VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Rama: Ne mundëm Saliun, ja pse do blejmë vota për të mundur Lulin (video)

By | April 4, 2019

Komentet

Flet detektivi: Si i vidhnin sekretarët e partive fëmijët në maternitet

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, jo pak nëna kanë vajtuar fëmijët e tyre të gjallë. Në maternitet u thuhej se kanë vdekur, por në fakt bebet ndërroheshin. Njerëzit me pushtet që u vdisnin fëmijët gjatë lindjes, i ndërronin ata me fëmijë të shëndetshëm.

 

 

I ftuar në emisionin “Fol me Psikologen” të gazetares Ervisa Lula, Drejtori i “Institutit të Detektivëve Privat”, Ndue Pjetra, ka shpjeguar se si ndërroheshin foshnjet në maternitet, në Shqipërinë komuniste.

 

Kemi shumë raste në Shqipëri kur ju kanë thënë në maternitet se ju ka vdekur fëmija. Sekretari i partisë apo njerëz të tjerë me pushtet në atë kohë pasi ju kishte vdekur fëmija i tyre donin me çdo kusht t’i thoshin gruas se e kishte fëmijën gjallë. Prisnin në maternitet 2-3 ditë që të vinte dikush, t’i linin fëmijën e vdekur tjetrit dhe të merrnin fëmijën e tij. Këto histori kanë ndodhur në kohën e komunizimit, janë shumë të vështira, por ne kemi mekanizma të tjerë për t’i gjetur…”, ka deklaruar Pjetra.

(Video) Festivali Shqiptar i Usterit Masaçusets Nga Ardian Murraj

Festivali Shqiptar i Usterit, Masaçusets është një ndër veprimtaritë e pandërprera të bashkëatdhetarëve. Pika kulmore arrin me mbajtjen e tij çdo dy vjet, por organizimi dhe përgatitjet janë të përditshme. Çdo e Dielë pas meshës në Kishën “Fjetja e Shën Marisë” të ndesh me grupet punës ku ndër to dallon që nga përgatitjet e fëmijve artistë e vallëtarë me prindrit e tyre e deri tek vullnetarë që duan të japin ndihmesën e vet në bazë të aftësive dhe kohës dhe të diskutojnë me veprimtarë të dalluar në organizimin e kësaj sipërmarrje të madhe. Për të kuptuar vërtetë ndjesinë e Festivalit mënyra më e drejtpërdrejtë ishte realizimi i një numuri të gjerë intervistash ku zbulon dëshirën e pjesëmarrjes, ndihmën dhe vullnetarizmin, përkushtimin dhe krenarinë, historinë, trashigimninë kulturore dhe integrimin bashkëatdhetarëve.

Rritja e ndjeshme në numër e shqiptarëve të ardhur pas viteve 1990 dhe krijimi i familjeve të reja sot përfqësohet dukshëm edhe nga përkushtimi i brezit të ri që gjallëron trashigiminë dhe shpreh krenarinë e prejardhjes duke mishëruar përfshirjen në zhvillimet e SHBA-ikës me cilësitë e punës, dijes dhe kulturës.

Puna e dhjetra vullnetarëve dhe ndihmesa e bizneseve zbulohet në bashkëbisedimin me disa sipërmarrës shqiptarë në qytetin e Usterit që rreth Kishës “Fjetja e Shën Marisë” shprehin dëshirën dhe investimin për trashigiminë kulturore, gjuhën, kostumet popullore, muzikën dhe vallet, kuzhinën dhe mikpritjen duke u bërë tërheqës të mijëra vizitorëve në ditët e bukura të pranverës.
Të ardhur fillimisht më 1876, shqiptarët e Usterit përbëjnë pafrikë dhe qytetin me dëndësi më të madhe të shqiptarëve të vendosur në amerikë.

Festivali që vazhdon të mbahet dhe të zgjerohet çdo dy vjet është jo vetëm një tregues i shprehjes së gjallërisë shqiptare për njohjen vlerave të Shqipërisë përkrah shumë kulturave të tjera që kanë përqafuar jetën amerikane, por njëkohësisht është veprimtaria e festës së identitetit, mirënjohjes dhe e harmonisë.

