VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

I PLAGOSUR NË SHTËPINË E MIQVE – Poezi nga WALT WHITMAN – Shqipëroi SKËNDER LUARASI

By | July 28, 2020
blank

Komentet

blank

Metafora e jetës sime është vepra ime – Intervista e fundit e shkrimtarit BEQIR MUSLIU – Intervistoi SABIT RRUSTEMI

INTERVISTË me shkrimtarin BEQIR MUSLIU, për gazetën e përditshme FLAKA E VËLLAZËRIMIT, Shkup, e zhvilluar me 18 – 19 janar 1994, e që doli të jetë dhe intervista e tij e fundit për një medium publik.
Po e risjell me rastin e 25 vjetorit të kalimit të tij në amshim…
LIBRI MË ZGJODHI MUA
“ Metafora e Jetës Sime, Është Vepra Ime”
( Beqir Musliu )
Me shkrimtarin dhe publicistin, Beqir Musliu,autorin e shumë veprave letrare, gjinishë dhe llojesh të ndryshme mmund të bisedohet në shumë plane, duke filluar që nga çështjet thjeshtë letrare dhe artistike, por edhe për shumë çështje tjera që janë të ndërlidhura si me përditësinë tonë në daçim edhe politike si dhe të çështjeve tona kombëtare. Kësaj here më pak u morëm me Veprën e tij letrare, si me poezinë e me prozën e tij e aq më pak me dramaturgjinë e tij inventive, më tepër u ndalëm në disa premise të jetës sonë të sotme, duke e shikuar nga pikëpamja e një Intelekktuali dhe Shkrimtari që, si postulat i përgjithshëm i kësaj bisede doli në të vërttetë një kredo e këtij Intelektuali dhe Shkrimtari të mirënjohur shqiptar.Realiteti Jetësor dhe Realiteti Letrar, për t’u “përvijuar” deri te konstatimet e tij se “Intelektualët janë të zgjedhurit e Hyjit” konstatimi guximshëm, por edhe profetik, për ta njerrë edhe një Metaforë që është mjaftë e përvetçme jo vetëmpër këtë Shkrimtar se “ Liria e ShkrimtaritËshtë Vepra e Tij” sikur paralajmëron një përvojë të përforcuar si intelektuale por edhe të një Shkrimtari që di ç’do dhe di ç’thotë.
Me anë të kësaj Interviste me Beqir Musliun, nuk deshëm të “deshifrojmë” veprën e tij madhore si, “Bukuria e Zezë”, “Vegullia”, “Mbledhësit e purpurit”, Shtrigani i Gjel Hanit”, “Rrakullima” e ndonjë vepër tjetër, por deshëm të bëjmë një “diagram” të pulsit të tij prej Intelektuali dhe Shkrimtari,sot dhe këtu.
KANONIZIMI I ARTIT TË KRIJIMIT
“Flaka e vëllazërimit”: Sikur është bërë “germë e parë” e çdo bisede të sotshme me këdo që zhvillohet, situate në të cilën ndodhemi, momenti politik. Në këtë vazhdë të këtyre shtjellimeve, besoj, do të ishte e udhës të shtrojmë çështjen e parë të ëksaj interviste: Intelektuali, para se gjithash Krijuesi në momentin e pikërishëm, përpjekja sizifoide për ta çarë këtë konfuzitet politik përmes punës krijuese.
B.Musliu: Për ç’situatë mund të bëjmë fjalë?! Po, ne veç ”u mësuam” me një situatë të ngjethët dhe, sikur na është bërë përditësi, çdo gjë që ndodhë na duket më e lehtë se ajo që e përjetuam në fillim, për të ndërtuar ndonjë strategji tjetër prej kësaj që e përjetojmë,sikur nuk jemi gjithaq të gatshëm. Në planin politik mund të “ndërtojmë” vërtetë strategji të ndryshme, përkundër “slloganit” tonë për durim dhe paqe deri në rraskapitje,porpër këto nuk mund të flas, meqë nuk jam i “politizuar” ( nuk jam i përfshirë në asnjë parti e lëvizje politike) por se në planin tjetër, ekzistencial, edhe si Intelekktual, porn ë rend të parë, si Krijues, s’do mend – kjo gjendje më gandos edhe mua, sikur të tjerët, kolegët e mi. Ç’mund të bëj Intelektuali në momentin e pikërishëm, thënë më për së afërmi, Krijuesi ynë, kur mekanizmat për të vepruar gjithnjë e më tepër ngushtohen, për të mos ukëputur fare, e këndej, mund të bëjmë fjalë edhe për idee veprime të mundshme. Por, si të marrin fushëveprimi ( të hyjnë në veprim) të gjitha ato ide e veprime. Askush nuk di të jap përgjegje të saktë, aq më parë, Intelektuali alias Krijuesi që veprën e vetë e sheh në konstelacion të asaj që zhvillohet përpara syve të tij dhe asaj që e projekton në mendjen e tij si Vepër, si Krijim. Me këto trysni që na janë bërë aq të zakonshme saqë vështirë e kemi t’i ndajmë ato “imazhe” të “ përvetçme” për të shpërndërruar në Vepër dhe Krijim. Poqëse më lejohet mua ( siç thashë më sipër i panashëm partiakisht, i paangazhuar politikisht) të jap ndonjë diagnozë sado të vogël dhe të përciptë, megjithatë mendoj se politika që bëj(n)më Shqiptarët, këtu dhe sot, është poltikë e nivelit të lartë, e barabitur sëpaku në syprinën e aleancave me atë evropiane dhe këtu nuk kemi ndonjë vërjetje globale, sëpaku në planin ndërkombëtar. Ndërsa sa i përket asaj që bëj(n)më brenda përbrenda kombit tonë, pra në çështjen tonë kombëtare shqiptare , mund të mos jemi gjithaq të kënaqur, as me pasivitetin e herëmbashershëm, por as me disa premise të tjera që i plasojmë hë për hë, vetëm për ta arsyetuar qenien ton, asgjë më tepër.
Intelektualët,alias Krijuesit këtë gjendje momentale, orvaten që ta ngërthejnë në Veprën e tyre që shumë rrallë shihet, por ajo është diku, në qenien e tyre. Sëpaku, unë po e bëj këtë pëprpjekje, sa është e qëlluar dhe e arritshme, as unë nuk mund të them diçka më tepër.
Flaka e Vëllazërimit: S’do mend se ky moment i pikërishëm në të cilin ndodhen Shqiptarët përgjithësisht, krahas tendencës për t’a mbijetuar këtë “konfuzitet politik” shtron para se gjithash edhe çështjen tonë ekzistenciale. Për Krijuesit kjo është çështje tejet e ndieshme. Si përjetohet, a shkrihet artistikisht dhe si mbijetohet kjo ndjeshmëri në vepër?
B. Musliu: Ndjeshmëria dhe Vepra janë dy skaje sa që, sa afrohet njëri skaj, tjetri largohet për aq. Krijuesi në “laboratorin“e tij që për shumë kë mund të jetë Iipanjohur dhe i pa marrë me mend, i duhet t’i barazojë të dyja këto dhe t’i “shndërrojë” në idioma,për të mundur që t’i përçojë në mënyrë artistike, si realitetin jetësor
Dhe realitetin letra, bie fjala, meqë unë jam letrar dhe po përkufizohem në këto suaza letrare.Kur të arrihet kjo përkundër gamës politike që n aka vërshuar si uji i keq, Ai (Krijuesi) do të bëjë çmos që Vepra e Tij të jetë ajo që në thelb do ta kap realitetin e ngritur në stadin estetik, kjo do të thotë dy “realitete”- ai jetësor dhe ai letrar ngriten në një platform të lakmueshme, krijojnë Veprën me kritere estetike, pra e kanonizojnë vet aktin e krijimit. Për të arritur këtë stad Krijuesi duhet të “filtrohet”nëpër të gjitha ato “konfuzitete politike” në daçim, dhe në ato “konfuzitete”arti, për të bërë të kapshëm realitetin e përditësisë, për ta bërë artistike të gjitha ato copa jete që na mbesin nëpër kazamate,nëpër ploja të përgjakura të gjëllisë sonë. Vetëm arti ka atë fuqi që t’i përjetësojë vuajtjet dhe dhembjet tona,por ato t’i bëjë (i bën) të bukura. Hëm! vuajtje të bukura! Dhembje artistike, apo jo?!
