VOAL

VOAL

PESHA E BOTËS Poezi nga ALLEN GINSBERG Përktheu: FASLLI HALITI

May 6, 2015

Komentet

NË PANAIRIN E LIBRIT – SHTËPIA, NË SHTËPI – PANAIRI I LIBRIT. – SHBA, Connecticut, Stamford, Biblioteka “Ferguson” – Nga Visar Zhiti

 

 

Në SHBA në shtetin Connecticut, në qytetin Stamford, në Bibliotekën “Ferguson” u hap Panairit i Librit Shqip,
Ishte Edicioni i tretë I tij, mbas mbas 14 vitesh nga edicioni  i dytë, që u mbajt në New York në vitin 2010.
Median e shkruar dhe ato televizive njoftuan:
“Panairi i Librit Shqip në Amerikë numëroi pjesëmarrjen e mbi 30 autorëve:  Visar Zhiti, Adnan Mehmeti, Mëhill Velaj, Yllka Filipi, Bexhet Asani, Daisy Elbasani, Tushe Saliaj (Rrapaj), Lufti Brami, Premisa Muca Kerthi, Erlinda Pysqyli, Demir Rusi, Rukiana Kasemi, Lela Qejvani, Suzana Vangjeli, Majlinda Pajaj, Bora Balaj, Merita Prenga, Gjon Fran Ivezaj, Gjeto Turmalaj, Sami Mulaj, Kastriot Fetahu, Selman Dervishi, Luigj Çekaj (përfaqësuar nga e bija), Nexhmedin Syla, Azgan Berbati, Arjana Fetahu Gaba, Ramiz Mujaj, Pal Ndrecaj, Nosh Mernacaj, Sergio Bitiçi, Idriz Lamaj, Arjeta Ferlushkaj, Simon Dervishi Mani, Hamid Alaj, Age Ivezaj Gjokaj…”.
Panairin do ta përshëndesnin drejtuesit e Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, Prsidenti Adi Memeti, Kryetari Mhill Velaj, etj, përfaqësues të Bashkisë së Stamford-it, amerikani z. Aaron Miller, i cila tha: “jemi krenarë që kemi në qytetin tonë një komunitet shqiptar kaq të suksesshëm” dhe u uroi të gjithë shkrimtarët.
Gjatë veprimtarisë u shpërndanë dhe çertifikata mirënjohje, gazetarit të palodhur të gazetës “Dielli”, në New York, Dalip Greca, poetit të njohur nga Kosova, Xhevdet Bajraj, në Meksiko, të cilët nuk janë më…
Me çertifikatë mirënjohjeje u nderuan edhe tre Anëtarët e Nderit të Shoqatës, z. Visar Zhiti, Sami Repishti, Carrie Hooper, gjithashtu edhe anëtarët: dr. Bexhet Asani dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri,
Në panair u hap edhe një ekspozitë me piktura dhe punime dore të Ramiz Mujaj.
Në fund të veprimatrisë u mblodh këshilli i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë dhe bëri zgjedhjet e reja: Kryetare u zgjodh Dr. Yllka Filipi, Nën/kryetare: Arjeta Ferlushkaj dhe Sekretar: Bexhet Asani
Ky panair, u mor vendimi, që të bëhet një traditë, të happen në çdo tre vjet..
Nga SHSHSHA

 

TË DASHUR LIBRA!

Të dashur Libra! – Kështu do të doja ta filloja fjalën time në këtë Panair të Librit Shqip, 2024, këtu në Stamford, në shtetin Connecticut, në bibliotekën e madhe dhe të bukur, “Ferguson”.
Të dashur lexues dhe autorë, gjithë të pranishmit, na mblodhi ky panair i vogël, i organizuar në Amerikën e madhe, prandaj dhe kuptimi i tij, vlerat janë të mëdha.

GJUHA – ATDHEU I SHKRIMTARIT:

Për ne panairi filloi më përpara se të vinim këtu. Bashkë me time shoqe ishim ndanë librave në shtëpinë e një mikeshës tonë në New York, e Aidës, nga familja Balaj, e shquar për patriotizëm dhe dashuri ndaj kulturës. Pranë dritares nga ku dukej liqeni dhe porti i varkave, e gjithë faqja e murit ishte biblioteksa e saj. I hapa raftet dhe e pashë, krahas librave të shumtë anglisht, kishte shumë e shumë libra shqip, klasikët tanë, At Fishta, Dom Ndre Mjeda, “Shkodra e Rrethueme”, Kadare, Orwell, bashkëkohësit, gjeta dhe nga librat e mi, “Valixhja e shqyer”… kështu është vallixhja e atij që ikën, e shqyer… dhe m’u duk sikur panairi i librit kishte hyrë në shtëpi, ndërkaq po vazhdon këtu, te kjo sallë e madhe e Bibliotekës se qytetit, te të gjitha tryezat përreth përplot me libra, shoh familjarë me fëmijë dhe them se dhe shtëpa ka ardhur në Panair.
Dhe ky është dhe qëllimi…

Ne këtu jemi autorë shqiptarë, që nuk kemi mërguar nga gjuha amë dhe gjuha është atdheu i shkrimtarit.
Ne jemi dhe lexues të librit shqip dhe libri është emocion jete, shpirt i një populli dhe kujtesë, estetika e saj, etj.
Me librin jetën tonë e mbushim edhe më, i japim dhe atë që s’e jetuam dot apo nuk e jetuam vetë, libri kështu na bën me shumë jetë të tjera, kështu thoshte dhe semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco, ndër më të mëdhenjtë e shkullit XX.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë me këtë veprimtari, “Panairin e Librit Shqip”, po kryen një akt kulturor me më rëndësi se aq, po sjell librin shqip të an;etareve të saj nga një vend i vogël dhe i përvuajtur i Ballkanit në vendin e madh dhe më të fuqishëm, në SHBA, superfuqi edhe kulturore. Ato jetët tona, që rrjedhin nga jeta e një populli, – të lashtë, do të thosha tani sipas zakonit të fjalimeve, që…, por nuk po zgjatem, – po i mbartim dhe janë derdh në kombin modern amerikan, plot dije dhe liri, pra po bashkohen me jetët e botës së madhe.
Ky bashkëveprim, do të shtoja, është dhe mirëkuptim, miqësi, mbështetje, liri më shumë, zgjerim i atdheut me dije. Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë, thoshte Naimi ynë.

Shumë nga librat në këtë Panair a të gjithë mbase, janë shkruar në SHBA, ky është vendi i madh që ta jep këtë mundësi, sepse i çmon dhe i do dhe gjuhët e çdo diaspore këtu dhe shqipja jonë ndjehet e nderuar.
Besoj se librat këtu janë shtypur në Shqipëri dhe janë sjellë nga përtej oqeanit dhe unë shoh dhe një oqean tjetër dashurie, atë të të gjithë shqiptarëve.
Ne e duan gjuhën amë, ka që e mbiçmojnë, por unë s’mund të rri pa thënë se shqipja jonë është dhe martire, në shekujt e pushtimit ka qenë e ndaluar, poezitë tona të para janë shkruar me gjak. Pikërisht letërsia e ktheu gjakun në bojë shkrimi, sipas Thomas Eliot, që është dhe poet amerikan.
Po a mund ta rikthejmë të shkruarit dhe në gjak të jetës?

