VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Presidenti Obama: Shqetësim për praninë agresive ushtarake ruse në Baltik

By | May 14, 2016

Komentet

Të dyshuar me koronavirus në Shqipëri – ISHP tregon masat mbrojtëse të ndërmarra

Epidemia e pneumonisë virale.

Raportimet më të fundit nga mediat e huaja, pohuan për përhapjen e koronavirusit në Itali.

Pas Kinës, OBSH deklaroi se Italia ishte rasti i dytë problematik i cili ka qendrën në Evropë.

Deri tani në shtetin tonë fqinj janë raportuar rreth 132 raste, e ndërsa autoritetet po punojnë për të gjetur pacientin zero.

Pak orë më parë Italia zyrtare deklaroi pezullimin e mësimit në shkolla gjithashtu dhe shtyrjen e ngjarjeve kulturore dhe sociale deri në një lajmërim të dytë.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë: Mbi 80% e Rasteve Janë Shëruar

OBSH në një deklaratë zyrtare thekson se mbi 80% e pacientëve me koronavirus preken lehtë e shërohen.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Ad’hanom Ghe-brey-esus, në 2% të rasteve, sëmundja është fatale.

Rreziku i vdekjes rritet në mosha të thyera e kur pacientët rezultojnë me probleme shëndetësore. Epidemia shpërtheu dy muaj më parë në Kinë.

Deri tani shënohen 2 mijë e 630 viktima, shumica në territorin kinez.

Çfarë Do Të Thotë Për Shqipërinë?

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino ka dalë në një deklaratë zyrtare për mediat për të shpjeguar situatën aktuale në vend.

Sipas saj ISHP tanimë mund të përcaktojë diagnozën e koronavirusit falë disa pajisjeve të vendosura në laboratorët e këtij institucioni.

“Laboratori i ISHP është pjesë e rrjetit të laboratorëve europianë. Ne jemi në atë hap që janë gjithë vendet e tjera të botës, dhe sidomos të Europës”, deklaroi Znj. Bino.

Ndërsa pohoi se në kufi janë përforcuar masat mbrojtëse, edhe pse sipas ISHP qytetarët që udhëtojnë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë menjëherë për ndonjë shqetësim.

Nga ana tjetër, për të lehtësuar punën e personelit mjekësor, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive tha se në aeroport ndodhet njësia e inspektoratit sanitar e përbërë nga mjekë e personel shëndetësor.

Bino deklaroi se hapi më i rëndësishëm është kapja e kontaktit dhe më tej marrja e masave për izolim.

Për sa i përket vendosjes së një karnatine, mjekja Bino pohoi se është përzgjedhur një strukturë spitalore në kushtet e përcaktuara nga OBSH.

Gjithashtu ISHP do të publikojë edhe rregullat për të ndërtuar një karantinë të përkohshme në shtëpitë tuaja në qoftë se lind nevoja.

Ajo e përmbylli deklaratën e saj duke nënvizuar se nuk duhet të ketë panik dhe se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar.

Sipas ISHP qytetarët duhet të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm për veten dhe të afërmit e tyre./AgroWeb.org

Intervista – Serbeze Haxhiaj: Vrasjet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë lënë pasojën psikologjike tek gazetarët

Gazetarja investigative Serbeze Haxhiaj thotë se raportimi i krimeve të luftës në formën dhe trajtën e duhur është ende një tabu në Kosovë që do të rëndojë për një kohë të gjatë mbi supet e shoqërisë sepse krimet e Serbisë në kufijtë e gjenocidit, nuk janë ndëshkuar. Në një intervistë me kolegen Rudina Dervishi, zonja Haxhiaj që po merr pjesë në një program trajnimi të Departamentit të Shtetit, flet edhe për lirinë e medias dhe pavarësinë e gazetarëve në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zonja Haxhiaj në se do ta përkufizonit situatën e gazetarisë në Kosovë, si paraqitet ajo sot?

Serbeze Haxhiaj: Përkufizimi im në fakt nuk dallon shumë prej asaj që kanë dhënë një pjesë e mirë e raporteve të organizatave më kredibile që masin lirinë e mediave. Kosova është një vend pjesërisht i lirë. Tregu medial i Kosovës vuan jo vetëm nga problemet financiare, është një prej tregjeve më joformal aktualisht, sikur shumica e vendeve të Ballkanit edhe Kosova ka një treg goxha shumë joformal të mediave me burime shpesh herë të dyshimta financiare por ajo që vuan më tepër është liria e medias, është presioni, është censura, janë sulmet mbi mediat. Në se flasim për sulme direkte ndaj gazetarëve, ky nuk është një matës real sepse kërcënimi dhe presioni janë shumë më të sofistikuar sesa ajo që paraqitet në dukje.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është të jesh një gazetar i pavarur në Kosovë?

Serbeze Haxhiaj: Është shumë e vështirë. Jo vetëm çështjet që duhet të hulumtosh, ajo që ndërlidhet me çështjet më sensitive ose më të rëndësishme siç është mbajtja llogari-dhënëse e pushtetit, raportet kritike për qeverinë, hulumtimet për krim dhe korrupsion, kjo është pjesa më e vështirë e secilit gazetar dhe për këtë arsye niveli i gazetarisë hulumtuese në Kosovë është në nivelet më të pakënaqshme do të thoja aktualisht. Të bësh gazetari, sidomos gazetari hulumtuese në Kosovë është tepër e vështirë, sidomos për gratë të cilat kanë një barrë shtesë ose një problem shtesë, siç është diskriminimi gjinor, seksizmi dhe probleme të tjera.

