VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pro Armenia (1901) – Dënimet e ashpra të Perandorisë osmane ndaj Ismail Qemalit, Faik Konicës dhe Shahin Kolonjës (Dokument)

By | October 2, 2018

Komentet

Esat Pasha – korrespondentit të La Gazzetta del Popolo, në Athinë (1917): “Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveç pavarësisë sonë kombëtare.”

Esat Pashë Toptani

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Shkurt 2020

 

“Le Radical” ka botuar, të shtunën e 25 gushtit 1917, në faqen n°2, intervistën e Esat Pashë Toptanit, dhënë asokohe korrespondentit të “La Gazzetta del Popolo” në Athinë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Një intervistë e Esat Pashës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 24 gusht.

 

La Gazzetta del Popolo publikon një intervistë që korrespondenti i saj pati në Athinë me Esat Pashën :

 

Unë udhëtoj për kënaqësinë time, – thotë Esati, – jam i lumtur që ndodhem në Athinë në momentin kur bashkimi i shpirtit kombëtar realizohet këtu nën udhëheqjen e z.Venizelos. Grekët mund ta konsiderojnë veten të lumtur që kanë në krye të tyre një njeri me vlerë të tillë. Çështja e Epirit të Veriut nuk do të shqetësojë, të paktën shpresoj, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi për këtë çështje, janë fuqitë që do të japin një zgjidhje të drejtë dhe të cilën ne do ta pranojmë.

 

Vendimi i paraluftës do të rikthehet në Shqipëri; ky vend e ka paguar haraçin e tij për luftën. Përveç vështirësive të imponuara nga Austria, e cila pushtoi pjesën më të madhe të territorit shqiptar, ekziston edhe një argument tjetër që do të peshojë shumë në favorin tonë : është se ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveç pavarësisë sonë kombëtare.

 

Sa për formën e qeverisjes së shtetit të ardhshëm shqiptar, Esat Pasha deklaroi se kjo pyetje i përket Shqipërisë, në bashkëpunim me fuqitë të cilat i njohën asaj të drejtën për të vendosur për fatin e saj, pas eksperimentit fatkeq me Princ Vidin.

Kur shkrimtarja zvicerane Noëlle Roger (Hélène Dufour), e sapo kthyer nga Durrësi, dëshmonte për krimet serbe në Shqipëri (1921)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Shkurt 2020

 

“La Jeune République” ka botuar, të dielën e 25 shtatorit 1921, në faqen n°3, rrëfimin e shkrimtares zvicerane mbi krimet serbe ndaj shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Martirizimi i Shqipërisë

Një dëshmi neutrale

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në grupin e kombësive të Lindjes, ekziston një vend i vogël, i cili, i rrethuar nga fqinjë të fuqishëm, kërcënohet se do të humbasë pavarësinë e tij : është ish-çifligu i Princ Vidit : Shqipëria.

 

Kufijtë e saj, si dhe statusi i saj ndërkombëtar, sidoqoftë, ishin përcaktuar në një mënyrë të saktë nga marrëveshjet e 1913 dhe 1914, por, gjatë luftës, Shqipëria ishte neutral (asnjëanëse). A po e paguan tani çmimin për asnjanësinë e saj ?

 

Edhe mund ta besojmë këtë ! Është e vërtetë që vendndodhja e saj strategjike në Adriatik, izolimi i saj, dobësia e saj dhe veçanërisht afërsia e mbretërive të fuqishme serbo-kroate dhe greke ka të ngjarë ta tërheqin atë në telashe dhe armiqësi.

 

Në mungesë të arsyeve juridike, ato zbuluan arsye strategjike për pushtimin e territorit të saj. Serbët veçanërisht, në veri të Shqipërisë, u dalluan për mizoritë më të këqija. Rrethina të tëra, siç është Kosova, u dogjën, popullata u masakrua dhe pronat u plaçkitën.

 

Me ndihmën e trupave të rregullta dhe organizatës së njohur si : Tserna Ruka (dora e zezë), serbët “civilizuan” rrethinat e pushtuara, aq sa, për dy muaj, dikush mund të numëronte deri në dymbëdhjetë mijë shqiptarë viktima të aksioneve të tepruara.

 

Dëshmia e një personi neutral (sepse akoma ka të tillë !) është e dobishme këtu. Ja çfarë shkruante zonja Noëlle Roger, kur u kthye nga Durrësi, në Journal de Genève më 21 shtator :

 

Ne kemi marrë pjesë në shpërndarjen e supës që Kryqi i Kuq amerikan i dhuron çdo mbrëmje grave dhe fëmijëve të refugjatëve të dëbuar nga fshatrat e tyre të rrënuara, të cilët kanë shpëtuar nga masakrat e numërta që ende vazhdojnë në territoret e pushtuara nga Serbët në Shqipërinë e lirë.

 

Të porsalindur të sëmurë, nënat adoleshente që kujdesen për foshnjat e tyre të drobitura, fytyrat e rraskapitura të sëmurëve, gra të plakura të dobëta, dhe ky trishtim që dallohej në pamjet e zymta, këto sy të uritur të fëmijëve që ndjekin tasat dhe i përpijnë ata paraprakisht, të gjithë këta rreckamanë që dikur ishin fshatarë të pasur, që jetonin kryesisht falë punës së tyre – çfarë vizioni mjerimi dhe dëshpërimi e pamundur të bëheshin më pak të dhimbshëm sesa kujtimet tona më të dhimbshme të luftës… Dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë, hasim të njëjtin ankth.

 

Shqipëria neutrale, e cila kërkon vetëm paqen, tani është e kërcënuar nga copëtimi që do ta shpjerë në dënimin me vdekje. Edhe më i thjeshti nga fshatarët e di këtë gjë. Dhe ky popull i vogël malsor, i dhënë me zell për tokën dhe pavarësinë e tij, është i gatshëm të vdesë, nëse Evropa, indiferente dhe injorante, do të luajë më këtë padrejtësi mizore…

 

Shqiptarët ende dhe fatkeqësisht nuk kanë sosur në fund të vuajtjes së tyre. Sot, mësojmë se u është dërguar një ultimatum nga serbo-kroatët për evakuimin e gjashtë zonave strategjike në kufi. Ultimatumi nuk është ekzekutuar nga shqiptarët, kështu shpërthimi i armiqësive është i pashmangshëm …

 

Çfarë po mendojnë të bëjnë shqiptarët ? Kundër një ushtrie prej 200,000 burrash, ata nuk duhet të mendojnë për rezistencë me armë. Ata mundën t’i bënin vetëm një kërkesë të re Lidhjes së Kombeve duke i kërkuar asaj që t’i mbronte ata.

 

Por a nuk duhet patur frikë se kjo e fundit do të heqë dorë nga ky nder, si në korrikun e kaluar, sepse çështja shqiptare është dorëzuar tashmë në Këshillin Suprem (e Lartë), dhe Lidhja e Kombeve ka qenë gjithmonë e kujdesshme që të mos ndërhyjë në punët e aleatëve të fuqishëm.

 

Meqenëse Lidhja e Kombeve është e pafuqishme, a nuk munden Franca dhe aleatët e saj t’u kujtojnë serbo-kroatëve që të jenë më të moderuar dhe të respektojnë traktatet ?

 

A nuk rrezikon heshtja e Francës të forcojë tezën e atyre që sigurojnë se marrëveshje të fshehta ishin lidhur, gjatë luftës, midis aleatëve, në dëm të popujve të pambrojtur, dhe që e akuzojnë atë se po favorizon imperializmin e aleatëve të saj të rinj ?

