VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Politikanët me depozita jashtë shtetit

By | December 30, 2017

Komentet

A është Rama i sëmurë?! Vokshi: Vizitohet fshehurazi në spitalet e Evropës

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi komenton lajmet për një situatë jo të mirë shëndetësore të Edi Ramës.

Ajo shkruan se Rama është kryeministri i vetëm në botë që shkon vizitohet fshehurazi në spitalet e Evropës.

“Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë që ikën fshehurazi nga vendi i vet, vizitohet fshehurazi në spitalet e Europës, kthehet fshehurazi në atdhe. Ka vetëm një arsye për këtë fshehje.

Edi Rama ka frikë. Dhe ka shumë të drejtë! Ai është VETËM!”, shkruan ajo.

Ndërkohë që pasditen e sotme Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale mohoi të ketë shkaur jashtë për shkak të gjendjes shëndetësore./Express

Spartak Ngjela: Pritet qeveria teknike drejtuar nga ndërkombëtarët

Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2 CNN, u shpreh se mazhoranca i është bindur politikës së lartë amerikane dhe gjermane.


“Njëra nga palët u dorëzua dhe e pranoi reformën, ndërsa pala tjetër mendon zgjodhi një rrugë tjetër. Politika ndërkombëtare po i fut zëvendësuesit. Ata kanë thënë që në fillim se do të merren me zëvendësuesit. Ky është një informacion i saktë. Ata janë shprehur se duan numrin. Por mazhoranca do të tolerojë. Pritet një qeveri teknike, drejtuar nga ndërkombëtarët që do të drejtojë reformën në mënyrë profesionale. Qeveria teknike do të jetë çështje kohe”, tha Ngjela.

Teksa komentoi djegien e mandateve nga ana e opozitës, Spartak Ngjela u shpreh se vlerësoi atë si frymë antipopullit. “Neni 70 i kushtetutës, thotë se deputeti përfaqëson popullin. Është folje dhe tregon veprim. Nuk lidhet me asnjë mandat tjetër detyrues. Opozita është në rrugë të gabuar. Këta duhet të gjejnë avokat dhe jo protesta. Duhet të përgatiten të ulin koston e dëmit. Dëmi është i provuar. Mazhoranca nuk u tërhoq edhe pse rrezikon. Nuk ka rrugë tjetër, është vetëm rruga gjyqësore. Asgjë tjetër nuk i shpëton. Kjo gjë ndodhi edhe me gjyqtarët. Politikanët e dinë se si do të shkojë kontrolli i problemit të tyre”, tha Spartak Ngjela.

LIVE/Tension në protestë, policia gati ndërhyrjen me autobote uji (video)

Me nisjen e seancës së Kuvendit ka nisur edhe protesta e opozitës jashtë godinës së Parlamentit. Dëgjohen thirrje kundër qeverisë. Rreth orës 10:50 minuta protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë. Gazetari Klajdi Bodlli raporton për BalkanWeb se janë protestuesit e Unazës së Re po konfrontohen me policinë

Protestuesit mbajnë pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se situata nuk paraqitet e tensionuar, ndonëse ka nisur hedhja e shashkave tymueseve dhe bidonave të ujit në drejtim të policisë. Përplasje raportohet të ketë pasur në afërsi të Ministrisë së Brendshme, aty ku banorët e Unazës së Re u përplasën me policinë që kishte vendosur kordon, e nuk lejonte kalimin drejt Parlamentit.

Protestuesit me flamuj kombëtar thërrasin në korr: “Rama ik”
ORA 10:40- Në protestën e radhës të opozitës së vendit, përpara parlamentit të Shqipërisë janë mbledhur shumë protestues, të cilët kërkojnë në kor dorëheqjen e kryeministrit Rama. “Rama ik, Rama ik”, janë thirrjet e vazhdueshme të tyre. Protestuesit ndërkaq mbajnë flamuj kombëtar në duar, si dhe përdorin vuvuzela.

Kryemadhi e Berisha në protestë, mungon Basha
ORA 10:30- Ndërsa lideri i PD-së Lulzim Basha ndodhet në protestë dhe nuk merr pjesë në protestën e sotme të Partisë Demokratike, në shesh ka shkuar lideri historik i së djathtës, Sali Berisha.

Po ashtu mes protestuesve ndodhet edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në protestë janë edhe eksponentë të tjerë të partisë demokratike.

Banorët e Unazës së Re përplasen me policinë
ORA 10:30- Banorët e Unazës së Re në kryeqytet janë përplasur me forcat e policisë në rrugën përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, pasi forcat policore në këtë vend kishin krijuar kordon.

Banorët thanë se duan të kalojnë për të shkuar drejt Parlamentit ku zhvillohet protesta e opozitës. Por, forcat e policisë ishin vendosur në rrugën hyrëse të pedonales për të mos lejuar kalimin e protestuesve drejt godinës së Parlamentit.
Kjo shkaktoi një përplasje mes banorëve të Unazës së re dhe policisë. Me banorët e Unazës së Re është edhe ish-deputeti i PD Klevis Balliu.

Policia thirrje Gazmend Bardhit
ORA 10:28- Policia e Shtetit i është drejtuar me një thirrje organizatorit të protestës së Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Policia bën thirrje për qetësi dhe për largimin e protestuesve që mbajnë maska. “I nderuar Zoti Bardhi, në mes të protestuesve ka persona që mbajnë maska. Si organizator i tubimit në bazë të ligjit për tubimet merrni masa për largimin e tyre nga tubimi.

