetin Christchurch, Zelanda e Re, nji burrë i armatosun dhe me “camera” në kokë për fotografim, u drejtue kah Xhamia Al Nur dhe hapi zjarr me armë automatike kundër cilitdo që shikoi ose takoi, ose që rastësisht i doli para. Gjashtë minuta ma vonë, ai u drejtue kah Xhamia Linwood dhe zbrazi armët përsëri mbi besimtarët që luteshin dhe kërkojshin falje e mëshirë nga Zoti, akti ma domethanës i krijesës ndaj Krijuesit. Akti i terrorit masiv u transmetue “i lirë” për të gjithë botën me u pa në mediat e informimit.

Numri i viktimave të vramë arriti shifrën 50 (pesëdhetë) dhe ma shumë se 54 (pesëdhetë e katër) u plagosën gjatë lutjes fetare, e tani po shërohen në spitalet e vendit. Tragjedia e nji qyteti të vogël preku zemrat e botës mbarë!

I dyshuemi u arrestue. Ai quhet B.H.T, 28- vjeçar, ekstremist supremacist i bardhë me urrejtje për emigrantët. Videoja e prodhueme, dokumentar prej 17 minutash, ashtë rasti i parë ku nji vrasës tregon në filmaktin e tij – kriminal në esencë dhe grotesk në formë,- nji dokumentacion okular i aftësisë së njeriut me zbritë poshtë, poshtë, jashtë botës njerëzore. Inhumanity! Tue folë para Parlamentit, Kryeministrja Zonja Ardern shqiptoi këte sentencë madhështore që unë respektoj sot:

“Ai është terrorist, është kriminel, është ekstremist. Por sa herë që do të flas, unë nuk do të përmend emrin e tij. Ju bëj thirrje që sa herë të flisni, të përmendni emrat e atyre që u shuan dhe jo emrin e atij që u mori jetën. Ai mund të ketë dëshiruar të bëhet i famshëm, por për ne, këtu në Zelandën e Re, nuk do t’ia ofrojmë këte.” (VOA)

Monumentale! Sentencë që vlen për kriminelët e çdo kohe dhe çdo vendi!

Vrasësi 28-vjeçar T, qytetar australian, që udhëtoi nga Australia në Zelandën e Re, nacionalist ekstrem e i vetëshpallun, i bardhë, sot i akuzuem për vrasjet masive… dënon “myslimanët” dhe i quen të gjithë “emigrantët” “pushtues”, simbas nji manifestos prej afër 70 faqesh, ku elaboron “filozofinë” e tij, të nji mendje të smurë. Nji qendrim i këtill ashtë i ngjashëm me ate të Presidentit Trump të SHBA-së që quen “emigrantët” e Amerikës latine “invadues” të SHBA-së, tue nxitë kështu urrejtjen kundër tyne. Në fakt, krimineli quen Presidentin Trump “…simbol i sotëm i racës së bardhë…” E pabesueshme!

Vrasësi i 50 myslimanëve dhe plagosësi i 54 të tjerëve në dy xhamitë e qytetit Christchurch, Zelanda e Re, ka udhëtue edhe në Ballkan (2016-2018) simbas “Zërit të Amerikës”. Në fund të vitit 2016, krimineli ka vizitue Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen dhe Kroacinë, ku ka pa vendet e fushëbetejave historike, raporton agjencia Reuter, dhe ashtë kthye përsëri në 2018-n. Ai ka vizitue shumë herë edhe Turqinë dhe ka kalue atje kohë të gjatë, deklaroi nji zyrtar i naltë i qeverisë turke. Nuk ka shënime akoma nëse ka vizitue Shqipërinë dhe Kosovën.

Qyteti Christchurch, Zelandën e Re, ka nji bashkësi të vogël myslimane, afërsisht 1.000 persona, Në përgjithësi, vendësit e dënuen randë këte akt agresiv e kriminal. “Na dënojmë dhunën dhe urrejtjen e çdo lloji dhe bashkohemi me të gjithë të tjerët, në Zelandën e Re duke shprehur trishtim të thellë për ata që janë damtue nga nji ngjarje e tmerrshme”, deklaroi Komisioni për të Drejtat e Njeriut të Zelandës së Re. “Nuk ka vend për urrejtje në Zelandën e Re…!”

KM i Zelandës së Re, J. Ardern, tregoi naltësinë e saj shpirtënore kur deklaroi:

“Ata (myslimanët) kanë zgjedhë Zelandën e Re si shtëpi të tyne dhe kjo tokë ashtë shtëpia e tyne. Ata janë né!… Terroristët vranë njuzelandezët!”

Në nji shkrim të botuem në The New York Times (16.III.2019), shkrimtari Steve Braunias, nga qyteti Te Atatu (Z. e R.) përshkruen:

“…vrasjet në dy xhamitë janë diçka e re për ne, diçka që nuk përputhet me ne. Ky akt ka qenë i organizuem, i planifikuem, masakër në shkallë të gjanë kundër të pafajshmëve, masakër e kryeme nga nji vrasës o ma shumë se nji, me nji kokë të mbushun me material militantësh, zakonisht nji logjikë e supremacistëve të bardhë, me frikën dhe përbuzjen e emigrantëve…”

Kjo urrejtje për myslimanët u theksue sidomos mbas masakrës së 9 shtatorit 2011, me shkatërrimin e dy kullave të nalta në New York City, me afër 3.000 viktima. Unë ruej përjetë kujtimin e pamjeve televizive të viktimave që preferuen me vdekë tue kërcye nga dritaret e kateve të nalta në pamundësi largimi e me evitue djegien për së gjalli nga zjarri që dogji gjithçka dhe të gjithë nëpunësit e ndërtesave madhështore. E ndjeva veten të turpnuem nga akti i nji grupi 19 terroristësh që përdorën fenë time me djegë për së gjalli afër tre mijë persona…! Mbrenda zemrës sime, fillova të ndiej nji dallim nga “të tjerët”, dhe nji nxitje me u përmirësue edhe ma shumë që të ishe i denjë për nji qenie njerëzore me dinjitet dhe pjesëtar i nji shoqënie pa kompleksin e fajit… Me përdorë nji shprehje te shkrimtarit Omer Aziz “… e gjithë kjo gjendje nuk ishte me ruejtë nji lloj politike të respektit publik, por nii akt i vetëmohimit…”.

Masakra në Zelandën e Re fillon me ide, e përfundon me dhunë të randë, ashtë opinioni i përgjithshëm i shprehun në shtyp. Aty lexohet se krimineli që hyni ne xhami u përshëndet me fjalët: “Mirë se vjen, vëlla!” Por myslimanët janë shpeshherë të paraqitun si popull luftarak, i paqytetnuem; megjithëse, e kundërta ashtë e vertetë! Nji fe që na ka dhanë qytet nimin arab për shumë shekuj nuk mund të jetë faktor antiqytetnues! Myslimanët kërkojnë të pranohen në vende të qeta dhe të mira, me quejtë “të bardhët” që hyjnë në xhami “vëllau im” …dhe nuk meritojnë nji përgjigje me automatik.

Viktimët e dy xhamive në Christchurch u likuiduen jo vetëm nga nji person plot me urrejtje, por edhe nga idetë e superioritetit racial që ekzistojnë në vend. Kështu ngjau në Quebec, Canada, në vitin 2017, ku myslimanët u vranë me duzina gjatë lutjeve fetare. Kështu, në 2018- n u vranë hebrejtë në sinagogen e Pittsburgut sepse “kishin strehue ‘emigrantët’ e Amerikës Latine”. Kështu ishte në Norvegji disa vjet ma parë kur nji supremacist i bardhë vrau 77 djelm e vajza të reja në kampin veror (nji vajzë ishte shqiptare). Kështu ishte në Charleston, S.C. tre vjet ma parë kur nji supremacist i bardhë vrau 9 persona gjatë lutjes dhe priftin e tyne. Njeriu ka përshtypjen që nji patologji e urrejtjes ashtë përhapë në të gjithë botën dhe rrezikon jetët tona çdo ditë.