 

Louis Rochard

Kongresi i Lushnjes- Koleksionisti Muzaka sjell dokumentet e rralla në gjuhën frënge

Në 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjes, koleksionisti Olti Muzaka ka nxjerrë nga sënduku i tij artefakte të rralla mbi ngjarjet historike.

“Në këtë 100-vjetor të shënuar për shtetin shqiptar, po publikoj disa artefakte unike, pjesë e koleksionit tim privat, lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme. Për t’i dhënë jehonë në arenën diplomatike vendimeve të Kongresit të Lushnjës, delegatët u kujdesën që vendimet e tyre t’i shkruanin edhe në gjuhën frënge”, është shprehur koleksionisti Olti Muzaka.

Ai sqaron se në foton nr. 1 dhe nr. 2, publikuar për herë të parë, gjenden vendimet e datës 28 janar 1920 të Kongresit ku pasqyrohen disa nga vendimmarrjet më të rëndësishme të atyre ditëve si zgjedhja e kryesisë së Kongresit me kryetar Aqif Pashë Elbasanin.

“Miratimin e ligjit kushtetues për sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar; zgjedhjen e qeverisë me kryeministër, Sulejman Delvinën; zgjedhjen e këshillit të lartë të përbërë nga katër vetë që do luante rolin e kryetarit të shtetit, etj. Në fotot nr. 3, 4, 5 dhe 6 gjenden modelet e flamujve të vegjël të përdorur ato ditë si dhe prodhimet përkujtimorë të këtyre flamurëve”, saktëson koleksionisti Muzaka, i cili e mbyll postimin e tij me foton ku “gjendet një poster propagandistik kombëtar, i prodhuar më 1920 nga patrioti Vani Burda në Bukuresht”.

 

 

 

Një nga modelet e flamujve për Kongresin e Lushnjes, koleksioni i Olti Muzakës

Një nga modelet e flamujve për Kongresin e Lushnjes, koleksioni i Olti Muzakës

Një poster propagandistik kombëtar, i prodhuar më 1920 nga patrioti Vani Burda në Bukuresht koleksioni i O.Muzakes

Marre nga Gazeta Shqiptare

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA: “KUJTIME VOGJLIJE E RINIJE” – QYTET’I IM- Pazari i Krujës

Kush i afrohet Durrsit me vapor nji mëngjesi të kthiellët e hŷn n’atë liman po të hjedhë sŷt atje larg kah veriu e veri-lindja, do të shohë nji varg malesh qi në majën mâ të naltën, s’i kapërcejnë 1200 metra. Ndër këto dallohet mâ së  bukuri Mal’i Krujës, qi ka mû në krye, rrafsh me faqen e tij, nji ndërtesë banimi për vizitorët e Shênjtit Sarisalltik, a Sallsataik, si thonë Krutanët. Duket madhështuer e i egër; krejt shkâmb i thatë e thikë përpjetë. Tue i ulë sŷt pak mâ poshtë kah rrânxa e këtij mali, shtegtari shquen qartas ndërtesa të bardha si bora. Janë kullat e qytetit të Krujës nja 600 metra nalt prej rrafshit të detit.

Atje pa mbërrîmë ende deri në fund, veç sa mbaron shkâmbi dhe ka mundsí kazma me gërmue pak dhé, rânë e zhur bashkë për me bâmë themela, fillon Kruja e Kastrijotit, Akça Hisar’i (Qyteza e Bardhë) e Osmanllijvet. Deri sod s’janë bâmë gërmime arkeologjike, prandej nuk dihet se kur e prej kuj ka qênë themelue. Atje afër tij kah ana e Tiranës gjinden gërmadhat e nji qyteti të vjetër, qi Gjon Gjergj von Hahn-i ka mendue se do të jenë ato të Albanopolis-it të përmêndun prej Ptolemeut në të dytin shekull mbas Krishtit. Ka vallë ndonji lidhje Kruja e gjallë me këtë qytet të vdekun veç afërsís?

Topografikisht Kruja ndëhet ndërmjet malit të vet e Krastës qi mund të quhet nji vazhdim i tij deri në fushë. Âsht nji qytet pesmijë frymësh gjithsej, me nji sipërfaqe të përbâme gati krejt prej brinjash, kodrash e luginash, qi për me dalë prej nji skânji në tjetër kâmbsorit i duhet me ecun, me hapa të zakonshme,  gjymsë ore e deri në nji orë. Banesat fillojnë me u shtrimë prej lagjes së Varoshit, në rrânxën mâ t’eprën të malit, kah të dy krahët, n’atê të veri- perëndimit deri afër Dro’-s, përroit qi shënon kufînin e malit e të qytetit me lagjen e Abázaje, dhe në juglindje deri në Xaharí afër Zgurdheshit, të parit katund të Rrânsís, qi të çon ke përroi e gryka e Cudhînit në krah tjetër të malit. Prej Varoshit vêndi shkon tue u përvjerrë pak nga pak në të djathtë e të mângjët e lagjet tue u voglue. Teposhtë shtrihet po n’atë mënyrë deri ke rrânxat e Krastës. Qêndra nën Varosht disi sheshohet me dý fushat e Tallajbés ( të Allaj-Beut: alláj tyrq. regjiment; Allaj-Bej=komandant regjimenti) e Kumllukut (rânishtës) dhe deri në pazar, ke dyqanet, qi vijnë pak mâ poshtë.

Tallajbeja âsht nji emën vêndi i vjetër, tyrqisht, sikurse u shënue e si shumë të tjerë të qytetit t’onë. Nuk âsht nji fushë e madhe; bashkë me Kumllukun, aty ngjitun me tê e pak mâ i ulët, dý fushore qi nuk dij a përbâjnë aqë metra katrore sa nji nga sheshet e mëdhaja të qytetit të Romës. Por mbrênda qytetit, hiq namazgjahun ku falet bajrami, s’gjen tjetër rrafshore veçse larg në periferí. Kur kishte nevojë Shteti tyrk me mbajtun ushtarë atje, ushtrimet ushtarake n’at shesh u bâjshin e n’atê u ngrihshin çadrat. Kjo ka edhe nji historí të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Në 1906 atje qe derdhun do gjak njeriu kotnasikot. Gjatë luftës së dytë botore Italjanët e kanë mbushun me ndërtesa ushtarake.

