VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Presidenti Trump përshëndet vendimin e OBT

By | October 3, 2019

Komentet

Protestat në SHBA, sekretari i Mbrojtes nuk pajtohet me Trumpin për Aktin e Kryengritjes

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha sot se nuk mbështet propozimin e presidentit amerikan Donald Trump që të aktivizojë Aktin e Kryengritjes për të shuar protestat që po mbahen në gjithë vendin pas vrasjes së George Floyd, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Mundësia për të përdorur forcat aktive ushtarake në një rol të zbatimit të ligjit duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit dhe vetëm në situatat më urgjente dhe më të skajshme. Ne tani nuk jemi në një nga këto situata. Unë nuk e mbështes aktivizimin e Aktit të Kryengritjes”, tha Esper gjatë një takimi me gazetarët në Pentagon.

Trump të hënën tha se është gati të dërgojë trupa ushtarake për t’u dhënë fund protestave të dhunshme pas vrasjes së Floyd, një afro-amerikan i paarmatosur që u vra nga policia në Minneapolis, Minesota.

Presidenti po i referohej Aktit të Kryengritjes të vitit 1807, një ligj federal që fuqizon presidentin të vendosë trupa ushtarake në rrethana të veçanta, siç janë kryengritjet dhe rebelimet, apo për t’i dhënë fund trazirave civile.

SHBA që prej javës së kaluar është përballur me protesta pasi në internet u publikua një video që u bë e famshme, ku shihej Floyd teksa rrëzohej përtokë nga Derek Chauvin, një oficer i bardhë policor. Chauvin i vuri gjurin në qafë për gati nëntë minuta.

Pas kësaj, Floyd dukej se humbi vetëdijen, por Chauvin mbajti pozicionin e tij ndaj viktimës. Ai vdiq menjëherë pasi u dërgua në një spital.

Fjalët e tij të fundit ishin “Nuk mund të marr frymë”, që u bënë slogani i protestave mbarëkombëtare. Rezultatet e një autopsie të pavarur të publikuar të hënën treguan se Floyd u vra shkaku i “asfiksimit nga presioni i gjatë”.

(Video) DioGuardi: Në vitin 1988 ja çfarë kërkova nga Bush-i për shqiptarët në Kosovë dhe Ish-Jugosllavi (VIDEO)

Kongresmeni Joe DioGuardi një nga emrat që kanë ndryshuar historinë dhe fatin e Kosovës dhe çështjes shqiptare! Voal.ch po ju sjell raportet që ai ka ndërtuar me Presidentët e SHBA George W.H Bush &  George W. Bush! Botuesit e voal.ch janë krenarë që kanë mbi çerek shekulli që bashkëpunojnë me Presidentin e LQSHA dhe eksperten e Ballkanit Shirley Cloyes DioDuardi!

——-

Voal.ch – Ish kongresmeni shqiptaro – amerikan, Joe DioGuardi, i cili është kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-amerikane, thotë se ka mjaft kujtime nga presidenti i 41-të amerikan. Ai e ka takuar atë shumë herë, por kujton sidomos një takim në vitin 1984, kur ish-Presidenti George Herbert Walker Bush, në atë kohë nënpresident, erdhi të bëjë fushatë për të në Nju Jork.

“Ishte George H. W. Bush, i cili bëri paralajmërimin e Krishtlindjeve, në dhjetor 1992, duke i shkruar një letër presidentit Sllobodan Millosheviç, ku thoshte: nëse e shkallëzoni më tej situatën, do të shihni se ne do të ndërhyjmë. Por edhe përpara kësaj, në vitin 1988, në tetor ose nëntor të atij viti, unë i kërkova nëse mund të bënte diçka, pas gjithë atyre gjërave që po ndodhnin me shqiptarët në ish-Jugosllavi, sidomos në Kosovë. I kërkova nëse mund të shkruante një letër të shkurtër për t’u dhënë zemër shqiptarëve. I dhashë disa sugjerime, për t’i treguar se cili ishte problemi. Ai si duket u këshillua me sekretarin e tij të shtetit dhe më dërgoi një letër të shkruar bukur. Aty ai thoshte se shqiptarët janë një popull trim dhe fisnik, pikërisht këto fjalë përdori. Ishte diçka e mrekullueshme. Më kujtohet kur ia shpërndava këtë letër komuniteteve shqiptare. Pikërisht një vit më vonë Serbia ndërhyri në Kosovë, prandaj ajo letër pati shumë rëndësi për t’u dhënë shqiptarëve shpresë.

“Unë e mbështeta qysh në fillim kandidaturën e të birit të tij George W. Bush. Ne organizuam një pritje për Bushin e ri në Hotel Sheraton të Nju Jorkut dhe unë sigurisht i përmenda atë që kishte bërë i ati për shqiptarët, sidomos në Kosovë.

“Ka rëndësi të kujtojmë se ai ishte njeriu të cilit ne i dorëzuam një peticion me 1 milion nënshkrime nga Kosova. Miku im, kongresmeni Henry Hide, i dorëzoi nënshkrimet në Shtëpinë e Bardhë. Unë besoj se ishin ato nënshkrime që sollën një kthesë, duke e bërë presidentin George W. Bush të kuptonte se ai duhet të ishte i pari që do të njihte pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Pra, ne kemi një trashëgimi të pasur me familjen Bush, jo vetëm me Presidentin George H. W. Bush por edhe me të birin, George W. Bush. Dhe unë jam krenar që shërbeva si një lloj ure mes të dyve.”

George W. Bush: Heronjtë e Amerikës janë heronjtë e unitetit

Ish-presidenti George W. Bush i kërkoi sot Amerikës të shqyrtonte pa kompromis dështimet e saj tragjike duke përmendur padrejtësinë radikale që po dëmton shoqërinë amerikane.

“Ky mbetet një dështim tronditës që shumë afro-amerikanë, veçanërisht të rinj, ngacmohen dhe kërcënohen në vendin e tyre”, shkruan ish-presidenti (2001-2009) në një komunikatë për vdekjen e George Floyd, i asfiksuar nën gjurin e një polici të bardhë.

“Kjo tragjedi, që është pjesë e një serie të gjatë tragjedish të ngjashme, ngre një pyetje të pashmangshme: Si do t’i jepet fund racizmit të vazhdueshëm në shoqërinë tonë?”, pyet ai.

“Ka ardhur koha për Amerikën të shqyrtojë dështimet tona tragjike”, shtoi ai.

