VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Petkoviçi e largon nga përfaqësuesja zvicerane, Behrami: Është një vendim tërësisht politik!

By | August 7, 2018

Komentet

Tërmet në Zvicër për “shqiponjat” dhe Behramin, bordi i federatës pranë shkarkimit

Shqiptarët bëhen protagonistë në futbollin zviceran dhe mund të sjellin brenda pak ditësh kolapsin e plotë të federatës së këtij vendi e cila nuk ka ditur të menaxhojë situatat me ta.

Festimet me shqiponjë hapën “kutinë e Pandorës” me deklaratat e sekretarit të përgjithshëm që vinte në dyshim besnikërinë e lojtarëve që kishin origjinë nga vendet e tjera.

“Vula” iu vu me përjashtimin absurd me një telefonatë të Behramit, rekordmen në përfaqësuese dhe në vitet e fundit një nga idhujt e tifozëve. Kjo ka sjellë kaos dhe tashmë të gjithë kërkojnë shkarkimin e bordit drejtues të federatës.

Në mediat zvicerane qarkullon që tani emri i presidenti të ri të federatës, një biznesmen i suksesshëm i cili në të kaluarën ka drejtuar Bazelin, Bernhard Hojsler.

Që nga viti 2012, deri në vitin 2017, ka qenë presidenti i Bazelit dhe në secilin prej këtyre viteve ka arritur ta shpallë kampion, duke e kthyer në superfuqinë e futbollit zviceran.

Sipas informacioneve nga Zvicra, ai është gati të marrë drejtimin e Federatës dhe ta rinovojë plotësisht, duke larguar figura si presidenti Gileron e sekretari Miesher të cilët janë akuzuar për keqmenaxhim, sidomos sa i përket situatës së fundit që kishte lidhje me futbollistët shqiptarë në përfaqësuese.

Largohet nga përfaqësuesja zvicerane edhe Blerim Xhemaili

VOAL – As Blerim Xhemaili nuk do të luajë më në ekipin përfaqësues. Sipas informacionit tonë, mesfushori i Bolonjës është një nga lojtarët që Vladimir Petkoviçi ka vendosur ta shkurtojë për të rinovuar radhët në kuadrin e kualifikueseve për evropianin dhe për Ligën e Kombeve. 32 vjeçari i është shtuar Valon Behramit, Gelson Fernandes dhe ndoshta Stephan Lichtsteinerit.

Futbollisti shqiptar që nga viti 2006 ka luajtur 69 ndeshje me fanelën zvicerane, duke bërë 10 gola. Ai ka marrë pjesë në tre Kupat e Botës (2006, ku nuk zbriti fare në fushë, 2014 dhe 2018) dhe Kampionatin Europian (2016). rsi

Petkoviçi e largon nga përfaqësuesja zvicerane, Behrami: Është një vendim tërësisht politik!

VOAL – Kapitulli i Valon Behramit me përfaqësuesen zvicerane mbyllet. Dhe mbyllet në mënyrën më të keqe të mundshme. Shqiptarit 33 vjeçar që ka luajtur për Zvicrën trembëdhjetë vjet (nga 10 tetori 2005 deri në sfidën kundër Suedisë në Botërorin e fundit), ia ka mbyllur përgjithnjë derën e pëfaqësuese trajneri Vladimir Petkoviç. “Ai më thirri në mesditë sot – shpjegoi lojtari në një intervistë ekskluzive me Armando Ceronin. – Mendova se ishte një thirrje mirësjellje e ndërkaqishte një thirrje për të ma mbyllur derën.”

 

Vendimi – absolutisht surprizë – i përzgjedhësit është pjesë e një plani më të gjerë për rindërtimin e skuadrës çka nënkupton një përjashtim fillestar të katër lojtarëve: Johan Djourou, Gelson Fernandes, Valon Behrami dhe, me sa duket, edhe Stephan Lichtsteiner. Në bazë të vendimit të Petkoviçit do të ishte roli në rritje i udhëheqësit (ndoshta i tepruar) i Behramit brenda ekipit. Një hipotezë që, megjithatë, mohohet nga Petroviçi. Prania e lojtarit të Udineses mund të ishte bërë e parehatshme dhe shumë e rëndë. “Kishte vite që mendoja për largimin tim, por pastaj u ndjeva protagonist i këtij grupi – vazhdon Behrami – Kjo është një zgjedhje politike, trajneri mund të thotë çfarëdo që ai dëshiron, por është padyshim një vendim politik, i marrë nga dikush që prej futbollit nuk di asgjë “.

