VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

PRAP PO E VRITNI LUIGJIN ?! – Nga Fritz RADOVANI

By | March 3, 2020

Komentet

PASIONET SPORTIVE TË PRESIDENTËVE, KRYEMINISTRAVE DHE MBRETËRVE… Specialet e Dash Frashërit

Janë burra të fortë shteti. Presidentë, kryeministra, mbretër, apo princër. Drejtojnë superfuqi ekonomike apo ushtarake. Edhe pse agjenda e tyre është e zënë, ata gjejnë kohën të ushtrohen me sport, apo të mos mungojnë në stadiume kur luajnë ekipe e tyre të zëmrës.
BARAK OBAMA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë viteve të kolegjit ka luajtur basketboll, madje sipas mediave amerikane, ai ka qenë një lojtar i nivelit të pranueshëm. Obama është fotografuar duke luajtur basketboll në një bazë ushtarake amerikane në Xhibuti. Presidenti amerikan është i njohur si një tifoz i “Chicago Ëhite Sox”, një ekip bejzbolli nga Çikago. Ai ka qenë i pranishëm në finalen e Super Boul, vetëm 12 ditë pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën si president. Obama ka pasur pasion edhe golfin, madje ishte një mik i mirë edhe lojtarit më të paguar në botë, Tajgër Udsit, duke i telefonuar e këshilluar këtë të fundit gjatë periudhës së skandalit me të shoqen të këtij të fundit.
XHORXH BUSH
Edhe ish-presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, ka qenë një i pasionuar i madh i sportit. Ai kishte në bashkëpronësi ekipin e bejzbollit të Texas Rangers. Gjatë kohës si student ai ka luajtur bejzboll, por dhe një lojtar i nivelit mesatar i ragbisë. Bushi zhvilloi një garë miqësore me Lens Armstrongun në fermën e tij të Teksasit. Gjatë një vizite në Kinë, kur në Pekin zhvilloheshin Lojërat Olimpike ai përshkroi 16 kilometra me biçikletë, përfshirë edhe 6 kilometra në një shpat mali, i shoqëruar nga gjashtë çiklistë. Bushi kishte ngarë një biçikletë në Pekin në vitin 1975, kur i ati i tij, Xhorxh Bush, kishte hapur një zyrë lidhjeje amerikane. Edhe babai i tij, ish-presidenti Xhorxh Bush ishte kapiteni i ekipeve të bejzbollit dhe futbollit në kohën kur ishte student në Akademinë Filips.
BILL KLINTON
Bill Klinton, ish-presidenti amerikan (2 mandate, 8 vjet në detyrë) ka qenë një fans i zjarrtë i golfit. Madje duke e pasur pasion, por dhe një defekt ai ka marrë mësime golfi edhe gjatë kohës kur ai ishte në detyrë. Bill Klinton është i pasionuar pas futbollit, madje ishte i pranishëm në dy ndeshje të Shteteve të Bashkuara në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut.
VLADIMIR PUTIN
Presidenti i plotfuqishëm i Rusisë, Vladimir Putin, një ish-shef i KGB-së, është i pasionuar në artet marciale, e sidomos në xhudo. Putini është trajnuar edhe në sambo, qysh në moshën 14 vjeç, përpara se të merrej me xhudo, të cilën vazhdon ta praktikojë çdo ditë. Putini ka fituar disa kampionate për të rinj në qytetin e tij, Saint Petersburg. Putini është gjithashtu bashkautor i një libri për xhudon. Edhe pse ai nuk është lideri i parë që praktikon xhudon, Putin është i pari lider në nivelet të avancuara. Putini është nderuar me medaljen “Mjeshtër i Sporteve”, për xhudon në vitin 1975 dhe sambon në vitin 1973. Gjatë një vizite shtetërore në Japoni, Putini i ftuar nga instituti Kodkan, u tregoi studentëve dhe zyrtarëve japonezë teknika të ndryshme të xhudos.
DIMITRI MEDVEDEV
Kryeministri rus Dimitri Medvedev, përveç se është një fans i muzikës hard rok (dëgjon me shumë pasion Led Zeppelin, Black Sabbath, Pink Floyd dhe Deep Purple) e ka një agjendë shumë të zënë, rezervon çdo ditë një horë në mëngjes dhe një orë në mbrëmje për të notuar, rreth 1500 metra dy herë në ditë. Trupshkurtër, por edhe truplidhur, Medvedevi në moshën e gjimnazit kishte një pasion të madh për sportet, dhe në veçanësi për peshëngritjen. Në vitin 1987, kur ai ishte vetëm 22-vjeç ai u përfshi në grindjen masive që shpërtheu gjatë ndeshjes së hokeit midis Kanadasë dhe Rusisë në turneun botëror për rinj. Medvedev gjithashtu luan shah dhe është një tifoz i madh i ekipit të qytetit të tij, Zenit Saint Petersburg.
MBRETI ABDULLAH
Edhe mbreti King Abdullah i Jordanisë njihet si në një njeri me shumë pasione për skitë, garat e rrelit dhe zhytjeve në ujë. Abdullah është një pasionuar i madh i motiçikletave dhe në garazhin e tij ka disa Harli-Davidson, madje është fotografuar në Karolinën e Veriut në korrik të këtij viti. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad është shprehur në favor të ndjekjes nga ana e femrave të ndeshjeve të futbollit të meshkujve.
PRINCI ALBERT
Princi Albert i Monakos është një tjetër i pasionuar pas sportit, madje ai është martuar me notaren nga Afrika e Jugut, Çarlen Uitstok. Princi Albert dhe Çarlen kanë qenë së bashku në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore “Torino 2006”, por dhe në ato Verore, “Pekin 2008”. Në Monako zhvillohet Çmimi i Madh i Formula 1 dhe princi Albert e ndjek me pasion garën.
MBRETI HARALD V
Mbreti i Norvegjisë, Haraldi V, në rininë e tij ka qenë një i sportist i garave me varka dhe jahte. Ai ka përfaqësuar Norvegjinë në Lojërat Olimpike të Tokios (1964), Meksikës (1968) dhe Munihut (1972), ku ka fituar edhe medalje të arta, argjendi dhe bronzi. Në Tokio ai ka qenë madje flamurmbajtësi i Norvegjisë.
GEORGE ABELA
Presidenti i Maltës, George Abela, është një njeri i lidhur me futbollin. 62-vjeçari, i cili është diplomuar për jurist, ka qenë më parë president i klubit të futbollit, Qormi FC, e më pas është zgjedhur president i Federatës Malteze të Futbollit, ku solli shumë ndryshime pozitive brenda federatës, përmirësoi infrastrukturën. Lojtarët maltezë në kohën e tij u angazhuan për herë të parë në stërvitje me baza profesionale.
SILVIO BERLUSKONI
Edhe pse ai nuk është president, por kryeministër i Italisë, përfshirja e tij në këtë listë është e natyrshme. Presidenti aktual i Milanit, klubit me më shumë trofe ndërkombëtarë në botë. Berluskoni deklaroi së fundi se pasioni i tij për futbollin e ka bërë atë dhe familjen e tij të shpenzojë gjatë 25 viteve si president i Milanit, më shumë se 1 miliardë euro.
DAVID KAMERON
Kryeministri i ri britanik, David Kameron, është një i pasionuar pas vrapimeve, madje edhe në minimaratonat promocionale, ku ka ai ka vrapuar përkrah atletëve me emër, përfshirë dhe pjesëmarrës anglezë në Lojëra Olimpike, si Kristin Ohurugou dhe Kolin Xhakson, ish-kampione e botës në vrapimin me pengesa.
BOJKO BORISOV
Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov (51 vjeç), ka qenë aktiv në kampionatet e karatesë, qysh nga viti 1978, kur ai i ishte 19 vjeç dhe konsiderohet si një i dashuruar me artet marciale. Borisov ka qenë kampion në vendin e tij, madje edhe president i Federatës Bullgare të Karatesë. Borisov ka qenë gjithashtu për shumë vite trajneri i ekipit Kombëtar bullgar të karatesë, si një gjyqtar ndërkombëtar karateje.
REXHEP ERDOGAN
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka qënë një futbollist gjysmë-profesionit për një periudhë gati 13-vjeçare (1969-1982). Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl ëhtë një tifoz i thekur i Beshiktashit të Stambollit. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, gjatë rinisë së tij ka luajtur vaterpol me Partizanin, por u tërhoq për shkak të dëmtimit. Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, në rininë e tij ka qenë një futbollist premtues. Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, ka qenë një volejbollist kampion, madje ka qenë edhe presidenti i Shoqatës së Sporteve të Greqisë.
HUGO ÇAVEZ
Presidenti shumë i meditiatizuar i Venezuelës, Hugo Çavez, i konsideruar edhe si një mik personal i legjendës së futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, është një i pasiouar i bejzbollit.
VASLAV KLAUS
Presidenti i Çekisë, Vaslav Klaus, sot 69 vjeç, në rininë e tij ka luajtur basketboll dhe volejboll në ligat inferiore. Ai ka qenë dhe një lojtar aktiv tenisi dhe skiator i nivelit të pëlqyeshëm. Presidenti i Austrisë, Heinc Fisher, është një pasionuar i madh i ngjitjeve malore, dhe për një kohë të gjatë presidenti i shoqatës “Miqtë e natyrës”.
IVAN GASPAROVIÇ
Presidenti i Sllovakisë, Ivan Gasparoviç, është një tifoz sporti, kryesisht i botës së motorëve dhe hokeit në akull, që është edhe sporti kombëtar i Sllovakisë. Ai ka qenë një nga liderit e klubit sllovak të hokeit, Slovan Bratislava. Ai ka qenë gjithashtu zëvendëspresident i këtij klubi.
MARKUS STEFËN
Nga peshëngritës në president të Republikës. Kjo është ngjitja e jashtëzakonshme e ish-presidentit të shtetit Nauru në zonën e Oqeanisë, Markus Stefën, një pjesëmarrës i rregullt në gjashtë kampionate botërore të peshëngritjes dhe i diplomuar në menaxhim biznesi. Peshëngritësi-president, i cili ka marrë pjesë dy herë në Lojërat Olimpike, “Barcelona 2002” për Samoan dhe “Sidnej 2006” për Naurunë, fitoi 12 medalje të arta në Lojërat e Oqeanisë, dukë u futur përjetësisht në Sallonin e Famës të Peshëngritjes.
MILO GJUKANOVIÇ
Kryeministri gjigant i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç (190 cm) ka qenë një basketbollist aktiv gjatë rinisë së tij. Gjukanoviç është një prej burrave të shtetit më të gjatë në botë. Brajan Koen, kreu i qeverisë së Irlandës, është një anëtar i Shoqatës së Sporteve Galike të Irlandës, me gati një milion anëtarë.
CHUNG UN-CHAN
Ish-kryeministri i Koresë së Jugut, Chung Un-Chan është një fans i bejzbollit dhe tifoz i deklaruar i ekipit të koreanojugor të bejzbollit Dosaa Bears, por edhe i amerikanëve të Nju Jork Jankis. Edhe kryeministri i Fixhit, Josaia Voreqe Bainimarama, i njohur me emrin Frank Bainirama është një dashamirës entuziast pas sportit. Ish-ushtaraku 56-vjeçar është i pasionar pas regbisë dhe atletikës, madje ka qene edhe presidenti i Unionit të Regbisë në vend.
+ + + +
Nga Topi te Nano, të lidhur pas futbollit
Ish-presidenti i Republikës ka qenë një ish-president i Tiranës dhe ka qenë në dy finale të Ligës së Kampioneve. Ish-kryeministri Nano njihet si një tifoz i Interit
Edhe politikanët më të njohur shqiptarë janë të njohur për pasionet e tyre për sportin, por midis tyre spikat edhe mbreti Zog ka qenë një i pasionuar pas peshëngritjes.
SALI BERISHA
Nuk është shfaqur si tifoz i thekur, madje ka ndjekur pak ndeshje gjatë kohës që ai ka qenë president apo kryeministër. Gjatë Botërorit të Afrikës 2010 është shfaqur me deklaratat e tij në grupin parlamentar të PD-së, si tifoz i Argjentinës, ndërsa në Euro 2012 ai i bëri elozhe Spanjës.
FATOS NANO
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është një pasionuar i madh i futbollit. Në Shqipëri bën tifo me Partizanin, ndërsa në Itali është besnik deri në vdekje të Interit, edhe pse një nga miqtë e tij më të mëdhenj është ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, presidenti aktual i Milanit.
ALEKSANDËR MEKSI
Ish-kryeministri Aleksandër Meksi është një tifoz i vjetër i Partizanit dhe Mançester Junaitid në Angli. Edhe ish-kryeministri Bashkim Fino është tifoz me Partizanin.
EDI RAMA
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është marrë me basketboll, duke luajtur me fanellën e Dinamos, madje ka veshur edhe fanellën e ekipit Kombëtar të basketbollit, duke luajtur edhe ndaj Gjermanisë. Edhe vëllai i tij, Olsi Rama, është marrë me basketboll.
ILIR META
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka ushtruar sportin e peshëngritjes në rininë e tij. Meta, i cili më parë dhe ka qenë kryeministër (1999-2002), ka qenë peshëngritës, fillimisht me Tiranën, e më pas me te Dinamo e Partizani, për një periudhë të shkurtër. Pavarësisht se nuk ka pasur ndonjë rezultat, ka qenë një sportist i pasionuar.
BAMIR TOPI
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, është një tifoz i vjetër i futbollit. Ai është fans i Tiranës, klubit rekordmen përsa u përket titujve në vend (24 bërë kampion, 13 herë fitues i Kupës së Shqipërisë), dhe ka qenë ish-president i saj, përpara se të jepte dorëheqjen për shkak të detyrës. Interesant është fakti se, në rininë e tij të hershme, pionieri Bamir Topi është marrë me pingpong.
AHMET ZOGU
Mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu (1928-1939) ka qene i pasionuar pas peshëngritjes. Një foto e madhe e Zogut (lindi, më 8 tetor 1895, vdiq më 9 prill 1961) është publikuar edhe në revistën e Federatës Europiane të Peshëngritjes. Në fakt, Ahmet Zogu e ka ushtruar sportin e peshëngritjes, por këtë më tepër e ka bërë më tepër si një ushtrim gjimnastikor, për të mbajtur trupin në formë.