Vdekja e George Floyd, një javë më parë në Minneapolis ka indinjuar Amerikën dhe ka shkaktuar manifestime të shumta në mbarë vendin, që kanë degjeneruar dhe në përleshje.

Edhe pse nuk e përmend kurrë presidentin amerikan, Donald Trump, ish-presidenti republikan këmbëngul mbi nevojën për të dëgjuar zërat e atyre që vuajnë.

“Ata që përpiqen të kufizojnë këto zëra në heshtje nuk e kuptojnë domethënien e Amerikës”, shkruan ai.

“Heronjtë e Amerikës nga Frederick Douglass te Harriet Tubman, Abraham Lincoln apo Martin Luther King Jr – janë heronjtë e unitetit”, nënvizoi ai.(Atsh)

Biden zotohet se do t’i shërojë “plagët racore” në SHBA

Në adresimin e parë të madh pas disa javësh, ish-nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se “nuk do t’iu fryejë flakëve të urrejtjes” nëse zgjidhet president, porse do të përpiqet “të shërojë plagët racore që kanë pllakosur” Shtetet e Bashkuara.

Biden, rivali i pritur i presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, i bëri komentet në Sallën e Qytetit në Filadelfia.

Ai iu referua trazirave aktuale në Shtetet e Bashkuara, që pasojnë vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd, gjatë arrestimit nga policia.

Incidenti ndodhi në Mineapolis të Minesotës, më 25 maj.

Demonstratat kanë qenë kryesisht paqësore, por policia në disa qytete ka përdorur forcë kundër gazetarëve dhe protestuesve, ndërsa demonstruesit janë përleshur me forcat e rendit.

Shumë qytete amerikane kanë vendosur orë policore.

Më 1 qershor, policia është detyruar të zmbrapsë protestuesit pranë Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë që Trump të mund të shkonte në një kishë pranë.

Kisha ka pësuar dëme gjatë protestave të një dite më parë.

“Ky president sot është pjesë e problemit dhe e përshpejton atë”, tha Biden dhe shtoi se Trump është “i konsumuar me egon e tij verbuese”.

Trump ka paralajmëruar se do ta urdhërojë ushtrinë të veprojë në shtetet që refuzojnë të marrin masa më të ashpra kundër protestuesve rebelë, që kanë dalë në rrugë. rel

Joe Biden kundër mobilizimit nga Presidenti Trump të ushtrisë ndaj protestuesve

Steve Herman

Ish-Nënpresidenti amerikan Joe Biden ka shprehur shqetësimin “për vetë shpirtin e vendit tonë” pasi Presidenti Donald Trump u zotua të hënën të përdorë ushtrinë për t’i dhënë fund “trazirave dhe paligjshmërisë” që kanë shpërthyer në të gjithë Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së një afrikano-amerikani që mbahej nga policia një javë më parë në Minneapolis.

Në një fjalim televiziv kombëtar në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, presidenti paralajmëroi se “nëse një qytet ose shtet nuk pranon të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronën e banorëve të tyre, atëherë unë do të dislokoj ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe do ta zgjidh problemin me shpejtësi”.

Komenti i referohej me sa duket Ligjit për Rebelimin të vitit 1807, i cili lejon presidentët të veprojnë ndaj paligjshmërisë gjatë emergjencave. Ligji u përdor së fundmi më 1992 në mes të trazirave në Los Angeles pasi një tjetër afrikano-amerikan, Rodney King, u rrah nga policia.

Presidenti Trump tha se ai “po mobilizonte të gjitha burimet e mundshme federale, civile dhe ushtarake, për të ndaluar trazirat dhe plaçkitjet, për t’i dhënë fund shkatërrimit dhe zjarrvënies dhe për të mbrojtur të drejtat e amerikanëve që respektojnë ligjin, përfshirë këtu edhe të drejtën tuaj të bazuar tek Amendamenti i Dytë”. Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve amerikanë për të mbajtur armë zjarri.

Pak para se presidenti të fliste, gazetarët që prisnin për komentet e tij në Kopshtin e Trëndafilave dëgjonin shpërthime të larta nga gazi lotësjellës që hidhej përreth Parkut Lafayette, ku forcat e policisë të veshura me paisje mbrojtëse shtynin me mburoja demonstruesit paqësorë. Gjithashtu u qëllua me plumba gome dhe u fut policia me kuaj për të pastruar zonën.

Lëvizja nga organet e zbatimit të ligjit erdhi më pak se gjysmë ore para orës 7 pasdite, kur shtetrrethimi hyri në fuqi për Uashingtonin.

Aksioni pastroi rrugën – por jo erën e gazit lotsjellës – rreth Kishës së Shën Gjonit, një bllok më në veri të Shtëpisë së Bardhë, ku Presidenti Trump eci vetëm disa minuta pasi hyri në fuqi shtetrrethimi. Kisha historike Episkopale, e njohur në Uashington si “kisha e presidentëve”, pësoi dëme të vogla mbrëmjen e së dielës kur një zjarr i vogël u ndez në bodrumin e saj.

Përpara kishës së mbyllur, Presidenti Trump mbajti një Bibël, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara si “vendi më i madh në botë” dhe tha: “ne do ta ruajmë të sigurt”.

Presidenti Trump mban në dorë Biblën ndërsa qëndron përpara kishës së mbyllur

Presidenti Trump mban në dorë Biblën ndërsa qëndron përpara kishës së mbyllur

Në vazhdim, Presidenti Trump u kthye përsëri në Shtëpinë e Bardhë i rrethuar nga masa të mëdha sigurie.

Disa orë pas fjalimit të presidentit dhe paraqitjes së tij para kishës së Shën Gjonit, Joe Biden, kundërshtari i prezumuar demokrat i presidentit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të këtij viti, denoncoi veprimet e Presidentit Trump në llogarinë e tij në Twitter. “Ai po përdor ushtrinë amerikane kundër popullit amerikan”, shkruajti Biden. “Ai përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve paqësorë dhe gjuajti me plumba gome. Për një foto”.

“Për fëmijët tanë, për vetë shpirtin e vendit tonë, ne duhet ta mposhtim atë.”

Peshkopja Mariann Budde, udhëheqëse e Dioqezës Episkopale të Uashingtonit, gjithashtu shprehu në Twitter pakënaqësinë e saj me veprimet e Presidentit Trump. “Sonte Presidenti sapo përdori një Bibël dhe një kishë të dioqezës time si sfond për një mesazh që ishte e kundërta e mësimeve të Jezusit dhe gjithçkaje që përfaqëson kisha jonë. Për ta bërë këtë, ai sanksionoi përdorimin e gazit lotsjellës nga oficerët e policisë të veshur me paisje mbrojtëse për të pastruar oborrin e kishës”, shkruajti Peshkopja Budde.

