VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pesë shtete arrijnë marrëveshje për statusin ligjor të Detit Kaspik

By | August 12, 2018

Komentet

Jordania nuk do të ripërtërijë lëshimin e territorit ndaj Izraelit

Autoritetet zyrtare në Jordani i thanë Izraelit se nuk do të ripërtrijnë kontratën 25 vjecare të përdorimit të territorit të saj përgjatë kufirit, në të cilin Izraeli kishte të drejta deri më 1994, nën traktatin për paqe, por tha se do të diskutojë për zgjatjen e përdorimit.

Sipas, Izraeli ka pasur të drejtë të udhëtojë në disa pjesë të Jordanisë dhe të shfrytëzojë disa toka.

Mbreti Abdullah, që ka qenë nën presion publik për të përfunduar marrëveshjen e përdorimit të tokës, tha se Mbretëria ka dashur të ushtrojë sovranitet të plotë në të dy zonat.

Kryeministri Benjamin Nenanyahu, tha se vendi i tij do të negociojë me Jordaninë për vazhdimin e marrëveshjes 25 vjecare.

Marrëveshja 25 vjecare përfundon vitin e ardhshëm.

Rusia nuk pranon ndryshimin e emrit të Maqedonisë

Rusia nuk e pranon ndryshimin e emrit të Maqedonisë, bazuar në marrëveshjen me Greqinë.

Pas votimit në Kuvendin e Maqedonisë, nëpërmjet profit në rrjetin social “Twitter” të ambasadës ruse, Rusia dërgoi një mesazh ku thotë se e pranon Maqedoninë nën emrin e saj kushtetues dhe se këtë qëndrim nuk do ta ndryshojë.

“Rusia e ka njohur Republikën e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues më shumë se para 26 vjetësh dhe nuk do ta ndryshon qëndrimin e saj”, shkruhet në profilin e ambasadës ruse në Shkup.

Pyetja që shtrojnë të gjithë: “Ku është trupi i Khashoggit”

STAMBOLL– Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. 18 ditë pas, autoritetet saudite dhanë deklarata ku u pranua se Khashoggi ka vdekur si pasojë e një grindjeje që kishte ndodhur në konsullatë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërkaq të gjithë që ndjekin zhvillimet në lidhje me rastin që nga dita e parë pyesin “Ku ndodhet kufoma e Khashoggit?”.

Deklaratat që vijnë nga sauditët në lidhje me vdekjen e Khashoggit, nuk e kanë ndriçuar rastin se si ka ndodhur ngjarja ndërkaq nuk përmbajnë ndonjë përgjigje as në lidhje me atë se ku ndodhet kufoma e Khashoggit.

Aktivistët, shkrimtarët dhe gazetarët të cilët merren me rastin e vrasjes së Khashoggit, duan të dinë se ku ndodhet kufoma e tij.

Gazetari i gazetës amerikane “New York Times”, Roger Cohen në një shkrim pas lajmit të vrasjes me një qëndrim sarkastik pyet se a është vrarë “Në grindje duke u mbytur me dorë?”.

Cohen më tej ka shtruar pyetjen se “A janë dërguar 15 persona për t’u takuar me Khashoggin? A mbante njëri prej tyre sharrë? Khashoggi ka dalë nga kompleksi i konsullatës 17 ditë më pas?

“Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo është dërguar në Rijad që ata të shkruajnë një histori të pranueshme?”

Cohen po ashtu shprehu mendimin e tij se sauditët kanë rikrijuar historinë, duke thënë se “Nëse Sekretari amerikan Pompeo është dërguar në Rijad që ata të shkruajnë një histori më të pranueshme, duhet të japim lajme të mira se kjo detyrë ka rezultuar me dështim”.

Në anën tjetër aktivistja nga Jemeni, fituese e çmimit Nobel për Paqe, Tawakkol Karman deklaroi se zëvendës shefi i inteligjencës saudite, Ahmed Asiri dhe nënsekretari i Gjykatës Mbretërore Suud bin Abdullah el-Kahtani janë larguar nga detyra prë shkak se “kishin dështuar që të përfundojnë pa skandal vrasjen e Jamal Khashoggit”.

