VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Presidenti Trump vë në shënjestër kandidatin demokrat Biden

By | May 21, 2019

Komentet

E pasigurt e ardhmja e kompensimeve të punonjësve të shpëtimit të 11 shtatorit

Komediani amerikan Jon Stewart shprehu indinjatën ndaj ligjvënësve që nuk morën pjesë në një seancë për një fond që do të kompensonte plotësisht punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë gjatë sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregëtisë në Nju Jork.

Zoti Stewart, një avokat i hershëm për anëtarët e ekipeve të shpëtimit të 11 shtatorit e drejtoi dorën nga karriget e zbrazëta në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i quajti ata “një turp për vendin dhe një njollë për institucionin” e Kongresit. Ish-drejtuesi i programit satirik “The Daily Show” akuzoi gjithashtu anëtarët e komisionit se po tregonin “mungesë të papranueshme respekti”, për punonjësit e emergjencës.

“Indiferenca juaj u ka kushtuar këtyre burrave dhe grave gjënë më të çmuar: kohën. Është e vetmja gjë që po u mbaron. Rolet duhet të ndërrohen në këtë seancë. Këta burra dhe gra duhet të jenë në podium dhe Kongresi duhet të jetë aty poshtë duke iu përgjigjur pyetjeve se pse dreqin qenka kaq e vështirë dhe pse u dashka kaq shumë kohë”, tha zoti Stewart.

Mbi 7 miliardë dollarë u përfshinë në një fond për të kompensuar zjarrfikësit, ekipet e ndërtimit, policët dhe punonjës të tjerë të ndërhyrjes së shpejtë që nxituan në rrënojat e Qendrës Botërore të Tregëtisë, duke thither pluhur, tym, kimikate dhe lëndë të tjera të rrezikshme.

Shumë vetë po vuajnë nga probleme frymëmarrjeje, çrregullime me sistemin e tretjes, kancer në mushkëri dhe kancere të tjera.

“Ky fond nuk është biletë për në parajsë. Është për të mbajtur familjet tona, kur ne nuk mundemi. Asgjë më shumë. Ju të gjithë thatë se nuk do të harroni kurrë. Unë jam këtu që të sigurohem që vërtet nuk do të harroni. Më detyruat të vij këtu një ditë para raundit të 69-të të kimioterapisë. Dhe unë do të bëj të pamundurën që të mos harroni kurrë të kujdeseni për ekipet e shpëtimit të 11 shtatorit”, – tha Luis Alvarez, ish-detektiv i policisë së Nju Jorkut që ishte pjesë e ekipit të shpëtimit të 11 shtatorit.

Departmenti i Drejtësisë ka paralajmëruar se fondi po tkurret pas nuk ka mekanizëm në Kongres që të mos ta lejojë një gjë të tillë, para se të skadojë programi vitin që vjen.

Pagesat e sigurimeve janë reduktuar dhe 21 mijë kërkesa janë ende pezull.

Zoti Stewart dhe të tjerë po i kërkojnë Kongresit që të miratojë një ligj që të sigurojë se fondi do të vazhdojë të funksionojë për 70 vitet e ardhshme. za

Presidenti Trump dhe ish nënpresidenti Biden zhvillojnë fushatë në Ajova

Presidenti Donald Trump dhe ish-nënpresidenti Joe Biden dhanë të martën mesazhin e tyre politik në shtetin e Ajovas, secili me synimin për t’i bindur votuesit e zgjedhjeve të vitit 2020, se ai është njeriu me vizionin dhe forcën për të udhëhequr vendin. Trump dhe Biden kanë shkëmbyer replika që nga koha kur ish nënpresidenti amerikan njoftoi kandidaturën e tij për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, kur zoti Trump e portretizoi demokratin Biden si një njeri që i mungon energjia; zoti Biden, nga ana e tij, kritikoi stilin agresiv të Presidentit Trump. Por replikat e tyre u bënë edhe më të forta, kur të dy u shfaqën në të njëjtin shtet, Ajova.

