VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

PËRURIM ME RESPEKT TË VEÇANTË TË VEPRËS “NGARENDJE”TË BARDHYL OSEKUR – Nga TAHIR BEZHANI

By | August 9, 2019

Komentet

Fantazia zhylveriane e Bubulinos, një realitet i kapshëm për lexuesit e vegjël – Nga Bujar Poçari, Fizikan

 

“Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!” – një libri i ri i shkrimtarit të njohur Viron Kona

Libri “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino”!, që i paraqitet lexuesit, është vazhdim i ciklit të librave serialë artistikë, që kanë krye personazh vogëlushin Bubulino, tashmë mjaft të njohur nga lexuesit e vegjël. Libri renditet i 14-ti në ciklin e Bubulinos. Subjekti i tij pasqyron përgatitjet që po bënë Bubulinoja dhe ekspedita e tij për t`u nisur në planetin Mars.

Dëshiroj t`i kujtoj lexuesit se, libri i parë dhe i dytë me personazh Bubulinon, i përmbledhur në titullin “Eh, more Bubulino!” është shpallur libri më i mirë i vitit 2006, fitues i çmimit UNICEF-AMC, kurse në vitin 2011, është përkthyer në Suedi,me titullin “”MEN KÄRA BUBULINO!”Në ceremoninë e përurimit në qytetin Boras, Suedi, ka qenë i ftuar edhe autori i librit Viron Kona. Gazeta e njohur suedeze “Boras Tidning”, më 19 maj 2011, në shkrimin “Modeli shqiptar”, të gazetarit Erik Jullander, pasi analizon librin, në përfundim shtron pyetjen:
“-Bubulino och Pippi hade kommit bra överens?
-Absolut”.
-“Bubulino dhe Pipi (Çorapegjata), pajtohen shumë mirë me njëri – tjetrin?
-Absolut!” –përgjigjet në mbyllje të shkrimit gazetari suedez.

Tashmë lexuesi i vogël, që ka lexuar ciklin për Bubulinon, është njohur dhe argëtuar me aventurat dhe ndodhitë e njëpasnjëshme të Bubulinos dhe miqve të tij, ndërkohë që përmes zhvillimit të subjektit ka marrë edhe njohuri të shumta me karakter enciklopedik. Mund të themi se, Viron Kona, e ka stil të këtij cikli dhënien e njohurive dhe dijeve të shumta me karakter historik, gjeografik, shkencor, të pasqyruara këto në mënyrë tërheqëse, përmes ngjarjesh, episodesh, dhe aventurave. Kjo mënyrë të shkruari e bënë kureshtar lexuesin e vogël, i cili ndjek hap pas hapi me interesim dhe pa e ndalur frymën aventurat e Bubulinos dhe të shokëve të tij.

Në mbështetje të idesë së mësipërme sjell në vëmendje të lexuesit konsiderata të disa prej personaliteteve të gjuhësisë e letërsisë shqiptare. Në librin “Pesha e fjalës shqipe”(“Ufo Press,Tiranë 2009, fq. 278, akademik Gjovalin Shkurtaj shprehet:“Befasia më e këndshme e lexuesit në librat e Viron Konës është dialogu midis personazheve. Aty ai është mjeshtër i vërtetë. Librat “Dardi” dhe “Eh, more Bubulino” më kanë shërbyer si minierë e pasur për të gjetur dialogë të përshtatshëm për shembullzimin e shumë prej kategorive gramatikore që është e nevojshme të shpjegohen për mësimin e shqipes së folur nga të huajt dhe nga të gjithë ata që mëtojnë përdorimin e saktë dhe të drejtë të formave dialoguese në shqipen e sotme. Mund të përmendim, ndër të tjerë, dialogun e thekur të tregimit “Gomari i Baxhulit” dhe vargun e pyetjeve e nënpyetjeve që nisin me “Pse?” ose “Çfarë?”, dialogun e tregimit “Bubulinoja është kureshtar apo llafazan” etj.
Pasuria, larmia dhe kujdesi që tregon Viron Kona për sintaksën dhe përzgjedhjen stilistike e leksikore frazeologjike të veprave të tij është e tillë që meriton një studim të hollësishëm, punë të cilën shpresojmë ta kryejmë në të ardhshmen vetë, nëpërmjet studimeve të ideuara prej nesh që do t’ua japim si mikroteza studimi pasuniversitarëve dhe studentëve të degës sonë të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës”.

Prof.dr. Pajtim Bejtja, në artikullin vlerësues “Viron Kona,“Babai i Bubulinos”, i botuar në librin: “Blerim i një fushe me krijime të bukura”, të përgatitur nga publicisti Ibrahim Hjadarmataj, në fq. 34., shkruan: “Viron Kona ka hyrë në letërsinë shqipe si një shkrimtar i pasionuar dhe i suksesshëm për të rritur e sidomos për fëmijë. Ai ndër të tjera, është edhe ‘babai’ i Bubulinos së famshëm, të guximshëm, kureshtar e të gjithëditur, që është bërë një nga figurat fëmijërore më të dashura për fëmijët shqiptarë. Bëmat dhe aventurat e tij me shokë, dëshira dhe synimi i tij për të udhëtuar jashtë planetit tonë, përshkruhen në një seri librash në rritje, këndshëm e me humor, duke dhënë, njëkohësisht, një informacion të bollshëm e të larmishëm nga fusha të ndryshme të shkencës (astronomia, gjeografia, historia, fizika etj.), të vlefshëm e interesant për fëmijët. Sa do të më pëlqente të shihja të realizuar një film, me skenar të bazuar në serinë e librave me protagonist Bubulinon!”

Poeti dhe studiuesi Ndue Dragusha, në shkrimin e tij: “Të çuditshmit”, tregime për fëmijë nga Viron Kona”, botuar në “Lisalba”, nr. 131,2005, ndër të tjera shkruan: “Mendoj se duke marrë shembull nga ky libër, duhet parë dhe duhen ndërtuar edhe tekstet shkollore…”

Fabula e Bubulinos, nis me dëshirën e tij fëmijërore që të jetë i pari njeri që do të shkelë në planetin Mars dhe vijon më tej me subjekte, episode dhe aventura interesante dhe mbresëlënëse. Në një intervistë Viron Kona thotë se një lexues i vogël e pyeti një ditë:-Vetëm do të shkojë në planetin Mars, Bubulinoja? Kjo pyetje, u bë nxitje për shkrimtarin që, pas librit të parë të Bubulinos, të vinin radhë libra të tjerë, një galeri e pafund me subjekte dhe personazhe, të cilët ngadalë, libër pas libri mblidhen në ekspeditën e Bubulinos për të realizuar ëndrrën e tij dhe të njerëzimit për të shkuar në planetin Mars.

Shkrimtari Viron Kona mes lexuesve te vegjël

Parakalojnë përpara lexuesve të vegjël: Dardi, kapiten Liku, gjyshi Ambasador, Diellori, Këmbëgjati, Mjekërverdhi, dy miq të huaj: hungarezi Vladislav dhe italiani Alfonso, vogëlushët: Kokëgjembi, Fluturushja, Shqipja, Lisiana, Kristi, Erlindi, Ana, Kolipoçi; shpendë dhe kafshë: “Papagalli Çate”, “kolonel “Lordi(qeni), Kontesha (macja), Akili (gjeli), etj. etj., të cilët, pasqyrohen artistikisht si tipa dhe personazhe interesant, me karakteristika e veçori të spikatura e origjinale.

Libri nis me konferencën shkencore, ku Bubulinoja do të shpalos përpara fëmijëve përgatitjet për në planetin Mars. Aty, kanë ardhur të dëgjojnë për këto përgatitje, edhe dy astronaut të Agjencisë Amerikane të Hapësirës (NASA).
Ngjarjet zhvillohen me ritëm dhe gjallëri, debate, dialogë të zgjedhur,batuta që shkaktojnë humor dhe gaz, e, mes tyre, si një fill i hollë, përvijon rruga e ndritshme e dijes dhe e kulturës që merr si pa kuptuar lexuesi i vogël për botën, jetën që na rrethon, për dukuritë dhe fenomenet, për hapësirat kozmike dhe veçanërisht për planetin Mars.

Spikat origjinaliteti dhe dijet e shumta të Bubulinos, Dardit, Erlindit. Zbukurojnë faqet e librit ndërhyrjet e kapiten Likut, gjyshit Ambasador, kuzhinier Baxhulit, dy astronautëve të NASA-s. Lexuesi shkrihet në gaz dhe qesh me zemër me ndërhyrjet, mburrjet e tepruara tej mase dhe batutat e dy personazheve të pandarë të librave të Bubulinos: Shkencëtarit të Madh Këmbëgjatë dhe Mjekërverdhit, të cilët janë “kundërshtarë” të zjarrtë dhe të përhershëm të Bubulinos.

Si edhe në librat e tjerë, “planet” e tyre të fshehta, hilet, ironia, dëshira për ta mposhtur qoftë edhe një herë të vetme Bubulinon e gjithëditur, bëhen për ata qëllim në vetvete, që shpreh egoizmin e sëmurë dhe keqdashjen e tyre. Ata bëhen qesharakë përpara fëmijëve, të cilët e duan shumë mikun e tyre të çmuar Bubulino. Gjithsesi, Këmbëgjati dhe Mjekërverdhi nuk mund të vetë – përjashtohen nga ekspedita. Prandaj dhe miqtë e tyre të vegjël, vërtetë që i kritikojnë dhe i thumbojnë, por ata i duan, i mbajnë pranë dhe dëshirojnë që të jenë vazhdimisht miq. Mendimet ndryshe, edhe pse i vënë përballë njerëzit, s`ka përse t`i armiqësojnë, por ato i shërbejnë ndriçimit të së drejtës dhe të vërtetave. Ky është një tjetër mesazh mbresëlënës i librit që kemi në duar.

Në mënyrë të figurshme do të shprehesha se tërësia e ciklit të Bubulinos, është si një “lumë” i madh që formohet nga dhjetëra e qindra përrenj të vegjël. Ata vijnë nga drejtime dhe hapësira gjeografike të ndryshme, dhe, duke u bashkuar, formojnë “lumin” me ujë të bollshëm e jetëdhënës, të pasur me kripëra minerale, por edhe me jetë e gjallesa të llojllojshme. I ftoj lexuesit e vegjël “të lundrojnë” në këtë lumë, i bindur se do të kënaqen e argëtohen, por edhe do të marrin dije dhe njohuri shkencore, që mbase nuk i kanë ditur më parë.

Së fundi, dua të shtoj edhe faktin se fantazia zhylveriane e Bubulinos po bëhet një realitet i kapshëm për të gjithë brezin e lexuesve të vegjël të këtij libri. Këtë po e dëshmojnë arritjet në fushën e fluturimeve për në planetin Mars nga shumë shtete si SHBA, Rusia, Europa, Japonia…
Kohët e fundit, NASA po teston strukturën e anijes kozmike që do të dërgojë njerëzit në Mars, duke planifikuar vitin 2025, si vitin kur njerëzit e parë do të ulen në atë planet.

Suksesshëm në gegnisht -Profil i shkrimtarit Ndue Gaspri – Nga Fran Gjoka

Kohët e fundit shkrimtari Ndue Gaspri botoi dhe librin e 9-të, romanin “Fmini e humun”, në dialektin e bukur të shqipes, në gegnisht. Pas leximit kushdo e kupton se ky roman është një udhëtim në fëmininë e autorit, që përkon me periudhën më të vështirë të jetës së popullsisë rurale të vendit tonë, me kolektivizimin ekstrem të ekonomive bujqësore. Autori u flet lexuesve me gjuhën e fëminisë, një gjuhë mjaft e bukur, shprehëse, e ëmbël, por dhe një kundërshti ndaj atyre që i vodhën ëndrrat, lodrat, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar i lumtur si fëmijët e tjerë të botës.

Protesta e një fëmijë 12 vjeçar

Libri fillon me dashurinë për vendin ku kishte lindur, me shpinë, bagëtitë, arat, livadhet, pyjet e mbyllet me një mllef ndaj atyre që ia hoqën, ia vranë këtë dashuri, ia përdhosën duke e dëmtuar në gjithçka që ka jeta. E humbi mundësitë ekonomike të jetesës, humbi ëndrrat, shpresat dhe fëmijërinë. E çfarë mbet? Një fëmijë i veshur me lecka, që zbathur shkonte në shkollë. Kush e shkaktoi këtë mjerim ekstrem? Del e qartë se shkaktare janë reformat ekonomike të shtetit të dalë nga lufta e fundit.
I kërkohet heroi të librit që, si nxënës i klasës pestë, të bëjë një hartim ku të pranojë e lavdërojë këtë varfërim legjendar në pak vite, por jo. Ai e përshkruan siç është gjendjen ekonomike të familjes së tij e në mënyrën e tij proteston. Kaq ka mundësi të bëjë një fëmijë 12 vjeçar. A mjafton? A e meriton ai një trajtim të tillë në fillim të viteve 60-të?

Personazhe e ndodhi artistike frymëzuese

Krijimtaria e autorit, me temë nga Zadrima (Sapa), duke filluar me ngjarjet që vijnë në vitin 1640 tek romani “Hanin e Marshallit” në vitin 1850 me “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen” e 1950 me “Qyteti pa Orë” dhe mbyllet me vitet 1968-2000 me romanet “Jerina në dashuri të pa –mëkat”, “Eva në jetën e Kelit”, “Kohë me Djallin” e “Njerëz të tepërt”. Secili një tematikë më vete, me veçoritë e trazimin e tij të mbledhur në kohë me kujdes e një kulturë të gjerë, që ia ofron zona ku ka lindur e rritur. Në gjithë këtë shkrimtarî flitet për historinë e zonës, besimin, reformat e kundërreformat, kulturën materiale e shpirtërore (paja e këngët), familjen e zakonet, ritet e dashurinë për vajzën, punën, shkollën, vendlindjen e atdheun, jetën e Zotin. Përgjithësisht të gjithë romanet e tij nisen nga ngjarje, ndodhi e fate njerëzore të ditura, por që nga autori bëhen personazhe e ndodhi artistike frymëzuese e përçojnë tek lexuesi kënaqësi estetike e mesazhe të bukura. Autori ia ka arritë që në heshtje, pa bujë e pa vëmendjen e duhur të shtypit letrar, të arrijë tek lexuesi i tij me modesti e kurajë. Personazhet e tij janë: Jerina, Pater Zenishi, Gjon Galani, Zef Kotrri, Mark Fishta, Kastriot Vokaj, Kel Martini, Teufik Trebershina, Liza Krrabi, Arsen Dakova dhe një mori personazhesh dytësorë, që mbesin gjatë në memorien e lexuesit.

Kush është Ndue Gaspri ?