Kazaja (nënprefektura) e Krujës dikur shkonte jo me sanxhakun (prefekturën) e Durrsit, por drejtpërdrejt me atê të Shkodrës e ishte e përjashtueme, si ajo me malet e veta, prej çdo detyrimi kundrejt Shtetit. Po mbandej, mbas tanzimatit, reforma centralistike të Sulltan Mexhidit ( 1839- 1861 ) desh Stambolli me i shtrîmë ligjët modeme pak nga pak kudo qi s’i haste sharra në gozhdë me popullsít e vêndit  të cilat bidatin, dmth. nji rregull jete të re, e shihshin si nji herezí e prandej e urrejshin. Aso kohe Pushteti qëndruer e kishte damë Krujën nga Shkodra e lidhun me Durrsin. Ndonse edhe vetë Durrsi varej prej vilajetit ( guvernoratit ) të Shkodrës, nënprefekturat e tija: Kavajë, Shjak, Tiranë, i kishte të shtrueme. Kështu dojshin me e bâmë Tyrqit edhe Krujën. Nji herë i ndërrojnë qarkun, mandej shkallë-shkallë kërkojnë me shtrîmë reformat e vêndeve tjera edhe atje. Në 1906 qe rend’i xhelebit të gjâs së trashë. Qytet e katunde kundrështojnë, s’duen kurrsesi qi t’u numrohen gjedhet e të paguejnë xheleb për to. Në Kurbî populli çon krye me armë në dorë. Vriten gjind, digjen shtëpija. Nji ditë prej ditsh edhe katundarët tjerë rrâjnë në qytet për të protestue ke Mirallaji (Allaj-Beu i mâhershëm qi gjêjmë ke emn’i sheshit të Varoshit), komandant’i fuqís së mbledhun në Krujë për t’i bâmë ballë nji kryengritjeje mâ të gjânë se ajo e Kurbînit. Të tânë janë t’armatosun. Se kurrë, deri ke Durgut Pasha në 1910, s’kishte mendue e provue ndonji herë qeverija tyrke me u a hjekun armët Shqiptarvet. Koloneli tyrk merr pozicjon për projë. Në Tallajbé ishte fuqija e tij ndër çadra e ai e qet jashtë me armë në dorë e të radhueme në beft. T’anët ishin grumbullue në Kumlluk e aspak s’e kishin mendue me bâmë shamatë me ushtrín. Ata kishin shkue atje vetëm për me protestue, me qamë hall, me u lutun. Parija e tyne kthehet prej Kolonelit ke turma e i rrëfen se s’kishte pasun vullëndim prej tij. Koloneli i kishte thanë parís se urdhni i Mbretit duhej të vente në vênt. Ç’ me bâmë atbotë? Parija kshillon me u shpërdamë nji herë e mâ vonë me u mbledhun në kuvênd me qetsí. Por âsht e dijtun se ndër turmat e nxeme kush i bie thumbit e kush potkoit dhe në rasa t’atilla shpirtnat janë gati me shpërthye ndër akte të papeshueme. Ushtrí e popull i armatosun gjinden kundruell. Nji djalosh qi nxirte shkëndija sŷsh s’i a ban nji e dý, mbërthen hutën e i ep zjarm kundra ushtarvet. Kaqë u desh. Ushtarët, të komanduem e të radhosun rregullisht, fillojnë zjarmin batare kundra turmës qi s’kishte marrë asnji masë. Atëherë po, shpërdahet gjindja, por me tëmerë e panik, mbasi lên të vramë në fushë të Kumllukut 22 burra. Ky gjak, veç, nuk shkoi krejt kot për qëllimin qi kishte ai popull atëherë. Qeveria tyrke s’nguli kâmbë mâ për xhelebin e gjedheve të Krujës.

Nji tjetër kujtim kam prej Kumllukut. I bukur, i gzueshëm, intim ky. Ishim në vjetën 1920, 27 qershuer. E turbull aso kohe gjêndja e mbrêndshme e vêndit t’onë të ngratë qi s’pa ndonji herë dit me të vërtetë të qeta e të lume. Rrethanat më kishin bâmë me u tërhjekun në qytetin t’em e me gjithë grue e fëmijë banojshem atje poshtë në shtëpín e vjetër atnore. Atë ditë ishem thërritun për darkë ke nji mik e ishem ngjitun përpjetë kah qêndra qyshë heret me disa shokë. Shtëpija ku ishem i ftuem ishte në Varosh. Bashkë me shokët qi më shoqnojshin ishim ulë në buzë të Kumllukut tue pritun kohën për me shkue ke miku e me soditun nji falje dielli të mrekullueshme, si ato qi veç nji vênd si Kruja mund t’i ketë. Po ligjirojshim në qetsí me sŷ atje larg kah fusha e deti. Sinija e rrëgjyeshme e diellit po i u avitte dalkadalë e madhnisht rrethit të horizondit t’onë mbi faqen e qetë t’ujit të ngjelbët t’Adriatikut tue na përshëndetun me rrezet e arta të saja edhe për nji natë të jetës s’onë. Kur qe! Pa prit’e pa kujtue disa pushkë njâna mbas tjetrës po e shklyejnë at’atmosferë pushimi shpirtnuer në prêhnin përkëdhelës të nânës natyrë. Ku ranë ato pushkë? Disi larg ishin prej nesh. Zân’i tyne kishte të tânë gjasën e nji drejtimi të frikshëm, andej kah lagja e ime. Por ç’mund t’ishte? Nji pritë? Më vrau kush babën? Më vrau kush vëllán? Jo, ata personalisht s’kishin anmiq. ” Mos t’ishe ti vetë këtu me ne”, po më thonte njâni prej shokvet, na s’do të kishim humbun kohë deri tashti me këto hamêndje qi bâjmë, por do të kishim vrullue pa tjetër andej kah shtëpija e jote; por për njerzit e tuj s’na merr mêndja ndonji rrezik.”Kështu filluem me u qetsue, por me gjithë këtê un s’ndêjta pa e nisun nji vrap teposhtë për me marrë vesht. Pa shkue nji gjymsë ore i a mbërrîni lajmsi; e pamë nja pesdhetë metra larg ke po u ngjitte tërmal kah na me hapa të shpejta tue i u marrë fryma, por gjâ të keqe s’i thonte fytyra. a Sihariq! Sihariq!” bërtiti, ” i ka lemë djalë Mustafës!” Kishte lemë Fatosi im. Shokët deshën me shtimë, edhe ata, për gzim; por i ndala me të shpejtë S’ishte rasa me trêmbun botën edhe na siç u trêmbëm vetë.

Zakon shqiptar! Gzimet e mëdhá, e të lemët e nji djali i tilë quhet ndër ne do të festohen me pushkë. E mbasandej kush e paska fillue pushkën për Fatosin? Nji grue e fisit t’onë, s’më bie ndër mênd tash se për cilën më kanë pasë thânë. Edhe grát dijnë t’a përdorin pushkën në Shqipní, dhe ka rasa në të cilat kanë dijtun t’a përdorin me shumë mjeshtrí e trimní. Flas për Shqiptaret e hershme këtu, se me luftare moderne âsht mbushun bota plot tashmâ!

Pak nën Tallajbé vjen pazar’i Krujës. Ky përbâhej aso kohe, siç besoj se do të jetë edhe sod, prej dy rreshtash të gjatë dyqanesh, nja 200 gjithsej, qi fillojshin me hanin e Picorrit. Populli, për me diftue fillimin e pazarit thonte “ke hani”. Ndërmjet dy rreshtavet ishte rruga qi i dante, e shtrueme me gurë, kalldrâm me nji ulluk në medist për me mbledhun e marrë ujët e shiut qi rridhhin me qingla strehë mbë strehë të dý anvet të dyqanevet për me ndalue diellin e kështu me bâmë mërriz në freskt të hijes. Se me të vërtetë mërriz bâjshin tregtarët e shkretë të Krujës, si bagtija, e jo veç në vapët, por gati gjithë ditën e javën, përveç së hânës qi ishte ditë pazari e gulojshin katundarët për me shitun e blemë. Për të hânë po, kishte lëvizje; katundsija qitte me shitun drithnat e miellin, bagtín e prodhimet e saja: bulmetin, leshin, lëkurën; mbandej lândën e pishën e kështënjët. Burrat qi s’mund të dilshin vetë për shkak gjaqesh e ngalsash tjera a pse nuk i lëshonte puna, nxirshin grát, të tâna zbuluet, myslimane e katolike, lidhun kryet me nji faculetë të bardhë vêndit, të vêjtun në vegël, ase nji rubë të zezë a bojnash, simbas moshës, secila veshun me kostumin e krahinës së vet, fusha me mângore pëlhure të vêndit, përmbi tê gupen ase mitanin, me çitjane e këpucë qyteti; malsija me linjë të gjatë, xhubletë e “apênga”. Të rejat e malsís të tâna me flokë të zez si pênda e korbit e kush s’i kishte kështu vetiu do t’i lyente me mazi, siç bâjshin edhe grát e qytetit. Të mrekullueshme balluket e nuseve malsore lëshuem mbi nji ballë të bardhë si bora.

