VOAL

VOAL

I dërguari i Rusisë sot brenda Sallës së Kuvendit të Kosovës

Shteti i tij është ndër kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, mirëpo Atasheu i Federatës Ruse Nikita Suhodollov, sot ka qëndruar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Suhodollov ka marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit që ishte thirrur pas vendimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Atasheu i Federatës Ruse Nikita Suhodollov, ka qëndruar brenda sallës së kuvendit edhe në kohën kur aty fliste kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe shefja e BE-së për politikë të jashtme Federica Mogherini.  /zeri.info/

Mogherini: Kosova është Evropë

Voal – Në vizitën e saj të parë në Kosovë pas rekomandimit për liberalizimin e vizave, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, ka thënë se është e lumtur të ndaj gëzimin së bashku me Kosovën për këtë arritje.

Mogherini ka thënë se “Kosova është Evropë” dhe se “jemi duke punuar për integrimin e Kosovës në BE dhe institucione evropiane.”

“Po i thoja kryeministrit se kjo është një javë shumë e rëndësishme për Kosovën”, ka thënë Mogherini duke iu referuar edhe vendimit të UEFA-s për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë institucion.

Ajo ka kërkuar që të vazhdohet dialogu me Serbinë dhe të bëhet më shumë në zbatimin e marrëveshjeve, “të cilat janë shumë të rëndësishme jo vetëm për BE-në por edhe për rajonin dhe Kosovën.”

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se është i nderuar të presë përfaqësuesit e lartë të BE-së në kremten e Kosovës pas vendimit për liberalizimin e vizave. Ai tregoi se me zyrtarët e BE-së kanë biseduar për propozimin për liberalizimin e vizave, dhe për procese të tjera integruese evropiane të Kosovës.  Ai tha se temë e takimit ka qenë edhe përkushtimi i Kosovës për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

“Vendimi i Komisionit Evropian është një arritur e madhe e bazuar në përmbushjen e kritereve nga na e Kosovës dhe gatishmërisë së BE-së për ta vlerësuar këtë përmbushje ashtu siç është zotuar edhe më parë”, ka thënë Mustafa.

“Ky vendim e nxjerrë Kosovën nga izolimi, i hapë perspektivë të fuqishme politike dhe ekonomike, dhe së bashku me MSA-në krijon ambient shumë më pozitiv për progres në alternativën tonë të vetme, që është alternativa Evropiane”, ka shtuar kryeministër.

Edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Çështje të Brendshme dhe të Migracionit, Dimitris Avramopoulos, i cili po ashtu mori pjesë në konferencë, tha se Kosova është pjesë e familjes Evropiane.

Sipas tij, vendimet për liberalizim vizash dhe anëtarësimi në UEFA janë dy ngjarje që krijojnë unitet kombëtar.

Ai ka kërkuar që të ratifikohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet për liberalizimin e vizave, por tani Kosova duhet të ratifikoj kufirin me Malin e Zi dhe të vazhdoj luftimin e krimit të organizuar,”ka thënë ai.

Ashtu siç u paralajmërua ditëve të fundit, Komisioni Evropian të mërkurën propozoi heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke vlerësuar se Kosova ka arritur me sukses kryerjen e reformave në fushën e drejtësisë.  Propozimi për heqjen e vizave do t’i procedohet për vendim final Parlamentit Evropian dhe Këshillit.

Komisioni konfirmoi dje se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit të saj për liberalizim të vizave, që nënkupton se deri në miratimin e këtij propozimi nga ana e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, Kosova do ta ketë të ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe ta ketë të forcuar regjistrin e të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komisioni Evropian.

Liberalizimi i vizave do të thotë lëvizje e lirë në zonën Shengen. Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të udhëtojnë në shtete të Evropës deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj). Por, liberalizimi i vizave nuk mundëson edhe të drejt pune në këto vende të Evropës./Insajderi.com

Pacolli: E njoh Trumpin nga 1989, do të jetë president i mrekullueshëm

Lideri i AKR-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka folur për njohjen e tij me kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke thënë se ai është mik i tij.

Pacolli ka treguar se miliarderit nga New Yorku ia ka anuluar takimin në momentet e fundit – jo vetëm një herë, por dy herë.
“Unë Trumpin e njoh që nga viti 1989 – ende në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik. Ai ka udhëtuar edhe jashtë, dhe jemi takuar në Moskë. Jemi shoqëruar, si miq. E respektoj”, ka thënë Pacolli në emisionin Natën me Fatmir Spahiun, transmeton Express.
Por, përkundër miqësisë me Trumpin, ai ka thënë se përkrahë demokraten Hillary Clinton në një përballje të mundshme me të në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara në muajin nëntor.
Shqiptarët do ta respektojnë edhe Trumpin, nëse ai bëhet president i SHBA’së, ka thënë Pacolli.
“Secili që fiton në SHBA, shqiptarët do ta respektojnë pa limite”, është shprehur ai.
Sipas Pacollit, edhe “Trump do të ishte një president i mrekullueshëm”.

Ermira Mehmeti i gëzohet liberalizimit: Ra muri i fundit i izolimit të shqiptarëve

Ish-deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim Ermira Mehmeti nuk e ka fshehur gëzimin e madh të saj lidhur me rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian ku qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm nëpër shtetet e BE-së.

Mehmeti në profilin e saj në Facebook shkruan se ky akt i Komisionit Evropian mundësoi rrëzimin e murit të fundit të izolimit të shqiptarëve nga Evropa.

Më poshtë postimi i saj i plotë në Facebook

Ra muri i fundit i izolimit te shqiptareve nga Europa! Orientimi yne perendimor po merr formen dhe kuptimin e plote.

Gradualisht por sigurt po kthehemi aty ku natyrshem perkasim, ne familjen e madhe te popujve te qyteteruar europiane e perendimore.

Urime Kosove!

ermira-fb-4-maj_

KE rekomandon sot liberalizimin e vizave me Kosovën

Komisioni Evropian, pritet t’u rekomandojë të mërkurën Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Komisioni tashmë ka vlerësuar se Kosova ka përmbushur kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin për këtë çështje dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë pas viza  në zonën Shëngen, për qëndrime të shkurtra, sikurse edhe qytetarët e vendeve të tjera të rajonit.

Vendimi pritet të publikohet të mërkurën ndërsa të enjten në Kosovë do të qëndrojë shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Zyrtarë të Komisionit Evropian besojnë se çështja do të kalojë në Parlamentin dhe Këshillin Evropian, me gjithë faktin se pesë vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kosova është e fundit në proceset integruese edhe për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian. Ajo është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova  mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012.

Ajo është e fundit që nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian e cila u mundësua për shkak të marrëveshjeve me Serbinë, e cila ndërkaq hapi kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto marrëveshje ndërkaq e kanë çuar Kosovën në një krizë politike disa muajshe për shkak të mospajtimit të partive opozitare që vlerësojnë se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton sovranitetin e Kosovës.

U arrestua në Zyrih – Refuzohet ekstradimi i Albert Spahiut në Serbi

Ish-ushtari i UÇK-së, Albert Spahiu, i cili është arrestuar para një jave në Zyrih të Zvicrës nuk do të ekstradohet në Serbi.

Kështu raporton Radio Televizioni i Serbisë, duke cituar mediat zvicerane.

Sipas RTS, Spahiu që është nga Opterusha e Rahovecit është arrestuar me urdhër arrest të Serbisë për krime lufte ndaj civilëve serbë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas televizionit shtetëror të Serbisë, Albert Spahiu kërkohet për shkak të krimeve në fshatrat Reti dhe Opterushë në komunën e Rahovecit gjatë vitit 1998.

Në Zvicër po ashtu është arrestuar edhe Genc Zogaj, i cili sikurse Spahiu është arrestuar me urdhër arrest të Serbisë.

400 banesa të shqiptarëve janë të uzurpuara në veri të Mitrovicës

Edhe pas tri vjetësh nga Marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të ish-kryeministrave, Thaçi e Daçiq, për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë, asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë për shqiptarët e pjesës veriore të Mitrovicës.

