Që fare i ri, në mendjen time ka bërë vend ideja se vepra më madhështore prof. Ramadan Sokolit ka qene dinjiteti i tij. Ai mbeti i denjë në një kohe krejt te padenjë. Ai e ruajti dinjitetin edhe në një kohë të neveritshme, kur dinjiteti qe bërë një barre e bezdisshme, gati e rrezikshme, që sillte me shume telashe se sa ndere, kur personaliteti i të gjithë kombit kishte rënë në fund te këmbëve qoftë edhe per një vend pune,një të drejtë studimi, për një rrugë jashtë shtetit, për një emërim në qytet, por edhe thjesht për ta ndjere me te sigurt vetë ekzistencën që për hir të vërtetës, gjendej nën kërcënim konstant.
Dhe ndërkohë ai qëndroi si mirazhi i një ishulli te pa kontaminuar, të pa sulmuar nga minjtë, që ngjante sikur nuk kishte lidhje me atë bote të rrejshme e hipokrite qe shtrihej tej ujrave te tij. Se ishte një kohë kur edhe ata që shkruanin për peshqit, derrat, naftën, e ku ta di unë, ndjenin nevojën të shtonin ndonjë citat te diktatorit a ndonjë reference politike në punimet e tyre. Ramadan Sokoli kurrë nuk pranoi te behej kloun qe të fitonte kredibilitet politik në syte e regjimit.
Kjo nuk ishte aq e thjeshte e aq pa pasoja sa duket. Pjesa me e madhe e veprave te Profesorit nuk janë botuar nga Akademija, Institutet përkatëse apo Shtëpia Botuese 8 Nentori, qe ishte enti zyrtar i botimeve te asaj natyre. Librat e tij i janë dhëne lexuesit në trajte broshurash me leter te njëjtës cilësi si ajo thasëve te çimentos, nga Shtëpia Qendrore e krijimtarisë popullore. Kam parasysh libra si ai për instrumentet muzikore te traditës, morfologjinë e folklorit muzikor, këngët popullore, për figurat e ndritura etj, qe sillnin te dhëna krejt te panjohura me parë apo që në profilin e tyre hidhnin drite e shërbenin për vëzhgime më të thelluara në vazhdimësinë iliro-shqiptare.
Askush nuk më ka njohur me të, por me duket se kemi qene gjithnjë të njohur. Ai banonte te rruga e Durrësit, diku përballë midis asaj qe thuhej se kishte qene libraria e Lumo Skendos, une diku nja njëqind metra me poshtë.
Në një moshe kur ende merrnim një cope buke në dore dhe zbrisnim poshtë te trotuari i rrugës për të luajtur me një top llastiku, pothuaj gjithnjë do te shihja te kalonte atë burrë te jashtëzakonshëm me fizik madhështor, balle te gjërë e me një redingote stofi te lehte, ngjyre gri e me katrore disi me te errta.
Te gjithë në kalamajtë, ndalonim menjëherë lojën sa te kalonte ai, nga druajtja se mos e cenonim sadopak apo e detyronim të ulte kokën, ndërkohë që vështrimi i tij vizonte gjithnjë përpara. Kjo gjë nuk ndodhte me kalimtaret e tjerë, edhe kur ata ishin me spaleta.
Duket dikur kemi nisur te flasim krejt natyrshëm. Dikur ai kuptoj një trishtim jo të zakonshëm, qe nuk kisha ditur ta fsheh. Me pyeti se çfarë kisha dhe i tregova se nuk me kishin nxjerre te drejtën e studimit. Në fakt nuk ishte ndonjë problem politik, por në atë kohe kishte kritere krejt absurdë si, nëse u jepej e drejta e studimit dy fëmijëve te parë, i treti përjashtohej. Kisha menduar se je me i mençur se kaq, me tha profesori. Diplomat sot vetëm se legalizojnë injorancën, shtoi pastaj. Mua asnjëherë nuk me ka shqetësuar kjo pune, me ngushëlloi përsëri, kur po ndaheshim.