Me dhimbje duhet të pranojmë se “Islamofobia” (urrejtja për çdo gja myslimane) nuk ashtë ma nji fenomen i rastësishëm, por nji problem i ngulun thellë në shoqëninë perëndimore. Për disa dekada të gjata, bashkësia myslimane “umma” ka qenë e detyrueme me pranue fajin kolektiv dhe dënimin nga të tjerët për aktet e nji grupi fanatikësh të aftë për terror e dhunë. “Ne e dimë pse e kreu këte akt. Ai e bani për hakmarrje për vrasjet me kamione që myslimanët kanë ba (në Europë)” deklaroi nji racist njuzelandez….

Definicioni i “racizmit” nuk mund të kuptohet si duhet nëse jemi të paaftë me dallue se krimi ashte krim, qoftë i kryem nga ai që lutet në xhami ose në tempullin e tij. Sot, miliona qytetarë mendojnë se problemi ashtë “Islami” si fe dhe si kulturë. Kjo ka sjellë në përfundimin: nëse “Islami” ashtë problemi, atëherë duhet të kemi kujdes e të ruhemi nga 1.4 miliard myslimanë. Ndiqni ata, mos i lejoni me ardhë në vendin tuej, ashtu si këshillon Presidenti Trump… Idetë krijojnë situata të damshme, sepse merren seriozisht nga shumë qytetarë. Edhe në qoftë se vetëm nji kriminel aplikon këto ide, përfundimi ashtë nji masakër.

Ky ashte mësimi që marrim sot nga Zelanda e Re…!

“Nëse dikush sulmon nji hebre, shkruente Hannah Arendt, çdonjeni nga ne duhet të mbrohet si hebre”. Kur ju sulmoheni si mysliman, ju duhet të mbroheni si mysliman. Dhe sot të gjithë jemi myslimanë – të gjithë ne që jemi të dedikuem me mbajtë të gjallë dritën e qytetnimit tonë, tolerancën e paqën tonë, shpëtimin e shoqënisë sonë nga barbarizmi primitiv i këtyne mendjeve gjysmake dhe të helmueme”, përfundon Omar Aziz në komentin e tij. Ndërkaq, popullsia e qytetit Christchurch mbetet e tronditun për jetë. Kërkesë-falje, ndigjohet kudo. Familja e kriminelit shpreh keqardhjen e saj për këte sulm banditesk dhe shprehen se janë “të tronditun thellë”. Kryeministri Ardern u zotue se “do të bahen ndryshime në ligjët për blemjen e armëve”. Familjarët e kriminelit u drejtuen familjarëve të viktimave: “Jemi shumë të prekun për të gjithë të vdekunit dhe të plagosunit”, tha xhaxhai i kriminelit. “Nuk jemi në gjendje të mendojmë ndryshe e për çdo gja tjetër. Na duem vetëm me shkue në shtëpi e me u mshehë”. Gjyshja e kriminelit, 81-vjeçare, tha: “Na e kemi humbë fare. Na nuk dimë as çka të mendojmë…” Popullsia e krishtenë e qytetit hapi fondin e ndihmës dhe grumulloi mbrenda nji dite shumën prej 638.000 dollarësh për familjet e viktimave.

Para nji tragjedie të këtillë asnjeni nga ne gjen sot forcën e duhun me mendue qartë.

Mbeten vetëm forca e lutjes dhe ndjenja e faljes së fajit…, dy qendrime që na naltësojnë!

*Veprimtar për të drejtat e njeriut

ZHVATJE E NXENËSVE APO ÇKA…! – Nga Reshat Nurboja – Anëtar i Kuvendit të Komunës së Pejës

 

Me dhjetra prind këto dy tre ditët e fundit, me telefon, mesengjer apo në rrugë drejtëpërsedrejti më janë drejtuar me kerkesë që në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Pejës ta ngriti një shqetësim të tyre lidhur me kërkesen e drejtorisë së shkollës, “Lidhja e Prizrenit” në Pejë (dhe jo vetëm kjo shkollë) për të mbledhur nga nxenësit e kësaj shkolle:

 

  • Nga 5 euro për sigurim fizik

–       Nga 10 euro për nxemje të shkollës

(po duket për nxemje të shkollës gjatë pranverës e veres, se dimri kaloj) dhe

–       Nga 20 euro për rregullimin e klasave…

Kjo mënyrë e zhvatjes së parave nga nxënësit është në kundërshtim me të gjitha ligjet e jo vetëm ligjit të arsimit parauniversitar…! Andaj, kuptohet pasi është kerkesë e qytetarëve, (pothuaj të gjithë, pa perjashtim votues të këtij pushteti) si çështje do ta parashtroj për shqyrtim që në mbledhjen e neserme të Komitetit për Politikë e Financa e kuptohet edhe në mbledhjen e parë të Kuvendit të Komunës së Pejës…

Dua të shpresoj dhe të besoj se lidhur me këtë çështje do të mirret edhe inspektorati i arsimit, ministria e arsimit, se komuna sigurisht është e involvuar në këtë zhvatje të nxenësve dhe prindërve ngase nuk mund të besoj se drejtoria dhe stafi i shkollës Lidhja e Prizrenit e ka marrë një vendim të tillë kundërligjor “në krye të vetin…”

 

DON ZOTI E VJEN KOHA TË SHKRUAJ EDHE DIÇKA AFIRMATIVE E JO GJITHMON SHKRIME NGA “KRONIKA E ZEZË” I KËTIJ PUSHTETI…!

LOBBY RUMUN NË BE QË FRENON LAURA KOVESI-n NË PROKURORINË EVROPIANE – Nga PAOLO VALENTINO – E përktheu Eugjen Merlika

E adhuruar nga opinioni publik, në Vendin e saj ka fituar urrejtjen e një pjese të mirë të klasës politike, sepse ka përndjekur korrupsionin publik, pa pyetur për asnjë, përfshirë edhe një ish kryeministër.

Bashkimi evropian është në prag të një revolucioni të vogël. Në javët e ardhëshme Këshilli dhe Europarlamenti do të emërojnë së bashku drejtuesin e Prokurorisë së re evropiane, që duke u nisur nga 2020 do të drejtojë hulumtimet mbi mashtrimet në dëm të fondeve të Be dhe në zbatimin e TVSH-së. Pë herë të parë një autoritet i përbashkët do të ketë pushtet për të hetuar në të 22 Vendet që bëjnë pjesë në këtë nismë. Por revolucioni do të ishte i dyfishtë nëse ministra dhe deputetë do të bënin një gjë të drejtë, duke emëruar një grua, Laura Codruta Kovesi, ish prokurore e përgjithëshme e Rumanisë, e treguar nga një komitet ekspertësh si njeriu “më cilësor për atë detyrë”, mbas një zgjedhjeje shumë të rreptë. Në Vendin e saj Kovesi është një legjendë. E emëruar në moshën 33 vjeçe në krye të Prokurorisë rumune, ka përndjekur korrupsionin publik pa pyetur për asnjë, duke dënuar e shpënë ne burg qindra përfaqësuesish politikë të të gjithë partive, përfshirë dhe një ish kryeministër.

E adhuruar nga opinioni publik, Kovesi ka fituar urrejtjen e një pjese të mirë të klasës politike. Kështu, pengesa më e fuqishme n’emërimin e saj është pikërisht kundërshtimi i qeverisë së Bukureshtit, që mund të bëjë levë mbi pozitën e saj si kryetare e rradhës në Be. Më i papajtueshmi është ish kryeministri dhe kreu i partisë socialdemokrate, Liviu Dragnea, që vitin e shkuar i a kishte arritur të hiqte Kovesin nga prokurore e përgjithëshme. Dragnea kishte qënë i shtrënguar të jepte dorëheqjen nga kryeministër mbas dënimit për mashtrime zgjedhore dhe shpërdorim të pasurisë shtetërore, madje është ende nën hetim për përvehtësim të paligjshëm të fondeve evropiane. Lobby rumun kundër Kovesit është i tërbuar. Autoritetet janë përpjekur t’a prozhmojnë, duke e vënë madje nën hetim për shpërdorim detyre. Lajmi i mirë është që dy komisione të Parlamentit evropian kanë shprehur miratimin e tyre për emrimin e saj. Ai i keqi është se, në një votim të fshehtë, 28 përfaqësuesit e përhershëm çuditërisht e kanë vënë Kovesin në vendin e dytë të pëlqimeve të tyre, mbas kandidatit francez Jean Francois Bohnert, shënjë se trysnitë rumune e bëjnë punën e tyre. Jo se ky i fundit nuk ka tagër për t’u emëruar. Por, në prani të një kundërshtimi të hapur e t’ashpër të qeverisë rumune, të mos emërohet Laura Kovesi, kandidatja më e mirë simbas ekspertëve, do t’ishte e barabartë me një dorëzim.

