VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Po kush s’ju njeh ju?”, dëshmia e Dom Gjergj Simonit: Si i gjeti Sigurimi dokumentet Arqipeshkvisë së Shkodrës që i groposa në oborrin e shtëpisë

By | October 8, 2019

Komentet

Paris-presse (1953) – Karikaturat për Enver Hoxhën nga humoristët klandestinë shqiptarë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Tetor 2019

 

“Paris-presse” ka botuar, të premten e 20 marsit 1953, në faqen n°4, karikaturat për Enver Hoxhën nga humoristët klandestinë shqiptarë, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Enver Hoxha në shënjestrën e humoristëve klandestinë shqiptarë

 

Partizanët që morën armët në Shqipëri kundra regjimit rusofil të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut kanë disa humoristë në mesin e tyre. Këtë e dëshmon koleksioni i gazetave klandestine të mbledhura nga i dërguari ynë special Jean-François Devay gjatë reportazhit të tij mbi kufijtë shqiptarë.

 

Këto tre vizatime, që vënë në shënjestër Enver Hoxhën, u botuan në “Flamurin e Liris”, organ i qeverisë qendrore shqiptare, i formuar në Jugosllavi nga kundërshtarët titoistë (titistë) të Enver Hoxhës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(1) Enver Hoxha përçmohet nga zotët e tij rusë, të cilët e qortojnë për zhytjen e vendit të tij në skllavëri. Ata luajnë me letrat e bixhozit fatin e vendit të tij dhe i lënë atij në dorë vetëm një lodër fëmije.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(2) Enver Hoxha udhëheq, me kamxhikun në dorë, në Tiranë, por pas tij qëndron hija e Stalinit.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(3) Enver Hoxha mban një fjalim por ai është vetëm zëdhënësi i Moskës.

PËRVJETORI I LUMNIMIT: NËNË TEREZA NA KUJTON DASHURINË PËR NJERIUN – Bisedë simbolike me Shën Nënë Terezën

19 tetor 2003: Kaluan kaq vjet nga dita kur Nënë Tereza u lartua në nderimet e elterit. Po ç’gjë të jashtzakonshme ka bërë Nënë Tereza, që vijojmë ta kujtojmë, e jo vetëm në data përkujtimore?

Njihet nga të gjithë përgjigja e saj: “Ajo që bëjmë ne, është një pikë ujë e hedhur në oqean, por në se nuk do ta bënim, oqeani do të kishte një pikë ujë më pak”.
E në një rast tjetër pati thënë: “Po unë s’kam bërë asgjë të jashtzakonshme; vetëm kam ndjekur këshillën e sim mëje (nënës sime) që më thoshte: “Shtrëngoja fort dorën Zotit e mos ia lësho më kurrë”.

Dashuria e pakufishme për të varfërit e tokës, në fytyrat e të cilëve shikonte Jezusin e munduar, e ngriti Nënë Terezën në lartësi të papërfytyrueshme në rrugët e hirit e në kujtesën universale të historisë, me të cilën Motra shqiptare vijon të komunikojë, nga qielli. Prej këndej, biseda jonë jo e zakonshme me Nënë Terezën, në dhjetëvjetorin e lumnimit të Saj (1):

Pyetje: – Po e fillojmë këtë bisedë simbolike me Ju, Nënë, sepse, si besimtarë, e dimë mirë sa vlerë ka komunikimi shpirtëror, sa ngushëllon, sa zell e dëshira ngjall….

Po e nisim, prandaj, duke ju kërkuar të na thoni dy fjalë për vetveten:

Përgjigje: – Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.

Pyetje: – Tipari shpirtëror i apostullimit tuaj?

Përgjigje: – Njëjtësimi me të varfërit! Në se nuk vuajmë, puna jonë do t’i ngjiste asaj të një asistenteje sociale; do të ishte e mirë dhe e frytshme, por jo vepër e Jezu Krishtit, e aq më pak pjesë e Shëlbimit. Jezusi ka dashur të na ndihmojë duke na bërë të marrim pjesë në jetën e tij, në vetminë e tij, në agoninë e në vdekjen e tij. E mori gjithçka mbi vete dhe e mbarti në natën më të errët. Duke u bërë një gjë e vetme me ne, na shpërblei. Edhe ne mund ta bëjmë të njëjtën gjë. Gjithë vuajtja e të varfërve, e jo vetëm varfëria materiale, por edhe mjerimi shpirtëror, duhet shëlbuar; e unë u thirra të marr pjesë në këtë mision…. Të ndaj vuajtjet me të varfërit, sepse vetëm duke u bërë një gjë e vetme me ta, mund t’i shëlbojmë, të çojmë Zotin në jetën e tyre e t’i udhëheqim ata tek Zoti.

Pyetje: – Ç’kuptim kanë veprat e dashurisë?

Përgjigje: – Veprat e dashurisë janë vepra paqeje e fryti i shërbimit, është paqja. Atyre që kërkonin shpjegime për veprimtarinë time e të motrave të mia u kam dhënë gjithnjë përgjigjen: “Come and See”(Eja e shiko). Ka shumë rëndësi t’u japim zemër të krishterëve e jo të krishterëve, që të kryejnë vepra dashurie. Sepse çdo vepër dashurie, e bërë me gjithë zemër, i merr njerëzit për dore e i çon më pranë Zotit.
Veprat e dashurisë janë gjithnjë vepra të paqes. “Com and See! Jo fjalë, po vepra”.

Pyetje: – Kush janë ata, që vijojnë të mblidhen rreth sofrës bujare të shtëpive Tuaja në të katër anët e botës?

Përgjigje: – Janë me qindra. Qindra të varfër, të raskapitur, të dëshpëruar…

Pyetje: – Po nga vjen të sofrat tuaja gjithë ky ushqim? Kush jua siguron?

Përgjigje: – Provania! Motrat punojmë për sot, pa e ditur fare ç’do t’u japin për të ngrënë të nesërmen të varfërve. E çdo ditë del dikush e sjell papritur e pa kujtuar atë, që u nevojitet. Prandaj, mos kij frikë për të nesërmen! Beso në Provaninë hyjnore! Pikërisht besimi në Provaninë Hyjnore, në sa flijohesh vullnetarisht, davarit çdo ankth dhe e mbush zemrën me gëzim. E gëzimi është dashuri, pasojë logjike e zemrës së kallur flakë nga dashuria!
Gëzimi është nevojë e forcë fizike. Kandili ynë do të ndizet e do të ndriçojë, veç nëse e mbushim plot me vepra dashurie!

Pyetje: – Flitet shpesh për revolucionin, si rrugë që ia ndërron faqen botës, plot konflikte, padrejtësi, mjerim. Mendimi juaj?

Përgjigje: – Nëse nganjëherë të varfërit vdesin nga uria, kjo nuk do të thotë se i ka harruar Zoti, por se ne nuk ishim mjet dashurie në duart e tij, për t’i ushqyer e për t’i veshur, sepse nuk e njohëm Krishtin, kur erdhi përsëri mes nesh, me pamjen e njeriut të uritur, të zhveshur, njeriut të vetmuar, të fëmijës së braktisur, në kërkim të një strehe.
Kur Krishti tha: “Pata uri e më dhatë të ha”, nuk mendonte vetëm për mungesën e bukës, por më shumë për mungesën e dashurisë. Kujtonte urinë e përjetshme të njeriut për një përkëdhelje, për një fjalë të mirë, për një urim, për një buzëqeshje.
Edhe Krishti i vetmuar e provoi këtë uri. Çdo njeri që ndodhet në një gjendje të tillë, i përngjet Krishtit në vetmi; e kjo është pjesa më e hidhur e jetës, uria e vërtetë. Është jeta shpirtërore ajo, që duhet të pësojë revolucionin të vërtetë.

Pyetje: – Këto ditë, kur qindra njerëz gjejnë vdekjen në përpjekjen për t’u larguar nga vendet e varfëra, në kërkim të një jete më të mirë, flitet shumë për perëndimin e pasur…

Përgjigje: – Vijoj të jetoj shpirtërisht pranë botës, gjithë botës dhe shikoj se ka ende shumë dhimbje. Prej këndej, e ndjej se mundimet e Krishtit rijetohen përsëri kudo, e i ndaj me të gjithë këto mundime, këtë dhembje. Në mbarë botën e jo vetëm në vendet e varfëra. E kjo, nga që mendoj se është shumë më vështirë ta zhdukësh varfërinë e botës së pasur perëndimore, se atë të botës së varfër. Kur e marr një njeri nga rruga, të uritur për vdekje, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Ia kam shuar urinë, që e grin. Po njeriun, që është zhytur në heshtje, që ndjehet i vetmuar, i harruar… Ky është i varfëri i perëndimit. Më i varfër nga të gjithë!

Pyetje: – E tani, një breshëri pyetjesh, që prekin të gjitha kordat e zemrës njerëzore, duke nisur nga e përditshmja. Cila është dita më e bukur?
Përgjigje: – E Sotmja.
Pyetje: – Pengesa më e madhe?
Përgjigje: – Frika.
Pyetje: – Gjëja më e lehtë?
Përgjigje: – Të gabosh.
Pyetje: – Gabimi më i madh?
Përgjigje: – Të heqësh dorë.
Pyetje: – Rrënja e gjitha të zezave?
Përgjigje: – Egoizmi.
Pyetje: – Dëfrimi më i këndshëm?
Përgjigje: – Puna.
Pyetje: – Disfata më e tmerrshme?
Përgjigje: – Të të lëshojë zemra.
Pyetje: – Profesionistët më të mirë?
Përgjigje: – Fëmijët.
Pyetje: – Nevoja e parë?
Përgjigje: – Komunikimi.
Pyetje: – Lumturia më e madhe?
Përgjigje: – Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Pyetje: – Misteri më i thellë?
Përgjigje: – Vdekja.
Pyetje: – E meta më e madhe?
Përgjigje: – Zymtia.
Pyetje: – Njeriu më i rrezikshëm?
Përgjigje: – Gënjeshtari.
Pyetje: – Ndjenja më dërmuese?
Përgjigje: – Brerja e ndërgjegjes.
Pyetje: – Dhurata më e bukur?
Përgjigje: – Falja.
Pyetje: – Ç’gjë është e pazëvendësueshme?
Përgjigje: – Familja.
Pyetje: – Shtegu më i mirë?
Përgjigje: – Ai i drejti.
Pyetje: – Ndjesia më e këndshme?
Përgjigje: – Paqja e shpirtit.
Pyetje: – Mikpritja më e dëshiruar?
Përgjigje: – Buzëqeshja.
Pyetje: – Ilaçi më i vlefshëm?
Përgjigje: – Optimizmi.
Pyetje: – Kënaqësia më e madhe?
Përgjigje: – Detyra e kryer.
Pyetje: – Forca që tund malet?
Përgjigje: – Feja.
Pyetje: – Njerëzit më të nevojshëm?
Përgjigje: – Meshtarët.
Pyetje: – Më e bukura gjë në botë?
Përgjigje: – Dashuria!

Pyetje: – Ç’dëshironi ju në këto çaste, nësa e sodisni botën, me të varfër e të pasur, nga shtëpia e Atit?

Përgjigje:- Dëshiroj me gjithë shpirt ta ndez dritën e dashurisë së Krishtit në zemrën e çdo krijese. Hyji na dashuron e vijon të na përdorë, mua e ty, për të ndezur dritën e dashurisë së Tij në botë. Lëre jetën tënde të ndriçohet nga vërtetësia e Tij, kështu që Zoti të vijojë ta dashurojë botën përmes nesh. Mundohu me gjithë zemër të bëhesh dritë e shkëlqyer.

Pyetje: – Rrezatuat e rrezatoni gjithnjë gëzim… Në çastet më të vështira, buzëqeshja Juaj bëhej gjithnjë më e ndritshme. A mund të na mësoni edhe ne të buzëqeshim? Nga buron ai buzagaz, që vijon ta çudisë botën?

