VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pompeo: Nënshkrimi i marrëveshjes në Maqedoni, i hap rrugën hyrjes në NATO, BE

By | January 12, 2019

Komentet

Sulmi në Zelandën e Re shton kritikat ndaj presidentit Trump

Shtëpia e Bardhë të dielën hodhi poshtë çdo përpjekje për ta lidhur Presidentin Donald Trump me supremacistin e bardhë të akuzuar për vrasjen e 50 personave në dy xhami të Zelandës së Re.

“Presidenti nuk është një supremacist i bardhë”, tha shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, për programin “Fox News Sunday”. “Nuk jam i sigurt se sa herë duhet ta themi. Le ta quajmë atë që ndodhi në Zelandën e Re ashtu siç është: një akt tragjik i tmerrshëm”.

Sulmuesi i dyshuar Brenton Harris Tarrant, një 28-vjeçar australian, thotë në një manifest prej 74-faqesh që e publikoi pak para se të ndodhte masakra në dy xhami në Christchurch se e shihte Trumpin si “një simbol të identitetit të bardhë të rinovuar dhe synimit të përbashkët”, por se nuk i mbështeste politikat e tij.

Kjo deklaratë rigjallëroi kritikat se presidenti Trump nuk ka dënuar me forcën e duhur nacionalizmin e bardhë.

I pyetur të premten pas incidentit në xhami nëse shihte një rritje të nacionalizmit të bardhë, presidenti Trump tha: “Nuk e besoj. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë shumë, shumë probleme serioze”. Presidenti tha se nuk e kishte lexuar manifestin.

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë tha: “Nuk mendoj se është e drejtë ta portretizojmë këtë person si mbështetës të Donald Trumpit ashtu si nuk do të ishte e drejtë t’i shihnim më shumë pasazhet e tij eko-terroriste në manifest të përafërta me ato të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi apo ligjvënëses Alexandria Ocasio-Cortez”.

Presidenti Trump u sulmua gjerësisht pas një tubimi vdekjeprurës supremacist në Sharlotsvillë të Virxhinia, në vitin 2017 kur ai barazoi supremacistët e bardhë me protestuesit, duke thënë se “të dyja palët” duhet të fajësoheshin dhe se kishte “njerëz të shkëlqyer” në të dy anët e protestës.

Senatorja Kirsten Gillibrand, një nga demokratët e shumtë që kërkojnë nominimin e partisë për të kundërshtuar zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, tha në Twitter pas sulmit në Zelandën e Re: “Kohë pas kohe, ky president ka mbështetur dhe inkurajuar supremacistët e bardhë dhe në vend që të dënojë terroristët racistë, ai i mbron ata. Kjo nuk është aspak normale apo e pranueshme. ”

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame: Myslimanë, mos i lini xhamitë

Washington

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) u ka bërë thirrje myslimanëve që të bashkohen në unitet dhe solidaritet pas vrasjes së 49 besimtarëve në sulmet terroriste në dy xhamitë në Zelandën e Re gjatë namazit të xhumasë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mos u frikësoni dhe mos i lini xhamitë, as sot, as kurrë”, ka thënë kryetari i CAIR, Nihad Awad para gazetarëve.

Ai rikujtoi se në SHBA ka 3000 xhami në të cilat miliona myslimanë marrin pjesë rregullisht në lutjet e së premtes.

“Ata ndjejnë frikë shumë të arsyeshme, dhe atyre disa u thonë që t’u friksësohen atyre që përhapin dhe mbështesin supremacinë e të bardhëve dhe liderëve politikë të cilët besojnë në mbizotërimin e të bardhëve”, ka thënë Awad.

Më pas i dërgoi një mesazh presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke kritikuar retorikën e tij në dy vitet e fundit ku në mënyrë eksplicite ka thënë: “Islami neve na urren”.