Flaka e vëllazërimit: Apo, më konkretisht: ku e ka Vendin Intelektuali në sitatat e rënda politike që vijnë si rrjedhim i krizave ekonomike dhe thyerjes së sistemeve pararendëse ?
B.Musliu: Intelektualët janë të zgjedhurit e Hyjit, andaj Ai megjithatë i “dënon” që mbi supet e tyre të zhkarkohet e tërë pesha e një populli, një nacioni. Andaj nuk është e rastësishme,pikërisht në vendet që u çliruan nga sistemet pararendëse, pra moniste, pikërisht intelektualët morën në duar situatat e kombeve të tyre dhe u prinë lëvizjeve demokratike. Ajo nuk ndodhi vetëm këtu, ndërqarqet shqiptare, por edhe më gjerë, përgjithësisht në Evropën e Lindjes dhe Evropën Qendrore, në këtë Evropën e sotme. Ne, nuk jemi kurfarë specifikumi. Pluralizmi I mendimeve, nuk do të thotë “shkarje” dhe “plasaritje” të çështjeve fundamentale kombëtare, dhe këtu duhet tërhequr një vijë demarkacioni që në njëfarë dore, e bën të mundshëm edhe ialogun, tolerancën ndërmjet një kombi dhe interesit kombëtar i diferencon në bazë të prioriteve që kanë rëndësinë parësore. Skajshmëritë nuk qojnë askund dhe eveçsa e shkapërderdhin potencialin intelektual, të cilitdo komb, e aq më tepër të Sjqiptarëve, sot dhe këtu. Partishmëria dhe përfshirja e intelektualëve në këto degëzime, sa është pozitivë, poaq është edhe negative, sepse “shkarjet” dhe “plasaritjet” shkojnë aq larg, saqë krijohet një luftë e pabarabartë ndërmjet interesave parciale dhe atyre thjeshtë kombëtare. Intelektuali ynë ( po mendoj ky yni, Shqiptar ) ka për detyrë, që mbi të gjitha interest partiake ta qojë më tej interesin kombëtar. Këtë stad duhet ta përqafojë secili Intelektual, si ai i përfshirë politikisht, si ai që nuk është I përfshirë partiakisht, por në aspektin kombëtar – të gjithë duhet të jenë të barabartë. Ky duhet të jetë koncezusi që nuk duhet të shkilet por, të përfillet.
LIRIA INTELEKTUALE DHE LIRIA KOMBËTARE
Flaka e vëllazërimit: Në “ rendin e ri” nëse mund të bëjmë për farë “rendi”, sit ë hyjmë në këtë gjendje tejet ta parregulltë, me një anarki totale politike ( mostë themi demokratike, ngase ajo ende nuk është jetësuar – vazhdon të mbetet dëshirë ) me një pluralizëm që e përqafojmë verbalisht, nga një gjendje poashtu krejt jashtëinstitucionale ?
B.Musliu: Shumë gjëra nuk varen prej nesh, shpesh themi, zakonisht kur nuk kemipërgjigje të caktueme. Por, shikuar realisht, edhe kjo qëndron, por edhe nuk qëndron gjith’herë, sepse, edhe shumë gjëra varen prej nesh. Poqëse mund të pajtohemi se politika globale e “rendit të ri” botëror nuk varet prej nesh, atëherë, ajo e brendshmja, s’do mend – varet piëkrisht prej nesh. Pluralizmi është gjë e mirë, të mos them demokracia, port e shqiptarët, këtu dhe atje (po mendoj në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e ku jo tjetër ku jetojnë ata) ende është ëndërr. Kjo se është ëndërr nuk është ndonjë mëkat, apo e metë, përkundrazi, kjo ëndërr po vjen duke u bërë zhgjandër ditë e përditë, sa që së shpejti,të gjitha gustot tona që të gjitha gjërat t’i arrijmë për tri ditë do të zhduken ngadalë dhe si e gjithë bota e civilizuar, do të gëzojmë edhe ne, një demokracion të vërtetë, një pluralizëm të njëmendë evropian. Por për të arritur këtë, duhet të shohim, ç’bën bota e qytetëruar, dhe të formojmë kritere, si dhe në çfarë mënyre mund të arrijmë këtë demokratizim:diku(si në Shqipëri e gjetiu) duhet të definohet ajo ç’është demokratizim, ndërsa, në Kosovë, më parë duhet të shlirohemie, pastaj të ulemi e t’ia nisim rrugës së demokratizimit të plotë të shoqërisë dhe integrimit të përgjithshëm kombëtarë. Në Kosovë nuk mund të bëjsh fjalë për ndonjë demokratizim, apo “Rend të Ri” , kur të vetmin “Rend” këtu e ke trysninë policore, hëm!
Flaka e vëllazërimit: Krijohet një përshtypje se gjendja e krijuar (pa fajin tonë) po na hakmerret mjaft ashpër, shkaku se individë të caktuar apo grupacione njerëzish keqpërdorin situatën dhe në “Rendin e Ri” kemi poashtu shtresime të reja, në të cilat më së shumti po pësojnë pikërisht Krijuesit, ata që merren me punë artistike, me art, të cilët e kanë vështirë në kushte të reja të tregut të depërtojnë përmes Vlerës, kur gjithçka këtu është jashtë kontrollit. Apo …?
B.Musliu: Epo, kështu ndodh çdo kund, madje në ato shtete që ishin në kthetrat e monizmit komunist. Nuk bëjnë përjashtime as këto realitetet tona Shqiptare. Çdo fazë kalimtre prej një sistemi në tjetrin, bëhet me dhembje të medha. Nëpër këto mundime, shkon një kohë bukur e gjatë derisa të konsolidohet , në rend të parë, pushteti demokratik, e shumë më vonë, të kanalizohen të gjitha çështjet, të marrin vendin e vet të merituar secila veprimtari shoqërore dhe kulturore, e në daçim edhe krijimtarinë shkencore dhe artistike. Këtu, te ne, ende ka shumë për tu bërë, së pari, ne ende nuk jemi shliruar, e herët është të bëjnë kanonizime në interesa të individëve dhe grupeve formale apo joformale. Të gjitha këto si segmente funkcionojnë , me teprime, me mangësi, me abuzimee ç’jo tjetër, por jo siç thua ti, më sipër, në kriza ekzistuese matrapazë të ndryshëm kaluarojnë më mirë se ata që meritojnë dhe kështu bëhen shkëputje nga ecja normale. Por, këto janë pasoja të transmisionit prej nje sistemi në tjetrin dhe një ditë do të ndalen, kur të shlirohemi në rend të parë, e pastaj kur të demokratizohemi me disejnin evropian. Krijuesit dhe Krijimtaria në të vërtetë pëson hë për hë, ç’të bëjmë. Zoti na ndihmoftë!
Flaka e vëllazërimit: Si të krijohet ajo forcë anteiste (Anteu) përmes Intelektualit që do të mundësonte ngritjen në këmbë të një Populli dhe ecjen e tij drejtë sendërtimeve të qëllimeve të veta?
B.Musliu: Si ?! Po, Intelektuali ç’është duke bërë tjetër, për veç seatë që Popilli prej tij atë e kërkon (eh, populli, s’po mendoj në botëkuptimin të real-socializmit, o mos o zot), por në mënyrën e vetë intelektuale, së pari, duke e “çliruar” nga frustrimi shekullor, për ta nxjerrë në suprinë, atë kërkesën e tij që ne thjeshtë i themi ideal kombëtar, dhe së dyti, për ta bërë të aftë që të qëndrojë në bazamentin e vetë të vetëngritur kombëtar. Kur bashkohen këto dy segmente, atëherë mungesa e lirisë do të jetë forcë që ta pushtojë lirinë që mund të jetë Liri Intelektuale dhe Liri Kombëtare. Intelektuali (hiç përjashtimet që gjithherë janë të mundshme dhe janë) këtë është duke e bërë. E rezervoj të drejtën që të gabohem, apo jo.