Këta, burra e grá, mblidheshin në gurishtën e ullishtës “përmbi dyqanet”. Kështu e cilsonte populli atë vênd. Atje e shtrojshin mallin qi kishin për të shitun. Vêndit i thojshin edhe “Pazar i gravet”, sepse ndërsa katundaret, nji për nji si burrat, shkojshin edhe nëpër dyqanet, Krutanet e qytetit s’e kishin këtë guxim, por u ndalshin përmbi dyqanet, ku edhe dyqanxhijt ngrihshin nga nji tândë dhe qitshin nji pjesë të mallit atje për çdo ditë pazari. Drithna e kështenjë kishte herë herë edhe në bark të javës e atbotë u shitshin në Lamë. Ky ishte nji shesh i vogël në mest të pazarit, atje ku dy rreshtat e dyqanevet bâjshin nji kthim të vogël në të djathtë për me mbërrîmë kështu deri në Derexhik. Asnji Krutan nuk e dinte se ky emni Derexhik ishte nji fjalë tyrqishte qi don me thânë përrueth. Me të vërtetë atje e çán pazarin kryq nji rrëké shinash dimnorë me shtrat kalldrâmi qi kalonte nën sallën shkollore të Hasan Çitozit, nji shkollë fillore private ku edhe un kam pasë këndue për nji kohë të shkurtën para se me u ulë mbë gjunj përpara Molla Hysen Topçiut.

Pazar’i Krujës edhe atje merr nji kthim të lehtë kah e djathta për me mbarue nja 100 metra mâ përtej. Krutanët thonë: ” Rrêjti ke hani, e besoi edhe vetë në Derexhik”.

Zbulohen dokumentet- Si ia mbajti të fshehtë Nexhmije Hoxha testamentin pasuror Enverit

Dashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente të rralla arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të cilat prej vitesh janë mbajtur “Tepër sekret”, ku bëhet fjalë për një korrespodencë në mes ambasadës shqiptare në Romë, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe kabinetit të Enver Hoxhës. Memorie.al shkruan se bëhet fjalë për një testament pasuror që një shtetas italian, i quajtur, Romano Gobbo, nga San Darligo, Triste, kishte vendosur që t’ia linte Enver Hoxhës?! Çfarë thuhet në ato dokumente arkivore që redaksia e Memorie.al po i publikon për herë të parë duke filluar nga numri i sotëm dhe si shpjegohet fakti që; ato dokumente zyrtare me një rëndësi aq të madhe që i adresohen Enver Hoxhës, nuk janë të cikluara nga ana e tij ashtu siç ndodhte me të gjitha dokumentet e tjerë edhe nga më të rëndomtat?!

“Bashkangjitur ju dërgojmë letrën origjinale të qytetarit Italian, Romano Gobbo, drejtuar ambasadës sonë në Romë, me anë të së cilës ai njofton se ka përgatitur një testament të vetin në adresë të shokut Enver Hoxha”! Kështu thuhet në mes të tjerash në një prej dokumenteve arkivore me siglën “tepër sekret” që mban datën 30 nëntor të vitit 1981, të cilat Memorie.al i publikon për herë të parë, duke tentuar të hedhë dritë dhe të ndriçojë një nga historitë më të errëta të familjes së ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, që ka të bëjë me një testament pasuror që i ka ardhur atij nga një shtetas italian, me emrin Romano Gobbo!

Nisur nga fakti se, për pasurinë e familjes Hoxha është përfolur shumë nën zë, që nga fundi i viteve ’80-të, dhe hapur e publikisht në shtyp, pas rrëzimit të regjimit komunist në vitin 1991, publikimi i këtyre dokumenteve tenton që të zbardhë sadopak një nga anët më të errëta të familjes së diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, e cili për afro gjysëm shekulli qeverisi me dorë të hekurt vendin e vogël ballkanik, duke e lënë atë një nga më të prapambeturit e më të pazhvilluarit e gjithë kontinentit europian.

Nisur nga kjo, në këtë shkrim po publikojmë dy dokumenet arkivore me faksimilet përkatëse, ku i pari që mban datën 20 nëntor 1981, është një shkresë zyrtare e ambasadës shqiptare në Romë, e firmosur nga ambasadori, Piro Bita, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, ku i bëhet me dije se një shtetas Italian, i quajtur, Romano Gobbo nga San Darligo, Trieste, ushqente një dashuri të madhe për “veprën e shokut Enver”, në shenjë respekti shprehte dëshirën që të linte me testament pasurinë e tij, “në favorin tonë”! Në fund të kësaj shkrese zyrtare, ambasada shqiptare e Romës, i bënte me dije Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, se letrën ata po e dërgonin për t’i vënë në dijeni, pasi personin në fjalë nuk e njihnin, por do t’i dërgonin fotografi dhe disa material të shokut Enver.

Dhjetë ditë pas kësaj letre, më datën 30 nëntor 1981, ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, i dërgon një shkresë zyrtare, sekretarit personal të Enver Hoxhës, Haxhi Kroit, ku e informon për letrën që i ka ardhur dikasterit që ai drejtonte, lidhur me një shtetas Italian të quajtur, Romano Gobbo, i cili “kishte përgatitur një testament pasuror në adresë të shokut Enver Hoxha”! Dhe në fund të kësaj shkrese zyrtare, ministri Reiz Malile, theksonte se ambasada shqiptare në Romë i bënte me dije se nuk e njihte personin në fjalë! Letra e ambasadës shqiptare në Romë, për Ministrinë e Punëve të Jashtë në Tiranë, lidhur me shtetasin Italian, Romano Gobbo, që donte t’i linte pasurinë Enver Hoxhës

AMBASCIATA

DELLA REPUBBLICA POPOLARE D’ALBANIA Roma 16.11.1981

IN ITALIA VIA ASMARA.9

TEL 83.80.725

Nr. 301

MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTEME

TIRANE

Bashkangjitur ju dërgojmë letrën që i drejton përfaqësisë sonë i quajturi GOBO Romano me banim në San Darligo, Triste, nga e cila del se personi në fjalë është simpatizant i RPSSH dhe që ushqen dashuri të madhe për veprën e shokut ENVER. Në shenjë të këtij respekti i shpreh dëshirën që të lërë me testament pasurinë e tij në favorin tonë.

Letrën e tij po ua dërgojmë për t’u vënë në dijeni. Ne nuk e njohim personin. Do t’i dërgojmë një fotografi dhe material të shokut ENVER.

AMBASADORI

(PIRO BITA)

………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Letra e ministrit, Reiz Malile, drejtuar Haxhi Kroit, lidhur me testamentin pasuror që shtetasi italian, Romano Gobbo, ia linte Enver Hoxhës Shoku Haxhi Kroi,

Bashkangjitur ju dërgojmë letrën origjinale të qytetarit Italian, Romano Gobbo, drejtuar ambasadës sonë në Romë, me anë të së cilës ai njofton se ka përgatitur një testament të vetin në adresë të shokut Enver Hoxha.

