VOAL

VOAL

Raporti – Pas kanabisit e kokainës, Shqipëria po kthehet në nyje të trafikimit të heroinës

November 13, 2017

Komentet

25 vjet pas masakrës së Poklekut në Kosovë, dhimbje dhe apel për drejtësinë e munguar

Masakra e Poklekut

VOA/Keida Kostreci

25 vjet më parë më 17 prill 1999 forcat serbe vranë 53 shqiptarë, përfshirë 24 fëmijë, në një nga masakrat më të rënda të luftës së Kosovës, në fshatin Poklek të komunës së Drenasit. Një çerek shekulli më pas, të mbijetuarit e paktë kujtojnë tmerrin e asaj dite dhe jetojnë çdo moment me dhimbjen e humbjes së familjarëve të tyre. Ata shprehin pakënaqësinë për përpjekjet e pamjaftueshme për të çuar drejtësinë në vend. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, ekspertët e të drejtave të njeriut dhe së drejtës ndërkombëtare thonë se kur përgjegjësit nuk marrin dënimin, plagët e të mbijetuarve mbeten të hapura.

Gjurmët e vrasjeve mbeten të pashlyera në dhomat e shtëpisë së Sinan Muqollit dhe në kujtesën e të mbijetuarve. Një prej tyre, Elhame Muqolli ishte vetëm 14 vjeç. Ajo humbi nënën, tre motra dhe dy vëllezër. Babai i saj ishte luftëtar i UÇK-së.

“Aty janë vrarë 24 fëmijë, prej moshës 4 muajshe, 10 muajshe deri në moshën 14 vjeçare edhe deri në mosha të shtyra. Të gjithë kemi qenë civilë, të gjithë kemi qenë kryesisht gra dhe fëmijë”, thotë ajo për Zërin e Amerikës nga Ohajo ku jeton me familjen e saj.

Në foto: Elhame Muqolli dhe familja e saj

Në foto: Elhame Muqolli dhe familja e saj

“Një përjetim shumë, shumë i rëndë, mes atyre zhurmave dhe mes atyre kërkesave për t’i shpëtuar gjithë ata fëmijë dhe mos me pasë kurrfarë mundësie, kërkush me ba gja”, thotë ajo.

Hysen Kluna, është një tjetër i mbijetuar. Në një nga ditët para këtij përvjetori të vështirë, ai flet për Zërin e Amerikës nga shtëpia ku ndodhi ngjarja.

Hysen Kluna, i mbijetuar i masakrës

Hysen Kluna, i mbijetuar i masakrës

“Kanë filluar të gjuajnë me automat pastaj e ka hap derën dhe ka gjuajtur bombë, ka pasur shumë bërtima, tmerr, pastaj ka hyrë breneda dhe na ka gjuajtur me automat, unë jam plagosur në dorën e majtë”, thotë ai.

“53 vetë këtu, Ymerin e Sinanin na i kanë marrë dhe i kanë vrarë jashtë, të tjerët 51 këtu brenda. Fëmija më i vogël ka qenë 7-8 muajsh”.

Sinan Muqolli, i zoti i shtëpisë dhe xhaxhai i Elhames dhe Ymer Elshani, një autor librash për fëmijë, që ndodhej atje si mik i familjes, u nxorrën nga shtëpia një nga një dhe u pushkatuan, para se të vriteshin të të tjerët në shtëpi.

Elhamja, e plagosur në këmbë, arriti të dilte nga shtëpia dhe kështu shpëtoi.

“Edhe në atë moment nuk e di si më ka ardhur ajo ide, me hapë dritaren dhe me dalë prej asaj dritareje. Edhe pse e kam ditë se edhe në oborr ka pasë policë. Herën e parë jam çuar dhe jam rrëzuar, herën e dytë kam kapur bravën dhe e kam kapërcyer atë dritare.”

Teuta Elshani, e bija e Ymer Elshanit, humbi atë ditë gjithë familjen: prindërit dhe katër vëllezërit. 23-vjeçare, ajo kishte qenë në Prishtinë dhe më pas kishte shkuar në Maqedoninë e Veriut, ku po strehohej një pjesë e mirë e të larguarve nga Kosova për shkak të luftës. Pas një farë kohe në një kamp refugjatësh, ajo po banonte me një familje shqiptare në Shkup.