IMZOT, A TË MJAFTON KY FLIJIM
Flaka e vëllazërimit: Si rrumbullakësim i krejt kësaj, edhe çka të bëjnë Intelektualët për t’u kanalizuar gjërat si duhet? Ose , nëse kemi bërë tepër pak , përse kemi ngecur?
B.Musliu: Së pari, duhet ta definojmë ç’kuptojmë me termin Intelektual, e pastaj mund të kërkojmë atë që duhet prej tyre. Kur të pajtohemi se cilat janë atributet e Intelektualit Tonë Shqiptar, e rrumbullaksojmë këtë çështje, pajtohemi se Ai Është Ky Që e Kemi përpara Vetes, e jo Ai Tjetri Që Matet Me Hijen e Jupiterit., atëbotë më lehtë e kemi të konkludojmë se Intelektualët bënë Pak si thua Ti, por edhe bën Diçka që vështirë se mund t’i rehabilitojmë Ata që thonë se Intelektualët Shqiptarë s’bënë hiçgjë. Në kushtet dhe në situatat që u gjendë(n)m bë(n)m atë që mundë(n)m. Pse kjo është Pak, ka vend për të diskutuar edhe për këtë që bë(n)m si e bë(n)m, bah!
Flaka e vëllazërimit: Jeni Shkrimtar i “ lirë “ që jetoni dhe punoni në Rrethana të Jashtëzakonshme, në një gjendje të papushtetshme, apo të një jete paralele, siç po shprehemi nganjëherë dhe në kokë na sillet (në pamundësi për realizimin e opcioneve të tjera) vazhdimisht Paqja që duhet të jetësohet përmes Durimit. Është ky realitet, gjendje e përkohshme tranzicioni apo Metaforë me të cilën mashtrojmë veten?!
B.Musliu: Metafora e Jetës sime është Ëndërra për Lirinë. Këtë orvatem ta bëjë sa më të shlirshme, sa më të lehtë, meqë Ëndrra edhe si Metaforë është më afër realitetit tim jetësor, edhe krijues. Por shumë gjëra i mbesin ditës tjetër për t’u realizuar, jo vetëm si Metaforë, por edhe si sendërtim të një ideali jetësor, kombëtar, por edhe artistik. Siç thotë në një varg miku im dhe poeti i mirënjohur Teki Dervishi: ”Dhembja na u bë punë që lihet për nesër”,andaj, edhe metaforat sikur i palojmë thellë në dhembjen tonë (timen) për t’i shpalosur Nesër, meqë ajo Nesër mund të jetë krejt afër, apo, mos o zot,edhe larg. Krijimtaria krejt atë që e posedon, nuk është vetëm një shpalosje, nga ajo mund të dalin shumë fashe dhe kjo shpalosje mund të zgjasi edhe më shumë. Shkrimtari ndërton lirinë e vetë në veprën e vetë, por një shtresë nuk e heton, apo thënë më mirë, nuk është në gjendje që ta absorbojë, kështu që krijohet një divergjencë ndërmjet Shkrimtarit si prodjues i Veprës artistike dhe lexuesit dhe ç’është më tragjike, ndërmjet studjuesit. Andaj, “shpikën” Metaforat si stade të refuzimit për t’i “qëruar” llogaritë me të gjithë ata që janë jashtë konvencave të konzumentit ditor. Shkrimtari(andaj edhe unë) “Lirinë” time prej shkrimtari mund ta konsideroj atë që arrijë ta pushtojë me veprën time, dhe vetëm ajo është në gjendje të më peshojë ç’luftëtarë i madh qesh-jam-isha. Është çështje në vete realizimi i Veprës, thënë pak më ndryshe, ofrimi i Veprës përpara opinionit, e më pastaj vjen vlerësimi i saj. Është vështirësua një “kanalizim” i tillë, pikërisht për shkak të rënies së krejt asaj që ishte njëherë si format institucional. Tash, kur Krijuesit e mirëfilltë janë më të ngathtë në plasimin e Veprave të tyre, mediokrët plasojnë hiçet e tyre dhe “përzihen” edhe “konceptet”, ç’është ajo që vlen dhe s’është e publikuar, ndërmjet asaj që s’vlen dhe e ke para hundëve. Sikur të krijoheshin mundësi të tjera,që Vepra, akëcila Vepër të jetë e hapur, publike dhe të garojë edhe me atë që nuk është edhe gjithaq vlerë, atëbotë, një shlirim do të ishte edhe më i madh, se kriteri i zgjedhjes dhe shijes artistike do të jetë primar për t’u pranuar, për t’u rivalërizuar Veprat, e jo ky që egziston (me pak përjashtime)sor, kur shundi, shkarravinat dhe pseudo-veprat letrare i mbushin raftet tona për t’u lexuar dhe për t’u vlerësuar (po qe se vlerësohen). Vërehet te ne pak i sforcuar një politizim joproduktiv. Edhe Shkrimtarët më pak merren me vetvetet e tyre, shumë më tepër me atë që ngjanë rreth tyre dhe botës përreth. Kjo është e kuptueshme, por një energji e shfrytëzuar vetëm në këtë mënyrë, droj se mund t’i bëj dam si politikës, në përgjithësi, por se edhe vetë artit, në veçanti. Mungesa e Lirisë nuk duhet të keqpërdoret vetëm si “slogan” po të ishim të lirë të gjitha do t’i rregullonim, shkasi duhet kërkuar arsyen, për ndryshe do të jetë qëllim i vetvetës. Andaj për Skrimtarin sot, edhe Metafora e djallit mund t’i shërbejë për ta krijuar Veprën e Djallit që i rri kundruall dhe ia zë hisen e tij të Diellit. Por, Metafora e Jetës Sime Është Vepra Ime, po qe se është Vepër- Metaforë.
Flaka e Vëllazërimit: Përveç se “Shkruaj një libër” siç shprehet Kadare, me se merreni tjetër për të mbijetuar këtë situatë?…
B.Musliu: Kjo është pyetja e Nëntë (numër karakteristik edhe për krijimtarinë time letrare, obobo!) e cila do të duhej të bëhej, të ishte e Para, jo pse e ka peshën më të madhe se të Tetë pyetjet e tjera, por do të ishte në njëfarë dore, Çelsi për të gjitha pyetjet dhe përgjigjet në vijim. Mirë e ka thënë Kadare: “Shkruaj një libër” dhe kështu me rradhë. Po, ç’të bëj tjetër?! Ç’ zeje të zgjedhë tash, kur veç jam i zgjedhur, të shkruaj një libër, e libri askund nuk shkëputet, nuk mënjanohet edhe kur s’kam ç’të ha, ha një libër, dhe kur merr fund ky procesion, nis e Libri më ha mua, kështu deri në ditën tjeter dhe në ditën tjetër, prapë prej fillimit. Libri për mua është Metafora e Gjëllisë Sime. Imzot, por ç’bëra tjetër në jetën time. Shkrova libra dhe kështu i rradhita njërën mbas tjetrës dhe kur të kryhet i Njëjti Libër, vetëm numrat ndërrohen, ndërsa Libri mbetet i njëjti, Ai i Pari, i dyti, i Treti, dhe kështu deri në pankohësi mbase. Por, të shkruash libër sot, është një vetëflijim i madh. Por, ç’të bëj, unë e kam zgjedhur këtë vetëflijim, dhe as që ankohem, as që e refuzoj këtë realitet që është ky që është, sepse unë vetë e zgjodha dhe ai u bë libër, libri më zgjodhi mbase mua, për të më gëlltitur për çdo ditë nga pak dhe në fund do të më bëj edhe mua Libër të ndaluar mbase, apo Libër Publik, libër të hapur, kjo nuk varet edhe gjithaq prej meje. Për këtë vendos Hyji, Ai më dërgoi që të jëm Ky që jam dhe të jem Libër. Imzot, a të mjafton ky flijim!?
(Prishtinë, 17-18 janar 1994).
Intervistën e zhvilloi : Sabit Rrustemi
blank
blank