Gjatë aktiviteteve të tij të së martës në Ajova, zoti Trump u pa qartë se kishte në mendje zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Presidenti republikan, i cili pritet të kandidojë për t’u rizgjedhur, shfrytëzoi çdo rast për të minuar punën e administratës Obama dhe për të përbuzur ish-nënpresidentin Biden:

“Amerika nuk duhet të jetë kurrë peng i furnizuesve të huaj me energji, sikurse ndodhi nën drejtimin Obama-Biden. Joe gjumashi!”

Argumenti kryesor i zotit Trump në favor të tij, ka qenë rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Por politikat e tij për tarifat kanë dëmtuar fermerët amerikanë dhe disa prodhues, duke shkaktuar shqetësim se ekonomia mund të shkojë drejt rënies. Presidenti Trump këmbënguli se nga tarifat përfitojnë fermerët amerikanë.

“Ne jemi duke marrë miliarda nga ato miliarda dollarë që hyjnë në vendin tonë përmes tarifave – u dhamë fermerëve 16 miliardë dollarë, sepse kjo ishte shuma më e lartë që Kina kishte përdorur ndonjëherë për të blerë produktin tuaj”,tha zoti Trump.

Më parë gjatë ditës së martë, zoti Trump shkroi një sërë tweetesh, ku shprehte besimin e tij për t’u rizgjedhuar, duke përfshirë një vlerësim ndaj tij në kohët e fundit në anketa. Sipas Raportit Rasmusen, mbështetja për të është tani rreth 50 për qind.

Megjithatë, një sondazh i Universitetit Quinnipiac i botuar të martën, tregoi se Joseph Biden është 13 pikë para zotit Trump në mbështetjen që ai ka në nivel kombëtar.

Zoti Biden e filloi vizitën e tij dy-ditore në Ajova më herët të martën, duke vënë në shënjestër stilin e udhëheqjes së zotit Trump.

“Unë mendoj se ai përbën me të vërtetë një kërcënim për vlerat tona kryesore. Ai është gjithashtu kërcënim për imazhin tonë në botë. Gjatë ceremonive me rastin e përvjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi më la pa mend fakti që ai i sulmoi me tweete të gjithë, nga kryebashkiaku i Londrës tek aktorja amerikane Bette Midler.”tha zoti Biden.

Kandidati demokrat për president me më tepër mbështetje, kritikoi gjithashtu deklaratat e zotit Trump mbi tarifat:

“Fakti është se ai e tërhoqi kërcënimin për tarifat me Meksikën kohët e fundit, sepse e kuptoi se rrezikonte të humbiste Michiganin, Ohajon, Ajovën dhe papritur – siç themi ne në Delauerin jugor – atij i vika një thirrje nga Zoti… Por do të shikoni, nëse situata vështirësohet, ai do të fillojë përsëri të kërcënojë me tarifat. Sipas mendimit tim, për të punëtorët amerikanë janë veçse një peng i lojës së tij”.

Tani për tani zoti Biden dhe zoti Trump janë në pararojë të garës së partive të tyre përkatëse për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, por nëntori i vitit 2020 është ende larg dhe zgjedhjet e 2016-ës treguan se surprizat e minutës së fundit nuk mund të përjashtohen. za

20-vjetori i Çlirimit, Palmer: SHBA do të jenë përkah jush

Matthew Palmer, zv.ndihmes Sekretari Amerikan i Shtetit

KOSOVE- Në fjalimin e tij para të pranishmëve në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Matthew Palmer, zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje për të mirën e qytetarëve të dy vendeve.

Pjesë nga fjala e Palmer:

Qytetarët e Kosovës kanë treguar se mund të jenë një partner i besueshëm për SHBA. Ruajtja e vlerave për Kosovën që sot është e rritur dhe e pjekur, në 20-vjetorin kanë ndryshuar tensionet në jetët tona. Sot, SHBA do të jenë përkah jush, por sot nuk merr më askush vendime për ju. Duhet lënë mënjanë retorika nacionaliste. Shpalosja e viktimave të luftës nuk ju ndihmon ju për të ndërtuar një shtet demokratik. Sot, Kosova duhet të punojë për një paqe demokratike. Duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që do të sillte pranimin e dyanëshëm. Jeta e qytetarëve do të përmirësohej. Kosova dhe Serbia do të jenë gjithnjë fqinj. Të dy vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen dhe të drejtohen nga ardhmëria dhe përparimi. Nëse Kosova nuk ecën përpara, atëherë do të prishet cikli. Shfrytëzojeni mundësinë për një të ardhme më të mirë. Kjo është koha më e mirë.