Festivali Shqiptar i Usterit Masaçusets vlerësohet si një ndër veprimtaritë me moshë më të hershme të bashkësisë shqiptare në SHBA.

 

 

 

“Ndaj çdo akti që cënon lirinë e medias”, gazetarët sot në protestë (video)

Një tjetër protestë zhvillohet sot, por këtë radhë nga ata që sjellin lajmet në çdo shtëpi, gazetarët. Protesta është njoftuar dy ditë para, pas disa episodeve të ndodhura së fundi, ku janë cenuar gazetarët.

Dorjana

Njoftimi i gazetarëve
GAZETARËT NË PROTESTË
Ditën e premte (12.04) rojet e sigurisë së Prokurores së Përgjithshme të Përkoshme, Arta Marku, ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, gjatë kohës që po kryente detyrën e tij.
Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit Investigativ “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën.

Forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”.
Dhuna policore qëlloi mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimin të protestës së opozitës.

Komuniteti i gazetarëve dënon keto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias. Këto veprime cënojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias.

Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias.
Si reagim i fortë ndaj dhunës që kërcënon gazetarët, heshtjes së institucioneve përgjegjese për të dënuar këto akte, kemi vendosur që ditën e Dielë ora 16:00-17:00 para Prokurorisë së Përgjithshme të protestojmë.

Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshmë të kërkojë falje për aktin e kryer.
Ne kërkojmë zbatimin e ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës.
Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë!
Ne protestojmë për çdo akt që cënon lirinë e medias dhe gazetarit!
Lajmësi është i shenjtë!

Intervista – Gjonaj: Shqiptarët duhet të rikthejnë vëmendjen tek lobizmi

Udhëheqësit e Kosovës dhe Shqipërisë duhet ta përqëndrojnë vëmendjen tek lobimi në Uashington, sepse vitet e fundit Serbia ka bërë hapa të mëdha në këtë drejtim, thotë Mark Gjonaj anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se është përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve që ta kujtojnë botën dhe aleatët e tyre për krimet që kanë bërë sërbët në Kosovë. Zoti Gjonaj është pjesë e një grupi të komunitetit shqiptaro-amerikan që këtë fundjavë shkon në Kosovë për të nderuar kontributin e batalionit “Atlantiku” në luftën e vitit 1999 si dhe për të rritur ndërgjegjësimin për të zhdukurit dhe viktimat e dhunës seksuale. Me zotin Gjonaj bisedoi kolegu Festim Gashi.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj, këtë fundjavë ju shkoni në Kosovë me një grup të komunitetit shqiptaro-amerikan për të kujtuar rolin e batalionit “Atlantiku” që luftoi në luftën e vitit 1999. Çfarë mesazhi do të dërgoni në Kosovë?

Mark Gjonaj: Së pari duhet të kujtojmë se njëzet vjet më parë, miku ynë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët e saj kontribuan në dhënien fund të krimeve të luftës në Kosovë, që ishte një krizë e vertetë humanitare. Mesazhi që do të dërgojmë është i dyfishtë, nderimi i aleatëve që ndihmuan njerëzit tanë në momentet tona më të errta dhe nderimi i komunitetit shqiptaro-amerikanë, batalionit tonë “Atlantiku”, veçanërisht ato gra dhe burra që bënë sakrificën më të madhe, duke shkuar në vendin amë për të luftuar për liri dhe për njerëzit e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj, njëzet vjet pas mbarimit të luftës në Kosovë, 1696 njerëz ende figurojnë të zhdukur. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet bërë ndryshe në përpjekjet për gjetjen e tyre?

