VOAL

VOAL

pintor del pi

October 27, 2014

Komentet

Investigimi i RAI3/ Reagon parlamenti italian: Telefonata e Ramës, ndërhyrje e papranueshme në lirinë e medias

Telefonata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me drejtuesin e rrjetit publik italian RAI, ka skandalizuar jo vetëm gazetarët, por edhe politikën e këtij vendi.

Komisioni parlamentar i medias, që njihet edhe si Komisioni për Mbikëqyrjen e RAI-t, e quan këtë telefonatë të Ramës, një ndërhyrje të papranueshme dhe flagrante në lirinë e medias.

Për kryetaren e Komisionit Mbikëqyrës të Rai-t, Barbara Floridia, “është paradoksale që një shef i huaj qeverie ndërhyn drejtpërdrejt tek një menaxher i shërbimit publik pasi është përmendur në një investigim gazetaresk. Edhe nëse kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të besonte se ai ishte dëmtuar në një farë mënyre nga investigimi i ‘Report’, kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë te Rai”.

“Shpresoj që të ketë një konsensus të gjerë të të gjitha forcave politike në luftën kundër ndërhyrjeve të jashtme në informacion në mënyrë që të mbrohet pavarësia e medias”, shtoi ajo.

Akoma më të ashpër ishin tre anëtarë të këtij komisioni, Dario Carotenuto, Dolores Bevilacqua dhe Anna Laura Orrico.

“Sikur të mos mjaftonte presioni i qeverisë së Melonit ndaj transmetimeve të ‘Report’, tani janë përfshirë edhe krerët e qeverive të shteteve të huaja si kryeministri shqiptar Edi Rama. Le t’i bëjmë Giorgia Melonit një pyetje të thjeshtë: a është normale sipas jush që një drejtues i televizionit publik të kontaktohet drejtpërdrejt nga kryeministri shqiptar për t’u ankuar për një raport gazetaresk? A nuk mendoni se duhet të ndërhyni personalisht për të shmangur atë që duket si një ndërhyrje e panevojshme e kryeministrit shqiptar në lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gazetarisë italiane? Nëse i intereson vërtet, siç pëlqen ta thotë shpesh, “sovraniteti i kombit”, le t’i flasë mikut të tij Rama dhe t’i thotë se Italia nuk duron dot ngjarje të tilla. Sa i përket RAI-t, kërkojmë që të zbardhet çdo detaj i kësaj çështjeje”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ranucci: Dokumentet për Olsi Ramën janë nga aktet gjyqësore, nuk u hetua edhe pse kishte kontakte me narkotrafikantët

Gazetari italian, Sigfrido Ranucci, i ftuar në edicionin e mbrëmjes në SYRI TV, deklaroi se dokumentet e tyre janë marrë nga aktet gjyqësore.

Zëvendësdrejtuesi i RAI-t, tha se Engjëll Agaçi refuzoi intervistën, kurse për emailin e tij tha se ai vetëm sa shërbeu për të konfirmuar lajmin e tyre.

‘Sepse ndërkohë ai email ishte në pritje të marrjes së informacioneve, ishte një konfirmim i informacioneve që kishim, pra ishin të vërteta.

Pra është një operacion që kontribuonte për të vërtetën dhe ne donim intervistën sepse në bazë të atyre informacioneve që Agaçi na konfirmoi, ne mund të realizonim intervistën.

Pra, faktet u treguan me konkretësinë e tyre dhe vërtetësinë dhe përputhen në emailin e përgjigjes të dhënë nga zoti Agaçi.

Ne kemi zakonin që të vazhdojmë të hetojmë, të investigojmë për ato gjëra për të cilat trajtojmë. Ne do të vazhdojmë punën tonë, do i kthehemi edhe të dielën e ardhshme çështjes së emigrantëve.

Zoti Agaçi tha në emailin e tij se nuk e kuptonte pse po e trajtonim këtë çështje që nuk është me interes. Fakti që një qeveri investon 1 miliard euro për trajtimin e emigrantëve në një vend tjetër me mënyra që janë kontradiktore dhe të qarta, që tregon se kjo është një çështje me interes të madh publik,’ tha Ranucci.

‘Ne nuk thamë që ka ndonjë gjë të keqe, ne thjesht donim të flisnim me Agaçin për disa dinamika të kësaj marrëveshje. Për Agaçin ne treguam dhe nënvizuam se kush është Agaçi, treguam edhe çështjen me shefin e Interpolit, gjeneralin Lisi, për çështjen e pronave që ishin në pronësi të një trafikanti dhe kaluan për llogari të gjeneralit.

Të gjitha ato që kemi thënë janë nga dokumentacioni gjyqësor. Të gjitha janë fakte që kanë të bëjnë me korrupsionin, të dokumentuara.

Edhe për vëllain e kryeministrit Rama, i cili nga aktet gjyqësore i lidhur me ato subjekte që thamë.

Ne kemi bërë një punë shumë të qartë të bazuar në dokumente që kemi parë,’ theksoi ai.

Gazetari më pas u ndal sërish te emri i Olsi Ramës.

‘Disa dokumente për këto fakte i kemi publikuar, i kemi rrëfyer se emri i vëllait të kryeministrit nuk është hetuar. Por nënvizuam faktin se nga këto dokumente dilte se kishte rezultuar të kishte kontakte me narkotrafikantët dhe që përdorej e njëjta makinë, makina e tij.

Gjithashtu që ka pasur kontakte me këto subjekte. Kemi thënë këtë gjë. E kemi thënë të njëjtën gjë edhe për ministrat e brendshëm të mëparshëm.

Pra, ne i bëjmë dokumentet tona bazuar mbi dokumentet gjyqësore,’ deklaroi drejtuesi i RAI-t.

INTERVISTA E PLOTE:

VIDEO- Drejtuesi i RAI-t flet për SYRI TV: Rama dhe Agaçi refuzuan intervistat, dokumentet tona janë gjyqësore

Sigfrido Ranucci, drejtor i programit Report në RAI 3 dhe drejtues i rrjetit publik italian RAI, foli në një intervistë ekskluzive në SYRI TV për edicionin e mbrëmjes përballë gazetares Armela Ferko.

Ai tha se dokumentet që kanë publikuar ata janë dokumente gjyqësore.

Po ashtu, ai theksoi se Edi Rama dhe Engjëll Agaçi kanë refuzuar intervistat.

‘Unë sinqerisht e prisja më shumë një reagim në Itali se ne jemi televizion publik që bëjmë investigime të rëndësishme. Merremi me administratën publike. Italia po jep 1 miliard euro para publike për këtë program për emigrantët. Sigurisht me Shqipërinë duhet të bënim llogaritë edhe me korrupsionin.

Ne kemi vepruar mbi bazën e dokumenteve gjyqësore, pra shumë të rëndësishme.

Na vjen keq që kryeministri Edi Rama dhe këshilltari i tij juridik, Engjëll Agaçi, nuk e pranuan intervistën. Nuk e kuptoj pse nuk pranuan një intervistë me televizionin publik italian,’ tha ai.

EMISIONI I PLOTE:

VIDEO- Drejtuesi i Report në RAI3 lëshon ‘bombën’: Vetëm Kremlini dhe Edi Rama na kanë sulmuar për investigimet tona

Drejtuesi i programit të njohur investigativ Report në RAI3, Sigfrido Ranucci bëri deklarata të forta në intervistën ekskluzive për Armela Ferkon në SYRI TV.

Ai konfirmoi telefonatën që ka bërë Edi Rama me drejtuesit e RAI-t, duke thënë se vetëm Kremlini është ankuar si Edi Rama për programin e tyre.

