THUAJA HËNËS
Kur ke diçka për të më thënë –
diçka që nuk të shqitet e s’e mban dot për vete,
që s’avullon si shiu e si bora nuk tretet
E ngado që të ikësh pas të ndjek këmba-këmbës.
Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!
Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,
Mos u besosh as ëngjëjve as djajve
As gurëve e sendeve reale
E s’ka njeri që të çliron nga dhembja
Dhe nga Verdikti i Akullt i së Thënës :
Prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës !
Kur s’u zë besë më as hijeve as ëndërrës
As blozës që të nxin, as borës që zbardh majave
as miqve tënd të afërt, as tezeve, as dajave
e kur e ndjen zbrazëtirën gjer te dhëmbja
dhe asnjë vinç gjigand s’mund të të ngrejë nga rënia
Thuaja Hënës – prit sa të vijë mbrëmja.
Kur ke një plagë, nën ije, që djeg sa të than pështymën
Dhe të mundon çdo çast, të zë si varri frymën;
Diçka që i ngjan tymit e mjergullës së një dite
Ku ngatërrohen lëmsh: zbavitje e cfilitje;
Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë!
Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtruese
E je shterur krejt duke besuar
Diçka që s`ia thua as vetes sate as nënës:
Trokit në Hënë! Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!
Sado e largët që të shtiret e mizantrope:
ndoshta dhe të mjekon?
Ndoshta të nxjerr nga llumi i kësaj bote?
Dhe në mos të shpëtoftë ajo,
ndoshta të merr me vete në hapësirë:
Ku në mos qofsh e lumtur,
të paktën je e lirë.
EVA
Vërtet Eva kreu Faj, me mollën e ndaluar.
Dhe e dënoi Mëkati. Po si nuk i doli kush zot:
“Të mjerën në greminë e shtyu Lugati!” Përkundrazi: E nëmin edhe sot.
E fyejnë gjer në asht! “Po të mos kishe kryer Ti (Rrospi) atë Mëkat,
Do të jetonim mot e jetë në Parajsë.
Nuk do të plakej asnjeri. Nuk do të rrudhej. Nuk do të vdiste kush.“
Dhe dënesin me gulç:
„S’do të na mungonin kurrë: buka, vera e mjalti.”
E, pa kurrfarë mërie e inati,
veshur si perandorët në mëndafsh,
njerëzit do të tundeshin e do të shkundeshin si për Dasmë.
Askush s’do të djersinte. Nuk do të çante tunele në Lamansh.
Nuk do të mbillte hiç. Nuk do të mblidhte grurë e kajzë.
S’do të pushonte kurrë Gostia në Parajsë!
Po Eva ktheu përmbys gjithçka. (Rrospia!) “Mallkuar qoftë Eva!”
Dh’ askush s’guxon ta shajë fare pak Adamin, që nuk e mbrojti hiç brinjën e vet.
(Se Eva, siç thotë Bibla, është krijuar prej brinjës së tij.)
“Adam o lumëzi!
Si e le gruan tënde në kthetrat e Satanit?”
Jo! Asnjeri nuk del dot kundër: Mirë Eva, po themi, kreu mëkat,
Po ç’faj kanë të gjitha gratë e ngrata?
“Të gjitha janë Eva!” përgjigjen tym-me-tym disa “kryeshkërdhata”.
(Siç thotë Dritëroi.) Dhe nuk guxon asnjë të ngrejë zërin lart:
“Hej Solomon Zuzar! Kurvar e Maskara!
Pse mban Ti në Pallat, gjoja se me kurorë, mbi katër mijë (4 000) gra!“
Disa bëjnë moral: “Xhadia!” Disa bëjnë trysni: “Zotni, mos harro! Eva e Keqja vetë!
Fara e të Keqes! Ferra e të Keqes! “Hija” e të Keqes! Vetë Hija!
Eva! Eva! Rrospia!”
Çirren pronarët e bordeleve dhe hoteleve farfuritëse.
Nëpër Paradat shkrepëtitëse të topmodeleve: “Eva: Mavrija!
Pangopësia. Babëzia! (Me fytyrë gruaje) Pabesia!
Eva! Eva! Eva!”…
E tërë fanatikët, uriahipët, heretikët, sheikët, klerikët e cinikët e kohërave antike e moderne
çjerrin faqet me thonj në PRESS-Konferenca. Podiume. Tendera. Kuvende.