Hidhen shashka e bidonë drejt policisë, shfaqet FNSH
ORA 10:22- Protestues të shumtë ndodhen para Kuvendit të Shqipërisë. Ata kanë hedhur shashka dhe bidonë në drejtim të forcave të policisë. Situata ka nisur të tensionohet, ndërsa pas kësaj janë shfaqur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Protestës iu bashkuan edhe banorët e Unazës së Re.

Mblidhen protestuesit e PD
ORA 10:00- Kur na ndajnë vetëm 15 minuta nga nisja e seancës së Kuvendit ka nisur grumbullimi i protestuesve opozitarë. Në këto momente ata kanë hapur një banderolë të madhe me mbishkrimin “Qeveri e krimit, qeveri e korrupsionit”.

Mblidhet Kuvendi, opozita proteston sërish
ORA 09:30- Mbledhja e Kuvendit këtë të enjte do të shoqërohet sërish me protesta opozitare. Seanca e Parlamentit prtet të nisë në orën 10.00, ku protet të betohen sërish disa deputetë të rinj që marrin mandatet e lëna nga opozita.

Por paralelisht me seancën opozita do të protestojë jashtë godinës së Kuvendit. Ndryshe nga protestat e mëparshme, që janë përqendruar tek hyrja kryesore e Parlamentit, opozita ka një plan tjetër për protestën e sotme. Plani i ri i opozitës ka për qëllim të paraqesë një Parlament që funksionon vetëm me forcën e blindave dhe dhunën policore kundër protestuesve.

Sipas hartës së siguruar nga “BalkanWeb”, e cila u është shpërndarë disa përfaqësuesve të PD, pikat e rrethimit janë secila prej rrugëve që lidhet me Parlamentin: hyrja kryesore, hyrja nga qendra tregtare Toptani, hyrja nga ish-selia e Partisë Demokratike, hyrja nga rruga tek Bashkia, hyrja nga Pedonalja dhe hyrja nga unaza, pranë PD.

Policia ka kaluar në gatishmëri dhe ka bllokuar disa rrugë që të çojnë tek kjo godinë.

Kurti: Sot një vit Haradinaj ia dha Malit të Zi 8.200 hektarë për një karrige

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, një vit pas miratimit të Demarkacionit ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, se ia dha Malit të Zi 8.200 hektarë tokë për karrigen e të parit të Qeverisë, raporton Gazeta Express.

“Sot u bë një vit prej kur u ratifikua demarkacioni “Meha” në Kuvend, ndërkaq nesër bëhen 400 ditë të marrëveshjes ‘korrigjuese’ Thaçi-Vujanoviq. Për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi”, ka shkruar Kurti përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Sipas të parit të Vetëvendosjes, 80 vota nuk do të bëheshin atë ditë pa mashtrim me korrigjim kufiri, ndërkaq, deputetët nuk është turp që të thonë se janë mashtruar.

“80 vota kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri. Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës.

Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar. Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, ratifikimi ishte zdrukthëtari e jo demokraci.

“Ratifikimi ishte zdrukthëtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri”, përfundoi Kurti.

Serbia kishte dënuar edhe presidentin e Francës me 20 vjet burg për krime lufte (video)

Një gjykatë në Beograd, më 21 shtator të vitit 2000, kishte gjetur fajtorë për krime lufte edhe liderët botërorë. Për secilin prej tyre, dha nga 20 vjet burgim për bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë gjatë kohës së luftës në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Gjyqi, që u mbajt katër ditë, në përpjekje për të ringjallur ndjenjën anti-NATO në Jugosllavi, ishte fushatë para zgjedhore e presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Rreth 100 spektatorë dhe media janë lejuar të hyjnë në Gjykatën e Qarkut në Beograd (e enjte), derisa kryetari i trupit gjykues, Veroljub Raketic i lexonte akuzat dhe dënimet.

Avokatët e caktuar nga gjykata ishin të punësuar për të përfaqësuar të pandehurit, pasi ata nuk ishin të pranishëm në sallë, e që u dënuan në mungesë.

Derisa përmendeshin emrat e liderëve botërorë për dënim me burg, turma mbante emrat e tyre në pllakate, duke i ngritur ato në secilin emër të përmendur dhe duke duartrokitur.

Në mesin e të dënuarve ishin presidenti Bill Clinton, Sekretarja e Shtetit, Medeleine Albright, Sekretari i Mbrojtjes në SHBA, Willim Cohen, kancelari gjerman, Gergard Shrwder, kryeministri britanik Tony Blair, presidenti Zhak Shirak, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, si dhe komandanti i NATO-s i cili ishte në pension, gjenerali Wesley Clark, shkruan Gazeta Express.

“William Cohen dënohet në mungesë me dënim maksimal prej 20 vjet burgim”, thoshte gjykatësi. E kështu bëri për secilin lider botëror të asaj kohe – të gjithë i dënoi me 20 vjet burgim.

Udhëheqësit botërorë u akuzuan për krime lufte, e që Gjykata i ndërlidhte me bombardimet 78-ditore të NATO-s në Serbi.