“Më 17 prill si çdo ditë dëgjoja lajmet se çfarë po ndodhte në Kosovë sepse kisha gjithë familjen atje dhe në lajmet e mbrëmjes e dëgjova vetë lajmin për masakrën që kishte ndodhur në Poklekun e Vjetër të komunës së Drenasit”, thotë ajo për Zërin e Amerikës nga Atlanta e Xhorxhias ku jeton me familjen.

Ajo shpresoi për shumë kohë që lajmi të mos ishte i vërtetë.

“Kjo mua ndoshta më ka mbajtur në ato momente që të mos e besoj lajmin që e dëgjova. Patjetër se ishin ditë të vështira ato ditë në vijim dhe ngadalë ngadalë fillova të kuptoj se është lajm i vërtetë. Në qershor edhe kur u çlirua Kosova filluan edhe lëvizjet e njerëzve nga Kosova dhe ashtu ngadalë u kuptua e vërteta”.

Aktivistët e konsiderojnë tepër të rëndë ngjarjen e Poklekut, ku sipas të të mbijetuarve dhe të tjerëve që pasi janë kthyer kanë gjetur provat e krimeve, pasi janë vrarë, viktimat janë djegur.

“Në fakt një nga masakrat më makabre të shkaktuara këtu e 25 vite më herët, është ajo e Poklekut”, i thotë Zërit të Amerikës, Bekim Blakaj, drejtor i Fondit Humanitar Ndërkombëtar në Kosovë, që është marrë me dokumentimin e viktimave dhe të të zhdukurve.

“Deri më tani ky krim nuk ka marrë epilog gjyqësor”, thotë ai.

Elhamja thotë se ka ndjenja të përziera tani pas 25 vjetësh, sepse nga njëra anë, pas shumë sakrificash, Kosova është e lirë.

15:51: “Por çfarë kemi të rëndë është: 25 vite u bënë dhe unë për vete them u bë edhe një rivrasje për ta. Shteti ynë, qeveri pas qeverie nuk kanë arritur ende t’i dokumentojnë gjithë këto masakra, edhe të paditet Serbia, për të dhënë përgjegjësi për këto krime që ka bërë”, thotë ajo.

Teuta Elshani thotë se pavarësisht nga qëndrimi i Serbisë, nga mungesa e një ndjese për krimet e luftës, autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë pjesën e tyre.

“Unë pres nga shteti im nga Kosova të bëjë një dokumentim të fakteve, të asaj se çfarë ka ndodhur jo vetëm për masakrën e Poklekut por për të gjitha masakrat në Kosovë pa dallim dhe për mua kjo është që më mundon dhe për të cilën mendoj sepse pa një dosje, pa një dokumentim zyrtar të shtetit të Kosovës asgjë nuk mund të bëhet në këtë drejtim”, thotë ajo.

Gjatë luftës në Kosovë, 10 mijë vetë kanë humbur jetën dhe mbi 5 mijë rezultojnë të zhdukur. 25 vjet pas saj ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur për këtë temë ditën e përvjetorit të pavarësisë më 17 shkurt, tha se qeveria e tij është e përkushtuar për vendosjen e drejtësisë.

“Janë duke punuar profesionistët dhe ekspertët tanë, qeveria mbarë dhe posaçërisht Ministria e Drejtësisë për gjithçka që jemi zotuar. Në Kosovë ka pasur gjenocid në pranverën e vitit 1999. Ky gjenocid as nuk harrohet, as nuk falet, as nuk shlyhet, prandaj e rëndësishme është drejtësia për urdhërdhënësit, për ekzekutorët në mënyrë që të kemi rehabilitim për viktimat dhe në të njëjtën kohë është e rëndësishme që të mos mohohet gjenocidi”.

Zoti Blakaj, organizata e të cilit ka monitoruar gjykimet për krimet e luftës, thotë se “të dhënat që rrjedhin nga ky monitorim, janë dëshpëruese”.

“Nga të gjitha gjykatat deri tani, duke përfshirë edhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Tribunalin e Hagës, gjykatat në Kosovë, deri tani janë dënuar më pak se 80 persona …për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”.