Flijimi i një fatkeqi – Tregim nga Përparim HYSI

ZHANI SQEPURI,sado që punonte më qytet,familjarisht banonte në  fshat. Fshati qe rreth 4-km larg dhe këtë rrugë,ZHANI, e bënte me biçikletë. Fshati qe goxha i madh, me gati njëmijë shtëpi. Të gjithë familjarët, me pak përjashtime, punonin në bujqësi se fshati i tyre qe fermë bujëqosre e blegtorale. Mirë apo keq, ashtu teste-teste,sipas të ardhurave,sado të pakta, por krahasuar me të ardhurat në kooperativa, të dukej se niveli i jetesës qe dukshëm më mirë. Të paktën,siç shprehej ZHANI, në fermë nuk kish familje që vuante për bukë. Nuk vuante deri aty nga viti 1990,kur në fermë qenë punësuar të gjithë banorët të aftë për punë. Po, kur erdhi demokracia.ndërmarrja befas u mbyll dhe të gjithë mbetën pa punë,aq sa u detyruan a të marrin rrugët e botës a,sidomos burrat, të trokasin në dyert e ndërmarrjet e qytetit ku,siç dhe ndodhi,dhe ato u mbyllën. Shumë familje u ndeshën me një pasiguri dhe panik stresues.
*      *    *
Demokracia është e bukur.Ajo dëbon errësirën dhe sjell dritën e lirisë, Hap horizonte të nismave private, por ndodh që edhe drita të bën dëm. E,bukur, e bukur demokracia,- thoshte xha MYRTJA,- po nuk na shkon stalltaneti,neve, në fshat. Portave të fambrikës  (fambrikë e quante fermën,Xha MYRTJA) iu vu kyçi. Punë nuk ka gjëkund e, në shpresofshë të bien kocka nga qielli, rri ngroh lëkurën me mua tek ky cëqi. Demokracinë e duam, se është dritë e përparim, por, kur del nga errësira, të keqen Pepja tyja, mos ia fte përnjëherë sytë diellit,se qërrohesh. Epo shkurt muhabeti: jemi mësuar me çangë.Ra çanga, o burra në punë. S’ra çanga, ngrohu në diell. Siç po bëjmë imëni. Po do  të hashë. Kemi katandisur që po vrasim kohën me lajme. Jo “çeku i bardhë” kështu dhe jo ashtu. Sa t’i tregojë ky,i madhi i qeverisë AMERIKËS, këtë”çekun e bardhë” dhe,kur të shohësh, të tërë do hamë me lugë floriri. Këto, për mua,-thotë xha MYRTJA,- janë gorrica në Shëndre. Ne, myzeqarët, e kemi me senet  një shprehje të vjetër,themi:- Bëj rrëke bythës! Fukara jam  rritur dhe mbaj mend që në kohën,kur ishim mbretëri, ftehej një përrallë si qo,për”çekun e bardhë”, që aso kohe thuhej:” Do sjellë pampori sheqerka të kuqe”. Nuk ka as”sheqerka të kuqe” dhe as”çek të bardhë”, por shtrëngo mirë krahët dhe nisu për punë.Në nuk bën kështu, ngordh. Se qeverisë as që i bëhet vonë për tyja,evlat. E kam thënë me kohë, una:- Qeveria as frikë nuk  të ka, po as turp nuk ka.
Kështu e gjeti xha MYRTEN tek logoriste,ZHANI SQEPURI, dhe nuk gjente dot fjalën që t’i bëhej prag. I dukej sikur fjalët e xha MYRTES të qenë perona për t’u ngulur në murin e kohës apo, për ZHANIN,si me shkollë që ishte,sentenca me vlerë. ZHANI përshëndeti grupin dhe xha MYRTJA,sa e pa, iu kthye;- Erdhe dhaskal? Mirëse erdhe,por ngaqë dëgjove, vëru ndonjë bisht këtyre fjalëve të mia. ZHANI  SQEPURI u zu ngusht dhe, tek matej, ta “zbuste” klimën e bisedës,XHa  MYRTJA që më shumë kish nevojë për fre,se sa për shtyrje, foli prapë. Ja, mor dushman,- tha,- se të kam si evlat dhe shkuar evlatit, këtu jetonte ai ditëziu,FEIMI, vërtet vetë i gjashtë, tri fëmijë të veckël, me gruan dhe me nënën murgë,po mirë a keq,po dilnin në kut. U mbyllti fambrika,që thuaj ti, dhe shtëpia nuk e nxinte më;iu zvogëluati. Gjashtë gojë që donin të hanin dhe bridh poshtë e përpjetë për punë hiç.”Çeku i bardhë” apo pampori që do sillte”sheqerka të kuqe” kish mbetur në mes të detit dhe shkoi ditëziu FEHMI dhe u bë kurban mu në mes të ditës se iu vërvit me kokë satës. S’është vërtet për t’u treguar, por është plagë që dhëmb. Na dhëmb kjo plagë neve që e kemi bashkëfshatar, por ca më shumë familjes që  kanë për të vdekur të tërë. ZHANI SQEPURI aq u ngarkua nga këto”perona të  xha MYRTES”,sa në vend të shkonte në shtëpi, e mbajti frymën në shtëpinë e të njderit.