MAFIA JAPONEZE “YAKUZA”, MAFIA INTELIGJENTE Specialet nga Dash Frasheri

Italia ka La Cosa Nostra, Amerika ka Mafian, irlandezët dhe izraelitët kanë organizatat e tyre kriminale ne Amerikë. Azia Juglindore ka mafien Triads. Kina, Hong Kongu dhe Taivani ka mafien Tong. Por, është një organizatë që nuk është përmendur në grupimet lart, një mafie që ndoshta jeton prej 400 vjetësh. Që ka një finesë aristokrate më të dukshme se Mafia tipike. Dhe kjo është YAKUZA, mafia japoneze.
JAPONIA
Me një arkipelag ishujsh dhe një Japoni që bën pjesë në vëndet më të zhvilluara të botës, me një Tokio 20 milionëshe, me tërmete të panumurt dhe një tokë të varfër në pasuri kombëtare, por me mbingopje të trurit krijues,100 për qind të arsimuar, e ndodhur në kryqëzimin e 3 supershteteve: Amerikës, Rusisë dhe Kinës, Japonia është shëmbulli i një historie të madhe. Me një industri të shkëlqyer elektronike dhe automobilash dhe një urbanizëm ultramodern pjellë e fantazive arkitekturale, Japonisë i duhet të përballojë dhe problemet e krimeve të ndryshme të shkaktuara nga një mafie e sofistikuar në teknologji dhe agresive në veprim.
MAFIA JAPONEZE- YAKUZA
Mafia japoneze (Yakuza) është një mafie e elitës kriminale botërore ashtu si dhe superkompanitë japoneze të elektronikës, informatikës apo automobilave në tregun botëror. Yakuza eshtë organizata kriminale me më influencë në botën tejet të ashpër dhe të rivalizuar të tregut “black” dhe korporatave industriale. Aftësitë e veçanta të anëtarëve supermjeshtra te “sumo”, sportit luftarak japonez që është gati 2000 vjeçar, inteligjenca natyrore dhe pranimi i ndërgjegjshëm i vdekjes, fshehtësia dhe disiplina janë nenet taksative të rekrutimit në këtë piramidë krimi. Në Japoni, disiplina konsiderohet si çelesi i artë i sukesit në predominimin kriminal ndaj banditëve rivalë, e cila e bën organizatën më ekzekutuer. Në se jeni anëtar i priveligjuar i mafies Yakuza, ju do të keni gjithë kompetencat për të patur në varësi 5 kriminelë me famë, të keni lidhje me 10 policë që gëzojnë autoritet, të kontrolloni 1 territor, te keni 1 000 000 dollarë për të korruptuar autoritete lokale. Ky është rregulli i detyrueshëm për bosin e grupit. Dhe në se i shpërdoroni ato apo punoni për të tjerë ju pret qetësisht vdekja.
HISTORIA E MAFIES JAPONEZE
Gjurmët e para të mafies japoneze, Yakuza, të çojnë gati katër shekuj pas, në vitin 1612, kur njerëzit e njohur si “kabuki-mono” (të çmendurit) filluan të tërhiqnin vëmëndjen autoriteteve lokale. Ata ishin samurai (term që datohet në vitin 1192) dhe të njohur për të folurit në zhargon. Në fakt, samurajt “kabuki-mono”, ishin shërbëtorë të shogun-ve duke marrë dhe emrin e “hatamoto-yokko” (shërbëtorë të shogunëve). Grupi përbëhej afërsisht pej 500.000 samurai që të cilët u kthyen në banditë, që vidhnin dhe plaçkisin qytetet dhe fshatrat kryq e tërthor Japonisë. Machi-yakkot u bënë heronj popullorë, duke mbrojtur qytetin prej hatamoto-yakkot. Ata ishin shumë të ngjashëm me Robin Huodin anglez. Yakuzat e hershëm vinë në histori në mesin e viteve 1700. Anëtarët quheshin “bakuto” (kumarxhinjtë tradicionalë) dhe “tekiya” (shëtitsat e rrugës) . Këto terma përdoren dhe sot për të pëcaktuar anëtarët e Yakuzas. Gjithashtu një grup i tretë “gurentai” (rrugaçët) u shtua pas luftës së dytë botërore. Sejcili anëtar i këtyre grupeve anëtarësohej në bandë duke patur pas shpine një begraund të frikshëm: hajdutë, të varfër, aventurierë. Grupet vepronin në zona të ndara qartë. Bakutot vepronin në rrugët e qyteteve,ndërsa tekiyat operonin në tregjet publike dhe panaire.
STRUKTURA E MAFIES
Struktura e mafies Yakuza është shëmbull një hierarkie tipike strikte e përcaktuar nga skema të tipit piramidal, ku padroni i vërtetë njihet nga bëmat e tij dhe të tjerët i binden në mënyrë absolute me një displinë ushtarake. Por, megjithatë çdo klan i një grupi është i lirë dhe i pavarur nga klanet e tjera. Klanet mund të jënë shumë mirë armiq në të njëjtën luftë. Por të njëjtën armiq të një dite më parë të bashkëpunojnë të nesërmen për çështje që konsiderohen të përbashkëta. Gjithësesi, klanet e vogla u binden grupimeve më të mëdha, që kanë më shumë autoritet, janë më të respektuara dhe influenca e tyre është më e fuqishme. Struktura e mafies është e lehtë dhe qartë. Koka e organizatës quhet Oyabun (kapoja). Shëmbulli është organizata Yamaguchi-Gumi. Qëndrën e ka në Kobe, dhe kapoja ka 5 vartës ose kumicho. Një kumicho ka këshilltarin e tij. Bie fjala Kazuo Nakanishi ka 15 banda në kontroll me 439 anëtarë. Një vartës i kumicho-s , që është shef rajonal i quajtur so-honbucho ka nën kontroll 6 banda me rreth 108 antëtarë në Kobe. Masaru Takumi që është i gradës uakagashira (kapiten ) kontrollon 941 kriminele të 41 grupeve në Osaka. Hierarkia vertikale e një organizate : kumicho ka shumë këshilltarë, kumicho hisho (sekretarë), kaikei (llogaritarë). Ka mbi 102 senjorë bosa (shatei, “vëllezër të rinj”) dhe një numur të madh lideresh të rinj (uakashu) në krye të 750 bandave mafioze dhe me një anëtarësi prej 31.000 personash në Yamaguchi-Gumi.
ORGANIZIMI I MAFIES
Organizmi i mafies kishte adopotuar marrëdhëniet e njohura si oyabun- kobun (roli i babait/ roli i fëmjës). “Oyabun” ishte babai, i cili organizonte, mbronte dhe ndihmonte vartësit, dhe “kobun” ishin fëmjët që viheshin në shërbim të tij. Ceremonia e pranimit në ndryshim nga mafiat e vendeve të tjera, që si shënjë vëllazërimi kishin pirjen e gjakut të njeri tjetrit, zhvillohej për Yakuzat e rinj në altarin e perëndisë Shinto, duke i dhënë pranimit një sfond fetar dhe hyjnor. Dhe organizata e “tekiyava” dhe “bakutove” ishin strukturuar si Yakuzat. Mbanin nga 2 shpata dhe kryenin akte krimi. Bakutot vazhduan traditën e kumarxhinjve ashtu si “Yakuzat” traditën e prerjes së gishtit ku ka dhe origjinën. Fjala “Yakuza” vjen prej një loje letrash të quajtur hanafuda. Tre letrat që i binin në dorë kumraxhiut dhe formonin shumën 20, e kthenin atë në humbës. Një kombinim i tillë ishin dhe numrat “8-9-3” ose në gjuhën japoneze ya-ku-za, term i cili filloi të lëgjitimohej bashkë me prerjen e gishtit të bogël. Tatuazhi që mbanin mafiozët ishin një rreth i zi që rrethonte krahun rrathët e të cilët shtoheshin proporcionalisht me numrin e krimeve të kryera. Nga ana tjetër tatuazhi konsiderohej dhe si nje test force dhe durimi dhe vizatimet shkonin ndonjëherë dhe 100 orë.
VETËM BURRAT MAFIOZË
Yakuza është prezente në gjithë shoqërinë e burrave. Ata nuk pranojnë gra. E vetmja grua e dukshme në grup është gruaja e bosit, e quajtur ane-san. Ane-san do të thotë “motër e vjetër”. Gjithë anëtarët tregojnë për të, të njëjtin respekt si dhe bosit të tyre. Megithatë ajo nuk merr pjesë në biznes. Pozicioni i saj është vetëm e gruas së bosit, dhe jo një anëtare grupi. Mafia nuk pranon femra sepse besohet se femra në rrethana të përcaktuara të tradhëton dhe se nuk janë të lindura për të luftuar, por të bëhen nëna dhe të kujdesen për bashkëshortët dhe fëmijët.
KATËR FAMILJE TË MËDHA
Japonia numëron afërsisht më se 100.000 mafiozë të Yakuzas të organizuara 4 familje të mëdha të cilat ushtrojnë aktivitetin kriminal në gati 2500 grupe. Ata janë aktivë në Japoni, ShBA (Kaliforni dhe Haëai), Amerikën e Jugut, Europë, Filipine, Azinë Juglindore dhe Australi me një xhiro vjetore të llogariur në 1,500 miliard yen or 13 miliard dollarë. Në fillim të viteve 1960-70 Yakuza numëronte 180.000 anëtarë të organizuar në 5000 grupe. Katër janë organizatat më të mëdha mafioze në Japoni: Yamaguchi-Gumi me qendër në Kobe në Japoninë Perëndimore më 23,000 anëtarë dhe me një xhiro financiare vjetore mbi 460 milion dollarë, Matsuda Gumi me qendër në Osaka, Sumiyuchi- Gumi me qendër në Tokio me 7,000 anëtarë dhe Inagaëakai me 6,700 anëtare me qendër në Tokio. Mafia moderne ka kapon e saj me pozitat sundimtare të një perandori. Kur duan të kuptojnë karakterin e nje mafiozi të Yakuzas japoneze, agjentët e CIA i referohen gjithmonë Yoshio Kodama, një ish agjenti të tyre. Në vitin 1958 ai behet një agjent i paguar i CIA, duke e justifikuar si një kontribut ne luftën kundër komunizmit aziatik. Bos i mafies, person politik themelues i Partisë Liberal Demokratike që ka qeveresur Japoninë nga viti 1955 deri 1994 , i burgosur për mizoritë që kishte shkaktuar në Kinë gjatë luftës së dytë botërore. Lidhjet midis politikaneve dhe mafies janë të forta, sidomos kur afrojnë fushatat elektorale. Një nga revistat më të njohura, tepër e afërt me policinë thotë:“ Nuk mund të gjesh një politikan japonez që nuk ka njeh bosin e tij lokal të yakuzas”
VRASJET E MËDHA
Kumarxhinjtë dhe gangësterët filluan të merreshin me politikë, të kishin marrëdhenie me qeverinë, të futeshin në ushtri dhe polici, dhe të siguronin liri veprimi, që dukej se vinte nga ultranacionalizmi dhe roli militar i tyre duke filluar një terror të frikshëm. Të etur për pushtet ata ishin pjesmarrës aktivë në disa grushte shteti. Yakuza kishte dorë në vrasjen e 2 kryeministrave dhe 2 ministrave të financave ne vitet 1920 –1930 dhe filloi një rrit të pashëmbullt sulmesh kundër politikaneve dhe industrialistëve.
NGA SHPATAT TEK PISTOLETAT
Pas luftës së dytë botërore anëtarë të Yakuzas që dikur kishin punuar me qeverinë dhe kishin veshur uniformën ushtarake, përfunduan në burg per krimet që vazhdonin të bënin. Në vitet e pasluftës , Yakuza ishte bërë më e dhunshme. Shpatat ishin një pjesë e së kaluarës, dhe pistoletat ishin tani arma e re e zgjedhur. Qytetarë të thjeshtë ishin bërë anëtarë të bandave dhe jo kumarxhinjtë e dikurshëm. Paraqitja e tyre ndryshoi, duke patur ndikimin e gangsterëve amerikanë të filmave: syzedielli të zeza, veshje të errta , kollaro dhe këmisha të bardha. Midis viteve 1958 dhe 1963, numri i mafias japoneze u rrit thuajse 150 për qind , deri në 184.000 anëtarë, më shumë se ushtria kombëtare japoneze. Ishin 5200 banda që vepronin në tërë Japoninë. Bandat mafioze filluan të përgjakin teritoret që kontrollonin dhe një luftë e përhershme filloi midis tyre.
PRERJA E GISHTIT
Tek anëtarët e Yakuzas, gjëja më e rëndësishme është kurajoja. Në një betëjë , ju duhet të jeni gati të luftoni për vdekje, në rast r nuk jeni më i zoti se rivali. Anëtarët e Yakuzas vdesin vullentarisht për bosin e tyre. Mafia ka dënimin e tyre unik për dikë që gabon ose bën diçka që nuk përshtatet me kodin e tyre. Dënimi quhet “Yubizume” dhe parakupton aktin e prerjes së gishtit të vogël i cili pas prerjes i jepet gjykatësit të grupit. Ky dënim iu aplikua një stazhieri të grupit i cili ra në dashuri me vajzën e bosit, pa lejën e tij. Djaloshit i sollën një thikë dhe ai e preu gishtin e tij duke ia dhuruar bosit. Në mafien Yakuza, në se një anëtar burgoset për çfardo lloj arsye, ai fiton një prestigj të padiskutueshëm. Stazhieri i bashkohet grupit pas ai ka mbaruar shkollën e lartë. Ai nuk ka asnjë fuqi, ai trajtohet si një fëmijë. Vetëm kur ai mbush 20 vjeç, ai lejohet të punoj në barin e pronarit të grupit dhë më pas të zhvillojë aktivitetin kriminal.
ORGANIZATA YAMAGUCHI-GUMI
“Të punosh për Yakuzën është si të punosh bie fjala për kompanini Sony. Ju beheni pjesë e saj”, thotë Yukio Yamanouchi, këshllitar ligjor i kapos së organizatës.”Ju keni siguruar një lidhje financiare më të fortë se me kompanitë e sigurimeve”, vazhdon ai. Organizata është pagëzuar kështu nga Yamaguchi Harkuchi, që i dha emrin e tij organizatës në vitin 1915 në portin e qytetit Kobe. Simboli i tyre është një pishë në formë rombi që është e pranishme në cdo veshje dhe kuartieri gjeneral ishte instaluar në një ndërtesë të vendosur pak metra larg gjykatës së qytetit. Kazuo Taoka, (1913-1981) i mbiquajtur “Ariu” për shkak të brutalitetit të tij. Me cilësi të shkëlqyera organizative, që kishtë hyrë në këtë bandë qysh në moshën 14 vjeç dhe e përsosi atë. Me reputacion të padiskutueshëm sundoi në mbretërinë e mafias për 35 vjet. Ai e transformoi bandën e Yakuzas në një organizatë tëpër të fuqishme duke e krahasuar me shoqëritë tregetarë të perandorisë japoneze. U kishte shpëtuar shumë atentateve, duke përfshrë dhe atë të viti 1978 kur u plagos në qafë nga një anëtar i grupit tjetër mafioz Matsuda, në një betëje ku luftuan 200 vetë dhe pati 26 viktima. Gjatë ceremonisë mafioze të funeralit të varrimit të tij policia arrestoi në gjithë Japoninë 900 anëtarë. Krerët e mëse 200 bandave dhe mijëra gangsterë që mbanin portretet e tij, personalite ishin të pranishëm në varrimin e mbretit të tyre.
VRASJET MIDIS RIVALËVE
Një luftë totale filloi midis dy pasuesve pretendë për fronin e tij që formuan sejcili klanin e vet dhe duke filluar kështu lufta e grupeve rivale midis grupit Takenaka Masahisa dhe Yamahoto Hiroshi deri ne likuidimin e tyre, deri sa u gjet një pasues që të mbante të organizuar gjithë bandat. Pasusi i Taokas së vdekur, ishtë zvëndësi i tij Yakamen. Ai ishte në burg dhe u lirua gjatë vitit 1982. Gjatë mungesës së Yakamen, gjithkush ishte habitur përfshi dhe policinë, që organizata drejtohej nga gruaja e ish liederit Taoka, Fumiko. Anëtarsia e grupit numëronte 13,346 banditë të shpërndarë në 587 banda. Por Yakamen vritet dhe Ëatanabe bëhet lideri i ri. Askush nuk ka qënë kaq i fuqishëm në historinë e organizatës sa Ëatanabe.
ÇEZARI I MAFIES
Në prill të 1989 sindikata ka në krye kumichon e pestë, Yoshinori Watanabe ( lindur më 1941 në një familje fermere në prefekturën e Tochigit, në veri të Tokios) . Cezari i vogël u gradua “kumicho” (bos i bosave) duke drejtuar mbi 105 “oyabun” (bosa grupesh) të 750 bandave në gjithë Japoninë me një ushtri 22.000 banditësh. Yamaguchi-Gumi është sindikata kriminale më e fuqshme në Japoni e krijuar nga artizanët e punës së dorës, që kontrollon tregun e zi të punës të emigrantëve aziatikë. Financat e organizatës arrijnë deri 3 miliardë dollarë në vit. Duke iu referuar statistikave të policisë , yakuza mburrej se kishte rrekrutuar më shumë anëtarë se sa vetë policia ne 10 vitet e fundit. Ëatanabe kishte nën urdhëra e tij, më shumë njerëz se sa ishtë e gjithë mafia amerikane ne vitet 1950 dhe se kishte hapur akademinë policore të mafias.
INVESTIMET E MAFIAS
Sindikata mafioze Yamaguci-Gumi ka 103 bosë të rangjeve të ndryshme që zotërojnë më se 500 grupe bandash. Çdo bos mud të fitojë reth 1.300.000 dollarë në vit. Sindikata bën kontrabandën e narkotikëve, pastrim parash, hard pornografi e cila është e ndaluar me ligj në Japoni. Ndeshjet e bejzbollit, garat e kuajve janë sportet më të pëlqyera për investime nga mafia japoneze. Shumë spitale, shkolla angleze, salla argëtimi janë financuar nga Yakuza. Fujiëara Sakuva thotë se mafia financiare shkaktoi një nga goditjet më të mëdha në botën financiare japoneze, falimentimin të dy bankave nga më të mëdhatë e Japonisë: Banka Hokkaido Takushoku dhe Yamaichi Rcurities. 21 shoqëri sigurimesh u detyruan t’u paguajnë më se 1 miliard dollarë klienteve të tyre, pas spekulimeve të kryera nga mafia prej 59 subjkteve të kontraktuara me to. “Fajdet e kompanivë mafioze e kanë kthyer direkt apo indirekt mafien japoneze, mafien më të fuqishme në botë në aspektin financiar duke kontrolluar rreth 30 pqr qind të gjithë xhiros vjetore të një shume kolosale prej 800 miliard dollarësh”, vlerësojnë ekspertën financiarë që merren me krimin ekonomik.
MAFIA FINANCIARE
Yakuza merret me kontrabandë, prostitucion, bizner të paligjshme dhe gjoba. Shume nga paratë vijnë nga kontrabanda. Cdo grup ka dhomën e vet ku numëron paratë, shpesh pas një restoranti ose bari. Kontrabandistët janë njerzit më të zgjedhur të grupit. Ata mund të bëjnë miliona dollarë brenda një dite. Duke iu referuar Atsushi Mizoguchi, një autori mbi botën e krimit japonez, ushtria e mafies në global mund të fitojë rreth 9.3 miliard dollarë në vit, gjysma në kontrolli dhe trafikimi armëve tejet të sofistikuara dhe drogës, dhe të paktën çerekun e kësaj shume e thith nga tregëtia e seksit. Yakuza ka penetruar në sistemin bankar japonez prej shumë kohësh nëpërmjet transaksioneve të biznesëve ilegale duke patur njerzit e tyre deri në kuartierin e përgjithshëm të ministrisë së financave. Falsifkimet e parave, pirateria elektronike dhe informatike përbëjnë problemin më të madh në rrjetet tepër të kodifikuara të bankave. Presidenti i nje shoqërie softëaresh Liquid Audio Japan, Masafumi Okanda 32 vjeçar, u arrestua për organizmin e rrëmbimit të rivalit të tij dhe falsifikimin e shumë kartave të biznesit me të cilat ai “përpunonte” llogaritë nga kopmjuteri tij.
MAFIA EKONOMIKE
Mafia Yakuza përveç lidhjeve të forta me politikanët ka shtrirë tentakulat e saj mbytëse dhe në ekonominë japoneze. Mafia ka për fasadë qindra shoqëri të paligjshme apo organizita bamirëse. Shoqëri të mëdha, pas së cilës ajo fshihet. “Mitsuhama Computer Technologies” (MCT) është fasada kryesore e saj. Por dhe korporata të tjera si “Yamatetsu Corporation Shiaëasë, dhe sidomos “Renraku Computer System” (RCS) numërojnë midis aksionerëve kryesorë apo drejtuesve ekzekutivë një numur të konsiderueshëm kriminelësh të “Yakuza”. Secili nga kriminelët aksionerë përfaqësojnë klanin e tyre dhe influenca e tyre është direkte dhe decizive në korporata, duke mbrojtur interesat e tyre financiare. Grupi Yamaguci-Gumi shtrin veprimtarinë në 36 prefektura nga 47 që ka Japonia, kontrollon mbi 2500 biznese, kazino të sofistikuara dhe banka. Fenomeni i spekulimeve mbulon një spektër të gjërë në tregun e bursës. Fitimet e sindikatës janë rreth 460 milion dollarë në vit. Stili i manaxhimit të tyre nuk ndryshon aspak nga trustet botërore, bie fjala nga General Motors. 77 grupe mafioze janë regjistruar si organizata biznesi apo fetare.
PROSTITUCIONI PART-TIME
Prostitucioni po jeton nje lulëzim të plotë , dhe ka një rritje të ndjeshme në Tokio dhe qytetet e tjerë të mëdhenj japonezë. Prostitucioni nuk njeh moshfillimi të vajzave por preferohen vajza me shkollë, pavarësisht se është kundër ligjit. Vajzat e “ditura” mund të fitojnë më shumë se cdo punë tjetër par-time. Janë disa rrugë për të përfituar nga ky bisnes, por më popullori është ‘ klubi i miqve” . Disa grupe bëjnë më teper se 1 miljon dollar në muaj nga ky bisnes. “Klubi i miqve” është një klub meshkujsh, me nje taksë anëtarësimi të paktën 1000 dollarëshe për t’u anëtarësuar. Shumë nga klientët janë njerëz të pasur të moshuar, si doktorë, gjykatës dhe presidentë kompanish. Anëtarët e klubit shohin fotot e vajzave dhe pas aktit ata paguajnë një “dhuratë” prej 200 dollarësh e deri 1000 dollarë për natë.
TRAFIKU I ARMËVE
Shumë nga paratë që mafia fiton shpenzohen për blerjen e armëve.Cdo grup zotëron teritorin e tij. Kur ata luftojnë, çdo grup, përpiqet të vrasë bosin e grupit tjetër, sepse një grup pa komandant është i dobët dhe i demoralizuar. Për gjithë anëtarët bosi është vetë zoti. Kur një grup humbet bosin, humbet dhe territorin e tij. Prej ketyre lloj betejash, grupi Yamaguchi-Gumi u bë grupi më i madh mafioz në Japoni. Krahasoni. Para 50 vjetësh ky grup kishte vetëm 8 anëtarë. Sot numri është mbi 10.000 kriminelë. Është shumë e vështirë për një bos të kontrolljë këtë ushtri kaq të madhe banditësh dhe vjedhësish, në se nuk je njeri i fuqishëm dhe ekstra i përgatitur.
MAFIA JAPONEZE NË AMERIKË
Mafia japoneze, ka ekzistuar në Amerikë prej shumë kohësh, edhe kur ‘Yakuza” ka qënë tepër e dobët. Por agresiviteti i mafias Yakuza filloi në vitet 1980, me konkurencën e ashpër për shkak të modernizimit të ekonomisë botërore. Privilegjet e dikurshme që gëzonte industria japoneze në tregun botëror, ku aksionerë potencialë të mafies kishin investuar male me para, dukej se rezikoheshin të humbisnin vlerën, përballë familjeve të ndryshme mafioze që vinin nga kombe të tjerë. Një luftë klanesh rivalizuese që po i ngjante shpërthimit të një zinxhiri fishekzjarresh po bëhej prezente në Amerikë. Mafia që po vinte nga lindja, sidomos mafia ruse ishte një problem serioz në kontrollin e disa tregjeve të zeza. Në Amerikën e Veriut, influenca “Yakuza” është tepër nuancuar: tepër aktive ne Kaliforni, e dobët në Ëashington. Duhen cituar disa emra të rëndësishëm të “Yakuzave” në këtë rajon: Matsakeru Hatada në Ëashington DC, Kaneda Kinube dhe Ëatanabe Hirozuke në Neë York dhe Manhatan. Të tre këta hyjnë në aksionerët kryesorë në NeëMan Management Systemes. Yakuza ka investuar miliarda dollarë jo vetëm në Amerikë, por dhe në Europë. Të paktën llogariten në 10.2 trilion dollarë të investuar.
E ARDHMJA E YAKUZAS
Në vitin 1991 parlamenti japonez miratoi një ligj “anti-yakuza” duke filluar seriozisht eliminin e saj. Preteksti ishte beteja e përgjakshme e vitit 1980 dhe presionet nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kishin filluar të ndjenin konkretisht efektin e konkurencës së mafiozëve industrialë japonezë. Me lindjen e nje grupi anti-Yakuza, e ardhmja e mafies japoneze duket e zezë, të paktën në Japoni. Krimet serioze kanë zbritur deri në 70 përqind të krahasuar me lulëzimin e tyre dhe arrestimi i krimineleve është rritur në 60 për qind. Vetëm në vitin 1999 policia japoneze leshoi 2000 mandate arresti, dhe për herë të parë ajo mbylli shume nga “zyrat” e Yakuzas, duke përfshirë dhe “anekse të kryezyrës “ në Tokio pas vrasjes të njërit nga bosat e Yamaguchi Gumi. Para disa kohësh, një turist japonez me pashaportë të rregullt u ndalua në zyrën e kontrollit të Emigracionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Frankfurtit. Ai nuk kishte bërë asgjë të gabuar apo të kishte me vete drogë. Çështja ishte tepër e thjeshtë. Atij i mungonte gishti i vogël i dorës së majtë. Ishte një ish anëtar i “Yakuza”, mafies japoneze.
***
BOTUAR NË GAZETËN “ALBANIA” (DHJETOR 2000)

LETËR – KËMBIM MUSTAFA KRUJA – KARL GURAKUQI: “Po a edhe mâ mirë se Fishta po dashke me e dijtun ti shqipen?!”