“Corriere della Sera”, 3 Mars 2019 E përktheu Eugjen Merlika

MOS E KEQKUPTO DEMOKRACIONË, Z. MILLOSHEVIQ – Nga Frank Shkreli

Me rastin e 20-vjetorit të sulmit të Nato-s kundër Serbisë

24 Marsi i këtij viti shënon 20-vjetorin e fillimit të sulmit ajror të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s kundër objektivave ushtarake të Serbisë. Ishte angazhimi i parë ç’prej themelimit të Aleancës më të fortë ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia, me qëllim për të ndaluar krimet e Serbisë, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta autoktone mijëra vjeçare, në Kosovë.

“Ka ardhur koha për veprim”, kishte deklaruar Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s Javier Solana, duke njoftuara fillimi e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë. Ndërkohë që disa minuta pasi kishin filluar bombardimet kundër objektivave ushtarake serbe, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton u shpreh para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se, “Ne dhe aleatët tanë në NATO ndërmorëm këtë sulm pas përpjekjeve intensive dhe të vazhdueshme për të arritur një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë.” Presidenti Bill Klinton tha me atë rast se sulmet ushtarake të cilat sa po kishin filluar, kishin për qëllim realizimin e tri objektivave: për të demonstruar vendosmërinë e NATO-s, për të ndaluar Beogradin që të ndërmerrte ofensiva të tjera ushtarake kundër Kosovë dhe për të degraduar aftësitë ushtarake të ushtrisë jugosllave për të ndërmarrë ofensiva të tjera në të ardhmen.
Përveç pozicioneve ushtarake serbe, sulmet ajrore të forcave të NATO-s kishin si objektiva bombardimin e ndërtesave qeveritare të Serbisë si dhe infrastrukturën e vendit, në përpjekje për të destabilizuar regjimin e Millosheviqit.

Në përpjekje për të siguruar mbështetjen e Kongresit dhe të popullit amerikan për sulmet kundër Serbisë, Presidenti Klinton e mpronte politikën e tij ndaj Kosovës nga pikëpamja humanitare për shpëtimin e një kombi të vuajtur po se po, por edhe nga pikëpamja gjeostrategjike e Shteteve të Bashkuara. “Ju duhet të vendosni, bashkatdhetarë të mi amerikanë, nëse jeni ose jo dakord me mua, se në shekullin 21, Amerika si superfuqia e botës duhet të jetë kundër spastrimit etnik, nëse i kemi mjetet për të bërë një gjë të tillë dhe nëse kemi aleatë që do na ndihmojmë për të bërë një gjë të tillë në rajonin e tyre. Unë u kërkoj që të bisedoni me fqinjët dhe me miqtë tuaj në lidhje me ketë çështje”.

Duke iu drejtuar atyre amerikanëve të cilët ndoshta nuk dinin as se ku gjëndej Kosova, Presienti Klinton u bënte thirrje që të shikonin hartën e Evropës dhe të dëgjonin lajmet se ç’po ndodhte në Kosovë. “Mendoni për argumentet e mia dhe merrni në konsideratë nëse jeni dakord me mua ose jo dhe njëkohësisht thoni një uratë për të rinjtë dhe të rejat tona në uniformë, të cilët do të shkojnë atje për të bërë atë unë që unë i urdhëroj ata të bëjnë si Krye- komandanti i tyre”.

Presidenti Klinton dhe administrata e tij ishin të vendosur për të ndaluar makinerinë e luftës së Milloseviqit. Klintoni ishte shprehur se, “Nëqoftse Presdienti Millosheviq nuk është i gatëshëm të bëjë paqe, atëherë ne do ia kufizojmë mundësitë që të bëjë luftë.” Ndërsa zëdhënsi i Pentagonit në atë kohë, Keneth Bacon kishte deklaruar se, “Ne kemi një objektiv ushtarak dhe i cili është që të bëjmë më të mirën që mundemi për të ndaluar sulmet e Serbisë kundër Shqiptarëve të Kosovës, duke shkatërruar infrastrukturën ushtrake serbe. “Planet tona”, shtoi ai, “janë për një fushatë sulmesh ajrore të shpejta dhe të shkatërruese”.

Presidenti Klinton kishte ndërmarrë një fushatë pothuaj demokratike për të bindur popullin dhe Kongresin amerikan se sulmet kundër Serbisë ishin mënyra e vetme për të shpëtuar një popull, e vetmja rrugë për të sjellë paqë në Ballkan dhe në Evropë. Megjithse kishte edhe kundërshtime ndaj një mase të tillë në qarqe të ndryshme edhe vetë Partia Republikane që ishte në opozitë kishte paralajmëruar Millosheviqin që të mos inkurajohej nga debatet demokratike në Amerikë — në Kongres dhe në media — pro dhe kundër sulmeve amerikane ndaj Serbisë, se debatet nuk ishin shenjë e ligështisë së politikës amerikane, por e arritjes së një vendimi me consensus.

Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve në atë kohë, republikani Dick Armey nga shteti Texas pat deklaruar, pas një takimi mbi gjendjen në Kosovë me Presidentin Klinton në Shtëpinë e Bardhë, se, “Një prej çështjeve për të cilat të gjithë, pa dallim, jemi dakord, është se ne mund të debatojmë me njëri tjetrin se cila është politika më e mirë dhe rruga që duhet ndjekur në interesin kombëtar, por u pajtuam se do të mbështesim vendosmërisht forcat tona ushtarake që do të marrin pjesë në fushë-betejën e atjeshme”, duke paralajmëruar udhëheqsin serb: “Mos e keqkupto demokracinë, Z. Millosheviq!” dhe vendosmërinë amerikane për të vepruar kundër së keqës, pa marrë parasyshë dallimet ose interesat politike të palëve, sidomos për çështjet madhore, përfshirë ato morale, në fushën e politikës së jashtme dhe atë ushtarake.

Sulmet e NATO-s kundër Serbisë vazhduan për 79 ditë rresht. Me 10 qershor, 1999, operacionet ushtarake ajrore të NATO-s morën fund, kur Serbia nënshkroi një marrëveshje paqeje, në bazë të cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe u zevendësuan nga forcat paqëruajtëse të NATO-s.