Ka lindur në vitin 1950 në fshatin Piraj të Zadrimës, në vitin 1968 mbaron gjimnazin në Lezhë e në vitin1973 arsimin e lartë në ILB, dega Agronomi. Deri në vitin 2015, kohë kur doli në pension, ka punuar si specialist, mësues në arsimin e mesëm dhe nëpunës në administratën shtetërore. Duke u përpjekur të mbledh të veçantën nga jeta krijuese e autorit, mësova se ai që në bankat e shkollës ka pasur një vëmendje të drejtuar tek prodhimi letrar. Sprovat e para krijuese i ka lëvruar që në hartimet, vjershat e tregimet në bankat e shkollës, nën kujdesin e vëmendjen e mësuesit të pasionuar të gjimnazit, të nderuarit Col Dizdari.

Në foto Ndue Gaspri

Ka qenë një lexues i vëmendshëm e i palodhur i librit e këtë e tregon sot biblioteka personale që e ka e që është për t’ia patur zili. Me mbarimin e shkollës njohu më mirë historinë, legjendat, këngët, prrallat e rrëfenjat, por dhe dëshmitë e mbetura si gjurmë të shpërndara e me to krijoi sinopset e veprave të ardhëshme artistike. Njohu dhe letërsinë e krijuar që herët në këtë trevë e mori prej saj tharmin e një krijimtarie që duhet të vazhdonte si e tillë. Që herët, disa nga këto sinopse i zhvilloi si vepra të vogla, por nuk i publikoi. I ruajti si dashuri personale, si relike. Pse? A mund të pranoheshin në vitet 80-të romanet “Jerina në dashuri të pa-mëkat” e morali i saj? Po Pater Zenishi, doktor i shkencave në filozofi e teologji në romanin “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”? Po dashuria e Gjon Galanit me Veronika Mirukun tek romani “Hani i Marshallit”? Po dështimet e projekteve ekonomike në favor të projektit politik të partisë-shtet tek romani “Qyteti pa Orë”? Po dashuria e vrarë e Luçies me Lorencin tek romani “Lulet e Kainit”? Mbeten ashtu gjysëm të zhvilluara, si dashuri platonike, në pritje për një kohë tjetër. E kjo kohë erdhi, por fatkeqësisht pjesërisht.

Kërkohen para për të botuar

– I zhvillova në liri e pa frikë sinopset e mia, njërin pas tjetrit, si desha unë, për qejfin tim e u drejtova shpive botuese. Ata donin lekë, po ku t`i merrja unë ato të shkreta? Me rrogën e mësuesit? I jam drejtuar me projekte Ministrisë së Kulturës, bashkisë e bisnesit. Kudo e gjeta derën të mbyllur, madje dhe një fond që m’u miratua në letra në vitin 2012 nga bordi i botimeve, kur ishte minister Aldo Bumçi, për romanin “Qyteti pa orë”, nuk u bë asnjëherë aktiv derisa ministrja antikulturë e radhës, Kumbaro, e eleminoi krejtësisht.
– Pse kështu?- vazhdova pyetjen në drejtim të mikut tim.
– Kemi patur vazhdimisht shtet antikulturë. Dhe ato para që jepen përdoren keq nga kryeministrat, për qoka miqsh e të afërm. Çuditem, në Kumanovë, Shpia Botuese “Idriz Seferi”, me fonde shtetërore e riboton romanin tim “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”, ndërsa komuna e Gjakovës vetëm për kulturën thonë se ka 200 000 euro, ndërsa në Tiranë e Lezhë një hiç.
– Pse kështu, si mendoni ju?- pyes krijuesin.
– Krahas sa thashë, unë mendoj se nuk financohet një krijimtari që denoncon e stigmatizon sistemin diktatorial dhe vazhdimin e tij në pasdiktaturë, madje është eleminuar dhe kritika e duhet të paguash që dikush të shkruajë një shkrim për një roman.
– Më konkretisht.
– Dy kritikë e analistë të njohur, ish deputetë, operatorë mediumesh me rroga shumë të mira më premtuan të më bënin shkrime, njëri për romanin “Kohë me djallin” e tjetri për “Jerinën” e “Hani i Marshallit”, por jo, prisnin t`u jepja para për artikujt. Po ku t’i merrja unë pensionisti?
– Problem i madh është dhe shitja e librit, librarët vetëm që t’i mbajnë aty duan 30-35 % të çmimit, duke llogaritur se po aq do dhe shb, del qartë se atij që e shkruan dhe e financon i mbetet vetëm një thelë. E kjo se drejtuesit e sotëm të shtetit janë vazhdim i segmenteve të diktaturës, në mos të indoktrinuar nga ajo. Atëherë?
– Si atëherë?
– Tek ne bëhet politikë antikulturore, kundër prodhimit të saj. Më hapur se kaq nuk ka si thuhet.
– Po ti ke botuar 9 romane, bile 2 prej tyre i ke ribotuar. Si ia ke dalë financiarisht?
– Tre romanet e parë me pak para që kisha i botova në tirazh të vogël e në shetitoren e plazhit të Shengjinit ku banoj fillova t’i shes si ambulant për turistët gjatë 2-3 muajve të verës. Dhe kjo në përplasje me policinë bashkiake, dikush donte para nën dorë për të më dhënë të drejtën e shitjes librave ku kam derdhë mund e para pensioni për t’i realizuar. O Zot! O Shqipëri… asnjëherë nuk të kuptova!!!
– Po tashti?
– Mbledh para për botimin e librit të radhës.

Tema reale dhe të vërteta

– Dhe dy pyetje të fundit: -Cili është qëllimi i botimit të librave nga ti?
– Siç doli, pjesa më e madhe e librave e marrin temën në Sapë, ku unë kam rrënjët. Si i tillë, temat e lëvruara i kam sjellë në libra, siç janë në fakt apo fliten. Një autor jo vendas mund t’i shtrembërojë, t’i denigrojë me keqdashje e më vonë zyrtarizohen po keq. Kështu kanë ndodhur rëndom tek ne. Ndërsa unë, krahas vërtetësisë, luaj dhe me dashurinë për to që nuk më mungon. Kështu kam shkruar për familjen Blinishti, Gazullorët, Pjetër Zarishin, Jerina Dushmanin, Frang Bardhin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Imzot Bumçin, avokat Benedikt Blinishtin, Shan Picin, Mark Fishtën, për Sapën, Nënshatin, Hajmelin, Blinishtin, Troshanin, Piraj e lagjen time Verracakë. Kam respektuar e vënë në vendin e duhur kishat e shumta e punën baritore të priftërinjëve katolikë. Në këto mori historishë personazhet dytësorë qëndrojnë si gurët në një mozaik e nuk harrohen, si: Pal Kallmetin, një figurë mitike zonës, Zef Mirukun, Shtjefen Sallakun e stërgjyshin tim Gaspër Tuku, por dhe shumë të tjerë që zbukurojnë librat e mi.
– Po planet e së ardhmes?
– Disa nga librat këto 6-7 vite janë dhe shitur krejtësisht. Duhen përmirësuar e ribotruar, siç ka ndodhë me “Jerinën” e “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”. Kam 3-4 projekte librash të ri, por ende në sirtar.

Personazhe dhe ngjarje që mohoheshin në diktaturë

E reja është ajo që në letërsi sjell atë model personazhi e ngjarje që ndalohej në diktaturë. Për këtë, që herët, që në vitin 1975, jam marrë me romanin “Jerina në dashuri të pa-mëkat”, me një pikësynim, të krijoj një personazh krejt ndryshe, që ka në performancë femërore himnin e jetës, njerëzores e dashurisë. E kam strukturuar me kujdes dhe vetëm pas viteve 90-të e përfundova së shkruari siç desha unë.
Jerina, personazhi kryesor i romanit, një intelektuale klasi, në një moment vihet në dilemën e lindjes apo jo të një pasardhësi, të trashëgimtarit në një familje ku kjo linjë po soset. I kërkohet të tejkalojë moralin e kohës, të tejkalojë dhe veten e të sillet ndryshe për hir të një qëllimi të madh. Një personazh që formohet ndryshe, pa paragjykime, pa ndikime opinioni, pa frikë e me një dashuri sublime për jetën e vazhdimin e saj…
Pas viteve 90-të kam shkruar romanin “Kohë me djallin”, në qendër të cilit është Arsen Dakova, një i ri 24-vjeçar, që del nga burgu politik pas amnistisë, por në shpi ka vetën, gjyshen, prindërit në rrethana të panjohura janë dënuar e vdekur. Synim i tij është: të mbarojë shkollën e lartë e të zbardhë arsyet e dënimit e vdekjes së familjes së tij. Realizimi i kësaj ëndrre bëhet me shumë vështirësi, mbaron shkollën e lartë, por trajtohet keq, zbulon arsyet e dënimit e vdekjes së prindërve e gjyshit, por nuk rehabilitohen se pasdiktatura është në ideologji e në qeverisje zgjatim i segmenteve të komunizmit. Arseni e rrethi i tij shoqëror luftojnë, ndeshen e gjakosen me këto struktura shtetërore, por më në fund e kuptojnë se janë të humbur në qëllimin e tyre. Kush do drejtësi, rregull e siguri në këtë vend është i humbur? Çfarë i mbetet të bëjë Arsenit me shokë? Të braktisin atdheun. E kështu ndodhi e vazhdon me dhimbje kjo hemoragji sociale e dhimbshme.

Cilat janë planet tuaja krijuese?

– Të shkruash libra në Shqipëri je si jashtë kohe, por siç thamë më lart, më shtyn pasioni e dëshira. Unë në fakt kam pak projekte, njërin po e përmbyll, por të tjerët që nuk e di se çfarë e kur do arrij. Mosha e mundësitë financiare nuk janë me mua… Megjithatë nuk thyhem. Do të shkruaj pa u lodhur. Frymëzimin dhe pasionin tim nuk do t`i lë në mes të udhës, ndryshe, pse do ta quaja veten shkrimtar?

Romane të autorit
1. “Jerina në dashuri të pamëkat”
2. “Lulet e Kainit”
3.”Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”
4. ”Hani i Marshallit”
5. ”Kohë me djallin”
6. ”Eva në jetën e Kelit”
7. ”Qyteti pa orë”
8. ”Njerëz të tepërt”

Promovimi i veprës së Jusuf Buxhovit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” në Shkup

VEPËR MADHORE DHE E RËNDËSISHME E HISTORIOGRAFISË SHQIPTARE

Kështu e vlerësoi librin më të ri të Jusuf Buxhovit historiani Qerim Lita

Pas Tetovës dhe Strugës, “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” arriti edhe Shkupin, promovimi i së cilës u bë në Qendrën Kulturore Informative të kryeqytetit. Me këtë rast, historiani Qerim Lita tha se studiuesi dhe historiani i mirënjohur shqiptar, Jusuf Buxhovi, pas botimit të veprës madhore në tetë vëllime, “Kosova”, historiografisë shqiptare i dhuroi edhe një vepër tjetër po aq madhore dhe të rëndësishme “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Vepra prej më shumë se një mijë faqeve tekst, krahas hyrjes dhe përfundimit ndahet në pesë pjesë kryesore dhe më shumë kapituj dhe nënkapituj. Pjesa e parë i kushtohet antikitetit, pjesa e dytë mesjetës, pjesa e tretë Perandorisë Osmane, pjesa e katërt copëtimit të Shqipërisë dhe pjesa e pestë rikthimit të Jugosllavisë, përkatësisht asaj komuniste të Titos. Në pjesën hyrëse të librit, autori duke bërë një krahasim midis Maqedonisë antike, si mbretëri ndër më të njohura të kohës dhe “Maqedonisë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet”, me të drejtë thekson se “pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike”, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Dardanisë”, gjë që me të drejtë autori thoshe se “në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire”.
Për Qerim Litën, në këtë vepër voluminoze, pos trajtimit të antikitetit, të mesjetës, ku Maqedonët, Dardanët dhe Epirotët shfaqen në themelet e Bizantit, me rëndësi paraqet kapitulli i gjashtë i pjesës së tretë “Fuqitë e mëdha dhe paraloja e luftërave Ballkanike”, për të cilën autori thotë se e ashtuquajtura “Krizë e Maqedonisë” ishte një skenar ruso-sllav, për ta shuar çështjen kombëtare shqiptare. Fqinjët e shqiptarëve, serbët dhe grekët, thekson më tej autori, lëvizjet e tyre nacionale do t’i fillojnë me shpalljen e programeve kombëtare mbi baza hegjemoniste (serbët me “Naçërtanjën” dhe grekët me “Megali idenë”, me anën zë cilave parashihej zhdukja e çështjes shqiptare. Të udhëhequr nga kjo strategji, Serbia dhe Mali i Zi, do të fusin diçka nga armët e tre në pjesën veriore të vilajetit të Shkodrës dhe në veri të Kosovës. Me këtë rast do të lidhin marrëveshje të veçanta me disa nga feudalët dhe bajraktarët e këtyre viseve, që të mbroheshin pronat e serbëve dhe ato të manastireve, por ata do të bëjnë çmos që kryengritjet e tyre kundër osmanëve të mbikëqyreshin prej tyre. Ndërkohë, për shkak të presionit të madh nga ana e Fuqive të Mëdha, sulltan Hamiti kishte lejuar hapjen e konsullatave ruse dhe serbe në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Tërë kjo, nga ana e shqiptarëve u përjetua “si një përgatitje për aneksimet e reja sllavo-ortodokse ndaj trojeve të tyre, që këtë herë bëhej edhe me miratimin e Portës së Lartë”. Në kuadër të kësaj pjese, përfshihet edhe kryengritja e Ilindenit, e cila, sipas Buxhovit, ishte pjellë e autoriteteve bullgare, të cilët, duke shfrytëzuar pakënaqësinë me reformat që kishte shpallur sulltan Hamiti me rastin e “Udhëzimeve për Rumelinë” dhe krijimin e “megavilajetit” të Rumelisë, që sipas të gjitha gjasave do t’i shkonte për shtati ngritjes së çështjes shqiptare, dhe të shtryrë nga frika se mos reformat mund të shkojnë në dëm të Bullgarisë, komitetet e shumta bullgare-maqedonase në rrethet e Ohrit, Kosturit dhe Serezit, të shtyrë drejtpërdrejt nga Bullgaria dhe të frymëzua me parullat “Liri a vdekje” dhe “Maqedonia për maqedonasti”, në pranverën e vitit 1903, u ngritën në kryengritje kundër garnizoneve osmane në atë pjesë. Për Buxhovin, Ilindeni ishte një kryengritje probullgare dhe ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, ngaqë shpërqendronte konceptin për Shqipërinë etnike të përbërë nga katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), duke e kthyer atë në interes të fqinjëve (bullgarëve, serbëve dhe grekëve).
Sipas Qerim Litës, edhe në kapitujt tjerë (Rilindja kombëtare, Luftërat Ballkanike, Krijimi i Jugosllavisë së Versajës dhe Krijimi i Jugosllavisë së Titos, ku shfaqet edhe Maqedonia e krijuar në kuvendin e ASNOM-it në verën e viti 1944), Buxhovi u ka dhënë përgjigje objektive këtyre zhvillimeve, duke e parë Maqedoninë në qendër të tyre, ndërsa shqiptarët në rolin e faktorit që është përpjekur të mbetet pjesë e botës shqiptare, përkundër faktit se nga Konferenca e Londërs,ajo e Parisit, Jallta e deri te shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas në vitin 1991, ka qenë pjesë e koniunkturave të huaj, që kanë bërë përpjekje që nëpërmes politikave të ndryshme antishqiptare, siç ishin programet për shpërnguljen e tyre për në Turqi e të tjera, t’ua shuajnë qenien etnike.
Në këtë zhvillim historik, vëmendje e madhe i kushtohet edhe pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, si pakicë kombëtare e më vonë si kombësi nga viti 1945-1991, dhe asaj pas shpalljes së shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991.
Për Buxhovin, pozita e shqiptarëve në shtetin maqedonas të mbështetur mbi parimin shtet komb, shfaqet diskriminuese, ngaqë reduktohen në pakicë (minoritet), gjendje kjo që do të prodhojë edhe luftën që shpërtheu në vitin 2001 me qëllim që shqiptarët ta avancojnë pozitën e tyre kushtetuese, nga pakica tek populli shteformues. Lita vlerëson se Buxovi, luftën e vitit 2001 e konsideron “të papërfunduar”. Në kuadër të kësaj lufte ai veçon tri aspekte të rëndësishme: atë ushtarak, diplomatik dhe politik. Sa i përket aspektit të parë, përkatësisht ushtarak, Buxhovi e vlerëson se lufta, ushtarakisht ishte mirë e organizuar, me dinamikë të përhapjes dhe e suksesshme për nga arritja e qëllimeve ushtarake. Edhe aspekti diplomatik i luftës, sipas tij pati jehonë pozitive, për shkak se UÇK-ja u shtri thuajse në mbarë hapësirën shqiptare në Maqedoni. Ndërsa aspektin politik, autori e konsideron të dështuar, për shkak se siç pohon “brenda tre muajve qëndrimet e UÇK-së kishin ndryshuar në kahun e tatëpjetës: nga ai i luftës çlirimtare kombëtare – që ishte iluzor, te opsioni për shtetin federal të dy popujve për të zbritur te opsioni i barazisë, që ishte real, te shteti multietnik, për ç’gjë nuk ishte nevoja të luftohej”.
Në fund, Qerim Litaq tha se autori Buxhovi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, në zbardhjen e realitetit historik të hapësirës gjeografike të quajtur “Maqedoni” si dhe prezencë e popullsisë shqiptare në të nga koha antike e deri më sot. Thënë shkurt, Jusuf Buxhovi e bëri atë që është dashur me kohë ta bënin dy akademitë e shkencave shqiptare, si dhe pesë institutet shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Në fund, autori foli rreth nevojës për neoshqiptarizmin, si një imperativ në rrethanat e reja, me ç’rast theksoi se bashkimi kombëtar si ideologji e shekullit të kaluar, duhet të zëvendësohet me formulën e unionit të shteteve shqiptare.

