VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

‘Po kalonte mbreti me shallvare’ ja pse shpërtheu sërish sot Rezart Veleshnja ndaj Edi Ramës

By | October 30, 2019

Komentet

Festivali i 29-të shqiptar në Nju Jork (video)

Edhe pse larg vendlindjes, komuniteti shqiptar në Nju Jork ruan me zili vlerat e kombit. Dëshmi për këtë është festivali shqiptar në këtë qytet amerikan, që çdo vit për gati tre dekada sjell këngë e valle folklorike. Në kronikën në vazhdim mund të ndiqni atmosferën e edicionit të 29-të të këtij festivali, të cilin e përcolli kolegu ynë Burim Goxhuli.

Festivali i 29 shqiptar në Nju Jork, solli program të pasur kulturor. Ky aktivitet synon të ruaj traditat dhe vlerat artistike të kombit, nëpërmjet këngëve dhe valleve folklorike të interpretuara nga artistë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Në skenë u ngjitën artistë shqiptarë që u përkasin tre brezave të ndryshëm. Famulltari i Kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj, u shpreh me shumë krenari përpara të pranishmëve.

“Është kënaqësi kur shohim të rinjtë e të rejat e komunitetit tonë që kanë lindur këtu në Amerikë, duke kënduar e vallëzuar këngë dhe valle shqiptare. Kjo tregon se ata krenohen se janë shqiptarë”.

I pranishëm në festival ishte edhe një mysafir i veçantë. Krytari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engël, garantoi se do të vazhdojë kontributin për komunitetin shqiptar.

“Do të bëj gjithçka që është e mundur, që të sigurohem se Kosova merr njohjen që meriton, që Shqipëria merr përkrahjen që e meriton dhe që të gjithë shqiptarët qofshin në Ballkan ose në Amerikë, të trajtohen drejtë dhe në mënyrë të duhur sepse edhe unë e ndiej veten pjesë të kombit shqiptar, pasi kam punuar për shumë vite për të.”

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, kërkoi nga komuniteti shqiptar në Amerikë që të mos kursehet ndihma për vendlindjen.

“Dikush më pyeti se sa shumë duhet të bëjmë për vendet tona? Përgjigja ime ishte e thjeshtë. Imagjinojeni sikur ne jemi në shtëpi, ndërsa familjet dhe populli ynë janë këtu. Sa shumë do të kërkonim nga ata që të bënin? Kaq i kemi borxh popullit tonë dhe vendit tone.”

Të pranishmit në festival i vlerësojnë shumë ngjarje si këto, që të kujtohet e kultura e kombit shqiptar, në mënyrë që ajo të mos harrohet kurrë.

“Prej gjithë botës jetojnë këtu dhe fëmijët tanë gjithmonë kanë marrëdhënie, sidomos në shkollë. Por besoj se festivalet dhe tubime të tilla luajnë një rol të jashtëzakonshëm që ruajmë traditat tona”, tha Kol Cacaj.

“Është mirë të dish nga je. Ku e ke vendin dhe sa vështirësi kishin njerëzit tanë të vinin këtu. Shqiptarët e paten të vështirë të vinin në Amerikë, që të kenë familje e punë. Është mirë ta dish nga ke ardhur. Pa histori ske të ardhme”, tha Albian Velia, pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan.

Festivali i 29 shqiptar, iu kushtua figurës së Ismail Qemalit. Aktiviteti i organizuar nga qendra kulturore “Nënë Tereza” e Kishës Zoja e Shkodrës, është një nga shumë veprimtaritë për nder të 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

VIDEO – Me kostum kombëtar dhe flamur kuq e zi, Mali i Zi dëbon aktivistin shkodran

Mali i Zi dënon shkodranin e mirënjohur Irfan Domnori për shkak të përdorimit të simboleve shqiptare në një aktivitet në Tivar.

Ai ka rrëfyer ngjarjen me detaje duke e konsideruar paradoksal shkakun e dënimit që do ti kushtojë jo vetëm 300 euro, por dhe mos lejim të kalimit në Mal të Zi.

Një ngjarje paradoksale ka ndodhur me një ndër figurat më të njohura të Shkodrës në fusha të ndryshme për shkak të pjesëmarrjes së tij në aktivitete kulturore dhe sportive.

Irfan Domnori pretendon se vetëm për shkak se në një festë në Tivar të Malit të Zi ka veshur simbole kombëtare dhe ka mbajtur një flamur shqiptar është ndaluar nga policia e shtetit fqinj dhe më pas gjykata e dënoi.

64 vjeçari me shumë të ngjarë nuk i njeh ligjet e Malit të Zi që në fakt nuk ndalon simbolet kombëtare të shteteve të tjera por bashkë me to duhet të ekspozohet dhe flamuri malazez.

Ky është rasti i dytë që një shqiptar dënohet nga drejtësia e Malit të Zi për shkak të simboleve kombëtare në evente.

VIDEO LAJM- “Rama ik”, momenti kur tifozët thërrasin në kor kundër kryeministrit. Simbolika e njëjtë me protestat e opozitës

Tifozët kanë shpërthyer në thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, gjatë ceremonisë së hapjes së stadiumit të ri “Air Albania Stadium”.

Sikurse mund të dëgjohet edhe në video, në kor, tifozët thërrasin “Rama ik”, në momentin kur në stadium fiken dritat dhe ndizen dritat e celularëve, një simbolikë kjo e përdorur edhe gjatë protestave të PD-së, ku protestues te shumte, ndriçuan bulevardin me dritat e celulareve.

tifozet thirrje rama ik on Vidnews.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së stadiumit së bashku me familjen e tij, bashkëshorten Linda Rama dhe djalin Zaho. Në fjalën e tij, Rama e quajti ditën e sotme “ditë historike për sportin shqiptar”.