*        *      *
Kur hyri atje,ai pa që askush nuk e njohu. Ai kish njohur vetëm të ndjerin që dikur,vite të largëta, e kish patur nxënës. Nuk kish qenë kushedi për t’u mbajtur mend,por qe i urtë e nuk nidhesh. Mjegullash i erdhi pranë fytyra e tij dhe,tek shihte lotë e shndritshësm sa tek e ëma,aq dhe tek e shoqja e të ndjerit,dukej që”peronat” e Xha Myrtes po e shponin më tepër. Ngushëlloi dhe, sikur të kish bërë trup, hodhi diçka simbolike mbi atë tavolinë dhe u largua me një premtim.
Të nesërmen,ZHANI SQEPURI, e mbajti frymën në prokurori. Pasi bisedoi për aktin e flijimit të fatkeqit, kërkoi nga prokurori ndonjë mundësi ligjore për të ndihmuar financiarisht familjen e viktimës. Prokurori pa procesverbalin të mbajtur tek vendi i flijmit dhe, tek po e  përcillte, i tha:- Më vjen keq,por viktima ka bërë vetflijim me dashje!
U nda me prokurorin shumë i mërzitur dhe, megjithatë, u drejtua tek një SHOQËRI E SIGURIMIT  TË MAKINAVE. Shefi i këtij institucionit, një njeri me shpirt xhevahir, i tha:- Le të jetë hedhur vet, familja e viktimës përfiton se “autobuzi”( Sata e  xha MYRTES) është i siguruar. ZHANI SQEPURI u rikthye përsëri tek prokurori dhe,pasi mori procesverbalin me firmë të prokurorit,frymën tek agjensia e sigurimit. Ditën kur familjes së të ndjerit i dorëzoi çekun  me një shumë lekësh që t’ai zbutnin paksa boshin zero të familjes,iu duk sikur hoqi një nga “peronat” e xha MYRTES. Atë  ditë në shtëpi  u kthye i gëzuar, por dhe me një mendim që nuk  e linte të qetë:- Ç’ndodh me dikë tjetër që pëson një fatkeqësi  dhe nuk ka qoftë dhe një njeri që ta ndihmojë?
Epilog
Kjo ngjarje ka mbi 25-vjet që ka ndodhur. Kam pyetur për fatin e kësaj familjeje dhe, më thonë, sikur e kanë marrë veten dhe akush prej tyre nuk e njeh më ZHAN SQEPURIN! Dhe tek e mbyll këtë tregim të dhimbshëm e të jetuar, unë,ZHAN SQEPURI, për një gjë jam i sigurt: Agjenti i sigurimit të makinave që gjeti një”xhep” për të ndihmuar këtë familje në fatkeqësinë tronditëse të saj, quhet HIDAJET KUKA nga KURJANI i ROSKOVECIT dhe sot me gjithë familje jeton në AMERIKË,ndaj i uroj vetëm shëndet, mbarësi dhe gëzime!

Tiranë,20 qershor 2021

blank

MOTIV GROTESK – Poezi nga MOIKOM ZEQO (1949 – 2020)

Ata që bukurinë e detit regjistrojnë
me lulet, yjet në procesverbale të ftohtë,
që te riardhja e kometave s’besojnë,
ylberin e quajnë iluzion të kotë.
Malet s’i marrin në telefon si vartës,
as pemët s’u vine për intervista
si letra të bardha s’i futin dot plazhet
në dosjet groteske në zyra.
Ata zogj e statuja kështu i regjistrojnë
borën e përrallat si numura të ftohtë,
(te muzgu s’ndërhyjnë për fat të mire me mik
Arusha e Madhe s’u bëhet karrige!)
Xheste bëjnë, pantonima në erë,
me frymëmarrje dot s’i drejtojnë retë.
Kurse rrufetë me mospërfillje të madhe
s’ua lexojnë shkrimet “Hyrje” e “Dalje”!
blank

In memoriam Moikom Zeqo, një vit pa figurën poliedrike. Ceka: Ishte njeri që nuk blihej. Dade: Prej tij hyra në PS

Një vit pas ndarjes nga jeta është përkujtuar nga miqtë dhe familja, poeti, arkeologu, studiuesi, historiani e politikani, Moikom Zeqo. Një libër ditar i kohëve të tij në spital, shërbeu si shkas i rrëfimeve për të.

Ai mblodhi të majtë e djathtë, siç bënte në të gjallë, duke rikujtuar natyrën e tij idealiste e të pakompromis.

Si një prej emrave që nxiti reformimin e Partisë së Punës në Parti Socialiste, ai kujtohet si njeriu frymëzues që megjithatë mbeti në hije. I veçantë dhe i qetë, i thjeshtë me këdo, ai ngjante i pavdekshëm.

Në të gjallë, pos studimeve e librave, familja ishte pika e tij e fortë, duke lënë pas një vazhdimësi të denjë. Përkujtimi për Moikom Zeqon u mbajt në Qendrën e Solidaritetit të Fundjavës Ndryshe, që i dorëzoi të birit një certifikatë mirënjohjeje.

blank

KARRIGET – Poezi nga MOIKOM ZEQO (1949 – 2020)

Karriget, karriget,
mitra a kanë?
Nuse të drunjta, dhëndër prej letre,
mbledhje, që kanë solemnitet martese,
telefonat rrinë – grifona zyrtarë,
pak të hungërojnë, të gurëzojnë të gjallë,
njeriu tretet te karrigia ngadalë:
mplekset, futet, dridhet – ç’ngashërim!
Karrigia nazike ndien një rëndim
nga brenda saj embrioni u lidh,
karrigia e thith, e nxjerr prap njerinë –
e njëjta moshë, të njëjtat tipare
një antilindje, e tjetërsuar fare.
Mitra e karriges dyfishon me hir
atin, që është njëkohësisht dhe . . . bir!
blank

SCHOPENHAUERI QAN – Poezi nga ADAM ZAGAJEWSKI – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Po, ai është Schopenhaueri (1788)
– 1860), autori i botës si vullnet
dhe përfaqësim, zbuluesi i mashtrimeve
të natyrës dhe i muzikës së sferave. Dikush atëherë
e quajti atë edukator. Asgjë nuk ndodhi,
pasi asgjë nuk ndodh; thjesht një fëmijë,
një qurrash, i cili duket pak si
ajo gruaja e njohur në rininë e tij –
rinia nuk ekziston -, ajo i buzëqeshi
dhe sigurisht nuk kishte nevojë,
ai ishte një agjent i natyrës.
Shtator, diçka indiferente,
nuk hapen më zemrat, vetëm toka
pak nga pak ngurtësohet.
Kthehet në shtëpi, mbyll
derën me dry, për t’iu fshehur shërbëtorit. Si
e kthen çelësin mirë, merr pjesë në komplot
pa dyshim. Ai qan. Trupi i vogël i të madhit
filozof, kontinenti i shtatë, dridhet.
Jeleku i tij, jaka e tij e kollarisur.
Faqet e verdha. Pallto e kaftë.
Këto gjëra të tepërta dridhen,
sikur bombat të binin tashmë
në Frankfurt. Vetmia e tij dridhet, e trashë,
e hollë si një kanavacë hollandeze.

blank

LAVË – Poezi nga ADAM ZAGAJEWSKI – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Po sikur Herakliti dhe Parmenidi
të kishin të drejtë në të njëjtën kohë
dhe dy botë të ekzistonin pranë e pranë
njëra e qetë, tjetra e çmendur; një shigjetë
e vërtit pa frymë, dhe tjetra zemërbutë
e vështron atë; e njëjta valë prishet dhe nuk prishet,
kafshët lindin dhe vdesin në të njëjtën kohë,
gjethet e thuprës luajnë me erën dhe në të njëjtën kohë
ato shkrihen në një flakë mizore të ndryshkur.
Lava vret dhe ruan, zemra rreh dhe rrihet,
kishte luftë, nuk kishte luftë,
hebrenjtë kanë vdekur, hebrenjtë jetojnë, qytetet e djegura,
qytetet mbeten, dashuria thahet, puthja është e përjetshme,
krahët e skifterit duhet të jenë kafe,
ju jeni gjithmonë me mua, edhe nëse nuk jemi më atje,
anijet zhyten, rëra këndon dhe retë
tunden si vello të dasmës së lodhur.

