Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar vizitën e planifikuar më 27 qershor në Uashington, pasi të mërkurën Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit ka bërë të ditur se:
“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.
Thaçi nuk tërheq kritikat ndaj Gjykatës Speciale
Veseli: Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik
“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.
“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.
Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.
Grenell: Thaçi anulon vizitën në Uashington
Edhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington.
“Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutimet, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Reagimet e qytetarëve
Reagimi i BE-së
Bashkimi Evropian ka thënë se është “mbështetës i fortë i punës” së Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale, sepse ato janë “dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit”, i cili njëherësh është element kryesor i rrugës së Kosovës në BE.
Përmes një reagimi zyrtar, BE-ja ka thënë se nuk komenton procedurat e Zyrës së Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara, sa u përket punës së tyre, dhe se këto çështje duhet të adresohen te këta mekanizma.
“Është shumë e rëndësishme që Zyra e Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara të vazhdojnë të bëjnë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje”, është thënë mes tjerash në reagim.
Haradinaj: Besojmë në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, e cila ka rezultuar më vonë me pavarësinë e Kosovës dhe se beson në pafajësinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarëve tjerë.
“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Carpenter: Pas aktakuzave ndaj Thaçit,dialogu në Uashington do të duhej anuluar
Ish-zyrtari i Pentagonit, që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, ka thënë se aktakuza e paraqitur nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të ndikojë në dialogun e planifikuar të mbahet më 27 qershor në Uashington, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter ka thënë se takimi do të duhej të anulohej, megjithatë ai thënë se nuk mund të parashikohet se çfarë do të vendosë administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, për këtë gjë.
“Unë pres që samiti të anulohet, por me administratën Trump asgjë nuk është e parashikueshme. Unë nuk mund të them me siguri se si do të reagojnë, por në këto rrethana, kështu do të duhej të reagonin”, ka thënë Carpenter.
Sipas tij, akuzat ndaj Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli janë shumë serioze dhe se ndikimi i tyre në dialog do të ndodhë për faktin se presidenti Thaçi e ka udhëhequr atë për vite me radhë.
Carpenter pret që në këto rrethana, dialogu të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Çfarë mund të ndodhë pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar?
Pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, avokati Granit Vokshi ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se cilat janë proceduarat që mund ta përcjellin këtë proces në të ardhmen.
Ai thotë se aktakuza duhet të shqyrtohet nga gjyqtari i procedurës paraprake brenda një periudhe gjashtëmujore duke nisur nga momenti i ngritjes së aktakuzës [24 prill].
“Gjykatësi brenda periudhës gjashtëmujore, e cila periudhë edhe mund të zgjatet, do ta shqyrtojë dhe do ta vlerësojë se ajo aktakuzë është e bazuar. [Gjyqtari] ka mundësi ta hedhë aktakuzën apo edhe ta konfirmojë atë”, ka treguar Vokshi.
Sipas Vokshit, në rast se aktakuza konfirmohet, atëherë pasojnë proceduarat e tjera duke nisur nga formimi i trupit gjykues.
“Me rastin e konfirmimit të aktakuzës do të themelohet trupi gjykues dhe pastaj do të futet në një shqyrtim gjyqësor. Për momentin, të përmendurit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk konsiderohen të akuzuar meqenëse ligji nuk e parasheh një gjë të tillë. Ligji nuk e parasheh që ata të quhen si të akuzuar, ata ende janë vetëm të dyshuar dhe të akuzuar bëhen në momentin kur të konfirmohet aktakuza nga gjyqtari i proceduare paraprake”, ka thënë mes tjerash ai.
Reagimet tjera pas ngritjes së aktakuzave
Autoritetet e Kosovës nuk kanë reaguar ende pas lajmit për ngritje të aktakuzave.
Mirëpo, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimin për aktakuza, e ka konsideruar krejtësisht politik.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kjo aktakuzë është ngritur në një kohë të ndjeshme kur pritet të nisin bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Deri më sot asnjë aktakuzë nuk është vërtetuar mbi pjesëtarët e UÇK-së, kështu që nuk do të ketë fakte dhe argumente që do të mund të dokumentojnë se ka pasur krime në Kosovë nga pjesëtarët e UÇK-së apo nga vetë presidenti, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Gucati ka thënë se ngritja e aktakuzës në këtë kohë është bërë për të kënaqur disa persona shqipfolës, Serbinë dhe siç është shprehur ai, për gjunjëzimin e Thaçit dhe Veselit.
Lajmi për ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale vjen pak kohë para nisjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi drejt Uashingtonit, për t’u takuar me zyrtarët serbë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Toby Vogel, ekspert në Këshillin për Politikën e Demokratizimit, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, ka bërë lidhje në mes të deklaratës së Prokurorisë në Hagë, dhe takimit të planifikuar në Uashington, më 27 qershor.
“Ka qenë e ditur që Prokuroria po punonte në aktakuzë, kështu që thelbi i saj nuk është befasi. Sidoqoftë, koha dhe formulimi i ashpër i njoftimit për shtyp, tregojnë se Prokuroria ka frikë nga një lloj marrëveshjeje e presidentit Thaçi, i cili mund të dëmtojë punën e Gjykatës. Ka mundësi që ky njoftim publik, të jetë i provokuar nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, të shtunën”, ka thënë Vogël për REL-in.
Si funksionon Gjykata Speciale?
Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Komentet