Gjykatësi, Veroljub Raketic, tha se të akuzuarit paraprakisht ishin të njoftuar, por ata zgjodhën ta injoronin gjykatën – i dënoi në mungesë. Ai gjithashtu i urdhëroi të pandehurit ta paguajnë koston e gjykimit.

Raketic, gjithashtu, shpalli fajtore NATO-n për vdekjen e 546 ushtarëve të ushtrisë jugosllave, duke përfshirë edhe 138 policë serbë dhe 504 civilë – 88 prej tyre fëmijë.

Në po atë kohë, Millosheviqi kishte bërë fushatë me slogane anti-NATO, duke thënë se do ta ringjallë shpresën e rindërtimit pas bombardimeve. Kjo “shpresë” që e dha Millosheviqi, më vonë u shndërrua në vota.

Prokuroria në Beograd kishte thënë se në momentin që palët shpallen fajtorë, ata do të arrestohen kurdo që shkojnë në Serbi.

Akuzat, të listuara në aktakuzën me 120 faqe, kishte të përfshirë edhe nxitjen e një lufte agresive dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës civile, si dhe përdorimin e mjeteve të paligjshme të luftës, tentim-vrasje dhe shkelje e integritetit territorial të Jugosllavisë.

Gjatë gjykimit, u shfaqën edhe pamjet e bombardimeve të NATO-s në Serbi. Ky gjykim vlen të theksohet se përfundoi pa dëshmitarë për këto bombardime, e për këtë çështje gjykatësi tha se “e gjithë Jugosllavia e di. Salla e gjykatës nuk është aq e madhe sa t’i zë të gjithë dëshmitarët”.

Qeveria jugosllave kishte pretenduar se NATO-ja ka shkelur të drejtën ndërkombëtare kur urdhëroi bombardimet e civilëve – një akt që rezultoi me vdekje të shumta, lëndime trupore dhe shkatërrim të pronës.

“Jam gati të sakrifikoj deri në jetën time”- Deklaratat e Metës jehonë në 180 media ndërkombëtare

Deklaratat e djeshme të Presidentit Ilir Meta nga Pogradeci se do të ishte gati të jepte dorëheqjen nga posti i kreut të shteti dhe deri tek sakrifikimi i tij për të mos lejuar që në vend të instalohet një juntë ushtarake, kanë gjetur jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.

 

Prestigjiozja “Washington Post”, shkruan se Presidenti tha se pas dështimit të ndërmjetësimit të një zgjidhjeje, ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, duke shtuar se “jam i sigurt se vendi ka një zgjidhje politike, kushtetuese dhe solide”.

Megjithëse Meta u zgjodh dy vjet më parë me votat e Partisë Socialiste të majtë, ai nuk ka qenë në “paqe” me qeverinë që nga ajo kohë, shkruan “Washington Post”.

Opozita e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Partia Demokratike, ka dorëzuar mandatet e saj parlamentare dhe po zhvillon protesta duke akuzuar qeverinë e majtë të kryeministrit Edi Rama se është i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, shkruan gazeta.

Duke folur me gazetarët në qytetin lindor të Pogradecit, Meta gjithashtu e krahasoi veten me presidentin kilian Salvador Allende, i cili vrau veten në vitin 1973 ndërsa trupat e ushtrisë rrethuan pallatin e tij pas një grushti ushtarak.

Deklaratat e Metës janë publikuar edhe në gazetën tjetër prestigjioze amerikane, “New York Times” si dhe në rrjetin televiziv amerikan ABC News.

Përveç mediave të mësipërme, deklaratat e Presidentit Meta janë cituar në të paktën 180 media ndërkombëtare.

Meta: Zëvendësimi i deputetëve të opozitës jo i ligjshëm – jam gati të dorëzoj mandatin tim si President

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta përdori tone të forta sot ndërsa komentoi situatën e krijuar në vend për vendimit të opozitës për t’u tërhequr nga parlamenti duke dorëzuar në grup mandatet e deputetëve të saj. Zoti Meta, dhe më parë, ka përsëritur disa herë se sipas tij vendi ndodhet në një “krizë jo vetëm politike, kushtetuese, institucionale por tashmë edhe përfaqësimi”. Ai u shpreh sot se kjo nuk është një krizë e re, por “që në vlerësimin tim është e qëllimshme, dhe e cila ka rrezikuar rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë dhe po kështu, jo vetëm të gjitha garancitë demokratike, por edhe të drejtat e qytetarëve dhe të grupeve të caktuara të interesit”.

Sipas Kreut të Shtetit, “kriza është thelluar dhe është rënduar edhe më tej pas veprimit të paprecedent të opozitës shqiptare, që është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime, që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë si institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe i qytetarëve shqiptarë”.

Zoti Meta nuk e konsideron të pranueshëm zëvendësimin e deputetëve të tërhequr me emrat e kandidatëve në listat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse.

Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet. Si në planin kushtetues, në planin ligjor, në atë procedurial dhe politik, në planin moral”, u shpreh zoti Meta duke shtuar se një veprim i tillë “as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi, dhe njëkohësisht as nuk e garanton, përkundrazi e minon, çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”.

Sipas Kreut të Shtetit “nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm, që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet, duke respektuar Kushtetutën, duke respektuar ndarjen e pushteteve. Çdo ditë që shtyhet ky dialog, çdo ditë që nuk ka përpjekje nga secila palë, përkundrazi kriza, jo vetëm që nuk tejkalohet, por përshkallëzohet, dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme, të cilat janë të papranueshme për qytetarët shqiptarë pas tridhjetë vitesh përvojë”, tha zoti Meta duke paralajmëruar se përshkallëzimi i situatës “mund të sjellë dhe konfrontime”.