Marin Mema- Si po pushtohet sot Shqipëria nga grekët, serbët dhe turqit? Vendimet tronditëse (VIDEO)

Gjurmë Shqiptare – Si po pushtohet sot Shqipëria nga grekët, serbët dhe turqit? Vendimet tronditëse

Pamjet e rralla- Si u nderua Rama nga kisha greke me urdhrin “Kryqtar” (VIDEO)

Gjatë vizitës që bëri në dhjetor të vitit 2015 në Izrael, kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një takim mjaft interesant në Patriarkanën e Jeruzalemit. Në atë kohë kreu i qeverisë publikoi vetëm disa foto nga takimi ndërsa shprehte kënaqësinë e pritjes nga Patriarku ortodoks Teofili III dhe Patriarku latin i Jeruzalemit Imz. Fuat Tëal.
Por në këto takime Rama mori edhe një nderim të veçantë. Ai u dekorua me Urdhrin e Kryqit të Lartë të Kalorësit të Varrit të Shenjtë. Dekorimi u bë i njohur që atë kohë ndërsa pamjet janë zbuluar vetëm tani. (video më poshtë)


Në fjalën e tij Fortlumturia e Tij, Theophilos III, Patriarku i Jeruzalemit tha se kishte qënë në Shqipëri më 2012 ndërkohë që foli me superlativa për kryepeshkopin Anastas Janullatos.
“Ne krenohemi për marrëdhënien tonë të ngushtë me Kishën Ortodokse të Shqipërisë dhe vëllain tonë, Kryepiskopi Anastas. Kisha Ortodokse është duke luajtur një rol jetik në promovimin e shoqërisë multi-kulturore dhe multi-fetare të vendit tuaj, dhe Kryepiskopi Anastas është thellësisht e përkushtuar për mirëqenien e Shqipërisë dhe të gjithë popujve të saj” , – tha Patriarku Theophilos III.
Në atë kohë Rama pati një debat të ashpër me kishën ortodokse në Shqipëri pas prishjes së një kishe në Dhërmi./lapsi.al/

Arbëreshët e Nju Orlinsit, një histori në shekuj

Çdo vit në fillim të nëntorit, një grup banorësh të Nju Orlinsit mblidhen në katakombet e famshme të qytetit në një ritual tradicional. Grupi i përket shoqatës Contessa Entellina, përbërë nga trashëgimtarët e arbëreshëve nga Siçilia, të ardhur në Shtetet e Bashkuara në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të. Kolegia Ardita Dunellari ndoqi ceremoninë e foli me pasardhësit e arbëreshëve të Nju Orlinsit:

Një pamje e pazakontë shpaloset çdo nëntor në katakombet Metaire të Nju Orlinsit: një festë mes varresh që vazhdon prej dekadash.

Me lutje, biseda, histori e shaka, si dhe me dolli e ushqime, një grup banorësh të qytetit mbajnë gjallë kujtimin e brezave që lanë fshatin siçilian Contessa Entellina e u vendosën në Nju Orlins në fund të viteve 1800 e fillim të viteve 1900. Ata sollën me vete gjuhën, kulturën, fenë dhe identitetin e fshatit të tyre arbëresh.

Nuk është për t’u çuditur që festimet hapen me lutje nga prifti ortodoks, prifti koptik dhe më pas prifti katolik, si një sintezë e rrugëtimit nëpër histori dhe identitetit unik që ata ruajtën për shekuj në Itali e vazhdojnë ta kujtojnë edhe në Nju Orlins.

Ata erdhën në një kohë ndryshimesh sizmike në jugun amerikan.

Historiani i shoqatës Contessa Entellina, Justin Lance Schiro, tregon se pas zhbërjes së sistemit të skllavërisë që solli lirinë për skllevërit, pronarët e plantacioneve kishin mbetur pa krah pune. Ata u paguanin rrugën me anije fermerëve të Siçilisë me një traditë të gjatë në bujqësi. Prurje të tilla krijuan një traditë të fortë tregtaresh e zejtarësh siçilianë në Nju Orlins, shumë prej të cilëve me origjinë arbëreshe.

Gjyshërit nga babai janë të dy nga (fshati) Contessa. Ata u vendosën këtu në vitet 1800,” tregon Tony Foto. Ai shpjegon se gjyshërit nga babai dallonin nga prindërit e nënës së tij që ishin italianë, por jo arbëreshë:

“Gjyshërit nga babai flisnin anglisht dhe arbëresh. Nuk flisnin italisht. Gjyshërit e tjerë që kishin ardhur gjithashtu nga Italia nuk kuptonin asnjë fjalë që ata thonin në gjuhën e arbëreshëve”.

Nevoja i solli arbëreshët në Nju Orlins. Fati i vendosi në një qytet që kishte pritur e asimiliar komunitete të pafundme etnike. Profesori i historisë Lawrence Powell tregon se në Nju Orlins, vetë nga diktati i gjeografisë së qytetit, krijoi një kulturë tolerancë e shkrirjeje kulturore unike:

“Deri kur thanë kënetat në fillim të shekullit të 20-të, të gjithë banorët jetonin në një distancë rreth 3km nga brigjet e lumit Misisipi, pra nuk kishte hapësirë për të krijuar geto apo lagje etnike. Të gjithë jetonin bashkë. Njerëzit shkëmbenin receta nga gardhi i oborrit, kalonin kohën përjashta pasi nuk kishte kondicioner. Në Nju Orlins, njerëzit jo vetëm mësuan të mbijetojnë, por të krijojnë një kulturë për të shijuar jetën. Në një qytet ku jetonin në buzë të katastrofës, kur Misisipi mund të dilte në çdo moment nga shtrati e t’i përpinte, ata mësuan të gëzojnë të tashmen”.

Gjykatësi në pension, Salvador Mulé, e konsideron veten amerikan i brezit të parë: gjyshërit e tij i lindën fëmijët në Contessa Entellina, para se të vendoseshin përfundimisht në Nju Orlins. Ai kujton se si në fëmijëri dëgjonte gjuhën arbëreshe:

“Kur vizitonim gjyshërit, prindërit flisnin me ta në gjuhën arbëreshe që të mos i kuptonim ne fëmijët. Por ne nuk na e mësuan kurrë gjuhën e tyre”.

Gjenerata më e vjetër përpiqet të tërheqë brezat e rinj në këtë traditë. Aktivistja Joyce Schiro ndihmon me kërkime gjenealogjike për të zbuluar rrënjët e prejardhjen e pjesëtarëve të shoqatës.

Presidenti Gasper Schiro, jurist në pension, beson se këto aktivitete ofrojnë më shumë se thjesht një mundësi për t’u mbledhur e për të kujtuar të afërmit që janë ndarë nga jeta.

Për disa, identiteti arbëresh ka mbetur thjesht një jehonë nga e kaluara e brezave. Për të tjerë, si Lisa Gourgues, është një mundësi për të kuptuar veten dhe për të zbuluar degët e largëta të familjes:

Lisa Gourgues, Nju Orlins

“Kur isha e vogël mendoja se isha italiane; mësova se isha siçiliane, pastaj më treguan se gjyshi ishte arbëresh/shqiptar”.

Gjyshi i Lisës nuk ishte nga fshati Contessa Entellina por nga Santa Christina Gela. Por meqë Contessa Entellina feston trashëgiminë arbëreshe në Nju Orlins, ajo gjen arsye të përfshihet në ceremony.

Lisa tregon se kishte gjithmonë kuriozitet për gjyshin që kishte vdekur para ajo të lindte.

“Nëna gjithmonë më tregonte se ai dukej ndryshe nga siçilianët, pasi ishte bardhosh me flokë e sy të errët”.