Me marrjen fund të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë dhe kapitullimit të saj, Preasidenti Bill Klinton mbajti një fjalim drejtuar Kombit Amerikan: Sonte mund të njotoj popullin Amerikan se, “Kemi realizuar fitoren për një botë më të sigurt, një fitore për vlerat demokratike dhe një fitore për një Amerikë më të fortë… agresioni kundër një populli të pafajshëm është ndaluar.” Duke iu drejtuar drejt për drejt popullit serb, Z. Klinton, u shpreh se, “Ju kini pësuar 79 ditë bombardime, jo për të mbajtur Kosovën si pjesë të Serbisë, por thjesht sepse Z. Millosheviq kishte vendosur që të zhdukte nga faqja e dheut shqiptarët e Kosovës — të vdekur a po të gjallë.”
“Kjo fitore”, vazhdoi Presidenti Klinton, “sjellë një shpresë të re se kur një popull veçohet për shkatërrim, për arsye të trashëgimisë së tij kombëtare, ose besimit fetar dhe kur ne kemi mundësi të bëjmë diçka për të ndaluar një gjë të tillë, bota nuk do të lejojë një gjë të tillë.” Pasi falënderoi popullin amerikan dhe forcat e armatosura amerikane për mbështetjen për këtë ndërmarrje ushtarake, Presidenti Klinton 20-vjet më parë u shpreh se pas fitores ushtarake në Kosovë kundër Serbisë, na pret beteja për fitoren e paqës për shqiptarët dhe për popujt e tjerë të Ballkanit, për të ndërtuar një të ardhme në liri, përparim dhe harmoni për të gjithë.
Presidenti Klinton përfundoi fjalimin e tij drejtuar popullit amerikan duke thënë se, “Amerika përballet me sfida të mëdha të kësaj bote, por njëkohsisht jemi të gatëshëm të përballemi me to. Kështuqë sonte u kërkoj të jeni krenarë për vendin tuaj dhe shumë krenarë për forcat tona të armatosura, sepse në Kosovë ne bëmë atë që duhej të bënim dhe ne e bëmë këtë ashtu siç duhej.”
Në luftën kundër Serbisë, për çlirimin e Kosovës, Shtetet e Bashkuara, pas debateve të shumta demokratike së bashku me Aleancën e NATO-s, kishin përcaktuar qartë qëllimet dhe objektivat që duhej të realizoheshin me sulmet ajrore kundër Beogradit, me qëllim çlirimin e një populli nga zgjedha e një shteti kriminal. Por në këtë 20-vjetor të fillimit të sulmeve të NATO-s, lind pyetja nëse klasa aktuale politike shqiptare — si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri — ka vendosur ende se si të veprojë në paqe dhe në demokraci, për realizimin e objektivave dhe interesave kombëtare afatgjata dhe afatshkurtëra të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Le të shërbejë 20-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë si një rast për një reflektim serioz nga mbarë Kombi Shqiptar dhe sidomos nga klasa aktuale politike: nëse 20-vjet më vonë shqiptarët në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, janë gati të përballen me sfidat e mëdha, anë e mbanë trojeve të veta, në rrugën historike drejtë një shoqërie me të vërtetë të liri, në paqë e demokraci në vendin e vet. Sot, pas aq shumë vuajtjesh, gjatë shekullit të kaluar, shqiptarët nuk presin asgjë më shumë as më pak se kaq, nga udhëheqsit e tyre. Fati i shqiptarëve sot është në duar të vet shqiptarëve! Nëse shqiptarët janë të aftë të menaxhojnë fatin e vet, kjo është një pyetje tjetër.

Nisma e gabuar për të çuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit – Nga SHABAN MURATI

Përfaqësuesja e lartë e BE për çeshtjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Federica Mogherini, më 12 mars në Këshillin e Sigurimit të OKB-së parashtroi një raport të politikës së ndjekur nga KomisioniEuropian në rajone të ndryshme të botës dhe në pjesën, kur foli për Kosovën, paraqiti nismën e saj që çështja e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë për miratim në Këshillin e Sigurimit të OKB.

“Një marrëveshje finale, tha Mogherini, do të ketë nevojë të jetë në linjë me ligjin ndërkombëtar dhe do të duhet të mbështetet nga KS i OKB. Roli juaj është dhe do të jetë kyç dhe ne jemi gati, unë personalisht jam gati, të intensifikoj shkëmbimet tona me të gjithë anëtarët e KS të OKB për këtë”.

Sikundër shihet, znj.Mogherini bën të ditur edhe për lëvizje e veprimtari diplomatike të saj në funksion të realizimit të kësaj nisme diplomatike.

Është hera e parë që Komisioni Europian e shtron zyrtarisht në forumin më të lartë të OKB një nismë të tillë, çka tregon se diplomacia e BE po sforcohet të zyrtarizojë shtrimin e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës në KS të OKB. Në fakt kjo tezë e Mogherinit, sipas burimeve diplomatike, u është sugjeruar prej saj Beogradit dhe Prishtinës në bisedimet e mbyllura në Bruksel.

Për ta bërë bindëse nismën e saj, përfaqësueses së BE për çeshtjet e jashtme i duhet ta paraqesë se ka mbështetje nga vetë dy shtetet bashkëbiseduese. Serbia natyrisht e ka pranuar me entusiazëm, sepse kjo nismë është në thelb një qendrim i vjetër serb, që tani merr etiketën e BE. Nisma materializon një kërkesë të vjetër të diplomacisë serbe që prej 20 vitesh për ta kthyer “çështjen e Kosovës” si çështje statusi prapë në KS të OKB, dhe i krijon diplomacisë serbe një pozitë avantazhi në strategjinë e refuzimit të pavarësisë së Kosovës.

Ndaj zv.kryeministri dhe ministër i jashtëm serb, Ivica Daçiç, e përshëndeti menjëherë në 14 mars nismën e Mogherinit, duke e quajtur rrjedhim logjik i ngjarjeve dhe një “momentum”, që duhet të shfrytëzohet. Serbia mezi po pret që nisma e çuarjes në KS të OKB të bëhet sa më parë.

Mirëpo konstatojmë se tezën e Mogherinit e ka pranuar zyrtarisht edhe Prishtina, megjithëse siç shprehen burime autoritative nga Prishtina, pas debateve të gjata. Kjo sanksionohet në Platformën zyrtare të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 7 mars 2019. Në pikën 17 të Platformës, me titullin: “Kosova sipjesë e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet:

“Në praktikë, ka të ngjarë që gjerësisht të pranohet se marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në çfarëdo rasti. Kjo do të ishte e nevojshme ose të paktën shumë e dëshirueshme nga këndvështrimi i të dyja palëve për të siguruar që marrëveshja të arrijë shkallën e nevojshme të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar”.

Mënyra evazive e përkufizimit shpreh vështirësinë për të bindur publikun, dhe përmban një detaj të habitshëm se flet se “do të ishte shumë e dëshirueshme nga këndvështrimi i të dyja palëve”. Nuk i takon një Platforme shtetërore të bisedimeve diplomatike me një shtet rival të flasë për qëndrime të përbashkëta të dy palëve për tezën e KS të OKB, çka hedh dyshimin se kjo tezë mund të ketë qenë objekt i bisedimeve në prapaskenë midis dy palëve.

Gjëja e parë, që bie në sy nga paraqitja e nismës së Mogherinit, është ngutja për ta zyrtarizuar trajtimin nga Këshilli i Sigurimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ngutja e saj mund të shpjegohet me dëshirën e përfaqësueses së lartë të BE për çështjet e jashtme që të arrijë një sukses personal para largimit të saj nga posti, pas zgjedhjeve parlamentare europiane të 23-26 majit 2019. Por ka një koinçidencë ngutje me Serbinë, e cila po kërkon të kapërcejë sa më parë barrikadën që quhet Kosovë dhe që e pengon në rrugën e anëtarësimit në BE.

Gjëja tjetër, që bie në sy është se për të dërguar marrëveshjen e Serbisë me Kosovën në KS të OKB nuk janë shprehur zyrtarisht as SHBA, as Gjermania, as Britania e Madhe, as Franca, etj. Në situatën e komplikuar diplomatike, ku e kanë ngatërruar çështjen e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës, dalja e nismës së Mogherinit për ta çuar në KS të OKB meriton vëmendje të veçantë, sidomos nga Prishtina dhe Tirana. E analizuar në plan historik dhe komtemporan të së drejtës ndërkombëtare, të organizatave ndërkombëtare dhe të praktikës diplomatike, nisma mund të karakterizohet si e gabuar dhe mund të sjellë kosto të rëndë për shtetin e pavarur të Kosovës.

Së pari, duke dërguar marrëveshjen në KS të OKB, Bashkimi Europian heq përgjegjësinë nga vetja për paaftësinë, që nuk arriti dot në 8 vjet bisedime nën udhëheqjene tij në Bruksel, që të finalizonte marrëveshjen e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me njohje  reciproke. BE ka një mandat nga rezoluta e 9 shtatorit 2010 e OKB që të organizojë, ndërmjetësojë dhe të realizojë pajtimin midis dy shteteve, që aspirojnë të dyja anëtarësim në BE. Detyrën e pakryer, që i takon asaj, pra që të sanksionojë marrëveshjen dypalëshe Serbi-Kosovë për njohje reciproke, Brukseli ia atashon tani KS të OKB.

Kjo përmban edhe një rrezik tjetër. Duke ia kaluar KS të OKB, Brukseli praktikisht heq nga mesi dhe shpëton Serbinë nga kushti i njohur i deritanishëm se pa njohur Kosovën, ajo nuk mund të hyjë në BE.