Mark Gjonaj: Së pari duhet të sqarojmë atë që ka ndodhur. Pavarësia e Kosovës u pagua me gjak, djersë dhe lot. Afër 14 mijë njërëz u vranë, 1696 ende të zhdukur, 20 mijë gra të dhunuara, 800 mijë njerëz u larguan me forcë nga vendi i tyre, dhe mbi 100 mijë shtëpi u shkatërruan. Këtu nuk ka asgjë të re. Shqiptarët ishin objekt i masakrave për shumë shekuj. Në dimrin e vitit 1878-1879, kur 35 mijë shqiptarë u vranë, gjatë luftës ballkanike të viteve 1912-1913, 120 mijë shqiptarë u vranë, në masakrën e Tivarit 5 mijë shqiptarë u vranë, dhe kishim luftën me të fundit në Kosovë. Dhimbja e tyre ende po ndihet edhe sot. Kemi familje që kanë humbur të dashurit e tyre , të cilët çdo ditë përballen me humbjen e anëtarëve të familjeve të tyre, të vrarë nga dora e armikut tonë, në këtë rast Serbisë. Duhet t’ia kujtojmë vetes se askush nuk është përgjigjur për krimet e luftës dhe masakrat deri më sot. Kemi 1696 njerëz që ende janë të zhdukur. Duhet ushtruar trysni ndaj Serbisë për këtë çështje, dhe ne duhet të ngrejmë zërin që të ketë përgjegjësi për krimet dhe masakrat që janë bërë në Kosovë. Ne gjithashtu duhet të vazhojmë kërkimet për gjetjen e trupave të të dashurve tanë. Kjo dhumbje po bën jehonë në mbarë Kosovën dhe në mbarë komunitetin shqiptar sot. Ne kemi nevojë për një ripërqëndrim të vëmendjes në krimet e vërteta. Sot Serbia, agresori i vërtetë, është bërë viktimë dhe viktimat janë bërë agresorë. Kjo është për të ardhur keq. Udhëheqësit tanë duhet ripërqëndrojnë vëmendjen tek lobimi në Uashington dhe në komunitetin ndërkombëtar për t’ua kujtuar atyre çmimin që është paguar gjatë kësaj lufte. Serbia po shpenzon 30 milionë dollarë në vit për lobizëm vetëm në Uashington. Ka ardhur koha që komuniteti shqiptaro-amerikan të bashkohet përkrah Kosovës dhe të Shqipërisë për t’u ripërqëndruar tek çështjet reale. Këto pyetje duhet të marrin një përgjigje dhe kriminelët e luftës duhet të japin llogari për krimet që kanë bërë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj, komuniteti shqiptaro-amerikan ka dalur me një projekt për vendosjen e shumë flamujve të zi me shqiponjën e kuqe në autostradën që lidh Shqipërinë me Kosovën, për të kujtuar të zhdukurit dhe të rënët e luftës së vitit 1999. Si doli kjo ide dhe a ka një mbështetje të madhe për të nga njerëzit në Kosovë?

Mark Gjonaj: Së pari unë dua të falenderoj komunitetin shqiptaro-amerikan për bujarinë e tyre për ta bërë të mundur këtë projekt. Qëllimi është që të kemi një flamur për çdo viktimë të luftës në Kosovë në autostradën që lidh Tiranën me Prishtinën. Në mesin e tyre do të jenë 1696 simbole të zeza. Do të jenë flamuj të zi me shqiponjë të kuqe dhe më emrat e viktimave dhe personave të zhdukur. Mbishkrimi “Për Viktimat dhe të Zhdukurit” në simbolin e këtyre flamujve është për të na kujtuar ne dhe këto familje që kanë patur humbje të tmerrshme se ne nuk e kemi harruar këtë. Kjo po bëhet për t’ia kujtuar popullit shqiptar koston e luftës dhe shpresojmë që të ripërqëndrojmë vëmendjen tek çështjet me përparësi. Duhet t’ia kujtojmë komunitetit ndërkombëtar se Kosova kurrë nuk e ka lënë tryezën e negociatave, por është Serbia ajo që është larguar nga negociatat dhe ka përdorur një tarifë të thjeshtë që nuk ka asnjë ndikim në ekonominë e tyre, ndërsa Serbia nuk u përgjigjet pyetjeve se ku janë kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Pasojat e luftës së vitit 1999 ende po rëndojnë mbi njerëzit e Kosovës. Forcat serbe, përveç pushkëve dhe tankeve, përdorën edhe dhunën seksuale si një armë kundër popullatës shqiptare. A mendoni se është bërë mjaft nga komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet vendase për të trajtuar këtë lloj krimi?