Po të flasim për panairin tonë. Jemi së bashku, një pjesë jona, aq sa mundej, autorë dhe lexues dhe libra, edhe të atyre që s’janë, që s’vinin dot, miq tanët dhe unë prapë s’mund të rri pa kujtuar që vijmë nga një vend dhe një kohë që dënonte autorë, libra dhe lexues, përndiqeshim dhe nga ata që kishim pranë dhe kjo, e projektuar në realizëm socialist, në entuziazëm absurd, shpesh ishte vepra e tyre më e arrirë. Edhe ata kanë mbërritur deri këtu…
I them këto se ndjej dhe shoh përreth dhe përballë praninë e autorëve të rinj, ata shkruajnë dhe në anglisht, forcë e aftësive të tyre dhe i tërheq po aq dhe i përkushtohen dhe gjuhës amë.
Dhe në gjuhë janë dhe dashuria dhe vuajtja, edhe humbjet, që vetëm gjuha, edhe ajo e brendshmja, i kthen në përvojë dhe në poezi, dua të them në letërsi.

THEMELTARËT
DHE VAZHDIME:

Të rinj ishin këtu dhe Imzot Fan Noli dhe Faik Konica- “biblioteka lëvizëse” sipas Apollinaire, që themeluan “Vatrën” e përbashkët të shqiptarëve dhe “Diellin”- gazetë të saj, ata me bashkëpunëtorë krijuan këtu një qeveri në mërgim, kur s’kishte një të tillë në Shqipërinë që ende nuk ishte pavarësuar dhe i dhanë letrave të çoroditura shqipe vepra të pavdekshme.
Motrat e famshme Qiriazi, mësuese të dritës, që do të kërkonte t’i shqyente me kthetra errësira…
Kur atje pas Luftës II Botërore po vendosej një diktaturë gjakatare, erdhën këtu për të vazhduar përpjekjet për atdhe shumë shqiptarë, edhe nga krerët kryesorë, si shkrimtarët Mit’hat Frashëri, – bir i Abdylit të “Lidhjes së Prizrenit” dhe nip i Naimit, Mustafa Kruja, – gjuhëtar dhe stilist i historisë, por edhe kryeministër, shkrimtari e filozofi Isuf Luzaj, – mik dhe me Jorge Luis Borges, Baba Rexhepi, – mistik shpirtëror i fuqishëm, për të cilin janë shkruar libra, historiani Ago Agaj, antropolog luftëtar, por dhe Abaz kupi, – luftëtari i parë i rezistencës me armë në Europë kundër fashizmit… dhe do të vazhdonin me komunizmin…
Kur në atdhe burgoseshin dhe pushkatoheshin poetë, do të arratiseshin për këtej pas burgut poeti e filozofi Arshi Pipa, duke marë me vete dhe sonetet infernale, humanisti e studiuesi sorbonas Sami Repishti, nga internimet dhe përndjekja do tË vinte dhe poeti i dufit çam, Bilal Xhaferri e deri te poeti Gjekë Marinaj, që kërcënohej me burg edhe për një metaforë; ky i fundit do të ishte dhe Kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, themelues.
Ata mbeten përherë të rinj me idetë e tyre për një Shqipëri të lirë, të hapur, euroatlantike, duke ikur ata kishin atdheun me vete, pra veç e zgjeruan…

Për ata, Konicën dhe Nolin, etj, po tregon shkëlqyer duke e sjellë përvojën e tyre si përvojë të kombit, historiani Ilir Ikonomi, që erdhi këtej pas rënies së perandorisë komuniste dhe punoi në “Zërin e Amerikës”, zëri që i flet gjithmonë pranë Shqipërisë duke i treguar dhe rrugët e lirisë dhe të demokracisë, ku ishte në drejtim dhe gazetari i shquar, familjemërguari Elez Biberaj.
Enciklopedinë e shqiptarëve të Amerikës na e ka dhënë në një vepër madhore z. Vehbi Bajrami, ndërkohë dhe botues i gazetës s;e mirenjohur “Illyria”.
Këtej erdhën dhe shkrimtarët si Naum Prifti, Betim Muço, që s’janë më midis nesh, poeti Roland Gjoza, gjuhëtari dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, drejtor dhe i revistës kulturore elitare, me shumë rendësi për estetikën e mendimit sot, “Peizazhet e Fjalës”.

Këtej kam dhe bashkëvuajtës të mi, që kanë ardhur në Amerikë, te ëndrra, që me punë kanë arritur atë mirëqenien, që s’do të mundnin kurrë në vend tjetër, por mbi të gjitha këtu kanë prekur atë liri të vërtetë dhe demokracia është dhe realitet i tyre…
Një pjesë e bashkëvuajtësve të mi shkruajnë, është këtu libri me poezi, postume i Luigj Çekajt, me titullin kuptimplotë, që ka shtegtimin si të vetë panairit, “Një shkrelas në Manhatan”, po a kanë mbërritur poezia e Pëllumb Lamajt, e Ilir Spatës, etj, etj?
Unë kam shkruar për një liber tjetër me poezi, të Artan Kafexhiut, që është dhe këtu. Poezia dhe mërgimi kanë të përbashkët një lloj mallëngjimi, kanë ikjen si një kthim dhe kthimin si një tjetër ikje…
Po miqtë e mi, Dine Dine e Hasan Bajo, që shkruajnë prozën e gjatë? Memuaristikë kanë botuar dhe Kaso Hoxha, Muharrem Xhutollari, Memisha Gjonzeneli, persiatje nga aktualiteti nxjerrin shpesh Lekë Mirakaj, Ilirjan Blloshmit, etj.
Po hulumtimet dhe studimet e veçanta të Ing. Mërgim Korça, a jan:e këtu? Vëllai i tij, Genci, ka shkruar në anglisht memuaristikë tronditëse. Janë djemtë e Xhevat Korçës, studiues dhe minister i arsimit, që vdiq me të parën grevë urie në burgun e Burrelit. Luftoi dhe me vdekjen e tij vdekjen…
Dua të kujtoj Makensen Bungo që na ka dhënë romanin “Këneta e vdekjes”, vuajtjet e tmerrshme të të burgosurve dhe të vetes, një sfidë dhe ndaj “Kënetës” së realizmit socialist…

Nga kujtesa dramatike ka tërhequr vëmendjen sot me tregimet e tij Muç Xhepa, me ato realitetet e tij të përziera shqiptare dhe amerikane, po kështu dhe Sami Milloshi me prozën e shkurtër, ndërsa në Kanada vazhdon të përmbushë vepren e tij shkrimtari Faruk Myrtaj. Ndjek mendimin kritik të Minella Aleksit, Gëzim Bashës.
Takoj Kastriot Fetahun, njihemi që në Çikago, edhe të tjerë, janë emrat e tyre në gazette…
Në Amerikë ka shkruar dhe Lazër Radi, i dalë nga burgjet dhe internimet, vinte si visitor, po në Amerikë ka ardhur dhe shkrimtari Ernest Koliqi, i dënuar me vdekje në atdhe nga diktatura, ai themeloi Katedrën e Albalalogjisë në Romë, ndërsa romani i tij i vetëm, “Shija e bukë së mbrume” personazhet i ka shqiptaro-amerikanë dhe ngjarjet zhvillohen në Amerikë.
Është në Universitetin Ann Arbor në Miçigan pedagogu Lisandri Kola, poet dhe studiues i shkëlqyer, që ka arritur vetë të krijojë dhe të japë lëndën e Letërsisë shqipe në mërgim në katedrën ku punoi dhe poeti nobelist, kundërshar i sovjetëve, ruso-hebreu Josip Brodsky. Iku, e pëzunë pas burgut…

