Prof. dr. Bardhyl Çipi, **Dr. shk. Admir Sinamati – Çështja e vendvarrimeve të mbetjeve të ushtarëve të vrarë në luftërat e ndryshme diskutohet gjerësisht në kohën e sotme, sepse respektimi i personave të rënë në luftë i bën shumë të ndjeshëm njerëzit që i vizitojnë monumentet dhe varrezat përkujtimore ku prehen mbetjet e tyre mortore.
Sot në të gjithë botën ka shumë memoriale dhe varreza të tilla, që i bëjnë të njohur të rënët në luftë. Nga ana tjetër, mosrespektimi i të vrarëve në beteja ushtarake krijon ndjenja dëshpërimi në popujt e vendeve të ndryshme.
Kohët e fundit në Shqipëri janë duke u kryer zhvarrimet e kufomave të pazbuluara deri tani të ushtarëve grekë, të vrarë në luftën italo-greke të viteve 1940–1941.
Kryerja e këtyre veprimeve është mbështetur në një marrëveshje midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë, e shoqëruar me krijimin e një komisioni të përbashkët, të pasuar me këqyrjet identifikuese nga disa mjekë specialistë grekë si dhe mjekë ligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Tiranës, për çdo rast të ekzaminuar të tyre.
Zbulimi i varreve të panjohura dhe identifikimi i mbetjeve të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri, në luftën italo-greke të viteve 1940-1941 përbën padyshim një çështje që i takon shkencës së osteologjisë antropologjike mjekoligjore, ku duhen respektuar gjithashtu një sërë parimesh etike, që jepen me hollësi në literaturën bashkëkohore përkatëse.
Cilat janë këto aspekte etike dhe a janë marrë ato në konsideratë në këto identifikime mbetjesh kockore që drejtohen nga ana e mjekëve ligjorë grekë, apo të specialistëve të tjerë të huaj të caktuar prej tyre?
Siç dihet, etika në përgjithësi shqyrton rregullat e sjelljes, që në rastin e osteologjisë antropologjike mjekoligjore duhen respektuar në këto ekzaminime të mbetjeve skeletike.
Kështu, sipas saj, ekspertët e osteologjisë humane forensike duhet të udhëhiqen më shumë në të dhënat shkencore, duke shmangur spekulimet, supersticionet, interesat politike apo ekonomike, që përpiqen t’i shtrembërojnë rezultatet e punës së tyre.
Nga ana tjetër, doktori osteolog mjekoligjor, duhet t’i shmanget kapërcimit të njohurive të tij, të pasuar me dhënien e rezultateve të gabuara. Pra, ai, këto vlerësime në lidhje me përcaktimin e origjinës humane të eshtrave, moshës, seksit, shtatit, racës, identifikimit individual duhet t’i kryejë brenda kufijve të këtyre njohurive në mbështetje të disiplinës që përfaqëson. Gjithashtu, ai duhet të vërë në dukje kufizimet dhe pasaktësitë e metodave që ka përdorur. Në të kundërtën, ai mund të arrijë në konkluzione të pasakta.
Në literaturë përmendet konflikti në Azinë Juglindore, i shoqëruar me vdekjen e qindra-mijëra njerëzve, midis të cilëve bënin pjesë edhe shumë ushtarakë amerikanë. Nga këta, viktimat që nuk u kthyen ose nuk u arritën të gjenden, u konsideruan si persona të humbur në veprime ushtarake, ose “missing in action” (MIA).
Në vitin 1972, një helikopter amerikan AC-130 u rrëzua në Laos dhe 13 ushtarakët amerikanë që udhëtonin me të, u shpallën si persona të humbur në veprime ushtarake. Dhjetë vite më vonë, nga gërmimi i vendit ku kishte ndodhur përplasja e helikopterit pas rrëzimit, u zbuluan 50000 copa kockash, ku më e madhja prej tyre ishte 13 cm e gjatë dhe shumica ishte me madhësi rreth 1 cm.
Pas ekzaminimit osteologjik mjekoligjor, i mbështetur vetëm në përshkrimin anatomik të eshtrave, u shpall identifikimi pozitiv i mbetjeve skeletike të 13 viktimave, të cilat iu dërguan familjeve për varrimin e tyre.
Por, të afërmit e viktimave i kundërshtuan rezultatet e këtij identifikimi. Për këtë arsye, u krye një ekzaminim i ri nga një ekip tjetër specialistësh, i cili vërtetoi se konkluzionet e ekspertimit të parë në lidhje me moshën, seksin dhe racën e viktimave kishin qenë të gabuara, sepse ishin kryer duke kapërcyer kufijtë e kompetencave të tyre.
Pra, mungesa e njohurive, pasaktësia e metodave të përdorura mund të shpjerë në shkelje të parimit të paanshmërisë, i cili duhet ta karakterizojë specialistin osteolog mjekoligjor.
Përveç kësaj, këta specialistë duhet të jenë të pavarur në punën e tyre, dmth., nuk duhet t’u përkasin palëve të çështjeve që mund të jenë në konflikt midis tyre.