Për Valonin – i cili pesë herë ishte edhe kapiten i ekipit përfaqësues, duke përfshirë ndeshjen e fundit – kështu mbyllet një aventurë e cila e pa atë me fanelën zvicerane në 83 raste, duke marrë pjesë në katër Kampionate Botëror (vetëm një në historinë zvicerane të futbollit) dhe 2 evropianë, duke shënuar edhe 2 gola: i paharruesh$em goli kundër Turqisë në vitin 2005 në praninë e tij të dytë dhe më pas kundër Sllovakisë në vitin 2008 në Lugano. rsi

Organizimi dhe konceptimi i Seminarit XIV Mbarëkombëtar – Në udhët e pedagogjisë së shkollave shqipe jashtë atdheut – Nga Nexhmije Mehmetaj

Prej 31 korrik deri më 3 gusht, në Tiranën e madhe e të bukur u mbajt Seminari XIV Mbarëkombëtar për mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut. Seminari u realizua në kuadër të bashkëpunimit midis Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë të Kosovës. Me këtë Seminar, përveç shumë punëtorëve shkencorë e arsimorë nga Tirana, Prishtina dhe më gjerë, ishin të pranishëm edhe 150 mësimdhënës/e nga Austria, Anglia, Gjermania, Italia, Greqia, Zvicra, Suedia, Finlanda etj. Në këto vende ka shkolla shqipe  të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Hapja solemne e këtij Seminari të rëndësishëm u bë nga nxënësit e shkollës koreografike të Tiranës. Pas këtij programi të pranishmit i përshëndetën Ministrja Lindita Nikolla, Ministri për Diasporë i Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues nga Kosova, Ministri Shyqyr Bytyqi, Arijan Daci etj.

Me këtë rast, ata falënderuan mësimdhënësit për kontributin e tyre të çmuar, angazhimin e palodhshëm ndër vite, për kultivimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditës sonë kombëtare në mendjet e breznive tanë jashtë atdheut.

Qëlimi kryesor i këtij seminari ishte trajnimi i mësimdhënësve/eve në detyrën e tyre të rëndësishme e me kërkesa të larta, të japë ndihmesë për një cilësi më të lartë në mësimdhënie.

Sipas programit, gjatë seancave plenare u mbajtën ligjërata për për gjuhën standarde shqipe dhe dialektet e saj nga akademik Prof dr Gjovalin Shkurtaj. Veprimtaria 35 vjeçare e mësimit plotësues në landin e Saksonisë- Gjermani nga Vllaznim Haziri. Pastaj, për mësimdhënien dhe të nxënit, strategjitë e mësimdhënies, Kurrikula e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, rëndësia dhe përparësit e mësimit interaktiv, orë mësimore model etj.

Në këtë seminar qenë të pranishëm edhe studiues të huaj, kontributi i të cilëve vlen të përmendet. Mjafton të përmendim edhe kontributin e albanologut të njohur zviceran prof dr dr Basil Schader, u prit me interesim të veçantë nga seminaristët. Ai ngjalli kureshtjen e pjesëmarrësve me paraqitjen e librit të tij didaktik “Rreth përdorimit të dialektit dhe gjuhës standarde” dhe prezantimin e uebfaqes http://hlt.cwd.gr me materiale multimediale didaktike për mësimin plotësues.

Seminarin e bëri edhe më të madhërishëm grupi i fëmijëve të Shkollës shqipe të Parmës (Itali) me paraqitjen e një pjesë të vallëzimit dhe disa recitime.

Risit për mësimin plotësues: Njehësimi i Kurrikulës së përbashkët të Mësimit Plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut, krijimi i regjistrit të mësuesve të mësimit plotësues si edhe hartimi i certifikatave për nxënës që mbarojnë mësimin shqip.

Seminari kushtuar mësimit plotësues të gjuhës shqipe përbën një kontribut të vyer të dy ministrive, ashtu duke e vazhduar përvojën e viteve të mëparshme, për 13 seminaret e mëparshme të përbashkëta. Në seminar u përfaqësuan praktikat më të përshtatshme të didaktikës bashkohore. Mësuesit/et e shqipes që marrin pjesë në  seminaret trajnuese, shkëmbejnë përvojat e tyre, mësojnë nga njëri-tjetri, kualifikohen prej ligjëratave që mbahen, në fusha të mësimdhënies dhe të të nxënit. Bashkëbisedojnë e gjejnë zgjidhje për mjaft nga vështirësi që hasin në punën e tyre me fëmijët e mërgimtarëve.