‘Mua më rezulton që ka pasur një telefonatë, por që tonet nuk kanë qenë të ndezura.

Nuk e njoh përmbajtjen, di që ka thënë që do dërgoj një letër proteste me sqarime, nga ato që kam lexuar nga agjencitë e lajmeve.

Neve ende nuk na ka ardhur gjë në redaksi.

I kemi kërkuar intervistë, por për fat të keq nuk na është dhënë mundësia për të pasur këtë.

Është ajo përgjigjja e shkruar nga Agaçi që kemi publikuar në faqen tonë, që ka konfirmuar lajmin që dhamë që ka qenë përfaqësuesi ligjor i disa klientëve të përfshirë në narkotrafik dhe konsulent në marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emirgantët dhe konsulent për operacionin e atëhershëm të gjeneralit Lisi.

Këtë e tha edhe vetë gjenerali Lisi në mikrofonin tonë. Është diçka që ne e morëm parasysh me shumë korrektesë. Agaçi nuk e pranoi intervistën që i kërkuam,’ tha gazetari italian.

‘Nëse është normale, nuk e di, duhej të më kishte marrë mua në telefon nëse po. Nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë në të kaluarën.

Edhe Kremlini është ankuar për Report, Lavrovi dikur, ministri i Jashtëm. E ka quajtur armik të Kremlinit pas një reportazhi që kemi bërë për ta.

Kemi pasur të njëjtin sulm, telefonata që janë bërë.

Nëse gjithçka do mbetet në një diskutim në nivel cinik, ndërsa në qoftë se ajo telefonatë ka vlejtur si presion, është diçka tjetër. Dhe nuk është e drejtë sepse liria e shtypit është diçka që nuk ka çmim, të gjitha vendet duhet ta respektojnë,’ shtoi ai.

EMISIONI I PLOTE: 

 

Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

VOA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden miratoi të mërkurën projekt-ligjin që parashikon 95 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Ai tha se ligji për ndihmën do ta bëjë Shtetet e Bashkuara dhe botën më të sigurt dhe se dërgimi i paisjeve ushtarake për Ukrainën do të fillojë brenda disa orëve.

Presidenti Biden tha se me miratimin e kësaj ndihme Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë rolin udhëheqës të Amerikës në botë.

“Ajo i jep mbështetje jetike partnerëve të Amerikës që mënyrë që ata të mund të mbrohen përballë kërcënimeve ndaj sovranitetit të tyre, jetës dhe lirisë së qytetarëve të tyre. Dhe është një investim në sigurinë tonë, sepse kur aleatët tanë janë më të fortë, ne jemi më të fortë”, tha presidenti Biden.

Ai falenderoi anëtarët e Kongresit dhe udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve, si demokratë edhe republikanë për miratimin e ndihmës.

Nënshkrimi nga presidenti u bë pasi Senati votoi me shumicë dërrmuese të martën në mbrëmje në favor projekt-ligjit.

Pas votimit me 79 pro dhe 18 kundër, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se Amerika po i dërgon një mesazh mbarë botës.

“Sot, pas më shumë se gjashtë muajsh pune të palodhur, shumë vështirësish dhe pengesash, Amerika i dërgon një mesazh mbarë botës: Ne nuk do t’ju kthejmë shpinën. Ne u themi aleatëve tanë se jemi me ju. Ne u themi kundërshtarëve tanë, mos u ngatërroni me ne. I themi botës se do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë dhe mënyrën tonë të jetesës. Ky projektligj i sigurisë kombëtare është një nga masat më të rëndësishme që ka miratuar Kongresi për të mbrojtur sigurinë e Amerikës dhe sigurinë e demokracisë perëndimore”, tha zoti Schumer.

Miratimi i pjesës së ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën vjen ndërsa Kievi ka nevojë të jashtëzakonshme për furnizime të reja ushtarake dhe presidenti rus Vladimir Putin ka intensifikuar ofensivën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi Presidentin Biden, udhëheqësin e shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësin e pakicës, Mitch McConnell pas miratimit të projekt-ligjit nga Senati, duke thënë se votimi “përforcon rolin e Amerikës si një model i demokracisë dhe udhëheqëse e botës së lirë”.

Zyrtarët amerikanë thonë se Pentagoni është gati të dërgojë 1 miliard dollarë ndihmë të re ushtarake në Ukrainë, pjesa më e madhe pas javëve të ardhshme.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi ndihmën të shtunën.

Ligji parashikon gjithashtu 26 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, si edhe ndihmë humanitare për qytetarët e Gazës, si edhe 8 miliardë dollarë për përforcuar mbrojtjen ndaj Kinës në Tajvan dhe Indo-Paqësor.

Më herët të martën, presidenti i sapozgjedhur i Tajvanit Lai Ching-te vlerësoi veprimin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA.

Lai Ching-te, Zëvendëspresident dhe president i zgjedhur i Tajvanit

“Ky veprim jo vetëm që do të forcojë qëndrimin kundër autoritarizmit mes aleatëve të Perëndimit dhe Paqësorit, por gjithashtu do të ndihmojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit, si edhe do të rrisë besimin në rajon lidhur me vendosmërinë e SHBA-së për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në rajon. Pra dëshiroj të shpreh edhe një herë mirënjohjen time të sinqertë për Kongresin amerikan për miratimin e këtij legjislacioni, për të përmbushur angazhimin e tij ndaj sigurisë së Tajvanit.”

Zoti Lai i bëri komentet në një takim me një delegacion nga SHBA.

Transparency International nxin Ramën – Qeveria kontrollon mediat. Lidhje mes zyrtarëve dhe grupeve kriminale, blerje votash në zgjedhje

VOA

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikoi sot në Tiranë Raportin e Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit për Shqipërinë, mbi efektivitetin e mekanizmave kombëtarë kundër korrupsionit.

Raporti, një bashkëpunim me Organizatën Transparency International, me mbështetjen e Bashkimit Europian, vëren një rënie në sektorin publik sa u takon mekanizmave kundër korrupsionit, një stanjacion në media dhe shoqërinë civile, ndërsa veçon si përparimin më të rëndësishëm atë në sistemin gjyqësor dhe në prokurori.

“Kuadri legjislativ i Shqipërisë mbetet i fragmentuar dhe efektiviteti i reformave është i kufizuar; shumë institucioneve publike u mungojnë kapacitetet, burimet dhe stafi i nevojshëm për detyrat e tyre”, thuhet në raport.

Lidija Prokic, këshilltare rajonale e organizatës Transparency International për Europën Lindore dhe Juglindore, tha për Zërin e Amerikës se reformat anti-korrupsion në Shqipëri duhet të vazhdojnë, se reforma në sistemin gjyqësor po kryhet me sukses, por edhe se ky Raport zbuloi se disa sektorë janë ende të brishta përballë korrupsionit.

“Një nga gjetjet më të spikatura nga Raporti është dobësia e rolit mbikëqyrës të parlamentit, prej nga rezulton që në disa fusha korrupsioni lehohet të vazhdojë. Nevojitet më shumë ndërveprim midis shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare në krijimin e një legjislacioni të vërtetë e funksional, që ta mbrojë shoqërinë nga korrupsioni. Kjo është e vetmja rrugë ku Shqipëria dhe vende të tjera në rajon mund të përparojnë drejt integrimeve europiane”, tha zonja Prokic për Zërin e Amerikës.

Në Raportin e Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit, një instrument i organizatës Transparency International, analizohen mirëqeverisja, transparenca dhe llogaridhënia tek Kuvendi, qeveria, partitë politike, gjyqësori, media, institucionet e pavarura, organizatat e shoqërisë civile si biznesi privat.