Gjithçka ka humbur. Kaq bukuri. Kodrat
mbajnë kujdesshëm banderola të gjata me pyje,
myshku ngjitet në kambanoren e gurtë të kishës
dhe me buzë të vogla lavdëron me ndrojtje Veriun.
Në muzg jaseminët shkëlqejnë si llamba
budalle të shtangura nga drita e tyre.
Në muze para një kanavace të errët
shtrëngohen këlyshët e maceve. Gjithçka ka mbaruar.
Kalorësit galopojnë mbi kuaj të zi, shkruan tirani
një dënim të zhgramatikuar me vdekje.
Rinia shpërbëhet në harkun
e një dite, fytyrat e vajzave bëhen
medalione, dëshpërimi shndërrohet në ekstazë
dhe frytet e forta të yjeve rriten në qiell
si kalaveshë rrushi dhe bukuria qëndron, dridhet, shtang
dhe Zoti ekziston dhe vdes, nata kthehet tek ne
në mbrëmje, dhe agimi është gërryer nga vesa.

blank

KUSH E PESHOI NJË IDE? – Poezi nga MOIKOM ZEQO (1949 – 2020)

Kush e peshoi
një ide?
Më e rëndë është metafora,
apo një det?
Një atom ja kalon
në peshë dhe Hiroshimës,
një foshnjë e porsalindur
është më e rëndë se Aushvici.
Një proverbë e Budës
është më e rëndë se Himalajat.
E zogu kolibër
më i rëndë
se Polifemi.
Sistemi me planetë i Kopernikut
është peshorja e mendimit.
Copërat e dritës së fundosur
janë mermeri i nëntokës
e gjethet e xinxifes së Skiroit
janë kandar argjendi
për xixëllonjat
e pikat e vesës.
Ja, dy lule si lente dylbish
për të parë
ç’ka përtej
hapësirës
dhe kohës!
Më rrethon
metafizika blu e gurit,
kujtesa është e plagosur –
po ta prekësh
dhëmb.
Palëvizshmëria e librit
është tempullore.
E Gishtoja i përrallave peshon
më shumë
se dinosaurët
e Spilbergut
a Behemoti.
Stomaku është peshorja e kanibalit,
kanibali është peshorja e popujve,
popujt janë peshorja e mbretërve,
Mbretërit janë peshorja e mendimtarëve,
mendimtarët janë peshorja e skllevërve,
skllevërit janë peshorja e lirisë,
liria është peshorja e fatalitetit,
fataliteti është peshorja e ligjeve,
ligjet janë peshorja e entropisë,
entropia është peshorja e rastësive,
rastësitë janë peshorja e vdekjes,
e vdekja është peshorja e përditshmërisë,
përditshmëria është peshorja e harresës,
harresa është peshorja e gjumit,
gjumi është peshorja e miteve,
mitet janë peshorja e instiketeve,
instiktet janë peshorja e fantazisë,
fantazia është peshorja e heronjve,
heronjtë janë peshorja e paradokseve,
paradokset janë peshorja e fjalëve,
fjalët janë peshorja e profetëve,
profetët janë peshorja e plehut,
e plehu është peshorja e kotësisë,
kotësia është peshorja e Apokalipsit,
Apokalipsi është peshorja e detit që vdes,
e deti që vdes është peshorja e hiçkohës,
hiçkoha është peshorja e parasë,
paraja është peshorja e të pëgërës,
e pëgëra është peshorja e TV-së,
TV-ja është peshorja e skizofrenisë,
skizofrenia është peshorja e arkivoleve,
arkivolet janë peshorja e kryqeve,
kryqet janë peshorja e Pons Pilatit,
Pond Pilati është peshorja e Dantes,
Dantja është peshorja e Napoleon Bonapartit
Napoleon Bonaparti është peshorja e Vaterlosë,
Vaterloja është peshorja e holokaustëve,
holokaustët janë peshorja e ujqërve,
e ujqit janë peshorja e qingjave,
e qingjat janë peshorja e utopive,
e utopitë janë peshorja e diktatorëve,
diktatorët janë peshorja e vetë Zotit,
e Zoti është peshorja e Satanait,
Satanai është peshorja e . . . peshoreve . . .
tani dhe ajri plaket
me mjekër rrufesh,
ajri lëviz në pllaje
i pabesueshëm dhe i nëmur si profetët.
Si ta dizinfektoj
dhe Hënën
nga gjaku i Makbethit?
Hëna na peshon mishrat tanë
copëtuar nga një kasap qiellor,
jetojmë të tashmen kaq të lashtë,
të djeshmen e sotme e të ardhmen e djeshme,
e tashmja e kaluar
është e kaluara e tashme,
e ardhmja e tashme
është e kaluara e ardhme.
Ju lutem,
kush e peshon kohën,
atë për të jetuar
dhe atë për të vdekur?
Sa lule të verdha
prej squfuri më rrethojnë.
Fjala ime është një qeli
po pa të burgosur brenda.
Nga vjega e ylberit
këputet . . . planeti.

 