Në ekzaminimet e fundit për identifikimin e mbetjeve të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke të viteve 1940-1941 ka mjaft dyshime që këto parime etike të mos jenë respektuar siç duhet.
Kështu, kryerja e tyre nën drejtimin e specialistëve grekë, që kanë interes që të identifikojnë sa më shpejt dhe sa më shumë bashkëkombës të tyre të vrarë në këtë luftë, mund të ketë ndikuar që të mos jetë zbatuar parimi i paanshmërisë.
Ky dyshim shtohet edhe më shumë nga fakti që në këto këqyrje janë përfshirë edhe eshtrat e fshatit Kosinë të rrethit të Përmetit.
Këto eshtra të ekzaminuara shumë vite më parë nga dy prej ekspertëve mjekoligjorë më me përvojë të vendit tonë, për të cilat pretendohej se ishin të ushtarëve grekë të vrarë në luftën italo-greke 1940–1941, ato rezultuan se u përkisnin kryesisht grave dhe fëmijëve shqiptarë. Pra, një skandal i vërtetë.
Specialistët grekë, tani ka shumë mundësi të jenë ndikuar më shumë sesa duhet nga interesat politike në lidhje me pretendimet greke ndaj vendit tonë, gjë që mund të ketë çuar në kapërcimin e kompetencave shkencore të tyre, mosrespektimit të parimit të paanshmërisë dhe për këto arsye nuk përjashtohet mundësia që këto të jenë shoqëruar me identifikime të gabuara të këtyre rasteve.
Edhe për analizën e ADN-së që është deklaruar se është përdorur nga pala greke gjatë këtyre ekzaminimeve, shpesh jepen opinione nga disa prej specialistëve më të shquar të antropologjisë mjekoligjore, sipas të cilave jo rrallë kjo metodë u jep familjarëve të viktimave shpresa të pabazuara, gjë që bën të shmanget përdorimi i metodave të tjera shkencore të identifikimit.
Përveç kësaj, metoda e ADN-së mund të shoqërohet me gabime të shumta laboratorike nga kontaminimet e shumta eventuale, përdorimit të standardeve joadekuate, ngatërrimit të mostrave. Për këtë arsye, në këto rrethana do të jetë e detyrueshme të përdoren edhe metodat tradicionale identifikuese.
Në praktikën tonë të gjatë shumëvjeçare të antropologjisë mjekoligjore, ne kemi këqyrur me dhjetëra raste të çështjeve kriminale, identifikime të viktimave të regjimit komunist, raste civile të transferimit të varrezave, përfshirë edhe raste të identifikimit të mbetjeve të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, apo edhe të disa ushtarakëve italianë të vrarë në luftën italo-greke 1940-1941, të ndeshur rastësisht gjatë aktivitetit tonë. Për secilin nga këto ekspertime të panumërta antropologjike mjekoligjore, ne kemi punuar një kohë shumë të gjatë me javë dhe me muaj, duke kryer këqyrje dhe matje antropologjike të panumërta për përcaktimet e shumta që bëhen në këto raste, duke përfshirë edhe dëmtimet e kockave për së gjalli ose pas vdekjes etj.
Ndërsa për veprimet që po kryhen tani për mbetjet e ushtarëve grekë të vrarë në luftën italo-greke të viteve 1940-1941, ne nuk kemi asnjë dijeni nëse janë kryer ose jo këto ekzaminime të hollësishme antropologjike, dyshim ky që shtohet edhe nga nxitimi i palës greke për një varrim sa më të shpejtë të këtyre mbetjeve në tokën Shqiptare.
Pra, vihet re një mungesë transparence nga ana e palës greke në veprimet e saj, gjë që ka penguar një “peer review” (vlerësim i punës nga një ose më shumë specialistë të tjerë me kompetenca të ngjashme me ato të atij që e ka kryer këtë punë) (21,25), duke penguar kështu vendosjen e një standardi publik për këto ekzaminime.
Përveç kësaj, kjo marrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk është e rregullt, sepse këto zhvarrime që po kryhen i përkasin luftës italo-greke të viteve 1940-1941. Ushtarët grekë janë vrarë në përleshje apo në beteja me ushtarët italianë. Prandaj në këtë marrëveshje ka qenë e detyrueshme edhe përfshirja e palës italiane.
Ne mendojmë se për këto raste duhet të kryhet një riekzaminim i ri nga specialistë të pavarur, të caktuar nga një organizëm ndërkombëtar, që merret me këto probleme, siç ka vepruar psh. ICRC (International Committee of Red Cross), që u përfshi si ndërmjetës neutral midis palëve luftuese, në konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollah në korrik 2008 (22).
* * *
Një problem tjetër ka të bëjë me atë, se ku duhet të ndërtohen vendvarrimet e ushtarëve grekë të vrarë në luftën italo-greke 1940–1941.
Për këtë ekziston edhe një legjislacion i pasur ndërkombëtar, ku vendin kryesor e zënë konventat e Gjenevës (GC) dhe protokollet shtesë të tyre (Protocol additional to the Geneva Convention of 12 August 1949).