Mark Gjonaj: Së pari, qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaft për të njohur këto viktima. Njëzet mijë gra janë përdhunuar. Shumica e atyre që kanë marrë guximin të flasin për këtë krim ndjehen të turpëruara për shkak të qeverisë dhe janë heshtur nga qeveria jonë. Këto gra nuk kanë patur një përmbyllje të këtij kapitulli të rëndë të jetës së tyre, pra që këta kriminelë të nxirreshin para drejtësisë. Kështu që ne jemi të angazhuar në një program për rritjen e ndërgjegjësimit, jo vetëm të bëhemi një zë për këto gra, por që t’ua kujtojmë të gjithëve krimet e luftës që janë bërë. Ne kemi hedhur idenë për mbledhjen e 20 mijë vathëve që do të simbolizonin gratë e përdhunuara dhe do të vendoseshin në një objekt të caktuar. Ne shpresojmë që të rinjtë do t’i bashkohen kësaj nismeje për t’ia kujtuar botës krimet e luftës në Kosovës dhe tragjeditë me të cilat këto gra ndeshen. Shumica e këtyre grave thonë se më mirë do të ishte të vriteshin se sa t’i mbijetonin përdhunimit, padrejtësive dhe të bëheshin me turp nga njerëzit e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj, komuniteti shqiptaro-amerikan ka ndihmuar Kosovën në shumë aspekte. A jeni të kënaqur me rezultatet e kësaj ndihme?

Mark Gjonaj: Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë më shumë. Komuniteti shqiptaro-amerikan nuk e ka harruar atdheun ose detyrimin ndaj tij. Ne e dimë se ai shpesh është përmendur për punën që ka bërë për pavarësinë e Kosovës. Pa ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan, Kosova nuk do të ishte shteti i lirë që është sot. Kjo, për shkak të energjisë dhe përpjekjeve të bashkuar që ne kemi bërë, jo vetëm nga ky komunitet por edhe nga udhëheqësit botërorë. Ne duhet të vazhdojmë të përqëndrohemi tek e ardhmja, por gjithashtu duhet të kërkojmë llogari nga udhëheqësit tanë për t’u siguruar që ata vazhdojnë të jenë të përqëndruara nga çështjet që ndodhen para nesh. Ne e dimë se mund të arrijmë gjëra të mrekullueshme kur punojnë së bashku, kur jemi të bashkuar me një mesazh, me një fokus. Sot ndodhemi në këtë pikë si komunitet. Kemi humbur shumë në 20 vitet e fundit, kemi humbur përqëndrimin tonë. Shumë nga aleatët dhe miqtë tanë të cilët ende na mbështesin duhet të kujtohen prej nesh për arsyen pse na ndihmuan. Dhe kjo është një përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, por më tepër e dy qeverive dhe udhëheqësve tanë të të gjitha fushave.

Zëri i Amerikës: Menjëherë pas mbarimit të luftës, shqiptarët u kthyen në shtëpitë e tyre në Kosovë, megjithatë sot ne po shohim largimin e një numri të madh njerëzish. Sipas mendimit tuaj, çfarë po ndodh, çfarë po i shtyn njërëzit të largohen nga vendi?

Mark Gjonaj: Është e vështirë, veçanërisht për të rinjtë, kur nuk shohin një të ardhme të ndritur dhe përparim ekonomik. Njerëzit e Kosovës ende po vuajnë. Ata nuk kanë qenë në gjendje të ndërtojnë një bazë të fortë për rritje ekonomike. Gjendja jo e mirë ekonomike është një nga arsyet pse njerëzit largohen. Qeveria nuk ka bërë mjaft për ta stabilizuar rajonin. Një nga problemet që kemi është mungesa e balancës tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova importon shumë nga Serbia, dhe eksporton shumë pak. Kjo çështje duhet të trajtohet dhe të ketë një balancë dhe reciprocitet në shkëmbimet tregtare të Kosovës me Serbinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj, Kosova ende po përballet me një sfidë të madhe, ngërçin në dialogun me Serbinë dhe reagimin ndaj tarifës 100 për qind të vendosur ndaj mallrave serbe. Shumë analistë thonë se vendosja e tarifës ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj perëndimorë. Si e shihni ju këtë?