Për Hysen Klunën, i cili tregon shenjat fizike që janë kujtesë e asaj dite, ka një arsye edhe më urgjente, për të vepruar, duke përmendur si shembull se një nga dëshmitarët, Ramadan Muqolli tashmë ka vdekur.

“Ata dëshmitarët që kanë qenë të vjetër po vdesin, unë tash 83 vjet, Ramadani ka qenë një vjet pas meje, atij shtatë anëtarë i kanë mbetur këtu, edhe shkoi ai vdiq para meje. Edhe unë, po tash edhe pak mendja ndoshta edhe pas disa vjetësh edhe unë i harroj ato, por i kam të shkruara”, thotë ai.

Zoti Blakaj thotë se një nga pengesat madhore për çuarjen e drejtësisë në vend ka qenë mungesa e bashkëpunimit nga Serbia.

“Serbia nuk bashkëpunon me institucionet e Kosovës dhe duke bërë kështu po u ofron një hapësirë të madhe atyre që kanë kryer krime, që të mbesin pa u ndëshkuar, pra po ofrojnë hapësirë për mosndëshkueshmëri”.

Paul Williams, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Uashington, thotë se vendosja e drejtësisë për viktimat e luftës, është thelbësore për shërimin e plagëve. Është pozitive sipas tij që ka pasur ndjekje penale dhe dënime të individëve serbë që kishin kryer krime në Kosovë.

“Dimensioni zhgënjyes është se procesi nuk ishte gjithëpërfshirës dhe nuk vazhdoi për aq kohë sa duhej për të ndjekur penalisht të gjithë ata që ishin përgjegjës”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Prof. Williams shpjegon se në praktikën ligjore për drejtësinë për krimet e luftës, kur përfundon punën një gjykatë ndërkombëtare, fillojnë ndjekjet penale të brendshme.

“Këtë nuk e kemi parë në Kosovë dhe Serbi. Regjimi serb nuk e ka marrë seriozisht përgjegjësinë për krimet mizore. Dhe kështu nuk është bërë asgjë kuptimplotë përsa i përket prokurorisë vendase. Dhe Kosova nuk ka qenë në gjendje të ketë juridiksionin apo të mbajë procese të tilla”.

Duke pasur parasysh se forcat serbe ishin përgjegjëse për mbi 80 për qind të krimeve, Prof. Williams shprehet kundër prirjes për t’i bërë të gjitha të palët njëlloj përgjegjëse, duke vendosur një barazi morale mes viktimës dhe autorit.

“Për fat të keq, qeverive shpesh u thuhet të falin dhe të harrojnë. Por e kemi parë gjithomonë se të falësh dhe të harrosh nuk është rrugë drejt pajtimit. Ka nevojë për përgjegjësi, ka nevojë për të vërtetën. Duhet dokumentim i saktë historik. Dhe kjo nuk është në të kaluarën për viktimat e mizorive dhe familjarët e tyre. Dhimbja e tyre ndjehet sot”.

Kjo dhimbje është e prekshme tek Elhame Muqolli.

“Kurrë nuk ka për të qenë mirë, kur nuk ndëshkohet për ato që ka bërë. Dhe kur nuk kërkon falje. Dhe nuk di a mjafton edhe kjo. Familjarët e mi, nuk ngjallen kurrë, por të paktën do të më lehtësohej dhimbja”.

Por në kujtimet dhe trashëgiminë e të dashurve që nuk i kanë më, të mbijetuarit kanë gjeur një mison dhe një farë lehtësimi.

“Kur ndodhin këto tragjedi njeriu ka dy zgjidhje, të dorëzohet nga dhimbja apo të forcohet dhe të vazhdojë tutje. Unë zgjodha këtë të dytën, jo ndoshta që jam personi më i fortë në botë por sepse në ato momente kur e kam pranuar që askush nuk është më gjallë nga familja ime e ngushtë, unë i kam vënë vetës një mision që kam mbetur gjallë, kam një borxh të bëhem zëri i tyre, ta vazhdoj trungun familjar dhe këto gjëra më kanë ndihmuar që të vazhdojë e të mos dorëzohem”.