Pas largimit nga detyra të dy personave në fjalë Mbreti Salman bin Abdulaziz urdhëroi ristrukturimin e shërbimeve të përgjithshme të inteligjencës me një komision i cili do të rithemelohet nën kryesimin e princit trashëgimtar Muhammed bin Salman.

“Pas Jamalit do të dalin një mijë Jamalë që do të marrin në dorë pishtarin e lirisë”

Akademiku dhe komentatori i njohur politik nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) Abdulhalik Abdullah në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social Twitter tha se ”Sot është një ditë shumë pikëlluese për mua, miqtë e Khashoggit dhe për të githë njerëzit e lirë të botës. Të gjithë ata që kanë dalë përpara për të thënë me guxim fjalën e drejtë, që kanë hyrë në luftën e lirisë, po e paguajnë shumë shtrenjtë këtë çmim. Miku im, në mungesën tënde do të vazhdojë marshimi për liri. Do të dalin një mijë Jamalë të cilët do të marrin pishtarin e lirisë pas Jamalit”, tha ai.

Mendimtari dhe akademiku nga Egjipti, Seyfeddin Abdulfettah ka kritikuar qëndrimin e Arabisë Saudite në lidhje me rastin Khashoggi. “Përse Arabia Saudite shumë herë mohoi vrasjen e Khashoggit? Ku është kufoma e tij? Pse dy javë pas zhdukjes së tij doli ‘Historia e grindjes’ që shkaktoi vdekjen e tij?”, tha ai.

Aktivisti i njohur nga Egjipti, Wael Ghonim thotë se “Në çdo vend të botës, në mendjen dhe zemrën e shumicës së njerëzve do të jetojë kujtimi i dëshmorit të mendimit Khashoggi”.

“Kishte testament të varrosej në Medine”

Duke potencuar se Khashoggin e ka njohur si një njeri fisnik, Ghonim shprehu dëshirën që njerëzit e mençur në Mbretërinë Saudite të kuptojnë rëndësinë e dënimit të të gjithëve pa bërë dallim nëse janë të nivelit të lartë, të cilët kanë marrë pjesë, kanë planifikuar dhe miratuar këtë krim brutal.

Gazetari saudit Musa Omer duke pyetur se ku gjendet kufoma e Khashoggit rikujtoi se Khashoggi ka testament për t’u varrosur në Medine.

Ndërsa gazetarja libaneze Necla Ebu Mera theksoi joseriozitetin e deklaratës nga autoritetet saudite me ç’rast parashtron pyetjen: “Nëse ka vdekur si pasojë e një grindjeje, ku është kufoma e tij?”.

Gazetari nga Jemeni, Hamdi el-Bekkari në një postim nga rrjeti social Twitter pyet: “Kërkojmë përgjigje për pyetjen për të cilën të gjithë janë kurreshtarë ‘Ku është kufoma e tij’”.

Gjithashtu edhe gazetarja nga Bahreini, Nezihe Said është e të njëjtit mendim se është detyrueshme që të jepet një përgjigje në lidhje me atë se ku ndodhet kufoma e Khashoggit. Ajo thotë se për vendosjen e drejtësisë nuk mjafton vetëm që mbreti i Arabisë Saudite Salman bin Abdulaziz të largojë nga detyra zyrtarët sauditë pas vrasjes së Khashoggit.

Princi saudit do të kryesojë hetimin për vdekjen e zotit Khashoggi

Arabia Saudite pranoi që bashkëpunëtori i gazetës “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, ka vdekur. Mediat shtetërore saudite thanë se Kashoggi vdiq pas një zënke në konsullatën saudite në Stamboll, dhe njoftuan se do të zhvillohen hetime. Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve në Arizona se ky është një hap i parë i madh. Ai shtoi se ekzistojnë megjithatë pikëpyetje të tjera për sauditët dhe se do të bashkëpunohet me Kongresin për këtë çështje.