Moderatorë të seminarit qenë Nuhi Gashi (MASHT) dhe Anila Ferizaj(MASR).

Dukuri që nuk duhet të përsëriten në seminare tjera; Disa prej pjesëmarrësve nuk ruanin qetësinë gjatë ligjëratave, nuk kishin vëmendjen e duhur gjatë seancave mësimore. Një sjellje tjetër e shëmtuar vërehej në restorante nga disa pjesëmarrës/e të cilët në rastet e ngrënies rezervonin karriget e restorantit për të tjerët që nuk ishin të pranishëm, shkaktonin pakënaqësi tek ata që ishin të pranishëm.

 

 

Teksti Nexhmije Mehmetaj, mësuese, Zvicër

Fotografitë Ismet Osdautaj (MASHT)

Katër shqiptarë në fushë, Zyrihu kryeson kampionatin zviceran

Skuadra e Zyrihut ka mposhtur ditën e sotme Grasshopersin me rezultatin 0-2, në takimin e vlefshëm për javën e dytë të kampionatit zviceran. Tek miqtë u aktivizuan plot 4 futbollistë shqiptarë, tre prej të cilëve e nisën titullarë. Bëhet fjalë për mesfushorët, Hekuran Kryeziu dhe Toni Domgjoni si dhe për mbrojtësin Marlind Kryeziu. Ndërsa futbollisti tjetër Benjamin Kololli u aktivizua në pjesën e dytë.

Marlind Kryeziu dhe Toni Domgjoni ishin 2 protagonistët në sfidën e sotme, teksa asistuan në golat e shënuara. Ndërkohë nuk mund të mungonin futbollistët shqiptarë edhe në radhët e Grasshopers. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Bujar Lika, i cili u aktivizua si titullar, doli i humbur nga kjo sfidën, ndërkohë që futbollisti tjetër shqiptar, që u aktivizua titullar, ishte Nebi Bajrami, i cili u ndëshkua me karton të verdhë.

Në këtë sfidë pati minuta edhe për sulmuesin e rikthyer nga Evertoni, Shani Tarashaj, por pa arritur të lerë gjurmë. Në 2 javët e para, Zyrih kryeson kampionatin me pikë të plota. Skuadra e shqiptarëve do të ndeshet në sfidën e radhës me kampionët në fuqi të Jang Bojsit. Për sa i përket sfidës tjetër të luajtur sot mes Ksamaks dhe Bazelit, përfundoi me rezultatin 1-1. Ish-mbrojtësi i Partizanit, i cili aktivizohet në radhët e Ksamaks, e ndoqi ndeshjen nga stoli. Ndërkohë futbollisti me origjinë shqiptare i Bazelit, Albian Ajeti, nuk arriti të shënonte në këtë takim.

SEMINARI XIV MBARËKOMBËTAR PËR MËSIMIN PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË – Nga NEXHMIJE MEHMETAJ

 

Prej 31 korrik deri më 3 gusht, në Tiranë do të mbahet Seminari për mësimdhënës/se të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. 2018 është viti i katërmbëdhjetë i organizimit të këtij aktiviteti që vazhdon të jetë i mirëpritur nga të gjithë pjesëmarrësit.

Është koha dhe vendi ku të gjithë mësuesit/et që zhvillojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe presin të ndajnë mes tyre përvojat interesante, përkushtimin dhe frytet që kanë korrur nga puna me fëmijët shqiptarë jashtë atdheut.

 

Përmirësimi i cilësisë së mësimit plotësues të gjuhës shqipe mbetet kryefjala e çdo takimi.

Gjetja e formave, e rrugëve dhe e mënyrave më të mira të mësimit të gjuhës shqipe të historisë dhe të kulturës shqipe në grup-mosha dhe nivele të ndryshme fëmijësh është një sfidë për të gjithë mësuesit që kanë marrë përsipër të kryejnë këtë mision sa fisnik dhe integrues.

Për vetë natyrën e zhvillimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, shpesh ky është një

proces që shoqërohet me vështirësi të natyrave nga më të ndryshmet, si: mospërkrahja e mësimit shqip nga shumica e fëmijëve shqiptarë, mossigurimi i klasave me fëmijë të të njëjtës moshë, vështirësi në përparimin e nxënësve si rezultat i përdorimit të dy a më shumë gjuhëve. Kjo kërkon nga mësimdhënësit aftësi të lartë didaktike si edhe aftësi për të diferencuar nxënësit në klasë.