Së dyti, propozimi i Mogherinit për ta dërguar në KS të OKB është në kundërvënie të hapur me qendrimin e SHBA dhe të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me rrugën e përfundimit të marrëveshjes Serbi-Kosovë. Në letrën e tij të 14 dhjetorit 2018 dërguar njëkohësisht edhe presidentit Hashim Thaçi, edhe presidentit Aleksandër Vuçiç, presidenti amerikan u jep alternativën që dy presidentët ballkanikë të vijnë dhe ta nënshkruajnë në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen përfundimtare midis tyre. Në këtë mënyrë presidenti Trump doli me rol të ri drejtues në procesin e marrëveshjes dhe me garancinë e SHBA për funksionimin.

Tani Mogherini e anashkalon alternativën ameriane dhe del me nismën për ta çuar në KS të OKB, duke hapur rrugën për një rol të ri në Ballkan të Rusisë dhe Kinës.

Ka edhe një element tjetër të rëndësishëm. Në telegramin e urimit, që presidenti amerikan Trump dërgoi me rastin përvjetorit të 11 të pavarësisë së shtetit të Kosovës, theksoi me forcë se thelbi i marrëveshjes duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Në fjalën e saj në KS të OKB, përfaqësuesja e lartë e BE për çështjet e jashtme dhe politikat e sigurisë, nuk e përmendi fare fjalën “njohje reciproke” si themel i marrëveshjes, çka don të thotë se ajo e mënjanon ose nuk e konsideron shtrimin e kësaj çështje në KS të OKB.

Së treti, ka një gjykim të gabuar edhe në qarqe politike e diplomatike në Prishtinë dhe në Tiranë se duke e dërguar në KS të OKB zgjidhet problemi i rezolutës 1244 të KS të OKB të 10 qershorit 1999. Nga pikëpamja juridike rezoluta 1244 nuk i takon Serbisë. Rezoluta vërtet flet për një lloj sovraniteti të RFJ, por RFJ ishte shtet tjetër. Rezoluta nuk e përmend në asnjë rresht emrin “Serbi” dhe çdo jurist i thjeshtë e kupton se një dokument nuk mund t’i japë pronësinë atij, që nuk e ka emrin.

Një element i rëndësishëm, që nuk e di pse harrohet nga Prishtina dhe Tirana është fakti historik se Serbia nuk ka qenë shtet anëtar i OKB në vitin 1999, kur u miratua rezoluta 1244 dhe asaj nuk i takon ndonjë e drejtë apo pretendim nga OKB. Këtë e ka vendosur me një vendim të saj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tribunali më i lartë juridik i OKB, në 15 dhjetor 2004, kur hodhi poshtë padinë e Serbisë kundër SHBA, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe vendeve të tjera të NATO-s për inkursionet ajrore të marsit 1999, dhe argumentoi se Serbia nuk ka qënë shtet anëtar i OKB në atë kohë dhe s’mund të pretendojë të drejta, që u takojnë vendeve anëtare.

Së katërti, çdo logjikë e kupton se KS i OKB nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht një noter i një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës. KS i OKB do ta vendosë në rendin e ditës dhe do të hapë debat të ripër këtë marrëveshje dhe është e natyrshme se këtu fillon nga e para përplasja e qendrimeve dhe interesave të kundërta midis anëtarëve të përhershëm të KS të OKB. Sepse në pesëshen e anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoja janë dy shtetet, që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës: Rusia dhe Kina. Kjo don të thotë se Rusia përmes shtrimit në KS të OKB hyn në lojën ballkanike dhe mund ta zgjasë në pambarim debatin dhe të sabotojë pavarësinë e Kosovës.

Nuk e di nga vjen ai optimizëm foshnjor në Prishtinë se presidenti Vladimir Putin do të pranojë symbyllur çfarë do të vendosin Beogradi dhe Prishtina. Bllofi, që luajti presidenti Putin, duke takuar dhe biseduar me presidentin e Kosovës në 11 nëntor 2018 në Paris, është një ushtrim mëngjesor për carin e rafinuar të Rusisë, që ka luajtur dhe po luan bllofe të shumta diplomatike me krerët e shteteve të fuqishme të  botës. As Prishtina, dhe madje as Beogradi, nuk kanë siguri se Moska do të pranonte marrëveshjen, që mund të arrijnë të dy palët, pa kërkuar gjë dhe pa e hedhur si kartë në bixhozin makrodiplomatik ndërkombëtar.

Gazeta e mirëinformuar ruse “Komersant” duke shkruar për një takim kokë më kokë të Putinit me Vuçiçin në Moskë në fund të vitit të kaluar, thekson se: “Vuçiç nuk e gjeti Putinin shumë dakord kur është fjala për arsyet përse Rusia duhet të mos verë veton në KS të OKB për marrëveshjen, nëse Kina realisht ve në pikëpyetje anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Interesi strategjik i Mokës nuk është zgjidhja e konfliktit të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës, sepse ai konflikt është e vetmja mënyrë për të qenë e përzier në punët e Ballkanit. Nga ana tjetër, Prishtina duhet të ketë parasysh mesazhin zyrtar, që dha në datën 4 mars 2019 zëvëndësministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko. Në një deklaratë për mediat e Shqipërisë zyrtari i lartë rus dha nga Tirana mesazhin e qartë se “Për Rusinë marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën janë çeshtje krejtësisht e brendshme e Serbisë” dhe kërkoi që marrëveshja midis tyre të dërgohet për miratim në KS të OKB.

Uroj ta kenë lexuar në Prishtinë për t’u qartësuar sesi do ta trajtojë Rusia në KS të OKB çështjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, pra si një konflikt i brendshëm brenda një shteti, njësoj si Transnistria e Moldavisë, që ka shpallur pavarësinë, por nuk e njeh kurrkush. Nuk duket se rastësisht diplomacia ruse ka rihedhur në qarkullim diplomatik tani formulën e “dy gjermanive”, të cilat u pranuan në OKB si dy shtete anëtare, por pa e njohur njera-tjetrën.

Së pesti, KS i OKB  për shkak të Rusisë ka një rekord katastrofik negativ për interesat dhe çeshtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. KS i OKB për shkak të Rusisë ka kundërshtuar të miratojë rezolutën për ndërhyrjen humanitare në Kosovë në vitin 1999 dhe po të ishte për KS të OKB, sot e kësaj ditë Kosova do të ndodhej akoma nën pushtimin serb. KS i OKB për shkak të Rusisë dështoi në vitin 2007 të miratonte planin Ahtisaari, i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB, për pavarësinë e kushtëzuar. Asnjë rekord dhe asnjë shenjë nuk të nxit për optimizëm se tani KS i OKB me Rusinë brenda do të tregohet gjeneroz dhe do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është marrëveshje dypalëshe e dy shteteve për njohjen reciproke dhe nuk ka nevojë të dërgohet në KS të OKB. Nuk është Traktat paqeje i dy shteteve, që kanë luftuar me njeri-tjetrin. Ështe naive të kërkosh nga diplomacia ndërkombëtare të bëjë tani, atë që duhej ta kishte bërë para 20 vitesh, kur duhej të organizonte një Nuremberg dhe një Potsdam për shtetin agresor, Serbinë.

Alternativat ndërkombëtare të legalizimit dhe të garantimit të një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës janë dy. Njëra është që BE ta legalizojë dhe ta garantoje marrëveshjen nëpërmjet kushtit të anëtarësimit të Serbisë në BE pasi të njohë Kosovën. Dhe e dyta, që marrëveshja përfundimtare të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë nën garancinë e presidentit amerikan dhe të SHBA.

Dhe meqë Mogherini i BE po kërkon hulli të gabuara, mbetet alternativa amerikane.

LIBERALIZMI SI DOMOSDOSHMËRI E SHOQËRISË SHQIPTARE – Nga EUGJEN MERLIKA

“Problemi për liberalizmin përvijohet në të përcaktuarit simbas vëndit, kohës dhe rastit të dhënë, jo se një masë thjesht apo teorikisht ekonomike është “liberiste”, por nëse është “liberale”; jo nëse është pjellore nga ana sasiore, por nëse është cilësisht e lëvdueshme; jo nëse cilësia e saj është e pëlqyeshme për një apo më shumë, por nëse është e shëndetëshme për një, për shumë, për të gjithë, për njeriun në shpirtin e dinjitetin e tij si njeri.”
BENEDETTO CROCE (1866 – 1952) filozof, historian, kritik letrar e shtetist italian, ish kryetar i partisë Liberale italiane.