Ata edhe më tutje nuk mund t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre, nuk mund të kthehen në banesat që u janë uzurpuar, nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër rrugët e pjesës veriore, madje as nëpër lagjet e veta. Nuk është zbatuar as Marrëveshja në Bruksel për urën kryesore të Ibrit, e cila do të duhej që të ristrukturohej dhe të lëshohej për qarkullim në qershorin e këtij viti, me çka do t’i vinte fundi edhe të ashtuquajturit “Park i paqes”, i vendosur nga serbët e veriut të Mitrovicës, që udhëhiqeshin nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Ura dhe barrikada në formë të parkut janë rrethuar me pllaka alumini nga Zyra e BE-së në Prishtinë, ndërsa kalimtarëve u është mbetur vetëm një korridor skaj urës, nëpër të cilin mund të lëvizin nga veriu në jug dhe anasjelltas. Komuna Veriore e Mitrovicës, që ka dalë nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2013, nuk ka treguar asnjë përkujdesje për t’i ndihmuar shqiptarët e asaj pjese, përkundrazi pengon çdolloj aktiviteti që ndërmarrin shqiptarët e asaj pjese, ndërkohë që nxit ekstremistët serbë që t’i bllokojnë punët sa herë që ata janë përpjekur t’i rindërtojnë shtëpitë e djegura dhe të rrënuara.

Takimet e organizuara në mes të përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë të lagjes “Kroi i Vitakut” për zgjidhje të problemit rreth rindërtimit të shtëpive, si dhe formimi pastaj i një Këshilli Ndërministror, pjesë e të cilit janë përfaqësuesi i shqiptarëve të pjesës veriore, ai serb, si dhe ministrat serbë në Qeverinë e Isa Mustafës, Lubomir Mariq e Dalibor Jevtiq, doli të jetë vetëm një mashtrim sa për t’i ulur gjakrat, pasi ai Këshilli nuk ka bërë asgjë që do t’i ndihmonte shqiptarët të punojnë për ndërtimin e shtëpive të tyre, ndërkaq ka lejuar serbët të ndërtojnë objekte të larta banimi, në të cilat vendosen refugjatët serbë të jugut të Kosovës, të Serbisë, madje edhe refugjatë serbë nga Kroacia.

Kosova shpreson të anëtarësohet sot në UEFA

Federata Evropiane e Futbollit, do të vendosë të martën nëse Kosova do të jetë anëtarja e 55 e kësaj organizate. Kjo është edhe pika kryesore e rendit të ditës së Kongresit të UEFA-s, që i zhvillon punimet në Budapest.

Kosovës i duhen të paktën 28 votat e 54 vendeve anëtare të UEFA-s ku votimi është i hapur dhe bëhet me ngritje dore ose të kartonit të votimit.

Synimi i Kosovës, për t’u bërë anëtare e plotë e UEFA-s, shënoi një hap përpara në shtator të vitit të kaluar kur Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s, u pajtua që kërkesa zyrtare e Kosovës për anëtarësim, të vihet në rendin e ditës së kongresit të saj.

Nëse kërkesa miratohet, atëherë Kosovës do të mund t’i mundësohej anëtarësimi i plotë në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA, në takimin e radhës që do të mbahet në Mexico City, me 12 dhe 13 maj.

Nëse pritjet e Kosovës përmbushen, atëherë, ekipet e saj do  jenë në gjendje të marrin pjesë në garat e UEFA-s, dhe ekipi i saj kombëtar mund edhe të pranohet në kualifikimet për Kupën e Botës në vitin 2018. Shorti për këtë është hedhur në Rusi në muajin korrik të vitit të kaluar, por Kosova potencialisht mund të shtohet në një nga grupet e Evropës.

FIFA vendosi në janar të vitit 2014 që t’i lejojë Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Megjithatë ajo vendosi kufizime duke i ndaluar Kosovës që të luajë kundër ekipeve të vendeve që kanë dalë nga ish federata jugosllave.

Po ashtu klubeve të Kosovës u është ndaluar të shpalosin simbolet kombëtare apo të intonojnë himnin shtetëror gjatë ndeshjeve.

Serbia i është kundërvënë anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare që kur ajo shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

Federata e Futbollit të Serbisë tha se do të luftojë deri në fund që të pengojë anëtarësimin e Kosovës ne UEFA. za

Si të mbrohet epoka e luftës çlirimtare? – Nga Florim Zeqa

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i ka “hapë” rrugën themelimit të Gjykatës Speciale (të njëanshme) për krimet e luftës në Kosovë.
E quajta kështu të njëanshme, për arsye se kjo Gjykatë nuk parasheh të gjykohen edhe krimet (e shumta) serbe ndaj shqiptarëve, por vetëm ato të shqiptarëve?!
Se a ishte ky një votim i domosdoshëm apo jo, është koha, ajo që po e dëshmonë si votim të padrejtë,…për të cilin votuan mbi 2/3 e deputetëve; disa me (pa) vetëdije, sa të tjerë nën presionin e liderëve partiak,…përderisa më së vështiri ishte të abstenohej nga një votim i tillë !
Tani secili prej liderëve dhe deputetëve në mënyrën e vet po mundohen ta arsyetojnë votimin apo mosvotimin e Gjykatës Speciale!
Pavarësisht votimit pro apo kundër, kjo Gjykatë Speciale, me “bekimin” e ligjvënësve kosovar, është duke bërë përgatitjet e fundit për fillimin e  gjykimit të  krimeve të supozuara të pjestarëve të UCK-së!
Meqenëse Kuvendi i Republikës së Kosovës ndodhet në prag të shpërbërjes,  i mbetët politikbërjes dhe ligjvënësve të legjislaturës së ardhshme të kuvendit, që të gjejnë mënyrën për mbrojtjen e luftës së drejtë çlirimtare në Kosovë.
Në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar të dëmtohet imazhi i luftës çlirimtare nga kjo Gjykatë Speciale, sepse do të shkaktonte pasoja të paparashikueshme për të ardhmën e shtetit tonë,…gjë të cilën e pret Serbia (si nxitëse kryesore e formimit të kësaj gjykate) në fund të procesit gjyqësor.
Krimi i organizuar dhe terrorizmi janë dy gjëra që e rrezikojnë të ardhmën e njerëzimit në mbarë botën. Gjatë gjykimit të këtyre dy dukurive të shëmtuara duhet pasur kujdes gjithnjë në mospërzierjën e individit me një kolektivitet më të gjërë.
Ashtu si terroristi, edhe krimineli duhet të ndahet nga kolektiviteti i tij, etnia, raca, feja, partia apo cili do grupim tjetër.
Edhe në rastin tonë, duhet treguar kujdesin maksimal në identifikimin e rasteve, trajtimin e barabartë, ballafaqimin me argumente dhe fakte për secilin veq e veq,…duke mos e përzier luftën e pastër çlirimtare më ndonje rast të izoluar (të shkaktuar për motive hakmarrjeje, të nxitur nga urrejtja e krimeve masive serbe ndaj shqiptarëve), apo mospërgjegjësie individuale në rrëthana lufte.
Lufta i ka fituar liritë e shumë popujve të botës, dhe do të jetë prapë e zonja të çlirojë popuj të tjerë nga robëria, shtypja dhe kolonializmi. Lufta i vë në sprovë të madhe të gjitë njerëzit; ku përveq forcës fizike dhe qendrueshmërisë kërkonë përgaditje të lartë morale në përballimin e sfidave shpirtërore.
Kur rruga paqësore nuk e arrin qëllimin, përdorimi i dhunës mbetët opcioni i vetëm për të gjetur domenin e lirisë. Kjo është arsyeja mbi të cilën e ka bazën e drejta e një populli për t’u çliruar, si dhe e drejta e intervenimit humanitar për ta ndihmuar një popull apo vend tjetër të robëruar.
Mbi këtë të drejtë ndodhi edhe intervenimi (për herë të parë) i forcave ajërore të NATO-s për shpëtimin e popullit shqiptar nga shfarosja dhe dëbimi kolektiv.
Lufta në Kosovë nuk erdhi si dëshirë dhe as si qëllim i shqiptarëve. Erdhi për më tepër si imponim dhe nevojë ekzistenciale.
Shqiptarët e Kosovës për afro një dekadë provuan me rezistencën e tyre aktive paqësore. Sa më shumë shtoheshin kërkesat për ndihmë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, aq më tepër rritej dhuna dhe represioni serb ndaj shqiptarëve.
Masakra e forcave serbe ndaj familjes Jashari në marsin e ’98-së ju dha fund shpresave të shqiptarëve për shkuarjën tutje vetëm në rrugë paqësore dhe demokratike, sikurse që edhe masakrat e mëvonshme në gjithë Kosovën,…thyen iluzionet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen në rrugë paqësore të problemit të Kosovës.
Organizimi i shqiptarëve në grupe të armatosura, erdhi si domosdoshmeri e mbrojtjës së nderit dhe dinjitetit familjar, të mbrojtjës së pragut të shtëpisë, siq e thoshte shpesh presidenti historik Ibrahim Rugova (edhe para Tribunalit të Hagës).
Përfundimi i suksesshëm i epokës së luftës do të shëronte shumë plagë, do të hapte një kapitull të ri paqeje si dhe do t’i hapte një përspektivë të ndritshme të ardhmës së vendit tonë dhe mbarë rajonit të trazuar të ballkanit përendimor, fakt ky  të cilin duhet ta kenë parasyshë të gjithë, përfshirë këtu edhe ndërkombëtarët.
Megjithatë, për popullin dhe të ardhmen e Kosovës, më e rendësishme se kjo “Gjykatë Speciale”, ka pasur dhe ka nevojë, për krijimin e një Tribunali Special për dënimin e krimeve ekonomike dhe politike në Kosovën e pasluftës,…e cila prodhoj situatën më paradoksale në rajon, të krijimt të një “super” klase të pasur kusarësh politik, karrshi një popullate skajshmërisht të varfër.
Andaj, pa dënimin e këtyre kusarëve politik, të shpërndar gjithandej subjekteve politike, ndryshimi pozitiv dhe fillimi i një epoke të re për Kosovën, do të mbetën vetëm një iluzion në shpirtërat e virgjër dhe atdhedashës të kombit tonë.

