VOAL

VOAL

Zhbogar: Pa konsensus nacional nuk ka integrime evropiane

Tryeza e diskutimit me temën “Si ta shndërrojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) në një proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës” të cilën e kanë organizuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike, si dhe Instituti për Studime Politike i Prishtinës, ka bërë që drejtuesit e institucioneve të larta dhe përfaqësuesit e partive opozitare, pas muajve të tërë, të ulen në një tavolinë.

Samuel Zhbogar, përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Kosovë, i ka bërë thirrje gjithë spektrit politik për bashkëpunim në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai ka theksuar se e ardhmja evropiane e Kosovës fillon pikërisht me MSA-në, e cila sipas tij, do ta avancojë pozitën e Kosovës në tregun ndërkombëtar.

Zhbogar ka theksuar se sa më shumë që Kosova e zbaton këtë marrëveshje, për aq ajo do të jetë më afër standardeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja është testament që anëtarët e Bashkimit Evropian dhe vet Bashkimi Evropian kujdesen për Kosovën dhe që nuk ka dyshime në zotimin tonë për Kosovën dhe avancimin e saj. Zbatimi i MSA-së kërkon mbështetje nga i gjithë spektri politik dhe nga shoqëria civile, sid he aktorët tjerë që luajnë rol në mbikëqyrjen e këtij procesi”, ka theksuar Zhbogar.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se MSA është dokumenti më i rëndësishëm i nënshkruar që nga nënshkrimi i pavarësisë së vendit.

“Por, marrëveshja nënkupton edhe angazhimin e gjithë spektrit politik kosovar, Parlamentit të Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve të drejtësisë, partive politike, shoqërisë civile, bizneseve dhe shoqatave të tyre, si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për realizimin e MSA-së na nevojitet një energji e përbashkët, sepse objekti dhe përcaktimi i ynë është përcaktim i përbashkët proevropian”.

Ai ka theksuar se përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e kësaj marrëveshje është i madh dhe bërë thirrje për unitet, për shkak se, siç ka thënë ai, në këtë mënyrë arritjet mund të jenë më të mëdha.

Në anën tjetër, kryetari i subjektit opozitar Lëvizja Vetëvendosje, Visar Ymeri, deputete në Kuvendin e Kosovës, ka kritikuar diskursin politik në Kosovë që ndërlidhet me rrugën e Kosovës për në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, Kosova nuk ka perspektivë evropiane derisa sa atë nuk do ta njohin pesë anëtaret e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur. Siç ka thënë ai, rruga e Kosovës për në BE është e lidhur ngushtë me zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, që nënkupton se BE-ja po e trajton Kosovën si entitet dhe jo si një shtet të pavarur.

“Kemi dëgjuar disa herë të thonë, përfaqësuesit institucional të kësaj qeverie dhe të qeverive të kaluara, që BE-ja nuk ka alternativë dhe se BE-ja do të jetë shpëtimi ynë. Kjo nënkupton se me aderimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, atëherë të gjitha problemet që ne i kemi këtu, do të rregullohen”.

“Pra, në këtë drejtim, BE-ja më shumë e merr karakterin e një parajse. Kështu, parajsa na premtohet pas aderimit në BE dhe që në njëfarë mënyre i suspendon plotësisht detyra, përgjegjësitë tona që i kemi karshi ngritjes së cilësisë së jetesës në republikën tonë dhe për qytetarët e Republikës”.

Ardian Gjini, nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se problemi kryesor në Kosovë është humbja e besimit ndërmjet partive politike, ndërmjet institucioneve, si dhe humbja e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Sipas tij, ndërtimi i besimit, duhet të jetë prioritet.

“Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është i pamjaftueshëm për ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike, posaçërisht meqenëse e ka një shpejtësi kështu si e ka. Për Aleancën, procesi i integrimit është jetik dhe Kosova kurrsesi nuk guxon ta humbë shpresën se një ditë do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”.

“Por, në të njëjtën kohë, nuk guxojmë të mos themi se në momente të caktuara ky proces po shndërrohet në konflikt ose po krijon logjika konfliktuoze. Kosova ose duhet të provoj që të zhvillohet më shpejt, në mënyrë që të integrohet më shpejtë në BE ose duhet ta gjejë një rrugë të integrimit më të shpejtë e që pastaj eventualisht të zhvillohet , sikurse që ka ndodhur me disa vende të Ballkanit. Në këtë fazë, nuk po ndodhë asnjëra”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur mendimin se Kosovës i nevojitet dialogu i brendshëm, nga i cili varen mjaft çështje brenda vendit.

“Agjenda jonë evropiane është një prioritet nacional. Fatmirësisht, për këtë çështje kemi konsensus të përbashkët, pavarësisht nëse jemi pushtet apo opozitë. Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë të gjithë përkrahjen, të cilën e kemi marrë gjatë gjithë këtij procesi nga partnerët tanë”.

“Por, në të njëjtën kohë, nuk mundemi të mos kërkojmë, veçanërisht nga 5 shtetet, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin tim, Republikën e Kosovës, që të mos e bëjnë atë”.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim e nënshkruar nga Kosova dhe Bashkimi Evropian ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim paraqet kornizën e marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, në këtë rast me Kosovën.

Kjo marrëveshje është e përshtatur me situatën specifike të secilit vend partner në Bashkimin Evropian, mbi vendosjen e tregtisë së lirë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, në këtë rast. Marrëveshja gjithashtu identifikon qëllimet e përbashkëta politike dhe ekonomike dhe nxit bashkëpunimin rajonal.

Në kontekstin e qasjes për në Bashkimin Evropian, kjo marrëveshje shërben si bazë për zbatimin e procesit të qasjes./Bekim Bislimi

Jahjaga: Arilena Shala e Yll Dalladaku studentët e parë nga Kosova në akademinë prestigjioze ushtarake West Point

Arilena Shala dhe Yll Dalladaku do të jenë studentët e parë nga Kosova që do të shkollohen në akademinë më prestigjioze ushtarake amerikane West Point.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur ish- presidentja e Kosovës Atfiete Jahjaga, përmes një njoftimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Jahjaga thotë se ndjehet jashtëzakonisht krenare për këtë të arritur dhe falenderuese për mundësinë që West Point ua ofroi kadetëve të FSK-së si rezultat i bisedave me udhëheqësit e kësaj akademie gjatë vizitës time atje në vitin 2014, transmeton “zeri.info”.

Njoftimi i plotë i Jahjagës:

Arilena Shala dhe Yll Dalladaku do të jenë studentët e parë nga Kosova që do të shkollohen në akademinë më prestigjioze ushtarake amerikane West Point.

I përgëzoj ata dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për suksesin në përmbushjen e kritereve rigoroze akademike, i cili do të hapë mundësi të reja për profesionalizimin dhe avancimin e kuadrove të ushtrisë tonë.

Ndjehem jashtëzakonisht krenare për këtë të arritur dhe falenderuese për mundësinë që West Point ua ofroi kadetëve të FSK-së si rezultat i bisedave me udhëheqësit e kësaj akademie gjatë vizitës time atje në vitin 2014.

Kosova dëbon për në Serbi ish-gjeneralin Bojoviq

Gjykata e Apelit ka vendosur që ta dëbojë nga Kosova ish-gjeneralin e ushtrisë serbe, Millovan Bojoviq.

Atij i është ndërprerë paraburgimi dhe është dorëzuar te Policia e Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, kjo gjykatë, ka urdhëruar Policinë e Republikës së Kosovës që të akuzuarin, me vendbanim në Beograd të Republikës së Serbisë, ta dëbojë deri në pikën kufitare më të afërt dhe t’ia dorëzojë Policisë Kufitare të Republikës së Serbisë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Millovan Bojoviq është shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë për veprën penale ‘kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare’ dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një muaji.

Kosovë – Qytetarët e rrezikuar nga produktet e kontrabanduara ushqimore

Produktet me cilësi të dyshimtë të cilat rrezikojnë shëndetin e qytetarëve janë vazhdimisht të pranishme në tregun e Kosovës, thonë përfaqësues të bizneseve në vend dhe organizatat që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Megjithatë, këto dyshime hedhen poshtë nga mekanizmat shtetërorë, përgjegjës kryesorë për kontrollin e ushqimit në vend.

Përfaqësuesit e biznesit, dyshimin në cilësinë e produkteve e vënë tek mallrat të cilët hyjnë në Kosovë në mënyrë të kontrabanduar, të cilat i ikin kontrollit të pikave kufitare dhe kontrollit të Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se jo të gjitha produktet të cilat hyjnë në Kosovë arrijnë të kontrollohen nga mekanizmat kompetentë.

“Derisa kontrabanda dhe informaliteti në tregun e Kosovës është e rritur deri në 35 për qind, po aq është edhe dyshimi për konsum të të gjitha produkteve që nuk i nënshtrohen kontrollit. Mekanizmat që janë të thirrura për kontrollin e ushqimit në Kosovë kanë një staf të limituar dhe që nuk arrijnë të përfshijnë të gjithë pikat e në veçanti në pikat ku shiten këto produkte”, shton Shahini.

Shëndeti i qytetarëve të Kosovës nga produktet më afat të skaduar apo dhe të dyshimta, po shkaktohet edhe nga tregtarët, të cilët siç thotë Shahini, këtë po ë bëjnë përfitime financiare.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, të cilët janë përgjegjës kryesor për kontrollin e ushqimit në Kosovë, sigurojnë qytetarët për produkte cilësore.

Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se produktet të cilët importohen, si dhe ato të cilët prodhohen në Kosovë iu nënshtrohen një kontrolli rigoroz, dhe se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për cilësinë e tyre.

“Ne si AVUK në bazë të kompetencave të cilët i kemi çdoherë veprojmë në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive që neve na obligojnë. Produktet të cilat janë të pasigurta ato nuk lejohen të importohen, kjo vlen edhe për ato të cilat prodhohen edhe në Kosovë. Produktet të cilat nuk plotësojnë kushtet për konsumim asgjësohen dhe nuk lejohet të bien në dorën e konsumatorit në vendin tonë”, thotë Gjinovci.

Inspektorati Fitosanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë vetëm gjatë ditës së djeshme ka asgjësuar afër 30 mijë copë fidane mjedre, të infektuara me sëmundjen e kancerit të rrënjës (Agrobacterium tumefaciens).

Ngarkesa me material fidanor të mjedrës, sipas zyrtarëve të AVUK-it, është importuar nga shteti i Serbisë, dhe kishte pasur destinim tregun e Kosovës.

Valdet Gjinovci tregon se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, është e pajisur edhe laboratorë të ushqimit, ku kryhen analiza të shumta sa i përket sigurisë së produkteve ushqimore.

“Lirisht mund të themi se produktet të cilat ne i konsumojmë dhe i përdorim janë produkte të cilat i plotësojnë kriter dhe kushtet e sigurisë dhe janë produkte të sigurta ashtu sikurse në vendet e Bashkimit Evropian”, shton Gjinovci.

Kritika të vazhdueshme për cilësinë e produkteve të dyshimta në Kosovë bën organizata e vetme joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit.

Kryetari i kësaj organizuare Selatin Kaçaniku, në prononcimet e tij dhënë për Radion Evropa e Lirë kishte thënë se qytetarët e Kosovës rrezikohen vazhdimisht nga produktet e dyshimta.

Ndërkohë, edhe qytetarë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, kishin shprehur shqetësimet e tyre lidhur më cilësinë e dyshimit të produkteve.

Arjeta një qytetare nga Prishtina, është mjaft e kujdesshme kur blen një produkt, pasi që i kishte ndodhur që të blej produkt me cilësi të dyshimtë.

“Nuk i besoj shumë produkteve të cilat shiten tek ne. Problemi qëndron në atë se nuk ruhen në mënyrë adekuate çfarë e kërkon një produkt. Kam pasur raste kur kam blerë produkte i cili dyshohej për nga cilësia”, thotë ai.

Vetëm gjatë vitit 2015, mbi 600 mijë kilogramë / litra, produkte me afat të skaduar dhe cilësi të dyshimtë janë asgjësuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë.

Ligji antimafia i vë në provë institucionet e Kosovës

Infrastruktura e kompletuar ligjore vlerësohet të jetë një nga parakushtet bazike që Kosova duhet të vendos si standard në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kuadër, Ligji antimafia, ka kohë që përmendet nga qeveria dhe ligjvënësit, por ai nuk është proceduar ende për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ligji antimafia besohet se rregullon shumë çështje që kanë të bëjnë me fitimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme, ndonëse jo të gjithë e mbështesin nxjerrjen e një ligji të tillë.