Solla këtë fragment nga shkrimi “Liberizmi dhe liberalizmi” i pothuaj tre çerek shekulli më parë të njërit nga etërit e liberalizmit italian dhe evropian të shekullit të shkuar, kur mora vesh se do të dilte numuri i parë i së përditëshmes “Liberale”. Ajo gazetë, si më e reja e gjithësisë së vogël të shtypit shqiptar të “demokraturës” së këtyre viteve, ndoshta do të plotësojë një zbrazësirë të periudhës së kalesës, një organ të kulturës liberale, aq përcaktuese në dy shekujt e shkuar të historisë së botës perëndimore e të qytetërimit të saj.
Shumësia politike dhe e mendimit, e fituar në sajë të erërave të lirisë që frynin të fuqishme nga Evropa e Lindjes, e vendosur t’a quante të mbyllur përkatësinë e saj në sistemin komunist, të arritur në stacionin e fundit të udhëtimit të tij 70-vjeçar, në një dështim të plotë në garën e tij me rivalen e përtej “perdes së hekurt”, dhe vrulli rinor e vendosmëria për ndryshim e brezit të studentëve universitarë të fundit të viteve 80, kishte nevojë që në fillimet e tij të kishte dhe një gazetë me frymëzim liberal të mirëfilltë.
Si kusht i parë i domosdoshëm për mbarëvajtjen e gazetës së re mendoj se është pavarësia nga pushteti politik dhe ekonomik që zotëron jetën e Vendit. Duke mbajtur parasysh vështirësitë që paraqet kjo sipërmarrje e madhe në Shqipërinë e sotme, në të cilën mendimi i lirë, i shkëputur nga lufta për pushtet që gjallëron me të tepërt botën shqiptare, ndihet i kërcënuar dhe i pambrojtur, i takon drejtimit të organit që, nga pozita të fuqisë argumentuese të koncepteve liberale, të hapë një brazdë të re në ugarin e lëruar të publiçistikës, me synimin që atë t’a thellojë gjithënjë e më tepër, duke e kthyer në një hulli të vërtetë të mendimit liberal shqiptar.
Ai mendim duhet të marrë jetë nga historia e liberalizmit në plan botëror, nga etapat e ndryshme nëpër të cilat është përshkuar, nga sukseset dhe dështimet e tij në përvojën e gjatë evropiane të betejave të tij, jo vetëm në vështrimin e hartimit dhe mbrojtjes së parimeve, por edhe të vënies në jetë të tyre në realitetet e ndryshme historike. Zanafillat e tij na çojnë në Anglinë e shekullit të 17, në luftën civile të saj, ku zhvillimi i i natyrshëm i autonomive vendore e kushtetuese çoi në luftën për të kufizuar pushtetin e Kurorës mbretërore (Petition of rights, 1628, Bill of rights, 1689) dhe në pohimin e të drejtave vetiake në fushën juridike (”Habeas corpus, 1679).
I pari teoricien i madh qe John Locke që, në “Traktatin e dytë të shoqërisë civile”, 1689, kërkonte lirinë fetare. Kërkesa për lirinë ekonomike erdhi nga Adam Smith, themelues i liberizmit, doktrinës ekonomike të liberalizmit, ndërsa përbërësja shoqërore nga J. Stuart Mill që thonte se ligjet ekonomike janë të hekurta dhe të padhunueshme, por ekonomia duhet të zhvillohet në dobi të qëllimeve shoqërore. Në Gjermani liberalizmi lindi nga teoria kantiane e Shtetit të së Drejtës, simbas së cilës ligji është përmbi ata që e qeverisin shtetin. Në Francë liberalizmi qe rrjedhojë e iluminizmit mbas Montesquieu-t, i cili qe i pari që hartoi doktrinën e ndarjes së pushteteve, Rousseau-it që kritikoi traditën absolutiste në edukimin e në moralin shoqëror e mbas Condorcet-it që u mundua t’i jepte Revolucionit një përmbajtje demokratike liberale, por i pari që dha një përfytyrim sistematik të shtetit liberal qe B. Constant. N’Itali teoriku dhe sendërtuesi i shtetit liberal qe Cavour-i, teoricieni i fundit i madh qe Benedetto Croce, që gjatë diktaturës fashiste e quante idealin liberal “besim të lirisë”. Gjatë shekullit të njëzetë përfaqësues të shquar të liberalizmit ekonomik, shoqëror e kuturor kanë qenë anglezët Beveridge e Keynes, amerikani Dewey, austriaku me origjinë çeke Schumpeter etj.
Më shumë se një sistem mendimi i përcaktuar mirë, liberalizmi është një qëndrim intelektual e moral që thekson fuqishëm vlerën pozitive të lirisë vetiake, të kuptuar jo si mohim të thjeshtë të çdo autoriteti (liria negative), por si një autonomi ose aftësi për t’i u bindur disa normave t’arsyeshme që burojnë nga vetë njeriu. Duke gjetur burimin e autoritetit dhe të ligjit tek individi, liberalizmi i kundërvihet formave tëë konservatorizmit shoqëror të bazuar mbi arbitraritetin dhe traditën zakonore. Jeta njerëzore ka nevojë për rregulla që të bëjnë të mundur bashkëpunimin shoqëror që do të siguronte një nivel të përshtatëshëm jetese. Liberalizmi është metoda e hulumtimit e të vënies në jetë të këtyre rregullave. Jeta shoqërore, simbas J. Locke-t është rrjedhojë e një “kontrate shoqërore”, ose e marrëveshjeve, në forma të ndryshme, ndërmjet përbërësve të bashkësisë. Në këtë drejtim liberalizmi është më shumë prodhim i shoqërisë bashkëkohore dhe një fitore e qëndrueshme e qytetërimit perëndimor.
Në vështrimin politik, liberalizmi në shekullin e shkuar i është kundërvënë energjikisht diktaturave zotëruese të Evropës, atyre nazi-fashiste dhe komuniste. Ai ka patur si flamur të tij demokracinë përfaqësuese parlamentare, me sovranitetin popullor dhe ndarjen e pushteteve. Ndërsa në drejtimin ekonomik liberalizmi, në shumicën dërmuese, ka qënë kundër statalizmit, drejtimit të qëndralizuar të ekonomisë, ndërhyrjes së shtetit në dëm të nismës vetiake të individëve. Shteti duhet të kryejë ata funksione të cilët individi nuk është në gjëndje t’i përballojë për vetë natyrën e tyre bashkësore. Në “kontratën shoqërore” ndërmjet bashkësisë dhe institucioneve, detyrë e shtetit është mbarështimi i fushave të marrëdhënieve ndërkombëtare, të mbrojtjes kombëtare, të sigurisë e të rendit, të drejtësisë, pjesërisht të shëndetësisë publike, të sistemit arsimor e të punëve botore. I kundërti i këtij botkuptimi është ai shtetëror, në të cilin shteti është zot i të gjithë jetës së qytetarëve, që ka në dorë fatet e tyre në të gjithë drejtimet, që i kthen ata në vartës të verbër me të drejta shumë të pakta të atyre që qeverisin. Qe ai sistem që lamë pas tridhjetë vite të shkuara e të cilit vazhdojmë ende t’i paguajmë tagrin e pasojave.
Një nga dokumentat më me jehonë në historinë politike të Evropës, krahas Deklaratës së të Drejtave në Angli më 1689, asaj të SHBA më 1776, qe edhe Deklarata e të drejtave të njeriut e qytetarit, e miratuar nga Asambleja Kombëtare Kushtetuese e Francës më 29 gusht 1789. Ajo Deklaratë vinte theksin mbi një sërë të drejtash, “natyrore dhe të pashqyrtueshme”, të njehsuara në lirinë vetiake, në pronën vetiake, në lirinë e besimit, në barazinë para ligjit. Ideja e lirisë, që përcaktoi të gjithë zhvillimin e mëtejshëm të ideologjisë liberale, ishte shprehur në pikën 4 të Deklaratës franceze, në të cilën thuhej se “liria qëndronte qenësisht n’atë që mund të bëjë secili atë që dëshiron pa dëmtuar të tjerët; kështu ushtrimi i të drejtave natyrore të secilit individ nuk ka të tjera kufizime, veçse ata që u sigurojnë të tjerë pjesëmarrësve të shoqërisë ushtrimin e të njëjtave të drejta.”
Ky vështrim i lirisë prirej të paraqitej fillimisht si një shprehje e pavarësisë së individit nga shteti, duke i dhënë këtij të fundit funksionin e rëndësishëm të siguruesit të të drejtave të secilit. Por kjo kërkesë tipike liberale do të binte ndesh shpejt me një tjetër prirje, dhe ajo në ujdinë e heshtur me dëshirat e liberalizmit kundër absolutizmit e kundër despotizmit, me atë të pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e ligjeve dhe në ushtrimin e sovranitetit, në rradhë të parë në përparimin shoqëror të bashkësisë. Kjo kërkesë, që kishte gjetur mbështetje në parimet e sovranitetit popullor e të vullnetit të përgjithshëm, të formuluara nga Rousseau-i e të pasqyruara në Deklaratën e të Drejtave, me vështirësi pajtohej me individualizmin kundërshtetist të liberalizmit klasik. Rrahja e mendimeve ndërmjet kërkesave “garantiste” e “pjesëmarrëse” ka karakterizuar zhvillimin e e doktrinave liberale bashkëkohore, ku kanë zotëruar herë format liberale klasike e herë ato të sovranitetit, të prirura për të pajtuar më të shumtën e lirive me më të shumtën e pjesëmarrjes, gjë që përfaqëson një rrugë të mesme pajtimi ndërmjet dy vijave të liberalizmit.
Sot kjo rrahje mendimesh vazhdon përsëri në nivel planetar dhe sirenat e sovranizmit në praktikën evropiane e më gjërë, po tërheqin segmente mjaft shqetësuese të masave popullore që herë herë, me votat e tyre, përcaktojnë institucione të shteteve iliberale, në kundërshtim të hapur, në shumë çështje, me vlerat e shoqërive liberale që janë të bazuara në dokumentat e sipërpërmendura mbi të drejtat natyrore të qytetarëve në shoqëritë e hapura.
Në historinë shqiptare, për arsye të ndryshme, të lidhura me zhvillimet e saj, idetë liberale nuk kanë gjetur një mbështetje të përgjithëshme e gjurmët e tyre mund të gjënden vetëm në elementë të veçantë të jetës kulturore e politike. I takon këtij shekulli të plotësojë mangësitë e sistemit Shqipëri, në drejtim të përqafimit të ideve liberale në jetën ekonomike e shoqërore. Në këtë drejtim gazeta Liberale uroj të jetë në lartësinë e detyrës, për të sjellë në opinionin publik shqiptar një erë të re në kahun e zhvillimit të tij kulturor e, kryesisht edhe në jetën politike, një frymë të re, larg prirjeve zotëruese autoritare të klasës sonë politike.
Mars 2019 Eugjen Merlika