Duma e Laguna: “Eva! Zotërinj! Ja ku na pruri mendjelehtësia e pangopësia e saj.
Na u helmua Jeta e na u nxi katran:
Eva! Eva! Eva! Eva!” Thirrrjet s’kanë të mehur.
“Zotërinj! Boll keni lehur
e keni ulurirë. Ka mijëra vjet që i shqeva veshët e mi dhe i çapëleva
nga anatemat: “Eva! Eva! Eva!”
E ku nuk iu kam parë! Zagarë të zgjebur. Boll keni lehur e boll keni sharë.
Boll iu kam dëgjuar. Qepeni. Mbylleni gojën!
Eva është Martirja e Parë! Kryengritësja e parë e Qiellit.
Rroftë Eva! Bija e vëretë e Tokës dhe e Diellit.
(Ngjizur prej ciflave të baltës e rrezeve të Agimit.)
Rroftë Eva! Rroftë Eva! Rroftë Hyjnorja Eva!
Martirja e Parë e Njerëzimit.
Rroftë Eva! Rroftë Eva! Rroftë Eva!
GOOD MORNING NIAGARA
Nëse ka vërtetë EDEN, siç thonë, ti stjuardesë bjonde vjen EKSPRES prej Parajse.
Po pse vëren e trishtuar, si hëna në akasje?
Sytë si dy Bajkalë, flokët shkarë mbi shpinë si ujvara.
Unë, sa të takoj, të puth lehtazi dorën e vrik të çuçurit te veshi si unazë:
“Good morning Niagara!”
Ti më servir diçka e buzëqesh kaq ëmbël. “Jo! S’po më deh shampanja që sa ma ke gostitur.
Por këto krrela të gjata (me ar të përshkënditur)
ku ngatërrohet dita e arratiset nata.” Vozit si blin CONCORDA
pranë U2-ve spiunë: Qiell pas e qiell përpara!
Unë të shpleks pak flokët, ul zërin dy-tri korda:
“Good morning Niagara!”
E tek të ledhatoj, rrëmbushur sytë lot, pyes si kot papritur:
“Pse buis gjethi e çel (prej shirave të buta)
kur matet lumturia me grimcat e minutave?
Pse gjithë ky qiell paskaj më ngjan posi një qenie pa kokë e pa vertebër?
Pse te kjo humbëtirë (mbushur me satelitë) unë jam krejt i shurdhër e krejt i verbër?”
CONCORDA, si gjithnjë, çan breza të pashkelur e u dërgon “mesazhe” anijeve kozmike
e alienëve të palodhur. (Qiell pas e qiell përpara!)
Ne vetëm pak minuta kemi që jemi njohur: UFO-ja ime Niagara!
„Por çka po ndodh kështu!” gati sa s’ulurij tek vërej ca si fantazma, së afërmi e së largu.
„Janë piratë modernë, sqifterë të zinj biblikë a vetë Qoftëlargu?“
E gjithë këto kopè që nuk iu dihet as rrënja e as iu dihet fara,
bubullojnë së bashku: „Good morning Niagara!“
Unë të rrok në ças e bërtas, si i krisur! “Jo! Nuk të dorëzoj!”
Ti vëren si e trallisur e humbet nëpër mjegull.
E, tek qëndron diku, aty mes reve pezull
Sa të thith përpak honi : tek unë vrik pështetesh.
Unë prap ndjej dhe një herë atë përcëllimë rrënqethëse,
që u kall varreve frikën e i fut Kozmosit tmerre:
“Kot po ia zini rrugën kësaj grenze të vogël që i thonë yjtë: “Niagara”,
ti e mban kot në mendje.” E gjëmon prap n’ETER:
“Jo! Nuk ka dallëndyshe, që bujt në strehën tënde. Dhe s’kthehet prap në Qiell!”
Vërej nga vjen shungullima: Qiell pas e qiell përpara!
“Good morning Niagara!
Good morning Niagara!”
DITA MUND TË JETË BJONDE
Dita st meteorite. Përditë!
Mund të jetë bjonde, syzezë, esmere, sykaltër.
Nginjet çdo ditë me uiski e me uthull.
Shkel tokën zbathur
e detet çan pa busull.
Tall miliardierë e liderë kokëboshë.
Nuk ka moshë!
Të kam trokitur shpesh, në xham, pa lajmëruar.
E të kam gjetur pranë dritares, si qenushkë angora. Duke më pritur.
Dashuria: Verë e bekuar!