Pjesë e këtij misioni është botimi i veprave të letërsisë për fëmijë të babait të saj. Si për Teutën, edhe Elhamen familjet që kanë krijuar me bashkëshortët e tyre, janë testament i vazhdimësisë së jetës. Këto dhe kujtimet e të dashurve që kanë mbetur të ngrira në kohë.

Si ishte familja juaj?

“Një familje shumë e hareshme. Kur e kujtoj atë pjesë mundet të më kthehet edhe buzëqeshja. Shumë kemi qenë të lidhur me njëri-tjetrin. Çdo organizim kemi qenë së bashku. Çdo gjë e kemi bërë së bashku. Ajo edhe sot mua më mban gjallë, kujtimet e mira”.

UGSHPD: Ditë Historike – Kosova Rekomandohet për Anëtarësim në Këshillin e Europës

 

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) përshëndet vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në takimin e datës 16 prill.

 

Ky hap historik është rezultat i qëndresës dhe ecurisë që nga fitorja e pavarësisë duke kurorëzuar rrugën shtet formuese të Kosovës, shteti më i ri që pritet t’i bashkohet familjes evropiane muajin e ardhshëm.

 

Marrja e vendimit lidhet me zbatueshmërinë e të gjitha protokolleve të kërkuara nga organizmat e Këshillit të Evropës përfshirë edhe mekanizmat monitoruese të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut . Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare legjitimon përmbushjen e parametrave evropianë të Kushtetutës së Kosovës, dhe zotimeve të kërkuara për anëtarësim krahas përparimit të vendit në fushën e luftës ndaj korrupsionit.

 

Me 131 vota pro nga totali prej 170 votash, ku 29 ishin kundër dhe 11 abstenime, dita e Martë 16 Prilli mundësoi hedhjen e hapit të sigurt për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi përfundimtar do të merr më 16 Maj 2024 nga Këshilli i Ministrave i 46 vendeve anëtare.

 

Pranimi i Shqipërisë më 13 Qershor, 1995 në Këshillin e Evropës duket si një vit i largët, ndërsa afrimi i Kosovës këtë vit rrit optimizmin e popullsisë shqiptare në dy shtete që të përpiqen me të gjitha forcat për ta ruajtur pluralizmin, demokracinë në vendet e tyre duke iu bashkuar shëndetshëm vendeve të qytetëruara evropiane në fushën e ekonomisë së tregut të lirë dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Veç të tjerave, anëtarësimi i mundëson Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

 

Këshilli i Evropës deklaroi se e konsideron votën e djeshme parlamentare si një “katalizator për Kosovën” drejt forcimit të demokracisë, zbatimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe përmballjen me sfidat që janë përpara.

 

16 Prill, 2024

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

“Serbia po hakmerret!”- Bllokimi i mbi 300 qytetarëve kosovarë në kufi me Kroacinë, reagon Kurti: Janë lënë pa ushqim edhe fëmijët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi mbi 300 qytetarë kosovarë janë bllokuar nga Serbia në kufi me Kroacinë.

Në një reagim në “X”, Kurti shprehet se Serbia po hakmerret një ditë pasi Asambleja Parlamentare votoi pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Kreu i qeverisë së Kosovës shprehet se mes të bllokuarve në kufi janë edhe fëmijë, të cilët janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi.

“Një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, e ka cilësuar Kurti një akt të tillë nga pala serbe.

“Një ditë më pas Asambleja Parlamentare votuan pro anëtarësimit të Kosovës në KiE , Serbia hakmerret kundër civilëve. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 qytetarë tanë—përfshirë fëmijët—janë mbajtur arbitrarisht në kufi, janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi. Një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut!”, shkruan Kurti. gsh

S’janë liruar të gjithë kosovarët e ndaluar në Serbi

Fatmir Haxholli nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, ka thënë se ende nuk janë liruar të gjithë qytetarët kosovarë që janë mbajtur prej të martës në mbrëmje në pikëkalimin kufitar Serbi-Kroaci, Batrovc.