NJË ROMAN I THURUR BUKUR ME SHUME ELEMENTE, FANTASTIKE,MITOLOGJIKE E PSIKOLOGJIKE E POLITIKE – Nga Tahir Bezhani

Kronikë nga kultura: Përurim i romanit të Hazir Dervishit,”Avatar Couvades”,një liber voluminoz e me një përmbajtje kompleksive.

 

Në sallen e Biblkiotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë,ne prani të një numri të konsiderueshëm dashamirë të artit letrarë,sot me 16.tetorë,2019 , u përurua romani më i ri i autorit Hazir Dervishi nga Gjakova, me titull,”Avatar Couvades”
Ky përurim ishte karakteristik në vet esencën e librit të z.Dervishi,i cili në mbi 700 faqe,trajton tema të largëta historike, fantastikepolitike,prej një autori me përvojë të dëshmuar në prozën e gjatë.

Prof.Dr. Ruzhdi Sefa,kryetarë i SHI.”Jakova” në Gjakovë.

Pamje nga salla. Gjakova me kulturë të lartë letrare.

Moderimin e këtij përurimi e bëri kryetari i Shoqës së Intelektualve ”Jakova”,Prof.Dr. Ruzhdi Sefa,i cilki në fjalën hyrëse foli pëe aurorin si intelektual dhe romansier i spikatur, vlerat e romanore me tema historike që nga koha e faraunëve e deri ne ditët e sotme.

Pastaj z. Sefa,ia dha fjalën Profesor Muhamet Rogovës,i cili bëri një ekspoze mbi shtjellimin e ngjarës në romanin e lartëcekur. Ndërsa, kryetari i Klubit letrarë “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovë,zotëri Muharrem Kurti,në fjalën e tij vështruese mbi romanin e z. Dervishi, u thellua mëtej në tematiken e librit,duke zbërthyer disa pika interesante nga romani në përurim. Ky roma,tha Kurti,ka vleren e veçant,ashtu siq është i veçant edhe autori,nga se kapë llojllojshmëri temash karakteristike, duke përdorur mprehtësinë fantastike, mitologjike, historike e politike. Vet volumi i romanit,”Avatar Couvades” dhe kompleksiviteti e tematikës,e bëjnë interesant kët liber dhe të kërkuar nga dashamirët e artit letrarë. Pos z. Kurti,foli edhe drejtori i biblkiotekës dhe letrari në zë, z. Engjëll Berisha, i cili, duke njohur mirë autorin e librit,si prozatorë të veçant,tha se “edhe ky roman,për shumçka duhet të jetë i veçant dhe një pasuri letrare”.

Nga auditori pati disa pytje,përshëndetje, e urime për këtë roman voluminoz të z. Hazir Dervishi,si një romansier i spikatur dhe i njohur në Kosovë e jo vetëm.

Në fjalën përfundimtare,autori i librit,z. Hazir Dervishi,foli(sqaroj) disa pjesë kyeqe të librit të tij,duke iu falenderuar pjesëmarrsëve në këtë përurim kulturo-letrarë .

DY KODIKË GREQISHT NË AQSH – Qarkullimi i ideve iluministe në Shqipëri në shekujt XVII-XVIII – Nga Andi Rëmbeci*

Prej kohësh është theksuar domosdoshmëria e studimeve të dorëshkrimeve greke që kanë qarkulluar gjatë shek. XVII-XVIII në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, për të njohur e kuptuar tërësinë e komponentëve që luajtën rol të përveçëm gjatë periudhë kritike parapërgatitore, mbartëse e brumosjeve thelbësore të riorganizimit kulturor.
Shek. XVIII shënon një rritje të guximshme të numrit të librave në greqisht që qarkullonin në hapësirën osmane të Evropës Juglindore, qoftë në formën e dorëshkrimit, qoftë në formën e shtypshkrimit. Kjo rritje duhet konsideruar e lidhur me zgjimin e shoqërisë dhe me përhapjen gjerësisht të arsimit në të gjitha shtresat, fenomen që përshpejtoi ritmin e përhapjes së ideve të reja. Ripërtëritja e interesit pasqyrohet dukshmen nga përmbajtja e larmishme e librave dhe dorëshkrimeve. Ato mbulojnë një spektër të gjerë interesash dhe tregojnë zgjimin karakteristik të etjes së dijetarëve iluminist të kohës.

ANASTAS KAVALIOTI
Në këtë mjedis, një vend të rëndësishëm zënë edhe dy veprat e Teodor Anastas Kavaliotit (1718-1789), një vepër e Jorgo Sugdhurit (1645-1725) dhe një e Anastas Papavasilopulit (1670-1750) që ruhen në dy kodikë të dorëshkruar, sot pjesë e Fondit 488 të Arkivit Qendror Shtetëror.
Dy veprat e trilogjisë së Kavaliotit me titull “Fizika dhe Metafizika”, gjenden në kodikun e Beratit nr. 74 (fig. 4) një dorëshkrim i shkruar në vitin 1752, me bojë kafe të errët (herë-herë të zezë) në letër dhe përmban 153 fletë. Në fletën 5r kemi titullin e veprës së dytë të trilogjisë së Kavaliotit, të titulluar: “Traktat i fizikës i hartuar nga i urti dhe i dituri, mësuesi zoti Teodor Anastas Kavalioti nga Voskopoja, i botuar prej atij vetë në shkollën e sapondërtuar të vendlindjes së tij” (fig. 5). Menjëherë pason “Parathënia” dhe teksti i veprës i shtrirë në 39 kapituj. Në pjesën e poshtme të fletës 4r, gjendet ky shënim, i shkruar me bojë të zezë: “I Joasafit të Belegradit”, që dëshmon se ky kodik ka qenë në pronësi të mitropolitit të Beratit, Joasafit ÉÉ (1802-1855). Një tjetër shënim i lënë nga Ilo Mitkë Qafëzezi, na tregon se vendndodhja e kodikut të Beratit 74 ka qenë biblioteka e Shën Marisë në kalanë e Beratit.

Në shek. XVIII, Fizika ofronte njohuri bazike në arsim dhe konsiderohej si degë e rëndësishme e Filozofisë, gjë e cila theksohet nga Kavalioti edhe në Parathënien e veprës. Për Kavaliotin, Fizika është një udhë e sigurt drejt njohjes së energjisë kreative të Hyjnores. Ky qëndrim përcakton edhe vendin e lëndës në Akademinë e Re të Voskopojës. Kështu, Kavalioti i nxiste nxënësit të kultivojnë qëndrimin kritik ndaj filozofëve të ndryshëm dhe ideve të tyre. Për Kavaliotin, Fizika ka përmbajtje aristoteliane. Ka për qëllim studimin e natyrës, studim të cilin e vendos brenda njohjes së përgjithshme të filozofisë, “Filozofia është dija mbi gjërat hyjnore dhe njerëzore”. Vepra karakterizohet nga një larushi zërash filozofësh, duke paraqitur hollësisht pikëpamjet e peripatetikëve, stoikëve, epikurianëve, të Platonit, të kaldeasve dhe egjiptianëve. Nuk harron as filozofët më të rinj, ku kryeson Dekarti. Por ai, të cilin Kavalioti e merr si referencë të përhershme, është Aristoteli, gjithmonë duke mbajtur pozicion kritik edhe ndaj tij. Kështu, tek Fizika e Kavaliotit mbulohen tema si Përkufizimet e filozofisë, Fizika është shkencë, Mbi përkufizimin dhe ndarjen e fizikës, Mbi parimet, Mbi lëndën, Mbi parimet e kimisë, Mbi vendin, Mbi barometrin, Mbi trupat e ngrohtë dhe shpirtrat, Mbi dritën, Mbi dheun, Mbi ujin, Mbi qiellin, Mbi meteorët, Mbi ndjenjat, Mbi fantazinë dhe kujtesën, etj. Në fund të çdo kapitulli referohen Dekarti apo Robert Boil (Robert Boyle), shpikësi i mekanizmit pneumatik, për të cilin ekziston edhe një skicë në fund të dorëshkrimit. Veç këtyre, nëpër fletët e kodikut parakalojnë emrat e rreth 35 filozofëve dhe dijetarëve të tjerë si p.sh., Ksenofani, Parmenidi, Plutarku, Theofrasti, Ptolemeu, Herakliti, Sokrati, Demokreti, Epikuri, Aristoteli, Platoni, Pitagora, Hipokrati etj., përmendja vetëm e emrave të të cilëve mjafton për të dëshmuar jo vetëm erudicionin e Kavaliotit, por edhe nivelin e lartë të studimeve në Akademinë e Re të Voskopojës. Po ashtu, mbresëlënës është fakti që Kavalioti përmend edhe këndvështrimet e Etërve të Kishës, duke referuar veprat e Grigor Teologut, Grigorit të Nisës, Joan Damaskinit, Cirilit, Origjenit, Augustinit dhe Vasilit të Madh. Kësisoj, vepra Fizika e Kavaliotit shndërrohet në monument të polifonisë filozofike.

Po në kodikun e Beratit nr. 74, në fletët 91r–150r, kemi veprën e tretë të trilogjisë së Kavaliotit të titulluar thjesht Metafizika, (fig. 7) pa ndonjë nëntitull shpjegues. E gjithë vepra shtrihet në 19 kapituj, në të cilat diskutohen njohuritë mbi qeniet që nuk perceptohen përmes shqisave dhe ndodhen matanë kufirit të fizikes, sipas parimeve të Aristotelit. Edhe pse e karakterizuar për aristotelizmin e saj, sidoqoftë, Metafizika e Kavaliotit u qëndron besnike parimeve të teologjisë dhe të ortodoksisë. Katër shkaqeve të lëvizjes, siç i përcakton Aristoteli (shkaku material, shkaku formal, shkaku i lëvizjes dhe shkaku final), u shton edhe një shkak të pestë, i cili është kryesori, Perëndia, që në fund mbetet shkaku i vetëm i lëvizjes.
Duke folur gjuhën e kohës së tij, ku mbizotëronte racionalizmi perëndimor, Kavalioti përpiqet që ta armatosë besimin fetar me forcën faktuese të shkencës. Në Metafizikën e Kavaliotit konstatohet kapërcimi i teologjisë nga shkenca dhe i besimit nga racionalizmi, një racionalizëm që e kishte zanafillën në skolacizmin teologjik mesjetar e që mbërrinte deri tek Dekarti.
y veprat e trilogjisë së Kavaliotit, megjithëse në plan të parë nuk përbëjnë parashtresë të mendimeve dhe ideve të autorit të tyre, shprehin orientimet shpirtërore dhe ideologjike të Voskopojës së shek. XVIII dhe, më konkretisht, janë prova të nivelit të lartë të mësimdhënies dhe të mësimnxënies në Akademinë e Re të Voskopojës. Për më tepër, përhapja e kodikëve me veprat e Kavaliotit në Rumani, Shqipëri dhe Greqi dëfton shkallën e shtrirjes arsimore që pati Akademia e Re e Voskopojës si edhe e komunikimin shpirtëror dhe promovimit të dijes dhe ideve perëndimore në gadishullin Ballkanik, duke pasur pikënisje vetë Voskopojën.