Seminari që tashmë  është tradicional, organizohet në bashkëpunim Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit e Shqipërisë, ka për qëllim përkrahjen e mësimdhënësve në punën e tyre të rëndësishme.

Temë bosht e seminarit është mësimdhënia “Gjuha shqipe standarde dhe dialektet e saj” nga Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj dhe “Rreth përdorimit të dialektit dhe të gjuhës standarde”, prezantim i doracakut autorial dhe udhëzime për punën me të nga Prof. dr. dr. Basil Schader.

Prof. dr.dr. Basil Schader, prezantimi i uebfaqes http://hlt.cwd.gr/ me materiale multimediale didaktike për mësimin plotësues.

Prezantim i dokumentit “Kurrikula e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë” Nuhi Gashi,  Erida Koleci.

Gjithashtu do të zhvillohen edhe tema tjera të mësimdhënies më e dukshme është figura historike e Skënderbeut – si përfaqësues i përkushtimit ndaj atdheut.

Sipas programit informativ në këtë Seminar, përveç punëtorëve shkencorë e kulturor nga vendi dhe jashtë do të marrë pjesë një numër i madh i mësimdhënësve nga Greqia (40), Italia (32), Suedia (25), Gjermania (20), Zvicra (12) Austri (9) Britani e Madhe (8) etj.

Prishtinë, 24.07. 2018                                            Nexhmije Mehmetaj, mësuese, Zvicër

Tjetër talent shqiptar në Zvicër, njihuni me 19-vjeçarin që u bë pjesë e formacionit të javës

Një tjetër talent shqiptar duket se do të lëri gjurmë në kampionatin zviceran. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Ton Domgjoni i cili ka arritir të shkëlqejë me ekipin e tij Zyrih. Lojtari me origjinë shqiptare ka dhënë një asist në fitoren 2-1 të ekipit të tij Zyrih përballë Tun.

Por nuk ishte vetëm ai asist që ai dha por edhe loja shumë e qëndrueshme e 19-vjeçarit në mesfushë duke ndërprerë mjaft aksione dhe duke bërë disa hapje të bukura loje. Nga kjo paraqitje lojtari ka përfunduar menjëherë në formacionin më të mirë të javës sipas “Blick”.

Lara e Valoni kanë thënë “Po”

VOAL – Futbollisti me origjinë shqiptare i kombëtares zvicerane Valon Behrami u martua dje, të mërkurën, me skiatoren zvicerane Lara Gut.

“Nuk mund të kisha imagjinuar një mënyrë më të mirë për të thënë ‘E dua’,” dy shkruajnë ata në profilet e tyre të Instagram. Pritja u zhvillua në Monte Brè. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm “familja dhe miqtë më të dashur”.

Marrëdhënia mes dy sportistëve u bë publike marsin e kaluar në një postim të gjatë në Facebook. “Valoni është me të vërtetë gjëja më e mirë që mund të më ndodhë”, pranoi 27-vjeçarja.

13 vite me helvetët, por Behrami nuk heq dorë

Valon Behrami ka vendosur që të vazhdojë të jetë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës. Futbollisti i cili ka thyer rekordin në këtë vit, duke luajtur në Botërorin e katërt radhazi në karrierën e tij, mendohej se do t’i jepte lamtumirën përfaqësueses së Zvicrës pas 13 viteve pjesë e saj. Por menjëherë pas ndeshjes kundër Suedisë, ku Zvicra u eliminua përsëri në fazën 1/8-ave, Behrami tregoi se kishte ndryshuar mendje dhe nuk e mendonte largimin, përkundrazi, ai kishte bindjen se mund të ishte protagonist në Europianin pas dy viteve.

“Si sportist jam shumë i zhgënjyer nga eliminimi, por vazhdoj të jem krenar. Dal nga ky Botëror me kokën lart. Suedezët na kanë treguar se kemi limitet tona. Por këtë unë e interpretoj si një objektiv të ri për t’u arritur. A do largohem? Jo, unë dua të vazhdoj. Unë kam ende motivim të madh në mendjen time, shpresoj që kështu të jetë edhe fizikisht. Pse ndryshova mendje? Gjatë ditëve të fundit u ndjeva mirë këtu në ekip. Ndjej se mund t’i jap përsëri kësaj skuadre. Dështimet në Botëror? Tani jam bërë si tip eksperti…”, tha duke qeshur mesfushori shqiptar që luan për Zvicrën, ku dje mbante shiritin e kapitenit.

