Publikohen të ardhurat dhe fitimet e sipërmarrjeve më të mëdha në Serbi, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci për vitin 2016. Ndryshe nga Shqipëria, në listën e fqinjëve ka shumë sipërmarrje të mëdha të aktiviteteve prodhuese, në industrinë mbështetëse të makinave, barnave, tekstileve, pajisjeve elektroshtëpiake etj
Në renditjen e vendeve të rajonit, dominojnë kompanitë e energjisë, të ndjekur nga shitjet me shumicë dhe ato me pakicë dhe telekomunikacioni. Në rritje të vazhdueshme është industria e automjeteve, ndërsa teknologjia e informacionit po zgjerohet, ndonëse sipërmarrjet nuk janë ende shumë të mëdha.
Sipas një raporti të See News, sektori i naftës dhe gazit vazhdojnë ta ruajnë pozicionin dominues në renditjen e Top 100 në vendet e EJL në 2016, duke përbërë një të tretën e të ardhurave totale të kompanive më të mëdha, pavarësisht rënies prej 12%, për shkak të kushteve të vështira globale gjatë vitit të kaluar.
Shitjet me shumicë dhe ato me pakicë janë zhvendosur në vendin e dytë me 18%. Këto kanë shënuar edhe një rritje të të ardhurave të tyre me rreth 14.4%, më shumë se dyfishi prej 7% i një viti më parë.
Në nivel rajonal, drejtuesit ekzekutivë vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta, ku mund të përmendim, korrupsionin dhe burokracinë e përhapur, me institucionet relativisht të dobëta, me rregulla tepër të rënda, me një infrastrukturë të pazhvilluar, me një kufizim të financimit në tregjet financiare lokale dhe me një sektor bankar të dobët të kredisë. Raporti përmend edhe jostabilitetin politik dhe dobësitë makroekonomike të lidhura me zgjedhjet në disa vende të ndryshme.
Europa Juglindore vazhdon të mbetet shumë tërheqëse në syrin e investitorëve dhe kjo për një sërë arsyesh, si p.sh. falë forcës punëtore relativisht të lirë dhe të arsimuar, taksave të ulëta dhe stimujve të veçantë për investitorët e mëdhenj, integrimin e vazhdueshëm në BE, që nënkupton liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë, sundimin e një shteti ligjor më të fortë dhe hyrjen e vazhdueshme të fondeve të BE-së, si dhe pozitën e saj strategjike gjeografike si hallka lidhëse midis Europës dhe Azisë.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, EJL, ofron një potencial të fuqishëm të rritjes së PBB-së për banor, me 43% të mesatares së BE-së dhe gjithashtu parashikimet për forcimin e zgjerimit ekonomik në vitet e ardhshme.
Ndryshe nga viti i kaluar, në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar bankat dhe shoqëritë e sigurimit) mungojnë kompanitë shqiptare. Vitet e kaluar në listë ishin Kastrati sha dhe Bankers Petroleum, por për shkak të rënies së ndjeshme të xhiros në 2016-n (si rrjedhojë e rënies së çmimeve të naftës), dalë nga renditja e të mëdhenjve.
Kompania më e madhe në Shqipëri, OSHEE, kishte të ardhura prej 385 milionë euro, ndërsa e 100-a në listën e See News kishte të ardhura prej 465 milionë eurosh, çka ka bërë që në listë të mos fiigurojë asnjë biznes shqiptar.
Shqipëria konkurron me ndërtimin dhe bujqësisë
Ekonomia rajonale është përgjithësisht e orientuar nga shërbimet, të cilat kanë peshën më të lartë në Mal të Zi, në gati 73% të totalit, në nivele të ngjashme me mesataren e Bashkimit Europian teksa shteti fqinjë është orientuar dukshëm nga turizmi. Shqipëria ka peshën më të ulët të shërbimeve në rajon, me rreth 52% të totalit.
Të dhënat krahasuese janë bërë të ditura në një raport të Komisionit Europian.
Vendi më i industrializuar është Serbia, ku industria kontribuon me rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndjekur nga Kosova, Bosnja dhe Maqedonia. Peshën më të ulët të industrisë e kanë Shqipëria, me 14.6% dhe Mali i Zi, me 12.9%.
Shqipëria mban rekord për peshën që zë bujqësia, duke e bërë atë vendin më ruralnë të gjithë Europën, me rreth 22% të totalit. Pas nesh vjen Kosova me 14%, Maqedonia me 11%. Në vendet e zhvilluara pesha e bujqësisë është thuajse e papërfillshme, teksa për mesataren e Bashkimit Europian është vetëm 1.5%. Pavarësisht peshës së lartë të bujqësisë, Shqipëria vijon të importojë shumë produkte ushqimore, ndërsa industria përpunuese po bëhet gjithnjë e më pak konkurruese përballë importeve.