‘Në funksion të mbrojtjes së interesit institucional, interesit publik dhe interesit qytetarë, i ftoj publikisht mediat që të mos konfirmojnë zhvillime ta përmbyllura. Unë duhet të jem i fundit që dalë nga stacioni policor kufitar në Batrovc, dhe kjo ende nuk ka ndodh. Kur ky është rasti do të ketë komunikim nga MPJD!’ ka shkruar ai në Facebook.

Mbi 300 qytetarë të Kosovës janë liruar deri më tani.

‘Po jemi liruar na të dy anët edhe nga Kroacia për në Serbi dhe anasjelltas’, tha shkurt ai.

Dhjetëra autobusë nga Kosova që nga orët e vona të së martës e deri më tani kanë qenë të bllokuar nga Serbia në kufirin me Kroacinë, duke mos i lejuar që të vazhdojnë tutje.

Gjatë gjithë kësaj kohe, disa prej qytetarëve të ndaluar janë marrë në pyetje nga autoritetet serbe për ‘verifikim’.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia shkeli Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.

Për bllokim të qytetarëve nga Kosova është raportuar edhe në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.sn

Serbia nuk lejoi kalimin e qytetarëve të Kosovës, Von Cramon thirrje Beogradit: Ndaloni së turpëruari veten!

Viola von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka reaguar në lidhje me bllokimin e autobusëve nga Serbia në kufirin me Kroacinë.

Me anë të një postimi në rrjetin social “X”, Von Cramon shtoi se Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe duhet të lejojë menjëherë kalimin e qytetarëve që kanë pasaportën e Kosovës.

“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe t’i lërë qytetarët që posedojnë letërnjoftimin/pasaportën e Kosovës të kalojnë menjëherë kufirin! Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, ka shkruar Cramon në “X”.

Një hap i tillë nga Serbia vjen pasi ditën e djeshme në Asamblenë e Këshillit të Europës u votua pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Image

Komandanti i Aleatëve të NATO në Evropë: Do të dërgojmë pajisje më të rënda dhe më shumë trupa në Kosovë

Gjeneral Cavoli, Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s në Evropë, në një fjalë që mbajti para Senatit të SHBA më 10 prill 2024 lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe kërcënimet që ajo paraqet më gjërë, ndër të tjera tha se ai ka autorizuar inteligjencë ajrore, mbikëqyrje dhe zbulimin për të monitoruar kërcënimet ndaj Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës.

Po ashtu, ai shtoi se NATO do të dërgojë pajisje më të rënda, më shumë trupa në Kosovë. Ndërkohë, një aeroplanmbajtëse franceze është afruar në Adriatik.

Komandanti i SHBA në Evropë thotë se Rusia është një ‘kërcënim kronik’ për botën

“Rusia përbën “një kërcënim kronik” për botën dhe ndihma e mëtejshme për Ukrainën për të zmbrapsur pushtimin rus të atij vendi është vendimtare, tha gjenerali i ushtrisë Christopher Cavoli, komandanti i Komandës Evropiane të SHBA, sipas njoftimit nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Gjeneral Cavoli, i cili shërben gjithashtu si komandanti suprem i aleatëve të NATO-s në Evropë, dëshmoi më 10 prill para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Ne po përballemi me kohë sfiduese, për të mos thënë më pak, në teatrin evropian,” u tha Cavoli përfaqësuesve. “Lufta brutale dhe e paprovokuar e Rusisë ka shkatërruar Ukrainën për më shumë se dy vjet. Forcat [ruse] po shkatërrojnë qytete dhe po shkatërrojnë jetë të pafajshme në një shkallë që nuk e kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore.”

Gjithashtu shqetësuese është varësia e Rusisë nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut për të mbështetur fushatën e saj në Ukrainë, tha ai. “Këto vende po krijojnë partneritete strategjike të ndërlidhura në një përpjekje për të sfiduar rendin ekzistues,” tha gjenerali. “Kjo është thellësisht armiqësore ndaj interesave kombëtare të SHBA.”

Më shumë se dy vjet pas pushtimit, presidenti rus Vladimir Putin nuk tregon asnjë shenjë ndalimi, tha Cavoli. “Rusia nuk ka ndërmend të ndalet me Ukrainën,” tha ai. “Rusia paraqet një kërcënim kronik.”

