VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

PRESIDENTI IBRAHIM RUGOVA NUK E HUMBI ASNJËHERË RRUGËN DREJT PAVARËSISË* – Nga Frank Shkreli

By | January 29, 2019
blank

Komentet

blank

Vuçiq: “Kosovo je Srbija”, kurse Edi Rama: “Vuçiqi është aleati im”!? – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

*** Shihni çfarë mendje amorfe dhe sakat ka shqiptari për një “prijatelj “ serb ia ka futur “thikën në shpinë” Kosovës dhe mbi 2 milionë shqiptarëve !?

Ky shembull provon se Kosova nuk ishte rastësisht e aneksuar dhe e kolonizuar nga Serbia, ngase kjo gjithmonë ka gjetur agjentët dhe kolaboracionistët tradhtarë në mesin e shqiptarëve, sikur që presidenti Vuçiq e gjeti kryeministrin Edi Rama, i cili “këmbë e krye”  shpirtërisht, politikisht, ekonomikisht dhe tregtisht, është lidhur me Serbinë kolonialiste, jo me Kosovën, as me Albin Kurtin, as me BE-në, as me NATO-n e as me Amerikën, por me “mikun” e tij, Aleksandër Vuçiq, me Serbinë dhe me Rusinë e Vladimir Putinit  dhe me aleatët e tyre.

Mirëpo, Edi Rama nuk e di i gjori se pa njohjen e Kosovës nga Beogradi zyrtar, Serbia, edhe sikur t’i lidhë 100 pakte miqësie me mikun e saj, Edia Rama, kurrë nuk do të kalojë nëpër Kosovë për të dalë në Detin Adriatik. Këtë duhet ditur gjithë Ballkani, jo vetëm Edi Rama.

    Sintagma: hyrja në disa aleanca i ngjet shumë  fjalës së urtë popullore : “  Ngrënia me dy a më shumë lugë ta shqyen gojën”.
 

Prandaj, Edi Rama nuk mund të jetë edhe aleat i Serbisë, i Rusisë,  i Kinës, dhe, njëkohësisht aleat i Amerikës, i NATO-s dhe i BE-së. Prandaj, Shqipëria nuk ka pse të hyjë në asnjë aleancë të partnerizmit strategjik me Serbinë, as me Rusinë, as me Kinën dhe, as me Maqedoninë Veriore, sepse ka zgjedhur kursin e busullës orientuese “WEST” (1990-2021)  e    jo “EAST” ! Ai lider politik shqiptar qoftë edhe Edi Rama, që tenton të hyjë në aleanca të reja me rusët, me serbët dhe me aleatët e tyre ballkanikë apo evropianë, mund të therren keq në “Thumbin e Hostenit”, ashtu sikurse talibanët.

Edi Rama ka zgjedhur Serbinë dhe Rusinë, kurse Albin Kurti Kosovën, Shqipërinë, Amerikën , NATO-n dhe BE-në !

 -Vëlla, mik, partner dhe aleat biologjik dhe strategjik e ke Albin Kurtin, jo Aleksandër Vuçiqin, Serbia e të cilët e ka kullotur dhe djegur Kosovën jo më pak se 100 vjet,  “O kirenar” e “derëbeder”, që ke hyrë në valle me armiqtë e Kosovës dhe të Shqipërisë !

-E,  pse nuk qenka aleati  dhe miku i Edi Ramës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por presidenti serb Aleksandar Vuçiq, që  tërë botës po i thotë, se “Kosova është e Serbisë” , dhe se Beogradi “kurrë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur” !

 Ja, kjo “është Rilindja” e Edi Ramës, për një  serb dhe, për një miqësi serbe (edhe pse në politikë nuk ka miqësi e as dashuri, por vetëm interesa, asgjë tjetër)  ka shitur interesat e Kosovës, dhe ka lidhur një Pakt antishqiptar me mikun e tij, Aleksandër Vuçiq, të quajtur “Ballkani i hapur-Open Balkans” !

Ky është syzheu i tradhtisë së Edi Ramës ndaj Kosovës së Shqipërisë Etnike, sepse në vend që ta përqafojë Kosovën ka përqafuar Serbinë agresore, kolonialiste dhe gjenocidale si aleate, mike dhe si partner strategjik për hir të miqësisë dhe besimit që ka ndaj mikut  të mikut të vet, Aleksandër Vuçiq !?

Ja, kjo është marrëzia dhe tradhtia e  politikës dhe e diplomacisë “moderne” antishqiptare e kryeministrit fatkeq Edi Rama ndaj Kosovës së masakruar dhe të gjenociduar nga Serbia agresore ataviste e mikut të tij, Aleksandër Vuçiq (1989-1999).

Fatekqësisht, koha shumëshekullore ka provuar këtë “egjër” helmuese  vdekjeprurëse të Kombit dhe të Atdheut shqiptar. Për ta pasur mirë me Vuçiqin ( ish-sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Radikale Serbe të kriminelit Vojislav Sheshel dhe të ish-ministrit për Informacione të qeverisë Slobodan Milosheviqit) , Edi Rama  në vend të shqiptarit patriot dhe liridashës Albin Kurti (aktualisht kryeministër i Kosovës) ka përqafuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq!?

Nëse kësaj tradhtie të Edi Ramës i thonë “diplomaci e hollë dhe  elastike” (sç ironizonte dikur patrioti dhe demokrati i shquar shqiptar Avni Rrustemi me politikën dhe me diploamcinë fund e krye proserbe të toptanizmit) , atëherë  edhe Shqipërinë, edhe Kosovën i paska marrë dreqi  “me ka krejt” si thotë një fjalë popullore.

Mirëpo, edhe sikur Edi Rama ta ketë edhe fuqinë e Bizmarkut, i cili në një kohë të largët të historisë së Evropës, pati deklaruar se  “nuk ka komb shqiptar në Ballkan”,  Kosovën kurrë nuk do të mund ta bëjë koloni  vasale të veten dhe të Vuçiqit, sepse shqiptarët e Kosovës-Dardanisë  nuk janë tipa të pafytyrë, tinzarë dhe  “hoshtaplera” si Edi Rama,  që e prejnë në besë shqiptarin  për  interesa ekonomike dhe tregtare mafioze me Serbinë për ta izoluar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Prandaj, tandemi Vuçiq-Rama mund të lidhin edhe 100 aleanca sllave dhe prosllave me “kaçurotë”  ruso-serbe, por duhet ta dijnë, se pa Kosovën e pavarur s’ka “Ballkan të hapur”, as për Serbinë, as për Shqipërinë e as për Maqedoninë e Veriut. Kështu që, kot presidenti Aleksandër Vuçiq, kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Zoran Zaev e kanë lidhur atë Aleancë të ashtuquajtr “Ballkani i hapur” në Konferencën “ Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal” në Shkup, më 31 korrik 2021.

Në kuptimin historik, gjeomorfologjik, gjeopolitik dhe gjeografik  Ballkani nuk përbëhet vetëm nga tri shtetet e Aleancës së re sllave (Vuçiq-Rama-Zaev): “Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore”, por edhe Kroacia, Turqia, Bullgaria, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina.

Sikur të gjitha këto shtete ballkanike të kishin lidhur një Aleancë të përbashkët  integruese të bashkëpunimit ekonomik, politik, tregtar, kulturor rajonal sipas  standardeve të BE-së, atëherë, mirëfilli  kjo do të ishte e pranueshme edhe si ide, edhe si projekt strategjik për zhvillimin dhe për përparimin e  të gjithë popujve dhe, të të gjitha shteteve të Ballkanit, jo vetëm  të tri (3) shteteve të Vuçiqit, të Ramës dhe të Zaevit.

Prandaj, Kosova, Turqia, Greqia, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hrcegovina, njëzërit, duhet ta hedhin poshtë paktin e ashtuquajtur “Ballkani i hapur”, sepse ai nuk është kurrfarë   Ballkani në kuptimin e plotë gjeografik dhe gjeopolitik, por vetëm një aleancë me karakter dhe me interes të ngushtë të trekëndshit Beograd-Tiranë-Maqedonia Veriore, ku rolin kryesor do ta ketë Serbia si  “superfuqi tutoriale” e  Shqipërisë dhe e Maqedonisë Veriore, jo e tërë Ballkant, në asnjë mënyrë!

blank

Arkiv – JAM NJERI I LIRË, NUK JAM PRODUKTI DIKTATURËS Nga ELIDA BUÇPAPAJ

Po i shkruaj këto radhë me rastin e botimit të librit tim „Rapsodi e Golgotës sëTranzicionit”. I takoj asaj gjenerate, ku fatbërës i jetës time ishte një regjim totalitarist mynxyrësjellës, në antitezë të plotë me poezinë, për fajin e vetëm se isha e bija e një poeti, të cilin regjimi e kishte futur në listat e njerëzve të padëshiruar . Dhe ky ritual pritej të përsëritej brez pas brezi, nga poeti, tek vajza e poetit, nipat e stërnipat e poetit, në vijimësi.

Si bijë arti, u linda me poezinë, isha objekti poetik i tim eti, e rrethuar nga tik-taket e makinës së shkrimit, nga bota poetike e fantazisë dhe figurave si kaligramet e Apollinaire-it, duke dëgjuar tim atë kur deklamonte, tek deklamimet e mia të para deri sa nisa edhe unë të shkruaj poezitë e mia, si shprehje vokacioni e trashëgimie genetike. Por ndërsa tim eti iu ndalua e drejta e shkrimit në moshë madhore, mua m’u ndalua që fëmijë, ky regjim monstrum të dënonte edhe në barkun e nënës, duke na futur në listat e qytetarëve të dorës së fundit, të atyre që ilinte gjallë vetëm për t’i poshtëruar e depersonalizuar, e që me ne pastaj të frikësonte të tjerët.

Jeta jonë ishte gjithë trauma dhe vuajtje, të braktisur nga të gjithë, por jo nga poezia! Isha e përjashtuar për jetë nga listat e atyre që regjimi i zgjidhte se cilët do të ishin shkrimtarët dhe poetët e Partisë së Punës, por isha e privilegjuar në listat e përpiluara nga vetë Kaliopi, muza e Homerit dhe e poetëve, e cila edhe në momentet më të vështira të jetës nuk më braktisi.