Zëri i Amerikës: Kosova ka një kulturë në fakt të mos-ndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve dhe zgjidhjes së paktë të rasteve të sulmeve ndaj tyre. A shpresoni se me ardhjen e qeverisë së re kjo frymë do të ndryshojë?

Serbeze Haxhiaj: Në fakt po, vrasjet e gazetarëve, sulmet ndaj gazetarëve nuk kanë lënë vetëm shijen e hidhur, kanë lënë thjesht pasojën psikologjike tek gazetarët të cilët druajnë të merren me probleme ose me hulumtime që janë më të rënda ose më problematike për arsye sepse ajo që është palca e një shteti, e funksionimit të një shteti siç është sistemi gjyqësor, nuk funksionon në Kosovë. Personalisht kam marrë kërcënime me vrasje dhe deri tani nuk kam parë që rastet të jenë zgjidhur. Kjo ka qënë tipar për shumë raste të tjera, jo vetëm për gazetarë që janë vrarë gjatë luftës ose menjëherë pas luftës. Mund ta imagjinoni një grua shtatëzanë që plagoset në muajin e tetë të shtatëzanisë siç ishte rasti i koleges sonë Fatmire Tërdevci dhe sot e kësaj dite s’ka asnjë hap në hetimin e këtij rasti apo rasteve të tjera.

Zëri i Amerikës: Krimet e luftës dhe mos-ndëshkimi i krimeve të luftës shihen si pengesa për pajtimin në rajonin e Ballkanit. Ju e keni trajtuar këtë çështje dhe keni marrë pjesë në disa debate. Cila është fryma mes kolegëve?

Serbeze Haxhiaj: Në fakt raportimi i krimeve të luftës në formën e duhur ose në trajtën e duhur është ende një tabu në Kosovë, sidomos përsa i përket prekjes së gjërave që prek të dy palët, edhe anën shqiptare të krimeve të luftës. Ne po presim që shumë shpejt, gjykata e re që është themeluar për Kosovën në Hagë të merret me akt-akuzat e para. Është një periudhë e vështirë sepse krimet e luftës rëndojnë fort në supet e njerëzve në Kosovë, janë barra e shoqërisë kosovare aktualisht dhe duket që do të jenë problem për një kohë të gjatë sepse krimet e Serbisë në kufijtë e gjenocidit nuk janë ndëshkuar ndërkohë që ekziston një frustrim brenda në Kosovë për gjykatën e re për shkak se paragjykimi është i gatshëm, për shkak se do të trajtojë pjesëtarët e një etniteti ndërkohë që shumica e atyre që kanë qënë në zinxhirin e lartë komandues të Serbisë nuk janë dënuar dhe nuk janë dënuar as të tjerët. Domethënë shoqëria serbe ende është një strehë e mirë për kriminelët e luftës. Nuk po them që kjo nuk ka ndodhur edhe në Kosovë, sepse në shumë raste të gjykimeve të krimeve të luftës ka pasë frikësim të dëshmitarëve ose vrasje të dëshmitarëve por problemi i krimeve të luftës është një problem definitivisht shumë i madh edhe për Kosovën i cili vazhdon të rëndojë mbi supet e të dyja shteteve dhe që kam frikë se do të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Zëri i Amerikës: Në fillim të vitit 2018, autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikiimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës. Sa ka ndihmuar ky proces në rehabilitimin e këtyre viktimave?

Serbeze Haxhiaj: Në fakt ka qënë një lëvizje e vogël por që ka pas një peshë shumë të madhe për jetët dhe gjendjen e shumë viktimave të dhunës seksuale në luftë. Personalisht kam hulumtuar shumë raste që ndërlidhen me këtë problem, një prej kapitujve më të errët të luftës së Kosovës siç janë fëmijët e lindur prej dhunimet. Ky veprim, në dallim nga vendet e tjera të ish Jugosllavisë ka sjell një numër më të madh të të interesuarve për ta marë këtë status. Në elementin psikologjik-social është një lehtësim për viktimat sepse më në fund pas vite e vite heshtjesh, stigmatizimi dhe përjashtimit, po njihen, po njihen dalëngadalë. Por përsa i përket stigmës, ne kemi shumë pak raste që kanë qënë të gatshme për të dalë dhe për të folur në publik. Shumica e tyre janë ende atje ku kanë qenë, duke u përballur me atë errësirën e dramës së tyre personale dhe pa pasur mundësinë të dalin të kenë qasje jo vetëm në arsim, shëndetësi apo përsa i përket çështjes së kujdesit shëndetësor por edhe debatit të përgjithshëm për to. Edhe janë si në një vend ku u është hedhur një batanije dhe ato janë atje dhe ndërkohë debati zhvillohet diku tjetër, pak më i zhvendosur. Kemi shumë pak gra që kanë dalë dhe kanë folur. Shumica mbesin në atë dramën e tyre të heshtjes.