Në raportet e Komisionit Evropian disa herë është kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ecet përpara në miratimin e këtyre ligjeve.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ligjet që mendohet se mund të ndihmojnë institucionet kompetente në luftimin e korrupsionit duhet të miratohen sa më parë. Sipas tij, në shërbim të parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar është i mirëseardhur çdo ligj.

“Nuk ka justifikime, as ai ligji për parandalimin e konfliktit të interesit që është bërë gati tri vite e cili po zvarritet herë në Qeveri e herë në Kuvend, po edhe me këtë Ligjin anti-mafia i cili është duke u diskutuar e kërkuar, por që nuk po procedohet. Mendoj se të gjitha këto janë veprime të pajustifikueshme të cilat duhet të rregullohen, sa më shpejt aq më mirë”, ka thënë Hasani.

Ligji anti-mafia vlerësohet se është i rëndësishëm pasi që do t’i bënte njerëzit të kuptojnë se nuk mund të përfitojnë pasuri të cilën nuk mund ta arsyetojnë.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj, konsideron se Kosova nuk qëndron keq sa i takon ligjeve të cilat mundësojnë luftimin e korrupsionit. Por, sipas tij, edhe po të ekzistonte Ligji anti-mafia, me përbërjen aktuale të qeverisë, përceptimi dhe niveli i korrupsionit nuk do të ndryshojë.

“Unë nuk besoj se ky është problemi. Shumë e më shumë besoj që problemi është të logjika jonë qeverisëse. Problemi është te logjika jonë korruptive qeverisëse, ka apo nuk ka ligje të duhura të mirëfillta. Nëse janë të mirëfillta nuk do t’i zbatojnë”, ka thënë Zogaj.

Përderisa Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë nuk mungojnë ligjet për luftën kundër korrupsionit sa ka mungesë të llogaridhënies. Po ashtu, ai ka veçuar si dobësi edhe mungesën e vullnetit politik për t’i luftuar këtë dukuri negative.

“Aktualisht ka kornizë të mjaftueshme ligjore që të bëhet ndjekja dhe gjykimi i kryerësve të veprave penale të korrupsionit dhe të përmes tyre të bëhet edhe konfiskimi i pasurisë të fituar në mënyrë të kundërligjshme. Por, fatkeqësisht ligjet të cilat janë në fuqi asesi nuk janë duke u testuar nga ana e zbatuesve të ligjit, pasi që nuk janë duke u zbatuar fare“, ka deklaruar Musliu.

Megjithatë, Musliu thotë se Ligji anti-mafia që në vete do të ngërthejë edhe mundësinë e konfiskimit të pasurisë në procedurë civile, në kontestin e Kosovës është i panevojshëm.

Musliu mendon kështu për faktin se, siç thotë ai, sistemi i drejtësisë në Kosovë është i brishtë.

“Ky ligj mund të keqpërdoret nga ana e prokurorëve të cilët në fund të fundit nuk do t’i ndiqnin ata politikanë që mund t’i kenë milionat dhe pasuritë e tyre, por do të ishin thjeshtë të persekutuar vetëm qytetarët të cilët do ta kishin një shtëpi trekatëshe e të cilën në të vërtetë do ta kishin të vështirë ta argumentonin ligjërisht. Pra, ekziston mundësia shumë e madhe që ky ligj mund të keqpërdoret nga ky sistem i drejtësisë i cili po shihet se është i kapur nga politika”, ka thënë Musliu.

Në raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Transparency International, që masin përceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë thonë se mungesa e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë është i ndërlidhur me ndërhyrjet politike dhe neglizhencën e prokurorëve.

Kosova dhe Serbia prapë marrëveshje mbi marrëveshjet

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që t’i japin fund bllokadës së transportit të mallrave që cilësohen si “të rrezikshme”. Në një njoftim të ministrisë për dialog në qeverinë e Kosovës thuhet se në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës palët janë pajtuar në Bruksel që “për njohjen e ndërsjellë të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme”, me të cilat pajisen automjetet dhe drejtuesit e tyre.

Kosova vendosi muajin e kaluar të bllokojë kamionët nga Serbia e cila nuk njihte certifikatat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Marrëveshja hynë në fuqi nga 25 prilli.

Në njoftim thuhet se ministrja për dialog Edita Tahiri ka ngritur shqetësimet “në lidhje me fushatën elektorale provokative të zyrtarëve të Serbisë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë si dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përcaktojë qartësisht standardet për frymën e normalizimit në mënyrë që të parandalohen shfaqjet destruktive dhe keqpërdorimet e marrëveshjes për normalizim nga ana e zyrtarëve serb gjatë fushatës zgjedhore. Në këtë kuadër me kërkesë të BE-së që palët të angazhohen për frymën e normalizimit  dhe pas kërkim faljes nga ana e Marko Gjuriçit për hyrje ilegale në Kosovë, palët janë zotuar që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve si dhe deklarimet duhet në mënyrë rigoroze të respektojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve“.

Në njoftim thuhet se është biseduar për çështjen e hyrjeve dhe daljeve në Kosovë me letërnjoftime “ilegale të lëshuara nga strukturat paralele”. Bashkimi Evropian ka kërkuar që të krijohet një hapësirë kohore kalimtare në mënyrë që edhe ky problem të zgjidhet sa më shpejt.

Javën e kaluar ministrja Tahiri kishte vendosur të ndalojë hyrjen në Kosovë të atyre që janë të pajisur me letërnjoftime të lëshuara nga strukturat paralele serbe, duke nxitur reagimin e Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Ndërkohë, drejtori zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se “letërnjoftimet e Serbisë do të përdoren normalisht, ashtu sikurse edhe deri më tash’. Ai tha se Brukseli ka anuluar edhe ndalesën e hyrjes së zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, si dhe është arritur pajtimi për mënyrën e votimit në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 24 prill.

Është arritur marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve sipas modelit të njëjtë me vitin 2014, me praninë e OSBE-së, e cila do të garantojë që në vendvotime gjithçka të jetë në rregull, si dhe të ketë siguri”, deklaroi Marko Gjuriç.

Të mërkurën, misioni i OSBE-së në Kosovë tha se do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave në Kosovë për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote qasje në zgjedhjet parlamentare serbe të datës 24 prill.

Kosova shpalli pavarësinë e saj të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian në shkurt të vitit 2008, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Serbët e Kosovës marrin pjesë në votimet për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Udhëheqësit e partive politike serbe, janë lejuar gjatë ditëve të fundit të organizojnë tubimet e tyre parazgjedhore në zonat e banuara me shumicë serbe, gjatë të cilëve ata kanë përsëritur kundërshtimin ndaj pavarësisë së Kosovës. Kjo ka bërë që një pjesë e partive politike të kërkojnë nga autoritetet që të mos lejojnë vizitat e udhëheqësve politikë serbë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Tre vjet më parë, ato nënshkruan 16 marrëveshje në kuadër të bisedimeve, por deri tash, vetëm 4 syresh kanë zbatuar në terren.

Marko Gjuriçi i kërkon falje Edita Tahirit për hyrjen ilegale në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriçi, gjatë takimit të fundit me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, ka kërkuar falje për shkak të hyrjes ilegale në territorin e Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri e cila i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Gjuriqit i është hequr masa e ndalesës për të vizituar Kosovën, pasi që ai kishte kërkuar falje.

“Duke qenë se kishim shkelje nga zyrtarë të Serbisë, përfshirë edhe hyrjen ilegale të zyrtarit Gjuriq në Kosovë, atëherë pasi që ai kërkoi falje për shkeljet që i ka bërë, Bashkimi Evropian kërkoi nga të dyja shtetet që të rikonfirmojnë zotimin tonë që të vazhdojmë zbatimin e marrëveshjes së normalizimit. Po ashtu, Bashkimi Evropian do të dalë me një koncept dokument me të cilin i vendos standardet e fjalorit politik për normalizim”, ka thënë Tahiri.

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia kanë negociuar të martën në Bruksel për afërsisht 18 orë, ku kanë arritur marrëveshjen për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura me emrin ADR.

Visar Ymeri sërish në gjykatë me polici

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është shoqëruar sot sërish nga policia për në Gjykatë, pasi që nuk i është përgjigjur vullnetarisht thirrjes për paraqitje në seancë gjyqësore.

Bëhet fjalë për rastin e incidentit në Kuvendin e Kosovës të datës 28 qershor të vitit 2012.

Aty ishin përfshirë deputetët e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, Rexhep Selimi, ish-deputeti Florin Krasniqi dhe shoferi Besart Bujupi, të cilët sipas deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu e kanë sulmuar atë me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore.

Nga personat e përfshirë në këtë incident, mungon ish-deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, i cili ndodhet jashtë Kosovës, andaj ndaj tij është paralajmëruar procedurë e veçantë.

vy

SËRISH ARRESTOHET KRYETARI VISAR YMERI

Sot rreth orës 10:00, policia arrestoi sërish kryetarin e VETËVENDOSJE!-s, z. Visar Ymeri.

Proceset e montuara gjyqësore ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk po ndalen dhe janë intensifikuar kohëve të fundit. Arrestimi i vazhdueshëm i kryetarit të subjektit më të madh opozitar, konfirmon raportet ndërkombëtare që Kosovën e kanë shpallur vend me sistem gjysmë të konsoliduar autoritar.

Prej se e kemi në pushtet këtë koalicion, dhuna dhe përndjekjet politike janë bërë metodë qeverisëse në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon urgjentisht ndërprerjen e përndjekjeve politike dhe do të angazhohet me tërë qenien e saj që ta largojë këtë regjim autoritar.

Albulena Haxhiu: ‘Largimi i AAK-së nga Kuvendi ishte marrëveshje mes Veselit e Haradinajt’

Albulena Haxhiu, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, ka pohuar se ekziston një marrëveshje bashkëpunimi me Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt.

Haxhiu ka argumentuar duke thënë se me rastin e vendimit të largimit nga Kuvendi i Kosovës të AAK-së, lideri i kësaj t të fundit e ka ndihmuar kryetarin e parlamentit kosovar.

“Në qoftë është duke i interesuar që dikush të dalë nga seanca opozita është Kadri Veseli. E këtë e ka ndihmuar AAK-ja me vendimin e saj. Këtu dyshojmë se është arritur një marrëveshje mes Veselit dhe Haradinajt”, ka thënë Haxhiu në Info Magazinë.

Ndër të tjerash, Haxhiu ka thënë se VV-ja nuk është kundër protestës së organizuar nga AAK-ja dhe nuk do t’iu bëjë thirrje simpatizantëve të vetë të mos protestojnë. /Telegrafi/

Gjatë qëndrimit ilegal në Kosovë, Gjuriçi shoqërohej nga dy zyrtarë kosovarë (fotot)

Të premten në mënyrë ilegale qëndroi në Kosovë Marko Gjuriçi, Shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Gjuriçi përkundër vendimit që kishin marrë institucionet e Kosovës për ndalim e hyrjes së tij, arriti të futej dhe madje qëndroi gati gjithë ditën.

Derisa institucionet e cilësonin shkelje të rendit kushtetues hyrjen e Gjuriçit, ai shoqërohej nga dy zyrtarë kosovarë. Njëri ishe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq ndërsa tjetri, ministri Ljubomir Mariq.

Hyrja ilegale në territorin e një vendi të huaj cilësohet vepër penale, njëjtë si në vendin tonë çështje kjo të cilën e rregullon Ligji për të Huajt.

Megjithëse, zëvendëskryeministri Stojanoviq dhe ministri Mariq shpërfillen urdhrat e qeverisë pjesë të së cilës janë, qeveria e kryeministrit Isa Mustafa nuk ka asnjë koment. Në pyetjet e “zeri.info” nuk është përgjigjur zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi e as zëvendësministri i pushtetit lokal, Bajram Gecaj.

Ndërkohë Ligji për të Huajt parasheh:

Neni 32

Kalimi ilegal i kufirit

 

1. Kalimi ilegal i kufirit shtetëror konsiderohet atëherë kur i huaji:

1.1. nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji.

1.2. tenton të kalojë kufirin shtetëror jashtë pikës së kalimit kufitar apo kohës të

caktuar për kalimin e kufirit shtetëror;

1.3. shmanget apo tenton t’i shmanget kontrollit kufitar;

1.4. gjatë kalimit të kufirit shtetëror përdor dokumentin e udhëtimit jo të vlefshëm, te

falsifikuar si dhe dokumente udhëtimi autentike te personave të tjerë të përdorura në

mënyrë abuzive;

1.5. jep të dhëna të rrejshme zyrtarëve të autorizuar për kontrollin e kalimit të kufirit

shtetëror;

1.6. hynë në Republikën e Kosovës ndërkohë që urdhri për largim me ndalesë për rihyrje

është në fuqi.