blank

HAKMARRJA E ËMBËL – Tregim nga Muç Xhepa

Shtator 1979. Vajza më e bukur e kursit bëri shenjë të shkoja tek ajo. Holli i fakultetit ishte mbushur me studentët e vitit të parë.
– Të kërkon dikush, i rëndësishëm,- qeshi,- më prezanto edhe mua me të.- Tregoi me dorë nga dera.
Te shkallët ishte Edmond Flaga, i gjatë, i pashëm, i qeshur. Njihemi që nga koha kur kemi banuar në të njëjtin qytet, Rrogozhinë. Disa vite edhe në të njëjtin pallat. Ndonëse më i madh në moshë, e kemi ruajtur miqësinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Edmondi rrezatonte cilësi të larta – i prirur për të bërë vetëm mirë.
– U gëzova shumë që më në fund të lanë të vazhdoje shkollën. Ishte non sense. Prindërit mësues. Edukuan breza të tërë. Na bënë këta që jemi…,- Shtrëngojmë duart.
– Do të prezantoj me bashkëshortin e Jetës. Po të keshë nevojë…, është njeri i thjeshtë…
Te fundi i shkallëve na buzëqeshte shefi i rojeve personale të kryeministrit. Ali Çeno.
Dielli fshihej pas plepave në anën jugperëndimore të liqenit. Rrezet e pakta, të kuqërremta, zhyteshin në sipërfaqen e yndyrtë dhe vende-vende krijonin njolla si të ishin prej gjaku, që herë largoheshin e herë afroheshin pranë kafenes në buzë. E vetmja në atë qytezë, të cilën “Çlirimtarët” e kishin kthyer në qendër internimi. Eh, Samiu i gjorë, rilindasi mendjendritur, e kishte ëndërruar për tjetër gjë – kryeqytetin e shqiptarëve. Brenda heshtje e rëndë. Ajo përzihej me frikën që kishte krijuar prania e shumtë e kostumgrinjve pas vrasjes së kryeministrit dhe të kallte datën. Në tryezën pranë derës pinte kafe një mesoburrë shpatullgjerë. Mustaqet i vareshin anës buzëve dhe i jepnin pamje mbresëlënëse fytyrës muskuloze. Pranë ndaloi Gazi-69 i degës. Zbriti një kostumgri i bëshëm. Dukej si mundës. Vajti pranë tryezës dhe diçka i tha. Duhej të ishin ngrënë edhe më parë, sepse këmbyen fjalë jo dashamirëse.
– Po të jesh aq trim…, dil jashtë… !- Ngriti zërin kostumgriu.
Shpatullgjëri brofi në këmbë, la paratë për kafenë dhe e ndoqi nga pas. Jashtë, nga dheu, u shfaqën katër sampistë. Të pestë përbindëshat iu hodhën përsipër dhe pas një përleshje që drithëroi edhe pemët përreth, e prangosën. Ndërsa e fusnin me forcë brenda automobilt-burg, kostumgriu “trim” e godiste me dorezën e pistoletës në kokë.
– Në aeroport vajta vetëm. Nuk doja të merrej vesh për ku isha nisur. Më hanin duart. Ndjenja e revanshit më mundonte prej vitesh. Etja për hakmarrje nuk është gjë, nëse nuk e mban gjallë tërë jetën; i thoja vetes në qelinë e izolimit, pasi kisha kaluar nëpër shkallët e torturave çnjerëzore.
Aliu porositi kafe, unë pije freskuese, ndërsa Bardhyl Miraku, miku i ngushtë i Aliut, që e kishte vizituar edhe në burg, një birrë. Ishim ulur te veranda e hotel “Skampës”. Kishin ardhur të më uronin për punën e re, drejtor turizmi.
– Rivendosja e drejtësisë në thelb është hakmarrje. Njerëzit duhet të marrin atë që meritojnë.- Bardhyli mbështeti logjikën e mikut të tij. Njohja e tyre ishte e vjetër. Babai i Bardhylit dhe kryeministri kishin luftuar bashkë, në të njëjtën llogore, në luftën e Spanjës. Menjëherë pas ardhjes në pushtet, Neroni e kishte pushkatuar, pasi e kishte shpallur poliagjent.
– E pata lajmëruar se do të jetoja gjatë. Nxirrte dhëmbët, zgërdhihej, po të lamë ne thoshte. Pesë kilogram burrë ishte. Por, i zi i tëri. Kënaqej të ushtronte tortura mbi të pafatët që i binin në dorë.
– Kam ndjekur intervistën tënde.- I thashë unë.
– Kam qenë pranë tij gati për nëntë vjet dhe jam i bindur që atë e vrau i pabesi. Atij që kryeministri i kishte qëndruar besnik për dyzet vjet.
Ujqër të dy, thashë me vete.
– Ke vuajtur shumë birucave. Por ia dole në fund. Ja tani ndriçon të vërtetën.- Bardhyli vuri shishen në buzë.
– Do të dish Bardhyl cila ishte tortura më e madhe që kam përjetuar? Më lidhnin këmbë e duar në tryezë dhe hetuesi, Sokol Koleka, ulej çdo mëngjes mbi kokën time,- Aliut iu dridhën duart.- Zbardhte dhëmbët: “Hë trim, do të firmosësh këto që të kam shkruar…Është deponimi yt”? Jo i thoja. Ai shtrëngohej dhe lëshonte gazra… pordhë… I lutesha Zotit ato çaste të më jepte jetë. Ta takoja, sikur edhe vetëm një hëre.
Heshtje. Rrufiti kafenë. Mori paketën e cigareve që Bardhyli kishte vënë në tryezë dhe i mori erë. Thellë.
Gusht 2019. Naim Flaga, vëllai më i vogël i Edmondit, më thërret në mesinxher. Ka vite që jeton në Itali me familjen. Kemi qenë shumë miq. Luanim futboll bashkë. Naimi më quante sollaks i hidhur.
– Aliu na la.- Iu përlot zëri.- Një boshllëk i madh na është krijuar. Ishte shtyllë për Jetën, por edhe për ne të tjerët.
Eh, Jeta heroinë, them me vete. E internuan në fshatin Përsnik të Gramshit. Nuk u dorëzua. Dashuria për Aliun e bëri më të fortë. Naimi më kishte treguar, kur e kishin internuar. “Nëntë orë udhëtim me një kamion që prishej rrugës, ngecte në llucë. Jeta dhe tetoja në kabinë, unë në karroceri. Në Gramsh oficeri i degës na tha: ‘Zbrisni, ç’prisni! Arritët në aeroport’. Më vinte ta mbysja me duar”.
– Iku i qetë se haku…,- u përpoqa t’i them.
– Ku e lashë?- Aliu vuri përsëri paketën pranë hundës.
– Në aeroportin e Zyriut kishte dalë të më priste Bajrami. Një mik që nuk m’u largua kurrë. Ashtu si Bardhyli. Edhe në ferr.- Aliu vuri dorën në supin e Bardhylit.
– Të kam marrë disa herë në telefon, s’përgjigjej njeri, më tha Bajrami. I tregova se ishin në Durrës te vëllai i Jetës, e tërë familja. Bëj dhe ti turizëm, disa ditë në Zvicrë, më ftoi. Bajram, ia ktheva, ti e di mirë përse kam ardhur sot? Më hanë duart! Më dërgo sa më parë.- Aliu e ngriti zërin.
– Ta mori Zoti hakën vëlla. E kanë gjetur të vdekur në apartament. Thonë se ishte pa kokë. Policia po merret me identifikimin… Bajrami fliste mua më krijohej gjendje tjetër. E ëmbël.
Bardhyli s’e mbajti gëzimin. Porositi birra edhe për ne.
– Te biletat, vajza u habit përse do të kthehesha brenda ditës. Foli gjermanisht me një si përgjegjës. Ai më vështroi i përqendruar. Foli në radio. Pastaj diçka i tha asaj. Pas dy orësh nisej i njëjti avjon për Tiranë. Mora biletën dhe u ndava me Bajramin që i mbeti qejfi.
– Hajde gëzuar,- Bardhyli përplasi shishen me ne.
– Por, te kontrolli më ndaluan. Morën çantën ta shihnin imtësisht. Oficeri që më rrinte pranë më pyeste përse qeshja. Të paktën ashtu më dukej. Unë nuk dija gjermanisht. Më dukje sikur kërkonin kokën… e humbur… Hakmarrja qeka më e ëmbël se mjalta, kur ta dhuron Perëndia.
blank

ÇFARË U MUNGON KËTYRE RRUGËVE Poezi nga VEHBI SKËNDERI E lexon e bija Elida Buçpapaj

 

Unë nuk po e kuptoja dot, çfarë u mungonte këtyre rrugëve e kësaj Arkitekture
Kaq perfekte.
Kësaj dritëze të butë, që binte mbi vitrina, midis luleve e shkurreve,
fekste e fekste…

Çfarë i mungon këtij iriqi vocrrak, strukur, s’di qyshkur, në këtë ferrë.
Çfarë i mungon kësaj buzëmbrëmjeje të purpurt,
edhe kopsht plot trëndafila, edhe humnerë,
ku befas do të gremisen të tëra xixëllonjat e të tërë yjtë.
Çfarë i mungon këtij lumi, kësaj lëndine, këtij parku që, ndonëse lumturohem e
më kënaqen sytë duke i parë:
ndjej një hon në zemër, një zgavër ujqsh, që frikën më kall.

Çfarë i mungon kësaj hëne të plotë, fshehur, paksa, nën një tyl të bryllët
reje, që duket posi një flutur e djegur.
Çfarë i mungon syrit tim, që bredh gjithandej, si qen i ndjekur!
Çfarë i mungon kësaj nate pa emër, kësaj hijeje
ekzistente e inekzistente, kësaj ujvare hënore kaq transparente,
ujore, nënujore e të përjetëshme….