“Sektori publik i Shqipërisë është shtylla me pikët më të ulëta, sepse vuan nga standarte të paqarta profesionale, nga rreziku i korrupsionit dhe nga ndikimi politik”, thuhet në raport.

Sipas tij, përpjekjet për reforma dështojnë në krijimin e një sektori publik profesional dhe të përgjegjshëm, ku shkarkimet e padrejta mbeten një shqetësim me rëndësi.

IDM thekson në raport se në Shqipëri janë të pranishme forma të ndryshme korrupsioni, nga korrupsioni i vogël dhe nepotizmi deri te pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, të cilat kanë marrë një rritje të konsiderueshme.

“Korrupsioni i madh dhe kapja e shtetit janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, pasi Shqipëria ka rritur rreziqe të tilla nëpërmjet privatizimit, koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat PPP. Këto mënyra të transferimit të parave publike dhe kapitalit në duar të privatit kanë qenë të prirura ndaj korrupsionit dhe pretendohet se kanë kontribuar në pasurimin personal të zyrtarëve qeveritarë”, thekson raporti.

Sektorët ekonomikë më të prekur nga korrupsioni i madh, sipas këtij raporti, kanë qenë energjia, transporti, ndërtimi, shëndetësia dhe turizmi.

“Pastrimi i parave dhe marrëveshjet e fshehta ndërmjet partive politike, zyrtarëve të qeverisë dhe grupeve të organizuara kriminale janë shqetësuese dhe janë përkeqësuar”, thuhet në raport.

Kuadri legjislativ kundër korrupsionit vlerësohet se është mjaft gjithëpërfshirës, por jo mjaftueshëm i qartë në përcaktimin e përgjegjësive institucionale për ta zbatuar atë.

“Mungesa e transparencës lehtëson vendimmarrjen e korruptuar dhe kapjen e shtetit”, thekson raporti.

Pavarësisht Ligjit për të Drejtën e Informimit dhe Ligjit për Njoftimin dhe Konsultimin Publik, institucionet publike, sipas raportit, ende nuk arrijnë të zbulojnë të dhënat përkatëse buxhetore dhe të prokurimit, ndërkohë që proceset e konsultimit publik priren të jenë formale.

Në të theksohet se “ndikimi i qeverisë mbi Kuvendin është i rëndësishëm dhe institucionet e pavarura si KLSH, ILDKPKI dhe Avokati i Popullit ushtrojnë presion të kufizuar thelbësor mbi ekzekutivin për të hartuar politika efektive kundër korrupsionit”.

Pavarësisht një ligji të ri për prokurimin publik, raporti thekson se “procedurat e prokurimit publik në sektorin shëndetësor dhe në infrastrukturë vuajnë nga një sërë çështjesh që variojnë nga ofertat fiktive deri te mungesa e mbikëqyrjes efektive”, ndërsa “nuk bëhen të ditura detajet në lidhje me zbatimin dhe ekzekutimin e kontratave të koncesionit/partneritetit publik-privat (PPP)”.

Në këtë raport theksohet se zbatimi në praktikë i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe për mbrojtjen e sinjalizuesve mbetet i dobët.

Mjedisi i biznesit në Shqipëri vlerësohet se ka mbetur i prirur ndaj korrupsionit për shkak të sfidave si informaliteti, administrata publike joefektive dhe besimi i ulët në sistemin e drejtësisë. “Rastet e zyrtarëve publikë që marrin pagesa nga sektori privat janë të përhapura, megjithëse ka pasur iniciativa për të reduktuar kontaktet mes bizneseve dhe zyrtarëve publikë”, thuhet në raport.

Në të theksohet se shoqëria civile, mediat dhe partitë politike kanë shënuar rezultate të dobëta.

“Besimi tek partitë politike është shumë i ulët, sepse partitë politike kanë përqafuar klientelizmin, duke ofruar përfitime në këmbim të mbështetjes elektorale dhe financiare, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e grupeve kriminale në këtë marrëdhënie”, thuhet në raport.

Në raport thuhet po ashtu se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ende i mungojnë burimet e mjaftueshme për të monitoruar financimin e partive politike dhe të ndëshkojë shkeljet e ligjit nga partitë politike, ndërsa “ka akuza për ndërhyrje të partive politike në burimet dhe dhënat shtetërore”, por “mekanizmat për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike gjatë fushatave politike janë joefektive”.

Zonja Prokic, përfaqësuese e Transparency International, tha për Zërin e Amerikës se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën ndaj korrupsionit, dhe ajo po kurajohet nga TI, që të jetë më bashkëpunuese dhe më aktive në përpjekjet për të mbajtur nën kontroll korrupsionin.

“Qëllimi ynë është bashkëpunimi me qeverinë që ajo të marrë masa konkrete në kontrollin e korrupsionit së pari në sektorin publik, por Raporti vëzhgon korrupsionin edhe në sektorin e biznesit, i cili është po ashtu i lidhur me rolin e parlamentit, qeverisë, dhe drejtësisë. Secili ka një rol të madh për të luajtur, dhe nuk mund të shihen të shkëputura”, tha zonja Prokic.

Në të theksohet se organizatat e shoqërisë civile monitorojnë llogaridhënien e qeverisë me metoda të ndryshme, por ndikimi i tyre është i kufizuar, ndërsa përballen me vëmendje të kufizuar, me frikësime të vazhdueshme, ngacmime dhe sulme.

Sa i takon gazetarisë, në raport thuhet se materialet e përgatitura nga qeveria dhe reklamat e fshehura vënë në dyshim integritetin gazetaresk dhe rolin publik të medias.

“Pavarësia editoriale kushtëzohet nga interesat e pronarëve dhe vlerësohet se mediat promovojnë axhendat e qeverisë, biznesit dhe grupeve kriminale për përfitime personale në tregje fitimprurëse”, theksohet në raport, i cili veçon si problem kufizimet mbi informacionin për gazetarët investigativë, shoqërinë civile dhe profesionistët e medias.

“Krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim në vitin 2021 ka centralizuar më tej kontrollin e përmbajtjes së informacionit që bëhet publike nga institucionet qeveritare”, thuhet në raport.

Ai thekson se “liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar”, ndërsa “media priret të politizohet ndjeshëm dhe marrëdhënia midis qeverisë dhe pronarëve të medias duket se lidhet me një përfitim reciprok: mbulim pozitiv për qeverinë në këmbim të aksesit në fondet publike dhe lehtësimit të procedurave administrative”.

Në raport theksohet se linjat editoriale të mediave diktohen nga interesi vetjak ekonomik; fakti që pronarët e kompanive më të mëdha mediatike janë aktivë edhe në sektorë si ndërtimi, shëndetësia ose financa.

“Këto marrëdhënie zhvillohen më tej në rrjete klientele të plota thelbësore për korrupsionin e madh dhe mundësinë për të përfituar nga kontratat publike”, thekson raporti i IDM-së për vitin 2023, i cili vjen pas atij të fundit në vitin 2016.

Raporti vlerëson reformën në drejtësi, procesin e vetingut, si dhe ngritjen e një prokurorie të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por thekson se ende gjendja e qeverisjes demokratike është përkeqësuar, ndërsa gjendja e shtetit të së drejtës ka ardhur ngadalë në rënie.

Po ashtu regjistrohet përkeqësim edhe sa i takon mbrojtjes së drejtave njerëzore dhe qytetare, ku janë dokumentuar shkelje të së drejtës për tubim të lirë, ndalime të paligjshme dhe shkelje të së drejtës për strehim nëpërmjet dëbimeve me forcë dhe prishjes së pronës për t’i krijuar hapësirë projekteve të infrastrukturës në kryeqytet.