Sipas tyre, vendet në konflikt duhet të përpiqen të lehtësojnë kthimin e mbetjeve të të vrarëve me kërkesën e palës që i përket ose të të afërmve të viktimave.
Në fakt, gjatë përgatitjes së draftit të GC1 dhe GC2 u kërkua nga disa delegacione që mundësia e transferimit të trupave në vendet e tyre të mos përmendej, sepse ata donin që luftëtarët e tyre të varroseshin në teatrin e luftës ku ata kishin rënë. Disa të tjerë kërkuan madje që të gjendej një shkak thelbësor që i vdekuri të varrosej në vendin ku ishte vrarë. Për të vendosur një balancë midis këtyre pikëpamjeve të kundërta, kjo çështje u la fakultative.
Por, në GC III dhe GC IV përmendet vetëm varianti i kthimit të eshtrave në vendin e tyre (13,21,22).
Kështu psh., këto dy vitet e fundit në SHBA po kthehen mbetjet e ushtarëve nga Koreja e Veriut, të vrarë në luftën e Koresë në vitin 1950, apo mbetjet e ushtarëve amerikanë të panjohur, të vrarë në Francë në Luftën e Dytë Botërore.
Pra, tendenca e përgjithshme sot, në bazë të këtij legjislacioni është që këto mbetje mortore të transferohen në vendin e origjinës së tyre.
Për këtë arsye, marrëveshja ndërshtetërore Shqipëri–Greqi, që i jep të drejtë shtetit grek të ndërtojë varreza kolektive në tokën shqiptare është në kundërshtim me legjislacionin ndërkombëtar përkatës; nga ana tjetër edhe në dëm të sovranitetit dhe dinjitetit të vendit tonë.
Siç u përmend më lart, gjatë përpilimit të Konventës së Gjenevës, ndërtimi i varrezave të ushtarëve të një vendi tjetër, në vendin ku ishin vrarë, kërkohej të kishte një arsye thelbësore, që në rastin e ushtarëve grekë të luftës 1940-1941, për palën greke kjo arsye mund të ishte pikërisht ajo që këto varreza të shërbenin në të ardhmen si pika mbështetjeje të pretendimeve greke ndaj pjesës jugore të Shqipërisë, i ashtuquajturi “Vorio Epir”.
Kjo u vërtetua edhe nga ngjarja e varrezave greke në fshatin Bularat të Shqipërisë, para një viti, ku ekstremistët grekë arritën të kryejnë një mësymje të armatosur kundër policisë shqiptare, duke pasur si pretekst “nderimet për ushtarët e rënë”.
Përveç kësaj, në këtë marrëveshje ndërshtetërore nuk është zbatuar një nga parimet kryesore të marrëdhënieve midis vendeve sovrane: reciprociteti, sipas të cilit në këtë rast, edhe në tokën greke, sidomos në pjesën veriore të saj, të ndërtohen varreza të ushtarëve shqiptarë të vrarë në po atë luftë, apo në mungesë të tyre, të popullsisë çame të masakruar dhe vrarë nga grekët në atë periudhë kohore gjatë spastrimit etnik nga trojet e tyre.
Prandaj, duhet që sa më shpejt marrëveshja midis shteteve tona për këto varreza të shfuqizohet nga ana e shtetit tonë, sikurse ndodhi në Estoni, ku në bazë të një vendimi qeveritar u prishën varrezat e ushtarëve rusë të rënë atje në luftë kundër Gjermanisë naziste, sepse për popullin estonez, çlirimi i vendit të tyre prej fashizmit nga ushtarët sovjetikë konsiderohej si fillim i një pushtimi të ri.
Vetëm në këtë mënyrë do bëhet e mundur që mbetjet kockore të këtyre varrezave greke, pas një ekzaminimi të ri nga një ekip i paanshëm, duke u zbatuar me përpikmëri parimet etike të osteologjisë antropologjike mjekoligjore, sipas së cilës: “Eshtrat konsiderohen shpesh si dëshmitarët tonë të fundit dhe më të mirë, që nuk gënjejnë dhe nuk harrojnë kurrë (bones are often our last and best witnesses, they never lie, and they never forget), të dërgohen për t’u varrosur me nderimet dhe respektin përkatës në vendin e tyre, në Greqi.
Kështu, duke u kryer një vlerësim human sa më i drejtë i mbetjeve të ushtarëve grekë, të rënë në luftën e viteve 1940–1941, do të respektohen njëkohësisht edhe ndjenjat e të afërmve dhe popullit grek ndaj tyre, gjë që padyshim do të ndikonte pozitivisht në marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë.
*Profesor i Mjekësisë Ligjore, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësor i Tiranës
**Ekspert mjekoligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, pedagog i Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës Mjekësore pranë Universitetit Mjekësor të Tiranës
Një artikull për tu përshëndetur për nga vlerat shkencore dhe ligjore, një tërheqje vëmendje për institucionet tona, që nuk bëjnë asgjë për të mbrojtur interesat e Shqiptarëve, në asnjë lloj pikpamje!
https://www.ikvi.at/?p=26957
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=1281860928657262&id=511396345703728