Në përpjekje për të mësuar më shumë për të, ajo vizitoi edhe fshatrat siçiliane nga vinin familjet Palermo dhe Musacchia nga ridhte gjyshi. Një kuriozitet që e ka lidhur tani me kushërirë të shumtë që ende ndjekin traditën arbëreshe në Itali.

Për ata që ende nuk e kanë realizuar ëndrrën për të vizituar fshatin e të parëve në Siçili, festa e nëntorit merr një rëndësi të veçantë…

“Është tradita që ka kaluar nga gjyshi, tek babai, e tani tek unë,” thotë Tony.

Një traditë që i ndihmon këta banorë të Nju Orlinsit të kujtojnë udhëtimet e arbreshëve shekuj më parë drejt Italisë dhe të afërmve të tyre drejt një jete të re në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

Intervista – Shipoli: Ballkani të jetë i kujdesshëm me Turqinë (video)

Analisti i çështjeve të Ballkanit në Uashington, Erdoan Shipoli, thotë se Turqia është një aktore e rëndësishme në Ballkanin perëndimor, por këto vende duhet të kenë kujdes nga sistemet paralele që ajo përpiqet të krijojë atje. Në një intervistë me kolegun Ilir Ikonomi, zoti Shipoli flet edhe për vizitën e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Shtetet e Bashkuara dhe çështje të tjera.

Zëri i Amerikës: Është e qartë se në marrëdhëniet Amerikë-Turqi janë shfaqur tashmë probleme të shumta, që nga ato ushtarake e deri tek të drejtat e njeriut. A prisni që vizita e Presidentit Erdogan në Uashington t’i përmirësojë marrëdhëniet?

Erdoan Shipoli: Vizita e Presidentit turk në Uashington ka ardhur në një kohë shumë të veçantë në lidhjet mes Turqisë dhe Amerikës. Sot në Kongres janë duke diskutuar për sanksione ose për një deklaratë kundër Turqisë dhe operacionit turk në Siri. Por gjithashtu dihet që Turqia me strategjitë e fundit, përmirësimin e lidhjeve me Rusinë ose edhe të gjitha problemet me Bashkimin Europian, këto kanë qenë të dëmshme në lidhjet mes Turqisë dhe Amerikës. Kështu që, unë nuk pres shumë nga kjo vizitë. Kjo vizitë është si një karrotë që Presidenti amerikan i ka dhënë Presidentit turk për përmirësimin e lidhjeve, sepse këtë vizitë vetëm Erdogani do të mund ta përdorë dhe ta shesë në Turqi si një rezultat që “unë shkoj në Amerikë, kam lidhje të mira me Presidentin amerikan edhe pse Kongresi po më nxjerr probleme”.

Zëri i Amerikës: Nga një pikëpamje gjeostrategjike, si i shpjegoni hapat e Turqisë për t’u afruar me Rusinë dhe për të krijuar të çara në marrëdhëniet me NATO-n?

Erdoan Shipoli: NATO-ja sipas meje është aleanca më e rëndësishme në Turqi, në të gjithë historinë e Turqisë. Por, ne duhet edhe ta dimë që Turqia si shtet, strategjia shtetërore e sigurisë, e regjimit turk të Presidentit Erdogan, ndonjëherë nuk janë të njëjta. Domethënë, Erdogani ka menduar që mund të luajë lojë të dyfishtë edhe me Rusinë, edhe me NATO-n ose Amerikën, dhe është munduar t’i përdorë të dyja kundër njëra-tjetrës. Dhe për këtë, regjimi i Erdoganit është afruar aq shumë me Rusinë sa e ka të pamundur tani të shkëputet prej saj. Kjo do të sjellë më shumë përçarje në NATO. Është e rëndësishme që edhe shtetet aleate të NATO-s, edhe Bashkimi Evropian, por edhe Amerika në bisedimet bilaterale t’i tregojnë Turqisë se deri kur ata munden të presin, ose deri kur mundet që Turqia të vazhdojë me këtë politikë.

Zëri i Amerikës: Ka vite që zoti Erdogan përpiqet të rrisë ndikimin e Turqisë në Ballkan. Sa sukses ka patur ai në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje dhe çfarë natyre ka ndikimi që ai përpiqet të arrijë?

Erdoan Shipoli: Turqia është aktor shumë i rëndësishëm në Ballkan, edhe historikisht, edhe tani. Dmth është ndër vendet më të mëdha, me ekonominë më të madhe në rajon. Por, Turqinë e bën më të rëndësishëm aleanca me NATO-n, rrugëtimi i saj në Bashkimin Evropian, lidhjet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara. Sa kohë që Turqia t’i vazhdojë këto lidhje ose ta ketë politikën e zhvillimit të marrëdhënieve drejt Bashkimit Evropian, atëherë ajo është shumë më e rëndësishme për Ballkanin. Por, nëse në një rrugë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian, edhe pse BE-ja jo gjithmonë e pranon që ne të Ballkanit e kemi vendin aty, nëse dikush prej atyre partnerëve që ecin bashkë, e kthen destinacionin nga Rusia, nga Lindja e Mesme, ose nga Euroazia, atëherë ky partner jo vetëm që nuk është më partner i yni, por është edhe partner i rrezikshëm. Dmth, Turqia në Ballkan e ka rritur ndikimin. Ka pasur gjithmonë ndikim, por sidomos në Ballkan ne duhet t’i ndajmë shtetin e Turqisë, si Turqi, dhe regjimin. Të gjitha shtetet në Ballkan, sidomos Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja-Hercegovina duhet të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë, por duhet të kemi gjithashtu kujdes me sistemet paralele që nuk kanë lidhje me punën e Turqisë që regjimi i Erdoganit i sjell me mënyra të ndryshme, përmes ekonomisë, energjisë, partive politike, organizatave të ndryshme që ata financojnë etj.

Zëri i Amerikës: Fakti që Bashkimi Evropian po tregon një humbje të entuziazmit për të shpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor, a është ky një shans për zotin Erdogan që të shtojë përpjekjet drejt këtyre vendeve?

Erdoan Shipoli: Për fat të keq po. Por jo vetëm për Presidentin Erdogan, por edhe një shans për Rusinë, ose për vende të tjera. Sidoqë të jetë, ne si popuj, sidomos shqiptarët në Ballkan, nuk duhet të heqim dorë nga integrimet evropiane, euro-atlantike, sepse nuk kemi opsione më të mira dhe nuk ka opsione të ndryshme. Kur vjen puna e Turqisë, po, ata e përdorin këtë, e përdorin edhe rritjen e islamofobisë në Evropë. I përdorin edhe të gjitha problemet e brendshme që ka Evropa, ose problemet që ne kemi për shkak të ngecjeve në integrimet evropiane, ose p.sh. siç shihet në Kosovë për liberalizimin e vizave. Një kosovar, për shembull, e ka shumë më të lehtë të shkojë në Turqi se sa në Greqi, në Itali, apo gjetiu në Evropë.