“Zotëri Trump, fjalët tuaja janë të rëndësishme. Vedimet tuaja janë të rëndësishme. Ato ndikojnë në jetët e njerëzve të pafajshëm këtu në shtëpi, por edhe në nivel global. Edhe ju duhet ta dënoni këtë jo vetëm si krim të urrejtjes, por edhe si sulm terrorist të supremacisë së bardhë”, ka thënë Awad.

Presidenti Trump dënon sulmet në xhami, mohon rrezikun e nacionalizmit të bardhë

Pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, Presidenti amerikan Donald Trump ofroi ngushëllime, por mohoi se nacionalizmi i bardhë është një kërcënim në rritje. Sulmet rindezën debatin në Shtetet e Bashkuara rreth faktit nëse retorika politike kundër emigrantëve po kontribuon në rritjen e krimeve të urrejtjes.

Ishte një e premte e zymtë për amerikanët myslimanë. Besimtarët në Qendrën Islamike të Uashingtonit mbajtën zi për viktimat e sulmit me armë në xhamitë e Zelandës së Re.

“Të gjithë rrotull meje qanin. Mendoj se të gjithë ndjenë zinë kolektive për viktimat në Zelandën e Re”, thotë Suha Malik, amerikane myslimane.

Sulmi me armë në dy xhamitë e qytetit Christchurch, ndërsa mbaheshin faljet e së premtes, shkaktoi vdekje e 49 vetëve plagosje e dhjetëra të tjerëve.

Sulmuesi mendohet se është shtetas australian. Kryeministri i vendit e përshkroi të dyshuarin si një “terrorist i dhunshëm, ekstremist i krahut të djathtë”.

Shtëpia e Bardhë dënoi me forcë sulmin, duke e quajtur një “akt mizor urrejtjeje”.

“Është një gjë e tmerrshme, e turpshme dhe një akt i tmerrshëm”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Donald Trump ofroi ndihmën e Shteteve të Bashkuara, por nuk e quajti veprimin një akt terrorist. Gjithashtu, ai nuk e shikon nacionalizmin e bardhë si një kërcënim në rritje nëpër botë.

“Vërtet nuk mendoj kështu. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë një problem shumë, shumë serioz”, tha Presidenti Trump.

Të dhënat më të fundit të FBI-së tregojnë një rritje prej 17% të krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i një organizate të amerikanëve myslimanë i ngarkon përgjegjësi Presidentin Trump.

“Zoti Trump, fjalët tuaja kanë rëndësi, politikat tuaja kanë rëndësi. Ato ndikojnë jetën e të pafajshmëve në vend dhe në botë”, tha Nihad Awad, drejtor ekzekutiv i organizatës “CAIR”.

Në llogarinë në mediat sociale që mendohet se i përket autorit të sulmit u shfaq edhe një manifest me ndjenja supremacie të bardhë, kundër emigrantëve dhe kundër myslimanëve.

“Ky sulm me armë është një reflektim ekstrem i rritjes së retorikës së nacionalizmit të bardhë”, thotë Jonathan Metzl, i Universitetit Vanderbilt.

Zoti Metzl mendon se retorika politike kundër emigrantëve dhe minoriteteve i ka bërë më të pranishme idetë e nacionalizmit të bardhë.

“Nuk më shqetësojnë vetëm këto komunitete në internet që kanë qenë aty prej kohësh. Është më tepër mënyra se si kjo dhunë ndaj komuniteteve cënueshme të minoriteteve dhe retorika që e nxit, janë normalizuar shumë më tepër në sferën tonë politike”, thotë zoti Metzl.

Ndërsa mbajnë zi, komunitetet myslimane në Shtetet e Bashkuara po rrisin vigjilencën e tyre. Në qytete si Nju Jorku, besimtarët mblidhen nën masa mbrojtëse të forta të policisë.

Presidenti Trump nënshkroi veton e parë të presidencës së tij

Presidenti Trump nënshkroi të premten veton e parë të presidencës së tij, duke hedhur poshtë legjislacionin që i kundërvihej deklaratës tij për një emergjencë kombëtare për të financuar një mur përgjatë kufirit jugor.