Mark Gjonaj: Kemi të bëjmë me Serbinë, e cila po shpenzon dhjetra miliona dollarë për lobizëm në Uashington dhe po bënë hapa të mëdhenj në këtë drejtim. Është një padrejtësi e madhe ndaj Kosovës për tregtinë. Produktet e Kosovës nuk mund të hyjnë në Serbi. Kamionët tanë ndalen në kufi dhe nuk mund të futen në Serbi me targat e Kosovës. Padrejtësia po u ndodh shqiptarëve të Kosovës. Kosova është një vend i pavarur dhe duhet të lejohet të veprojë për interesat e saj më të mira. U bëj shqiptarëve të Kosovës që të bojkotojnë të gjitha produktet serbe derisa Serbia të kthehet në tavolinë e bisedimeve me vullnetin për të ndjekur penalisht të gjithë kriminelët e luftës.

BIRN publikon videon: Policia sulmoi drejtpërsëdrejti gazetarët me ujë me presion

Agjencia e lajmeve “BIRN” ka publikuar një video ku shihet se Policia e Shtetit ka lagur me ujë me presion gazetarët dhe kameramanët të cilët po raportojnë prej disa orësh në protestën e opozitës para godinës së Parlamentit.

 

Siç shihet nga video e publikuar nga agjencia BIRN, autoboti i policisë ka hedhur ujë në drejtim të përfaqësuesve të medias.

“Një akt i paprecedent nga policia e shtetit. sulmohen drejtpërsëdrejti gazetaret dhe fotoreporteret me ujë me presion”, thekson BIRN.

Foto+Video/ Po shkonte në redaksi, policia dhunon gazetarin Nikollë Lesi

Gazetari Nikollë Lesi është dhunuar nga policia gjatë protestës së sotme. Ai po shkonte në redaksinë e gazetës në kohën që policia tentoi ta arrestojë me dhunë.

Forca të shumta policie, edhe ato të repartit “Shqiponja”, dolën para makinës së drejtorit të “Koha Jonë” dhe tentuan ta marrin me forcë për në komisariatin e policisë. Nuk dihet të ketë ndonjë arsye për këtë veprim. Lesi sqaron për News 24 gjithçka ndodhi, ndërsa tregon edhe shenjat në trup.

 

“Ishin 8 deri 10 policë që më kanë dhunuar. Isha në makinën time dhe po ikja në redaksi. Policët ishin të tensionuar sapo më njohën. Unë si gazetar po ndiqja protestën. Dolën përpara meje dhe më rrethuan makina policie, Shqiponjat, etj. Iu thashë se po ikja në zyrën time në redaksi dhe isha korrekt në çdo gjë. Ata m’u turrën dhe donin të më nxirrnin me forcë nga makina. Më shqyen dorën e majtë, mbylla menjëherë dorën e makinës. Policia donte të më shoqëronte në komisariat, por për fat të mirë nuk ndodhi. Policia ka frymën e pushtetit. Fryma e këtij pushteti ka shkuar deri te polici i thjeshtë. Jam gazetar që bëj kritikat e mia normale gazetareske”,– thotë ai.

Mustafaj: Vetëvendosje parti brenda sistemit (video)

Ish-deputeti demokrat Besnik Mustafaj i ftuar në studion “Opinion” të studios së lajmeve në “News 24” tha se nuk sheh ndonjë hap nga pozita ose opozita për të gjetur zgjidhje për krizën.

Mustafaj foli edhe për nevojën e partive të reja, ndërsa vlerësoi se Vetëvendosje është një parti brenda sistemit.