Të kthehemi te librat e Panairit. Z. Mhill Velaj, që sot ka ditën e fundit si kryetar, shkon tryezë më tryezë dhe shpjegon për autorët dhe librat për kamerat e televizionit.
E pse të mos tregoj dhe unë që një përmbledhje timen me poezi “Si shkohet në Kosovë”, ia kam dhënë këtu në SHBA, në Çikago në një takim me të, kryeminstrit të Kosovës, z. Albin Kurti
Po vite më parë, më thotë një shqiptar se këtë libër ia kam pas dhuruar me autograf dhe vëllait të tij në një takim letrar vite më parë në rrethinat e Çikagos, pikërisht atij, që la me testament pasurinë e tij për t’u ngritur katedra e albanalogjisë në Universitetin DePaul, Hidai Bregu. Unë nuk e mbaj mend, por rëndësi ka, që pikërisht mes atyre njerëzve, që bëjnë një jetë të pabujë, mbase dhe spartane, fshihen akte kulturore me rëndësi kombëtare, të ndjeshme dhe në SHBA.
Ka vërtet një testament të madh shpirtëror i gjeneratave të mëparshme këtu, që do atë dashuri e përgjegjësi të bukur, sakrifica e talent për të arritur lartësinë e tyre, që na mësojnë si shkohet tek e mira, që ta duam vazhdimisht dhe pa kushte atdheun.
Duaje atdheun dhe kur të vret, ua la porosi fëmijëve te tij shkrimtari Mitrush Kuteli. Mos pyet ç’bën atdheu për ty, pot ti ç’bën për atdheun, na mëson Presidenti Xhon Kenedi.
Si një atdhe të vogël shqiptarët këtu kishin “Vatrën” e tyre shekullore, duhet mbajtur. Na dhimbet çdo çarje e saj si çarje plage. Zjarri i Vatrës do të duhej dhe në kohët më moderne…

VËSHTRIMI I GRUAS NË PANAIR

Këtej erdhi dhe vajza e Stalin si kundërshtare e të atit, – thashë me vete, – afër ku unë jam. Më afër kam shtëpinë e fëminisë së Heminguejit, – po thoshim, – dhe sa i donte gratë ai… por, që të shijojnë në pleqëri të mirat e kapitalizmit, e kush s’ka ardhur, nga Shqipëria, e kam fjalën, edhe heronj, edhe të panjohur, edhe komandantë burgjesh, që mbanin brenda telave me gjemba të dënuar që donin të arratiseshin për në Amerikë, edhe artistë, letërnxirës të Realizmit Socialist, që tani të nxijnë letrat e realizmit demokratik, bashkë, paqja qoftë me ne, – lutet ime shoqe! Që të bëhemi si Amerika apo me gjakimin donkishotesk, të bëjmë amerikanët si veten? – pyes unë, jo pa ironi.
Letërsia s’duhet të ketë mure si ai i SHBA me Meksikën, le të vazhdojë të na futë pa doganë në faqet e veta…
Në këtë panair edhe unë kam sjellë romanin tim, “Këpuca e aktorit”, i shkruar në SHBA – metaforë e ecjes së vështirë në skenat e jetës, ka dashuri dhe grua, – më thonë.
Po ne kemi të ekspozuar dhe libra të tjerë, edhe “Dita e Shenjtes Nënë Tereza” i Edës time, botuar në Vatikan, edhe “Për atë që dua(m)” i Atjonit”, që Eda ia ka dhuruar dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si një nënë një nëne, si zonja zonjës…
Afrohem te grupi i zonjave në panair, ku është dhe ime shoqe, u pëlqejnë kostumet kombëtare, pozojnë me to si të “veshuna me diell, mbathun me hanë”, prin Eva Dori me “Bijtë e shqipes”, nënkuptohen dhe bijat patjetër, ja dhe shkrimtaret Yllka Filipi dhe Arjeta Ferlushkaj, Majlinda Pajaj, Suzana Vangjeli, Arjana Gabaj etj, po mikja jonë Ilirjana Sulkuqi, ku është, s’është kthyer nga Shqipëria?
Po këtu ka ardhur dhe një poete koreano-jogore, tashmë amerikane, Tonia (HounHye) Ko Hung, mike me poetët shqiptarë, ajo ka dhe një libër të përkthyer në shqip.
Unë pëlqej shumë shkrimet e Profesores Eda Dehremi, kanë forcë të bukur gruaje. Dhe statuset e psikologes Silvana Kola-Loka. Flas për ç’njoh këtej përreth.
Në Tiranë Ambasada Amerikane jepte një çmim për gratë e shquara me emrin e shkrimatres së persekutuar, disidentes së parë grua në perandorinë komuniste, “Musine Kokalari”. Studiuesja shqiptare në Angli, Nashi Brooker, sa shumë i është përkushtuar asaj, shkëmbejme letra me të…
Poezia e zonjave i ka dhënë qumësht Rozafe poezisë shqipe, them unë.
Po Nënë Tereza – është poete dhe Ajo me lutjet e saj. Dhe m’u ndërmend që kështu quhet dhe Qendra kulturore shqiptare në Miçigan. Shkruan për Shenjten tonë dhe Prefosorja në universitetet amerikane, Ines Murzaku. Kujtoj emra të tjerë shoqatash e institutesh e akademish e bibliotekash në SHBA dhe më duket sikur i sintetizon emri prekës i organizatës së Dr. Sonila Sejdaras, “Care for Albania”, ngjan me “Medicare”, aq e njohur në SHBA. Kujdesi për shëndetin, Kujdesi për Shqipërinë.
Edhe nëpërmjet librit. Është e rëndësishme sa të gjitha dhe më e bukura.
Prandaj është dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Drejtimi këtë radhë do t’u besohej zonjave
Janë tre volume këtu në panair që përmbledhin jetën dhe bëmat dhe veprat e anëtarëve-shkrimtarë të grupimit të tyre, që nga themelimi, i ka qëmtuar me pasion Presidenti i tyre, Adnan Mehmeti. Ja, dhe revista “Pena” e SHSHSHA…
Ky panair na përcjell gjallërueshëm, po aq dhe lavdishëm, të shkuarën që është dhe e tashme, që do të donim që kjo e tashme të ishte dhe pjesë e së ardhmes. Patjetër, kur është kujtesë dhe Kulturë dhe krijimtari patjetër.

ALBUM I VOGËL NGA PANAIRI

VAJTOJ NËNËN ATJE LARG- Nga ZHULJANA JORGANXHI

Si sot ti e shtrenjta e Ndritura Mama, u ngjite ne qiell dhe une nuk pata mundesi te te jepja puthjen e fundit. Dhembjen dhe Vajin tim e shpreha keshtu ate dite prilli 1997:
Loti- gur u rrukullis…
Zemra humbi brenda tij,
nëpër mjegull u gremis.
.
Ç’paskam bërë në këtë botë,
Mos t’i derdh ATJE ca lotë?!
Nuk shkoj dot t’i qaj mbi kokë,
det e qiej s’i çaj , as tokë!
.
Më s’mendon AJO për mua,
jetimmbeturën, mërguar!
Dhe në shkofsha si dikur,
do të puthem me një gur!
.
Trieste 18 prill 1997