Ambasada jonë na njofton se ky person nuk njihet prej saj.

Tiranë, më 30 nëntor 1981

Reis Malile/Memorie.al

L’Echo de Paris (1916)- Intervista me Esat Pashën në lidhje me situatën në Turqi dhe Shqipëri

Esat Pasha (Le Petit Journal, 29 tetor 1916, f.5) – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Shkurt 2020

 

“L’Echo de Paris” ka botuar, të dielën e 10 shtatorit 1916, në ballinë, intervistën e saj me Esat Pashë Toptanin, në lidhje me situatën politike asokohe në Turqi dhe Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Esat Pasha

Çfarë mendon për turqit e rinj dhe udhëheqësit e tyre. – Situata në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esat Pasha sapo ka mbërritur në Selanik, ku do të udhëheqë trupat shqiptare që zbarkuan javën e kaluar.

 

Shef i një prej klaneve më të fuqishme në vendin e tij, ai është një lloj feudali me ushtarë, i cili ushtron mbi rajone të gjera autoritetin e tij të padiskutueshëm. Ky njeri, i aftë dhe energjik, ka luajtur vitet e fundit një rol që është shumë i njohur për publikun dhe që është e nevojshme të flasim për karrierën e tij. Mjafton të themi që nga fillimi i armiqësive, ai ka mbështetur anën e aleatëve, të cilëve u ka dhënë shërbime shumë të vlerësuara.

 

Kur ai u nis për në front, unë munda të bisedoja me kreun e qeverisë shqiptare. Senati shqiptar e zgjodhi atë kryetar të qeverisë më 6 tetor 1915. Me trup mesatar, i shkathët dhe i fortë, Esat Pasha jep një përshtypje force dhe sigurie të qetë. Fytyra e tij esmere, me tipare të rregullta, gjallërohet nga dy sytë e qeshur, kur ai flet për episode të caktuara të ekzistencës së tij, një flakë me reflektime të zjarrta. Një njeri aksioni mbi të gjitha, i shkathët, ambicioz, ai gjithmonë e ka treguar veten të mirë me miqtë e tij dhe të pamëshirshëm ndaj armiqve të tij.

 

Natyrshëm, ne i flasim për Turqinë dhe turqit e rinj, të cilët e dënuan me vdekje disa vite më parë. Ai flet për ta me një largpamësi të përsosur :

 

— Ata janë, për pjesën më të madhe, më tha ai, njerëz interesi, pa ideal patriotik.

 

— Çfarë mendoni për fuqinë e tyre të rezistencës ?

 

— Unë nuk mendoj se ata mund të ofrojnë një rezistencë shumë serioze.

 

— Sa burra mund të ketë ushtria turke ?

 

— 800.000 burra afërsisht, me rezervat. Esat Pasha më pyet se çfarë përshtypjesh mora nga udhëtimi im në Kostandinopojë, dhe, meqë kemi njohur të njëjtët politikanë atje, biseda fillon për këtë temë. Enver pasha, Halil beu, Talaati, Mithat Shukri beu, Karaso efendiu, personazhe të këtij romani të jashtëzakonshëm që kanë përshkruar Turqit e Rinj dhe të cilët, të nisur në gjak, pa dyshim që do të përfundojnë ashtu, kalojnë me radhë para nesh.

 

— Karaso efendiu, më thotë Esati, është një lloj “kukulle”. Në kohën time, ai luante kryesisht rolin e spiunit të “Komitetit” për të cilin vazhdimisht ankohej me qëllim provokimin (zbulimin) e fshehtësive. Disa kohë pas hyrjes në luftë të Turqisë, ai vuri gjithçka në lojë për të tërhequr Italinë në folenë e grenzave; por qasjet e tij ndaj Ministrit të Italisë, me të cilin ishte takuar në lozha, qenë të kota. Sa i përket Halilit, tani Ministër i Punëve të Jashtme, ai është ndoshta njeriu i vetëm në “Komitet” që është i sinqertë; por ai nuk shkëlqen me inteligjencën e tij.

 

— Po Enveri ?

 

— Enver Pasha është diktatori i vërtetë i Turqisë. Padyshim që Talaati ushtron një ndikim të madh në fatet e vendit të tij, por, thelbësisht, duhet që në fund të fundit t’u referohet vendimeve të Enverit; ky i fundit nuk i mungon një lloj vlere, por, u nënshtrua ndaj Gjermanisë dhe humbi të gjithë pavarësinë e gjykimit; ai ecën verbërisht.

 

— A besoni se një ndryshim politik, në rrethanat aktuale, është i mundur në Kostandinopojë ?

 

— Pse jo? Gjithçka është e mundur në atë vend. Një revolucion mund të shpërthejë papritmas dhe të vë gjithçka në diskutim.

 

— A keni pasur mundësinë të hyni në kontakt me ish-sulltanin Abdyl-Hamid ?

 

— Po, dhe në rrethana mjaft origjinale, pasi unë isha përgjegjësi që e njoftova për shkarkimin e tij ! Unë isha pjesë e një delegacioni të përbërë nga disa politikanë, përfshirë Karaso efendiun. Ky delegacion kryesohej nga Ministri i atëhershëm Detar, por ky i fundit, i frikësuar, u tërhoq para se të mbërrinte në pallat; të tjerë e imituan atë dhe, më në fund, mbetën vetëm tre nga ne kur arritëm para sulltanit.

 

— Abdyl-Hamidi, pra, ngjallte, pavarësisht situatës së tij, ndjenja frike ?

 

— Ish-sulltani është një njeri i shquar, thotë Esat Pasha, me një ton të bindur; ai nuk është vetëm inteligjent, por edhe shumë i guximshëm. Gjithçka që është thënë për mënyrën se si ai na priti është thjesht një legjendë. Ai na dëgjoi pa u nervozuar, me një mënyrë shumë dinjitoze.

 

E pyes Esat Pashën në lidhje me situatën shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për lajmet që qarkullojnë për një kryengritje të përgjithshme të popullatës kundër austriakëve.

 

— Është e vështirë të kontrollosh këto informacione, më thotë ai, por e gjithë kjo mund të jetë e saktë, veçanërisht nëse austriakët kanë keqtrajtuar popullsinë.

 

— Çfarë mendoni për operacionet ushtarake që synojnë hyrjen në Serbi përmes Shqipërisë ? A do të ishte i realizueshëm ky plan ? A nuk do ta pengonte natyra e terrenit ?

 

— Mendimi im është që operacioni për të cilin po flisni nuk është i zbatueshëm dhe mund të ndërmerret në kohën e duhur; terreni nuk e kundërshton aspak atë…

 

  1. IBANEZ DE IBERO

Le Radical (1916)- Kur Esat Pasha uronte kryeministrin serb për marrjen e Manastirit (Telegrami)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Shkurt 2020

 

“Le Radical” ka botuar, të mërkurën e 22 nëntorit 1916, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me telegramin e Esat Pashë Toptanit dërguar asokohe kryeministrit serb, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Esat Pasha uron zotin Pashiq

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Korfuz, 21 nëntor.

 

Me rastin e marrjes së Manastirit, Esat Pasha, President i Këshillit Shqiptar, aktualisht në Selanik, i dërgoi Z. Pashiq, Presidentit të Këshillit të Ministrave të Serbisë, telegramin e në vijim :

 

Unë i paraqes Shkëlqesisë Suaj urimet e mia të sinqerta për hyrjen e ushtrisë Aleate në qytetin e parë të atdheut serb.