E rrufitin plot andje Kainë e Profetë.
Pianecë të panginjur.
Dhe asketë!
Jam bërë shpesh i padukshëm e i kudogjendur.
E jam futur midis saksive për t’u gazmendur
pak me ty. Dhe kam regjistruar tërë monologjet e tua.
E kam dëgjuar se ti flet shpesh me mua.
Me zë e pa zë. Duke më sharë. Duke më nemur.
E duke më këndellur.
Flet çdo sekondë!
Dita mund të jetë esmere
E mund të jetë bjonde.
Reinach 27 nëntor 2006
KJO QENKA DASHURIA
Shih si qendis drit’e hënës shkurre e trofta t’arta.
Dhe befas mbushen muret lakra, gjembaçë e mendra.
Po vrik, si pupel e erës, nis t’i dridhet zemra.
Dhe qindra hëna shndrisin nëpër natë.
Pse po më mbush trishtim kjo xixëllonjë e vocërr
n’Hapësirën e pamatë?
Dhe dritën mbyt Hija.
Kjo qenka Dashuria!
Çelin pemët në mars. E vesojnë petalet me miliarda.
Dhe zotëron pejsazhin e kuqja dhe mustarda.
Po t’urtët gjithandej i mbledh “Çmendina”!
Rrezja s’sheh ku të shkojë e ku të kapet.
Plumbi s’të vjen nga balli. Vret nga shpina!
Tërkuzë pa fund mërzia zgjatet. Zgjatet…
Kaq shpejt vdes Dashuria!
Sado të bësh dush nën currilat e vesës.
Sado t’i lutesh Fatit e të presësh.
Sado nga ver’e ëmbël të ngjallesh e të vdesësh.
Të shuajsh mijëra yje e prap t’i ndezësh.
Sado të qash nga dhembja, Sado të qeshësh!
Botës po ia zë frymën Asfiksia.
Ky ësht’ Agimi i Purpurt?
Kjo qenka Dashuria?
Reinach 5 maj 2006
DITA E GJYSMËNATA
U njohëm një buzëmbrëmje.
Kur dita që po shkonte, çapej si me dy mendje.
Kur Zemërmiri Diell vesonte dromca të arta.
Dhe ecnin krahpërkrah, si dy të divorcuar: dita e gjysmënata…
E të rrok shpejt ndërduar. Pa të çikur!
Pa të përkitur fare as me gishta.
E nis të puth “gardhishtet” e qerpikëve. Të bukurat gardhishte!
Veshët e veckël, mjekrën, gushën. Pa të çikur hiç me buzë!
E t’i puth prap tërë dritaret e poreve nëpër trup.
Dhe të rrok fort!
Pa të prekur asnjë qime! E të ngre hop!
mbi sup.
Me një afsh të pashuar si i shkallë! Sa filloj të ndjej turp,
nga sytë e udhëtarëve.
E nga ferrakët “kureshtarë” prapa xhameve.
E të rrëmbej sërish pa të prekur. As me duart e mia.
As me duart e pemëve.
E dua të të përpij krejt: pa u frenuar prej dilemave.
Përpara se të të thithë pluhuri i rrugëve.
Pa të çikur hiç. Pa të prekur!
E ndoshta do të kisha vdekur
që dy mijë vjet të shkuar
Tok me kartagjenasit e uritur nën embargo,
Po të mos e kishte premtuar rasti këtë Takim Hyjnor
Në hekurudhën Romë-Palermo-Milano.
O DASHURIA IME
Ma grin ballin betoni posi sharrë mes kësaj Akullnaje,
Tre turne rresht pa u ndarë nga puna!
Thith Diga papushuar çimento me mauna. Gati na thith dhe neve.
Gjymtyrët i lëvizim si robotë…
O Dashuria ime Ti ç’lyp tjetër nga unë?
Shih si na ngjiten pas betonit duart
E çimentohen nëpër qerpikët lotët!
Mbi një Digë betoni gdhend fjalët që më thua.
O Dashuria ime e ç’lyp tjetër nga unë?
Me Dashuri e zbutëm dhe Dimrin e fortë
Kur na përplaste gërxheve si konserva bosh era.
Kur e gdhinim mëngjezin 30 gradë nënzero!
O Dashuria ime e ç’lyp tjetër prej meje?
Nuk di si ngelëm gjallë dhe nuk u betonuam.
Nuk di qysh dhe në Ferr Jeta s’u meh ndër deje.
Shume bukur!