W.H. Auden thotë se „Një poet është para së gjithash një person i dashuruar me gjuhën”. Po, qëndron, por unë do të thosha se një poet është, para së gjithash, i dashuruar me ndjenjat më të holla të zemrës, me spleen-in, e shpirtin e tij. Dhe jam dakord potësisht me Jevgeni Jevtushenkon se « Biografia e poetit janë poezitë e tij„. Duke shtuar se biografia e poetit është biografia e shoqërisë ku jeton, e dramave të saj kozmike, vuajtjeve, sfilitjeve, pengjeve, dështimeve, humbjeve, sfidave, gjithçka është në këtë funksion, ku poeti si një kronikan respekton thelbin e së vërtetës të ndjenjave. Poeti nuk gënjen kurrë, nuk është hipokrit, nuk është fals, poeti iu qëndron besnik sensacioneve të tij, i bindet muzës së tij; poeti është i çuditshëm, „strange”, i veçantë, ngjan gati si i huaj me botën që e rrethon, sepse ndjenja e bën të parandjenjë, të parashohë, të parathotë; poeti është më njerëzori, nuk e vret dot një mizë, nuk fyen dot askënd, poeti kur ndihet se gabon, kërkon ndjesë, poeti fal kur e fyejnë, poeti nuk është lulja e së keqes, është klithma kundër saj. Vargjet e librit tim „Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit „ janë fragmente të biografisë sime dhe të shoqërisë së qytetarëve, janë pasqyrë e atij kalvari që kemi hequr dhe e asaj Golgote të tranzicionit që na i tërheq zvarrë me brutalitetin e zvarritjes që Akili i bënte Hektorit, vitet e bukura të jetës.

Kur menduam se diktatura u rrëzua, sepse poetët janë edhe besimtarët më naivë të rruzullit, besuam se jeta jonë do të merrte kuptimin e bujshëm, larg reminishencave, inercisë dhe atavizmave të së djeshmes, por mjerisht shohim se pas njëzet vitesh kohën na e kanë bjerrë njerëzit që në fakt nuk kanë lidhje me atë që ne ëndërruam.

Një shoqëri e dalë nga një burg-bunker gjysmëshekullor nuk mund të shërohet në mënyrë të menjëhershme, por të paktën tani jemi të kthjellët dhe syçelë. Të paktën askush më nuk mund të na i diktojë dhe t’i zgjedhë mes turmës se cilët do të jenë poetët dhe as dogmat nuk mund të na i paraqesë më askush si ideale të lirisë. Këtë pak a shumë shpreh edhe poezia ime e këtij vëllimi poetik. Ky vëllim i ka shpëtuar fatalitetit të diktaturës, këto vargje janë të çliruara nga iluzionet dhe janë të shqiptuara në mënyrën më të sinqertë të mundshme, me sinqeritetin e fëmijës që nuk di të gënjejë kurrë.

Duke kaluar jetën time në rivistë në një minutë të tërën, me shpejtësinë e trokun e trenave e shoh portretin tim në mosha të ndryshme, diku duke matur të rrahurat e shpeshta të zemrës prej fantazmave të frikës, që shkaktonte terrori i njëregjimi, që kishte fikur sa e sa jetë të pafajshme, me atë pamundim sa të duhet të ndezësh a të fikësh një fill shkrepse. Por e mbijetuar sepse prapë ne ishim fillimi i fundit të tyre, i gjeneratave të para që u ndriti ylli i fatit sepse i shpëtuam ad literam ferrit të diktaturës, paçka se u futëm në spiralet eGolgotës së tranzicionit. Por destini i poetit më në fund i shpëtoi lakut të litarit të xhelatit si oguri i një fillimi të pritur e të vonuar njëkohshëm.

Zotit i jam mirënjohëse gjithashtu sepse na shpëtoi nga armata e produktit më mizerabël të superstrukturës totalitariste që prodhonte akulturizëm dhe lejfenizimin e shqiptarëve, një soj larje trush nga njerëz mediokër dhe të pashpirt, që ende sot i ngrohin duart mbi zjarrin e kalvarit të tranzicionit, ku kultura shqiptare po vazhdon të digjet në turra drush e vendin e xhelatëve të kritikës socrealiste që i çonte poetët në litar, e ka zënë antikritika, ajo që vazhdontë jetë e varur nga politika, në një formë spektakolare, tragjiko-komike si dordolecë në një buratiniadë.

„Rapsodi e Golgotës të Tranzicionit” është ankthi i bujshëm i një njeriu dhe i një shoqërie njëkohshëm për t’iu shpëtuar kthetrave të së djeshmes, për të dalë sa më shpejt nga labirintet e saj në dritën e diellit, në emër të asaj që na vjen në dorë vetëm një herë./2012

(Parathënia e „Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit”, libër poetik i Elida Buçpapajt, botuar më 2012, nga Shtëpia botuese Omsca-1″

 

blank

blank

Një pyetje për neokomunistët dhe neojugosllavët e Tiranës – Nga SHABAN MURATI

 

Kur t’iu dalë shlivovica e vjetër serbe me emrin e ri “Ballkan i hapur”, që i ekzaltoi me premtimin vezullues të presidentit serb Vuçiç në Shkup në 29 korrik 2021 se Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të shkrijnë kufijtë midis tyre dhe do të bëhen një hapësirë e përbashkët, neokomunistët dhe neojugosllavët e Tiranës duhet të pyesin veten:
“Serbia nuk ka as kufij tokësorë, as kufij detarë, as kufij lumorë dhe as kufij qiellorë me Shqipërinë, pra nuk janë shtete fqinjë, si do ta bëjnë heqjen e kufijve me njeri-tjetrin?. A nuk është midis Shqipërisë dhe Serbisë shteti i pavarur i Kosovës?”.

Për neokomunistët ruralë dhe për neojugosllavët e Tiranës idealja do të ishte që Kosova të kthehej sa më parë nën Serbi, sepse ashtu Shqipëria bëhet shtet fqinjë me Serbinë dhe bëhej realitet “vëllazërim-bashkimi i kufijve” me Serbinë. Rikthehet koha e artë komuniste e vitit 1946, kur Shqipëria hoqi me Serbinë dhe me Maqedoninë kufijtë, hoqi doganat, shkriu lekun me dinarin dhe bashkoi ekonominë dhe tregun e punës. Enver Hoxha i realizoi “katër liritë e famshme” të “Ballkanit të hapur” me Serbinë dhe me Maqedoninë shumë vite para se të krijohej BE-ja dhe 75 vite para mikrosamitit të Shkupit.

Për hir të vërtetës duhet të rrëfej se pyetjen e mësipërme nuk e kam origjinale, por po e ridrejtoj nga komunikimi me një gazetar shumë të njohur në Shqipëri, i cili e formuloi këtë pyetje të thjeshtë dhe të mençur.

 

blank

RREZIQET E VARFËRISË “ENERGJITIKE” – Nga DANILO TAINO – Përktheu Eugjen Merlika

 

            Nëse nuk keni elektricitet, dita juaj mbaron kur të perëndojë dielli. Por edhe në orët me diell nuk mund të përdorni frigoriferin, elektroshtëpijaket, kompiuterin. Nëse nuk keni as gazin, të gatuarit bëhet një veprimtari me rrezik të lartë. Një nga arsyet e vdekshmërisë në vendet me “varfëri energjitike” është që 40 % e popullsisë botërore nuk ka hyrje në burimet relativisht bashkëkohore të energjisë dhe është e shtrënguar të gatuajë ushqimet me lëndë djegëse që mbushin guzhinat e shtëpitë me tymra të rrezikëshme për shëndetin: dru, mbeturina të të korrave, bajga të thara. Instituti for Health Metrics and Evaluation e Washingtonit vlerëson se çdo vit vdesin nga ndotja shtëpiake 2.3 milion njerëz. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ngre shifrën në 3.8 milionë. Për të bërë krahasimin, të vdekurit nga Covid 19, në një vit e gjysmë pandemia kanë qënë pak më shumë se katër milionë.

Shfaqja kronike ndaj gazeve shtëpiake të dëmëshme shkakton polmonite, tumore në mushkëri, shton rreziqet e kataratës, rrit numurin e fëmijëve të vdekur.

OBSH ka përpiluar një “shkallë të energjisë”, në bazë të së cilës janë Vëndet me t’ardhura shumë të ulta që përdorin për të gatuar vetëm mbeturina; më sipër ata me t’ardhura t’ulta e mesatare që djegin dru, qymyr, vajguri, etanol; më lart janë më të pasurit që punojnë me gaz dhe rrymë elektrike. Në Burundi, në Republikën e Afrikës Qëndrore, në Liberi – ku t’ardhurat për frymë janë nga 600 deri në 800 dollarë në vit – më pak se 1% e popullsisë përdor rrymë elektrike ose gaz për të gatuar. N’Evropë, në Amerikën e Veriut e në Vendet e përparuara 100 % e guzhinave nuk kanë këtë problem. Por simbas studimeve të Ourworldindata.com – pjesa m’e madhe e Vendeve me t’ardhura më të ulta vjetore se dhjetëmijë dollarë nuk arrin në 60 % të shtëpive të shëndetëshme. Kina është në 59 %, Hindia 41 %. Mesatarja botërore është 59 % (të dhënat e vitit 2016). Kjo gjëndje nuk ka pasoja vetëm mbi shëndetin: gati 50 % të lëndëve drusore të nxjerra nga pyjet shërben për të prodhuar energji, pjesa m’e madhe e së cilës për të gatuar ushqimet. Në fakt pyjet zgjerohen në Vendet e pasura e ngushtohen n’ata të varfëra. Zgjidhjet? Më e rëndësishmja: një rritje ekonomike që t’i japë t’ardhura Vendeve të varfëra për të hyrë në energjitë e hijshme dhe popullsive t’ardhura  për t’u çliruar nga ndotja shtëpiake.

 

“Corriere della Sera”, 28 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika

blank

PËRSE BIDEN-i TREGON MUSKUJT ME KINËN (MË SHUMË SE SA TRUMP-i) – Nga JAN BREMMER – Përktheu Eugjen Merlika    

            Ishte një opinion i përhapur në Shtetet e Bashkuara se presidenti Donald Trump kishte zbatuar një përballim shumë t’ashpër me Kinën, por çuditërisht të butë me Rusinë. Kritikët e tij e kanë paditur se lufta e taksave doganore e vërsulur kundër Kinës, do të kishte qënë aq sulmuese sa që do të përfundonte në një vetëplagosje. Të tjerë thonin se Vladimir Putin e kishte në dorë Trump-in për arsye të panjohura. Me zgjedhjen e Biden-it në Shtëpinë e Bardhë, të njëjtët opinionistë kanë parashikuar se presidenti i ri do t’i kish përmbysur këto qëndrime. Simbas tyre Biden-i do të kishte kërkuar një afrim me Kinën për të gjetur mundësinë e një bashkëpunimi më të frytshëm, ndërsa do të kishte fshikulluar Putinin për ndërhyrjet e tij në politikën amerikane e për lejimin e kriminelëve informatikë rusë të mbanin peng ndërmarrjet amerikane me qëllim mitmarrjeje.