“Vendimi i Presidentit Trump për të mobilizuar Ligjin për Rebelimin dhe retorika e tij provokuese, dëshmojnë se ai nuk mund të na udhëheqë në këto kohë të trazuara dhe të bashkojë vendin. Në vend të kësaj, ai ka vendosur të mbështetet në përdorimin e forcës ndaj atyre që ai i konsideron si kërcënim”, tha në një deklaratë Ligjvënësi Adam Smith, kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti, sipas zyrtarëve të Departamentit të Mbrojtjes, ka urdhëruar ushtrinë që të dislokojë një batalion të policisë ushtarake në Uashington, juridiksioni i vetëm ku ushtria mund ta bëjë këtë pa u këshilluar më parë me guvernatorin e shtetit.

Njësitë e Gardës Kombëtare

Të gjitha forcat prej 1200 anëtarësh të Gardës Kombëtare në kryeqytetin amerikan janë mobilizuar. Sipas zyrtarëve, pesë shtete po dërgonin me shpejtësi nga 600 deri në 800 ushtarakë të tjerë, disa të armatosur me armë vdekjeprurëse.

Forca të tjera ushtarake në shërbim aktiv, ndër to polici ushtarake dhe njësi xheniere, janë vendosur në gatishmëri përreth Distriktit të Kolumbias dhe mund të sillen nëse do të lindë nevoja, njoftuan zyrtarët.

Në orët e vona të së hënës, një helikopter Black Hawk i ushtrisë amerikane fluturoi mbi çatitë e lagjes historike Chinatown të Uashingtonit në një manovër “demonstrimi force”, duke i detyruar protestuesit të shpërndahen për të shmangur pluhurin dhe sendet që ngrinin helikat e helikopterit, që thyen edhe degët e pemëve.

Një automjet ushtarak qëndron në mes të K Street në kryeqytetin amerikan

Një automjet ushtarak qëndron në mes të K Street në kryeqytetin amerikan

Veprimet e Presidentit Trump po shihen si demonstrimi më i hapur i forcës autoritare që kur ai mori detyrën 3 vjet e gjysëm më parë.

“Jemi duke u përsiatur drejt një diktature”, tha Don Lemon në rrjetin e kabllove të lajmeve, CNN, menjëherë pas fjalës së presidentit. “Unë mendoj se presidenti po luan një lojë shumë, shumë të rrezikshme këtu”.

Presidenti i është referuar vazhdimisht CNN-it si “lajme të rreme” dhe shpesh i karakterizon mediat kryesore amerikane si “armiq të popullit”.

Presidenti Trump i quan guvernatorët “të dobët”

Më herët të hënën, guvernatorët morën një leksion nga Presidenti Trump, sekretari i mbrojtjes dhe prokurori i përgjithshëm, duke i nxitur ata të bëhen të ashpër me protestuesit e pabindur në rrugët e qyteteve të Amerikës.

Në një konferencë nëpërmjet telefonit me guvernatorët për demonstratat e dhunshme në të gjithë vendin, udhëheqësit e shteteve u kritikuan ashpër nga presidenti.

“Shumica prej jush janë të dobët”, u tha presidenti, sipas një regjistrimi audiofonik të telefonatës. “Ju duhet të dominoni. Nëse nuk mbizotëroni, po humbni kohën tuaj. Ata do t’ju shkelin me këmbë; do të dukeni si një tufë budallenjsh”.

Presidenti Trump është duke u përballur me kritika për mosmarrjen e rolit tradicional presidencial të “krye-ngushëlluesit”, që kur vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ndërsa mbahej nga policia në Minneapolis, shkaktoi një rrjedhë agonie dhe zemërimi kombëtar.

Në vend të kësaj, presidenti ka kaluar kohën në Twitter duke sulmuar Biden-in dhe politikanë të tjerë demokratë, dhe duke i njehsuar me radikalët e majtë që ai fajëson për dhunën e ditëve të fundit.

Telefonata me Presidentin Trump të hënën ishte “thellësisht shqetësuese”, tha guvernatorja demokrate e Miçiganit Gretchen Whitmer.

“Në vend që të ofrojë mbështetje ose udhëheqje për të ulur temperaturën në protesta, Presidenti Trump u tha qeveritarëve që ta ‘shtypni’ ose do na ‘mposhtin’,” tha ajo në një deklaratë.

Rreth gjysma e guvernatorëve kanë aktivizuar tashmë njësitë e Gardës Kombëtare për të ndihmuar organet e zbatimit të ligjit në shuarjen e trazirave. Por më shumë ushtarakë janë të nevojshëm në rrugë, sipas presidentit.

“Ata janë të gatshëm, kanë dëshirën dhe aftësitë. Ata duan të luftojnë për vendin”, u tha Presidenti Trump guvernatorëve. “Do të doja të kishim një forcë okupuese prezente”.

Qyteti Los Angeles, konkretisht, “nuk është duke përdorur burimin më të mrekullueshëm që mund të përdorni”, tha Presidenti Trump për forcat ushtarake nën kontrollin e shtetit.

Presidenti Trump dhe Shtëpia e Bardhë po fajësojnë për dhunën një koalicion mes aktivistëve të së majtës së largët, të njohur si “antifa” (shkurtim i fjalës antifashist), anëtarët e të cilës bëjnë fushatë kundër asaj që i shikojnë si akte të autoritarizmit, homofobisë, racizmit ose ksenofobisë.

Presidenti republikan paralajmëroi më herët në Twitter se “kur plaçkitjet fillojnë, të shtënat fillojnë”. Presidenti Trump mohoi më vonë që fraza ishte një paralajmërim se vandalët do të qëlloheshin me armë dhe tha se nuk e dinte që shprehja ishte përdorur në mënyrë të dukshme nga shefi i policisë së Majamit në 1967 në përgjigje të kriminalitetit të dhunshëm në lagjet e afrikano-amerikanëve.

“Është një lëvizje që nëse nuk e shtypni, do të përkeqësohet dhe përkeqësohet”, u tha guvernatorët Presidenti Trump të hënën. “Këta janë radikalë dhe janë anarkistë.”

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, e pyetur gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me reagimin e guvernatores së Miçiganit, tha se ajo nuk e kupton pse Guvernatorja Whitmer do të shqetësohej që presidenti u thotë guvernatorëve të bëjnë punën e tyre.