Pastrimi i parave, Shqipëria në “listën gri”

Armand Mero

Shqipëria u përfshi në listën e vendeve nën monitorim të shtuar, ose siç njihet ndryshe në “listën gri” nga Task Forca e Veprimit Financiar , një organizatë ndërqeveritare e themeluar me iniciativën e G7 për të zhvilluar politika për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Përfshirja në këtë listë do të thotë që vendi konsiderohet me rrezik të lartë, dhe kjo ka pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e një shteti. Ministrja e Financave dhe ekonomisë Anila Denaj tha sot se mangësitë kryesore për të cilat vendi mori këtë renditje kanë të bëjnë sipas saj me sistemin e Drejtësisë dhe se vendi ka hartuar një plan veprimi për plotësimin e rekomandimeve brenda këtij viti

Ndërsa Shqipëria është vlerësuar për aspektet teknike, kryesisht kornizën ligjore të saj për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave, ajo duket se ka dështuar në efektivitetin e masave që duhet të zbatojë. Për pasojë Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e cila vlerësoi ecurinë e vendit, e përfshiu atë në listën e vendeve me mangësi strategjike.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha sot se vendi ka bërë përparim në shumë aspekte, por se “nga shqyrtimi i detajuar i rekomandimeve më të fundit të FATF-së për përmirësim të mëtejshëm gjatë 2020-2021,është e qartë se mangësitë më thelbësore të konstatuara ju përkasin organeve jashtë Ekzekutivit. Në fokus të efektivitetit janë 2 fusha që lidhen kryesisht me efikasitetin e sistemit të drejtësisë, Prokurori dhe Gjykata”.

Sipas ministres do të duhej një vëmendje e shtuar “në lidhje me domosdoshmërinë e rritjes së dënimeve për pastrim të paravë nga sistemi gjyqësor, sidomos të rasteve të denoncuara dhe raportuara nga institucionet për transaksione me klasifikim të nivelit të lartë risku dhe të kryer nga profesionistë apo persona të tretë të lidhur me organizata kriminale. Si edhe rritja në mënyrë domethënëse e konfiskimeve përfundimtare të pasurive të krimit”.

Por nëse shihet plani i veprimit që autoritetet kanë hartuar së bashku me Task Forcën, janë një sërë aspektesh të tjera në të cilat do të duhet gjithashtu të shënohen përmirësime brenda këtij viti, në mënyrë që të dalë jashtë asaj që njihet dhe si “lista gri”. Shqipëria do të duhet ndër të tjera, të kryej një analizë të thelluar për rreziqet nga pastrimi i parave dhe për të mundësuar forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional. Duhet të përmirësojë trajtimin në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjelltë, apo të krijojë mekanizma efektive për zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit kriminal në ekonomi, si dhe të verë në dispozicion informacione të sakta dhe të përditësuara të pronarëve fundorë në mënyrë periodike.

Vlerësimi nga ana e FATF-së konsiderohet mjaft i rëndësishëm dhe renditja në listën gri, e bën Shqipërinë pjesë të vendeve me rrezik të lartë, gjë e cila mund të ketë efekte negative për ekonominë dhe imazhin e vendit, duke tkurrur besueshmërinë e institucioneve të tij. Pasojat bien dhe mbi sistemin bankar si dhe mund të kenë ndikim mbi investimet e huaja.

Këtë e pranoi dhe vetë ministrja Denaj: “Për Shqipërinë, nuk është një imazh I mirë, nuk është as për investitorët, nuk është as për sistemin bankar i cili prej vitesh ka investuar në strukturat e parandalimit”.

Mbi vendimin e FATF-së ka reaguar dhe opozita. “Jemi vendi i vetëm në Europë që jemi përfshirë në këtë listë dhe kjo tregon që mekanizmat dhe vullneti politik për të luftuar paratë e pista mungon. Lufta kundër pastrimit të parave të pista ka qenë një nga kauzat që PD ka ngritur që në fillim duke kërkuar angazhim serioz kundër një prej krimeve ekonomike më vdekjeprurëse për ekonominë, punësimin dhe shoqërinë.”, deklaroi përmes një statusi në Facebook ish deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Intervista – Faruk Ajeti: Një JO e BE-së ndaj Ballkanit do të ishte “dhuratë” për forcat anti-evropiane

Valona Tela

“Nëse BE-ja vërtet dëshiron që rrethi i saj i stabilitetit të përforcohet, atëherë duhet të marrë hapa që procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Faruk Ajeti, studiues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. Ajeti flet edhe për metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, e cila, sipas tij, do të jetë më sfiduese dhe më kërkuese.

BE-ja e ka publikuar metodologjinë e re, më 5 shkurt. Është thënë se ajo bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.

Me metodologjinë e re, vendeve anëtare të BE-së u jepet autoriteti për të pezulluar procesin e pranimit të vendeve të reja. Negociatat e anëtarësimit mund të kthehen në pikën zero, nëse vendet anëtare nuk përparojnë në asnjë fushë.

Tridhjetepesë kapitujt e negociatave nuk do të hapen veç e veç si deri më tash, por në gjashtë grupe. Njëri grup nuk do të mbyllet derisa të mos mbyllen të gjithë kapitujt brenda atij grupi.

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian është tkurrur këtë muaj për herë të parë në histori. A ka ende kuptim zgjerimi?

Faruk Ajeti: Që nga anëtarësimi i Britanisë së Madhe fillimisht në Komunitetin Ekonomik Evropian – i cili ka qenë paraardhës i Bashkimit të sotëm Evropian – më 1973, ky vend vazhdimisht ka hezituar që disa fusha të sovranitetit shtetëror t’ia dërgojë Brukselit. Kjo lidhet edhe me faktin se Britania e Madhe nuk ka qenë një nga shtetet themeluese të Unionit Evropian, nuk ka pranuar të jetë pjesë e zonës së Schengenit dhe as pjesë e zonës së Euros. Ajo, pra, ka hezituar që monedhën e saj kombëtare ta zëvendësojë me monedhën e përbashkët evropiane.

Mirëpo, në anën tjetër, largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja është një humbje e madhe si për vetë atë, ashtu edhe për BE-në. Largimi i saj, si një nga shtetet më të fuqishme evropiane në karakterin ekonomik, politik dhe ushtarak, do të jetë një humbje e madhe edhe për Ballkanin Perëndimor.