Një tjetër sektor ku Shqipëria mban vendin e parë është ndërtimi. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së.
Maqedonia
Kompania më e madhe në Maqedoni, Johnson Matthey DOOEL, prodhues i katalizatorëve të automjeteve, ka realizuar të ardhura prej 1.3 miliardë eurosh, me rritje 12% me bazë vjetore dhe fitime prej 121 milionë eurosh. Në raportin vjetor 2016, grupi thekson se fitimet nga taksat në vitin 2016 ishin rreth 11 milionë dollarë, që vijnë në pjesën më të madhe si rrjedhojë e përfitimeve nga incentivat e taksave në Maqedoni.
Grupi Johnson Matthey, sipërmarrje amerikane e prodhimit për makina, kishte të ardhura totale prej 12 miliardë dollarësh në vitin 2016, me një rritje prej 12% me bazë vjetore.
Në qershor të këtij viti, kompania amerikane për prodhimin e sediljeve të makinave Adient, njësia e prodhimit të sediljeve të Johnson Controls, hapi fabrikën e dytë në zonën industriale të Strumicës. Përfaqësuesi i Adient, Telpik tha se kjo është fabrika më e madhe dhe më e sofistikuar në rajon, një investim që i kalon 20 milionë dollarë dhe që do të punësojë më shumë se 1300 persona.
Johnson Matthey ka shfaqur interes edhe për Shqipërinë, por nuk është materializuar për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të specializuara, por edhe incentivave të shumta që ka ofruar Maqedonia.
Në renditjen e 10 sipërmarrjeve më të mëdha në Maqedoni ka sipërmarrje të naftës, gazit, ndërtimit, telekomunikacionit, por edhe prodhues
farmaceutikë.
Mali i Zi
Ekonomia e Malit të Zi është e orientuar më shumë drejt shërbimeve, në funksion të turizmit, që është një element i rëndësishëm i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Grupe hotelerie (Budvanska Rivijera A.D.) dhe prodhues vere (13 Jul – Plantaze A.D.) janë në listën e 20 sipërmarrjeve më të mëdha.
Serbia
Si një vend me industri të zhvilluar, në Serbi mbizotërojnë sipërmarrjet prodhuese, kryesisht në industrinë mbështetëse të automjeteve. FCA Srbija DOO, prodhuesi i FIAT, renditet e treta në listë, me të ardhura 1.1 miliardë euro në 2016-n. Tigar Tyres DOO është prodhuesi i gomave, pjesë e grupit francez, Mishelin. Gorenje DOO Valjevo, prodhuesi i elektroshtëpiakeve, renditet mes 20 më të mëdhenjve.
Bosnjë-Hercegovinë
Në Bosnjë mbizotërojnë sipërmarrjet e energjisë, naftës dhe tregtisë. Në listën e 20 më të mëdhenjve ka tre kompani të tregtimit me pakicë. Në listë është edhe një kompani prodhime tekstilesh, FIS DOO Vitez, me të ardhura 172 milionë euro. Bosnja mbetet një ndër shtetet më problematike të rajonit, për shkak të burokracive të lidhura me ekzistencën e dy rajoneve.
Ka reaguar Presidentja e Kosovës Znj.Vjosa Osmani për arritjet e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Voal.ch po e sjell si më poshtë:
“Sukses historik!
Në garë me gati 400 Universitete, ekipi i fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës, arriti në top 3-shen më të mirë në botë!
Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, Willem C Vis. Ata poashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur.
Kjo ekipë këtu në foto dëshmon se vetëm me punë e përkushtim arrihet gjithçka.
Krenare sa më ska!
Bravo studentëve Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe Trajnerët: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj.”
HISTORIKE: Momenti kur ekipit të fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, i kumtohet lajmi se kanë arritur në top 3-shen më të mirë në botë
Në garë me gati 400 Universitete, këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, Willem C Vis.
Akrepat e orës do të lëvizin përpara natën ndërmjet të shtunës 30 dhe të dielës 31 mars, ditë që këtë vit përkon me festën e Pashkëve. Ndryshimi i orës bëhet në orën 2 të mëngjesit të së dielës, kur hyn në fuqi ora e verës. Gjatë ndryshimit do të jemi në gjendje të shijojmë një orë më shumë dritë, por të humbasim gjashtëdhjetë minuta gjumë, gjë që mund të na mungojë në ditët e para.
Objektivi i kursimit të energjisë, do të sjellë disa shqetësime, të cilat janë të pashmangshme derisa të mësohemi me “orën e re”. Ora diellore do të rikthehet në fuqi në fundjavën e fundit të tetorit, kur natën ndërmjet të shtunës 26 dhe të dielës 27 tetor do të kthejmë orët pas, duke rikuperuar orën që na ishte hequr në fillim të verës. Kompjuterët dhe pajisjet e lidhura me internetin përditësohen automatikisht, ndërkohë që është e nevojshme të korrigjoni manualisht kohën e mbajtur nga orët analoge.