Presidenti i vendit theksoi se prej kohësh ai ka bërë përpjekje “për të parandaluar këtë krizë. Të gjitha këto përpjekje deri tani, për fat të keq, kanë dështuar, jo për përgjegjësinë time, por për faktin se aktorë të caktuar nuk kanë dashur të marrin përgjegjësitë e tyre dhe në këtë mënyrë kemi ardhur deri këtu”. Ai shtoi se do të ishte i gatshëm “të sakrifikojë” për kapërcimin e situatës “që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”, u shpreh Kryetari i Shtetit duke lëshuar kështu një akuzë të fortë ndaj Qeverisë.

Nisma e gabuar për të çuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit – Nga SHABAN MURATI

Përfaqësuesja e lartë e BE për çeshtjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Federica Mogherini, më 12 mars në Këshillin e Sigurimit të OKB-së parashtroi një raport të politikës së ndjekur nga KomisioniEuropian në rajone të ndryshme të botës dhe në pjesën, kur foli për Kosovën, paraqiti nismën e saj që çështja e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë për miratim në Këshillin e Sigurimit të OKB.

“Një marrëveshje finale, tha Mogherini, do të ketë nevojë të jetë në linjë me ligjin ndërkombëtar dhe do të duhet të mbështetet nga KS i OKB. Roli juaj është dhe do të jetë kyç dhe ne jemi gati, unë personalisht jam gati, të intensifikoj shkëmbimet tona me të gjithë anëtarët e KS të OKB për këtë”.

Sikundër shihet, znj.Mogherini bën të ditur edhe për lëvizje e veprimtari diplomatike të saj në funksion të realizimit të kësaj nisme diplomatike.

Është hera e parë që Komisioni Europian e shtron zyrtarisht në forumin më të lartë të OKB një nismë të tillë, çka tregon se diplomacia e BE po sforcohet të zyrtarizojë shtrimin e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës në KS të OKB. Në fakt kjo tezë e Mogherinit, sipas burimeve diplomatike, u është sugjeruar prej saj Beogradit dhe Prishtinës në bisedimet e mbyllura në Bruksel.

Për ta bërë bindëse nismën e saj, përfaqësueses së BE për çeshtjet e jashtme i duhet ta paraqesë se ka mbështetje nga vetë dy shtetet bashkëbiseduese. Serbia natyrisht e ka pranuar me entusiazëm, sepse kjo nismë është në thelb një qendrim i vjetër serb, që tani merr etiketën e BE. Nisma materializon një kërkesë të vjetër të diplomacisë serbe që prej 20 vitesh për ta kthyer “çështjen e Kosovës” si çështje statusi prapë në KS të OKB, dhe i krijon diplomacisë serbe një pozitë avantazhi në strategjinë e refuzimit të pavarësisë së Kosovës.

Ndaj zv.kryeministri dhe ministër i jashtëm serb, Ivica Daçiç, e përshëndeti menjëherë në 14 mars nismën e Mogherinit, duke e quajtur rrjedhim logjik i ngjarjeve dhe një “momentum”, që duhet të shfrytëzohet. Serbia mezi po pret që nisma e çuarjes në KS të OKB të bëhet sa më parë.

Mirëpo konstatojmë se tezën e Mogherinit e ka pranuar zyrtarisht edhe Prishtina, megjithëse siç shprehen burime autoritative nga Prishtina, pas debateve të gjata. Kjo sanksionohet në Platformën zyrtare të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 7 mars 2019. Në pikën 17 të Platformës, me titullin: “Kosova sipjesë e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet:

“Në praktikë, ka të ngjarë që gjerësisht të pranohet se marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në çfarëdo rasti. Kjo do të ishte e nevojshme ose të paktën shumë e dëshirueshme nga këndvështrimi i të dyja palëve për të siguruar që marrëveshja të arrijë shkallën e nevojshme të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar”.

Mënyra evazive e përkufizimit shpreh vështirësinë për të bindur publikun, dhe përmban një detaj të habitshëm se flet se “do të ishte shumë e dëshirueshme nga këndvështrimi i të dyja palëve”. Nuk i takon një Platforme shtetërore të bisedimeve diplomatike me një shtet rival të flasë për qëndrime të përbashkëta të dy palëve për tezën e KS të OKB, çka hedh dyshimin se kjo tezë mund të ketë qenë objekt i bisedimeve në prapaskenë midis dy palëve.

Gjëja e parë, që bie në sy nga paraqitja e nismës së Mogherinit, është ngutja për ta zyrtarizuar trajtimin nga Këshilli i Sigurimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ngutja e saj mund të shpjegohet me dëshirën e përfaqësueses së lartë të BE për çështjet e jashtme që të arrijë një sukses personal para largimit të saj nga posti, pas zgjedhjeve parlamentare europiane të 23-26 majit 2019. Por ka një koinçidencë ngutje me Serbinë, e cila po kërkon të kapërcejë sa më parë barrikadën që quhet Kosovë dhe që e pengon në rrugën e anëtarësimit në BE.

