VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Presidenti Trump thotë se udhëheq garën me demokratët, anketat tregojnë ndryshe

By | June 18, 2019

Komentet

Presidenti Trump nuk do të shkurtojë ndihmat për vendet e huaja

Presidenti Donald Trump ka hequr dorë nga beteja me Kongresin lidhur me shkurtimin e 4 miliardë dollarëve të ndihmave për vendet e huaja dhe do të lejojë përdorimin e fondeve të caktuara për këtë qëllim. Por, Departamenti i Shtetit thotë se ka rënë dakord me Shtëpinë e Bardhë për të ndryshuar destinacionin e fondeve që nuk mbështesin drejtpërdrejt përparësitë e qeverisë amerikane. Njofton korespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine.

Presidenti Trump ka shprehur rezerva për ndihmat amerikane ndaj vendeve të huaja duke i quajtur ato të kota dhe të panevojshme, dhe se do të shqyrtojë një propozim për ndaluar financimin e tyre.

“U japim miliarda dollarë vendeve që nuk na duan aspak. Unë jam duke e shkurtuar këtë ndihmë.”

Por pasi ligjvënësit demokratë dhe republikanë kundërshtuan përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë, administrata u tërhoq.

Disa ekspertë pajtohen me presidentin se jo të gjitha fondet amerikane për organizatat ndërkombëtare dhe vendet e huaja shpenzohen ashtu si duhet. Por ata e kundërshtojnë propozimin për shkurtimin e të gjitha ndihmave pa justifikim. Brett Schaefer është me Fondacionin Heritage.

“Nëse shpresojnë që ato para të përdoren apo të caktohen më mirë në të ardhmen, ata duhet të ofrojnë arsyetim bindës për Departamentin e Shtetit, agjencinë e ndihmave dhe ligjvënësit amerikanë.”

Ekspertë të tjerë dhe organizata ndërkombëtare të zhvillimit e mirëpritën vendimin për heqjen dorë nga shkurtimet si një fitore të madhe. Paula Garcia Tufro është me Këshillin e Atlantikut.

“Është një fitore e madhe për Shtetet e Bashkaura dhe interesat e tyre, pasi ishte një përpjekje dritë-shkurtër për të politizuar ndihmën për vendet e huaja nën preteksin e shkurtimit të defiçitit, kur faktikisht ndihmat e huaja janë më pak se një përqind e buxhetit federal.”

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo është shprehur publikisht në pajtim me presidentin që çdo dollar i taksapaguesve amerikanë duhet shpenzuar me kujdes për të reflektuar përparësitë amerikane. Nën drejtimin e presidentit, Departamenti i Shtetit ka ngrirë ndihmat për El Salvadorin, Guatemalën dhe Hondurasin, duke thënë se këto vende nuk po ndërmarrin hapa konkretë për të ulur numrin e emigrantëve të paligjshëm që vijnë në kufirin amerikan.

Vdes miliarderi amerikan David Koch

Miliarderi David Koch, një forcë shtytëse prapa konglomeratit Koch Industries, i cili së bashku me vëllain e tij të madh, Charles, u bë një financier i madh i kauzave dhe kandidatëve politikë konservatorë, ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare.

Charles Koch e njoftoi vdekjen e vëllait të tij në një deklaratë të premten. David Koch njoftohet se kishte vuajtur nga kanceri i prostatës për shumë vite.

David Koch studioi inxhinieri në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT) dhe iu bashkua kompanisë Koch Industries me seli në Uiçita të Kansasit në vitin 1970. Ai u bë shef ekzekutiv i filialit Koch Chemical Technology Group.

Familja Koch njihet më së miri për ndërtimin e një rrjeti të gjerë politik me mjaft ndikim në mbështetje të kauzave konservatore. Vëllezërit Koch themeluan organizatën Amerikanët për Begatinë (Americans for Prosperity), e cila mbështet nismat për një qeveri të vogël dhe ato kundër rritjes së taksave.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Kolumbia, Alexander Hertel-Fernandez, i cili studioi vëllezërit Koch dhe influencën e tyre, i tha gazetës The Washington Post se “është e vështirë të mendosh për një grup tjetër individësh që kanë pasur një ndikim të tillë në sistemin tonë politik që nuk kanë qenë zyrtarë të zgjedhur.”