Zëri i Amerikës: Në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, çfarë prirjesh shihni ju, sa të gatshme kanë qenë ato për të lejuar një ndikim më të madh të Turqisë në vendet e tyre?

Erdoan Shipoli: Nëse analizojmë se si punon regjimi në Turqi, atëherë shohim që ata së pari hyjnë në një vend me mjete ekonomike. Pastaj, ata dëshirojnë të marrin disa sektorë që janë të rëndësishëm në ato shtete, p.sh. sektorin e energjisë, telefoninë, bankat, por pastaj hyjnë në arsim, ose në punët fetare. Unë sidomos i shoh shumë të rrezikshme prirjet e regjimit turk që në Kosovë dhe në Shqipëri të influencojnë sistemin arsimor dhe sistemin fetar.

Zëri i Amerikës: Po këto vende, qeveritë e këtyre vendeve, sa të gatshme kanë qenë për t’i lejuar prirjet e Turqisë?

Erdoan Shipoli: Unë mendoj se kanë lejuar pak më shumë se ç’iu duhet. Dhe do të ketë shumë më tepër presion, që të lejojnë më shumë. Vetëm duhet me qenë shumë të kujdesshëm. Së fundi, siç e shohim në Maqedoninë e Veriut, ose në Bosnjë-Hercegovinë, regjimi në Turqi financon parti politike. Në Kosovë dhe në Shqipëri, qeveritë ende nuk kanë lejuar diçka të tillë. Megjithatë, ky do të jetë qëllimi i tyre i ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët e SHBA kanë thënë se e mirëpresin rolin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor, nëse ai është një rol konstruktiv. Turqia ka investuar në infrastrukturën e disa prej këtyre vendeve dhe ka ndërtuar apo rindërtuar disa xhami. Sa konstruktiv mendoni se ka qenë ky rol?

Erdoan Shipoli: Unë mendoj që roli i Turqisë deri tani, historikisht, ka qenë shumë i mirë, shumë konstruktiv. Unë kam qenë ndër avokatët e tyre që mendoj se Ballkani Perëndimor duhet të ketë lidhje më të mira me Turqinë. Por ne atëherë flisnim për një Turqi që ka destinacion Bashkimin Evropian, integrimin në BE, dhe që është aleate e çmueshme e Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar…

Erdoan Shipoli: Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar totalisht. P.sh. çështja e financimit të xhamive. Njerëzit në Shqipëri dhe në Kosovë që janë fetarë, janë fetarë. Shumica nuk janë praktikantë. Nëse ka nevojë të bëhet një xhami, të bëhet. Nuk ka problem. Derisa ato të jenë nën kontrollin e mekanizmave në shtetet përkatëse. Por, siç e shohim në Gjermani, në Hollandë, në Danimarkë, këto shtete kanë hapur hetime kundër imamëve që janë dërguar nga Turqia, sepse ata kanë bërë punë inteligjence, dmth kanë mbledhur të dhëna për njerëzit që janë kundërshtarë, ose kritikë, të regjimit në Turqi. Nëse këto gjëra do të ndodhin në Kosovë dhe në Shqipëri, atëherë do të ketë një efekt negativ, jo vetëm për kritikët e Erdoganit, siç ka ndodhur në Kosovë, por edhe për të gjithë shtetin e Kosovës ose Shqipërisë. Për ne si shtete që duam të integrohemi në Bashkimin Evropian, që ndihemi mirë se kemi mbrojtur të drejtat e njeriut, kemi luftuar për të drejtat e njeriut, atëherë operacione si ato që kanë ndodhur në Kosovë, ose operacione inteligjence që imamët turq kanë kryer në Gjermani, Hollandë, apo Danimarkë do të jenë shumë negative për neve.

Zëri i Amerikës: Disa nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë mbajtur marrëdhënie speciale me Presidentin Erdogan, mes tyre është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. A shihni një përpjekje të zotit Erdogan për t’i kthyer këta udhëheqës në njerëz të bindur që u shërbejnë interesave të tij në këto vende?

Erdoan Shipoli: Nëse analizojmë historinë e Erdoganit, ai ka patur marrëdhënie personale me njerëz të ndryshëm, që sot i quan terroristë apo njerëz kundër Turqisë. Pra, ai përpiqet të krijojë relata shumë personale dhe të mira me ata që ai mendon se mund t’i përdorë, apo që mund të jenë në interes të tij. Por kjo do të ishte diçka shumë negative për Shqipërinë, jo vetëm për zotin Edi Rama por edhe për presidentët e shteteve të tjera, si Presidenti Thaçi, Izetbegoviçin në Bosnje, të cilët kanë marrëdhënie personale. Unë do të dëshiroja që këto të ishin marrëdhënie shtetërore, sepse dy shtete duhet të bashkëpunojnë. Por kur vjen puna te marrëdhëniet personale, aty nisin konsipiracionet që nesër mund të jenë problematike për shtetin dhe për popullin që ata qeverisin.

Zëri i Amerikës: Një rast mjaft i debatuar ka qenë memoriali turk i ngritur në Tiranë për grushtin e shtetit në Turqi, që habiti mjaft njerëz për nga fshehtësia me të cilën u bë. Ju si e shihni?

Erdoan Shipoli: Unë nuk habitem nga fshehtësia, sepse Turqia aktualisht bën veprime të tilla të fshehta kudo në botë. Unë habitem se si është lejuar diçka e tillë. Deri më sot, askush nuk mund të thotë se kush e bëri grushtshtetin në Turqi. Ka konspiracione dhe hetime të ndryshme. Nëse nesër del se ka qenë një grushtshtet për show, atëherë çfarë duhet të bëjmë? Ç’duhet të bëjmë me memorialin? A duhet ta heqim atë? Ky memorial nuk ka të bëjë fare me njerëzit që humbën jetën. Ai është një memorial politik, që Erdogani e përdor për konsum vendor. Edhe në rastin e rrëmbimit të gulenistëve në Kosovë, kjo u përdor për konsum të brendshëm. Për shembull, zëdhënësit e presidencës së Turqisë apo njerëzit e Erdoganit, dalin çdo ditë nëpër televizione ku thonë: Ne jemi shtet i fortë sepse më shumë se 100 kritikë të regjimit me operacion të paparë i kemi sjellë në Turqi nga vende të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e komunitetit mysliman në Shqipëri dhe Kosovë e shohin Presidentin Erdogan si mbrojtës të myslimanëve. A është ky një rol që vetë zoti Erdogan përpiqet ta promovojë? A është kjo një politikë e tij?