Maric_-_Stojanovic_-_Gjuric_2

Vetëvendosje: Nepotizimi PDK-LDK nën moton ‘Familja, prona, shteti’

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Albana Gashi ka postuar në llogarinë e saj në “facebook”,  një skemë të punësimeve të familjarëve të njerëzve të koalicionit PDK-LDK. Këtu përmenden emra  të politikanëve të fuqishëm siç është presidenti Hashim Thaçi.

 

Më poshtë gjeni postimin e plotë

 

Një numër simbolik i familjarëve të pushtetarëve të punësuar në institucione publike, siç duket nën moton “Familja, prona,shteti”, duke vënë shtetin në shërbim të pronës dhe familjes:

Hashim Thaçi, PDK → vëllau, Byroja Kosovare e Sigurimeve

→motra e gruas, RTK

→kunata (motra e gruas) e Gani Thaçit, vëllait të Hashim Thaçit RTK

Isa Mustafa, LDK→ një dyzinë kusherinjsh në Komunën e Prishtinës.

Vlora Citaku, PDK→ motra, RTK

Bekim Qollaku, PDK → vëllau i gruas, RTK

Kamishi, PDK→ motra, RTK

Shaip Muja, PDK,→ gruaja, RTK ( ka realizuar emision cili është paguar nga RTK)

Mustafë Mustafa PDK→ I punësuar pa konkurs, vëllai, daja, RTK

Azem Syla, PDK→ mbesa, RTK

Sali Asllani, LDK → vajza, RTK

Xhevahire Izmaku, PDK→ vajza, RTK

Hajdar Beqa, PDK→ vllaun , Ministria e Zhvillimit ekonomik

Hajdar Beqa, PDK→ gruaja ,Ndërmarrja Publike Ibër-Lepenci

Skender Ahmeti, ish- dekan, PDK → vajza, BQK

Halim Halimi , LDK→ vajza, Ndërmarrja publike Banesore

Justin Shiroka-Pula, PDK→ djali, PTK , asistent në UP

Beqir Sadikaj, PDK→ djali, këshilltar i zv.ministrit Lirak Çelaj

Agron Mustafa, PDK→ e dashura, RTK

Analistët: Marrëveshja Kosovë – Serbi e dështuar dhe pa progres

Me qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, sot tre vjet këto dy shtete hodhën nënshkrimin e parë në Bruksel, tekstin e së cilës e kishte ofruar ish-shefja për politikë të jashtme e BE-së, Catherine Ashton.

Hashim Thaçi, atëkohë kryeministër i vendit së bashku me homologun e tij serb, Ivica Daqiq, nënshkruan marrëveshjen prej 15 pikësh, marrëveshje kjo që u cilësua si historike, raporton lajmi.net.

Ndonëse kryeministri serb këtë marrëveshje e kishte konsideruar si shumë më të favorshme për palën serbe, për Thaçin arritja e kësaj marrëveshjeje ishte njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial.

Por pavarësisht se kanë kaluar tre vjet që kur është bërë nënshkrimi mes dyja palëve, zbatimi i saj shihet dështues.

Këtë mendim ndan Drejtor i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri i cili në një prononcim për lajmi.net e quajti këtë marrëveshje si një fatkeqësi të madhe.

“Është një fatkeqësi e madhe që një marrëveshje që konsiderohet të jetë bilaterale, mirëpo edhe me karakter ndërkombëtar të çalojë në zbatim në veçanti në integrimin e pjesës veriore të Kosovës dhe, për më shumë do të thotë me nisje të zbatimit të kësaj marrëveshje. Ju kujtohet që problemi themelor i përmendur gjatë asaj kohe, ka qenë ura në Mitrovicë tek lumi Ibër”, shpjegoi Tahiri.

Madje ai thotë se, përderisa marrëveshjet tjera që janë dashur ta lehtësojnë integrimin e pjesës veriore të Kosovës, siç është shprehur, vetëm që e kanë çalu këtë problem dhe këtë ai e cilësoi si një dështim.

Tahiri sqaroi edhe punën e Asociacionit për të cilin siç vlerëson ai janë bërë shkelje kushtetuese.

“Ndërsa çështjen e Asociacionit unë e shoh: gjykata kushtetuese ka evidentu mbi 20 nene, dmth mospërputhshmëri me kushtetutën respektivisht shkelje të kushtetutës, kjo nënkupton që duhet të merren shumë seriozisht, e dyta asociacioni i komunave me shumicë serbe në asnjë formë nuk guxon t’i ketë tri elemente, pra kompetencat ekzekutive, sepse duket që edhe në formë edhe në përmbajtje, por edhe në statut që është nivel i dytë i qeverisjes dhe mbi të gjitha do të thotë mos ta prek parimin e multietnicitetit, sepse kur është themelu është bazu në parimet e multietnicitetit edhe pse shoqnia nuk është multietnike, meqenëse është kështu, të gjitha këto parime duhet të merren parasysh”, tha ndër tjerash Tahiri.

Se mundësitë për të arritur nga kjo marrëveshje nuk janë shfrytëzuar, e thotë edhe analisti i vendit Nexhmedin Spahiu.

Ai për lajmi.net tha se, ndonëse dialogu është një interes nacional dhe i rëndësishëm i Kosovës, arritjet e delegacionit kosovarë kanë lënë për të dëshiruar.

“Mendoj që ka qenë hap me rëndësi, marrëveshje që është bo para tri viteve por arritjet e delegacionit të Prishtinës, përgjatë këtyre viteve, kanë lënë shumë për të dëshiruar. Mundësitë kanë qenë shumë të mëdha ndërsa arritjet shumë të vogla”, tha Spahiu.

Tutje, ai tha se është bërë progress në këtë aspekt, por progres që siç shpjegon ai, në krahasim me kohën që ka shkuar dhe mundësitë që kanë qenë tregon për paaftësinë e klasës politike të Kosovës.

“Tri vjet janë goxha shumë dhe, kjo është një kohë shumë e madhe e humbur”, përfundoi ai.

Ndryshe, sot tre vjet, përkatësisht me datë 19 prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësim të Bashkimit Europian nënshkruan marrëveshjen.

marreveshjakosoveserbi

Thaçi si e përkujton marrëveshjen e 19 prillit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar përvjetorin e tretë të nënshkrimit të marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Pas një shekulli konflikt, arritëm marrëveshjen e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve, me udhëheqjen e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së”.

“Nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë për shtetin tonë dhe popujt e rajonit”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Marrëveshja e 19 prillit, 2013, është nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësues së lartë të BE-së atëbotë, Catherine Ashton.

“Dialogu, normalizimi dhe pajtimi mes shteteve dhe popujve nuk ka alternativë”, ka thënë Thaçi.

Zbatimi i marrëveshjes në praktikë, megjithatë, thuhet se ka ngecur në shumë pika.

Në veçanti përmenden ngecjet në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës dhe në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili parashihet të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.

Ky asociacion është bërë edhe shkak i tensioneve të larta midis pushtetit dhe opozitës në Kosovë.

Opozita thotë se ky mekanizëm do të çonte në ndarje të Kosovës.

Tre vjet nga marrëveshja e 19 prillit

Bruksel, 2013.

Sot janë bërë tre vjet prejse Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Dokumenti është nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes në praktikë thuhet se ka ngecur në shumë pika.

Në veçanti përmenden ngecjet në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës dhe në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili parashihet të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.

Pikërisht ky asociacion është bërë edhe shkak i tensioneve të larta midis pushtetit dhe opozitës në Kosovë, e cila konsideron se një mekanizëm i tillë çon në ndarjen e Kosovës.

Sidoqoftë, marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh ia ka hapur dyert Kosovës për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian, ndërsa Serbisë i ka ofruar negocaiatat për anëtarësim në këtë bllok.

17 vjet më parë beteja te Shkëmbi i Gradinës

Sot bëhen 17 vjet nga beteja e zhvilluar te Shkëmbi i Gradinës, për të mos lejuar depërtimin e forcave armike në rrafshnaltën e Berishës, ku ndodhej SHP i UÇK-së, Spitali Ushtarak, QPK, Agjencia e lajmeve “Kosovapress”, radio “Kosova e lirë” dhe rreth 100 mijë banorë nëpër grykat e maleve.

Në këtë betejë, pikërisht më 18 prill 1999, ranë heroikisht Islam Kastrati nga Kishnareka, Halim Bajraktari nga Drenasi, Mentor Morina nga Bushati, Ramadan Bytyqi nga Gjergjica dhe Mentor Gashi nga Llapushniku.

Luftimet e prillit 1999 në këtë anë kanë qenë vendimtare jo vetëm për rrjedhat e luftës çlirimtare, por mbi të gjitha kanë qenë vendimtare për të shpëtuar jetën e njerëzve që kanë qenë në këto gryka.

Po ashtu, luftëtarët që e bënë betejën e prillit 1999 kanë qenë muri i gjallë që nuk e ka lejuar ushtrinë dhe policinë serbe të depërtojë te popullata.

Krasniqi: Qeveritarët po i ndërrojnë fjalët më shpesh së çorapët

Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj shkrimit të kryeministrit Mustafa, lidhur me zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, duke thënë se Mustafa ka ndërruar fjalët. “Ec e besoju këtyre njerëzve që i ndërrojnë fjalët më shpesh së çorapët!”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij facebook.

Krasniqi ka thënë se nuk është hera e parë që kryeministri ndryshon fjalët.

Ky është shkrimi i plotë i Krasniqit:

“EC E MERRI VESH?!

Para pak dite Kryeqeveritari e qeveritarë me plotë gojën deklaruan: “Në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje serbe, do të ketë grumbullim të votave nga OSBE-ja”. Por, sot paskan harruar se çka thanë para pak dite.

Sot deklarimi ka avancuar, Kryeministri paska deklaruar, po e konfirmojnë mediat: “Qeveria që unë drejtoj nuk i pengon qytetarët e saj të shprehin vullnetin e tyre. Qoftë edhe duke hedhur vota për zgjedhjet e Serbisë nëpër qendrat grumbulluese të cilat do t’i menaxhoj OSBE. Përkundrazi. Ne do t’ua mundësojmë atyre ta shprehin atë vullnet.

Deklarimi i dytë nuk do të duhej të ndodhte, pasi ne veç e dinim se deklarimi do të ndryshonte. Ndryshimi i fjalëve, nuk është hera e parë që po ndodhë e më gjasë nuk do të j etë as e fundit”, ka shkruar Krasniqi.

Analistët: Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme në vjeshtë

Ndonëse institucionet aktuale të Kosovës ndodhen në gjysmën e mandatit kushtetues, tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sa vjen e aktualizohet.

Vjeshta e këtij viti, supozohet si një afat optimal kur vendi mund të shkojë eventualisht në zgjedhje të reja.

Partitë opozitare, konsiderojnë se në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që siç thuhet, vendi të dalë nga kriza politike.

Kurse sipas analistëve politik, një lloj përgatitje për zgjedhje po vërehet edhe te subjektet në pushtet. Andaj, sipas tyre, në zgjedhje mund të shkohet nëse diçka e tillë i konvenon Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), subjekt ky më i madh aktualisht në vend.

Analisti Imer Mushkolaj, thotë që kur partitë opozitare kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka nisur një lloj fushate dhe që atëherë, kërkesat për zgjedhje të jashtëzakonshme janë shpeshtuar.

“Pas zhvillimeve të fundit po duket se kjo çështje është kristalizuar edhe më shumë dhe çfarëdo veprimi i mëtutjeshëm që bëjnë partitë opozitare, shkon vetëm në favor të zgjedhjeve. Kemi parasysh edhe koalicionin në mes të AAK-së dhe Nismës. Në anën tjetër edhe përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje që të mbahet bashkë blloku opozitar, respektivisht këtij blloku t’i shtohet një numër i njerëzve nga shoqëria civile”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ndërkaq, analisti politik Halil Matoshi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pas mosmarrëveshjeve brenda partive politike opozitare, megjithatë, nuk duket se do të ketë zgjedhje në një periudhë të shpejt kohore, ndonëse nuk e përjashton mundësinë që ato të thirren qysh në vjeshtën e këtij viti.

Marrë parasysh që ish-lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tani është president i zgjedhur i Kosovës, kjo parti politike vlerësohet se do të kërkojë një kohë shtesë për të afirmuar liderin e saj të ri Kadri Veselin.