 

Palermë, 10 príll 1958

 

Fort i dashuni Mustafë,

Mbas njij sëmundjeje, qi po i thonë azjatike, e cila për nji muej të mirë më shtrëngoi të rrîjë në shtrat, mâ së fundi m’u bâ mbarë të rifilloj punët e mija të përditëshme e të rregulloj korrespondencën me miqt e dashamirët, e cila më ká ngelë shum mbrapa. Edhè ti do t’a keshë marrë me mend se dishka nuk ká qënë në rregull me mue, mbasi do të jeshë habitë tue mos pá ndonji shkrim t’emin në “Shêjzat”. Pata nisë me shkrue nji artikull në rasën e pesëdhetëvjetorit të botimit të fjalorit të Shoqnís “Bashkimi”, qi u mbush në kallëndorin e kaluem; m’u desh me e lânë për gjysëm nga shkaku i sëmundjes. Me gjithë këtë, thom se nuk âsht endè vonë, prandej mendoj t’a shkarravis për numrin qi vjen.

Jam shum i detyruem kundrejt teje. Kam këtu përpara në tryezë dý letrat e tua shum të dashuna qi kërkojnë përgjegje. Më bâhet se të kam këtu e me fytyrë të vrântë më qorton me fjalë t’ashpra qi të kam lânë shurdhë. Të falem nderës, morè Mustafë i mirë, për shprehjet e tua plot máll e dashuní për mue. Më thue se ndoshta âsht deka e Hiqmet Delvinës, moshatarit t’ând, qi të ká përmallue e të ká shtŷ me më shkrue mue, mikut t’ând të largët, pá pritë përgjegjen e letrës së përparshme. Nuk ké pse trembesh, or mik i shtrêjtë; ti ké nji konstitucjon të hekurt, jé malcuer me kokca të shëndoshta, jeta e jote ká qênë gjithmonë e rregullshme, e përkurmë, pá veset e rinís së sotme, qi të çojnë në vorr përpara kohe; nuk jé ti prej atyne, qi Fishta u thotë se “jeni plakë prej vesit para motit”. Përpara disá ditësh më pat shkrue Hamdi Oruçi, se kúr të paska pá atje n’Amerikë, i paskesh bâ përshtypjen e nji burri jo mâ shum se pesëdhetëvjeçar. Këtë gjâ m’a kanë vërtetue edhe të tjerë miq qi kanë pasë rasën me të pá. Edhè fotografija e botueme në “Shêjzat” të jep nji moshë shum mâ të ré se atë qi ké. Na, miqt e tú, qi t’a duem të mirën, dhe unë mâ i pari në krye të të gjithvet, urojmë të keshë nji jetë shum të gjatë e me të mira; kemi nevojë për tý, pse na ké zbardhë e na zbardhë faqen me ndershmenín qi të ká dallue gjith herë e në  çdo rasë, me punën t’ânde të pareshtun në dobí të popullit, me jetën t’ânde të panjollë e me shkrimet e tua të matuna, të studjueme e me kompetencë, qi kanë nji jeh në qarqet letrare e do të lânë një vrragë të dukshme në letërsín t’onë, e cila, mjerisht, në këto kohët e fundit, ká marrë teposhten. “Kopf hoch” – thonë Gjermanët -; “Sursum corda!” – Latinët; lëni prá mendimet e jetës së përtejshme. Ti na u bâfsh njiqind vjeç!

Po, në pjesën e mbrâme t′ “Anzavet të Parnasit” mungojnë 6 vargje, të kalueme me pika. Âsht e vërtetë, sikurse thue ti, se unë nuk e kam botimin e parë, ku këta rreshta nuk mungojnë, por disì i mbáj mend e po përpiqem me i kujtue; prá: mbas vargut 18 (faqe 62 të kopjes s’eme) qi thotë “me e mrrudhë edhè pak dorën”, më duket se vijonte kështu: “E nuk e desht mâ ngjat kunorën”; jo s’e mbakam mend, prandej t’a lâmë; do të përpiqem me e gjetë botimin e parë. – Jo, nuk gënjehesh, edhe botimi i parë i “Lahutës”, mun në kângën e Oso Kukës, ká nji varg të zâvendsuem me pika mbas atij “Qyshse erdh pasha turçelí”; vargun qi vijon nuk e kujtoj fjalë për fjalë, por e dij me sigurí se ishte fjala për priftin lëtí, në mos gabohem kështu tingllonte: “qyshse erdh prifti lëtí”. Nuk jam i sigurtë, prandej mos i merr fjalët e mija si dogëm.

Po i përgjegji letrës s’ate të ditës 31 kallënduer pikë për pikë: Kam mbetë shum i kënaqun dhe i gëzuem për artikullin qi Ernesti shkroi në rasën e shtatëdhetëvjetorit t’ând; sikurse tý, edhe mue më ká pëlqye shum. Ti meriton shum mâ tepër; për tý mund të shkruhej nji libër, pse nuk ká pasë lëvizje kombtare e kulturore prej vjetit 1912, edhe përpara, ku ti mos të keshë marrë pjesë aktive. Madjè më vjen keq qi ti nuk i shkruen kujtimet e tua, qi do të kishin një rândësí kryesore për historín e vërtetë të kohvet t’ona. Nuk e dij arsyen pse nuk e shkrove historín e pamvarsís shqiptare, si m’a pate çekë nji herë. E prá e kam pasë pritë me padurim. Por anì, ká kohë edhe për ketë punë. Don Zoti e vijon botimi i “Shêjzavet” e atëherë do të kemi rasë me e vijue prodhimin t’onë e me dhânë ndihmesën t’onë të vogël në ndërtimin e letërsís së mërgatës. Shyqyr Zotit, dishka âsht tue u bâ në ket drejtim: o botue në London “Historija e Shqipnís” prej Tajar Zavalanit (a të ká rá në dorë e si t’âsht dukë?); âsht në botim edhe ribotimi i “Lahutës” me spjegime e komentime, e, sikurse më kanë shkrue nga Roma, do të dalë në këto ditë. Át Gjeçaj, qi e ká marrë përsipër kujdesin e ribotimit âsht i zoti, por, mbasi âsht i rí, kam frigë se mos del i mangët. Po thonë se do të ribotojnë edhe “Bagëtí e Bujqësí”; më kanë thânë se edhe Namik Resuli ká vû në shtyp “Buzukun” me komentime e me transkriptim; ndër këto ditë shpresoj t’a jap për botim gramatikën t’eme të shqipes, qi rrokë mësimet e mija të dhânuna tash sá vjetë n’universitetetin e këtushëm; ti botove “Abetarin e të Mërguemit” e me këtë dhé shembullin e mirë. Si shifet, dishka âsht tue u bâ. T’ishte bashkimi ndërmjet nesh, do të bâhej edhe mâ shum, por “ka qitë dreqi pushkë mbí né mos m’u bâ dy vetë në nji fjalë” (Fishta). Kam këtu pranë nji kushrî t’emin, Çesk Ashtën, edhe ky profug si na, e po më thotë se po të kishte qênë Mustafa Kruja këtu n’Italí, ndoshta ndamja dhe përçamja e sotme ndërmjet Shqiptarvet t’ikun do të zhdukej, pse Mustafa, si njerí i ndershëm dhe me auktoritet, do të kishte mujtë me i vû nji pritë dasís s’onë.

Po më pyetë se kush Buena më ká shtŷ me shkrue artikullin me rasën e 28 nândorit. Unë s’e kishem pjekë aspak mendimin, as nuk e kishem vû at uj në zjarm, por m’a gërmuen qi të shkruejshem ndonji send në përkatsí me atë datë, dhe unë, tue mos dijtë tjetër, më ranë në mend disá shkrime të botueme në “Hyllin” mbí ketë çâshtje, të cilat i vûna në letër ashtu si m’erdhën e m’u kujtuen, mbasi aso kohe gjindeshem edhe unë në Rubik, qi ishte bâ qendra e kryengritjes e ku vijshin e shkojshin njerz e lajme të ndryshme.

Të vîjmë tashti te letra e jote e ditës 24 nânduer të vjetit të kaluem (mbas katër muejsh):

Prá “Shêjzat” po vijojnë, por, besa, në pikëpamje gjuhësore, sikurse thue edhe ti, po e shkjepon mjaft; gabime orthografije, gramatike, mënyrë të thânuni të marruna nga gjuhë të hueja, provincjalizma, etj. Nuk m’u prit, dhe tash nji javë i shkrova nji letër shum të gjatë Ernestit, tue i rreshtue disá nga gabimet qi bijnë mâ tepër në sý. Shpresoj se nuk do të m’a ketë marrë për të keq! Unë, në disá rasa, jam krejt si tij; kishin me thânë Italjanët pignolo; a shef ti njiherë, se më vrasin sýt disá gabime trashanike gramatikore! Duhet për né nji diktaturë edhe në çâshtje gjuhësore. Po më bjen në mend, se në vjetin 1916, kúr për të parën herë u mblodh, ase mâ mirë me thânë, u krijue “Komisija Letrare” misat e saj patën rrahë për gjashtë muej rresht çâshtjen e gjuhës së përbashkët, e, tue mos mujtë me rá në godi, Komanda Ushtarake austriake dha urdhën të prém të pranohej djalekti i Shqipnís së mesme. Kështu i don mushka drût. Po më thotë Gilberti, se vetëm Mustafa âsht i vetmi qi gëzon simpatí e nderim, jo vetëm në breznín e vjetër, por edhe në rinín e sotme, e jo vetëm në pikëpamje politike, por edhe n’atë gjuhësore. Tue lexue letrat e tua, i âsht mbushë mendja se ti e din shqipen me râjë e themel. Ká plotsisht të drejtë! Sillu e pështillu, vetëm ti jé koherent në shkrimin e gjuhës.

Nuk më thue kurrgjâ për tfillimin qi i dhashë emnit “Shêjzat”. A të ká pëlqye, apor nuk t’âsht mbushë mendja për atê që shkrova? Unë kam lânë në Shqipní çdogjâ qi pata, por desh Zoti e mora me vete shenimet e mija gjuhësore; mjerisht jo të gjitha! Këto sot po më vlejnë mjaft. Në themel të këtyne spjegova dhe tfillova fjalën “Shêjza”. Por ti nuk po më thue kurrgjâ! Në themel të këtyne kam përpilue nji fjaluer të madh (30.000 skeda) shqip-italisht; e kam sosë dhe pres qi të dalë nji shpírt fisnik e bujár qi t’a botojë; át Valentini m’âsht zotue se do të gjëjë mënyrën e botimit të tij, ashtu edhe Ernesti më ká dhânë fjalën se do të bâjë çmos e nuk do t’a lâjë pá e botue. Kështu, morè Mustafë i em, përpara se të vdes due me lânë nji trashigim shpirtnuer, mbasi lândori nuk âsht puna e eme, pse s’ká se shka më han miu mbas darke! – Po ti, a ké gjâ për t’u lânë breznive t’ardhëshme? Sigurisht se po!

Ndër këto ditë do të vijoj kopimin e “Anzavet të Parnasit” prej faqes 75 e përtej, por mos u mërzit, pse nuk të harroj, vetëm se kam shumë punë nepër dorë e nuk më del koha. Ketë javë më vjen edhe vëllau i grues s’eme në Palermë bashkë me të shoqen dhe ká me m’u dashë me i pritë e me i qitë ashtu simbas zakonit shqiptár, me i gostitë e me i qitë, me i përcjellë e me u bâ ndêjën e këtushme t’ândëshme e të pëlqyeshme.

Po mbaroj. Të gjith të mijt të falen shum me shëndet e t’urojnë të gjitha të mirat. Unë të përqafoj me máll e me dashuní tue shpresue se nuk do të më lâjsh me pritë sikurse bâna unë me tý. I yti

Karli

 

Niagara Falls, 22 máj 1958

 

Fort i dashuni Karl,

Më ke shkruem me 10 prill e qe ke erdh dita me t’u përgjegjun. Nuk âsht aqë vonë, apo jo. Për tý pata qênë bâmë marak përnjimênd. Ajo asjatikë e keqe, qi na u bâ si dikur spanjollja, të paska munduem tepër, e faleminderës Zotit qi qënka mërzitun e të paska lânë vetëm me gjint e tu; se besa edhe nji mik i dashun me ardhun e me t’u shtruem në shtëpí për nji muej dit s’lên pa të mërzitun!

Shpresoj se do t’a keshë kryem e tash po e këndoj edhe un kremtimin e 50 vjetorit të Bashkimit te Shêjzat. Mos baj kujdes asnji fije, se kremtimi gjysshekulluer mund të bâhet gjatë krejt vjetës. Shêjzat mars- prill un s’i kam marrë ende.

Jam tue ndjekun me sŷ letrën t’ânde e po shoh se e paske ndiem veten “shum të detyruem” përse të paskam shkruem dý letra pa e pasë marrë përgjegjen e së parës. Paj, more Karl, qe për këtë besë e për miqsinë qi kemi sikur të të kisha ngjat e të kisha sesi s’kisha lânë as javën me kaluem pa ardhun me i thyem do kopalla me tý, e pa menduem aspak nëse ti kishe ardhun e jo tek un javën parandej. Të due fort, më merr malli e kam kujdes për shëndeten t’ânde: qe pse të shkruej, edhe në mos më shtŷftë kurrfarë shkaku tjetër. Ti bân keq me mos më shkruem gjatë veçë pse më shtie në kujdes e jo për tjetër. Ti për mue, Karl, ke pasun kurdoherë fjalët mâ të dashunat e mâ të sinqertat. Javën e dytë të prillit ka qënë këtu ke na Hamdi Kërçiku edhe kemi kuvêndun aqë shumë për tý qi si me na e pasë ndiem zêmra se ke qênë sëmunë. Më kallxoi Hamdiu se si paske qënë ti shkaktari kryesuer me e bâmë të mundshëm udhëtimin e tij për Vjenë e se pa tý paska qênë tue sharruem me mbetun në Tiranë në dorë të komunistavet.

Due me të siguruem se kur qëllon me i folë ndonji të dashuni për dekën t’eme, i flas si për gjânë mâ të natyrshmen, aqë të natyrshme sa âsht vetë kjo e bekueme e pa as mâ të voglën mbresë të jashtazakonshme. Së paku kështu më bâhet mue. Kur e lyp nevoja, s’duhet të na vijë çudë e keq qi të flasë edhe nji i ri për tê, jo se mâ shoq’i im. Nuk di me ç’rasë të paskësha folë tý për tê, por po të m’a detë puna kam me të folë prap e ti mos m’a merr për keq.

Un e kam pasë ndëgjuem prej mâ se nji persone, tue vëzhguem për vargun e shënuem me pika në Lahutën e Malcisë mbas “Qyshse erdh pasha turçeli” se në dorshkrimin e Auktorit ka qënë “Edhe ipeshkvi jabanxhi”. Mirpo këtê s’dij se për ç’arsye ia paskam pasë shkruem në nji letër prej këndej P. Paulin Margjokës në Graz, i cilli nuk po dashka kurrsesi me besuem qi nji P. Gjergj Fishtë françeskan të mundet me pasë shkruem e menduem nji gjâ t’atillë! Duket – e âsht edhe e natyrshme më thotë mue mêndja – qi P. Paulini s’e ka njohun sa ti e un Fishtën nga kjo pikpamje. Por iu përgjegja se kjo punë s’ka fé rândsije për me e bâmë nji problemë.

S’e kam studjuem librin e Zavalanit “Histori e Shqipnis”. Por i kam hjedhun nji sŷ e m’u duk nj’ashtu sikur mund të pritej prej pêndës së tij. Besoj se kam për t’ia bâmë vetë recensjonin – kështu nemose më ka shkruem Ernesti – e në qoftë se do të mundem tash ke për të mundun me gjykuem edhe ti. Të shohim. Ka shênje të dukshme qi volumi i dytë nuk do të meritojë as emnin “historí”: vroj se si ka mundun të gjêjë –mâ drejt me thânë të krijojë – nji rasë për me i dhânë popullit shqiptar si “champion” patrijoti personën e Midëhat Frashërit!

Lahutën e ribotueme jam tue e pritun me kënaqsí të madhe. S’ka gjâ edhe në daltë me mungesa, se edhe këtyne u vjen dita e ndreqen. Shumë punë e mirë edhe Buzuku i Resulit, në mos qoftë nji rrênë e Edvard Liços qi e ka shpallë këtu në fletoren “Albanian-American”. Kjo gazetë ka shkruem madje se âsht tue u botuem me shpenzimet e Selisë së Shêjtë. Qi Resuli ka pasë punuem n’atë vepër e dij un ka sa e sa vjet. Qofshin mallkuem interesat e egoizmat personale, se besa Resuli âsht nji element i vjefshëm për gjuhësí. E quej nji sihariq botimin e gramatikës s’ate e uroj me gjithë zêmër e me gjithë shpirt edhe botimin e fjalorit.