Por nëse shkojmë për të shqyrtuar me hollësi zgjedhjet politike të kryera nga adminisrata e re, duke lënë mënjanë retorikën e rastit dhe twitet kërcënuese të dy kryetarëve të qeverive në vetë të parë, zbulojmë se ai përimtim është përmbysur krejtësisht. Biden-i u tregua shumë më i papajtueshëm me Kinën se sa ka qënë ndonjëherë Trump-i, dhe nuk ka fshehur simpatitë e tij për Putinin e Rusinë. Le të shkoqisim provat. Mbasi e kish ftuar për drekë udhëheqësin kinez Xi jinping në residencën e tij  të Mar-a-Lago-s, për t’u njohur me njëri tjetrin, Trump-i kishte ndjekur udhëzimet e këshilltarëve të tij që e shtynin të tregohej më luftarak kundrejt fuqisë në ngjitje. Por interesat e tij kufizoheshin në dy sektorë. I tmerruar nga defiçiti i peshores tregëtare amerikane kundrejt Kinës dhe i tërhequr nga mundësitë politike që i paraqiteshin, Trump-i nuk nguroi të shpërthente një luftë tregëtare. Ka mbështetur gjithashtu veprimet më energjike të qeverisë së tij për të ndaluar zhvillimin teknologjik të Kinës – dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare që rrjedhin prej tij – duke praktikuar shtrëngesa mbas shtrëngesash kundër Huaweit, gjigandit të teknologjisë kombëtare kineze. Trump-i e të tijtë kanë folur shumë pak për dhunimin e të drejtave njerëzore kundër popullsisë myslimane të rajonit kinez të Xiniangut, megjithë ndonjë sanksion pa rëndësi dhe kontrollit mbi eksportimet – po ashtu sikurse edhe mbi krizën e demokracisë në Hong Kong. Shumë pak është bërë për të ftuar së bashku aleatët evropianë e aziatikë për të përpiluar një strategji të bashkërenduar që të synonte ndalimin e ndërhyrjeve gjithënjë e më agresive të Kinës përtej kufijve të saj.

Presidenti Biden, nga ana e tij, sheh në Kinën kërcënimin kryesor për demokracinë dhe liritë vetiake, po ashtu sikurse edhe për sigurinë kombëtare amerikane. Qeveria e tij nuk ka bërë asnjë hap mbrapa në luftën tregëtare të nisur nga Trump-i. Taksat e sanksionet mbesin në vëndet e tyre, për të shfrytëzuar skajshmërisht fuqinë negociuese të SHBA me Kinën në të tjerë sektorë e për të ngritur nivelin e lojës janë vendosur edhe kontrollet mbi eksportimet. Nëse takimi i parë ndërmjet Trump-it dhe Xi Jinping-ut është zhvilluar në një pritje në atmosferën e ngrohtë të Jugut të Floridës, qeveria Biden ka organizuar një takim të nivelit të lartë të Vendeve të Quad-it QUADQQqqQqqë i kundërvihen Kinës – Japonia, Hindia dhe Australia – më parë se të ngrinte një tryezë bisedimi me funksionarët kinezë në Alaskën e akullt.  Presidenti i ri u zotua gjithashtu të përputhë qëndrimet amerikane mbi Olimpiadën dimërore të Pekinit 2022 me ata të Bashkimit Evropian, të Mbretërisë së Bashkuar, Australisë dhe Kanadasë . Ndërsa Trump-i ankohej se Kina i kishte rrëmbyer Shteteve të Bashkuara vënde pune në industri, Biden-i ka lëshuar programin “Blij amerikane”, pikërisht për të nxitur ndërmarrjet amerikane të rikthejnë vëndet e punës n’atdhe. Nëse Trump-i ka paditur Kinën se ka infektuar botën me “virusin kinez”, Biden-i ka kaluar në veprim dhe ka kërkuar një hetim për të ndriçuar t’ashtuquajturën teori të aksidentit të laboratorit, që do të shpiegonte prejardhjen e pandemisë. Kush priste që Biden-i do të kishte riqepur marrëdhëniet  me Kinën, pashmangmërisht ka mbetur i zhgënjyer. Era e bashkëpunimit ka mbaruar, ky është komenti i fundit i një këshilltari të ngushtë të Biden-it për gjëndjen aziatike.

Edhe zgjedhjet politike të Trump-it dhe të Biden-it kundrejt Rusisë kanë pështjelluar pritjet dhe parashikimet. Trump-i ka shprehur shpesh fjalë lëvduese për Vladimir Putinin, por si  qeveria e tij e po aq antarët e partisë republikane në Kongres, kanë mbajtur një qëndrim diametralisht të kundërt me të përsa i përket sjelljes luftarake të Rusisë. Gjatë viteve të Trump-it sanksionet janë ashpërsuar. Ish presidenti ka kundërshtuar projektin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, me një rëndësi të madhe strategjike. Qeveria e tij ka miratuar shitjen e raketave kundërtanke Ukrainës, duke e ditur mirë se shënjestrat kryesore të tyre do të kishin qënë tanket ruse. Trump-i ka përforcuar praninë e trupave amerikane n’Evropën Lindore, një nder i posaçëm në dobi të presidentit polak Andrzej Duda, gjithmonë i rrjeshtuar me Trump-in kundër Putin-it. Qe Trump-i ai që tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga traktati Inf me Rusinë (mbi armët bërthamore me rreze të mesme veprimi), duke mos pranuar të zgjaste as marrëveshjen Start mbi pakësimin e armëve strategjike).

Joe Biden, edhe se e kishte përcaktuar Vladimir Putinin “një vrasës”, kundrejt Rusisë ka vepruar me më shumë maturi se sa Trump-i. Duke synuar të krijojë një marrëdhënie më të qëndrueshme me Rusinë, për të mundur t’i besojë politikës së jashtëme detyrën për të përballuar kërcënimet kineze, Biden-i nuk ka humbur kohë për të zgjatur traktatin Start dhe për të shfuqizuar sanksionet që rëndojnë mbi ndërmarrjen ruse të zotuar në ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream. Kur Putini u ul në tryezën e bisedimeve me Biden-in në Gjenevë me ftesën e këtij të fundit, Biden-i mbajti një qëndrim të përzemërt, pavarësisht nga sulmet informatike ruse kundër një naftësjellësi amerikan dhe miratimit të heshtur të Rusisë ndaj ndërhyrjes së Bjellorusisë në uljen e një aeroplani të linjës evropiane për të arrestuar një disident.

Nga e gjitha kjo duhen nxjerrë tre mësime. I pari, fjalët janë një gjë, veprimet një tjetër. Duhet kujdes kur të parat zëvendësojnë të dytat! Dy: kryetarët e Shteteve dhe qeveritë e tyre, jo detyrimisht bashkëndajnë të njëjtën vijë politike. Trump-i do të kishte dashur të krijonte marrëdhënie më të përzemërta me Rusinë, por nuk ka marrë asnjë mbështetje nga bashkëpuntorët e tij. Së fundi, ndryshimet në politikën e jashtëme shpesh pasqyrojnë ndryshimet që ndodhin në botë.

Është më e dukëshme sot, në krahasim me katër vite të shkuara, se Xi Jinping synon të ndjekë një politikë të prirur nga një kombëtarizim i egërsuar. Përparimet e Kinës në fushën teknologjike, sulmet e saj kundër demokracisë së Hong Kongut, provat e fundit të përndjekjes në Xiniang dhe trysnia ushtarake mbi Taivanin kërkojnë një përgjigje të vendosur nga ana e Washingtonit e aleatëve të tij. Për çastin, qeveria Biden synon të shuajë reflektorët mbi Rusinë, për të përballuar drejt për së drejti marrëdhëniet gjithënjë e më kundërshtuese me Kinën.

 

“Corriere della Sera”, 9 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika

blank

Gjëja më idiote që di është se njerëzit diskutojnë nëse Kryeministri joligjor i Shqipërisë ka tru – Nga Aurel Dasareti*

 

Serbia u rikthye në një “pëshpëritje ruse në Ballkan”, me seli në Shqipëri. Kush shqetësohet që Serbia nuk ka det? “Burrështetasi” shqipfolës më i lig i të gjitha kohërave, kuislingu Edvin Kristaq Rama që nuk mund të marrë një goditje në tru. Pse? Sepse ai do të merrte goditje në boshllëk.

***

Kuisling: i shërben pushtuesit, bashkëpunon me armikun e popullit të vet kundër popullit të vet, tradhtarë. Patetik. I dobët Pa kurriz. I paturpshëm. I  mjerueshëm. Sillet si kloun i droguar. Jo parimor. Mendjemadh. Tradhtar e antikombëtar i neveritshëm. E vetmja gjë që është e sigurt është se gjithçka është e pasigurt në trurin e tij. Fatkeqësisht, e gjithë përvoja e dështimeve, nuk e ka bërë atë më të mençur, por ai është padyshim i hutuar në një nivel më të lartë. Të gjitha neurozat dhe histeritë e tij vijnë nga gënjeshtra.

Është e panevojshme të besosh në një burim të mbinatyrshëm të ligësisë. Edhe vetë Rama është i aftë të kryejë çdo mizori kundër vendit dhe kombit të vet. Ligësia tij mund të vrasë shumë qenie njerëzore, por kurrë nuk mund të mposhtë një popull të tërë. E gjitha varet nga vullneti dhe vetëdija e shqiptarëve të cilët fatkeqësisht akoma nuk zgjohen. Është shumë i rrezikshëm për vendin dhe kombin, synon të shkatërroj Kosovën dhe të mbushë Shqipërinë sidomos me serbë dhe rusë. Shqiptari mësohet me çdo erë të keqe që kundërmon qelbësirë.

***

Disa vjet më parë, unë zyrtarisht fola me një Serb të sinqertë për situatën në Ballkan, veçanërisht për marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë. Ai nuk e dinte që unë isha me origjinë shqiptare, më tha:

“Shqiptarët janë si derrat në rrugën e tyre për kasap. Ata mendojnë se kjo do të jetë një udhëtim i këndshëm, dhe vullnetarisht hyjnë në portën e therjes”.

***

Mallkimet mund të shfaqen në një familje ose komb si një model fatkeq veprimi i trashëguar për breza të tërë. I mallkuari që trashëgoi tradhtinë ndaj vendit nga babai i tij, duhet të arrestohet menjëherë dhe të dënohet me burgim të përjetshëm.

“Toleranca bëhet krim kur shfrytëzohet përkundrejt ligësisë”, – Thomas Mann.

Nuk mund të ekzistojë një jetë fisnike dhe e lartësuar pa njohur djajtë dhe demonët si dhe pa luftuar paprerë kundër tyre.

Me lumturinë dhe lirinë është si me kafshët e egra në pyll: I forcohet vetëbesimi dhe i afrohet kampingut tuaj kur më nuk je duke e përndjekur atë.

Për sa kohë që jeni i shëndetshëm dhe i rritur, duhet të jeni motori i jetës tuaj.