Sipas gazetës The Washington Post, kompania Koch Industries u bë ndërmarrja e dytë më e madhe private në Shtetet e Bashkuara, dhe deri në vitin 2018, vëllezërit njoftohej se secili prej kishte pasuri me vlerë rreth 60 miliardë dollarë. za

SHBA krijon komandën e hapësirës

Ushtria amerikane do të ngrejë javën e ardhshme një komandë të re luftarake, e para e këtij lloji në më shumë se një dekadë.

Zëvendës Presidenti Mike Pence dhe zyrtarët e Pentagonit njoftuan se Komanda amerikane e Hapësirës do të ngrihet zyrtarisht më 29 gusht.

Pentagoni nuk ka ngritur një entitet të tillë që nga viti 2009, kur u krijua Komanda Kibernetike e SHBA. Departamenti i Mbrojtjes aktualisht ka 10 komanda luftarake, dhe secila ka ose një mision gjeografik ose një funksional për operacionet ushtarake.

Gjenerali i Forcave Ajrore John Raymond është konfirmuar nga Senati si drejtuesi i parë i Komandës së Hapësirës.

Krijimi i komandës shihet nga disa zyrtarë si një hap i mundshëm drejt krijimit të një force hapësinore si entitet i veçantë ushtarak.

“Forca Hapësinore e Shteteve të Bashkuara do të bëjë që vendi ynë të jetë i përgatitur të mbrojë njerëzit tanë, interesat tona dhe vlerat tona në një hapësirë të gjerë dhe këtu në Tokë me teknologjitë që do të mbështesin mbrojtjen tonë të përbashkët për zonat e gjera të hapësinore,” tha zoti Pence.

Ai tha se Forca e Hapësirës në të ardhmen ka ende nevojë për financim dhe autorizim të Kongresit, por ai shtoi se pret që kjo të ndodhë së shpejti.

Ngritja e Komandës Hapësinore do të përshpejtojë përpjekjen prej disa dekadash për të riorganizuar dhe përmirësuar aftësitë teknologjike të ushtrisë në hapësirë, të cilat nganjëherë kanë marrë më pak vëmendje pasi Forcat Ajrore janë përqendruar tek aeroplanët e luftës dhe përparësitë e tjera luftarake.

Roli i ushtrisë në hapësirë ka qenë vazhdimisht objekt analizash të hollësishme, sepse SHBA gjithnjë e më shumë po mbështetet në orbitë tek satelitët, të cilët të vështira për tu mbrojtur. Satelitët ofrojnë komunikime, navigacion, inteligjencë dhe shërbime të tjera jetësore për ushtrinë dhe ekonominë kombëtare.

Gjatë vitit të kaluar, kjo çështja mori urgjencë në klimën e konkurrencës në rritje dhe kërcënimeve nga vendet rivale. za

Presidenti Trump anulon takimin me kryeministren e Danimarkës

Presidenti Donald Trump ka anuluar takimin me Kryeministren e Danimarkës, pasi ajo nuk pranon të diskutojë mundësinë që Danimarka t’u shesë Shteteve të Bashkuara Groenlandën.

Të martën Presidenti postoi në llogarinë e tij në Twitter një koment ku thotë “Danimarka është një vend shumë i veçantë me njerëz të jashtëzakonshëm, por bazuar në komentet e Kryeministres Mette Frederiksen se nuk është e interesuar të diskutojë blerjen (nga SHBA) të Groenlandës, do ta shtyj takimin e planifikuar për pas dy javësh”.

Presidenti Trump e kishte ngritur idenë e blerjes së Groenlandës nga Danimarka javën e kaluar. Zyrtarët në Groenlandë dhe Danimarkë u përgjigjën menjëherë se ky ishull nuk ishte për shitje.