Vrau kushëririn se dyshonte që gruaja e tradhtoi me të, del para gjykatës në Zvicër shqiptari

Të hënën një 61-vjeçar nga Kosova duheshte të përgjigjet përballë gjykatës rajonale të St. Gallen në Zvicër, pasi akuzohej për vrasjen e kushëririt të tij në mes të rrugës në vitin 2016, shkruan tagblatt.ch.

Haki S. pak përpara orës 5:00 ishte nisur të shkonte në punë. 42-vjeçari vinte shpesh ilegalisht në Zvicër për të punuar. Të njohurit e paraqitnin atë si miqësor dhe të respektueshëm. Kur ai doli nga shtëpia, kushëriri e priti me një armë. Nga një distancë prej 10 ose 20 centimetra 61-vjeçari qëlloi në kokë Hakiun. Pasi tërhiqet pak, ai qëllon edhe njëherë me një plumb tjetër të afërmin e vetë. Kësaj herë Hakiu bie në tokë dhe vdes.

Rrëzimi misterioz nga ballkoni
Autori i dyshuar më vonë pretendoi se Haki S. kishte pasur marrëdhënie intime me gruan e tij, andaj mori vendimin e rëndë. Por gruaja e tij nuk mund të pyetej për këtë, pasi ajo ishte rrëzuar fatalisht nga ballkoni në Kosovë, ku edhe ndërroi jetë.
Të afërmit dhe miqtë e Haki S. e përshkruajnë këtë pretendim të shpifur. “Bashkëshortja me Hakiun ishin kushërinj dhe shumë më e vjetër se sa ai,” tha një mik i viktimës. “Kurrë nuk kishin marrëdhënie ata të dy.” Ata pretendojnë se gjithçka ka ndodhur për para.
“Hakiu i kishte besuar kushëririt të tij prej disa vitesh rreth 100 mijë franga,” thotë i afërmi i viktimës. “Pasi ai ishte ilegalisht në Zvicër, nuk mund të hapte konto bankare.”
Në këto kushte i dyshuari për vrasje kishte keqpërdorur paratë e tij, përkundër faktit se gruaja i kishte kërkuar që Hakiut t’i ktheheshin paratë.

Ç’vendosi Prokuroria dhe ç’tha avokati
Të martën u mbajt seanca e parë kundër 61-vjeçarit. Ai jeton prej kohësh në rajon dhe ka një familje me katër fëmijë. Prokuroria kërkoi dënimin me 18 vjet heqje lirie për vrasje. Drejtësia zvicerane nuk ka gjetur prova që gruaja e tij të ketë pasur lidhje intime me viktimën, ndërsa vrasësi pretendon se kishte blerë mjete teknologjike për të vëzhguar gruan. Ai kishte qenë tepër xheloz, shkruan tagblatt.ch, raporton albinfo.ch.

Avokati i tij kërkoi një dënim maksimal prej dhjetë deri dymbëdhjetë vjet burg, për shkak se klienti i tij kishte vepruar në “gjendje emocionale”. Gjykata do e bëjë publik vendimin në ditët e ardhshme.

Flamujt e Zvicrës ne Kosovë, reagojnë mediat serbe: Pamje shokuese në fshatin e lindjes së Shaqirit!

Do të zhvillohet sot një nga ndeshjet më të nxehta të Botërorit, ku Serbia do të përballet me Zvicrën. Kjo sfidë nuk do të mbajë të mbërthyer vetëm zviceranët, por mbështetës të kësaj skuadre do të jenë edhe shqiptarët.

Sot në fshatin Zhegër të Gjilanit duket haptazi mbështetja, teksa shihen të valviten flamuj zviceran. Rruga është mbushur me flamuj, për të treguar haptazi se sot bëjnë tifo për Zvicrën.

Kjo ka sjellë menjëherë reagimin e mediave serbe, të cilat kanë shkruar: “Pamje shokuese në fshatin e lindjes së Shaqirit në Kosovë! Shqiptarët provokojnë ashpër serbët, në prag të ndeshjes me Zvicrën”.

Banorët vendës të këtij fshati e kanë bërë të qartë se sonte do të anojnë me zjarr kundër Serbisë, shkruan “Kurir”.

Gazeta zvicerane “Blick” ka shkruar se përveç zviceranëve në ethe në orën 20:00 janë edhe miqtë tanë kosovarë.

Rrëfimi i pabesueshëm – Historia prekëse e Xherdan Shaqirit: S’kisha para as për stërvitje

Xherdan Shaqiri dha një intervistë të gjatë për The Players Tribune. Në këtë intervistë shqiptari nga Kosova ka shpjeguar në detaje jetën e tij dhe karrierën sportive që nga fillimi deri tani, duke treguar disa ngjarje dhe tregime të ndryshme që nga emigrimi i tij me familje në Zvicër.
Shaqiri është pjesë e skuadrës së Zvicrës në Kampionatin Botëror që po mbahet në Rusi. Ai tregon se rruga deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, transmeton Gazeta Express.