JORGO SUGDHURI
Një tjetër vepër që i përket kontekstin, në të cilin u formuan marrëdhëniet e filozofisë dhe shkencës në hapësirën moderne shpirtërore në Evropën juglindore të shek. XVII-XVIII është edhe vepra e Jorgo Sugdhurit Hyrje në Logjikë, e cila u botua post mortem në Vjenë më 1792. Vepra gjendet e dorëshkruar në pjesën e parë të kodikut të Beratit 68, në fl. 1r-24v. Më pas, vijon vepra e Anastas Papavasilopulit me titull Përmbledhje e përgjithshme mbi ushtrimin e logjikës, e cila shtrihet deri në fl. 66r. Në fletën 1r, në hapësirën e sipërme, gjendet i njëjti shënim me kodikun e mëparshëm, i shkruar me bojë të zezë: “I Joasafit të Belegradit”, që na jep të kuptojmë se edhe ky kodik, ka qenë pronë e mitropolitit të Beratit, Joasafit ÉÉ (1802-1855). Studiues të mëhershëm, duke mos marrë në konsideratë këtë shënimi ktitorik të kodikut përcaktojnë gabimisht Voskopojën si vendin, ku gjendej kodiku përpara se të vinte në AQSh.
Vepra e Jorgo Sugdhurit Hyrje në Logjikë fatkeqësisht ruhet jo e plotë në kodikun tonë. Ajo nis me Parathënien, e titulluar “Mbi tre veprimet e mendjes”. E gjithë përmbajtja është e organizuar në katër pjesë. Pjesa e parë mban titullin “Mbi veprimet e para të mendjes, pra mbi nocionet”, duke nënkuptuar sakaq se përmbajtja e saj lidhet me logjikën aristoteliane. Ajo zhvillohet në 13 kapituj dhe trajton çështje që lidhen me shpjegimin e nocionit. Pjesa e dytë, që përbëhet nga katër kapituj, shtjellon tema mbi veprimin e parë të mendjes, mënyrën e perceptimit të nocioneve etj. Në pjesën e tretë shqyrtohet mënyra e trajtimit të ligjërimit kundërshtues, i cili artikulohet në tre kapituj. Pjesa e katërt ekspozon pikëpamjet e Sugdhurit mbi silogjizmin. Kjo pjesë shtrihet në gjashtë kapituj dhe analizon format e silogjizmit, parimet dhe rregullat e vlefshmërisë së një forme silogjizmi, zhvillimin e llojeve të silogjizmit dhe koncepte mbi argumentime sofiste dhe rregulla të diskutimit në dialog si metoda përvetësimi të së vërtetës dhe ligjërisë së dijes.
Jorgo Sugdhuri ishte pjesë e grupit të intelektualëve aristotelianë dhe u bë një figurë e shquar në çerekun e fundit të të shek. XVII dhe të njëzetë viteve të para të shek. XVIII. Vepra e tij Hyrje në Logjikë e sjell brezin e ri në kontakt me filozofinë Aristoteliane, e cila dominon në programet arsimore deri në shek. XVIII. Këtu, për herë të parë, e vjetra përplaset me modernen, tradita me faktet e reja shkencore dhe filozofike që ishin formuar dhe shpërndarë tashmë në botën evropiane, ndikimet nga Italia me realitetin osman.

ANASTAS PAPAVASILOPULI
Vepra tjetër me titull Përmbledhje e përgjithshme mbi ushtrimin e logjikës e Anastas Papavasilopulit gjendet në f 25r-66r të kodikut. Është e organizuar në katër pjesë dhe çdo pjesë ndahet në artikuj. Vepra përfundon me një epilog të shkurtër dhe mbyllet me njoftimin se kjo vepër është shkruar në vitin 1696.
Vepra fillon me Parathënien, ku shpjegohet se qëllimi i veprës synon të trajtojë se ç’është filozofia, çfarë vlere ka ajo në jetën e njeriut, si ndahet dhe me ç’mënyrë apo metodë mund ta bëjë dikush pronë të tij. Në pjesën e parë, përmes 9 artikujve Papavasilopuli i përgjigjet pyetjes se çfarë janë idetë, nëpërmjet së cilave njohim gjithçka. Pjesa e dytë e veprës mban titullin “Mbi gjykimin e mendjes, pra mbi fjalitë”. Në këtë pjesë, Papavasilopuli, pasi rikujton formulimin e Aristotelit se çfarë është fjalia (është fjalë e vërtetë ose e rreme), flet mbi gjymtyrët e saj. Në fl. 47v-55r, Papavasilopuli trajton pjesën e tretë të Logjikës, të cilën e titullon “Mbi konkluzionin (përfundimin), d.m.th. mbi arsyetimin (silogjizmin)”. Në pjesën e katërt, ai i referohet kapitullit “Mbi metodën”. Këtë kapitull ai e ndan në dy pjesë, të cilat i titullon “Mbi metodën e përgjithshme të të nxënit” dhe “Mbi metodën e veçantë dhe pikësëpari mbi analizën”. Vepra përfundon me një epilog të shkurtër dhe të pasur në përmbajtje, në të cilin autori thekson sërish domosdoshmërinë e ushtrimit të logjikës në jetën e njeriut. Ai ndërmerr një përmbledhje të çështjeve të trajtuara dhe përfundon duke himnizuar vlerën e “mendjes dalluese”, e cila si një busull e sigurt “gjurmon natyrën e gjërave dhe përshquan të vërtetën nga gënjeshtra”.

 

Kjo vepër e Papavasilopulit ka vetitë e një manuali mbi Logjikën, të mirë-përmbledhur, të kuptueshëm dhe jo të ndërlikuar. Në shtjellimin e saj, duket qartë përparësia që autori i jep mendjes për të arritur konceptet dhe njohurinë, duke mohuar kështu teorinë e Aristotelit dhe të pasuesve të shkollës së empirizmit. Me anën e kësaj vepre, Papavasilopuli fut në mendimin e kohës pikëpamjen e “cogito ergo sum” të Dekartit si kundërpeshë e një rrethi të gjerë shkollash dhe rrymash që përfaqësohen kryesisht me Logique e Port-Royal.

Qëllimi i shkrimit të kësaj vepre ishte bindja e Papavasilopulit se përhapja e njohurive, në anën teorike dhe praktike, përmes mendimit të shquar të filozofëve, do të ndikonte në jetën individuale dhe kolektive të njerëzve. Në Evropë, përparimi i shkencës në të gjitha fushat po ndryshonte rrënjësisht teoritë e konsoliduara mbi fizikën, matematikën dhe mbi mënyrën e të menduarit. Papavasilopuli, nëpërmjet “Logjikës” dhe veprave të tjera të tij, synonte pikërisht sjelljen e këtyre rrymave në hapësirën ballkanike që gjendej nën zgjedhën osmane, që me kalimin e kohës këta popuj të burrëroheshin dhe të kërkonin vendin e tyre mes popujve të tjerë të zhvilluar të kohës, pas një izolimi të gjatë nga zhvillimet Evropiane. Vepra e tij, siç e dëshmojnë ndër të tjera edhe vendndodhjet e dorëshkrimeve dhe shtypshkrimeve të tij, u përqafua për shkak se pikësëpari ajo mbulonte një vakum të madh në praktikën mësimore të kohës. Mësimet dhe fama e Papavasilopulit, si mbartës i një burimi tjetër njohurish dhe informacioni duket se funksionoi pozitivisht në përmbushjen e kërkesave të kohës për ndryshim.

Kështu në shek. XVII dhe XVIII kemi funksionimin e shkollave, në programin e të cilave përfshihen lëndët novatore. Për herë të parë, në arealin ortodoks të Ballkanit osman krahas mësimeve të teksteve të shenjta dhe të antikitetit klasik futen edhe ato të shkencave natyrore. Mësuesit e shek. XVII dhe XVIII, të studiuar kryesisht në Universitetin e Padovas, fusnin në mësimdhënien e tyre lëndët e Algjebrës, Gjeometrisë, Trigonometrisë, Astronomisë, Gjeografisë dhe Historisë. Shkollat pajisen me biblioteka të pasura dhe me instrumentet e fizikës dhe të kimisë. Përmend këtu vetëm rastin e një shkolle të Mitropolisë së Korçës, çelur më 1724, biblioteka e së cilës numëronte mbi 1.000 vëllime librash. E gjithë kjo gjendje solli lëvizjet e para që i paraprinë rrymave iluministe dhe rilindjes së popujve në Ballkan. Mbështetësi kryesor i veprimtarisë arsimore ishte libri, i dorëshkruar dhe më pas i shtypshkruar, që vinte me sasi të mëdha kryesisht nga shtypshkronjat e Venedikut, por edhe nga Vjena, Parisi, Lajpcingu, etj.

Një tjetër faktor i rëndësishëm në brumosjet shpirtërore të periudhës në fjalë ishte edhe roli i klerit ortodoks, që edhe pse në raste të caktuara mbante qëndrim të rezervuar ndaj zhvillimit të teorive shkencore, e megjithatë kontributi i tij ishte vendimtar në zhvillimin arsimor dhe përhapjen e rrymave perëndimore të kohës. Deri në shek. XVII kleri ortodoks është pararojë në fushën arsimore, në një kohë kur arsimi është pothuajse jo i pranishëm si për nga potenciali njerëzor, ashtu edhe nga infrastruktura materialo-teknike. Kishat dhe manastiret hapin dyert në shërbim të arsimit. Humanizmi religjioz i shek. XVII do të sjellë ndryshime të rëndësishme me sjelljen e shkencave të antikitetit në qendër të vëmendjes. Ky ndryshim do të plotësohet në shek. XVIII, kur tashmë në shekullin e dijes, shkencat natyrore do gjejnë vendin e tyre në fushën e arsimit, krah mësimdhënies së teksteve të antikitetit klasik. Pikërisht, janë klerikët ata që edhe në këtë rast do të jenë shprehësit e këtyre shkencave. Nuk është e rastësishme që të tre autorët teksteve tona janë klerikë, madje dy prej tyre, Jorgo Sugdhuri dhe Anastas Papavasilopulu, në një periudhë ku klerikët ditunarë, mbartës të teorive shkencore të fizikës dhe të matematikës, thuajse nuk ekzistonin asfare në hapësirën shqiptare të Ballkanit osman.

Së fundmi, është e udhës të theksojmë se si veprat e Kavaliotit, Sugdhurit dhe të Papavasilopulut, ashtu edhe të dijetarëve të tjerë të kësaj periudhe, nuk janë kopje, përkthime ose riprodhime të teksteve evropiane, me të cilat ata vijë në kontakt gjatë shek. XVII-XVIII. Përkundrazi, janë përzgjedhje, përmbledhje, plotësime, sjellje në kohë, përvetësime dhe transformime të tekstet evropiane për nevojat e shoqërisë së kohës, gjë e cila do të rezultonte e pasuksesshme nëse nuk do të ekzistonte ngrehina e gatshme për inkuadrimin e tyre, siç është, ndër të tjera, edhe shoqëria e qytetit të Voskopojës.
*Universiteti i Tiranës (Kumtesa u mbajt në Kuvendin Ndërkombëtar të Albanologjisë në datat 3-5 tetor në Zarë të Kroacisë)

“Kodiku Beratas”, botim kritik përgatitur nga Bardhyl Demiraj – Nga Anila Omari

Kodiku i Beratit, i njohur ndryshe edhe si Dorëshkrimi i Kostë Beratit, është një kodik i fundit të shekullit XVIII ose fillimit të shek. XIX, i shkruar pas gjithë gjasash në Berat, dhe mendohej të jetë shkruar prej një murgu të quajtur Konstandin, edhe pse autorësia e tij nuk është e vërtetuar. Sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Libri prej 152 faqesh përmban në pjesën shqip të tij disa lutje fetare e pjesë Ungjilli, një vjershë himn mbi vuajtjet e Krishtit “Zonja Shën Mëri përpara kryqësë” me tekstin përgjegjës greqisht, si dhe dy fjalorthë greqisht-shqip. Përveç këtyre pjesëve shqip ka edhe një kronikë në greqisht që përshkruan ngjarje midis viteve 1764-1789. Dorëshkrimi është teksti më i plotë që njohim në trashëgiminë kulturore shqipe në hapësirën kulturore ortodokse të Jugut në shek. XVIII. Për shumëllojshmërinë e teksteve që përmban dhe materialin gjuhësor të shqipes në to, ky dorëshkrim përbën një vlerë të rrallë në shkrimet shqipe me alfabetin grek.

Falë nismës fatlume të kohëve të fundit të Bibliotekës Kombëtare për digjitalizimin e dorëshkrimeve të hershme shqipe përmes Portalit të saj albanologjik, tani studiuesit kanë mundësi të konsultojnë e t’i shfrytëzojnë këto dorëshkrime të rralla në internet.
Një produkt i suksesshëm i këtij shërbimi është vepra integrale “Kodiku i Beratit”, me një botim kritik të pjesës shqip përgatitur nga prof. Bardhyl Demiraj. Autori është i mirënjohur tashmë, ndër të tjera, për punën e tij të vlefshme me botimet filologjike-tekstuale të teksteve të vjetra shqipe, kryesisht të arealit verior të shekujve XVII-XVIII. Përpunimi filologjik i një teksti shqip në dorëshkrim, të shkruar me alfabetin grek, siç është kodiku i Beratit, përbën për studiuesin një sfidë të re, të cilën vetëm një punë këmbëngulëse e intensive ia ka dalë ta përballojë me sukses. Ky tekst që përfaqëson trashëgiminë e letërsisë shqipe të shekullit XVIII, nuk ka qenë botuar i plotë, por vetëm pjesërisht (nga A. Hetzer) ose i transkriptuar e i pabotuar (nga I. M. Qafëzezi).

Studimi është në standardin e punimeve të tjera filologjike-albanologjike të autorit dhe në përgjithësi të studimeve të filologjisë tekstuale të kohës së sotme, duke ndjekur parimet metodologjike dhe parametrat shkencorë bashkëkohorë të kësaj disipline. Autori ka sjellë para lexuesit një botim kritik sa më afër realitetit gjuhësor të materialit origjinal të tekstit të dorëshkrimit, duke kapërcyer hap pas hapi vështirësitë e punës me tekstin dhe me variacionet e shumta e të ndryshme brenda tij. Fazat e punës ekdotike me tekstin shtjellohen në kapitujt II, III dhe IV që përmbajnë riprodhimin e tekstit sipas metodave normative të botimit të tij: 1) botimin anastatik të materialit bashkë me riprodhimin diplomatik të teksteve greqisht-shqip dhe të teksteve vetëm shqip me alfabetin grek, 2) transkriptimin e zgjeruar të tekstit shqip në alfabetin e sotëm të shqipes, 3) një variant të normalizuar të tekstit shqip, i cili nga njëra anë ruan origjinalitetin e tekstit dhe nga ana tjetër ia lehtësojnë leximin e rrjedhshëm të tekstit një rrethi më të gjerë lexuesish.
Për hir të dhënies sa më të plotë të tekstit të dorëshkrimit, botuesi ka përfshirë edhe përkthimin e pjesës greqisht të tij, e cila paraqet interes për kronikat nga Berati, por edhe qytete të tjera si Elbasani e Vlora, që paraqesin gjendjen ekonomiko-sociale dhe historiko-politike të këtyre trevave në fund të shekullit XVIII, nën përkthimin e Ilo Mitkë Qafëzezit, që deri më sot kishte mbetur pa botuar.