Objektivi i lëvizjes së orës është shfrytëzimi maksimal i disponueshmërisë së dritës natyrore, me pasojë uljen e faturave të energjisë në vend, duke filluar nga familjet.
Ndryshimi i orës shkakton disa shqetësime, të lidhura kryesisht me ndryshimin e ritmeve cirkadiane dhe humbjen e një ore gjumi gjatë natës ndërmjet së shtunës dhe të dielës. Megjithatë, duke qenë se sivjet ndryshimi i orës bëhet natën e Pashkëve, do të kemi edhe të hënën e Pashkëve, pra një ditë më shumë se zakonisht, për t’u mësuar me “orën kohore”. Ekspertët, si çdo vit, ofrojnë disa këshilla sjelljeje, të ngjashme me ato që përdoren për të përballuar shqetësimet e vogla që lidhen me ndryshimin e stinës.bw
U panë disa lëvizje interesante në politikën shqiptare ku duket se janë bërë lëshime rreth kthimit në normalitet të jetës së Kuvendit të Shqipërisë prej gati dy javësh. Vetëm me 28 Mars, 2024 në median shtetërore ose propagandën e Rilindjes Socialiste përmes ATSH (Agjencisë Telegrafike Shqiptare) u përcollën si stuhi tre lajme njëri pas tjetrit; ai përmes Kreut të Grupit Parlamentar Bledi Çuçi, ai i vetë Kryeministrit Edvin Rama dhe po ashtu ai i Ministrit të Brendëshëm Taulant Balla.
Renditja e njëpasnjëshme e lajmeve kishte si tematikë Komisionet e Posaçme Parlamentare dhe Luftën Kundër Narkotikëve me operacionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Në pamje të parë mund të duket se 28 Marsi ishte një ditë e zakonshme e zhvillimeve në politikën dhe punën e përditshme të qeverisë, por lajmet në median shtetërore ATSH mbi denoncimin në SPAK (për Laboratorin e Kokainës- Xibrakë ku paraqitet përfshirja në bashkëpunim e vëllait të kryeministrit) nga ana e opozitës si dhe veprimi i SPAK-ut (për masën e arrestit dhe detyrimit për paraqitje) të nëntë personave, zyrtarë të Bashkisë Tiranë mbi aferën e inceneratorëve dhe mbi këto shkelje sipas njoftimit të SPAK; “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal nr.75, datë 27.04.2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258/2 dhe 259/2, të Kodit Penal” , nuk u gjet ende hapsirë për paraqitje mediatike.
Kur këto veprime dhe përcjellje ngjarjesh bëhen të dukshme ose kur nga ana tjetër vërehet se ato seleksionohen dhe mbulohen qëllimshëm, atëherë presioni i gazetarëve për vërtetësinë e lajmit ka humbur dinamikën dhe kurrë mirë informimi nuk mund të pritet dhe nuk mund “të zgjidhet” përmes propagandës së pushtetit ose përmes zhvillimeve në studiot e zhurmëshme me analistë që thithin në të tjera drejtime publikun.
Në të vërtetë kthimi i jetës parlamentare ku në parim u pranuan për të filluar nga puna dy Komisione Hetimore 1- për ndërhyrjen në sistemin TIMS dhe 2- për Koncesionin e Sterilizimit dhe për Konfliktin e interesit në tendera dhe u pa si një lëshim fronti nga mos hapja rrugë për opozitën prej mazhorancës, po me 28 Mars, 2024 u duk se po në Kuvend shkoi si pa u vënë re për nga rëndësia Komisioni i Reformës Zgjedhore. Ai u zhvillua me dyer të mbyllura për rreth 60 minuta, me një kompozim të ri mes Damian Gjiknurit dhe Oerd Bylykbashit dhe përfaqësisë pozitë opozitë i cilësuar si mbledhja e konstituimit të mekanizimit të ngritur për të amenduar Kodin Zgjedhor. Një komision që nuk ka dhënë produkt prej mëse dy vitesh pas këshillave të OSBE/ODIHR, së fundi mblidhet dhe ka përpara projektimin e kohës së shkurtër që ka mbetur për zgjedhjet e ardhëshme.
Por në veçanti çfarë janë gjithë këto ngarkesa dhe lëvizje brenda jetës parlamentare që duhet të shëputen për nga rëndësia dhe duhen vlerësuar pa rënë në presionin e propagandës e cila vepron fuqishëm mbi to?