***

Në Shqipëri, Kosovë dhe FYROM gjithçka është bërë më e shtrenjtë, vetëm shpirtrat e shitur janë akoma të lirë.

Ne duhet ta ndajmë dritën nga errësira dhe të krijojmë rregull dhe kuptim atje ku ka ekzistuar dhe akoma ekziston kaos. Por kështu nuk përjetohet aspak kur mjegulla vendoset.

Mendja e njeriut është e mrekullueshme. Deri më tani shumë shqiptarë mund ta njohin përvojën e një ekzistence të pajetë. Ata mbajnë një të brendshme të mjegullt ku duhet të ketë rregull dhe kuptim. Për ata që janë me fat dhe nuk e ndjejnë në këtë mënyrë, mund të jetë e dobishme të përpiqen të kuptojnë vështrimet e prangave të shpirtit.

Atje ku drita nuk ndahet nga errësira, ku nuk vendosen kufij, mbretëron kaosi. Ku gjithçka shkon në një parregullsi.

Nga ana tjetër, unë shpesh pyes veten nëse shqiptarët indiferentë ndaj tradhtarëve meritojnë shtet. Sepse, shteti nuk është një formë abstrakte, është një qenie e përhershme që, si çdo qenie tjetër, kërkon mbrojtje, siguri dhe qëndrueshmëri. Dhe çfarë kanë bërë deri tani shqiptarët e shtetit amë, FYROM-it, deri përpara 3 muajsh edhe të Kosovës – për qenien e shtetit të tyre? Asgjë. E kalojnë jetën e tyre duke u arsyetuar për të kaluarën, ankohen për të tashmen dhe dridhen për të ardhmen.

Kur dëshira tejkalon frikën, fëmija fillon të ecë.

**

Ramës i ka hyrë vetja në qejf. Provokon shqiptarët kudo, brenda dhe jashtë kufirit të imponuar, përfshirë diasporën. Kjo do të zgjasë derisa të bjerë në ndonjë hundëlesh. Të shpresojmë se është vetëm çështje kohe para se të pendohet (nëse ai do të pendohet fare), por mund të jetë tepër vonë. Në një farë mënyre, më kujton veten time, por fëmijërinë.

Që prej fëmijërisë së hershme, i inspiruar nga gjyshi (oficer dhe pjesëmarrës në shumë luftëra) dëshiroja të bëhem ushtarak dhe mjeshtër i madh në aftësitë luftarake. Fillova të ushtrohem suksesshëm prej moshës 6 vjeçare. Me kalimin e kohës filloi të më hy vetja në qejf sepse i fitoja duelet me ata bashkëmoshatarë që më “provokonin” në palestër, por edhe në rrugë. Por në moshën 11 vjeçare, rrugës për në shtëpi, u ngatërrova me 2 persona hundëlesh pak më të vjetër se unë që më “provokuan” njëkohësisht. Nuk kalova ashtu siç mendoja.

Të nesërmen, kur shkova në ushtrime, trajneri më paralajmëroi: “Dëgjo “mjeshtër”,  nuk ka dyshim se në planin afatgjatë është e dëmshme të rrëzohesh pa ndjenja”.

***

Agresioni ndaj vendit dhe dinjitetit tonë kombëtar nuk ka fund. Të kthjellojmë mendjet, le të ringjallen zemrat tona, ajo kreshnikja e trashëguar nga të parët tanë pellazg-ilir, që të jemi këmbëngulës dhe të paepshëm në mbrojtjen e Atdheut të gjyshërve tonë nga tirania, vdekja dhe rrënimi.

 

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

blank

Arkiv: Shpirti i bardhë i Anthony Athanas NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Ishte një lajm i papritur dhe shumë i trishtuar mbyllja e restorantit të famshëm Anthony’s Pier 4 të cilit i kishte dhënë këtë emër, djersë e famë një shqiptaro-amerikan me zemër patrioti. Ai që i mungon aq shumë diasporës shqiptaro-amerikane. Anthony Athanas (28.07.1911 – 20.05.2005). Shkrimi i Frank Shkrelit është shumë i plotë, në portretizimin e Anthony Athanas, për zemrën e tij të madhe, patriotizmin dhe atdhedashurinë për Shqipërinë, Kosovën, që në Amerikë të mbahej gjallë fryma e Konicës dhe Nolit.

Unë dua t’i shkruaj këto rradhë sepse fati dhe rasti na e dha mundësinë për ta njohur Anthony Athanas. Jemi takuar me të disa herë. Anthony Athanas ishte nga ata njerëz që Zoti i lë të mbeten përherë të rinj. Kur e takoje, nuk mund të thoshe kurrë se kishte përpara një të moshuar që i kishte kaluar të tetëdhjetë vitet e jetës. Elegant, gjithë vitalitet, dinamizëm të merrte me vete me energjitë e tij pozitive. Nga fytyra nuk i hiqej kurrë buzëqeshja e një xhentëllmeni të vërtetë dhe e një shqiptari të madh nga ata që i sjell Zoti rrallë dhe që ne na duhen aq shumë.

Ajo që krijoi dhe që përfaqësoi Anthony Athanas është në një antitezë të plotë me kapitalizmin e ri shqiptar, barbar dhe të pangopur, që ka si qëllim në vetvete pasurimin individual me të gjitha mjetet, duke e zhvatur dhe rrjepur vendin tonë të dashur. Anthony Athanas ishte kategori tjetër, kategori e asaj që shpreh thelbin e shqiptarit, pa të cilin nuk do t’iu kishim rezistuar harrikanëve të historisë e do të ishim asimiluar me kohë, pa lënë as gjurmë as shenjë.

Njëherë udhëtuam bashkë nga Tirana në Romë. Zoti deshi të na takonte. Ishim në të njëjtin avion me Anthony Athanasin dhe At Artur Liolinin, të dy miq për kokë me njëri-tjetrin, të dy mezi i kishin pritur ato ditë të mira për mëmëdheun e tyre dhe vinin në Shqipëri për të shijuar erën e re të lirisë dhe demokracisë. Më përpara ishim takuar në raste zyrtare dhe gjatë atij fluturimi biseda ishte larg formalitetit. Ata ishin kuriozë të mësonin më shumë për ne, ne për të mësuar sa më tepër për ata, që ishin dy emra të ndritur të shqiptarëve të Amerikës. Ne kishim me vete fotografinë e Prizrenit, asaj kohe dy-tre vjeçar. Endriti do të lindte disa vjet më vonë në Bernë. Ata e shihni foton e Prizrenit dhe kënaqeshin. Duhet të kishin parasysh e të merrnin me mend gjeneratat e reja që do të popullonin Shqipërinë, rininë shqiptare që do të duhej të gëzonte frutet e demokracisë. At Liolini mbante me vete fotot e fëmijëve të tij dhe na i tregoi. Të dy u entusiazmuan për emrin e djalit tonë, kur kihej parasysh Muri i Berlinit që na ndante ne shqiptarëve si komb. Të dy ishin gjithë shpresa tek e ardhmja e Shqipërisë dhe ndiheshin të lumturuar sepse gjenin arsye të plota për t’u gëzuar, sepse besonim se kishte ardhur koha e rimëkëmbjes, e ringjalljes, e të mirave, pas një diktature të egër dhe monstruoze.

U takuam rishtas me Anthony Athanas me rastin e sjelljes së eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Ishte bashkë me çiftin e nderuar Bytyçi, Hatixhen dhe Sabitin, që janë nga ato familje që përbëjnë ajkën e kombit dhe diasporës shqiptaro-amerikane. Ndejtëm bashkë edhe në koktejlin e organizuar me këtë rast në Pallatin e Kongreseve. Na pyeste si shkonin punët në Shqipëri. Nuk lodhej së pyeturi. E kam parasysh si sot, me sytë e tij të qeshur. Ishte i kënaqur që u takuam. Ne po ashtu. U ulëm të tre në bordurat e mermerta të hollit të madh të Pallatit të Kongreseve. Ishte rasti për të folur për Konicën e madh. Ne i thamë me çiltërsinë më të madhe se ai, Anthony Athanas ishte një xhentëllmen që mund të qëndronte pa iu trembur syri në krah të Faik Konicës, për kontributin e tij madhor si patriot. Ai qeshte, si gjithnjë me elegancën e tij si një xhentëllmen i vërtetë, dhe askush nuk mund ta besonte se kishte përpara një zotëri të moshuar, sepse puna e palodhur dhe shpirti i tij i bardhë kishte bërë që të mbetej përherë një djalosh.

Dhe kështu e kam parasysh, një njeri shpirtbardhë. Dhe u bëmë miq. Ka disa alkimi që të bëjnë miq me takimin e parë, me shkëmbimin e parë të fjalëve, sepse përshkoheshim nga e njëjta empathi. „Do t’ju ftoj në Pier 4 na tha, do t’ju ftoj e pres si miqtë e mij. Do ta bëj ftesën sa të kthehem në shtëpi.“ Dhe Anthony Athanas ishte nga ata burra që e mbante fjalën. Sa mbërriti në SHBA, na e dërgoi menjëherë ftesën dhe biletat. Zot i madh, ku t’i gjejmë ata shqiptarë të tillë si ai sot! Zot i madh kthejua shqiptarëve thelbin e tyre që do t’i bëjë të kenë të njëjtin brumë si Anthony Athanas apo Nënë Tereza.

Natyrisht që Anthony Athanasit nuk do t‘ia kishte marrë mendje kurrë që shqiptarët t‘ua bënin ashtu shqiptarëve, t’ia bënin vetvetes së tyre dhe Shqipërisë t’i kthehej si mallkim 1997. Kur do të niste një kalvar i ri dhe gjysmës së kombit do t’i duhej të mblidhte laçkë e plaçkë e me fëmijët në krahë të merrte rrugën aq dramatike të emigracionit. Ne u vendosëm në Zvicër dhe nuk u pamë më bashkë me Anthoni Athanasin. Kur morëm vesh për vdekjen, e qamë me lot, ashtu si qajmë për ata që na dhemb shpirti. Qamë për shpirtin e bardhë të Anthony Athanas.

Dhe lajmi për mbylljen e Anthony Pier 4 na mbushi plot trishtim. Pier 4 ishte një pikë referimi si për Amerikanët, ashtu edhe shqiptaro-amerikanët. Ishte një Shqipëri e vogël në zemrën e madhe të Amerikës. Ishte vetë zemra e bukur e Anthony Athanas. Edhe kur ai iku nga kjo botë. Pier 4 e tij mbeti. Pier 4 mund të kthehej në Muze, mund të vazhdonte të priste e të përcillte miq, por assesi të mbyllej./Botuar për herë të parë më 10.07.2013, përfshirë në librin Elida Buçpapaj, “Traumat e Tranzicionit”, Onufri, 2013.

blank

Në Ballkan i vetmi shtet, që është me sy nga e kaluara, është Serbia – Nga SHABAN MURATI

Samiti i tre krerëve të qeverive të “mini Shengenit” në Shkup në 29 korrik pranoi zyrtarisht dështimin e bujshëm, përderisa pa u mbushur dy vjet nga firmat që vunë në Serbi, u detyruan t’i fshijnë dhe t’i ndërrojnë emrin nismës serbe.