Këtë e them sepse Britania e Madhe ka qenë një nga partnerët dhe avokatët më të mëdhenj të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Unë gjykoj se zgjerimi i BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri. Tani në fazën e post-Brexitit dhe në një kohë kur në disa shtete të BE-së ka një tendencë në rritje të partive të ekstremit të djathtë dhe të disa partive euroskeptike, mendoj se zgjerimi do të mund të jepte një frymë, një shpresë të re.

Radio Evropa e Lirë: Brukseli ka dalë me një metodologji të re të procesit të zgjerimit, e cila thuhet se është më dinamike dhe më e besueshme. Ju, si e shihni?

Faruk Ajeti: Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian e ndryshon apo e modifikon strategjinë e tij të zgjerimit. Që nga koha kur BE-ja është formuar, strategjia e zgjerimit ka ndryshuar vazhdimisht. BE-ja nuk është zgjeruar vetëm nga qendra, por edhe në drejtim të lindjes, veriut, jugut dhe perëndimit. Çdo shtet i ri që është anëtarësuar në BE ka bartur më vete sfidat, problemet, por edhe përparësitë për BE-në.

Duhet rikujtuar për shembull se të tjera kushte janë aplikuar për anëtarësimin e Austrisë në BE më 1995, të tjera kushte për anëtarësimin e Sllovenisë më 2004 dhe të tjera kushte për Kroacinë – shtetin e fundit që i është bashkuar BE-së. BE-ja po ashtu është një organizatë ndërkombëtare që nxjerr mësime nga e kaluara. Nëse te shteti A ose B janë shfaqur disa probleme ose pengesa, BE-ja ka tentuar që ato të mos përsëriten te shteti i ardhshëm që do të anëtarësohej.

Radio Evropa e Lirë: Dy vendet që presin në prag janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Si do të gjenden ato me këtë metodologji?

Faruk Ajeti: Tirana dhe Shkupi zyrtar e kanë mirëpritur strategjinë e re, pas tërmetit politik që kanë përjetuar në samitin e fundit të BE-së. Tirana dhe Shkupi presin që shtetet anëtare të jenë më të drejta në vlerësimet e tyre në raport me reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

E dimë që Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë dhënë dritën e gjelbër për nisjen e negociatave me këto dy vende, por ishin shtetet anëtare ato që i bllokuan. Tani, ato presin që shpresat e tyre të kapitalizohen në samitin e radhës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në muajin maj në Zagreb.

Radio Evropa e Lirë: Po Kosova dhe Bosnja?

Faruk Ajeti: Kosova dhe Bosnja pritet t’i nënshtrohen metodologjisë së re, sikurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi, sipas të gjitha gjasave, nuk do t’i nënshtrohen asaj [v.j. këto dy vende i kanë nisur më herët negociatat me BE-në].

Sipas gjykimit tim, metodologjia e re nuk pritet të jetë lehtësuese për shtetet kandidate të Ballkanit Perëndimor, por do të jetë një proces më kërkues dhe më sfidues. Bashkimi Evropian vazhdimisht ka aplikuar një proces ambivalent për shtetet kandidate. Për shembull, kriteret e parapara në procesin e Stabilizim-Asociimit për Serbinë dhe Malin e Zi, nuk janë identike për Kosovën dhe Bosnjën, ngaqë, me kalimin e viteve, BE-ja i ka rritur kriteret dhe nuk i ka zvogëluar apo lehtësuar ato.

Shembull tjetër është edhe liberalizimi i vizave. Në kohën kur vizat janë liberalizuar për Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, këto vende kanë pasur kritere të tjera. Kur Kosova, ndërkaq, është futur në këtë proces, asaj i janë shtuar edhe kritere të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Pra, me metodologjinë e re a do të ngadalësohet apo përshpejtohet zgjerimi?

Faruk Ajeti: Kushtet e parapara për anëtarësim (në BE) do të varen nga vetë shtetet kandidate. Por me metodologjinë e re është menduar të shmanget edhe situata e samitit të kaluar të BE-së, kur Franca, Holanda dhe Danimarka kanë dalë me qëndrime kundër rekomandimeve të Këshillit Evropian. Me metodologjinë e re është menduar të ketë edhe një bashkëdyzim ose një udhërrëfyes më të mirë brendapërbrenda BE-së.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të nënkuptonte një “jo” eventuale e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?

Faruk Ajeti: Një “jo” eventuale e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për shtetet e këtij rajoni, por edhe për vetë BE-në. E them këtë sepse BE-ja do të ballafaqohej me çështjen e kredibilitetit jo vetëm te shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në arenën ndërkombëtare. Do të ndikonte shumë në uljen e kredibilitetit të saj si një akter.

Një “jo” e mundshme ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të ishte një goditje e madhe ndaj forcave reformatore dhe partive politike me qasje pro-evropiane dhe një dhuratë e mirë për forcat që kanë qasje anti-evropiane dhe euroskeptike.

Për më tepër, një “jo” e mundshme do të kishte ndikim të madh edhe në aktivizimin e akterëve joevropianë, ose joperëndimorë – këtu e kam fjalën për Rusinë dhe Kinën, të cilat në dekadën e fundit, si rezultat i mungesës së angazhimit më të madh evropian në Ballkanin Perëndimor, e kanë shtrirë ndikimin e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, sa urgjente është çështja e zgjerimit, marrë parasysh ndikimin e këtyre faktorëve?

Faruk Ajeti: Çështja e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor është domosdoshmëri. Edhe krerët kryesorë të BE-së e kanë thënë se Evropa nuk është e plotë pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse BE-ja vërtet dëshiron që rrethi i saj i stabilitetit të përforcohet, atëherë duhet të marrë hapa që procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni mospërfshirjen e Turqisë në metodologjinë e re të BE-së?