 

ESAT PASHA

 

  1. Pashiq iu përgjigj këtij telegrami si më poshtë :

 

U përgjigjem me zell urimeve të sinqerta të Shkëlqesisë Suaj që rritën gëzimin që më mbush shpirtin me rastin e marrjes së Manastirit.

 

Ju lutem pranoni urimet e mia të sinqerta për çlirimin e atdheut shqiptar nga zgjedha e armikut.

Paris-presse (1952)- Mbreti Zog i ka dërguar një letër OKB-së dhe i ka kërkuar…

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Shkurt 2020

 

“Paris-presse” ka botuar, të premten e 21 nëntorit 1952, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me kërkesën e mbretit Zog ndaj OKB-së, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Problem në OKB

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pasi u mendua mirë, mbreti Zog i Shqipërisë sapo i ka dërguar një letër OKB-së.

 

Ai kërkon që t’i kthejnë fronin e tij.

Mr. JAVIER PEREZ DE KUELAR, RRNOFSH DHE 100 VJET TJERA! – Nga Fritz RADOVANI

NANA  TEREZE  TEK  JAVIER  PEREZ  DE  KUELAR

SEKRETARI I PERGJITHSHEM I OKB, NEW YORK.

Javier Pérez de Kuélar u le me 19 Janar 1920 në Lima të Perus. Asht diplomat e politikan.  Ishte Sekretar i Përgjithshem i OKB nga 1 January 1982 – 31 Dhjetor 1991. Asnjëherë nuk asht shkëputë nga jeta politike. Shqipnia dhe Shkodra duhet të jetë mirnjohëse perjetë ndaj Perez de Kuelar, per shpetimin nga gjakderdhja me 11 Nandor 1990… Kur Don Simon Jubani pat thanë Meshen e Parë mbas vitit 1967, kohë në të cilen Enver Hoxha e shpalli “Shqipninë shtet ateist, i vetmi në Botë!” dhe, vepren e tij e vazhdoi Ramiz Alia.

Mbas ramjes së Murit Berlinit (1989), Ramiz Alia donte me vazhdue besnikisht rrugen dhe politiken kriminale të Enverit, prandej, kur Don Simon Jubani deklaroi se me daten 11 Nandor 1990, ora 11.00 do të thonte Meshen e Parë në Rrëmaji të Shkodres, Ramizi jo vetem dergoi disa vagona me sampistë në Zallin e Kirit, po edhe mbushi apartamentet me njerzë të armatosun, per me ba gjakderdhje mbi popullin që do të shkonte në Meshë. Me 10 Nandor, kah mesnata Ramiz Alia njofton në telefon sekretarin e parë të PPSh në Shkoder, Xhemal Dymylja dhe i jep atij urdhen: “Neser të mos veprohet me armë ndaj Popullit që do të shkojë në Meshen e Don Simonit, mbasi kështu më ka urdhruar nga OKB Sekretari i Pergjithshëm Javier Perez de Kuelar. Merrni masa urgjente!..”

Atë natë janë thirrë urgjent në Komitetin e PPSh Rrethit Shkoder, mbi njëqind persona, per me “sigurue qetsinë në Rrëmaji”, ndonse, Populli që mori pjesë nuk dinte asgja, tue fillue prej meje që shkova me familje me marrë pjesë në “ringjalljen e Fesë”…

Sa shumë ngjarje janë të panjohuna dhe, as që do të dihen ndonjëherë nga Shqiptari!..

Po, sikur të mos nderhynte J.P. de Kuelar, shka do të ngjante me 50.000 vetët aty?..

            Melbourne, 25 Shkurt 2020.

PRENKË JAKOVA VIKTIMË E “REVOLUCIONIT KULTURAL” – Nga Fritz RADOVANI

Në 45 vjetorin e “Revolucionit Kultural”…

 

PRENKE JAKOVA (1917 – 1969)

Kam lexue disa artikuj gjysmakë të shkruem nga muzikantë bashkohës të ma të madhit kompozitor të gjysës së dytë të shek.XX në Shqipni, të viktimës së “Revolucionit Kultural” të vitit 1967, Prenkë Jakova, mbas një viti që Ai vuni në skenë Operen “Skenderbeu” me tekst nga Llazar Siliqi, në Teatrin Operas në Tiranë, në vitin 1968.

Populli i Shkodres dhe mbarë Shqipnia krenohej me Prenkë Jakoven, por kur Ai në 500 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i pat dhurue Shqiptarëve një veper aq dinjitoze sa Opera per Até Hero, Ai u ba një mit i vertetë dhe i pakrahasueshem qyshë se ishte i gjallë e vazhdonte me ecë me çanten e vet të punës të mbushun me dru në kohë dimni per me shkue në dhomen e ftohët të Tijen, në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës, ku drita e asaj dhomë fikej e fundit… Një Burrë modest, trim dhe besimtarë katolik i vertetë, që porsa hapte sytë në mengjez mendonte kujt me i ba sot një të mirë… që per fat të keq asnjeni nga “ata” që ka zbritë nga makinat e rekrutimit kur do të niseshin me shkue me krye sherbimin ushtarak nuk e shkruejnë një rresht per Té! Nuk janë kenë aq pak sa mos me u perfillë fare një “nder” kaq i madh që u ka ba Prenka “atyne” kur dihen mirë edhe rrethanat se çka mund të sillnin ata vite! E pra, perveç vetë Prenkës, asnjeni nuk ishte i “pazevendsueshëm” në orkestren e atij institucioni…

Shkova në Tiranë me e pa Operen e “Skenderbeut” me daten …

E takova Prenkën para se me hy, i shterngova doren dhe i mora edhe autografin!

……

Ishte ditë e hane kur porsa bleva gazeten “Drita” në librari dhe lexova pak rreshta rrugës të një artikulli që shkruente kompozitori Çesk Zadeja per Operen “Skenderbeu”, pak i “habitun” kishe mërrijtë tek hymja para Kafes Madhe, ku një dorë Burri më kapi përkrahu… dhe gati si me më marrë zharg… më tha: “Lenè, se tash e lexon në shtëpi por eja të pijmë një kafe!” Ishte dora e Prenkë Jakovës… që më duket se më shterngon edhe sot! Hymë mbrendë, më prini nga krahu i djathtë tek tavolina e fundit. Ai u ulë me shpinë nga dera ndersa unë perballë Tij. Unë fillova me i tregue knaqsinë e madhe që kishe perjetue në Opera… Ai më nderpreu dhe më tregoi se “disa” kompozitorë kishin kerkue para shfaqjes shkurtimin e saj mbasi tri orë e 15 minuta asht e gjatë… dhe do të “merziten” shikuesit … Ky u ishte pergjegjë: “Çudi si mund të merziten Shqiptarët tue ndigjue tri orë e 15 minuta muzikë për Heroin tonë Kombtar, kur spanjolët rrinë mbi 8 orë tue ndigjue muzikë per një kurvë Karmen!…” Kujtoj si tash lotët që më shkonin nga të qeshunit…

Por Prenka, vazhdoi…“Ke ç’ndienë në ketë botë, dje nade u nisa nga Tirana me ardhë me tren për Shkoder, kur tek Pallati i Kulturës, ndigjova një za – Prenkë, Prenkë, kur ktheva kokën ishte Çesk Zadeja, i tregova se po shkoj për Shkoder, por mu vue me ndejë për drekë tek ai, pa i vue rendësi çka po hamë, por ma shumë për qejfë, mandej kah mbasdrekja nisu për Shkoder, më tha dhe unë u ktheva me ia plotsue dëshirën…