Pjesë e domosdoshme e një botimi kritik sipas parametrave bashkëkohorë të filologjisë tekstuale është studimi hyrës që paraqet kornizën paratekstuale të tekstit në shqyrtim dhe trajtimin e çështjeve filologjike e gjuhësore që kanë të bëjnë me interpretimin e tekstit dhe kriteret e botimit. Në rastin e këtij botimi studimi hyrës është shtjelluar në formën e një triptiku me këto tematika:

1) Korniza paratekstuale e materialit në dorëshkrim, ku paraqiten gjendja e studimeve dhe e njohurive të deritanishme për dorëshkrimin në fjalë, ku spikasin emrat dhe puna e studiuesve Ilo Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli e Armin Hetzer; rrethanat historike, kulturore e sociale të krijimit të dorëshkrimit, autorësia e tij dhe vendi që zë ai në letërsinë e arealit kulturor ortodoks të Jugut me alfabet grek dhe me alfabet origjinal në shek. XVIII, si dhe jepet një përshkrim fizik i dorëshkrimit në formë e në përmbajtje. Këto kërkime mbështeten gjerësisht në studimet e thelluara e të mprehta të albanologut gjerman Armin Hetzer, i cili vlerësohet lart nga autori duke vënë në dukje edhe mungesën e njohjes nga publiku shqiptar të punimeve të shkëlqyera të këtij studiuesi për shkrimet shqipe dhe qarkullimin e librit shqip. Një nga problemet e debatuara lidhur me dorëshkrimin është edhe autorësia e tij. Ky studiues ka argumentuar se emri Konstandin lidhet jo me shkruesin, por me perandorin Konstandin dhe datën e festës së tij, prandaj edhe autorësia e një murgu me emrin Kostë Berati vihet në dyshim, madje mëtohet për ekzistencën e më shumë se një shkruesi.

2) Kodi alfabetik dhe rregullat e leximit në shqip. Gjatë punës për digjitalizimin e dorëshkrimit shqip me shkronja greke janë analizuar kodi alfabetik dhe sistemi drejtshkrimor i tekstit, të cilët janë mbledhur dhe klasifikuar për të zbuluar rregullat e leximit në shqip të shkronjave greke dhe kombinimeve të tyre. Fondi i grafemave dhe kombinimet e tyre janë paraqitur në mënyrë të sistematizuar në një tabelë ku jepet në mënyrë të krahasuar alfabeti i Kodikut Beratas me alfabetin e sotëm të Manastirit dhe me alfabetin fonetik ndërkombëtar IPA si dhe me shembujt përkatës të dorëshkrimit. Kjo tabelë i jep mundësi lexuesit të orientohet për leximin e drejtë të tekstit shqip të transkriptuar. Autori i botimit kritik ka vënë re dhe një varg anomalish e vështirësish në leximin në shqip të grafemave dhe kombinimeve të tyre greqisht, që kanë rrjedhur nga prania e tingujve të shqipes që nuk ekzistojnë në sistemin fonetik të greqishtes. Në disa raste të tilla shkruesit kanë dhënë zgjidhje nganjëherë jo të qëlluara, si shenja të ndryshme diakritike, mjete grafike si shtesa grafemash e dyfishim grafemash etj. Vështirësia e leximit shtohet në rastet e shkrimit të fjalëve e togfjalëshave bashkë me njëri-tjetrin, të mungesës së vendosjes së pikës në fund të fjalisë, të pikësimit të paqartë etj.

3) Çështje të botimit kritik të teksteve shqip. Në këtë paragraf autori parashtron metodat e ekdotike që ka zbatuar në riprodhimin e dorëshkrimit beratas.
a) Metoda e parë është riprodhimi anastatik, i cili është realizuar, me cilësi mjaft të lartë, nga materiali i disponueshëm në fondet digjitale të Bibliotekës Kombëtare Tiranë. Kjo metodë lejon lexuesin të ballafaqojë riprodhimet e tjera me origjinalin dhe të kontrollojë vetë çdo zgjidhje grafike të adoptuar nga botuesi.
b) Metoda e dytë është riprodhimi diplomatik, i vendosur përbri botimit anastatik, i cili i lehtëson lexuesit leximin e dorëshkrimit origjinal pasi është transkriptuar me alfabetin grek si në origjinal, por me shkronja shtypi dhe me ndonjë përmirësim anësor, si ndarja e fjalëve sipas praktikës së sotme drejtshkrimore, ose ndreqja e ndonjë gabimi tepër të dukshëm, gjithsesi të vënë në dukje me një shenjë prej botuesit.

c) Metoda e tretë është tejshkrimi i zgjeruar i tekstit shqip. Ky është riprodhimi i tekstit si një botim i përkujdesur kritik në alfabetin e sotëm latin të Manastirit, që përcjell besnikërisht dorëshkrimin shqip, duke ndërhyrë vetëm për ndarjen e fjalëve dhe për rregullimin e pikësimit sipas drejtshkrimit të sotëm, ndërsa në rastin e shmangieve të dukshme drejtshkrimore të dorëshkrimit vetëm është nënvizuar grafema përkatëse për t’u mbajtur parasysh në variantin e botimit kritik si tekst i normalizuar.
d) Metoda e katërt është botimi i përkujdesur filologjik në formën e një teksti të normalizuar e të përshtatur për një lexim të rrjedhshëm në një rreth më të gjerë të interesuarish. Kjo nuk do kuptuar aspak si një rindërtim normativ i tekstit, por thjesht si një sistematizim e thjeshtim i variacioneve të shumta grafike të dorëshkrimit, pa prekur aspak variacionin gjuhësor e dialektor të autorit/autorëve të dorëshkrimit.

Botimin kritik e shoqëron një aparat kritik i hollësishëm e i përpiktë, që përmban të gjitha ndërhyrjet redaksionale të argumentuara me argumente gjuhësore-filologjike si edhe të natyrës statistikore, shpjegime të ndryshme që lidhen me interpretimin e tekstit në aspektin gjuhësor e filologjik, të mbështetura në një shqyrtim e vlerësim të gjendjes gjuhësore të fazës së shqipes kur u shkrua teksti, të përkatësisë dialektore të autorëve të dorëshkrimit, të veçorive të shkrimit shqip në arealin ortodoks të Jugut si dhe në traditën e botimit filologjik të teksteve të këtij areali nga studiues të mëparshëm.

Riprodhimet e teksteve, që përbëjnë pjesën kryesore të punimit, janë realizuar me akribinë e njohur shkencore që karakterizon autorin e botimit kritik të dorëshkrimit.
Me këtë vepër autori ka arritur synimin që i ka vënë vetes: të realizojë botimin kritik të tekstit shqip të kodikut të Beratit, tashmë i rrokur në tërësinë e vet me të gjitha pjesët përbërëse të tij. Ky botim hedh baza të sigurta për hulumtime të mëtejshme në gjuhën e tekstit si përfaqësuese e toskërishtes veriore të shek. XVIII, si dhe për shumë çështje që kanë të bëjnë me historinë e shkrimit shqip me alfabetin grek e marrëdhëniet e tij me alfabete të ndryshme origjinale, si dhe me marrëdhëniet me shkrimet në gjuhët fqinje etj., të cilat autori synon t’i ndërmarrë në të ardhmen e afërt.
Botimi i veprës “Kodiku i Beratit” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë është një tjetër gur që plotëson mozaikun e botimit të trashëgimisë sonë kulturore-letrare të së kaluarës me një tekst të një periudhe kohore me trashëgimi të paktë shkrimore dhe nga një hapësirë kulturore ku ka mbizotëruar gjuha greke si gjuhë e shkrimit, siç është shekulli XVIII i arealit ortodoks të Jugut.

Ton Zmali, shkrimtari e poeti me ndjenja të zhvilluara dhe me sqimë të hollë… – Nga Zamira MATOSHI

Për krijimtarinë poetike dhe narrative të shkrimtarit Ton Zmali kanë shkruar shumë njohës dhe përcjellës të letërsisë. Në shkrimet dhe komentet e tyre janë analizuar ngjarje dhe personazhe, koha dhe hapësira, figuracioni letrar, metrika, shtresëzimet kuptimore e gjithçka tjetër që i vyen një procesi të tillë.
Sigurisht që mënyra e këndvështrimit të veprës së Zmalit nga autorë të ndryshëm i ka dhënë një ndihmë të vyer lexuesve, të cilët akoma nuk kanë rënë në kontakt me fjalën e tij artistike, për të qenë paksa të përgatitur për të shijuar në të njëjtën kohë qiellin dhe honin, kroin dhe shkretëtirën, parajsën dhe ferrin tokësor të sjellë mjeshtërisht në vargje dhe rreshta. Ata që e njohin sadopak biografinë e Ton Zmalit, si dhe ata që ia njohin talentin djaloshar të shkollës pedagogjike, të akademisë së arteve, apo pjekurinë profesionale të viteve kur merrej me drejtimin e vatrave të kulturës në rrethe të ndryshme të vendit e kanë më të lehtë për të kuptuar sesi arriti të pikturojë ferrin dhe parajsën nëpërmjet metamorfizimit të fjalës së pathënë, që pas viteve 90-të shpërtheu me forcën e një vullkani shkatërrues, por të domosdoshëm për të arritur deri tek lexuesi i tij, që jo gjithnjë arrin ta kuptojë. Është e vështirë të bëhet një analizë shteruese e veprës së tij, për vetë natyrën thellësisht subjektiviste që ka letërsia. Ata që kanë folur dhe që do flasin për këtë autor do kenë vazhdimisht hapësira ku mund të ketë vend për të shtuar diçka, në veçanti tek krijimtaria e tij narrative, që sipas meje kërkon një studiues serioz dhe kurajoz për të bërë një analizë të detajuar në rrafshin horizontal dhe vertikal, ideor e semantik. Krijimtaria e Ton Zmalit është e bollshme. Falë kësaj pasurie cilido që e ndjen mund të ndalet aty ku do, një prozë që mbart një realizëm magjik të ngjashëm me romanet e Markezit për nga tabloja, një varg sa lirik, aq edhe simbolist, sa meditativ aq edhe filozofik , sa folklorik aq edhe hermetik. Një pakohësi veprimi si në romanet e Camajt apo Pashkut. Gjithsesi unë s’do merrem me kategoritë estetike, as me elementët e vargëzimit apo metrikës në përgjithësi, me shpresën se dikush tjetër do ndalet mbi to gjerësisht, por do shtoj diçka mbi “Kangët e Bregdrinasve” (cikël lirikash bjeshke e vrrini). Ky cikël lirikash gjendet në librin e fundit “Astmat e Pranverës”. Një cikël lirikash me motive folklorike që siç duket dëshmojnë pamundësinë e shkëputjes së poetit nga rrënjët e tij. E rrënjët e tij janë të ngulura përjetësisht në shkëmbinjtë shekullor përgjatë një lumi të bukur, që ashtu sikurse ka emrin Drin-ndrin-ndriçon, i jep dritë mbarë Shqipërisë dhe jo vetëm. Ndryshe nga një pjesë e mirë e krijimtarisë, ky cikël sjell para lexuesit madhështinë e dashurisë që ka arritur të tjetërsojë natyrën e ashpër tē banorëve që jetojnë përjetësisht me egërsinë dhe butësinë, frikën dhe magjinë e Lumit Drin, që çan mespërmes malet e larta e të thepisura, që nga koha e përmbytjes së madhe (koha e Noes). Bregdrinasit më kujtojnë banorët e fshatit Makondo tek romani “Njëqind vjet vetmi”. Ekzistenca e tyre në brigjet e lumit Drin është pazgjidhshmërisht e lidhur me mite e legjenda, që vendasit i kanë ndërtuar e transmetuar ndër breza, si ngjarje që edhe pse kanë subjekt të jashtëzakonshëm, duke u vendosur në sfondin e brigjeve të një lumi të gjatë e herë-herë të rrëmbyeshëm, që natën në hijen e hënës, apo ditën në shkëlqimin e diellit, orë e zana duken e zhduken sa nga njëri breg tek tjetri, si për t’u kujtuar këtyre banoreve se ato kanë qenë e do vazhdojnë bashkëjetesën me ta. Poeti Ton Zmali nuk është i vetmi që gjeti muzën e frymëzimit nga këto vise të bukura, ku shpatet e maleve bien pingul mbi Dri, ku lulja e çan shkëmbin shekullor, dhe triumfon furishëm në kërkim të rrezes së diellit, ku dashuria për tokën, ujin, ajrin, dashuria për femrën(e dashur, grua, motër, nënë), dashuria dhe respekti për jetën e vdekjen janë feja e tyre.(kujto motivet e dasmave, ritualet e vdekjes, veshjet popullore, ninullat e këtyre viseve, apo simbolet pagane të gjetura nga kërkimet arkeologjike në të ashtuquajturën “Kultura e Komanit” etj.).
Të shumtë shkrimtarët që i kushtuan vjersha e këngë, romane e skenarë filmash banorëve, që Lumi Drin iu ka dhënë jo vetëm mundësinë e mbrojtjes fizike nga pushtues të shumtë e barbar, jo vetëm mundësinë e jetesës nga toka pjellore e brigjeve të Tij, por edhe emrin e bukur Bregdrinas. Nuk është i vetmi që iu referua gurrës folklorike për të treguar shpirtin e bukur të malësorëve, që dashurinë e kanë të çmuar sa jetën edhe pse paragjykohen si njerëz të ftohtë, që iu mungojnë fjalët e politesës e të dashurisë.
Ton Zmali pohon me Kangët e Bregdrinasve diçka krejt të kundërt, duke nisur që nga poezia e parë e ciklit “Kush na prishi gjith kët dashni?”, ku shfaqet tërë hidhërimi i dy shpirtrave të dashuruar, nëpërmjet mallkimeve pafund, kundrejt një të treti, që ka hyrë në mes. Gurra popullore lēshon rrufetë e mallkimit si: “Ujku i preftë kopenë”-malësori e ka ngushtësisht të lidhur jetesën me gjënë e gjallë. “Bletët ia griftë teja”- malësori nuk i mallkon kurrë bletët, ai i quan të shenjta dhe të bekuara. “Kurrë mos gzoftë lule të reja” – në mënyrë metaforike ai mallkon që ky person mos e shikoftë më pranverën. “U shoftë deri në ka të zi”, – u shkatërroftë nē gjithçka.
Dhe e mbyll me mallkimin më të rëndë dhe që e kalon këtë botë “çoje Zot Lugat”.
Vijon poezia e dytë “Hamadreq bjeshkën pa ty”, ku serish elementët folklorikë mbështjellin emocionet që përjeton djali, që refuzon gjithçka të bukur, siç është psh. dalja në bjeshkë për të veruar, nëse nuk ka pranë tē dashurën e tij. Shprehjet si “hamadreq jetën”, “ ham-dreq-çka-paça”, pasha tokë-e-qill”, “mbeta qyqe” etj., etj., që gjenden me shumicë në folklorin e pasur të fshatrave që gjallojnë përgjatë bregut të Drinit, janë pasuri e jashtëzakonshme për etnolingustikën shqiptare. Ato kanë një forcë shprehëse mahnitëse tē pakrahasueshme me folklorin e vendeve fqinjë. Ton Zmali e ka shfrytëzuar mençurisht dhe mjeshtërisht këtë pasuri në vargjet e tij. Në këtë poezi, bukuria femërore, përligj çdo sakrificë, kapërcen çdo pengesë dhe përçmon çdo sy ziliqar.
U shkri bora mbi lëndina,
Kur ta pashë trupin pa t’imta,
Kur ta pashë gjoksin picak,
Si ylber çerpikët hark…

(Poezia e tretë “Veç me fatin mos u mat”).