Në një rast, diku aty nga fillimi i viteve 70-te, kur po ktheheshim bashke nga Biblioteka Kombëtare, ai me ftoi te ngjitesha në ndërtesën ku banonte. Me kujtohet se qe një apartament jo i madh, në katin e dyte te asaj ndërtesës qe përmenda në fillim. Aty me njohu me te shoqen dhe te bijën, një vajze thuajse moshatare me mua, shume simpatike, me flokë kaçurrela te zinj, e faqe me mollëza çuditërisht shume të kuqe.
Banesa e tij duhet te ketë qene nga te paktat shtëpi qytetare e viteve ’30 qe nuk ishte prishur në atë zonë, për tu zëvendësuar me pallate te stilit sovjetik, të ndërtuara kryesisht nga të burgosurit.Në mjedisin që përdorej edhe si kuzhine e dhome ndenjeje, në te djathte te atij korridori jo te gjate, syte me zunë një vëllim shtesë te enciklopedisë Treccani. Nuk e di nëse e kishte aty për ta konsultuar apo ishte e tija, por për mua ishte fjala per një liber qe e vleresoja veçanërisht. Vec shtesave te mëvonshme ai botim kishte, po nuk gabova, 34 vëllime dhe per hir te se vërtetës duhet thëne se ishte në shërbim te lire edhe në sallën e leximit te Bibliotekës Kombëtare, kati i parë. Pra shfletohej pa autorizim te veçantë. Entuziast sic isha duke e rrotulluar neper duar i thash profesorit, një shprehje te lexuar diku, se vërtet ai libër mbase ishte nga ato vepra që do t’i mbetej fashizmit.
Në të vërtetë, ende nuk njiheshim aq sa t’i lejonim vetes te flisnim me shume, por më tej ai me tha diçka qe nuk e dija. Me tha se kur u mor vendimi i hartimit te Treccanit, komisioni italian u beri thirrje edhe studiuesve shqiptarë, se ishin te mirëpritur te bashkëpunonin e te propozonin zëra te ndryshëm per t’i trajtuar e botuar në të. Në te vërtetë bota shqiptare aty është trajtuar shume mire dhe ndikimi i ideologjisë fashiste është gati i papërfillshëm.
Shpesh here profesor Sokoli me fliste me entuziazëm per një periudhe te rëndësishme te jetës se tij, atë të ekspeditës shqiptaro-gjermane, diku nga mesi i viteve 50-te. Ndonëse ishte Bernardin Palaj dhe një plejade e shkëlqyer françeskanesh që kishin mbledhur Ciklin e Kreshnikeve, në te vërtetë ata nuk kishin lëne shume dokumente zanore e vizive. Ishte thuajse e pamundur në atë kohë. Në ketë ekspeditë, në te cilën profesori përfaqësonte palen shqiptare, ai mori vlerësimet më të mëdha si njohës i etnosit shqiptar dhe me dituritë e tij te shumanshme u dha zgjidhje mjaft problemeve te komplikuara, qe studiuesit gjermane nuk i njihnin sikundër ai.
Duket ishte nga te rrallët qe mund te hidhte në letër muzikën e instrumenteve qe përdornin rapsodët e vjetër e te gjente lidhjet shume disiplinore te natyrës së ekspeditës.
Në një rast, kur një farë studiuesi nga Durrësi, nga ata qe midis shokësh i quanim gardiste te kuq, një tip i tille pra që botonte në gazetën Drita poezi per Marksin, nisi dikur te publikonte shkrime edhe për Jan Kukuzelin, Andrea Aleksin dhe figura te tjera, shumicën e te cilave i kishte zbuluar e shkruar së pari profesor Ramadani. Çudia ishte se personi në fjale asnjëherë nuk merrte mundimin te citonte autorin e vërtetë te zbulimit te atyre figurave.