Përgjigje: – Vendosa të bëhem “apostulle e gëzimit” dhe ta përhap erën e mirë të haresë së Krishtit kudo që shkoja. Dashuria ime për Zotin ishte aq e madhe, sa nuk doja tjetër, veç të rrokja kryqin, e ta rrokja me gëzim. Sepse desha të bëhem apostulle e gëzimit e ta ngushëlloj Zemrën e Krishtit me gëzimin tim. Vendosa, kështu, t’i buzëqesh Jezusit sa herë që Ai të merrte diçka prej meje. E t’i dhuroj, si shkëmbim, një buzëqeshje të dalë nga zemra, duke e falënderuar që ai e merr mundimin të përkulet endè për të marrë diçka nga unë.

Përfundim

Në botën e sotme, Nënë Tereza është bërë simbol i dashurisë së Zotit. Përmes saj Zoti i ka folur zemrës të të gjithëve për dashurinë e tij të thellë, për etjen e dashurisë ndaj njerëzimit, për dëshirën e zjarrtë që të duhet edhe ai nga të gjithë. Kjo bisedë e shkurtër kishte për qëllim të zbulojë vetëm disa nga aspektet, përmes të cilave mund ta shpjegojmë ndikimin e jashtzakonshëm të Nënë Terezës në botë. Kushti i saj i 1942-shit shpreh dashurinë e madhe për Zotin, tregon se ajo ishte lëshuar plotësisht në duart e tij e se ai mund të bënte ç’të donte me të; ishte ky kusht që ia përgatiti rrugën për thirrjen e re të 1946-tës, kur Krishti e thirri drejtpërdrejtë t’ia shuante etjen e Tij për dashuri e për shpirtrat njerëzore, duke e udhëhequr kah të varfërit e duke i çuar të varfërit në prehër të saj. Nënë Tereza e pranoi me gjithë zemër e me gëzim thirrjen e re. Vetëm pak njerëz e patën marrë vesh se shpirti i saj ishte zhytur në errësirë e se ajo e pranoi pa ngurrim edhe terrin, për dashuri të Zotit e të njerëzve të panumërt që, përmes saj, prekën mëshirën e tij. Këto tri karakteristika të jetës shpirtërore të Nënë Terezës – kushti për të mos e kundërshtuar kurrë e për asgjë Zotin, përvoja mistike në kohën e frymëzimit dhe errësira e vazhdueshme shpirtërore – zbulojnë thellësitë e një shenjtërie të panjohur më parë dhe e radhisin ndërmjet mistikëve të mëdhenj të Kishës.

(1)Kujtojmë, në fund të kësaj bisede, se përgjigjet, dalë nga vetë goja e Nënë Terezës, u mblodhën duke shfletuar botime të ndryshme, kushtuar së Lumes Shqiptare prej njerëzve të Kishës e të botës, që patën fatin ta takonin, në të katër anët e Planetit.
(Radio Vatikani)

ME RASTIN E PËRVJETORIT TË LUMNIMIT TË NËNË TEREZËS: PAPA GJON PALI II PËR NËNË TEREZËN

Shën Gjon Pali II, që e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e ka quajtur “dhuratë e Zotit për Kishën e për botën”, për t’u kujtuar kështu të gjithëve epërsinë e dashurisë ungjillore, posaçërisht kur kjo dashuri gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të poshtruarit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Po kujtojmë vetëm disa nga vlerësimet e Shën Gjon Pali II për Bijën e Madhe të shqiptarëve:

“Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtzakonshëm i misionit të heshur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur.

Në fytyrat e të mjerëve, pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të dihasë: “Kam etje!”.

E ajo iu përgjigj kësaj dihame, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Zotit, duke ia dhuruar vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që vdisnin rrugash.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

Dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes – deri në grahmën e fundit.

Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke u lutur që ta marrë shpërblimin e merituar në mbretërinë e Hyjit.

Uroj që shembulli shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës të jetë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”.
(Radio Vatikani)

Si e mori Italia vendimin për pushtimin e Shqipërisë – LETËRKËMBIM – MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

Bolzano, me 24 kallnduer 1951

I dashtuni Mik,
Pardje e mora letren tande shkrue me 18. Të falem nderës për pergjegje qi m’i dhae pvetjeve të mija të ndryshme. Auktori i librit për të cilin të shkrova thirret Richard Busch-Zantner e libri i tij titullohet: ALBANIEN neues Land im Imperium. Âsht shtypë në Leipzig në vj. 1939 e në mâ se 200 faqe difton historín shqiptare moderne prej vj. 1912 deri në hymjen e italjanvet në Shqypní. Në të njajtin liber thohet edhe se Zogu i pat lypë Italís ushtarë. Qe teksi i librit me fjalë tedeshke:
“Ende März und Anfang April jagten sich nun die Ereignisse von Tag zu Tag, nahezu von Stunde zu Stunde. Am 8. März 1939 schlug Zogu von sich aus eine, Vertiefung des italienisch-albanischen Militärbündnisses (also des zweiten Tiranavertrages) vor, Italien war damit grundsätzlich einverstanden. Am 20. März trat jedoch unewarteterweise Zogu an Italien mit der Bitte heran, ihm italienische Truppen zur Verfügung zu stellen, um, wie es hieß, beunruhigte albanische Gebiete zu sichern. Italien war über dieses Ansinnen zwar mißtrauisch geworden, brach aber die Verhandlungen nicht ab, sondern legte nun seinerseits einen Vertragsentwurf vor, der, aber, wie ausdrücklich festgestellt werden muß, keine ultimativen Formen angenommen hatte. Die albanischen Gesandtschaften in London und Paris heben noch am 5. April selbst dementiert, daß Albanien unter italienischen Druck verhandle. Inzwischen hatte Zef Serreqi, der als Vertrauensmann Zogus den Gesandtschaftsposten in Rom bezoget hatte, seine Demission eingereicht und diesse damit begründet, daß er es nicht verantworten könne, einer Mission zu dienen, die den Lebensinteressen des albanischen Volkes viderspreche und die italiennisch=albanischen Beziehungen gröblich verletze. Italien erfuhr in letzter Stunde, daß die von Zogu erbetenen Truppen zu einem Handstreich auf Kosowo Verwendung finden sollten, und lehnte im Bewußtsein der Tragweite dieses Planes jede Unterstützung ab.”
Prej ktij libri po marr edhe pyetjen qi po Të bâj kso here. Auktori pohon se “qandrra revolucjonare e zhöntyrqizmës po paska kenë në tokë shqyptare (Shqypní etnike). Me kryengritjen e garnizonave të Monastirit e të Resna po paska fillue revolucjoni zhöntyrk”. Libri në fjalë thotë se “edhe kemalizmi po na kenka nji produkt i revolucjonit zhöntyrk”. Kemal Pasha e ka pasë baben shqyptár ( e nanen çfutneshë – thotë ky liber). Në liber numrohen emna të permendun Shqyptarësh qi po paskan pasë luejtë nji rol të madh në politiken e Tyrkís në kohën e lëvizjes zhöntyrke. Ferid Pashë Vlora (Großweiser) po paska pasë kenë: “Vorsitzender der mazedonischen Reformkommission und damit in engster Tuchfühlung mit den mazedonischen Verknüpfungen der jungtürkischen Revolution. Niazi Bey, der am 23. Juli 1908 in Resna mit der Revolution begann, war ebenso Albaner, wie der große panturanische Romantiker Enver bey (später Pascha), der einer aus Dibra und Istanbul ausgwanderten Familie entstammte. Die später so wichtige Garnison in Saloniki stand unter Befehl Ali Riza Pascha Kolonias, und die drei in den ersten Tagen Albaniens schon wichtigen Männer Essad Pascha, Ismail Kemal Bey und Mufid Bey Libohova waren Deputierte des jungtürkischen Parlaments”. – Shka thue Ti per të tana kto pohime? M’ intereson sa s’ka me m’a skjarue ket pikë sa mâ gjanë e mirë. E ket herë nuk po të baj pyetje tjeter pse m’ a merr mendja, se do të késh shka me thânë boll per shka sypri.
Sa per kalimin t’em pertej Atlantikut nuk kam shka tham mâ teper se Të pata shkrue në letren e perparshme. Sá me shkue andej nuk âsht vshtirë, si t’a pata spjegue në leter. Me gjithkta me i rá mohit Shqypnís pá pasë shpresë se mund të punoj per te as me trú, as me fjalë, as me kurrgja tjeter, posë se me zemer, âsht bajagi vshtirë. Kjo âsht arsyeja, pse mue nuk më mbushet mendja ashtu kollaj me lanë Europen. Frigë kam boll edhe vetë, po t’ ishem i sugurtë se fillon lufta. Mue më rren mendja se Rust nuk e fillojn luften. Massaryk – ai i vjetri – thotë dikund se Rusija në tanë historín e vet kurrnjiherë nuk ka fillue nji luftë. Duhet me kenë Gjerman per me pasë guximin me fillue nji luftë. E kta më duket se rust, e pergjithsisht Slavt, nuk e kanë. Me fjalë tjera, ata janë “vigliacchi”. Por kúr t’a pleqnojë njeri punën me kadalí, mâ mirë mos me e fillue luftën kurr, se me e fillue e me e bjerrë. Kta nuk don me thânë se lufta nuk do të fillojë kurr. Mundet me kenë se Amerikant i a fillojnë heret a vonë. Tash âsht kah flitet e shkruehet nder fletore se po duen me gatue zonën alpine e Pirenejt per me u ritirue në rasë se ushtrija ruse zapton fushen nord-europjane. Po të mujshem me lanë Europen me pare të mija, pa u lidhë me kurrkendin, atëherë nuk do të kishem me pritë teper gját me lanë Europen. Por ku janë Mecenatt qi i paguejnë njanit rrugen? Po t’ishem vetë i lirë n’Amerikë, at herë po se do të mujshem edhe atje me punue mâ shum se n’ Europë, e sidomos ktu ku jam. Do të kishem me punue “me trû, me fjalë e me zemer”, e ktu ku jam tash gati pesë vjet, shi per ket arsye nuk jam kondend, pse nuk mundem me punue si lypet per atdhé t’emin. Shka më vien mue se po u baj shkollë fmijve tedeshk të Bolzanos? Se po marr nji fije praktikë për mâ vonë me msue në Shqypní, âsht dishka, por teper pak.
Per tash njiherë nuk po e çoj mâ gját, pse nuk po më del as kohë me vijue, me gjithse letra e ka edhe do vend.
Shum shndet e të mira Të dergon
Miku i yt
P. P. Margjokaj O.F.M.

