KUR DO PUSHOJNË DHIMBJET
Stuhitë vazhdojnë pa u ndalur
Në tokën e nemitur në shekuj
Çdo ndrrim motesh, përplasje erërash
Ndiej meteorologjinë e ndryshimeve
Do dridhje therëse trupin provokojnë
Pluskon jeta me durimin e heshtur
Lisit të moshuar po i pëlcet lëkura
Plagë të vjetra kullojnë helm
Tokë e stërvitur buzëqeshjeve të hidhura
Ecje hutuese copëzave të mendimit
Sa i gjatë durimi sakatues i natës
Sa mashtruese rrezet e heshtura të ditës
Dhimbjet flejnë në rrudhat e psalmeve
Eshtnaja krejt natën heq valle zjarreve
Ninulla të vjetra të historisë së plakur
Paskam lindur të jem bukuri e vuajtjeve
Lakmi e idhnakëve të ngjashëm
Skulpturë mjeshtërore prej gurit në gur…
PSE QESH DUKE LOTUAR
Unë asgjë nuk fola
Të shikova çdo pjesë të trupit
Imagjinatë e lirë mendova
Me sytë e dergjur malli
Përgjova bukurinë e humbur
Dëgjova të rrahurat e zemrës
(aritmi e thellë, përplasje dukej)
Zemra ime hesht në harenë e qelbur
Mbete pranverë e akullt, të thashë
Ti qaje dhimbshëm, me dënesje
Sa e doja një shi puthjesh
Moj dhimbja ime e vjetër
Mos qesh me lotimin e zhuritur malli
Kënga ime e mbjellë në zemër…
MOS MË NDRYDHNI SHPIRTIN
Mos lodroni të shfrenuar pellgjeve të thara
Mos më ndrydhni shpirtin e plakur
Nëse zjarrit nuk ia dini dhimbjen
Leni të paprekur fitilin e shpirtit
Po djersiten poret për etje drite
Rrënjët frymojnë fyshtës së ashtit zgurajë
Ngjyrën e luleve e ndryshon pranvea
Me këngën e zogjve të hareshëm
Mos më ndrydhni shpirtin
Mos ma çarmatosni zemrën!
Gjakove,23shtator,2020
Komentet