Ne i kemi thënë prej 12 vitesh, të gjitha këto për Ramën. Ku jeni? – Nga ADI KRASTA

Ajo çfarë mësoi publiku italian dhe një pjesë e publikut shqiptar nga programi investigativ i Rai 3, ‘Hotspot Albania’ është as më pak e as më shumë gjithçka që ne dhe ata pak gazetarë opozitarë në këtë vend kanë thënë e analizuar e faktuar ditë pas ditë e vit pas viti këto 12 vjet, për mënyrën se si është qeverisur ky vend nga ky grupim i dyshimtë politik që ka vendosur të qëndrojë ende, jo prej fuqisë, jo prej demokracisë, jo prej drejtësisë-por sepse janë të dënuar të largohen të vetëshembur nga e keqja e zullumi i tyre.

Nuk është e drejtë për këtë vend, por ama është krejt i merituar ky lloj shpagimi për ta.

Po çfarë thamë ne qysh në krye e për çka u sulmuam, u bëmë ‘cancel’ (u fshimë), u penguam, u shantazhuam, u kërcënuam, u pushuam nga punët, u bëmë ushqim për hijet anonime në bodrumet e godinave publike me tituj, shkrime të porositur e fushata të organizuara në emër të linçimit politik.

 

1. Ne thamë se nëse një televizion kritik mbyllet arbitrarisht e sulmohet me procese artificiale politike si rasti i ‘Agon Channel’, precedenti është tejet i rrezikshëm për demokracinë dhe humbja e një gjyqi ndërkombëtar me shuma marramendëse është e sigurte. Çfarë ndodhi: Sot nga xhepat e shqiptarëve, jo të Edi Ramës, as të Velisë e as të mediave që i mbështesin nuk dalin ato lek. Janë 130 milionë euro të shqiptareve të humbura.

2. Çfare u thamë ne ambasadorëve të momentit e atyre ndërkombëtarëve që janë zgjuar sot: u thamë se ky shtet nuk ka asfare ndërmend dekriminalizimin, përkundrazi, po zgjedh me cilët kriminelë do ndajë shtratin. Se precedentët antidemokratikë po përkeqësohen e se Evropa është larg. Nuk na dëgjuan.

3. Çfarë thamë në këto 12 vjet. Thamë që po kanabizohet vendi me një projekt të paramenduar. Sot pas një Ministri të Brendshëm të dënuar për lidhje me trafikantë, në çdo artikulim ndërkombëtar mediatik e politik, nën zë e nën zë – ky shtet konsiderohet Narkoshtet.

4. Thamë se me lekët e aktiviteteve kriminale po lobohet, po blihet media, partitë, individë, eminenca ndërkombetare-parlamentare, po blihet vota . Sot kemi në burg një agjent të FBI-së si dëshmia me përfaqësuese e një politikëbërje mafioze.

5. Thamë se po ju mbyt propaganda e se në shërbim të saj janë ushtri të tëra të paguara nga aktivitete korruptive të paprecedentë si inceneratorët e PPP-të.

6. Thamë se ka një projekt të sigurtë për zhbërjen e opozitës.

7. Thamë se reforma në drejtësi ka dështuar dhe askush nuk e mohon dot sot këtë..

8. Thamë se nuk ka dëshmi më të qartë për mënyrën se si ka qeverisur ky kryeministër e ky kryetar bashkie sesa dy fakte te pamohueshme. -1 milionë shqiptare të larguar nga vendi si nga një toke lufte dhe kullat e ngritura në kryeqytet.

Keto thamë e me shumë se kaq këto 12 vjet e sot gjithçka është konfirmuar.

Nga sulmet kundër medias te pakti me Melonin dhe… Shqetësimet kryesore të Amnesty International për Shqipërinë

Amnesty International theksoi si shqetësime në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri sulmet fizike dhe verbale kundër gazetarëve, vrasjen e grave në dhunën me bazë gjinore brenda familjes dhe ndërtimin e kampeve për burgosjen e refugjatëve azilkërkues që Italia po ndërton aktualisht në portin e Shëngjinit dhe në ish-aeroportin ushtarak të Gjadrit.

Amnesty, një nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, publikoi të mërkurën raportin e saj mbi gjendjen në 155 vende të vrojtuara, përfshirë Shqipërinë. Raporti vëren se autoritarizmi është një forcë në rritje në rang global dhe se numri i njerëzve që jetojnë në shtete demokratike, pra shtete të së drejtës apo shtete të sundimit të ligjit, ra gjatë vitit të kaluar në nivele që nuk ishin parë që nga viti 1985.

“Praktikat dhe idetë autoritariste prekën apo u përdorën nga shumë qeveri dhe shoqëri. Në veri dhe në jug, në lindje dhe në perëndim, politikat autoritariste gërryen lirinë e shprehjes dhe të organizimit shoqëror, goditën barazinë gjinore dhe luftuan të drejtat seksuale apo riprodhuese,” vëren raporti.

Raporti shënjon mënjanë si shqetësim madhor zhvillimet në Lindjen e Mesme, kur krimet rrëqethëse të Hamas të kryera në 7 tetor 2023, në të cilën u vranë mbi njëmijë njerëz, shumica civilë izraelitë dhe mijëra të tjerë u plagosën e 245 vetë u morën peng, Izraeli nisi një fushatë hakmarrëse e cila, sipas Amnesty, u bë një fushatë ndëshkimi kolektiv. “Kjo është një fushatë e bombardimit të qëllimtë dhe jodiskriminues të civilëve dhe të infrastrukturës civile, të mohimit të asistencës humanitare dhe të krijimit të qëllimtë të gjendjes së urisë,” vëren raporti.

“Narrativat publike të bazuara në urrejtje dhe me rrënjë te frika, ngushtoi hapësirën civile dhe demonizoi grupet e margjinalizuara apo individët, me refugjatët, migrantët dhe grupet racore që po vuajnë. Sulmi kundër të drejtave të grave dhe barazisë gjinore u intensifikua më 2023, duke kërcënuar shumë nga arritjet e realizuara përgjatë njëzet viteve të fundit,” vëren më tej raporti.

Sa i përket Shqipërisë, raporti vëren se “gazetarët u shënjestruan nga gjuha e urrejtjes, sulmet fizike dhe një sulm me armë. Dhuna kundër grave brenda familjes vijoi, me 12 gra të vrara nga partnerët apo anëtarët e familjes.”

Raporti vëren se në drejtim të të drejtave të njerëzve LGBTI Shqipëria nuk ka shënuar progres.

Raporti thekson se vrasja e një rojeje sigurie në një sulm kundër Top Channel në mars 2023 ka mbetur me autorë të paidentifikuar dhe të pandëshkuar ndërsa një gazetar u sulmua fizikisht bashkë me bashkëshorten e tij për shkak se kishte raportuar mbi një çështje gjyqësore.

“Gazetarët u sulmua nga figurat politike,” vëren raporti. “Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, iu referua një gazetareje investigative si “vrasëse me pagesë” në përgjigje të një artikulli në të cilin ajo kishte theksuar rolin që kryebashkiaku ka luajtur në projektin e incineratorit të Tiranës,” vëren raporti i Amnesty International duke iu referuar sulmeve të mediave proqeveritare kundër gazetares Ola Xama.

Raporti vëren si shqetësim të veçantë marrëveshjen kontroverse të arritur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni në lidhje me ndërtimin e dy bazave për izolimin e refugjatëve që Italia synon të kapë jashtë ujërave të saj territoriale dhe t’i sjellë në Shqipëri, teorikisht për procesimin e kërkesave të mundshme për azil.

