(Vota nuk është dhuratë për politikanët, por mjet i qytetarit për llogaridhënie)
Mjaft, mjaft është luajtur me durimin e qytetarëve të këtij vendi. Ne votuam ndër vite jo pse e meritonin politikanët, por pse e donim Atdheun dhe respektonim miqtë tanë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat na çliruan dhe na shpëtuan nga shfarosja.
Për hir të tyre, për hir të amanetit dhe gjakut të dëshmorëve, morëm pjesë në zgjedhje edhe kur procedurat ishin të gjata dhe të lodhshme.
Gjatë viteve ‘90, kur Kosova ishte nën regjimin shtypës të Serbisë, pjesëmarrja në proceset elektorale të organizuara nga institucionet paralele ishte akt rezistence.



Ilustrimi nr.1 – Gazeta “Bujku”, 28 maj 1992:
Bujku, si organ i pavarur i rezistencës intelektuale gjatë okupimit, dokumentoi zgjedhjet e para të lira të shqiptarëve të Kosovës. Fotoreportazhi “Populli flet me zemër” është një dëshmi historike e vendosmërisë së popullit për liri dhe demokraci.
Kurse, votimi përmes OSBE-së, në Vjenë, pas luftës, ishte për ne një shkallë e re e përfaqësimit ndërkombëtar.
Atëherë, kosovarëve jashtë vendit iu desh të rreshtoheshin me orë të tëra, të dorëzonin dokumente, të përballeshin me procedura të panjohura, megjithatë votuam me krenari.


Ilustrimi nr. 2 – Dëshmi personale dhe institucionale (2001):
Dëftesa zyrtare e OSBE-së, për votimin me postë të autorit, gjatë zgjedhjeve të pasluftës. Dokument i procedurave të vështira, afateve strikte dhe përkushtimit të diasporës për të kontribuar në proceset demokratike të Kosovës.
Votuam sepse besonim te projekti paqësor i Dr. Ibrahim Rugovës, i cili, që nga themelimi i LDK-së më 23 dhjetor 1989, bëri kompromise për të shmangur gjakderdhjen dhe për të ruajtur substancën e kombit.
Ai u përball me propagandë, sharje, fyerje dhe linçime mediatike, por nuk hoqi dorë nga strategjia e tij e qetë. Për hir të vendit, e ruajti unitetin edhe me ata që e fyen dhe e përbaltën në mënyrën më të turpshme.
Amanetin e Rugovës e vazhdoi Prof. Dr. Fatmir Sejdiu. Në vitin 2007, ai e çoi vendin drejt pavarësisë, ndonëse e dinte se brenda strukturave të atëhershme kishte njerëz të pabesë. Por, Kosova ishte mbi gjithçka, mbi LDK-në, dhe mbi konfliktet e brendshme.

Ai veproi si burrë shteti kur vendi rrezikonte të rrëshqiste në paqëndrueshmëri dhe humnerë.
Ata që sot krijojnë pështjellime e mjegulla politike nuk e kanë filluar këtë lojë dje dhe sot.
Por, që në vitet e para të pas luftës, kur institucionet ishin të brishta, grupet e interesit bënin pazare të pista, shpesh edhe me struktura kriminale që vazhduan të na terrorizonin për vite me radhë.
Për një çerek shekulli, qytetari i Kosovës është përballur me:
⦁ premtime boshe të tipit “do të rrjedhin lumenj qumështi” gjatë fushatave,
⦁ skandale korruptive që u zhdukën nëpër sirtarë,
⦁ marrëveshje të fshehta të cilat i pagoi populli,
⦁ banda kriminale që u toleruan për interesa votash,
⦁ privatizime të dëmshme që shkapërderdhen pasurinë e vendit.
Megjithatë, qytetari nuk e humbi shpresën. Ai votoi me përkushtim edhe kur sistemi e shpërfilli.
Politikanët tanë, të mësuar me privilegjet që ua sjell posti i deputetit dhe ministrit, shpesh kanë luajtur me qytetarin ashtu siç nuk do të duhej të luante asnjë udhëheqës i një vendi të sapodalë nga lufta. Shumë prej tyre i shfrytëzuan pozitat si trampolinë për pasurim personal, jo si mundësi për të ndërtuar të ardhmen e vendit.
Edhe sot, në vitin 2025, kur situata ndërkombëtare është 100% më e favorshme se dikur, kur Kosova është njohur nga 119 vende të botës, shumica anëtarë të OKB-së, liderët tanë partiakë vazhdojnë të jenë robër të inateve, të klaneve dhe të interesave partiake.
Është aq e dukshme sa që edhe nga aeroplani pa dylbi shihet se ata kanë për brengë ruajtjen e privilegjeve, e jo zhvillimin e Kosovës. Para kamerave derdhin lot krokodili, ndërsa pas shpinës së qytetarëve ruajnë hesapet e vjetra dhe interesat e ngushta.
E, ardhmja nuk ndërtohet me harresë, por me kujtesë. Historia jonë e afërt është e përgjakshme. Kemi varre të freskëta, kemi dëshmorë, kemi gjashtëdhjetë mijë ndërkombëtarë që erdhën këtu për të na mbrojtur.
Demokracia nuk është dhuratë, është obligim i përditshëm, sidomos në Ballkanin, me paqartësi dhe enigma të shumta.
Koha kur qytetari votonte për hir të historisë, nga frika e destabilizimit apo për hir të miqve tanë ndërkombëtarë, po mbaron. Sot, duhet të votojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, jo për të kaluarën e liderëve.
Ashtu siç luajtën ata me durimin dhe besimin tonë, ka ardhur koha që edhe ne, qytetarët të luajmë me ta. Jo për hakmarrje, por për drejtësi demokratike. Jo me intriga, por me votë të mençur. Jo me harresë, por me kujtesë historike.
Vota është arma jonë paqësore. Këtë herë ajo nuk duhet të jepet si dikur, me emocion e besim të verbër, por me maturi, përgjegjësi dhe me sytë hapur.
Kosova nuk ka më luks të organizojë dy a tre herë zgjedhje brenda vitit. Qytetarët e saj nuk do të gabojnë më. Demokracia bie vetëm atëherë kur qytetari lodhet, hesht dhe dorëzohet.
Me gjithë djallëzitë e liderëve tanë partiakë, ne nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të votojmë duke i treguar secilit vendin e duhur.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 4 dhjetor 2025