Gjenerali Wesley Clark sot në Kosovë – Ja si i shkruan presidentit Bill Clinton!

Ish-komandanti i NATO-s gjatë bombardimeve kundër caqeve serbe më 1999, gjenerali i pensionuar, Wesley Clark, do të qëndrojë të mërkurën në Kosovë, në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Gjenerali Clark ka njoftuar në llogarinë e tij në Twitter se do t’i bashkohet ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në festimet që do të organizohen më 12 qershor në Prishtinë.

Ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Albright, kanë arritur të martën në Kosovë.

Clinton dhe Albright janë pritur nga krerët e institucioneve të Kosovës.

Gjenerali Wesley Clark ka qenë komandant i forcave të NATO-s në kohën e bombardimeve të forcave aleate kundër ushtrisë dhe policisë serbe, të cilat po kryenin krime kundër njerëzimit dhe kishin ndërmarrë fushatë të pastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës.

12 qershori konsiderohet dita e çlirimit të Kosovës pasi më 12 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë pas nënshkrimit të marrëveshjes tre ditë më herët me forcat serbe, të cilat u pajtuan të largoheshin nga Kosova.

Marrëveshja teknike-ushtarake ishte nënshkruar më 9 qershor 1999 në Kumanovë pas 78 ditë bombardimesh ajrore nga forcat e NATO-s kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

(Video) Clinton: Krenar që isha president kur duhej dikush që do t’i kundërvihej spastrimit etnik

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, tha të martën në Prishtinë se Kosova meriton të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë përkrahjen e plotë për Kosovën në rrugën e saj përpara.

“Mendoj se Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër që mund të anëtarësohet një shtet i pavarur. Unë kam qenë shumë i lumtur që pasardhësi im presidenti Bush njohu Kosovën dhe pavarësinë e saj. Në një mjedis të paqartë politik në Amerikë, Kosova duket të jetë e vetmja temë për të cilën pajtohen të gjithë amerikanët prandaj ju uroj sukses dhe besoj se vendi im do të vazhdojë të ju mbështesë në përparimin tuaj”, tha ish presidenti Clinton.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e dekoroi ish presidentin amerikan me “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.

Ish presidenti Clinton tha se mbarë bota mund të marrë Kosovën si shembull të demokracisë dhe përkushtimit për të përparuar dhe jetuar në paqe me fqinjët.

“Kjo është diçka për të cilën të gjitha shtetet duhet të punojnë brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj se ju e keni rastin të vendosni edhe një shembull të ri për botën edhe për njëzet vjetët e ardhshme. Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë president i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre”, tha ish presidenti amerikan.

Ai u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, i cili pas takimit shkroi ne rrjetet sociale: “Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe te populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj”.

Ish presidenti Clinton dhe ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në veprimtaritë me të cilat pritet të shënohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare dhe administrimit serb të Kosovës.

Roli i të dy zyrtarëve amerikanë vlerësohet vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s 20 vjet më parë dhe hapjen e rrugës për pavarësinë e Kosovës.

“Jam i nderuar të kthehem në Kosovë për të kremtuar 20 vjet paqe – një arritje e qytetarëve të Kosovës që duhet të kremtohet jo vetëm në këtë përvjetor, por çdo ditë”, shkroi presidenti Clinton në rrjetet sociale.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli pritën ish presidentin Clinton në aeroportin e Prishtinës.

“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqes dhe të stabilitetit në të gjithë rajonin. Mbështetja e palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën! Përjetësisht mirënjohës!”, shkroi në rrjetet sociale ish presidentja Jahjaga.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, shkroi se “Liria dhe Pavarësia jonë është e lidhur ngushtë me emrin e njeriut që sot po viziton Republikën tonë. Presidenti Klinton do të jetë i nderuar për jetë e mot nga Kosova”.