Kërkesat e Shqypnís – Nga MUSTAFA KRUJA (Dokumente nga Konferenca e Paqes, Paris 1919)

 

Kombi shqyptar po del përpara Kongresit të Paqës duke u mbështetun mbi nj’atê fuqi ideale qi ka bâmun të pamundshme ushtrít e kombevet liridashëse e qi ka shtrënguem anmiqt e tyne të lëshojnë armët prej dore; ay po shfaqet edhe plot me besim se parimet e kombsís, falë drejtësís së njerzvet të shquem qi janë mbledhun në Kongres, do të marrin zbatimin e plotë të tyne.
Fara shqyptare, mâ e vjetra në Balkan, ka mundun t’a ruej, kombsín, shpirtin e lirís e të mëvetësís së vet, me gjithë qi Shqypnia herë pas here, nëpër kalimt e shekujvet, âsht bâmun fushë pushtimesh të hueja.
Pas mâ se katër shekujve zotnimi të huej, po sa qe thirrun me jetuem si Shtet më vete e kur po përpiqej edhe ndër të vështira qi s’i dahen përlindjes së popujvet, Shqypnia pa prit’e pa kujtuem, u gjind përpara luftës botnore. Asnjansín e saj, qi Fuqít e Mëdhaja i kishin garantisun, i a prishën ushtrít luftare e, si Belgjika, Shqypnia ka pamun gjithë tmerrimet e pushtimit.
Populli shqyptar, as duke rënkuem nên thêmbrën e pushtuesit, nuk e harroi detyrën e vet kundrejt Kuptimit, i cili po ishte duke luftuem për parimet e kombsís dhe për të drejtën e popujvet.
Shqyptarët, tue harruem shnderimet e tmerrimet të bâme motmot mâ para në Shqypní, e bânë njê detyrë për veten e tyne t’u ndihmojnë tepricave t’ushtrivet serbe qi po hiqeshin nëper Shqypní. Me të vërtetë, këto, të lodhuna e të mbarueme, pa armë e pa ushqim, kurrë nuk do të kishin arrijtun n’Adriatik po t’ishte qi shqyptarët, dyke u vûmun veshin Austriakvet, të mos ishin sjellun pas dashunís qi ndienin për Kuptimin si edhe pas gojdhânavet burrnore të tyne.
Shqypnia, e pushtueme nên zgjedhë dhe e rrenueme, i mbështette shpresat e veta përmbi ushtrít mikesha të Kuptimit qi po shkelshin në Maqedhoní e në Shqypní të Poshtme; e rrjeshtat e tyne po shpejtojshin me zânë vênd pranë ushtrivet shpëtimtare për të marrë pjesë në luftat qi po bâheshin në sinisín balkanike kundra Mbretnivet Qêndrore. Sikur t’u ishin dhânë edhe shqyptarvet gjith’ajo mbështetje e gjith’ato lehtësina si kombevet tiera, do t’ishin drejtuem të tânë së bashku, si njê trup i vetëm, për të kapun armët, të gëzuem kreit nj’ashtu si vëllaznit e tyne të mbledhun nën flamurët e Kuptimit, nga të cilët shumë kanë mbetun në fushët të nderës. Por, edhe pa pasun ato ndihma e lehtësina, bânë gjithë ç’kishin në dorë për të vështirsuem punën e anmikut, duke i sjellun ndalime n’ushqimin e tij e duke mos e lânë, për nji periudhë të gjatë të marrë e t’apë me nji Shtet balkanik qi mundohej të merrej vesht nëpër Shqypní me Komandën anmike për dâmt të Kuptimit, e kur Besararët e mblodhën me marrë turrin në Balkan, shqyptarët u çuen peshë kundra ushtrivet austriake e lehtësuen përparimin e ushtrivet të Kuptimit në Shqypní gjithmonë me kontingjentet shqyptare në ballë.
Shqyptarët, të lumë për shërbimin e vogël qi kanë mundun t’i bâjnë çâshtjes së lirís, po vjinë sod, me besim të plotë, të shtrojnë përpara botës kërkesat e drejta të tyne. Çâshtjet toksore të sinisís balkanike nuk do të jenë zgidhun me të drejtë, në qoftë se çdo Shtet nuk do të ketë përmbledhun ndër kufijt e tij ato krahina ku elementet e farës së vet formojnë shumicën e popullsís. Bash në faktin qi s’ka qênë nderuem ky parim në Shqypní, e gjêjnë shqyptarët, e me arsye, shkakun e mjerivet e të vuejtjevet të tyne. Parimet e aqpeshimit e të statu quo-it qi formojshin bazën e kongresevet në kohnat e kalueme, s’mund, t’ishin veçse nji mynxyrë për Shqypnín, si vênd pa projtje e i lakmuem prej fqîjvet të vet grek e slav të mbështetun mbi projtës të fuqishëm.
Kështu pra qe qi Kongresi i Berlinit më 1878 përpara dhe Konferenca e Londrës më 1913 mbasandej vêndosën cungllimet e tokës kombtare të Shqypnís për fitimin e Malit të Zi, Serbís e Greqís, cungllime aqë mâ tepër të padrejta kur në viset e sakrifikueme lêjshin pa farë garantie grumbuj shqyptarësh qi formojshin nji shumicë të madhe.
Le të na ipet lêjë të vêmë n’oroe, këtu duke kaluem, se syproria e qytetnimit grek dhe slav, për të cilën fort shpesh âsht bâmun fjalë, rrin keq me salvimet sistematike, me rrenimet e të djegunat e sa tjera tmerrime të shkaktueme prej Grekvet e Serbvet kundra popullsivet paqtore të Shqypnís: fakte këto të njohuna prej Fuqivet të Mëdhaja, sa nuk lânë nevojë për me u treguem këtu hollë e gjatë.
Mbas si ky Kongres s’ka mâ në shpirt formula të thata, por parime të vërteta të drejtësís qi po kërkon gjithë bota, shpresa po përtrîhet me arsye të drejtë në zêmrat e shqyptarvet.
Kërkesat qi kombi shqyptar i paraqet Kongresit, përmblidhen në trí kategorí; do me thânë t’i këthehen Shtetit Shqyptar, mëvetesía e të cilit âsht njohun e garantisun prej Konferencës së Londrës më 1913:
1°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Malit të Zi me vêndimet e Kongresit të Berlinit e me ato të Konferencës së Londrës 1913;
2°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Serbís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913;
3°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Greqís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913.