Kujtesë në ditëlindjen e Edës- Nga Albert Habazaj 

Një vashëz e qetë Vlore, bilë çame,
Një dritë e ndezur në shtëpinë time,
Çdo prill, në lulëzim të bajames
Qetësisht si sot kalon ditëlindjen.
.
Një ditë para ditëlindjes së saj
Eda kujton nënën që i iku shpejt,
Shpirtin e Detes, që fluturon skaj më skaj
E ka ëngjëllin e fatit në jetë.
.
Ndoshta çdo nënë si Detja për të bijën
Do t’i bënte sfidë çdo llohe,
Koha qe e ligë dhe t’i hapte vendin
Doli në pension para kohe.
.
Dhe Eda me Nikun u rritën si dy zogj
Ndërtuan familjen e thurën ëndrra,
Lule lumturie mbjellin çdo ditë tok,
Nga gëzimi më fluturon zemra.
.
Të dy në sy e kanë jetën
Jam me fat: Dy gonxhe më dhanë,
Kur jam me to, hallet treten
Të dyja – mjalti i ëmbël në filxhan.
.
Ato janë mësueset e mia
Unë jam një nxënës i zellshëm,
Kur lëviz, më bërtasin të dyja:
“Qenke fëmijë i pandreqshëm”…
.
Për Gjyshin dhe Nënën si Perla dhe Ami
Jo, në këtë botë, askund s’gjenden,
Një ditë po s’i takuam, bëhet nami
Jemi ushtarë para tyre vetëm.
.
Se më rrëmbyen princeshat në botën e tyre
Tek uroj nusen e djalit të mesëm
Po kot i ngatërrojmë fjalët me yje
Sidomos kur dalin nga shpirti vetëm.
.
Po një herë si nuk e ngrysi ballin,
Vetëm buzagaze, e urtë e syqeshur,
Jemi krenarë për sjelljen, moralin
Në thelb dhe në shfaqje me virtyte veshur.
.
Po kaq vjet si nuk e ngriti zërin
Apo të bënte një ankesë, të paktën…
Eda me Nikun, si sorkadhja me drërin
Nga ne, si prindër e kanë uratën.
.
Se nusja e shtëpisë është fat
Por Eda për ne është edhe bijë,
E uroj me Mejon: Jetë të gjatë
Dhe dita iu bëftë një mijë!
.
Vlorë, e premte, 18.04.2024

In memoriam Shirine Morina (27 Maj 1951- 14 Prill 2024)

U nda nga jeta një nga figurat e shquara të skenës artistike në Kosovë, znj.Shirine Morina. Aktorja e njohur, shënoi një epokë të rëndësishme në historinë e teatrit dhe kulturës kosovare dhe la pas një trashëgimi të çmuar.

Aktorja e njohur Shirine Morina lindi më 27 maj të vitit 1951. Ajo e nisi karrierën e saj në teatër në moshën e re, duke filluar të luajë në shfaqje të ndryshme në skenat lokale. Në fillim të karrierës, ajo u përball me kundërshtimin e familjes për të ndjekur ëndrrën e saj për të qenë aktore, por guximi dhe vendosmëria i mundësuan asaj të ndiqte rrugën e saj në jetë.

Një nga veprat më të rëndësishme të Shirine Morina ishte në zhanrin e monodramës, ku aktori shfaqet vetëm në skenë. Në veprën “Mbretëresha Teutë”, shfaqja e saj e fortë dhe e ndjeshme i bëri të qartë talentin dhe aftësinë e saj aktoriale.

Jashtë teatrit, Morina u shqua edhe në ekranin televiziv, duke luajtur në serialet popullore si “Banda e Luta Fukaras”, “Cimerat”, “Kombinati e Pleqt”, dhe “Ça ka Shpija”, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut.

Edhe pse karriera e saj ishte e suksesshme, ajo nuk mbeti pa përballuar sfidat dhe paragjykimet në një shoqëri të mbyllur dhe patriarkale. Megjithatë, ajo vazhdoi të shkëlqejë dhe të kontribuojë në zhvillimin e artit teatral dhe televiziv në Kosovë.

Shirine Morina u nda nga jeta më 14 prill 2024, duke lënë pas një trashëgimi të madhe artistike dhe një ndikim të rëndësishëm në kulturën e vendit. Për tu mbajtur mend gjithmonë për kontributin e saj në botën e artit dhe për frymën dhe pasionin që sollte në secilën shfaqje para publikut.

Për figurën e shquar të skenës artistike, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes faqes zyrtare të presidencës, Osmani shprehu ngushëllimet e saj për familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor.

“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun. Aktorja Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive”, ka thënë Osmani.

“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, deklaroi mes tjerash presidentja e Kosovës.

 

Në kujtim të aktores së shquar po sjellim për lexuesin një intervistë të saj në formën e profilit

 

Aty ku duhesh të jesh vetvetja, ku emocioni, origjinaliteti nuk duhet të fshihen, por janë vlerë dhe i dallojnë të jashtëzakonshmit nga të tjerët.

Kjo përçohet më së miri nga artisti tek audienca përmes teatrit. Kur flet me një aktor, nuk ka mundësi mos të të lejë mbresa lidhja dhe dashuria që e kanë për dërrasat, ndriçuesit edhe kostumet, që shumë shpejt bëhen pjesë e pandashme e jetës së tyre.

E tillë është edhe aktorja e njohur kosovare Shirine Morina. Edhe pse tashmë në moshë të shtyre, shpirti i saj artistik vazhdon të jetë evident.

“Edhe si e vogël e kam dashtë teatrin kam filluar në moshën 14 vjeçare, atëherë e kemi bo një shfaqje me Agim Zatriqin, me Fatmir Bajramin, Lecin, Cimen patëm luajt në sallën e pionerve . Ka qenë veç për fëmije, aty e përgatitem shfaqjen shumë shpejt për një muaj na veç startuam në skenë, pastaj e vazhduam ne disa vende kështu. Si teatër amator ka qenë, edhe mua gjithë më ka tërheq kjo skena. U hap mandej këtu për teatër. Njëherë ka qenë studio më pas është bërë si akademi. Edhe unë konkurrova 160 kemi qenë atëherë unë u pranova, dhjetë persona u pranuan, e më pas vazhdova me studiu”, u shpreh ajo.

Familja e saj nuk ishte e pajtimit për studim në degën e aktrimit. Mirëpo, ajo e ndjeku ëndrrën e saj deri në fund, duke e demonstruar që në fillim një ndër vetitë më të nevojshme për një aktore – guximin për të qenë ndryshe.

“Edhe pse familja ka qenë kundër, atëherë kanë qenë botëkuptime të ndryshme, jo aktore me u bo, jo ,jo e unë thashë more po edhe vazhdova me studiu”.

E të jesh në qendër të vëmendjes, e përherë në sytë e publikut nuk është aspak e lehtë. Presioni rritet, e me të shtohen edhe fjalët, paragjykimet, komentet here pozitive por shumë shpesh negative. Këto ishin të pranishme te Shirine Morina dhe karriera e saj në një shoqëri relativisht të mbyllur dhe patriarkale. Madje ajo nuk ndjehet aspak keq në qoftëse dikush nuk e parapëlqen. I duket më se normale.

E vepra ku e gjeti më së miri i takon zhanrit më sfidues për cilindo aktor, monodramës – ku aktori gjatë tërë kohëzgjatjes së shfaqjes gjendet i vetëm në skenë. Monodrama që ia mundësoi ta pasqyrojë më së miri vetveten e saj ishte “Mbretëresha Teutë”, e shkruar nga Rexhep Qosja.

“Baba im ishte i sëmurë, i thashë babi im jam duke punuar për këtë monodrama, hë a të pranoj, bëja disa prova lexuese te shtëpia, tha po shumë çika jeme ime unë edhe nëse vdes ti gjithqysh me lujt këtë monodramë qenka shumë e mire”.

E nëse teatri është komunikim i lirë dhe shumë i vlefshëm për pasurimin e një shoqërie, pse atëherë artistat japin shumë e marrin pak, pse ndodh kjo? Ku është shkaku?

“Ashtu është teatri. Japim shumë prej vetes, dëgjo gjithkush ik prej punës aktori nuk ik, aktori bile bile kërkon rolin mat madh, rolin kryesor. Se rolin kryesor ti mundesh me nxjerr rolin ki kohe me të japësh të gjithë prej vetes e ashtu pak kemi qenë të paguar gjithmonë”.