Erdoan Shipoli: Është shumë interesante. Erdogani promovon çdo gjë që është në interesin e tij. Nëse e shikon me interes që të promovojë veten si udhëheqës i myslimanëve, ai e bën këtë edhe këtu në Amerikë me organizata të ndryshme islamike. Nëse e sheh me interes ta promovojë veten si demokrat, siç bëri në 10 vitet e para të qeverisjes së tij, ai e bën edhe këtë. Erdogani është islamist dhe e sheh veten si njeriu i vetëm i drejtë kur vjen puna te marrëdhëniet me Islamin. Ai nuk e ka problem të jetë udhëheqës i myslimanëve, por i myslimanëve që e mbështesin atë. Sepse edhe kurdët që po vriten në Siri janë myslimanë, Guleni gjithashtu është mysliman.

Kurti: Shqipëria duhej të priste formimin e qeverisë së Kosovës para çdo nisme rajonale

Leonat Shehu

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, tha të mërkurën se është bërë gabim në hapa lidhur me nismën rajonale për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave e quajtur Shengenin Ballkanik ndërsa bëri thirrje për aleanca tjera ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

“Nuk nis me Serbinë kjo punë, nis Kosovë-Shqipëri vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare dhe Shkup zyrtar e Beogradi në fund sepse i tillë çfarë është ai, i papenduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara, në filtrim të vazhdueshëm me Moskën e (Vladimir) Putinit nuk mund të ketë prioritet, rrjedhimisht mendoj se edhe mbledhja e Novi Sad-it dhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa”, tha zoti Kurti.

Ai tha se Shqipëria zyrtare është dashur të presë formimin e qeverisë së re të Kosovës para çdo nisme rajonale.

“Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare një qeveri të re dhe të denjë të Kosovës shumë vite, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri dhe të bashkëpunojmë të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim me Novi Sad, me Ohër e nesër me Durrës kur jemi në prag të formimit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Pra nëse kanë pritur shumë vite është dashur të presin edhe pak javë”, tha zoti Kurti.

Autoritetet në Kosovë kanë refuzuar përfshirjen në nismën e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut ndërsa e kanë quajtur të pakuptimtë një gjë të tillë përderisa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Partitë politike madje e kanë quajtur si pëprjekje për ringjallje të ish Jugosllavisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i hodhi poshtë vlerësimet e tilla ndërsa theksoi se Kosova kësaj radhe nuk është penguar nga askush por është vetëpërjashtuar.

Të rezervuar janë shprehur edhe Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina që kanë kërkuar kohë që të vlerësojnë këtë nismë rajonale.

Debati për Kushtetuesen, Parlamenti voton 2 anëtarët e rinj (video)

Armand Mero

Në Shqipëri, parlamenti votoi sot për dy nga tre anëtarët e Gjykatës kushtetuese që i takojnë atij t’i emërojë. Me një shumicë prej 105 votash u përzgjodhën Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Vendimi u kritikua nga Partia Demokratike e cila foli per shkelje të kushtetutës. Ndërsa përmes deklaratave të veçanta, Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë, e përshëndetën vendimin e sotëm të parlamentit.

Votimi në parlament, u zhvillua në sfondin e një debatit të ndezur që prej javës së shkuar, kur presidenti Ilir Meta, në limitin e afatit kohor për emërimin e kandidatit të dyte prej tij, deklaroi se kishte pezulluar procedurën, duke qenë se sipas tij Kushtetuta përcakton një radhë në emërimin e anëtarëve, dhe se ai do të duhej të vepronte pasi parlamenti nga ana e tij të zgjidhte anëtarin e një prej dy vakancave të shpallura nga ky institucion.

Por, ashtu si dhe gjatë këtyre ditëve, edhe sot në sallë, përfaqësuesit socialistë folën për një përpjekje, sipas tyre, të Kreut të Shtetit për të bllokuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. “Radhën e ka përcaktuar Kushtetuta, për të shmangur konfliktin institucional mes tre organeve që përfshihen në kompozimin e Gjykatës kushtetuese, sepse një e treta anëtarëve rinovohen çdo tre vjet. Por radha nuk përcakton veprimin kohor, se cili vepron i pari e cili vepron i treti, sepse secili nga tre organet e ushtrojnë këtë kompetencë kushtetuese në mënyrë të pavarr nga njëri tjetri. I vetmi kufizim kohor që ka kushtetuta dhe ligji është afati 30 ditor”.

Nga ana e tij kryetari Gramoz Ruci tha se si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ashtu dhe Këshilli i Legjislacionit i vetë parlamentit kanë vlerësuar plotësisht në respekt të Kushtetutës vijimin nga ana e këtij institucioni me emërimin e dy anëtarëve nga vakancat e veta.

Parlamenti zgjodhi me 105 vota kandidatet Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Vendimi i Parlamentit duket i sforcuar, duke qenë se ai nuk pati mundësi të zgjedhë mes tre kandidaturave, por në të dy rastet kishte vetëm një mundësi për të zgjedhur. Dhe menjëherë pas votimit, Partia Demokratike foli për shkelje të Kushtetutës. “Për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishte 12 kandidatë siç kërkon Kushtetuta, por vetëm 4 kandidatë të vlefshëm për përzgjedhje. Këta janë të njëjtët emra si për Presidentin, ashtu edhe për Kuvendin. Kjo do të thotë që për 1 vend në Gjykatën Kushtetutese, kishte vetëm 1 kandidat, dhe jo 3 siç e detyron Kushtetuta, duke paracaktuar anëtarët dhe duke e bërë votimim fiktiv. Kjo është shkelja e parë e Kushtetutës”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, duke mbështetur më pas dhe arsyetimin e bërë nga presidenti Ilir Meta për këtë çështje.

Nga ana e tyre, Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, përshëndetën vendimin e parlamentit. “Votimi i sotëm, çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”, thekson ambasada amerikane. Ndërsa Delegacioni i BE-së deklaroi se e mirëpret këtë vendim dhe se pret krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. “Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është thelbësor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, përfundon deklarata.

Situata e krijuar do të vijojë të ushqejë debate. Në Fletoren zyrtare të shtunën u botua vendimi sipas të cilit kandidatja Arta Vorpsi, e cila renditej e para në listën ku duhet të përzgjidhte presidenti, shpallet anëtare e Gjykatës, duke vlerësuar se kreu i shtetit nuk e kishte shfrytëzuar kompetencën e tij, brenda afatit 30 ditor. Mbetet për t’u parë nëse zonja Vorpsi, do të mund të nisë apo jo punën, duke qenë se më parë do të duhet të bëjë betimin, pikërisht para presidentit. Zoti Meta njoftoi sot se do të shprehet në ditët e ardhshme, ndërsa përmes zëdhënësit të tij u shpreh pak pas votimit në parlament se “asgjë e re nga fronti i Ramaformës”, cilësimi me të cilin presidenti përkufizon Reformën në Drejtësi e cila siç ka theksuar në mënyrë të përsëritur është kapur nga kryeministri Edi Rama.