“Shtëpia jonë nuk kishte nxehje qendrore. Vetëm një oxhak të madh. Ishte një shtëpi shumë e vjetër në një fermë në Basel, ishte ashtu si ishte. As që më shkonte mendja për shtëpinë dhe kushtet e saj, ngrohesha vetë duke vrapuar si një budalla. Vëllai im i madh ishte ai që ankohej më së shumti për të ftohtin, pasi dhoma e tij ishte sipër, larg nga oxhaku. Ai detyrohej të mbulohej ndoshta me pesë batanije gjatë kohës së dimrit.”

“Familja ime u largua nga Kosova para se të fillonte lufta, unë isha katër vjeçar, ata provuan që të krijojnë një jetë të re në Zvicër me mua dhe dy vëllezërit e mi. Nuk ishte e lehtë. Babi im nuk dinte gjuhën gjermane, kështu ai filloi të lajë enët në një restorant. Më pas ai filloi të punojë në ndërtimin e rrugëve. Nëna ime punonte si pastruese në zyrë të qytetit. (Unë i ndihmoja me fshesën elektrike, kurse vëllezërit pastronin dritaret).”

“Zvicra është një vend i shtrenjtë për të gjithë, por ishte shumë më i vështirë për prindërit e mi sepse ata dërgonin para tek familjarët tanë që ishin në Kosovë. Në fillim ne udhëtonim për Kosovë një herë në vit. Nëna ime gjithmonë tregon, ‘Në aeroplan, ti gjithmonë ishe një djalë i keq!
Gjithnjë duke tentuar të kërcesh mbi karrige dhe duke prekur njerëzit në kokat e tyre! Nuk pushoje asnjëherë!’

Kur lufta filloi ishte e pamundur që të shkojmë në vendlindje, dhe gjërat ishin të vështira për familjarët e tjerë që ngecën atje. Shtëpia e xhaxhait tim ishte djegur deri në themel. Babai im dërgonte para sa më shumë që mundte, kështu që ne nuk kishim para për të shpenzuar ekstra gjatë kohës sa fillova të rritem, duke veçuar ndonjë gjë në ditëlindje.

“Një tregim qesharak… Ronaldo ishte idhulli im. Ai origjinali. Mënyra se si luante, ishte një magji për mua. Gjatë finales së Botërorit ’98, kur ai u lëndua dhe Brazili humbi nga Franca, unë qaja dhe vetëm qaja sepse isha shumë i mërzitur për të. Ditëlindja ime e shtatëmbëdhjetë ishte tre muaj pas Botërorit, dhe unë vazhdimisht e lusja Nënën time për tre muaj rresht, ‘E vetmja gjë që dua për ditëlindje është fanella e verdhë e Ronaldos. Të lutem, ma blej atë fanellë’.

‘Ditëlindja ime erdhi dhe nëna ime kishte vetëm një kuti për mua. E hapa atë, dhe ishte fanella e verdhë e Ronaldos. Ishte nga ato fanellat false të cilën e blenë në market. Nuk e di bile a kishte ndonjë emblemë në të. Ishte vetëm një fanellë e verdhë me numrin nëntë’.

“Prindërit e mi nuk kishin para për të ma blerë fanellën origjinale, mua nuk më pengoi kjo. Ishte dita më e lumtur e jetës sime. E vesha atë për një 10 ditë rresht, po ashtu kisha edhe pantallonat e shkurta me ngjyrën e verdhë.”

“Me sa e di unë isha emigranti i vetëm në shkollën time dhe nuk mendoj se fëmijët zviceran e kuptuan se përse isha aq i dhënë pas futbollit. Në Zvicër, futbolli është vetëm një sport. Nuk është jetë siç është në vendet e tjera”.