Mua kjo mu duk një pune e dyshimtë dhe gjeta rast dhe ia thashë profesorit. Jam i sigurte se ai i kishte lexuar ato shkrime, por krejt indiferent me pyeti se si quhej plagjiatori në fjale. I thashë emrin dhe nuk e harroj sot e kësaj dite një lëvizje të dorës në ere, sikur te qe fjala për te larguar një insekt per te cilin nuk ia vlente të flitej.
Ndonjëherë merrja guximin te beja edhe ndonjë debat me te. Me kujtohet njëherë kur i shpreha dyshimet e mia për origjinën shqiptare te arkitekt Sinanit. Në te vërtetë per ketë arkitekt te madh qe i ra në sy sulltan Sulejmanit kur në një situate te rrezikshme duke ngritur me shume shpejtësi disa ura mbi një lume të rrëmbyer në Iran, ka vetëm një të dhëne qe thotë se ai ishte nga krahinat e krishtera te perandorisë. Te niseshe nga kaq gje per te thëne se ishte shqiptar, unë per ketë nuk isha shume i bindur.
Në te vërtetë, për Sinanin si shqiptar është folur që në kohe te monarkisë, madje në Tirane ka patur edhe një rruge me emrin e tij. Profesori m’u përgjigj me një arsyetim teper interesant per nevojën e hapjes se debateve për te njohur me thelle te kaluarën kulturore te kombit, pastaj kërkimet në arkivat e huaja do te jepnin me shume detaje.
Atij vetë iu desh një vullnet titanik per te bere atë vepër qe beri në ato kushte qe i njohim te gjithë. Në vitet e mëvonshme do t’i ktheheshim shpesh here kësaj teme.
Profesor Ramadani ishte një kompozitor me shije te hollë. Por edhe në ketë fushe ai ruajti dinjitetin një artisti te vërtetë. Jo vetëm që në muzikën e tij nuk lejoi te vihen vargje idiote me kooperativistë a me ngjyresa politike, qofte edhe te largëta fare, por me kujtohet se sa i revoltuar ishte një dite kur e pashe duke dale nga një redaksi muzikore e Radios.
Duke e ndjere se kishte diçka qe nuk shkonte, e ftova në zyrën time. Aty me shpjegoi se prej kohesh kishte dorëzuar për regjistrim, në mos gaboj, gjashte suita te vogla muzikore mbi motive popullore dhe në redaksi i kishin kërkuar te bënte disa ndryshime. Natyrisht te fuste pak “drite”, pak optimizem… por kujt ia kishin kërkuar ketë?
Sot kam shume kureshtje te di nese dikush i ka gjetur këto pjese dhe nëse janë në repertorin e ndonjë orkestre. Personalisht, te fundit muzike qe kam dëgjuar në prani te tij, te klubi i Lidhjes, ka qene një partiture e Jan Kukuzelit, te cilen ai vetë e kishte transkriptuar nga sistemi muzikor bizantin në ate te sotmin.
Për një rastësi te çuditshme, për here te fundit jam takuar me te një dite me parpara se te ikja, pa kthyer kryet nga ai vend. Ndaluam dhe biseduam mbi një trotuar të rrugës së Barrikadave. Ate ishte e kote ta ftoje per ndonjë kafe, sepse kurrë nuk futej neper lokale. Ajo që mbaj mend mire është trishtimi qe shprehte për ngjarjet tragjike te atij viti te keq, 1997.
Biseduam aty deri vonë fare, siç kishim bërë vite te shkuara duke ecur ngadalë netëve te buta te verës në trotuarin e rruges se Durrësit, ku edhe banonim, por aq pezm kurrë nuk kisha pare në fjalët e tij.
Dikur mbas mesnatës i dhamë dorën njëri tjetrit e u ndamë, natyrisht pa e ditur se nuk do te shiheshim me kurrë.
Ai mbeti në mendjen time si një qytetar i një Shqipërie tjetër. Mbase i një Shqipërie që nuk ekzistonte e nuk do të ekzistonte kurrë.
Komentet