Jashtë teatrit Shirinën shumëkush e mban mend në emsionin “Pa pengesa”. Ose në serialin Banda e Luta Fukaras të realizuar në vitet e 70. E në teatër ajo njihet nga Hotel Kashta, Makbethi, Gjenerali i ushtrisë së Vdekur etj. Ajo luajti edhe në filmin Era dhe Lisi të Besim Sahatciut. Por ekranit televiziv nuk i mungoi as në serialet vendore si: Cimerat, Kombinati e Pleqt, si dhe së fundmi në Ça ka Shpija.

“Shaban Murati për ne kroatët është Milan Shuflaj shqiptar!” -Deklaratë e Ambasadorit të Kroacisë në Shqipëri

Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, H.E. Zlatko Kramariç, në fjalën e mbajtur në ceremoninë e promovimit të librit të tij “Kritika e mendjes politike”, të përkthyer dhe të botuar në gjuhën shqipe, deklaroi:
“Dua të falenderoj veçanërisht promovuesin Shaban Murati, që është një nga njohësit më të mirë të politikave në rajon. Unë mësoj shumë prej tij mbi Ballkanin Perëndimor kur shkruaj rreth mendjes politike shqiptare dhe shkrimet e tij janë ndër më të dobishmet.
Ne së shpejti do të kemi rastin të promovojmë librin e tij për marrëdhëniet shqiptaro-kroate në Zagreb në gjuhën kroate. Unë e falenderoj për gjithçka ka bërë për çeshtjen kroate në Shqipëri.
Shaban Murati për ne kroatët është Milan Shuflaj shqiptar”.

Më 15 prill 1928 lindi poeti i shquar shqiptar Murat Isaku

 

Murat Isaku (Gajre, 15 prill 1928 – Tetovë, 24 gusht 2005) ka qenë arsimtar, poet, romancier, tregimtar si dhe ka lënë një monografi për poetin Lasgush Poradeci.

Biografia

U lind në Gajre të Tetovës më 1928, shkollimin e ndoqi në Tetovë, Elbasan, Prishtinë, Prizren, maturën e mbaroi në Normalen e Gjakovës, studimet e larta për gjuhën dhe letërsinë i mbaroi në Beograd më 1953. Punoi si profesor i gjuhës shqipe në gimnazin e Tetovës dhe mëtej u emërua zv. drejtor i kësajë shkolle. Duhet theksuar se u caktua redaktor i TV Shkupit për emisionet e gjuhës shqipe nga edhe u pensionua.

Ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare në Tetovë në vitin 2005.
Tituj të veprave

Zani i malit (1960)
Buzëqeshjet e mesditës (1963)
Drithmat (1975)
Blana (1982)
Unaza e djerrinës (1971)
Gërsheti (1978)
Sheshtina (1982)
Dielli e din rrugën e vet (1965)
Flaka e vonar (1973)
Plagët (1975)
Etje (1982)
Damkat (1986)
Shtjella (1989) [2]
Gjaku i sharraxhive19??(në vazhdime në Flaka e vëllazërimit)
Ngushëllimi i Bukur
Fatprerët

Piktura e fundit e Caravaggio shfaqet në Londër – një finale e errët, vrastare, drithëruese

Tërbim, masakër, vdekje, keqardhje… Martirizimi i Shën Ursulës, që besohet të jetë vepra e fundit e Caravaggio-s, është kaq mahnitëse. Piktura e fundit e mjeshtrit italian Caravaggio shfaqet për herë të parë në këto 20 vjet në Galerinë Kombëtare në Londër. 

Ekspozita e re e Galerisë Kombëtare “The Last Caravaggio” hedh dritë mbi artistin stuhishëm italian, i cili ishte në arrati dhe i akuzuar për vrasje në kohën kur pikturoi veprën e tij të fundit.

Në kulmin e famës së tij në Romë, Michelangelo Merisi da Caravaggio dihet se kishte të paktën 12 libra. Po ne nuk e përfytyrojmë dot Caravaggio-n si lexues. Një përleshës nëpër rrugë, një vrasës, po. Por jo një intelektual. Megjithatë, piktura e tij Martirizimi i Shën Ursulës, e cila ka ardhur në Galerinë Kombëtare në Londër nga Napoli, dëshmon se ai mund të gërrmonte nëpër një libër për diamantet e tij të fshehura.

Përralla e Ursulës, një princeshë e hershme kristiane nga Britania e cila lundroi për t’u martuar dhe me shpresë për të konvertuar një princ pagan të shoqëruar nga jo më pak se 11,000 virgjëresha, është një nga përrallat fetare të rrëfyera në një përmbledhje mesjetare tepër të çuditshme të quajtur Legjenda e Artë.

Caravaggio padyshim e studioi me kujdes këtë burim të shekullit të 13-të, sepse ai pa diçka në të që askush tjetër nuk e kishte.

Artistët e mëparshëm përshkruanin spektaklin  dhe udhëtimet epike, që kulmuan me martirizimin masiv të tmerrshëm.

Caravaggio në vend të kësaj banon në një moment intensiv të izoluar. 11,000 shoqëruesit e Ursulës u vranë nga “fisi Hunnish” në Cologne (për të cituar përkthimin e Ëilliam Granger Ryan), por Ursula u kursye.

Shefi i Hunëve “u mahnit nga bukuria e saj e mrekullueshme”. Ai u përpoq ta gëzonte – hej, më fal për martirizimin masiv – dhe i kërkoi të martohej me të. “Por ajo e përçmoi ofertën e tij dhe ai, duke parë që ajo e përçmonte atë, e goditi me një shigjetë.”

Kjo është ajo që pikturon Caravaggio. Mbreti hun është i pushtuar nga tërbimi, me fytyrën e tij të kuqe të zjarrtë, të tërbuar si luani në parzmoren e tij prej bronzi. Ai sapo ka gjuajtur shigjetën në pikën e tërbimit.

Ursula shikon poshtë, me fytyrë të qetë, në boshtin e zhytur në gjoks. Nuk ka ushtri, nuk ka tuma kufomash si në përshkrimet e mëparshme.

Në vend të kësaj, Caravaggio bën atë që bëri Shekspiri i tij bashkëkohor me Holinshed dhe Cinthio për të krijuar Makbethin dhe Othello: ai nxjerr esencën njerëzore nga rrëfimi i zhurmshëm.

Kjo është një dramë e madhe që luhet në thellësi të natës – dhe Galeria Kombëtare në Londër e vë në skenë në atë mënyrë.

Martirizimi i Shën Ursulës varet në një hapësirë të zymtë me një grusht dokumentesh mbështetëse dhe një pikturë tjetër. Është hipnotike.

Teatri i Londrës mund të jetë i kushtueshëm, por këtu është një dramë marramendëse e tërbimit, dhunës, vdekjes dhe ndoshta fajit, keqardhjes dhe pranimit – dhe mund ta shihni falas.

Ka gjithashtu një kameo nga vetë Caravaggio, në autoportretin e fundit që ai ka pikturuar ndonjëherë, duke qëndruar pas Ursulës.

Vetullat dhe flokët e tij janë të zeza. Po ashtu edhe sytë e tij. Është joshëse t’i quash pa dritë, por ka dy pika të vogla të bardha në secilën. Ato pasqyrojnë burimin e dritës që nxjerr këto figura të dëshpëruara gjatë natës.

Ky ndriçim “kinematik” e ka bërë Caravaggio një superyll në epokën e ekranit. Por ai e tronditi Romën në fillim të viteve 1600, gjithashtu, duke vëzhguar dritën aktuale.