“Më kujtohet, katër vite më vonë, kur Ronaldo ishte në Botërorin e vitit 2002 me atë stilin e flokëve në formë trekëndëshi, shkova menjëherë te berberi dhe i thashë, ‘ma bëj stilin e flokëve si të Ronaldos’.
Por unë kisha flokë kaçurrela atë kohë, nuk dukeshin edhe aq mirë. Kur shkova në shkollë të gjithë fëmijët më shikon me habi duke thënë, Çfarë i ndodhi këtij? Çfarë dreqin ka bërë?
Nuk e kisha problem. Isha thjesht vetvetja. Shkolla ime ishte në pjesën e mirë të qytetit, ndërsa shtëpia ime ishte vetëm pesë minuta larg ecje nga pjesa me të vërtetë e keqe e qytetit dhe aty bëhej futbolli i mirë.
Nëna ime më përgjërohej që të mos shkoja atje, por unë shkoja atje çdo ditë pas shkollës për të luajtur. E di që njerëzit mendojnë se Zvicra është e gjitha e mirë, dhe pjesa më e madhe e saj është ashtu, por në këtë park, ishte çmenduri. Ekipet aty ishin si Shtetet e Bashkuara.
Aty kishte turk, afrikanë, serbë, shqiptarë, gjithçka. Dhe nuk ishte vetëm futbolli aty, të gjithë qëndronin aty kotë, aty kishte njerëz duke kënduar hip-hop-in gjerman, kishte fëmijë që këndonin muzikë rep, kishte vajza që ecnin ne mes të fushës edhe pse loja ishte duke u zhvilluar.
Futbolli aty ishte i vërtetë. Mund të shihje çuna duke mgrënë grushte gjatë gjithë kohës. Unë nuk u grushtova asnjëherë sepse e mbaja gojën e mbyllur, gjithmonë. Koha ime në atë park më ndihmoi shumë, pasi që unë isha një fëmijë i vogël, mësova se si të luaj me çuna shumë më të mëdhenj se unë të cilët nuk luanin për shaka”.

“Kur isha 14-vjeç, isha duke luajtur për ekipin e të rinjve të FC Baselit, dhe na erdhi mundësia të luajmë në Nike Cup në Pragë. Problemi ishte se më duhej të bëja disa mungesa në shkollë, dhe kur e pyeta mësuesin, ai tha jo. Në Zvicër, mësuesit janë shumë serioz për punën e shkollës. Mendova, M**, në rregull, tani më duhet të bëhem kinse jam i sëmurë.
I thashë Nënës sime që të shkruaj një letër Shkollës, në të cilën shkruan se jam i sëmurë ose diçka, dhe pastaj shkova në Pragë për turnirin që mbahej. Luajta shumë, shumë mirë, dhe ishte hera e parë kur pashë fëmijët e tjerë të cilët më shikonin duke thënë, Shiko, ai është fëmija nga Baseli. Është ai. Ishte një ndjenjë shumë e mirë.
U kthyem në shtëpi dhe pastaj shkova në shkollë të hënën, ende duke u bërë kinse kam qenë i sëmurë, e dini ju? Pastaj mësuesi im më tha, ‘Xherdan, eja këtu. Eja, eja, eja’.
Ai më pa dhe pastaj nxjerri gazetën nga tavolina e tij. Ai vendosi gishtin te lajmi dhe tha, ‘Oh, ti ishe i sëmurë?’ Në faqen e parë të gazetës, ishte një foto e imja duke buzëqeshur, duke mbajtur trofeun e Lojtari më i mirë i Turneut”.

“Vetëm e pashë mësuesin në sy dhe vendosa duart lartë, ashtu, Mirë… në djall! Fillova të tërheqë vëmendje pas ati turneu, por paratë ende ishin problem për familjen time, sepse po ashtu dy vëllezërit e mi luanin për Baselin. Kurdo që kishim për të shkuar në ndonjë turne, duhej të paguanim çmimin më shtrenjtë pasi që ishim të tre vëllezërit. Kur isha 16-vjeç, duhet të paguanim për një kamp stërvitor në një vend të Spanjës, dhe çmimi ishte rreth 700 franga zvicerane. Babai erdhi te ne dhe na tha, “Shikoni, është e pamundur. Nuk mund ta paguajmë këtë”.

“Kështu vëllezërit e mi dhe unë filluam të punojmë punë të ndryshme për t’i siguruar paratë. Punuam në lagjen tonë për atë që kishte nevojë dhe në fund disi i grumbulluam paratë duke siguruar udhëtimin për në Spanjë. Frika ime nuk ishte mos shkuarja në Spanjë, frikësohesha shumë se shokët e mi të skuadrës do e marrin vesh se ne nuk po mundemi t’i gjejmë paratë”.

“E dini se si është kur fëmijët e tjerë tallen me ju, veçanërisht kur je 16 apo 17 vjeçar. Pas stërvitjeve, të gjithë fëmijët shkonin për të blerë ushqim në dyqan, unë dhe vëllezërit e mi nuk kishim asnjëherë para kështu që detyroheshim të gënjejmë dhe të gjejmë arsye se duhet të shkojmë në shtëpi menjëherë. Kjo më bëri të uritur në një mënyrë tjetër. Isha i uritur që të luajë kundër më të mirëve, gjithmonë.