Bernë, 11 gusht 1996


Nga libri “Zvicra Shqipëria ime”, Prishtinë 2004

 

 

 

blank

NJERI, S’KA ARDHUR ENDE KOHA TË VDESËSH – Poezi nga MOIKOM ZEQO (1949 – 2020)

– Njeri, s’ka ardhur ende koha të vdesësh,
po avullon dhe ari i padjegshëm i nibelungëve
e pa materie mbetet një boshësi.
Lëkura është derë e mbyllur
me brava poresh të pafund.
Lumi bën një elektrogramë,
sikur shkruan një autobiografi.
Njeri s’ka ardhur ende koha të vdesësh.
Unë,
Zoti, Zoti
zgjas dorën
ta nxjerr nga kraharori
zemrën – gafore prej bronzi të ndjeshëm
e . . . prapë s’do të vdesësh.
– O Zot,
përdëllemë!
Gaforja e zemrën ikën
nëpër yllësitë e shpirtit,
trupi im ndjek si hieja
pa përmasa
në infinit . . .
A ka herbariume për këta muzgje,
për të ruajtur
gjumin,
xixëllimet e ideve?
Pa gjumin do ta kishim dyfishin e ekzistencës,
notoj mes djersës si Sizifi i shndërruar në notar,
ja një këndez dioniziak i rrjepur
simbol i vjeshtës antike.
Grifonet funerore po t’i shposh
shpërthejnë gjakun e zogjve dhe të ajrit.
Heronjtë e kujtesës janë trupa pa mish
hyjnë e dalin lehtësisht nëpër muret,
varri është humnerë
çdo i vdekur thith
mijëra engjëj pas vetes.
Gishti i stërmadh i tymit
futet te unaza e Diellit,
që ka vulën heraldike të stinëve
për të vulosur testamentet.
Ekrani i TV riprodhon dinosaure
si tigani ku skuqen vezët syze,
Shqiponja vjen nga sipër kaq shpejt
sa hapësirat i zgjaten nga pas si flokë hyjnish.
Eja, eja mendim që nga planeti Mars
në tendën mikpritëse të lëkurës time
të tendosur në vapën e moskzistencës.
Dhe unë parapëlqej t’u ve
dhe luanëve të Danielit krahë fluture.
T’i rrjep lëkurat e zebrave për shah ekzotik,
e të jashtëqis gjarpërinjtë e tempujve.
Eja, eja robot i dëmtuar,
po të ve gaforen elektronike të zemrës
si ringjallja e vetë Mesisë.
Letra, që po shkruaj është atdheu im,
përtej kësaj letre jam përherë i mërguar.
Ekzilet e mia janë internime të arta
në Persinë e në Egjiptin kur e pa Herodoti,
në kampin indian të Hajavathës,
në jeruzalemin e kryqtarëve të Rikard Zemërluanit,
në zhytjet nënujore të Zhak Iv Kustosë,
në funeralin pa njerëz të Modilianit,
te poezia e Migjenit
për gaforen e historisë,
që ecën mbrapsht.
Fjalorët janë varreza fjalësh
gjoja i ringjallim përmendësh,
sytë kanë ikur në disa orbita,
që nuk i di as Zoti e as Kepleri.
Si ta zbus këtë mal e ta derdh
si një lumë
a një ujvarë drejt detit?
Mund të zhytësh duart në det,
po jo emrin dhe ëndrrën.
Stalakmitet vigane
janë stërgjyshër
të kallinjve të grurit.
Dy supet e mia ulërijnë
si dy pantera, duke frikësuar
Cerberin dhe engjëjt!
Dua t’i shkrij imazhet për të gjetur
një metal më hyjnor.
Ndërgjegjja është kishë,
ku vetëm pendesa na strehon.
E unë pres një popull të ri
lexuesit e mi, që s’janë sot!
– Njeri s’ka ardhur ende koha të vdesësh,
ikonat janë pasaporta
të kerubinëve e serafimëve,
ikona jote gaforja . . .
– O Zot, unë jam kjo gafore e pakuptuar,
duke tërhequr fijet e prehistorisë
e megjithatë eci mbrapsht,
rikthehem e gjoja shoh të panjohurën,
dogmat më mbërthejnë, ritet më rrotullojnë
në një perpetum mobile,
skllavërinë e quaj liri
e poshtërimin mirësjellje
e mitin e parasë moralin e vetëm!
Gaforja e zemrës ra, më braktisi u zhduk,
jam njeriu pa zemër, i munguar në gjithçka,
muskujt më ndryshken si lebra kimike,
kryeqytetet janë ndotur nga shira acidesh,
e pemët janë pishtarë të shuar
të një braktisje të kobshme,
Urbanistika e gjashtë ditëve të krijimit
e ka tradhëtuar projektin e Zotit
kanë fallsifikuar idetë, gjeneza,
gaforja e zemrës e neveritur i shmanget
katastrofës kibernetike dhe shkrumbit
e zhytet në thellësitë oqeanike pa cak
e hijet e atlantidasve të vallëzuar me peshqit
e pranojnë me brohori këtë hyjni
me ganxhat e gafores të presë telat
e një bombe atomike të koduar . . .

 

blank

ROMANI I AMERIKËS SË FRANC KAFKËS – Nga VISAR ZHITI

Është i pari ndër tre romanet e Kafkës, e nisi kur ishte 28 vjeç, por u botua i fundit, i pambaruar, pas vdekjes. Dhe titullin e kishte “I zhdukuri”, por miku i tij, shkrimtari Maks Brod, që nuk e zbatoi porosinë e Kafkës për t’ia djegur Veprën, duke u bërë kështu plotësuesi i një testamenti shpirteror të pashkruar, ia botoi Veprën, ndërkaq ia ndërroi titullin romanit, ia bëri “Amerika”, sepse duhej prapë një K, që Kafkën e ndillnin aq shumë, siç e kishte “Kështjella” e tij apo siç ishte personazhi Jozef K.
Ameri-K-a e Kafkës s’është Amerika e vërtetë, ku ai nuk shkoi kurrë, por e fantazoi atë dhe e rimora ndër duar librin për të zbuluar ndonjë ndjesi tjetër a ide ndryshe, gjeta shumëçka që te Kafka i mëpastajmë do të sublimohej mynxyrshëm: ikjet me asgjëkundin, fatalen me absurdin, sinqeritetin me të pakuptueshmen, dashurinë me groteskun, etj.
Patjetër që është libri me humorin më të begatë të Kafkës para se ky humor të bëhej i zi, tragjik.
Kemi një Karl të pafajshëm, shokët e rrugës së tij janë shumë të zotë për të qenë të liq, sidomos njeri, qe s’e di që është me aq shumë cmirë dhe i pabesë dhe Karli kompkeksohet, aq sa ndihma që u jep atyre, i zhbëhet si të ishin ata, që e kishin ndihmuar, etj, etj. Befasitë, konviktet si burgjet, lëniet pergjysmë të shumë gjërave, zhurma të boshta, fushata zgjedhore, hotele si qeverira festive e shtypëse, të dashura të dhjamura, kotësira serioze, që shndërrohen në rrahje, etj, etj, mbarim i mosmbarimit, mosmbarim i mbarimit, kafkianizëm virtuoz…
* * *
Dhe si një ilustrim i kësaj, një miku im piktor në Itali, Georg K-ola, me K-në kafkiane në mbiemër, i shkrep dhe bën portretin e Kafkës me qeleshe shqiptare dhe pranë tij më vë mua, po me qeleshe, dhe m’i nis, pa më thënë së nga i erdhi ky frymëzim keshtu, mbase për të më shperblyer atë mall gëzimtrishtë për Kafkën, një adhurim zymtan, sa vetanak, po aq dhe K-ozmik…

Send this to a friend