Komisioni Evropian: Liberalizimi i vizave i pashmangshëm, Kosova i plotësoi kushtet

Kosova përfundimisht ka plotësuar të gjitha rekomandimet që Komisioni Evropian i kishte parashtruar në mënyrë që të fitoj liberalizimin e vizave. Kështu ka thënë zyrtarja për informim Mina Andreeva.

Madje sipas saj, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është i pashmangshëm.

“Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është i pashmangshëm”, ka thënë Andreeva për zëri.info, duke shtuar. “Rekomandimet e nevojshme që ka pasur Kosova tashmë janë plotësuar”, ka shtuar ajo.

Megjithatë mbetet ende pikëpyetjet nëse Kosova do të jetë pjesë e agjendës së ditës së mërkurë, kur ky komision pritet që të jap rekomandimin pozitivë për liberalizimin e vizave.

Sipas Andreevas, agjenda përfundimtare e Komisioni Evropian do të konfirmohet vetëm nesër në mesditë. “Agjenda e kolegjit për të mërkurën do të konfirmohet nesër në mesditë”, ka thënë Andreeva për zëri.info.

PDK-ja humbet primatin në Kuvend

Largimi i deputetëve nga Partia Demokratike e Kosovës po bën që kjo parti ta rrezikojë primatin e partisë më të madhe në vend. Nëse deputeti Ramiz Kelmendi kalon në LDK, atëherë kjo e fundit do të barazohet me PDK-në në Kuvend

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po shkon duke u zvogëluar pasi shumë deputetë prej konstituimit të kësaj legjislature i kanë ikur, duke bërë që të jetë partia e cila ka pësuar më së shumti nga ikja e deputetëve.

PDK-ja me largimin e Ramiz Kelmendit tani ka mbetur me vetëm 34 deputetë, që ka vetëm një deputet më shumë sesa LDK-ja, si grupi i dytë më i madh parlamentar.

Po që se deputeti Ramiz Kelmendi kalon në LDK, ashtu siç kanë raportuar disa medie, atëherë partia e kryeministrit, Isa Mustafa, do të barazohet me PDK-në në Kuvend.

Deri tani PDK-së i kanë ikur edhe deputetët, Gëzim Kelmendi, Shaip Muja dhe Margarita Kadriu, që veprojnë në Kuvendin e Kosovës si deputetë pa grup.

Megjithatë, Kelmendi ende nuk ka vendosur nëse do t’i bashkëngjitet ndonjë partie tjetër apo do të veprojë si i pavarur në Kuvendin e Kosovës. Por, nuk e ka mohuar kalimin në ndonjë subjekt tjetër, ku gjasat më të mëdha janë që ai t’i bashkohet LDK-së, meqë në AAK- ai ishte, por u largua për t’iu bashkuar PDK-së, të cilën e braktisi meqë nuk ia dhanë postin e zëvendëskryeministrit

Peticion i goranëve kundër bustit të Adem Jasharit në Dragash

Në internet ka nisur një peticion me qëllim të ndalojë vendosjen e bustit të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari në Komunën e Dragashit. Vendosja e bustit është votuar me shumicë votash në Kuvendin Komunal të kësaj komune.

Deri tani peticioni është nënshkruar nga pak njerëz. Ndërsa, në thirrje për nënshkrim thuhet se kjo bëhet nga nevoja për të respektuar multietnicitetin e Dragashit.

Kuvendi Komunal i Dragashit ka votuar ditë më parë kërkesën e veteranëve të UÇK-së të Dragashit, për të vendosur bustin e Adem Jasharit në qytet. Sipas “Kosovapress”, thuhet se këshilltarët e komuniteteve pakicë, Veljid Hadzisin dhe Sherif Aga të koalicionit “Vakat”, nuk morën pjesë në votim, por e ndoqën atë.

Komuniteti i goranëve ka kundërshtuar këtë edhe në rrjetet sociale, duke i kërkuar të tjerëve që “të dalin në front” për ndalimin e kësaj nisme të veteranëve të UÇK-së.

Video/ Këto janë shtëpitë luksoze të Isa Mustafës…

Voal – Sonte është transmetuar emisioni Zona Express, ku është shfaqur dokumentari “Portret i paautorizuar i Isa Mustafës”; një profil politik e ekonomik i Kryeministrit nga Leonard Kerquki. Zona Express ka xhiruar shtëpitë dhe pronat e Kryeministrit Mustafa. Në videon e mëposhtme mund t’i shihni ato.

 

Arrestohet Lubisha Vujoviçi, bashkëpunëtor i dyshuar i Azem Sylës

Është arrestuar personi i tetë në rastin tashmë të njohur si ai grupi i Azem Sylës.

Insajderi mëson se i arrestuari është Lubisha Vujoviçi, bashkëpunëtor i Azem Sylës, ish-deputetit të PDK-së, të cilit dje iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lajmin për arrestimin e një të dyshuari në këtë rast e ka konfirmuar edhe Prokuroria e shtetit.

“Konfirmoj se është arrestuar  një person i përfshirë në grupin e të dyshuarve në aksionin e fundit kundër korrupsionit.  Nuk dihet asnjë e dhënë për personin e arrestuar por vetëm se ai është arrestuar në pikën kufitare në Jarninë”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë.

Aksioni i ndërmarrë ditë më parë, më i madhi i kryer ndonjëherë në Kosovë për krim të organizuar, përfshinë një listë të të dyshuarve prej 51 vetave, në mesin e të cilëve është deputeti Azem Syla, raporton Insjaderi. Mes tyre ka gjyqtarë, zyrtar komunalë, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, etj.

Deri më tani janë arrestuar 8 të dyshuar nga 9 fletarreste sa janë lëshuar nga Prokuroria e shtetit. Të shtatëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve./Insajderi.com

Dailymail: Kosovës i hiqen vizat të mërkurën

Të mërkurën Komisioni Evropian pritet që të fusë edhe Kosovën dhe Turqinë së bashku me Ukrainën dhe Gjeorgjin në procesin e liberalizimit të vizave.

Kështu shkruan në një shkrim të vetin e përditshmja britanike, “Dailymail”.