Projektligji që bllokonte deklaratën për emergjencën kombëtare në kufi siguroi mbështetje të rëndësishme të republikanëve në Kongres.

“Sot unë po i vë veton kësaj rezolute”, u tha Presidenti Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Kongresi është i lirë të miratojë rezolutën e tij por edhe unë kam për detyrë t’i vë veton.”

Presidenti e quajti rezolutën e Kongresit “të rrezikshme” dhe “jo të matur”.

Me presidentin Trump ishin Zëvendëspresidenti Mike Pence, Prokurori i Përgjithshëm William P. Barr dhe Kirstjen Nielsen, sekretare e sigurimit të vendit. Zoti Barr tha se urdhri i emergjenës kombëtare i presidentit ishte “i autorizuar në mënyrë të qartë sipas ligjit” dhe “i bazuar fort në ligj”.

Vetoja e presidentit, e cila pritej, e kthen legjislacionin përsëri në Kongres, i cili ka shumë të ngjarë të mos i ketë votat e mjaftueshme për ta anuluar dhe kjo do të thotë se deklarata e zotit Trump për emergjencën kombëtare do të mbetej në fuqi.

Presidenti ka insistuar prej kohësh se në kufirin me Meksikën ka një krizë sigurie dhe humanitare.

Demokratët thonë se të dhënat e qeverisë tregojnë se nuk ka një vërshim të emigrantëve me të kaluar kriminale që hyjnë në vend. Këtë pikëpamje e ndajnë edhe disa republikanë në Kongres.

Boeing nxjerr nga përdorimi avionët 737 Max

Kompania amerikane Boeing tha se do t’i pezullojë fluturimet e të 371 avionëve.

Administrata Federale e Aviacionit në SHBA tha se provat e reja dhe të dhënat satelitore nxitën vendimin për ndalimin e përkohshëm të avionëve.

Të dielën, nga rrëzimi i avionit 737 Max, i kompanisë ajrore të Etiopisë, humbën jetën të 157 njerëzit në bord.

Tetorin e kaluar, një avion i Boeing-ut, po ashtu i llojit 737 Max, është rrëzuar në Indonezi, duke shkaktuar vdekjen e të 189 njerëzve në bord.

Gjatë kësaj jave, disa vende, përfshirë SHBA-në, Brazilin, Australinë, Kinën, kanë njoftuar se kanë ndaluar së operuari me Boeing 737 Max.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi, në partneritet me hetuesit, për të kuptuar shkakun e aksidenteve dhe për të përmirësuar sigurinë”, tha presidenti i Boeing-ut, Dennis Muilenburg.

DASH: Korrupsioni, mungesa e fondeve kufizuan mediat e pavarura në Shqipëri

Të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë. Në pjesën për Shqipërinë trajtohen një numër çështjesh. Ja disa prej tyre:

Mosndëshkimi mbeti problem. Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe jokonsistent. Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Në përgjigje të kësaj, autoritetet kanë ndërmarrë një veting të monitoruar ndërkombëtarisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kanë skualifikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar.

Korrupsioni vazhdoi të ishte një problem serioz në qendrat e paraburgimit.

Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem.

Liria e shtypit dhe e medias

Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi pikëpamjesh, megjithëse pati përpjekje për të ushtruar presion politik dhe ekonomik të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median, duke përfshirë kërcënimet dhe dhunë ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin. Pronarët e bizneseve kanë përdorur lirshëm mediat për të përfituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre pranë partive politike. Shumica e pronarëve të televizioneve private përdorën transmetimet e tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tjera të tyre.

Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan mediat e pavarura të shtypit. Gazetarët besohet se praktikuan vetëcensurimin. Pasiguria ekonomike për shkak të mungesës së kontratave të detyrueshme të punës uli pavarësinë e gazetarëve dhe kontribuoi në anshmërinë e raportimeve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vazhdoi të raportojë vonesa të mëdha në pagesat e pagave për gazetarët në shumicën e mediave, në disa raste deri në 10 muaj. Problemet financiare i kanë bërë disa gazetarë që të mbështeten më shumë në burimet e jashtme të të ardhurave, duke ngritur pyetje të integritetit.

OJQ-të pohuan se etika profesionale ishte një prioritet i ulët për disa nga portalet, që vlerësohet se arrijnë në rreth 700, duke ngritur shqetësime rreth përhapjes së lajmeve të rreme në përfitim të interesave të veçanta financiare ose politike. Rritja dramatike e mediave në internet solli një larmi pikëpamjesh.

Kriza ekonomike dhe praktikat e menaxhimit në mediat shqiptare kanë pakësuar financat dhe cilësinë e raportimit në media.

Ka pasur raporte të shumta për dhunë dhe kërcënime ndaj anëtarëve të mediave, ndërkohë që interesat politike dhe të biznesit i vunë gazetarët në presion.

Më 30 gusht, një person i panjohur qëlloi 10 herë në shtëpinë e prindërve të reporteres së krimit Klodiana Lala. Zonja Lala raporton shpesh për krimin e organizuar dhe çështjet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë reformën gjyqësore.

Në shtator, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë deklaroi se 12 gazetarë kishin paraqitur kërkesa për azil në vendet anëtare të BE, duke përmendur kërcënime për shkak të vendeve të tyre të punës.

Censura:

Gazetarët shpesh praktikojnë vetëcensurim për të shmangur dhunën dhe ngacmimin dhe si reagim ndaj presionit nga botuesit dhe redaktorët që kërkojnë të avancojnë interesat e tyre politike dhe ekonomike.

Autoriteti për komunikimet elektronike dhe postare dekretoi më 15 tetor se 44 portale të mediave kishin 72 orë për të marrë një numër identifikimi tatimor dhe ta publikonin në faqet e tyre të internetit ose qeveria do t’i mbyllte ato. Lista përfshiu disa faqet e lajmeve hulumtuese, duke përfshirë BIRN. Deri në fund të vitit, qeveria nuk i kishte mbyllur portalet që nuk kishin marrë numrin e identifikimit tatimor.

Trumpi propozon buxhet rekord prej 4.7 trilionë dollarë

Washington

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka propozuar buxhetin më të lartë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), me një kërkesë drejtuar Kongresit prej 4.7 trilionë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Buxheti i propozuar shkurton shpenzimet diskrecionale jo-mbrojtje me pesë për qind, ndërkohë që synon të balancojë brenda 15 viteve buxhetin federal.

Ndërsa kërkon të zvogëlojë buxhetet e tjera me pesë për qind, propozimi i Shtëpisë së Bardhë rrit buxhetin e Pentagonit në rreth 750 miliardë dollarë për vitin fiskal 2020, që është një rritje me 34 miliardë dollarë nga viti paraprak fiskal.

Deficiti amerikan pritet që gjatë vitit fiskal 2020 që fillon në tetor të jetë mbi 1.1 trilion dollarë, për çka Shtëpia e Bardhë përpiqet të theksojë se përfitimet e tij janë se do të krijojë një buxhet të balancuar deri në vitin 2034.

“Si vend, kemi shumë borxhe” u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë drejtori i Drejtorisë për Buxhet, Russell Vought, për të shtuar se 22 trilionë dollarët e borxhit publik të SHBA-ve, janë diçka e papranueshme për ata.

Buxheti i propozuar nga Trump është thjesht një kërkesë për Kongresin, i cili nga ana e tij gëzon autoritetin për të hartuar dhe miratuar buxhetet federale.

Propozimi i buxhetit me gjasë nuk do të miratohet nga legjislativi federal.