Arabia Saudite ka pranuar vdekjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe njoftoi se Princi i Kurorës, Mohammad bin Salman, do të udhëheqë hetimin një-mujor. Qeveria saudite tha se ka shkarkuar pesë zyrtarë të lartë dhe ka arrestuar 18 sauditë të tjerë si pasojë e hetimeve fillestare. Ndër të shkarkuarit është Saud al-Qahtani, një këshilltar i afërt i princit, si dhe zëvendës drejtori i shërbimit të zbulimit, Gjeneral Major Ahmed al-Assiri.

Në Uashington, protestuesit marshuan nga Shtëpia e Bardhë drejt Departamentit të Shtetit për të kërkuar një përgjigje më të ashpër nga administrata Trump pas njoftimeve nga Turqia se zoti Khashoggi u vra dhe u copëtua brenda konsullatës saudite në Stamboll më datë 2 tetor, nga një ekip saudit prej 15 vetësh që hynë në Turqi dhe u larguan me një avion të posaçëm po atë ditë.

Takimi të martën i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo me princin saudit të kurorës u kritikua nga disa ligjvënës amerikanë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Sekretari Pompeo i mbrojti takimet e tij me sauditët gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, dhënë dje në Mexico City për Greta Van Susteren.

“Në Arabinë Saudite u takova me mbretin, u takova më gjatë me princin e kurorës dhe më tej me Ministrin e Jashtëm Jubeir, duke ua bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara e marrin shumë seriozisht këtë çështje. Se ne nuk i aprovojmë vrasjet pa gjyq dhe aktivitete të këtij lloji. Se kjo nuk përputhet me vlerat amerikane dhe se mbetet në përgjegjësinë e tyre pasi incidenti ndodhi në konsullatë”, i tha Zërit të Amerikës, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Ish-ambasadori amerikan në Arabinë Saudite, James Smith, nuk beson se administrata Trump do të ruajë një pozicion parimor për të drejtat e njeriut.

“Kjo administratë ka formuar një marrëdhënie transaksionesh me Arabinë Saudite, ndërsa më parë ne kishim një marrëdhënie strategjike me ta. Gjatë kohës që unë isha në detyrë, mund të bisedonim për të drejtat e grave, të drejtat e njeriut dhe hapësirën publike. Asgjë nga këto nuk ndodh tani, pasi marrëdhënia është e fokusuar tek paraja”, thotë ish-ambasadori Smith.

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë po mbajnë një qëndrim më të ashpër.

“Republikanët janë treguar më të ashpër se demokratët… Është një nga çështjet e pakta në Uashington, ndoshta e vetmja, që gëzon mbështetje dypartiake”, thotë Robin Wright, e Qendrës “Woodrow Wilson”.

Uashingtoni duhet të vendosë tashmë se si të reagojë ndaj zhvillimeve më të fundit, pasi Arabia Saudite pretendoi për dy javë se nuk dinte çfarë i kishte ndodhur Jamal Khashoggit.

Demonstrata kundër Brexit dhe thirrje për referendum të ri

LONDËR – Demonstruesit kundër Brexit u mblodhën në qendër të Londrës në një tubim për të thirrur një referendum të ri mbi daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Rreth 150 autobusë sollën në Londër demonstruesit nga e mbarë vendit. Shëtitja e qetë filloi në mesditë, ndërsa më pas është planifikuar të mbahet një miting në Sheshin e Parlamentit para Pallatit Westminster.

“Kaosi i ri i kësaj jave dhe konfuzioni rreth negociatave mbi Brexit kanë treguar se edhe marrëveshja më e mirë që ishte deri tani në qarkullim është e keqe për Britaninë. Votuesit nuk do ta falin, as nuk do ta harrojnë nëse deputetët lejojnë këtë Brexit të mjerë të vazhdojë pa mos thënë populli fjalën e fundit”, tha Andrew Adonis, pjesëtar laburist i Dhomës së Lordëve.

Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të vitit 2019, por për momentin ka shumë mosmarrëveshje në negociatat e të dy palëve. aa

Arabia Saudite: Khashoggi vdiq pas grindjeve brenda konsullatës saudite

ANKARA – Arabia Saudite ka deklaruar se Jamal Khashoggi ka vdekur pas grindjeve brenda konsullatës saudite në Stamboll.

Arabia Saudite po ashtu ka theksuar se 18 shtetas sauditë janë arrestuar lidhur me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

“Ata që kanë lidhje me vdekjen e gazetarit Jamal Khashoggi do të mbajnë përgjegjësi”, theksoi Arabia Saudite.

Arabia Saudite po ashtu largoi nga posti i tij kreun e agjencisë së përgjithshme të inteligjencës së vendit, Ahmed Asiri, si dhe vendosi të formojë komitet ministror për ristrukturimin e agjencisë.

Riadi zyrtar theksoi se informacioni i dhënë nga Turqia ndihmoi Mbretërinë të zbulonte të vërtetën për vrasjen e gazetarit Khashoggi. aa

Kina do të lëshojë “hënë artificiale” në hapësirë

PEKIN – Kina do të lançojë një satelit në hapësirë i cili do të marrë përsipër detyrën e një “hëne artificiale” dhe do të pasqyrojë dritën e diellit në tokë.

Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, sateliti i cili do të ndërtohet në qytetin Chengdu të provincës Sichuan, do të përfundojë deri në vitin 2020 dhe do të bartë pasqyra gjigande për të përcjellë dritën e diellit në tokë.

Nga ky satelit i quajtur “Hëna artificiale” do të prodhohen tre ndërsa planifikohet në vitin 2022 të dërgohen në hapësirë.

Kryetari i Institutit për Kërkime të Sistemit në këtë qytet, Wu Chunfeng, tha se të gjitha punimet rreth satelitit do të kryhen në vitin 2020.

Ai tha se në satelit do të vendosen pasqyra gjigande me të cilat gjatë 24 orëve do të sigurohet ndriçim i vazhdueshëm.

Wu shtoi se drita që do të pasqyrohet nga dielli në tokë do të ndriçojë një sipërfaqe prej 3.600 deri në 6.400 kilometra katrorë. Sipas tij, intensiteti i rrezatimit pritet të jetë 8 herë më i ndritshëm se ajo e hënës.

“Hëna artificiale do të vendoset në një orbitë me largësi prej 500 kilometra nga planeti tokë”, tha Wu, duke treguar se intensiteti i dritës do të mund të rregullohet dhe se njerëzit do të mund ta shikojnë si një yll në qiell.

Wu tërhoqi vëmendjen se “hëna artificiale” në fjalë do të përdoret veçanërisht në fushë civile ndërsa do të mundësojë kursim prej 1.2 miliardë yuan në rast se ndriçon një sipërfaqe prej 50 kilometra katrorë.

Më parë edhe Rusia ka patur punime sa i përket “hënës artificiale”, por për shkak të problemeve teknike nuk arriti sukses. aa

Ministri i Jashtëm indian jep dorëheqje pas akuzave për sulme seksuale

Ministri i Jashtëm i Indisë, MJ Akbar, dha dorëheqje pasi disa gra e akuzuan atë për ngacmime dhe sulme seksuale.

Ish-redaktori i shquar i gazetave është figura e profilit më të lartë që akuzohet nga lëvizja #MeToo e Indisë.

“MeToo” apo “Edhe unë” është një lëvizje ndërkombëtare kundër ngacmimeve dhe sulmeve seksuale.

Akbar tha përmes një deklarate se ka vendosur t’i sfidojë “akuzat e rreme” kundër tij, andaj “e ndjen se është e përshtatshme të largohet nga detyra”.