Gjëja tjetër, që bie në sy është se për të dërguar marrëveshjen e Serbisë me Kosovën në KS të OKB nuk janë shprehur zyrtarisht as SHBA, as Gjermania, as Britania e Madhe, as Franca, etj. Në situatën e komplikuar diplomatike, ku e kanë ngatërruar çështjen e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës, dalja e nismës së Mogherinit për ta çuar në KS të OKB meriton vëmendje të veçantë, sidomos nga Prishtina dhe Tirana. E analizuar në plan historik dhe komtemporan të së drejtës ndërkombëtare, të organizatave ndërkombëtare dhe të praktikës diplomatike, nisma mund të karakterizohet si e gabuar dhe mund të sjellë kosto të rëndë për shtetin e pavarur të Kosovës.

Së pari, duke dërguar marrëveshjen në KS të OKB, Bashkimi Europian heq përgjegjësinë nga vetja për paaftësinë, që nuk arriti dot në 8 vjet bisedime nën udhëheqjene tij në Bruksel, që të finalizonte marrëveshjen e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me njohje  reciproke. BE ka një mandat nga rezoluta e 9 shtatorit 2010 e OKB që të organizojë, ndërmjetësojë dhe të realizojë pajtimin midis dy shteteve, që aspirojnë të dyja anëtarësim në BE. Detyrën e pakryer, që i takon asaj, pra që të sanksionojë marrëveshjen dypalëshe Serbi-Kosovë për njohje reciproke, Brukseli ia atashon tani KS të OKB.

Kjo përmban edhe një rrezik tjetër. Duke ia kaluar KS të OKB, Brukseli praktikisht heq nga mesi dhe shpëton Serbinë nga kushti i njohur i deritanishëm se pa njohur Kosovën, ajo nuk mund të hyjë në BE.

Së dyti, propozimi i Mogherinit për ta dërguar në KS të OKB është në kundërvënie të hapur me qendrimin e SHBA dhe të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me rrugën e përfundimit të marrëveshjes Serbi-Kosovë. Në letrën e tij të 14 dhjetorit 2018 dërguar njëkohësisht edhe presidentit Hashim Thaçi, edhe presidentit Aleksandër Vuçiç, presidenti amerikan u jep alternativën që dy presidentët ballkanikë të vijnë dhe ta nënshkruajnë në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen përfundimtare midis tyre. Në këtë mënyrë presidenti Trump doli me rol të ri drejtues në procesin e marrëveshjes dhe me garancinë e SHBA për funksionimin.

Tani Mogherini e anashkalon alternativën ameriane dhe del me nismën për ta çuar në KS të OKB, duke hapur rrugën për një rol të ri në Ballkan të Rusisë dhe Kinës.

Ka edhe një element tjetër të rëndësishëm. Në telegramin e urimit, që presidenti amerikan Trump dërgoi me rastin përvjetorit të 11 të pavarësisë së shtetit të Kosovës, theksoi me forcë se thelbi i marrëveshjes duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Në fjalën e saj në KS të OKB, përfaqësuesja e lartë e BE për çështjet e jashtme dhe politikat e sigurisë, nuk e përmendi fare fjalën “njohje reciproke” si themel i marrëveshjes, çka don të thotë se ajo e mënjanon ose nuk e konsideron shtrimin e kësaj çështje në KS të OKB.

Së treti, ka një gjykim të gabuar edhe në qarqe politike e diplomatike në Prishtinë dhe në Tiranë se duke e dërguar në KS të OKB zgjidhet problemi i rezolutës 1244 të KS të OKB të 10 qershorit 1999. Nga pikëpamja juridike rezoluta 1244 nuk i takon Serbisë. Rezoluta vërtet flet për një lloj sovraniteti të RFJ, por RFJ ishte shtet tjetër. Rezoluta nuk e përmend në asnjë rresht emrin “Serbi” dhe çdo jurist i thjeshtë e kupton se një dokument nuk mund t’i japë pronësinë atij, që nuk e ka emrin.

Një element i rëndësishëm, që nuk e di pse harrohet nga Prishtina dhe Tirana është fakti historik se Serbia nuk ka qenë shtet anëtar i OKB në vitin 1999, kur u miratua rezoluta 1244 dhe asaj nuk i takon ndonjë e drejtë apo pretendim nga OKB. Këtë e ka vendosur me një vendim të saj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tribunali më i lartë juridik i OKB, në 15 dhjetor 2004, kur hodhi poshtë padinë e Serbisë kundër SHBA, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe vendeve të tjera të NATO-s për inkursionet ajrore të marsit 1999, dhe argumentoi se Serbia nuk ka qënë shtet anëtar i OKB në atë kohë dhe s’mund të pretendojë të drejta, që u takojnë vendeve anëtare.

Së katërti, çdo logjikë e kupton se KS i OKB nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht një noter i një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës. KS i OKB do ta vendosë në rendin e ditës dhe do të hapë debat të ripër këtë marrëveshje dhe është e natyrshme se këtu fillon nga e para përplasja e qendrimeve dhe interesave të kundërta midis anëtarëve të përhershëm të KS të OKB. Sepse në pesëshen e anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoja janë dy shtetet, që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës: Rusia dhe Kina. Kjo don të thotë se Rusia përmes shtrimit në KS të OKB hyn në lojën ballkanike dhe mund ta zgjasë në pambarim debatin dhe të sabotojë pavarësinë e Kosovës.