Ish presidentja Jahjaga, priti ne aeroportin e Prishtinës edhe ish sekretaren Albright.

“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretarss Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen”, shkroi ajo.

Viti 2019 në Kosovë është shpallur vit i NATO-s në shenjë nderimi për ndërhyrjen e saj 20 vjet më parë.

 

 

 

Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës e Serbisë për njohje reciproke

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të lenë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje që përqendrohet në njohjen reciproke mes tyre.

Në një deklaratë me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të operacionit të NATO-s që i dha fund spastrimit etnik në Kosovë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha:

“Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke dhe të heqin menjëherë pengesat ndaj përparimit.”

“E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është një dialog midis fqinjësh që të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i hapë rrugën Serbisë dhe Kosovës të kenë vendin e tyre të ligjshëm brenda komunitetit euroatlantik,” tha zëdhënësi.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë gjatë gjithë këtij procesi, por i takon Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm,” thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të veprojnë tani e të mos ua lënë punën brezave të ardhshëm. za

Seanca të reja dëgjimore mbi raportin Mueller

Gjatë ditëve të ardhshme pritet të zhvillohen disa seanca me dëshmi mbi raportin e Prokurorit të Posaçëm Mueller mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016. Po shtohet presoni për të vazhduar hetimet që mund të çojnë në hapjen e procesit për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Por zoti Robert Mueller, i cili ditët e fundit e përmbylli detyrën e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të raportit, nuk do të japë dëshmi para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin, i cili do të zhvillojë një seancë me titull: “Mësime nga Raporti Mueller: Ndërhyrje presidenciale dhe vepra të tjera penale”.

Komisioni do të dëgjojë dëshmi të ish-prokurorëve të përgjithshëm dhe ekspertëve të tjerë ligjorë, përfshirë John Dean, dëshmitar kryesor në vitet 1970 gjatë skandalit Watergate dhe ish-këshillar për Presidentin e atëhershëm Richard Nixon. Komisioni thotë se dëshmitarët do të diskutojnë prova të raportit se Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte ose kufizonte hetimet, të cilat përforcuan përfundimet e komunitetit të zbulimit se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje me synimin për të ndihmuar Presidentin Trump të fitonte.

Të mërkurën, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin do të organizojë një seancë të re me synimin për të nxjerrë mësime mbi “ndërlikimet në punën e agjencive të zbulimit” bazuar në konkluzionet e raportit Mueller.

Të dy këto komisione kryesohen nga demokratë, ndërkohë që vetë antarësia e Partisë Demokrate është e përçarë në pikëpamjet e tyre pro dhe kundër hapjes së procesit për shkarkimin e Presidentit Trump. za

SHBA: Aeroporti merr emrin e boksierit Muhamed Ali (video)

Muhamed Ali mahniti botën si kampion i boksit dhe veprimtar politik. Pasi vdiq në vitin 2016, qyteti i tij, Luivill në Kentaki, po e kujton atë duke i dhënë aeroportit emrin e tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Alam Burhanan njofton nga Luivill i Kentakit:

Thuhet se Muhamed Ali nuk i trembej asnjë boksieri…por kishte diçka tjetër që e frikësonte:

“Mendoj sikur të prishet avioni dhe kur është duke rënë, mendoj: Po pse duhet të nxitoja. Mund të kisha marrë autobuzin. Zot i Madh, nëse nuk më ndodh gjë, herës tjetër do marr trenin”.

Frika e tij nga avionët ishte e njohur.

“Kishte frikë të merrte avionin, ishte një nga ato fobitë. Dhe nuk kishte frikë përballë kundërshtarit në boks. Kjo nuk diskutohet”, thotë miku i tij, Rudolph Davidson.

Si për ironi, emri i tij është tani pjesë e botës së aviacionit.

“Menduam se do të ishte një mesazh kuptimplotë për qytetin tone, sikur të thoshim: OK, Muhamed tani po i vëmë aeroportit emrin tend. Është koha të mos kesh më frikë të fluturosh”, thotë kryebashkiaku Greg Fischer.