“PDK-ja mund të diktojë zgjedhjet e parakohshme në vjeshtë nëse ajo konsideron se është mjaftë e fortë sa të dalë e para në një proces zgjedhor. Kështu që kryetari aktual i saj zoti Veseli të nominohet për kryeministër të vendit”, tha Matoshi.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj mendon se jo vetëm partitë politike që tash janë në opozitë, po shprehin interesim për zgjedhje. Sipas tij edhe partia me e madhe në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, ka interesim që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Besoj se për zgjedhje është e interesuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, sidomos tash pas largimit të zotit Thaçi nga kreu i partisë në pritje të marrjes së lidershipit nga zoti Veseli. Duket se e vetmja parti e cila nuk është e interesuar për zgjedhje dhe nuk i konvenojnë në këto momente është Lidhja Demokratike e Kosovës”, është shprehur Mushkolaj.

Përderisa, Halil Matoshi, zhvillimet në partitë opozitare që quan deri të ndarja e tyre në dy tabore, apo aderimin e ish-shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi në Lëvizjen Vetëvendosje, i sheh si çështje normale.

“Sa i takon rirreshtimit të partive politike është shumë e natyrshme që AAK dhe Nisma do të fuzionohen dhe do të paraqiten si partia e tretë, eventualisht që do të merrte pjesë në krijimin e qeverisë. Lëvizja Vetëvendosje mbetet e vetme në luftë kundër keq qeverisjes, sepse blloku AAK dhe Nisma synojnë ta ndërrojnë qeverinë, kurse Vetëvendosje synon të ndryshojë qeverisjen dhe këtu kjo Lëvizje e bën ndryshimin”, ka thënë Matoshti.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë pajtuar për inicimin e krijimit të boshtit opozitar në Kosovë.

Pjesë e marrëveshjes nuk është edhe Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht se këto tri subjekte politike për shtatë muaj kishin koordinuar veprimet e tyre politikë si në Kuvend ashtu edhe në rrugë, në kundërshtim të politikave të qeverisë aktuale të Kosovës.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja parasheh ndërtimin e një boshti opozitar, i cili do të jetë i hapur për partitë e tjera politike, si dhe për përfaqësues të shoqërisë civile e personalitete nga jeta publike.

Partitë politike në opozitë, pavarësisht mosmarrëveshjeve brenda tyre, kërkojnë largimin e qeverisë aktuale e cila udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

U nënshkrua marrëveshja AAK-Nisma

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë pajtuar për krijimin e “boshtit opozitar” në Kosovë.

Liderët e këtyre dy partive kanë nënshkruar të hënën marrëveshjen e bashkëpunimit.

Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën kanë thënë pas nënshkrimit të marrëveshjes se deri  tani, kanë qenë të bashkuar kundër qeverisë, e nga tash e thellojnë bashkëpunimin me një koalicion parazgjedhor.

Haradinaj dhe Limaj kanë thënë se janë të hapur për partitë e tjera politike, si dhe për përfaqësues të shoqërisë civile e personalitete nga jeta publike që të bashkohen në synimet e tyre.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje nuk është Lëvizja Vetëvendosje, e cila për disa muaj ka bashkëvepruar me AAK-në dhe Nismën në kundërshtimin e disa marrëveshjeve që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar me Serbinë.

“AAK dhe Nisma, me anë të këtij koalicioni, zotohen se do të ecin bashkë, por jo se janë bërë bashkë në kuptimin e një partie”, ka thënë Bilall Sherifi, sekretari i Nismës për Kosovën.

Partitë politike opozitare, pavarësisht disa mospajtimeve, vazhdojnë të insistojnë në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje e vetme për të dalë, siç thuhet, nga kriza politike, në të cilën është futur Kosova.

Sipas opozitës, pa largimin e Qeverisë aktuale, e cila udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk mund të ketë ndryshime pozitive në Kosovë.

Kosova qeveriset nga ndërkombëtarët, shfrytëzohet nga armiqtë e saj shekullorë! – Nga Florim Zeqa

Kosova e “pavarur”, 17 vite pas çlirimit, me prezencën e fuqishme politike dhe ushtarake ndërkombëtare, me një qeveri të papërgjegjshme ndaj qytetarëve të saj dhe servile ndaj ndërkombëtarëve, për më tepër i ngjet një protektorati të pafundëm ndërkombëtar, se sa një shteti të pavarur.
Si askund në botë, zë më i fuqishëm se i qeveritarëve vendor, është ai zyrtarëve (ambasadorëve) ndërkombëtarë. Ata pra, ndërkombëtarët e instaluar në Kosovë i përcaktojnë të gjitha, si kahet e zhvillimit politik, lidhjet dhe prishjet e koalicioneve paszgjedhore, zgjedhjen e kryeparlamentarit, kryeministrit dhe presidentit të vendit,…e deri të aspektet financiare, caktimin e buxhetit (të varfërisë qytetare), projektet “zhvillimore” për hapjen e qendrave biznesore, etj.
Qeveritarët kosovar s’janë gjë tjetër veqse implementues të projekteve ndërkombëtare (rezultatet e bisedimeve politike me Serbinë në Bruksel), përderisa Kuvendin e Republikës së Kosovës e perdorin si instrument për legalizimin e vendimeve skandaloze në dëmë të së ardhmës politike të vendit (Zajednica, Demarkacioni, Decentralizimi etnik, etj).
Qeveritarët kosovar, përveq pushtetit oligarkik të tyre, nuk i menaxhojnë as resurset natyrore të vendit të tyre; Minierën e Trepçës, Liqenin e Ujmanit (Gazivoda), Brezovicën të cilat i kontrollon Serbia….sikurse që i kanë lëshuar prej kohësh nga “dora” kapacitetet energjetike të vendit-KEK-un dhe Aeroportin e Prishinës, të dhëna me “konçesion” kompanive nga Turqia.
Rastësi kjo, apo analogji pushtuesish, pasuritë kryesore të vendit tonë shfrytëzohen nga armiqt shekullor të shqiptarëve (ish pushtuesit turko-sllav)!
Ashtu sikurse resurset natyrore, edhe rreth 30 % e territorit të vendit kontrollohet nga më pak se 5 % e pakicës serbe në Kosovë.
Operatorit turk, i ardhur në Kosovë përmes çarqeve pro-serbe, jo rastësisht ju dha në menaxhim potenciali më i madhë energjetik në vend-KEK-u, i cili luan si t’i tekët me puntorët dhe konsumatorët e varfër kosovar.
Ndodhë shpesh, që përveq fryerjes së faturave të energjisë elektrike, konsumatorëve shqiptar t’ua kërkojë edhe borxhet e vjetra, të cilat kanë qenë të rregulluara në marrveshje me Qeverinë e Kosovës me rastin e privatizimit të KEK-ut.
Qeveria e Kosovës, edhe pse kishte premtuar shlyerjen e borxheve të vjetra, një gjë të tillë e ka bërë në mënyrë parciale (për serbët dhe bizneset e afërta me pushtetarët),…duke diskriminuar me këtë rast një numër të konsiderueshëm të familjeve shqiptare nën asistencë sociale.
Për ta vertetuar më së miri këtë që po e themë, dua ta ilustroj me një rast konkret të para disa dite, që i ka ndodhur një familje me asistencë sociale në një lagje të komunës së Vushtrrisë.
Në një ditë me shi, në derën e familjes 6 antarëshe troket punonjësi shqiptar i KEK-ut, me t’i hapur derën kryefamiljarit i drejtohet me këto fjalë; “Turku është duke ti kërkuar 500 euro nga borxhi vjetër”.
E menjëhershme kishte qenë edhe përgjigja e kryefamiljarit ndaj punonjësit të  KEK-ut; “Thuej turkut, ti mi ke borxh 500 vjet, andaj kur t’mi kthejsh 500 vjetët e humbura, eja e kërko 500 eurot e Qeverisë së Kosovës tek unë o turku i zi”.
Të drejtën për të shfrytëzuar pasuritë tona dhe për të ladruar lirshëm në mbarë Kosovën pushtuesit shekullor, ua dhanë ndërkombëtarët me ndihmën e qeverisë kuislinge shqipfolëse në Prishtinë.
Liria dhe pavarësia e një vendi kanë kuptim pak më të gjërë se sa liria e levizjes së lirë dhe e drejta për të thithur lirshëm ajrin e Kosovës martire. Pra janë gjëra të tjera më të rëndësishme që i dhënë kuptim jetës së qytetarëve në gjysëm shtetin e “lirë” dhe të “pavarur” me emrin Kosovë, në të cilin ish pushtuesit shekullor, përveq kontrollit fizik të territorit të vendit tonë, e dominojnë tregun me prodhimet e tyre, duke filluar nga artikujt më themelor e deri tek ata më deficitar për jetën e njeriut.

Ramush Haradanaj: Ja si u pasurua familja ime

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka treguar se si është pasuruar familja e tij.

Ai ka thënë se për mirëqenien e tij në masë të madhe e ndihmuan miqtë dhe bashkëkombësit e nderuar.

Haradinaj thotë se, “para luftës, familja në Gllogjan, baba im ka punuar në punë të shtetit. Në të njëjtën kohë jemi marrë edhe me blegtori. Kemi pasur tokë, bagëti edhe bjeshkë. Me grevën e përgjithshme baba im e ka humbur vendin e punës dhe unë më pastaj kam shkuar në Zvicër, ku i kam mbajtur edhe nga tri punë. Me punën time atje, kam mbërri ta përkrahë familjen time më tutje, kam mbërritur t’i përkrah djemtë e lirisë dhe kam mbërritur ta blejë një banesë në Tiranë, e cila ka qenë bazë e djemve të lirisë”.

Ndërsa pas luftës thotë se është ndihmuar shumë nga miqtë dhe bashkëkombasit.

“Familja jonë, pa asnjë kalkulim, iu kushtuam luftës dhe lirisë. Ne kishim mirëqenie para lufte por nuk kishim liri. Pas luftës kemi qenë të rrethuar nga shumë miq dhe shumë njerëz liridashës, të cilët na përkrahën si familje në Gllogjan, e të cilët po ashtu ndihmuan edhe në ndërtimin e shtëpisë në Prishtinë. Shtëpia është ndërtuar në vitin 2002, me pak buxhet familjarë dhe me shumë ndihmë nga miqtë, dhe bashkëkombasit tanë”, ka shkruar lideri i AAK-së.

Ndërsa ka shtuar se, “për të rikthyer kullën shqiptare dhe nderin e familjes sime, kam shitur dy prona, banesën në Tiranë dhe një tokë në Miradi, edhe aty na kanë ndihmuar familje të nderuara shqiptare. Sot kam mirëqenie, por unë nuk mburrem me këtë, sepse shtetin e kemi jo mire. Gjithë përkrahjen që i është bërë familjes sime dhe mua , do t’ia kthejmë vendit, duke punuar me nder”.

Me letërnjoftimet serbe askush s’po ndalohet në pikëkalimin e Jarinjës

Ndonëse ishte paralajmëruar se nga dita e sotshme nuk do të lejohet kalimi i kufirit midis Serbisë e Kosovës me letërnjoftime të lëshuara nga organet paralele serbe, kjo nuk ka ndodhur ende, raportojnë mediet serbe, transmeton Koha.net.

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, i ka thënë Tanjugut se në pikëkalimin e Jarinjës në pjesën veriore të Kosovës, kalimi po zhvillohet si përpara dhe se policia nuk ka ndryshuar regjimin për askënd, pra as për ata që jetojnë në Kosovë dhe janë të pajisur me letërnjoftime serbe.

Ipeshkvia e Kosovës: Jemi për mësimin e fesë në shkollat publike

Ipeshkvia e Kosovës e ka sqaruar se është futjen e mësimit për fetë në shkollat publike derisa konsideron se edukimi fetar duhet të bëhet në kisha e xhamia.

Megjithëkëtë, para se të ndodh dika e tillë, Ipeshkvia kërkon të reformohet arsimit dhe të bëhen përgatitje shtetërore.

“Për hir të pasurisë që kemi trashëguar, nga të parët tanë, tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën në paqe, vlerësojmë se edukimi fetar, duhet të zhvillohet nëpër kisha dhe xhamia, ndërsa mësimi mbi fetë, mbi tolerancën dhe bashkëjetesën historike ndërfetare, mund të jetë në kuadër të arsimit publik”, thuhet në deklaratën e Ipeshkvisë.