Rrugëtimi i pazakontë në muzikë i Edon Mollës

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo rrallë herë suksesi është i lidhur edhe me fatin. Këtë e dëshmon rrugëtimi në muzikë i 25 vjeçarit nga Kosova, Edon Molla. Ai kishte ëndërra të mëdha në basketboll dhe marketing për çka edhe mbaroi studimet, ndërsa muzikën e kishte filluar vetëm si aktivitet për të larguar stresin nga këto të dyja. Por një takim i rastësishëm dhe i shkurtër në ashensor me yllin e muzikës Roberta Flack, i ndryshoi jetën. Kolegu Burim Goxhuli, na sjell në vazhdim historinë interesante të suksesit të Edon Mollës.

Para pak muajsh këngëtari i ri Edon Molla nxorri në treg albumin e tij të parë të titulluar “Alone”. Përfundimi i këtij projekti, kërkoi punë, vullnet dhe fat.

Historia e Edonit nisë në qytetin e Prizrenit. Kur ishte dy vjeç, familja Molla vendosi të emigrojë drejt Nju Jorkut.

“Kishim shumë vështirësi sa ishim në Kosovë” thotë Edon Molla në intervistë për Zërin e Amerikës, duke shtuar se erdhën në Amerikë që të kishin më shumë mundësi në jetë.

Edoni vazhdoi shkollimin në Nju Jork. Mënyra e jetesës në qytetin që nuk fle kurrë, e bëri atë shumë ambicioz. Në moshë të re ai luante basketboll dhe synonte arsimin në universitete të njohura amerikane.

“Shkollimi ishte qëllimi kryesor” thotë ai, teksa tregon se luante basketboll që të fitonte bursë për studime universitare. “Nuk dëshiroja që prindërit të më paguanin shkollën”, thotë ai.

Por, me kalimin e viteve, basketbolli zuri vendin kryesor në jetën e Edonit.

Deri në moshën 18 vjeçare, Edoni e mendonte të ardhmen e tij në sport. Por një punë sezonale si pastrues në Manhattan verën e vitit 2016, i ndryshoi jetën.

Kur ishte 18 vjeçar, ai filloi punën si pastrues në një ndërtesë të quajtur Dakota. Ai thotë se ndërtesa “është vendbanim i të pasurve”.

Thotë se ndihej i nevrikosur pasi ishte refuzuar nga një kompani për punë praktike.

Por, disponimi i tij ndryshoi kur pa se në ndërtesën që e pastronte, jeton ylli I muzikës, Roberta Flack.

Mjaftoi një interpretim i shkurtër në ashensor i Edonit, që autorja e hitit të njohur “Killing me Softly” të spikasë talentin e të riut nga Kosova.

Ai thotë se atë verë “më nuk punova si pastrues” pasi këngëtarja e njohur e ftoi që ta ushtrojë të riun nga Kosova.

“Nuk kam parë një 18 vjeçar që këndon dhe shkruan këngë si këto që bëni ju pa ndihmën e askujt” i kishte thënë ajo, derisa e këshilloi që të merrej me muzikë “sepse aty e ke të ardhmen”.

Megjithatë, në industrinë amerikane të muzikës, veç punës kërkohet edhe durim.

“Në koncertin e parë nuk erdhi askush” thotë Edoni teksa tregon për sfidat që i kaloi derisa njerëzit filluan të pëlqejnë muzikën e tij. Kur publikoi albumin ai u ftua të këndojë në “Rockwood Music Hall”, që është njëra nga sallat më të njohura të muzikës në Nju Jork.

Interpretimi në këtë sallë i hapi dyert e suksesit, pasi çdo ditë po rritet numri i të interesuarve për albumin e tij të të parë.

“ 45 mijë njerëz morën albumin tim”, thotë artisti në intervistë për Zërin e Amerikës.

Pjesë e albumit të tij është edhe kënga me titull Olivia, kushtuar një vajze të prekur nga sëmundja e kancerit, e të cilën e takoi në një vizitë të tij në një klinikë ku trajtohen persona me këtë sëmundje.

Po kjo këngë ishte edhe muzika simbol e maratonës së Nju Jorkut, që është maratona me pjesëmarrjen më të madhe në botë. Ashtu siç me këngën e tij Edoni motivoi mbi 50 mijë vrapuesit, ai këshillon të rinjtë që suksesin e tyre të mos e mbështesin tek të tjerët.

Pavarësisht largimit në moshë të re dhe mundësive të mëdha në ShBA, artisti e ndjen mallin e vendlindjes.

“Shtëpia është Kosova… është Shqipëria” thotë Edoni ndërsa shton se i mungojnë familjarët.

Edoni planifikon që të krijojë një këngë edhe në gjuhën shqipe.

Zëri i Amerikës: Me piktorin Nazmi Hoxha – përvoja e artistit në Nju Jork (video)

Me piktorin Nazmi Hoxha

Një piktor shqiptar në Bronks të Nju Jorkut e ka kthyer shtëpinë në studio, ku ushtron artin për kënaqësinë e tij dhe jo për të fituar. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në shtëpinë e piktorit Nazmi Hoxha dhe bisedoi me të për eksperiencën e tij amerikane.

Nazmi Hoxha erdhi në Amerikë nga Shqipëria para 11 vjetësh dhe që nga ajo kohë nuk ka rreshtur së eksploruari atë që gjeti të re në këtë vend.

Ai thotë se Amerika është një vend me një hapësirë të jashtëzakonshme. Dhe piktura menjëherë, nga vertikale që e kishte për natyrën në Shqipëri, në hapësirën amerikane merr më shumë një dimension horizontal.

Rezultat i këmbënguljes së tij janë qindra piktura që rrinë si në një magazinë arti, një pjesë në mure, një pjesë në dysheme. Në fakt është shtëpia e tij, dedikuar e gjitha pikturës.

Amerika i shtoi tema dhe subjekte punimeve të tij.

Nazmiu e zotëron ngjyrën, e vesh atë me dritë, luan me energjinë dhe misterin e saj. E sidomos lufton të jetë i veçantë.

Intervista – Haki Abazi: Qeveria Kurti, jo qeveri me njerëz të njollosur (video)

Shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve i hap rrugë procesit të formimit të qeverisë së re. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja demokratike e Kosovës janë përfshirë prej disa kohësh në diskutime mbi programin e qeverisë së ardhshme, por rezultati përfundimar e fut procesin në një fazë të re atë të diskutimit mbi emra konkretë. Deputeti i zgjedhur Haki Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje, beson se nuk do të ketë asnjë pengesë në formimin e qeverisë së re. Përzgjedhja sipas tij duhet bazuar tek stardardi që vendos figura e vetë kryeministrit Albin Kurti, një emër i panjollosur dhe e që vendos në krye të axhendës së tij, interesin e qytetarëve. Me zotin Abazi bisedoi kolegia Menada Zaimi.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe partia juaj, Lëvizja Vetvendosje, është forcë e parë politike. Tashmë është radha e ngritjes së institucioneve të Kosovës. Kur mund të ketë Kosova një qeveri të re?