Në janar, Bordi i Aeroporteve Rajonale të Luivillit miratoi riemërtimin e aerportit ndërkombëtar, duke i dhënë emrin e legjendës së këtij qyteti.

“U formua një komision. U takuam disa herë në një periudhë një vit e gjysëm. Dhe ndërsa diskutohej në këto takime, u pa qartë se nderimi i Muhamed Aliut, emërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar Muhamed Ali, ishte i vetmi që kishte kuptim”, thotë Dan Mann i Autoritetit të Aerporteve.

Muhamed Aliu ishte i njohur edhe për aktivizmin e tij. Ai u konvertua në mysliman dhe u dënua se nuk pranoi të shkonte ushtar në Vietnam. Presidenti i qendrës “Muhamed Ali”, Donald Lassere thotë se shpreson që emërtimi i aeroportit do ta nxjerrë edhe më shumë në pah trashëgiminë e tij.

“Duam që publiku ta kuptojë më mirë se pse ndryshuam emrin e aerportit, si edhe rëndësinë që ka kjo për qendrën ‘Muhamed Ali’, familjen, vendin dhe botën”.

Muhamed Ali u lind dhe u rrit në Luivill dhe u varros atje në vitin 2016. Ky qytet i Kentakit vazhdon ta nderojë njeriun që u bë një ikonë globale.

Nën hetim antitrust kompanitë Amazon, Google dhe Facebook, Twitter, Netflix, Microsoft dhe Apple

VOAL – Lugina e Silikonit (Silicon Valley ) është në shënjestër të autoriteteve amerikane. Në Uashington, Komisioni i Drejtësisë i Dhomës së Përfaqësuesve nisi një hetim antitrust në kompanitë e mëdha të teknologjisë. Kjo u njoftua nga përfaqësuesit e partive Demokratike dhe Republikane, të bashkuar në dëshirën e tyre për të hedhur dritë. Qëllimi është të konstatojë nëse gjigantët e internetit po e mbytin konkurrencën dhe nëse ka nevojë për ligje më të rrepta. Është hera e parë që Kongresi hap një hetim mbi emrat e mëdhenj në rrjet.

Pikërisht në funksion të njoftimit, të hënën titujt e Amazon, Google dhe Facebook, Twitter, Netflix, Microsoft dhe Apple pësuan humbje të konsiderueshme në bursë, duke u rrëzuar në nivelet më të ulëta të pesë muajve të fundit, duke fundosur Wall Street dhe duke shkaktuar rrëshqitje në korrigjim të Nasdaq. Në fund të tregtimit në alfabetin Wall Street kishte humbur 6.12% dhe Facebook 7.51%, Amazon 4.64% dhe Apple 1.01%.

Hetimet janë gjithashtu një demonstrim i interesit në rritje të politikës në rregullimin e asaj që shumë e quajnë “far west i internetit”. Në fakt, si në partinë demokratike ashtu edhe në atë republikane, kori i atyre që kërkojnë rregulla dhe kontrolle më të mëdha për gjigantët e internetit, është forcuar.

Intervista – Palmer: Nuk vendosim afate e as vija të kuqe në bisedimet Kosovë – Serbi

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një afat të caktuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por do të dëshironin një rifillim sa më të shpejtë të bisedimeve. Në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk vendosin vija të kuqe në procesin e bisedimeve, por kjo nuk nënkupton se të gjithë mundësitë janë të hapura.

Zëri i Amerikës: Zoti Palmer, a prisni që Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre në Shtëpinë e Bardhë këtë vit?

Matthew Palmer: Ne nuk po kërkojmë ndonjë kuadër kohor të caktuar. Ne mbështesim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ne duam të shohim që dialogu për arritjen e këtij synimi të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në kohë. Në se kjo do të ndodhë apo jo deri në fund të vitit, nuk jam në gjendje ta parashikoj.

Zëri i Amerikës: Presidenti Trump ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur. Prandaj ju pyeta, a besoni se ajo do të ndodh këtë vit?