Kur shtrëngohem me u kallzuem Shqiptare të rij edhe të kaluemen e zezë qi ata s’kanë mbërrîmë me e pamë me sŷt’e vet, më dhêmb zëmra. Por mbasi po dijnë s’po shohin vetë, le të dijnë edhe ça s’kanë pamë. Thueji pra Çesk Ashtës qi paska nji besim aqë të madh në mue se jo un, por edhe vetë Skënderbegu t’u ngjallte e të rrekej me i bashkuem Shqiptarët, dmth., ne të mallkuemit, nuk do t’ia kishte mbërrîmë qëllimit. Edhe atëherë e kur ai po bânte ça na kallzon historija, a nuk e tradhëtoi e nuk desh me e vramë Dukagjini?

O Karl, a gjindet aty në Palermo ndonji kolekcjon rivistet shqiptare. Veçanë m’intereson Shkëndija.

Në lidhje me shqipen e Shêjzavet, e keqja mâ e madhja qi ti e un mund t’ia thomi shoshoqit e, si paske bâmë ti, edhe vetë Ernestit, âsht njëky fakt, qi miku i ynë âsht i bindun se gjuha letrare, fjalori, gramatika, syntaksa, stylistika et.et. të saj janë njato qi dalin prej pêndës s’artistit! Prandej nuk bân pare për tê ça thotë gjuhëtari. E kemi pasë rrahun nji herë këtë problemë në Venedik, qyshë kur ai studjonte në Padova. A sheh sa i mbaj mênd do gjâna! Kam ngulë kâmbë fort, për shêmbull, mbi shkrimin e drejtë të verbit di(j)t– e derivate, me prova e argumentime shkencore në dorë, për me ia mbushun mênden Ernestit tërthorazi se diejt-, me dyzânuer, âsht gabim. Qi të gabojë nji kushdo, Karl, s’ka rândsí; se kushdonë nuk e ndjek kushdo; por Ernestin e ndjek shumkush për artin e tij. Fillestarët e pêndës, të rijtë po zâmë, s’janë në gjêndje me kuptuem se në gjuhë arti âsht tjetër e shkenca tjetër. Sa herë më ka ramë me ndëgjuem gjind qi sillshin për shêmbull orthografije vjershat e Fishtës edhe… me të thânë: “Po a edhe mâ mirë se Fishta po dashke me e dijtun ti shqipen?!”

Po këndoj tash në letrën t’ânde fjalët aqë dashamire qi paska thânë për mue. I falem nderës e e ruejttë Zoti për mendimin e mirë ndaj meje. Gabojmë shpesh, thueji, edhe yt’atë e un; por kemi gjithë vullnetin e mirë me i ndrequn gabimet porsa t’i kuptojmë e të na e mbushë mênden nji tjetër.

Ti po më pyet se ç’kam sajuem me u lânë për trashigim brezave t’ardhëshëm. Due me të lajmuem pak si gjân’e gjatë mbi këtë themë nji herë tjetër, mbasi kjo letër u mbush me tjera sende.

Ke po më flet, në mbarim të letrës, për vizitën e kunatit t’ând me të shoqen, po më kënaqet shpirti qi po i shihni edhe qi po ju shohin tash shumë mâ ndryshe se kanë mûjtun me ju pamë n’Austrí në ’44.

Âsht mbrâme. Prandej kam këtu edhe Bashkimin e Angjelinën. Ju falen me shëndet bashkë me mue të gjithëve sa jeni në familje, e posaçe un po të marr ngrykë sikur t’ishe Kiazimi.

Mustafa

VIRUSI PYET PO KET A E DINI “KU VEHET YLLI KUQ”?! – Nga Fritz RADOVANI

YLLI  E  KA  VENDIN  PAK  MA  POSHTë !

Ndoshta, një pakujdesi e vogel…

Një pullë e zberthyeme ka ndollë që të ban horr! Prandej duhet kujdes!

Dikur burrat vishnin brakesha dhe problemi ishte i zgjidhun!

Edhe xhamadani e kryente detyren e vet… Gjithshka merthehej…

Sot qeveritarët nuk mund të rikthehen prap tek brakeshat… Pjesa ma e madhe e qeveritarëve pullat i kanë zevendsue me patenta… Bukur! Po, ka ngja që prej ngutit.., edhe kanë harrue me e merthye patenten…

Ngarkesa me shumë probleme urgjente sjellë pakujdesi per gjana t’vogla.

Edhe shokut Ever, i ka ngja nder kongrese të partisë, me harrue pullat e “dyqanit” pa i merthye, po vigjilenca e Nexhmijes e nxirrte nga situata…

Po, a ja mbante kujt me i thanë atij “merthe pullat”! Ai e kishte në maje të gjuhës hazer xhevapin: “Ate e di partia!”… Atij i dukej edhe vigjilencë!

Mbas sa vjetësh, si vjen puna… Me persëritë edhe sjelljet e tij…

Kryeministrit Rama i ka dalë “ylli i rilindjes”këto ditë..,krejt papritmas!!

Fati i tij me kenë me ministrin grek, e ai mos me u kujtue fare… Ndoshta, kjo ka ngja dhe me personalitete europjane, po nuk e kanë kapë kamerat, tue mos dashtë me i tregue atyne popujve se, “ku vehet ylli në rilindje”!

Koha gjithnjë ban punen e vet… Nga balli i partizanve të luftës, zbriti në gjoks e tash prej gjoksit… Dikujt në bark e, dikujt ma poshtë… “Rilindja” i ka këto…Si duket ky asht ai vendi që ka ylli kuq me pesë cepa në histori!

Po mos t’ ishte ylli i kuq në vendin e vet, a do të rrinte presidenti apo ai kritari i Kuvendit Popullor me gojë mbyllë? E “partia” a rrin e shef séri tek ai.., tue shetitë ylli neper trupin e kryeministrit, deri tek maska, që në fakt: “Shqiptarët, duhet të ruhen ma shumë nga ylli i kuq se nga virusi!”

Krahasoni sa ka vra ylli i kuq nga 1942, dhe sa po mbytë virusi në vit?!”

E keqja ma e madhe e harresës asht ripersëritja ose “rilindja”…

            Melbourne, 24 Tetor 2020.                 

Zhapokikë 1948/ Kryengritja e fshatarit të lirë shqiptar Nga Sadik Bejko

Kryengritja e Zhapokikës është një fakt historik, një ngjarje tragjike, heroike, e ndritur dhe e përzishme. Burrat e fshatrave Zhapokikë, Luftinjë dhe Kamçisht në vjeshtën e vitit 1948 u ngritën me armë në dorë për të mbrojtur liritë e të drejtat e tyre zakonore dhe pronësore, për të mbrojtur pavarësinë legjendare të malësorit shqiptar nga shteti, pavarësi, të cilën fshatari i lirë shqiptar, i mbrojtur nga normat e ngurtësuara zakonore, e ka gëzuar edhe nën pushtimet e çdo kohe, edhe gjatë mbretërisë në vitet ’30 të shekullit që shkoi, e ka gëzuar në shekuj.
Për këtë lloj lirie burrat e kësaj krahine luftuan me armë dhe u vranë në përplasje të pabarabarta në numër dhe në armatim me forcat qeveritare. Ata që mbetën gjallë nga betejat, u pushkatuan dhe u burgosën. Në hetuesi dhe në gjyq me kokën lart ata pohuan se “ne u ngritëm si ushtarë”, “ishim ushtarë në luftën për demokraci”.
Më lejoni që të shtjelloj atë që mendoj se nënkupton termi fshatar i lirë shqiptar. Pjetro Kuaroni, diplomat italian në Shqipëri në vitet ’30, në librin “Valixhja diplomatike”, shkruan se, siç i kishte njohur ai, fshatarët, malësorët shqiptarë mund të ishin burrat e fundit me të vërtetë të lirë në Evropën plakë. Dhe shton se marksizmi nuk mund të tolerojë asnjë mbijetesë të kohëve të kaluara. Fan Noli këtë fshatar me kalin, me pronën (pak tokë, ca bagëti), me pushkën, me jetën e vet asketike brenda normave zakonore e ka cilësuar më bej sesa beu. Ky fshatar ka bërë kryengritjet e Tanzimatit, luftërat për Pavarësi, Luftën e Vlorës, Luftën Antifashiste, ka bërë të gjitha luftërat në historinë shqiptare. Luftën gati e ka pasur profesion. Ka luftuar si nizam, ka luftuar si ushtar me pagesë. Ky fshatar sot nuk ekziston. Pas 1944-ës krenarisë dhe pavarësisë së trashëguar me një copë tokë dhe me një pushkë krahut do t’i vinte fundi. Prona e vogël, kanunet, pushka, krenaria e ashpër e varfërisë duhet të zhdukeshin. Burrat e kësaj zone këtë humbje nuk e honepsnin dot. Në thellësitë e viteve ata gjithmonë e kishin larë me gjak çdo cenim në pronë, në nder, në jetesën familjare. Nuk mund të bëheshin lodra në duart e shtetit. Kryengritja e Zhapokikës ishte grahma e fundit e kësaj lirie që dha shpirt njëherë e përgjithmonë.
Cilat qenë rrethanat dhe a pati ndonjë ngjarje të veçantë që i dha shkëndijën e zjarrit kësaj kryengritjeje? Shkrimtari i policisë së diktaturës, Themi Bare, në librin “Komplote, provokacione, dështime”, Tiranë 1976, shkruan se Kryengritja e Zhapokikës nuk ishte e nxitur nga jashtë, nuk ishte kryengritje e të quajturve kriminelë të luftës, të mbetur ende nëpër male. Nga lindi dhe si lindi atëherë? Lindi nga brenda kësaj bashkësie, nga njerëz që diktatin e “jetës së re” në katër vjet e kishin duruar me shpirt ndër dhembë. Raportet e diplomatëve thonë se pas katër vjetësh nën diktaturë Shqipëria ndiente nevojë të mprehtë për ushqime dhe veshmbathje. Ishin vite të zisë së bukës. Në parti pas ndëshkimit të Koçi Xoxes kishte një ndarje në titistë dhe stalinistë. Raportet e diplomatëve japin pasqyrën e një gjendjeje të pakënaqësisë dhe të revoltës në tentativë në gjithë Shqipërinë. Edhe nga dosja hetimore e kësaj ngjarjeje del se dy të tretat e njerëzve në zonë ishin të pakënaqur.
Më 1948 zona tronditet e rrëqethet nga arbitrariteti, nga dhuna. Vriten me pushkatim disa prej njerëzve më me emër të kësaj krahinë. Duke vrarë më të mirët, diktatura kërkonte t’u ulte kokat gjithë të tjerëve. Pushkatohet Zenel Shehu, ish-komisar batalioni, Veiz Vasjari, agronom, i studiuar në Francë, bej dhe nacionalist, pushkatohet babai bektashi Shevqet Mahmutaj, pushkatohet atë Gjergj Suli, prifti i fshatit Lekël dhe Baba Ali Tomori, autor i gjashtë librave me ese, prozë, poezi. Katër nga këta u pushkatuan në Gjirokastër të lidhur duar më duar, në një ditë, në datën 14 janar 1948. U përzie gjaku i komisarit me të beut nacionalist, gjaku i klerikut bektashi me atë të priftit ortodoks. Vetëm diktatura mund t’i bëjë bashkë dhe njësh si armiq të saj njerëz kaq të ndryshëm.
Këto ishin kushtet në verën e vjeshtën e vitit 1948. Prapë mendoj se motivet bazë të rrëmbimit të armëve duhen kërkuar vetëm brenda jetesës së bashkësisë, duhen kërkuar në padrejtësitë që po ua bënë jetën të padurueshme këtyre banorëve. Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, ish partizan, me arsim fillor, i martuar me dy fëmijë, i ri 30-vjeçar. Në Levan, major Sulo Zaimi, ish-oficer i ushtrisë së mbretërisë, punonte në fshehtësi, nxiste e frymëzonte të tjerët duke qëndruar vetë në plan të dytë. Xhemali pas dy-tre muajsh, nëpërmjet mbledhjesh të fshehta, nga korriku në shtator, siguroi njerëzit, armatimin dhe komandën e asaj që u quajt çeta Baba Shevqet, për nder të klerikut të pushkatuar më 14 janar 1948. Të 20 e ca burrat që morën armët, ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë. Veç njërit, të tjerët nuk ishin dënuar asnjëherë nga gjykatat. Në përbërje të çetës kishte ushtarë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës, nëpunës të administratës lokale. Xhemali i dha çetës organizimin ushtarak. Flamuri i çetës u bë flamuri shqiptar me shqiponjën pa yll. Të gjithë bënë betimin sipas kodit zakonor. Kënga e çetës ishte Kënga e Baba Tomorit. Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vijë në fuqi një qeveri demokratike. U zgjodh shtabi i komandës. Komandant u zgjodh ish-xhandari 59 vjeçar, Bajram Kamberi. Ky lloj orgaizimi luftarak (çeta, flamuri, betimi, arma, komanda, shtabi, detyra) këtyre burrave u pëlqeu. E vlerësuan seriozisht. Tani ata ndjeheshin të shndërruar në ushtarë, ushtarë të luftës për demokraci. Dhe kësaj i qëndruan deri në fundin e tyre. Ja dhe disa nga vargjet e këngës së Baba Tomorit: “ Ejani o popull, mblidhuni me ne./ O baba Tomori lësho një rrufe./ Armët ne i kemi fshehur nën dhe./ Do të bëjmë luftë flakë e batare/ si luftoi me pallë trimi Skënderbe”. Këtë këngë mendohet se e ka bërë baba Shevqeti. Shënojmë se zona ku u bë kryengritja, atëherë besonte shumë te faltoret bektashiane, se kishin kultin e malit të Tomorit, ku bënin pelegrinazhe dhe flijonin bagëti të imta dhe gjedhe.
Më 2 tetor çeta ra në përpjekje me policinë në fshatin Kamçisht. Forcat policore u thyen. Mbeti i vrarë toger Xhezo Makashi, shefi i policisë së Tepelenës. Kryengritësit morën drejtimin për nga Berati. Rezistojnë për rreth një javë të ndjekur nga forcat e shumta qeveritare. Përplasen me armë dhe tërhiqen. Kthehen prapë drejt Tepelenës se bazat e tyre në zonën e Beratit ishin zbuluar. Më 10 tetor në qafën e Gllavës bëhet beteja për jetë a vdekje me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë, të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Luftëtarët janë të lodhur, të uritur, por rezistojnë. Mbesin të vrarë dy policë, mbesin të vrarë dhe dy kryengritës. Të tjerët çajnë rrethimin. Çeta përfundimisht u shpartallua. Xhemal Brahimi u arratis fillimisht në Greqi pastaj në SHBA. Të tjerët u kapën nëpër shtëpitë e tyre, shumica të fshehur në pyje e stane. Komandanti u kap i fundit, rezistoi tre muaj në arrati. Gjatë bastisjeve u vranë kryengritës dhe të afërm. Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatua, u ekzekutua në Gjirokastër, më 21.07.1949. Të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Dikush vdiq në burg. Numri i të vrarëve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arrin në nëntë. Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i Kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg.
Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri më 1991. Xhemali u stërvit në kampet e trajnimit në Maltë dhe në mbi dhjetë vjet si një Rambo nuk dihet sa herë hyri e doli nga Shqipëria. Ai në heshtje gëzonte simpatinë e krahinës si kundërshtar mitik i shtetit, i ndjekur këmba-këmbës nga sigurimi dhe policia, por që nuk u kap, nuk vrau njeri, nuk dhunoi, nuk mori hak në njerëz të tjerë. Nga takimet e fshehta me gruan e tij të internuar në Lushnjë më 1960 lindi një vajzë, që jeton ende. Xhemal Brahim Asllani vdiq në SHBA më 1983, 65 vjeç.
Pas eliminimit të çetës Baba Shevqet u kap për revoltë në tentativë grupi i Demo Kasos. Arrestimet dhe dënimet me burgim në të dyshuar për rebelim me armë u shtrinë dhe në 30 burra të tjerë nga fshatrat Luftinjë dhe Gllavë. Familjeve të të burgosurve iu sekuestrua pasuria. Ata u varfëruan dhe vuajtën përndjekjen politike si familjarë dhe bij të armiqve të shtetit. Në atlasin politik të luftës së klasave krahinat e Luftinjë dhe të Buzit u quajtën të padashura nga regjimi i kohës. Krahina nuk kishte përfaqësuesit e vet në Kuvend, në rreth, në polici e në gjykatë. Kur donin t’i poshtëronin politikisht ua thoshin copë: ju jeni nga ata të Zhapokikës. Dua të përmend me emër disa nga të rënët dhe të burgosurit: Mehmet Yzeiri, Salo Kaso, Sefer Yzeiri, të vrarë, anëtarë të shtabit të çetës, Safet Kamberi i vrarë, Hajri Mahmutaj, qëlluar me armë në burg, Adem Memaj, ish-mësues nga Salaria, u ridënua sa vdiq në burg. Xhemil Asllani vdiq shpejt i sakatuar nga burgu. Beg Veiz Rrodhja nga Zhapokika ishte komunist. Ishte më i varfëri i kryengritësve dhe luftoi deri në fund. S’e shkeli betimin. Dua të përmend disa nga ata që kam njohur si: Gani Kojdheli nga Kamçishti, Bejo Asllani nga Luftinja etj.
Këta burra të Zhapokikës, Luftinjës, Kamçishtit, burra të vitit 1948, nga formimi, nga bindjet, nuk ishin as komunistë, as antikomunistë, as përparimtarë as reaksionarë, ata ishin thjesht fshatarë. Me fjalët “jemi ushtarë jo banditë”, “do të bënim qeveri demokratike” ata shprehnin përgjegjësinë për të ndryshuar fatin, ndjenjën e dinjitetit të prekur dhe kërkesën për një jetë më të drejtë. Ata ushtarin e dinin se ç’ishte: ushtari merr një detyrë dhe vdes me nder për ta kryer atë. Sa për demokracinë, le ta themi se veç një iluzioni të turbullt, ata nuk e njihnin demokracinë. Por edhe kështu, dhe pa e kuptuar dhe pa e ditur se ç’ishte demokracia, ata luftuan për të, u vranë dhe u burgosën.
Ata luftuan me vetëmohim për ato çfarë donin dhe për ato që i besonin. Lufta politike e viteve ’30, lufta antifashiste e ndarë në nacionalistë dhe në partizanë kishin farkëtuar një fshatar shqiptar me kërkesa politike, një njeri që rrok armët për të mbrojtur idetë në të cilat beson.
Disa nga këta burra, siç e thamë, edhe vdiqën si luftëtarë… Sot ata mund t’i quajmë martirë.
Ta shtjelloj më tej këtë mendim.
Njeriu që çliron veten nga pushtetet e jetës së përditshme, për t’iu kushtuar një ideje që e çmon, një ideje sublime, shndërrohet në martir. Këta njerëz e kishin arritur këtë stad të lartë shpirtëror. Duke hedhur armën në sup për t’u ndeshur për jetë a vdekje me shtetin, ata braktisën shtëpinë, katandinë, pasurinë, tokat, pra, braktisën pronën që është një nga pushtetet zotëruese të njeriut. Ata braktisën familjen dhe fëmijët që janë nga pushtetet më thelbësore për një jetë njerëzore. Ata braktisën edhe jetën e tyre, jetën që është e dashur mbi gjithë të tjerat. Ata i thanë jetës së tyre shko, shkëputu nga trupat tanë, hidhu tej si pluhur, si rërë, si shi a si farë. Ky stad shpirtëror i njeriut quhet lumturimi më i madh, është çlirimi nga çdo pushtet. Ata, mbase pa e ditur, janë vënë nën një frymëzim mistik dhe fetar, si ai që përjetojnë martirët para vdekjes. Derisa ata luftuan me armë në dorë kundër forcave që ishin më të shumta, më të armatosura, luftuan për një ide që e besonin, ata janë njëherësh martirë dhe luftëtarë.
Të tillë qenë pavarësisht se koha dhe fati ishin kundër tyre…
Që kur i luteshin Baba Tomorit të hidhte rrufe, ata mbase e parandienin fundin. Tomori kësaj here nuk gjuajti me rrufe mbi armiqtë e tyre. Ata vetë u gjuajtën me plumb e me burg. Me persekutim 40-vjeçar u gjuajtën edhe të afërmit dhe farefisi i tyre dhe gjithë fshatrat e krahinës së tyre.

