VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Princi William takon myslimanët në Zelandën e Re

April 26, 2019

Komentet

Renault dhe Nissan do të investojnë 26 miliardë dollarë në automjetet elektrike

Tokio

Aleanca francezo-japoneze e automjeteve Renault-Nissan planifikon të investojë 23 miliardë euro (26 miliardë dollarë) në teknologjinë e automjeteve elektrike gjatë 5 viteve të ardhshme, njoftuan kompanitë sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e aleancës është dhe prodhuesi më i vogël japonez i automjeteve Mitsubishi Motors Corp., me të cilën do të ndajë kërkimet, pjesët e automjeteve dhe teknologjinë për të ulur kostot dhe për të prodhuar 35 modele të reja automjetesh elektrike deri në vitin 2030, duke synuar tregjet në mbarë botën.

Automjetet do të përdorin një nga 5 platformat e zakonshme, pjesët kryesore mbi të cilat janë ndërtuar automjetet.

Nissan Motor Co do të angazhohet në zhvillimin e një baterie të gjeneratës së ardhshme për automjetet elektrike ndërsa Renault do të angazhohet në zhvillimin e elektronikës dhe softuerit.

Prodhuesit e automjeteve në mbarë botën po përpiqen të kursejnë shpenzimet dhe të krijojnë aleanca. Problemet e fundit rreth furnizimit që lidhen me COVID-in, të cilat po paraqesin problem në prodhim dhe shqetësimet në rritje për ndryshimet klimatike, e kanë bërë një koordinim të tillë më urgjent se kurrë.

Tesla është shfaqur si një konkurrent i fuqishëm dhe jashtëzakonisht fitimprurës. Në treg po hyjnë dhe aktorë të rinj si Sony Corp., prodhuesi i video lojërave PlayStation, së fundmi ka shfaqur një prototip të një makine elektrike. Prodhuesi më i mirë japonez i automjeteve Toyota Motor Corp. ka njoftuar një plan energjik për automjetet elektrike.

Renault zotëron 43.4 për qind të Nissan ndërsa Nissan zotëron 15 për qind të Renault. Nissan, me qendër në qytetin port të Yokohama, zotëron 34 për qind për qind të Mitsubishi me bazë në Tokio. Qeveria franceze zotëron 15 për qind të Renault.

Aleanca ishte ide e Carlos Ghosn, të cilin Renault e dërgoi në vitin 1999 për të ngritur Nissan-in pothuajse të falimentuar. Ghosn e bëri atë një nga grupet më të suksesshme të automjeteve në botë. Por ai u arrestua në Japoni në vitin 2018 me akuzat për shkelje financiare.

Ai la kaucionin dhe iku në Liban në fund të vitit 2019. Libani nuk ka traktat ekstradimi me Japoninë. Ghosn thotë se është i pafajshëm.

Arrestimi i Ghosn-it dhe zhvillimet e lidhura me të shkaktuan tensione brenda aleancës.

Princi britanik Andrew kërkon gjykim nga juria në padinë civile për abuzim seksual në SHBA

Londër

Princi britanik Andrew ka kërkuar një gjyq nga juria për të pastruar emrin e tij nga akuzat për abuzim seksual, sipas një dokumenti ligjor, raportuan mediat britanike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në dokumentin prej 12 faqesh, i cili përfaqëson përgjigjen e parë zyrtare të Princit Andrew ndaj padisë civile amerikane të Virginia Robert Giuffre kundër tij, ai përfshiu një përgënjeshtrim paragraf për paragraf të 73 pretendimeve të saj kundër tij, duke mohuar “çdo keqbërje”.

Princi Andrew, 61-vjeç, renditi 11 arsye pse çështja duhet të refuzohet, përfshirë statusin e vendbanimit të Giuffre dhe “sjelljen e saj të gabuar”.

Në fund të dokumentit thuhet se: “Princi Andrew kërkon një gjykim nga juria për të gjitha shkaqet e veprimit të deklaruara në ankesë”.

Princi Andrew hodhi dyshime rreth fotos tashmë famëkeqe të tij me krahun rreth belit të Giuffre si dhe mohoi të ishte mik i ngushtë i trafikantit të seksit të dënuar së fundmi, Ghislaine Maxwell.

Giuffre, (38), paraqiti ankesën e saj në SHBA gushtin e kaluar, ku pretendonte se ishte abuzuar seksualisht ose përdhunuar nga Princi Andrew në tri raste të ndara midis viteve 2000 dhe 2002. Ajo ishte nën moshën 18-vjeçare në atë kohë. Tani ajo e padit atë për dëmshpërblim.