Nëse të mërkurën liderët evropianë mbështesin këtë vendim, atëherë Parlamenti Evropian do të duhet që të ratifikojë këtë vendim në fund të qershorit kur edhe pritet që marrëveshja të hyjë në fuqi menjëherë.

Sipas këtij shkrimi, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin së shpejti të lirë në 26 vendet anëtare të zonës “Shengen” deri në tre muaj qëndrim, përcjell “zeri.info”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe presitigjiozja tjetër “Reuters”.

“Zyrtarët e BE-së insistojnë se unioni nuk i ka premtuar Turqisë asgjë dhe oferta vlen vetëm nëse Turqia zbaton edhe 72 kushtet legale dhe teknike. Komisioni ka raportuar këtë muaj se Ukraina dhe Gjeorgjia i kanë zbatuar këto rekomandime dhe të mërkurën do të shtoj edhe Kosovën në këtë listë”, shkruan Reuters.

Ndërkohë jo më larg se sot, presidenti Hashim Thaçi por edhe ish zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli kanë shkruar se Kosova brenda 2 javëve do të fitoj procesin e liberalizimit të vizave.

FMN e brengosur për numrin e madh të veteranëve të UÇK-së, pret listat përfundimtare

Veteranët e UÇK-së, të cilët marrin nga 170 euro pagë, thonë se do të kundërshtojnë me çdo mjet nëse u zvogëlohen të ardhurat

Kërkesën për zvogëlimin e kompensimit të veteranëve është duke e bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët thonë se Qeveria po përballet me presione të mëdha nga grupe të ndryshme, kur janë në pyetje këto paga.

Smajl Elezaj, kryetari i Veteranëve të UÇK-së ka thënë për Tribuna Channel, se pensionet nuk mund të ulen.

“Nuk mund të ulen pensionet përderisa ka kaluar ligji për veteranët në Kuvendin e Kosovës. Ajo nuk mund të ndodh. Qeveria nuk mund të bëjë ulje më shumë, sepse kështu është miratuar dhe nuk mund të bijnë nën shifrën minimale”, ka thënë, Smajl Elezaj, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së

Nga burime brenda Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë thënë se të mërkurën kjo Ministri ka pasur takime me FMN-në, ku ndër tjera është biseduar edhe për numrin e madh të veteranëve.

Sipas po këtyre burimeve, ky numër ka shkuar mbi 23 mijë aplikues për statusin e veteranit dhe invalidit të luftës, që është parë me shqetësim nga FMN-ja.

Në fillim nga listat që janë marrë nga shoqatat e veteranëve dhe invalidëve të luftës, numri i tyre ka qenë rreth 14 mijë veteranë, por ky numër është rritur vazhdimisht duke kaluar tashmë shifrën prej 23 mijë aplikuesish.

FMN dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë duke pritur listat përfundimtare nga komisioni qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve për të vendosur më tutje.

“Jemi në pritje të listave përfundimtare dhe besoj që deri në fund të këtij muaji, që ka mbetur çështje ditësh, do të marrim edhe listat me numrin e saktë të veteranëve. Është vërtet shqetësues ky numër për të cilën ka kritika edhe nga FMN-ja”, thotë ky burim.

Me fletarrest të Serbisë, arrestohet kosovari në Zvicër (fotot)

Me urdhër të organeve të rendit të shtetit të Serbisë është arrestuar një kosovar në Zvicër.

Personi i arrestuar është Albert Spahiu nga Opterusha e Rahovecit.

Zeri.info mëson se Spahiu është arrestuar për krime lufte siç thuhet në urdhër arrestin e lëshuar nga Serbia.

Spahiu gjatë luftës në Kosovë ka pasur 10 anëtarë të vrarë të familjes.

Për arrestimin e tij kanë shkruar edhe gazeta Zvicerane ‘ SontagsZeitung’ e cila thonë se kosovari u arrestuar me urdhër të Serbisë.

sont2sont3

Marko Gjuriçi e viziton sot Kosovën

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriçi, ka paralajmëruar se do ta vizitojë Kosovën për festen e pashkëve ortodokse. Gjuriçi ka njoftuar se do të marrë pjesë në liturgjinë e mesnatës në manastirin e Graçanicës, por do të vizitojë edhe një fshat në Gjilan.

Por ende nuk dihet nëse për këtë vizitë Gjuriçi ka kërkuar leje nga organet e Kosovës, ashtu siç i ishte thënë të bëjë edhe në vizitat e kaluara, thirrje të cilën njëherë e pati shmangur. Kurse, Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, ka thënë se ata nuk kanë pranuar kurrfarë urdhër-ndalese për Gjuriçin, nëse ai futet nga pika kufitare në Jarinje, përcjell k.kosova.

“Nuk kemi ndonjë urdhër-ndalese për Djuric dhe as ndonjë informatë se ai do të futet nga pika kufitare në Jarinje në Kosovë”, ka shpjeguar Hoti. Disa nga vizitat e politikanëve serbë kohëve të fundit, sidomos para zgjedhjeve në Serbi, ishin ndaluar nga organet e rendit në Kosovë.

Një ndalesë për hyrje në territorin e Kosovës, ishte caktuar më herët edhe për Marko Djuric, por që të njëjtën e kishte shpërfillur politikani serb. Më vonë, pas një raundi bisedimesh ne Bruksel, nga pala Kosovare u tha se Djuric kishte kërkuar falje për mosrespektim të ndalesës.

Azem Syla dërgohet në Dyz – burgun e sigurisë së lartë

Ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Sylës, pasi që iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ai është dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Dyz.

Azem Syla është dorëzuar me 29 prill 2016 dhe sjellur para një gjyqtari të EULEX-it për caktimin e paraburgimit.

Rastin është duke e ndjekur penalisht Prokuroria Speciale e Kosovës.

Policia ishte vënë në kërkim të ish-deputetit nga radhët e PDK-së që nga dita e mërkurë i cili po dyshohet për krim të organizuar dhe shpëlarje parash.

Në operacionin e realizuar para dy ditësh nga EULEX-i në bashkëpunim me Policinë e Kosovës u bastisën më shumë se 40 lokacione të ndryshme.

Bashkë me Sylën të kërkuar janë edhe 50 (6 prej tyre janë arrestuar) persona të tjerë, të cilët në forma të ndryshme lidhen me keqpërdorime dhe shpëlarje parash.YZ

Vjosa Osmani kërkon ligj të ri antimafia: Ligji aktual ka dështuar

Rezultatet e dobëta në luftën kundër krimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, ka shtyrë Kuvendin e Kosovës që të kërkojë hartimin e një ligji të ri anti mafia.

Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane nga një monitorim që i ka bërë ligjit ekzistues për konfiskim të pasurisë së paligjshme, ka vërejtur mangësi të mëdha ligjore, andaj deputetja e këtij Komisioni, Vjosa Osmani, ka treguar për Top Channel se po kërkojnë ligj të ri.

“Tani nevoja lind ose për hartimin e një ligji të ri antimafia ose për ndryshime shumë të mëdha të ligjit ekzistues. Sepse do të jetë esenciale që ligji të merret jo vetëm me pasurinë që paligjshëm fitohet tash e tutje, por me pasurinë që është fituar paligjshëm që nga viti 1999 sepse keqpërdorimet më të mëdha janë bërë qysh në vitet e para të pasluftës”, thotë Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dashur të flasin për nisjen e hartimit të projektligjit anti mafia, por Top Channel ka mësuar se Ministria e Drejtësisë tanimë e ka hartuar draftin e koncept dokumentit për hartimin projektligjit por ende nuk e ka proceduar në Zyrën Ligjore të Kryeministrit.

Mësohet se koncept dokumenti për hartimin e projektligjit anti mafia është punuar nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë që kanë ndihmuar vendet e rajonit në krijimin e legjislacionit anti-mafia.

Gjykata cakton 30 ditë paraburgim për Azem Sylën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e 30 ditëve paraburgim për Azem Sylën, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Këtë pasdite, një gjyqtar i EULEX-it mori vendimin për të caktuar masën e paraburgimit prej një muaj, për të pandehurin A .S. Gjyqtari i procedurës paraprake të EULEX-it kishte lëshuar një flet-arrest për të pandehurin më 26 prill 2016”, thuhet në njoftimin e shkurtër të gjykatës.