Në shikimin e kujdesshëm koha që kur Partia Socialiste filloi të ndjejë se fuqia e Komisioneve Parlamentare është më me vlerë se forca e kartonit në linjë partiake, kjo të bën të kuptosh se lufta politike shumë shpejtë do të ashpërsohet. Një taktikë e re do të hidhet në veprim për të kuptuar se Komisionet Hetimore janë një e drejtë kushtetuese, por a do të ketë vullnet politik për zbatimin e ligjit dhe veprimit të drejtësisë.
Sipas Nenit 77
1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.
3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.
Pra veç vullnetit politik cili do të jetë rezultati që presin qytetarët për të krijuar besueshmërinë dhe për të zgjedhur nesër një force politike drejtimin e shtetit.
Grupi Parlamentar të Partisë Socialiste me anë të kreut të grupit Bledi Çuçi tregoi pikërisht se zgjeroi fushën e veprimit duke sjellë brenda politikës vendase nuancën e ndikimit ndërkombëtar kur parashtroi kërkesën për Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla mbi: “krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri”. Një korrnizë për këtë formulim ku përfshihet sipas Çuçit dhe citohet nga ATSH mbi dy dokumenta ndërkombëtare si; (1)Memorandumi i Mirëkuptimit të 15 Shkurtit, 2024 ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së për të adresuar manipulimin e informacionit nga aktorët e shteteve të huaja dhe (2) Deklarata e Tiranës e 28 shkurtit 2024 e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore; dhe rekomandimet e BE-së për “vazhdimin e përpjekjeve për mbylljen e hapësirës për ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit”.
Në të njëjtën kohë Kryeministri Rama bën mështetjen e propozimit dhe kërkesës për ngritjen e Komisionit të Posaçëm dhe po sipas ATSH-s që i referohet statusit të tij në mediat sociale këtë zhvillim e quan: “Shumë e rëndësishme për të ecur përpara me shpejtësi të plotë”.
Ministri i Brendëshëm Taulant Balla nga ana e tij nuk veçohet në po këtë ditë nga aksioni, në operacionin “Luarza 1” prej Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ku u sekuestruan mbi 37 mijë fidanë cannabis sativa dhe stinën ai e cilëson si: “ardhja e pranverës rikthen edhe përpjekjet e grupeve kriminale për kultivim të bimëve narkotike”.
Pra një ditë e ngjeshur në lajme. Një ditë ku propaganda shtetërore flet për manipulimine informacionit. Një ditë e dyftyrësisë dhe dystandarteve që mbulohen me heshtje prej zhillimeve në SPAK dhe zhurmave në ekrane prej denoncimeve të opozitës të cilat tregojnë qartë se shteti hesht dhe mbrohet nga propaganda përmes lojës së njohur të mosndërhyrjes në punët e drejtësisë.
Një komision i posaçëm i propozuar dhe i kërkuar nga Partia Socialiste në pushtet mbi këtë formulim “koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri”, i pa shkëputur nga përmajtja ka nevojë të qartësohet imtësisht nga i gjithë spektri politik në Kuvendin e Shqipërisë. Ashtu siç mund të shihet me prioritet siguria kombëtare, rruga për të patur një shtet të sigurt nuk mund t’i besohet më një force politike që noton mbi korrupsion prej mëse dhjetë vitesh. Kur ky komision të nisë veprimin dhe në qoftëse fiton dëshira pushtetmajtëse atëherë censura dhe propaganda do të forcohen më tej në duart e një elite ose të partisë-shtet që do ta cënojë rëndë pluralizmin.
Por nga ana tjetër këto zhvillime treguan se ishin shkundjet e para të rëndësishme sepse po qartësojnë atë se lufta kundër korrupsionit po zhvillohet në një front të gjerë. Është një kalbëzim sistemi ku mund të shquhet ajo pjesë e politikës që vetëm ka përfituar pa i shërbyer mirëqenies së shtetasve ka që ka patur dhe ka si synim të largët pushtetin pas zgjedhjeve dhe veshjen e kësaj mburoje.
Pikërisht deri atëherë ky kufi kohor nuk do të ndjehet prej ngarkesës së ngjarjeve që do të rrjedhin me shpejtësi ndaj publiku dhe medias iu duhet të mprehin që sot vigjilencën dhe të monitorojnë zhvillimet e politikës, zbatimit të drejtësisë dhe të përpiqen energjikisht për realizimin e një procesi të ndershëm zgjedhor. Tranzicioni i gjatë shqiptar ka vërtetuar tashmë humbjen e kohës, Shqipëria ka nevojë për zhvillimin e një shoqërie në paqe, demokratike dhe të priret drejt zhvillimeve dhe kah qytetërimi perendimor me një përfaqësim politikanësh që e duan atdheun dhe i shërbejnë shtetasve.
28 Mars, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Shqipëria shënon 15 vite e anëtarësuar në organizatën më të fuqishme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Me këtë rast Partia Demokratike nderon këtë arritje madhore për vendin, e cila u realizua gjatë qeverisjes së saj nën drejtimin ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Për të nderuar këtë ditë, në fasadën e selisë së PD, është vendosur një baner 23 metra e gjatë dhe 6 metra e gjerë.