Mesazhi i dhënë që në titull mishërohet nga vargje të mbushura me antiteza dhe anafora, që krijojnë një gjendje pasigurie për njeriun e çdo kohe e vendi. Njeriu e ka vërtetë në dorën e tij se kush mund të bëhet në jetë, por ndonjëherë sado përpiqesh ndodhin disa ngjarje që tjetërsojnë çdo projekt të ndërtuar, duke mos qenë i zoti të shpjegojë pse-në e kësaj devijese, ngre supet duke ngushëlluar veten – “epo ky është/ishte fati”.
Ka pasë thanë motit një plak,
Kurrë me fatin mos u mat,
Ta merr ditën ta bën natë,
Ta merr ujin të le gojëthatë,
Të fut n’detë të le pa varkë,
Ta sjell t’keqen pa hesap…

E varësisht kēsaj gjendje pasigurie, poeti në pjesën e dytë të poezisë, nuk i nënshtrohet fatit të paracaktuar, ai gjen burimin e forcës tek dashuria e vërtetë, për të cilën është gati të bëhet “unor”.
Poezia “Përmi Dri kur iku lpeja”, është sërish një lirikë dashurie me motive popullore, ku djali i këndon vashës që mbledh gështenja. Me anën e epanastrofesë dhe krahasimit “Zbrita malit si rrufeja/ Si rrufeja rashë nē va” tregohet dëshira e madhe për ta takuar vajzën, që herë shfaqe këtej Drinit e herë matanë Drinit, është lpeja ajo që pengon shikimin…, e vajza herë si njeri, e herë si zanë ikën nëpër lpe, ikën larg “ndoshta në shtëpinë e harrimit”, për të lënë pas dikë që e pret përjetēsisht.
Metafora “shtëpia e harrimit” nënkupton kurbetin, një plagë aktuale sot, për mijëra e mijëra shqiptarë, që u harruan rrugëve të botës dhe ku askund nuk ndjehen mirë. Andej janë të huaj, këtej janë harruar…
I njëjti motiv malli për të dashurën gjysmë zanë e gjejmë edhe në poezinë “Ah ta dish sa shumë të dua”, ku nëpërmjet metaforave si: “vasha e veshur me qiell”, “gatuaj andrra”etj, hiperbolës “një mijë puthje/një mijë meshë”, anaforës “më bahesh zjarr që s’din me u shue/ më bahesh qiell me fluturue/ më bahesh det për me lundrue”, krahasime si; “ajo asht si vala e Drinit/ajo asht si rrezja e diellit”, poeti shpreh dashurinë për të bukurën dhe dhimbjen, kur mendon se kjo dashuri do mbetet platonike, sepse ai e ndjen veten si kuzhinjeri që gatuan, por nuk i shijon ushqimet e tij, sepse “Një jetë mbeta tuj gatue / andrra e shpresa pa shijue”.

Në poezitë që pasojnë ciklin, dashuria bëhet lejtmotiv, “Dashuria nuk ka moshë” thotë poeti, sikurse kemi dëgjuar shprehjet e popullit. Dashuria si mister “i jep sy qorrit e verbon atë që ka sy”, “bën filozof budallain e të mençurin e bën budalla”.
Në lirikat “Puthja jote venë e vjetër”, “Ku je ti moj luleborë”, “Pa ty zemër më vdes ylberi”, “Hanë e re dil në dritare”, “Lidh gërshetat me ylber”, “E miro pse je idhnue “, nëpërmjet metaforave, epiteteve e krahasimeve poeti i këndon vashës së tij, që ikën si zana herë në Kokdodë, herë në Merturë, herë në Iballë, herë në Lëvoshë, herë në Gegysen, herë në bjeshkë e herë në vrri…
Pothuajse të gjitha poezitë e këtij cikli janë ndërtuar me vargjet 8-10 rroksh, karakteristikë kjo e këngëve tona folklorike. Po ashtu bie në sy rima e puthitur, rima e alternuar dhe rimë e kryqëzuar si dhe një leksik karakteristik i zonës bregut të Drinit.
Gjatë leximit të këtij cikli lirikash më është sjellë disa herë në mendje një personalitet i shquar i gjuhësisë dhe letërsisë shqiptare, albanologu i njohur austriak Maximilian Lambertz, i cili është marrë posaçërisht me folklorin shqiptar. Në disa shkrime të tij botuar në gazetën e njohur të kohës “Posta e Shqypnies” ndër të tjera shkruan për folklorin shqiptar si pjesë e folklorit ballkanik dhe atij europian. Ai ndalet gjerësisht tek veçoritë e poezisë popullore shqiptare. Atij i bënin përshtypje shprehjet mbresëlënëse si: “Lulja e blinit”, “O zambaku i bardhë”’ “ganxhe”, “mollë e kuqe imja”, “moj hyria ime”, “qafëgastare”, “moj faqemollë” etj. “Këto shprehje, që gjenden dendur në këngët popullore të dashurisë, mund t’i krijojnë e t’i përdorin vetëm njerëz me ndjenja të zhvilluara dhe sqimë të hollë.”- shprehet Lambertz.
Edhe pse ky cikël poezish është shkruar gati një shekull pas këtij përkufizimi, më duket sikur është shkruar posaçërisht për Ton Zmalin.

Realitete të panjohura të ikjes së madhe të shqiptarëve pas viteve ‘90 – Nga Dukagjin Hata

 

Rreth librit ”Sfida shqiptare në Londër” të Ruzhdi Jatës

 

 

Pas romanit “Shpresa e Londrës”, një histori shqiptare në tokën londineze, një odise romaneske plot realizëm e befasime, si dhe librit tjetër me titull  “Lutfi Vata-frymëzim për ardhmërinë”, ku në qendër të rrëfimit gazetaresk është një protagonist i diasporës së re shqiptare në Londër, shkrimtari dhe publisti Rruzhdi Jata vjen me një libër tjetër po kaq interesant, këtë radhë me fokusim rreth fateve të emigrantëve shqiptarë në vendet pritëse, në kërkim të vetvetes dhe një jete më dinjtoze.

Ballafqimi me disa vërteta të panjohura ose të njohura përciptazi, gjysëm të njohura, të rrugëve të fatit të ri shqiptar drejt “Tokës së Premtuar”, përtej kufijve të irnosur të delirit ideolgjik dhe klithmës së dogmës,  është tema e librit më të ri publicistiko-letrar të autorit Rruzhdi Jata.

Në këtë rrëfim me zemër në dorë jepet udhëtimi sizifian i shqiptarëve, pas viteve 90, drejt botës së lirë, ku ka aq shumë ankth, dramë, makth, dhimbje tragjike, shpresë, shumë shpresë, për të arritur në cakun e ëndrrës dhe për t’u vetërealizuar në mjedise e rrethana të reja të shoqërive të hapura, joshja drejt të cilëve ka qenë një gravitet i gjithëkohshëm i shqiptarëve të dalë nga nata e izolimit makthioz gjysëmshekullor.

Nën titullin “Sfida shqiptare në Londër”, autori Ruzhdi Jata përcjell një sagë rrënqethëse të ikjes së shqiptarëve  në mërgim, e cila të mbërthen me përshkrimet e gjalla realiste, me imtësinë e detajeve dhe fuqinë e imazheve të forta, kujtesave trondiëse që pasojnë njëra tjetrën.

Autori tregon për rrugët e fatit të  atyre njerëzve që të ndodhur në situata delikate, të pasigurta gjer në ankth, u nisën në rrugëtimin e tyre nëpër det, drejt vendeve të Perëndimit, duke e paguar çmimin e një jete më të mirë deri dhe me  jetën e tyre.

Ikja e tyre të kujton shpërnguljet makthioze biblike, nën mizorionë e përndjekjeve pa limit, por shqiptarët nuk i përndjek askush veç hijes së trishtë të së kaluarës, varfërisë së tejskajshme dhe deziluzioneve të pafundme për një demokraci reale dhe përfaqësuese të ëndrrave të tyre.

Në këtë degdisje gati fatale, drejt vendeve të huaja, të ikurit shpesh kaluan në duar trafikantësh të pashpirt dhe mizorë, çfarë jepet me ngjyra të gjalla dhe që të mbeten në kujtesë në faqet e këtij libri.

Është një endje e pafund në rrugët e detit dhe të malit, në këmbë, me tren, në det të hapur, me gomone, nën “mbikqyrjen” mafioze të trafikantëve, nën snajperat e policisë kufitare të vendve pritëse.

Jeta e mërgimtarëve në Angli zë kryet e vendit në këtë rrëfim tronditës, të mbushur me episode drithëruese, me përshkrime dhe analiza të imëta.

Integrimi i shqiptarëve në këtë tokë të bekuar shansesh dhe mundësishë, jepet me kthjellësi dhe realizëm, duke të mbushur me krenari që bashkëkombasit e tu, me dhuntitë, talentet, forcën e vullnetit dhe pathyeshmërinë e ëndrrës, ia kanë dalë të gjejnë vetveten në këtë tokë shanesh dhe mundësishë të pafundme.

Të përgjegjshëm dhe misionarë të ndryshimit të madh, shqiptarët ditën të bashkohen dhe organizohen, siç ka ndodhur me organizmin e tyre mbresëlënës në shoqatën “Sfida”, duke bërë që, nga “macja e zezë” dhe “ters”, siç përshkruheshin shqiptarët në Perëndim, në kronikat paragjykuese, në fillim të mërgatës së tyre, pas viteve ’90, në protagonistë të historive të suksesit, modele për t’u ndjekur edhe nga vetë vendasit.

Rruzhdi Jata është vetë pjesë e këtij integrimi fatlumë, ku së bashku me baskëshorten e tij, Kadimen, me vajzat Gretën dhe Rozanën, gjetën vetveten në Londër, ku jetojnë prej 20 vitesh. Janë me qindra të tjerë, mtelektualë të njohur, gazetarë, juristë, mjekë, shqiptarë të profesioneve nga më të ndryshmet, që ashtu si Rruzhdiu dhe familja e tij, ia kanë dalë të integrohen dhe plotërohen në këtë truall të begatë, që i jep mundësitë gjithëkujt të bëjë atë që di të bëjë më mirë dhe të realizojë ëndrrat e tij.

Përshkrimet e autorit janë të gjalla dhe vijnë në trajtën e mozaikut, ku një ngjarjeje i kthehet e rikthehet disa herë, duke e detajuar dhe plotësuar me elemente të rinj, me fakte dhe impresione të reja.

Pena zhbiruese dhe investiguese e gazetarit të vjetër pasohet nga një psikoanalizë e hollë dhe e imët e fakteve, nga reflektimi emocional i autorit ndaj të ndodhurës.

Si intelektuali dhe qytetar i angazhuar, si atdhetar dhe misionar i përçimit të vlerave më të mira të bashkëkombasve të tij në emigracionin londinez e më gjërë, Jata nuk resht së dhëni mesazhin e integrimit, që është kryemesazhi i librit të tij dhe që autori e përcjell në pamje dhe fokusime nga më të ndryshmet, nga më mbresëlënëset.

 

Nga faqja në faqe, rritet intesiteti qoftë i informacionit, qoftë i reflektimit, ku autori, teksa përshkruan jetën intensive në Londër, tubimet, komunikimet, trajnimet, këshillimet dhe afrimin e çdo lloj asistence njerëzore e teknike për të gjithë të paorientuarit dhe të pamundurit, mban qëndrim ndaj gjithë këtij “karuseli” të vrullshëm, duke e orientuar lexuesin në kërkimin e përvojave dhe modeleve më të mira për t’u ndjekur.

Malli për Shqipërinë, për vendlindjen, miqtë, shokët, të afërmit në këtë cep të dheut ballkanik, janë faqet më prekëse të librit, që lexohen me një frymë dhe të emocioojnë për peshën e të vërtetave të thjeshta e trondiëse që përcjellin.

Gazetari i vjetër kuksian, Ruzhdi Jata, me një stil të zhdërvjellët, plot ritëm informativ dhe investigues, me përshrime të kursyera, por gjithë kolorit gjuhësor dhe stilsitik, rrefën sagën qëndrestare të shqiptarëve në emigrimin e tyre më të ri, rrugët e mundimshme për të gjetur vetveten dhe mundësitë e shanset e një jete të re në “Tokën e Premtuar”.

Ky është shtrati rrëfimtar dhe vëzhgues, përshkrues dhe analitik ku e vendos kërkimin e tij gazetari Ruzhdi Jata, i cili merr përsipër të botojë një libër, ku tregohet qartazi se shqiptarët e ikur në Perëndim nuk janë “furnizuesit” e kronikave sensacionale të krimit dhe keqbërjes, por vizionarë të pashembullt, njerëz të përkushtuar që dinë të ndërtojnë jetën dhe të integrohen denjësisht në shoqëritë e civilizuara dhe demokratike të botës së lirë.

Shqiptarët në Londër e kudo që janë në Perëndim, në kërkim të fatit të tyre të ri, janë mesazherë të shqiptarisë, të vlerave më autentike të kombit të tyre dhe luftojnë kudo që ndodhen për të ruajtur dhe trashëguar vlerat e vendit të rrënjëve, me të cilat, duke ruajtur palcën e identitetit tonë kulturor e kombëtar, bëhemi më të besueshëm dhe më të pranishëm në sfidat e integrimeve globale.