Një nga pikat të cilat sipas të gjitha gjasave do të pengohet në procesin e legjislativit, është kërkesa e Trumpit për rreth 8.6 miliardë dollarë, me të cilat do të ngrejë murin në kufirin SHBA-Meksikë.

Pelosi kundër nxjerrjes së Trumpit në votëbesim

Udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara tha se është kundër përpjekjeve për ta nxjerrë në votëbesim presidentin Donald Trump, duke thënë se “nuk ia vlen”.

Nancy Pelosi i bëri komentet në një intervistë për gazetën The Washington Post.

“Nuk jam për votëbesimin”, tha ajo.

“Dersia nuk ka diçka bindëse, të madhe dhe që mbështetet nga të dyja partitë, nuk mendoj se duhet të shkojmë në atë rrugë, sepse ajo e ndan vendin”, tha Pelosi.

Komentet e saj vijnë në kohën e presionit në rritje nga ligjvënësit demokratë për ta nxjerrë në votëbesim Trumpin, i cili është republikan.

Presioni është rritur qysh në muajin nëntor, kur demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Me Kushtetutën e SHBA-së, çdo përpjekje për ta nxjerrë në votëbesim presidentin amerikan bëhet fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nëse presidenti del në votëbesim, Senati pastaj vendos nëse do ta largojë nga zyra – gjë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e SHBA-së.

Disa komitete të Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur hetime agresive ndaj Shtëpisë së Bardhë që kanë të bëjnë sidomos me lidhjet e dyshuara të Trumpit me Rusinë.

Hetime për këtë çështje po bën edhe këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Hetimet ndaj presidentit Trump mbi lidhjet me Rusinë

Ish-avokati personal i presidentit Donald Trump, Michael Cohen, kthehet të dëshmojë të mërkurën përpara Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për çështje të Zbulimit, të drejtuar nga demokratët, që këtë javë filloi hetime të reja ndaj të administratës së presidentit Trump.

Michael Cohen dëshmoi tri herë në Kongres javën e kaluar, duke folur në seanca të veçanta në komisionet e zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, në seanca me dyer të mbyllura, si dhe para Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, në seancë të hapur. Gjatë dëshmisë ai e cilësoi presidentin Trump si një “njeri mashtrues” , që e kishte udhëzuar atë të mbulonte marrëdhëniet që kishte patur me dy gra dhe se presidenti kishte gënjyer në lidhje me përpjekjet e tij të biznesit në Rusi.

Kryetarët e Komisioneve të Zbulimit, të Punëve të Jashtme dhe të Mbikqyrjes bënë një kërkesë të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë të martën duke kërkuar gjithë komunikimet që presidenti Trump kishte patur me presidentin rus Vladimir Putin, duke shprehur shqetësime se presidenti Trump ka fshehur detaje të këtyre shkëmbimeve.

Nga ana e tij, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve ka kërkuar dokumente nga 81 individë, si pjesë e asaj që kryetari i komisionit Jerrold Nadler e quajti “hetim mbi korrupsionin, pengimin e drejtësisë dhe abuzimet e tjera të pushtetit nga presidenti Trump, bashkëpunëtorët e tij dhe anëtarët e administratës së tij”.

Presidenti Trump i sulmoi hetimet duke i quajtur “një ekspeditë e madhe peshkimi në kërkim të një krimi”.

Ai tha se demokratët e Kongresit “janë çmendur” dhe shtoi se letrat në kërkim të informacionit iu dërguan “njerëzve të pafajshëm për t’i sulmuar ata”.

Now that they realize the only Collusion with Russia was done by Crooked Hillary Clinton & the Democrats, Nadler, Schiff and the Dem heads of the Committees have gone stone cold CRAZY. 81 letter sent to innocent people to harass them. They won’t get ANYTHING done for our Country!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) March 5, 2019

Në Twitter, ai e quajti hetimin e Komisionit Juridik si “ekzagjerimin më të madh në historinë e vendit. Demokratët po pengojnë drejtësinë dhe nuk do të arrijnë asgjë”.