Anëtarësimi në NATO shënoi një kthesë të rëndësishme për sigurinë e vendit, duke e renditur atë në krah 32 vendeve të tjera.
Pas ftesës në Bukuresht më 3 prill 2008, Aleanca e Atlantikut të Veriut me datën 1 prill të vitit 2009, në një vendim historik, pranoi Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota të saj.
Për shqiptarët, pas 5 dekadash diktaturë, ky akt përbën arritjen më madhore në fushën politike dhe atë të sigurisë kombëtare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Ish-senatori amerikan dhe kandidati për zëvendëspresident i Partisë Demokratike, Joe Lieberman, ka vdekur në moshën 82-vjeçare.
Lieberman vdiq të mërkurën për shkak të komplikimeve nga një rënie në Nju Jork, raporton CNN.
Joseph Lieberman është i njohur për deklarën e tij se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës qëndrojnë për të njëjtat vlera dhe parime njerëzore… Të luftosh për UÇK-në është të luftosh për të drejtat e njeriut dhe vlerat amerikane.”
Lieberman ishte i nominuari i Partisë Demokratike për zëvendëspresident në zgjedhjet e vitit 2000, të cilat u fituan nga republikani Xhorxh W. Bush.sn
Profesori amerikan, Edward Joseph e sheh të zymtë situatën në Ballkan pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë. SHBA-ja dhe BE-ja, sipas tij, duhet t’i kuptojnë më mirë implikimet e asaj lufte në rajon dhe të marrin qëndrimin e duhur ndaj Kosovës, të cilën, ai thotë se duhet ta avancojnë drejt njohjes ndërkombëtare dhe ta sjellin Serbinë në pranimin e rendit perëndimor. Kjo, sipas tij, do ta izolonte Putinin dhe do t’i jepte më shumë siguri Ukrainës.
Asnjë rajon në glob nuk ka parë ndikim më befasues dhe tronditës nga agresioni i Rusisë në Ukrainë sesa Ballkani. Kështu shkruan Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Washington, në një artikull me titullin “Përçarja pas pushtimit në Ballkan”, botuar të martën nga Qendra për Studime të Balltikut dhe Europës Lindore në Universitetin Sodertorn në Suedi.
Joseph shkruan aty për zhvillime shqetësuese në Ballkanin Perëndimor që prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Në thelb, SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë arritur ta kapin atë mundësi – dhe nevojën – e krijuar nga pushtimi i Putinit për t’i mbyllur mosmarrëveshjet e trashëguara etno-kombëtare nga kolapsi i Jugosllavisë tri dekada më parë. Më kryesorja ndër këto çështje të pazgjidhura është refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e vitit 2008 të ish-krahinës së saj, Kosovës”, shkruan Joseph.
Profesori amerikan thekson se mungesa e zgjidhjes së këtij problemi është pengesa kryesore që e ka vonuar prej kohësh integrimin euroatlantik të të dy vendeve.
Ai shkruan se “leva e Serbisë mbi Kosovën” po e lejon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që “ta izolojë ish-krahinën”, gjë që ai thotë se e ka prioritet, dhe “ta vazhdojë falsitetin e tij” të “ekuilibrit” midis BE-së dhe Hungarisë, Kinës e Rusisë.
“Deri tani, vendi më i madh – me ekonominë më të madhe – të BB6, Serbia ka një ndikim të jashtëzakonshëm në fqinjtë e saj WB6, veçanërisht në të tri vendet me popullsi të konsiderueshme serbe (Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi). Kjo e bën Beogradin të jetë kanali kryesor për ndikimin rus dhe destabilizimin rajonal në Ballkan, siç pasqyrohet qartë në sondazhet e opinionit publik”, thuhet në artikull.
Ai kujton se “shfaqja më tronditëse e paqëndrueshmërisë rajonale ka ndodhur në Kosovë më 24 shtator 2023”, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
“Pesë vende të BE-së – katër prej të cilave janë anëtarë të NATO-s – nuk e njohin Kosovën”, shkruan Joseph, i cili më tej thekson se as SHBA dhe asnjë vend i BE-së nuk ka nxjerrë gjetjet nga analizat e inteligjencës për episodin e 24 shtatorit, “e lëre më të dënojë Beogradin”.
“Zyrtarët amerikanë duket se janë të kënaqur me dorëheqjen e Aleksandar Vulinit, ish-shefin famëkeq të inteligjencës serbe”, shkruan ai. Megjithatë, Joseph shton se pro-rusi i hapur Vulin vazhdon të shfaqet nëpër mediat serbe duke reklamuar “Serbinë e Madhe”.