Nuk e di nga vjen ai optimizëm foshnjor në Prishtinë se presidenti Vladimir Putin do të pranojë symbyllur çfarë do të vendosin Beogradi dhe Prishtina. Bllofi, që luajti presidenti Putin, duke takuar dhe biseduar me presidentin e Kosovës në 11 nëntor 2018 në Paris, është një ushtrim mëngjesor për carin e rafinuar të Rusisë, që ka luajtur dhe po luan bllofe të shumta diplomatike me krerët e shteteve të fuqishme të  botës. As Prishtina, dhe madje as Beogradi, nuk kanë siguri se Moska do të pranonte marrëveshjen, që mund të arrijnë të dy palët, pa kërkuar gjë dhe pa e hedhur si kartë në bixhozin makrodiplomatik ndërkombëtar.

Gazeta e mirëinformuar ruse “Komersant” duke shkruar për një takim kokë më kokë të Putinit me Vuçiçin në Moskë në fund të vitit të kaluar, thekson se: “Vuçiç nuk e gjeti Putinin shumë dakord kur është fjala për arsyet përse Rusia duhet të mos verë veton në KS të OKB për marrëveshjen, nëse Kina realisht ve në pikëpyetje anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Interesi strategjik i Mokës nuk është zgjidhja e konfliktit të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës, sepse ai konflikt është e vetmja mënyrë për të qenë e përzier në punët e Ballkanit. Nga ana tjetër, Prishtina duhet të ketë parasysh mesazhin zyrtar, që dha në datën 4 mars 2019 zëvëndësministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko. Në një deklaratë për mediat e Shqipërisë zyrtari i lartë rus dha nga Tirana mesazhin e qartë se “Për Rusinë marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën janë çeshtje krejtësisht e brendshme e Serbisë” dhe kërkoi që marrëveshja midis tyre të dërgohet për miratim në KS të OKB.

Uroj ta kenë lexuar në Prishtinë për t’u qartësuar sesi do ta trajtojë Rusia në KS të OKB çështjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, pra si një konflikt i brendshëm brenda një shteti, njësoj si Transnistria e Moldavisë, që ka shpallur pavarësinë, por nuk e njeh kurrkush. Nuk duket se rastësisht diplomacia ruse ka rihedhur në qarkullim diplomatik tani formulën e “dy gjermanive”, të cilat u pranuan në OKB si dy shtete anëtare, por pa e njohur njera-tjetrën.

Së pesti, KS i OKB  për shkak të Rusisë ka një rekord katastrofik negativ për interesat dhe çeshtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. KS i OKB për shkak të Rusisë ka kundërshtuar të miratojë rezolutën për ndërhyrjen humanitare në Kosovë në vitin 1999 dhe po të ishte për KS të OKB, sot e kësaj ditë Kosova do të ndodhej akoma nën pushtimin serb. KS i OKB për shkak të Rusisë dështoi në vitin 2007 të miratonte planin Ahtisaari, i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB, për pavarësinë e kushtëzuar. Asnjë rekord dhe asnjë shenjë nuk të nxit për optimizëm se tani KS i OKB me Rusinë brenda do të tregohet gjeneroz dhe do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është marrëveshje dypalëshe e dy shteteve për njohjen reciproke dhe nuk ka nevojë të dërgohet në KS të OKB. Nuk është Traktat paqeje i dy shteteve, që kanë luftuar me njeri-tjetrin. Ështe naive të kërkosh nga diplomacia ndërkombëtare të bëjë tani, atë që duhej ta kishte bërë para 20 vitesh, kur duhej të organizonte një Nuremberg dhe një Potsdam për shtetin agresor, Serbinë.

Alternativat ndërkombëtare të legalizimit dhe të garantimit të një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës janë dy. Njëra është që BE ta legalizojë dhe ta garantoje marrëveshjen nëpërmjet kushtit të anëtarësimit të Serbisë në BE pasi të njohë Kosovën. Dhe e dyta, që marrëveshja përfundimtare të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë nën garancinë e presidentit amerikan dhe të SHBA.

Dhe meqë Mogherini i BE po kërkon hulli të gabuara, mbetet alternativa amerikane.

Kushtet paraprake të zgjidhjes së krizës ! Nga Romeo Gurakuqi

Ka vetem nje zgjidhje te krizes politike qe po kalon vendi yne:

Doreheqja e Kryeministrit dhe e qeverise se tij eksperimentale,

zhvleftesimi i te gjitha veprimeve te paligjshme procedurale te kryera nga mazhoranca ne kundershtim me kushtetuten,

kodin zgjedhor dhe me parimin e sovranitetit politik, pas dates 25 shkurt 2019,

thirrja e tryezes se zgjeruar te partive,

nen garancine e disa intelektualeve te spikatur,

tryeze qe do te percaktoje parimet e formimit te qeverise tranzitore,

rruget e rikthimit te legjitimitetit dhe funksionalitetit te Parlamentit,

do te percaktoje karakteristikat e kryeministrit te ri dhe kohezgjatjen e qeverise se re te tij,

e cila do te balancoje territorialisht, politikisht dhe institucionalisht shtetin qe perçudnuan rilindasit.