Kur Shqypnia po kërkon kështu të drejtën e bukur të saj, po vijnë për qark disa lajme, pak t’errta âsht e vërtetë, pas të cilavet disa nga këta Shtetën balkanas po nxjerrin pretesa të reja përmbi vise qi gjinden ndër kufîjt e Shtetit Shqyptar më vete, ndër nj’ata kufîj qi janë caktuem me aktet e Konferencavet të Londrës e Firencës, të cilat akte edhe kishin bâmun nji padrejtësí të sheshtë duke mos marrë para sŷsh të drejtat e ligjëshme të popullit shqyptar. Duket e tepër me dëftyem se sa të padrejta do t’ishin këto pretesa, por me gjithë këtê âsht edhe e nevojshme me shkuem për sŷsh pak argumentat, me të cilët’anmiqt t’anë kishin me dashun t’u provojnë drejtësín atyne pretesave.
Serbët kanë vûmun para, në kohnat e kalueme, nevojën për me dalun në det nëpër tokën Shqyptare. Tash kjo arsye s’âsht mâ sod, tue qênë se Serbia nuk do të jetë mâ pa limane n’Adriatik; por, si do me qênë, nji aso nevoje tregtare nuk do t’ishte e atillë natyre sa t’i epte të drejtë Serbís për nji grabitje si ajo qi thamë.
Të gjitha statistikat qi kanë paraqitun Grekët për me mbështetun kërkesat e tyne në Shqypní, kanë njê bazë të gabueme. N’aktet e lindjes të Qeverís Turke të gjithë të krishtênët ortodoksë të mbretnís ishin quejtun rumë (grekë). Ky gabim rridhte nga fakti qi të gjithë këta të krishtênë vareshin fetarisht te Patrikata e Stambollit. Por kjo nuk donte me thânë aspak se të gjithë këta të krishtênë ishin prej farës greke. Tuke qitun si Grekë të gjithë këta të krishtênë pra, e vetëm kështu, Qeveria Helenike po arrin me gjetun njê farë shumice në disa pjesë të Shqypnís. Por mbas atij hesapi duhej me besuem se nuk ka as nji Shqyptar ortodoks në Shqypní.
Nuk janë pra cungllime të reja ato qi kombi shqyptar pret, por, për kundras fare, ay pret të përtânsohet në kufîjt e tij etnikë, pret qi t’i këthehen në gjît të vet ata grumbuj qi i ishin këputun me përdhûnë në kohnat e shkrueme e qi t’i njihet e bukura e drejtë e tij; e, bash kjo çâshtje e shêjtë âsht qi ay do t’i vênë krahat përpara Kongresit të Paqës me anën e përfaqsuesvet të tij, të cilët as nji kongres në kohnat e shkueme s’ka dashun t’i a ndëgjojë.
Sikurse do të shihet nga karta gjeografike ngjitun këtu, kufini etnik i Shqipnís fillon prej gjînit të Spicës (në verit të Tivarit), këthehet drejt nord-estit duke marrë mbrênda Tuzin, Hotin, Grudën, Triepshin, Podgoricën, dhe, duke ndjekun kufinin e Malit të Zi qi ka pasun përpara motit 1912, përmbledh Pejën, Gjakovën, Mitrovicën (pjesën lindore), Prishtinën, Gjilanin, Ferizovikun, Kaçanikun, nji pjesë të kazás së Shkupit, Tetovës, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, për me arrijtun te “Mali i Thatë” ndërmjet liqêjvet t’Ohrís e të Prespës. Qy nga kjo pikë kufîni ndjek vijën e 1913-s deri te maja e malit Gramoz e vazhdon drejt sudit për me dalë afër gjînit të Prevezës. Të gjitha viset qi gjinden në Perëndim të këtij kufîni përbâjnë Shqypnán etnike e historike.
Mbrênda ndër këta kufîj qi caktuem mâ sipër, jetojnë afër 2.000.000 Shqyptarë, nga të cilët mâ pak se gjymsa ndër kufîjt e shënuem në Konferencën e Londrës dhe tjerët n’ato vise qi u ishin lânë, po n’atê Konferencë, Malit të Zi, Serbís e Greqís.
Pas rrokullimesh qi kanë ngjamun në Shqypní këto vjett e fundëm: vrasa të gjithmbarshme e shpërngulje e tjera, do t’ishte njê guxim me u çuem për me dhânë statistika të preme përmi gjinden e sodshme. Por mund të thuhet, pa u larguem prej së vërtetës, se në viset e lëshueme Shtetënvet qi u përmêndën mâ sipër, popullsia shqiptare përbân nji shumicë 80% mbi elementët slav e grek. Në disa nga këto vise, për shêmbëll në kazát e Pejës, Gjakovës e Prizrêndit në Nord e në Krahinën e Çamërís në Sud, elementet slav e grek formojnë nji pakicë fare të vogël.
Nuk po kërkojmë kurrgjâ qi s’âsht shqiptare. Kurrë s’kemi pasun në shpirt të përmbledhim në Shtetin shqiptar grumbuj qi u përkasin tjera kombsive, të cilët, për me qênë mandej të bashkuem me vëllaznit e tyne, do të mundeshin me na shkaktuem turbullime qi na kemi interesë me i larguem prej vetes me të tâna mënyrët.
Po kërkojmë me u bâmun të zott e vêndevet shqiptare qi na janë këputun me traktatin e Berlinit e me Konferencën e Londrës; po kërkojmë mëvetesín e tânsín toksore të Shqipnís e respektimin e të drejtavet syprane të kombit shqiptar. Po kërkojmë edhe shpërblime ekonomike për nji numër të madh katundesh të djeguna nga ana e Grekvet n’anën e poshtme të Shqypnís e për rrenimet qi kanë bâmun ushtrít e Mbretnivet Qêndrore sa kanë mbajtun vêndin nên pushtim të tyne. Tue pasë qênë vêndi i pushtuem, tue pasë mbetun pa qeverí, s’ka pasun deri sod se si me e çmuem në nji mënyrë të preme shumën e këtyne dâmeve. Qeveria e Përkohëshme Shqyptare, qi âsht zgjedhun me 25 dhetor 1918, âsht tue punuem për me bâmun gati listën, e cila ka me u paraqitun në Kongres sa mâ shpejt.
Kombi shqiptar deshiron të punojë në paqë për me zhvilluem pasunít e vêndit të vet; të bâhet nji element mbarsie në sinisín balkanike e të marrë radhën e tij ndër kombet e tjera të qytetnueme.
Vêndimet e padrejta të kohës së shkueme e kanë shtuem mâ tepër lakmín e guximin kundra të dobtëve edhe kështu janë bâmun shkaku i shumë mjerimeve e vuejtjeve. Kongresi i sodshëm, duke fshimun padrejtësít e kalueme e duke i dhânë secilit atê qi i përket, do të ketë hudhun themelët e nji paqe të qêndrueshme në sinisín balkanike, ku turbullina të herë-pasherëshme u kanë qitun gjithmonë punë të vështira e të mërzishme kanqellarivet të Fuqivet të Mëdhaja.

Paris, 12 Shkurt 1919

(Nênsh.) TURHAN
Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqypnia përpara Konferencës së Paqes”