Syla po dyshohet për krim të organizuar, tjetërsim të pronave, shpëlarje parash dhe falsifikim të dokumenteve.

Deri tani, lidhur me këtë rast, janë arrestuar gjashtë persona dhe u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Azem Syla, të premten është dorëzuar në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në Vërmicë, tek autoritetet kosovare.

Syla, pas dorëzimit, është sjellë në qendrën e ndalimit në Stacionin Qendër të Policisë së Kosovës në Prishtinë nga policia e EULEX-it dhe më pas është dërguar në Pallatin e Drejtësisë, ku edhe është mbajtur seanca e parë dëgjimore ndaj tij.

Në këtë seancë, prokurori i rastit ka kërkuar nga trupi gjykues që Sylës t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërsa, avokati mbrojtës i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Tomë Gashi, vendimin e Gjykatës e ka cilësuar si të padrejtë dhe të ndikuar politikisht.

Gashi ka bërë të ditur se pala mbrojtëse do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Unë, si avokat i tij, këtë aktvendim e konsideroj të ndikuar politikisht, për shkak se nuk ka pasur asnjë arsye ligjore që të njëjtit t’i caktohet masa më e rëndë e paraparë me ligj, kur efekti i njëjtë ka mundur të arrihet me masa më të buta”.

“Ankesa do të paraqitet menjëherë dhe presim që Gjykata e Apelit të jetë më e drejtë në raport me ish-komandantët dhe ushtarët e UÇK-së”, ka deklaruar Gashi.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se hetimet e rastit “Syla” kanë të bëjnë me “një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më tani, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla”.

Ky i fundit deri më tani ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga organet e drejtësisë është thënë se anëtarët e këtij grupi kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh.

Avokati Gashi ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pronat, të cilat janë duke u hetuar në këtë rast, janë konfiskuar përkohësisht.

“Prokurori ka deklaruar se janë konfiskuar përkohësisht pronat që janë objekt i hetimit, që i bie pronat e KBI-së, ‘Kosova Export’, të cilat prokurori mendon se mënyrë të kriminalizuar janë përvetësuar nga këta persona, janë nën hetime”, ka theksuar Gashi.

Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta politike në Kosovë, është konsideruar si një nga sfidat më të mëdha për organet e rendit dhe ato të drejtësisë.

Disa figura të jetës politike e publike, jo rrallë kanë zgjedhur edhe ikjen nga Kosova, menjëherë pas shpalljes së nisjes së hetimeve ndaj tyre apo edhe pas shpalljes së aktgjykimit. Këto raste, kryesisht kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe krim të organizuar.

Kryetarë komunash të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, shpeshherë nuk kanë përfillur ligjet e Kosovës.

Xhabir Zharku, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut nga Partia Demokratike e Kosovës, vazhdon të qëndrojë në arrati, pasi në vitin 2011, ishte shpallur fajtor për një vepër penale duke iu shqiptuar dënim me tri vjet burgim.

Leme Xhema, ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Post-Telekomit të Kosovës, në vitin 2008 ishte dënuar me tre vjet burg për përfitime të paligjshme. Por, e njëjta nuk ka qëndruar në burg, duke braktisur Kosovën.

Një rast tjetër i ikjes është edhe ai i përfaqësuesve të kompanisë private shëndetësore të quajtur “Medicus”, ku pas shqiptimit të dënimit Lutfi Dervishi, me profesion doktor, është arratisur nga Kosova.

Ndërkaq, pozitën e kryetarit të Komunës së Prizrenit vazhdon ta mbajë Ramadan Muja, edhe pse gjykata e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim dhe korrupsion në këtë komunë.

Albin Kurti thotë të vërtetën e ndarjes nga AAK (video)

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka treguar arsyet pse është ndarë blloku opozitar. Kurti në një intervistë për zërin ka treguar disa nga arsyet pse nuk ka funksionuar blloku opozitar, ai gjithashtu ka folur për partinë e Ramush Haradinajt si dhe pretendimet e AAK-së për rrëzimin e qeverisë.

Në intervistë Kurti gjithashtu thotë se mungesa e parimeve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë që ajo të shkëputet nga VV-ja.

Për më shumë shikoni një pjesë të intervistës së Albin Kurtit ku ndër të tjera ai fol edhe për listën e përbashkët opozitare për zgjedhjet e parakohshme.

Sot pritet vendimi rreth kërkesës së prokurorisë për Azem Sylën

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të vendos sot në lidhje me kërkesën e prokurorisë që ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, të mbahet në paraburgim prej 30 ditësh.

Syla po dyshohet për krim të organizuar, tjetërsim të pronave, shpëlarje parash dhe falsifikim të dokumenteve.

Deri më tani, lidhur me këtë rast, janë arrestuar gjashtë persona, të cilëve u është caktuar masa 30 ditë paraburgim. Ish-deputeti Azem Syla u është dorëzuar dje autoriteteve të rendit dhe drejtësisë në Kosovë.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se hetimet e rastit “Syla” kanë të bëjnë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më tani, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla. Ky i fundit deri më tani ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga organet e drejtësisë është thënë se anëtarët e këtij grupi kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh. rel

Takimet biznesore të Azem Sylës në picerinë “Fluri” – Nga Vehbi Kajtazi

Florim Prapashtica i ka parë të gjitha takimet e Azem Sylës me anëtarët e grupit të tij. Ai është pronar i picerisë “Fluri” që ndodhet përballë Fakultetit Teknik në Prishtinë. Ai i ka dhënë një përshkrim të hollësishëm Prokurorisë për aktivitetet e Azem Sylës, Shaban Sylës, Shpresim Ukës, Nazim Bllacës, Fahredin Gashit e Driton Hajdarit. Grupi i Azem Sylës është përshkruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës si familje.

Azem Syla përshkruhet se si ulej në qoshe në picerisë “Fluri”. Askush nuk guxonte t’i afrohej nëse nuk ishte i ftuar.

Anëtarët e grupit uleshin një nga një në tavolinë për t’i raportuar për biznesin milionësh të tokave. Secili që do të ulej në takim me Azem Sylën, së pari duhej të legjitimohej nga shoferi i tij, Arton Vila.

Telefonat, çelësat e gjësendet tjera mblidheshin nga Arton Vila, futeshin në një çantë dhe largoheshin prej tavolinës. Kjo ishte si masë parandaluese e incizimit të bisedave.

Florim Prapashtica i ka parë të gjitha takimet e Azem Sylës me anëtarët e grupit të tij. Ai është pronar i picerisë “Fluri” që ndodhet përballë Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Prapashtica është dëshmitari kyç kundër Azem Sylës. Ai i ka dhënë një përshkrim të hollësishëm Prokurorisë për aktivitetet e Azem Sylës, Shaban Sylës, Shpresim Ukës, Nazim Bllacës, Fahredin Gashit e Driton Hajdarit.

Grupi i Azem Sylës është përshkruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës si familje.

“Azem Syla, i njohur si Daja, është kreu i familjes dhe ka qenë udhëheqësi kulmor i këtij grupi kriminal të organizuar për shumë vite”, shkruan në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për ish-deputetin Syla.

Dosjen hetimore e ka siguruar Insajderi.

“Aktivitetet e grupit të organizuar kriminal janë të lidhur me biznesin e tokave. Shpresim Uka dhe Shaban Syla janë anëtarët të lartë dhe bashkëthemelues të pjesës së grupit që merret me toka”, pretendon Prokuroria.

Syla dyshohet se ka siguruar financat fillestare për grupin. Fahredin Gashi dhe Nazim Bllaca përshkruhen si anëtarë të rangut të lartë të këtij grupi të përfshirë në nivelin që ishte drejtpërdrejtë nën Shpresim Ukën dhe Shaban Sylën.

“Shpresim Uka dhe Shaban Syla i kanë thënë Nazim Bllacës së paratë për të financuar biznesin e tokave kishin ardhur nga Azem Syla – fillimisht 50 mijë euro dhe pas kësaj janë përmendur shuma tjera të mëdha parash”, pretendon Prokuroria.