Konsideruar gjerësisht si një goditje propagandistike që pritet t’i kushtojë taksapaguesve italianë qindramilionë euro për të arritur asgjë, plani ngre shqetësime serioze sa i përket dhunimit të të drejtave të azilkërkuesve, që po ndodh me ndihmën e qeverisë së një vendi që ka prodhuar azilkërkues me shumicë përgjatë tre dekadave të fundit.

“Organizatat e të drejtave të njeriut dhe të tjera kanë shprehur shqetësim në lidhje me impaktin që kjo marrëveshje mund të ketë mbi të drejtat e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, përfshirë faktin që ajo parashikon ndalim automatik të tyre”, vëren raporti. Raporti mund të gjendet i plotë në gjuhën angleze këtu: /BIRN/

A e ka Asociacioni çelësin e Këshillit të Evropës?

Bekim Bislimi

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe – një thirrje e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën – duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për të, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

 

Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të martën se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë “dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”, në mënyrë që t’i bindë qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Themelimi i Asociacionit ka qenë vazhdimisht kërkesë edhe e vendeve të tjera të grupit QUINT, që, pos Francës e Gjermanisë, përfshijnë edhe SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës nëse planifikon ta dërgojë draft-statutin në Kushtetuese përpara datës 16 maj, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Më 17 prill, zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se themelimi i Asociacionit nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në KiE, por shtoi se ai është pjesë e listës së zotimeve në kuadër të raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyyanis, të cilat Kosova i ka marrë përsipër që t’i zbatojë pas anëtarësimit në KiE.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 23 prill, se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike dhe diplomatike në Kosovë pajtohen se vendi duhet të bëjë “hapa pozitivë” për të mos rrezikuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Polemika rreth Asociacionit

Kosova dhe Serbia u pajtuan për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe qysh në vitin 2013.

Megjithatë, qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë marrëveshjen, duke shprehur frikë se asociacioni i tillë njëentik mund të ndikojë në funksionalitetin e duhur të shtetit.

Pas trysnisë së vazhdueshme, diplomatët perëndimorë hartuan një draft-statut të këtij asociacioni, të cilin ia dorëzuan Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit të kaluar.

Udhëheqësit e dy vendeve thanë fillimisht se e kanë pranuar në parim, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 19 mars se nuk e ka pranuar.

Para se të bëhet ndonjë hap tjetër, draft-statuti duhet të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, thotë se kërkesa ose sugjerimi i partnerëve perëndimorë është i qartë: Qeveria e Kosovës duhet ta dekretojë draft-statutin për Asociacionin dhe ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Në rast se dërgohet [në Gjykatën Kushtetuese], atëherë, faktikisht, mund të thuhet se është debllokuar procesi i themelimit të Asociacionit… Deri më tash, ky proces është bllokuar nga perspektiva e vendimmarrjes politike”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Sipas tij, praktika e deritashme ka treguar se ministrat e Jashtëm në Këshillin e Evropës, përgjithësisht, i mbështesin vendimet e Asamblesë Parlamentare.

Por, në rastin e Kosovës, thotë ai, marrë parasysh pritjet që i kanë disa vende lidhur me themelimin e Asociacionit, votimi më 16 maj mund të mos jetë fare në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Që të mos duket se po votojnë kundër vendimit të Asamblesë Parlamentare, rrezikohet që të mos futet fare në rend dite, si një e formë e refuzimit jo të drejtpërdrejtë”, thotë Kamberi.

Valon Murtezaj, profesor i Diplomacisë në Universitetin IESEG në Paris, thotë se çdo hap që mund ta bëjë Qeveria e Kosovës në drejtim të themelimit të Asociacionit, duhet ta bashkërendojë me kërkesat e partnerëve kryesorë, nga të cilët pret përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Nëse këto janë pritje nga ata që do të votojnë – dhe Qeveria e di më së miri se cilat janë pritjet – atëherë duhet vendosur në bazë të drejtpeshimit ndërmjet pritjeve dhe gjasave për sukses në votim”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, hap tjetër që mund të bëjë Kosova para takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, më 16 maj, është: dërgimi i garancive të qarta te vendet përkatëse se do të zbatohen të drejtat e komuniteteve joshumicë, si dhe i sinjaleve të qarta se do të avancohet i gjithë korpusi ligjor që ndërlidhet me të drejtat e njeriut.

“Do të ishte e dhimbshme që Kosova ta humbiste anëtarësimin pas gjithë këtij rrugëtimi të suksesshëm deri sot”, thotë Murtezaj.

Në një intervistë dhënë REL-it, më 18 prill, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se këshillë e tij për Kosovën do të ishte “ta dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese” përpara votimit në maj.

Organizata e Knausit publikoi së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Kjo, përkundër marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Radio Evropa e Lirë

“Familjarët po vdesin me sy hapur”: Deklarata për të zhdukurit vetëm në letër

Fotografi nga një instalacion artistik me gurë dhe orë ku gurët simbolizojnë varrin e munguar të të pagjeturve ng alufta në Kosovë, kurse ora simbolizon kohën e kaluar që nga zhdukja e atyre personave.

 

Gentiana Kadrija

“Çdo natë mendoj që kur të zgjohem në mëngjes, dikush do të më thërrasë, por që 25 vjet… asgjë”, thotë Fitim Dubovci, i cili kërkon babanë e zhdukur në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Fitimi, nga fshati Çikatovë i komunës së Drenasit, nuk ishte as dhjetë vjeç kur mbeti pa prindërit e tij – Xheladin dhe Sofie Dubovci.

Lëshimi i dorës që e mbante shtrënguar, derisa forcat serbe i dëbonin nga shtëpia, është imazhi i fundit që Fitimi kujton me nënën e tij.

“Atë e plagosën forcat serbe derisa ne po ecnim në turmën me njerëz, duke ikur nga shtëpia, për shkak të një ofensive në vitin 1998”, kujton Fitimi për Radion Evropa e Lirë.

Sa herë përpiqet ta kujtojë atë periudhë, shikimin e përhumb diku. Thotë se nëna e tij, atëkohë 48 vjeçe, mbeti e plagosur në rrugë, ndërsa pjesa tjetër e familjes u detyrua ta vazhdonte udhën pa të.

“… mbeti me të plagosurit e tjerë, apo me ata që u vranë aty”, thotë Fitimi.

Fshat pas fshati, Fitimi dhe familja e tij mbërritën në Vushtrri – rreth 35 kilometra larg – ku thotë se qëndruan rreth tre muaj, derisa ndodhi një ofensivë tjetër.

Një mëngjes, kujton Fitimi, forcat serbe i morën të gjithë burrat që ishin strehuar në atë shtëpi, përfshirë babanë e tij.

Fitimi mbeti me vëllain e tij, gjithashtu i mitur, dhe rrugën drejt shpëtimit e vazhduan me disa familjarë më të largët.

Me kalimin e kohës, ata morën vesh se nëna e tyre kishte vdekur dhe ishte varrosur në një varrezë masive në fshatin Çikatovë. Eshtrat e saj nuk iu dorëzuan familjes për rivarrim deri në vitin 2010.

Ndërsa, për vendndodhjen e babait, Fitimi nuk di asgjë, as sot e kësaj dite.

“Babanë e kanë marrë të gjallë, por, sot, vetëm 1 për qind besoj se mund të jetë i gjallë diku”, thotë 36-vjeçari duke marrë frymë thellë.

Gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, ndërsa u zhvendosën mbi 800.000 persona.

Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe mbi 1.600. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

Sipas Komisionit qeveritar të Kosovës për persona të pagjetur, gjatë vitit 2023 u gërmua në 15 lokacione brenda territorit të Kosovës, që ndërlidhen me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, si dhe në një lokacion në Serbi.

“Të zhvarrosura janë mbetjet mortore të njëzet individëve – viktima të luftës, edhe pse numri i personave të zhvarrosur dhe identiteti i tyre do të përcaktohen pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet mjeko-ligjore dhe identifikimi përmes analizës së ADN-së”, thuhet në raportin e Komisionit qeveritar të Kosovës.

Deklarata për të zhdukurit nuk zbatohet

Për t’i shtuar përpjekjet në këtë drejtim, Kosova dhe Serbia, një vit më parë, u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Një vit pas, asgjë prej këtyre në praktikë, të gjitha vetëm në letër.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmon se Deklarata e përbashkët, e miratuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023, “nuk po zbatohet ende”.

“Kjo do të ndodhë pasi palët të bien dakord për termat e referencës së Komisionit të Përbashkët, i cili parashikohet ta monitorojë zbatimin e Deklaratës së përbashkët, në mbështetje të punës së Grupit Punues të kryesuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar”, thotë Stano për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se Deklarata nuk është ligjërisht e detyrueshme, por shton se BE-ja u bën thirrje palëve që të angazhohen “në mënyrë konstruktive” në kuadër të dialogut, për të arritur pajtueshmëri për termat e referencës.

Zyra e Qeverisë së Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë temë, përkatësisht termat e referencës, por kryesuesi i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, thotë se ato kanë të bëjnë me çështje teknike që lidhen me detyrat e Komisionit të Përbashkët.

Hoti thotë se palët janë pajtuar me komentet e njëra-tjetrës për termat e referencës qysh në dhjetor të vitit të kaluar.

“Në janar, [Mirosllav] Lajçak [emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi] na ka dërguar edhe disa komente të reja të Serbisë dhe unë i kam thënë se nuk po komentojmë më për komentet e Serbisë, por ju lutem formojeni komisionin përbashkët”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, nëse BE-ja nuk ndërmerr hapa kushtëzues ndaj Serbisë, kjo e fundit nuk do të japë asnjë informacion të vlefshëm rreth vendndodhjes së personave të zhdukur.

“Ajo çfarë ne mund të bëjmë si nivel teknik, është të kërkojmë nga BE-ja zbatimin e Deklaratës. Njëra prej pikave të Deklaratës është pikërisht kjo: të dyja palët, pa kushtëzime, shkëmbejnë informata me njëra-tjetrën për fatin e personave të zhdukur”, thotë Hoti.

Ai akuzon kryetarin e Komisionit të Serbisë për persona të zhdukur, Velko Odalloviq, se po i kushtëzon informacionet për të pagjeturit me praninë e tij në Kosovë.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, refuzon takimet me Odalloviqin, duke thënë se ai ka qenë personi kryesor i regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe se duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur, e jo të jetë pjesë e Komisionit për të zhdukurit. Pretendimet e tilla, megjithatë, hidhen poshtë në Beograd.

Odalloviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pa grupe punuese funksionale, nuk mund të punohet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe përgjegjësinë për këtë ia kalon Kosovës.

“Më 16 prill, 2021, ne mbajtëm takimin tonë të fundit në Beograd. I gjithë delegacioni nga Prishtina ishte këtu. Ne duhet të bëjmë takime në mënyrë alternative, Beograd, Prishtinë, Beograd, Prishtinë… Prishtina ishte ajo që duhej ta caktonte takimin e radhës. Dhe nuk e kemi pasur atë takim. Nuk kushtëzoj asgjë. Thjesht, po kërkoj që të takohen grupet punuese”, thotë Odalloviq.

Nga ajo kohë, grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë mbajtën një takim të jashtëzakonshëm në Gjenevë, më 31 janar të këtij viti. Ekipet u kryesuan nga tjetërkush – jo Hoti e Odalloviq.

“Ajo që kanë kundër meje, personalisht, është problem i tyre, jo i imi. Asnjë përfaqësues të tyre nuk e kam kontestuar dhe nuk do ta kontestoj. Këdo që pala prishtinase vendos në krye të komisionit, është i pranueshëm për ne”, thotë Odalloviq.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me termat e referencës të Komisionit që do të monitoronte zbatimin e Deklaratës së përbashkët për të zhdukurit, por thekson vetëm se “mosfunksionimi i grupeve punuese dëmton familjet e personave të pagjetur”.

Pavarësisht moszbatimit të Deklaratës, Hoti thotë se aktivitetet në terren kanë vazhduar, por, sipas tij, sfidë për Kosovën mbetet territori i Serbisë.

Sipas Hotit, gjatë këtij viti po punohet në katër lokacione në territorin e Kosovës, ndërsa janë duke u shqyrtuar edhe dhjetë lokacione potenciale.

“Serbia [në takimin e Gjenevës] ka thënë se i kemi disa lokacione të ndryshme që mund të jenë varreza masive, apo mund të jenë lokacione të dyshimta për personat e zhdukur, porse ende jemi në hulumtim apo në marrjen e më shumë informacioneve nga prokuroria, gjykata apo policia”, thotë Hoti.

“Përveç përgjigjeve apo fjalëve që i kanë dhënë në janar… zbatim, veprim konkret apo rezultat nuk ka pasur”, shton ai.

Nga Komisioni në Beograd thonë se në takimin e Gjenevës janë shkëmbyer informacione “nga të dyja palët për lokacionet e mundshme që duhet të kontrollohen gjatë vitit 2024”.

“Pas takimit të punës të mbajtur në Gjenevë, ftuam në takim përfaqësuesit e Prokurorisë Publike për Krime Lufte dhe Shërbimin për Zbulimin e Krimeve të Luftës të MPB-së, i njoftuam për takimin dhe i ndamë me ta të gjitha informacionet që kemi marrë nga Prishtina”, thuhet në një deklaratë të Komisionit qeveritar të Serbisë, dhënë Radios Evropa e Lirë.

“Fatkeqësisht, Deklarata nuk ka ardhur ende në jetë, sepse nuk është rënë dakord për detyrat e Komisionit të Përbashkët, të cilin Deklarata e parasheh si mekanizëm mbështetës për Grupin e Punës për Personat e Zhdukur”, sipas Komisionit qeveritar serb.

Për zbatimin e Deklaratës, Hoti thotë se i ka dërguar letër presidentit të Serbisë në qershor të vitit 2023, duke i kërkuar hapjen e arkivave, përfshirë ato konfidenciale. Një letër për moszbatimin e Deklaratës thotë se ia ka dërguar dy herë edhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Fatkeqësisht, as nga Vuçiq – që ka qenë e pritshme – as nga Borrell e Lajçak, nuk kam pranuar asnjë letër deri më sot, asnjë përgjigje deri më sot”, tha Hoti gjatë një takimi me Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut, më 23 prill.

Familjarët kërkojnë presion më të madh ndërkombëtar

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, thotë se që nga fillimi ishte skeptik për zbatimin e Deklaratës së përbashkët.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se vetëm një trysni e madhe e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, do të çonte në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Që nga fillimi kam qenë skeptik, sepse Serbia është jobashkëpunuese. Nuk duan të bashkëpunojnë, por çdo bisedë mundohen ta bëjnë politikisht…”, thotë Grajçevci për Radion Evropa e Lirë.

“Kur është çështja e dinarit, për shembull, shkon për 24 orë në bisedime në Bruksel, ndërsa çështja e personave të zhdukur nuk zgjidhet me dekada”, shton ai.