Princi Andrew ishte përpjekur që çështja të hidhej poshtë nga gjykata, por një gjykatës amerikan lejoi që çështja të vazhdonte. Menjëherë pas kësaj, Mbretëresha i hoqi atij rolet e nderit ushtarak dhe mbrojtjen mbretërore.

“Përgjigja e Princit Andrew vazhdon qasjen e tij duke mohuar çdo njohuri ose informacion në lidhje me pretendimet kundër tij dhe pretendon të fajësojë viktimën e abuzimit për shkak të sjelljes së saj në njëfarë mënyre”, tha avokati i Giuffre, David Boies.

“Ne mezi presim të përballemi me Princin Andrew me mohimet dhe përpjekjet e tij për të fajësuar zonjën Giuffre për abuzimin e saj në dëshminë e tij në gjyq”.

Kanadaja zgjeron misionin e saj trajnues në Ukrainë

Marrë nga Associated Press

Kanadaja zgjati me tri vite të tjera misionin e saj të trajnimit të ushtarëve ukrainas dhe planifikon të zgjerojë këtë operacion, tha të mërkurën kryeministri Justin Trudeau.

Zoti Trudeau tha se ai ka autorizuar ushtrinë të dislokojë 60 anëtarë të tjerë personeli për t’u bashkuar me 200 trupa tashmë në terren, me kapacitet të mëtejshëm për ta rritur atë numër deri në 400. Kjo është pjesë e një angazhimi kanadez për të ndarë një ndihmë prej 268 milionë dollarësh amerikanë për Ukrainën.

Kryeministri kanadez tha se Rusia po përdor fuqinë dhe peshën e saj ushtarake për të ngacmuar dhe kërcënuar një demokraci të pavarur përmes një përpjekje për të detyruar Ukrainën të përkulet para vullnetit të saj.

“Ky është një kërcënim jo vetëm për ukrainasit, por për të gjithë ne që besojmë në të drejtat e qytetarëve për të zgjedhur qeveritë e tyre dhe për të zgjedhur drejtimin e vendit të tyre”, tha kryeministri Trudeau.

“Ne po shohim tani në mbarë botën një rrëshqitje të demokracisë, një sulm ndaj parimeve demokratike në forma të ndryshme. Por kërcënimi i drejtpërdrejtë i një pushtimi rus të Ukrainës, për të hequr aftësinë e popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tij është diçka që na shqetëson të gjithë ata që e duan demokracinë.”

Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau

Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau

Kryeministri Trudeau tha se ndihma përfshin gjithashtu dërgimin e pajisjeve në Ukrainë, ndarjen e inteligjencës dhe mbështetje për mbrojtje nga sulmet kibernetike.

Misioni kanadez synon të mbështesë forcat ukrainase në mënyrë që vendi të mund të mbrojë sovranitetin, sigurinë dhe integritetin e tij territorial, tha kryeministri kanadez.

“Ky nuk është një mision luftarak, ky është një mision stërvitor. Ushtria kanadeze do të jetë aty për të këshilluar dhe ndihmuar. Ne do të vazhdojmë stërvitjen e ushtrisë ukrainase”, tha zoti Trudeau. “Në rast të një inkursioni ose pushtimi rus në Ukrainë, ne do të sigurohemi që ushtria kanadeze të mbetet e sigurt.”

Kryeministri Trudeau tha se ministrja kanadeze e Mbrojtjes, Anita Anand do të udhëtojë në Letoni dhe Ukrainë për të vizituar ushtarët kanadezë në ditët në vijim. Zonja Anand tha se Kanadaja ka trajnuar mbi 30,000 ushtarë në Ukrainë. VOA

Rusia dërgon anije luftarake në Detin e Zi ndërsa avionë në Bjellorusi

Moskë

Në kuadër të stërvitjeve të shumta ushtarake, Rusia ka dërguar anije luftarake në Detin e Zi dhe avionë luftarakë Su-35 në Bjellorusinë fqinje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Mbrojtjes së Federatës Ruse njoftoi se më shumë se 20 anije të marinës ruse lundruan në Detin e Zi në vendet e përcaktuara për stërvitjen ushtarake.

Paralelisht me këtë, ministria njoftoi se një numër i caktuar avionësh rusë Su-35 fluturuan në Bjellorusi për të marrë pjesë në stërvitjen ushtarake “Vendosmëria e Aleatëve 2022”. Stërvitja do të fillojë më 10 shkurt.

Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se në fund të janarit dhe gjatë muajit shkurt, forcat ruse do të raportonin një sërë stërvitjesh ushtarake për të kontrolluar dhe përmirësuar gatishmërinë ushtarake.

Stërvitjet ushtarake ruse u organizuan në mes të tensioneve të larta me Ukrainën fqinje dhe në mes të akuzave nga Perëndimi se Rusia po grumbullon trupa në kufirin ukrainas. Aleatët perëndimorë kanë paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të ashpra në rast të një sulmi ndaj Ukrainës.

Avionët luftarakë F-15 të SHBA vendosen në Estoni

Avionë luftarakë amerikanë F-15 janë vendosur në Estoni si masë paraprake kundër një aksioni të mundshëm ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, njoftoi NATO, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në llogarinë e Komandës Ajrore të NATO-s në Twitter, thuhet se aeroplanët luftarakë amerikanë F-15 janë ulur në bazën ajrore Amari.

Ndërkaq, avionët luftarakë danezë dhe estonezë F-16 do të vendosen nesër në bazën ajrore Siauliai të Lituanisë si përforcime për forcat në rajon, tha deklarata, duke shtuar se “patrullimi ajror është më i fortë së bashku”.

Ndërkohë, media ndërkombëtare raportoi se numri i avionëve luftarakë në fjalë është 6.

Meksikë, gazetarët në protestë kundër vrasjeve të kolegëve të tyre

Mexico City

Gazetarët në Meksikë kanë protestuar kundër vrasjeve të kolegëve të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vendin ku në dy javët e fundit janë vrarë 3 gazetarë, një numër i madh i gazetarëve dhe aktivistëve reaguan ndaj ngjarjeve të dhunës duke u mbledhur përpara ndërtesave të qeverisë.

Zv/ministri i Brendshëm i Meksikës, përgjegjës për të drejtat e njeriut, Alejandro Encinas në një postim nga llogaria e tij në Twitter tha: “Gjatë periudhës presidenciale të Andres Lopez Obrador dhjetor 2018 dhe tetor 2021 kanë qenë viktima të atentateve 47 gazetarë. Rreth 10 për qind e gjykimeve lidhur me vrasjet në këto periudha kanë përfunduar me dënime”.

Brenda dy javësh janë vrarë 3 gazetarë

Gazetarja Lourdes Maldonado më 23 janar u sulmua me armë në automjetin e saj në afërsi të shtëpisë së saj në qytetin Tijuana. Maldonado sapo kishte fituar gjyqin që ajo kishte ngritur ndaj kompanisë mediatike “Primer Sistema de Noticias” (PSN) me arsyen se ishte larguar në mënyrë të padrejtë nga puna.

Më 17 janar sërish në Tijuana u vra fotoreporteri Margarito Martinez Esquivel. Ndërsa gazetari Luis Gamboa Arenas i cili u zhduk më 12 janar në rajonin Veracruz ishte goditur për vdekje me thikë.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) thotë se Meksika është një nga vendet me më shumë dhunë kundër gazetarëve dhe më shumë vdekjesh në aspektin profesional.

Që nga viti 2000 e deri më tani në vend janë vrarë 148 gazetarë.

Vritet një gazetar pakistanez në Lahore

Një gazetar pakistanas është vrarë teksa ka qenë duke vozitur me makinën e tij në qytetin lindor, Lahore, ka thënë policia.

Dy personat e armatosur në një motoçikletë kanë shtënë me armë zjarri kundër makinës së Hussain Shahut, para se të iknin nga skena e sulmit, ka thënë zyrtari policor, Safdar Raza Kazmi, duke shtuar se autoritetet janë duke hetuar ende për të kuptuar se kush e ka vrarë gazetarin.

Pas vrasjes, gazetarët e zemëruar kanë marshuar në Lahore, duke dënuar sulmin dhe duke kërkuar arrestimin e vrasësve.

Sindikata Federale e Gazetarëve të Pakistanit ka shpallur protestë mbarëkombëtare.

Shefi i ministrave në Punxhabi, Usman Buzdar, ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar hetime.

Gazetarët në Pakistan kanë qenë tash e sa kohë subjekte të sulmeve të dhunshme.

Më 2020, Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve e ka renditur Pakistanin në vendin e nëntë në Indeksin Global të Mosndëshkueshmërisë.

Në këtë raport analizohen shtete ku gazetarët vriten rregullisht dhe sulmuesit mbesin të lirë. rel

Ukraina: Udhëheqësit perëndimorë deklarojnë unitet kundër kërcënimit të Rusisë

Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se ka “unanimitet të plotë” me liderët evropianë lidhur me grumbullimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën.