Matthew Palmer: Në këtë moment jam më i interesuar që palët të ulen përsëri në tryezën e bisedimeve, të rifillojnë dialogun, të përparojnë hap pas hapi drejt një marrëveshjeje. Nuk mendojmë se vendosja e një kufiri artificial kohor do të ndihmonte arritjen e një marrëveshjeje apo të lehtësonte procesin. Por duam që palët të rifillojnë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur dhe urgjentisht.

Zëri i Amerikës: Presidenti Vuçiç foli në parlament për një kompromis për çështjen e Kosovës dhe paralajmëroi se mund të ketë sulme nga shqiptarët nëse nuk arrihet një kompromis. A e shikoni këtë si një sinjal se ai është më i gatshëm të arrijë një kompromis nga sa ç’ka qenë më parë?

Matthew Palmer: Mendoj se presidenti Vuçiç e ka bërë të qartë se është i përgatitur të kthehet tek negociatat kur tarifat të hiqen dhe të punojë me Kosovën drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ne besojmë se ai është i sinqertë për këtë, ne besojmë se pala e Kosovës është gjithashtu e sinqertë në dëshirën për të siguruar marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Por këto janë çështje të ndërlikuara. Ato janë të ndërlikuara politikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht. Pra do të duhet kohë për t’i zgjidhur. Hapi i parë sigurisht është që palët të ulen përsëri në bisedime për negociata dhe të ecin në drejtimin e duhur.

Zëri i Amerikës: Përse besoni se Vuçiç do ta arrijë këtë. Ai ka qenë në pushtet për shtatë vjet dhe asgjë s’ka ndryshuar?

Matthew Palmer: Ne besojmë se presidenti Vuçiç është i vendosur për një të ardhme evropiane për Serbinë dhe besoj se ka një kuptim të qartë tek të gjithë që janë të përfshirë në këtë proces se e ardhmja evropiane si për Serbinë edhe për Kosovën, do të kërkonte një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Pra shpresa jonë është që palët të takohen, të negociojnë, të arrijnë marrëveshje, ta zbatojnë atë dhe të hapin një rrugë të qartë evropiane si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Beogradi nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve para se Prishtina të heq tarifat. Prishtina e refuzon një gjë të tillë edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë bërë thirrje disa herë për ta bërë një gjë të tillë. Edhe ju e keni kërkuar këtë. Presidenti Vuçiç tha javën e kaluar se Prishtina do të heq tarifat kur “mentorët e saj perëndimorë të vendosin një gjë të tillë”. Cili është komenti juaj?

Matthew Palmer: Mendoj se është shumë e rëndësishme që Serbia, udhëheqja politike në Beograd të pranojë se Kosova ka agjenci të pavarura. Kosova nuk është thjesht një instrument i Shteteve të Bashkuara. Kosova është një vend i pavarur, një shoqëri e pavarur që ka politikat e veta dhe këto politika duhet të zbatohen. Çështja e negociatave, çështja e tarifave është çështje e ngarkuar politikisht në kontekstin e politikës në Kosovë. Ne do të mbështesnim pezullimin apo heqjen e tarifave si një mjet për t’u kthyer në dialog. Ne mendojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara. Por gjithashtu mendojmë se është e rëndësishme që vetë palët të gjejnë një rrugë për të manovruar sfidat në të dyja anët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve, për të gjetur një rrugë përpara për të arritur një zgjidhje të negociuar.

Zëri i Amerikës: Pra ju thoni se Uashingtoni nuk mund të bëjë asgjë për të inkurajuar Prishtinën për të pezulluar tarifat?

Matthew Palmer: Jo, nuk është ajo që po them. Mendoj se ka gjëra që mund të bëjmë për të mbështetur dhe lehtësuar përparimin që përfshin inkurajimin e partnerëve tanë në Kosovë të mendojnë thellë dhe me kujdes nëse tarifat në fakt avancojnë interesat e Kosovës. Ne besojmë se interesat e Kosovës shërbehen më mirë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Beogradin dhe për të arritur atë marrëveshje, ata duhet të kthehen tek dialogu dhe për të arritur tek dialogu, është e rëndësishme që tarifat të eliminohen si një pengesë për përparim.