“Operacioni Banjska sugjeroi që Beogradi zyrtar – me miratimin e mundshëm nga lideri autokratik, Vuçiq – kishte hartuar një plan për ta ndryshuar status quo-në në Kosovë me forcë. Se një përpjekje e tillë e pacipë do të ndodhte në një territor të mbrojtura nga NATO, duke përfshirë edhe trupat e afërta amerikane, sugjeron një humbje dramatike të respektit për autoritetin perëndimor”, shkruan profesori amerikan.
Joseph kujton se në shkurt të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç shkruan ai, “i befasoi mbështetësit e tij, dhe veçanërisht Vuçiqin duke pranuar propozimin e ri të BE-së, duke përfshirë autonominë e diskutueshme për serbët e Kosovës (Asociacionin)”.
Tutje ai tregoi edhe tërheqjen në njëfarë mënyre të Serbisë nga marrëveshja për normalizimin e raporteve.
“Edhe nëse pranohet plani i “normalizimit”, ende nuk është e qartë (dhe me gjasë e pamundur) nëse Kosova madje do të ketë një rrugë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, shkruan ai.
Siç shpjegon Joseph, “ngërçi në Kosovë është zgjatur nga përçarjet europiane për pavarësinë e Kosovës”.
“Me mbështetjen aktive të Rusisë, Beogradi mund të vazhdojë status quo-në, duke e izoluar Kosovën deri sa BE dhe SHBA ta pranojnë përfundimisht një ndarje – strategji jo ndryshe nga ajo e Putinit në Ukrainë. Në të vërtetë, 24 sulmi i 24 shtatorit në Banjskë mund të ketë qenë përpjekja për të shpejtuar këtë rezultat”, thekson ai.
“Përshpejtimi i paqëndrueshmërisë në Ballkan vërteton pohimin e Putinit se rendi perëndimor është iluzion dhe arbitrar. Pozicioni i mosnjohësve ia lejon Putinit gjithashtu ta përdorë Kosovën si “precedent” për ta copëtuar Ukrainën, ndërsa ai dhe zyrtarë të tjerë rusë akuzojnë Perëndimin për copëtimin e Serbisë”, shkruan tutje Joseph.
Ai shkruan se Perëndimi humbi mundësinë për ta nxjerrë një vendim strategjik nga Serbia në fillim të luftës në Ukrainë, për t’i vënë sanksione Rusisë, dhe shton se “SHBA dhe zyrtarët e BE-së duket se janë vendosur për një situatë shumë të paqëndrueshme ‘modus vivendi’ me Beogradin”.
Ka dy mënyra për SHBA-në dhe partnerët kryesorë të BE-së për “ta rikuperuar besueshmërinë e tyre të dëmtuar dhe për ta rivendosur ekuilibrin”, sipas Joseph. Së pari, duhet, siç shkruan ai që “Beogradi t’i respektojë sanksionet e BE-së dhe ta mbyllë RT dhe Sputnik Serbia”, dhe së dyti “SHBA dhe partnerët kryesorë të BE-së mund ta inkurajojnë Ukrainën që ta njohë Kosovën”.
“Njohja e Prishtinës nga Kievit do të siguronte katalizatorin për njohjen uniforme të Kosovës në NATO”, sipas Joseph, si vendin që janë – citon presidentin amerikan Joe Biden – “në vijën e parë të frontit duke luftuar për të shpëtuar parimet demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë”.
Joseph shkruan se “njohja e Ukrainës do t’ia jepte Athinës kontekstin që zyrtarët grekë thonë se duhet ta njohin Kosovën”. Ai kujton se “Athina tashmë ka marrëdhënie të mira me Prishtinën dhe ka shprehur gatishmërinë për ta njohur Kosovën për t’i çuar përpara interesat e rëndësishme greke”. Ai shton se “Athina ka nevojë për stabilitetin në Ballkan dhe ka interes ta parandalojë një ndarje të Kosovës, e cila do t’ia hapte derën ‘Serbisë së Madhe’, ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe ndikimit turk në Ballkan”.
Ai shkruan edhe për mundësinë që Kosova ta marrë njohjen nga Spanja.
“Vendimi themelor i Spanjës në janar për ta njohur pasaportën e Kosovës (pas liberalizimit të vizave të BE-së për qytetarët e Kosovës) sugjeron se Madridi mund të lëvizë drejt njohjes së plotë, nëse Kyivi së bashku me Athinën dhe vendet tjera mosnjohëse ta ndryshojnë pozicionin e tyre”, shkruan profesori amerikan.