Të vendosura në dhoma të thjeshta ose rrugë anësore, skenat në pikturat si Thirrja e Shën Mateut ndriçohen nga një burim i vetëm nga ana që ekspozon detaje të guximshme nga errësira përreth./ar/sh/SYRI.NET

ImageImage

Zbulohet vrima e dytë e zezë më e madhja në Rrugën e Qumështit

VOA/Marrë nga Reuters

Astronomët kanë zbuluar një vrimë të zezë me një masë rreth 33 herë më të madhe se ajo e Diellit, më e madhja që gjendet në galaktikën tonë të njohur si “Rruga e Qumështit”. Një vrimë tjetër e zezë, supermasive, gjendet në qendër të galaktikës sonë.

Vrima e zezë e sapo identifikuar ndodhet rreth 2000 vite dritë nga Toka, relativisht afër në aspektin kozmik, në konstelacionin Aquila dhe ka një yll shoqërues që rrotullohet rreth saj, thanë studiuesit të martën. Një vit dritë është distanca që përshkon drita gjatë një viti, rreth 9.5 trilionë km.

Vrimat e zeza janë pjesë e hapësirës në univers ku graviteti është aq i fuqishëm sa edhe drita nuk mund të shpëtojë, çka e bën të vështirë zbulimin e tyre.

Kjo vrimë e zezë u identifikua përmes vëzhgimeve të bëra nga misioni Gaia i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, pasi shkaktoi lëkundjen e yllit që e shoqëron atë. Misioni Gaia po harton një regjistër madhor të yjeve.

Për verifikimin e masës së vrimës së zezë u përdorën të dhëna nga teleskopi shumë i madh i Observatorit Evropian Jugor me bazë në Kili dhe observatorë të tjerë tokësorë.

“Kjo vrimë e zezë nuk është vetëm shumë masive, por edhe shumë e veçantë në shumë aspekte. Në të vërtetë është diçka që kurr nuk e prisnim ta zbulonim”, thotë Pasquale Panuzzo, inxhinier kërkimor në agjencinë franceze të hulumtimeve CNRS, që punon në Observatorin e Parisit. Ai është autori kryesor i studimit të botuar në revistën “Astronomy & Astrophysics”.

Një nga veçoritë është se vrima e zezë, e quajtur Gaia BH3, dhe ylli i saj shoqërues po udhëtojnë brenda galaktikës në drejtim të kundërt të mënyrës se si yjet sillen zakonisht në orbitat e tyre në Rrugën e Qumështit.

Gaia BH3 ndoshta u formua pas shpërbërjes së një ylli që ishte rreth 40 herë më masiv se dielli, thanë studiuesit.

Vrimat e zeza që formohen nga shpërbërja e një ylli të vetëm quhen vrima të zeza yjore. Gaia BH3 është vrima e zezë yjore më e madhe që njihet deri tani, sipas astronomit dhe bashkautorit të studimit Tsevi Mazeh nga Universiteti i Tel Avivit në Izrael.

Kur ylli në fjalë shpërtheu në fund të jetëgjatësisë së tij, fenomen që njihet si supernova, një pjesë e materialeve përbërëse u përhapën në hapësirë, ndërsa pjesa e mbetur shpërtheu dhunshëm duke krijuar vrimën e zezë. Universi mendohet se ka një moshë prej 13.7 miliardë vitesh.

Ylli shoqërues i vrimës së zezë, Gaia BH3, është po aq i vjetër sa ylli tjetër që shpërtheu dhe është rreth 76% e masës së diellit dhe pak më i ftohtë, por ka një ndriçim rreth 10 herë më të lartë.

Ylli rrotullohet rreth vrimës së zezë në një orbitë eliptike në një distancë rreth 4.5 herë të madhe se ajo midis Tokës dhe Diellit, matje që quhet si njësi astronomike, shkurtimisht AU dhe 29AU. Për krahasim, Jupiteri rrotullohet rreth pesë AU nga Dielli dhe Neptuni rreth 30 AU.

“Zbulimi befasues për mua ishte fakti se përbërja kimike e këtij ylli shoqërues nuk tregon asgjë të veçantë, kështu që nuk u ndikua nga shpërthimi i supernovës së vrimës së zezë”, tha astronomia dhe bashkëautorja e studimit Elisabetta Caffau, e cila punon me Observatorin e Parisit.

Shkencëtarët nuk janë të sigurt se sa të mëdha mund të jenë vrimat e zeza yjore. “Masa maksimale e një vrime të zezë yjore është çështje e debatit aktiv shkencor”, tha shkencëtari Panuzzo.

Koncert për violinë “7 Capriccio” i kompozitores Ina Kosturi në katalogun e Universal Edition të Vjenës

Profesore Ina Kosturi është diplomuar për violinë në Akademinë e Lartë të Arteve dhe në konservatorin “Umberto Giordano” në Itali. Ka dhënë 25 recitale, është autore e katër librave dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh kritikë në shtypin e përditshëm. Ina Kosturi është një kompozitore shumë e vlerësuar.

Sot në rrjetin social Ina Kosturi bën me dije si më poshtë:

Po ndaj me ju nje lajm te bukur , u publikova si kompozitore ne shtepine e njohur vjeneze me eksperience 100 vjecare qe shperndan muzike ne mbare boten, Universal Edition ! Mund te gjeni atje krijmtarine per violine  solo “ 7 Capriccio “, Violin Concerto si dhe te tjera ne ditet ne vazhdim ! Emocion pafund te gjendesh ne kataloget dhe te shikosh dhe emrin tend bashke me koloset boterore e kompozitore te shquar te diteve te sotme ! Nje kenaqesi , vleresim qe Vjena i ka dhene gjithmone shqiptareve , e sot jam personazh i ketij vleresimi ! Faleminderit Vjena 🇦🇹🇦🇱🎻🎻🎶🎶❤️❤️

TURMAT- Poezi nga SHKËLQIM ALIMADHI

Le të jenë turmat plot ngjyra  shpirtrat kan’ gri,

gjenezën kan’ prej zjarit,

thatësir në trup dhe trurin si eshk,

një shkëndiz e vogël dhe marin flak,

mania e tyre tortuaret ti mbushin plot gjak,

rrugicat janë baltosur asfaltet mbushur me një kalim,

shirita të kuq tregojnë nuk lejohet për të kaluar,

jam specie toksore krahë nuk kam për të fluturuar,

akademik që mbajnë era myk, me retorik të shfrenuar,

të aftë të prodhojnë turma me shpirtrat e tyre gri,

kënaqen flak kur ndizen e gjithçka bëhet hi,

duart fërkojnë pas qametit ka uri,

turmat do mblidhen veten do dekorojnë si luftar të liris,

pranga mbërthuer prej ideologjis.

“BALLKANI” I PANO HALLKOS NË VLORË- Nga Albert HABAZAJ

 