Dëshmitari tjetër, Fatmir Prapashtica, ka konfirmuar se Azem Syla ishte përgjegjësi kryesor i grupit. Prapashtica ka thënë se Azem Syla ishte në dijeni për biznesin e tokave dhe mbante të tjerët nën kontroll, por nuk përzihej në dokumente dhe çmime.

Prokuroria thekson se Shaban Syla ishte personi kyç në lidhjet me biznesin e tokave, por që të dy, Shaban Syla dhe Shpresim Uka, ishin figura udhëheqëse në këtë grup. Fatmir Prapashtica ka thënë se pasi që biznesi i tokave filloi, Shaban Syla u bë i pasur.

Prokuroria ka thënë se Nazim Bllaca ishte përgjegjës për shitjen dhe njerëz tjerë të cilët ishin të njoftuar mbi biznesin e tregtimit të tokave ishin të përfshirë në këtë biznes.

“Takimet e rregullta të grupit mbaheshin në picerinë ‘Fluri’, në pronësi të Fatmir Prapashticës në Bregun e Diellit, përballë Fakultetit Teknik. Azem Syla ulej në një qoshe dhe kohë pas kohe i ftonte anëtarët e grupit një nga një në tavolinën e tij duke kërkuar për ta njoftuar për të rejat.

Dëshmitari Fatmir Prapashtica ka thënë se ka qenë e pamundur që dikush të ulej në tavolinën e Azem Sylës pa qenë i ftuar prej tij.

“Kur një person është thirrur për të biseduar me Azem Sylën, Syla e ka thirrur Arton Vilën, shoferin, duke ia dorëzuar çantën e tij dhe telefonat si dhe telefonat e njerëzve tjerë të cilët do të uleshin në një qoshe ose pranë banakut”, pretendon Prokuroria.

Prokuroria thotë se anëtarët e grupit diskutonin në picerinë e Prapashticës në mënyrë të hapur dhe lirshëm. Dëshmitari i kishte parë anëtarët e grupit duke diskutuar dhe duke përgatitur dokumentacionin që duhet të dorëzohej në Gjykatën Komunale dhe në Zyrën Kadastrale. Ai deklaroi se toka ishte në Llapnasellë dhe Çagllavicë dhe se ajo kishte qenë e serbëve.

Prapashtica kishte parë shumë dokumente në gjuhën serbe përfshirë vendimet gjyqësore.

Driton Hajdari është anëtar i grupit i cili qëndron në një nivel më të ulët në hierarkinë gjatë aktiviteteve të cilat janë hetuar. Ai ka njohuri të plotë mbi aktivitetet e grupit, duke qenë i pranishëm në takimet e rregullta në picerinë “Fluri”.

“Ai ka ndjekur urdhrat e grupit sa herë i janë dhënë. Mori pjesë nga fitimet e grupit. Driton Hajdari ishte gjithashtu i përfshirë në administrimin e takimeve të frikësimit në rast se ato ishin të nevojshme”, pretendon Prokuroria.

Azem Syla i ka mohuar të gjitha këto pretendime. Ndërkohë, po mbahet një seancë për caktimin e paraburgimit. Prokuroria ka kërkuar 30 ditë si masë të nevojshme për të mos pasur ndikim në proces hetimor dhe në dëshmitarë.

Insajderi sjell ndërkohë detaje të transaksioneve, të ryshfeteve dhe pagesave milionëshe. Do të shihni se si janë korruptuar zyrtarët e Gjykatës dhe të AKM-së./Insajderi.com

Tre deputetët e PDK-së që i mori sivjet drejtësia – Nga Vehbi Kajtazi

Latif Gashi, Rrustem Mustafa, humbën mandatet në muajin shkurt të këtij viti, si pasojë e dënimeve për veprën penale të krimeve të luftës. Dorëheqje nga pozita e deputetit “për ti hapur rrugë drejtësisë” dha të enjten edhe ish-komandanti i tyre, deputeti Azem Syla.

Tre deputetë të fuqishëm ia ka marrë drejtësia sivjet, Partisë Demokratike të Kosovës.

Latif Gashi, Rrustem Mustafa e Azem Syla lanë ulëset e kuvendit për shkak të veprimeve të tyre kriminale.

Gashi e Mustafa, humbën mandatet e deputetit në muajin shkurt të këtij viti, si pasojë e dënimeve për veprën penale të krimeve të luftës. Latif Gashi, madje shkoi në vuajtje të dënimit.

Këta ish-deputetë të z Llapit, kanë qenë eprorë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë zonë.

Dorëheqje nga pozita e deputetit “për ti hapur rrugë drejtësisë” dha të enjten edhe ish-komandanti i tyre, deputeti Azem Syla.

I dyshuari se ka drejtuar një grup të madh kriminal të përbërë kryesisht nga njerëz të dënuar për vrasje në rastin e Nazim Bllacës, ka thënë se ndjehet i pastër. Nga arratia ka lëshuar një deklaratë me të cilën thotë se nuk është më deputet.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, nga sot ofroj dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha përgjegjësitë institucionale, nga të qenit deputet i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Syla.

“Hetimi i filluar ndaj meje është padrejtësi, por unë dëshiroj t’i jap hapësirë dhe mundësi drejtësisë të punoj pa ndikime”.

Humbjen e tre deputetëve me peshë, PDK-ja po e sheh si humbje të vogël. Sekretari i kësaj partie, Basri Musmurati, i ka thënë Insajderit se PDK-ja nuk ka frikë as nga humbje tjera të mundshme të figurave për shkak të hetimeve e dënimeve.

“Tash, edhe vetëm një njeri dhe një votë e dëmton pak subjektin politik. Por na jemi subjekt i madh, i organizuar mirë dhe nuk besoj se kjo do të hetohet në votën e përgjithshme të partisë”, ka thënë Musmurati.

Ai thotë se këta deputetë kanë humbur mandatet jo për shkak të shkeljeve statutare apo ligjore në kuadër të partisë, por për shkak të veprave penale të kryera në mënyrë individuale.

“Ne nuk frikohemi për këtë punë, por kushdo që në mënyrë individuale shkel ligjin, merret me çfarëdo vepre që është e dënueshme, është problem i tij dhe sigurisht që në momentin që kjo do të ndodh, të gjithë ata do ta humbin pozitën e tyre”, ka thënë Musmurati.

Musmurati ka thënë se në kohën kur po bëhet trazicioni i kreut të PDK-së, ka zëra politikë se në struktura të subjektit  dhe të institucioneve, nuk do të ketë njerëz që kanë rënë në kundërshtim më ligjin.

“Ata që kanë bo vepra penale, kjo s’ka diskutim që do të largohen”.

Largimi i deputetëve të dënuar nga Kuvendi ishte përshëndetur nga ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell

“Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”, kishte thënë ambasadori O’Connell./Insajderi.com

Çollaku: Ndalimi i flamurit të Kosovës nga EBU është fyerje

 Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku ka reaguar ndaj vendimit të EBU-së për ndalimin e flamurit të Kosovës në Eurovizion duke e quajtur fyes një vendim të tillë.

Madje ministri Çollaku ia ka kujtuar EBU-së rezolutat e shumta të Parlamentit Evropian ku bëhet thirrje për përfshirjen e Kosovës në Eurovizion.

Për këtë, sot gjatë ditës EBU ka kërkuar falje duke thënë se ndalesa kishte natyra të ndryshme. Dhe se sipas tyre dokumenti me flamujt e ndaluar nuk është dashur të bëhej publik.