“Si përmbledhje, situata e zymtë pas pushtimit (të Ukrainës) në Ballkan mund të kthehet mbrapsht nëse SHBA-ja dhe BE-ja i kuptojnë implikimet për luftën e përgjithshme kundër Rusisë dhe e pranojnë se stabiliteti i vërtetë kërkon qëndrim të duhur ndaj Kosovës. Lutja e Beogradit – iluzioni se Vuçiq do të bashkëpunojë – është një dështim i dëshmuar”, thekson ai. “Avancimi i njohjes uniforme të Kosovës në NATO (në radhë të parë) do ta mbështesë diplomacinë SHBA-BE, dhe më në fund ta sjellë Serbinë në pranimin e rendit perëndimor – duke e lënë Putinin më të izoluar dhe Ukrainën më të sigurt”, shkruan Edward Joseph në fund të shkrimit.bw
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.
Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, tha se opinioni i raportueses Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “pa asnjë parakusht shtesë”.
“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja “janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.
Në raportin e Bakoyyanis, tha zëvendësministri Ahmeti, kërkohet po ashtu edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, “fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës, dhe jo si vend sipas nenit 5”.
Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që ishte i pranishëm në takim, tha se raporti u votua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Por, sipas tij, gjatë takimit kishte mospajtime.
“Në Komitet deputetët ishin të ndarë. Në njërën anë, Serbia kundërshtonte dhe në anën tjetër kishte pothuajse konsensus në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.
Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.
Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.
Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 15 mars, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sugjeroi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe çështja e disa shpronësimeve në veriun e banuar me shumicë serbe, mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Megjithatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më herët gjatë 27 marsit se themelimi i Asociacionit – për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh më 2013 – nuk është kusht për anëtarësimin e Këshillit të Evropës.
Ajo tha se në raportin e Bakoyannis qartëson në paragrafin e 11 se “kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.REL
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke folur në një ngjarje në Prishtinë për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi, 27 mars 2024.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se për Kosovën është e qartë urgjenca për integrim evropian dhe euroatlantik dhe se kjo nënkupton siguri, prosperitet dhe demokraci për popullin e saj.
“Integrimi i saj është thelbësor edhe për arritur sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, tha Hovenier.
Duke folur në një ngjarje në Prishtinë për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi, Hovenier tha se SHBA-ja e sheh stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si një premtim të rëndësishëm që duhet të përmbushet, posaçërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia e Vladimir Putinit.
“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO-ja veproi për ta çuar përpara një vizion për një Evropë të lirë dhe paqësore. Edhe sot ne po punojmë për ta arritur këtë”, tha Hovenier duke folur në ngjarjen e organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit.
Më 24 mars 1999 NATO-ja i nisi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Hovenier e ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që “ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten kurrë më”.
Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje ushtarake, NATO-ja e ka në Kosovë misionin e vet paqeruajtës, KFOR, me praninë e një numri shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh.
“Ne jemi të përkushtuar për ta mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues që forca e NATO-s e luan në Kosovë”, shtoi ai.
Hovenier ua bëri të qartë autoriteteve kosovare, megjithatë, se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Posaçërisht, përmes mirëbesimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve që Kosova i ka arritur përmes dialogut”, tha ai.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në fillim të vitit 2023.
Por, BE-ja, e cila e ndërmjetëson dialogun mes tyre nga viti 2011, ka thënë se marrëveshja nuk është duke u zbatuar, megjithëse është detyruese për palët.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Qeverisë së tanishme kosovare kanë arritur pikën më të ulët në fillim të këtij viti, kur autoritetet kosovare vendosën ta ndalojnë përdorimin e dinarit serb në Kosovë për pagesa me para të gatshme përmes një rregulloreje të Bankës Qendrore, e cila nga 1 shkurti e përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
SHBA-ja i ka bërë thirrje Kosovës ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se me mospërmbushjen e kërkesës amerikane për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës nuk po e trajton Uashingtonin si partner.
Hovenier tha të mërkurën se pret nga Qeveria e Kosovës “sikurse kemi pritur nga qeveritë e mëparshme kosovare”, të punojë në partneritet “për t’i vazhduar përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon të sigurt, shumetnik dhe stabil”.REL
Një ditë e rëndësishme kjo e sotmja sa i përket procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vetën një pikë të rendit të ditës, atë të aplikimit të Kosovës në KiE, kryesisht raportin e Dora Bakoyannis.
Mbledhjen e Komisionit e kanë konfirmuar ditë më parë për Telegrafin nga Këshilli i Evropës, gjersa sot në agjendë të këtij Komisioni është kjo pikë e rendit të ditës. Mbledhja do të mbahet nga ora 14:30 deri në 17:30. “Pasi të miratohet nga Komisioni, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja”, bën të ditur nga Këshilli i Evropës. Saktësisht në agjendën e Komisionit për Politikë dhe Demokraci thuhet se në rend dite është opinioni statutor mbi aplikimin për anëtarësim të përcaktuar në letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në përputhje me Rezolutën Statutore (51) 30.