Një tjetër demokrat, Guvernatori J.B. Pritzker i shtetit Illinois, i tha presidentit, “Unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar për retorikën që është përdorur nga ju. Është provokuese”.

Presidenti u përgjigj: “Edhe mua nuk më pëlqen shumë retorika juaj,” duke kritikuar përgjigjen e Guvernatorit Pritzker ndaj pandemisë së koronavirusit. “Sinqerisht mendoj se mund të kishit bërë një punë shumë më të mirë”.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr u tha guvernatorëve, “ne duhet të kontrollojmë rrugët … dhe kjo kërkon një prani të fortë”.

Provokatorë profesionistë po kërkojnë të lëvizin nga shtetet e fortë drejt shteteve të dobët për të shkaktuar rrëmujë, tha zoti Barr, duke shtuar se kjo bazohej në raportet e shërbimeve të zbulimit.

“Të gjithë po kërkojnë pika të dobëta,” tha Presidenti Trump.”Duhet të arrestohen këta njerëz” dhe të burgosen për disa vite. “Këta janë terroristë. Ata janë antifa dhe e majta radikale”.

Presidenti Trump posaçërisht u bëri thirrje qytetit të Nju Jorkut dhe Filadelfias që “të ashpërsohen .”

Presidenti Trump tha se përgjigjja fillestare në Minesota ishte “e dobët dhe patetike”, por se Guvernatori i Minnesotas Tim Walz, një demokrat, meritonte lavdërime për dislokimin e Gardës Kombëtare, e cila rrëzoi demonstruesit “si kunjat e lojës bowling – një gjë e bukur për tu parë”.

Gjatë konferencës me telefon, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper u tha guvernatorëve se “sa më shpejt që të mbushni dhe mbizotëroni hapësirën e betejës, aq më shpejt do të shpërndahet kjo gjë”.

Një javë pasi Floydi, 46 vjeç, vdiq ndërsa mbahej nga policia dhe u filmua një oficer i bardhë i policisë që e shtypte në qafë me gjurin e tij për më shumë se 8 minuta, demonstratat paqësore janë lënë në hije nga dhuna urbane në mbarë Amerikën. Bizneset janë vandalizuar dhe plaçkitur, monumentet publike janë dëmtuar dhe oficerët e organeve të zbatimit të ligjit kanë qëlluar me plumba gome dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve, disa prej të cilëve kanë goditur policinë me tulla, fishekzjarre dhe qese me lëngje trupore.

Mijëra njerëz u arrestuan në demonstratat në mbarë Shtetet e Bashkuara të shtunën dhe të dielën.

Të hënën Kalifornia urdhëroi mbylljen e ndërtesave të qeverisë së këtij shteti në qendrat e qyteteve.

Në Çikago, dy njerëz u vranë gjatë demonstratave të hënën në zonën periferike Cicero dhe u arrestuan 60 persona, raportoi agjensia e lajmeve Associated Press.

Në Uashington, D.C., Kryebashkiakja Muriel Bowser u shtriu orarin e shtetrrethimit me katër orë, duke filluar nga ora 7 pasdite.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë McEnany tha për Presidentin Trump se, “ai e kupton dhimbjen” e demonstruesve të ligjshëm. Ajo shtoi se, “është vërtet një turp” që radikalët në rrugë po dëmtojnë mesazhin e protestuesve paqësorë.

Biden takohet me udhëheqës afrikano-amerikanë në mes të protestave në vend

Marrë nga Associated Press

Joe Biden u takua me drejtuesit e komunitetit në një kishë kryesisht Afrikano-Amerikane në Delauer të hënën në mëngjes, duke dalë nga shtëpia për dy ditë radhazi për të trajtuar tensionet racore që kanë filluar të riformulojnë zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Biden, ish-nënpresidenti i cili do të përfaqësojë demokratët kundër Presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale këtë vjeshtë, është gjendur në vështirësi në përpjekjet për të gjetur hapësirë në debatet kombëtare rreth dy krizave që kanë përfshirë vendin në javët e fundit nga studioja e tij televizive në bodrum. Por pas një nate tjetër të protestave të dhunshme, demokrati 77-vjeçar u takua me një numër udhëheqësish afrikano-amerikanë në qytetin e tij përpara një takimi virtual me kryetarët e bashkive në të gjithë vendin.

Kjo qasje e takimeve më udhëheqës të nivelit më të ulët është në kontrast të madh me atë të Presidentit Trump në ditët e fundit, i cili ka bërë pak përpjekje për të unifikuar vendin. Presidenti republikan foli me guvernatorët dhe zyrtarët e forcave të zbatimit të ligjit të hënën, por ai e kaloi pjesën më të madhe të fundjavës duke përdorur Twitter-in si një platform për të nxitur respektimin e “ligjit dhe rendit” dhe veprime më të ashpra nga policia kundër protestuesve në të gjithë vendin. Ai paralajmëroi të premten se, “kur plaçkitjet fillojnë, të shtënat fillojnë.”

Presidenti Trump gjithashtu kritikoi zotin Biden të hënën, duke thënë ne një postim në Twitter se “Njerëzit e Joe Bidenit të përgjumur janë aq të dhënë pas të Majtës Radikale sa që po punojnë për t’i nxjerrë anarkistët nga burgu, dhe ndoshta më shumë”.

Në momentet e para të mbledhjes së të hënës në kishën Bethel AME në qytetin ku jeton zoti Biden, Uilmington, ish-nënpresidenti dëgjonte me qetësi dhe mbante shënime në një fletore. Të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe vetë zotin Biden, përdorën maska.

“Nënpresidenti erdhi të dëgjojë nga ne. Ky është një djalë lagjeje,” tha Pastori Sylvester Beaman, përpara se zoti Biden dhe të pranishmit të ulnin kokat për fillimin e lutjeve.

Qasja më e butë e zotit Biden mund të kumtoj se si kandidati që pritet të marrë emërimin e partisë demokrate do paraqitet pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale, duke theksuar qetësinë dhe kompetencën si një kontrast me një president që flet shpejtë. Është një qasje që mbart me vete rrezikun për t’u mbytur nga angazhimi shumë më i zëshëm, më këmbëngulës i Presidentit Trump.