Sidoqoftë, nëse ndërmerret ndonjë veprime në futjen e mësimit fetar në shkolla, atëherë, Kisha Katolika ka paralajmëruar se mund të ketë pasoja për kombin shqiptar.

“Ipeshkvia e Kosovës, konsideron se në këto rrethana duhet të hiqet nga rendi i ditës ky propozim, deri sa nuk krijohen rrethanat më të favorshme dhe të plotësohen kushtet në fjalë. Në të kundërtën, Kisha Katolike në Kosovë do të konsiderojë këtë vendim të  njëanshëm dhe nuk do të bartë  përgjegjësinë mbi  pasojat e mundshme për Kombin”, thuhet ne deklaratë, përcjell “Zëri”.

Për më shumë lexojeni deklaratën e plotë:

Debati që është ngritur përsëri rreth mësimit fetar apo mësimit mbi fenë, që ka ardhur nga diskutimet në Shqipëri, Kisha Katolike i ka përcjell më vëmendje.

Ne, para disa viteve, kemi dal me një deklaratë publike dhe e kemi treguar qëndrimin zyrtar në lidhje me këtë çështje, në kohën kur po diskutohej mundësia e ndryshimit të ligjit parauniversitar, përmes së cilit synohej futja e lëndës fetare në arsimin publik. Ky qëndrim i yni nuk ka ndryshuar, pra mbetet i njëjtë.

Prandaj, po e ripohojmë të njëjtën si më poshtë:

Avancimi i shoqërisë tonë, që të ketë edhe këtë mundësi ngjashmërie me vendet e Bashkimit Europian dhe ushtrimi i kësaj të drejte që na e mundëson liria dhe sistemi demokratik i Shtetit të Kosovës, është më se i mirëpritur.

Kisha Katolike, Ipeshkvia e Kosovës, vlerëson se ndryshimet e tilla në ligj, nuk duhen të kenë  qëllim, ngopjen e ambicieve të disave, për përfitime politike, por realizimin e synimeve të përbashkëta, për edukimin e gjeneratave të reja në frymën e Rilindësve tanë.

Për hir të pasurisë që kemi trashëguar, nga të parët tanë, tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën në paqe, vlerësojmë se edukimi fetar, duhet të zhvillohet nëpër kisha dhe xhamia, ndërsa mësimi mbi fetë, mbi tolerancën dhe bashkëjetesën historike ndërfetare, mund të jetë në kuadër të arsimit publik.

Megjithatë, para se të bëhen ndryshimet në ligj, ne mendojmë se, duhet të bëhen disa hapa paraprakë fundamental:

Lypet që Shtetësia e Kosovës të “piqet” dhe të  njihet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Të arrihet, nëpërmjet arsimimit, një qytetërim i mirëfilltë europian dhe Kosova të jetë e aftë për të menaxhuar një çështje kaq madhore.

Të krijohet Komisioni i përbashkët me përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe instancave relevante shkencore, akademike dhe politike, të cilat pas shqyrtimit serioz do të mund ta jepnin një propozim rreth përpilimit të teksteve dhe për  përgatitjen e kuadrove.

Zgjidhja e kësaj çështjeje, duhet të jetë vendim unik i Kombit.

Duke u mbështetur në argumentet e sipërpërmendura, si dhe tjerat që nuk janë përmendur kësaj radhe, Ipeshkvia e Kosovës, konsideron se në këto rrethana duhet të hiqet nga rendi i ditës ky propozim, deri sa nuk krijohen rrethanat më të favorshme dhe të plotësohen kushtet në fjalë. Në të kundërtën, Kisha Katolike në Kosovë do të konsiderojë këtë vendim të  njëanshëm dhe nuk do të bartë  përgjegjësinë mbi  pasojat e mundshme për Kombin.

Deputetët e VV-së të entuziazmuar nga ardhja e Donikës (foto)

Donika Kadaj-Bujupi sot edhe zyrtarisht i është bashkuar radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Me të kaluar në këtë subjekt politik, Kadaj Bujupi në një farë mënyre ka thumbuar partinë për të cilën shërbeu për 13 vite rresht.

Ajo tha se në rrethanat politike që u krijuan në vend, ajo u përcaktua që të zgjedhë drejtësinë, transmeton “zeri.info”.

“Më lejoni që ta përmbyll këtë fjalë me thënien: “Po të më jepej mundësia të zgjedhja në mes të paqes dhe drejtësisë, do të zgjedhja drejtësinë”. Të dashur miq, në rrethanat e krijuara, unë u përcaktova për drejtësinë dhe mu për këtë sot jam këtu në mesin tuaj!”, deklaroi Kadaj-Bujupi, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

Pavarësisht se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deklaroi se qëndrimet e saja i ka dhënë në ditën kur Kadaj-Bujupi është larguar nga ky subjekt politik, deputetët e Vetëvendosjes janë shprehur të lumtur që Donika i është bashkuar atyre.

Faton Topalli e Fisnik Ismaili kanë qenë ata të cilët kanë reaguar menjëherë përmes profileve të tyre zyrtare në rrjetet sociale, duke i uruar mirëseardhje Donika Kadaj-Bujupit. /ZËRI/

fatoni14

Donika Kadaj-Bujupi: VV nuk u tundua kurrë për pushtet

Donika Kada-Bujup: Me kalimin në Vetëvendosje unë zgjodha drejtësinë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka deklaruar se në opozitën e bashkuar kanë kërkuar që vendimet t’i marrim bashkë por kohët e fundit u pa që jo të gjithë duan që vendimet të jenë të përbashkëta dhe të koordinuara.

“Aktualisht aktiviteti opozitar e ka humbur bashkërenditjen. Ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të gatshëm të organizohemi në protesta”, ka thënë ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku për shkaqe shëndetësore nuk po merr pjesë kryetari i kësaj lëvizje, Visar Ymeri.

Çaushi i tha të pranishmëve se Lëvizja Vetëvendosje është rritur gjatë këtyre muajve.

Vetëvendosjes edhe zyrtarisht i është bashkuar deputetja Donika Kada-Bujupi, e cila tha se me kalimin në Vetëvendosje e ka zgjedhur drejtësinë.

“Duke qenë bashkë të përkushtuar fituam betejën e parë. Ne ishim bashkë të pandarë në parlament, protesta e burg i sollëm rezultatet e para. Ne depërtuam në zemrat e grave dhe burrave të Kosovës, të gjithë atyre që ia duan paqen dhe mirëqenien Kosovës. Ne krijuam një ëndërr për Kosovën meritore dhe për ta jetësuar këtë na duhet shumë punë. Ajo çka po ndodh sot dhe ky vendim i imi është vazhdim i plotë i imi në lëvizjen që nuk u tundua kurrë për pushtet. Në mes paqes dhe drejtësisë, unë kam zgjedhur drejtësi”, tha ajo. /KP/

Thaçi nuk deklarohet se a do të japë dorëheqje nëse akuzohet nga Specialja

Presidenti Hashim Thaçi, nuk është deklaruar nëse zotimi i tij se nuk do të ketë vend në institucione për zyrtarë të akuzuar, vlen edhe për të.

Thaçi për herë të dytë e ka dhënë një premtim të tillë prej se ka marrë detyrën e presidentit.

“Persona me dosje kriminale e njerëz me aktakuza nuk do të ketë në institucione apo në agjenci”, ka thënë ndër tjera presidenti i Kosovës”, ka thënë Thaçi në ceremoninë e organizuar për 8 vjetorin e Kushtetutës gjatë kësaj jave.

Në kabinetin e tij nuk janë përgjigjur nga e marta në pyetjet e Insajderit nëse Thaçi do të japë dorëheqje nëse akuzohet për krime lufte apo krime tjera që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës.

Thaçi është nën hetime nga Task Forca Speciale si “kreu i një grupi kriminal” i identifikuar si “Grupi i Drenicës”.

Zyra për media nuk ka folur prej të martës rreth kësaj çështje.

Presidenti i vendit ndërkohë ka folur edhe për ndryshime në Kodin Penal të Kosovës. Ka thënë se është formuar një ekip ekspertësh vendës e ndërkombëtarë.

“Në kuadër të kompetencave që unë kam si president i vendit në të ardhmen e afërt do të fillojë ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës, me gjithë se është më i miri në rajon, por kemi vërejtur disa boshllëqe që janë të nevojshme të eliminohen apo disa vrima të cilat janë të nevojshme të plotësohen me disa propozime shtesë”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Do të ulemi të diskutojmë dhe do të propozojmë me gjithë skenën politike që në mënyrë të përshpejtuar të ndodhin ato ndryshime në mënyrë që edhe sistemi i drejtësisë të jetë më efektiv. Që ta plotësojnë njëra tjetrën edhe sistemi prokurorial edhe ai gjyqësor por edhe shtëpitë korrektuese”./Insajderi.com

Serbët në Kosovë po votojnë për zgjedhjet e Serbisë

Derisa ka qëndrime të ndryshme, të pozitës dhe opozitës, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë me 24 prill, qytetarët serbë tashmë janë bërë gati që të votojnë. Ata shprehen të sigurt se institucionet kosovare do t’i lejojnë që të votojnë, pasi të drejtën e votimit e shohin si të drejtë qytetare. Serboljub Popoviç,qytetar nga Graçanica thotë se do të votojë, nëse një gjë të tillë ia lejon presidenti Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri.

“Do të dal nëse lejon Edita ose Thaçi. Thaçi tani është presidenti ynë. Unë jetoj në Kosovë dhe dua të vdes këtu. Nuk do të largohem kurrë nga Graçanica. Nuk është askund më sigurt se sa këtu në Kosovë. Nuk ka askund në botë më shumë liri se sa në Kosovë”, thotë Popoviç. Edhe qytetari Milan Veliç thotë se do të dalë të votojë për zgjedhjet e Serbisë, nëse ato mbahen në Kosovë.

“Do të dal në zgjedhje nëse mbahen. Nëse dalin të tjerët do të dalim edhe ne. Me sa di unë institucionet e Kosovës kanë lejuar të mbahen këto zgjedhje. Janë organizuar nga OSBE-ja, kështu ne e dimë. Ne do të dalim”, tha Veliç. Por, kishte dhe nga ata qytetarë të cilët thonë se është e drejtë qytetare që të dalin të votojnë për zgjedhjet e Serbisë, të cilat pritet të mbahen në Kosovë.

“Do të dalim në zgjedhje, sepse kjo është e drejtë qytetare. Nëse nuk lejojnë, nuk dalim. Kjo është normale”, tha qytetari serb, i cili nuk deshi që të identifikohet. Megjithatë, mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë po e kundërshtojnë fuqishëm edhe partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje thotë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe në funksion të Kushtetutës së Serbisë. Glauk Konjufca madje këtë e ka quajtur dhe sulm ndaj Kushtetutës dhe pavarësisë së Kosovës. “Këtu kemi ndërhyrje të Serbisë. Ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë, në sovranitetin shtetëror të vendit në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës. Pra është sulm drejtpërdrejtë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pavarësinë e shtetësinë e vendit. E po ashtu dhe në integritetin e paprekshmërisë së sistemit tonë zgjedhor”, tha ai.

Ndërsa Qeveria e Kosovës është pajtuar që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 24 prill. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se Serbia nuk do të mund të hapë qendra votimi në Kosovë, por serbëve të Kosovës do t’iu mundësohet të votojnë përmes qendrave grumbulluese të OSBE-së, si në vitin 2014. “Në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje serbe, po r do të ketë vetëm grumbullim të votave nga ana e OSBE-së”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kohë më parë kishte paralajmëruar se serbët do të mund të hedhin votën e tyre vetëm përmes Zyrës ndërlidhëse të Beogradit. Ndërsa tani pohojnë se këtë do të mund ta bëjnë përmes, siç i quan kryeministri Mustafa, “pikave grumbulluese të votave nga ana e OSBE-së”. /k.Press

Fatmir Limaj e të tjerët shpallen të pafajshëm për rastin ‘Kleçka’

Burime nga Gjykata kanë thënë në kushte anonimiteti se aktgjykimi që Limajn dhe nëntë të tjerët i rishpall të pafajshëm është nxjerr dy muaj më parë, por ende nuk është publikuar. “Ankesa e Prokurorisë është hedhur poshtë dhe është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë”, ka thënë një burim tjetër.

Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm deputetin, Fatmir Limaj, ka mësuar Insajderi. Aktgjykimi i jep fund procesit “Kleçka”.

Një trup gjykues i përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një vendës, ka hedhur poshtë ankesën e Prokurorisë – si të pabazuar.