Raportuese është Dora Bakoyannis. Lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE ditë më parë ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili në një mbledhje të ekzekutivit bëri të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit. Ai pati njoftuar se lidhur me këtë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.
“Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve…. të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit”, ishte shprehur Kurti. Në prag të prezantimit të raportit faktmbledhës (27.03.24) Dora Bakoyannis, raportuese e Këshillit të Evropës (KiE) për Kosovën në Komisionin e Çështjeve Politike, deputeti gjerman socialdemokrat Frank Schwabe është optimist për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Schwabe ka folur për shansin historik të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, gjersa theksoi se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës. “Unë jam një nga ata që dëshirojnë që Kosova të bëhet anëtare tani, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në SHBA, si do të ndryshojë situata politike. Pra, Kosova është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë”, ka thënë deputeti gjerman në një intervistë për Deutsche Welle.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se NATO-ja ndërhyri 25 vjet më parë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë pikërisht për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe.
Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie përkujtimore në këtë fshat në Kosovën perëndimore, ku me 25 mars të vitit 1999, forcat serbe vranë rreth 250 civilë.
“NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tilla të tmerrshme që po zhvilloheshin. Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme amerikane e shtetit, Madeleine Albright deklaroi ‘e kemi të pamundur të negociojmë ndërsa (Sllobodan) Millosheviçi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë. Aksionet e NATO-s synojnë të nxisin paqen dhe qëndrueshmërinë në Evropë duke u dhënë fund mizorive dhe krizës humanitare’, tha ai.
Njëzet e pesë vjet më parë NATO-ja ndërmori një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe. Fushata nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u dëbuan nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
25 vjet më pas ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave. Në mesin e tyre janë edhe trupat e 60 vetave të vrarë në masakrën e Krushës së Madhe.
“Familjet e viktimave kanë nevojë për drejtësi, Kosova ka nevojë për drejtësi sepse ky është parim themelor mbi të cilin duhet të funksionojë secila shoqëri, e pa të cilin paqja asnjëherë nuk është e drejtë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo e vlerësoi si “institucionalizim të kujtesës kolektive” ngritjen e një muzeu që u përurua sot në këtë fshat, me dëshmi e rrëfime nga ngjarjet e 25 marsit të vitit 1999.
“Rëndësia e një muzeu të tillë është e jashtëzakonshme. Duke hedhur dritë mbi ngjarjet e errëta të së kaluarës sonë, sigurohemi që zërat e viktimave të mos heshten kurrë e të mos harrohen asnjëherë në historinë tonë. Ne nuk duhet të harrojmë rrugën nëpër të cilën kemi kaluar, por duhet të mësojmë nga e kaluara në funksion të një të ardhmeje më të ndritshme dhe paqes së qëndrueshme”, tha ajo.
Ambasadori amerikan Hovenier tha se akti i kujtimit që mundëson ky muze është pjesë thelbësore e drejtësisë kalimtare e cila synon që të trajtojë të kaluarën dhe të ndërtojë themelet për një të ardhme të shërimit dhe pajtimit.
“Është veprim i duhur të ketë një dëshmi fizike të ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën këtu dhe të kemi një vend ku mund të bashkohemi për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e atyre që u vranë. Shtetet e Bashkuara krenohen se kanë mbështetur përpjekjet tuaja për këtë muze, duke përfshirë trajnimet për aftësi intervistuese, etikë të historisë, kurim dhe arkivim”, tha ambasadori amerikan.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, tha se masakra e Krushës është dëshmi që ndërhyrja e NATO-s ishte më se e nevojshme për të ndaluar një katastrofë të mëtejshme humanitare dhe spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë.
“Kjo ndërhyrje ishte gjëja e duhur për tu bërë dhe ne i qëndrojmë prapa. Shumica e autorëve të këtyre krimeve janë ende të lirë dhe e tëra që mund të them është se pandëshkueshmëria nuk mund të lejohet. Jam krenar të qëndroj sot këtu dhe të them se Gjermania ka ndihmuar në ndërtimin e Kosovës si shtet të lirë, demokratik dhe shumetnik”, tha ai.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen perëndimore, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Ndonëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, tensionet ndërmjet tyre vazhdojnë të jenë të larta.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar në lidhje me masakrat e serbëve në Suharekë dhe Krushë të Madhe e të Vogël.
Kurti shprehet se në vitin 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi”, për shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Kurti gjithashtu ka shkruar për masakrën në Padalishtë të Skenderajt, vrasjet në Landovicë të Prizrenit e në Gjakovë.
Postimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti:
Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.
Në paraditen e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta.
Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.
Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.
Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.
Po atë mëngjes, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë.
Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës, në një shtëpi në rrugën “Ymer Grezda”, forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi.
Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë.
“Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kujtesa e Kosovës është e freskët.
Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.
Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë.
Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara.bw
Komentet