The greatest overreach in the history of our Country. The Dems are obstructing justice and will not get anything done. A big, fat, fishing expedition desperately in search of a crime, when in fact the real crime is what the Dems are doing, and have done!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) March 5, 2019

“Ngacmime presidenciale!” deklaroi ai në Twitter.

PRESIDENTIAL HARASSMENT!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) March 5, 2019

Më vonë, presidenti Trump u tha gazetarëve, “Është një turp për vendin tonë”, duke thënë se demokratët ende nuk e kanë pranuar fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016. “Ata duan të përqëndrohen në gjera të pakuptimta.”

Duke shpallur hetimin nga Komisionit Juridik, ligjvënësi demokrat Nadler tha: “Gjatë disa viteve të fundit, presidenti Trump ka shmangur llogaridhënien për sulmet e tij thuajse të përditshme ndaj rregullave dhe normave tona themelore ligjore, etike dhe kushtetuese. Hetimi i këtyre kërcënimeve ndaj sundimit të ligjit është një detyrimi i Kongresit “.

Presidenti Trump ka mohuar prej kohësh keqbërjen që përfshin lidhjet e fushatës së tij me Rusinë dhe gjatë presidencës së tij. I pyetur për akuzat e zotit Nadler të hënën, Trump u përgjigj: “Unë bashkëpunoj me të gjithë kohën me të gjithë … … dhe a e dini më të bukurën? Nuk ka konsoiracion. E gjitha është një mashtrim”.

Në një deklaratë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha se demokratët nisën hetimin “sepse janë të tmerruar që puna e tyre e rreme dyvjeçare rreth bashkëpunimit me Rusinë po shkatërrohet. Frikësimet dhe abuzimet e tyre ndaj shtetasve amerikanë janë të turpshme. Demokratët po e ngacmojnë presidentin për të larguar vëmendjen nga plani i tyre radikal për ta bërë Amerikën një vend socialist, duke vrarë foshnjat pas lindjes dhe duke nxitur një marrëveshje për mjedisin që do të shkatërronte vendet e punës dhe do të falimentonte Amerikën”.

Ajo tha se avokatët e Shtëpisë së Bardhë dhe “zyrtarët përkatës të Shtëpisë së Bardhë” do të shqyrtojnë kërkesën e Komisionit Juridik për dokumente dhe “do të përgjigjen në kohën e duhur”.

Përveç Shtëpisë së Bardhë, Komisioni i dërgoi kërkesat e tij për dokumente në Departamentin e Drejtësisë; zyrtarëve të lartë të fushatës; Organizatës Trump, sipërmarrje globale e biznesit të presidentit; dhe dy djemve të tij, Donald Trump i Riu dhe Eric Trump.

FILE – Donald Trump Jr. attends the annual White House Easter Egg Roll on the South Lawn of the White House in Washington, April 2, 2018.

​Ligjvënësi demokrat Nadler tha të dielën se ai beson se presidenti ka penguar drejtësinë. Ai tha se Michael Cohen, në dëshminë e tij të gjatë publike në Kongres javën e kaluar, “e implikoi drejtpërdrejt presidentin në krime të ndryshme, si gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe në Shtëpinë e Bardhë”.

“Ne nuk kemi ende fakte, por do të fillojmë hetimet e duhura”, tha demokrati Nadler.

Informacioni i mbledhur nga Komisioni Juridik, së bashku me atë në raportin që ende nuk është publikuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, lidhur me lidhjet e fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe akuzat për pengim të drejtësisë, mund të formojnë bazën e procedurave të shkarkimit të presidentit Trump. Por demokrati Nadler tha se të flitet për përpjekjen për të shkarkuar presidentin Trump është e parakohshme.

“Ne do të veprojmë shpejt për të mbledhur këtë informacion, për të vlerësuar provat dhe për të ndjekur faktet ku ato na çojnë me transparencë të plotë me popullin amerikan”, tha ai.