Ramleh (Aleksandrí), 21. 3. 1951

I dashuni mik,
Besoj se s’e kam lânë ndonji herë me shkue kaqë gjatë pa i u përgjegjun nji letrës s’Ate. Gati dy muej! Pata nxjerrë prej saj atë tekstin gjermanisht e i a pata dhânë Mbretit me qëllim qi t’a nxêjshem të vërtetën shi prej burimit. Ai, si e lexoi, më tha se do të rëmonte n’arqivë të tij për të nxjerrë kopjet e dokumentave qi i përkitshin asaj çâshtjeje. Shkuen dit e shkuen javë, por gjâ nuk duel. Pra shkaku kryesuer i ksaj vonese ka qênë ky. Tash i a mbërrînë edhe Pashkët, qi po T’i uroj me gjithë zêmër, e un po i përgjigjem pyetjes s’ Ate dhe nji herë ashtu si e dij vetë, pa dokumenta.
Prej ditarit të Cianos tri vllimesh del shqip e rrumbullak qi qeverija fashiste kishte damë premas qyshë nja motmot para kohës në të cilën ndodhi (datat i ka të gjitha ditari në fjalë), qi t’a pushtonte e t’a aneksonte Shqipnín. Pritte vetëm rasën e voliçme. Këtê i a dha pushtim’i Çeko-Slovakís. Të tâna traktativat e saja me Tiranën prej gjysës së dytë të marsit e deri me 7 prill 1939 s’kanë qênë veçse manovra taktike. Kjo krejt esenca e punës. Në qoftë se botim’i veprës gjermanishte qi keni në dorë ka ndodhun mbas atij të Ditarit të Cianos, auktorin e saj do t’a cilsojshim pa tjetër për nji “scribacchino” qi pretendon me shkrue historí tue u pështetun vetëm mbi kronika gazetare. “Am 8. März 1939 schlug Zogu von sich aus eine Vertiefung des italienisch-albanischen Militärbündnisses…” , shkruen Auktori, tue dhânë përshtypjen e verigës së parë të vargut të faktevet qi përfunduen me tragjedín e 7 prillit. Roma i kishte fillue shtrëngimet e saja mbi Zogun shumë mâ para për të krijue nji gjêndje qi t’i shërbente për qëllimin e fundit të vetin. Atë “Vertiefung” të traktatit të Tiranës s’âsht Zogu qi e ka kërkue “von sich”, por âsht Italija qi e ka proponue e Zogu pranue me hymë në bisedime për të pamë se ku po dojshin me dalë Italjanët. Këta dojshin me vûmë në disa vise të Shqipnís garnizonet e tyne, kujtoj gjithsej nja dy divizjone, tue shtîmë si shkak gjêndjen e turbullt t’Evropës e detyrimet qi i rridhshin Italís faqe Shqipnís prej traktatit në fjalë; por në të vërtetë për të pasun atje në vênt nji fuqí ushtarake kur t’i vêjshin Mbretit aut-aut -in me pranue protektoratin italjan të sankcjonuem me nji traktat (sikur bâni Hitleri me atë presidentin çek, Hacha a ç’e quejshin), ase me shkue. Zogu s’pranoi ushtrí italjane në Shqipní. Pra kjo pjesë e pohimeve t’auktorit gjerman âsht krejt e gabueme ase e mêngut. Duket si nji versjon fashist për t’a paraqitun Mbretin e Shqiptarvet si nji aventurjer qi donte me turbullue paqën balkanike për ambicje personale e kombtare tue komprometue edhe Italín. Kjo âsht bindj’e ime me sa kam lexue e bisedue edhe me Mbretin e tjerë. Dhe besoj qi dokumentat e botuem e të pabotuem t’arqivës italjane do t’a vërtetojnë këtë thesën t’eme. Do t’ishte nji propagandë e mirë, ndonse demagogjike, për Zogun me thânë se desh me çlirue Kosovën, qoftë edhe me ushtrí italjane, mbasi vetëm me Shqiptarë s’mujte, por s’i përgjigjet aspak së vërtetës.
Po T’i përgjigjem pyetjes së dytë, por shkurt e jo “sa mâ gjatë e mâ mirë”, si thue Ti. Besa për mirë do të mundohem me aqë sa dij, por për me dashun e me shkurrue (esaurire, kështu Kristoforidhi; un kujtoj – ye) gjithë rolin e Shqiptarvet në revolucjonin tyrk të 1908-s, kishte me qênë nevoja me shkrue nji librec e me pasun elementa të sigurtë në dorë, sidomos për sa u përket personavet.
Ai revolucjon i ka rrânjët në nji komitet të fshehtë të formuem në Selanik në shtatorin e 1906-s. Ishin shumë vjet përpara revolucjonarë tyrq përjashta, sidomos në Paris; por Komitet’ i Selanikut qe spontan e jo vepra e tyne direkte. Mundet qi indirekt të ketë ndihmue edhe propaganda e tyne, por faktorin kryesuer psykologjik e përbânte atmosfera e padurueshme e regjimit të vjetër. Kjo atmosferë i frymzoi patrijotët tyrq qi formuen komitetin. Këta ishin 10 vetë, oficera, nëpunsa e parí të Selanikut. I a ngjitën emnin organizatës së tyne “Shoqnija Othomane e Lirís”, përkthyem fjalë për fjalë prej tyrqishtes. Ndër ta s’më resulton asnjâni shqiptar. Këtë ndodhí të rândsishme e muer vesht grup’i refugjatvet tyrq qi gjindej në Paris e qi kishte për prinjës Ahmet Rizán. Këta të fundit çuen e u proponuen të parvet bashkpunim, qi u pranue. Emn’i organizatës u bâ “Shoqnija Othomane e Bashkimit e e Përparimit”. Komiteti i Selanikut filloi me i shtrimë degat e veta edhe ndër viset tjera të Rumelís (të Tyrqís s’ Evropës), e sidomos në vilajetin e Kosovës, tue fillue prej Shkupit. Këtu u formue nji degë provincore prej 12 vetësh, ndër të cilët Shqiptar i njohun ishte vetëm Nexhib Draga. Edhe këta ishin gati të gjithë oficera e nëpunsa. Emnat e tyne i kam, por pa fé shënimi kombsije. Revolucjoni filloi me daljen në mal të Kapidanit I-Njaziut me kompanjín e vet. (Por kapërceva : duhej të shtojshem mâ parë se në këtë shoqní kishin marrë pjesë – jo në komitet – posë Njaziut edhe Enveri e Mustafa Kemali, të dy prej Selaniku.) Nji atentat kundra nji oficeri hamidist në Selanik, vrasa e Shemsi Pashë Boshnjakut në Monastir, kur po nisej për ndjekje kundra Njaziut me shokë, e kishin elektrizue ajrín tejet. Por grushtin e vdekës i a dhanë regjimit hamidian Shqiptarët e Kosovës pa dashun e pa dijtun. Afër Ferizajve (Ferizoviq) kishin fillue pushtetet e vêndit me përgatitun nji shesh e nji farë amfitheatri me dërrasa rreth e përqark për nji piknik të nxânsave të Shkupit. Shqiptarët qi banojshin rreth andej pari haprrojnë sŷt si njerzit e egjër qi çuditen e trêmben nga çdo gjâ qi s’e kuptojnë. Shka po bâhej aty? Sigurisht jo nji gjâ e mirë! Ndonji qëllim të zí kishte ndër mênd qeverija… Lajmi derdhet si rrufeja në nji qark të gjânë të Kosovës. Shkëputen gjindja gjithkah, natyrisht t’armatosun, e grumbullohen tufë-tufë n’atë vênd. Agjentat e komitetit revolucjonar të Selanikut, qi mbrênda dý vjeç i kishte përhapun degat e veta ndër gjithë qytetet e Kosovës, punojnë me tânë fuqín e tyne, trillojnë ç’u vjen ndër mênd për të nxitun fantazín e Kosovarvet. Në pak kohë prej gjithë viseve të Kosovës mblidhen në fushë të Ferizajve me mija burrash, âsht thânë e shkrue nja 30000 vetë. Krenët e agjentat e Revolucjonit, Tyrq e Shqiptarë intelektualë, si Nexhib Draga, prej zyrës telegrafike të Ferizajvet, i kërcnohen Stambollit se tridhetëmijë burra të Kosovës me pushkë në dorë, po lypshin shpalljen e zbatimin e Konstitucjonit. Telegrafa të këtila dërgohen edhe nga Selaniku, Shkupi, Monastiri e ndoshta edhe prej ndonji qyteti tjetër. Mbledhjen e Ferizoviqit, atentatet e krejt trazimtarín e atyne ditve Stambolli i lidh bashkë e Sulltan Hamidi e sheh thronin e jetën e vet në rrezik. Me 23 korrik 1908 shpallet Konstitucjoni, hurrijeti, lirija.
Njaziu ishte nga Resnja. Shqiptar? Ndoshta. Ç’gjuhë flitte familj’e tij? Nuk e dij. Sigurisht shqip ase tyrqisht. Neve shqiptarve të rij t’asaj kohe na pëlqente t’a quejshim shqiptar, si të gjithë banorët e “katër vilajetevet”: Shkodër, Kosovë, Monastir e Janinë. Por ai vetë kurrë s’e shpalli veten ndryshe, as me shkrim as me gojë, veçse othoman, e kah s’ thonte tyrk, duket se e dinte dhe vetë qi s’ishte i këtilë.
Enveri, i dyti fatos i atij revolucjoni, ndonse i pari për inteligjencë e veprimtarí, ishte prej Stambolli. A ka pasë ndonji rremb shqiptar prej nânet a babet, haram se e dij. Edhe për Mustafa Kemalin âsht thânë e shkrue se ka qênë gjakut shqiptar. Mundet, por un s’jam i sigurtë për me e vërtetue. Ferid Pashë Vlora s’ka luejtun asnji rol shqiptar para revolucjonit të Tyrqve të Rij. Edhe mbrapa fort pak. Ka qênë besnik i Abdyl-Hamidit deri në fund e prandej as me Tyrqit e Rij s’ka pasun asnji lidhje. Esad Toptani âsht krejt e vërtetë qi shkoi në parlamentin tyrk si deputet i partís së komitetit revolucjonar, qi bánte, edhe ajo, emnin Bashkim e Përparim, dhe vonë âsht damë prej ksaj; por gjithaqë rrenë âsht ky pohim për Ismail-Kemal Vlorën e Mufid Libohovën, të cilët kanë shkue në parlament si deputetën shqiptarë e kanë pruejtun të drejtat e Shqipnís qyshë prej ditës së parë e deri në fund. Ismail Kemali edhe i arratisun n’ Evropë në kohën e Sulltan Hamidit s’ka bashkpunue me Tyrqit, por ka punue për autonomín e Shqipnís. Gjenerala si Ali Pashë Kolonjën e nji të vëllán, Shqipnija i ka dhânë Tyrqís nji vistër të gjatë, por as ata dy vllazën s’kanë marrë pjesë në revolucjonin e Tyrqvet të Rij.
Për luftën jam edhe un me Tý, qi s’e kemi të shpejtë. Por s’do t’ ishem kurrë me Tý për me të thânë se edhe në pastë ase kur të ketë me plasun, mâ mirë Të gjêjë n’ Evropë se në nji kuvênd t’Amerikës! Këta s’m’a thotë as zêmra as mêndja.
Të më falish qi T’a vonova këtë përgjegje. E urimeve të mija për Pashkë po u shtoj edhe ato të përhershmet për të gjithë të mirat e Zotit.

MKruja

P. S. Nji mik qi ka qênë në Shqipní në 39-n e ka ikun së bashku me Mbretin m’erdh për nji vizitë e më gjet tue mbarue këtë letër. “Nji rasë e mirë” thashë me mênd, edhe e pyeta përsa i përket garnizonevet italjane në Shqipní. Më tha kështu: “Tek e mbramja, siç kam pasë ndie un, Mbreti e pat pranue nji numër të kufizuem ushtrije italjane në Shqipní; por me kusht qi kjo të përqendrohej n’ato pika qi t’i caktonte ai, në Burrel p.sh.”. Mund të jetë edhe kështu. Por ti mos le pa i gjetun e lexue Ditaret e Cianos edhe atë librin tjetër qi të kam pasë shkrue.
M.K.

Paris-presse (1953) – Kjo është historia e fotografisë së parë të partizanëve shqiptarë “titistë” të cilët luftojnë kundra regjimit rusofil të Enver Hoxhës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Tetor 2019

 

“Paris-presse” ka botuar, të premten e 20 marsit 1953, në ballinë, një shkrim në lidhje me historinë e fotografisë së parë ekskluzive të partizanëve shqiptarë “titistë” që luftonin kundra regjimit rusofil të Enver Hoxhës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Ekskluzive – Fotografitë e para të partizanëve shqiptarë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(Nga të dërguarit tanë të veçantë në kufirin shqiptar : François PAGES dhe Jean-François DEVAY)

 

Fotografia e partizanit shqiptar: do të vërejmë dobësinë e armatimit të guerileve dhe uniformat e tyre heterogjene.

 

“Kur e bëra këtë foto, ne nuk ishim aq të qetë.”

 

Njeriu që po flet në këtë mënyrë është një përkrahës i ushtrisë së kryengritjes shqiptare dhe dokumenti për të cilin po flet është fotografia e parë që na ka ardhur nga zonat e çliruara të Shqipërisë që nga vdekja e Stalinit, këtu më lart.