E gjithë kjo sagë qëndrestare, që ka në themel aq shumë përpjekje dhe përkushtim, pasion dhe vullnet, përcillet me mprehtësi, sharm dhe elengancë në këtë libër të gazetarit dhe shkrimtarit Rruzhdi Jata, i cili na ofron mundësinë e njohjes së një realiteti jetësor, për të cilin ka pasur dhe ka aq shumë hamendësime e devijime dhe që tashmë ka ardhur koha të vijë në duart e lexuesit me kthjelltësi e realizëm, siç ndodh në faqet e këtij libri tëshkruar me thjeshtësi e sqimë, të mirëpritur nga lexuesi dhe kritika.

SHOQËRIA SHQIPTARE NË VORBULLËN E PROBLEMEVE DHE DILEMAVE SOCIALE – nga Fran Gjoka

 

-Mendime rreth librit “Probleme dhe dilema sociale”-

 

 

Libri i sociologut Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”, me titull “Probleme dhe dilema sociale”, është produkt i një pune intensive dhe të vazhduar hulumtuese, studimore e praktike të autorit. Ai përbën një kontribut me vlera në fushën e mendimit sociologjik, por dhe për përmirësimin e strukturave dhe praktikave më të mira të shërbimit social. Është një nga librat e kolanës së Gëzim TushiT, korpusi i të cilit tashmë përbëhet nga 20 vëllime. Ky është libri në të cilin është realizuar mjaft mirë pikëprerja e intelektualit, profesionistit dhe qytetarit të shqetësuar për problemet e shoqërisë shqiptare të ditëve tona.

Që shoqëria jonë ka kohë që është e mbushur me probleme individuale e dilema sociale të panjohura më parë, askush nuk ka më dyshim. Gëzim Tushi i bën një rontgenoskopi të zgjeruar këtyre dukurive, duke treguar se pse shoqëria e ditëve tona ka shumë dilema dhe për pasojë “funksionon” keq. Kjo është një e vërtetë për të cilën askush nuk ka dyshim. Autori mendon dhe argumenton se kjo situatë ka shkaqet dhe arsyet e veta.

Njerëzit janë të shoqërisht të shqetësuar dhe individualisht të turbulluar, nga që janë përballë një procesi kompleks të përkeqësimit evident të treguesve urbanë, moralë dhe komponentëve të nevojshëm komunitarë, që kanë ndikime të forta përkeqësuese të situatës sociale që zhvillohet në shoqërinë tone. Në instancë të fundit, sipas autorit, realiteti ynë social tregon se ka shumë komponentë ekonomiko-politikë dhe socio-kulturorë, që tregojnë se “shëndeti i shoqërisë” shqiptare jo vetëm nuk është mirë, por prognozat sociale dëshmojnë se ai mund të vazhdojë të përkeqësohet akoma më shumë në të ardhmen.

Gëzim Tushi, si sociolog, evidenton të vërtetën, sipas të cilës arsyet e këtyre dukurive janë të shumta dhe të shumëllojta. Historike e kontekstuale, politike dhe ekonomike, sociale e kulturore, që determinojnë këtë tipologji pak të veçantë të problematikave sociale që preokupojnë njerëzit tanë dhe shoqërinë tonë në tërësi. Në të vërtetë, në se shoqëria shqiptare e ditëve tona është kaq dilematike, kaotike, disfunksionuese, me tronditje të thella ekzistenciale, Kjo është e lidhur para së gjithash me ndryshimin radikal të tipologjisë së shoqërisë në procesin e kalimit nga një “shoqëri e mbyllur” në “shoqëri të lirë dhe të hapur”, pa shumë kufizime e determinantë socialë.

Autori i kushton në mënyrë sistematike vëmendjen e duhur analizës së realitetit, e lëviz panoptikonin sociologjik në të gjithë anët dhe këndet e jetës sociale, ndërhyn në mënyrë “kirurgjikale” atje ku janë patologjitë kripto-sociale, që ose nuk duken, ose nuk dallohen me shikim të sipërfaqshëm. Një nga analizat që Gëzim Tushi i kushton një kapitull janë sëmundjet e pasionit dhe përhapja e përdorimi i zgjeruar i lëndëve psikotrope, që kanë filluar të bëhen “helm social”, që po turbullon ndërgjegjen dhe vetëdijen e njerëzve tanë. Sidomos të adoleshentëve dhe të rinjve.

Por nuk mund t’i shpëtonin syrit të sociologut problemet që kanë të bëjnë me plakjen e popullsisë dhe nevojat për të ndërtuar një “shoqëri pa moshë” dhe me kujdes të shtuar për të moshuarit. Bashkët me to, autori analizon në mënyrë të hollësishme problematikat që kanë të bëjnë me situatën dhe pozitën sociale e familjare të gruas shqiptare dhe të fëmijëve, të cilët sipas autorit përbëjnë dy grupe me rrezik të veçantë dhe me status të cënuar brenda familjes shqiptare, e cila akoma ka shfaqje të diskriminimit moshor dhe gjinor.

Sigurisht një vend qëndror në librin “Probleme dhe dilema sociale” e zënë problematikat e shoqërisë moderne shqiptare, fenomenet e tjetërsimit të njeriut postmodern, të ndikimit social të medias, shoqërisë civile, etj.

Sipas autorit, në shoqërinë shqiptare shumë anomali të jetës sociale janë të lidhura ngushtë me faktin që zgjerimi i lirisë individuale u shoqërua dhe vazhdon të shoqërohet me keqpërdorimin e “kufijve” të saj nga mënyra si sillen njerëzit ekcentrikë, mungesa e vullnetit qytetar, nevojës së domosdoshme të vetëpërmbajtjes civile e humane. Kjo ka bërë që të ndihemi sikur jemi në rrugë pa krye. Ky perceptim i vërtetë i realitetit të shoqërisë tonë ka  bërë që të tronditen thellë jo vetëm familja, por dhe të gjithë strukturat e tjera të organizimit të jetës sociale apo ato që përbëjnë bazamentin funksionues të shoqërisë demokratike.

Degradimi i shumë strukturave themelore të organizimit të jetës kanë ndikuar në deformimin e thellë të shoqërisë, duke i dhënë asaj një formë “getoje”, ku çdo njeri bën si të dojë, vepron subjektivisht, pa pasur asnjë imperativ moral e social kategorik, që duhet të ndikojë në qëndrueshmërinë dhe funksionimin e jetës së përbashkët shoqërore.

Padyshim, është e vërtetë e paluajtshme e qytetërimit modern, që njeriu është thirrur që në suazën e kësaj shoqërie e të këtij qytetërimi, që të jetë i lirë nga determinimet e shumta sociale, sepse liria individuale në jetën shoqërore është “themeli i ekzistencës së krijuar”. Në libër, autori thekson se problemi është se në shoqërinë tonë, në emër të lirisë, po shfaqet jo vetëm “qytetari i lëvizshëm” që ka bonsens dhe lëviz lirisht në hapësirat e zgjeruara të shoqërisë të ndërtuar mbi bazën e lirisë sociale dhe prerogativave të shumta që ka krijuar demokracia në Shqipëri, por krahas tij, madje mbi të po tenton të shfaqet një lloj tjetër qytetari, që në emër të “lirisë individuale” të pakufizuar po cenon rendin social, ekzistencën normale të shoqërisë. Praktikisht jemi duke u përballur me situata të rënduara sociale që qarkullojnë në gjithë strukturat e shoqërisë tonë.

Padyshim që kjo situatë ka shumë shkaqe pse është e tillë, pse ka tendencë të agravohet. Autori përdor me saktësi shumë instrumente sociologjikë, optika sociale të parë me kujdes social, për të shpjeguar dhe interpretuar drejt dukuritë dhe thelbin e problematikave dilematike. Secili qytetar, intelektual, filozof apo sociolog, duke qenë të shqetësuar përballë këtij realiteti, mundohen të bëjnë diagnoza të përgjithshme dhe të diferencuara për një varg problemesh sociale, sikurse janë niveli ende problematik i varfërisë, krimi i shtuar, dhuna e zgjeruar në jetën publike, familje e shoqëri, treguesit e lartë të vrasjeve e vetëvrasjeve, divorcet në rritje, dobësimit të rolit edukativ të familjes dhe shkollës, etj.

Artistja Lule Elezi me mjeshtërinë e saj në piano, i dha jetë koncertit të Filharmonisë së Kosovës

Muzika, ky art madhështor, që gjen mënyrën e të shprehurit përmes tingujve. Një art që nuk njeh gjuhë e nuk ka kohë.

Mbrëmë Salla e Kuqe në Prishtinë, ishtë mikëpritëse e një koncerti madhështor, qe nisi e mbaroi me duartrokitje e emocione të mëdha, shkruan KultPlus.

Nën performimin e pianistes Lule Elezi dhe me dirigjent Boian Viedenoff, ky koncert ishte edhe në rolin e koncertit inaugurues, duke qenë i pari që hap sezonin për vitin 2019/2020 për të gjitha koncertet e tjera në vazhdim, që do të mbahen për 10-të muajt e ardhshëm, nga Filharmonia e Kosovës.

Koncerti filloi me interpretimin e pianistes Lule Elezi, e cila si jo rrallë herë, mahniti publikun kosovarë me performancën e saj. Gishtat e saj tek shtypnin tastet e pianos, të krijonin bindje sikur ishin krijuar vetëm për piano dhe asgjë tjetër.

Emocionet ishin të paevitueshme, ndjenjat e kënaqësia që mbizotëronte në atë sallë ku ndëgjoheshin tingujt e bukur të muzikës klasike, e bënë natën e mbrëmshme një natë të veçantë shtatori.

 

 

Boian Videnoff, i njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, u kthye para publikut të kryeqytetit tonë të bukur, për bashkëpunimin e radhës me Lule Elezin.

Lule Elezi luajti koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore.

 

Pianistja Lule Elezi, e cila në këtë mbrëmje pos që shkëlqeu me performancën e saj, në të njëjtën kohë shkëlqeu edhe me elegancën e saj skenike, e cila këtë koncert e vlerësoi si një ndër koncertet më për zemër përgjatë karrierës së saj.

Në një prononcim për KultPlus ajo është shprehur se ky koncert si soliste në piano, vjen për herë të dytë në bashkëpunim me orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.

“Koncertin e parë e pata realizuar në vitin 2015, ku jam prezantuar me koncertin Nr 5 për piano dhe orkestër të kompozitorit të mirënjohur Beethoven (koncert mbretëror), kurse koncerti i mbrëmjes së fundit erdhi në një bashkëpunim të shkëlqyer me dirigjentin Boian Viedenoff”, ka thënë Elezi për KultPlus.

 

 

Pianistja Lule Elezi, e cila në këtë mbrëmje pos që shkëlqeu me performancën e saj, në të njëjtën kohë shkëlqeu edhe me elegancën e saj skenike, e cila këtë koncert e vlerësoi si një ndër koncertet më për zemër përgjatë karrierës së saj.

Në një prononcim për KultPlus ajo është shprehur se ky koncert si soliste në piano, vjen për herë të dytë në bashkëpunim me orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.

“Koncertin e parë e pata realizuar në vitin 2015, ku jam prezantuar me koncertin Nr 5 për piano dhe orkestër të kompozitorit të mirënjohur Beethoven (koncert mbretëror), kurse koncerti i mbrëmjes së fundit erdhi në një bashkëpunim të shkëlqyer me dirigjentin Boian Viedenoff”, ka thënë Elezi për KultPlus.

 

 

Pjesa e dytë dhë e fundit e koncertit ishte e rezervuar për Simfoninë 9-të në e-mol, të kompozitorit çek Antonio Dvorak, ndryshe e njohur si Simfonia ‘’Nga bota e re’’. Edhe kjo nën udhëheqjen e dirigjentit Boian Videnoff.

Salla e Kuqe, ishte e mbushur plotë me dashamirës të këtij arti të bukur. Publiku jetonte në çdo notë e çdo tinguj të falur nga orkestra. Thënë shkurt, e mira e muzikës është ndjesia, e për të ndjerë duhet vetëm të dëgjosh.

 

 

Pianistja Lule Elezi në foto me dirigjentin gjerman Boian Viedenoff

Ajo shpjegoi se në këtë mbrëmje është prezantuar me koncertin e kompozitorit Edvard Grieg, që njihet për veprat më romantike të literaturës pianistike në nivel botëror.

“Jam e nderuar që luajta koncertin për piano dhe orkestër nga Grieg, por në të njëjtën kohë që bashkëpunova me dirigjentin Viedenoff , pasi që, për këtë koncert ka ardhur enkas nga Gjermania”, ka thënë Elezi, e cila është mirënjohëse edhe për bashkëpunimin e ngushtë me drejtorin e Filarmonisë së Kosovës, Baki Jasharin, i cili bëri të mundur këtë paraqitje solistike, të përcjellë nga orkestra, sikurse që ka falënderuar edhe organizatorin e Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, për koncertin e mrekullueshëm.

 

 

Pjesa e dytë dhë e fundit e koncertit ishte e rezervuar për Simfoninë 9-të në e-mol, të kompozitorit çek Antonio Dvorak, ndryshe e njohur si Simfonia ‘’Nga bota e re’’. Edhe kjo nën udhëheqjen e dirigjentit Boian Videnoff.

Salla e Kuqe, ishte e mbushur plotë me dashamirës të këtij arti të bukur. Publiku jetonte në çdo notë e çdo tinguj të falur nga orkestra. Thënë shkurt, e mira e muzikës është ndjesia, e për të ndjerë duhet vetëm të dëgjosh. /KultPlus.com

 

Shkrimtari që zgjon ëndrra dhe pasione te lexuesit e vegjël – Recension nga Fran GJOKA

 

 

(Duke lexuar librin “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!” të shkrimtarit të njohur Viron Kona)

 

Kohët e fundit Viron Kona ka dalë me librin e  tij më të ri për fëmijë të titulluar  “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!” Që në titull lexuesi kupton se libri ka në qendër të tij vogëlushin Bubulino, i cili është i njohur për dëshirën e tij që të jetë i pari njeri që do të shkelë në planetin Mars. Me këtë libër, shkon në 14 cikli me personazhin Bubulino dhe aventurat e tij, ndërkohë që shkrimtari ka në planin e tij krijues edhe shumë e shumë libra për këtë personazh origjinal, tërheqës për fëmijët, por dhe të vlerësuar nga kritika dhe lexuesit, ndërkohë që i kujtojmë lexuesit se ai është fitues i çmimit UNICEF, në konkursin e shpallur nga kjo organizatë botërore e fëmijëve me rastin e 60-vjetorit të krijimit të saj.

Thuajse të gjitha këta libra, rrokin gjerësisht ëndrrat e fëmijëve jo vetëm për të eksploruar planetin Mars dhe planetë të tjerë të Sistemit tonë Diellor, por  edhe më tej: hapësirën e  pafund kozmike me të fshehtat dhe misteret e saj.