Haki Abazi: Mendoj se shumë shpejt, meqë sovrani ka vendosur një qartësi të plotë në kuptimin e fituesve. Kjo çështje është e kristalizuar në kuptimin që kryeministri tashmë është i ditur, sepse sovrani ka vendosur, është çështje e përgatitjeve dhe e marrëveshjeve që duhen bërë për shkrirjet programore që janë gjithashtu diskutimet që po vazhdojnë ndërmjet Lëvizjes Vendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe duke pasur parasysh energjinë e madhe pozitive që kanë shkaktuar këto zgjedhje, sidomos te qytetarët dhe mërgata jonë, atëherë mendoj që asnjë zhagitje nuk do t’i bëjë nder asnjë partie dhe asnjë subjekti politik për shkak se pritjet e qytetarëve janë që përveçse janë kryer zgjedhjet, të fillohet me punën dhe adresimin e çështjeve kritike sa me shpejt që është e mundur.

Zëri i Amerikës: Ju e thatë, ka diskutime programore mes dy partive deri në këtë moment. Më pas do të diskutohet me emra konkretë se kush do të jenë anëtarët e ardhshëm të qeverisë. Do të ketë probleme në këtë proces?

Haki Abazi: Nuk parashikoj meqë mendoj këto zgjedhje nuk kanë qenë vetëm zgjedhje të zakonshme, kanë qenë edhe një referendum i përzgjedhjes së qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës mes së keqes që kishim për më shumë se 20 vite, mentalitetit qeverisës me privilegje dhe përfitime për bartësit e institucioneve në Kosovë, kundrejt opsionit i cili është qeverisje me llogaridhënie dhe hapjen me interesin e qytetarëve në qendër. Atëherë besoj se kjo në një farë forme përcakton edhe parimet dhe kritiret se kush mund të jetë në pozita kryesore në qeveri. Mendoj që pastërtia e kryeministrit, konsistenca e kryeministrit domosdo përcakton një standard të ri edhe për ministrat e të dyja subjekteve politike, të cilët duhet të jenë njerëz që nuk kanë të kaluar të njollosur dhe kanë determinimin, njohurinë dhe përcaktimin për të realizuar konceptin qeverisës dhe programin qeverisës, i cili përfundimisht do ta dërgojë në të kaluarën idenë e një zbrapsjeje apo manipulimi të qytetarëve për interesat e individëve. Do të jetë e kundërta. Kemi thënë që çkapja e shtetit është prioriteti numër që do të thotë: ligj dhe rend në vend, askush mbi ligjin. Mandej, realizimi i së drejtës për arsim cilësor, i cili do t’i bëjë qytetarët e Kosovës të aftë që të jenë pjesë e tregut dhe të realizojnë të drejtat e tyre në Kosovë.

Zëri i Amerikës: A mund të themi që puna e koalicionit është e kryer?

Haki Abazi: Unë mendoj që për Vetvendosjen është dosido e kryer. Dhe mendoj që edhe për Lidhjen Demokratike, duke qenë se vendimi për të mos hyrë në koalicion parazgjedhor ishte pikërisht marrëveshja që secili subjekt politik të shkojë një nga një në zgjedhje dhe kjo bëri matjen e fuqisë kundrejt elektoratit. Dhe tanimë, siç e thashë, elektorati ka dhënë fjalën e tyre. Cfarëdo tentimi për këdo, qoftë individ, qoftë subjekt që të devijojë nga përcaktimi i sovranit do të ishte dëmtim i reputacionit dhe kredibilitetit e që ne e pamë që në fakt votuesi kosovar është shumë i mençur dhe shumë i përgatitur sepse ata që tradhtuan votën e tyre dhe determinimin qytetar për një Kosovë ndryshe dënohen me votë gjithsesi. Unë mendoj që askush nuk do të marrë rrezikun për të bërë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazi, qeveria e re që pritet të drejtohet nga Albin Kurti do të përballet me shumë sfida dhe një nga sfidat është përtëritja e dialogut me Serbinë. Për këtë është kërkuar pezullimi ose heqja e tarifave. posaçërisht në gjetjen e një rruge për të ripërtërirë bisedimet me Serbinë. Do ta bëjë qeveria Kurti këtë?

Haki Abazi: E para, mendoj që një numër i madh i sfidave të cilat janë përcaktuar në raportin e dialogut me Serbinë janë ndërtuar në mënyrë artificiale për të fshehur dështimet e qeverisjes brenda Kosovës. Dhe duhet kuptuar që prioriteti i qeverisë Kurti do të jetë pikërisht në kryerjen e detyrave dhe obligimeve për qytetarët e Kosovës. Në anën tjetër, çështja e tarifave të mallrave serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës është vendosur me shpejtësinë, me të cilën është vendosur dhe ajo që është thënë gjatë gjithë kohës së diskutimeve, përfshirë edhe fushatën elektorale ka të bëjë me zëvendësimin e tarifave me masat e reciprocitetit që janë praktika të njohura ndërkombëtare të dy shteteve, të cilat mund të kenë çështje të pazgjidhura, apo refuzim të njërës anë, që në këtë rast Serbia për më shumë se 20 vite refuzon mallrat dhe lirinë e lëvizjes dhe të gjitha format e marrëdhënieve normale. Nëse është quajtur dialog për normalizimin e marrëdhënieve ashtu siç ishte nisur në dialogun teknik, atëherë duhet të kthehemi te normalizimi që do të thotë reciprocitet i plotë. Nëse Serbia nuk pranon tabelat e, ta zëmë, automjeteve me shenjën e Republikës së Kosovës, nuk duhet të jetë ndryshe edhe për ato që kanë shenjat e Republikës së Serbisë në Kosovë. Dhe format e tjera të prodhimeve – kodi i produkteve të Republikës së Kosovës duhet patjetër të pranohet edhe brenda marrëveshjes së CEFTA-s. Dhe mospranimi nga ana e Serbisë do të detyrojë, jo për qef por për shkak se ne duhet patjetër të mbrojmë interesin kombëtar të Kosovës dhe kjo do të bëhet nëpërmjet reciprocitetit që, siç e thashë, janë praktika që përdoren gjithkund në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Ky moment vjen në tryezë diskutimesh. Përpara se të mbërrijë ky moment, do të hiqni tarifat? Po ose jo?