Zëri i Amerikës: Kur do të ndodh kjo?

Matthew Palmer: Nuk mund t’u japë një datë për këtë por shpresoj që të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zëri i Amerikës: Do të ndodh këtë vit? A mendoni se dialogu mund të vazhdojë këtë vit?

Matthew Palmer: Po, mendoj se është absolutisht e mundur.

Zëri i Amerikës: Nëse flasim për modelin e zgjidhjes, duket sikur Gjermania dhe Franca e hoqën nga tryeza idenë e shkëmbimit të territoreve, pas samitit në Berlin.

Matthew Palmer: Ne mendojmë se është e rëndësishme që vetë palët të vendosin parametrat e marrëveshjes. Ajo çfarë ne do të dëshironim të shikonim është një marrëveshje me autorësi lokale, një marrëveshje të qëndrueshme, një marrëveshje të drejtë, një marrëveshje të zbatueshme dhe që mund të pranohet nga publiku i të dyja palëve, që mund të zbatohet drejt dhe plotësisht, dhe një marrëveshje që mund të çelë rrugëtimin drejt të ardhmes evropiane.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se SHBA-ja nuk e ka hequr nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve? Pra, në kundërshtim me Gjermaninë dhe Francën?

Mattthew Palmer: Ne nuk po vendosim vija të kuqe në procesin e negocimit, për gjëra që palët nuk duhet të diskutojnë. Është në dorën e vetë palëve që të gjejnë rrugën për të lëvizur përpara, me mbështetjen tonë. Por, kjo gjithashtu nuk është një “çek i bardhë”. Do të dëshironim t’i shohim palët të negociojnë marrëveshjen më të mirë të mundshme; të na e paraqesin, nëse do të kërkojnë mbështetjen tonë. Nëse do të kemi shqetësime, do t’i shprehim ato dhe do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen me palët për të arritur diçka që mund ta mbështesim dhe me të cilën mund të punojmë për zbatimin e saj. Por, ky nuk është procesi ynë. Ky është procesi i tyre. Ne i mbështesim.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni se do të ndodh në Paris?

Matthew Palmer: Nuk kam ndonjë pritshmëri specifike për atë takim

Zëri i Amerikës: A keni biseduar me partnerët francezë dhe gjermanë

Matthew Palmer: Absolutisht. Mendoj se synimi i takimeve, në Berlin në prill dhe në Paris në korrik, të ndihmojnë të krijojnë kushte që do të lejonte palët të ktheheshin në negociata përmes procesit të udhëhequr nga BE-ja që ka sjell marrëveshjen e Brukselit dhe ka prodhuar disa lëvizje përparuese për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Zëri i Amerikës: A do të marrin Shtetet e Bashkuara një rol më të rëndësishëm apo më të dukshëm në dialog tani që Komisioni Evropian po ristrukturohet?

Matthew Palmer: Ne kemi qenë partnerë me Evropën për këtë proces, e kemi mbështetur këtë proces dhe BE-ja e ka udhëhequr këtë proces. Nuk shoh ndonjë arsye specifike përse kjo duhet të ndryshojë në këtë moment.

Zëri i Amerikës: Shumë palë kanë bërë thirrje për një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara

Matthew Palmer: Në se do të ketë një rol për ne, që të jetë konstruktiv dhe mbështetës për këtë proces, një rol që partnerët evropianë dhe vetë palët do të donin që ne të luanim, ne jemi të hapur për çdo gjë që mund të bëjmë në mbështetje të këtij procesi.

Rregulla të reja për vizat amerikane

Departamenti amerikan i Shtetit njofton se tani kërkon nga aplikantët për vizë të japin hollësi për llogaritë në median sociale, si dhe adresën e emailit dhe numrin e telefonit.

Rregulloret e reja për ata që kërkojnë vizë amerikane si vizitorë apo si aplikantë për të emigruar në Amerikë përfshijnë emrin e llogarisë së aplikantit në median sociale, të gjitha adresat e emailit dhe të gjithë numrat e telefonit që ka përdorur aplikanti gjatë pesë vjetëve të fundit.