“Ai nuk është në detyrë, dhe ai sigurisht që nuk ka megafonin e personit që aktualisht ndodhet në Shtëpinë e Bardhë, por unë mendoj se njerëzit tanë janë duke kërkuar dikë që mund t’i bëjë ata të ndjehen më mirë gjatë këtyre kohërave jashtëzakonisht të vështira,” tha ligjvënësja Val Demings nga Florida, të cilën Biden po e konsideron si kandidate të tij për nënpresidente. “Amerika thjesht duhet të sigurohet që ka një njeri që është mirëkuptues, dhe i gatshëm të thotë,”Po, ne kemi disa çështje, ” dhe dikush që është i gatshëm t’i trajtojë ato.”

Megjithatë, sigurimi kërkon praninë, dhe kjo ka qenë një pengesë për ish-nënpresidentin, i cili u detyrua të vetëizolohej nga pandemia e koronavirusit, ende po punon për t’u përshtatur me fuqinë e mediave sociale si një zëvendësuese të pranisë fizike dhe pa platformën e zakonshme të një posti publik.

Zoti Biden mbajti një fjalim të mirëpritur të premten, duke u bërë thirrje të bardhëve që të mbanin përgjegjësinë në përpjekjet për t’i dhënë fund racizmit sistemik të Amerikës. Por, ai ishte kryesisht jashtë vëmendjes gjatë fundjavës, e cila shënoi përvjetorin e pestë të vdekjes së djalit të tij Beau Biden.

Të hënën ai pati paraqitjen e tij të tretë publike që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit.

Zoti Biden dhe bashkëshortja e tij, Jill, shënuan Ditën e të Rënëve duke vendosur një kurorë me lule të bardha në një memorial të veteranëve në afërsi të shtëpisë së tij në Uilmington javën e kaluar, dhe fushata e ish-nënpresdentit postoi fotografi të tij gjatë vizitës në një pjesë tjetër të qytetit ku po mbahej një protestë, të dielën pasdite. Më parë, ai bëri një postim në platformën Medium duke shprehur empati për ata që janë të dëshpëruar nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë kohës që ai ishte nën arrest.

“E vetmja mënyrë për të përballuar këtë dhimbje është kthimi i këtij ankthi në një qëllim”, thuhej në postimin e zotit Biden të publikuar të dielën. “Dhe si President, unë do të ndihmoj në udhëheqjen e kësaj bisede – dhe më e rëndësishmja, unë do t’i dëgjoj shqetësimet tuaja”.

Në mbledhjen e mëngjesit të së hënës morën pjesë 15 udhëheqës fetarë, politikë dhe të arsimit, përfshirë ligjvënësin demokrat të Delauerit, Blunt Rochester. Ata të gjithë mbanin maska dhe mbanin një distancë fizike në ulëset e kishës. Njoftimet e ngjitura në hyrjen kryesore i paralajmëruan njerëzit të mos hynin nëse kishin kollë ose simptoma të tjera të koronavirusit.

Pjesa më e madhe e strategjisë së fushatës së zotit Biden përqendrohet në përpjekjen për të nxjerrë në pah një kontrast me Presidentin Trump nga pikëpamja e temperamentit dhe vlerave. Ai e ka quajtur garën për Shtëpinë së Bardhë një betejë për shpirtin e vendit dhe ka qenë veçanërisht i fuqishëm në dënimin e trajtimit nga Presidenti Trump të momenteve të tensioneve racore.

Demokratët besojnë se ish-nënpresidenti ofron një kontrast ndaj Presidentit Trump në momente të tilla, që i jemi atij (zotit Biden) një avantazh. Ata theksojnë se ndërsa zoti Biden nuk u shfaq në televizion tërë fundjavën, ai foli për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd para Presdientit Trump dhe tregoi dhembshuri për protestuesit.

Trump ka alternuar midis shprehjes së alarmit për vdekjen e zotit Floyd dhe simpatisë për familjen e tij dhe postimin e mesazeve në Twitter duke antagonizuar protestuesit dhe përçmuar armiqtë e tij politikë.

Dhe në zgjedhjet që ka të ngjarë të jenë një referendum për presidentin e tanishëm, disa ndihmës të zotit Biden thonë privatisht se plani më i mirë mund të jetë që të lejojnë Presidentin Trump që të dëmtojë veten.

Megjithatë ekziston edhe mendimi se Biden duhet të bëjë më shumë sesa thjesht të presë votuesit që mund të mos jenë të kënaqur me zotin Trump. Disa demokratë që e kanë kritikuar zotin Biden në të kaluarën për mungesë të pranisë në publik gjatë fillimit të pandemisë së koronavirusit thanë se ai po bën lëvizjet e duhura tani.

“Jam i sigurt se ata kanë hezitime, të kutpueshme, tani për ta politizuar këtë. Kjo nuk është pjesë e natyrës së tij”, tha strategu demokrat James Carville. “Mund të ketë një kohë për elokuencë, por unë mendoj se thjeshtësia është elokuencë tani”.

Trumpi: Jam “president i ligjit dhe rendit”

Marrë nga Associated Press

Në mes të trazirave racore në të gjithë vendin, Presidenti Donald Trump të hënën tha se ai është “president i ligjit dhe rendit” dhe kërcënoi se do të dislokonte ushtrinë në qytetet amerikane për të shuar protestat e dhunshme.

Ndërkohë që Presidenti Trump po mbante fjalimin në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, një numër automjetesh ushtarake po lëviznin aty pranë në rrugën Pensylvania Avenue dhe policia ushtarake dhe forcat e zbatimit të ligjit po përplaseshin me protestuesit në Parkun Lafayette.

“Ne kemi vendin më të madh në botë”, deklaroi Trump. “Ne do ta mbajmë atë të sigurt.”

Trump tha se ai do të mobilizojë “mijëra e mijëra” ushtarë për të mbajtur paqen nëse guvernatorët nuk e përdorin Gardën Kombëtare për t’i dhënë fund protestave të dhunshmne.

“Të gjithë amerikanët me të drejtë u trishtuan dhe u revoltuan nga vdekja brutale e George Floydit”, tha Presidenti Trump. Ai theksoi se administrata e tij është plotësisht e përkushtuar që drejtësia për zotin Floyd dhe familjen e tij të vihet në vend. “Por ne nuk mund të lejojmë që thirrjet e drejta dhe protestuesit paqësorë të mbyten nga një turmë e zemëruar. Viktimat më të mëdha të trazirave janë qytetarët paqedashës në komunitetet tona më të varfra dhe si President i tyre, unë do të luftoj për t’i mbajtur ata të sigurt. Unë do të luftoj për t’ju mbrojtur”, tha Presidenti Trump.

Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, mes 600 dhe 800 anëtarë të Gardës Kombëtare nga pesë shtete po dërgohen në Uashington për të ofruar ndihmë në ruajtjen e sigurisë. Ky kontigjent trupash ose tashmë ndodhet në terren ose do të arrinte në mesnatë.

Më parë, forcat e rendit shpërndanë me forcë një grup protestuesish në Kishën St. Johns Episcopal Church, e cila njihet si “Kisha e Presidentëve” dhe ndodhet afër Shtëpisë së Bardhë. Kisha pësoi dëme nga djegiet gjatë protestave të kësaj jave në Uashington.

Sipas Aktit të Epokës së Luftës Civile- Posse Comitatus Act, trupave federale nuk u lejohet të kryejnë operacione të brendshme të zbatimit të ligjit si arrestime, konfiskim të pronave ose kontrollime të njerëzve. Në raste ekstreme, megjithatë, presidenti mund të përdor Aktin e Kryengritjes (Insurrection Act), gjithashtu nga epoka e Luftës Civile, i cili lejon përdorimin e trupave ose Gardën Kombëtare për zbatimin e ligjit.

Zyrtarët thanë që një pjesë e Gardës Kombëtare në Uashington do të jenë të armatosur dhe të tjerët jo. Ata thanë se anëtarët e Gardës Kombëtare në Uashington nuk kanë armë jo vdekjeprurëse. Policia ushtarake që tashmë është e pranishme në qytet është pjesë e Gardës Kombëtare.

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ka shkaktuar një numër protestash të dhunshme në shumë qytete amerikane. Kjo ishte një nga vdekjet e fundit në një seri incidentesh të ngjashme që nxitën zemërim dhe protesta kundër racizmit në mesin e forcave të zbatimit të ligjit. Incidenti rindezi zemërimin në vendin e ndarë nga pikëpamja politike dhe racore, të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, që ka goditur më rëndë afrikano-amerikanët.

Shumë qytete të prekura nga trazirat sapo kanë rifilluar disa aktivitete normale ekonomike pas masave kufizuese mbi dy mujore për frenimin e përhapjes së Covid-19, që ka vrarë mbi 104,000 njerëz dhe ka lënë pa punë mbi 40 milion vetë. zëri i amerikës

Kompanitë dërgojnë mesazhe në mbështetje të protestave mbarëkombëtare

Kompanitë amerikane zakonisht qëndrojnë të heshtura gjatë protestave. Jo këtë herë.

Kompani të teknologjisë, bankave, veshjeve dhe argëtimit publikuan mesazhe në mbështetje të atyre që demonstrojnë kundër trajtimit policor ndaj personave me ngjyrë.

“Jam e tronditur nga numri i drejtuesve që kanë folur për herë të parë,” tha Kellie McElhaney, një profesore në Shkollën e Biznesit në Universitetin Berkeley dhe themeluese e Qendrës për Barazi, Gjini dhe Udhëheqje në këtë shkollë.

Ajo që po i bën firmat të flasin apo të mbajnë një qëndrim, thotë ajo, është brutaliteti i videos që tregon një oficer policie në Mineapolis duke vendosur gjurin në pjesën e pasme të qafës së George Floyd, i cili vdiq.

Kompanitë “drejtohen nga njerëzit”, tha ajo. “Ata kanë punonjës, drejtues dhe klientë afrikano-amerikanë dhe me ngjyrë. Ekzistojnë rreziqe sigurisht, por përfitimi i tejkalon shumë herë rreziqet”.

Netflix, Google dhe Citibank

Netflix ka thënë në Twitter se “të heshtësh është njësoj si të jesh bashkëfajtorë”, duke shtuar “ne e kemi për detyrë që të flasin për anëtarët tanë, punonjësit, krijuesit dhe talentet tonë”

Google shtoi në faqen kryesore të kërkimit: “Ne mbështesim barazinë racore dhe të gjithë ata që e kërkojnë atë.”

Twitter ndryshoi paraqitjen e llogarisë duke shkruar hashtegun #BlackLivesMatter.

Drejtori ekzekutiv i Mikrosoftit Satya Nadella u tha punonjësve “bashkohuni me mua dhe të gjithë ekipin e drejtuesve të lartë, në mbështetje për ndryshime në kompaninë tonë, në komunitetet tona dhe në shoqërinë në përgjithësi.”

“Racizmi vazhdon të jetë në rrënjët e kaq shumë dhimbjeje dhe poshtërimi në shoqërinë tonë,” shkroi shefi i financave të kompanisë Citibank, Mark Mason, i cili është afrikano-amerikan, në një postim në blog. “Për sa kohë që kjo është e vërtetë, idealet e Amerikës për liri dhe barazi do të mbeten jashtë mundësive.”

Kompanitë e shitjeve me pakicë si Target, që është plaçkitur dhe vandalizuar në të gjithë vendin, gjithashtu kanë folur në mbështetje të protestave. Vdekja e Xhorxh Floidit nga një oficer i bardhë i policisë ka nxjerrë në dritë “dhimbjen e shtypur të shumë viteve”, tha drejtori ekzekutiv i Target, me seli në Mineapolis.​

Rreziqet e të shprehurit përkundër heshtjes

Duke marrë një qëndrim, kompanitë rrezikojnë të humbasin klientët, partnerët, furnitorët dhe punonjësit që nuk pajtohen me pozicionin e korporatës, thotë zonja McElhaney. Ata gjithashtu rrezikojnë të akuzohen se po përdorin rastin për të promovuar markat e tyre pasi disa nuk i shohin deklaratat e mbështetjes së korporatave si autentike.

Por bizneset gjithashtu përballet me rreziqe nëse nuk thonë asgjë, shpjegon ajo. Punonjësit e rinj kërkojnë që drejtuesit e kompanive të shprehin qëndrimin e tyre.

“Kam tendencën të besoj se njerëzit janë duke folur sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër,” thotë ajo. “Çdo punonjës po kërkon që drejtuesit e tyre të flasin, veçanërisht punonjësit me ngjyrë.”

Në vitin 2018, Nike realizoi një reklamë në mbështetje të Colin Kaepernick, ish-futbollisti profesionist që protestoi kundër trajtimit policor të afrikano-amerikanëve. Disa njerëz e pëlqyen atë. Të tjerë dogjën produktet e Nike-it. Sipas raportimeve, reklamimi i debatueshëm nuk e dëmtoi në fund të fundit kompaninë.

