Në konferencë me ministrin e jashtëm grek, kryeministri Rama deklaroi se së shpejti pritet që Shqipëria të zhvillojë një mbledhje të përbashkët me Greqinë, për të zgjidhur problemet e njerëzve të zakonshëm, siç tha.

Këtë njoftim ai e bëri pasi dha lajmin se për çështjen e detit, dy shtetet do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare.

“Më vjen keq për patriotët e detit, por duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin se kjo e detit nuk është më çështje që të bëjnë propagandën e shtirur anti greke dhe as elektorat patriotik.

Të vetëvendosen në çështje të tjera. Kjo çështje tani do jetë në dorë të drejtësisë ndërkombëtare. Kështu fokusohemi tek bashkëpunimi ekonomik, rajonal dhe për një mbledhje të parë të dy qeverive tona për tu marrë me çështje që kanë rendësi për njerëzit e zakonshëm, shqiptarët në Greqi dhe grekët këtu”,- tha Rama.

Rama u shpreh besimplotë se do të përfundojë në mënyrë pozitive edhe heqja e ligjit të luftës.

“Nuk është ende çështje që mund ta konsiderojmë të zgjidhur por është në një diskutim shumë pozitiv dhe së shpejti kam shumë besim që do të përfundojë në mënyrë pozitive, që është heqja e ligjit të luftës. Pasi humbën detin, nacional-folklorikët patriotë do të humbin dhe tokën dhe pastaj të gjejnë në ajër ndonjë çështje dhe të krijojnë një subjekt sesi Greqia po rrit emisionet e gazit në atmosferën shqiptare, se në tokë dhe në det nuk do të kenë më çështje për tu marrë”,- tha ai.