Zyrtarët thonë se afro 15 milionë shtetas të huaj do të preken nga kjo kërkesë. Vetëm aplikantët për viza diplomatike dhe zyrtare do të përjashtohen nga këto kërkesa.

Aplikantët do të pyeten edhe nëse ndonjë prej të afërmve të tyre ka qenë i përfshirë në aktivitet terrorist. za

SHBA, Policia identifikon autorin e masakrës në Virginia Beach

Dwayne Craddock është identifikuar si personi i dyshuar për vrasjen e 12 personave të premten në një ndërtesë të komunës në Virxhinia Beach. Ai punonte prej kohësh si një punonjës i shërbimeve publike.

Në një konferencë për shtyp të shtunën shefi i policisë James Cervera tha se personi i armatosur, ishte një punëtor i pakënaqur. Ai u vra nga policia pas një shkëmbimi zjarri për një kohë të gjatë siç tha zoti Cervera. Por shefi i policisë tha se ende nuk është përcaktuar një motiv mbi ngjarjen.

Gjatë konferencës për shtyp autoritetet u përqëndruan tek viktimat, duke përmendur emrin e secilit prej tyre, shoqëruar me fotografitë dhe informacion biografik.

Shefi administrativ i qytetit Dave Hansen tha se të gjithë ishin punonjës të administratës lokale të Virginia Beach përveç njërit prej tyre që ishte kontraktor. Zoti Hansen tha se ai kishte punuar prej vitesh me shumë prej tyre duke shtuar se ata do të “lënë një zbrazëti që kurrë nuk do të mbushet”.

Shefi i policisë James Cervera tha të premten se personi i armatosur “nisi të qëllojë ndaj të gjithëve pa dallim” menjëherë sapo hyri në ndërtesën komunale, pak pas orës 4 pasdite.

Sipas zyrtarëve katër persona të tjerë u plagosën si pasojë e të shtënave.

Dëshmitarët thonë se të shtënat ndodhën në ndërtesën e dytë të kompleksit komunal të Virginia Beach, ku ndodhen zyrat e personelit përgjegjës për punimet publike të qytetit, shërbimet publike dhe departamentet e planifikimit.

Zoti Cervera tha se mes atyre që u goditën me armë zjarri ishte edhe një oficer policie, por ai arriti të shpëtojë falë veshjes antiplumb. Shefi i policisë tha se oficerët ia dolën të pengojnë përpjekjet e të dyshuarin që të vriste persona të tjerë.

Ai tha se hetuesit besojnë se i dyshuari kishte vepruar i vetëm. Ai përdori një pistoletë të kalibrit 45mm me silenciator si dhe karikatorë të modifikuar që mbajnë më shumë plumba.

Në konferencën për shtyp të mbajtur menjëherë pas ngjarjes kryebashkiaku Bobby Dyer tha se “kjo ishte një nga ditët më të rënda në historinë e Virginia Beach. Personat e përfshirë janë miqtë tanë, bashkëpunëtorët, fqinjët, kolegët tanë”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump ishte informuar mbi ngjarjen dhe po monitoronte situatën.

Guvernatori i Virxhinias Ralph Northam udhëtoi për në Virginia Beach të premten dhe tha se kishte ofruar mbështetjen e plotë të shtetit.

Kjo është dhunë e paimagjinueshme dhe e pakuptimtë,” tha ai në një deklaratë.

Senatori amerikan i Virxhinias Mark Warner tha të premten se “ndihej i tmerruar nga ajo që kishte ndodhur në Virginia Beach“.

Senatori tjetër i Virxhinias Tim Kaine, shkruante në twitter se “ai është pranë të gjithë atyre që kanë humbur njeriun e dashur gjatë këtij sulmi”. Ai shkruante se po lutet për një shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit.

Këto vrasje ishin më të fundit të një serie incidentesh në rritje në SHBA që përfshijnë të shtëna masive. Në nëntorin e vitit të kaluar një person i armatosur vrau 12 vetë në një bar në Thousand Oaks të Kalifornisë përpara se të vriste veten. Gjatë këtij sulmi u vra edhe një polic.