Një vit më vonë, kur u bëra 17 vjeç, mora thirrjen për t’u bërë pjesë e ekipit të parë të Baselit. U futa në 20 minutat e fundit të ndeshjes, dhe mendova se luajta mirë. Shkova të nesërmen në stërvitje, dhe trajneri ynë i të rinjve tha, “Çfarë dreqin ishte ajo? Çfarë mendoje se ishe duke bërë?”

Unë thashë, “Për çfarë jeni duke folur?” Ai tha, “Bisedova me trajnerin. Ai më tha se e vetmja gjë që bëje ishte driblimi. Tani je përsëri në ekipën e dytë. Kjo është e tëra”. Isha i tronditur. Mendova se përfundova këtu.
Dy javë më vonë, ata shkarkuan trajnerin. Një trajner i ri erdhi. Ai më thirri që të jem pjesë e ekipit të parë, dhe më nuk ktheva kokën mbrapa. Ishte qesharake sepse ai më vendosi në krahun e majtë të mbrojtjes, dhe ju e dini që unë e dua sulmin dhe krijimin e sulmeve, kështu që mbrojtësit ishin duke bërtitur gjithmonë, “Duhet të kthehesh mbrapa! Kthehu mbrapa!”
Hahaha! Çfarë të them? Në fund doli shumë mirë për mua, sepse gazetat filluan të shkruajnë për një mundësi që unë të jem pjesë e Botërorit 2010. Nuk e dija se çfarë të mendoja. Ishte një çmenduri. Kur u bëra pjesë e skuadrës, ishte një moment shumë emocional. Shkova direkt te nëna dhe babai im, ata ishin shumë të lumtur.
Ndodhi shumë shpejt. Një ditë isha nj 16-vjeçar, duke u kujdesur për kopshtet e njerëzve në mënyrë që t’i siguroj paratë për një biletë në Spanjë, dhe pastaj u bëra 18 vjeç, duke hipur në aeroplan për të shkuar në Botërorin e Afrikës Jugore.
Më kujtohet loja kundër Spanjës, duke parë Iniestan përballë meje dhe duke menduar, Wow, është Iniesta të cilin e kam parë në tv, ai është këtu. Por diçka që do ta mbaj mend gjithmonë është dita e parë që shkuam në hotel dhe ata kishin një rojtar të armatosur përpara secilës derë të dhomës. Rojtari ynë personal duke na mbrojtur. Mendova se kjo ishte gjëja më interesante në botë, sepse para një viti isha duke vrapuar nga parku për në shtëpi natën vonë, tani kam rojtarin tim personal të armatosur?
Për prindërit e mi ishte një moment krenarie pjesëmarrja ime në Botëror, sepse ata erdhën në Zvicër me asgjë dhe ata punuan shumë për të bërë një jetë të mirë për fëmijët e tyre. Mendoj se mediat i keqkuptojnë ndjenjat e mia për Zvicrën. E ndjejë se kam dy shtëpi. Është aq e thjeshtë. Zvicra i dha familjes time gjithçka, dhe unë tentoj të jap gjithçka për Kombëtaren. Por sa herë që shkoj në Kosovë, menjëherë e përjetojë ndjenjën e shtëpisë, gjithashtu. Nuk është diçka logjike. Është vetëm një ndjenjë që e kam brenda meje.
ne luajtëm kundër Shqipërisë, unë vendosa flamujt e Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës në këpucët e mia, dhe disa prej mediave zvicerane thanë disa gjëra negative. U kritikova për këtë gjë. Gjëja më e mirë për Zvicrën është se ky vend ka qenë shumë mikpritës për njerëzit të cilët erdhën nga lufta të cilët kërkojnë për një jetë më të mirë.
Zvicra ka liqenet dhe bjeshkët e të gjitha këto. Por Zvicra ka edhe parkun në të cilin kam luajtur me turqit, serbët, shqiptarët, afrikanët, vajzat dhe reperët gjerman. Zvicra është për të gjithë.
Kur të hyj në fushat e Botërorit në Rusi, do t’i kem flamujt e Zvicrës dhe Kosovës në këpucët e mia. Jo për diçka politike. Por sepse këta flamuj tregojnë historinë e jetës time. Mos u brengosni, flamuri zviceran është në këmbën time të djathtë”.