 

Ngjarja ndodhi javën e kaluar në rajonin e Lumës në veri të Shqipërisë. Një grup partizanësh, të cilët kishin disa muaj që qëndronin në një zonë malore, zbritën në fushë që të çlironin një nga të burgosurit e tyre. Por ai  u vu në vështirësi nga një batalion i “brigadave speciale” – S.S.-të (sigurimsat) e regjimit rusofil të Enver Hoxhës dhe filluan luftime të përgjakshme.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Disa dhjetra burra humbën jetën në secilin kamp dhe më në fund partizanët u ngjitën në male. Gjatë ngjitjes, njëri prej tyre u kërkoi shokëve të tij të pozojnë për foton më lart gjatë mjekimit të një partizani të plagosur rëndë. I plagosur edhe vetë disa ditë më vonë, partizani-fotograf u largua në Jugosllavi, ku u prit nga “komiteti” i famshëm i Apostol Tanefit, te i cili ne atëherë ishim nikoqirë. Kështu kemi marrë këtë dokument të një cilësie teknike të diskutueshme, por me një origjinalitet të çmuar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Komiteti” i Apostol Tanefit, është qeveria shqiptare filo-jugosllave e përbërë nën kufirin jugosllav nga “titistët” kundërshtarë të regjimit rusofil të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Ai e ka qendrën në Prishtinë në një strehë të thjeshtë, ku ngjason me një seli të Partisë Komuniste sesa një qendër qeveritare.

Paris-presse (1953) – Ky është manifesti dhe programi i partizanëve shqiptarë të Apostol Tanefit me qendër në Prishtinë për të rrëzuar Enver Hoxhën

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Tetor 2019

 

“Paris-presse” ka botuar, të enjten e 19 marsit 1953, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me manifestin dhe programin e partizanëve shqiptarë të Apostol Tanefit me qendër në Prishtinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Programi i partizanëve shqiptarë :

brenda, luftë e tepruar kundër ndërhyrjeve të huaja; jashtë, politika e miqësisë e fokusuar mbi Jugosllavinë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Korrespondenti ynë special J.- F. DEVAY na telefonon :

 

Shkup, 18 mars.

 

Ekziston një dokument, i cili tashmë parashikon drejtimin e ardhshëm të Shqipërisë, nëse Apostol Tanefi dhe 50,000 guerilët e tij marrin nga Perëndimi “sinjalin” që ata presin të marshojnë në Tiranë dhe të çlirojnë vendin nga sundimi komunist i Enver Hoxhës.

 

Ky dokument na u dorëzua nga vetë Tanefi, drejtuesi i partizanëve shqiptarë, gjatë intervistës që ai na dha të dielën e kaluar dhe të cilën e botuam dje në “Paris-presse”.

 

Vendimi për të rrëzuar qeverinë e Enver Hoxhës dhe të Ministrit të tij të Brendshëm, Mehmet Shehut — ku ata denoncojnë politikën e shtypjes dhe të varfërimit — autorët e këtij manifestimi shpjegojnë lindjen e lëvizjes së tyre :

 

“Tradhëtia ndaj vendit dhe pavarësisë së tij, terrori mbi njerëzit e pafajshëm, nevoja që ne kemi për të ndihmuar njerëzit në luftën e tyre për t’i shpëtuar nga terrori, na kanë bërë që të bashkojmë përpjekjet tona brenda sferës së mundësive, për të dhënë një kontribut në luftën për çlirim që ka filluar tashmë në Shqipëri. Pasoja logjike e kësaj gjendjeje ndikoi në formimin e organizatës sonë : “Bashkimi i Emigrantëve Politikë shqiptarë në Jugosllavi”, më 10 maj 1951, në qytetin historik të Prishtinës.”

 

Miqësia ballkanike

 

Përmbajtja e këtij programi vijon si më poshtë :

 

1) Luftë kundër Enver Hoxhës dhe klikës së tij; luftë kundër okupimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik;

 

2) Luftë kundër tendencave të huaja të pushtimit ndaj Shqipërisë dhe tradhtarëve që shesin Shqipërinë jashtë saj;

 

3) Bashkim të të gjitha forcave në Shqipëri dhe në emigracion në të njëjtën luftë për një Republikë me të vërtetë të lirë, të pavarur, të bashkuar dhe demokratike të Shqipërisë;

 

4) Miqësi me të gjitha vendet që respektojnë pavarësinë e Shqipërisë, fillimisht me Jugosllavinë, mikeshën më të sinqertë të Shqipërisë.”

 

Manifesti shpreh më pas kënaqësinë e thellë të autorëve të tij pas përfundimit të fundit të Paktit Ballkanik që bashkon Greqinë, Jugosllavinë dhe Turqinë, ku sheh provat që popujt e Greqisë, Turqisë dhe Jugosllavisë nuk kanë pretendime mbi Shqipërinë.

 

Acarim kundër Italisë

 

Sidoqoftë, manifesti tregon një acarim në lidhje me politikën italiane ndaj Shqipërisë :

 

“Irredentizmi italian ka zemëruar tendencat fashiste ndaj imperializmit, veçanërisht për Shqipërinë. De Gasperi, zëdhënësi i këtij irredentizmi, filloi të vajtojë pavarësinë e Shqipërisë duke pretenduar se është e rrezikuar nga pakti i paqes midis Greqisë, Jugosllavisë dhe Turqisë. Si rezultat i këtyre tendencave të qeverisë italiane, ne i konsiderojmë lajmet e reja plotësisht të pabazuara se ushtria jugosllave ka hyrë në tokën shqiptare.”

 

Manifesti vë në dukje emocionin që shpërtheu në Shqipëri pas vdekjes së Stalinit, thekson se “Enver Hoxha dhe konkurrenti i tij Mehmet Shehu nuk kanë arritur të shkojnë në Moskë” dhe konsideron se kjo vdekje mund të përshpejtojë çlirimin e Shqipërisë.

 

“Mbetet për ne, përfundon dokumenti, që të kërkojmë, në emër të këtij populli guximtar, një solidaritet të tërë dhe një ndihmë morale shumë më të fortë nga bota demokratike.”

 

Rëndësia e këtij manifesti qëndron kryesisht në faktin se është demonstrimi i parë i ekzistencës zyrtare të qeverisë shqiptare në mërgim të Prishtinës.

 

Pavarësisht rezultatit të bisedimeve diplomatike që do të zhvillohen në Londër, Beograd, Athinë dhe Romë për fatin e këtij vendi të vogël, ky dokument do të duhet të merret në konsideratë.

Momentet e fundit të Festim Latos! Trupi ju pre copa-copa në disa thasë! Pse shoqëruesit e lanë vetëm?! Largimi i mistershëm me makinën luksoze

Zbulohen foto dhe video ekskluzive nga momentet e fundit të Festim Latos, 43-vjeçarit me origjinë nga Vlora, të vetëshpallur president i Republikës së Çamërisë, në momentet e fundit kur ai ishte gjallë, 4 ditë para 19 korrikut 2019 kur trupi i tij u gjet i pajetë i prerë copa-copa ndarë në thasë të ndryshëm në një kanal në Amsterdam të Holandës. Një emision investigues në Holandë dhe që kërkon informacione për autorët e vrasjes që ende nuk janë zbuluar, ka nxjerrë pamjet nga takimi i fundit më 15 korrik që Festim Lato ka pasur në një restorant me disa persona, për punë!

Në takim e kanë çuar shoqëruesit e tij me një Opel Vivaro të bardhë, tre burra dhe një grua. Pasi ka mbaruar takimin në restorant, Lato duket nga kamerat e sigurisë teksa del të takojë për një moment shoqëruesit e tij. Kthehet sërish, takon personin që ishte në restorant, dhe largohet me makinën e tij, MGTF135 blu të errët, me tavan pëlhure. Është e çuditshme për hetuesit, se si një njeri si Festim Lato që nuk udhëtonte kurrë pa shoqërues, t’i linte ata të iknin dhe të largohej me makinën e personit që ishte në takimin e punës. Katër ditë më vonë, trupi i pajetë i tij u gjet i prerë dhe ndarë në disa thasë, hedhur ndoshta nga ndonjë barkë në Amsterdam Rijkanaal rreth 4 km vijë e drejtë nga Abcoude, vendi ku Festim Lato bëri takimin e punës në restorant. Personi në fjalë që e shoqëron me makinën e tij private, është identifikuar nga hetuesit atje, dhe është marrë në pyetje.

“Ne folëm me atë burrë, që tha që atë mesditë kishte folur me Festimin për punë. Pastaj e kishte zbritur atë nga makina diku në Abcoude, por nuk i kujtohej se ku”, thotë hetuesja. 4 ditë para se t’i gjendej trupi i pajetë, kur është edhe momenti i fundit që ka pamje të Latos, ai mbante veshur një kostum blu, i cili nuk është gjendur në thasët me pjesët e copëtuara të trupit, dhe po ashtu mungon edhe një çantë kafe që ai kishte me çelës, dhe ora Rolex që ai mbante.

Festim Lato ishte baba i tre fëmijëve. La pas nënën, vëllain, dhe motrën binjake. Shume njerëz ishin mashtruar prej tij. Media holandeze e përshkruan kështu: “Me gojën e rrjedhshme dhe intuitën e biznesit, Lato kishte bërë njerëz të investonin në “Çamërinë” e tij në shkëmbim të leje-ndërtimit nëse Lato do të merrte fuqinë. Kështu ai do të kishte mashtruar njerëz të ndryshëm për miliona të tëra. Shumë njerëz kishin probleme me të, si politikisht dhe financiarisht.“.

Motivi, dita kur ai është vrarë, ende nuk është zbuluar nga hetuesit.

Investgimi i plote i emisionit sjelle nga redaksia online e Shqiptarja.com

Verën e kaluar në ujërat tona lundruese u gjetën pjesë trupi të një burri të vrarë. Viktima doli të kish pasur jetë shumëngjyrëshe!

E premte 19 korrik, një dëshmitar sheh diçka në ujë në Amsterdam-Rijnkanaal, Nigtevecht. Duket të jetë një pjesë e një trupi të pajetë. Shumë shpejt zbulohet identiteti: Festim Lato, 43 vjeç. Ai është viktimë e një krimi. Para 25 vitesh Festim Lato vjen nga Shqipëria në Holandë. Këtu ai tkaon gruan e tij. Lindin 3 fëmijë. Martesa nuk zgjat. Në 2001 ata ndahen dhe Festimi përfundon në Afferden, Gelderland.

“Njerëzit këtu ndjenin gjithmonë të kishte diçka të fshehtë në atë shtëpi. Kangjellat ishin gjithmonë të mbyllura, nuk shihej asgjë“, shprehet një banor i zonës.

Në median holandeze dhe shqiptare fillojnë thashethemet.

Festim Lato pretendon të jetë Presidenti i Rajonit të Çamërisë. Një republikë jo e njohur në kufi mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai përpiqet shumë të përhapë këtë imazh sa më gjerë kudo jashtë. Gjatë mbledhjeve në shtëpinë e tij në Afferde duken flamuj dhe shfaqje ceremoniale. Pas vdekjes së tij, spekulohet shumë që mund të ketë një motiv politik. Ka edhe lajme që ai merrej me punë të dyshimta. Me gojën e rrjedhshme dhe intuitën e biznesit, Lato kishte bërë njerëz të investonin në “Çamërinë” e tij në shkëmbim të leje-ndërtimit nëse Lato do të merrte fuqinë.

Kështu ai do të kishte mashtruar njerëz të ndryshëm për miliona të tëra.

Një viktimë e veçantë…Për të gjetur kush donte ta vriste atë, policia rikrijon momentet e fundit që njihen.

Kthehemi në ditën e hënë, 15 korrik. Atë të hënë Lato largohet nga Afferden për të shkuar në një takim në Abcoude. Pak para orës 11:00, pas një orë e gjysmë udhëtimi, ai arrin në fshatin pranë Amsterdamit, pranë A2. Atë ditë Festimi është me një makinë Opel Vivaro të bardhë, dhe jo vetëm: Ai ka me vete tre burra dhe një grua.

Pak më larg, në Hoogstraat në Abcoude, Festimi zbret. Shoqëruesit e tij largohen në drejtim të parkimit në Marktveld.

Ndërkohë, Festimi blen diçka për të ngrënë tek dyqani i perimeve. Pastaj ecën në drejtim të kafene restorant “de Erndracht”. Këtu, Lato do të kishte një takim pune. Kush ishin të pranishëm në atë takim dhe për çfarë bëhet fjalë ende nuk është e qartë.