Shkueme tek shtëpia e tij, vuni pak djathë e salam në tavolinë, mbushëm nga një gotë raki dhe fillueme bisedën sigurisht rreth Operës “Skenderbeu”, e cila i kishte pelqye fort… më tregoi disa momente dhe arie që i kishin lanë mbresa, sigurisht tue më përgzue për të ardhmen… Vuni në zjarr një tenxhere dhe ziu makarona, bani një pastashutë dhe hangra edhe drekën me te. Mbasdreke më çoi deri tek treni e u nisa per Shkoder. Sa mërrijta tek dera dhe trokita më doli para Deda i topitun dhe më pyeti: Prenkë a e ke pa sot gazetën Drita, as unë si ti, nuk e kishe pa. Ma solli dhe më tha: Shife çka ka shkrue Çesk Zadeja për ty!… Besoje, mbasi kam lexue pak rreshta e kam ndërpre se mu përzine shkronjat e nuk mujshe me lexue ma, i thashë Dedës me vazhdue dhe e ka lexue ai deri në fund… Shife si e mbyllë artikullin nga fundi, se me e lexue krejtë don kohë se janë dy faqe gazete që ka shkrue keq e ma keq ku nuk shkon ma, aqsa më këshillon që autori i muzikës asht mirë me e marrë edhe njëherë në dorë operën dhe me e riparue. …Beso, nuk kam fjetë asnjë minut tue pi cigare e kafe gjithë natën pa mbyllë sy një minut… Jo, nga teksti i gazetës sa nga “dreka” dhe tradhëtia e tij…” .

Asht me të vërtetë një tragjedi me mendue sesi Çesk Zadeja, asht kenë edhe student në shkollën Françeskane të Shkodres, dhe bashkohës i të gjithë kompozitorve që kanë dalë nga bankat e At Martin Gjokës e mbas Tij At Filip Mazrrekut… Artikulli i Tij asht kenë një nga “zanët e mëshefta” të suflerit të Komitetit Qendror të PPSH… që nxjerrë në pah karakterin e tij tinzar, amoral, të pabesë dhe vrasës pikërisht, si miku i tij, shegert i të cilit ka vdekë tue i shërbye deri në ditën e fundit organit kriminal të Sigurimit të Shtetit dhe Ramiz Alisë, “hijes së zezë” të Enver Hoxhës, vetëm pse Prenkë Jakova nuk kompozoi një opera për Enver Hoxhën por, sakrifikoi edhe jetën e vet për të Madhin Gjergj Kastrioti Skenderbé! Data 22 Janar 1968, data e shfaqjes së Operes “Skenderbeu” asht data ma e keqe për fatin që e priste ma vonë kompozitorin Prenkë Jakova.

Me datën 16 Shtator 1969, shkova me pa tek dhoma e tij tue punue një shabllon Çesk Jakovën. Aty nga ora 10.30 p.dr. dola nga dhoma e tij dhe u ula poshtë tek zyrja e Pergjegjsës Sebiha Halili, ku lejohej me pi cigare. Posa ndeza cigarën ra telefoni. Çova receptorin dhe mora vesht se kërkonte Spitali Civil Çeskun, i thashë se po ta thrras. – Jo, më tha, thuej të vijnë në Spital se Prenka asht shumë randë. – Kush? – I thashë, unë, Prenka? – Po, më tha, po kur mori vesht se kush jam unë, më tha: “Mos i thuej gja Çeskut, por Prenka ka vdekë!”… U shtanga në vend!…. Shkova dhe njoftova Çeskun se të kërkon Spitali Civil, paska shkue Prenka aty se, nuk e ka ndie vedin mirë. Çesku iku me vrap në Spital… Mbas pak minutash u hap lajmi i vdekjes së Prenkës se, një puntor kishte ardhë nga Spitali e kishte tregue se “Prenka ka ra nga dritaria në Shtëpinë e Kulturës!..”.

Të nesërmen mbas dreke ishte funerali. Ishte gjetë nga shteti motivi i “vetvrasjës” me të cilin shteti justifikonte “mos pjesmarrjen e tij”. Çdo gja ishte private familjare! Por, edhe pse Prenka po “ridënohej” arkivoli doli nga shtëpia i mbajtun në dorë nga populli i pafarë. Në dritarën e shtëpisë Jak Benit karrshi rrugës Prenkës, dha gjamën e përcjelljes një za i dalun me forcë i Klotilde Shantojës, që shoqnohej nga motrat Gjonej, kushrina të sajat, vajzat e Ndrekë Gjonej. Na u drejtueme nga Serreqi dhe morëm këthesën nga rruga Ballabane, tue kalue para Katedralës së mbyllun që nga viti 1967. Ishte moment shumë prekës për né që njihnim Prenkën tue kalue para Asaj Kishë për të cilën, Prenka refuzoi edhe privilegjet e qeverisë së Tiranës, për mos me u largue nga tingujt e kumbonve të saj që i ushtonin mbi kokë të Tij përditë nga Ai kompanjel qind e sa vjeçar… Ashtu n’atë heshtje vazhdoi rrugën korteu me arkivol prap në dorë…

Kur kemi mërrijtë tek rruga e “Tre Herojve” kemi pasë drejtimin e arkivolit unë dhe ingj. Mark Shkreli. Aty na ka ndalue Angjelin Kumrija dhe na ka urdhnue me e kalue arkivolin në makinën e të vdekunve. Na kundërshtuem, por ai me ton na tha: “Kalonje këtu, se kështu asht urdhni!” edhe, na zbatuem “urdhnin”, tue e kalue arkivolin në makinë … (Ky moment asht fiksue nga fotografi Angjelin Nenshati në foto). Mërritëm në Rrëmaj. Aty kam “besue” se Prenka me të vërtetë kishte “vdekë”…ndoshta, “përgjithmonë”, se ashtu ishte “urdhni”!.. Prenkë Jakova po varrosej pa tingujt e bandës muzikore të qytetit të cilën e ka drejtue vetë.

Mbas funeralit jemi këthye rrugës me ZKE, të cilin e njihshe prej kohësh në Shtëpi të Kulturës. Kemi ecë nga Serreqi dhe jemi këthye nga Gjuhadoli e tek Dugajt’e Reja, në drejtim të Pjacës së Fushës së Çelës, dhe tek Biblioteka (Bashkia sot), jemi nda mbas një bisede shumë interesante, shumë sekrete dhe në besim të madh. Ai Burrë më tregoi si ka ndodhë njëditë ma përpara vdekja tragjike e Prenkë Jakovës, për të cilin ruente mbrenda zemrës së vet respektin, dashninë dhe dhimbjën ma të madhe.

Në ora 08.00 ky dhe drejtori Angjelin Kumrija kanë hapë Shtëpinë e Kuturës.

Aty nga ora 08.30’ kanë mërrijtë Prenkë Jakova dhe Ndoc Shllaku, dhe kanë hy në dhomën e Prenkës, nalt tek dera e parë djathtas. Porsa janë ngjite Ndoci asht ulë tek poltroni ngjitë me derën, ndërsa Prenka asht ulë tek pjanoforta. Ka shkue tek ata edhe drejtori Angjelini, e biseda asht ba me derë të hapun, ku tema ishte “martesa që ka ndër mend Prenka, por që nga këta dy konsiderohej e papërshtatëshme për një njeri si Prenka.