Të martën, Kryeministri i Groenlandës u takua në Rekjavik me udhëheqës të vendeve të tjera nordike përfshirë kryeministren e Danimarkës.

Kur e pyetën lidhur me interesimin e Presidetit Trump për Groenlandën, Kryeministri Kim Kim Kielson la të kuptohej se ishte ngopur nga ky diskutim.

“I jam përgjigjur kësaj pyetjeje dy ditë më parë. Nuk është as argëtuese, as për të qeshur”. za

Zëri i Amerikës – Pompeo: Njohja reciproke në bazë të normalizimit të marrëdhënieve Serbi – Kosovë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u takua të martën në Nju Jork me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Përmes një postimi në rrjetin twitter sekretari Pompeo theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Serbisë të përqëndrohet në synimin e saj strategjik, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rifilluar bisedimet me Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse drejt normalizimit të marrëdhënieve që ka në qendër njohjen reciproke. Sipas zëdhënëses, Sekretari Pompeo ritheksoi që të dyja palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë me njera tjetrën në frymën e kompromisit dhe qëndrimeve fleksibël të nevojshme për marrëveshjen.

Presidenti serb, shkroi në rrjetet sociale se e ka lutur sekretarin Pompeo që “administrata amerikane të përpiqet, ndonëse këtë e ka bërë edhe deri tash, më fuqishëm që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin tarifat” ndaj mallrave serbe dhe “për këtë nuk ka dyshim që e kemi mbështetjen amerikane, sepse edhe ata mendojnë që është me rëndësi të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi presidenti serb.

Ai i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se me sekretarin Pompeo ka biseduar edhe “për rëndësinë e mbrojtjes së kishave e manastireve në Kosovë” dhe se Serbia është e gatshme “pavarësisht nga politikat e brendshme në Serbi që në çdo çast të fillojë bisedime të hapura politike me shqiptarët. Nuk është me rëndësi çmimi politik që duhet paguar, ndërsa njerëzit në vendin tonë kanë veshë të ndjeshëm. Nuk duan të dëgjojnë gjëra që kanë të bëjnë me realitetin, por atë që lidhte me mitet tona. I thashë se jemi të gatshëm të bisedojmë dhe e kuptojmë shumë mirë që nëse ndonjëherë do të arrihet ndonjë zgjidhje, ajo nuk duhet dhe nuk guxon të përmbushë kërkesat njërës palë”, tha ai.

Presidenti serb tha se beson që amerikanët e kuptojnë që “nga marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, dy popujt më të mëdhenj, varet e ardhmja e rajonit”.

Bisedimet janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.

Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë.

Jeffrey Epstein “ka nënshkruar testament dy ditë para vdekjes”

Financieri amerikan, Jeffrey Epstein ka nënshkruar një testament dy ditë para se të kryente vetëvrasje në një burg të Nju Jorkut, kanë raportuar mediat në Shtetet e Bashkuara.

Në disa dokumente të gjykatës është bërë e ditur se pasuria e Epstenit kap shifrën e 577 milionë dollarëve, mirëpo nuk është detajuar se kush janë përfituesit, ka raportuar agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur teksa ka qenë duke pritur nisjen e seancës gjyqësore kundër tij për akuzat e trafikimit seksual dhe komplote tjera.

Një ekzaminues mjekësor në Nju Jork ka thënë se 66-vjeçari, trupi i të cilit është gjetur i vdekur më 10 gusht, ka kryer vetëvrasje.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë kundër tij, mirëpo ka mundur të përballet me burgim deri në 45 vjet.

Ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullësi serioze” në burgun federal ku Epstein ka kryer vetëvrasje.

Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”.

SHBA: Arrestohet një person nën dyshimin se planifikonte sulme në qendrën hebreje

Policia në shtetin e Ohajos.

Policia e shtetit Ohajo të SHBA-së, ka arrestuar një person, për të cilin besohet se ka kërcënuar se do të sulmojë me të shtëna një qendër të komunitetit hebre.