Presidenti Biden zhvilloi një video-telefonatë me aleatët evropianë të hënën, ndërkohë që fuqitë perëndimore synojnë një strategji të përbashkët kundër veprimeve të Rusisë.

Mbretëria e Bashkuar ka paralajmëruar Rusinë për sanksione “të shpejta” dhe “të pashembullta” nëse ndodh një pushtim.

Rusia nuk e pranon se ka plane për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka grumbulluar rreth 100,000 ushtarë.

Të bashkuar me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar në këtë  komunikim ishin edhe liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe BE-së. Gjithashtu telefonoi edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Kam pasur një takim shumë, shumë, shumë të mirë – unanimitet total me të gjithë liderët evropianë,” tha zoti Biden më pas.

Një zëdhënës i Downing Street tha se liderët “ranë dakord për rëndësinë e unitetit ndërkombëtar përballë armiqësisë në rritje ruse”.

Nëse ndodh një pushtim në Ukrainë, udhëheqësit ranë dakord se “aleatët duhet të marrin përgjigje të shpejta ndëshkuese, duke përfshirë një paketë të paprecedentë sanksionesh”.

Meksikë, vritet brenda muajit gazetarja e tretë që denonconte korrupsionin

MEKSIKË – Një gazetare është vrarë në qytetin verior kufitar Tihuana, e dyta në këtë qytet brenda një jave, dhe e treta në Meksikë brenda këtij muaji.

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador bëri thirrje të hënën për një hetim të plotë dhe paralajmëroi kundër daljes në konkluzione të parakohshme për motivin e vrasjes së Lourdes Maldonado Lopez, një gazetare nga Tihuana që dikur i kishte kërkuar ndihmë, sipas Associated Press.

Zonja Maldonado u gjet e vrarë me armë në makinën e saj të dielën, sipas prokurorisë së zonës Baja California. Autoritetet konfirmuan se u njoftuan nëpërmjet një telefonate në numrat e urgjencës rreth orës 19:00 dhe e kanë gjetur zonjën Maldonado të vdekur. Në vitin 2019, zonja Maldonado kishte marrë pjesë në konferencën e përditshme për shtyp të zotit Lopez Obrador dhe kishte kërkuar ndihmën e tij pasi ishte e frikësuar për jetën e saj.

Zonja Maldonado ishte angazhuar në një përplasje shumëvjeçare me Jaime Bonillan, i cili një vit më vonë u zgjodh guvernator i rajonit Baja California, si kandidat i partisë së zotit Lopez Obrador, partia Morena. Ai u largua nga posti vitin e kaluar.

Zonja Maldonado kishte njoftuar rishtazi se pas nëntë vitesh kishte fituar procesin ndaj një kompanie mediatike në pronësi të zotit Bonilla.

Organizata e shtypit “Neni 19” tha përmes rrjetit social Twitter se zonja Maldonado mbulonte çështjet e korrupsionit dhe politikën në Tihuana dhe ishte përballur me agresion edhe më parë për shkak të punës së saj. Ajo ishte e regjistruar në sistemin shtetëror të mbrojtjes për gazetarët që janë kërcënuar, por nuk dihet se cilat ishin masat e sigurisë.

Të hënën, zoti Lopez Obrador tha se një hetim ishte i nevojshëm për të ditur “nëse ka një lidhje me ankesën e bërë për arsye të punës dhe për të parë se kush është përgjegjës”.

“Nuk mund ta lidhësh automatikisht një padi pune me një krim. Nuk është e përgjegjshme të nxitosh për të gjykuar. Duhet të presësh”, tha presidenti. Ai shtoi se pasi ajo erdhi në konferencën e tij për shtyp në vitin 2019, ai e ndihmoi atë, por nuk specifikoi se si.

Zonja Maldonado kishte bashkëpunuar me shumë media, njofton VOA, por kohët e fundit po bënte një emision në internet, në radio dhe televizion, “Brebaje”, i fokusuar tek zhvillimet lokale.

Vendet e NATO-s dërgojnë anije dhe avionë në Evropën Lindore ndërsa rriten tensionet në Ukrainë

VOA

NATO-ja tha të hënën se vendet anëtare të saj po dërgojnë më shumë anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, në përgjigje të grumbullimit ushtarak të Rusisë përgjatë kufirit të saj me Ukrainën.

Një deklaratë e NATO-s vuri në dukje vendosjen e forcave, ose shqyrtimin mundësive për dërgimin e trupave dhe pajisjeve shtesë nga vende të shumta, duke përfshirë Danimarkën, Spanjën, Francën, Holandën dhe Shtetet e Bashkuara.