Faruk Ajeti: Metodologjia e re, e prezantuar nga komisionari për Zgjerim, nuk ka të bëjë me Turqinë dhe ajo i referohet në mënyrë specifike Ballkanit Perëndimor. Disa ditë para se metodologjia e re të publikohej, ministri i Jashtëm turk i ka dërguar një letër përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nga i cili ka kërkuar që të mos bëhet ndarje artificiale midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, por të përfshihet edhe Turqia në këtë proces.

Turqia, qysh në vitin 1987, ka aplikuar për t’iu bashkuar Komunitetit Ekonomik Evropian dhe nga viti 2005 është kandidate zyrtare për t’u bërë pjesë e BE-së. Për shkak të kritikave që BE-ja ka shprehur ndaj Turqisë, sidomos në çështjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, negociatat kanë ngecur.

Pastaj, anëtarësimi i Turqisë në BE ka qenë dhe mbetet prioritet i politikës së saj të jashtme, por jo parimi themelor, ngaqë, sikur Turqia të anëtarësohej në BE, ajo do të duhej që në suaza të procesit të evropianizimit, të hiqte dorë nga politika e saj unilaterale dhe të bashkëdyzohej me politikën e jashtme dhe të përbashkët të BE-së.

Në anën tjetër, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Turqia si vend anëtar i NATO-s, si kandidate zyrtare për anëtarësim në BE, mbetet një partner strategjik i Perëndimit. Megjithatë, viteve të fundit, zërat skeptikë në BE ndaj Turqisë janë rritur. Shqetësimet lidhen me karakterin e saj gjeografik, politik dhe fetar.

Çështja e anëtarësimit të Turqisë në BE do të jetë një test për vetë BE-në si dhe për parimin tashmë të njohur të BE-së: ta bashkuar në diversitet apo në diversitet të bashkuar.

Sukses i padiskutueshëm i Eno Peçit si koreograf i “Opernball” 2020 Nga Elida Buçpapaj

Ishte një shfaqje brilante “Opernball” 2020, evenimenti më i madh artistik që organizohet në Vjenë.

Opera shtetërore e Vjenës u shndërrua në sallën më të bukur të vallëzimit në botë, nën drejtimin e ish solistit të Operas vjeneze Eno Peçi, sot koreograf i këtij institucioni që identifikohet me shpirtin vjenez dhe kranarinë e Austrisë. Me të drejtë pa dyshim!

Është e dyta herë, që koreografia iu besua shqiptarit Eno Peçi, i cili shpalosi artin dhe talentin e tij, sikur di vetëm ai, dmth në mënyrën më të përkryer të mundëshme.

Për suksesin e shfaqjes dhe të Eno Peçit shkruan sot në blogun e tij edhe kritiku i artit Ricardo Leitner, ku vlerëson që në titull elegancën dhe stilin e hollë të Eno Peçit.

“Normalisht unë nuk e komentoj “Opernball”, shkruan sot Ricardo Leitner – por këtë vit është një përjashtim. Unë jam duke shkelur rregullin tim. Por a nuk ka thënë dikush dikur se “Rregullat bëhen që të prishen. Sidomos kur rregulli është im, i vendosur prej meje ”?

Ricardo Leitner ka mbetur i shtangur nga magjia dhe mrekullia e shfaqjes. “Për herë të parë që kur pashë hapjen, u befasova nga koreografia.

Përdorimi i hollësishëm i hapësirës i përdorur nga Eno Peçi ishte thjesht i përsosur. Ishte, për mënyrën time të të menduarit, përdorimi i parë me të vërtetë origjinal i hapësirës.

Edhe pse çdo vit koreografët e vjetër vazhdojnë të postojnë versionet e tyre mjaft të zakonshëm, duke thënë qartë se sa të mrekullueshme ishin ato. Por problemi është: se të gjitha janë dukur njëlloj.

Ndërsa këtë herë z. Peçi na dha një “lexim” të ri, të freskët të hapjes. Se si përshtatej hapësira!

Chapeau!

Megjithëse moderimi i shfaqjes nga TV ORF ishte një nga më të mërzitshmit dhe joprofesionistët që kam përjetuar ndonjëherë, unë mbeta duke e parë atë. Dhe ia vlente!

Bravo, Eno Peçi:

Punë e shkëlqyeshme!”, përfundon kritiku i artit Ricardo Leitner!

Pra Eno Peçi ka prekur qiellin vjenez me këtë sukses të rradhës!

Ne shqiptarët mrekullohemi nga sukseset e Eno Peçit, i cili shkëlqen në vendin më të shkëlqyer të botës sikur është “Opernball e Vjenës!

Shfaqja e koregrafuar nga Eno Peçi ishte e fundit për Manuel Legris, si drejtor i Operas të Vjenës. Legris do të jetë drejtor i Baletit të Teatrit La Scala në Milano!

Unë jam një gazetare që e kam ndjekur fluturimin pindarik të Eno Peçit.

Dhe mund të përfytyroj pa vështirësi që një ditë Eno Peçi mund të jetë Drejtori i Teatrit më të famshëm të botës, sikur është Opera e Vjenës.

A jeni dakord me mua ?!

Besoj se po!

Fotografitë: Ashley Taylor
 

Kamioni me 1.3 ton kokainë kaloi nga Shqipëria, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti

Policia e Shtetit Shqiptar ka konfirmuar se kamioni me kokainë ka kaluar përmes Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

Në një njoftim, Policia sqaron se  ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.

“Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti”, sqaron Policia e Shtetit Shqiptar.

Aksioni i Policisë u krye në disa shtete evropiane, ndërsa në Maqedoni është kapur vetëm 1 kg kokainë, pjesa tjetër është sekuestruar në Itali.

Lënda narkotike ishte nisur nga Kolumbia dhe e gjitha ngarkesa me peshë 1.3 ton është zbuluar në Itali.

Policia italiane kishte lënë vetëm një qese që peshonte 1 kg me një GPS brenda, me qëllim që të mësonte destinacionin përfundimtar.

Fermerët nesër prapë në protestë – Tonelata me prodhime shqiptare shkojnë dëm

Fermerët e Myzeqesë e kanë zhvilluar dje protestën e tyre në Tiranë, ku kanë kërkuar subvencione nga qeveria.

Fermërët e Myzeqesë paralajmërojnë sërish protesta për plotësimin e kërkesave të tyre.

Në një njoftim zyrtar, ata thonë se do të protestojnë në datën 21 Shkurt ora 10:00 në Lushnje tek rrethrrotullimi i Savrës.

Ogranizatorët thonë se në protestë do marrin pjesë rreth 800 deri 1.000 fermerë pasi kërkesat e tyre ende nuk janë plotësur nga qeveria.

“Do protestojmë për gjendjen e vështirë ku ndodhen fermerët sot, pasi nuk po shesin produktet bujqësore”, thuhet në njoftim.

Fermerët kanë disa kohë që protestojnë, duke u ankuar se prodhimi i tyre nuk po shitet, ndërkohë kanë hedhur poshtë tonelata me prodhime për shkak të mungesës së tregut vendas.

5 kërkesat e fermerëve:

Mbështetje financiare direkte për fermerët duke na subvencionuar për çdo njësi produkti te hedhur ne treg kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe stimulim te eksportuesve te cilet jane promotore te zhvillimit te bujqësisë.

Vlerësim dhe kompesim financiar me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqsitë natyrore dhe stogun e produktit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut.

Rregullim në paketen fiskale 2020 të shkallës së TVSH-së për sektorin e tregëtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blektorale sepse aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH-së që sot është në mënyre paradoksale 0% në blerje dhe 20% në shitje dhe perfshirja e të ashtuquajturës normë kompesimi 6% në këtë mekanizëm i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë i ka detyruar të furnizohen me produktet bujqësore nga importi dhe të braktisin produktin vëndas .

Kërkojme nga Ministria e Bujqësisë të na garantojë shërbimin e ekstensionit me specialistët e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë,laborator për analiza të tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore , kontroll dhe monitorim të cilesisë së produkteve tona nëpërmjet një laboratori të akredituar.

Kërkojmë nga qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyren e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e paleve në këtë treg.

Pjesmarrja sa me e madhe në tubim rrit shanset për realizimin e ketyre kërkesave./AgroWeb.org

Mungesat në Shëndetësi – Shqipëria së shpejti pa infermierë

Të dhënat e fundit tregojnë për një rënie të numrit të këtyre specialistëve, kryesisht për shkak të largimit të tyre nga Shqipëria.

Shëndetësia është një prej çështjeve më të diskutuara në vend.

E kjo për arsye të shumta të cilat lidhen drejtpërdrejtë me shërbimin ndaj pacientëve, si dhe me cilësinë.

Një problem që po shtrohet edhe nga zyrtarë e specialistët kohët e fundit, është mungesa e mjekëve apo infermierëve në qendrat spitalore.

Të dhënat e fundit tregojnë për një rënie të  numrit të këtyre specialisitëve, kryesisht për shkak të largimit të tyre nga Shqipëria.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju tregojmë një sërë të dhënash të cilat lidhen me këtë çështje.

Infermierët Shqiptarë drejt Evropës

Ky trend i largimit të profesionistëve të shëndetësisë, filloi masivisht gjatë vitit 2018 ku u rregjistruan rreth 909 infermierë të larguar nga vendi.

Shifër që u shtua në 2019, me 1300 profesionistë të larguar për të punuar drejt vendeve Evropiane dhe që mesa duket po vazhdon të rritet.

Presidentja e Urdhrit të Infermierit, Blerina Duka për TV KLAN të cilit i referohet AgroWeb.org, është shprehur se nga të gjithë këta ekspertë të shëndetësisë rreth 59% prej tyre janë infermierë.

Përveç tyre, kërkesa të larta për t’u punësuar jashtë kanë edhe mamitë, fizioterapistët apo teknikët e laboratorit.

Ndër destinacionet e preferuara të këtyre specilastëve mbeten vendet Evropiane, si Gjermania dhe Anglia.

Së fundëmi kërkesë për mjekë kanë edhe SHBA, Kanadaja apo vendet e Lindjes së Mesme.

Ky fenomen po kthehet në një shqetësim të vërtetë për shëndetësinë Shqiptare, pasi nga vendi largohen po aq specialsitë sa diplomohen.

Kjo mund të krijojë një hendek të madh për plotësimin e vendeve të punës, në spitalet e mëdha të vendit, por edhe në rrethe apo fshatra.

Sipas Presidentes së UISH licensimi i profesionistëve në këtë fushë në vendin tonë nuk është më i madh se 1200-1300.

Kjo shifër mund të arrijë edhe në 1600 në bazë të personave që arrijnë të kalojnë fazën e liçensimit.

Po mjekët?

Përtej Infermierëve, vitet e fundit edhe Urdhri i Mjekëve në Shqipëri ka shprehur po të njëjtin shqetësim prej disa vitesh tashmë.

