Nuk ka asnjë dyshim që publikimi i dosjes synon goditjen e Metës nga kundërshtarët apo partnerët e tij politikë. Kjo gjë mbetet e paqartë. Për faktin që i vetmi që u përmend është Meta, ndërkohë që në dosje figurojnë edhe emra të tjerë. Por më e rëndësishme se sa beteja politike dhe goditja ndaj Metës që tashmë nuk është e re, ka një seri pikëpyetjesh dhe çudish që shoqërojnë këtë histori. Një histori që të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin dhe nuk e dëgjojnë!

I pari hesht Meta. Meta duhet të thotë nëse përgjimi është i vërtetë apo i montuar. Nëse është i vërtetë çfarë ka dashur të thotë me të dhe cili ka qenë kuptimi!

I dyti hesht Prokurori, që nuk shpjegon se si është lënë në përgjim një njeri me imunitet deputeti, ende në fuqi në vitin 2008?! Si e ka bërë këtë pa vendim gjykatë (Nëse besojmë versionin që Hoxha deklaroi dje) dhe mbi të gjitha si e ka transkriptuar kur nuk ka pasur leje ligjore për këtë?

I treti hesht Parlamenti, të cilit i është përgjuar pa leje një deputet dhe kjo përbën shkelje të ligjit!

I katërti hesht shteti, të gjitha strukturat e tij, që nuk tregojnë se si ka dalë një dosje e mbyllur me vendim gjykate dhe e destinuar të asgjësohet, nëpër media?! Si mundet dokumentat e shtetit të qarkullojnë kaq lirshëm edhe kur bëhet fjalë për përgjime delikate, ku përfshihen edhe njerëz që nuk kanë lidhje me çështjen, por janë thjeshtë miq të Ismailajt?! Kush e ka nxjerrë dosjen? Prokuroria? Gjykata? Policia? apo të gjitha nga pak? A është nxjerrë dosja për shantazh dhe ndaj kujt do vijojë më pas ky shantazh? Askush nuk e sheh dhe askush nuk e dëgjon!

Hesht opozita që zakonisht flet për gjithçka por kësaj herë bën sikur nuk e ka mendjen ose sikur nuk e ka parë! Nuk ka folur ende. As për të dhënë një version të sajin.

Hesht Kryeministri, i cili si në rastin e parë sërish ndihet jashtë çështjes dhe vijon të qëndrojë jashtë, edhe pse bëhet fjalë për aleatin e tij kryesor! Nuk ka folur deri tani. As për ta mbrojtur.

Heshtin të gjithë! Heshtin dhe nuk shikojnë! Ose dinë më shumë se sa dimë ne…