Qindra qytetarë kanë dalë pasditen e sotme në protestë, kundër rritjes së çmimit të energjisë, por edhe rritjes së çmimit të produkteve të tjera në vend, duke nisur nga buka.
Qytetarët kanë organizuar pasditen e sotme një protestë të thirrur në rrjetet sociale, pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi krizën e re dhe rritjen e çmimit të energjisë. Me pankarta në duar qytetarët kundërshtojnë këtë duke kërkuar uljen e çmimeve të produkteve të shportës përfshirë edhe atë të ilaçeve.
“Edhe buka edhe uji edhe të gjitha. Jam i sëmurë dhe ilaçet jo që nuk na i japin por duhet të paguajmë, pa asnjë rimbursim. I kanë shtrenjtuar çmimet e ilaçeve. I kanë ngritur çmimet në maksimum”, thotë një qytetar.
“Është rrit buka. Ku janë pensionet? Sa do i rrisi qeveria çmimet? Ministri nuk e kishte problem fare që ishin rrit. Ishte shumë i lumtur. Lumturia vjen me lekët e drogës. Për çfarë u lumturove? Për rritjen e çmimeve? Poshte diktatura. Bandidë nuk janë shqiptarët që kapen me drogë por qeveritarët që i përdorin për punët e tyre”- tha një e moshuar.
Aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj i është bashkuar protestës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ përballë Kryeministrisë, ku qytetarët kundërshtojnë paralajmërimin e qeverisë për rritje të çmimit të energjisë dhe të karburantit.
Ai theksoi se në këtë bulevard duhet të ishin më shumë qytetarë.
“Jemi të gjithë këtu për atë pabarazi. Kur është qeveria këtu? Jemi për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundësi që të rrisin fëmijët. Bravo të gjithëve që jeni këtu. Dhe më shumë duhet të jemi. Nuk hamë të gjithë te Nusreti”, tha Binaj, ndërkohë që në dorë mbante një pankartë me mbishkrimin ‘Nusr-Edi jetesa’, shoqëruar me një fotomontazh ku shihej kryeministri Rama, të cilin e himiton shpesh herë në rolet e tij.
Gazetari Enton Abilekaj, në një intervistë në Syri Tv, live nga protesta përpara Kryeministrisë, foli për faktin se qeveria ka vendosur të rrisë çmimet së fundmi.
Abilekaj thekson se nuk ka krizë të mirfilltë, duke shtuar se qeveria kujdeset vetëm për oligarkët e vet.
“Energjia prodhohet këtu e pak eksportohet. Ne nuk kemi krizë të mirfilltë. Për mos të lejuar që të ndodhë kjo gjë, duhet të protestojmë. Qeveria ndihmon bizneset e mëdha. Shqiptarët janë duke u grabitur dhe vjedhja është në kurriz të qytetarëve.
Sot ka pasur një trafik kafshëror e trafiku është krijuar nga Erjon Veliaj dhe miqtë e Edi Ramës. Nuk ka rëndësi se kush e ka organizuar protestën, edhe PD ta organizonte, fundja është demonstratë e qytetarëve”, deklaroi Abilekaj.
Protestës qytetare përpara Kryeministrisë, kundër rritjes së çmimeve i është bashkuar dhe eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Ai u shpreh se qeveria e do popullin të varfër për ta kontrolluar, ndërsa shtoi se rritja e çmimeve po bëhet për të mbuluar vjedhjet.
“Çmimet i rrisin për të mbuluar vjedhjet e tyre. Duan të rrisin çmimin e energjisë sepse humbjet janë katastrofike dhe ku do t’i gjejnë lekët, duke na i marrë ne. Këta e vrasin mendjen për rritjen e ccmimeve për ushqimet, për vajin, ata s’e dinë fare, sepse ata nuk shkojnë në dyqan? Ky s’ka shkuar kurrë në dyqan që të ketë parë çmimet, asnjëherë, sepse ka qenë ministër, ka qenë kjryetar bashkie, është kryeministër. Këta i duan njerëzit të varfër që të t’i kontrollojnë, sepse po u bëtë të pasur, nuk ju kontrollojnë dot. prandaj duhet të bëhemi bashkë“, u shpreh Soko.
Komentet