“Pozita dhe opozita duken tepër të larguara dhe nuk shoh vullnet për të zgjidhur krizën. Po, besoj se duhen parti antisistem. Kështu lindën parti antisistem dhe morën pushtetin në Itali, edhe Trump në Amerikë ishte antisistem. Ndërsa Vetëvendosje që kërkon të jetë edhe në Shqipëri parti, nuk është një parti antisistem. Vetëvendosje ka pasur shumë deputetë në parlamentin e Kosovës, ka marrë pjesë në Komisione në Kosovë dhe madje ka udhëhequr edhe Prishtinën”, deklaroi Mustafaj.

Ministri serb në Qeverinë e Kosovës: shqiptarët janë gjakpirës e terroristë

Ministri i MAPL-së në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijevic e ka ndjekur rrugën e ish-zëvëndësministres, Vesna Mikic.

Në datën që kujtonte 20 vjetorin e bombardimeve të Nato-s, Teodosijevic ka bërë një deklaratë diskrikiminuese dhe turpëruese.

Ministri nuk ka ngurruar t’i quaj shqiptarët terroristë, ndërsa masakrën e Reçakut e quan të trilluar.

“Arsyeja për agresion në shtetin tonë ka qenë e ashtëquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi. Masakra e Reçakut ishte trillim, kurse janë terroristët shqiptarë atë që trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi. Për këtë, sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtëquajtur paqësor në Kosovë e Metohi” ka thënë Teodosijevic në Zveçan.

 

(Video) Haradinaj nga SHBA flet për taksën 100%: Jam ushtar i Amerikës që zbatoj urdhra!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku mori pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe takime tjera me përfaqësues të komunitetit shqiptar, autoritete të Detroit-it dhe zyrtarë tjerë të SHBA-së ka folur edhe për taksën 100%.

Ai në një intervistë ka ripërsëritur edhe njëherë se raportet mes Kosovës e SHBA-ve janë të mira dhe se taksa 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake është bërë kundër Serbisë dhe interesave të Rusisë në Ballkan.

“Populli shqiptar krejt ku jemi në trojet tona i takojmë asaj që udhëheqë Amerika. Në krejt planin global ne jemi bashkë. Marrëdhënia e Kosovës me Serbinë është e ndjeshme për shkak se kemi pasur luftë e tragjedi”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se qëndrimet e Qeverisë lidhur me taksën kanë të bëjnë me Serbinë dhe Rusinë. Tha se është ushtar i Amerikës në terren duke zbatuar urdhrat e saj.

“Qëndrimet tona lidhen me Serbinë e Rusinë. Janë të ngjashme me ato qëndrime që i ka Amerika edhe kuptohet ata që janë në terren, edhe unë jam si ushtar i Amerikës në teren. Unë vetëm një urdhër po e zbatoj si e parasheh tereni. Unë besoj që duke e forcuar Kosovën e forcojmë edhe interesin Amerikan dhe largojmë edhe interesin rus dhe të tjerëve”, përfundoi Haradinaj.

Ndryshe, Haradinaj ka udhëtuar për në SHBA gjatë ditës së premte nga ku ka thënë se atje do të ketë takime të ndryshme edhe me zyrtarë amerikanë./

Pritje prej ‘heroi’, Haradinaj elektrizon shqiptarët në Amerikë (video)

AMERIKË

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është pritur si ‘hero’ nga komuniteti shqiptar në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyra e shtypit të kryeministrit, njofton se Haradinaj është ftuar nga “Komuniteti Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.


Axhenda e tij është tejet e ngjeshur, ndërsa në protokoll është parashikuar të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të komunitetit katolik shqiptar në Amerikë.

“Do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të SHBA-së”, thuhet më tej në njoftim.

Pritja e shqiptarëve ishte madhështore për Kryeministrin e Kosovës, ndërsa në sallë dëgjoheshin  thirrjet “UÇK dhe Haradinaj”. Gjithashtu nuk kishin si të mungonin në sallën ku mbahej takimi simbolet kombëtare, veshjet tradicionale të kulturës shqiptare, të cilat vijojnë të ruhen me fanatizëm nga Diaspora jo vetëm në Amerikë, por edhe në vendet e tjera të botës.