Ndërsa protestat u përhapën në SH.B.A. pas vdekjes së Floidit, Nike publikoi një video në mbështetje të mesazhit të protestuesve: “Mos i ktheni shpinën racizmit. Mos pranoni të merren jetë të pafajshme. Mos bëni më justifikime”,

Adidas, rivalja e Nike, e pubkoi këtë përsëri në Twitter. zëri i amerikës

Trumpi vlerëson Gardën Kombëtare, fajëson “anarkistët” (video)

Presidenti i SHBA Donald Trump vlerësoi Gardën Kombëtare, duke thënë se ajo po bën një punë të shkëlqyer, në përgjigje të protestave që u shndërruan në dhunë në dhjetëra qytete amerikane, pas vdekjes së një afrikano-amerikani që ishte nën prangat e policisë.

Në komentet që bëri të dielën në Twitter, Presidenti Trump fajësoi “anarkistët e udhëhequr nga ANTIFA” për nxitjen e kaosit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do ta shpallin Antifën një organizatë terroriste.

Lidhja Amerikane Kundër Shpifjes e përshkruan Antifën si “një grumbullim të lirë grupesh, rrjetesh dhe individësh që besojnë në kundërshtimin aktiv dhe agresiv ndaj lëvizjeve të së djathtës ekstreme.”

Trazirat në të gjithë Amerikën kanë pasuar protestat përgjithësisht paqësore pas vdekjes në Mineapolis të 46-vjeçarit George Floyd, afrikano-amerikanit që humbi jetën pasi një oficer i bardhë e kishte vënë poshtë, duke i mbajtur gjurin mbi qafë për më shumë se tetë minuta.

Në programin e Presidenti Trump për ditën e sotme përfshihej një videokonferencë me guvernatorët e shteteve, zyrtarët ligjzbatues dhe ata të sigurisë kombëtare për një diskutim që Shtëpia e Bardhë tha se synon “të mbajë të sigurta komunitetet amerikane”.

Prej disa netësh me radhë dhuna i është afruar edhe Shtëpisë së Bardhë. Mbrëmë, forcat e rendit u përballën përsëri me protestuesit në Sheshin Lafayette të Uashingtonit, ndërsa zjarrfikësit shuan një zjarr në pjesën e poshtme të kishës historike të Shën Gjonit në anën tjetër të rrugës që e ndan nga Shtëpia e Bardhë. zëri i amerikës

VOA: Këto trazira nuk janë parë në dekada, tensionet arrijnë një pikë të nxehtë!

Protesta paqësore u shndërruan në plaçkitje, vënie zjarri dhe dhunë në të gjithë Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së George Floyd-it ndërsa ishte në paraburgim policor në Minneapolis të Minesotës. Siç njofton Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës, megjithë vendosjen e ndalim-qarkullimeve dhe një rritje të pranisë së forcave të rendit në rrugët e shumicës së qyteteve më të mëdha amerikane, tensionet racore kanë arritur një pikë të nxehtë.

Në trazira të përhapura që nuk janë parë në dekada … qytetet amerikane nga Siatëlli në Uashington D.C u dogjën ndërsa më shumë protesta paqësore gjatë ditës u kthyen në trazira dhe shkatërrime gjatë natën.

Guvernatorët në 12 shtete amerikane kanë aktivizuar trupat e Gardës Kombëtare për të shuar dhunën dhe për të rivendosur rendin.

Ishte masa më e fundit pas një javë tensionesh të përshkallëzuara pasi George Floyd vdiq në arrest policor. Derek Chauvin, oficeri i Mineapolisit i cili e mbërtheu Floydin në tokë duke përdorur gjurin e tij, tani përballet me akuzën e vrasjes së shkallës së tretë në lidhje me vdekjen e Floydit. Por protestuesit kërkojnë më shumë, përfshirë akuzat kundër oficerëve të tjerë të përfshirë.

“Dua të sjell ndryshim për njerëzit e mi sepse kjo ka ndodhur për shumë gjatë dhe gjërat duhet të ndryshojnë kudo sepse asgjë nuk do të ndryshojë nëse vazhdojmë të flasim, ose të vazhdojmë të postojmë diçka në mediat sociale. Kjo është e gjitha”, thotë një protestues në Mineapolis.

Që nga e enjtja, Associated Press raporton se policia ka arrestuar rreth 1.700 njerëz në 22 qytete në të gjithë vendin në lidhje me dhunën që ka lënë të djegura dhjetra biznese, oficerë të plagosur dhe disa demonstrues të vrarë.

Ajo që filloi si përgjigje ndaj vdekjes së Floydit në Mineapolis ka kapërcyer kufijtë e SHBA, duke tërhequr qindra njerëz në rrugët e Londrës në shenjë solidariteti me ata që kërkojnë barazi racore.

“Kemi parë për qindra vjet afrikano-amerikanët dhe njerëzit me ngjyra të abuzohen dhe të vriten në rrugë dhe kjo thjesht po përkeqësohet. Mjaft më, nëse ata nuk do të dëgjojnë ne” thjesht do të thërrasim me zë edhe më të lartë. Nuk do të ndalemi derisa të bëhet diçka. Mjaft Më!. Këta janë njerëz që nuk mbajnë më. Është koha për të bërë disa ndryshime”, thotë një protestues në Londër.

Ligjvënësja e Minesotës në Kongres, Ilhan Omar përfaqëson pjesë të qytetit të Mineapolis në qendrën e demonstratave dhe thotë se duhet të ketë “reforma mbarëkombëtare”.

“Trazirat që po shohim në vendin tone nuk janë vetëm për shkak të jetës që u mor, por gjithashtu sepse shumë njerëz e kanë provuar këtë përvojë. Shumë njerëz kanë përjetuar padrejtësi brenda sistemit tonë”.

Në fjalimin e përgatitur pas nisjes së suksesshme të astronautëve të parë amerikanë në një anije hapësinore komerciale, Presidenti Donald Trump tha se ndërsa ai mbështet protestat paqësore, nuk do të tolerojë shkeljet ligjore dhe shkatërrimin.

“Kujtimi i Xhorxh Floidit po përdhoset nga rebelët, plaçkitësit dhe anarkistët. Dhuna dhe vandalizmi po drejtohet nga Antifa dhe grupe të tjera radikale të krahut të majtë, të cilët po terrorizojnë të pafajshmit, po shkatërrojnë vendet e punës, po dëmtojnë bizneset dhe po djegin ndërtesat “.

Ishte një mesazh që Këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brien mbrojti pas një nate tjetër trazirash.