Dokumenti sekret i Sigurimit: Si e goditëm rezidenturën ‘Dhelpra’ të grave ruse në Tiranë e Shkodër. Ja kush na ndihmoi

Dashnor Kaloçi

Publikohet dokumenti i Sigurimit të Shtetit me siglën “Tepër sekret” ku bëhet një përmbledhje lidhur me dosjet e grave të huaja, ruse, rumune etj., që ishin të martuara me shtetas shqiptarë, si: Nadezhda Kabashi, Zoje Gulina, Roza Gulina, Nina Pumo, Eleni Pëllumbi etj, të cilat u arrestuan dhe u dënuan në vitet 1973-‘75 duke u akuzuar si agjente të Zbulimit Sovjetik.

Prishja e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë komuniste në vitin 1961 me aleatin e saj të ngushtë, Bashkimin Sovjetik, si dhe me vëndet e tjerë të Europës Lindore apo siç quheshin asokohe “Demokracitë popullore”, shënoi një dramë të vërtetë edhe për një numër të madh shtetase të huaja që i përkisnin këtyre vëndeve të cilat kishin ardhur në Shqipëri pas martesave që ato kishin bërë me shqiptarë që studionin në ato vite në vëndet e tyre, kur marrëdhëniet me këto shtete ishin në lulëzim. Si p.sh. me Bashkimin Sovjetik, Poloninë, Hungarinë, Gjermaninë Lindore, Bullgarinë, Çekosllavakinë, etj. Ashtu siç është e njohur tashmë, pjesa më e madhe e grave të huaja që ishin në Shqipëri asokohe ku dhe kishin krijuar familjet e tyre, pas presioneve të shumta dhe deri kërcënimeve nga strukturat e specializuara të shtetit shqiptar (kryesisht, Fronti Demokratik dhe Sigurimi i Shtetit), u detyruan që të ktheheheshin në vëndet e tyre prej nga kishin ardhur, duke marrë me vete edhe fëmijët që kishin lindur këtu në Shqipëri.

Si p.sh. bashkëshortja e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, e skulptorit të famshëm, Thanas Papa, etj, të cilat u kthyen përgjithmonë, në ish-Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, për t’u ritakuar me ta vetëm pas vitit 1991, kur në Shqipëri u shëmb regjimimi komunist.

Por drama e këtyre dy grave ruse si dhe ajo e shumë të tjerave bashkëatdhetare të tyre, që u bënë objekt i “Gjuetisë së shtrigave”, nga regjimi komunist shqiptar, do të ishte ku e ku në krahasim me disa të tjera, shoqe të tyre, që nuk pranuan të divorcoheshin me bashkëshortët shqiptarë dhe qëndruan në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre, pasi iu nënshtruan një survejimi të rreptë, u akuzuan si agjente të zbulimeve të huaja dhe përfunduan burgjeve politike të regjimit komunist për vite me rradhë, duke kaluar një kalvar të pashëmbullt si nga qelitë e hetuesive, ashtu dhe në kampet e burgjet, ku ato qëndruan të izoluara deri sa u liruan dhe u ritadhesuan në vëndet e tyre. Si p.sh. polaket, Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj, ruset Natasha Pengili, Inja Tarasova Dyrzi, etj.

(Lidhur me dramën e madhe të grave të huaja në Shqipëri e fatin tragjik të tyre nën regjimin komunist, gjë e cila padyshim përbën një nga njollat më të errta të atij regjimi, pas viteve ’90-të, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, do të shkruante “Sorkadhet e trembura”, vepër e cila është përshtatur në një skenar filmi nga kineasti i njohur me famë botërore, Juri Arabov dhe regjizori Aleksadnër Sukurov, duke e realizuar në një film artistik që tashmë është në proçes”. Apo rasti tjetër i regjizores së njohur bullgare, Adele Pieeve, e cila ka realizuar një film-dokumentar mbi fatin tragjik të grave ruse në Shqipëri).

Lidhur me këtë fakt, pra fatin tragjik dhe dramën e madhe që pësuan e përjetuan gratë e huaja në Shqipëri nga fillimi i viteve ’50-të e deri në shëmbjen e atij regjimi, bën fjalë dhe ky dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” i cili ka qenë “Për përdorim të brendshëm” nga organet eprore të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe dhe ka shërbyer për të “evidentuar sukseset ndër vite” të shërbimeve sekrete të atij regjimi.

Dokumentin në fjalë po e publikojmë në Memorie.al

Zbulimi dhe goditja e disa rezidenturave dhe zbulimeve të huaja

Nga goditjet e bëra më aktiv dalin zbulimet revizioniste me atë sovjetike në krye, të cilat në këtë periudhë veç kanaleve të tyre të hapta dhe të fshehta, shfrytëzuan edhe agjentët e tyre dërguar për të kryer veprimtari agjenturoro-subversive, paçka se kamufloheshin nën petkun e grave të martuara me shtetas shqiptarë dhe kishin marrë edhe shtetësinë shqiptare.

Goditja e “Dhelprës”

Në vitin 1975 u godit një grup i vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik i kryesuar nga Roza dhe Zoja Gulina, që ndiqeshin me pseudonimin “Dhelpra”. Ky grup ka vepruar aktivisht prej 19 vjetësh, nga viti 1955-1975.

Roza Koçi është dëbuar nga Shqipëria në vitin 1961, për veprimtarinë armiqësore që zhvillonte. Ajo kishte vënë në shërbim të saj, bashkëshortin, Mandi Koçi dhe Zoja Gulinën. Roza Koçi ishte rezidente dhe pas dëbimit të saj, detyrën e rezidentes ja la Zoja Gulinës. Rezulton se Zbulimi Sovjetik kur tërhoqi në bashkëpunim, Zoja Gulinën, Nina Pumën dhe Nadezhda Kabashin, u kishte thënë se ato do të drejtoheshin në Shqipëri nga Roza Koçi.

Zoja Gulina, ka ardhur në Shqipëri që në vitin 1958 me pretekstin se ishte martuar me një shtetas shqiptar që ishte student në Bashkimin Sovjetik. Në bazë të detyrave që i dha Zbulimi Sovjetik, ajo u fut pedagoge e gjuhës ruse, dhe me këtë kamuflazh zhvillonte veprimtari agjenturore subversive. Lidhjet me Zbulimin Sovjetik fillimisht i mbante nëpërmjet korespondencës që i dërgonte “nënës” në Moskë.

E përgatitur mirë nga Zbulimi Sovjetik, sa erdhi krijoj një rreth të gjërë shoqëror kryesisht me gratë ruse si: Nina Pumo, Nadezhda Kabashi, Taise Pisha, Roza dhe Mandi Koçi etj, që ndiqeshin nga organet e Sigurimit si agjentë të mundshëm të Zbulimit Sovjetik. Nga të dhënat e “Mimozës” dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë që u drejtuan si dhe nga vëzhgimi, T.O.-ja, etj (Teknikës Operative, përgjuesëve, shënimi ynë), vërtetohej se Zoja, jo vetëm kontaktonte me të sipërmit, por edhe zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore.

Meqënse në rrethin e saj shoqëror ishin disa lidhje që ndiqeshin nga organet e Sigurimit Tiranë, Shkodër, problemi u centralizua me pseudonimin “Dhelpra” dhe u ndoq me plan masash operative të përbashkëta. Rezultat dha bashkëpunëtori “Kabashi”, i cili u drejtua te Nadezhda Kabashi dhe arriti të futet në lidhje me Zbulimin Sovjetik. Me bashkëpunëtorin “Frekuneca” u krye kombinacioni ndërmjet saj dhe Zojas, ku doli se objekti zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore, u mësua karakteri i marrdhënieve të Eleni Pëllumbit, me Zojën. U organizua puna e mirë e vezhgimit në drejtim të tyre, ku u përcaktuan lidhjet dhe u bë vlerësimi i tyre. U studiuan materialet e Mandi Koçit dhe si lidhje e rëndësishme e Roza Koçit, pas dënimit të saj, ishte ai. Me arrestimin e Nadezhda Kabashit u organizua më mirë përpunimi në dhomat e izolimit dhe lidhjet jashtë.

Kështu u vërtetua dhe veprimtaria e Zojës, e cila u arrestua më 14.5.1975. Me goditjen e saj u bë plani i përbashkët operative-hetimor, për ta zbërthyer si agjente të Zbulimit Sovjetik. Gjatë hetimit, ajo pohoi se ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik dhe se kryente detyrën e rezidentes, nga viti 1961-1975, duke mbajtur në lidhje, Nina Pumon, Nadezhda Kabashin dhe Mandi Koçin. “Kur vajta në Bashkimin Sovjetik në 1960-ën, për të lindur fëmijën, u udhëzova nga kuadrot e Zbulimi Sovjetik, se si duhet të punoja, të futesha në rradhët e inteligjencës e rinisë, të bashkëpunoja me Nadezhda Kabashin, Nina Pumon, nën drejtimin e Rozës”, ka deponuar Zoja Gulina. Për punën që kishte kryer në vitin 1960, kur ishte në Moskë u shpërblye me 3000 rubla. U vërtetua se këto mbanin lidhje me konsullin sovjetik dhe se me prishjen e marradhënieve diplomatike, lidhjet me Zbulimin Sovjetik i mbanin nëpërmjet ambasadës çeke, kuadrit të Zbulimit Sovjetik, Zdonea Kovodeleka, sekretar i II-të. Gjithashtu Nina Pumo, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1960, me pretekstin se u martua me një shtetas shqiptar. U vu në përpunim aktiv si agjente e Zbulimit Sovjetik më 17.9.1973. Për qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik, ka deponuar edhe Zoja Gulina, të cilat i kishte në lidhje. Gjatë hetuesisë ajo pohoi qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik nga viti 1961. Se qe vënë në shërbim atje, duke marrë edhe parrullën dhe kundërparrullën për t’u ndërlidhur me Zojën. Kështu veproi deri sa u arrestua më 15. 10. 1975

Nadjezhda Kabashi është arrestuar për agjitacion e propagandë armiqësor në vitin 1973. Ajo deponoi qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik dhe lidhjet e saj me Zojën. Ajo sa erdhi në Shqipëri në vitin 1975, filloi veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës. Në vitin 1973 u dënua me 7 vjet privim lirije. Mandi Koçi, ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, që në vitin 1961, nëpërmjet bashkëshortes së tij, Rozës, që ishte kuadër e Zbulimit Sovjetik. Nga viti 1961 që u dëbua Roza, ai mbahej në lidhje nga Zoja, deri në vitin 1975, që u arrestua dhe u dënua me 25 vite privim lirije si agjent i Zbulimit Sovjetik.

Eleni Pëllumbi, me kombësi rumune martuar me një shtetas shqiptar, ardhur në Shqipëri që para çlirimit. Në vitin 1970 shkoi në shkollën e Gjuhëve të Huaja, ku u vu në lidhje me Zojën dhe bashkëpunoi me grupin e Zojës, me të cilën qe njohur që në vitin 1964. Më datën, 9.6.1975 u arrestua dhe u dënua si agjente e Zbulimit Sovjetik.

Nga këto dhe goditje të tjera që janë bërë, rezulton se Zbulimi Sovjetik kanalin e grave ruse të martuara, me shqiptarë e ka përdorur aktivisht në veprimtarinë agjenturoro-subversive kundër vëndit tonë. Zbulimi dhe goditja e “Dhelprës” vertëton se pavarësisht se u deshifrua e u godit me vonesë, në vitin 1975, veprimtaria agjenturoro-suvbversive nga Zbulimit Sovjetik edhe me këtë grup ka filluar që në vitin 1959.

Zbulimi dhe goditja me vonesë e “Dhelprës”, u bë se ky kanal i rëndësishëm nuk u vlerësua dhe u ndoq me përparësi qëllimisht nga drejtuesit e Organeve të Sigurimit të Shtetit, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj, edhe pse disa pjestarë të “Dhelprës” ndiqeshin prej kohësh dhe të dhëna kishte.

Kur “Dhelpra”, intesifikoi veprimtarinë në vitin 1973, sektori përkatës u detyrua që ta centralizonte dhe ta ndiqte si rezidenturë dhe u arrit ta deshifronte në vitin 1975, sepse faktet ishin bindëse, dhe armiqtë u detyruan ta miratonin goditjen, pse ndryshe do të konsideroheshin si përkrahës të spiunëve.

Taktika e përdorur duke zbuluar dhe goditur gradualisht pjestarët e “Dhelprës”, dhe vazhdimi i përpunimit në dhomat e izolimit, krahas zhvillimit të hetuesisë, si dhe përpunimi që iu bëhej pjestarëve të tjerë të grupit, ende të pa goditur, duke kryer veprime të ndryshme operative, ishte një përvojë që punonjësit e Organeve të Sigurimit të Shtetit, e kishin përdorur edhe në zbulimin e goditjen e rezidenturave dhe grupeve të tjera armiqësore dhe kishte dhënë e dha rezultate.

Në zbulimin dhe goditjen e “Dhelprës”, punonjësit e Sigurimit të Shtetit që vepronin me devotshmëri për çështjen e Partisë dhe të popullit, analizuan edhe njëherë punën e tyre, sidomos në drejtim të Zbulimit Sovjetik dhe në mënyrë të veçantë kanalin e grave ruse të martuara me shtetas shqiptarë dhe forcuan punën në këtë drejtim, gjë që shpuri në zbulimin dhe goditjen e rezidenturës tjetër të këtij zbulimi armik./Memorie.al

La Bourgogne Républicaine (1955)- Kur Shqipëria komuniste refuzonte ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Tetor 2020

 

“La Bourgogne Républicaine” ka botuar, të martën e 8 marsit 1955, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me refuzimin e Shqipërisë ndaj ndihmës së propozuar asokohe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëria refuzon prodhimet ushqimore amerikane

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Paris, 7 Mars (A.C.P.) – Agjencia e shtypit shqiptar raporton se qeveria e Tiranës ka refuzuar ofertën amerikane për të shpërndarë ushqime në Shqipëri për të luftuar “një krizë të pretenduar”.

 

Qeveria e Tiranës hedh poshtë “me indinjatë” propozimin amerikan, të cilin e konsideron të barazvlefshëm “me një ndërhyrje të huaj” në punët e saj të brendshme.

La Croix (1958)- Rrëfimi ekskluziv i pilotit të avionit britanik “Skymaster” pas uljes së detyruar në tokën shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Tetor 2020

 

“La Croix” ka botuar, të martën e 7 janarit 1958, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me rrëfimin e pilotit të avionit britanik “Skymaster” pas uljes së detyruar në tokën shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Piloti i “Skymaster-it” i ndaluar në Tiranë : “Ne u trajtuam mirë nga policët shqiptarë”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Avioni britanik, i ndaluar që prej 31 dhjetorit nga autoritetet shqiptare, mbërriti në fushën e aviacionit të Hurn-it, afër Bournemouth-it, pas një ndalese të shkurtër në Brindizi, për t’u furnizuar me karburant.

 

Skymaster-i, tha piloti, duhet të kishte fluturuar në mes të korridorit ajror që ndan Shqipërinë dhe Greqinë. Por, për shkak të motit të keq, avioni devijoi trajektoren e tij rreth 12 kilometra. Pastaj u shfaqën dy Mig-ë (avionë rusë), duke më bërë të qartë se ata donin që unë të zbarkoja (ulesha), gjë që bëra.

 

Besoj, vazhdoi piloti-kapiten Kozubski, se ishin policë ata që më morën në pyetje. U shpjegova që moti i keq më kishte devijuar itinerarin. Marrja në pyetje zgjati rreth shtatë orë ditën e parë dhe vazhdoi të nesërmen. Por policët kanë qenë gjithmonë të sjellshëm dhe miqësorë dhe më dhanë cigare angleze. Ekuipazhi u dërgua në një hotel ku ruhej nga policia civile, por u trajtua shumë mirë.

 

Para se të niseshim, shtoi kapiteni, ne ngritëm reciprokisht dolli për shëndetin tonë. Nuk kishte asnjë inat. Shqiptarët kishin bërë vetëm detyrën e tyre.

 

A do të jetë incidenti një pretekst për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike ?

 

Qeveria britanike po pret një raport të hollësishëm nga ekipi i Skymaster-it para se të vendosë nëse një veprim diplomatik është i nevojshëm.

 

Vëzhguesit diplomatikë pyesin nëse incidenti do të rezultojë në një rifillim të marrëdhënieve diplomatike midis Anglisë dhe Shqipërisë, të ndërprera që nga lufta. Që prej dy vitesh, Shqipëria ka hedhur në heshtje hapat për një rifillim të tillë. Londra mendon se Shqipëria duhet së pari të paguajë 800.000 paund dëmshpërblim ndaj Britanisë së Madhe si rrjedhojë e vendimit të gjykatës ndërkombëtare për humbjen e dy shkatërruesve (anijeve) anglezë në ujërat shqiptare në 1946.

 

La Croix (1959)- Nikita Hrushov i fotografuar me bukë shqiptare në duar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Tetor 2020

“La Croix” ka botuar, të enjten e 4 qershorit 1959, në ballinë, një fotografi ekskluzive të Nikita Hrushovit gjatë vizitës së tij asokohe në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Bukë shqiptare për Hrushovin

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, z. Hrushov vizitoi kooperativën bujqësore të Bulgarecit ku iu paraqit një copë bukë e madhe, një specialitet i vendit.

LETËR – KËMBIM MUSTAFA KRUJA – KARL GURAKUQI: Iu fala nderës Ernestit tue i thânë se kurrë prosë mâ të bukur se atë s’kisha kënduem

 

 

 

Palermë, 22 tetuer 1957

 

Mustafë i dashun,

Me 14 shtatuer të pata dërgue librin “Tungjajeta” dhe e përcolla me nji kartë postare tue të tregue arsyen e vonesës së dërgimit.

Tue mos pasë marrë përgjegje as për njênin as për tjetrën, më duhet me mendue se karta postare nuk të ká rá në dorë. Sá për librin, nuk e besoj se mund të ketë humbë, pse e pata nisë të porositun.

Sikurse të pata shkrue n’atë kartë postare, unë librin e pata blé posá ti m’i pate dërgue të hollat. Erdhi në zyrë Rosolin Petrota, e pau dhe m’a mori për me e lexue. Derisá m’a kthei, vetë dijta: i a kishte pasë dhânë njij arbreshi tjetër, e kështu, dorë në dorë, sikurse ké mujtë me vû ré, mbuloja e librit âsht pak e zhublueme. Uroj veç t’a keshë marrë. Si t’âsht dukë?

Prá, edhe nji gjâ e mirë u bâ: mërgimi sot po ká nji të përkohëshme të vetën. Ernesti e bâni zemrën gúr e hŷni në ket pýll! Unë n’atë t’êmen, pata plasë tue folë e tue shkrue qi të dilte ndokush e t’i hŷnte botimit të njij reviste, mbasi, falemi nderës Zotit, po jemi mjaft për të mujtë me e mbajtë në kâmbë me shkrime, se sá për kuletë, mos pyet… Mirë e pat nisë Resuli i shkretë, por mjerisht mbeti në gjymës të rrugës. Sá keq më ká ardhë! Por shka t’i bâjsh ndeshtrashës së zezë qi na ndjek kâmba kâmbës, në daç kúr ishim n’atdhé, në daç këtu përjashta!… Eh po! Ká pasë thânë Fishta i mjerë, se qysh se Shqipnija pat qënë matë me lëkurën e dreqit, asnji punë për së mbarit ndër né s’mundet me ngjatë:

 

“Kam këndue n’do libra t’vjetër

(Se për kúr ata s’kallzojnë),

Shëjti Sh’Mhíll e Shëjti Sh’Pjetër

Rán n’kuvend me shoqishojnë.

Rán n’kuvend tue bisedue

Për punë t’tokës n’â e madhe a e vogël,

Pse prej s’nalti tu’e shikjue

Thotë Sh’Mhilli se â sá’i gogël.

Elè mâ, për mos m’e zgjatë,

Mos me i mbetë davaja asnjênit,

Sbashku dán ata me e matë

Tef e n’tef me i’fille pênit…..

Kshtu tu’êndun n’anë prej Lejet,

E tu’ e matë tokën me pê,

Ata u kapën n’at shkâmb Pejet,

Ku vonë bora vjen tu’u dê.

Por aty nji punë u bîni

(E shka s’bîn n’ket shekull t’zí ?)

Pêni i mndashit nuk u mrrini

Për me matë ket Shqyptarí.

Veçse ata ja bâne hallin

E nuk ndêjën kot t’u tallë,

Pse me t’shpejtë e thirrën djallin,

Edhe e ropën për së gjallë.

E mbasi ja hoqne lkurën,

Ata tjetër mâ nuk ngjatën,

Por me tê nji dredhë e turën

E me at dredhë Shqypnín e matën.

E q’m’at ditë qi dheu i Shqyptarit

Me at ród dredhe pat kênë matë,

Duen me thânë se′i punë për s’mbarit

Aty mâ s’mundet me gjatë.”

Si thue, Mustafë, a ká pasë a jo të drejtë Fishta? … Më duket se po. Don Zoti dhe nisma e Koliqit me “Shêjzat” të përgënjeshtrojë pesimizmin e Fishtës! Le të shpresojmë e t’urojmë qi e përkohëshmja e re t’i ketë themelet e shëndoshta. Ernesti më ká shkrue se njifarë fondi e ká sigurue dhe se âsht pritë mirë në rrethet kulturore. Sigurisht edhe penda e jote do t’i zbukurojë faqet e saja. Në “Shpirtin Shqiptar” i a pate hŷ punës shum bukur me shënimet gjuhësore. Nuk do t’ishte keq qi të vijojshin në “Shêjzat”. Edhe unë do të përpiqem me at vogëlsín t’ême t’i jap ndihmesën.

Dishka i kam dërgue edhe për numrin e dytë, qi shpresoj të botohet në këto ditë, në rasë se nuk e gjên gjâ rrugës! Në qoftë se të del edhe tý me bâ ndonji send atje n’Amerikë, aq mâ mirë. Uroj qi ata gurë qi paske nisë me luejtë në ket drejtim, të munden me zânë vend. Ndoshta t’ecë puna atje mâ mirë se këtu në botën plakë.

Po më pyetë se çfarë fjale shqipe i pergjegjë emni Angela atje kah Shkodër locja. Ká mjaft përgjegjse: në Shkodër mbrendë i thonë Angjelinë apo Ejllushë dhe Angje; jashtë Shkodre kemi fjalët Ngjelinë, Gjelinë, Linë; në Malcí, si po e shof në nji radhue të vjetër êmnash, qi dikúr pata mbledhë, qênka edhe trajta Linushë, por e kam me nji pikëpyetse, mbasi nuk e kam ndigjue unë vetë, por m’a ká thânë Nikollë Dakaj alias Basho Jona, qi pat nisë me përkthye klasikët e vjetër grekë; pyet edhe Lekë Marashin, se, me sá dij unë, në Dukagjin i thonë Lushe; për ketë të fundit kam njifarë dyshimi, pse më duket se i përgjegjet êmnit Luigja; edhe Paluca do të dijë ndonji gjâ për ketë trajtën e fundit. Mue do të më pëlqente trajta Ngjelinë, qi ndigjohet edhe në kolonít arbreshe. Zgjidh e merr bashkë me Haxhiren. Shum të fala kësaj prej meje. Të fala edhe Bashkimit, në qoftë se ká kthye nga Italija. Më kanë thânë se ká ardhë këtu me marrë nuse.  A âsht gjâ e vërtetë?

Të fala të përzemërta prej s’ime shoqe e prej djalit, të cilët të kujtojnë me nderim e çmim.

Unë të përqafoj e të puthi me máll e me dashuní gjithmonë i yti

Karli

 

Nesër të nisi vijimin e “Anzavet” prej faqes 41 deri 58.

 

 

Niagara Falls, 24 nânduer 1957

 

Karl i im i dashun,

Ndoshta kjo letër ka për të ramë në dorë ditën 28, ditën e kremtes kombëtare. E pra po t’uroj. Ç’të t’uroj? Me të tânë zêmrën gjithë ç’të deshiroftë tý e jotja të mirë! Kjo fjala e fundit, ky adjektiv do të të duket ndoshta e tepër, nji pleonazëm. Por nuk âsht. A mundet kush me i deshiruem vetes gjâ të keqe? Po fort:  pse s’din ase âsht i dobë. Un kam pasë prova të këtilla mâ se nji. A s’të ka ndodhun edhe tý ndonji herë me lakmuem nji send me afsh të madh e dikur me pamë se sikur t’a kishe pasun do të kishte qênë keq për tý ? A s’e ke bâmë ndonji herë mëkatin me i uruem vetes dekën, mbarimin e nj’asaj jete qi vetë Zoti t’a ka falë? Ky kuvênd po âsht tue të diftuem se jam tue pasun mallë shumë me biseduem me tý ? Por mâ mirë po kthehem atje ke pata fjalën, se ndryshe s’po dij ku më qet këta të shmângun.

E pata te 28 Nândori. Ernesti me Martinin m’a ngërmuen për nji shkrim fort pak dit para se t’a çojshin në shtyp numrin e dytë. E un mora e arnova diça qi kisha pothuej të gatshëm. Por nuk m’a muer mêndja qi do të përfshijshin në tê edhe numrin e nândorit. Se ndryshe kam pasun gati edhe nji “28 Nânduer” shkruem si kapitull historije, si të mbrapmin kapitull të nji historije të Shqipnisë qi kisha sajuem me shkruem. Mos u çudit qi kapricat e rrethanavet kishin lypun prej meje qi t’a nissha atë vepër për së mbrapështi: e bâna për me mos lânë qi të harrojsha kujtimet qi kisha personalisht në krye. Por qe se mbrapësht u nis e mbrapësht duel! E lashë n’udhë gati porsa ia ktheva për së mbari. Shkrova edhe dy kapitujt e parë: I. Epoka ilirjane, dhe II. Përshkurtje historije epirote. Kapituj mjaft të gjatë, të dy. E këtu u pre. Âsht punë e gjatë me t’a përshkruem se pse. Ndoshta të më kishte hjedhun fati në Palermë edhe mue, sikur t’a kam shkruem në nji letër, do të kisha vazhduem. Por ashtu s’u bâ. Erdha këtu, në nji qytet të vogël t’Amerikës. Kandili i nacjonalizmës erdhi tue u porritun për ditë mâ fort. Deri sa u shue krejt, o Karl! S’ka mâ Shqiptarë e s’ka mâ Shqipní, o vlla i em! Le të bâjmë geret (gajret) sa të duem me purrî … për me mos u dhânë. Qemë mâ të lumë kur s’e dijtëm, kur s’e patëm kuptuem si Auktori i Nakdomanicipedisë…

Pra, si qeshë tue thânë, t’a kisha dijtun se numr’i dytë i Shêjzavet do të kishte përfshimë edhe të tretin, dmth. nândorin, nuk do t’i kisha dërguem parathânën e Bardhit, por “28 Nânduer” t’emin. Nuk âsht krejt fytyra gjenuine e historisë s’asaj ndodhije, fytyra e nuses nuk âsht paraqitun pa nisun, se ndryshe do t’ishte nji përbindsh; me gjithë këtê i gjanë së vërtetës mâ fort se çdo pikturë tjetër qi i âsht bâmë. Sikur të kisha me e përshkruem sod, do t’a nxirsha krejt lakuriq si nji historjan i vërtetë, due me thânë objektiv, i cilli don mâ fort historinë se çdo gjâ tjetër.

Po e merr vesht edhe prej ksaj faqje shkrimi se përse t’a kam dijtun aqë për nderë mundën e madhe qi ke bâmë për mue tue kopjue Anzat e Parnasit: nji provë vllaznije qi, për kê din me e çëmuem, s’ka ku ve mâ përtej. Po pres të mbarohet për me e lidhun e me e bâmë, si kishte me thanë nji Frëng, “mon livre de chevet”[1].

Por s’po largohem nga argument’i rivistës pa folë edhe pak për tê. Numr’i  parë, me të thânë të drejtën, s’më ka enthusjazmuem asnji grimë as për ngjyrë (mbulojsa e bardhë!, shkrimet e saja të brusta), as për titull (i shkrova dhe Ernestit se ka qënë shumë mâ i bukur emni Shkëndija), as për volum e as për lândë. Un kam qênë përherë radikal për vete: ndo me e bâmë nji punë a nji gjâ të mirë aqë sa bâsi të jetë i zoti për tê, ase me mos e bâmë aspak. Un kurrë s’ia kisha nisun nji riviste mâ t’ultë, nga çdo pikpamje, se ato qi kanë dalë dikur në Shqipní. Shpirti Shqiptar ka qênë shumë mâ e naltë se Shêjzat, nemose për sa na kallzon numr’i parë i ksaj. Ç’e përkohëshme âsht kjo? Due me thânë krye sa kohe botohet? Nuk na thotë, s’paku un s’e gjeta kund! Gabime shkrimi deri ndër formula të përhershme të mbulojsës. Shiko, pashë bukën: “Përmbajtja = Sommario”; “Çdo shkrim qi botohet me gjithë italishten “Ogni … manoscritto …” Shqyrtoji vetë me kujdes. Shihet bukur mirë se janë dy poetën qi ia kanë hŷmë ksaj pune si ngutas. Vallë ku e kanë gjetun auktorët e Bashkimit këtë fjalë qi përdori Ernesti për titull të rivistës? Gramatikisht, n’e marrshim shêjin kështu për mashkulluer, do t’a bânte diminutiven shêjth. Ernesti më ka pasë thânë njiherë moti se fjalët e format e fjalëvet et.i krijojnë shkrimtarët! Drue se âsht ende në këtë mendim. Kështu po më duket me ato “shkrimë në gjak” e “shqymbë farën”. S’po shkoj mâ gjatë, se s’âsht vêndi. Ti kritikat e mija mbaji për vete, se Ernestit kadal’e kadalë tash ia kallzoj vetë kur e ku të shfaqet nevoja. Dikush më ka shkruem se Resuli po e nxier prap në kallnuer Shpirtin Shqiptar e me anën e atij qi më shkruen këtë lajm m’âsht lutun qi t’i bâj gati ndonji shkrim. Un do t’i ndih edhe atij, se mue s’më duhen gjâ rivalitetet e grindjet e tyne me Ernestin. Por do të pres qi të më shkruej drejtpërdrejt. Edhe ti, them un, do të bâjshe mirë me u ndihun të dyjave.

Deri këtu shkova para pa e kënduem prap letrën t’ânde me 22 tetuer. Tash po shoh se ç’ke ti atje. Po fillueke me “Tungjatjeta”. Kartolinën qi më paske pasë dërguem për tê s’e kam marrë. Por librin po. Na paçin marrë të keqen paret! Gjithashtu edhe autori me gjithë Nadën.

Ajo copë vjershë e P. Gjergjit qi më ke shkruem në këtë letër a s’âsht marrë nga Anzat?

Ti thue në letrët, tue folë për Shêjzat: “Dishka i kam dërgue edhe për numrin e dytë”. E po në të parin ç’ke shkruem ti? Emn’i yt s’â kurrkund në tê.

Un, si të kam pasë shkruem, preka ku munda këtu për nji rivistë qi të na qitte faqebardhë, nji rivistë qi të bânte figurë Perëndimi. Për bashkpuntorë nuk drojsha; isha i bindun me atë t’emen se do t’i gjêjsha. Vetë po isha krejt pa kurrnji punë tjetër. Nji ndihmës a sekretar, queje si të duesh, do t’a gjêjsha këtu ndër të mërguemit t’anë. Themeli i gjithë punës ishin fondet. Mbasi brodha andej e këndej e fola drejt e zhdrejt me shumë kênd tendencash të ndryshme – se un s’e kisha aspak ndër mênd me themeluem nji rivistë kulture partizane – m’u mbush mêndja se tue rrahun telin e hatrit, tue lypun un për miqsí e për të fituem… nji kafshatë bukë për vete, jetën e rivistës për motmot do t’a kisha siguruem; por me argumentin e patrijotizmës kurrgjâ! Nji kohë të gjatë mbeta pezull. Mâ në funt vendosa me e vorrosun idenë për gjithmonë tue mallkuem edhe nji herë farën e stërfarën shqiptare. Tash Ernesti më shkruen qi të përpiqem këtu për pajtime e ndihma! Për këtë besë sakt qi jo: kur s’lypa për vete s’jam tue lypun as për Ernestin. Se, sikur t’a thashë, vetëm lypë do t’ishte; se për patrijotizëm s’âsht tue marrë vesht kush. Fishta, pra ka pasun të drejtë, ai poet i madh, po thotë tashti Angjela e ime, “qi ia njofti Shqiptarit rrânjën e fenë”. Por un nuk po them “ai poet i madh”, se poetnit s’njohin e s’marrin vesht kurrgjâ; por si psykolog, ai filozof i madh!

Pjesën f. 41-58 t’Anzavet qi po më thue se m’a ke nisun nuk e kam marrë ende.

Më duket se ksi shtegu, dmth. me këtë letër jam bâmë nji fije mâ burrë i mirë me tý, apo jo! E me kaqë pra po të rrok me shumë mallë e bashkë me Angjen e Bashkimin ju përshëndesim përzêmërsisht tý me gjithë të tutë.

Mustafa

 

Niagara Falls, 31.I.1958

 

Fort i dashuni Karl,

Në kartën t’ânde me 23 të muejit të kaluem ti më shkruen se m’a ke “detyrë nji letër…” E mue, tue pritun e mos pasun gjâ deri tash prej teje, m’u mbush mêndja me mos e lânë me nji, por me të detyruem me dý letra. A po t’a bâj mirë kështu? Kurrgjâ të posaçme s’kam me të thânë, por tash vjen ndonji send ndër mênd. E vetmja gjâ qi më shtŷni me kapun makinën për tý âsht malli. Ndoshta âsht deka e Hiqmet Delvinës, këtij moshatari t’em, qi m’a futi nji farë melankonije e pra mallin me i shkruem ndonji miku të dashun të largë, mbasi kuj me i folë këtu s’kam! Kam djalë e vajzë, po, por me gjind të familjes flet njeriu vetëm për interesa familjare e jo tjetër.

Kopjen e Anzave të Parnasit e kam marrë deri në të 74-tën faqe (të daktilografueme), këtu në këtë pjesë të mbrapme qi kam para sŷshë janë 6 vargje të kalueme me pika e ti po m’a kallzon shkakun, tue shtuem edhe se botim’ i parë anonym i ka të botuem edhe ato. E marr me mênd se ti nuk e ke aty këtë botim, se ndryshe do t’i kishe mbushun edhe ato 6 vargje. Me këtë rasë po due me të pyetun edhe diça tjetër: edhe i pari botim i Lahutës, në mos gënjehem kânga e Oso Kukës, ka nji varg të këtillë me pika edhe vjen shi mbas këtij, “Qyshse erdh pasha turçeli”. A të kujtohet tý dhe a e din se cillat janë fjalët e atij vargu?

Ernesti kishte bâmë ndër Shêjzat për mue ça më kishe shkruem nji herë se, sikur të kishe pasun ku me shkruem, do të kishe dashun t’a bâjshe ti. Iu fala nderës Ernestit tue i thânë se kurrë prosë mâ të bukur se atë s’kisha kënduem prej pêndës së tij, e se këta provonte qi përnjimênd i kishte dalë fill prej zêmret. Mund të thotë njeriu edhe këtë tjetrën: qi m’u ka dukun mue aq’e bukur, ndërsa ndoshta mâ se nji kënduesi, të cillit edhe vetëm emn’i im i vret sŷtë ase veshët, ajo prosë kishte me iu dukun për faqe të zezë!

Po dalim tash te Rivista përgjithsisht. Lânda e blemës të dytë dy numrash ka qênë shumë mâ e ndryshme prej asaj së numrit të parë. Mâ e ndryshme, po due me thânë mâ tërhjekse. Por nuk dij si ka mundë të dalë i mjeri Ernest me ballancën financore. Të më kishte pasë pyetun pa fjalë do t’a kisha kshilluem me mos ia hŷmë asaj vallje. Un vetë kam pasë sajuem, në mos u rrêjsha në 1920 a ’21, me qitun në Shqipní nji rivistë me emnin “Kultura”. Për shkrime pata pasun premtimet mâ të bukura qi mund të jenë. Por llogaritë qi bâjsha për shpenzimet kurrsesi nuk dilshin e prandej hoqa dorë. Këtu bâna mâ të mbrapmen provë të keqe, sikurse t’a kam shkruem. Edhe e vorrosa atë mendim për jetë të jetëve. Edhe nji herë mâ tepër pat arsye P. Gjergji: Shqiptarët nuk duen shkrime. E un po shtoj: Shqiptarët duen me kënduem e me ndëgjuem vetëm vënerë e mëní kundra shoshoqit. Të kam pasë shkruem tý se “nuk lypa për vete, s’kam për të lypun as për Ernestin”. Por punova ndryshe. Më mallëngjeu guxim’i Ernestit e, qe besa e Zotit, bâna mâ shumë se do të kishem bâmë për vete. Edhe pse njeriu lyp mâ pa marre për tjetërkënd se për vete. Shkrova letra kudo qi kisha ndonji mik a të njohun këndej. Por ça ka mujtun me dalë prej letrave të mija? Kurrgjâ ndoshta; por sigurisht pak fort, edhe në pastë dalë gjâ. U kam shkruem Ernestit edhe Martinit.

Sa për shkrime, u kam premtuem qi do të shkruej rregullisht për çdo numër. Sikur do t’a keshë pamë, ia nisa me Bardhin. Gjuha shqipe âsht pasjon’i im. Blêni i tretë, në pastë dalë, s’ka gjâ t’emen. As nuk më lajmuen kur do të shtypej. U kam dërguem edhe dý “puntate” mbi Bardhin për blêjt kallënduer-fruer e mars-prill. Ernestit s’ia ka ânda gjuhësinë, ndoshta edhe pse âsht nji lândë qi don kujdes të madh për qortimet. Prandej mbas këtyne do të zgjedh ndonji subjekt tjetër. Dashtë Zotynë e vazhdoftë, se për shkrime s’po e lâmë, jo, me hjekun zí. Blênin e tretë (4-5) un s’e kam marrë ende.

Ti kishe marrë pjesë me tfillimin e emnit; Të kam shkruem se mue emni s’më ka pëlqyem. Edhe shi pse âsht nji emën qi s’e kupton askush e qi ka nevojë për spjegime. Shkëndija ka qënë nji emën shumë mâ i mirë. Por të gjithë na jemi Shqiptarë… lavdí Zotit, na pëlqejnë fjalët e mëdhá, altosonanti [2] deri në qiell! Po due edhe me qeshun, se emni s’don me thânë shumë gjâ.

Po tý, lum Karli, ç’Buena të shtiu me shkruem at’artikull n’Albanie Libre me rasën e 28 Nândorit? A s’të paska pasë ramë kurrë me e ndiem se n’atë kryengritje kam qênë edhe un pjestar në Shqipní të mesme e jo mâ i mbrapmi. Me këtê s’po due me u lëvdue, larg meje ky qëllim, por po due me të thânë tý se n’atë rasë, ndërmjet lumit të Matës e lumit të Shkumînit, animâ në prefekturën e Durrësit, s’ka mundun të ndodhë kurrgjâ qi un mos t’a dij mâ mirë se kushdo tjetër, sidomos mâ mirë se cillido qi s’ka qênë vetë n’atë qull e n’atë zonë. Por sido qi të ketë qênë e vërteta mbi sa shkruen ti për “tradhtin’e Shqipnisë së mesme”, a ishte e udhës me çelë sod mbas 46 vjetsh aso plagësh? Ti mbandej, tue kujtuem se po bân mirë me mos zânë emna me gojë, s’je kujtuem qi ishe tue lânë nën atë barrë të shëmtuet krejt nji krahinë. Në qoftë se do të gjindet aty kolekcjoni i Hyllit të Dritës, do të bâjshe mirë me kërkuem të vjett 1938 ase’37 nji artikull të P. Marin Sirdanit, qi kishte besuem n’atë “tradhtí” të zezë, edhe përgjegjen t’eme, qi e mohon kategorisht si nji testimonio oculare.[3] Jo, Refik be Toptani, qi akuzohet për atë tradhtí (sic!) – në qoftë madje se nuk â shtuem numri i tradhtoret me kalim të kohës – ka qênë përnjimênd nji patrijot pa njollë. Ti e din bukur mirë se sa fort më kanë dashun e i kam dashun un Toptanët, por e vërteta âsht nji gjâ tepër e shênjtë në ndërgjegjen t’eme edhe jam i sigurtë se edhe tý sikur Sirdanin të ka marrë rryma e propagandës së keqe si bânë aso kohe malsorët bregamatas qi u dâmtuen n’atë ndërmarrje pretare kundra Durrësit të pasun. Nuk po shkoj mâ gjatë. Desha vetëm me të diftuem se ke bâmë nji gabim pa qênë nevoja e pse të kam mik të dashun. Pata pasun edhe un ndër mênd me e shkruem historin’e pamvarësisë shqiptare, atê të vërtetën për Shêjzat. Por mbasandej, si pashë artikullin t’ând, hoqa dorë asi mendimi.

Tash mora nji letër nga Reshad Ago qi më lajmon se pajtimet për Shêjzat paska mûjtun me i çuem deri në 10 në Toronto e se mâ tepër s’mundet mâ me bâmë gjâ, “sepse të shumtët janë njerës që s’ka ç’t’u hyjë në punë nji revistë, se nuk dijnë t’a këndojnë e t’a marrën vesh”.

Tashti e ke korín ti e tu mirë qofsh, vetë me gjithë të tutë.

I yti

Mustafa

[1] Frengjisht : libri im nën jastëk (E.M.)

[2] Italisht : kumbues  (E.M.)

[3] Italisht : dëshmitar  i gjallë (E.M.)

GJAKU I KASTRIOTËVE ËSHTË MË TË VËRTETË NDËR MË FISNIKËT, SEPSE ËSHTË RRËNJOSUR NË FILLIMIN E BOTËS ME SHEKUJT E ARDHSHËM – Nga Sokol Demaku

 

 

I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit i autorit Zannovich, përkthyer nga suedishtja dhe botua në shqip në Shtypshkronjën Lena Graphic në Prishtinë, faqe 256 në të dy gjuhët shqip dhe suedisht, një histori e padegjuar deri më sot shkruar nga të huajtë për Kryetrimin Gergj Kastrioti

”Historia që kam treguar është e shkurtër; unë e pranoj këtë dhe në mënyrë të pakonsiderushme është e ngarkuar me rrethana të vogla. Sidoqoftë, pak a shumë unë kam thënë gjithçka. Kur njeriu nuk ka asgjë më shumë për të thënë se sa e vërteta e pastër, ai mund të thotë shumë me  me pak fjalë. Natyra e thjeshtë është elokuente në një zemër, e prekur nga kaq shumë fatkeqësi. Vetëm ajo ma ka vënë penën në dorë; është gjithashtu edhe ajo që duhet të presim se çfarë mund të nxjerrë në pah kjo histori. Unë nuk jam ushqyer nga lulet e elokuencës, dhe as nga arti i një vokalisti, por jam vetëm një saraj, nuk di asgjë tjetër përveç se fuqisë absolute, e privuar nga çdo shpresë. Aty jetoj unë në errësirë. Por mjerisht! Tani jam aq i pafat sa vetë errësira nuk mund të më mbulojë nga përndjekja e armiqve të mi dhe për të keqen time pa lumturi! Duke u zgjuar, i vetëm dhe i tradhtuar në zotërinë e miqësisë egoiste, nuk pres pushim deri në varr, megjithatë, unë mund të përziej hirin tim me etërit e mi! Por jo!” Zannovich, Stephan, apo Stiepan

Shenim i nxjerrë nga libri I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit i autorit Zannovich, Stephan, apo Stiepan (1751 – 1786) (lindur në Pastrovich, një qytet bregdetar Dalmat në kufirin e Malit të Zi, më 18 shkurt 1751, kreu vetëvrasje në birucë në Amsterdam në 25 maj 1786). Një nga aventurierët më të çuditshëm, më të guximshëm dhe me iniciativë i gjysmës së dytë të shekullit të 18-të.

 

Ka kohë që përmes mikut tim dhe i gjithë shqiptarëve në Suedi Ullmar Qvick, të kisha dëgjuar të flitej për një libër në gjuhën suedeze që i kushtohej Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit, por ishte shumë e vështirë të bihej në te, sepse ishte libër i botuar këtu e 200 vite me parë në kryqytetin e Mbretërisë së bashkuar Suedeze në Stockholm. Nuk kishte ekzemplar në shitje as në bibliotekë për huazim për lexim. Libri në atë kohë ishte përkthye nga gjuha gjermane në ate suedeze dhe shtypurë nga Anders Zetterberg, Stockholm, 1788

Pas një pune të mundimshme por frytëdhenëse arrita që të bi në konatkt me Biblioteken Mbretërore ne Stockholm e cila ruan në arkivat e saja të gjitha materialet e publikuara me vite. Mora përgjigjen se egziton ky liber dhe se mund të huazohet për lexim vetëm në lokale të bibliotekës, pasi që është vetëm një kopje e librit që ruhet këtu.

Në kontakt me Bibliotekën mësova se mund të skanohet libri dhe të merret për lexim dhe punë të metejme cka edhe ashtu veprova, skanova librin dhe mora me vete.

Ishte i shkruar ne gjuhën e vjetër suedeze që ishte shumë e vështirë për mua të kuptohet. Kontaktova miq, bashkëpunëtor suedez, shoqata suedeze për ndihmë në përkthim dhe përshtatje ku edhe ia dola pasi miqtë suedez me erdhen në ndihmë me këtë. Falenderoj famullitarin Sven Esselius për ndihmen në përkthim dhe përshtatje nga suedishtja e vjetër, komentimin dhe spjegim e shumë shprehjeve, ndërsa për punën në përshtatjen dhe spejgimine  drejtë të emrave në gjuhën shqipe mike nga Unievrsiteti i Shkodrës zonjën Luljeta Dushi.

 

Libri I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit i autorit Zannovich, Stephan lindur në Budva, Shqipëria veneciane, 18 shkurt 1751 – Amsterdam, Republika Hollandeze, 25 maj 1786), e quajtën Hanibal, ishte një aventurier dhe shkrimtar i “Letrave Turke” Ai kishte shkrua në italisht, frëngjisht, latinisht, gjermanisht dhe serbisht. Ai ishte një stilolaps i Gluck, Pietro Metastasio, Voltaire, Jean le Rond d’Alembert, Jean Jacques Rousseau, Catherine Great and Frederick William II të Prusisë, të cilit i kushtoi një libër me vargje frëngjisht të përkthyera nga italishtja, “L’Alcoran des Princes Destinés au Trone”. Giacomo Casanova përmend Stefano Zannovich, i cili “bëri një vizitë në Vjenë nën aliat e Princit Castriotto d’Albanie. Nën presionin e autoriteteve, ai u largua në fund të korrikut 1784 “për Poloninë dhe më vonë për Hollandën (Provincat e Bashkuara). Zannovich kishte bërë një punë të madhe dhe me përkushtim rreth Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit sa ku ishte në Holandë dhe Gjermani, pasi që nxorri në dritë librin e tij kushuar Heroit Komëtar.

Është intreresant se si erdhi që libri i Zannovich të vjen dhe të përkthet nga Anders Zettenberg dhe të botohet në gjuhën suedeze në vitin 1788 në Stockholm, nuki kam arritur të gjejë shenime lidhur me këtë.

Lidhur me ate se si ka a rdhur deri tek ajo që Zanovich të merret me heroin tonë kombëtar ai thotë ne libër:

O! Ti je trashëgimtari i denjë për titullin CESAR, për virtytet e tua! Por vetëm mos harro se ti je APOLLO, mbrojtës i epokës sonë.

Rretfimi i Zannovich fillon nga Mbreteria e Gjon Kastriotit dhe vazhdon me të madhin Gjergj Kastrioti biri i Gjon Kastriotit dhe i Vojsavës,vajza më e madhe e Princit të Tribalëve. Mbretëria e Shqipërisë, një provincë evropiane, e vendosur përgjatë grykës veneciane, e rrethuar me male, shkëmbinj malorë, moral të thellë, ishte e sunduar tashmë e 710 vjet nga kjo familje e shkëlqyer, origjina e së cilës humbet në shtigjet e paarritshme të së kaluarës. Pozicioni i favorshëm i këtij vendi, guximi i këtyre banorëve të maleve dhe disponimi luftarak i tyre, i bëri ata të frikshëm dhe të rrezikshëm për fqinjët e tyre, e sidomos për turqit.

Gjergji nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç atëherë: sapo u ekstradua në Perandorinë Turke, ai u bë synet në bazë të ligjeve të Mehmetit. Ndërsa ai zotëronte të gjitha cilësitë e mendjes dhe trupit që mund ta bënin një princ të ri të rehatshëm; ai madje në këtë moshë të re e tregoi veten në mënyra fisnike, duke lartësuar të menduarit; atëherë Murati tregoi një simpati të veçantë për të: dhe i kishte dhënë një edukim mjaft të mirë.

Kostandini, Johani dhe Stanislaus, vëllezërit e tij më të mëdhenj, më parë ishin gjymtuar nga komanda e Muratit, por pas disa kohësh, ata u helmuan dhe u ekzekutuan në Serrillanga nga një helm i ngadaltë. Një fat i njëjtë e priste edhe Gjergjin, por dukej se ishte shkruar në Librin e Providencës se i vetmi numër i këtij gjaku fisnik duhet të mbetej gjallë, në mënyrë që më pas, ne pasardhësit e tij, do të ishim edhe më shumë të kënaqur me famën e tij.

Në atë kohë, ndërsa Gjergji rritej dhe bëhej më i madh, edhe forca i rritej aq shumë sa askush në vendet e lindjes nuk kishte një trup më të fortë, krahë më të mbushur dhe guxim më të patrembur, sa ai.

Atij iu vu në dispozicion një mësues mjeshtër, i cili i mësoi Gjergjit turqisht, arabisht, greqisht, italisht, sllovenisht, si dhe Gjuhën Latine, e cila pas rënies së perandorisë ishte po aq e rrezikshme për të rinjtë, sa bestytnia për adhurimin e vërtetë të Zotit.

Ata e mësuan Gjergjin të përdorë armët, të kalërojë si dhe të bëjë të gjitha ushtrimet e trupit,që janë të nevojshme për të pasur sukses në shërbimin ushtarak.

Ai përfitoi njohuri për veten e tij aq mirë nga ata mësues të aftë, të cilëve iu ishte besuar edukimi i tij, që jo vetëm në të gjitha konkurset publike ai fitoi të gjitha çmimet konkuruese, por, gjithashtu, ai çdo ditë merrte çmime të reja dhe lëvdata nga Murati.

Në moshën 18 vjeçare, Perandori e kishte emëruar atë komandant të mbi 5 000 kaloresish, duke e dërguar në Azi.

 

Gjaku i Kastriotëve është me të vërtetë ndër më fisnikët në Orient, sepse është rrënjosur në fillimin e botës me shekujt e ardhshëm.

Kronikanët turq thonë se koka e shtetit otoman ishte një bakërpunues. Sa i përket Kastriotit, ata i bëjnë atij një nder më të madh. Ata pretendojnë, dhe Kantomiri e konfirmon këtë, se paraardhësi i kastriotit ishte Paulus – Emilius, Roman i aftë, i cili, afër Epidaurit, mundi mbretin e Epirit, i tmerrshëm nga numri i madh i elefantëve të tij. Sidoqoftë, nuk është çështja e kërkimit të paraardhësve të kësaj familjeje, por vetëm për të zbuluar pasardhësit e tij. Moreri është mashtruar, e them me siguri. Sepse unë mund të them sikurse Eneas: Et quorum pars magna sum. Detyra e një shkrimtari të historisë është, gjithashtu, të mos thërrasë veten, sepse as feja, as atdheu, as mbreti, dhe as vetë – dashuria nuk duhet të lejohet kurrë të jetë udhëheqësi ynë në një histori, por një ngjarje historike. Moreri pretendon se pasardhësit e fundit të kaq shumë mbretërve u zhdukën në luftën e vitit 1525.

Në arkivat e bibliotekave të Konstandinopojës ka një vijueshmëri të pandërprerë dokumentesh të prejardhjes së Kastriotit. Por le të qëndrojmë për një moment te ky hero i njohur, i cili ka qenë dekor i madh në familje në një epokë. Gjergj Kastrioti ishte mburoja e Krishtërimit dhe tmerri i Perandorisë Osmane, siç kemi thënë, tashmë. Princi Huniad i Hungarisë, një rival i tij, po më vonë edhe miku i tij, tha, kur ai goditi ushtrinë me reputacion të Muratit II në brigjet e Danubit: Unë fitova betejën në momentin kur Kastrioti ktheu kalin e tij për në Shqipëri, kjo është një gjë aq e jashtëzakonshme për nderin e Skënderbeut sepse ai mposhti të dy perandorët, për të cilët turqit duhet të falënderojnë për vazhdimin e tyre në Evropë, për pushtimet e tyre më të mëdha dhe për ndikimin e tyre të jashtëzakonshëm në çështjet politike të të krishterëve. Ai nuk kishte të bënte me një Mustafa të dobët, i cili hodhi paratë e tij te peshkatarët, por jo me një osman femër, që çdo herë ishte midis dy Czircaziennermë të mëdhenj në mbretërinë e tij. Por trimëria e tij ishte e pranuar nga Murati, me nofkën As – Bineb, ose hero i palodhur. Ai shkaktoi humbje aq të mëdha që herën e parë dhe e lejoi të shihte mrekulli kaq të mëdha në artet luftarake me aq shumë guxim saqë princi vdiq për këtë pikëllim dhe indinjatë. Ti mund ta shohësh në Shqipëri, afër ose pranë qytetit të Lezhës, në një lartësi të vogël, pjesërisht një varr me një xhami dhe disa shtëpi aty afër. Ky vend, nga turqit quhet hija e Muratit.

Pasi Murati kishte bërë pushtime të mëdha në Evropë dhe Azi, pasi nënshtroi mbretërinë e Kostandinit, ai dështoi në të gjitha sulmet e tij kundër Kastriotit dhe krishtërimit.

I tillë ishte ky njeri, që dora e Perëndisë i kishte dhënë atë formë, i cili deri në fatkeqësinë e familjes së tij, që nga koha e lindjes së tij!

Gjergj Kastrioti kishte një ndërtim fizik trupi shumë të fortë. Njeriu mund të shihte kokën e tij të ngrihej mbi ushtarët e tij. Ai kishte një hundë shqiponje, lëkurë të bardhë të spërkatur me tone trëndafili, ballin e gjerë dhe mjekrën pak të shtrembër. Portreti që i ngjan më shumë, ngjan me statujën që kanë në Shqipëri, pastaj është ajo që është në Galerinë e Madhe në Toscana. Ai ka një mjekër të plotë, kryqin e Shën Gjonit, të cilin e mbarti me përkushtim dhe çizmet e verdha që ishin zbukurimet e tij të zakonshme. Në kohën e pushimit, ai pëlqente ta mbante kokën të zhveshur. Por në fushëbetejë, ai ishte i kujdesshëm për të veshur një shami me shumë pendë struci, për t’u treguar, tha ai, para ushtarëve të tij, se atje ku është koka e tij, atje do të ishte armiku. Thuhet se kishte diçka të pazakontë dhe të veçantë me fuqinë e Kastriotit. Ai dukej se kishte një natyrë tjetër nga njerëzit e zakonshëm. Sikur të mos i ishte nënshtruar nevojës së njerëzimit nga vështirësitë, ai mund të jetonte ditë të tëra pa ngrënë ose pa pirë. Dukej se një dorë e padukshme drejtonte çdo therje që bënte. Ai tregon se ka qenë për 22 vjet në luftë, por edhe në shumë beteja më herët, dhe se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë dëmtim, me përjashtim të një të lehti në njërën këmbë. Shumë ngjarje të tjera janë përshkruar rreth tij, të cilat dukeshin të mbinatyrshme. Injoranca e të tjerëve zbulon diturinë e tij.

Perandorët gjermanë e quajtën atë shqiponja e gjallë e Krishtërimit. Ai e riktheu mes shteteve të tij princin e Silistrisë.