Në restorant, Festim bën një foto, selfie dhe e poston në rrjetet sociale. Në atë moment gjithçka duket në rregull.

Pas një ore, rreth orës 12:00 në drekë, ai del jashtë. Duket i gëzuar për diçka. Kjo duket edhe nga mënyra se si ai ecën.

Tani ai po shkon tek 4 njerëzit me të cilët është në Abcoude.

Në cepin e Hoogstraat me Marktveld ai flet pak kohë me ta dhe pastaj kthehet për në kafen “Eendracht”.

Burri me të cilin sapo kishte takim brenda, po e pret. Ora është gati 12:15 kur Festimi ecën bashkë me të në makinën e tij sportive që është parkuar në Molenweng. Të dy nisen në Hulksburg në drejtim të A2.

Ky është itinerari i fundit që dimë nga Festim Lato. Katër ditë më vonë gjenden pjesët e trupit të tij të pajetë në Nigtevecht. Festim Lato është vrarë në moshën 43-vjeçare.

Veç thashethemeve, kjo vdekje ka edhe pasoja njerëzore.

Hetuesja: Ai ishte shumë i lidhur me familjen. Ata tani janë tejet të trishtuar. Ai la pas nënën me të cilën fliste çdo ditë, motrën binjale dhe 3 fëmijë. Ata dhe ne duam të dimë pse dhe kush e vrau

Gazetarja: Kjo ende nuk duket e thjeshtë?

Hetuesja: Siç e pamë, shumë njerëz kishin probleme me të, si politikisht dhe financiarisht. Kjo shkakton që hetimi të jetë kompleks me interesim për një grup të madh njerëzish. Pas programit, shpresojmë të dimë më shumë për vdekjen e tij. Momenti i fundit i njohur është kur ai më 15 korrik hipën në makinën e një burri tjetër. Kjo ishte shumë e pazakontë. Festimi asnjëherë nuk shkonte vetëm diku. Ne folëm me atë burrë, që tha që atë mesditë kishte folur me Festimin për punë. Pastaj e kishte zbritur atë nga makina diku në Abcoude, por nuk i kujtohej se ku. Sigurisht kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që ta dimë. Ata ikën nga Abcoude me një MGTF135 blu të errët, me tavan pëlhure. Si makinë e rrallë që është shpresojmë që njerëzit ta kujtojnë. Ndoshta ka njerëz që e kanë parë Festim Laton të hënën, më 15 korrik pas orës 12:15. Pra kur ai zbriti nga MG-ja, diku në Abcoude.

Gazetarja: Sidoqoftë, ka rëndësi koha, e hëna 15 korrik , e premte 19 korrik, kur u gjet trupi i tij?

Hetuesja: Po, kështu mund të qartësojmë kohën rreth vdekjes së tij. Ne duam të kontaktojmë njerëz që e kanë parë diku. Ose të njohur të tij me të cilët mund të ketë pasur takim, ose kanë komunikuar në telefon me të. Duam të dimë edhe nëse ai ka pasur ndonjë takim ku nuk është shfaqur.

Gazetarja: Duhet të flasim edhe për detaje të tmerrshme. Dikush ka prerë trupin e tij të pajetë në copa.

Hetuesja: Po edhe kjo ishte një gjetje e tmerrshme. Trupi ishte ndarë në thasë, gjetur në vende të ndryshme në Amsterdam Rijkanaal. Pjesa më e madhe e thasëve ishin pranë njëri-tjetrit, pranë Nigtevecht, Utrecht. Rreth 4 km vijë e drejtë nga Abcoude.

Gazetarja: Dihet sa kohë kanë qenë në ujë thasët?

Hetuesja: Jo, fatkeqësisht kjo nuk gjendet. Ne sigurisht duam ta dimë këtë. Amsterdam-Rijnkanaal është rrugë e ngarkuar lundrimi. Ne verë ka edhe më shumë qarkullim. Shpresojmë që dikujt t’i kujtohet t’i ketë parë thasët në kanal. Peshkatarët, njerëz që shëtisin ose dalin me qentë, mund t’i kenë parë ato.

Gazetarja: Ju doni të zbuloni edhe vendvrasjen e Festim Latos.

Hetuesja: Po thasët me trupin e tij duket të jenë hedhur në ujë pranë Nigtevecht. Ndoshta dikush i ka parë, por nuk ka kuptuar Ndoshta dikush i ka parë, por nuk ka kuptuar çfarë. Mundet të ketë rënë diçka në sy nga 1 nga portet pranë. Mundet që trupi i pajetë i Festimit të jetë hedhur në ujë edhe nga një barkë. Kërkojmë këdo që mund të ketë parë gjë, lidhur me vendkrimin ose transportin e trupit.

Gazetarja: Pamë viktimën në pamjet e fundit që dihen. Ju ende kërkoni rrobat e tij?

Hetuesja: Po, rrobat e asaj dite janë zhdukur , nuk ishin në thasë. Ai kishte veshur një kostum blu të errët, këmishë të bardhë, këpucë kafe dhe kravatë. Ende çanta e tij bojë kafe me çelës dhe Rolex-i i tij nuk janë gjetur. Ndoshta dikush ka dashur të shesë çantën ose Rolex-in ose dikush tjetër i ka gjetur ato.

/Shqiptarja.com

Më 17 tetor 1933 Albert Einstein arrin në SHBA, i shpëton përfundimisht nazizmit (video)

Në shkurt të vitit 1933, ndërsa ishte në një vizitë në Shtetet e Bashkuara, Ajnshtajni e kuptoi se nuk mund të kthehej në Gjermani me ardhjen në pushtet të nazistëve nën kancelarin e ri të Gjermanisë, Adolf Hitler.
Ndërsa ishte në universitetet amerikane në fillim të vitit 1933, ai pati udhëtimin e tretë dy-mujor vizitues në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni në Pasadena. Ai dhe gruaja e tij Elsa u kthyen në Evropë me anije në mars, dhe gjatë udhëtimit mësuan se Reichstagu gjerman miratoi Aktin e Mundësimit, i cili e shndërroi qeverinë e Hitlerit në një diktaturë de fakto ligjore dhe se ata nuk do të mund të shkonin në Berlin. Më vonë ata dëgjuan që vila e tyre u sulmua nga nazistët dhe varka e tij personale u konfiskua. Pas zbarkimit në Antwerp, Belgjikë më 28 Mars, ai menjëherë shkoi në konsullatën gjermane dhe dorëzoi pasaportën e tij, duke hequr dorë zyrtarisht nga shtetësia e tij gjermane. Nazistët më vonë shitën varkën e tij dhe e shndërruan vilën e tij në një kamp të Rinisë Hitleriane. Ai qëndroi disa ditë në Castle Cantecroy në Mortsel, një vilë e marrë me qira në De Haan në bregdetin belg për gjysmë viti. Më 9 shtator, ai, e shoqja Elsa, sekretarja Helene Dukas dhe ndihmësi i tij Walther Mayer morën tragetin për në Dover dhe arritën në Nju Jork, SHBA, më 17 tetor.

Ne vitin 1931, Albert Einstein mund të ketë kryer një vizitë të fshehtë në Shqipëri. Është pajisur me një pasaportë shqiptare, mbase edhe me emër të ndryshuar. Burimet e deritanishme dëshmojnë se këtë pasaportë e ka marrë në Pogradec. Mandej, pas një qëndrimi treditor, ka vijuar axhendën e tij përgjatë atyre viteve të mundimshme e të rrezikshme njëkohësisht, si për të, ashtu edhe për të gjithë hebrenjtë. Teza e guximshme e diskutuar edhe më parë në radhët e studiuesve e historianëve shqiptar, rikthehet me një analizë të re në librin e studiuesit Shaban Sinani, “Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi”. Mes shumë dëshmive e fakteve mjaft intriguese të këtij libri, historinë befasuese që lidhet me gjeniun e madh, studiuesi Sinani e trajton që në kapitullin e parë e të monografisë së tij. “Ka të dhëna se në vitin 1931, në Shqipëri mund të ketë zhvilluar një udhëtim incognito ,edhe shkencëtari i famshëm A. Einstein. Dokumentet provojnë se në fillimin e atij viti ai ka pasur një kontakt shkresor me konsullatën shqiptare në Leipzig”, – shkruan Sinani, ndërsa argumenton se, “kohët e fundit është shërbyer një burim shkresor nga Bashkia e Pogradecit, i pacertifikuar ende (sepse nuk është lëshuar nga shërbimi arkivor), sipas të cilit, në vitin 1931 kjo bashki ka lëshuar një certifikatë qytetarie (pasaportë) në emër të A.Einstein-it”. Sidoqoftë, pyetja: “A e ka vizituar Shqipërinë në fillimin e viteve 1930 shkencëtari nobelist me prejardhje hebreje, Albert Einstein?”, kërkon të tjera argumente për ta vërtetuar. Sipas studiuesit Sinani, studimi më i plotë për këtë argument mbetet ai i dr.Jovan Bashos, në të cilin janë sistemuar të dhëna të karakterit dokumentar dhe të tjera të karakterit memoaristik. Por, kërkimi i burimeve provuese autentike ka ndeshur në vështirësi. “Përgjithësisht, kërkimi i është përmbajtur tezës së një udhëtimi të fshehtë të Einstein-it në Shqipëri. Po të ndiqej një tezë tjetër, e një udhëtimi zyrtar, gjurma e kësaj vizite do të gjendej si në shtypin e kohës, ashtu dhe në burimet arkivore. Edhe për sa i përket mundësisë së pajisjes me pasaportë shqiptare nga qeveria mbretërore, është ndjekur i njëjti arsyetim: kjo pasaportë mund t’i jetë lëshuar në një emër tjetër. Në fakt, në kronografinë zyrtare të jetës së Einstein-it nuk gjendet asnjë e dhënë për një udhëtim të mundshëm të tij në Shqipëri dhe për zotërimin e një pasaporte shqiptare. Të gjitha këto të panjohura e vështirësojnë kërkimin, por nuk e pamundësojnë”, – argumenton Shaban Sinani.

Letërkëmbimi me Bernstein

Shaban Sinani argumenton më tej në monografinë e tij se, burimet e tërthorta, të ndërlidhura me ato memoaristike dhe të arsyetuara në një disiplinë të fortë mendimi, mund të çojnë në përfundime bindëse rreth kësaj enigme të madhe. “Marrin rëndësi në mënyrë të veçantë disa burime që përshkruhen në ‘Guide to the Papers of Herman Bernstein (1876-1935) 1899-1935’, RG 713 (Regest nr. 713). Sipas këtyre të dhënave, në arkivat e ministrit të atëhershëm fuqiplotë të SHBA në Tiranë, pikërisht në vitet 1930-1933, gjenden dokumente që përmbajnë nota diplomatike për veprime rutinore konsullore, ose për dhënie vizash apo lehtësim procedurash vistimi”, – shkruan Sinani. Por, sipas tij, mbi të gjitha e përforcon argumentin e mundësisë së një vizite të fshehtë të Einstein-it në Shqipëri letërkëmbimi i ambasadorit Bernstein personalisht me të dhe interesimi i shprehur zyrtarisht prej këtij të fundit për ardhjen e tij në Shqipëri, interesim i shprehur edhe për një tjetër personalitet amerikan me një rol historik në fushën e edukimit, Charles Telford Erickson.