Tre krerët e qeverive të “mini Shengenit” po tallen me veten e vet dhe për të shpëtuar rytben e pagëzuan me emër presuntuoz, duke e quajtur tani “Ballkan i hapur”. Mirpo ky pretendim i hijes së mengjesit i bën më komikë, sepse askush nuk i autorizoi krerët e tre mikroshteteve të vetëmarrin pronësinë për çelsat e hapjes së Ballkanit, i cili ka 12 shtete, ku shumica janë më të mëdha dhe më të fuqishme se sa të tre minishengistët bashkë.

Kuptohet pozita për t’u mëshiruar e tre minishengistëve serbë, që premtojnë “Ballkan të hapur” për pesë shtete të rajonit anëtare të BE dhe të NATO-s: Greqia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania, si dhe për Turqinë shtet kandidat në BE dhe anëtare e NATO-s.

Këtë “Ballkan të hapur” të gjymtë serb po tentojnë ta shesin si e ardhme e rajonit. Në Ballkan i vetmi shtet, që është me sy nga e kaluara, është Serbia. Serbia po ndez zjarrin e luftës etnike dhe fetare në Bosnje, sepse nuk pranon krimin serb të gjenocidit dhe po bllokon shtetin e Bosnje-Hercegovinës nëpërmjet instrumentit të saj gjenocidial, “serpska republikës”.

Serbia po tenton të ndezë konfliktin në Kosovë që ta aneksojë dhe ta rikthejë si koloni të saj. Serbia po lufton të gllabërojë Malin e Zi dhe ta fusë në “botën serbe”, siç paralajmëroi këto ditë presidenti i Malit të Zi. Serbia shpalli këto ditë se planifikon që të bashkojë të gjithë serbët e Ballkanit megjithë territoret e shteteve të tjera ku jetojnë, në një shtet të vetëm të quajtur “Serbia e Madhe”.

Serbia ka sot në vitin 2021 presidentin, zëvendëskryeministren dhe kryetarin e parlamentit, të cilët kanë qenë anëtarë qeverie të kriminelit të luftës Millosheviç. Serbia po glorifikon zyrtarisht kriminelët ndërkombëtarë të luftës të dënuar nga Haga, Millosheviç, Mlladiç dhe Karaxhiç dhe po mohon zyrtarisht gjenocidin e Srebrenicës dhe masakrat e spastrimin etnik në Bosnje dhe në Kosovë.

Mirëpo një mendjeje halucinante nga Tirana në shkretëtirën e kokës së vet narciziste me sa duket i vjen mirazhi i Serbisë si oaz. Të gjithë Ballkanin e sheh kokëposhtë me sy nga e shkuara dhe vetëm Serbinë e sheh si të ardhme të Ballkanit. Fantazma e 1946 po vjen përsëri në Shqipëri! Një “Ballkan serb”.

blank

KËRKESAT PËR LULZIM BASHËN – Nga SAMI REPISHTI (25 korrik 2013)

 

I nderuemi z. Kryetar,

Urimet e mia me rastin e zgjedhjes suej kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. (PDSH). Ky sukses dhe privilegj shoqënohet gjithashtu me përgjegjsinë e randë të funksionit partiak që merrni përsipër, si dhe me mbarëvajtjen e shtetit shqiptar, ku PDSH përban nji element aktiv dhe thelbësor.

Ashtë shpresa e përgjithshme se mbas humbjes së pranueme të PD-së në votimet e 23 qershorit 2013, ju dhe kolegët tuej do të bani analizën e nevojshme për kuptimin e plotë e realist të kësaj humbje, për eliminimin e të metave që e sollën, si dhe për përcaktime të reja, të domosdoshme për mbijetesën e PD-së sot, dhe eventualisht për nji fitore në të ardhmen. Shpresoj se PD-së nuk i mungojnë vlerat njerëzore, kapitali moral, mjetet e nevojshme, e sidomos dëshira për riorientime drejt përforcimit të regjimit demokratik – mbrenda dhe jashtë partisë. Thirrjet histerike për mosnjohjen e votave janë infantile e duhen kundërshtue.

Uroj që analizat e prituna që do të ndërmerrni nuk do të kufizohen vetëm në aspektet zyrtare dhe formale të politikës suej ndaj “Shtetit” shqiptar. Kjo qasje nuk ashtë esencialja; ajo ashtë rrjedhim i nji analize të thellë që rezulton nga studimi, të dhanat e nxjerruna, interpretimi dhe orientimet që imponohen, problemit esencial, shoqënisë shqiptare, sot e smurë, e përçame, e hutueme, dhe në pritje të nji udhëheqje me vizion të qartë historik e kombëtar, në shërbim të popullsisë shqiptare pa dallim – sidomos të shumicës së papërfillun – dhe të demokracisë në vendin tonë. Vendi i jonë ka nevojë urgjente për nji frymë empatie, ku vuejtja e shqiptarit në Kelmend ndihet plotësisht edhe në fshatet e Konispolit, në Tropojë dhe në Labëri! Vendi i jonë nuk ka nevojë për konfrontime!

Baza e PD-së, ashtu si e kuptoj unë, ka qenë dhe mbetet parulla historike e studentëve heroikë të Dhjetorit 1990: “Liri, Demokraci! Edhe ne si e gjithë Europa!” Nji parullë kaq përparimtare, me gjithë thjeshtësinë e saj, paraqet thelbin e kërkesave të nji popullsie të shtypun për dekada të gjata nën thundrën e të huejit e të satrapit vendas. “I lirë” don të thotë “i lirë nga frika, i lirë nga uria”, shprehje rooseveltiane gjatë viteve të vështira ’30 të shekullit të kaluem. Nga përvoja e së kaluemes, liria nga frika nënkupton frikën nga “autoriteti” që shqiptarët e njohin shumë mirë; ndërsa liri nga uria vetëkupton zhdukjen e papunësisë që sjellë vorfninë e përgjithshme, vetëkupton punë, bukë e paqe në shoqëni. Jo luftë klasesh!

Ashtë përshtypja e përgjithshme se dëshirat e studentëve idealistë të Dhjetorit 1990 kanë qenë iluzione lirike, kërkesa për nji botë sa ma perfekte, dhe sidomos ma të drejtë. Fatkeqsisht, këto “iluzione lirike” rinore u avulluen para skemave meskine të përpunueme nga grupet “pragmatiste”, të përkrahun nga të gjithë ata që për arsye thjesht egoiste nuk dëshirojshin “ndryshimin”. Disfata e pësueme nga “idealistët” ndjek edhe sot PD-në, aq sa zhgënjimi ka komprometue shpresën e rindërtimit moral e social në Shqipëri. Kthimi në bazë ashtë imperativ i kohës!

Sot PDSH ka përfundue në nji grumullim forcash që nuk fitoi akoma statusin e nji “partie” demokratike, oksidentale, me nji shtet ligjor dhe me nji administratë profesionale shtetnore, e jo partiake. Humbja në zgjedhjet e fundit të 23 qershorit tregoi se për votuesit, “Shteti” ishte zëvendsue nga “Partia” në fuqi dhe se ligji ishte zëvendsue me kapriçet e qeveritarëve pa kualifikime, besnikë të kupolës partiake në pushtet. Tashti ashtë e qartë që nji gjendje e këtill duhet të “ndryshojë” dhe nji politikë e këtill duhet zëvendsue me sensin e përgjegjsisë ligjore dhe morale të çdo funksionari, pavarësisht nga pozita që ai, ose jo, mban në pushtet. Vetëm diktatori vendos veten mbi ligjin! Kjo kohë ka perëndue njiherë e përgjithmonë!

Nji viktimë e këtij procesi të padëshirueshëm ka qenë minimizimi i organeve të pavaruna, i pushtetit gjyqësor, dhe sidomos roli i “Presidentit të Republikës”, i cili tradicionalisht dhe qëllimisht konsiderohet si “ndërgjegjja e kombit”. Në ditët e vështira, Presidenti ruen orientimin e “Shtetit”, rolin e tij në botë dhe frymëzon besim në REPUBLIKË për të gjithë popullin. Mungesa e nji roli të këtill e ka lanë strukturën shtetnore “të çveshun” nga pesha e domosdoshme për mbrojtjen e ekuilibrit politik. Natyrisht, nji pozicionim i këtill ashtë i mundun vetëm kur Presidenti gëzon respektin e të gjithë spektrit politik, dhe e meriton atë. Presidenti duhet te jetë “burrë shteti” i vërtetë, dhe jo nji marionetë politike. Ai duhet të jetë prifti Joachim Glaucke i Gjermanisë, filozofi Adam Mishnik i Polonisë, shkrimtari Vaclav Havel i Çekisë… qendra morale të shoqënisë. Kjo ashtë arsyeja kryesore që “tranzicioni” në Europën Qendrore kaloi fazën post-komuniste pa kriza të mëdha, nji ndryshim që Shqipëria e “tjetërsueme” nuk e njohu asnjiherë! Ajo që njohu Shqipëria ka qenë dhe mbetet ushtrimi i pushtetit politik nga grupe interesash që “blejnë” në treg tri degët e pushtetit: Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqsor. Kështu përfunduem me nji President pa shtyllë kurrizore dhe nji Kryeministër imperial!

Tranzicioni në Shqipëri ka prodhue oligarki, me ekonomi të kontrollueme nga nji grusht plutokratësh, të cilët kanë burim pasunimi vjedhjen e pasunisë publike, në bashkëpunim me lidhjet politike. Simbioza në mes tyne ishte gjithnji e ma e damshme dhe e pakapërcyeshme gjatë administratës që pësoi humbjen. Si rrjedhim, dallimet në mes të grupeve që përballen për pushtet nuk janë ideologjike. Arsyetimi i vetëm që nxit udhëheqsit për pushtet ashtë vetëm pasunimi vetjak: “Unë dhe Partia; Shqipëria pastaj!”.

Kështu, nuk i ashtë kushtue vëmendja e duhun dënimit pa kompromis të shnjerëzimit që imponoi diktatura e kuqe dhe fajtorëve të këtij shnjerëzimi. Nuk ashtë marrë asnji vendim për njohjen e të drejtave të pronës së ligjëshme private, pa të cilën nuk ka qytetarë të lirë, nuk ka demokraci. Nuk janë përfillë dhe ndihmue ish-të persekutuemët – “bërthama morale e shoqënisë demokratike shqiptare” – Nuk ashtë tregue kujdes për kultivimin e vlerave tona kombëtare tradicionale dhe konceptit të “shqiptarizmit modern” te shumica e paarsimueme politikisht dhe e paekspozueme, ideve perëndimore të “shoqënisë civile” dhe të demokracisë, si vlera te nalta dhe permanente. Kjo spjegon, në përqindje të madhe, përse vetëm gjysma e popullsisë ka votue. Për sa kohë që votimi me heshtje tregon mungesën e besimit në sistemin politik dhe në udhëheqjen, kjo heshtje nuk ashtë “indiferencë”!