Intervista AUDIO! Çfarë tha Faik Konica për pushtimin e Shqipërisë nga Italia dhe roli i Mbretit Zog

Gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi ka publikuar një intervistë audio të publicistit të madh shqiptar Faik Konica, të cilit ia dëgjojmë zërin për herë të parë edhe pse në gjuhën angleze.

Intervista e dhënë nga Konica është bërë në radion NBC të SHBA-ve, një ditë pasi Italia Fashiste kishte pushtuar Shqipërinë me 7 prill të 1939. Konica flet për pushtimin, relatat mes Shqipërisë dhe Italisë si dhe rolin e tij e të mbretit Zog.


Postimi i plotë i gazetarit:

Po ju paraqes një material zanor të pa publikuar ndonjëherë. Është intervista e Faik Konicës, ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Uashington dhënë radios amerikane NBC më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia.Kanë kaluar 80 vjet nga ajo ditë. Pushtimi italian ishte një goditje e rëndë për ministrin Konica dhe për të tjerë që i besuan miqësisë së shtirur të Benito Musolinit. Në intervistë, Konica e quan agresionin e Italisë kundër Shqipërisë së pambrojtur “një thikë pas shpine”.

Intervistuesi quhet Hilmar Baukhage, komentator i njohur i asaj kohe. Disa orë përpara bisedës në radio, Baukhage e kishte vizituar Konicën në apartamentin e tij në Hotelin Mayfloëer të Uashingtonit, duke shprehur habi për librat e shumtë që rrethonin ministrin erudit të Shqipërisë. Ky është i vetmi zë i Konicës që njohim deri më sot. Intervistën po e bëj publike të plotë me lejen e radios NBC në Nju Jork.

“S’kemi bukë të hamë, doja të vdisja”, rrëfimi i dhimbshëm i burrit që i vuri flakën vetes (VIDEO)

Një 63-vjeçar nga lagjja “Çelepias” në qytetin e Beratit, ka tentuar t’i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes pasi është lyer me benzinë. Ngjarja ka ndodhur në lulishten e lagjes ku ai banonte dhe kanë qenë kalimtarët që kanë njoftuar patrullën më të afërt të policisë që e kanë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit.

Pasi ka marrë mjekimin në Kirurgjinë e Beratit, 63-vjeçari ndodhet aktualisht i shtruar në dhomën nr.5 të këtij reparti. Mjekët kirurgë deklarojnë se i moshuari ka djegie të shkallës së dytë në të gjithë pjesën e poshtme të trupit.

Bashkëshortët Xhevair dhe Zhaneta Gjozi tregojnë se shkak për këtë ngjarje janë kushtet e vështira ekonomike në të cilat ata jetojnë. Xhevair Gjozi shprehet se nuk e do më jetën për shkak se nuk kanë bukë të hanë, megjithatë dyshohet se ai ka edhe probleme të tjera.

Ai pohon se kjo gjendje e rënduar vazhdon prej shumë vitesh dhe ai është i sëmurë e nuk merr as pension e as kemp. Bashkëshortja e tij Zhaneta Gjoni shprehet se Xhevairi është i sëmurë dhe nuk merr asnjë kemp nga shteti.

Ajo tregon se prej shumë vitesh kujdeset për të e vetme dhe se ka kërkuar disa herë ndihmë nga shteti për ta shtruar në qendra të specializuar për kujdesin e tij. Ajo i bën apel shtetit që t’i lidhi një pension ose kemp pasi të dy bashkëshortët nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike për të jetuar. Në këto kushte Zhaneta, për të siguaruar pak të ardhura për t’u ushqyer, largohet natën nga banesa për tu kujdesur disa herë në javë për një plak të sëmurë, edhe pse detyrohet ta lërë bashkëshortin e sëmurë vetëm gjithë natën. BW