Në foto së bashku

Fakti që Herman Bernstein dhe Albert Einstein dëshmohen në foto të përbashkëta prej vitit 1928 deri në vitin 1933, sipas të gjitha gjasave në Tiranë, merr një rëndësi parësore logjike dhe burimologjike, thotë studiuesi Shaban Sinani. Por, sidoqoftë kjo çështje mbetet e hapur për kërkime jo vetëm në arkivat e ambasadorit Bernstein, por sidomos në burimet shqiptare, në ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme (shërbimi konsullor në Leipzig dhe në Vjenë), në arkivat administrative dhe financiare të Bankës së Shqipërisë, në arkivat e portit detar të Durrësit dhe në arkiva të tjera. Sipas Sinanit, marrin një rëndësi parësore edhe disa fakte të tjera, që zbulohen pikërisht përmes arkivave të H.Bernstein. “Në koleksionin e fotove të periudhës së shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri gjendet, krahas A. Enistein-it, ndër të tjera edhe një prej dy miqve të tij të tjerë shumë të rëndësishëm, jo vetëm për mbrojtjen e hebrenjve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe në themelimin e shtetit të Izraelit: Judah Leon (Leib) Magnes dhe Chaim Weizmann”, – argumenton Sinani, ndërsa fokusohet pikërisht në arkivat e ambasadorit Bernstein, si një prej burimeve kyçe ku duhen vijuar hulumtimet. Nga ky arkiv, Sinani veçon regjistrin 713, ku shënjohen seria, nënseria, kutia, dosja dhe viti, të dhëna këto të mjaftueshme për të thelluar kërkimin. Në përshkrimet e të dhënave që ofron regjistri 713, emri i Albert Einstein-it figuron shpesh. Në nënserinë 16, që përmban foto, me vit më të hershëm 1928 dhe me vijueshmëri të papërcaktuar, por jo më vonë se viti 1934, kur Herman Bernstein ndahet nga jeta, pra pikërisht në periudhën kur ai shërbeu në Shqipëri si ambasador i SHBA, emri i Albert Einstein-it është i pari, argumenton studiuesi Sinani, duke lënë të hapur këtë tezë intriguese për të vijuar kërkime të mëvonshme, çka do të sillte fakte e dokumente shkencore që do të vërtetonin vizitën e fshehtë të fizikantit të madh në Shqipëri në vitin 1931.

Në janar 2018, Bujar Nishani, në fjalën që mbante në cilësinë e Presidentit të Republikës, në ceremoninë e vlerësimeve të 35 familjeve shqiptare, të cilat strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore., thotë se “Albert Ajnshtajni ndoshta shpëtoi me anë të një pasaporte shqiptare të lëshuar me zemërgjerësi nga autoritet shqiptare gjatë Mbretërisë së Ahmet Zogut”. Ndonëse nuk saktësohet qartësisht, teza mbizotërurese është se Ajnshtajni udhëtoi për në SHBA me pasaportë zvicerane.

PAPA GJON PALI II – PORTRETI I TIJ REFLEKTOI GJITHKUND DRITEN ! – Nga Fritz RADOVANI

 

Tue fillue që në kohën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut e deri në ate moderne, ku çdo çast diskutohej kenja ose moskenja e tansisë sonë toksore si Shtet, roli i Vatikanit ka kenë gjithmonë vendimtar për fatin tonë. Unë nuk kam në mend me ba përsëritjen e atyne fakteve historike në lidhje me këte që thashë, as përsëritjen e atyne ngjarjeve ku diskutohej se kujt i përket Korça apo Gjinokastra, Kosova apo Çamëria, Hoti apo Gruda, Himara apo Vorio Epiri, por do të cilësoj se rishikimi dhe rivlersimi i të gjitha momenteve kyçe për fatin e Shqiptarve dhe i Tokës së Tyne që thirret Shqipni, asht i lidhun për Eshtnat e Klerit Katolik Shqiptar, gjithmonë besnik ndaj Papës dhe Vatikanit që në ekzistencën e Katoliçizmit në Shekullin e Parë të Epokës së Re. Kjo besniki e Klerit dhe e ndjekësve të Besimit Katolik në Shqipni asht vlersue dhe vlersohet nga të gjithë Papët e Kishës Katolike. Merita historike i përket Alpeve sëpse, Ata e kanë pague ma shtrenjtë se kushdo qendresën tue fjetë me armë në nënkrejsën shekullore të cungës apo të gurit palatuem, gja që e dëshmon gjaku i derdhun rrëkajë ndër ato vise.

Në Vatikan Kardinali Vojtila vjen Papë mbas 445 vjetësh të kenjes italian. Ardhja Tij me 16 Tetor 1978 si Papë në Vatikan nga Polonia kur endè zgjedha komuniste asht mbi Popullin Polak dhe, që në vitin 1980 Ai tha se, karrshi tokave të lame me gjak Shqiptarësh në Jugun e Italisë n’Otranto, ku u bane betejat e famëshme kundër pushtuesve turq, “asht prap sot një popull i vogël që po vuen shumë nga diktatura tjetër, asht Populli Shqiptar, për të cilin unë lutem përditë.”

Ardhja Papë e Gjon Palit II ka dy shpjegime me shumë vlerë për me u kuptue sësa i Madh qendron Portreti i Tij në Historinë Botnore: Ai vjen nga një vend ku vazhdon me kenë komunizmi stalinjan në pushtet dhe, asht një Kardinal Vojtila që e ka provue até mbi shpatullat e Tija. Ai vjen në Selinë Botnore të Katoliçizmit Dymijvjeçar në Romë kur komunizmit totalitar “Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”, Ky dhe vetëm Ky asht misteri i Madhështisë së Tij, sëpse askush para Tij nuk ka mujtë me kuptue anën shpirtnore të Njeriut në sistemin totalitar e, me i zhbërthye prangat e tiranisë komuniste barbare me tri fjalë të vetme:

“NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” sëpse, Ai njeh parimin filozofik të historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” dhe, mbas takimit me Regan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin ateist me Kristjanizëm… pra, pa gjakderdhje dhe vetem me paqë, por jo me paqë nën kamxhik dhe kallashnikov…

Kujtoni për një moment takimet dhe bisedat me Regan dhe Gorbaçov. Asnjë takim nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike, por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të shndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer…që porsa lidheshin Burrnisht njena me tjetrën: “Nënshkruenin marrveshje paqe e dashnije të pakufi për mbarë Njerzimin!”Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila që ndryshoi Historinë!

Ky ishte Ai Burrë “që lutej çdo ditë për Popullin Shqiptar dhe për të Shqiptarët e të gjitha Besimeve…” Ky ishte Ai Burrë që do të thente akujt shekullor të Adriatikut dhe do të shpartallonte Perdën e Hekurt gjysëm shekullore të komunizmit, acari siberian i së cilës na kishte izolue nga krejt Bota Europjane Përparimtare!”…. Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për këto lëvizje demokratike atje, Ky deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue për Lirinë e Atdheut tem!”

Ai dinte me çmue Lirinë dhe Pavarësinë e Popujve të gjithë Botës e, jo, pa qellim tha në Kathedralën e Shkodres së dhunueme: “Historia endè nuk e ka njohë atë që ka ngja në Shqipni. Pra, të dashtun Shqiptarë, drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit Europjan! Asht e domosdoshme që Europa mos të harrojë!”…

Asnjëherë fjalët e Vojtilës nuk do të quhen kujtesë, as në historinë e Shqipnisë dhe as në ate të Europës, por asht një vërejtje e randë që Papa i bani Europës, dhe Historisë së saj: “Historia endè nuk e ka njohtë ate që ka ngja në Shqipni..” Por, nuk mjaftohet me kaq, mbasi Ai e di se Europa kjoftë edhe pjesërisht nuk asht aq e paditun për çka asht ba tek na, prandej, fati i Shqipnisë nuk duhet të mbesin në dorën e “një pjesës” së Europës, po “drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit Europjan!”, pra “duhet”, asht detyrë, asht kusht e jo mundësi, që mundet ose jo, po, prap ma e percaktueme “Asht domosdoshmeni që Europa mos të harrojë!”…

***

E, çka mos të harrojë? Të mos harrojë të tashmen por, as të shkumen, sëpse, këtu, asht fjala pikërisht për vendin që mbrojti Ate Europë nga invazioni turk, po, që Ajo, shtihet se “ka harrue”.., ose ma mirë me thanë se ban sikur e ka harrue…

Ja, pra, kjo asht “domosdoshmenia” e Shqipnisë së Lirë dhe Demokratike!

E në darkë asht po, Ai, Papa Gjon Pali II, që përballë Mikut të Vet Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në sofren bujare e mikpritëse Shqiptare, me 25 Prill 1993 në Tiranë, tha:

  • ”Shqipni qëndro në naltësinë e kësaj Beteje të Madhe!”…

Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”.

Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.

Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit.

Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues.

E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht  e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë.

Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen…

Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. ●Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…”

***

Europa pra, duhet ta dijë o sot, ose kurr: Pikrisht, kur Shqipnia edhe i perket Asaj…

  • Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…”

Mendoj se, Bashkimi Europjan sot i kujton mirë Fjalët e Papës Gjon Pali i II..!

            Melbourne, 15 Tetor 2019.

 

Paris-presse (1953) – Intervista ekskluzive në Prishtinë me udhëheqësin e partizanëve shqiptarë Apostol Tanefin në lidhje me planet e tij për të rrëzuar Enver Hoxhën

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Tetor 2019

 

“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 18 marsit 1953, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive me udhëheqësin e partizanëve shqiptarë Apostol Tanefin dhe planet e tij për të rrëzuar Enver Hoxhën, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Tanefi, udhëheqësi i partizanëve shqiptarë më tha : “Shihemi së shpejti në Tiranë!”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Korrespondenti ynë special Jean-François Devay na telefonon nga Shkupi

 

Shkup, 17 mars.

 

Sapo kalova dy orë me udhëheqësin misterioz të revoltës shqiptare Apostol Tanefin.

 

“Shihemi së shpejti në Tiranë”, më tha me zë të lartë ndërsa largohej.

 

Për guerilët e Tanefit, të cilët tashmë sundojnë një pjesë të vendit, presin vetëm një sinjal për të shkaktuar kryengritjen e përgjithshme dhe marshimin në kryeqytetin shqiptar. Ky sinjal, nëse jepet, do të ndodhë nga Beogradi.

 

Ne e kërkuam Tanefin në Prishtinë që prej një jave. Raportohej ndonjëherë këtu, ndonjëherë atje, gjithnjë përgjatë kufirit shqiptar, ndonjëherë, pa dyshim, përtej. Në Prishtinë, mbrëmë, një informator me qëllim të mirë na tha :

 

“Apostoli sapo ka mbërritur. Ai largohet nesër në mesditë. Do ta gjeni në shtëpinë e komitetit.”

 

Këtë shtëpi e gjetëm në periferi të Prishtinës, përballë një xhamie të thjeshtë periferike. Rreth e rrotull, disa djem të guximshëm në palltot prej lëkure dhe me plis në kokë, po ruanin me vëmendje. Mbërritja jonë u raportua tashmë dhe Apostoli po na priste te dera e zyrës së tij.

 

“Ne jemi të lumtur që Franca po interesohet për Shqipërinë.”

 

Këto ishin fjalët e tij të para dhe gjithashtu të vetmet që ai shqiptoi në frëngjisht. Më pas, një njeri i vogël me sy të butë pas syzeve të tij të mëdhaja dhe pamjes (fytyrës) jashtëzakonisht inteligjente, erdhi tek ne si përkthyes. Ai na tha se nuk kishte ardhur kurrë në Francë. Na dukej e çuditshme sepse fliste frëngjisht si ju dhe unë.

 

Kryengritja kontrollon një të tretën e Shqipërisë

 

“ — Mbështetësit tanë kontrollojnë një të tretën e Shqipërisë, më tha pak më vonë Apostol Tanefi. Sa për udhëheqësit e kryengritjes, ju keni disa para nesh. Këta drejtues janë : Hajrula Ishmi, Zutori Spahia, Nik Sokoli, Qazim Luska, Tajar Atipi, Ugrim Shegarni, Kristo Melemaki, Mark Pasliku, Ramadan Spahia.”

 

Nuk e di nëse janë emrat e tyre të vërtetë. Por për kokat e tyre është vënë një çmim në Shqipëri, një shume globale, e cila do të kishte mundësuar përpara luftës që të blihej një pjesë e mirë e vendit.

 

Në dhomat fqinje, dëgjuam urdhrat e dhëna me një gjuhë të ashpër dhe të shurdhër, dhe kërcitjet e padukshme të makinerive të shkrimit. Një radio, nga e cila kishim vërejtur në çati antenën trekëndore, po thyente ajrin me tinguj të ashpër. Dera hapej në mënyrë të vazhdueshme. Tanefi më ndërpreu, u përgjigj me disa fjalë të qeta, pastaj rifilloi bisedën.