Mbas humbjes u fol për infiltrime anmiqsore në PD të Shqipërisë që kanë uzurpue, në këto vitet e fundit, qeverinë e administratën. Flitet për “tranzicionin” që ka dështue. Flitet për mungesë besimi në pavarësinë e institucioneve qeveritare, për korrupsionin endemik në të gjitha nivelet. Flitet për nji “Berisha fatigue” e të tjera. Lihet mbas dore gjithmonë ajo ma e randësishmja: populli kërkon rend publik, punë, bukë, shkolla, shërbime shëndetsore e qetësi në kufijtë; populli kërkon respektin që meriton si qytetar i Republikës, “sovran” i së cilës ashtë ai, dhe nuk e gjen. Politika shqiptare duhet të luftojë kundër urisë, vorfënisë, dëshprimit demoralizues dhe kaosit, jo kundër njeni-tjetrit. Kjo gjendje duhet të marrë fund. “Mund të mashtrohet nji popull për pak kohë; mund të mashtrohet nji person për gjithë jetën; por nuk mund të mashtrohet nji popull përgjithmonë”! (A. Lincoln)

Populli nuk kërkon kacafytjet në Kuvend, as gjuhën rrugaçe që i karakterizon ata, por kultivimin e nji fryme empatike, aftësinë me pa botën me sytë e atyne që vuejnë, kudo që ata jetojnë, në fushë ose në mal, fshat ose qytet. Duhet të mundim kultin e dyshimit pa arsye dhe mentalitetin e kacafytjes, si dhe prirjen me dominue plotësisht, nji mentalitet i trashëguem nga e kaluemja komuniste. Duhet ndigjue zani i ankesës! Ashtë zani i Zotit!

Z. Kryetar!

Ky ashtë “nji moment i privilegjuem” për ju. Historia ju ka vue para nji sfide sa të vështirë, aq edhe fisnike. Kërkohet që ju, si udhëheqës i PDSH-së, të jepni kontributin tuej në shërbimin e “shoqënisë” shqiptare që vuen, në ngritjen e saj në nivel ku të jetë e lirë, e denjë, e aftë për përmirësimin e konditave të jetës së çdo qytetari pa përjashtim, në krijimin e nji atmosfere politike ku shqiptari ashtë vëlla dhe jo anmik i shqiptarit edhe kur ai ashtë kundërshtar, dhe në hapjen e nji dialogu të sinqertë me të gjithë, pa përjashtim, me qëllim që të gjinden rrugë të reja të zhvillimit politik, ekonomik e social të vendit tonë. Shqiptarët e kërkojnë; bota e jashtëme e kërkon. Nuk mund të mbetemi ma gjatë as të shurdhër, as indiferentë!

Duhet të veprojmë! Nuk mund të qëndrojmë gjithëherë në bisht të procesit spontan të historisë. Duhet të bajmë historinë tonë, me duert tona! “Çdo brezi i lejohet nji përpjekje për abstraksion. Kjo përpjekje mund të jetë vetëm nji interpretim dhe vetëm nji rast për eksperimentim, sepse ky ashtë subjekti i vetëm i saj. Kjo ashtë sfida e historisë dhe tragjedia e saj. Kjo ashtë forma që “fati” merr mbi botën tonë. Dhe zgjidhja e këtij “fati”, qoftë edhe thjesht ndërgjegjsimi për të, ashtë ndoshta aspekti ma i vështirë i artit të burrit të shtetit”. (Henry Kissinger)

Z. Kryetar!

Kapeni këtë moment! Punoni për nji Shqipëri që ndërton të nesërmet plot kangë, e çlirueme nga hijet e zeza të së kaluemes! Bani histori; mos e pësoni atë! E sidomos mos e kundërshtoni marshin e historisë drejt lirisë, sepse ajo hakmerret!
Sinqerisht i jueji

*Ph.D.
Ridgefield, CT.USA
City University of New York (ret.)
Ish-i burgosun politik (1946-1956)

blank

AKADEMIKU SHQIPTARO-BRITANIK GËZIM ALPION NDEROHET ME “MEDALJEN NËNË TEREZA” – Nga Frank Shkreli

Ditën e martë, më 27 korrik, 2021, studiuesit shqiptaro-britanik Gëzim Alpion, sociolog në Universitetin e Birminghamit në Angli dhe biograf i njohur ndërkombtarisht i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, i është akorduar “Medalja Nënë Tereza” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar akademik në studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit si dhe promovimin e Shën Nenë Terezës, duke e lartësuar modelin unik të vlerës së saj kombëtare shqiptare në mbarë btën. I vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në gjuhën angleze i Shën Nenë Terezës dhe si një ndër njohsit më inteligjent dhe më të mprehtë të kulturës shqiptare”.

 

Në njoftimin me ketët rast thuhet se, Sipas dekretit No. 13163 të datës 14 Korrik 2021, dekorimi është pra, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e çmuar akademik të Profesorit Alpion, në studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit, si dhe promovimin e Shën Nënë Terezës duke e lartësuar nivelin unik të vlerës së saj kombëtare shqiptare në mbarë botën.  Z. Alpion, thuhet më tej në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, “Është vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në gjuhën angleze i Shën Nënë Terezës dhe si një ndër njohësit më inteligjentë dhe më të mprehtë të kulturës shqiptare.”

 

Siç dihet, ‘Medalja Nënë Tereza’ është një nga çmimet më të larta që akordohet nga Presidenti i Shqipërisë.  Sa për të pasur një ide dhe për informacion të lexuesit,  disa nga personalitetet e huaja dhe shqiptare që janë nderuar me këtë çmim të Republikës së Shqipërisë, ndër vite, përfshijnë Kryeministrin e Italisë Massimo D’Alema, Presidentin e Kroacisë Stjepan Mesić, Presidentin e Lituanisë Valdas Adamkus, Presidentin e Kosovës Behgjet Pacolli, Mary Jean Eisenhower, Kryetare e Programit ‘People to People International’ (PTPI), i krijuar në vitin 1956 nga gjyshi i saj Presidenti Dwight D. Eisenhower, dhe ish-Senatori amerikan, Sam Brownback, Ambasadori i SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare.

 

Në njoftimin për media për dekorimin e Profesorit Gëzim Alpion me “Medaljen Nenë Tereza”, thuhet se kjo është hera e dytë që Profesori shqiptaro-britanik Gëzim Alpion nderohet në Shqipëri.  Në vitin 2019, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i akordoi Z. Alpion çmimin, “Ambasador i Kombit”.

blank

 

Libri më i ri i Profesorit Alpion titullohet “Mother Teresa — The Saint and her Nation”, ose “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, botuar një vit më parë nga shtëpia botuese britanike “Bloomsbury”.  Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf  — Ky libër është i pari i këtij lloji, në anglisht, që e trajton Nënë Terezën në kontekstin e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin dhe thirrjen e saj fetare prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar të popullit shqiptar gjatë dy mijë vjetëve të kaluara.  Dr. Alpion sugjeron, në librin e tij, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, se ekziston nevoja për studime objektive të mëtejshme që të pasqyrohet roli vendimtar i fesë, gjatë shekujve, në përcaktimin e identitetit kombëtar, por edhe roli fetar në justifikimin e aneksimeve territoriale të rajonit të Ballkanit.

 

Dekorimi i Akademikut shqiptaro-britanik, Profesorit Gëzim Alpion nga Presidenti i Repiublikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta është një nder për të dhe për punën e tij prej akademiku – i cili duke e paraqitur Nenë Terezën në konteksin e rrenjëve të saja etno-shpirtërore i paraqet, njëkohësisht, botës një frymë të njomë, më fisnike dhe më frytdhënse, se ato për të cilat fatkeqsisht na njeh bota si shqiptarë, për arsye të historisë tonë të shekullit të kaluar por edhe më mbrapa.

 

Prof. Gëzim Alpion — duke u folur të huajve dhe duke shkruar për Nenë Terezën në gjuhën e tyre — ai po ben një shërbim të madh për t’i kujtuar botës anglisht-folëse, traditat dhe zakonet tona shekullore të cilat mund të jenë ndryshkur gjatë shekujve, duke zbuluar kështu — sidomos për të huajt por edhe për shqiptarët — bukurinë që fshihet në thellësitë shpirtërore dhe stërgjyshore të Kombit shqiptar, ashtu siç pasqyrohen edhe nga jeta dhe veprimtaria e Shën Nenë Terezës. Urime Prof. Dr. Gëzim Alpion. Një dekoratë e merituar!

 

Kush është Prof Dr. Gëzim Alpion: Profesori Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Neëman, para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin Birmingham.  Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e Birminghamit.  Specializimet e Profesorit Gëzim Alpion janë në disa fusha akademike, përfshirë sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe autorësinë.  Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.

blank

blank

blank

blank

blank

blank

Zgjidhja është në Nju-Jork, jo në Bruksel! – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomastik

      

  *** O, ju “Nipër e stërnipër të Kainit, tebdilë si barinj…” (Fan. S. Noli), vetëm në OKB, Serbisë mund t’i “jipet diçka” çfarë e meriton sipas Kartës së OKB-së dhe, sipas së drejtës ndërkombëtare për shkak të kolonializmit gjneocidal të saj në Kosovë (1912-1999).

 

*** Pra, jo assesi Brukseli, por vetëm Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mund t’ia “mbyllë gojën”  Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, jo Brukseli i dështuar (2011-2021).

 

Nga praktika e derisotme e OKB-së (1945-2021) del se një nga detyrat më parësore dhe më të rëndësishme të saj,  ishte dhe, edhe sot është mbështetja e gjithnashme vendeve dhe popujve të kolonizuar, që me mjete dhe me rrugë paqësore t’u njihet pavarësia e tyre në bazë të së drejtës së vetëvendosjes.

Pikërisht, kjo e drejtë legale e ndërhyrjes së OKB-së, do të duhej të zbatohej edhe  me rastin e ndëshkimit dhe  të sanksionimit penal të  kolonializmit dhe të neokolonializmit shekullor  të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës, mbase  kolonializmi dhe  gjenocidet e saj të derisotme (1878-2021)  janë të lidhura direkt me rrezikimin  e paqes dhe të sigurisë rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

 Siguria dhe paqja  evropiane e ndërkombëtare, direkt dhe indirekt rrezikohen nga kolonializmi gjenocidal i Serbisë në Ballaakan !