Ndryshe, kriza do te thellohet,

krijimi i dy pushteteve politike paralele do jete i pashmangshem,

dezintegrimi i pushtetit vendor do te jete nje vendim i pakthyeshem,

zhvillimi ne kohe i zgjedhjeve lokale praktikisht i pamundshem dhe hapja e negociatave nje enderr e dimrave te ardhshem.

Edi Rama me “dashnoret e vdekjes”,

qe e shoqerojne ate me arme kimike ne dore,

ne marrezine e qendreses kunder popullit opozitar,

mendjefyckat socialiste, qe i rrine perbri pushtetit te tij, mund te mos e kuptojne udhen ne te cilen e kane futur vendin.

Problemi eshte se ata jane pergjegjesit kryesore te situates se krijuar dhe koha e tyre nuk mund te zgjase me!

Tanime eshte e qarte, se se bashku me Edi Ramen, do te ikin te gjitha ata qe heshten, vallezuan dhe u fshehen,

kur detyra i therriste te ishin me publikun,

ne mbrojtje te institucioneve kushtetuese,

ne eliminimin e vuajtjeve dhe tensioneve,

qe prodhoi mazhoranca e zgjedhjeve te vjedhura!

Nis pelegrinazhi në Kishën e Laçit për 13 të marta radhazi

Shën Ndou iu ndihmoftë!”. Kjo është përshëndetja që i bëjnë njëri-tjetrit pelegrinët që i drejtohen kishës së Shën Ndout, në Laç.

Nga sot nisin 13 të martat, ku mijëra pelegrinë nga i gjithë vendi, të bindjeve dhe besimeve të ndryshme fetare, ngjiten në malin e shenjtë, në kishën e Shën Ndout, në shenjë sakrifice, falënderimi dhe lutjeje për t’iu plotësuar dëshirat.

Pelegrinët ngjiten në këtë mal, duke kryer gjatë të gjithë rrugës rite të ndryshme, si vendosjen e rrobave, përshkimin e shenjave të ndryshme në gurë dhe mure, ndezja e qirinjve, vizita te shpella e Shën Vlashit, si dhe marrja pjesë në meshën tradicionale që kremtohet me këtë rast.

Një rrugë vërtet e gjatë, e lartë dhe me shkallë të lodhshme, por askush nuk ankohet.

Të gjithë, pasi mbërrijnë në krye shprehen se është rruga e mrekullive, e shpresës dhe ndihmës së pritur nga shenjti dhe askush nuk ndien lodhje, përveçse harmoni.

“Turp-turp”, Lleshaj pritet me protesta në Durrës: Na ke helmuar (video)

DURRËS

Një incident ka ndodhur sot gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Durrës. Lleshaj i shoqëruar nga kreu i Policisë Ardi Veliu dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka mbërritur në Universitetin “Aleksandër Moisiu” ku është pritur me protesta nga studentët, të rinj të strukturave të Partisë Demokratike.

Në momentin që Lleshaj dhe Dako mbërritën në universitet u pritën me thirrjet “turp”, “turp”, “turp”. Dako ka hyrë brenda ndërsa ministri i Brendshëm është përballur me studentët.
Një nga të rinjtë e akuzon ministrin e se e ka helmuar me gaz lotsjellës.

Lleshaj: Çfarë do doje prej meje?
Studenti: Për çfarë keni ardhur këtu? Ju nuk ju takon me ardh në asnjë vend të Shqipërisë. Ju jeni qeveri ilegjitime. Vini këtu dhe e marrim vesh një orë më parë se po vjen ministri. Sikur është duke ardhur shërbimi sekret.
Lleshaj: Ju e caktoni ku hyj unë e ku nuk hyj unë.
Studenti: Nuk e caktojmë ne, ne duhet ta dimë.
Lleshaj: Kush jeni ju?
Studenti: Unë jam Ndrec Pjetraj qytetar i këtij vendi që ti më kë helmuar mua. Je ministri i Brendshëm, na ke helmuar me gaz.
Lleshaj: Nëse do të vish të komunikosh hajde komuniko mos fol kështu.
Studenti: Kemi komunikuar aty në shesh me lëndë kimike. Po sot çfarë do bëni, hë na thoni? Kush janë masat që do merrni? Do më arrestojnë këta shoqëruesit tuaj. Turp t’ju vijë!
Lleshaj: S’kam ardhur për këtë punë.

Debati nuk ka vijuar më gjatë por ministri është përcjellë brenda Universitetit me thirrjet “Turp, turp”.

“Ne nuk do të kemi ndarje me protestuesit. Turp, turp, turp!”, thirrën të rinjtë.

1990 – Letra që i dënuari Haxhi Baçinozi i dërgoi Nexhmije Hoxhës: Krimet tuaja s’ka sociolog dhe shkrimtar në botë që t’i përshkruajë

Haxhiu në hetuesi pas revoltës së Qafë Barit në vitin 1984 dhe letra e vitit 1990 dërguar Nexhmije Hoxhës

Nga Kastriot Dervishi

Haxhi Shefqet Baçinozi, lindur më 2.7.1957 në Fier, banues në Radostimë të Rrethit Fier, u nda dje nga jeta. Plumbat i morën jetën një prej të dënuarve politikë më qëndrestarë e më të papërkulur ndaj regjimit komunist. Në këtë çast të dhimbshëm për familjen e tij, kam dëshirë të kujtoj burgosjet dhe letrën e jashtëzakonshme drejtuar bashkëshortes së diktatorit komunist të Shqipërisë.