Akbar ka redaktuar gazeta të ndryshme në gjuhën angleze në Indi, të tilla si The Telegraph dhe The Asian Age.

Akuzat e para kundër tij i ka ngritur javën e kaluar gazetarja indiane, Priya Ramani, dhe më pas kanë pasuar të tjera.

Japoni, u mbajt java e robotëve (fotot)

TOKIO – Në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, u mbajt java e robotëve.

Një numër i madh robotësh u ekspozua në qendrën ndërkombëtare e cila ndodhet në kryeqytetin japonez. Botërisht është e njohur se Japonia është një vend i cili investon shumë në robotikë, më shumë se cilido vend tjetër i botës.

Firmat analitike parashikojnë se deri në vitin 2035, gjysma e vendeve të punës në shtetin e lindjes së diellit do t’u takojnë robotëve. aa

Edhe Australia mund ta njohë Jerusalemin kryeqytet të Izraelit

Kryeministri australian, Scott Morrison.

Australia do të shqyrtojë njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës së saj atje, tha kryeministri australian, Scott Morrison.

Nëse ndodh, ky veprim do të pasonte politikën e ngjashme të SHBA-së, e cila ka shkaktuar kritika në nivel ndërkombëtar, vitin e kaluar.

Morrison tha se Australia mbetet e angazhuar për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Kundërshtarët politikë thonë se komentet e tij janë një “taktikë mashtruese” për vota, përpara një procesi të rëndësishëm zgjedhor që do të mbahet të shtunën.

Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të diskutueshme midis Izraelit dhe palestinezëve.

Palestinezët e konsiderojnë atë si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Izraeli, ndërkaq, e ka pushtuar Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967 dhe pretendon se i gjithë qyteti është kryeqytet i tij.

Vitin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu Jerusalemin kryeqytet të Izraelit, ndërsa ambasada amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem në muajin maj.

Kisha Ortodokse Ruse ndërpren lidhjet me Patriarkanën e Konstandinopojës

Peshkopi rus, Metropolitan Ilarion.

Kisha Ortodokse e Rusisë tha se ndërpren të gjitha lidhjet me institucionin që zotëron autoritetin shpirtëror mbi të krishterët ortodoksë të botës, për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth Kishës në Ukrainë.

Patriarkana e Konstandinopojës njohu së voni pavarësinë e Kishës së Ukrainës nga Moska.

Shumë të krishterë ukrainas e akuzojnë Kishën Ruse për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

Patriarkana e Konstandinopojës mbizotëron mbi 300 milionë të krishterë ortodoksë në gjithë botën.

Moska e kundërshton pavarësinë e Kishës së Ukrainës dhe peshkopi udhëheqës, Metropolitan Hilarion, tha se vendimi për ta njohur atë shkon “kundër së vërtetës historike”.

Rijadi përgatitet të pohojë vrasjen e gazetarit saudit

Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se gazetari i zhdukur Jamal Khashoggi është vrarë, sipas njoftimeve të dy mediave amerikane.

Njoftimet citojnë burime që thonë se vdekja e Khashoggit erdhi për shkak të një operacioni për marrjen e tij në pyetje që shkoi keq.

CNN njofton se ata që qëndrojnë pas operacionit mund të kenë menduar ta rrëmbenin Khashoggin nga konsullata saudite në Stamboll dhe ta çonin atë në Arabinë Saudite për ta marrë në pyetje.

Sipas burimeve, në raportin që përgatitet të publikojë Arabia Saudite pritet të deklarohet se operacioni që çoi në vdekjen e Khashoggit u ndërmor pa lejen e zyrtarëve dhe se ata që qëndrojnë pas vdekjes së tij do të mbahen përgjegjës.

Komentet e Presidentit amerikan Trump

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të hënën se gazetari saudit i zhdukur dy javë më parë mund të ketë qenë viktimë e vrasësve që ishin jashtë kontrollit.

Khashoggi u pa duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, ku kishte shkuar për të marrë disa dokumente martese, por nuk u pa të dilte më.