“Presidenti është i indinjuar nga kjo dhe të gjithë jemi. Kjo duhet të ndalet, dhe ne po i bëjmë thirrje FBI-së të hetojë Antifan dhe të arrijë në konkluzion për këta rebelues të dhunshëm. Nuk dua që ata të ngatërrohen me protestuesit paqësorë që kanë çdo të drejtë për të dalë në rrugë dhe kjo është ajo që e bën Amerikën ndryshe nga shumë vende të tjera të botës”.

Me turmat e mëdha që mblidhen për të demonstruar vjen rreziku i përhapjes së mëtejshme të COVID-19. Ndërsa vazhdojnë trazirat në Amerikë, numri i infeksioneve në Sh.B.A nga koronavirusi po rritet gjithashtu së bashku me numrin e vdekjeve, i cili tani e kalon 100,000./VOA

Protestuesit para Shtëpisë së Bardhë kërkojnë drejtësi për George Floyd

Qindra njerëz u tubuan në një park pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, për të protestuar për vdekjen e afrikano-amerikanit në Mineapolis të Minesotës.

Policia u rreshtua përgjatë hyrjes së parkut ndërsa protestuesit brohorisnin “jeta e afrikano-amerikanëve ka vlerë”, “duart lart, mos qëllo” dhe “pa drejtësi nuk ka paqe”.

Policët përdorën gaz lotsjellës pasi disa protesues hodhën shishe të plastikës në drejtim të tyre.

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e autoriteteve javën e kaluar, ka shkaktuar tensione në Shtetet e Bashkuara.

Protestat filluan në Mineapolis, por shumë shpejt ato u zgjeruan në shumë qytete të SHBA-së, përfshirë Nju Jorkun dhe Los Angelosin , ku protestuesit u kanë vënë flakën veturave të policisë dhe kanë thyer xhamat e dyqaneve.

Video: Protesta të dhunshme në SHBA

Në qytetin e Nju Jorkut të paktën një makinë u dogj ndërsa mijëra njerëz marshuan nëpër lagje të shumta, duke brohoritur. Më pas ata mbajtën një minut heshtje para stacionit të policisë në Times Square për nder të njerëzve të vrarë nga policia.

Tensione u shënuan në qytetin Shën Pali, qyteti binjak i Mineapolis kur një kamion u drejtua drejt një turme njerëzish. Njerëzit vrapuan për t’i shpëtuar goditjes dhe pasi kamioni u ndal, ata nxorën jashtë shoferin dhe e rrahën. Policia më pas e arrestoi dhe e çoi në spital për trajtim.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili besohej se ishte në Shtëpinë e Bardhë gjatë demonstratave, përgëzoi Gardën Kombëtare për përpjekjet e tyre për të parandaluar dhunën. Ai sulmoi mediat për siç tha “bërjen e gjithçkaje në fuqinë e tyre për të nxitur urrejtjen dhe anarkinë”.

Autoritetet kanë zbatuar masa të izolimit dhe urdhëruan vendosjen në rrugë të Gardës Kombëtare pasi demonstratat u zhvilluan në më shumë se 75 qytete amerikane më 25 maj.

Trump gjithashtu tha në rrjetin social Twitter se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të shpallin Antifa-n, një rrjet i grupeve që shpesh promovojnë militantizmin e majtë – si një organizatë terroriste pasi zyrtarët federal kanë sugjeruar se mund të jenë përfshirë në valën e protestave këtë javë.

Prokurori i Përgjithshëm, Bill Barr, tha se “dhuna e nxitur dhe e kryer nga Antifa dhe grupe të tjera të ngjashme në lidhje me trazirat është terrorizëm dhe do të trajtohet në përputhje me rrethanat”.

Trump më 30 maj e quajti vdekjen e George Floyd një “tragjedi të rëndë” që e ka mbushur vendin me zemërim dhe pikëllim, por ai tha se administrata e tij nuk do të tolerojë që demonstratat të shëndrrohen në dhunë.

Si filluan trazirat?

Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.

George Floyd më vonë ka vdekur në spital. Videoja e incidentit nuk tregon se si nisi konfrontimi..

Uashington, 31 maj

Uashington, 31 maj

Katër oficerët e përfshirë në çështjen Floyd janë pushuar nga puna. Ndaj policit që shihej tek bënte presion me gju në qafën e viktimës, është ngritur kallëzim penal.

Vdekja e Floyd-it është ngjarja e fundit në një seri rastesh të ngjashme të brutalitetit të policisë ndaj njerëzve me ngjyrë, përfshirë shumë raste të kapura tjera të cilët kalimtarët i kanë incizuar me telefonat e tyre dhe më pas janë publikuar nga mediat.

Rasti i afrikano-amerikanit, George Floyd, ka nxitur reagime të shumta edhe në mesin e personaliteteve të njohura të artit dhe sportit.

Legjenda e basketbollit Michael Jordan më 31 maj foli për vdekjen e Floydit, duke thënë në një deklaratë të lëshuar në Twitter se njerëzit me ngjyrë dhe pakicat “kanë pasur mjaft” racizëm në Shtetet e Bashkuara.

Ish-ylli i Chicago Bulls tha se e kupton zemërimin dhe ai ndjehet “thellësisht i trishtuar dhe i zemëruar”.

Ai tha se qëndron me ata që “thërrasin kundër racizmit dhe dhunës së rrënjosur ndaj njerëzve me ngjyrë”.

Jordan gjithashtu u bëri thirrje njerëzve që “të dëgjojnë njëri-tjetrin, të tregojnë dhembshuri dhe kurrë mos t’i kthejnë shpinën brutalitetit të pakuptimtë”.

Gjatë fundjavës, demonstrues në Kanada, Mbretëri të Bashkuar dhe Gjermani u mblodhën po ashtu për të shfaqur mbështetje për protestat.

Protestuesit në Berlin, 31 maj

Protestuesit në Berlin, 31 maj

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Anija e SpaceX i bashkohet Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor

Anija e SpaceX.

Astronautët amerikanë, Doug Hurley dhe Bob Behnken, kanë arritur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).

Kapsula e tyre e e anijës hapësinore – e furnizuar dhe operuar nga kompania private SpaceX – arriti t’i bashkojë ata me Stacionin Hapësinor.

Aty pritet të qëndrojnë katër muaj, për t’u kthyer më pas në Tokë.


Hurley dhe Behnken u nisën të shtunën nga Florida e Shteteve të Bashkuara.

Nisje të tilla nga toka amerikane nuk ka pasur prej mbylljes së programit të nisjes së anijeve kozmike në Hapësirë më 2011.

Kompania SpaceX ka hyrë në histori pasi është kompania e parë private që ka dërguar njerëz drejt Hapësirës.