 

“ Neve na mungojnë armët moderne.” – më tha ai. “Sigurisht, kemi pushkë, shumë pushkë dhe mitralozë. Por zakonisht janë makineritë e vjetra që trupat italiane kishin fshehur para dorëzimit, në 1944, dhe depozitat e të cilave gjetëm. Kemi edhe disa armë të marra nga kufomat e ushtarëve të Enver Hoxhës. Por e gjithë kjo nuk mund të na ndihmojë.”

 

Tanefi u vu një siklet të madh.

 

“Jini të qetë, kjo nuk do të na pengojë të jemi fitimtarë. Edhe sikur fshatarët tanë të kishin vetëm sëpatën e tyre. Ata do të marshojnë në Tiranë kur të vijë dita. Armët gjenden gjithmonë kur keni vullnet për të luftuar.”

 

Një ish – “mësues”

 

Apostol Tanefi është një burrë dyzet vjeçar, me trup mesatar, me një fytyrë esmere, me flokë të errëta dhe shpatulla të gjera. Do ta merrnim për një punëtor. Sidoqoftë, ai ka qenë profesor i matematikës në liceun e Korçës, në Shqipëri.

 

Kjo është e gjitha që dimë për të kaluarën e tij dhe gjithashtu se ai ishte një nga komunistët e parë shqiptarë. Ai flet i qetë, duke peshuar fjalët e tij, me një lloj buzëqeshjeje të ndrojtur. Por buzëqeshja e tij venitet dhe zëri i tij bëhet i ngrohtë dhe i vendosur kur ai flet për vendin e tij të terrorizuar.

 

“— Imagjinoni, më tha ai, që një zyrtar i lartë nazist të mbretërojë mbi Francën pasi të ketë hapur burgjet dhe armatosur kriminelët e zakonshëm dhe t’i bëjë ata rojet e tij pretoriane.”

 

I pasigurt për ushtrinë e tij, Mehmet Shehu — ministri i brendshëm i Enver Hoxhës, por në realitet kreu i vërtetë i vendit — rekrutoi “brigada speciale” të përbëra nga ish të arrestuar të zakonshëm, të cilëve u ofroi liri në këmbim të besnikërisë së tyre ndaj regjimit.

 

“— Partizanët, tha Tanefi, kontrollojnë shumicën e rajoneve të Dukagjinit, Lumës, Peshkopisë, Tropojës, Kuksit, Mirditës dhe Krujës. Kjo përfaqëson më shumë se një çerek të vendit, por ekziston edhe gjendja e revoltës kronike të disa fiseve veriore dhe fshatarëve që filluan rreth një javë më parë pranë kufirit grek.”

 

Ushtria zyrtare

 

Përveç këtyre forcave në veprim në vend, duhet të kemi parasysh edhe emigrantët. Dje, Apostol Tanefi kontrolloi saktësisht 8,722 burra që kishin qenë refugjatë që nga viti 1948 në Kosmet-in jugosllav dhe që kanë dëshirë të zjarrtë për t’u kthyer në shtëpi me armë në duar.

 

Përballë këtyre forcave të Apostol Tanefit, me cilat trupa janë në gjendje të mbrohen Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ?

 

Ushtria zyrtare ka rreth 50,000 burra, por nuk është e sigurtë. Nuk ka një javë ku disa prej ushtarëve dhe oficerëve të saj kalojnë kufirin jugosllav. Këto trupa janë të keqarmatosura, me një numër qesharak të automjeteve të blinduara të modës së vjetër, të cilat nuk do të ishin të dobishme në këtë vend pa rrugë, ku linja e vetme hekurudhore është e gjatë vetëm 50 kilometra.

 

“Brigadat speciale”, nga ana tjetër, përbëjnë një forcë që nuk është e papërfillshme. Ata përbëjnë rreth 40,000 burra relativisht të armatosur, të cilët e dinë se kanë gjithçka për të humbur nëse fitojnë partizanët (domethënë forcat e Apostolit). Ata do të luftojnë deri në fund dhe asgjë nuk është më e rrallë në radhët e tyre sesa rasti i një dezertori si Ramë Qurini.

 

Ai ishte komandanti i njërës prej këtyre brigadave. Ai u përpoq, besohet, të “likuidojë” një nga drejtuesit e tij dhe u arratis para se të arrestohej.

 

Ai, për t’iu ruajtur më të keqes, kaloi kufirin jugosllav duke u shtirur si një emigrant politik. Por shërbimet sekrete të Tanefit ishin të shpejta për të përshkuar identitetin e tij të vërtetë. U zbulua në të njëjtën kohë se ai ishte dënuar me tetëmbëdhjetë vite burg (punë të detyruar) para luftës për vrasjen e gruas së tij (e kishte prerë copa-copa).

 

Nuk e di se cili qe fati i tij, por mendoj se ushtarët e Tanefit kanë hakmarrë gruan e Ramë Qurinit, ashtu si edhe shokët e tyre, të rënë në duart e tij, gjatë kohës kur ai ishte në pushtet.

 

Aviacioni ? Qeveria e Tiranës nuk ka pothuajse fare. Në dy ose tre pista ajrore (fusha aviacioni) të qytetit, ekzistojnë vetëm disa Yaks (Jakë) të montuar nga ekuipazhet ruse dhe të cilat do të strehohen në vende të sigurta gjatë alarmit më të parë.

 

Një problem që tejkalon Shqipërinë

 

Sa për rusët e tjerë, vështirë se ka ndonjë. Apostol Tanefi më konfirmoi informacionin ekskluziv që telefonova të enjten e kaluar. Pjesa më e madhe e ekspertëve civilë dhe instruktorët ushtarakë sovjetikë janë larguar nga Shqipëria. Ata ishin 4.200 tre muaj më parë. Tani, ata janë vetëm 700 – 800, dhe evakuimi i tyre vazhdon. Ata janë zëvendësuar nga bullgarët.

 

Sidoqoftë, duhet pranuar që problemi është i një rendi që shkon përtej Shqipërisë, sepse ky vend i vogël ka qenë gjithmonë një fitil i lehtë për t’u ndezur në këtë fuçi baruti që tradicionalisht përbën Ballkanin. Një kryengritje e parakohshme, natyrisht, do të provokonte reagimet më të forta në Romë, Athinë dhe Londër. Ekziston çdo shans që Tito dhe Churchill do ta trajtojnë së bashku këtë problem gjatë qëndrimit të liderit jugosllav në Londër.

 

Sepse këtu jemi duke prekur problemin politik të rezistencës shqiptare. Nuk ka dyshim se lëvizja e udhëhequr nga Apostol Tanefi është në thelb filojugosllave. Në muret e zyrës së tij në Prishtinë, portreti i Titos gjendet i ngjitur me ato të dy heronjve kombëtarë shqiptarë : Skënderbeut dhe Naim Frashërit.

 

“Ka komitete shqiptare edhe në Paris dhe Romë, tha Taanefi, por ata janë gjeneralë pa ushtarë që duan vetëm të kthehen në privilegjet e tyre të paraluftë.”

 

Lëvizja e Tanefit është e njohur zyrtarisht si “Bashkimi i Emigrantëve Politikë shqiptarë dhe jugosllavë” dhe është e influencuar nga titizmi. Ajo pretendon të jetë vepër e Koçi Xoxes, heroit të famshëm kombëtar shqiptar, të cilin Enver Hoxha e pushkatoi në vitin 1948 për shkak të ndjenjave të tij jugosllave.

 

Por Tanefi mohon të drejtojë një lëvizje thjesht komuniste.

 

“Ne jemi, tha ai, një front kombëtar, në të cilin ka komunistë, si dhe apolitikë ose ballistë (nacionalistë në favor të një Shqipërie të madhe, si anti-jugosllave, ashtu edhe anti-italiane). Ne duam lirinë dhe jo më sundim rus.”

 

“Liri, të pres…”

 

Dhe ai këndon këngën e luftës partizane :

 

“Liri ! ku je?

Liri ! të pres.

Pa ty, s’ka jetë.”

 

“Kur të jemi në Tiranë, më tha Tanefi, ne do të zhvillojmë zgjedhje të përgjithshme dhe populli shqiptar do të vendosë në mënyrë të lirë për fatin e tij.”

 

Kur do të jetë Apostol Tanefi në Tiranë ? Nuk varet vetëm prej tij. Por Perëndimi duhet ta dijë se varet nga ai, se një satelit i dytë është shkëputur nga Bashkimi Sovjetik. Do të mbetet për të rënë dakord për respektimin e ardhshëm të pavarësisë shqiptare dhe për të informuar Beogradin.

Dokument – botohet për herë të parë: Kol Bib Mirakaj i kërkonte qeverisë mbrojtjen e hebrejve në prag të pushtimit nazist

VOAL – Me shkresë të posaçme zyrtare, të datës 1 shtator 1943, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Kol Bib Mirakaj i kërkonte Qeverisë Shqiptare të merreshin masa për të mbrojtur hebrejtë, të cilët, në vise të ndryshme të shtetit shqiptar të asaj kohe ishin në “numër të madh, mbi 1000 veta”, siç nënvizonte Mirakaj.

Siç kuptohet nga teksti, shkresa është vijim i një shkrese tjetër, me temën “Mbi Ebrejt qi të dërgohen n’Itali”, pra ku kërkohet që hebrejt e Shqipërisë së asaj kohe të dërgohen në Itali.

Në shkresë, ai thekson se një numër i madh hebrejsh janë grumbulluar në Shqipëri, të shpërndarë në vise të ndryshme të Mbretërisë në mungesë të vendbanimi të përcaktuar për ta. Me ardhjen e Forcave Gjermane në tokën tonë, qeveria shqiptare do të gjendet para një fakti të hidhur, sepse këta mund të kërkohen prej gjermanëve dhe të merren, vijon Mirakaj. Po të dorëzohen hebrejtë, nënvizon Mirakaj, ky do të ishte një gjest politik diskreditues për Shtetin tonë, dha nga ana tjetër antihumanitare. Edhe po ta refuzojmë dorëzimin, do të na vinte në një pozitë që, prapë se prapë, dëmton politikisht, e më në fund ata do të merren me forcë, shkruan më tej Kol Bib Mirakaj.

Mirakaj i kërkon Kryesisë së Këshillit të Ministrave të Mbretnisë Shqiptare të marrë me urgjencë hapat e duhur pranë autoritetit përkatës italian për dërgimin e tye në Itali, ku sipas informacioneve që kishte dikasteri i tij dhe me interesimin e Selisë së Shenjtë, qeveria italiane nuk ka ndonjë kundërshtim për pranimin e tyre.

Siç e shënuam në fillim të këtij lajmi, shkresa mban datën 1 shtator 1943. Ndërkohë, nga 25 korriku 1943 kryeministër i Italisë ishte gjenerali Pietro Badoglio, i cili do të qëndronte në këtë detyrë deri me 18 prill 1944.

Është e njohur historikisht se asnjë hebre në trojet shqiptare nuk iu dorëzua nazistëve. Dhe numri i hebrejve në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishte më i madh se në fillim të kësaj lufte, një rast unikal i humanizmit ky në rrafsh botëror.

VOAL po e sjell për lexuesit dokumentin e mëposhtëm, i cili botohet për herë të parë.