Të enjten mbrëma është publikuar rregullorja  e ‘Eurosongut’ të publikuar nga bordi i festivalit i cili vepron nën drejtimin e Unionit Evropian të Transmetuesve Publik (EBU)./lajmi.net

Foto: Azem Syla gjatë arrestimit

Voal – Azem Syla, deputet i PD, i akuzuar për krim të organizuar në pranga. Thuhet se arrestimi i tij është bërë të mërkurën.  Azem Sylen  dyshohet si udhëheqës i grupit kriminal në keqpërdorim të pozitës për biznese me toka shoqërore që i ka kushtuar dëme buxhetit të Kosovës rreth 30 milionë euro. Arrestimi i Sylës është bërë nga EULEX-

azem syla i arrestum

Mbyllet rasti i Sejdi Thaçit – nuk është person i zhdukur i luftës

Foto nga Arkivi – Aktivitet kushtuar personave të zhdukur të luftës

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, së bashku me përfaqësuesit e Shoqatave Familjare, ka pritur sot në takim Sejdi Thaçin, i evidentuar si person i zhdukur, dhe anëtarë të tjerë të familjes së Sejdi Thaçit, që ishin edhe iniciues në evidentimin apo hapjen e rastit të tij si person i zhdukur.

“Në bazë të deklaratave zyrtare, familja nuk ka ditur për fatin dhe vendndodhjen e Sejdi Thaçit, nga data 6 janar 1999 deri më 17 prill 2016, kur ai është u kthyer i gjallë në familje”, thuhet në komunikatën për media të Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Në bazë të të dhënave të prezantuara, gjatë takimit, nga vet Sejdi Thaçi, ai është larguar nga Kosova, në janar të vitit 1999, mirëpo jo në mënyrë të dhunshme, por gjithnjë sipas vullnetit të tij, për të jetuar për këto 17 vite në Serbi.

“Në respektim të procedurave ligjore në fuqi, rasti i Sejdi Thaçit, i evidentuar si person i zhdukur që në vitet e para të pasluftës, tek institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare, tashmë zyrtarisht është i mbyllur”, vijon komunikata.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur siguron familjarët e personave të zhdukur, që bashkërisht do të vazhdohet me angazhimin dhe përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes edhe të 1665 personave të zhdukur, si pasojë e luftës së viteve 1998 – 1999, në Kosovë.

Po ashtu, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shpreh mirënjohjen më të lartë për familjet e personave të zhdukur për mirëkuptimin e treguar gjatë trajtimit të këtij rasti. rel

EBU kërkon falje për fyerjen që shkaktoi me vendimin për flamurin e Kosovës

Si duket EBU është “dorëzuar” pas reagimeve të shumta që kanë ardhur pas publikimit të listës së shteteve ku ishin ndaluar disa nga flamujt e në mesin e tyre ishte ai i Kosovës.

Në një përgjijge për Magazina.al, menaxheri për komunikim me media nga Eurovisioni, Paul Jordan, ka thënë se lista tashmë është tërhequr dhe se do të krijohet një listë e re e cila do të specifikoj edhe arsyen e ndalimit të flamujve, duke kërkuar falje për të gjithë ata qe janë ndier të fyer nga kjo listë.

“Organizatorët kuptojnë dhe pranojnë ndjeshmërinë e paraqitur në përzgjedhjen e flamujve të organizatave dhe territoreve, secili prej tyre të natyrës shumë të ndryshme. Organizatorët kërkoj falje për të gjithë ata që ndihet i fyer nga kjo listë”, ka thënë Jordan.

Ai më tej ka thënë se  EBU ka kërkuar nga “Arena Globe” dhe AXS që menjëherë të largojë dokumentin që përfshin listen me flamuj.

Dokumenti zyrtar dhe përfundimtar i politikës per flamurin do të publikohen në faqen zyrtare, Eurovision.tv, sot më vonë, së bashku me një shpjegim të plotë”, ka thënë Jordan.

Siç dihet, pas publikimit të kësaj liste reaguan shumë institucione në Kosovës si Radiotelevizioni i Kosovës, ndërsa ky vendim ishte konsideruar si fyerje edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Jeton Thaqi reagon ashpër kundër Alma Lames

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Alma Lama ka deklaruar se krishterimi ndër shqiptarë është përhapur me shpatë dhe më dhunë. Kundër kësaj deklarate ka reaguar prifti kosovar Jeton Thaqi.

Ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se deputetja nga LDK-ja, Alma Lama duhet të kërkojë falje popullit dhe të vërtetës historike.

“Zonja Alma Lama thote se krishterimi nder shqiptar eshte perhapur me shpate dhe me dhune. Kete deklarate mund ta degjoni pas minutit 12 dhe te konfirmuar tek minutat 34 ne emisionin Target.Le t’i kerkoje falje popullit dhe te vertetes historike, pasi qe eshte perfaqesuese e popullit”, ka shkruar Thaqi.

jthq

FOTOT nga momenti i dorëzimit të Azem Sylës në polici

Deputeti Azem Syla i është dorëzuar sot policisë.

Ai është sjellë nga autoritetet e sigurisë në Stacionin policor në qendër.

Gazeta Express ka siguruar disa foto të momentit të dorëzimit të deputetit të PDK-së te autoritetet policore.

fotomom2fotomom3fotomom4

Azem Syla arrestohet nga EULEX-i

Azem Syla është tashmë në dorën e EULEX-it. Ai është arrestuar para pak minutash.

Deputeti Syla është duke u dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lajmin e kanë konfirmuar burime të gazetës “Zeri”.

Azem Sylen  dyshohet si udhëheqës i grupit kriminal në keqpërdorim të pozitës për biznese me toka shoqërore që i ka kushtuar dëme buxhetit të Kosovës rreth 30 milionë euro, përcjell “zeri.info”

Po ashtu Syla dyshohet se ka të bëjë me rastin e tokave në Veternik dhe Çakllavicë ku janë të përfshirë shqiptarë dhe serbë.

Donika Gërvalla-Schwarz: Ik një horr, e eja një tjetër… Quo vadis Kosova…

 

Voal – Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja do të jetë deputeti i Kuvendit të Kosovës, pas dorëheqjes së Azem Sylës nga mandati i tij si deputet.

Sipas rezultateve zyrtare në KQZ, mandati i deputeti duhet të kalojë te Shukri Buja, i cili ka garuar me numrin 80 dhe ka marrë 8,224 vota.

Shukri Buja më 30 dhjetor të 2015-s është dënuar me 4 muaj burgim me kusht dhe 2000 euro gjobë, pasi nuk kishte deklaruar pasurinë.

Azem Syla, në anën tjetër, ka dhënë dorëheqje pasi po hetohet si udhëheqës i një grupi të krimit të organizuar në lidhje me shpronësimin e disa pronave.

Buja ka qenë komandant i Zonës Operative të Nerodimës gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e pas luftës ai ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së. Në vitin 2007 ai ka garuar për kryetar të Lipjanit nga radhët e PDK-së, duke fituar dhe duke e mbajtur këtë mandate deri në vitin 2013, kur pas zgjedhjeve lokale e ka humbur garën përball Imri Ahmetit të LDK-së.

Për këtë kalim të mandatit të deputetit nga Azem Syla tek Shukri Buja, një i akuzuar për krim të organizuar tjetri i dënuar për mashtrim ndaj shtetit, sepse nuk e deklaron dhe e fsheh pasurinë, që nuk i dihet burimi se si e ka bërë, reagon Donika Gërvalla Schwarz në rrjetin social e cila shkruan:

“Ik një horr, e eja një tjetër… Quo vadis Kosova…”, bën një pyetje retorike Donika Gërvalla Schwarz.

 

Kadri Veseli entusiazmohet nga Azem Syla

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka përgëzuar deputetin e PDK-së, Azem Syla për dorëheqjes e tij nga posti i deputetit.

Sipas Veselit, ky është një akt fisnik të cilin duhet ta ndjekin të gjithë, akt të cilin ai e quajti një precedent të ri të qytetarisë dhe përgjegjësisë publike që duhet të shërbejë si standard dhe model për të gjithë ata që gjenden në rrethana të ngjashme. /Zëri/

Postimi i plotë i Veselit:

Përshëndes dhe përgëzoj deputetin e Kuvendit te Kosoves, z. Azem Syla, për aktin fisnik të dhënies së dorëheqjes prej mandatit të deputetit për ti hapur plotësisht rrugën organeve të drejtësisë në procesin e zbardhjes dhe trajtimit të çështjes së hapur ndaj tij.

Me këtë veprim ai po vendos një precedent të ri të qytetarisë dhe përgjegjësisë publike që duhet të shërbejë si standard dhe model për të gjithë ata që gjenden në rrethana të ngjashme.