Prandaj, sa më parë të jetë e mundur Amerika me BE-në, problemin kolonial të Serbisë ta rivendosin në Asamblenë e Përgjithshme  të OKB-së në Nju-Jork, mbase Serbia në procesin e Brukselit nuk do ta njohë Republikën e Kosovës.

Kjo është e vetmja mënyrë  e ligjshme , demokatike e paqësore, që OKB-ja ta shqyrtonte dhe zgjidhte problemin kolonial shekullor të Kosovës (1912-2021). Vetëm kjo formë racionale e penalizimit të kolonializmit serb, do të mund t’i kontribuonte xhvillimit dhe afirmimit të parimit të koekzistencës paqësore sin ë kuptimin rajonal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Serbia kolonialiste nuk mund të jetë përjashtim i së drejtës ndërkombëtare e as i OKB-së !

 

Prandaj, edhe serbomëdhenjtë “paqësorë” dhe “demokratë” të Beogradit së bashku me presidentin e tyre Aleksandër Vuçiq ( me gjithë interesin përfitues kolonial më se 100-vjeçar në Kosovë), duhet ta kenë të qartë se, ligjërisht, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran (17 shkurt 2008).

Ndërkaq, historikisht, Kosova është e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Këtë çështje shqiptarët e Kosovës nuk duhet diskutuar me Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999), pavarësisht se çfarë po llomotisin disa zagarë të zgjebosur filoserbë, se gjoja për arritjen e ndonjë kompromisi me Serbinë në Bruksel, “Kosova duhet t’i japë diçka Serbisë”!

Mirëpo,  “it’s cannot be done”, sepse Serbisë nuk do t’i japim më asnjë pëllëmbë tokë e as pasuri shqiptare.  –E zagarët filoserbë  mund t’i japin vetëm “gjahun” e tyre  Serbisë, nëse kanë grabitur ndonjë “gjah” si shpërblim   për “lehjet” e tyre në favorin e Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale. Ajo është vetëm çështje e tyre personale, grupore, aventuriere dhe agjenturore etj. -Ata janë të ndërsyer dhe të paguar për të krijuar mjegulla të dendura për t’i mashtruar, gënjyer,indoktrinuar dhe përçarë shqiptarët, kinse për t’i “pajtuar” me Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale, me qëllim për të futur “ferrën në këmbë të shëndoshë” shqiptare. Këso pazare vdekjeprurëse filoserbe nuk kanë për t’u bërë më kurrë në Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane shqiptare!

 Kosova dikur ishte koloni, por sot është e pavarur !

 

Për këtë arsye, pala shqiptare nuk do të duhej të hynte në Dialogun e dështuar dhjetëvejçar të Brukselit (2011-2021), sepse  është nonsense  të bisedohet me kolonialistët serbë, të cilët, edhe pas humbjes së luftës së fundit në Kosovë nga UÇK-ja dhe nga NATO-ja ( 10 qershor 1999), po ngulmojnë që me mjete paqësore të rihapin dhe, të debatojnë  statusin e pavarur politik të Kosovës!

Duke qenë se çështja e Kosovës nuk është çështje minoritare e kolonëve serbë të Veriut të saj, por, thjesht është çështje me bagazh kolonial 100-vjeçar nën Serbinë kolinialiste gjenocidale (1912-1999).

Prandaj, këtë konflikt kolonial njëshekullor mes Serbisë dhe Kosovës, nuk ka asnjë gjasë, që ta zgjidhë Dialogu i Brukeslit, pavarësisht nga shërbimet, nga  ndihma dhe  nga vullneti i mirë i BE-së (2011-2021).

Fundja, ata që kanë njohuri elementare nga historia dhe nga praktika e marrëdhënieve politike ndërkombëtare, të paktën që  nga shekulli XX, do të duhej ta dinin se, asnjë fuqi(shtet) kolonialiste në botë nuk ka hequr dorë  në mënyrë paqësore nga kolonitë e tyre as në Evropë, as në Afrikë, as në Azi e as në Amerikën Latine. Së këndejmi, as Serbia kolonialiste nuk ka braktisur koloninë e saj 100-vjeçare-Kosovën (1912-1999)  me paqe e as në marrëveshje të vullnetshme me shqiptarët e kolonizuar të Kosovës, por me forcë dhe me armë  të UÇK-së, të NATO-s dhe të Amerikës (24 mars – 10 qershor 1999).

Prandaj, logjikisht dhe realisht, Serbia ka humbur koloninë e saj të dikurshme-Kosovën, ashtu sikurse shumë kolonizatorë evropianë, që kanë humbur kolonitë e tyre të dikurshme në Afrikë dhe në Azi , gjatë viteve ’50, ’60 dhe ’70.  Si rrjedhojë, Serbia nuk ka asnjë të drejtë historike e as lgijore, që të kërkojë dialog dhe kompromis politik me Prishtinën zyrtare, sepse me luftë e ka hambur koloninë e saj shqiptare-Kosovën. Në këtë kontekst, nuk mund të ketë kurrfarë dialogu të ligjshëm me Serbinë në Bruskel e as në Berlin e as në Moskë, sepse Kosova pas 100 vitesh robërie koloniale nën Serbinë gjenocidale kolonialiste, tani, në saje të luftës çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së, është e pavarur dhe sovrane sipas së drejtës ndërkombëtare, si dhe sipas normave dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, këtë argument të qëndrueshëm e  provon edhe Opinioni këshillëdhënës i kualifikuar jurdiko-ndërkombëtar i GJND-së së OKB-së në Hagë, më 22 korrik 2010, se shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është bërë plotësisht në përputhje me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

      Dialogu i Brukselit s’ka kapacitet juridiko-ndërkombëtar, që ta detyrojë Serbinë të braktisë kolonializmin e saj në Kosovë, në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë (1912-2021)!

 

Për këtë arsye vetë BE-ja dhe Amerika duhet kërkuar që Dialogu i Brukselit të vendoset në OKB, sepse vetëm në Asamblenë e Përgjithshme të saj, mund të diskutohet për  historikun dhe për statusin politik dhe juridik ndërkombëtar të Kosovës (1912-2021).

Ndryshe, derisa Beogradi zyrtar pohon dhe lobon nëpër vende të ndryshme të botës, duke prishur miliona parash kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës së pavarur, dhe, duke gëjyer e shantazhuar faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare, se “Kosovo je Srbija”, atëherë pse po zhvillohet Dialogu i Brukselit?!

Derisa presidenti Alekandër Vuçiq, kryeministrja Ana Bërnabiq, kryekuvendari Ivica Daçiq si dhe ministrat e tjerë Republikës së Serbisë, në mënyrë kërcënuese deklarojnë zyrtarisht, se kurrë nuk do ta njohin Republikën e pavarur  të Kosovës, atëherë pse, dhe, për çfarë të bisedohet me ta në Bruksel?

Duke qenë se  brenda një dekade të plotë (17 shkurt 2008) Serbia kolonialiste me presidentin e saj Aleksandër Vuçiq në krye, ka refuzuar dhe, edhe sot, është duke hedhur poshtë kërkesën e palës shqiptare të Prishtinës, që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës, atëherë, pse, çfarë kuptimi dhe efekti politik ka vazhdimi i Dialogut të Brukselit nën monitorimin e ndërmjetësuesve Miroslav Lajçak dhe Josep Borell, emisarë të Bashkimit Evropian (BE)?!

Sa më sipër, si mund të shpresohet se me kërcënimet,  me diktatin dhe me ultimatumet e presidnetit serb Aleksandër Vuçiq, Aleksandar Vulin, Ivica Daçiq, Ana Bërnabiq, si dhe të klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe me patriarkun e saj Perforije në krye etj., se gjoja “Kosovo je Srbija”-“Kosova është Serbi”, do të mbyllet me marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë?

blank

LUIGJ ÇEKAJ – POETI I PËRNDJEKUR I SHKRELIT TË MALËSISË SË MADHE – Nga FRANK SHKRELI

“Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua” — Ismail Kadare

Luigj Çekaj ndërroi jetë në fillim të këtij viti në moshën 70-vjeçare. Ai vinte nga Çek-Dedajt e Shkrelit të Malësisë së Madhe — fshati Bzhetë — nga e ka origjinën edhe familja ime. “Në Shkrel te shtëpia e prindërve të mij”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje, ku “Te muri në vend të lahutës, bimë vjerrëse varen.  Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.”

 

Kur ishte në moshën 2-vjeçare, babai i Luigjit, Kolë Gjoka Çekaj, për t’i shpëtuar përndjekjes nga diktatura komuniste dhe dënimit me vdekje, arratiset në ish-Jugosllavi, në rrethin e Ulqinit, të cilin si bashkvendas që ishte, familja ime e strehoi për një kohë të gjatë dhe u kujdes për te derisa ai vendosi të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si biri i një të arratisuri, i mituri Luigj Çekaj jetoi ashtu me dhimbje, me njollën absurde të të prekurit dhe të përndjekurit, politikisht.  Merrni me mendë, prej 2 vjeç, poeti i ardhëshëm do të jetonte nën tmerrin e persekutimit të diktaturës komuniste e që, eventualisht, shkoi edhe deri në arrestimin e tij.  Në moshën 2-vjeçare kishte humbur babain, i cili u arratis për pikëpamjet e tija anti-komuniste. Pastaj, siç ka shkruar poeti Gjekë Marinaj në parathënjen e librit me poezi,të autorit Luigj Çekaj, “Vjeshta në Aeroporte”, se ndërkaq, Luigji i vogël kishte humbur edhe duart e së ëmës në pranga sepse kishte refuzuar të padiste të shoqin tek policia.

 

“Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç më arrestuan.

Si natën e pushkatimit të Lorkës adoleshenca e hënës

Stoli të papërsëritshme në kujtesën time ngeli,

shkëlqimi i prangave në duart e nenës! (Kujtim nga Fëminia, 1964)

 

Luigji i vogël, si 2-vjeçar dhe më vonë, po humbte gjithçka.  Poeti i ardhëshëm me trupin e tij të njomë, humbi edhe vendlindjen më në fund, duke përfunduar në kampet e Tepelenës, si përfundim i vendimeve të autoriteteve komuniste.  Kryeredaktori i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Z. Dalip Greca në parathënien e librit të Luigjit, “Unë vij nga Shkodra”, ka shkruar, “Babai i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja shkonte për t’u kryqzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë Çekaj, e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një fëmije 2-vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”.