Burime nga Gjykata kanë thënë në kushte anonimiteti se aktgjykimi që Limajn dhe nëntë të tjerët i rishpall të pafajshëm është nxjerr dy muaj më parë, por ende nuk është publikuar.

“Ankesa e Prokurorisë është hedhur poshtë dhe është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë”, ka thënë një burim tjetër.

Të njëjtin konfirmim Insajderit ia kanë dhënë edhe dy burime tjera.

Në Gjykatën e Apelit nuk kanë folur për këtë me arsyetimin se ende nuk është publikuar aktgjykimi. Pa u publikuar ky aktgjykim nuk kanë dashur të flasin as në ekipin mbrojtës të Fatmir Limajt.

Apeli i ka dhënë fund këtij procesi të gjatë që ka nisur pesë vjet më parë. Limaj dhe të tjerët janë shpallur dy herë të pafajshëm nga shkalla e parë.

Rasti Kleçka kishte shkuar në Apel me ankesën e ish-prokurorit, Maorizio Salustro, pasi për të dytën herë shkalla e parë e kishte shpallur të pafajshëm Arben Krasniqin, Naser Krasniqin, Nexhmi Krasniqin, Behlul Limajn, Fatmir Limajn, Refki Mazrekun, Naser Shalën, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.

Prokuroria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit duke kërkuar rigjykim apo dënim të të akuzuarve për krime lufte në fashatin Kleçkë.

Ankesa e Prokurorisë ishte shqyrtuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata e Apelit.

Limaj akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër robërve të luftës. Mes tjerash akuzohej se kishte urdhëruar vrasjen e dy serbëve. Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”.

Zogaj e kishte ngarkuar deputetin Limaj me barrë të rëndë të krimeve të luftës. Disa muaj para nisjes së gjykimit, Zogaj ishte gjetur i varur në një park në Gjermani, ku ishte dërguar nga EULEX-i si dëshmitar i mbrojtur. Pos dëshmive gojore, ai kishte dorëzuar një ditar i cili ishte shpallur si provë e pranueshme nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria kishte thënë në aktakuzë se disa robër të mbajtur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në një burg të kontrolluar në fshatin Kleçkë janë torturuar dhe vrarë. Ekzekutimi i robërve është bërë pa aktgjykim dhe me urdhër të stafit të UCK-së. Janë gjetur trupat e viktimave serbe, ndërsa trupat e viktimave shqiptare të Kosovës nuk janë gjetur.

“Dëshmitari më i rëndësishëm Agim Zogaj ka ardhur vullnetarisht dhe ka rrëfyer tregime të detajuara lidhur me veprat penale që kanë ndodhur në burgun e Kleçkës para se autoritetet hetuese të kenë pasur idenë se çfarë kishte ndodhur atje. Fatkeqësisht Agim Zogaj vdiq para shqyrtimit kryesor, megjithatë ai i kishte dhënë disa deklarata dhe së pjesërisht mbrojtja kishte bërë disa pyetje”, thuhet në ankesën e Prokurorisë kundër aktgjykimit lirues.

Organi i akuzës pretendon se të gjithë të pandehurit kanë qenë anëtarë të UCK-së. Fatmir Limaj thotë se ka mbajtur pozitën më të lartë në UCK dhe ai ishte përgjegjës për burgun e improvizuar të UCK-së në fshatin Kleçkë. Kontrolli mbi burgun sipas Prokurorisë ishte nën Fatmir Limajn i cili në fakt ishte shef i Policisë Ushtarake të UÇK-së për atë zonë.

Pretendohet se Agim Zogaj ka shërbyer në burgun e Kleçkës si mbikëqyrjes i stafit. Prokuroria thotë se Zogaj sinqerisht kishte dëshmuar se Fatmir Limaj ishte përgjegjës për urdhërimin e vrasjes së dy serbëve të cilët ishin vrarë dëshmitari. Të pandehurit e tjerë pretendohet se kanë shërbyer si gardian apo staf mbështetës të burgut.

“Fatmir Limaj kishte përgjegjësi të mbikëqyrjes organizative, prandaj ai kishte arsye të dinte se ishin kryer veprat penale. Të burgosurit nuk kanë mundur të largohen nga burgu pa dijeninë e tij. Gjithashtu ekzekutimi i njëpasnjëshëm i të burgosurve tregon se Fatmir Limaj të paktën kishte dështuar për të marrë masat e arsyeshme dhe të duhura për të shmangur veprat penale dhe për të dënuar kryerësit e veprave penale. Veç kësaj ai e kishte urdhëruar Agim Zogajnt që t’i vrasë dy të burgosurit”, pretendonte Prokuroria./Insajderi.com

Ekspertët: Kosova nuk ka rritje ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria që ai drejton, i ka përmbushur nëntëdhjetë për qind të objektivave që ka pasur gjatë vitit të kaluar.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Mustafa ka thënë se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe, sipas tij, kjo rritje është 3.6 për qind.

“Të punësuar rreth 18,000 vetë. Buxheti stabil, janë përmbushur detyrimet buxhetore. Fillimi i operimit të bizneseve për 27.5% më i lirë. Rritja mesatare e pagave 6%, rritja e ndihmave sociale 25%, rritja e fondeve për shtyllat e pensioneve kontribut-dhënës mbi 30% dhe implementimi i pensioneve për veteran të UÇK-së”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Isa Mustafa, ka përmendur edhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe ka theksuar se Kosova është “ranguar të përfitojë qindra miliona dollarë nga MCC (Korporata e Sfidave të Mileniumit të SHBA-së)”.

“Jemi në prag të fillimit të ndërtimit të Kosovës së Re. Është aprovuar Programi i Reformave Ekonomike, Strategjia Kombëtare Zhvillimore, ka filluar të implementohet Ligji për faljen e borxheve publike deri në fund të vitit 2008, me ligj është themeluar Fondi për garantimin e kredive për NVM-të, është në procedurë Ligji për Investime Strategjike”, ka thënë më tej ai.

Nënkryetari i komunës se Prishtinës, Dardan Sejdiu, nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se deklaratat e kryeministrit Musatafa nuk qëndrojnë dhe se, sipas tij, Kosova jo që nuk ka zhvillim të duhur ekonomik, por vazhdon të jetë shteti me i varfër në Evropë.

“Rreth 40 % e popullatës, e cila është në gjendje të punojë, është e papunë. Jemi duke folur për vendin, i cili e ka disbalancin më të madh tregtar në rajon dhe Evropë. Dymbëdhjetë fish më shumë importojmë sesa që eksportojmë”.

“Nuk kemi industri prodhuese. E gjithë ekonomia është e bazuar në import, rrjedhimisht i gjithë buxheti mbushet nga Dogana dhe kur flasim për rritje, krejt këto elemente ky kryeministër i abstrahon”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu, duke folur për deklaratat e kryeministrit Mustafa, ka theksuar se ministrat e kabinetit qeveritar nuk janë të interesuar që të zgjidhin probleme ekonomike, por siç u shpreh ai “ata janë të interesuar të flasin për higjiena administrative”.

“Kemi disbalancin më të madh në Evropë, importojmë rreth 400 milionë vetëm nga Serbia. Kjo është shuma e parave që vjen prej bashkatdhetarëve tanë. Pra, jemi duke parë një pëlhurë, e cila nuk e ka asnjë dallim praj asaj që e kemi pasur në 15 vjetët e fundit”, është shprehur Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, njëherësh kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, zhvillimi ekonomik në Kosovë, është anashkaluar si pasojë e proceseve politike.

Si rrjedhojë, thekson Gërxhalu, sfidat në Kosovë janë shumë të mëdha si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë social.

“Nëse e kemi këtë realitet të varfërisë ekstreme, nëse e kemi ketë shkallë të papunësisë dhe nëse kemi këtë rënie të investimeve të huaja dhe kemi këtë de-balancë me bilancin tregtar, vërtet, kemi shumë arsye më të mëdha për t’u mobilizuar për të dalë nga një situatë e krijuar, sesa për të shprehur eufori për rezultate të arritura”.

“Ajo çka është më esenciale nëse thuhet se kemi një rritje ekonomike 3.6% që unë kisha pasur dëshirë të besoj se është diçka e tillë, atëherë lind pyetja se me çfarë indikatori mat dhe në çka zbërthehet një rritje ekonomike e tillë?! Duhet vërtet të jemi realë dhe duhet të jemi ata që ecim në tokë, nuk kemi arsye për eufori për të arritura pompoze”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Rritja ekonomike, nënkupton rritjen e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit. Në këtë vit, në Republikën e Kosovës, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, pritet të ketë rritje ekonomike deri në 3.7 për qind.

Ky nivel i rritjes, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk mund të sigurojë zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies sociale, ngase baza e rritjes ekonomike prej tre për qind në Kosovë është shumë e ulët.

Kosovë – Diabeti sëmundje në rritje

Matja e glukozës

Sëmundja e diabetit, e njohur edhe si sëmundja e sheqerit, është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve, përkatësisht sheqernave, yndyrave dhe proteinave.

Për rubrikën “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, sjellim një material me më shumë hollësi në lidhje me sëmundjen e diabetit, mënyrën e trajtimit dhe kushtet dhe kujdesin që ofrojnë institucionet shëndetësore në Kosovë.

Endokrinologia Venera Berisha – Muharremi thotë se gjatë vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë trajtuar 789 pacientë të shtrirë me diabet, derisa në ambulancën specialistike kontrollohen deri në 50 pacientë në ditë.

“Diabeti është sëmundje në rritje dhe prevalenca (numri apo përhapja) është si në vendet e rajonit. Numri i saktë i të prekurve me diabet në Kosovë nuk dihet, pasi nuk ka statistika. Trajtimi i kësaj sëmundjeje bëhet me insulinë dhe jemi shumë të kënaqur me furnizim, pasi që tre vjetët e fundit jemi furnizuar me insulinë modern”.

“Për këtë vit, po planifikojmë ta rrisim mundësinë e përdorimit të insulinës modern në 70 për qind. Kërkesa jonë është që në listën esenciale të futen edhe insulina tjera, por edhe barna orale që kanë munguar deri tani”, thotë ajo.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, thotë për Radion Evropa e Lirë së pavarësisht se nuk ka statistika të sakta për sëmundjen, janë nxjerrë disa të dhëna për të prekurit me diabet e që trajtohen me insulinë, në mënyrë që furnizimi me këtë ilaç të jetë adekuat.

“Ne, si Ministri e Shëndetësisë, kemi evidentuar mbi 11 mijë njerëz që tashmë trajtohen me insulinë. Por, ky numër nuk është i saktë, pasi që çdo ditë mund të përditësohet. Ka edhe të tjerë që mjekohen me barna orale. Në tregun kosovar të farmaceutikës ka lloje të ndryshme të terapisë që e përmbush nevojën e pacientëve”, deklaron Rrahmani.

Sipas ministrit Rrahmani, kërkesa e endokrinologëve për përditësimin e listës esenciale me barna për sëmundjen e diabetit, do të shqyrtohet dhe do të marrë përgjigje pozitive.

“Nga mjekë të këtij lëmi është kërkuar që në listë esenciale të futen edhe barna të tjera shtesë dhe ne do të mundohemi t’ju përgjigjemi pozitivisht. Sa i përket insulinës, kemi qenë kryesisht të furnizuar, derisa këtë vit herë – herë janë paraqitur probleme për shkak të tenderimit dhe procedurave të zgjatura”, thekson Rrahmani.

Për faktin që sëmundja e diabetit po shënon rritje në nivel botëror, Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas zyrtarit të saj në Kosovë, Sami Uka, bën thirrje për aksion global, për parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje.

“Raporti i parë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i botuar sivjet për diabetin, thotë se në vendet në zhvillim jetojnë mbi 400 milionë njerëz të rritur me diabet. Në Kosovë, nuk ka statistika të sakta lidhur me numrin e të sëmurëve me diabet. Mirëpo, trendi në rritje që ka shënuar katërfishim prej vitin 1950 në botë, nuk ka si të ketë përjashtim për Kosovën”.

“Numri i të sëmurëve me diabet është në rritje, andaj edhe OBSH-ja e ka shpallur diabetin si epidemi, dhe ka thirrur aksion global për luftimin e kësaj sëmundjeje duke përmirësuar të ushqyerit, mënyrën e jetës më aktive, për parandalimin e vdekjes nga kjo kësaj sëmundje”, thotë Uka.

Ndërkaq, Tahire Gjergji, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka bërë të ditur kohë më parë për Radion Evropa e Lirë, se diabeti ende nuk ka filluar të raportohet si sëmundje, pavarësisht që punohet në parandalimin dhe luftimin e saj.