Haki Abazi: Siç e thashë, gjithçka do të jetë në vijën e planifikuar të veprimeve. Tarifat do të jenë pjesë e procesit të vendosjes së reciprocitetit të plotë me Republikën e Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazi, brenda një kohe të shkurtër Kosova u vizitua nga dy të dërguar të SHBA. Cilat janë gjasat që çështja e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë të marrë zgjidhje brenda mandatit të Presidentit Trump?

Haki Abazi: Mendoj që është e frytshme që zyrtarë të lartë amerikanë nga afër dhe drejtpërsëdrejti janë duke parë situatën në Kosovë. Gjithmonë angazhimi amerikan në Kosovë ka qenë i mirëseardhur dhe do të vazhdojë të jetë i mirëseardhur. Takimet e udhëheqësit të Lëvizjes Vetvendosje — kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, zotit Kurti me zyrtarët amerikanë, ambasadën amerikane janë të rregullta. Mendoj se presioni kohor jo gjithmonë është ai që determinon kualitetin e marrëveshjeve. Dhe unë mendoj që tanimë jemi në poziocionin kur është krijuar hapësirë e mirëkuptimit se po deshëm që këtë çështje përfundimisht ta bëjmë si duhet, duhet të bëhen parimet dhe duhet diskutuar aspekti i përmbajtjes, kualitetit dhe marrëveshjes së qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe kjo është gjë e mirëpritur nga të gjitha qarqet, sepse përvoja na tregon që shpejtësia jo gjithmonë është faktori kryesor që sjell deri tek përfundimi. Ne kemi një proces që ka filluar që nga viti 2011 dhe nuk ka prodhuar asnjë gjë. Në fakt ka prodhuar një numër të madh marrëveshjesh që nuk janë implementuar fare apo e kanë komplikuar edhe më tutje çështjen e raportit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Nuk e besoj që askush është i interesuar të bëjmë një marrëveshje, e cila shpejt e shpejt do të nënshkruhej nga kushdo, por që do të shkaktonte probleme të mëtejshme për të gjitha palët, përfshirë Serbinë dhe Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Kështu që aspekti kohor mendoj që është duke humbur në rëndësi dhe është duke u vendosur në plan të parë çështja përmbajtësore dhe qëndrueshmëria e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila është gjithashtu jo e rëndësishme vetëm për këto dy vende, por është e rëndësishme për të gjithë rajonin, përfshirë edhe Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazi, partia juaj e ka përjashtuar mundësinë e diskutimit për ndryshim të kufijve mes dy vendeve. Megjithatë, çfarë formule kompromisi ofroni ju se duhet të ketë një formulë kompromisi e cila të mund të çojë më pas në një marrëveshje normalizimi mes dy vendeve.

Haki Abazi: Llogaritni sa paradoksale është ideja që kompromisi dhe kufijtë të vendosen përbrenda një togfjalëshi në Ballkan. Kompromiset, lëvizjet me kufij asnjëherë nuk kanë përfunduar në situata paqësore në Ballkan. Ju keni parë se sa problematike ka qenë çështja e demarkacionit ku i janë dhënë mbi 8000 ha të Kosovës Malit të Zi dhe çfarë ka ngjallur një gjë e tillë. Cështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan ka përfunduar, përndryshe gjithmonë do të ketë faktorë, të cilët mund ta përdorin një çështje të tillë për të hapur edhe çështje të tjera, të cilat janë vendosur pa marrëveshje, apo në mënyrë të sforcuar brenda Ballkanit. Kur flisni për kompromisin, unë mendoj që duhet t’i kthehemi aspektit kronologjik të çështjes së marrëveshjeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova ka bërë kompromisin e madh. Problemi është që politikanët që po ikin tani nga fuqia politike nuk kanë qenë konsistentë në llogarinë dhe listimin e këtyre kompromiseve. Ahtisari ka qenë kompromisi i madh i shpalljes së Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj. Të gjitha bisedimet e Vjenës që janë bërë kanë qenë kompromise të jashtëzakonshme që ka bërë Kosova për të akomoduar të drejtën e votimit të dyfishtë: ulëseve të rezervuara në parlamentin e Kosovës për komunitetin serb, kompetencat të cilat u janë dhënë komunave, përfshirë edhe ligjin për amnistinë e të gjithë atyre që mund të kenë qenë të përfshirë në luftën e Kosovës nga pala serbe, qofshin ato formacione të rregullta apo formacione paramilitare në Kosovë. Domethënë janë bërë kompromise të jashtëzakonshme, por fakti që Serbia ka ndërruar liderët sepse është pritur që Kostunica do ta kryejë, me premtimin e tij në fakt është biseduar që do të bëhej njohja e pavarësisë. Nuk e bëri. Mandej Presidenti Tadic dha premtimin që do ta bënte. Nuk e bëri. Tani kush garanton se çfarëdolloj kompromisi që mund të paraqitet, se Vucic do të bëjë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu që mendoj se tanimë ka ardhur momenti se Serbia duhet të ballafaqohet me vetveten, të kuptojë se çfarë ka ndodhur në fakt me pesë shtetet ballkanike ku ka filluar luftrat, të pastrohet me çështjen e reformimit të brendshëm, i cili e mban të kapur peng shtetin e Serbisë, e cila kërkon realizimin e projekteve të Millosheviçit në Ballkan me mjete të tjera, se sigurisht lufta nuk është më metoda me të cilën mund të bëjnë presionin për të ndryshuar kufijtë ose për të kërcënuar sigurinë e Bosnjes, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut apo Kosovës, dhe në fund mendoj që ka ardhur koha që ne, në anën tonë, në Kosovë, me konsistencë të kërkojmë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe pesë vendet e BE, pikërisht mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në mënyrë të qartë, të drejtpërdrejtë i ka kthyer përgjigje Serbisë në pyetjen e saj nëse shpallja e pavarësisë ka qenë shkelje e ligjit ndërkombëtar, kornizës kushtetuese apo Rezolutës 1244. Kjo çështje është e përfunduar. Mirëpo fatkeqësia është që politikanët, udhëheqësit e Kosovës që ishin deri dje, kanë lejuar që të kompromentohet procesi dhe për shkak të kalkulimeve që ata i dinë, kanë rikthyer Serbinë si pjesë e barabartë në tavolinën e dialogut me Kosovën, pa dhënë llogari për atë që Serbia ka bërë në Kosovë. Domethënë kompromiset e mëdha janë bërë, pavarësia e Kosovës është kompromisi për shqiptarët në Kosovë. Unë mendoj që pikënisje tjetër nuk ka, përveçse marrëdhënie ndërfqinjësore me Serbinë, ashtu siç jemi, brenda kufijve me të cilët Kosovën e kanë njohur mbi 110 vende të bashkësisë ndërkombëtare.