Raporti i Prokurorit të Posaçëm, Mueller mund të dërgohet së shpejti tek prokurori i Përgjithshëm William Barr, por sa pjesë të raportit do të bëhen publike është e pasigurtë. Ligjvënësit demokratë kanë bërë thirrje për shpalljen e plotë të raportit, por Willima Barr ka thënë se do ta bëjë këtë vetëm në masën që lejojnë rregulloret e Departamentit të Drejtësisë.

Kylie Jenner shpallet miliarderja më e re në botë

New York

Kylie Jenner, pronarja e firmës së njohur kozmetike, ka fituar epitetin “miliarderja më e re në botë”.

Revista amerikane Forbes ka njoftuar se pasuria e 21-vjeçares Jenner, pronare e firmës Kylie Cosmetics, ka arritur në një miliardë dollarë dhe se ajo ka marrë epitetin “miliarderja më e re në botë”.

Jenner ka marrë këtë titull nga Mark Zuckerberg, themeluesi i rrjetit social Facebook, ndërsa në të njëjtën kohë është shpallur edhe si “miliarderja më e re që ka krijuar pasurinë e vet”.

“Nuk kisha asnjë pritje. Nuk e kam paraparë të ardhmen. Megjithatë, ky epitet më bëri të ndihem shumë mirë. Është vlerësim i madh”, është shprehur Jenner për Forbes.

Jenner, gjysmë motër e motrave Khole dhe Kim Kardashian, themeloi Kylie Cosmetics në vitin 2015. aa

Trumpi do të bashkëpunojë me hetimin e demokratëve në Kongres

Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha se do të bashkëpunojë me hetimin ndaj fushatës së tij presidenciale dhe biznesit të tij, hetim i filluar të hënën nga demokratët e opozitës në Dhomën e Përfaqësuesve. Zoti Trump vazhdon të mohojë se ka patur ndonjë shkelje që përfshin lidhje të fushatës së tij me Rusinë apo gjatë presidencës së tij.

Dy vitet që kur Presidenti Donald Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë kanë qenë të trazuara dhe pritet që situata të trazohet më tej.

“Ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të marrë në dorë çdo provë. Hetimi po fillon.”

Të hënën, Komisionit Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi dokumente nga më shumë se 80 vetë brenda administratës Trump, familjes dhe biznesit të tij, duke përfshirë ish-avokatin personal Michael Cohen, djemtë Eric dhe Don Junior si dhe dhëndrrin Jared Kushner – si pjesë e hetimit mbi akuzat për pengim të drejtësisë, korrupsion dhe shpërdorim pushteti.

Shtëpia e Bardhë tha se do të përgjigjet “në kohën e duhur”.

“Unë bashkëpunoj gjithë kohën me të gjithë, dhe e di ç’është më e bukura? Nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë. Është e gjitha mashtrim,” thotë presidenti Trump.

Zoti Trump mohon se ka patur shkelje që përfshijnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Komisioni Juridik i Dhomës është mjaft i fuqishëm dhe në të kaluarën ka hetuar presidentët Richard Nixon dhe Bill Clinton për akuzat për pengim të drejtësisë dhe keqpërdorim të pushtetit. Deri tani, ky hetim nuk ka lidhje me ndonjë proces për shkarkimin e presidentit.

“Nëse kjo do të shdërrohet ose jo në një skandal në përmasat e Uotergejtit, skandali i vetëm që ka detyruar një president të largohet nga posti, mbetet për t’u parë se ç’do të rezultojë nga këto dëgjesa publike”, Jeremy Venook, i Qendrës Amerikane të Progresit

Hetimi i tanishëm nuk ka lidhje me hetimin rreth Rusisë, i drejtuar nga Robert Mueller, rezultatet e të cilit priten shumë shpejt,

“Ne thjesht nuk e dimë se çfarë mund të dalë në këtë raport për ndonjë komplot me rusët. Sigurisht që ka shumë tym. Mbetet për t’u parë nëse ka zjarr”, thotë Alan Lichtman, historian në Universitetin Amerikan.