Prenka ka tregue vendimin e Tij dhe vëndosmeninë për me e krye martesën… Ndoci gjoja i zemruem asht çue dhe ka ikë nga Shtepia e Kulturës, tue e lanë Prenkën vetëm me Angjelinin. Angjelini ka dalë nga dhoma e Prenkës dhe ka shkue në drejtori, ka marrë “dikend”… në telefon, të cilit, i ka thanë: “Po,… Prenkën e kam këtu, mos u vononi!…” Angjelini asht zbritë deri në gjysmën e shkallës vertikale me një llampë elektrike në dorë dhe, ka thirrë me emën ZKE, që ishte nën zyrën e tij poshtë, pikërisht, aty ku ndigjohej çdo bisedë që bahej në drejtori, aq ma shumë bisedat telefonike me za të naltë prej Angjelinit. ZKE ka dalë në korridor poshtë tue pritë çka urdhnon drejtori, i cili, i ka thanë: “Mbylle derën e Shtëpisë së Kulturës dhe mos e hap pa të urdhnue vetë!” dhe asht ngjitë naltë dhe ka shkue drejtë e nga dhoma e Prenkës, gja të cilën ZKE e ka dallue nga kambët në drrasat e korridorit…ZKE ka mbyllë derën dhe ka hy në zyrën e vet. Shumë shpejtë Angjelini ka dalë nga dhoma dhe ka thirrë ZKE: “Eja shpejtë se Prenka ra nga dritaria!”…Asht ngjitë dhe ka shikue nga dritaria prej ku shihëj Prenka poshtë i mbuluem me gjak…Kanë zbritë shpejtë, por gjithshka kishte mbarue…Ai kishte ra me kokë në çimento dhe pa ndjenja…Angjelini, ka dalë tek rruga me pa mos kalon ndonjë makinë, ndersa ZKE, mbante në duert e Tija kokën e përgjakun të Prenkës. Mbas 5’ ka kalue një makinë zis, kamjon i vogël dhe bashkë me shoferin kanë bajtë Prenkën, dhe janë nisë nga spitali civil. Rrugës në gjithë atë shpejtësi kanë mujtë me kuptue se “Prenka dha Shpirtë mbas pak minutash, pa mërrijtë në spital”…

Në darkë nga ora 5 (17) mbasdreke ka ardhë nga Tirana Mantho Bala, zv ministër për kulturën. Porsa ka hy tek dera e Shtëpisë së Kulturës i ka thanë të pranishëmve:

Ai me të vërtetë ra dhe vdiq por mos harroni se Prenka ka ra mbi kokat tona!”.

…..

Mbyllja: Kush e njoftoi Ndoc Shllakun që shkoi në mëngjez tek Prenka?

Kush ishte Ndoc Shllaku, përveç se djali i dajës së Prenkës?

Cili asht kenë qendrimi që ka mbajtë Ndoci ndaj Prof. Mark Demës?

  • Mark Dema asht dënue 18 vjet burg dhe ka vuejt dënimin në Spaç nga letra e shkrueme vetëm me shpifje prej dorës së Ndoc Shllakut.

Dosja e “mbyllun” e Ndocit tregon se ai ishte spijun i regjun i sigurimit të shtetit.

Pse Ndoci iku dhe e la Prenkën vetëm me Angjelinin, një spijunit tjetër si veten?

Pse Ndoci mbas vdekjës së Prenkës nuk ka shkue kurrma në shtëpi të Jakovëjve?

Ke lajmëroi Angjelini në telefon se “Prenkën e kam këtu, mos u vononi!”?

Ke priste Angjelini me ardhë aty me shpejtësi?

A thue e ndigjoi Prenka bisedën telefonike të Angjelinit ashtu si ZKE?

Pse u nevojit llampa elektrike pikërisht me u “ndrrue” atë ditë paradreke?

Kush duhet ta ndrronte llampën e djegun tek dritaria, Angjelini apo Prenka?

Cili ishte ma i ri me hypë tek dritaria…?

Pse Angjelini urdhnoi ZKE me mbyllë derën e madhe të Shtëpisë së Kulturës?

Iu morën mendët Prenkës apo e shtyni Angjelini?…!?

Kush ishte për Sigurimin Angjelin Kumrija në “Revolucionin Kultural” të 1967?

Cila asht  sot përgjegja e këtyne pyetjeve nga “Dosja” e Angjelin Kumrisë?

Unë që njoh Angjelinin që në vitin 1955, nuk kam nëvojë për asnjë përgjegje!

            Prenkë Jakova asht viktimë e terrorit komunist të “Revolucionit Kultural”!..

 

            Melbourne, Prill 2012.

 

 

http://www.standard.al/index.php/kulture/4714-nxenesit-qe-tradhtuan-preng-jakoven

Nxenesit qe tradhetuan Preng Jakoven

Zeri I Popullit dt. 28 1 1968 Opera “Skenderbeu”

Kemi bindjen se kompozitori Prenke Jakova do te ulet perseri mbi partiturat e operas “Skenderbeu” dhe do te punoje mbi to me kembengulje dhe seriozitet….Cesk Zadeja  Dritero Agolli.

Ismail Qemali për Neue Freie Presse (1912): “Serbia nuk ka asnjë të drejtë të përparojë drejt Adriatikut dhe të copëtojë Shqipërinë.”

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Shkurt 2020

 

“La Libre Parole” ka botuar, të mërkurën e 13 nëntorit 1912, në ballinë, shkrimin e gazetës austriake “Neue Freie Presse” në lidhje me reagimin e Ismail Qemalit ndaj ndërhyrjes serbe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 12 nëntor.

 

Neue Freie Presse botoi një intervistë të Ismail Qemal Beut, udhëheqësit shqiptar, i cili tha se Serbia nuk ka asnjë të drejtë të përparojë drejt Adriatikut dhe të copëtojë Shqipërinë.

 

Në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin, nuk ka qoftë dhe një serb të vetëm. Ka disa familje serbe në Shkodër dhe disa mijëra bullgarë në sanxhakun e Dibrës.

           

Nëse do të shpërthente lufta midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë, të gjithë shqiptarët do të merrnin armët në favor të Austro-Hungarisë.

L’Univers Israelite (1939)- Një mjek hebre, refugjat nga Vjena, i erdhi në ndihmë mbretëreshës Geraldinë në Greqi

Mbretëresha Geraldinë dhe mbreti Leka Zogu I

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Shkurt 2020

 

“L’Univers Israélite” ka botuar, me 21 prill 1939, në faqen n°15, një shkrim në lidhje me ndihmën që i ka dhënë asokohe një mjek hebre mbretëreshës Geraldinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Greqi

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në ndihmë të mbretëreshës Geraldinë

 

Na shkruajnë nga Athina së në mesin e mjekëve të thirrur në për t’i ardhur në ndihmë mbretëreshës Gëraldinë gjendet edhe profesori Weidl (Weibel), një refugjat hebre nga Vjena.

 

Emrin e mjekut hebre e konfirmon edhe një shkrim i Le Temps, i 15 prillit 1939, në faqen n°2 :

 

Gjendja shëndetësore e mbretëreshës Geraldinë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Na shkruajnë nga Athina me 13 prill :

 

Profesori Louros, i shoqëruar nga profesori Weibel, mbërriti sot në Athinë nga Larissa. Ai njoftoi për gazetarët se Mbretëresha Geraldinë ishte shëruar plotësisht dhe se gjendja e saj ishte e kënaqshme.