Dëshiroj të nënvizojë se Viron Kona, ky shkrimtarë shumë prodhimtarë dhe i palodhur, me stilin e  tij të thjeshtë e të pabujë, i përfshirë tërësisht në ndjenjën e  bukur të modestisë, i tërheq lexuesit e vegjël me një gjuhë të magjishme në gjirin e shkencës dhe të zbulimeve që i shërbejnë të sotmes dhe të ardhmes së njerëzimit. Siç shprehet me të drejtë recensenti i këtij libri, fizikani dhe pedagogu Bujar Poçari: “Viron Kona, e ka stil të tij dhënien e njohurive dhe dijeve të shumta me karakter historikë, gjeografikë, shkencorë, të  pasqyruara këto  në  mënyrë tërheqëse, përmes ngjarjesh, episodesh, dhe aventurave. Kjo mënyrë të shkruari e bënë kureshtar lexuesin e vogël, i cili ndjek hap pas hapi me interesim dhe pa e ndalur frymën aventurat  e Bubulinos dhe të shokëve të tij”.

 

 

Në këtë libër me titull intrigues, teatri artistik ku zhvillohen ngjarjet  është skena e një konferencë shkencore, ku Bubulinoja dhe eskpedita e tij paraqesin përpara ndjekësve të tyre, por edhe përpara dy astronautëve që kanë ardhur posaçërisht nga NASA, planet dhe përgatitjet për të shkuar në planetin Mars. Shpejt  lexuesi i vogël përfshihet si pakuptuar në kurthin origjinal e artistik dhe e sheh edhe ai veten një pjesëmarrës aktiv në idenë, planet dhe dëshirën aventurore të Bubulinos. Pas çdo faqeje të librit, atmosfera bëhet gjithnjë e më tërheqëse, aty ku vlojnë e zhvillohen episode, biseda, batuta e ngjarje; sillen dhe analizohen fakte shkencore, kundërshti, e, të gjitha këto, prezantojnë njëherazi tipa dhe karaktere interesantë  fëmijësh, të cilët shprehin dëshira, përfytyrime, imagjinata të bukura që projektojnë zhvillimet aktuale dhe të së ardhmes së jetës në planetin Tokë, teksa situatat e krijuara nxitin njohjen e thellë të diturisë, historisë, gjeografisë, të shkencave dhe arteve. Janë një grumbull njohurish të cilat lexuesit e vegjël i marrin natyrshëm në faqet e librit, dhe, kur mbarojnë të tërë librin, e ndjejnë veten më të ditur, më të pasur me njohuri shkencore, por edhe më optimistë e plot energji për jetën dhe të ardhmen.

Janë mbresëlënës dhe origjinalë në libër personazhe si: Bubulinoja, Dardi, kapiten Liku, gjyshi Ambasador, kuzhinier Baxhuli, hungarezi Vladislav, italiani Alfonso; vogëlushët: Kokëgjembi, Fluturushja, Lisiana, apo personazhet simpatikë që shkaktojnë humor dhe të qeshura: shkencëtari i madh Këmbëgjatë, Mjekërverdhi etj., të cilët lexuesi i vogël i njeh si personazhe aktivë edhe në librat e tjerë që përbëjnë ciklin e Bubulinos. Të gjithë ata kanë tipare dalluese, si me dëshirat dhe ëndrrat, ashtu dhe me veprimet aktive në jetën e përditshme fëmijërore. Në këtë linjë konfigurohen dhe zbërthehen bindshëm edhe dy personazhe të rinj, dy astronautë të Agjensisë Amerikane të Hapësirës NASA dhe, kësisoj, e tërë atmosfera zhvillohet me vërtetësi dhe reale, sikur po ndodh tani dhe, lexuesit ndihen pjesëmarrës aktivë të saj. Është kjo një cilësi origjinale dhe krijuese e shkrimtarit Viron Kona, që shfaqet edhe në shumë libra të tjerë të tij, ndaj, duke ndjekur zhvillimin e librit, kompozicionin, personazhet dhe bëmat e tyre, por dhe gjuhën e pastër dhe të qartë, i jap të drejtë poetit dhe publicistit të njohur Ndue Dragusha, i cili në shkrimin e tij: “Të çuditshmit”, tregime për fëmijë nga Viron Kona”, botuar në “Lisalba”, nr. 131, 2005, ndër të tjera shkruan: “Mendoj se duke marrë shembull nga ky libër, duhet parë dhe duhen ndërtuar edhe tekstet shkollore…” Teksa, unë, autori i këtij artikulli, do ta çoja edhe më tej këtë ide, duke nënëvizuar se, e tërë krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Viron Kona, rreth 45 vëllime deri më sot, është një përvojë e mirë letrare, gjuhësore dhe shkencore, ku, mbase, duhet të adresohen hartuesit e teksteve shkollorë, pasi, stili tërheqës, natyrshmëria, imagjinata e bukur dhe mbresëlënëse, jo vetëm ka karakter edukues e argëtues, por edhe i pajis lexuesit me  njohuri dhe dije të thella për jetën, kulturën dhe shkecat, ndërkohë që i frymëzon ata të jetojnë në mënyrë aktive dhe energjike të sotmen, por edhe përfytyrojnë në mënyrë krijuese dhe me optimizëm të ardhmen.

Viron Kona mes lexuesve të vegjël

 

Duke  e lexuar me kërshëri këtë libër simpatik dhe tërheqës, më duket origjinale dhe një befasi apo gjetje artistike përzgjedhja dhe futja në këtë roman e disa personazheve shpendë e kafshë si: papagalli Çate, qeni Lord, macja Konteshë me shtat kotelet, gjeli Akil, të cilët, duke u ndërthurur dhe harmonizuar bukur me veprimet dhe gjuhën e  personazheve të tjerë kryesorë të librit, e mbajnë ndezur vëmendjen e lexuesit, ashtu dhe ndjenjat e tij përfytyruese, zgjimin e  ëndrrave dhe pasioneve për ta jetuar jetën me tërë forcën dhe mundësitë që ofrojnë energjitë e jashtëzakonshme të trurit të tyre të freskët, aktivë dhe plotë gjallëri.

Shkrimtari  me talentin e  tij krijues ka aftësinë t`i lidh shkencërisht dhe artistikisht faktet, duke krijuar përpara lexuesit situata intriguese, tërheqëse dhe mësimdhënëse. Kur nënvizon arsyen se në planetin Mars duhet të shkoj edhe qeni me emrin Lord, ai e përqas atë me familjen dhe fisin e qenit Lajka, i cili, siç dihet botërisht, është dëshmori i parë i hapësirës kozmike. Ndërkaq, qeni me emrin Lordi, do ta çojë edhe më përpara misionin e nisur nga Lajka për të eskploruar hapësirën kozmike. Kështu, parshtrime origjinale dhe argëtuese për fëmijët, shkrimtari bën edhe kur thekson idenë e shkuarjes në planetin Mars të maces Konteshë dhe të shtatë koteleve të saj që kanë emrat e shtatë ditëve të javës, duke nënvizuar këtu aftësinë që kanë macet të nuhasin dhe të zbulojnë lëkundjet e tokës: tërmetet dhe vullkanet; kurse kur shfaq mendimin për të shkuar në Mars, së bashku me ekspeditën, edhe të gjelit Akil, shkrimtari me humor shkruan se Akili është i nevojshëm për astronautët gjumashë, që t`i zgjojë ata nga gjumi marsian, veçanërisht kur mund të ndodh që në planetin Mars ora të mos punojë…Madje, shkuarjen e gjelit Akil në Mars, shkrimtari e bënë edhe më të domsodoshëm pasi këtij gjeli luftarak  i krijohet mundësia që të bëjë edhe një vizitë në një planet të vogël që ka emrin Akil…Këto propozime i bënë veçanërisht papagalli Çate, i cili është ndër personazhet kryesor të librit dhe shoqërohet me shumë episode që kanë edhe karakter informues për shpendët dhe racën e papagajëve, por edhe që e shkrijnë së qeshuri lexuesin e  vogël, i cili e simpatizon papagallin Çate edhe sepse ai ka aftësinë të artikulojë fjalë dhe shprehje ashtu dhe njerëzit. Por, autori me të drejtën e tij krijuese (sepse në librat fantastikë për fëmijë, edhe shpendët dhe kafshët flasin dhe kumtojnë mendime), pra duke i dhënë papgallit Çate aftësinë e të folurit dhe, akoma më tej atë të të menduarit, autori e vendos papagallin e ditur në rrafshin e personazheve të tjerë, që do të jenë pjesëmarrës aktivë në ekspeditën shkencore të Bubulinos për të shkuar bashkërisht në planetin Mars.

Jo pa qëllim ndër personazhet e spikatur të kafshëve janë dhe ariu i bardhë (Vetëtima Polare) dhe Pinguini(Zotëria me Kostum Bardhë e Zi), të cilët autori i ka vendosur në libër si për të na paralajmëruar se shkrirja e akujve në të dy polet e rruzullit tokësor, është një fatkeqësi e madhe dhe e jashtëzakonshme, e cila ka të bëjë me fatet, të ardhmen dhe jetesën e  planetit tonë e të shoqërisë njerëzore. Mesazhi, aq sa u shkon të rriturve, u shkon edhe fëmijëve dhe brezit të ri, të cilëve u përket kjo e ardhme dhe për të cilën ata duhet të tregohen aktivë dhe energjikë për të ndihmuar në shpëtimin e planetit nga ngrohja globale ashtu siç lufton dhe është aktiv Bubulinoja dhe ekspedita e tij shkencore.

Janë tërheqëse edhe pyetjet dhe përgjigjet që bëhen në konferencë, dialogët  plot batuta të kripura mes personazheve që shkaktojnë  gëzim, humor dhe të qeshura të shëndetshme e argëtuese pa të cilat nuk mund të kuptohet jeta plot gjallëri e fëmijëve. Në këtë kontekst dëshiroj të sjellë në vëmendje të lexuesve konsideratën e  Prof. Dr. Akademik Gjovalin Shkurtaj, i cili në librin “Pesha e fjalës shqipe”(“Ufo Press,Tiranë 2009, fq. 278, ndër të tjera shprehet: “Befasia më e këndshme e lexuesit në librat e Viron Konës është dialogu midis personazheve. Aty ai është mjeshtër i vërtetë. Librat “Dardi” dhe “Eh, more Bubulino” më kanë shërbyer si minierë e pasur për të gjetur dialogë të përshtatshëm për shembullzimin e shumë prej kategorive gramatikore që është e nevojshme të shpjegohen për mësimin e shqipes së folur nga të huajt dhe nga të gjithë ata që mëtojnë përdorimin e saktë dhe të drejtë të formave dialoguese në shqipen e sotme.

Idetë dhe mesazhet që përcjellë libri “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!” janë aktuale dhe me vlera edukative e të perspektivës, aty vlon dhe gjallëron dëshira e  kahëhershme e njerëzimit, nisur nga lashtësia dhe deri në ditët e  sotme, për të njohur piksëpari me themel rruzullin tonë tokësor ose “Shtëpinë  e njerëzimit”, siç i pëlqen të shprehet Viron Kona, por dhe për të njohur mjediset dhe hapësirat e pafundme kozmike. Libri ka një hyrje mbresëlënëse të fizikanit dhe pedagogut të njohur Bujar Poçari, si dhe recensa dhe konsulenca nga njerëz të dijes dhe të arsimit: Sokol Demaku, Petrit Malushi dhe Bashkim Saliasi. Botues i librit është “Emal”.

(Video) Filarmonia e Kosovës hap sezonin me soliste pianisten e shquar Lule Elezi nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur gjerman Boian Videnoff

Filarmonia e Kosovës hap sezonin me soliste pianisten e shquar Lule Elezi nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur gjerman Boian Videnoff

Më 27.09.2019 (E premte) ora 20:00

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Salla e Kuqe (Prishtinë)

Starton Koncerti i hapjes së sezonit

Programi i hapjes së sezonit 2019 / 2020 i Filharmonisë së Kosovës sjellë në Prishtinë koncertin në drejtimin e dirigjentit Boian Videnoff (Gjermani).

I njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, ai kthehet përpara publikut të kryeqytetit për bashkëpunimin e radhës me një mbrëmjes koncertale me vepra romantike.

Solistja e mbrëmjes, pianistja e mirënjohur kosovare Lule Elezi do të luajë koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Eduard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore. Pjesa e dytë e koncertit është rezervuar për Simfoninë e 9-të në e-mol të kompozitorit çek Antonín Dvořák, ndryshe e njohur si Simfonia “Nga bota e re”. Kjo e fundit qe kompozuar në vitin 1893 derisa Dvořák ishte drejtor i Konservatorit Kombëtar Amerikan të Muzikës në Nju Jork dhe është një nga simfonitë më të popullarizuara të të gjitha kohëve. Astronauti Neil Armstrong mori një incizim të kësaj simfonie përgjatë misionit Apollo 11, ndryshe i njohur si zbarkimi i parë i njeriut në hënë në vitin 1969. Në 50 vjetorin e zbarkimit historik në hënë, ju mirëpresim në një mbrëmje si kjo për të provuar madhështinë e muzikës orkestrale.

Programi
E. Grieg । Koncert për piano në a – mol, Op. 16
A. Dvořák । Simfonia “Nga bota e re” në e – mol, Op. 95

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës
Lule Elezi – piano (Kosovë)
Dirigjent: Boian Videnoff (Gjermani)

 

Kosovo Philharmonic
September 2019 – June 2020

27.09.2019 (Friday) । 20:00
Palace of Youth and Sports – Red Hall (Prishtina)

Season Opening Concert

Season Opening Evening of the Kosovo Philharmonic Orchestra brings to Pristina a concert led by conductor Boian Videnoff (Germany). Known as the artistic and general director of the Mannheimer Philharmoniker and his work with few of the most renowned soloists of our time, he returns for his next collaboration with Kosovo Philharmonic Orchestra in a concert with a romantic program. The evening’s soloist, the well-known Kosovar pianist Lule Elezi will play the only piano concerto written by Norwegian composer Edvard Grieg, known as one of the most popular piano concertos ever written. The second part of the concert is reserved for Dvořák’ s Symphony No. 9 in E – minor also known as the New World Symphony. It was composed in 1893 while Dvorak was the director of the National Conservatory of Music in America in New York and is one of the most popular symphonies of all time. Astronaut Neil Armstrong took a tape recording of the New World Symphony along during the Apollo 11 mission, the first Moon landing, in 1969. On the 50th anniversary of the Historic Moon Landing, do join us to experience the wonder of orchestral music.

Program
E. Grieg । Piano concerto in A – minor, Op. 16
A. Dvořák। New World Symphony in E – minor, Op. 95

Kosovo Philharmonic Orchestra
Lule Elezi – piano (Kosovo)
Conducted by Boian Videnoff (Germany)