Komanda Evropiane po i përgjigjet kërcënimit ndaj NATO-s duke përmirësuar qëndrimin e saj parandalues në të gjithë Evropën. “Ne kemi forcuar krahun tonë lindor me dislokime të forcës rrotulluese, kemi zgjeruar rezervat e para-pozicionuara dhe kemi modernizuar infrastrukturën tonë për të mundësuar marrjen e shpejtë të forcave përforcuese,” tha gjenerali.

Trupat e SHBA-së dhe aleatëve kanë ushtruar gjerësisht për të demonstruar aftësitë e reja për t’u përforcuar në të gjitha fushat. “Ne jemi gati të mbrohemi dhe kjo na lejon të frenojmë dhe ne e kemi penguar Rusinë të sulmojë aleancën tonë,” tha ai.

Mbështetje për Ukrainën

Cavoli tha gjithashtu se Komanda Evropiane ka mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për të mbështetur Ukrainën dhe komanda ngriti një grup ndihme sigurie. “Në 26 muajt e fundit të kësaj lufte, SHBA dhe partnerët tanë kanë dorëzuar sasi të mëdha municionesh dhe pajisjesh kritike për kolegët tanë ukrainas,” tha ai. “[Grupi i asistencës së sigurisë] ka lehtësuar një gamë të plotë trajnimesh për të promovuar gatishmërinë e njësisë. Ne kemi siguruar që Ukraina të dijë se si të përdorë pajisjet e saj të reja dhe të dijë se si t’i mirëmbajë ato.”

Por Putini është këmbëngulës dhe fakti është se Ukraina “mbetet pothuajse tërësisht e varur nga mbështetja e jashtme për të qëndruar në këtë luftë,” tha ai. Ashpërsia e këtij momenti nuk mund të mbivlerësohet: nëse nuk vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, Ukraina mund të humbasë.

Kësti i fundit i ndihmës së SHBA-së mbaroi në fillim të këtij viti dhe Kongresi ka para tij legjislacionin për të vazhduar financimin. Aleatët kanë kapur disa nga mungesat, por Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor i mbrojtjes ajrore me bazë tokësore dhe predhave të artilerisë për Ukrainën tani, tha Cavoli.

“Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, por mund të bëj matematikë të thjeshtë”, tha gjenerali. “Kur shikoj normat e furnizimit, … kur shikoj normat e konsumit, nëse nuk vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, Ukrainës do t’i mbarojë predhat e artilerisë dhe do t’i mbarojë përgjuesit e mbrojtjes ajrore në një kohë mjaft të shkurtër.

“Bazuar në përvojën time në 37 e më shumë vite në ushtrinë amerikane, nëse njëra palë mund të qëllojë dhe pala tjetër nuk mund të kundërpërgjigjet, pala që nuk mund të kundërpërgjigjet humbet,” vazhdoi ai. “Pra, aksionet janë shumë të larta.”

Gjithashtu në rrezik është lidershipi amerikan. “Udhëheqja e vazhdueshme e SHBA është thelbësore,” tha ai. “Aleatët tanë po shtohen. Por ata kërkojnë dhe shpresojnë për udhëheqjen dhe shembullin tonë të vazhdueshëm. Duke mbështetur angazhimin tonë ndaj Ukrainës dhe duke demonstruar kohezion të palëkundur me aleancën e NATO-s, ne ofrojmë një pengesë të qartë për kundërshtarët tanë. Nëse kjo frenim të dështojë, Eucom i SHBA – së bashku me aleatët tanë – është gati të luftojë dhe të fitojë.”bw

Kosova njofton ndërkombëtarët për bllokimin e qytetarëve në kufirin serb

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka dalë me një njoftim të ri sa i përket bllokimit të autobusëve nga Serbia në kufirin me Kroacinë.

“Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.”

MPJD ka thënë se qytetarë kosovarë janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë.

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.”

Në njoftim thuhet se udhëtarëve u janë marrë dokumente personale dhe të autobusëve, ndërsa disa janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

“Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.”

MPJD ka thënë se ka njoftuar shtetet e QUINT’it, institucionet e BE’së dhe institucione tjera ndërkombëtare.

“Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejt.”

MPJD sërish ka bërë apel që ta evitojnë kalimin nëpër Serbi.

“Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.”