Haxhiu ishte efektiv i repartit ushtarak nr.4832, Poshnjë Berat, kur u arrestua më 11.8.1981. Me vendimin nr.7, datë 30.1.1982 në Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Rrethit Tiranë, u deklarua fajtor kryesisht në bazë të nenit 55 të Kodit Penal dhe u dënua me 10 burgim. Së bashku me të u dënuan edhe Agim Sula nga Tirana dhe Dashamir Lufta nga Elbasani. Gjatë vuajtjes së dënimit, për pjesëmarrje në revoltën e Qafë Barit, me vendimin nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, u dënua me 20 vjet burgim.

Më 18.2.1990 ai i dërgon një letër Nexhmije Hoxhës, asokohe drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë, në të cilët shkruan për krimet e regjimit ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre të Kosovës në veçanti. Nexhmija nuk lë shënim në letër, por Leka Shkurti, ia përcjell më 5.3.1990 zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizit. Ky i fundit kërkon të dhëna prej zëvendëskryetarit të Degës së 8-të (që mbulonte kampet dhe burgjet) të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB, Nazmi Domi. Në përgjigjen e datës 12.3.1990, Domi shkruan se qysh prej datës 17.6.1984, Baçinozi vuante dënimin në Burgun e Burrelit ku mbante “qëndrim shumë negativ”. Në fillim të vitit ishte takuar me të prokurori i përgjithshëm në burg, por edhe para tij kishte mbajtur “qëndrim të keq”. Më 23.2.1990 kishte qenë njëri prej 32 të burgosurve që shpallën grevën e urisë.

U lirua nga burgimi me dekretin nr.7471, datë 12.3.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor (nr.149 i listës), kur i kishin ngelur edhe 3 vjet nga dënimet e dhëna. Vuajti gjithsej 9 vjet, 7 muaj e 18 ditë. Mbeti gjithnjë i kthjellët si antikomunist.

***

Letra drejtuar Nexhmije Hoxhës

Znj.kryetare!

Një kosovar i dënuar në Shqipëri me burg të përjetshëm kërkon përgjigje. Quhem Haxhi Baçinozi, pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë, më hollësisht shih Enciklopedinë Shqiptare! Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981 krimi agjitacion e propagandë, paragrafi nr.55 i Kodit Penal dhe duke vuajtur dënimin në burgun skëterrë të Qaf Barit. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazia e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit nuk njeh kufi, imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitralozave dhe me këtë mora një dënim të përjetshëm e gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura dhe në mbarim të gjyqit më merret akt-akuza me dhunë nga inkuizitorët e mi, e të dhjetëra-mijëra të pafajshmëve si unë, këto ishin një e qindta e atyre që unë kam heq, e po heq aktualisht në burgun tuaj shfarosës të Burrelit.

Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj rreth një gjysëm shekulli me radhë, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizuar realitetin tragjik të këtij populli të martirizuar. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam bërë unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin.

Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetur dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar.

Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2. Mbasi nuk njeh historia që një vend të quhet shtet e të jetë i rrethuar me tela me gjemba. Ju arritët t’i shpërfytyroni shqiptarët duke i shkaktuar dëme shqiptarëve, si mund të flitni në mbrojtje të kosovarëve kur me qindra kosovarë që erdhën në Shqipërinë e pas luftës vdiqën ose u gjymtuan përjetë në kampet e burgjet shfarosëse të çifligut të burrit tuaj. Kalaja e Gjirokastrës, Maliqi, Tërbufi, Thumana, Bedeni i Kavajas, Zadrima, Bulqiza, Spaçi, Batra dhe maja e ajsbergut të krimeve, Burreli, do të kujtohen brez pas brezi si varrezat e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në këto vende pellgje gjaku kufomash e gjymtimesh. Ka arritur të hajë të vjellat e shokut i burgosuri juaj, atëherë me ç’të drejtë flet për kosovarët kur sot e kësaj dite dergjen prej 3 dekadash me dhjetëra kosovarë, një përqindje e vogël e atyre që janë shfarosur nga banda kriminale e sigurimit të shtetit, me sloganin e njohur “agjentë të UDB-së” jugosllave. E atëherë si mund të flitni për kosovarët që jetojnë në Jugosllavi, kur ju s’keni lanë krim as poshtërsi pa ju bërë e që me dhjetëra si unë na mbani hala në burg, kur në Jugosllavi asht demokracia amerikane nëse mund të bëhet krahasim me terrorin që ekziston në burgun tuaj 3 milionësh. Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai bën burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nënat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim I tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm, a mendon se nënat e motrat shqiptare këtu në Kosovë i ke veshë në të zeza, sa gra i ke lanë të veja dhe sa mijë jetimë. Për këto gjana nuk do të ketë as sociolog, as shkrimtar në glob t’i përshkruajë apo portretizojë realisht një gjenocide të tillë, që nuk njeh asnjë periudhë e historisë njerëzore. Ju kujtoj një thënie shqiptare se “met nana pa djalë, se nuk met gjak pa marrë”!

Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm.

S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me me ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni ba tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.

I dënuari politik, Haxhi Baçinozi

18 shkurt 1990

1990/Letra që i dënuari Haxhi Baçinozi i dërgoi Nexhmije Hoxhës: Krimet tuaja s’ka sociolog dhe shkrimtar në botë që t’i përshkruajë