James Reardon, 20 vjeçar, u arrestua pasi kishte postuar një video të dyshimtë në internet, ku shkruante se “policia ka identifikuar sulmuesin në qendrën hebreje. Ai është Seamus O’Reardon, një nacionalist i bardhë”.

Policia beson se ky emër është pseudonimi i James Reardon.

Një kontroll në shtëpinë e tij zbuloi disa armë, dhe një maskë gazi, tha policia.

Gjatë kontrollit është gjetur edhe material me përmbajtje të nacionalistëve të bardhë.

Të shtënat në një sinagogë në Pittsbourg, vitin e kaluar, lanë të vdekur 11 persona. rel

Të paktën 13 të arrestuar në protestat në Portland

Policia arrestoi të paktën 13 vetë të shtunën në Portland të shtetit Oregon, si edhe vendosi barrierë betoni, mbylli rrugë dhe ura, si edhe konfiskoi një numër të madh armësh në një përpjekje për të parandaluar dhunën mes grupeve të së djathtës së skajshme dhe kundërprotestuesve anti-fashistë.

Shefja e policisë, Danielle Outlaw e përshkroi të shtunën si një “ditë të gjatë dhe të mundimshme” dhe tha se shufra metalike, mburoja dhe sende të tjera të forta u konfiskuan nga forcat e policisë, në qendrën e qytetit ku pati shumë njerëz, por jo incidente madhore mes dy grupeve.

Protesta ishte organizuar nga grupi i së djathtës së skajshme “Proud Boys”. Përballë tyre ishte grupi i veshur me të zeza i protestuesve antifashistë.

Danielle Outlaw tha se autoritetet arritën të mbajnë grupet larg njëri tjetrit.

Zëdhënësja e policisë tha se në një periudhë të ditës rreth 1 mijë e 200 veta ishin në rrugë por numri ra në rreth 400 më vonë pasdite.

Kryebashkiaku i Portlandit, Ted Wheeler tha se afro 1 mijë oficerë të policisë së Portlandit ishin në terren të shtunën të ndihmuar nga Policia Shtetërore e Oregonit, forca të tjera policie dhe FBI-ja.

Në një konferencë shtypi në mbrëmje au the se ngjarja kishte lidhje me “një lëvizje në rritje të nacionalizmit të bardhë” dhe një ndjesi në frike në rritje.

Kryebashkiaku tha se Joe Biggs, organizatori i demonstratës së të djathtës së skajshme, nuk ishte i mirërpritur në Portland.

Biggs tha se e shtuna ishte një sukses, duke iu referuar një mesazhi të Presidentit Donald Trump në Twitter, ku ai linte të kuptohej se do të merrte masa ndaj grupit Antifa që organizonte kundërprotestën, por nuk përmendi protestën e së djathtës së skajshme. za

Pelosi: Nuk ka marrëveshje SHBA-Britani nëse preket pakti irlandez

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Marrëveshja tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk do të përfshihet për diskutim në Kongres, nëse Brexiti minon të ashtuquajturën Marrëveshja e të Premtes së Mirë, ka thënë udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Pelosi ka thënë se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk mund të lejohet që të rrezikojë marrëveshjen për paqe me Irlandën.

Komentet e saj kanë ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë se Britania e Madhe do të jetë “e para në listë” për marrëveshje tregtare me SHBA-në.

Bolton i ka bërë këto deklarata pasi ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson në Londër.

Rivendosja e kontrolleve kufitare në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, nëse Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor të këtij viti, konsiderohet rrezik për një marrëveshje të arritur më 1998, e cila i ka dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Irlandën Veriore.

“Pavarësisht rrethanave, Brexiti nuk duhet të lejohet që të rrezikojë Marrëveshjen e të Premtes së Mirë”, ka thënë Pelosi përmes një deklarate.

Bolton në anën tjetër, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump mbështet një Brexit pa marrëveshje.

Bolton: SHBA-ja do ta mbështeste vendimin e Britanisë për Brexit pa marrëveshje

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Barr: Janë gjetur “parregullsi” në burgun e Epsteinit

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullsi serioze” në burgun federal ku biznesmeni, Jeffrey Epstein, ka kryer vetëvrasje gjatë fundjavës.