Veprimtaria e përurimit të monografisë “Ballkani, viktimë e Gjeopolitikës” e studiuesit Pano Hallko u zhvillua në sallën e madhe “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, të shtunë e 13 prillit 2024, ora 11:00 në kujdesin e Këshillit të Profesorëve të këtij institucioni të lartë arsimor në bëshkëpunim të autorit dhe Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit me Fakultetin e Shkencave Humane, Departamentin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë dhe Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë.
Moderator i veprimtarisë ishte MSc. Albert Habazaj përgjegjës i Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, i cili mbajti dhe fjalën e parë.
Në Vlorë u realizua një veprimtari serioze, e bukur dhe mbresëlënëse me këtë program:
Përshëndetje nga Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” – “Nderi i Kombit”, Dega Vlorë; publicist, mësues veteran;
– Diskutimi kryesor: Ambasador Shaban Murati “Mjeshtër i Madh në Diplomaci”;
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, pedagog DGJSHL në FSHHD; studiues;
Prof. Dr. Rami Memushaj, gjuhëtar;
Doc. Odise Çaçi, historian, ish – pedagog dhe zyrtar i UV;
Intelektuali vranishnjot Bardhosh Mici;
Përëshëndetën Sejmen Gjokoli dhe Kristo Çipa;
Falënderime nga autori, i cili, me dorë në zemër tha, sa për 1000 fjalë, vetëm kaq: FALEMINDERIT!
Në fund, një grup artistësh popullorë me Tomor Lelon, Nazif Çelën, Vendim Kapajn, Bejushe Barjamin, Viron Lacin, Nuro Shkurtin, Lavdosh Shkurtin, Bilbil Bashën, Kristo Çipën, Hiqmet Imamin, Albert Habazajn, artistin e ri Erges Limaj, si dhe veteranin e këngës së Vranishtit Lesko Çeloleskaj e zbukuruan këtë mjedis të veçantë akademik, dhe i dhanë një frymë shpirti me disa këngë të bukura labe, siç dinë të këndojnë bilbilat e Labërisë.
Në këtë aktivitet marrin pjesë pedagogë, studentë, poetë, shkrimtarë dhe artistë të qytetit intelektualë, studiues, personalitete të kulturës, të dipomacisë, të historisë lokale dhe kombëtare.
PANELI:
Pano HALLKO
Shaban MURATI
Rami MEMUSHAJ
Ahmet DEMAJ
Bardhosh GAÇE
Odise ÇAÇI
Bardhosh MICI
Albert HABAZAJ

Vlorën edhe Vlorën
Thelb e kam në zemër,
Ditën e kam dritë
Natën e kam ëndërr…

E bëra jo më kot këtë parantezë shpirti me vargjet e Xha Aliut tonë, Aristokratit të Lirikës Shqiptare, sa të lirikës atdhetare, po aq të asaj dashurore.
Të nderuar pjesëmarrës! Ndihem i nderuar para autoritetit tuaj qytetar dhe shkencor, po aq edhe Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, që me nismën e këshillit të Profesorëve po zhvillon sot në mjediset e sallës së madhe të Konferencave përurimin e një libri të veçantë, monografinë “Ballkani, viktimë e gjeopolitikës” me autor Pano Hallkon, studiuesin vlonjat, me origjinë nga Vranishti i Himarës labe. Pas vëmendjes që tërhoqi me dy librat: “Shqipëri të paça ligjet” (2020) dhe “Greqia dhe Shqipëria, siç nuk duhet të jenë” (2020), autori e ngre stekën botimore, sepse e njeh vetveten dhe ç’ka shkruan. Libri që përurojmë sot në Vlorë “Ballkani – viktimë e gjeopolitikës” me një material të ngjeshur në 371 faqe, që vjen si botimi më i arrirë i autorit dhe i pari e ndoshta ndër më të mirët që rrok tema të nxehta e të vështira nga fusha e gjeopolitikës, e marrëdhënieve ndërkombëtare, në funksion të të cilave vë njohuritë historike të tij që ka fusha e historisë rajonale dhe politikës botërore. Ky libër ka bërë jehonë në Tiranë, në Akademinë e Shkencave, në Akademinë e Sigurisë e gjetkë, ka bërë bujë të madhe në medie që nga “Gazeta shqiptare”, “Telegraf”, “Dita”, “Sot” etj. apo portale si “Fjala e Lirë”, “Destinacion”, “Albspirit” etj. Por studiuesin tonë e gërryente përbrenda brenga: “Mirë, o mirë Metropoli, po Vlora ime çdo të thotë?!” Vlorën edhe Vlorën e donte se s’bën studiuesi lab i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ja, ia arriti kësaj dite në Vlorën e tij, në Vlorën tonë të na nderojë së bashku me autoritete të larta si diplomati Shaban Murati, Prof. Rami Memushaj.
Personalisht unë librin e kam marrë më 17 Dhjetor 2023 në Tepelenë gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit të VII të Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” – “Nderi i Kombit”. Nuk kam pse ta fsheh që e kam lexuar me kërshëri dhe interes, saqë i kam përtypur për të formatuar mendimin tim për objektin e studimit dhe tërësinë strukturore të lëndës që na dhuron autori atdhetarisht, por së pari vërtetetësisht.
Mendoj se me këtë libër Pano Hallko ka dhënë një ndihmesë të çmuar në botimet e fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, duke pasur në sy marrëdhëniet ndërkufitare dhe gjitoninë rrotull. Të kuptohemi, nuk kemi të bëjmë me një tekst historie, por me një libër nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku ngushtësisht rroket tema e marrëdhënieve ndërballkanike, si dhe një këndvështrim i ri për mendimin ende të brishtë gjeopolitik të rajonit tonë. Ndërkohë, njohja dhe studimi i mirë i historisë, njohja dhe përdorimin korrekt i disa gjuhëve të huaja, sidomos jeta refugjate në Greqi dhe në vijim puna e tij si emigrant dhe refleksionet situatacionale në vijimësi janë përparësi për këtë studim të rëndësishëm, që po e ballafaqon faqebardhë në bashkësitë horizontale dhe organizmat vertikale. (Domosdo janë 30 vjet punë, po punë siç di të bëjë Pano Hallkokondi).
Për mua, autori Pano Hallko ka 3 cilësi që dallohet në botën shkrimore shqiptare: është studiues këmbëngulës dhe i vëmendshëm, guximtar i fjalës dhe mentar serioz, që e mat fjalën 7 herë ta thotë e ta shkruaj 1 herë, duke i vënë në fund vulën e tij.
Vlera e këtij libri ravijëzohet në disa piketa, por fakti që autori plugon thellë në gjenezën e Mëhallës sonë të Ballkanit, gjendjen sociale dhe përditësimin krahasimtar të ngjarjeve, datave, personazheve historikë a shteteve me ndikim, si dhe pjesëtarëve të ndikuar a shteteve të tillë. Është një ndihmesë parësore në fushën delikate por shumë të rëndësishme të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk ka popuj të këqinj, ka politika të liga. Popujt, kudo në vbotën e qytetëruar, jo vetëm në Ballkanin tonë, janë të mirë. Të mëdhenjtë për interesat të tyre të vogla e të ngushta e bëjnë kur u do qejfi fuçi baroti.
Por “Fatet e shtetit fillestar shqiptar të Shqipërisë janë vendosur historikisht nga Fuqitë e Mëdha – shkruan autori – Ballkani ka qenë viktimë e Gjeopolitikës, por Shqipëria ka qenë viktimë e shovinizmit të fqinjëve tanë vertikalë”. Dhe më tej me humor të hidhur shkruan: “Helsinki na paska pasur ndërmend, atëherë kur ne nuk e dinim se ai ekzistonte” (f.10).
Mund të mos jesh plotësisht dakord me idetë, tezat apo interpretimet e autorit të këtij studimi, – thekson diplomati i karrierës, gazetari dhe publicisti poliedrik, Shaban Murati – por duhet thënë se me këndvështrimin e tij këmbëngulës, kërkues dhe me mënyrën interesante të analizës verbale dhe horizontale të gjeopolitikës ballkanike, autori krijon kushtet për një debat të vërtetë në fushën e historiografisë dhe diplomacisë, si rrugë për tek e vërteta e kuptimit dhe e reagimit të mendimit politik dhe diplomatik shqiptar (f.16).
Përveç lëndës që na paraqet, autori shfrytëzon një bibliografi serioze dhe të pasur, ç’ka më jep mundësinë si bibliograf, që të shprehem se nga studiuesi Pano Hallko, bibliotekat tona dhe ato institucionale pasurohen me një monografi shkencore ku ndërthuren disa disiplina në funksion të objektit të punimit, marrëdhëniet ndërballkanike.
Shqetësimi i rëndë që përjetojmë në rrjedhat e historisë përgjatë kohës është se Ballkani ende po ngelet viktimë e gjeopolitikës apo asaj meskine primitive, sa e sa herë arenë e kësaj gjeopolitike agresivisht fatale, ku në finale Ballkani ka humbur egërsisht, tragjikisht, pameritueshëm.
Ky libër më motivon që një ditë Ballkani ynë të zerë vendin e duhur, pse jo, si lider i gjeopolitikës, se i takon, se e meriton tash sa kohë. Unë kam besim edhe ky libër i Panos më mbush…, më frymëzon, sikur të isha një entuziast romantik.
Pano Hallko na kujton që është koha për një kushtrim kombëtar, i cili zanafillën duhet ta ketë tek një autokushtrim: “Do të dimë të krenohemi me Naimin, kur të vëmë në zbatim Porosinë e Madhe të tij: “Atë notë që t’i vendosim ne vetes, atë notë do të na vendosin të tjerët ne”” (f. 364).
Nuk mund të rri pa përmendur edhe një ndjenjë, mbushur sa me trishtim, aq me krenari, që përjetova, kur pasi mbarova librin, lexova kushtimin e autorit, që gjithësecilin nga ne punëtorët e mirë të penës, me veçoritë specifike që kemi, na mbush me gurrën e dinjitetit familjar: “Ia kushtoj këtë libër Familjes sime, e cila tre herë përjetoi mjerimin ekonomik, për shkak të analizave të mia në shtypin e përditshëm. Sepse mynafikët e pushteteve mernin hak, duke më pushuar nga i vetmi “biznes” që pata në jetë, nga puna e shtetit”…
Nuk është synimi i këtij shkrimi të bëj jetëshkrimin e autorit apo të merrem me ravijëzimin e intetitetin gjeografik të Panos, por mendoj që në formimin e tij atdhetar si pishtar i së vërtetës dhe rreptësisht vetëm asaj, vendlindja e madhe Vlora e Flamurit dhe Labëria me histori e këngë i kanë lënë gjurmët e duhura tek ky studiues. Kujtesa historike na vjen e gjallë dhe jehon me kumbim logjik: “Që në Gumenicë e lart’/ Himarë i thonë çdo fshat…”. Nuk është fjala për Gumenicën e Lumit të Vlorës, por për atë Gumenicën historike, që ka ngelur jashtë kufijve jugorë të kësaj Shqipërize zyrtare… Dikur Labëria quhej Himarë dhe kishte 73 fshatra. Kur themi Himarë kuptojmë Labërinë, kur themi Labëri, jo vetëm me gjuhën historike, por edhe me gjuhën e së vërtetës jetësore nënkuptojmë Himarë. Labëria dhe Himara janë sinonime të njëra-tjetrës.
Në fundmi, në thellimin e duhur të identitetit gjeografik, vlonjati labo-himariot Pano Hallko është një vranishtnjot i devotshëm dhe Vranishti është gurra, qeliza e tij. Në syrin tim, Vranishti është një kapetanatë trimërie dhe mendimi emancipues e përparimtar, që Panon e bën krenar, por jo mendjemadh dhe e motivon për punë të mira dhe të dobishme.