Sipas të dhënave gjatë 5 viteve të fundit në vend, ka pasur një rritje të mjekëve të cilët tërheqin certifikatën e sjelljes së mirë.

Kjo çertifikatë merret për vlerësimin e punës së mirë të mjekut apo infermierit, për tu paraqitur në shtete të tjera ku këta mjekë mund të punojnë jashtë vendit.

Të dhënat sipas UMSH të cilave i referohet AgroWeb.org, tregojnë se në vitet e fundit, numri i mjekëve që kanë kërkuar këtë certificate është në rritje.

Nga viti 2013 ku janë pajisur me këtë certifikatë 76 mjekë të përgjithshëm, të dhënat për 2019 janë dyfishuar, me 166 mjekë profesionistë të larguar.

Vetëm katër vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare të Urdhrit të Mjekut, rreth 666 mjekë dhe specialist janë larguar për të punuar jashtë vendit.

Shkaqet për rritjen e këtij fenomeni mbeten kushtet më të mira të punës, pagesa më të larta, vlerësimi më i madh i profesionit dhe më shumë mbrojtje nga legjislacionet e vendeve perëndimore.

Rriten importet me Kinën – A mund të përhapet koronavirusi nga këto produkte?

Tregtia mes dy vendeve dominohet nga importet të cilat në fund të viti të kaluar arritën 59,7 miliardë lekësh me një rritje me 11 përqind me bazë vjetore.

Në publikimin e fundit nga INSTAT duket qartë se importet e mallrave me origjinë kineze janë rritur ndjeshëm këto dy vite.

Sipas të dhënave që AgroWeb.org ka siguruar, tregohet se tregtia me Kinën zuri 6,9% të volumit tregtar gjatë vitit 2019.

Shifra të tilla e bëjnë Kinën partnerin e tretë tregtar të Shqipërisë për sa i përket importeve me 7.4% të totalit.

Tregtia mes dy vendeve dominohet nga importet të cilat në fund të viti të kaluar arritën 59,7 miliardë lekësh me një rritje me 11 përqind me bazë vjetore.

Produktet me Nivelin më të Lartë të Importit

Importet dominohen nga pajisjet elektrike, hidrosanitarë, makineri të cilat përbejnë rreth 40% të totalit me një vlerë mbi 23 miliardë lekë.

Ndërkohë, veshjet që kanë ardhur nga Kina në Shqipëri vitin e kaluar arrin vlerën prej 5,2 miliardë lekësh me një rritje 17 përqind krahasuar me vitin 2018.

Ndërsa importi i mobilieve kineze shënoi 2,3 miliardë lekë me një rritje mbi 8% në raport me vitin 2018.

Peshë të konsiderueshme në importe zënë edhe krevatet, dyshekët, llambat dhe pajisjet e ndriçimit.

Sa të Sigurt Janë Konsumatorët nga Përhapja e Virusit Përmes Produkteve të Importuara?

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetit, koronavirusët nuk arrijnë të mbijetojnë gjatë në sipërfaqet e objekteve.

Ndaj edhe rreziku i përhapjes së viruseve përmes produkteve të paketuara të cilat dërgohen nga Kina është shumë i ulët.

Mjekët Infeksionit të Universitetit NorthWestern, deklaruan për mediat ndërkombëtare se infeksione të tilla transmetohen mes njerëzve vetëm përmes rrugëve të frymëmarrjes, pështymës apo lëngjeve të tjera të trupit.

Edhe pse ekspertët janë ende në alarm për shkak të mutacioneve strukturore që po pëson koronavirusi, përhapja e tij përmes objekteve është akoma e pamundur.

Sigurisht që masat parandaluese janë ndërmarrë në çdo pikë të kontrollit të hyrjes dhe daljes së produkteve të import-eksportit./AgroWeb.org

VIDEO – Fjalimi i Ibrahim Rugovës në Parlamentin Evropian që i bëri të gjithë të ngrihen në këmbë

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, përkujtohet në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe në data të rëndësishme për vendin.

Presidenti historik, pa reshtur luftoi për bërjen shtet të Kosovës, e këtë e bënte me vizionin e tij largpamës, duke kërkuar gjithnjë paqe para miqve ndërkombëtarë.

Ndër të tjera Rugova flet për Pavarësinë e Kosovës, ku thotë:

Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit ne këtë pjesë të Evropës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje edhe Serbinë.

Në vazhdim mund ta ndiqni fjalimin e ish-presidentit, i cili i ngriti në këmbë deputetët e Parlamentit Evropian.

Vjosa Osmani thyen tabunë, është zyrtarja e parë e LDK-së që e nderon Adem Demaçin

Vjosa Osmani, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që aktualisht mban postin e kryeparlamentares, pikërisht në ditën kur Albin Kurti u përkul para varrit të Ibrahim Rugovës, bëri të njëjtën gjë te varri i Adem Demaçit. Demaçi, që nga shumëkush konsiderohet si njëri nga veprimtarët simbol të rezistencës ndaj Serbisë, ishte kundërshtar i rreptë i LDK’së dhe Ibrahim Rugovës. Kjo është edhe arsyeja që zyrtarë të kësaj partie nuk tejkaluan hidhërimin dhe nuk iu bashkuan Osmanit për t’i bërë homazhe, shkruan Gazeta Express.

GAZETA EXPRESS

Pak metra larg njëri – tjetrit prehen në varrezat e Velanisë, ish-presidenti historik Ibrahim Rugova dhe veprimtari më i njohur i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Dy nga figurat më të popullarizuara të Kosovës të kohëve moderne, sa ishin gjallë marrëdhëniet i kishin të këqija. Fillimisht Demaçi, pas daljes nga burgu e kishte mbështetur Rugovën, por më vonë teksa Rugovës po i bëheshin shumë vite pa rezultate në politikën paqësore, ai kishte filluar ta kritikonte ashpër. Natyrisht, Rugova në stilin e tij, nuk ia kishte kthyer kurrë Demaçit.