Barr ka thënë të hënën se ai është zemëruar kur ka kuptuar se punëtorët e Qendrës Korrektuese në Nju Jork, “kanë dështuar që ta mbrojnë të burgosurin”, transmeton agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur të shtunën, pasi zyrtarët e burgut kanë thënë se ai ka kryer vetëvrasje.


Jeffrey Epstein.

Ai ka qenë në pritje të gjykimit pas akuzave për trafikime seksuale.

Barr nuk ka ofruar të dhëna specifike, mirëpo ka thënë se hetimet e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe inspektorëve të Departamentit të Drejtësisë janë duke vazhduar.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Nju Orlliens.

Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”.

SHBA: Dhuna me armë, mbizotëruese në politikë pas vrasjeve masive

Çështja e dhunës me armë ka mbizotëruar në debatet politike të Shteteve të Bashkuara, pas vrasjeve masive fundjavën e kaluar në Teksas dhe Ohajo. Ndërsa anëtarët e Kongresit janë me pushimet e gushtit, kandidatët demokratë për president po bëjnë thirrje për veprim dhe Presidenti republikan Donald Trump po premton kontroll më rigoroz të blerësve të armëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sulivan njofton:

Më shumë se 30 vetë humbën jetën në dy vrasje masive. Funerali i një viktime u mbajt të shtunën në Ohio.

Në Ajova të premten, kandidatët demokratë për president u përqëndruan tek dikush që nuk ishte i pranishëm: Presidenti Donald Trump.

“Bëhet fjalë për dikë që e mori postin dhe që ka përdorur merin dhe zërin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të na përçarë”, tha senatorja Kamala Harris.

Zoti Trump i ka dënuar sulmet, por demokratët thonë se retorika e tij për eimigrantët e paligjshëm frymëzon urrejtje. Presidenti u tha gazetarëve të premten se ai do që kontrollet për blerësit e armëve të bëhen më të rrepta.

“Ne nuk duam njerëz që kanë sëmundje mendore, njerëz të sëmurë, të kenë armë”, tha ai.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i rrethuar nga protestuesit në shtetin e tij të Kentucky, tha në një emision radioje të premten që komentet e demokratëve nuk janë të dobishme.

“Pas secilës prej këtyre ngjarjeve, prirja ka qenë për t’u përfshirë në debate politike, në vend që të punohet për të zgjidhur diçka. Presidenti më telefonoi sot në mëngjes për këtë temë. Ai dëshiron të shohë rezultate.”

Shoqata Kombëtare e Armëve, që ka ndikim të madh politik thotë se kontrolli më i rreptë nuk do t’i ndalojë kriminelët.

Kandidati demokart për president Cory Booker i tha një publiku në Ajova të premten se vendi duhet të merret me çështjen e terrorizmit të brendshëm nga supremacistët e bardhë. Ai e bëri këtë argument përsëri të dielën.

“Dhe problemi është se në Shtëpinë e Bardhë nuk kemi dikë që të ngrihet dhe të thotë se do të përballemi me këtë, të caktojmë burime, të shpenzojmë energjinë, kemi dikë që po e amplifikon, që po kontribuon tek kjo lloj përçarjeje”.

Ambasadorja e re amerikane në Tiranë merr këshillat e fundit nga Mike Pompeo

Pak kohë më parë u përcaktua se zëvendësuese e ambasadorit Donald Lu në Tiranë do të jetë Yuri Kim, e emëruar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ambasadorja e emëruar, që pritet të kalojë edhe kongresin, ka zhvilluar ditët e fundit një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo.

Ka qenë vetë Pompeo ai që ka shpërndarë foto nga takimi me ambasadorët e rinj amerikanë që pritet të fillojnë punë në vende të ndryshme të botës.

Pasi i mbaroi mandati Donald Lu u emërua ambasador në Kirgistan, ndërsa deri në mbërritjen e kryediplomatit të ri amerikan “çelësat” e ambasadës në Tiranë po i mban e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones.