VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pompeo: Vrasja e Soleimanit shmangu një sulm të pritshëm

By | January 3, 2020

Komentet

Pas shfajësimit nga Senati, Presidenti Trump e kthen vëmendjen tek rizgjedhja

Që kur Senati votoi për shfajësimin e tij, Presidenti Donald Trump ka vënë në shënjestër ata që i dolën kundër gjatë procesit për shkarkimin e tij, u ka bërë favore aleatëve dhe ka vazhduar të përfshijë njerëz besnikë të tij në administratë. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim përpjekjeve të Presidentit për të konsoliduar pushtetin, ndërsa bëhet gati për betejën për rizgjedhje.

Para simpatizantëve që brohorisnin, Donald Trumpi drejtoi limuzinës e blinduar presidenciale në pistën a garës së makinave Daytona 500 fundjavën e kaluar, hera e parë që një president amerikan e bën një gjë të tillë.

“Presidentit Trump i pëlqejnë gjestet mëdha, lëvizjet e guximshme dhe kjo e ka karakterizuar gjithë personalitetin e tij publik, edhe kur ishte një qytetar privat”, thotë Matthew Continetti i Institutit Amerikan “Enterprise”.

Mes këtyre lëvizjeve të guximshme kohët e fundit, ka qenë presioni ndaj prokurorëve federalë për të reduktuar dënimin e ish-këshilltarit të tij politik, Roger Stone, që është shpallur fajtor se ka gënjyer hetuesit, pengimi i Kongresit dhe frikësimi i dëshmitarëve në rastin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

“E trajtuan shumë keq, nëntë vjet burg rekomanduar nga katër vetë që ndoshta ishin njerëzit e Muellerit. Nuk di se cilët ishin këta prokurorë”, tha ai duke folur për rastin e ish-këshilltarit, Roger Stone.

Presidentët rrallë komentojnë për çështjet ende të hapura, për të shmangur perceptimin se po ndikojnë në procesin ligjor. Por Presidenti Trump ka bërë të kundërtën.

Ai mbrojti gjithashtu shkarkimin e ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland dhe Alexander Vindmanit, Drejtorin për Çështjet Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Të dy ata dëshmuan kundër presidentit në gjyqin për shkarkimin.

“Sjellja e tij pas shfajësimit nga Senati, konfirmon shqetësimin më të madh që kanë njerëzit për të: se ai nuk ka temperamentin që njerëzit do të donin të shihnin tek një president. Njerëzit nuk duan një president me sjellje hakmarrëse”, thotë Geoffrey Garin, një specialist demokrat sondazhesh.

Përkrahësit e Presidentit, i hedhin poshtë këto kritika dhe thonë se ai po shpërblen besnikërinë politike, ashtu siç bëjnë të gjithë presidentët. Pas tre vjetësh në detyrë, zoti Trump vazhdon të dëshmojë se vlerëson besnikërinë personale, duke spastruar Këshillin e Sigurisë Kombëtare nga personeli i ish-presidentit Obama dhe duke risjellë ish-drejtoren e komunikimeve, Hope Hicks si këshilltare dhe ish-ndihmësin personal John McEntee për të mbikqyrur Zyrën e Personelit të Presidentit.

“Ai do që ta rrethojë veten me njerëz tek të cilët ka besim dhe përpiqet që të mos ketë të bëjë me njerëz që nuk i njeh, apo njerëz që ishin në administratë që para tij, që i kanë dalë kundër në çdo hap që kur u bë president”, thotë zoti Continetti.

Presidenti Trump po shpreson gjithashtu se ekonomia e fortë do ta ndihmojë të rizgjidhet, megjithëse disa nga përkrahësit e tij nuk e pëlqejnë stilin e tij të komunikimit pa doreza.

“Askush nuk e bën më të qartë argumentin për problemet me karakterin e Presidentit Trump, sesa ai vetë. Njerëzit e shohin çdo ditë. Dhe në sondazhet tona ne shohim se një numër i konsiderueshëm votuesish që thonë se janë dakord pak a shumë me të përsa i takon çështjeve të ndryshme, por jo me mënyrën se si sillet”, thotë zoti Garin.

Ndërsa kanë mbetur tetë muaj deri në zgjedhjet presidenciale, presidenti Trump po bën fushatë intensivisht, duke bërë tubime me simpatizantët e tij çdo javë dhe po mbledh fonde, që deri tani kanë arritur shifrën 200 milionë dollarë.

Megjithatë, Grenell do të mbetet pa postin e Ambasadorit në Berlin

Richard Grenell shpejt mund të mbetet pa postin e Ambasadorit të Amerikës në Gjermani. Njeriu më i fuqishëm i botës, Donald Trump, ka thënë se do të emërojë një ambasador të ri në Berlin pasi Grenell është emëruar Shef i Agjencive të Sigurisë Kombëtare në SHBA. Nëse dihet nëse Grenell do të mbetet edhe pa pozitën e të Dërguarit Special të Trumpit në dialogun Kosovë-Serbi.

“Do ta emëroj një ambasador në Gjermani”, iu ka thënë Trumpi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej për një udhëtim në Indi.

Derisa ishte ambasador në Gjermani, Grenell ishte emëruar i dërguari i posaçëm i SHBA’së për bisedimet Kosovë – Serbi.

Trump të dielën ka deklaruar se ka në mendje pesë kandidatë për pozitën e shefit të inteligjencës amerikane, njëri prej të cilëve do të bëhet drejtor i përgjithshëm.

“Në një të ardhme jo edhe aq të largët, do t’i bëjmë të ditur emrat e këtyre kandidatëve”, ka thënë Trump./Express

Trumpi: Ambasadori Grenell do të vazhdojë angazhimin në bisedimet Kosovë-Serbi

Ardita Dunellari

Presidenti Trump e konfirmoi këtë të dielë në Shtëpinë e Bardhë, pasi u pyet nga Zëri i Amerikës se si ndikon emërimi i Ambasadorit Grenell si kreu në detyrë i shërbimeve inteligjente amerikane, ndërkohë që është edhe ambasador në Gjermani dhe ndërmjetës në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti tha se zoti Grenell do të vazhdojë në detyrën e dërguarit amerikan për Kosovën dhe Serbinë:

Ambasadori do të vazhdojë pasi po bën një punë shumë të mirë. Ai i njeh mirë zyrtarët. Ka bërë punë fantastike. Do ta vazhdojë. Të gjithë thonin se ishte një marrëveshje e paarritshme por ai e realizoi. Ishte dicka shumë pozitive për këto të dyja vende“, tha presidenti duke iu referuar marrëveshjes së fundit për rihapjen e transportit hekurudhor e rrugor Kosovë-Serbi.

Presidenti i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për vizitën e tij në Indi.

Bernie Sanders shënon fitore të madhe në Nevada

Kandidati demokrat Bernie Sanders ka betonuar pozitën e favoritit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara që do të mbahen në nëntor.

Sipas rezultateve të hershme, Sanders pritet të shënojë fitore të madhe në Nevada, por një proces i gjatë është ende përpara konfirmimit të të nominuarve.

Rezultatet preliminare tregojnë se ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden ka shënuar rezultat më të mirë në Nevada sesa në Ajoa dhe Nju Hempshir.

Deri tash, me 50 përqind të votive të numëruara, Sanders ka fituar 47 përqind të votive duke lënë prapa Bidenin me 19 përqind. Pete Buttigieg ka deri tash 15 përqind dhe Elizabeth Warren 10 përqind.

Kandidatët që kanë fituar më shumë se 15 përqind të votave do të emërohen delegatë, që do të marrin pjesë në konventën e partisë në korrik për të mbështetur të nominuarin e demokratëve.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 3 nëntor dhe nga Partia Republikane, presidenti aktual, Donald Trump, do të garojë edhe për një mandat. rel

SHBA, prej 24 shkurtit rregulla të reja për emigrantët

Ardita Dunellari

Më 24 shkurt administrata Trump do të nisë zbatimin e rregullave të reja për emigrantët që janë përfitues të programeve për ndihmë shtetërore në Shtetete e Bashkuara. Rregulli i ri do të ndikojë në procesin e marrjes së vizës emigruese ose leje të përhershme qëndrimi në Shtetet e Bashkuara nga qytetarë të vendeve të huaja me të ardhura të vogla. Muajin që shkoi ky rregull mori dritën e gjelbër nga Gjykata e Lartë amerikane.

Rregullat e reja u japin autoritet zyrtarëve të emigracionit të refuzojnë aplikimet për ndihma në para ose forma tjera të asistencës nga Shtetet e Bashkuara.

“Ata që kanë më shumë pasuri janë më pak në rrezik, ndërsa ata që janë më pak të shkolluar, që kanë familje të mëdha ose të hyra të vogla janë në rrezik të refuzohen”, tha Marg Greenberg nga Instituti për Politike të Emigracionit.

Analisti Greenberg thotë se aplikantët nga shtete të varfa, me popullësi jo të bardhë janë në rrezik të refuzimit të vizave ose lejes së përhershme të qëndrimit, e njohur si karta e gjelbër.

“Kjo do të ketë ndikim më të madh negativ tek përfituesit e kartës së gjelbër nga Meksika, Amerika qëndrore ose Karaibet, krahasuar me Evropën, Australinë ose Zelandën e Re”, tha ai.

Mbështetësit e rregullit nuk e shohin atë si paragjykues.

“Është rregull neutral që aplikohet tek njerëzit e çdo race, është e njëjta për çdo vend. Nëse jeni një person i pasur i një race në një vendi, ju do të jeni më mirë krahasuar me një person të një race tjetër dhe vendi tjetër”, tha zoti Howell nga Fondacioni Heritage.

Më pak viza dhe leje të përhershme qëndrimi pritet të miratohen me rregullin e ri.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, aplikuesve u rriten mundësite për vizë emigruese pasi shfaqin dëshmi të pasurive financiare, të hyrave, dëshmi të sigurimeve private shëndetësore, oferta punësimi në ShBA apo zotimin për mbështetje financiare nga dikush jashtë Shteteve të Bashkuara.

Disa këtë e shohin si mundësi për të ruajtur fondet publike dhe përmirësimin e tregut të punës për amerikanët.

Korporata të mëdha amerikane cilësuan rregullin si pengesë për punëdhënësit amerikanë që duan të angazhojnë talentë të huaj.

Rregulli po hyn në fuqi pasi drejtori i zyrës së menaxhmentit dhe buxhetit në administratën Trump, Mick Mulvaney, u citua të thotë se ShBA ka nevojë për emigrantë të ligjshëm.

Të hënën fillon zbatimi i rregullit në të gjitha shtetet amerikane, përveç Ilinoit, që është në pritje të vendimit nga gjykata federale.

Presidenti Trump largon numrin dy të Zbulimit Kombëtar

Shtëpia e Bardhë ka bërë një tjetër ndryshim në drejtimin e zyrës së Zbulimit Kombëtar, duke larguar numrin dy të kësaj zyre, vetëm një ditë pas largimit të kreu të saj.

Agjencia e Zbulimit Kombëtar njoftoi të premten në mbrëmje largimin zëvëndës drejtorit Andrew Hallman, me një eksperiencë 30 vjeçare brenda komunitetit amerikan të zbulimit.

Largimi i zotit Hallman pason atë të ish-Drejtorit në detyrë të Zbulimit Kombëtar Joseph Maguire. Presidenti Donald Trump e largoi këtë të fundit nga detyra pas një seance të klasifikuar informimi të ligjvënësve lidhur me sigurinë e zgjedhjeve që përfshinte përpjekjet e Rusisë për t’u përzier në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.

Sipas gazetave “Washington Post” dhe “New York Times” presidenti ishte i shqetësuar se zyrtarët kishin dhënë informacione që mund të përdoreshin kundër tij. zëri i amerikës

Sanders paralajmëron Putinin: Qëndro larg zgjedhjeve në SHBA

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Bernie Sanders

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Bernie Sanders, ka dënuar përpjekjet e raportuara të Rusisë për të ndihmuar në fushatën e tij zgjedhore, duke ju thënë të qëndrojnë larg zgjedhjeve amerikane.

Sanders tha se disa zyrtarë amerikanë i kishin thënë muajin e kaluar për përpjekjet e Rusisë që të ofrojë ndihmë në fushatën e tij.

Gjatë një fjalimi në Bakersfield të Kalifornisë, Sanders tha se nuk është e qartë mënyra se si Rusia ka dashur të ndërhyjë në zgjedhje, por theksoi se ka refuzuar fuqishëm cdo përpjepkje për ndërhyrje.

Ai ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për autokraci dhe përpjekje për të sjellur përçarje në SHBA.

Sanders konsiderohet garuesi kryesor nga ana e demokratëve për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Ndërkaq, presidenti Trump, gjatë fushatës në Nevada, tha se ndërhyrja ruse është propagandë e nisur nga demokratët.

Më 2016, intelegjenca amerikane kishte raportuar se Rusia ka përdorur një strategji të sulmeve kibernetike përmes lajmeve të rreme kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton.

Një vit më vonë, ish-drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, u zgjodh Këshilltar i Posaçëm për të udhëhequr procesin e hetimeve ndaj Trump.

Më 2019, Mueller kishte dorëzuar një raport 448 faqesh përmes të cilit nuk është vërtetuar ndërhyrja ruse në zgjedhje. rel

Pas paralajmërimeve për Rusinë, Presidenti Trump shkarkoi kreun e Zbulimit Kombëtar

Mediat amerikane njoftojnë se Presidenti amerikan Donald Trump mori vendimin për të larguar zyrtarin e tij më të lartë të shërbimeve të zbulimit, pas një seance të klasifikuar informimi të ligjvënësve për sigurinë e zgjedhjeve.

Washington Post dhe New York Times thanë të enjten se presidenti ishte i irrituar pasi mësoi për informimin e javës së kaluar për anëtarët e Komitetit të Zbulimit, i shqetësuar se zyrtarët kishin dhënë informacione që mund të përdoren kundër tij.

Presidenti Trump më pas e thirri Drejtorin në detyrë të Sigurisë Kombëtare Joseph Maguire në zyrën e tij të nesërmen, kur përfundimisht vendosi ta zëvendësojë.

Drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar, Joseph Maguire, duke dëshmuar para Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve (26 shtator 2019)
Drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar, Joseph Maguire, duke dëshmuar para Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve (26 shtator 2019)

Ishte një zhveshje” e Maguire, i tha një burim, duke folur në kushtet e anonimitetit, gazetës The Washington Post. “Kjo ishte katalizatori“.

Sipas New York Times, zemërimi i presidentit u nxit nga një vlerësim i njërës prej ndihmëseve të larta të zotit Maguire, Shelby Pierson, e cila u tha ligjvënësve se Rusia ka qenë duke ndërhyrë në fushatën presidenciale amerikane për vitin 2020, duke synuar rizgjedhjen e tij.

Zyrtarët pranë Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe zyrës së saj të sigurisë zgjedhore nuk pranuan të komentojnë kur u kontaktuan nga Zëri i Amerikës.

Një kërkesë për koment drejtuar Shtëpisë së Bardhë gjithashtu nuk mori përgjigje, por reagimi nga ligjvënësit demokratë ka qenë i shpejtë.

Jam shumë i shqetësuar,” tha Kryetari i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve, Bennie Thompson në një deklaratë të enjten vonë.

Presidenti e vendos egon mbi vendin“, shtoi ai. “Duke shkarkuar drejtorin në detyrë të zbulimit kombëtar, Maguire, sepse stafi i tij i dha Kongresit konkluzionet e sinqerta të Komunitetit të Inteligjencës në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, presidenti nuk po refuzon vetëm të mbrohet kundër ndërhyrjeve të huaja, ai po e fton atë.”

ish-prokurori i posaçëm Robert Mueller hetoi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane
ish-prokurori i posaçëm Robert Mueller hetoi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane

Marrëdhënia e ashpër midis Trump dhe agjensive të inteligjencës amerikane daton në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, kur komuniteti i inteligjencës konkludoi se, “[Presidenti rus Vladimir] Putin dhe qeveria ruse aspiruan të ndihmojnë shanset për t’u zgjedhur të presidentit Trump me çdo mundësi“, kanë shkruar në një raport jo të klasifikuar të publikuar në vitin 2017, agjensitë kryesore të zbulimit amerikan.

Këto përfundime u mbështetën nga një raport në Prill 2019 nga këshilltari special Robert Mueller, i cili konstatoi se, “qeveria ruse konkludoi se do të përfitonte nga një presidencë Trump dhe punoi për ta siguruar këtë rezultat“.

Por, Presidenti Trump vazhdimisht ka mohuar çdo ndërhyrje ruse, duke iu referuar mohimeve të Putinit.

Ai tha që nuk ndërhyri (në zgjedhje)”, u tha Trump gazetarëve pas një bisede me Putinin në Vietnam. “Ai tha që nuk ndërhyri. Unë e pyeta përsëri. Nuk mund ta pyes pa fund“.

Megjithatë, zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë thënë, në mënyrë të përsëritur, se jo vetëm që Rusia ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2016, por se e bëri këtë përsëri në 2018 dhe se do të ndërhynte gjithashtu në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. zëri i amerikës

Ish-neonazisti flet për rrezikun e nacionalizmit të bardhë

Christian Picciolini

Drejtori i FBI-së Christopher Wray e cilësoi kohët e fundit ekstremizmin e dhunshëm të motivuar nga raca ose përkatësia etnike një “përparësi kryesore, në të njëjtin nivel me ISIS-in”.

Dhe sipas një ish-anëtari të një grupi urrejtjeje, këto grupe ekstremiste po përdorin taktika të ISIS-it për të rekrutuar anëtarë të rinj, shpesh në moshë të re, të influencueshëm dhe adoleshentë që kanë pakënaqësi.

“Në vitin 1987, u rekrutova nga grupi i parë neonazist i Amerikës”, thotë Christian Picciolini.

Dëshmia e tij në Kongres në vitin 2019, ishte hapi më i fundit në transformimin e tij që filloi që kur ishte një adoleshent i pakënaqur nga një familje e ngrohtë emigrantësh.

“Doja të gjeja një ndjesi identiteti, komuniteti, qëllimi, por në periferi të shoqërisë, pasi kisha qenë viktimë e bulizmit për 14 vjet. Dhe gjeta një kuptim. Një burrë më gjeti në një rrugicë duke pirë marijuanë, ai ma mori, më pa në sy dhe tha se këtë donin komunistët dhe hebrenjtë, që të isha i dobët. Të them të drejtën në moshën 14 vjeçare nuk e dija se çfarë ishte një komunist dhe nuk kisha takuar ndonjëherë një hebre. Por m’u duk se ishte hera e parë në jetë që dikush më shihte, përfshirë veten time”, thotë Picciolini.

Ai qendroi me atë grup për tetë vjet.

“Në vitin 1995 hapa një dyqan ku shisja disqe me muzikë raciste, që i importoja ose i bëja vetë. Por përveç tyre, shisja edhe lloje të tjera muzike, si punk rock, hip hop, heavy metal dhe fillova për herë të parë të takoj njerëz që ishin hebrenj, afrikano-amerikanë, homoseksualë dhe fillova të komunikoj me ta. Prandaj në këtë kohë fillova ta sfidoj demonizimin që po ndodhte në mendjen time me humanizim. U jam mirënjohës atyre njerëzve sepse a dinin se kush isha e megjithatë zgjodhën të më sfidojnë me dashuri, një dashuri që ma dhanë në momentin kur nuk e meritoja fare. Ishte momenti më i fuqishëm transformues për mua”, thotë ai.

Picciolini ka shkruar disa libra për transformimin e tij dhe krijuar një organizatë të quajtur “Free Radicals” për t’u ofruar të rinjve një alternativë më të mirë sesa tërheqja e ekstremizmit.

“Ajo që shoh sot me nacionalizmin e bardhë është shumë e ngjashme me atë që pashë ditët e para me al-Kaidën dhe ISIS-in. Taktikat e propagandës janë të njëjta, përdorimi i videove propagandistike të cilësisë së lartë, duke përçuar mesazhin e shpresës për lavdi, nëse bashkohesh me betejën”, thotë ai.

Picciolini thotë se po përpiqet të bëhet personi që ai do të kishte dashur të takonte kur ishte 14 vjeç, shumë vite të shkuara. zëri i amerikës

Presidenti Trump emëron Ambasadorin Grenell në krye të Zbulimit Kombëtar

Presidenti Trump konfirmoi se po emëron ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell si Drejtor në detyrë të Zbulimit Kombëtar.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se ai do të vazhdojë të mbajë edhe postin e Ambasadorit në Gjermani. Richard Grenell është i dërguar i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi.

Presidenti e bëri njoftimin të mërkurën vonë në Twitter, pak orë pasi lajmi u bë i ditur nga disa media amerikane.

“Jam i kënaqur të njoftoj se Ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, @RichardGrenell, do të bëhet Drejtor në Detyrë i Zbulimit Kombëtar.” “Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të,” shkruante Presidenti Trump në Twitter.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e nohura prej të cilave është CIA. Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.

CNN njoftoi se Ambasadori Grenell kishte shprehur prej kohe dëshirën për t’u larguar nga posti në Gjermani dhe për të shkuar në sektorin privat, ose në një post tjetër qeveritar. Ambasadori Grenell njihet si përkrahës i fortë i Presidentit Trump.

Posti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar duhet të konfirmohet nga Senati. Nuk është e qartë nëse Ambasadori Grenell do të marrë miratimin për t’u konfirmuar në këtë post, pasi shumë senatorë kanë shprehur rezerva për shkak të punës së tij në Gjermani.

Trumpi: E di se kush është autori anonim

Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se ai e di se kush është zyrtari i administratës i paraqitur si anonim që shkroi një ese në gazetën New York Times dhe më vonë një libër kritik për presidentin.

I pyetur për autorin, të cilit në Uashington i referohen si “anonimi”, Presidenti Trump u tha gazetarëve jashtë avionit Air Force One: “Unë e di kush është. Nuk mund t’jua them emrin, por e di kush është”.

Identiteti i anonimit mbetet i panjohur për publikun. Në shtator 2018, ai botoi një opinion në gazetën New York Times, dhe në vitin 2019 publikoi librin e quajtur “A Warning”. (Një paralajmërim).

Presidenti Trump, i cili vazhdimisht e kritikon median amerikane, bëri thirrje për një hetim nga Departamenti i Drejtësisë për gazetën New York Times dhe tha se po mendonte të merrte masa kundër gazetës pas botimit të opinionit.

Disa zyrtarë të njohur të administratës Trump, duke përfshirë sekretarin e shtetit Mike Pompeo dhe sekretarin e mbrojtjes në atë kohë Jim Mattis, kanë mohuar se janë “anonimi”.

Autori anonim shkruante se përpjekja e një rrethi të ngushtë zyrtarësh për ta hequr zotin Trump nga presidenca u hodh poshtë për të shmangur një krizë kushtetuese.

Megjithëse libri ishte në serinë e më shiturve për javë të tëra, kritikët e quajtën autorin oportunist dhe njeri pa kurajon për të dalë hapur. zëri i amerikës

Bloomberg kualifikohet për debatin e demokratëve

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg është kualifikuar për debatin e ardhshëm presidencial të demokratëve, hera e parë që ai do të marrë pjesë në garat e tyre për t’u përballur me Presidentin Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Një sondazh i ri i NPR / PBS NewsHour / Marist, i publikuar të martën, e nxjerr zotin Bloomberg të dytin me 19% mbështetje, pas senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili kryeson me 31%.

Paraqitja e mirë e Bloombergut e ndihmoi atë të arrinte mbështetjen mesatare prej 10% në të paktën katër sondazhe kombëtare, që është kusht i partisë demokrate për të marrë pjesë në debatin e së mërkurës në shtetin Nevada.

Megjithatë zoti Bloomberg i ka fokusuar përpjekjet në 14 shtetet që do të zhvillojnë zgjedhje paraprake më 3 mars.

Ish-nënpresidenti Joe Biden ishte i treti në sondazh me 15% mbështetje, i pasuar nga senatorja nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren me 12%, ajo nga Minesota Amy Klobuchar me 9% dhe ish-kryebashkiaku i South Bendit, Pete Buttigieg me 8%.

Ndërsa Bloomberg është ngritur në sondazhe pas hyrjes në garë me vonesë, ai është bërë objekt i goditjeve të ashpra nga rivalët e tij demokratë, si dhe Presidenti Trump, i cili e talli atë javën e kaluar duke e quajtur një “masë të energjisë së vdekur”, dhe “Mini Mike (Majku i vogël)” për shtatin e tij të shkurtër.

Nga ana tjetër, Bloomberg e quajti Presidentin Trump “një klloun,” duke shtuar: “Në anët tona, ne e masim gjatësinë nga qafa e lart”.

Kundërshtarët demokratë e kanë akuzuar zotin Bloomberg, i cili thuhet se ka një pasuri prej 62 miliardë dollarë, se është përpjekur të blejë emërimin e partisë. Bloomberg raportohet se ka harxhuar gati 400 milionë dollarë nga paratë e tij për reklama fushate, dhe ka punësuar qindra punonjës fushate përpara votimit të 3 marsit, që njihet si Super e Marta, kur ai do të jetë në votim.

Bloomberg e bëri pasurinë kur ishte themelues i kompanisë së informacionit të biznesit që mban emrin e tij dhe gjithashtu faqen e internetit Bloomberg News.

Sanders, një demokrat i vetë-shpallur socialist, ka sulmuar gjithnjë e më shumë zotin Bloomberg, i cili ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut nga viti 2002 deri në vitin 2013.

“Kryebashkiaku Bloomberg, me të gjitha paratë e tij, nuk do të krijojë llojin e entuziazmit dhe energjisë që na duhet dhe në pjesëmarrjen e votuesve që duhet të kemi për të mposhtur (Presidenit) Donald Trump”, tha Sanders në një tubim.

Sanders sulmoi politikën “raciste” të Bloombergut për arrestimet pas “ndalimeve dhe kontrolleve” të njerëzve në lagjet me krime të larta në lagjet e Nju Jorkut kur ishte kryetar bashkie, një politikë për të cilën Bloomberg ka kërkuar falje.

Një video regjistrim i vitit 2015 u publikua javën e kaluar, ku Bloomberg thoshte se mënyra më e mirë për të zvogëluar dhunën me armë tek të rinjtë e pakicave ishte t’i “hidhnin ata përpara një muri dhe t’i kontrollonin”.

Bloomberg e pranoi gjatë fundjavës, “Kohën e fundit kam marrë shumë kritika për poltikën “ndalo dhe kontrollo”, por unë e mbrojta atë shumë gjatë sepse nuk e kam kuptuar plotësisht dhimbjen që shkaktoi padashje tek familjet e të rinjve afrikano-amerikanë dhe ata të pakicave të tjera. Duhet të kisha vepruar më shpejt, dhe ta kisha ndaluar atë. Por nuk e bëra, dhe kërkova falje për këtë”.

Biden, në emisionin Meet Press të kanalit NBC të dielën, tha: “Gjashtëdhjetë miliardë dollarë mund t’ju blejnë shumë reklama, por nuk mund të fshijnë historinë e vendimeve tuaja.”

Në të njëjtin emision, Klobuchar tha: “Ai thjesht nuk mund të fshihet pas reklamave televizive. Unë nuk mund ta mposht atë në reklama, por mund ta mposhtë në debat, dhe mendoj se njerëzit e Amerikës e meritojnë këtë për të vendosur (se cilin kandidat do të votojnë).”

Bloomberg gjithashtu ka nxitur një kontroll më të hollësishëm të historisë së tij nga media kryesore amerikane. Gjatë fundjavës, gazeta The Washington Post publikoi një histori të gjatë për komentet seksiste të Bloombergut, që kishin në shënjestër gratë që punonin në kompaninë e tij të shërbimeve financiare.

Këshilltarja Presidentit Trump Kellyanne Conway i tha emisionit Fox News Sunday se, “Mënyra se si Michael Bloomberg trajtonte punonjësit, punonjëset, të cilat ishin nën udhëheqjen e tij, të cilat po mbështeteshin tek ai për jetesën e tyre, për përfitimet e tyre shëndetësore, për pensionet e tyre, ishte bazuar në një lloj kulture me vend pune të pasigurt, ku ndiheni sikur po ngacmoheni për shkak të gjinisë suaj. Kjo është problematike. Unë mendoj se do të dëgjoni më shumë për këtë”.

Fushata zotit Bloomberg mohoi disa nga citimet që i atribuohen në rrëfimin e gazetës, ndërsa kandidati ofroi një koment më të përgjithshëm për qëndrimin e tij ndaj grave profesionale në vendin e punës.

“Unë jam mbështetur tek udhëheqja e tyre, këshillat e tyre dhe kontributet e tyre,” shkroi ai në Twitter. “Siç e kam demonstruar gjatë gjithë karrierës time, unë gjithmonë do të jem kampion për gratë në vendin e punës”.

Sa për sulmet e papritura, fushata e zotit Bloomberg ishte e zhgënjyer.

“Nuk është për t’u habitur që ndërsa Mike vazhdon të rrisë mbështetjen në sondazhe, kandidatët e tjerë, përfshirë (Presidentin) Donald Trump, fillojnë të nervozohen”, tha ai./ zëri i amerikës