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve është një tjetër goditje pas dëshmisë së bujshme që dha javën e kaluar ish-avokati personal i presidentit, Michael Cohen.

“Puna e të gjithëve në organizatën Trump është ta mbrojë zotin Trump çdo ditë. Shumica prej nesh e dinin se po vinte dita që do të gënjenim për diçka në emër të tij, dhe kjo u bë normë. Dhe pikërisht kjo po ndodh tani,” tha zoti Cohen.

Ka edhe hetime të tjera ndaj rrethit të brendshëm të presidentit, duke përfshirë ato në gjykatat e qarkut Jugor të Nju Jorkut si dhe në Nju Xhersi dhe në Uashington, D.C.

Trumpi që tani filloi fushatën elektorale

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA do të mbahen në vjeshtën e vitit 2020, por presidenti Donald Trump e ka hapur fushatën e tij. Trump sulmoi ashpër kundërshtarët e tij, në veçanti demokratët.

Presidenti amerikan Donald Trump betohet se do ta luftojë me vendosmëri fantazmën e socializmit në Shtetet e Bashkuara të Armerikës. “Amerika nuk do të shndërrohet kurrë në një vend socialist”, theksoi Trumpi në një fjalim dyorësh në takimin vjetor të aktivistëve dhe parlamentarëve konservatorë (CPAC) në Uashington. “E ardhmja nuk i takon atyre që besojnë tek socializmi”, tha Trump, i cili në këtë mënyrë iu drejtua politikës së demokratëve opozitarë. “E ardhmja i takon atyre që besojnë tek liria.”

Trump tha se demokratët me “synimet e tyre radikale të majta” duan ta shkatërrojnë tërësisht ekonominë amerikane. “Por unë do t’ju mbroj”, tha Trump para simpatizantëve të tij. Rruga më e sigurt për të evituar këto “synime radikale”, sipas Trumpit, është e “rizgjedhja e tij për president, në zgjedhjet e vitit 2020”. Trump u ankua sërish për “gjuetinë e shtrigave” kundër tij. Ai pohon se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshjesh sekrete me Rusinë, në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Por demokratët nuk duan ta kuptojnë këtë. “Këta njerëz janë të sëmurë”, tha Trump.

Donald Trump spricht auf der CPAC (picture-alliance/AP/C. Kaster)

Trumpi kërkon “lirinë e shprehjes” në universitete

Trump pohon se nga shkollat e larta amerikane do të kërkojë që të garantojnë “lirinë e shprehjes”. Ai tha se së shpejti do të nënshkruajë një urdhër, me të cilin shkollat e larta detyrohen që të garantojnë këtë liri, nëse duan të kenë mbështetjen financiare të shtetit. “Nëse nuk e bëjnë këtë, kjo do t’u kushtojë shumë”, tha Trump, pa paraqitur ndonjë plan konkret se për çfarë qëllimesh dhe çfarë kostosh e ka fjalën.

Banka kombëtare amerikane Fed e ka kritikuar presidentin amerikan Donald Trump për politikën e tij financiare. Kjo politikë ka dobësuar dollarin amerikan dhe ka dëmtuar aftësinë konkurruese të SHBA. “Ne në Fed kemi një zotëri, i cili dëshiron të ketë një dollar shumë të fuqishëm”, tha Trump. “Edhe mua më pëlqen të kemi një dollar të fuqishëm, por unë dua të kemi një dollar të mrekullueshëm dhe jo një dollar i cili është aq i fuqishëm sa që të na pengojë në tregti me vendet e tjera”, theksoi presidenti Trump në këtë fjalim, i cili konsiderohet edhe si një lloj hapje e fushatës për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen në vitin 2020.

bc/wa/nob (afp, dpa, rtr)