Më 15 prill 1923 lindi Jakov Xoxa, një ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqipe

Jakov Xoxa (Fier, 15 prill 1923 – Budapest, 28 prill 1979) ka qenë partizan i Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, pas lufte qe gazetar dhe shkrimtar. Vepra e tij më e famshme është romani Lumi i vdekur botuar më 1964 në Tiranë, për të cilin mori çmimin e Republikës së Shkallës së Parë dhe vepra u brohorit nga kritika shqiptare si një kryevepër e narrativës socialiste.

Biografia

U lind në Fierit më 15 prill 1923. Vitet e para të shkollimit i ndoqi në qytetin e lindjes, pèr t’i vazhduar më pas në Vlorë, Kavajë, Korçë; qytete ku shkonte pèr të punuar i ati i tij, Thanasi. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në qytetin e Elbasanit, por e ndërpreu gjatè pushtimit italo-gjerman dhe e përfundoi në Tiranë, pas çlirimit.

Që i ri mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore, fillimisht si guerrilas në qytetin e lindjes dhe më pas në mal, si partizan.

Pas Çlirimit të vendit vazhdoi studimet e larta për filologji dhe njëkohësisht bëri hapat e para në poezi dhe në prozë. Më 1949 botoi veprën e parë në prozë Novela. Krijimtarinë letrare në këtë zhanër e vazhdoi dhe gjatë viteve ’50, kështu në vitin 1958 botoi veprën e dytë, po me atë titull Novela. Ndërkohë botoi dhe dy drama Buçet Osumi dhe Zemra. Që nga viti 1957 punoi profesor në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku për shumë vite ligjëroi lëndën Teoria e letërsisë. Për nevojat e studentëve, në formën e dispencës, hartoi vepra teorike të domosdoshme për kohèn si Hyrje nè letèrsi, Teoria e letèrsisè dhe Metrika. Ndèrkohë punoi edhe për një vepër të plotë teoriko-letrare, Bazat e teorisë së letërsisë, që ishte nga veprat më serioze të kohës (si degë e shkencës mbi letërsinë). Kjo vepèr u botua po ashtu nè formè dispence mè 1972. Ndonëse në të autori ofronte dije dhe përvojë teorike letrare të gjerë, që dilte jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës, kjo vepër e rëndësishme për shkencën letrare shqiptare pati kritika të skajshme dhe autori, pa bujë dhe zhurmë, ashtu siç ishte gjatë tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur në vete, u tërhoq në vetmi.

Gjithsesi, vepra në fjalë pati edhe përkrahës të shumtë, sidomos në rradhët e studiuesve, pedagogëve dhe studentëve të letërsisë, dhe, po brenda atij viti, njè pjesë e konsiderueshme e saj u ribotua, e ripunuar dhe e zgjeruar, bashkë me dy autorë të tjerë (N.Lezha, P Kraja), në katër vëllime, me të njejtin titull: Bazat e teorisë së letërsisë

Pjesën më të madhe të jetës krijuese Jakov Xoxa e kaloi në Pojan, një fshat myzeqar afër Fierit, ku, krijoi romanet Lumi i vdekur (1965) dhe Juga e bardhë (1971), ndërsa romanin Lulja e kripës (1978) e shkroi gjatë viteve të qëndrimit në Ballsh, ku po ndiqte nga afër ndërtimin e Uzinës së Pasurimit të Naftës, e cila do të ishte në epiqendër të romanit të ardhshèm Ari i Zi. Tre romanet e përfunduara dhe të botuara bëjnë pjesë në rrethin e romaneve artistikisht më cilësorë të letërsisë shqiptare.

Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si Lumi i vdekur, periudhën gjatë luftës, si romani Lulja e kripës, apo edhe periudhën e kolektivizimit të bujqësisë (vitet 60) si Juga e Bardhë. Në këto vepra gjejmë një shtrirje të pakufishme të rrëfimit që mbulon plotësisht hapësirën e jetës dhe të ekzistencës së mjedisit shqiptar.

Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit 20. Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues-realist : fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime. Shëmbëllyèeshëm me romanet e shquara realiste, Jakov Xoxa do ta vendosë dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti, të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike.

Parashenja më karakteristike e prozës së Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare : nga njëra anë është e pranishme fryma e urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv ; nga ana tjetër, kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi.

Mirënjohje

Urdhri “Nderi i Kombit”

Bibliografi

“Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1949.
“Buçet Osumi”, dramë, 1956.
“Zemra”, dramë, 1958.
“Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1958.
“Lumi i vdekur”, roman, 1964.
“Juga e bardhë”, roman, 1971.
“Lulja e kripës”, roman, 1980/81.

(Wikipedia)


Send this to a friend