Një rëndësi të veçantë ajo kërkon që të kihet në raport me shëndetin e fëmijëve, sidomos atyre me mbipeshë, për shkak të rrezikut që mund të ketë për ta edhe paraqitja e diabetit.

“Diabeti ende nuk ka filluar të raportohet si sëmundje, e që është pikë e dobët e punëtorëve shëndetësorë. Instituti Kombëtar punon vazhdimisht për parandalimin e sëmundjes. Në kuadër të parandalimit, instituti bën hulumtime e që shënjestër i ka fëmijët”.

“Në Kosovë vetëm 3 për qind e fëmijëve në shkolla kanë rezultuar me mbipeshë. Po e përmendi këtë shifër pasi që jemi në kohën e duhur për parandalimin e diabetit, e që një ndër shkaktarët, është mbipesha”, ka theksuar Gjergji.

Ndryshe, diabeti, si sëmundje, paraqitet si te të rriturit, po ashtu edhe te fëmijët. Muharrem Avdiu, drejtor i Klinikës së pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se diabeti në Pediatri trajtohet pa ndonjë telash.

Mund të them se kjo sëmundje nuk është tendencë e trajtimit jashtë vendit, pasi që trajtohet në mënyrë të disiplinuar në premisë shkencore dhe jemi të barabartë me rajonin. Gjithashtu, edhe edukimi lidhur me sëmundjen, është pjesë e rëndësishme dhe pjesë e trajtimit në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, shpjegon Avdiu.

Ndërkaq, Vjosa Kotori, pediatre, thotë se numri i fëmijëve me diabet është trefishuar krahasuar me pesë vitet paraprake. Sipas saj, çdo vit paraqiten më shumë se 40 raste të reja me diabet.

“Ndonëse në Kosovë nuk kemi statistika të sakta për fëmijët që kanë diabet, ne si qendër terciare, referente për tërë Kosovën, kemi statistikat tona, ku numri i fëmijëve me diabet është mjaft i madh dhe në rritje nga viti në vit”.

“Llojet e diabetit janë ato të tipit 1 dhe 2, ku në moshën fëmijërore dhe adoleshencë paraqitet në një përqindje mjaft të shprehur. Ne nuk e thërrasim sëmundje, por çrregullim, pasi që organizmi sfidohet me prodhim jo të mjaftueshëm të insulinës, ku ky lloj më së shumti paraqitet te fëmijët. Kjo kryesisht vjen si pasojë e peshës së rritur te fëmijët”, thotë Kotori.

Diabeti njihet si sëmundje mjaft e shpeshtë dhe konsiderohet si sëmundja numër tre në botë. Për pasojë, ajo godet edhe disa nga organet vitale të njeriut, si veshkat, zemrën, të pamurit e të tjera.

Ndërsa, trajtimi i diabetit, tashmë është i mundshëm edhe në Kosovë, por tërhiqet vërejtja se ende ka nevojë për një edukim më të mirë të popullatës për të parandaluar sa më tepër këtë çrregullim në organizimin e njeriut.

Kosovë – Nisi marshi tradicional ‘Eksodi 1999’

Me moton “Mos e harroni të kaluarën, për një të ardhme të sigurt drejt bashkimit kombëtar”, nga oborri i ndërtesës së Komunës së Mitrovicës, është nisur marshi tradicional në përkujtim të eksodit të vitit 1999. Më 15 prill të vitit 1999, kur policë, ushtarë e paramilitarë serbë dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre mijëra mitrovicas.

Akademia përkujtimore është mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në të cilën morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, nga Shqipëria, Maqedonia dhe Presheva. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nga foltorja u shprehu ngushëllim të gjithë familjarëve të cilët ishin të prekur me eksodin që e shkaktoi regjimi serb.

“…Ju falënderoj dhe shpreh konsideratat më të thella për vëllezërit tanë të qyteteve të Kosovës dhe të qyteteve të Shqipërisë, nëpër të cilat ata kaluan, qëndruan pak orë apo u vendosën për ditë e javë të tëra, apo edhe muaj të tërë, për mikpritjen vëllazërore dhe ndihmën e pakursyer që dhanë. Por, jo vetëm kaq, vëllezërit tanë nga Skenderaj, Istogu, Klina, Peja, Deçani, Xërxa, Rahoveci, Prizreni, Kukësi, Bajram Curri, Shkodra, Lezha, Tirana, Durrësi, Kavaja, Vlora, Fieri e qytetet tjera të Shqipërisë, qytetarëve të Mitrovicës dhe jo vetëm këtyre, u ofruan plot dashuri e ngrohtësi, duke bërë kështu që ata t’i tejkalojnë shumë më lehtë momentet më të vështira të jetës së tyre”, theksoi kryetari i Mitrovicës, Bahtiri.

Ai shtoi se në mendjen e qytetarëve, krahas vuajtjeve të shkaktuara nga barbarët serbë, akoma janë të freskëta ndihmat e mëdha dhe mbështetja që populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë dhanë në momentet vendimtare për ekzistencën e tyre.

Pas akademisë, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe përfaqësues të organizatës “Eksodi ‘99” zbuluan pllakën përkujtimore, te Ura e Gjakut në Mitrovicë.

Marshi ka nisur nga oborri i ndërtesës së Komunës së Mitrovicës dhe gjatë rrugëtimit, janë vendosur kurora lulesh te varrezat e dëshmorëve në Mitrovicë, te përmendorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, te varri i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh në kompleksin e varrezave të Jasharëve në Prekaz dhe është nderuar komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Ata kanë pasur një takim të shkurtër me vëllain e komandantit legjendar, Rifat Jashari, ndërkohë që kanë vazhduar për në Zllakuçan të Klinës ku në oborrin e kishës katolike janë pritur nga shumë qytetarë.

Në dy vjet 54 mijë kosovarë azil në Gjermani

Gjermania mbetet vendi më i preferuar i kosovarëve për azil. Zëdhënësja e Zyrës Federale për Emigracion, Edith Avram, ka thënë se brenda dy vjetëve të fundit në këtë shtet kanë kërkuar azil rreth 54 mijë kosovarë. Me këtë numër të lartë të azilkërkuesve Kosova lë pas vetes shtetet si Afganistani dhe Iraku

Fundi i 2014-s ishte koha kur kosovarët, të dëshpëruar me gjendjen ekonomike në vend, filluan masivisht të nisen rrugëve ilegale për të arritur në ndonjërin prej shteteve të Evropës.

Institucionet kosovare nuk i pengonin fare ata, pasi për muaj të tërë dhjetëra autobusë, niseshin nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë për në Beograd e që ishte ndalesa e parë e kosovarëve, për të vazhduar pastaj drejt Hungarisë që ua hapte rrugët për emigrimin në ndonjë nga shtetet më të fuqishme të Evropës.

Mijëra kosovarë që iu bashkuan fluksit “ilegal” të emigrimit, zgjodhën Gjermaninë si destinacionin kryesor për të jetuar. Shumica prej emigrantëve kosovarë nuk u lajmëruan asnjëherë në zyrat e migracionit gjerman, derisa vazhdojnë jetën e tyre në mënyrë ilegale duke iu shmangur autoriteteve gjermane. Por, numri i atyre që vendosën të kërkojnë azil në Gjermani ishte jashtëzakonisht i madh. Për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën “Zëri”, autoritetet gjermane dhanë shifra të azilkërkuesve kosovarë

Lëvizja Vetëvendosje: Institucionet e Kosovës të ndryshojnë qasje ndaj shtetasve shqiptarë

PRISHTINE – Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj përgjigjeve që Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Komisioni i Ankesave për të Huaj u ka kthyer shtetasve shqiptarë dhe të tjerëve, të cilët u ndaluan për të hyrë në Republikën e Kosovës më 17 shkurt, kur opozita mbajti protestën e saj kundër Asociacionit me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas Vetëvendosjes, Bashkim Rodonit, me profesion artist, regjisor e muzikant, i ishte ndaluar hyrja dhe ishte shpallur person i rrezikshëm. Atij i ishte thënë se mund të ankohej përmes një poste elektronike që është fiktive dhe jofunksionale.

“Më 17 shkurt të këtij viti, qytetarë të shumtë nga Shqipëria po vinin për të protestuar në protestën e thirrur në Prishtinë për shtet me sovranitet dhe kundër qeverisë antikushtetuese. Policia i Kosovës përveç që ua ndaloi hyrjen në Kosovë padrejtësisht, tre prej tyre i shoqëroi në zyrën e Policisë në kufi. Gent Amzai nga Struga, që është student i filozofisë në Tiranë, u arrestua dhe iu shqiptua masa 30 ditë paraburgim në Prizren. Bashkim Rodoni, që është artist, regjisor e muzikant, u shpall person i rrezikshëm dhe iu ndalua hyrja në Kosovë. Për më tepër, në vendimin që iu dha Rodonit shkruante se mund të ankohej në [email protected], e-mail ky që doli të jetë fiktiv, dhe në fund edhe vetë MPB pranoi se është e-mail jofunksional”,- thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, regjisori Bashkim Rodoni, më 23 shkurt të këtij viti u ankua në Inspektoratin e Policisë, të cilët i kanë kthyer përgjigje së fundmi se në ankesë “nuk ka elemente të veprës penale nga ana e zyrtarëve policor të Pikës Kufitare në Vërmicë”, dhe se ankesa tashmë është proceduar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë së Kosovës, për veprime të mëtejshme disiplinore.

Kurse, studenti Gent Amzai iu drejtua Komisionit të Ankesave për të Huaj, Komision ky që në përgjigjen e dhënë ditë më parë arsyetoi veprimet e padrejta të Policisë së Kosovës.

“Protesta e thirrur më datën 17 shkurt, ishte protesta më e madhe e mbajtur në Kosovën e pasluftës. Paniku i pushtetit për masivitetin e saj bëri që ta keqpërdorin gjithë mekanizmin shtetëror për ta shtypur e për ta dobësuar protestën. Në këtë funksion, ishte edhe ndalja e qytetarëve shqiptarë në Pikën Kufitare në Vërmicë. Ndalja e tyre, kthimi mbrapsht, dhe të gjitha masat e tjera që janë marrë ndaj tyre, janë vendime politike me urdhra të pushtetit e të realizuara nga Policia e Kosovës si vegël e këtij pushteti në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare të lëvizjes së lirë dhe të drejtës së tubimit në çdo kohë e vend”, thekson Vetëvendosje.

Vetëvendosje thotë se “përgjigjet që ka kthyer Inspektoriati Policor i Kosovës dhe Komisioni i Ankesave për të Huaj, dëshmojnë edhe njëherë atë që e ka theksuar shpesh Vetëvendosje, dhe sipas saj, tanimë dhe raportet ndërkombëtare, se Kosova po rrëshqet drejt shtetit autoritar”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ndryshojnë qasjen njëherë e përgjithmonë karshi qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe angazhimit të tyre maksimal për një Kosovë sovrane.”

Edhe deportimi i Boiken Abazit dhe Arbër Zaimit, arrestimi i Gent Amzait, dhe shpallja e regjisorit Bashkim Rodoni person i rrezikshëm, sipas Vetëvendosjes, janë veprime të ulëta politike pa asnjë bazë ligjore.

“Këto i shërbejnë Kosovës së Isës e Hashimit – asaj me “Zajednicë”, e jo Kosovës së qytetarëve të vet – asaj me sovranitet”, përfundon Vetëvendosje.

Gjuriçi në Kosovë, përkundër urdhërndalimit nga Qeveria

 Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriçi, po qëndron në Kosovë, edhe pse ai ka një ndalesë nga autoritetet në Kosovë. “Zeri.info” ka kontaktuar Zyrën e Gjuriqit në Serbi, ndërsa ata kanë thënë që t’iu referohemi medieve serbe.

“Marko Gjuriq është në Kosovë, ju lutem që të shikoni portalet në Beograd, ‘Tanjug’-un”, ishte përgjigja e kësaj Zyre.

Ndërkohë ky portal ka raportuar se Gjuriqi po qëndron në Leposaviq dhe se për hyrjen e tij në Kosovë ka marrë leje nga përfaqësues ndërkombëtarë.

“Unë jam në Kosovë, po e kryej punën time normalisht. Është në interesin tonë që këtu të krijojmë kushte për jetë për popullin tonë, askënd nuk e pengojmë, duam bashkëpunim, si dhe jetë normale për të gjithë që jetojnë këtu”, ka thënë ai

Kurse, Gjuriq, dje nëpërmjet rrjetit social “Twitter” me një ton kërcënues ka shkruar se “shihemi në Kosovë e Metohi”.