Mehmeti u tha gjeneralëve të tij kur foli për Skënderbeun: – Unë do ta njoh gjithmonë Kastriotin në fytyrën e tij, por kurrë mbi supet e tij; sepse ai kurrë nuk më ka kthyer shpinën.

Kur dilte plotësisht i armatosur për betejë, e gjente veten në mes të kampit të tij, i lumtur, i sigurtë, aq entuziast, saqë jepte një ndjenjë të fortë ushtarake te ushtarët e tij. Elokuenca e tij ishte e natyrshme dhe aq e qëndrueshme me veprimet e tij, sa në vend të tij ai i bëri ata qartësisht të përkryer dhe të vendosur në vendimin për të hedhur veten në krahët e rrezikut dhe vdekjes, si dhe për të ndjekur mbretin e tij për të triumfuar dhe jo për një rezultat të pasigurtë të luftës. Ky njeri i madh nuk ishte i tmerrshëm për askënd tjetër, përveçse për armiqtë e tij. Ai ishte një mik njerëzor, i këndshëm dhe i sigurtë për vartësit e tij. Ai ishte jashtëzakonisht bujar dhe i shpërbleu të gjithë ata që shkëlqyen në shërbimin e tij. Ai ishte i lumtur nga lavdërimet e tyre. I njihte emrat e pothuajse të të gjithë ushtarëve të tij, zemrat e të cilëve i fitoi tek ata përmes mënyrës së tij të guximshme dhe të sjellshme për të komunikuar.

Trimëria, rastësisht, ishte gërshetuar me butësi të madhe dhe mirësi maksimale. Mund të thuash që koha e njihte gjenialitetin e tij dhe njerëzit zemrën e tij. Ai kurrë nuk e kurseu veten duke i lënë të varfërit të pikëlluar dhe të provonin efektet e mëshirës së tij.

Unë nuk di lavdi tjetër për një regjent, përveç mirëqenies së popullit të tij. Kur ti mendon në të njëjtën mënyrë, atëherë ndoshta unë do të uroj më të mirën e miqësisë suaj (Letrat në gjuhën arnaute mund të gjenden në arkivat e Shtëpisë Kastrioti Cernojvic në Malin e Zi e ruajtur në kishën katedrale të Shën Veneranda në Cetinje.)!

Gjatë punës sime rreth përkthimit unë vet isha i interesuar të di më shume rreth autorit të këtij libri madheshtor me vlera të mëdha hitorike, kombëtare dhe letrare, të pa kontestueshme dhe me fakte bindëse për hsitorinë e një qerek shekulli të heroit tonë kombëtar si sundimtar i trojeve arbërore, mendoj sa ka vlere qe edhe sot të jetë udherrefyes në jetën e përditshme në trojet tona.

E në fund të librit autori thotë për heroin kombëtar:

Fati që më përcolli mua është ngulitur aq tmerrësisht, saqë edhe pas vdekjes sime, hija ime do të jetë e gjallë, lëvizëse, fluturuese dhe hiri im do të shpërndahet rreth e rrotull. Sidoqoftë, nëse është e vërtetë që kushdo që vdes i panjohur, vdes më pak i pakënaqur, nuk do të pendohem më. Unë, tashmë, jam vdekja borgjeze për botën. Viktima fatkeqe e një politike të rreme dhe false. Është koha që unë të heq dorë nga kotësia dhe të shpresoj në gradën më të lartë mashtruese, e cila është burimi i gjithë vuajtjeve të mia! Prandaj heq dorë nga ajo për çdo kohë. Unë jap titullin e preferencës së një zemre të ndershme dhe të sinqertë, mbi të gjitha përfitimet e tjera. Gjithçka shkon, gjithçka ndryshon. Ah! Le të humbasë emri im si një re për diell më shpejt se sa unë meritoj emrin e së keqes! Ligji i botës është: Aksident për fitimtarët! Megjithatë, nëse jam i brishtë, i ndjeshëm ndaj padrejtësive të fatit, atëherë është për të më ngritur edhe më shumë, e jo të jem i rraskapitur. Heshtja është durimi im, karakteri i qortueshëm nuk është shenjë e një shpirti të frikësuar. Njeriu duhet të jetë i madh, të durojë pa degraduar një fat të tillë të frikësuar. Por a mësoni pak nga kjo se ju nuk do të prisni një përshëndetje të lumtur? Lumturia ndjen lodhje për t’ju ndjekur, a nuk do t’ju lejonte ajo të hidhnit armët, për t’ju lënë të paktën të shijoni pushimin? Jo: dëshirat e mia janë të shumta, mënyra ime e të menduarit është e pandryshueshme, armiqtë e mi më kanë dhënë goditjen e fundit. Dhe mësova të vdes prej saj. I lirë? Po: por në mjerim dhe errësirë. Delikate për padrejtësinë, por edhe më e ndjeshme ndaj miqësisë, zemra ime nuk dëshiron asgjë më shumë se një shkretëtirë ku mund të varros imazhin e një personi, me kujtimin e madhështisë sime. Aty, i vetmi besimtar i vetvetes, nuk do të shohë më as padrejtësi, as të padrejtën. Që unë të heshtja para tyre, do të ishte kundër të drejtave të mia. I barabartë në fjalim me mbretërit pa i tallur ata dhe nëse i përçmojnë, ose nëse i respektojnë si të mirë ose të këqinj.

Ndërsa ai fliste, u përhapën thashethemet se turqit, të cilët kishin dëgjuar për sëmundjen e tij, filluan të shkatërrojnë dhe djegin të gjithë vendin. Megjithatë, këtu, ai në këtë situatë që ishte, nuk e braktisi guximin e tij, shpresa se edhe një herë do të ishte në gjendje të përdorte vartësit e tij, ringjalli sërish fuqinë e tij të rraskapitur, fuqinë që po vdiste. Kastrioti harroi vuajtjet e tij. Ai e njihte më me dinakëri atdheun e tij: Ai kërkoi armët dhe kalin e tij; Junag ishte krahu i djathtë dhe njeriu i besuar tij. Ai i kishte shërbyer për 10 vjet, me një dashuri të pashoqe që kishte kaluar të gjitha provat dhe kishte ndarë të gjitha rreziqet me të. Por, pasi forca mendore e mbretit nuk mbështetej nga ajo e trupit, ai u tha kapitenëve të tij: – Marshoni përpara, shokët e mi, ja armiqtë tanë. Unë shumë shpejt do të vij pas jush.

Sapo turqit panë përkrenaren e Kastriotit duke u valëvitur, dhe jo më pak se të habitur se sa të goditur nga tmerri, ata kërkuan shpëtimin e tyre, por jo në ndonjë mënyrë tjetër përveç se duke ikur. Ata braktisën prenë e armët e tyre dhe ikën tërë natën nëpër male. Por ata u përndoqën nga ushtarët e Kastriotit, të cilët i bënë që të humbnin aftësinë e tyre, dëshirën dhe vullnetin për të ardhur përsëri në këtë vend.

Dikush mund të shohë nga kjo përmbajtje e shkurtër e tregimit të tij se ai kishte fituar me të drejtë shumë tituj të luftëtarit të pathyeshëm, fisnikërisë, mbrojtësit të emrit të krishterë, të trungut të fesë dhe të Aleksandrit të Ri, që atij i ishin dhënë nga papët, nga mbretërit e bashkëvëllezërve të tij dhe atë të Skënderbeut, të cilin edhe armiqtë e tij e nderuan. Por kaq shumë lavdi dhe lumturi u zhdukën në një çast! Pas vdekjes së tij, u dukën furtunat. Bubullima dëgjoheshin nga të gjitha anët mbi kokat e pasardhësit të tij! Turqit, me Kuranin në njërën dorë dhe me shpatë në tjetrën, sollën më pas shkatërrimin e kësaj mbretërie të bukur, të cilën e vunë nën zgjedhën e skllavërisë. Vdekja, skllavëria dhe shkatërrimi sot janë të dukshme në të gjithë Shqipërinë dhe gjurmët e përgjakshme të luftrave të Mehmetit. Kujtimi i këtyre fatkeqësive; historia e tyre, që unë, si shkrimtar i historisë, jam i detyruar ta portretizoj, më bën edhe mua që të derdhi lotë. Sidoqoftë, do të hesht. Por ekziston një vuajtje kundër së cilës zemra më stoike nuk mund të ngurtësohet kurrë.

Unë jam biri i diellit dhe nuk mund të qëndroj duke më poshtëruar. Asgjë në botë nuk është më poshtëruese sesa të shihet padrejtësi dhe të qëndrosh në heshtje.

Por mjerisht! Burri, i cili ishte më i denji për t’u bërë i pavdekshëm, ishte gati t’i paguante natyrës thesarin, të zbriste në varr atë natë, pas aq shumë fitoresh, aq shumë epërsie, për të mos lënë asgjë në kohën e tij, përveç familjes së tij, për Krishtërimin, mbështetja e të cilit ai ka qenë, sesa kujtimi i emrit të tij dhe veprat e tij heroike pas vdekjes. Kjo me të vërtetë ndodhi, pasi dha një provë për një frikë të sinqertë të perëndisë dhe për këtë mori sakramentin e kishës me devotshmëri shembullore; ai ia dorëzoi shpirtin e tij Zotit dhe trupin e tij tokës më 17 janar 1467, në vitin e 65-të të jetës së tij dhe në vitin e 38-të të mbretërimit të tij. Në ditën e tretë pas vdekjes, i shoqëruar nga djali i tij dhe njerëzit me lotë në sy, me flokë të çrregulluar dhe të varura mbi shpatullat e tij, të përkulura.

Ky libër shkruar këtu e 200 vite më parë në gjuhën gjermane e përkthyer edhe në gjuhë tjera e ndër të tjera edhe ate suedeze dhe botua në Stockholm në 1788 mendoj se ka vlera historike, të cilat duhet të studjohen sepse shoh se bien në kundershtim me shumë teori dhe hipoteza të sotme lëshuar nga ”njohës të historisë” sonë, e që mendoj se duhet analizua dhe shiqua me një sy tjetër.

Libri ka vlerë edhe për ate se thenjet e të madhit Skenderbe edhe sot po të analizohen ka efektin e tyre në jetën e përditshme në të gjitha trojet shqiptare sepse edhe sot i kemi ato probleme rreke të jetës së përditshme. Pra është një libër që me të verte¨te ve në pah shumë gjera të cilat deri më sot nuk janë hasur në librat e shkruara për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin. Por ja lemë lezuesit të jap mendim in dhe vlersimin.

Për tē mos u harruar…! LIRI BELISHOVA dhe rrëfimi për të bijën, DRITA ÇOMO

“Kur u arrestova unë, vajza ime ishte 2 vjeç e gjysëm. Gjithë jeta e saj kaloi nëpër persekutimet e diktaturës komuniste, për të cilën kish luftuar nëna dhe babai i saj. Kjo ishte tragjedia e saj, kjo ishte tragjedia jonë.. Kjo vajzë ishte shumë e bukur, e gjatë, por edhe shumë e zgjuar, e talentuar. Ka lënë shumë vjersha e një ditar që e dëshmon këtë gjë. Në radhë të parë ishte shumë e mirë.
Njerzit që e kanë njohur, shkolla ku mësoi, mësuesit, spitali ku u shtrua kur ishte e sëmurë, të gjithë thonë se ajo ishte një ëngjëll tokësor. Ajo kish vetëm një të metë; ishte vajza e Liri Belishoves dhe Maqo Comos.. Fati i saj ishte përcaktuar nga diktatura. Ky fat kish vetëm një ngjyrë, të zezë, prandaj edhe jetën e bëri të zezë.
Sëmundja e saj u zbulua kur ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme, pra kur ishte 18 vjeçe. Vuante nga një sëmundje e pashërueshme që vazhdoi 5 vjet. D.m.th. pjesën më të bukur të rinisë, e kaloi nën kërcënimin e vdekjes.
Gjatë këtyre 5 vjetëve, u shtrua 10 herë në spital. E shtronin, e kur përmirësohej e dërgonin në shtëpi të vazhdonte kurën me ilaçe. Jeta e saj kish vetëm dy pika referimi;vajtje- ardhje, përsëri vajtje e përsëri ardhje. Spitali u bë shtëpia e saj. Nuk mund të ankohem se mjekët dhe personeli nuk e trajtuan mirë. Megjithëse ajo ishte e mbyllur, nuk tregonte, nuk ankohej, nuk donte të më dëshpëronte. Më ka mbetur peng një gjë, e cila pasqyrohet edhe në ditarin e saj.
Ky ditar është një dokument. Mjekimet shpesh i ndërronin, emrat e ilaçeve nuk më kujtohen, ka kaluar shumë kohë, një prej tyre ishte i mirë, po ja ndërprisnin se nuk kish, e ja vazhdonin me një ilaç tjetër nga prodhimet e vjetra që nuk kish ato veti kuruese. Kur unë e pyeta mjekun pse?- ai më tha: nuk ka valutë. Të them të drejtën, edhe sot e kësaj dite, më dridhet gjithë trupi, sepse ilaçi ndofta nuk do ta shpëtonte, po do i kish zgjatur jetën.
Gjatë kohës që vajza qëndronte në spital, jo vetëm që nuk qëndroja me të, por me shumë lutje, më kanë lejuar vetëm dy herë ta shoh gjatë 5 vjetëve. Këto dy herë kan qenë si rezultat i këmbënguljes sime, për të biseduar me mjekët. Mendoja se vajzës nuk mund t’i thonë të vërtetën, kurse mua, po. Ajo që në të vërtet është mizore, kur vajza u sëmur rëndë, ishin ditët e fundit të saj. Unë kisha marrë leje të bisedoja në telefon. E mora në telefon e më doli një shoqe e saj. Ajo më tha, Drita nuk ka mundësi të vijë se është në shtrat e sëmurë! Në atë kohë u ndodh pranë mjeku që e kuronte, një mjek shumë fisnik, Nini Theodhosi. Ai e mori telefonin e më tha, dëgjo nëna e Dritës. Vajza po të vdes! Kërko leje e hajde ta shohësh për herë të fundit.
Atëhere me letra e telegrame ç’nuk bëra. Kaluan disa ditë dhe më erdhi leja për ta takuar vajzën në spital. Erdhi gazi i degës me dy roje, o zot, ç`do bëja unë?! Shkova me djalin, Petritin, për të parë vajzën. Kur hyra në dhomë, dhoma kish 6 krevate. Të gjitha ishin bosh. Vajza më tha: Mami, i ka në hequr, se do vije ti! Çfarë do bëja unë, nëna e mjerë që po i vdiste vajza? Unë ndenja rreth një orë me vajzën, e gjatë gjithë kohës duhet ti njomja buzët se i thaheshin, duhet ti vija oksigjenin se kur lëviste i largohej tubi i oksigjenit. Ajo u përpoq të më jepte mua kurajo. Mami, mos u dëshpëro, se kjo gruaja që ka qënë pranë meje, ka marë 16 herë oksigjen e akoma rron. Vajza ime nuk rrojti. Pas tre ditësh vdiq. Kur mbaroi takimi e dola në korridor, u thash oficerëve të sigurimt që më shoqëronin. Ju lutem më lini të rri pranë vajzës, se ju e dëgjuat vetë mjekun. Me dhimbje, mjekët ma thanë troç, vajza juaj ka shumë-shumë disa ditë jetë, për të mos thënë disa orë. Varet nga organizmi. Punonjsi i sigurimit qeshi e më tha në mënyrë të prerë:
“Hajde, mjaft ndënje se po erësohet. Duhet të ikim. Ka shtet këtu, ka infermierë, ilaçe e gjithçka tjetër, do ti bëhen të gjitha.”
Të lutem i thash unë, duhet ti njom buzët, duhet ti vë oksigjenin, e pastaj nuk e di, në ato momente të tmershme se si më erdhi në mëndje e i thash. E njoh Nexhmije Hoxhën, gjatë gjithë luftës kemi qënë bashkë Pas luftës, përsëri bashkë kemi punuar. Ajo është nënë e nuk mund të mos më kuptojë. Të lutem i telefononi asaj se mua po më vdes vajza, e duhet të jem pranë saj!
O sa larg e mbake ti! Akoma mendon si antare e Byrosë Politike? Thuaj faleminderit që të lejuam për të parë vajzën për herë të fundit.
Nuk e di, duhet të jem lëkundur, se veten e ndjeva sikur po bija. Dhe një nga ato infermieret mori kurajo dhe erdhi e më mbajti, se do kisha rënë për tokë. Ajo më shoqëroi tek makina.
Si vdiq Drita, vajza ime!?
Natën vonë, kur shoqet e saj flinin, e pranë saj nuk kish infermiere, Dritës i qe larguar tubi i oksigjenit. Kushedi! Ajo përpëlitej në krevat me vdekjen. Kjo gjë zgjoi shoqet e dhomës. Njëra prej tyre ja vuri tubin e oksigjenit, e ajo tha vetëm këto fjalë: “Më falni se ju shqetësova!” Ra në koma e vdiq. Dha shpirt përfundimisht në orën 7 të mëngjesit. Këto mi thanë shoqet e dhomës, po dhe djali që dashuronte. Atë e lajmëruan e shkoi menjëherë pranë saj. Banonte në Fier. Ishte njeriu i vetëm që i qëndroi pranë deri në çastet e fundit të jetës. Ai na bëri telegram për vdekjen e saj. “Drita mbaroi!” E mora këtë telegram kur isha në postë e përpiqesha të lidhesha në telefon me spitalin. Ishte e pamundur të bisedoja me spitalin në një central të vogël provincial si ai i Cërrikut. Në atë kohë s’kish telefona celularë. Ndërkohë që po përpiqesha të lidhesha me telefon, më japin telegramin. Akoma më e vështirë ishte vajtja në Tiranë për të marë kufomën e vajzës e pastaj organizimi i cermonisë së varimit. A do na jepnin leje apo jo! A do na jepnin një makinë apo jo! Në se po, kur do na i jepnin? Që nga mëngjesi, e deri në orën 13 të drekës, mezi na u dha leja. Atëhere erdhi leja nga Tirana. Më në fund, u nisëm për të marë kufomën e vajzës. Kur u kthyem në Cërrik, e ndjenim se njerzit na shikonin nga dritaret me drita të mbyllura. Njerzit e sigurimit të shtetit, me qëllim na shpunë natën në shtëpi. Megjithëatë, gjithë Cërriku e ka qarë atë vajzë! Aman në cermoninë e varimit, askush nuk guxoi të vijë. Në varrim isha unë, djali, nëna, dy vëllezërit e mi dhe një kunat,- 6 vetë. Më vonë, kur na takonin njerëzit e qytetit në rrugë apo në ndonjë vend që nuk binte në sy, na thoshin: “Na fal që s’të erdhëm në varim. Ne jemi njerëz, dhe e kuptojmë dhimbjen tuaj, po ti e di vet si janë këto punë!
Ju nuk mund ta përfytyroni dot se çfarë egërsie kish në atë kohë! Ju nuk mund ta merrni me mend se sa e fortë ishte lufta e klasave! Fushata kundër armiqve të partisë e të popullit, siç quheshim ne, ishte e madhe, në shtyp, në radio,në gazeta, në broshura e buletine, çdo orë, ditë për ditë.
Në diktaturë, nuk mund të bëhet fjalë për marrëdhënie njerëzore!

Send this to a friend