 

Ndërsa pyetja ime drejtuar nostalgjikëve të sotëm të regjimit të Enver Hoxhës — të cilët na thonë se, “komunizmi ka qenë në anën e duhur të historisë”, ose “komunizmi ka berë më shumë të mira se të këqia” – është se çfarë kërcënimi paraqiste për regjimin enverist 2-vjeçari Luigj Çekaj në vitin 1952, poeti i ardhëshëm i Malësisë? Si mund të mbrohet dhe të justifikohet një regjim i tillë edhe sot në Shqipëri 30-vjet gjoja post-komunizëm, në një vend anëtar të NATO-s, i cili pretendon gjithashtu edhe antarësimin në Bashkimin Evropian?  Pse, ende 30-vjet pas ndryshimit të sistemit, nuk ka një distancim zyrtar nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i cili i hidhte fëmijt 2-vjeçar, si Luigj Çekaj dhe të moshave të tjera të mitura, në kampe përqendrimi, shumë prej të cilëve kanë gjetur vdekjen atje? Pse kjo heshtje zyrtare! Deri kur?

 

Për hir të Madhit Zot, ashtu i njollosur për jetë, si bir i një të arrartisuri nga “parajsa” komuniste e Enver Hoxhës, Luigj Çekaj mbijetoi disi kampet, burgjet dhe diskriminimet komuniste gjatë gjithë jetës së tij – mbijetoi edhe “Stinën e dhimbjes”:

 

“Në prill të ’75-sës — Përjashtim nga Universiteti

Në Maj vjen urdhëri — Të pushohet nga puna

Dhe në Qershor –Të dëbohet nga qyteti…”

 

Luigj Çekaj, gjithmonë e kishte pasion letërsinë por mundësia për të botuar iu dha vetëm pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri.  Kështuqë, menjëherë pas ndryshimit të atmosferës politike, në vitet 1991-1993, ai filloi të kontribonte si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar, “Besa” në Shkodër.  Pas kësaj, ai vendosë të largohej, përfundimisht, nga vendlindja dhe shkon në Amerikë si emigrant politik, për tu bashkuar me babain e tij, Kolë Gjokën.  Luigj Çekaj vendoset në Bronx të Nju Jorkut, ku jetonte dhe babai i tij. Me të ardhur në Amerikë, gjatë viteve 1994-1998, ai angazhohet me revistën “Trojet tona”, ndërsa më vonë iu bashkua kolegjiumit të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Kishës Katolike Shqiptare, “Zonja e Shkodrës” në Hartsdale të shtetit Nju Jork. Në vazhdim të veprimtarisë së tij letrare në Në Nju Jork, ku jetoi familjarisht sa ishte gjallë, Luigj Çekaj ka botuar librat: “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998 dhe “Unë vij nga Shkodra” në vitin 2004 — “Libri që renkon nga dhimbja” — ku ka përmbledhur mbresat e kujtimet e tija nga jeta në Shqipërinë komuniste dhe në Amerikën e lirë e demokratike.  “S’na kontrolluan si të dyshimtë rojet,

Bile as pasaportën s’na e nxuri kush me gojë!

Ne që sa herë shpirtin na e pruri në fyt

Sigurimi i dreqit në Velipojë  — (Ditën e Hyrjes sime në Washington, 2 Prill, 1993)

 

Më kujtohet se kur ishte i angazhuar pranë revistës, “Jeta Katolike Shqiptare”, unë banojsha në Washington, por me anë të një letre më kërkonte mendimin tim — si një ish anëtar i redaksisë së kësaj reviste që isha në fillim të 1970-ave — për ndryshimet që kishte bërë në formatin dhe përmbajtjen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, në përgjithësi.  Me letrën në fjalë, Luigji më kishte dërguar edhe dy tre numra të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, të redaktuar prej tij dhe më kërkonte mendimin tim për formatin e ri të saj. Në pamje të parë, revista kishte ndryshuar për më mire, falë angazhimit të Luigjit dhe ketë e kisha pasqyruar në përgjigjen time, ku ndër të tjera i kam shkruar: “Të them të vërtetën, duke u bazuar në shikimin e vetëm disa numrave të revistës që kam lexuar deri tani, më vjen shumë mirë që rifilloi botimi i saj. Për më tepër, u kënaqa se revista e re, “Jeta Katolike Shqiptare”, nën drejtimin tëndë është shumë e rindërtuar, më e mirë, më e këndshme dhe e lezetëshme për syrin, në krahasim me formatin e vjetër të revistës – një përmirësim i dukshëm, pra, si nga formati ashtu edhe nga përmbajtja. Ju dëshiroj suksese të mëtejshme.”

 

Për ringjalljen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare” aty nga mesi i 1990-ave, një meritë e madhe i shkon Luigj Çekajt dhe bashkpuntorëve me të cilët punoi në atë kohë në redaktimin dhe botimin e kësaj reviste, duke ia rritur vlerën si një organ serioz që pasqyron jo vetëm veprimtarinë e Kishës Zoja e Shkodrës por edhe të komunitetit më të gjërë shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe rrethe.  Më vonë, poeti dhe shkrimtari i Shkrelit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj është angazhuar edhe pranë Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Amerikë, ndërsa për një kohë ka shërbyer edhe si sekretar i kësaj shoqate intelektualësh shqiptaro-amerikanë. Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti i intelektualëve shqiptaro-amerikanë si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare në Amerikë dhe më gjërë. Por jo vetëm nga shqiptaro-amerikanët.

 

Veprat e Luigj Çekajt kishin renë në dorë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili ka vlerësuar librin e parë të Luigjit me poezi, “Vjeshta në Aeroporte”. Në një letër dërguar poetit malësor nga Parisi, Z. Kadare ka vlerësuar me këto fjalë poezinë e tij: “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua. Së pari për nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju dëshmoni për kalvarin tuaj… Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik, qoftë ai moral, ka një peshë të dyfishtë”, thuhet në letrën e Kadaresë, dërguar poetit Luigj Çekaj, me datën 28 nëntor, 1998.

 

Në veprat e tija Luigji shpreh, njëkohësisht, dhimbjet dhe dashurinë, së pari për nenën e vet të shumë vuajtur, për Shkodrën e tij të dashur, “Në qytetin e Nju Jorkut, unë vij nga Shkodra, i pezmatuar” dhe dashurinë e tij për Shqipërinë:

 

“Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,

Nuk kam dashur më shumë se ty.

Ti me frymën tënde më ke kthyer në qenie ajri,

Ti me duart e tua më ke bërë njeri,

Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt.” (Motivi për Shqipërinë)

 

Por në veprat e tija shfaqen edhe ndjenjat për Amerikën, ku më në fund gjeti strehimin, por edhe liri e pak paqë të merituar, më në fund.  “Mes Shqiptarëve të Nju Jorkut, sigurisht”, shkruan Luigji, përfshir ne që na konsideronte si kushërinjtë e tij nga Bzheta e Shkrelit të Malësisë së Madhe që ishim vendosur në Amerikë dekada më parë e të cilëve poeti e shkrimtari u kushton atyre një artikull të gjatë, “Dy fjalë të mira edhe për kushërinjtë e mi të mirë”.  Në librin, “Unë vij nga Shkodra”, ai përmendë pothuaj të gjithë ne emër për emër, ndërsa ka kujtuar takimin e parë me secilin prej nesh në Amerikë duke shënuar mbresat që i kishim lenë atij në takimin e parë me të.  “Me kushëririn Fran Shkrelin u pash me hënë të mirë, sy për sy dhe shpirt për shpirt”, shkruan Luigji në librin e tij, “Unë vij nga Shkodra”.  “Biseda me Franin atë mbrëmje shkoi vërtetë shumë mirë. Pothuajse gjithmonë ramë në një hulli të këthjelltë mendimesh të përafërta! Nuk patëm në asnjë rast mosmarrëveshje të çastit, apo kundërshtime të mirëfillta arsyetimesh të kundërta, madje aty rreth orëve të mesnatës kur darka mbaroi dhe erdhi koha të ndaheshim me Fran Shkrelin, unë më shumë se me një kushëri, u ndava si me një mik timin të kahershëm”, ka kujtuar Luigj Çekaj takimin tonë të parë në Amerikë.

 

Gjatë gjithë asaj bisede në takimin e parë me të, më kujtohet se me qëllim – duke mos dashur të trazoja plagët e vjetëra të vuajtjeve të tija e të familjes — nuk e pyeta asgjë për të kaluarën e tij dhe, sidomos, për vuajtjet e nënes së tij dhe familjes në Shqipëri, pasi pak a shumë e dinim situatën e përgjithshme nepër të cilën kishin kaluar ata dhe të tjerë si ata, që kishin ndonjë të afërm të familjes të arratisur në Amerikë.  Por gjatë atij takimi të parë me mua, as ai vet nuk deshi të fliste për vuajtjet e tija dhe të familjes së tij në Shqipërinë komuniste.  Por, duke u ndarë me Luigjin atë natë, ashtu siç shënon ai në librin e tij, unë nuk u durova pa i thenë: “Ju sonte nuk më folët asgjë të përveçme për të kaluarën tuaj personale në Shqipëri, deshta me thënë për kalvarin e gjatë të dhimbjeve tuaja të pambarimta. Ma merr mendja se bëre mirë që nuk fole, i thashë, se i di të gjitha dhe se intelektualët e një vendi nuk janë nëna fëmijsh jetimë që kujtojnë e zgjidhin hallet e veta me të qara…”.

 

Vërtetë,  i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nepër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial i Enver Hoxhës, as nuk ankohej për gjëndjen jo aq të mirë shëndetësore, as për sëmundjen e rëndë që më në fund i mori jetën, në moshën 70-vjeçare, në fillim të këtij viti, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.  Profesori i ndjerë, Agron Fico, në një shkrim vlerësues kushtuar poetit Luigj Çekaj — botuar vite më parë — pasi ka vlerësuar meritat letrare të veprës së tij, është shprehur më së miri për ndjenjat njerëzore të shprehura në veprat Luigj Çekajt: “Luigj Çekaj është poet i fuqishëm lirik, është kryepoet që edhe pse trajton kalvarin dhe dramën e vuajtjeve dhe persekutimeve të familjes dhe të brezit të vet, në thelb dëshmon për ndjenja të thella humane të dashurisë njerëzore dhe shoqërore.  Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike – politike, por darë dhe çekanë ndaj regjimit të pashpirt, të egër, regjimit totalitar-komunist: “Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi piedestale. Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj”, “Statujat e diktatorëve.”

 

Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt: për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke berë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare.  Me jetën plot vuatje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkpunoi ngusht pas arritjes së tij në Amerikë — por edhe nga shkrimtarë të mëdhej të Kombit si Ismail Kadare — Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar — nderoi gjithashtu veten dhe familjen e tij të ngushtë dhe më të gjerë.  Shkreli dhe Malësia e Madhe janë krenarë me ‘të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për aq pak vite sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara para se, fatkeqësisht, sëmundja t’ia shkurtonte jetën, parakohësisht, në fillim të këtij viti.

blank

blank


Send this to a friend