“Kolegëve nga Prishtina, siç veproj në situata të ngjashme, i porosis: Shihemi në Kosovë dhe Metohi”, ka shkruar Gjuriq.

^^^^^^^

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq po qëndron në Kosovë edhe përkundër se atij i është ndaluar hyrja në autoritetet qeveritare të Prishtinës.

Vetëvendosje po konsideron se masat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e zyrtarëve serb në Kosovë është vetëm një procedurë formale.

Adonisë Tahiri nga ky subjekt politikë ka thënë për zeri.info se roli i qeverisë aktuale është rol nënështrues i qëndrimit të Serbisë.

“ Roli i qeverise aktuale te Kosoves, dhe qeverise paraprake, ka qene dhe mbetet nje rol nenshtrues ne raport me qendrimin e Serbise dhe strukturave shteterore. Masat e fundit per gjoja ndalim, apo te ngjashme, jane vetem masa krejt formale meqenese sic e dime ne veri te vendit, ndryshe nga c’eshte deklaruar e reklamuar, strukturat ilegale e kriminale te Ministrise se Brenshme te Serbise bejne ligjin”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe Ministrja për Dialog Edita Tahiri, përmes një komunikate për media njofton se duke filluar nga data 18 prill 2016 nuk do të lejohet hyrje/dalja në Republikën e Kosovës për të gjithë personat që posedojnë lejet ilegale të njoftimit (ID kartat) të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. /ZËRI

*******

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq po qëndron në Kosovë edhe përkundër se atij I është ndaluar hyrja në autoritetet qeveritare të Prishtinës.

Agjencia serbe e lajmeve Tanjug raporton se Gjuriq ka thënë para gazetarëve në Leposaviq se po e kryen punën e tij normalisht dhe se për qëndrimin në Kosovë i ka lajmëruar përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Unë jam në Kosovë, po e kryej punën time normalisht. Është në interesin tonë që këtu të krijojmë kushte për jetë për popullin tonë, askënd nuk e pengojmë, duam bashkëpunim, si dhe jetë normale për të gjithë që jetojnë këtu”, ka thënë Gjuriq.

Ai po ashtu tha se sillet krejtësisht ndryshe nga ata që mendojnë se mund të flasin gjuhën e urrejtjes, gjuhën e konfliktit dhe gjuhën e krijimit të problemeve në Kosovë.

Ditë më parë autoritetet e Kosovës ia kanë ndaluar disa zyrtarëve serbë hyrjen në Kosovë e në mesin e tyre edhe Marko Gjuriqit.

Veteranët e UÇK-së të hënën hidhen në protestë

Të hënën me fillim prej orës 12:00, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë para ndërtesës së Qeverisë, për të kërkuar që sa më parë të formohet komisioni mjekësor për të caktuar shkallën e invaliditetit për invalidët të cilët ende nuk po mund t’i gëzojnë pensionet.

Kështu është shprehur në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, Xhevdet Qeriqi, kryetar për Mbrojtjen e të Drejtave të veteranëve të UÇK-së.

Ai ka thënë se në këtë protestë do të kundërshtohet edhe ideja për zvogëlimin e pensioneve.

“Ne nuk pranojmë në asnjë formë zvogëlimin e pensioneve për veteranët dhe invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne edhe ashtu nuk jemi të kënaqur me shumën aktuale të caktuar nga shteti e lërë më që ato të zvogëlohet”, ka thënë Qeriqi.

Gjatë intervistës ai flet edhe për procesin e verifikimit të veteranëve të luftës, për problemet që kanë veteranët dhe për kërkesat tjera të veteranëve të UÇK-së/Tribuna/

EULEX-i mbetet edhe pas qershorit

Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX) nuk do t’i paketojë valixhet as pas dy muajsh. Do të vazhdojë punën edhe pas 14 qershorit, datë kur i skadon mandati aktual, shkruan sot Koha Ditore.

Burime të gazetës kanë thënë të enjten se Bashkimi Evropian nuk do që ta përmbyllë këtë mision, por është i gatshëm që t’ia përgjysmojë stafin dhe ta mbajë atë me mandatin që i ishte ridefinuar dy vjet më parë, kur komponenti ekzekutiv i ishte reduktuar dhe kur objektivë parësore ishte përcaktuar monitorimi, mentorimi dhe këshillimi.

Autoritetet e Kosovës dhe ato të BE-së janë duke zhvilluar negociatat për mandatin e EULEX-it.

Për këtë qëllim, gjatë javës në Kosovë ka qëndruar udhëheqësi i Operacioneve Civile të BE-së, Kenneth Deane, i cili, sipas burimeve të gazetës, është pritur nga presidenti Hashim Thaçi dhe nga kryeministri Isa Mustafa, takime të cilat asnjëri institucion nuk i ka bërë të ditura.

A po aplikohet metoda fashistoide “sa më i vuajtur populli”, aq më i lehtë kontrolli mbi masat?! – Nga Skënder MULLIQI

 

Nese i matim  proceset zhvillimore dhe jetën në Kosovë, sipas  standardit të cilin e ka klasa sunduese në pushtet, sigurisht së nuk është e mundur të bëhët mirë, së nuk është as e nevojshme. Ata e kan vështirë të udhëheqin më veteveten sepse gjithçka kanë arritur për familjët e tyre. Kan bërë standard jetësor më të mirë së ndoshta edhe magnatet  kapitalist në shtetet më të zhvilluara të botës, kurse po e kan  shumë lehtë të udhëheqin më njerëzit e thjeshtë të cilët nuk i kan punët mirë. Klasa politike në pushtet e kanë  shëndetin e mirë, së nuk e kan problem atë punë kur po vjedhin  popullin pa ju ndryshuar aspak qehra. Kan ndërtuar  strukturë shtetërore për vete. Kur njeriu është i lumtur i lindin edhe shumë kërkesa tjera që të bëhët  edhe më shumë i lumtur më jetën, ndërsa njeriu i thjeshtë jeton gjithnjë në ankth, jeton më shumë i sëmuar, dhe ka vëtëm një kërkesë jetësore, që të siguron të mira minimale për jetës. Kjo kastë  politike, ka ndërtuar lumturinë e vet mbi ndjersën e popullit, kështu  edhe më shumë kërkon demokratizim për vete, kërkon që ti punësohen të gjithë anëtarët e familjës, dhe ilakat e tyre, dhe atë në vende udhëheqëse të shtetit. Pushteti në Kosovë në menyrë përfide po e shfryëtzon demokracinë dhe sistemin pluralist , duke vepruar dhe sjellur si autark të vërtetë.Çdo deklaratë  e tyre bëhët në emer të popullit . Këta po janë  shumë perfid në veprimet e tyre  .Më mjeshtri të madhe po veprojnë kur po vijnë zgjedhjet , duke bërë propagandë , së nese ata nuk votohen gjendja do të bëhët e keqe. Fatkeqësisht deri më tash këto skandale politike   janë duke iu ecur mirë. Fushatën   e bën  duke tentuar që njerëzve tua mbushin mendjën së  pa këta  , nuk ka shtet as zhvillim të gjithëmbarshëm. I montojnë paraprakisht sondazhët së cili subjekt politik  ose cila figurë politike ka krijuar avantazh  për të dalë fitues i zgjedhjëve .I kan shfrytëzuar mirë të gjitha strukturat e tyre, që  të triumfojnë në fund të fushatës.Tregimet e tyre për shtetin në kohë të fushatës janë të mreklullueshme  , të cilat pas fushatës rezultuan më zero efekte, ose më rezultate shumë modeste. Çdo ditë po na servohen të njejtat figura politike në ekranët tona televizive , në media të shkruara dhe portale , të cilët po lansojnë afera të ndryshme më shumë  për ta zhvendosur vëmendjen e popullit nga problemet sociale dhe ekonomike të cilat po vlojnë që shumë kohë . Qëllimi kryesor i gjithë kësaj maskarade politike  është që ata ta ruajnë pasurinë shumëmilionëshe dhe  pushtetin apsolut . Sa më shumë që po marrin kritika  nga mediat për veprimet e tyre  aq më shumë po “mburrën”.  Emertimi” mafioz ‘ në Kosovë  të një pjesë bukur e madhe  është bërë term krenarie në vend që të ishte term i turpit të madh. Pushtetarët e deri sotëm  në vend të mirëqenjës  na shitën mjegull dhe tym.Premtojnë rritje pagash për pensionistët, për shërbime civile, arsimtarëte etj, në kohë të zgjedhjeve , thua së ato janë parat e tyre përsonale , e jo të popullit. Kërcënohen dhe i frikësojnë qytetarët më motivacionin  së gjendja mund të eskalon  keq, nese nuk u plotësohet kuota e votave. U  preferua  edhe vjedhja  e votave të nevojshme për fitore. Po përdorët metoda fashizoide, “sa më i vuajtur populli” aq më  i lehtë  bëhët  kontrolli  mbi popullin …

 

DASH: Kosovaret nuk e raportojnë ngacmimin seksual, ato frikësohen

Femrat kosovare vazhdojnë të përballen me ngacmime seksuale në vendin e tyre të punës. Këto ngacmime në të shumtën e rasteve nuk raportohen, për shkak te viktimat e ngacmimit seksual frikësohen të raportojnë këtë ‘fenomen’ në organet kompetente.

Kë fakt e ka evidentuar Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën. Në raport specifikisht thuhet se për ngacmimin seksual nuk ekziston një ligj specifik.

“Bazuar në  organizatat për të drejtat e femrave, ngacmimet seksuale ishin të vazhdueshme dhe viktimat nuk i kanë raportuar këto raste për shkak të frikës nga sulmet fizike apo largimit nga vendet e tyre të punës” thuhet në raportin e DASH-it.

Në raport me tej thuhet se vetëdijesimi i shoqërisë për këtë çështje mbetet në nivel shumë të ulët.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Presidenti nuk do të zgjidhet nga populli

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli që presidenti i vendit të zgjidhet me votë të drejtpërdrejt të qytetarëve.

Pacolli i cili ishte zgjedhur vet president dhe më pas rrëzuar nga vet Gjykata Kushtetuese e kishte bërë këtë kërkesë para pak muajsh duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, që të interpretojë rezolutën e Kuvendit, e cila është miratuar në vitin 2011 pas marrëveshjes politike mes kreut të PDK-së, Hashim Thaçi; atij të LDK-së, Isa Mustafa; si dhe vet kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, e cila parashikonte që zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës të bëhej nga qytetarët, e jo nga Kuvendi, raporton “zeri.info”.

Sipas lëndës, Pacolli kishte kërkuar nga Kushtetuesja, që të vërtetojë shkeljet e lirive dhe të drejtave të parashtruesit, si dhe të detyrojë Kuvendin të zbatojë rezolutën, duke zbatuar procedurën e mëtejshme të votimit të amendamenteve kushtetuese, të propozuara për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, pa e paragjykuar rezultatin e votimit dhe duke respektuar mandatin e lirë të deputetëve e parimet e tjera kushtetuese.

Pocolli pretendonte se shkelja e Kushtetutës është bërë në vazhdimësi prej vitit 2011, pasi – sipas lëndës së tij, – Kuvendi ka qenë i detyruar me rezolutë, që t’i hedhë në votim amendamentet kushtetuese, që parashikonin formën e zgjedhjes së presidentit nga qytetarët. Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Pacolli kishte cituar rezolutën e miratuar nga Kuvendi më 7 prill 2011, e cila parashikonte që zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë të mbaheshin jo më vonë se 6 muaj nga data, në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative do të hynin në fuqi, raporton “zeri.info”.

Vetëvendosje: Jokushtetuese zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si jo kushtetuese lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Në një konferencë për media, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka deklaruar se lejimi i zgjedhjeve të Serbisë, më 24 prill, edhe në Kosovë, paraqet një dështim tjetër të qeverisë aktuale të Kosovës dhe kryeministrit, Isa Mustafa.

“Qeveria e Kosovës është pajtuar që zgjedhjet e Serbisë të mbahen brenda Kosovës dhe kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë masë që të ndalohen këto zgjedhje në Kosovë”, ka thënë Konjufca. Sipas tij, lejimi i këtyre zgjedhjeve paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

“Këto zgjedhje do ti organizoj Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të Serbisë. Kurse qeveria e Kosovës po mundohet që ato t’i paraqet si normale. Ata (qytetarët serb me dy shtetësi) kanë të drejtë të votojnë, por ky sistem shkon me rregulla të qarta përmes ambasadës”, ka thënë Konjufca.


Send this to a friend