Se pa presion ndërkombëtar nuk do të ketë përparim në këtë çështje, beson edhe koordinatorja e Shoqatës së familjarëve të të kidnapuarve dhe të pagjeturve në Kosovë, Sillvana Marinkoviq.

Ajo thotë se Deklarata e përbashkët është, thjesht, “një shkronjë e vdekur në letër”.

Sipas saj, familjarët e personave të pagjetur janë të zhgënjyer që çështja është “vënë në planin e dytë” dhe askush “nuk po i kontrollon apo shfrytëzon informatat që ata ua japin grupeve punuese brenda Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë”.

“Edhe pse të gjithë thonë se kjo është çështje humanitare, nuk është kështu. Çështja e personave të pagjetur është çështje e madhe politike. Nuk do të përfitonin shumë njerëz nëse fati i të zhdukurve do të ndriçohej”, thotë Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Fitimi kërkon që çështja e personave të zhdukur të trajtohet si humanitare, pasi, siç thotë ai, “me këtë punë po bëhet politikë”.

“Mund të bëhet më shumë, por nuk po punohet”, thotë ai.

Përveç babait, Fitimi ka të zhdukur edhe pesë familjarë më të largët.

“Sa e sa familjarë të personave të zhdukur tashmë kanë vdekur ‘me sy hapur’, sepse nuk e kanë ditur ku i kanë më të dashurit e tyre”. Radio Evropa e Lirë

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq

Shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime kundër shqiptarëve të Kosovës

Pjesëtarë të grupit Çakallët. Fotografia nga arkivi është shkëputur nga një video-incizim.

Ish-anëtari i Ushtrisë Jugosllave, Toplica Milladinoviq, u dënua me 20 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat përreth Pejës më 1999.

Sipas njoftimit të publikuar në ueb-faqen e Gjykatës së Lartë në Beograd më 24 prill, edhe gjashtë ish-pjesëtar të Ushtrisë Jugisllave u dënuan me krime lufte. Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet burgim, Abullah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërkaq Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga dy vjet burgim secili.

Ndërkaq, Vellko Koriqanin dhe Millan Ivanoviq u liruan nga akuzat.

Sipas aktakuzës, ish-anëtarët e Detashmentit të 177-të të ushtrisë territoriale të Ushtrisë Jugosllave, (të njohur si “Çakallët”), morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Zahaq, Lubeniq, Qyshk dhe Pavlan gjatë prillit dhe majit të vitit 1999.

Të pandehurit, siç u tha në aktakuzë, morën pjesë në vrasjet dhe në shkatërrimin e pronave të civilëve.

Prokurorët thanë se Toplica Milladinoviq si komandant i detashmentit, kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se ai kishte njohuri për vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme.

Në aktakuzë u tha se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, teksa në shumicën e rasteve viktimat u qëlluan pas shpine. Më pas, shumica e trupave të viktimave u dogjën, në mënyrë që ata të mos mund të identifikoheshin.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Beogradit mund të apelohet.

Natasha Kandiq nga organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, pas vendimit se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme.

“Ndjenja ime, pas 14 vjetësh që nga nisja e gjykimit për vrasjen e civilëve në Qyshk, Zahaq, Lubeniq dhe Pavlan, është se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme në procedurat gjyqësore”, tha ajo përmes një deklarate të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Gjykimi për këtë rast nisi më 2010. Vendimi i parë ishte marrë më 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e kishte shfuqizuar atë më 2015.REL

Detaje të reja nga dëshmia e ish botuesit të “National Inquirer” në gjyqin ndaj ish presidentit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Ish botuesi i tabloidit “National Inquirer” dëshmoi të martën në procesin penal kundër ish Presidentit Donald Trump se ai u zotua të ishte “sytë dhe veshët” e zotit Trump gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016. Ai tha se si i premtoi kandidatit të atëhershëm republikan se do të ndihmonte që të mos bëheshin publike historitë që mund ta dëmtonin atë dhe madje orkestroi blerjen e historisë së një personi pa pasur synimin ta botuar, në mënyrë që ajo të mos bëhej publike.

Me dëshminë e David Peckerit, prokurorët syonin të përforconin argumentet e tyre për miqësinë e ngushtë prej disa dekadash mes zotit Trump dhe ish-botuesit të “National Enquirer”. Kjo miqësi kulmoi me një marrëveshje për t’i dhënë avokatit të zotit Trump informacion mbi mbulimet e mundshme negative në media, në mënyrë që ato të mos publikohen.

Kjo përpjekje, sipas prokurorëve, ishte një mënyrë për të ndikuar në mëmyrë të paligjshme në zgjedhje. Ky është rasti i parë penal me të cilën përballet ish Presidenti amerikan nga katër çështjet me të cilat ai përballet.

Kandidati i pritshëm republikan për President në garën e këtij viti përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me pagesat që dyshohet se janë bërë në këmbim të heshtjes për histori që po të bëheshin publike mund ta dëmtonin gjatë fushatës së vitit 2016.

Ndërsa ish Presidenti Trump ishte i ulur vetëm disa metra larg në sallën e gjyqit, zoti Pecker, dëshmitari i parë në këtë rast, foli me detaje për rolin e tij në prapaskenë në ngritjen e zotit Trump nga një i sapoardhur në politikë në kandidatin që arriti të marrë emërimin e partisë në garën për Shtëpinë e Bardhë. Ai shpjegoi se si ai dhe “National Enquirer” botoi shkrime tabloidësh që njollosnin kundërshtarët e zotit Trump, me të dhëna të dyshimta. Ata gjithashtu përdorën lidhjet e tij për të bllokuar historitë dëmtuese kundër zotit Trump, përfshirë pretendimin e një aktoreje të filmave për të rritur për një marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore me kandidatin republikan për President, vite më herët.

Zoti Pecker tha se origjina e miqësisë me ish Presidentin fillon nga një takim në vitet 1980 në pronën zotit Trump Mar-a-Lago në Florida dhe shtoi se miqësia e tyre lulëzoi krahas suksesit të programit televiziv të zotit Trump, “The Apprentice”.

Lidhjet e tyre u forcuan gjatë një takimi në muajin gusht të vitit 2015 në Kullën Trump gjatë të cilit ish Presidenti, ish-avokati i tij personal Michael Cohen dhe këshilltarja, Hope Hicks, e pyetën zotin Pecker se çfarë mund të bënin ai dhe botimet që ai drejtonte, për fushatën.

Zoti Pecker tha se ai doli vullnetar për të publikuar histori pozitive për zotin Trump dhe histori negative për kundërshtarët e tij. Kjo nuk ishte e tëra, tha ai, duke iu treguar anëtarëve të jurisë së i kishte thënë zotit Trump: “Unë do të jem sytë dhe veshët e tu”.

“Unë thashë se nëse dëgjoj ndonjë gjë negative për ju, ose nëse marr vesh ndonjë gjë për gratë që janë të gatshme të shesin historitë e tyre në lidhje me ish Presidentin, do të njoftoja ish avokatin e zotit Trump, Michael Cohen”, në mënyrë që të drejtat mbi ato histori të bliheshin dhe ato të mos dilnin kurrë publikisht.

“Kjo u bë që ato të mos publikohen?”, pyeti prokurori Joshua Steinglass.

“Po, që ato të mos publikoheshin”, u përgjigj zoti Pecker.

Për të sqaruar më tej këtë çështje, prokurorët shfaqën imazhe të titujve të ndryshëm që “National Enquirer” publikoi për zotin Trump, përfshirë “Donaldi Mbizotëron!” dhe “Ekskluzive: Donald Trumpi siç nuk e njeh askush”. Jurisë iu shfaqën gjithashtu histori nënçmuese dhe të pazakonta për kundërshtarët e zotit Trump, përfshirë ish kandidatët e tjerë republikanë për President si Ben Carson dhe Senatorin Marco Rubio.

Zoti Pecker e karakterizoi ish avokatin Cohen si një redaktor në hije të artikujve pro-Trump në “National Enquirer”, duke e drejtuar tabloidin që gjithashtu të sulmonte kandidatët republikan që tregonin sukses të vrullshëm në garën e brendshme partiake në vitin 2016.

“Michael Cohen me telefononte duke më treguar mua dhe Dylan Howardit me cilin kandidat të merreshim dhe në çfarë mënyre ta trajtonim”, tha Pecker, duke iu referuar redaktorit të atëhershëm të tabloidit.

Ai tha se ia kishte bërë të qartë zotit Howard se marrëveshja me zotin Trump ishte “shumë, shumë sekrete”. Ai tha se donte që përgjegjësit e redaksive të tabloidit të ishin në vëzhgim për çdo histori që përfshinte zotin Trump dhe tha se donte që ata të verifikonin historitë përpara se të njoftonin avokatin Michael Cohen.

“Nuk doja që dikush tjetër të dinte për këtë marrëveshje që kisha dhe çfarë doja të bëja”, shtoi ish-botuesi Pecker.

Michael Cohen e pranoi se ishte fajtor në vitin 2018 në lidhje me akuzat federale për rolin e tij në pagesat e bëra në këmbim të heshtjes së dy grave mbi lidhje të dyshuara jashtëmartesore me zotin Trump. Ai dikur ishte një person besnik i zotit Trump, por marrëdhënia e tyre u përkeqësua. Zoti Cohen pritet të jetë dëshmitari kryesor i prokurorisë, ndërsa publikon rregullisht komente përbuzëse në mediat sociale kundër zotit Trump.

Avokatët e ish Presidentit Trump pritet të sulmojnë besueshmërinë e zotit Cohen. Kjo vlerësohet të jetë themeli i strategjisë së mbrojtjes së avokatëve të ish Presidentit. Por që në hapje të procesit, duke ftuar zotin Pecker si dëshmitarin e parë, prokurorët shpresojnë të përqendrojnë vëmendjen te një dëshmitar që nuk vlerësohet të ketë një histori personale të debatueshme. Përveç pohimit se zoti Trump është i pafajshëm, avokati i ish Presidentit, Todd Blanche u tha anëtarëve të jurisë se zotit Cohen nuk mund t’i besohet dhe se ai “po bën të gjitha përpjekjet për ta dëmtuar Trumpin”.

Dëshmia e zotit Pecker të martën pasoi një seancë tjetër të njejtën ditë, gjatë të cilës prokurorët i kërkuan gjyqtarit Juan M. Merchan që ta dënonte ish Presidentin për mospërfillje të urdhërave të gjykatës. Ata duan që gjyqtari ta gjobisë zotin Trump me 1000 dollarë për secilin prej 10 publikimeve në media sociale që ata thonë se shkelin urdhërin e gjyqtarit për të mos sulmuar dëshmitarët, anëtarët e jurisë dhe të tjerët të përfshirë në këtë rast.

Gjyqtari Merchan nuk vendosi për këtë menjëherë, por nuk dukej i bindur nga argumentet e mbrojtjes të zotit Trump që thonin se përmes publikimeve në media sociale ai po i përgjigjej sulmeve të të tjerëve dhe ishte përpjekur të zbatonte urdhrin.

Prokurorët thonë se zoti Trump u përpoq të ndikojë në mënyrë të paligjshme në garën zgjedhore të vitit 2016 përmes një praktike të deabtueshme të industrisë së tabloidëve sipas së cilës, blihen histori që mund të dëmtojnë dikë jo për t’i botuar por për t’i zhdukur përgjithmonë, përmes marrëveshjeve që ndalonin publikimin e tyre diku tjetër.

Në këtë rast, kjo përfshin një pagesë prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave pornografik Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj lidhur me për një marrëdhënie jashtëmartesore që zoti Trump e mohon.

Prokurorët përshkruan gjithashtu marrëveshje të tjera, përfshirë dyshimin se i pagoi një ish-modeleje të revistës për të rritur “Playboy”, 150,000 dollarë për të heshtur pretendimet për një lidhje gati njëvjeçare me zotin Trump, i cili ishte i martuar gjatë asaj kohe. Këtë lidhje zoti Trump gjithashtu e mohon.

Zoti Pecker gjithashtu përmendi pagesën prej 30 mijë dollarësh që tabloidi “National Inquirer” për një roje në hyrjen e Kullës Trump për të blerë të drejtën mbi një pretendim të tij se ai kishte dijeni se zoti Trump ishte babai i një fëmije me një punonjëse të Kullës Trump.

Tabloidi arriti në përfundimin se historia nuk ishte e vërtetë dhe gruaja dhe zoti Trump i kanë mohuar akuzat.

Ndërsa zoti Pecker fliste për këtë gjë në gjykatë, zoti Trump tundi kokën.

Ish botuesi Pecker tha kur dëgjoi për pretendimin, menjëherë telefonoi avokatin Cohen, i cili tha se ishte “absolutisht e pavërtetë”, por se ai do të shikonte nëse njerëzit e përfshirë kishin punuar me të vërtetë për kompaninë e zotit Trump.

“Unë mora vendimin që megjithatë të blija historinë për shkak të dëmit që ky thashethem mund t’ia shkaktonte fushatës dhe zotit Trump”, tha zoti Pecker.

Kur ia tha këtë avokatit të zotit Trump, zoti Pecker tha se ai mori falenderim duke i thënë “se shefi do të ishte shumë i kënaqur”.

I pyetur nga prokurori se për kë mendonte kur thoshte shefi, zoti Pecker u përgjigj: “Donald Trumpi”.

Duke shpjeguar pse ai vendosi që “National Enquirer” të paguajë, zoti Pecker kujtoi se i kishte thënë avokatit Cohen: “Kjo mund të jetë një histori shumë e madhe. Besoj se është e rëndësishme që të hiqet nga tregu.”

Nëse ai do ta publikonte këtë, zoti Pecker tha se kjo ndoshta do të kishte ndikim të siguronin “shitjen më të madhe të kopjeve të ‘National Enquirer’ që nga vdekja e Elvis Presleyt”.

Anëtarët e jurisë panë një email të “National Enquirerit” dhe faturën që përshkruante pagesat ndaj rojes në këmbim të heshtjes për pretendimin e tij. Një dokument përshkruan fondet që vijnë nga llogaria e tabloidit. Një faturë i referohet një pagese “të menjëhershme” prej 30,000 dollarësh për “historinë e pabotuar të Trumpit”.

34 akuzat penale kundër ish Presidentit Trump kanë lidhje me rimbursimet që prokurorët thonë se kompania e zotit Trump i ka bërë avokatit Cohen për pagesat në këmbim të heshtjes për këto histori dhe që janë regjistruar në mënyrë të rreme si shpenzime ligjore.

Çdo akuzë ka dënim maksimal prej katër vitesh burg, megjithëse është e paqartë nëse gjyqtari Merchan do të kërkonte ta dënonte ish Presidentin me burgim. Një dënim nuk do ta pengonte zotin Trump që të bëhej përsëri president, por për shkak se është një çështje që po zhvillohet në nivel shtetëror e jo federal, ai nuk do të mund të falte veten nëse shpallet fajtor. Ai vazhdimisht ka mohuar çdo keqbërje.

Gjyqi vazhdon të enjten.