Prandaj unë inkurajoj të tjerë aktorë politikë dhe funksionarë të lartë shtetërorë, që gjenden para akuzave apo kanë çështje të tilla të hapura me drejtësinë, që të ndjekin rrugën e njëjtë dhe të tërhiqen nga detyrat e rëndësishme që kanë në mënyrë që ta lënë drejtësinë sa më të lirë në përmbushjen e detyrës së vetë.

Azem Syla nga arratia: Jap dorëheqje nga posti i deputetit, për t’i hapur rrugë drejtësisë

Deputeti i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, ka bërë të ditur se ka dhënë dorëhqeje nga të gjitha përgjegjësitë institucionale.

Pa treguar vendin se ku ndodhet, ai nëpërmjet një deklarate dërguar redaksisë së lajmi.net, ka bërë të ditur se kjo dorëheqje është e parevokueshme.

Më poshtë ju sjellim deklaratën e plotë të deputetit Azem Syla, i cili sipas organeve të hetuesisë, dyshohet  se është i përfshirë  në vepra të ndryshme penale, që kanë të bëjnë me tjetërsim të pronës publike.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Nga sot ofroj dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha përgjegjësitë instutucionale, nga të qenurit deputet i Kuvendit të Republikës së Kosvës.

Hetimi i filluar ndaj meje është i padrejtë, por unë dëshiroj t’i jap hapësirë dhe mundesi drejtesisë të punojë pa ndikime.

Me respekt

Azem Syla

Tahiri: Serbia po e shkel Marrëveshjen për Kodin telefonik

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri priti sot në takim ambasadorin e Suedisë jo rezident për Kosovë, Mats Staffansson, i cili shoqërohej edhe nga shefi i misionit të Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, me të cilët ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale, situatën politike në vend dhe rajon si dhe për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës.

Ministrja Tahiri e falënderoi ambasadorin Staffansson për përkrahjen e veçantë të Suedisë për reformat evropiane me ç ‘rast shprehu falënderime për mbështetjen e Kosovës për MSA-në dhe për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se heqja e vizave shpejt është lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, por nënvizoi se duhet vërtetë të ndodh sepse Kosova e meriton.

Ministrja Tahiri foli për progresin në Kosovë dhe reformat evropiane që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës për forcimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

Sa i përket, dialogut të Brukselit ajo akuzoi Serbinë për shkeljen e marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën dhe për çështjet e energjisë, duke thënë se këto tema janë pesë vjet në bisedime dhe Bashkimi Evropian duhet të jetë më energjik për të shtyrë përpara zbatimin e tyre.

Ministrja Tahiri konstatoi edhe njëherë se Kosova ka dëshmuar seriozitet në këtë proces duke zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani sidomos për shuarjen e strukturave paralele në polici, “mbrojtjen civile” drejtësi, dhe përmbushjen e obligimeve zbatuese për telekomin dhe energjinë etj.

Nga ana e tij, ambasadori Staffansson vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën, ku dhe konfirmoi përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë për Kosovën sidomos në rrugën e integrimeve euroatlantike si dhe përkrahjen për liberalizimin e vizave.

Ai theksoi se dialogu i Brukselit ndihmon Kosovën në integrimin evropian.

Azem Syla po e ‘negocion’ dorëzimin, EULEX-i nuk e konfirmon

PRISHTINË –  Edhe pse pritet që të kthehet sot në Kosovë, deputeti Azem Syla ka pasur kontakte me autoritetet pasditen e djeshme. Siç merr vesh, Syla do të paraqitet tek policia kufitare.

Depueteti Syla përvec që ia premtuar prokurorisë se do të kthehet, ai ka dërguar dje një letër përmes së cilës ka pemtuar se do të bashkëpunoj me prokurorinë.

Ndërkohë të pyetur nga “zeri.info” për kontakte me deputetin Sylam, misioni i EULEX-it ka thënë se nuk i komenton hetimet që janë duke vazhduar.

“Misioni nuk i komenton hetimet të cilat janë duke vazhduar” thuhet në përgjigjen e EULEX.

Azem Syla: Nuk ka asnjë fletëthirrje për mua nga organet e hetuesisë

Azem Syla, deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili sot ishte personi  më i përfolur në mediet e vendit, ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë për të dëshmuar pafajësinë e tij.

Në një deklaratë të cilën Syla ua ka drejtuar mediave, ai tregon se deri ditën e djeshme (e martë 26 prill), ka qenë në Kosovë dhe ndaj tij nuk ka pasur asnjë fletëthirrje nga organet e hetuesisë.

Përveç kësaj, Syla thekson në këtë komunikatë se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me organet përkatëse.

Deputeti Syla deklaron se asnjë nga pretendimet e ngritura për korrupsion dhe keqpërdorime ndaj tij, nuk qëndrojnë  dhe këtë pastërti do ta dëshmojë shumë shpejte dhe para organeve të drejtësisë.

Deklarata e plotë e deputetit Azem Syla:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

– Me shqetësim të thellë kam marrë lajmin sot, për bastisjen e shtëpisë sime në orët e hershme të mëngjesit, nga policia e Eulexit dhe policia e Kosovës.

– Njoftoj opinionin e gjerë se unë deri ditën e djeshme kam qenë në Republikën e Kosovës, duke kryer te gjitha aktivitetet e mia publike si deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.

– Unë nuk kam pasur asnjë fletëthirrje nga organet shtetërore dhe nuk kam qenë në dijeni se ka  qenë duke u zhvilluar ndonjë hetim ndaj meje.

– Prandaj unë qysh dje pasdite kam lëvizur jashtë vendit me një agjendë time personale.

– Vlen të theksohet se sot gjatë bastisjes së shtëpisë sime, unë kam qenë në kontakt përmes telefonit me organet kompetente që kanë marrë pjesë në bastisje, dhe kam shprehur gatishmërinë time për t’u kthyer në Kosovë dhe për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, në çdo kohë kur ata e shohin të nevojshme.

– Unë Azem Syla dua t’i garantoj familjarët e mi, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetaret e Republikës së Kosovës, se asnjë nga pretendimet e ngritura ndaj meje, nuk qëndrojnë, janë të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija. Unë absolutisht jam i pastër, dhe kjo pastërti do të dëshmohet shumë shpejt nga organet e drejtësisë.

– Një jetë  të tërë ja kam kushtuar krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Republikës së Kosovës, prandaj jam i prirë fuqishëm të besoj në organet e drejtësisë së vendit tim.

Me respekt!

Azem Syla

Kumnova: Rasti i Sejdi Thaçit manipulim

Nysrete Kumnova kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave” e cila merret me kërimin për personat e pagjetur në Kosovë ka komentuar në Info Magazinë të Klan Kosovës rastin e kthimit të Sejdi Thaçit nga Serbia i figuruar në listat e të pagjeturve që prej 17 vitesh.

Kumnonva paraqitjen e Thaçit në këso forme dhe në këtë kohë të ndjeshme e ka parë si manipulim.

“Këtë e kam marr si manipulim, se si e gjetën këta njerëz që në këtë javë të veçantë të organizimeve të shfaqet ky person 80 vjeçar nga Serbia, menjëherë më kanë rrethuar shumë nëna gjakovare që iu mungojnë familjarët.”

“Personi tregon që nuk e ka kidnapuar askush, që ka punuar ka marr pension dhe tani është kthyer vullnetarisht,” ka thënë Kumnova, njofton Klan Kosova.

Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” që e ka birin e zhdukur që 17 vjet, nuk është optimiste se dikush i gjallë është në Serbi  dhe bën thirrje të mos manipulohet me raste të tilla.

“Unë si nënë nuk pres që të ketë ndonjë të gjallë në Serbi, pasi Serbia nuk i ruan njerëzit e gjallë, mos të manipulohen familjarët.”

“Unë si nënë mund të mendoj që kjo është edhe çështje politike e Serbisë ose si manipulim për familjarët që të japin para të majme që t’i gjejnë të afërmit e tyre.”

“Jeta në ankth është shumë e vështirë,” ka thënë Kumnova, përcjellë Klan Kosova.


Send this to a friend