Presidenti Trump tha se gjatë një bisede telefonike 20 minutëshe të hënën, mbreti saudit Salman i mohoi atij kategorisht të kishte dijeni për atë që mund t’i kishte ndodhur gazetarit, një kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, princit të kurorës Mohammed bin Salman.

“Më i fortë nuk bëhet mohimi që ai më shprehu mua,” tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Ndoshta nuk duhet të futem në mendjen e tij, por kjo më tingëlloi se ndoshta fjala ishte për vrasës jashtë kontrollit, ku ta dish.”

Presidenti i SHBA dërgoi sekretarin e shtetit Mike Pompeo në Riad për të biseduar me Salmanin rreth zhdukjes së gazetarit.

Ai u zotua se nuk do të lerë gur pa lëvizur për të gjetur se çfarë ndodhi me Khashoggin.

Çështja Khashoggi në fokus

Ndërkohë, në Stamboll, policia turke nisi të hënën një kërkim në konsullatën e Arabisë Saudite.

Agjencitë shtetërore të lajmeve të të dy vendeve njoftuan se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe mbreti saudit Salman biseduan lidhur me këtë çështje, gjatë një telefonate që zhvilluan të dielën në mbrëmje.

Arabia Saudite iu kundërvu kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump i cili paralajmëroi ndëshkimin e Riadit lidhur me zhdukjen e gazetarit, duke thënë të dielën se do të hakmerrej me veprime ekonomike “edhe më të ashpra” nëse Uashingtoni do t’i vendoste sanksione.

Tregu saudit i aksioneve shënoi një rënie me shtatë për qind përpara se të ringrihej lehtë, por gjithësesi me humbje prej 5 për qindësh, pas intervistës së zotit Trump për rrjetin televiziv amerikan CBS.

Presidenti amerikan tha se Riadi do të “ndëshkohej ashpër” nëse do të arrihej në përfundimin që mbështet Turqia se Jamal Khashoggi u vra nga agjentë sauditë, brenda konsullatës së këtij vendi në Stamboll,

Sipas autoriteteve saudite akuza është “e pabazë”, por nga ana tjetër ata nuk kanë dhënë asnjë provë që tregon se gazetari u largua gjallë nga konsullata, në të cilën hyri për të marrë dokumentet për martesën e tij të afërt.

Mbretëria bën të ditur se në qoftë se do të jetë objektiv i ndonjë mase, do të reagojë me veprime më të mëdha. Ekonomia e mbretërisë ka një rol me ndikim jetësor në ekonominë botërore dhe ajo ndikohet vetëm prej saj“.

Jamal Khashoggi jetonte në mërgim të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte kritikuar princin e kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman në disa artikuj të publikuar në gazetën “The Washington Post”.

Sipas njoftimeve në shtyp Jamal Khashoggi mund të ketë regjistruar vdekjen e tij me orën inteligjente Apple që mbante në dorë.

Raportet thonë se në momentin që kishte hyrë në konsullatën saudite ai kishte ndezur butonin e orës që bën të mundur regjistrimin e zërit. Gjithashtu thuhet se kishte arritur të regjistronte jo vetëm momentin e marrjes në pyetje dhe torturat ndaj tij, por edhe momentin e vrasjes.

Sipas njoftimeve një grup prej 15 personash me shtetësi saudite patën mbrritur në Stamboll ditën kur Jamal Khashoggi hyri në konsullatë.

Në shenjë proteste ndaj zhdukjes së tij disa drejtues biznesesh në Shtetet e Bashkuara anuluan pjesmarrjen në konferencën “Iniciativa e investimeve të ardhshme” e cila mbahet javën që vjen në Riad, e quajtur ndryshe si “Davos-i i shkretëtirës”, referuar takimit vjetor ekonomik botëror që zhvillohet në Zvicër.

Megjithatë sipas Shtëpisë së Bardhë sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin ka ende në plan të marrë pjesë në konferencë.