Qëndrimi i Demaçit, duket se kishte afektuar asokohe edhe studentin Albin Kurti, që në vitin 1998 u bë sekretar në zyrën e UÇK-së. Kjo zyrë në mes të Prishtinës drejtohej pikërisht nga Adem Demaçi, “punëdhënësi” i Kurtit.

Edhe pse Rugova s’merrej me Demaçin, ishte Lidhja Demokratike e Kosovës ajo që kurrë nuk ia kishte falur Adem Demaçit qëndrimin ndaj Rugovës. Disa vjet para vdekjes një mik i ngushtë dhe mbështetës i Rugovës akademiku Mark Krasniqi që ishte i afërt edhe me LDK’në, kishte goditur rëndë Demaçin pasi ky i fundit vazhdonte ta kritikonte ish-presidentin edhe pas vdekjes.

“Adem Demaçi do të bënte mirë për vetveten sikur të vdiste atë ditë kur është dalë prej burgut se tash është njeri tjetër se çka kem mendu na sa ka qenë në burg…” kishte thënë Krasniqi në një intervistë në vitin 2013.

Hidhërimin LDK e kishte çuar deri në fund. Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte bojkotuar edhe varrimin e Demaçit kur ky vdiq në vitin 2018, derisa për këtë veprim LDK-ja pavarësisht kritikave, nuk kishin dal me sqarim.

Sot gjatë ditës ndërkaq, para varrit të Rugovës në Velani kanë bërë homazhe shumë prej zyrtarëve të LDK-së, anëtarë të kryesisë e ministra, mirëpo, të njëjtit nuk shkuan te varri i Demaçit.

Derisa Kurti me Osmanin po bënin homazhe në Velani te varri i Demaçit, të pranishëm më ta nuk ishte asnjë nga ministrat e Lidhjes Demokratike, pos ata të komuniteteve dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por Kryeparlamentarja Osmani nuk hezitoi t’i konfirmojë meritat që tashmë janë rezervuar nga shqiptarët për Demaçin.

“Ne sot nderojmë edhe Adem Demaçin një për veprimtarëve simbol të çështjesh shqiptare që luftoi okupimin dhe regjimin serb. Ai dëshmoi se si liria individuale sakrifikohet në të mirë të lirisë kolektive. Vendosi lirinë e popullit para çdo lirie dhe interesi tjetër”, tha sot Osmani pas homazheve.

Kryeministri Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është prioritet

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kanë vizituar sot pas seancës solemne të Kuvendit, Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Kurti por edhe kryeparlamentarja Osmani në prani të pjesëtarëve të FSK-së, ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni dhe ministrave të tjerë nga kabineti i qeverisë, theksuan në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë se “prioritet i shtetit mbetet anëtarësimi i Kosovës në Bashkim Evropian (BE) dhe në NATO”.

Kurti, duke folur për idenë e tij për shërbimin ushtarak, tha se Kosova pa ushtri është e dobët. Ai shtoi se shërbimi ushtarak nuk po bëhet për të sunduar vende, por për të forcuar shtetin e Kosovës.

Ai tha se pa ushtri Kosova është e dobët, ndërsa foli edhe për idenë e tij për shërbimin ushtarak, ku tha se përvojat e këtij shërbimi “duhen për t’u përballur edhe me betejat e paqes”.

“Do të punojmë që të ndërtojmë aleanca të reja e ta avancojmë sa më shpejtë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në NATO është prioritet, prandaj edhe investimet në Forcën e Sigurisë janë të domosdoshme që të bëhemi partner të denjë. Integrimi në Bashkimin Evropian është rrugë e gjatë dhe e mundimshme por rrugë që na forcon”, tha ai.

Kurti tutje tha se reformat që Kosova duhet t’i bëjë janë “reforma që na duhen për të zhvilluar shtetin e së drejtës, zhvillimin e vendit dhe barazinë në popullsi”.

Ndërkaq, kryeparlamentarja Osmani, u tha pjesëtarëve të FSK-së se ata janë “përkrahësit më të mëdhenj të paqes”. Osmani theksoi se “anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit tonë”.

“Kosova po shënon 21 vjet liri dhe 12 vjet shtet, dhe askush më mirë se populli i Kosovës nuk e kupton në thelb rëndësinë e të jetuarit në një vend të lirë dhe të sigurt, ku garantohen liritë politike dhe qytetare për të gjithë pa dallim. Vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, janë të shkolluar dhe përgatitur profesionalisht, të stërvitur me standardet më të larta të vendeve të NATO-s dhe të gatshëm të përballen me sfida dhe nevojat eventuale. Si bashkëshorte e një ushtaraku, mbajë me krenari uniformën e Forcave tona në shtëpinë tonë, gjithmonë e vetëdijshme për sakrificën që keni bërë për t’i shërbyer vendit”, theksoi Osmani.

Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 ndërsa ajo sot njihet nga 116 vende të ndryshme të botës. Qytetarët e Kosovës sot festojnë në qendrat kryesore të vendit, vizitojnë në Prekaz shtëpinë e heroit të luftës së fundit në Kosovë, Adem Jashari ndërsa monumenti i pavarësisë i vendosur në kryeqytet “NEW BORN” merr pamje të re, ku këtë vit do të ngjyroset me motive kushtuar të abuzuarave nga dhuna seksuale në gjithë botën.