“NATO-ja do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe përforcimin e pjesës lindore të aleancës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në NATO për përshkallëzimin e tensioneve.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania njoftuan gjithashtu se kanë urdhëruar personelin e ambasadave të tyre dhe anëtarët e familjeve në Kiev që të largohen nga Ukraina, duke përmendur mundësinë e veprimeve ushtarake ruse.

Ministria e Jashtme e Ukrainës, shprehu pakënaqësinë më vendimet amerikane e britanike.

“Ndërsa respektojmë të drejtën e kombeve të huaja për të garantuar sigurinë e misioneve të tyre diplomatike, besojmë se një hap i tillë është i parakohshëm dhe një shembull i kujdesit të tepruar”, shkroi në rrjetin Tëitter të hënën, zëdhënësi i kësaj ministri, Oleg Nikolenko.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se BE-ja nuk po planifikon ndonjë tërheqje të ngjashme. Ai i bëri këto komente para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i është bashkuar pasdite virtualisht.

“Ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë sepse nuk dimë ndonjë arsye të veçantë. Por sekretari Blinken do të na informojë”, tha zoti Borrell.

Bursa dhe rubla në Rusi vazhdojnë të bien për shkak të rreziqeve gjeopolitike

Moskë

Për shkak të tensioneve të Rusisë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian (BE), rubla dhe bursa ruse kanë vazhduar rënien edhe në ditën e parë të javës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rubla ruse në ditën e parë të javës humbi 0,4 për qind vlerë kundër dollarit duke shkuar në nivelin 77,7, ndërsa 0,1 për qind kundër euros dhe arriti në nivelin 88.

Indeksi i bursës së Moskës (MICEX) humbi vlerë prej 2,75 për qind duke arritur në 3.344 pikë, kurse indeksi RTS u ul për 3,3 për qind dhe arriti në 1.355 pikë.

Analistët theksojnë se përveç tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës dhe rritjes së mundësisë për një konflikt ushtarak, edhe urdhri për largimin e familjeve të personelit të ambasadës amerikane në Kiev ka krijuar presion për rënien në tregjet ruse.

Julian Assange fiton leje për të apeluar ekstradimin në SHBA

RFE/RL

Themeluesit të faqes WikiLeaks, Julian Assange, i është dhënë leje për ta apeluar vendimin që mundëson ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni dëshiron ta përballë me gjykim Assange-in, lidhur me publikimin e 500,000 dokumenteve ushtarake që kanë të bëjnë me luftërat e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan.

Në dhjetor të vitit të kaluar, një gjykatë në Londër ka përmbysur vendimin e një gjykate më të ulët që pamundësonte dërgimin e Assange-it në Shtetet e Bashkuara, me arsyetimin e rrezikut të vetëvrasjes.

Avokatët e Assange-it më vonë kanë sfiduar vendimin, duke argumentuar se gjykata më e lartë e shtetit duhet të marrë vendime “në bazë të pikave të ligjit që lidhen me rëndësi të përgjithshme publike”.

“Është pranuar kërkesa e palës së paditur për vërtetimin e kësaj pike”, kanë thënë gjyqtarët, Ian Burnett dhe Timothy Holroyde përmes një vendimi me shkrim.

Vetë gjyqtarët kanë thënë se ata nuk mund t’i japin të drejtë Assange-it për ta apeluar vendimin në Gjykatën Supreme.

Mirëpo Assange ka të drejtë të kërkojë drejtësi në bazë të asaj pike në gjykatën më të lartë, e cila më pas mund të vendosë nëse do të shqyrtojë rastin.

“Julian ka fituar”, ka thënë Stella Morris, e fejuara e tij, njëherësh nëna e dy fëmijëve të tij të vegjël.

“I takon tani Gjykatës Supreme për të vendosur nëse do të dëgjojë apelin e Assange-it”.

Turmat e mbledhura në qendër të Londrës e kanë mirëpritur këtë vendim.

Mbështetësit e tij kanë argumentuar se shëndeti i tij fizik dhe ai mendor është prekur rëndë nga qëndrimi në një burg të sigurisë së lartë në juglindje të Londrës.

Ai ka qenë mbrapa grilave sepse shihet si rrezik për arratisje, meqë më 2012 i ka ikur një dënimi me kusht, i cili lidhej me pretendimet se ka sulmuar seksualisht dy gra në Suedi.

Assange ka qëndruar shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër.


Send this to a friend