 

Mbi invidualitetet e kombeve ballkanike -LETËRKËMBIM – MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

BOLZANO, 29. XII. 1950

Shum i dashtuni Mik,
Pardje e mora letren tande e të falem nderës për urime të perzemerta qi më dergon per Kshndella e Motmot të rí. Edhe vetë prej anës s’eme po T’ uroj nji vjetë të ré 1951 të lume e të gzueshme.
Tash të vijmë te pvetjet e mija:
1) S’ka shumë kohë qi lexova në nji leter të shkrueme prej hinglizit Toynbee, se si popujt qi kjén shtrue prej Osmanllive, tue u kenë mbyllë atyne rruga per zyre të nalta e tue kenë ndalue me pasë prone, paten dá, tacitamente, nder veti punët e zanatet. Në ket mndyrë Valakët u merrshin me allishverishin e sendeve t’ ushqimit, Grekët u bânë tuxharë all’ingrosso, Shqyptarët muratarë, Malazezt dertarë e shegerta, Bulgarët kopshtarë zarzavatesh e mbathtarë kualsh. A âsht e vertetë se Shqyptarët po na paskan kenë të speçjalizuem në zanatin e murtarit? Me të vertetë në Shkodër fjala dibranë âsht sinonim me murtár. A thue lidhet disi kjo njana me tjetren?
2) Në nji tjeter liber shkrue prej nji tedeshkut mbi historín e Shqipnís prej 1912- 1939 lexova kto fjalë, të cilat po T’i kopjoj në gjuhë tedeshke krejt njashtu si i ka libri në fjalë:
“Die familie der Zogolli ( Zog gleich albanisch “Vogel” und – olli gleich türkisch oghlu, das heißt Sohn) bildete seit Generationen dei Dynastie der erblichen Feudalherren des mohammedanischen Stammes Matija. Schon 1648 wurde nach türkischen Quellen ein Zef Zogoghlu hingerichetet, der als Anführer der damals noch christlichen (katholischen) Matija die Zadrima durch Ruabzüge beunruhigt hatte. Im anschluß an diese Demütigung islamisierte sich die Familie und mit ihr der ganze Stamm seher rasch, und beide, die familie sowohl als auch der Stamm, gelangten dann auch bei den Türken zu Ansehen”.
A thue janë të verteta kto fjalë e a do t’a dijë Zogu se para 250 vjetve të parët e tij paskan pasë kenë, si mbas ktij libri, të krishtenë?
3) Kush i pat vrá aso kohe ata dy amerikajt e pse paten kenë vrá? Më bjen nder mend se pat kenë folë shum mbi ket punë, por nuk e dij mirë historinë e tyne.
4) A âsht e vertetë se Zogu pat dashtë, para se të vijshin italjajt në Shqipní, me zaptue Kosoven e se per ket punë i pat lypë nji ushtrí italjajve të Mussolinit?
Më shkruen në fund të letres kto fjalë: “A je i zoti me i gjetun shteg vetit kund në botën e ré, kudo qi të jetë, mbasi s’janë kohna me u hudhun kah Lindja, por sa mâ larg kah Perëndimi. Me lanë Europen e me tretë sa mâ larg kah prendimi è la cosa più semplice di questo mondo. Dý rrugë mund të më çojnë kah prendimi. E para âsht nepermjet t’IRO-s. Por kjo ndoshta nuk âsht krejt e shpejtë, tue mos kenë vetë i shkruem në IRO: por nji rrugë tjetër fort mâ e shpejtë âsht per mue çilë. Me u vû e me i shkrue nji Superjorit të ndoj provinçe amerikane t’urdhnit t’em nji leter, me të cilen vetë i lutem me më pranue në ndoj kuvend fretensh nen juridiksionin e tij. Tue kenë se në Amerikë gati gjithkund âsht mungesë meshtarësh, mejherë kishe me marrë pergjegje pozitive, e âsht e dijtun, kishin me më pague edhe rrugen. Porsè dardha ka bishtin. Ky pranim e pagesa e rrugës âsht e lidhun me kto kondita : vetë do t’i agregohem asaj provinçe, nemose per 10 vjet ase ndoshta edhe mâ teper. E kta don me thânë qi vetë do të vehem krejt në dispozicjon të tyne, në mndyrë që ata të munden me më përdorë si të duen vetë e simbas nevojet qi ka kuvendi ku do të kishem me banue. Vetëm me ket konditë do të kishem me kenë i pranuem prej tyne e do të m’u paguente krejt rruga. Si e shef edhe ti vetë, me ket mndyrë vetë do t’i bijshem mohit ndoshta per gjithmonë idealit, qi âsht me punue per popullin t’em. E kta nuk e due kurrsesi. Me gjithse gjendja e pshtjellueme n’Europë më bân me pasë frigë, me gjithkta deri tash nuk m’âsht mbushë mendja me i rá mohit ktij ideali. Un prap se prap rropatem me gjetë mndyren se si me shkue n’Austrí. Si të kém kalue aty ndoj vjetë (nemose dý vjet) at herë ndoshta do të kishte me m’u mbushë mendja me lanë Europen, por possibilmente pá u lidhë ashtu krejt kambë e duer me amerikaj. Pengimi mâ i madhi âsht se nuk po mund të gjindet nji Mecenat. Âsht e dijtun se per ket veprimin t’em qi vetë dishroj me zhvillue n’Austrí vetem nji Mecenat shqiptar mund t’diftojë interesë. E Mecenat shqiptar nuk po gjindet, mbasi na Shqiptarët e shkretë jemi tanë të vorfen. Po të kishim nemose nji qeverí t’onen me nji Ministrí Arsimit, do të mund t’u shpresonte me u gjetë ndoj dorë bujare. Prej të huejve âsht krejtë e pamundun me gjetë ndoj ndihmë per ket veprimin t’em.
Letra maroi e prandej po më duhet me e këputë muhabetin me shndet e daulet e urime të perzemerta per vjeten e ré 1951.

Miku yt
P. P. MargjokajO.F.M.

Ramleh (Aleksandrí), 18 – I -1951

I dashuni Atë,
Po e filloj pergjegjen t’eme letrës s’Ate mâ së mbrames tue T’u falë nderës për përkthimet qi më ke bâmë. E mbandej po dal mejherë ke pyetjet e Tua:
1. Mue s’më resulton qi Shqiptarët të kenë pasun as në të kaluemen as sod ndoj prjerrje të posaçme në muratorí. E dij qi në Shkodër përdoret fjala dibran si sinonim me muratuer. E dij edhe qi nji klasë njerzish prej krahinës së Dibrës kanë pasë ardhun për vjetë me atë mjeshtrí me zânë punë nëpër qytetet e ndryshme të vilajetit të Shkodrës ( në kohë të Tyrqís), pra edhe në Krujën t’eme. Ata qi vijshin te na ishin mâ e shumta gogë, orthodoks e flitshin ndër veti maqedonisht. Mâ të hollë për ndërtime banesash kanë qênë – e ndoshta vazhdojnë me qênë gjithnji – Korçarët, orthodoks edhe këta. Por me kaqë s’më duket qi mund të mbërrîmë në pohimin e atij Toynbee-ut.
2. Ai gjermani (Të lutem me më dhânë emnin e tij e titullin e librit) qi paska shkrue ashtu për Zogollin e Maten kujtoj se âsht në të vërtetën. Qi Matja ka ndërrue fé vonë, na e deshmojnë edhe emnat Budi e Bogdani dhe trojet e, më duket, vllaznít e tyne ende gjallë në Mat, natyrisht myslimanë. Mbandej âsht nji fakt i dokumentuem se shumica e myslimanvet shqiptarë kanë ndërrue fé në qindvjetën 1650-1750, mâ drejtë me thânë në gjysqindvjetën qi ndoq kryengritjen e madhe t’organizueme prej kryepeshkop Gjergjit të Tivarit në 1645 e motmot mbas tij, prej Zef Bonaldit në favor të Venedikut, qi ishte në luftë me Tyrqín. Salvimet e fillueme si pasojë e ksaj kryengritjeje të shueme i shtynë Shqiptarët me kthye tufë-tufë në myslimanizëm ase në orthodoksizëm; se orthodoksit i patën ndihmue Tyrqís n’atë luftë me Venedikun e prandej ata e kish’ e tyne kishte fitue besimin e përkrahjen e Stambollit.
3. Vrasa e dy Amerikanvet në Mamurras un kujtoj se ka qênë bâmë mjerisht për plaçkë. Kundrështarët e Zogut patën bâmë mjaft propagandë për me i a ngarkue atij atë krim e në regjimin e Fan Nolit patën ngrehun edhe nji farë gjyqi, qi, si e mbaj mênd, pat mbetun në fazën e hetimeve se s’kishte prova. Zogu aso kohet ishte jashta qeverijet e kundrështarët e tij thojshin qi shtiu e vrau Amerikanët për me e bâmë botën të besojë se pa tê në qeverí s’mund të kishte paqë e qetsí Shqipnija. Propagandë e marrë në fund të fundit, mbasi s’ishte bota e jashtme qi i hiqte e i vênte qeverít e Tiranës, por Shqiptarët vetë.
4. Bre! Jo, i dashuni mik, Zogu Mbret i Shqipnís, s’ka qênë i çëmêndun për me besue se Italija do të hynte në luftë me Jugoslavín për Kosovën t’onë e as për me besue qi Shqipnija mund t’a bânte e t’a fitonte vetëm atë luftë, qoftë edhe me nja 100. 000 “vullnetarë” italjanë. Komedij e Korés me “vullnetarët” qinez s’ishte në modë aso kohe, as qi mund të përsritej ajo e Spanjës në Shqipní. Në Ditarin e Cianos kam lexue se në 37 a 38 Zogu i kishte qênë sjellë Romës qi të ndërhynte në Beligrad për sigurimin e së drejtave të pakicës kosovare në bazë të traktateve ndërkombëtare qi Jugoslavija s’ishte tue i respektue. Paska qênë në 38 më duket, kur Roma po e kishte punën pupa me Stajodinoviqin; se më kujtohet qi Ciano e përsiell në Ditarin e vet këtë kërkesë të Mbretit me këto fjalë: “Tash i a kallzoj vetë Kosovën Zogut!” Ça donte me thânë qi tash porsa t’ishte marrë vesht premas me Sërbin do t’a pushtonte krejt Shqipnín, veç nji cope qi do të shkonte me u bashkue me Kosovën. Duket se Mbreti i paska do partizanë tepër zelltarë, qi paskan vûmë në qarkullim një përrallë aqë të marrë.
Tash të vijmë ke ajo fraz’e ime qi pata hjedhun ashtu si kot për Tý, e qi prej përgjegjes s’ate po shoh se më paska frymzue Zoti me e hjedhun. E dijmë e e besojmë qi Krishti kur vot në Jeruzalem e u shpalli luftë haptas Farizejvet me të tânë beslidhunit e tyne n’atë botë të kalbun, e dinte mirëfilli se ç’ishte tue e pritun. Por ai ishte misjon’ i tij i shênjtë, me gjak të tij do të shugurohej ai ideal sublim qi kishte në mênd e në zêmër. Dijmë edhe se nji françeskan si Ti ka prujtun me armë në dorë kalán e Sfetigradit kundra Tyrqvet. Porse arsyetim’ i Yt për mos me i u largue rrezikut të konopit bolshevik, sepse në këtë mënyrë do t’i u shmângte edhe idealit t’Atdheut s’më duket aspak i drejtë. Ase Ti atë rrezik qi shoh un nuk e sheh. E kjo âsht nji punë tjetër qi mund të diskutohet. Por në qoftë se jemi përpara nji lufte, sa mâ shpejt qi të plasë kjo aqë mâ shumë gjasë ka qi krejt kontinent’i Evropës tash bie në dorë të bolshevikvet. E atbotë kushdo qi e ka mizën në ksulët e qi ka mundsí mos me banue në këtë kontinent edhe i dhimbet ndopak vetja ase kush ka nevojë për jetën e tij, pa fjalë duhet të largohet. E pra tash qi po e dij se për tý qênka nji pun’ e lehtë me shkue atje ku ka sigurí e bashkë me këtê madje edhe qetsí të plotë për me punue për idealin t’Ând në mâ të mirën rrugë qi Ti mund të punojsh, po t’a them shqip se kishe me bâmë nji krim kundra vetvetes dhe idealit t’Atdheut tue mos shkue. Ky ka nevojë për Tý, por mund t’i shërbejsh vetëm kur ta keshë kryet shëndoshë. Me pushkë nuk besoj qi të mendojsh me i shërbye. E sa për me trû e me zêmër e me fjalë, këtê mund t’a bâjsh edhe tue qênë tej Atlantikut. Mbandej 10 vjet ça qênkan për moshën t’ânde? Për mue qi normalisht s’i kam edhe aqë vjet jetë, po, por Tý të teprojnë edhe nja 20 të tjera mbas meje. E këtu edhe mue m’u mbarue karta, pra tu mirë bisedofshim me letra tjera.

MKruja