Ky veprim i Serbisë, MPJD thotë se duhet ta marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.” sn

Kosova u bën thirrje qytetarëve të saj të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi

Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që janë duke udhëtuar që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër territorin e Serbisë.

Kjo thirrje, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme bëhet “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.

“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

Thirrja vjen pasi sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se autoritetet në Serbi që nga mesnata “po mbajnë të bllokuar” së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë nga Kosova.

Sipas tij, bllokimi i autobusëve në pikëkalimin kufitar Batrovci, që lidh Serbinë me Kroacinë, është bërë “në shenjë hakmarrjeje dhe nervozizmi absurd” ndaj votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Bllokimi i më shumë se 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Haxholli tha se pasi që Zyra Ndërlidhëse serbe është duke komunikuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës, duke shtuar se synon që të udhëtojë drejt pikëkalimit kufitar Serbi-Kroaci për të parë nga afër gjendjen e qytetarëve të Kosovës që mbeten të bllokuar atje.

Më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.

Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte. REL

Deputeti ukrainas flet shqip në KiE: Kosova është Evropë, Serbia ta harrojë perandorinë e madhe

Deputeti ukrainas, Olekseiy Goncharenko, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) ku po diskutohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në KiE, mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Dua të përgëzoje Kosovën. Jam i sigurt që do të ketë vendim pozitiv dhe Kosova e meriton 100 për qind. Është një moment i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë ne. Sepse, bota e lirë duhet të bëhet bashkë. Bota e lirë duhet të jetë e bashkuar. Tiranitë e perandoritë po përpiqen të bëjnë hakmarrje. Shikojeni çka po ndodhë. Putini po përpiqet ta rindërtojë perandorinë ruse… Shikojeni çka po ndodhë në Ballkan, ku Rusia po përpiqet t’i hedhë benzinë zjarrit, të ketë luftëra të tjera. Ky hap është kundër kësaj… Kosova duhet të jetë anëtare e KiE, anëtare e BE-së. Kosova është Evropë dhe kjo është e vërtetë”, ka thënë Goncharenko.

Deputeti në fund të fjalës së tij ka pasur edhe disa fjalë për Serbinë, duke i bërë thirrje t’i shkëputë lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin.

“T’i drejtohem Serbisë, shiheni vendet tjera në histori. Kemi pasur kënaqësinë të punojmë me një Serbi demokratike. Nuk ndërtohet më perandoria serbe. Nuk ka mundësi në Ballkan. Nuk ka më vend në Evropë për perandor”, ka thënë deputeti ukrainas.

Shpërthime dhe zjarre në aeroportin ushtarak rus në Krime

Grupi i monitorimit Krime Wind raporton se gjatë natës ka pasur shpërthime dhe zjarre të mëdha brenda dhe pranë aeroportit ushtarak rus të Dzhankoy, në Krime, një gadishull i aneksuar në mënyrë të njëanshme nga Moska dhjetë vjet më parë.

Mediat ukrainase tregojnë imazhin e flakëve në aeroport. Sipas banorëve, shpërthimet kanë ndodhur para se të shpallej alarmi për sulm ajror.

“Sateliti VIIRS/Suomi NPP regjistroi gjashtë shpërthime zjarresh të fuqishme në aeroportin ushtarak rus Dzhankoya. Ora e rikuperimit ishte 3.41 e mëngjesit me orën e Moskës”, thotë Krime Wind.bw

Albin Kurti: ‘Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës’ – Fitoi demokracia! Vetëm 1 hap larg anëtarësimit në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas votimit në Asamblenë Parlamentare, ku kërkesa për anëtarësimin më Këshillin e Europës mori një ‘po’.

‘Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës’, shkruan Kurti në Facebook.

Gjithashtu Kurti theksoi se ‘nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut’.

Postimi i plotë:

Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë.

Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut.

Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet anëtarësimin e Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet anëtarësimin e Kosovës

 

Asambleja Parlamentare ka votuar PRO, Kosova drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, raporton Gazeta Express.

Paraprakisht, Asambleja i hodhi poshtë me rend amandamentet e propozuara nga Serbia.

Më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë disa amandamente tjera që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi ika plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Tani, fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.


Send this to a friend